30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Real vendos rekord golash

Real Madrid ka trembur tifozët në pjesën e parë, por pas pushimit është rikthyer bindshëm, duke mundur Betis me rezultatin 5-3 në Estadio Benito Villamarin. Nuk ishte aspak e lehtë për të besuarit e Zidane të ekzekutonin këtë ndeshje delikate pas triumfit në Champions League ndaj PSG, por ata ia arritën të prodhonin një tjetër paraqitje fantastike, duke siguruar fitoren e 13-të të sezonit. Real është bërë ekipi i parë që ka shënuar 6000 gola në La Liga, një tjetër rekord historik për Los Blancos.
Sfida nisi shumë mirë për Los Blancos, me Asensio që zhbllokon rezultatin në minutën e 11’. Por dy gola të shpejtë të vendasve përmbysin gjithçka që në pjesën e parë. Në fillim ishte Mandi dhe më pas autogoli i Nacho-s, që riktheu ankthet e vjetra të tifozëve të Real Madrid.
Por pas pushimit në fushë u rikthye Reali i madh me Sergio Ramos që barazon rezultatin dhe Asensio që kalon të tijtë në avantazh për të dytën herë pak minuta më pas. Për të vulosur fitoren mendon Cristiano Ronaldo me një gol të bukur nga brenda zonës. Gjithsesi, Betis ringjall shpresat në fund të takimit me golin e ish-it Sergio Leon, por Real kundërpërgjigjet me Benzema në fund. Me këtë fitore, Real tashmë ndodhet në vend të 4-t me një ndeshje më pak se skuadrat e tjera.

Barcelona kundër Chelsea

Ernesto Valverde. Nuk ka asnjë trajner tjetër në historinë e Barcelonës, i cili e ka filluar La Liga-n pa e njohur humbjen në 24 javët e tij të para. Tekniku në fjalë e mposhti startin më të mirë, si i pamposhtur, të Pep Guardiolës, me 21 ndeshje në sezonin 2009-2010. Duke vënë së bashku edhe të shtatë fitoret e skuadrës së Luis Enrique në kampionatin e shkuar, klubi katalanas ka tashmë 31 ndeshje pa humbur, shifër e barabartë me rekordin historik të “Pep Team” në sezonin 2010-2011. Sfvajtje tani është që të arrijë 38 ndeshje pa humbje, të vendosur nga Real Sociedad midis viteve 1979 dhe 1980. Megjithatë, Barcelona e Valverde gjendet edhe para një sfide tjetër. I pamposhtur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, me një balanc prej katër fitoresh dhe dy barazimesh, “Txingurri” u çiftua në dhjetor me legjendat e kampit të “Camp Nou”, si Helenio Herrera dhe Rinus Michels. Të dy mbetën pa u mundur në gjashtë angazhimet e tyre të para të Kupës së Europës, derisa u thyen në të shtatën, në të dyja rastet. Në rastin e Herera, disfata e parë ishte në “Chamartín”, kundër Real Madridit, në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve (3-1), pa Ladislao Kubala, i lënduar. Në sfidat e mëpasshme për Valverden shtrohet rruga e pushtimit të Ligës së Kampionëve pa humbur asnjë ndeshje. Me Barçën, vetëm Frank Rijkaard fitoi 9 fitore dhe mori 4 barazime në 13 ndeshjet e edicionit 2005-2006.

Problemet e Pogba!

Jose Mourinho shpreson se Manchester United do të përforcohet për ndeshjen e Ligës së Kampionëve të së mërkurës, me Sevilla. Sëmundja e Paul Pogba në mëngjesin e sfidës së “FA Cup”, të shtunën, në Huddersfield Town, kufizoi mundësitë e mesfushës së Mourinhos, me të riun Ethan Hamilton që zëvendësoi transferimin rekord të klubit. Romelu Lukaku shënoi dy herë për të siguruar një fitore 2-0 në “FA Cup”. Dueli i ardhshëm i “Djajve të Kuq” është një udhëtim i frikshëm në “Ramon Sanchez Pizjuan”, por Mourinho shpreson të ketë Ander Herrera, Marcus Rashford dhe Antonio Valencia përsëri në dispozicion, megjithëse rimëkëmbja e Pogba mbetet mister. “Unë nuk pushova një lojtar të vetëm, kështu që kishim çdonjërin në dispozicion, këtu u tha Mourinho gazetarëve. Nuk kam pushuar askënd, kam sjellë dy fëmijë, që luajtën 90 minuta, sepse nuk kam ndonjë tjetër lojtar. A mund t’i shërojmë disa prej tyre për të mërkurën? Mendoj se Rashford, Herrera, Valencia… e kanë një shans. Paul, unë nuk e di. Marcos Rojo, Phil Jones, Marouane Fellaini, Zlatan Ibrahimoviç…, nuk mendoj se kanë ndonjë shans. Ne arrijmë në këtë moment vendimtar me disa probleme, por mendoj se mentaliteti është shumë i rëndësishëm, kemi etikë të fortë të ekipit, mentalitet të fuqishëm. E dimë se është një ndeshje shumë e vështirë, por ne shkojmë për të fituar”.

2552 biznese u mbyllën në 2017, kryeson Tirana

Rreth 2552 biznese kryesore dhe dytësore janë mbyllur gjatë vitit që lamë pas në kryeqytet. Konkretisht bëhet fjalë për subjekte të mbyllura, që kanë aplikuar për çregjistrim apo që kanë kaluar në status pasiv. Sipas të dhënave të raportuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Taksave vendore, 1613 prej tyre janë biznese kryesore dhe 939 subjekte sekondare. Ndër subjektet kryesore, pjesën më të madhe të mbylljeve e zë biznesi i vogël me 1513, ndërkohë që janë rreth 93 biznese të mëdha që kanë vendosur të mos operojnë më në treg. Ndërsa raporti është i përmbysur sa i përket subjekteve sekondare, ku rezultojnë 485 biznese të mëdha të mbyllura dhe 185 biznese të vogla.Në muajin e parë të këtij viti 1479 biznese kaluan statusin në pasiv, sipas të dhënave të përditësuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Krahasuar me janarin e 2017-ës, numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me 38%. Në 2018-ën, janë mbyllur çdo ditë mesatarisht 50 biznese, duke përshpejtuar ritmet nga rreth 40 biznese që u mbyllën mesatarisht në ditë përgjatë vitit 2017.
Tirana, qarku me peshën më të lartë të subjekteve të mbyllura
Tirana është qarku që ka numrin më të lartë të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin me 467 biznese të mbyllura gjatë muajit të parë, apo 35 për qind e totalit të bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin. Mesatarisht, çdo ditë të janarit 15 biznese kanë bërë kërkesë për të mos operuar më.

Korça, rekord pezullimesh për 2018-ën
Krahasuar me muajin e parë të 2017-ës, bizneset në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë, që kanë kërkuar pezullim aktiviteti, është trefishuar në janarin e 2018-ës. Sipas listës së subjekteve të publikuar në faqen e Tatimeve, Korça e nisi muajin e parë të vitit me 157 biznese më pak. Numri i bizneseve që u mbyllën për të njëjtën periudhë një vit më parë ishte 54.
Edhe në Qarkun e Vlorës është dyfishuar numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv, nga 51 biznese që ishin në janar të 2017-ës, numri i bizneseve që kërkuan të mos operonin më ishte 109, 7% e totalit të bizneseve të pezulluara në vend. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht.

Koncesioni i Portit të Durrësit, kompania kërkon shtesë kontrate prej 4.5 mln dollarësh

Edhe pse marrëveshja për koncesionin e Portit Porto Romano ka shumë pak kohë që u miratua në Kuvend, kompania ka kërkuar një shtesë fondi për arsye teknike. Sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë sqaroi se, shtesa prej 4.5 mln dollarë kërkohet për ndërtimin e një argjinature, pasi aluvionet në këtë zonë e bëjnë të pamundur punën. “Shoqëria ka paraqitur një kërkesë për një shtesë të projektit për kalimin e kësaj zone me tubacione mbi një argjinaturë artificiale” Edhe pse e miratuan marrëveshjen deputetët si të opozitës dhe të mazhorancës ngritën si shqetësim ndikimin që mund të ketë kjo ndërhyrje në shkarkimin e ujërave të qytetit dhe në ekosistem. Koka: Është një zonë me shumë rrezik për qytetin e Durrësit. Çka do të thotë se kërkon nga ana e institucioneve përkatëse të rrisni gatishmërinë dhe jo thjesht të jenë në rregull me dokumentacionin. Projekti për ndërtimin, shfrytëzimin dhe operimin e Portit në Durrës parashikohet të përfundojë brenda 18 muajve nga nisja e punimeve, ndërsa në total vlera e projektit është 14.5 mln dollarë.

Sekretet e Quincy Jones

Si në sjellje, ashtu edhe në muzikë, Quincy Jones është konsideruar gjithmonë nga të gjithë një personazh i rafinuar, i sofistikuar dhe i paraqitur në mënyrë të paqortueshme (ndodh, kur fitohen 28 Grammy dhe bashkëprodhohet albumi më i shitur në historinë e muzikës). Por personalisht, muzikanti 84-vjeçar është shumë më i hidhur dhe më i komplikuar nga sa duket: “Ajo që kam bërë gjithmonë ka qenë thënia gjithmonë e së vërtetë”, thotë Jones, i ulur në një divan të “pallatit” të tij në Bel Air, pak përpara se t’u ketë fryrë burive të thashethemnajës. “Nuk kam asgjë që të më ngjallë frikë”. Dhe flet sikur të mos kishte asgjë për të humbur, ndërsa i veshur me tuta, mbështjellë me një shall të bukur, nis e shqipton emra. Duke i sharë, duke i lëvduar e duke treguar (dhe ritreguar) histori lidhur me miqtë e kolegët e tij të famshëm. Edhe kur përdor fjalë të ashpra, i thotë me një ton të gëzueshëm, duke u shtrirë përpara për të bërë një “qepalla” me intervistuesin apo për ta goditur me pëllëmbë në gju. “Ah, çfarë përvojash kam pasur! Për të mos u besuar, miku im”.
– Cila është një gjë që njerëzit nuk e dinë lidhur me Michael Jackson?
Më vjen keq, që më duhet ta them në publik, por Michael ka vjedhur një thes me këngë. Duke filluar nga “State of Independence” e Donna Summer (e kompozuar nga Vangelis) në të cilën riff-i qëndror i basit është pabesueshmërisht i ngjashëm (megjithëse është shpejtuar) me atë të hitit të tij të famshëm “Billie Jean”. Notat nuk gënjenjë, miku im, ishte një personazh tejet makiavelik.
– Në çfarë mënyre?
Ishte kurnac, shumë kurnac. Greg Phillinganes – tastierist në bashkëpunime të ndryshme midis Jones e Michael – i kishte gjetur shumë arranzhime për diskun “Off the Wall” (1979), midis të cilëve seksioni qendror i “Don’t Stop ’Til You Get Enough”. Michael do të duhej t’i jepte të paktën 10% për atë pjesë, gjë që nuk e bëri kurrë.

– Dhe jashtë nga muzika?
Nuk bëja gjë tjetër veçse e kritikoja për operacionet e tij kirurgjikale. Ai justifikohej gjithmonë, duke futur në valle ndonjë sëmundje të çuditshme. Budallallëqe. Kishte një problem me pamjen e tij, pasi i jati i thoshte gjithmonë se ishte i shëmtuar dhe abuzonte me të. Ka një kontrast të çuditshëm midis gëzueshmërisë së muzikës të Michael dhe jetës së tij gjithnjë e më shumë të trishtuar. Por problemi final i tij qe me Propofoll-in, një qetësues i fortë që Michael e quante “qumështi” i tij dhe që mjeku vazhdonte t’ia jepte prej pagjumësisë së tij. Policia konfirmoi se shkaku i vdekjes së tij qe një intoksikim akut prej anestetikëve dhe mjeku u akuzua për vrasje të qëllimshme. Por është një problem që u përket të gjithëve këtu në Amerikë, ashtu si ato me bazë opiumi. Duke qëndruar përreth Shtëpisë së Bardhë me çiftin Clinton për 8 vite, kam mësuar sesa është e madhe influenca e Big Pharma, nuk është aspak shaka. Hillary nuk u pëlqen njerëzve, ka shumë sekrete të fshehta.
– Ka ndonjë gjë që do të preferonit të mos e dinit sot?
Do të doja të mos dija se kush ka vrarë John Fitzgerald Kennedy.
– Kush ka qenë?
Sam Giancana, gangsteri nga Chicago. Ekzistonte një lidhje midis Frank Sinatra, mafies dhe familjes Kennedy. Joe Kennedy ishte një njeri i keq, erdhi tek Frank që ta takonte me Sam Giancana për votat e Illionis në presidencialet e 1960.
– E kam dëgjuar tashmë këtë teori për mafien që ndihmoi Kennedy me votat.
Nuk duhet të flasim në publik. Prej nga je ti?
– Toronto.

Ahh, kam qenë në Koncertin e zhvilluar në Massey Hall. Atë mbrëmje të majit 1953 luajtën Charles Mingus, Bud Powell, Charlie Parker, Max Roach dhe Dizzie Gillespie për herë të parë e të fundit bashkë. Grupi fitoi një mizerje, ishte vetëm një natë tjetër për ta. Sigurisht, që nuk mund ta imagjinonin se do të hynin në histori; njëlloj si Woodstock, kush do ta imagjinonte se më pas do të bëhej ajo që është sot, me Jimi Hendrix që këndonte në atë mënyrë himnin kombëtar. Edhe pse festivalet nuk kanë qenë kurrë lloji i gjësë time, Elon Musk vazhdon të kërkojë të më bindë që të shkojë në Burning Man, por as nuk e çoj nëpër mend!
– Hendrix nuk duhej të këndonte në Gula Matari?
Po duhej të këndonte, ishte periudha në të cilën po zgjeronte fjalorin e tij muzikor dhe po kalonte nga rroku e bluzi tek xhazi dhe muzika funk. Fatkeqësisht vdiq i asfiksuar në shtator të atij viti, duke lënë vendin bosh. Ishte nervoz ndaj idesë se duhej të luante me ata bij kurvash të frikshëm si Toots Thielemans, Herbie Hancock, Hubert Laws dhe Roland Kirk. Toots ishte një prej solistëve më të mirë që kanë ekzistuar ndonjëherë. Këndonin vetëm ato më të vështirët në disqet e mia dhe Hendrix nuk donte të përzihej me ta.
– Çfarë keni menduar herën e parë që keni dëgjuar rrok?
Rroku nuk është gjë tjetër veçse një version i bardhë i rhythm & blues, bij kurvash. E di? E kam njohur Paul McCartney kur ishte 21 vjeç.
– Cilat qenë përshtypjet tua të para lidhur me Beatles?

Qenë muzikanët më të këqinj të botës. Nuk dinin të luanin. Paul ishte basisti më i keq që kam dëgjuar ndonjëherë. Ringo Starr? Le të mos flasim fare. Kujtoj se një herë qenë në studio bashkë me George Martin dhe me Ringo arranzhuam një version të “Love Is a Many-Splendored Thing” për albumin e tij debutues si solist: na u deshën 3 orë e gjysmë për të axhustuar një batutë të vetme në 4 strofa për një këngë, por nuk arrihej që nuk arrihej. I thamë: “Shoku, pse nuk shkon e pi një birrë dhe bëj një orë pushim për t’u qetësuar pak”. Kështu bëri dhe ne ndërkohë thirrëm Ronnie Verrell, një baterist zhazi, që në çerek orë e mbylli punën. Kur u kthye më kërkoi që ta riluaja dhe më tha: “Kjo nuk u dukërka edhe kaq keq?”. Dhe unë, me vete: “Po mor shkërdhatë, nuk je ti!”. Por më duhet ta shtoj, është një njeri i shkëlqyer.
– A kishte muzikantë rroku që i vlerësonit?
Po, besoj se grupi i Eric Clapton, The Cream, nuk ishte keq. Por e di se kush luan fiks si Jimi Hendrix? Paul Allen. Po, pikërisht ai, bashkëthemeluesi multimiliarder i Microsoft. Ka një koleksion kitarash dhe jahtesh sa të zilepsë të gjithë botën, por i përdor shkëlqyeshëm të dyja. Një herë qemë në jaht bashkë me David Crosby, Joe Walsh dhe Sean Lennon – ata të çmendurit bij kurvash – dhe në një moment erdhi bile Stevie Wonder bashkë me grupin e tij dhe e ngjitën Paul në skenë. Për të mos ju besuar veshëve. Është vërtet i zoti ai, miku im. 12 vite më parë shkova për darkë me Ivanka Trump. Kishte këmbët më të bukura që kam parë ndonjëherë, mëkat që ka babanë e gabuar….
– Kurse nga një perspektivë muzikore, cili është shkaku për të cilën jeni më krenar?

Për faktin që mund të vërej nga pikëpamja muzikore çdo ndjesi. Jo shumë njerëz ia arrijnë, është një dhunti e madhe. Nuk do ta zëvendësoja me asgjë në botë.
– E ndjeni shpirtin e xhazit në popin e sotëm?
Jo. Kur një muzikant mendon për paratë, Zoti del nga dhoma. Unë nuk i kam menduar kurrë, as kur kam qenë duke bërë “Thriller”. Për të njëjtin motiv sot nuk ka novatorizëm dhe producentët nuk ka njohur për të kaluarën, kështu që nuk kanë aspak ide se ku po shkojnë. E njëjta gjë vlen për muzikantët, të cilëve u mungon një dije formale muzikore. Por, çka është më e keqja, e dinë dhe nuk e vrasin veten fare që nuk e kanë.
– Cili ka qenë novatorizmi juaj më i madh muzikor?
Gjithçka që kam bërë. Çdo punë e imja ka qenë një sfidë kontrastesh midis gjinishë, kam luajtur çdo lloj muzike: nga ajo për bar mitzvah, në marshet ushtarake në atë për strip-club. Xhaz, pop, gjithçka.
– Kush ju pëlqen sot?
Bruno Mars, Chance the Rapper, Kendrick Lamar, disku i fundit i Ed Sheeran është fantastik. Edhe Sam Smith është i madh. Mark Ronson është njeri që di të prodhojë.
– Po përsa u përket kolonave zanore?

Janë të gjitha të dobëta, edhe këtu asnjeri nuk shkon për të ridëgjuar veprat e Bernard Hermann. Më pëlqen Alexande Desplat, kompozitori francez që ka fituar Oscar për muzikat e “Grand Budapest Hotel”. Ai po që është i zoti, jemi vëllezër. Është influencuar edhe nga unë. Shiko, parimet muzikore ekzistojnë. Sot muzikantët nuk arrijnë të shtyhen shumë, pasi nuk i kanë bërë detyrat e tyre të shtëpisë. Muzika është shkencë dhe emocion. Ky i fundit nuk duhet ushtruar, vjen natyrshëm. Por përsa i përket teknikës, është ndryshe. Nëqoftëse nuk arrin të nxjerrësh nga gishtat e tua ndonjë tingull në pianofort, nuk di të luash. Mund të shtyhesh vetëm deri në një pikë të caktuar pa teknikë. Njerëzit sot kufizohen nga pikëpamja muzikore. Këta muzikantë e njohin tangon? Macumba? Samba? Bossa nova? Salsa? Cha-cha?
Me Marlon Brando kemi qenë miq gjithë jetën. Gjatë periudhës në të cilën rrinin në ishullin e tij në Tahiti, shkonim të kërcenim të gjitha mbrëmjet Cha-cha. Ishte shkërdhata më magjepsës që kam njohur ndonjëherë. Pallonte çdo gjë. Çfarëdolloj gjëje! Deri edhe kutinë postare. Shkoi në shtrat me James Baldwin, Richard Pryor e Marvin Gaye…
– Ka fjetur me gjithë këta?
Po sigurisht! Nuk i bënte përshtypje fare.
– Ka diçka pozitive në muzikën e sotme?
Një herë pashë një hartë të Tokës siç ishte 1 milion e gjysmë vite më parë. Njerëzit janë përzier dhe ndjehet tek muzika. Aty ku sot është Durbani, dikur gjendej bregdeti kinez. Ka influence afrikane në muzikën kineze e japoneze, shiko daullet Kodo.

Gjithçka vjen nga Afrika. Është një koncept i rëndë për t’u kuptuar.
– Cili është projekti më ambicioz për të cilin jeni duke punuar?
Një kanal televiziv muzikor, do të quhet Qwest TV, ku kushdo dëshiron mund të dëgjojë muzikë nga e gjithë bota. E konsideroj ende veten shumë me fat që mund të marr pjesë në projekte të tilla. E kam lënë pijen prej 2 vjetësh dhe tani e ndjej veten si të rinuar, sikur të isha 19 vjeç. Lejomëni ta them: çfarë jete, miku im, çfarë jete!/(nga Vulture) Përgatiti: ARMIN TIRANA/

Si duhet të ndryshojë Bashkimi Europian

Në BE fryn erë krize, në jug, në perëndim, në lindje. Por problemi është tek vetë BE. Atij i mungon orientimi nga e ardhmja. Qytetarët e angazhuar mund ta ndryshojnë këtë, mendon filozofi bullgar, Andrey Raychev. Qëkur mbaj mend, më kujtohet se kam dëgjuar këmbanat e vdekjes: “Vendet anëtare të BE do të grinden për çelikun”, “BE do të marrë fund në grindjen për kuotat e peshkimit”, “Europa do të dështojë për shkak të migracionit”. Ka kohë që dëgjohen këto këmbana, por tani më fort. Si evropianolindor e njoh këtë motiv nga ana tjetër: Para 30 apo 40 e 50 vjetësh, Moska e groposi bashkësinë europiane. Pas një ndërprerjeje të shkurtër, Kremlini e bën këtë sërish. Që atëherë shumë bullgarë u besonin këtyre thirrjeve. Edhe sot po ashtu. Ky refren zgjon mes europianëve ndjesinë se diçka nuk është në rregull. Kjo nuk është edhe aq e gabuar. Po e them me një shprehi –“kur vuan nga mania e përndjekjes nuk do të thotë, se nuk përndiqesh vërtet”. E transferuar tek BE: Lumi i fjalëve për fundin e saj të afërt, është i pakuptimtë. Por kjo nuk do të thotë, se BE nuk e ka një problem kardinal.

Shumë konsens, shumë pak qëllime
Problemin e dimë prej kohësh – borxhet e Greqisë, Italisë, Spanjës, (të shpresojmë edhe jo të Francës). Në Perëndim, Brexit ka lënë një plagë që dhemb. Në Lindje ka fërkime në shumë vende – Hungari, Poloni, Çeki, Sllovaki. Vërtet është BE i sëmurë rëndë? Jo. Jo vërtet. Ai vuan vetëm nga konsesusi i tepërt, si edhe nga deficite në qartësinë e qëllimeve. Si fjala konsens ashtu edhe qëllim janë përcaktime të së ardhmes, pra elemente bazë të politikës. Por të dyja dallojnë fundamentalisht nga njëra-tjetra. Një qëllim përshkruan diçka siç duhet të jetë. Konsensi përkundrazi atë që nuk duhet të jetë. Qëllimi të orienton nga e ardhmja, duke prodhuar një “ne” të përkohshme. Ndërkohë që konsensi ka një të ardhme të padefinuar, por prodhon një “”ne” të përhershme. Në këtë optikë të bëhet e qartë: Në BE-në e sotme ne nuk jetojmë si do të donim, por si mundemi. Kriza nuk shkund të gjithë themelin e liberalizmit (idetë e lirisë, shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, përgjegjësinë individuale), por një pjesë të dakortësive liberale. E për to duhet treguar kujdes. Shtëpia e përbashkët do ajrosur, pastruar, rimobiluar.

E zezë apo e bardhë – pa tone gri
Përballë çdo krize të re, ne kërkojmë mbrojtje tek iluzioni, se duhet të diskutojmë gjatë e të mendohemi pa fund deri sa të marrim vendimin e duhur, si tek çështja e refugjatëve. Por në këto debate ne nuk lëvizim asnjë centimetër përpara. Sepse ne diskutojmë, se çfarë nuk duhet të bëjmë, por jo se çfarë duhet. Ky kërkim për një konsens negativ gropos fundamentin europian, ai prodhon skepticizmin dhe ndjesinë se, Europa është e sëmurë kronike dhe pa shanse mbijetese. Prandaj duhet të ndalim me këtë kërkim. Kemi nevojë për të kundërtën. Për polarizim. Për polarizimin e opsioneve politike që duhen peshuar, dhe jo përpjekjen e pafund për një zgjidhje të kënaqshme për të gjithë (e në fund një zgjidhje gjysmake). Për shembull duhet të vendosim ose pro ose kundër energjisë atomike –dhe jo të fshehim problemin pas retorikës së përzierjes së energjive. Një vendim politik pra dhe jo ngecje në formën nga njëra anë, nga ana tjetër të ekspertëve.

Një imazh i ri për të ardhmen
Nuk dua të vë me shpatulla pas muri “liberalët vajtues” dhe të mbroj liderë maskilistë që marrin shpejt vendime e janë ambiciozë. BE është një lidhje për një të ardhme të përbashkët, ajo përcaktohet në fund të fundit nga ky synim për të ardhmen e përbashkët. Problemi këtu është se kjo e ardhme është në krizë. Dhe një e ardhme e sëmurë mund të zëvendësohet nga një imazh i ri orientues. Ku duhet të fillojmë? Tek qendra e pushtetit politik. Përfytyroni votime europiane presidenciale, ku të marrin pjesë qindra milionë qytetarë të BE. Përmes kësaj qytetarët kanë ndikim të drejtpërdrejt tek pushteti politik. E kur të vijë dita që europianët të kenë një përgjigje për pushtetin politik supracional, automatikisht do të ketë përgjegjësi për politikën e BE në të ardhmen. Kështu lind një polarizim shërues, një fuqi përthithëse që e zëvendëson burokracinë ankuese e larg realitetit të BE me marrëdhënie të vërteta pushteti.

Europa ka nevojë për ajër të pastër
E po qe se e krijojmë një qendër të tillë pushteti, atëherë do të vëzhgojmë, diskutojmë, ndikojmë veprimin e saj, e jo si deri më tani vetëm planet e saj. Sepse deri më tani ne synojmë paqen para një konflikti. Ndërkohë që rruga tjetër do të ishte më e frytshme – njëherë konfrontim, pastaj mirëkuptim. A janë qytetarët e BE gati për këtë? Këtu kam dyshime. Por Europa duhet ta provojë këtë. Nëse Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin marrë vendim për një president, por për një komision ndërshtetëror, SHBA do të kishte marrë fund prej kohësh. Pra, të dashur qytetare e qytetarë të BE – nuk kemi nevojë për ilaçe. Europa nuk është e sëmurë. Ajo që kemi nevojë është ajri i pastër. E para së gjithash duhet t’i japim vetes të ardhmen. BE është një sukses i jashtëzakonshëm historik dhe perspektiva e vetme pozitive për qindra milionë njerëz. Ai vetëm se është parakaluar nga vetja, dhe duhet të veprojë tani – jo me hezitim, me vendosmëri.

Tensione mes SHBA-së dhe Rusisë në konferencën e Mynihut

Moska ka hedhur poshtë akuzat e ngritura në SHBA ndaj disa shtetasve rusë dhe kompanive ruse për ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane të vitit 2016, duke i quajtur “broçkulla”. Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ngriti dyshime mbi provat e publikuara. Siç njofton nga Mynihu, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, akuzat kanë krijuar një sfond të tensionuar në këtë konferencë të përqendruar tek kërcënimet ndaj sigurisë globale.
Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, nuk përmendi drejtpërsëdrejti në fjalimin e tij akuzat e ngritura në SHBA. Por, atij iu drejtua një pyetje nga audienca. “1.25 milionë dollarë në muaj të taksapaguesve rusë shpenzohen për të influencuar zgjedhjet amerikane. A keni parë përfitime të mira nga ky investim?”, pyeti Edward Lucas, i revistës “The Economist”.
Përgjigja e tij ishte e shkurtër. “Nuk kam asnjë reagim, pasi mund të shkruhen çfarëdolloj gjërash. Shohim akuza, deklarata dhe aludime që shumëfishohen. Derisa të shikojmë faktet, gjithçka tjetër janë vetëm broçkulla. Kërkoj ndjesë për termin jo shumë diplomatik”, tha zoti Lavrov.
Zoti Lavrov pretendon se, ekziston një fushatë “rusofobie” nga Perëndimi. Ndërkohë, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, H.R. McMaster tha se Shtetet e Bashkuara kanë mësuar si t’i kundërpërgjigjen sulmit. “Shtetet e Bashkuara do të ekspozojnë dhe do të kundërveprojnë ndaj atyre që përdorin hapësirat kibernetike, mediat sociale dhe mjete të tjera për të zhvilluar fushata dizinformimi, përçarjeje dhe spiunazhi”, tha ai.
Zoti McMaster foli edhe për përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme. “E dimë se Siria dhe Korea e Veriut nuk janë të vetmet shtete mashtruese që zhvillojnë, përdorin dhe tregtojnë armë të rrezikshme. Tani është momenti për të trajtuar mangësitë serioze në marrëveshjen për Iranin dhe për t’iu kundërpërgjigjur aktivitetit destabilizues të Iranit, zhvillimit dhe tregtimit të raketave, si dhe mbështetjes që u jep terroristëve dhe grupeve paraushtarake”, tha zoti McMaster.
Objektivi i kësaj konference vjetore është të mbledhë vende aleate dhe kundërshtare për të dialoguar, duke i paraprirë konfliktit. Por, duke filluar që nga Korea e Veriut, Lindja e Mesme dhe deri tek ringjallja e rivalitetit të Luftës së Ftohtë, po shtojnë ndjesinë se bota po bëhet një vend më i rrezikshëm.

Sulmohet ambasada polake në Izrael

Vandalët vizatuan shenjën e kryqit të thyer nazist në dyert e ambasadës polake në Tel Aviv, një veprim që pason komentet e ditëve të fundit nga kryeministri polak, Mateusz Morawiecki në të cilat ai përdori shprehjen “keqbërësit hebrenj” të Holokaustit.
Vandalët vendosën mbishkrime me të shara në dyert e ambasadës polake në Izrael. Policia tha se ka nisur një hetim mbi incidentin dhe është në kërkim të të dyshuarve.
Izraelitët janë të zemëruar me një ligj të ri në Poloni që dënon këdo që e quan gjenocidin nazist një “krim polak”.
Polemika shpërtheu të shtunën kur një gazetar në Konferencën e Sigurisë në Mynih e pyeti kryeministrin polak Morawieckin nëse ai mund të burgoset për tregimin e historisë se si fqinjët e familjes raportuan nënën e tij tek nazistët në Poloni.
Udhëheqësit izraelitë dënuan menjëherë komentin e udhëheqësit polak.
“Ne jemi të bashkuar në këtë luftë. Duhet të jemi të fortë për kujtimin e vëllezërve dhe motrave tona të vrarë në Shoah. Por sot, më shumë se kurrë, duhet të punojmë për të arsimuar botën, madje edhe disa nga udhëheqësit e saj, për atë kohë të errët”,tha Presidenti izraelit, Rueven Rivlin.
Zëdhënësi i kryeministrit polak Morawiecki tha se ai në asnjë mënyrë nuk ishte përpjekur ta mohonte Holokaustin.
Rreth 6 milionë polakë, gjysma prej tyre hebrenjë, u vranë gjatë Luftës së Dytë Botërore nga nazistët.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, tha se ai kishte zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij polak të dielën, duke i thënë atij se, “krahasimi i aktiviteteve të polakëve me ato të hebrenjve gjatë Holokaustit është i pabazuar”.

Konferenca e Sigurisë e Mynihut, diplomacia në krizë

Konferenca e Sigurisë e Mynihut pasqyroi gjendjen ndërkombëtare. Ajo u karakterizua nga fajësime reciproke. Propozimet konkrete për zgjidhje qenë të pakta, mendon Matthias von Hein. Ka pasur kohë, kur nga Konferenca e Sigurisë e Mynihut dërgoheshin sinjale dakordimi, sinjale shprese. Në këtë Konferencë të 54-t të Sigurisë sinjale të tilla nuk shquan dot. “Buzë humnerës – dhe pas?” ky karakterizim i konferencës e përshkruante fare mirë situatën në botë. Pas tri ditësh është e qartë: sinjalet e kohës së sotme edhe më tej flasin për konflikt; pikëpyetja pas dëshirës së përgjithshme të largimit nga humnera duhet të mbetet. Konferenca e Sigurisë vërtet që e dëshmoi veten si një vend, në të cilin dalin mbi tryezë rreziqet e shumëllojshme të botës, që atyre u vihet aty emër dhe analizohen. Por duket sikur diplomacia po arrin në fundin e saj. Ndërkohë salla e konferencës është shndërruar në një arenë të narrativave kundërthënëse, të cilat me sa duket qendrojnë në mënyrë të papajtueshme krahas njëra-tjetrës. Dakordim i vërtetë, premisa konstruktive për zgjidhje në fusha polemizuese konfliktesh? Askund!

Ton i ashpër në vend të trajtimit me elegancë
Veçanërisht e qartë kjo u bë në ditën e fundit të konferencës. Fajësime reciproke qenë ato që përcaktuan tonin – në deklaratat e veçuara të kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanjahu, të ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif dhe të ministrit të Jashtëm të Arabisë Saudite, Adel bin Ahmed Al-Jubeir. Veç kësaj, deklaratat e Al-Jubeirit dhe Zarifit të kujtonin me forcë ato të një viti më parë – një shenjë tjetër për masën në të cilën ka ngecur në vend situata. Vetë shefit të konferencës Wolfgang Ischinger – si diplomat, i detyruar të tregojë optimizëm qoftë edhe të përmbajtur – i mbeti të konstatojë në fund të konferencës, se u dëgjua shumë pak për hapa konkretë për shtensionimin e rreziqeve të shumëllojshme.
Një ditë pas lirimit nga arresti në Turqi të gazetarit Denis Yücel, doli në pah sa të papajtueshme mund të jenë pozicionet midis politikanëve gjermanë dhe turq: politikani i të Gjelbërve, Cem Özdemir ndaloi në të njëjtën hotel si kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim. Meqenëse truprojet e tij e quajtën terrorist Özdemirin, politikani i të Gjelbërve u vendos nën mbrojtje policore. Paraqitja e ashpër e truprojave turke njihet mirë që prej vizitës së Erdoganit te Trumpi. Që ministri i Jashtëm turk, Cavusoglu e akuzoi më vonë Özdemirin se kishte gënjyer, kjo nuk e përmirëson situatën.

Kritika dhe “llafe bosh”
Edhe në raportin e vështirë të Perëndimit me Rusinë nuk ishte diplomacia ajo që mbizotëroi, por kritikat reciproke të papajtueshme. Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko e paraqiti Moskën si burim të të gjitha të këqiave në Evropë. Ai kërkoi presion më të fortë ndaj Moskës, u shpreh kundër çdo zbutjeje të sanksioneve dhe dëshiroi që vendi i tij të pranohet shpejt në BE dhe në NATO. Nga ana tjetër, një ministër i Jashtëm rus tepër i nevrikosur, Sergej Lavrov e akuzoi Evropën për kthim në kohët naziste, i quajti padijet amerikane për shkak të ndikimit të zgjedhjeve si “llafe bosh” dhe deklaroi përballë planeve amerikane për armatim se Rusia natyrisht që është e detyruar të bëjë të njëjtën gjë. Delegacioni i SHBA e ndiente veten – me përjashtim të ministrit të Jashtëm, John Kerry – në pozicion moral sipëror. I pangacmuar nga ndonjë pasiguri në vetvete, ai i dha shuplaka të ashpra Rusisë dhe Iranit – pa u përpjekur dukshëm të tregonte se i kuptonte pikëpamjet e kundërta – u fokusua te presioni dhe fuqia ushtarake. Diplomacia, për këtë evropianët janë ankuar disa herë përballë SHBA, duket se ka pak rëndësi për Uashingtonin. Këtë e tregojnë edhe shkurtimet në buxhetin e Ministrisë së Jashtme. Por kur bisedimet – nëse ka fare të tilla – duhet të zhvillohen vetëm nga pozicioni i sipërisë ushtarake, atëherë nuk janë biseda, por diktate. Gjithsesi: Krahas 30 paneleve shpesh dëshpëruese në sallën e konferencës pati edhe rreth 1000 takime bilaterale në dhomat e hotelit Bayrischer Hof. Për këtë shkak, Wolfgang Ischingeri e krahasoi pjesën zyrtare të konferencës me “majën e ajsbergut”. Le të shpresojmë që kjo majë nuk është përfaqësuese për pjesën nën ujë.