20.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Asensio rrumbullakosi “6000”

Marco Asensio hyn në historinë e Real Madridit. “Mallorcani” shënoi, me rrjetën e tij të dytë në “Villamarín”, golin e 6000-të për klubin e bardhë, në kampionatin spanjoll. Ky gol e vendos atë në një listë të shquar, që ka midis anëtarëve të tij Gento, Juanito apo Raul. Kjo listë u përurua në vitin 1928. Lojtari i parë që hyri me emrin e tij në të ishte Jaime Lazcano, së shënuesi i golit të parë të Real Madridit, në javën e parë të ligës, edicioni 1928-1929. Të bardhët fituan me rezultatin 5-0 dhe Lazçano realizoi katër nga pesë golat e ndeshjes. U deshën 22 vjet para se klubi i bardhë të futet në regjistrin e “efemerive” të ligës. Protagonist, këtë herë, do të ishte Manuel Fernández Fernández, i njohur zakonisht si Pahiño, i cili shënoi golin e 1000-të të “Los Blancos” në kampionat. Kjo ndodhi më 5 nëntor 1950, në një fitore 2-5 kundër Athletic, në “San Mamés”. Pahíño shënoi golin e fundit të sfidës, në 84′.
Një tjetër lojtar i shquar shënoi golin e 2000-të të Real Madridit. Francisco Gento, njeriu i gjashtë Kupave të Europës, e ka shenjuar këtë shifër, duke shënuar golin e tretë të Real Madridit në fitoren 3-1 ndaj Pontevedra, në “Bernabeu”. Di Stéfano dhe Gento shënuan dy golat e tjerë për të bardhët. Një tjetër legjendë e Real Madridit shënoi golin e 3000-të. I zgjedhuri ishte Juan Gómez, Juanito, i cili më 20 janar 1982 realizoi kundër U.D. Salamanca. Për golin e 4000-të u prit 12 vjet. Këtë “prag” e nënshkroi një lojtar që dinte të fitonte zemrën e Real Madridit: Ivan Luis Zamorano. Ishte një triumf 0-5 kundër Real Valladolid, në “José Zorrilla”, në të cilin kilieni shënoi golin e dytë të llogarisë së Real Madridit.
Raul Gonzalez, i cili shënoi golin e 4500-të, nuk mund të mungonte në këtë listë. Golin e 5000-të e “firmosi” Guti, më 14 shtator 2008, në një fitore ndaj Numancias (4-3), në “Bernabeu”. Në sezonin 2012-2013 erdhi goli i 5500-të i Real Madridit, shënuar nga Luka Modriç, në fitoren kundër Málaga, në “Bernabéu”. Goli i 6000-të erdhi mbrëmë, me emrin dhe mbiemrin e protagonistit të ardhshëm të historisë së bardhë, Marco Asensio. Nga goli i 5000-të deri tek ai i 6000-të është periudha më e shkurtër kohore midis një ngjarjeje dhe një tjetre, vetëm 363 ndeshje kanë kaluar. Për të arritur kuotën e 1000 golave nga merengues u nevojitën 439 ndeshje. Nga goli i 1000-të tek i 2000-ti u deshën 389 ndeshje, nga 2000 deri në 3000 u deshën 569 ndeshje, nga 3000 deri në 4000 u deshën 498 ndeshje dhe nga 4000 deri në 5000 u nevojitën 527 ndeshje.

UKT uli furnizimin me ujë por rriti punësimin e militantëve në fushatë

Performanca e ndërmarrjeve të ujësjellësve u përkeqësua gjatë vitit 2017, sipas një vlerësimi të Entit Rregullator të Ujit, i cili raportoi se në të gjithë vendin mbulimi me ujë ra në 78.6 për qind në 2017 nga mbi 80 për qind që ishte ky tregues me 2014. Nga ana tjetër, stafet e mbingarkuara u frynë edhe më tej, duke e çuar numrin e punonjësve për 1000 lidhje në 9.23 me 2017 nga 8.3 që ishte në vitin 2016. “Një nga arsyet kryesore të kësaj tendence në rënie të përformancës është se viti 2017 ka qenë një vit elektoral, që zakonisht shoqërohet me shtim artificial të numrit të punonjësve në shoqëritë UK, rritjen e shpenzimeve në përgjithësi, si dhe të një rënie të vullnetit të zbatimit të ligjit që reflektohet në uljen e normës së arkëtimit”, sqaron Enti Rregullator i Ujit në raportin e aktivitetit të UK-ve për vitin e kaluar. ERU referon më tej se mbulimi i kostos është përkeqësuar me 5%, për shkak të rritjes së shpenzimeve, kryesisht nga rritja e numrit të punonjësve, energjisë elektrike, si edhe i zërit të riparim-mirëmbajtjes. Qeveria qendrore në 2017 ka dhënë subvencion prej 11 milionë lekë. Vlerësohet se vetëm 18 nga 57 shoqëri mbulojnë kostot e O&M mbi 100%, të cilat përfaqësojnë 56% të popullsisë së shërbyer.

Norma e arkëtimit ka pësuar një rënie me 8%, për shkak të tendencës së moszbatimit të ligjit në periudhën elektorale, si edhe nga shtimi i zonës së shërbimit të shoqërive me pjesën rurale që ka tregues të ulët arkëtimi. Uji pa të ardhura, si treguesi më i rëndësishëm i performancës, ka një përmirësim me rreth 2%, por mbetet akoma në vlera të papranueshme. Ky përmirësim mund të jetë rrjedhojë e përmirësimit me rreth 4% të nivelit të matjes individuale të konsumatorëve. “Niveli i matjes” është përmirësuar me 4%, si rezultat i investimeve në sektor. Efiçenca e stafit ka një përkeqësim me 1 person/1000 lidhje më shumë. Në vlerë absolute, numri i punonjësve të punësuar nga vetë shoqëritë është rritur me 519 punonjës, që vjen si rezultat i efektit të vitit elektoral për punësimet artificiale. “Kohëzgjatja e furnizimit me ujë” si tregues ka mbetur pothuajse i pandryshuar (zvogëluar me 0.9 orë/ditë). Duke pasur parasysh vështirësitë në matjen dhe llogaritjen e tij, është i vështirë interpretimi i ecurisë së këtij treguesi shpjegon ERU.

Mungesa e Kumbaros në Komision, Vokshi: Kumbaro mungoi me urdhër nga Rama

Mosparaqitja e ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, në Komisionin e Medias ka shkaktuar debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës. Deputetët e PS-së kanë braktisur Komisionin. Teksa për opozitën kjo situatë është e paprecedent që ministrja të konfirmojë pjesëmarrjen dhe më pas ta anulojë me urdhër të Kryeministrit. “Të largohet opozita, është normale. Të refuzojë opozita mënyrën arrogante të qeverisjes dhe të largohet është normale, por të largohet mazhoranca nga një Komision që duhet të ishte këtu për të mbrojtur të gjitha ato pseuodoreforma të kryeministrit është anormale. E kuptoni që as këta nuk i mbrojnë dot kullat e skandaleve të kryeministrit. Është vërtetim i dështimit të gjithë reformave në kulturë, arsim dhe gjithë sektorët e tjerë. Keqardhje për të gjithë kolegët e mi që nuk e mbajtën dot”, tha Vokshi. “Po si tallet kryeministri me juve? Si e pranoni? Refuzojeni! U mërzitet kur unë mora pak gjak për t’ju sqaruar, ja ku janë të gjitha shkresat, kemi komunikuar në mënyrë zyrtare, i thamë hajde të premten. Kjo që bëni ju është e turpshme, ju dha urdhër të çoheni që të mos përballeni, ju dha urdhër siç i dha ministres. Opozita ikën, por që të ikë mazhoranca nuk e kam dëgjuar”, tha Vokshi. “Kërkesa e grupit të opozitës për të thirrur ministren e Kulturës është në përmbushje të plotë të një detyrimi kushtetues që kanë komisionet parlamentare për të kontrolluar funksionimin e qeverisjes dhe qeverisja për të dhënë llogari para komsionit përkatës. Ajo që duhet të sqarojmë nuk ka të bëjë me personalitete të nderuara që janë thirrur dhe janë të pranishëm nga Ministria e Kulturës. Problemi është politik, ne i jemi drejtuar ministres së Kulturës për një problematikë ku qëndrimi i saj është shumë më i rëndësishëm, personalitetet që janë këtu përfaqësuese nuk e kanë tagrin politik për t’u shprehur. Ne duam të dimë nëse qeveria ka një koncept të qartë tani me shkatërrimin e dy urave, të kishës, të Kalasë së Gjirokastrës, do ketë mundësi për të ndërhyrë apo jo? Ne jemi të shqetesuar për mungesën e dialogut me grupet e interesit”, u shpreh Rrokaj.

Ancelotti refuzon rikthimin te PSG

Carlo Ancelotti i mungon trajningut të futbollit elitar europian. Disa “madhështorë”, madje edhe skuadra kombëtare italiane, i janë afruar atij për t’i drejtuar, por ai është i qartë: Premier League ose Premier League. Sipas anglezes “The Mirror”, trajneri italian thuhet se hodhi poshtë një propozim nga Nasser al-Khelaifi, që të rikthehet në stolin e PSG, skuadër e cila nuk ka vazhdimësi të qartë në udhëheqjen e Unai Emery, nga qershori i ardhshëm.
Në pritje të ndeshjes së kthimit në “Parc des Princes” me Real Madridin, në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, presidenti miliarder i parisienëve do të jetë në kërkim të zëvendësuesit të trajnerit bask. Por, ai ka hasur në refuzimin e Ancelottit, i cili i ka drejtuar tashmë parisienët në një periudhë midis janarit 2012 dhe qershorit 2013. Kësisoji, pistat e mundshme për të pasuar Emery janë emra të tillë si Pochettino (Tottenham), Wenger (Arsenal) dhe Conte (Chelsea). Nga ana e tij, “Carletto” është në Londër, duke pritur për të gjetur një klub në kampionatin anglez, sepse ka nostalgji për atë që ka bërë në drejtimin e Chelsea (2009-2011).

Nëse ikën Conte do të rikthehet “kapiteni legjendar”!

John Terry synon të rikthehet se Chelsea si trajner si pjesë e synimit të tij që një ditë të drejtojë skuadrën në “Stamford Bridge”. Ish-kapiteni i “bluve” ka një kontratë deri në qershor me Aston Villa, skuadër në kategorinë e dytë angleze, ku qendërmbrojtësi shkoi pas fundit të kontratës me Chelsea. Ai nuk e ka fshehur kurrë interesimin për të qenë trajner dhe sipas “The Mirror”, Terry mendon se një ditë do të drejtojë skuadrën e Chelsea, duke e nisur punën fillimisht si pjesë e stafit të trajnerëve të kësaj skuadre.
E ardhmja e trajnerit Antonio Conte është në dyshim, vetëm një vit pasi fitoi titullin në atë që ishte sezoni i tij i parë në Angli. Në këto kushte, Terry, i cili jeton shumë pranë qendrës stërvitore të Chelsea në Cobham, mund të shohë t’i hapet një dritare në një karrierë të re. Conte duket se do të rikthehet në Itali, atje ku ka qenë i suksesshëm me ekipin kombëtar dhe Juventusin, kësisoj ekzistojnë të gjitha gjasat se trajneri i ardhshëm i “bluve” do të pranojë dëshirën e Terry për ta përfshirë në stafin e tij.
Terry mendon se do të ishte më mirë ta niste karrierën si trajner në stafin e Chelsea, sesa të bëhej trajner i parë diku gjetkë në etapën e tij të parë në profesionin e ri. Gjithsesi, nuk përjashtohet mundësia që trajneri i Aston Villa, Steve Bruce, ta dojë edhe një vit në ekip nëse kjo skuadër futet në Premier League. Villa është në vendin e dytë në Championship, me një pikë më shumë se Derby County dhe Cardiff City. Nëse e mban këtë pozicion deri në fund do ta ketë realizuar objektivin.

Guardiola betohet për blerjen që kushtoi 43.5 milionë euro

Pep Guardiola ka premtuar ta mbajë Bernardo Silva te Manchester City për aq kohë sa ai është trajner, me 43.5 milionë paundët shtesë, të vendosur për t’u dhënë në kohë, që të provojë vlerën e tij. Trajneri katalanas është pyetur mbi situatën e 23-vjeçarit, pas transferimit për një sasi të madhe parash në “Etihad”, verën e vitit 2017. Ai shkëlqeu me Monakon gjatë sezonit të shkuar, kur fitoi titullin në “Ligue 1”, ndërkohë që bëri përshtypje edhe në një fazë ndërkombëtare me Portugalinë. Udhëheqësit e Premier League, Manchester City, janë ende në pritje për të parë më të mirën e tij, por kjo është për shkak të konkurrencës së ashpër në rolin e tij. Guardiola mban besim të plotë te Silva dhe ka lëvizur për të përjashtuar çdo shans që talenti të lëvizë, duke u thënë gazetarëve:
“Kur ka luajtur, ai ka treguar nivel të lartë. Është një djalë i ri, për të cilin jemi kaq të lumtur që e kemi këtu. Ai do të qëndrojë një kohë të gjatë te Manchester United. Sa të jem unë këtu, nuk do të lëvizë. Ai do të qëndrojë me mua. Nuk e kam parë atë të trishtuar, madje edhe për një ditë. Gjithmonë është në gjendje të mirë dhe ju nuk mund ta imagjinoni se sa e rëndësishme është kjo”. Ndërsa Silva nuk ka qenë në gjendje të ketë të njëjtin ndikim si Leroy Sane dhe Raheem Sterling në këtë sezon, ai ka kontribuar me 5 gola dhe 5 asiste në të gjitha garat. Më shumë nga paraqitjet e tij kanë ardhur nga stoli.

Bajerni i Mynihut, favorit

Robert Lewandowski, golashënuesi më i mirë në Bundesligë me 20 gola dhe kontratë aktuale me Bayernin deri në verën e vitit 2020, ka folur për një kalim të tij të mundshëm te Real Madridi, nisur nga zërat, të cilët kanë kohë që e veshin me të bardha në sezonin e ardhshëm. Champions, Jupp Heynckes dhe ish-bashkëlojtari i tij te Dortmund, Pierre-Emerick Aubameyang, janë tema të tjera të diskutuara nga sulmuesi polak në një intervistë të dhënë për “Kicker”. Pyetjes se çfarë mund të thotë në lidhje me një të ardhme të mundshme në “Bernabeu”, Lewandowski iu përgjigj shkurt: “Në futboll nuk mund të mohosh asgjë…”. Po cilat janë skuadrat favorite në Champions, sipas polakut? “Ne duam të fitojmë gjithçka. Nuk do të ishte një surprizë, nëse Bayern Munich e fiton Ligën e Kampionëve, edhe pse në të ardhmen gjërat mund të komplikohen. Pastaj, le të shohim se çfarë do të ndodhë në pjesën tjetër të ligave. Edhe Manchester City është në mesin e favoritëve për titull, me Real Madrid, Barcelona dhe Bayern. Skuadrat e mëdha janë gjithmonë aty”, nënvizon sulmuesi i bavarezëve. Dy fjalë edhe për supersfidën midis PSG-së dhe Real Madridit: “Në sfond, PSG-ja është e të njëjtit nivel. Mbetet për të parë nëse ata janë në gjendje të përmbysin disavantazhin 3-1 në Paris”.

Ronaldo ka 21 gola më shumë se Mesi

Sipas UEFA-s, Ronaldo ka shënuar 21 gola më shumë se Leo Messi në Champions, që kur portugezi u transferua në Madrid nga Manchester United, në vitin 2009. 101 golat me fanellën e Real Madridit dhe 116 golat në përgjithësi, në historinë e Ligës së Kampionëve, e bëjnë Cristiano Ronaldon “mbretin” e kompeticionit më të rëndësishëm europian për klube. Kuotën e 101 golave në Champions me Realin, Ronaldo e arriti pas dy finalizimeve ndaj PSG-së, në fitoren 3-1 të së mërkurës së kaluar në “Bernabeu”. “Që nga shtatori i viti 2009 në Champions, Cristiano Ronaldo ka shënuar 101 gola, ndërsa Leo Messi 80 gola”, ka shkruar faqja e UEFA-s në Twitter, në momentin kur Ronaldo kompletoi dopietën e tij kundër PSG-së. Këto 101 gola vetëm me fanellën e Real Madridit, duke mos llogaritur ato me Manchester United, portugezi i ka realizuar në 95 ndeshje, ndërsa 80 golat e tij, që nga viti 2009, Leo Messi i ka grumbulluar në 88 ndeshje.

Pavarësisht se ka jetuar sezonin e tij më të keq, që kur u bashkua me Real Madridin, Cristiano Ronaldo, në të vërtetë ka një rekord më të mirë golashënimi se Lionel Messi, këtë fushatë. Ish-sulmuesi i Manchester United ka gjetur formën e tij më të mirë në javët e fundit dhe e ka vënë PSG-në me “shpatulla pas murit” në 1/8 e parë finale të Ligës së Kampionëve, mesjavën e kaluar. Gjatë sezonit deri tani, Ronaldo ka luajtur 30 ndeshje, në të cilat ai ka shënuar 26 gola, duke pasur një mesatare prej rreth 0.86 golash për ndeshje. Kjo mesatare është më e mirë se e yllit të Barcelonës, kryegolashënuesit aktual në La Liga, edhe pse duhet të thuhet se argjentinasi ka luajtur nëntë ndeshje më shumë se rivali i tij. Në 38 ndeshje, këtë sezon, Messi e ka gjetur rrjetën në 27 raste. Kjo shkon deri në një mesatare prej rreth 0.71 golash për ndeshje. Luis Suarez kishte një magji të paduruar të tij në këtë sezon, megjithëse si Ronaldo, ai i ka gjetur golat në momentin më të favorshëm të fushatës. Uruguajani ka shënuar 19 gola në 24 ndeshje (0.55 gola për lojë). Ka mundësi që të vërtetohen të gjitha llojet e sugjerimeve se Ronaldo nuk ka gjasa të arrijë nivelin e mëparshëm të performancës, megjithatë, ai ka treguar se ende e di saktësisht se ku është goli. Në garën e brendshme në Spanjë, Messi ka një rekord prej 0.83 golash për ndeshje, ndërsa Ronaldo e ka këtë shifër 0.81.

Interi në kolaps!

Nga udhëheqës i Seria A, Interi e sheh veten tashmë në krizë identiteti të dukshme. Rënia e ekipit të drejtuar nga Spalletti në vitin 2018 është evidente dhe tani zikaltrit rrezikon të humbasin vendin e 4-t. Pra, nuk janë dhe aq në gjendje për të goditur një sezon të madh, kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Interi ka fituar vetëm 9 pikë në 10 ndeshjet e fundit të Seria A, me një “plaçkë” prej 48 pikësh në 25 ditë identike me atë të sezonit të kaluar. Nëse Lazio do të fitojë sonte me Verona, ajo do t’i spostojë zikaltrit në vendin e 5-të të renditjes. Problemet e pjesës tjetër, mes lojtarëve, trajnerit dhe klubit nuk mungojnë. Në origjinën e ngadalësimit të mprehtë të ecurisë së Interit, sipas një raporti të “La Gazzetta dello Sport”, është mosndërhyrja e pronarëve të klubit në merkaton e janarit, duke injoruar sinjalet e ekipit, që tashmë kishte filluar të tregonte disa kufizime. Huazimet e Ramires dhe Texeira nga klubet simotra të Jiangsu kanë qenë të ngrira, ndaj nuk është bërë një investim i madh. Ekziston edhe problemi i distancës së pronësisë nga ekipi, një faktor tjetër jo i mesëm: koha e fundit që Zhang Jindong ishte në Milano daton më 18 shtator 2016, gjatë ndeshjes Inter-Juventus 2-1. Ndonëse djali i tij, Steven, është vendosur në kryeqytetin e Lombardisë, mungesa e pronarit të madh nuk mund të neglizhohet. Sa i përket grupit, midis lojtarëve zikaltër nuk ka më unitet. Eshtë prishur ajo kompaktësi, që ka qenë një nga komponentët e startit mbresëlënës të ekipit. Një aspekt tjetër, që duhet theksuar nga fjalët e fundit të trajnerit Luciano Spalletti, është i përfaqësuar nga konfuzioni i roleve dhe nganjëherë mbivendosja e detyrave midis Gardini, Sabatini dhe Ausilio. Tani edhe tifozët fillojnë të jenë të paduruar, ata presin investime nga klubi dhe reagim në fushë nga lojtarët.

Dueli i “Scudetto” midis Napolit dhe Juventusit vazhdon me një ritëm marramendës. Napoletanët, me fitoren në shtëpi ndaj SPAL, janë ngjitur në kuotën e 66 pikëve, një më shumë se bardhezinjtë, të cilët regjistruan 65 pikë me fitoren në derbin e Torinos. “Blues” udhëtojnë me një mesatare prej 2.64 pikësh për ndeshje, çka, nëse vazhdon kështu në projeksion, në fund të sezonit do t’i çojë të besuarit e Sarrit në tejkalimin e “murit” të 100 pikëve. Ritmi do të ishte shumë i ngjashëm me atë të Juventusit të Contes, në sezonin 2013-2014, të cilin “Zonja e Vjetër” e mbylli duke fituar titullin me 102 pikë. Mesatarja e Juventusit është paksa më e ulët dhe do t’i projektonte bardhezinjtë në kuotën e 98.8 pikëve në fund të kampionatit. Rreziku i shikimit të një ekipi që tejkalon 90 pikë dhe nuk e fiton titullin, një fakt që kurrë nuk ka ndodhur deri më tani në historinë e kampionatit italian, është shumë i lartë kësaj here. Mund të ndodhë që të dyja skuadrat ta përfundojnë kampionatin me më shumë se 100 pikë, me përplasjen e drejtpërdrejtë, që do të ishte vendimtare. Napoli, duke i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura në kampionat, do ta mbyllte në kuotën e 105 pikëve dhe do të fitonte titullin pas 28 vjetësh, ndërsa Juventusi, duke humbur vetëm sfidën e brendshme me napoletanët, por duke fituar të gjitha garat e tjera, do të përfundojë në vendin e dytë me 101 pikë. Megjithatë, nëse Napoli humbet në Torino, pavarësisht se i fiton të gjitha ndeshjet e tjera, Juventusi i Allegrit do ta mbyllë në vendin e 1, me 104 pikë, ndërsa blutë e Sarrit do të jenë të dytët, me 102 pikë. Sidoqoftë, të dyja ekipet do ta kalonin “murin” me 100 pikë.

Fabregas mohon krizën te Chelsea

LONDON, ENGLAND - AUGUST 23: Cesc Fabregas of Chelsea during the EFL Cup match between Chelsea and Bristol Rovers at Stamford Bridge on August 23, 2016 in London, England. (Photo by Catherine Ivill - AMA/Getty Images)

Cesc Fabregas ka mohuar se Chelsea është në krizë përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve me Barcelonën, duke pretenduar se shokët e tij të ekipit janë duke injoruar negativitetin e tanishëm, që synon drejt klubit. Antonio Conte u përball me spekulime se do të humbiste punën e tij pas disfatave në Premier League. Fabregas, nga ana e tij, beson se sezoni i ekipit të tij nuk ka qenë aq i keq. “Unë nuk mendoj kështu, që të jem i sinqertë, tha Fabregas për “Goal”, kur u pyet nëse lojtarët janë prekur. Mendoj se jemi të gjithë lojtarë profesionistë. Spekulimet rreth nesh nuk do të mungojnë, sepse luajmë për një klub të madh futbolli. Gjithmonë do të ketë thashetheme dhe gjëra për t’u thënë. Ne vetëm përqendrohemi te futbolli dhe në lojën tonë. Në futboll, jeni më të mirët pas fitores dhe, nëse humbisni, bëheni më të këqijët. Nuk ka asnjë pikë të mesme në futboll; ose jeni më të mirët, ose jeni të këqij.
Vetëm duhet të përqendrohemi në punën tonë, të jemi mirë çdo tri ditë, të konkurrojmë si duhet dhe pastaj të flasin rezultatet. Ndoshta kemi luftuar pak këtë vit, por mendoj se kemi luajtur mirë. Ndoshta jo në nivelin tonë maksimal, ose nivelin që kemi treguar vitin e kaluar, por është ende një sezon i mirë. Jemi në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, tri pikë larg Manchester Unitedit, që është i dyti në Premier League. Arritëm në gjysmëfinalen e “Kupës Carabao”. Pra, nuk mund të thoni se është një sezon mesatar, apo i keq; është një sezon i mirë. Gjëja më e rëndësishme është që skuadra të luajë mirë dhe të rritet përsëri. Të kthehemi te besimi, sepse muaji dhe gjysma e ardhshme, dy muaj, nëse shikoni kalendarin tonë, janë shumë të vështirë dhe do të kemi nevojë për çdo lojtar të vetëm në dispozicion”.