Grupi militant Shteti Islamik (IS) zuri në pritë një grup të paraushtarakëve irakianë, duke vrarë së paku 27 prej tyre.
Sulmi ndodhi dy muaj, pasi Bagdadi ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në gjithë Irakun.
Forca Popullore e Mobilizimit, një grup ombrellë i milicive kryesisht shiite, tha përmes një deklarate se sulmi ka ndodhur në rajonin Havija, rreth 300 kilometra në veri të Bagdadit, derisa paraushtarakët kanë qenë duke bërë disa bastisje.
Sulmuesit kanë qenë të veshur me uniforma të ushtrisë dhe kanë pretenduar se kontrollojnë një postbllok të rremë të sigurisë, thuhet në deklaratë.
Sipas së njëjtës, luftimet kanë zgjatur së paku dy orë dhe disa prej militantëve janë vrarë, ndërsa të tjerë janë larguar.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Shteti Islamik përmes një deklarate që transmetoi agjencia e tij e lajmeve Amaq.
Iraku, në muajin dhjetor, ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në gjithë Irakun, pas më shumë se tre vjet luftime.
Por, zyrtarët irakianë dhe amerikanë kanë paralajmëruar se Shteti Islamik do të vazhdojë me sulme të stilit kryengritës.
IS-i vret 27 luftëtarë pro-qeveritarë të Irakut
Irani refuzon kontrollin e jashtëm mbi programin e tij raketor
Teherani nuk do ta vendosë programin e tij të raketave nën kontroll ndërkombëtar, tha në Moskë ministri i Jashtëm i Iranit, Mohammad Javad Zarif.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, nëse Republika Islamike nuk ndalon zhvillimin e raketave balistike.
“Pse duhet ta bëjmë këtë”, tha Zarif pasi u pyet nëse Irani është i gatshëm të pranojë monitorimin e jashtëm mbi programin e tij raketor.
Me marrëveshjen e vitit 2015, Irani ka rënë dakord të frenojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.
“Presidenti amerikan ka ambicie të mëdha, por ato nuk do të bëhen kurrë realitet”, tha Zarif, i cili ndodhet në Moskë për takimin e Klubit Valdai të Diskutimit – një mbledhje e ekspertëve të politikës së jashtme ruse dhe ndërkombëtare.
Zarif po ashtu kritikoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për forcat kurde siriane, të cilat kundërshtojnë qeverinë e Presidentit sirian, Bashar al-Assad.
Ekipet e shpëtimit arrijnë në vendin ku u rrëzua avioni iranian
Ekipet e kërkimit në Iran kanë arritur në vendin ku, të dielën është rrëzuar aeroplani i kompanisë Aseman Airlines.
Autoritetet kanë thënë se të 65 njerëzit në bord kanë humbur jetën.
Televizioni shtetëror tha se ekipet e shpëtimit kanë arritur në vendngjarje përpara agimit.
Kërkimet janë ndërprerë gjatë natës, për shkak të borës së dendur.
Aeroplani ATR-72 ka qenë duke udhëtuar nga Teherani në qytetin Jasuj kur është rrëzuar në malin Dena.
Aeroplani ka qenë në shërbim për 25 vjet.
Trump: Rusia ka trazuar peizazhin politik në SHBA
Presidenti Trump tha se, Rusia ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme në prishjen e peizazhit politik të Shteteve të Bashkuara me ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016 për shkak të hetimeve të mëvonshme disa mujore që pasuan.
“Në qoftë se qëllimi i Rusisë ishte të krijonte mosmarrëveshje, përçarje dhe kaos në Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Trump në një koment në Twitter, “atëherë, me të gjitha seancat dëgjimore, hetimet dhe urrejten e Partisë Republikane, ata kanë arritur të realizojnë ëndrrat e tyre. Ata po qeshin me arritjet e tyre në Moskë. Zgjohu Amerikë!”
Në një seri postimesh, presidenti vazhdoi sulmet mbi hetimin për lidhjet e mundshme të fushatës së tij me Rusinë. Zoti Trump kritikoi gjithashtu këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare H.R. McMaster, i cili tha dje se kishte prova “të pakundërshtueshme” të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, një ditë pasi Prokurori i posaçëm Robert Mueller akuzoi 13 shtetas rusë dhe tre entitete ruse për kryerjen e një “beteje informacionesh” për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe për të ndihmuar zotin Trump të fitojë.
“Unë kurrë nuk thashë se Rusia nuk ndërhyri në zgjedhje, thashë se mund të jetë Rusia, Kina apo një vend tjetër apo grup vendesh, apo një gjeni prej 200 kilesh ulur në shtrat dhe që luan me kompjuterin e tij”, shkroi zoti Trump në Twitter. “Renga” e Rusisë ishte se fushata e Trumpit bashkëpunoi me Rusinë – ajo kurrë nuk ndodhi! ”
Zoti Trump tha se gjenerali McMaster “harroi të thotë se rezultatet e zgjedhjeve të 2016-ës nuk u ndikuan apo ndryshuan nga rusët dhe se bashkëpunimi i vetëm që ndodhi ishte mes Rusisë dhe kundërshtares së tij demokrate Hillary Clinton.
Gjithashtu, Presidenti Trump lavdëroi me sarkazëm një nga kundërshtarët politikë, ligjvënësin Adam Schiff, kreu i demokratëve në Komisionin për Zbulimin të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili ishte shprehur se administrata e ish-Presidentit Barack Obama mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar sulmet kibernetike, pas ndërhyrjes në vitin 2014 në serverat e kompanisë së filmave Sony Pictures. Duke folur për kanalin NBC, zoti Schiff tha se, “mendoj se të tjerë në mbarë botën që po vështronin, konkluduan se ndërhyrja kibernetike është një ndërhyrje pa kosto”.
Presidenti Trump shkruajti në Twitter: “Më në fund, i vogli Adam Schiff, përbindëshi i rrjedhjes së informacionit, po fajëson tani administratën Obama për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-ës. Më në fund, ai ka të drejtë për diçka. Obama ishte Presidenti; ishte në dijeni të rrezikut dhe nuk bëri asgjë. Faleminderit, Adam!”.
Kosova dhe Serbia drejt bisedimeve teknike dhe politike
Kosova dhe Serbia do të takohen më datë 26 shkurt për vazhdimin e negociatave për çështje teknike, mirëpo nuk dihet se kur do të mbahet takimi i nivelit të lartë mes Presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë.
Ardian Arifaj, këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk ka ende një datë saktë se kur do të nisë dialogu politik. Ai thotë se Kosova për një kohë të gjatë ka kërkuar që dialogu të ketë një dinamikë e përmbajtje tjetër.
“Kosova është shprehur e gatshme dhe ka kërkuar zyrtarisht që gati dy vjet që dialogut t’i jepet një dinamikë tjetër dhe të kthehet në një proces të mirëfilltë për një marrëveshje kornizë për marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe pajtim”, tha Arifaj.
Avni Arifi, kryesues i delegacionit të Kosovës për nivelin teknik të bisedimeve tha për Radion Evropa e Lirë se, në takimin e radhës do të bisedohet për zbatimin e marrëveshjeve të cilat nuk kanë nisur të zbatohen.
Arifi theksoi se, përparimi në dialogun teknik do të krijojë mundësi për të kaluar në fazën tjetër të dialogut.
“Faza tjetër është njohja reciproke”, tha Arifi.
Bisedimet e parapara teknike për datën 16 janar, ishin shtyrë për një datë të pacaktuar, pasi pala Serbe u tërhoq, pasi pikërisht atë ditë në Mitrovicën Veriore u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011, fillimisht si dialog për çështje teknike, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Që nga ajo kohë janë arritur një numër i konsiderueshëm i marrëveshjeve, por disa nga to ende nuk janë zbatuar.
Analisti politik Imer Mushkolja, tha se pa zbatimin e marrëveshjeve të arritur në dialogun teknik është e palogjikshme që të kalohet në faza të tjera të bisedimeve, sidomos atyre politike.
“Është e domosdoshme që para çdo hapi tjetër, drejt fillimit të bisedimeve për marrëveshje finale, fillimisht të përfundojnë një herë e mirë marrëveshjet tashmë të arritura. Përndryshe, ky dialogu teknik do të vazhdojë në pafundësi”, tha Mushkolaj.
Qëllimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas Bashkimit Evropian, është relaksimi i raporteve ndërmjet dy vendeve në mënyrë që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë tutje me procesin e integrimit evropian.
Testi që zbulon autizmin tek fëmijët në një kohë të hershme
Shkencëtarët kanë filluar të hedhin hapat e parë drejt një risie duke thënë se mund të bëhet test i ri i gjakut dhe urinës për autizmin.
Studimi i tyre ka testuar fëmijët të prekur ose jo nga kjo sëmundje dhe ka gjetur nivele më të larta të dëmtimit të proteinave në ato që kanë çrregullime. Hulumtuesit në Universitetin e Warwick thanë se testi, i cili besohet të jetë i pari në llojin e vet, mund të çojë në diagnozën e mëhershme të çrregullimeve të spektrit të autizmit (ASD) tek fëmijët, të cilët pastaj mund të marrin trajtim të përshtatshëm shumë më herët në jetë. Shkencëtarët thanë se hulumtimi i tyre gjeti një lidhje midis ASD dhe dëmtimit të proteinave në plazmën e gjakut. Studiuesit thanë se testet mund të çojnë përfundimisht në zbulimin e mëhershëm të autizmit, gjë që mund të jetë e vështirë për t’u diagnostikuar. Por ekspertët treguan se duhet të bëhet kujdes, pasi një test i tillë ishte ende larg. Autizmi prek sjelljen dhe ndërveprimin social, por është e vështirë të vihet në dukje dhe zakonisht nuk diagnostikohet para moshës dyvjeçare.
Pasojat e nënpeshës në organizmin tonë
Termi “nënpeshë” i referohet një peshe trupore më të vogël se ajo që konsiderohet si pesha “ideale” apo “e shëndetshme”. Shkaku më i shpeshtë i saj është kequshqyerja, si në aspektin sasior, edhe atë cilësor, por këtu nuk bën përjashtim as gjenetika. Nëse nëna vuan nga një problem i tillë, në 40% të rasteve kjo trashëgohet edhe tek fëmija. Problemi kryesor në rastin e nënpeshës është të sqarohet nëse ajo është parësore, pasojë e faktorëve që e kanë shkaktuar (gjendja e keqe ekonomike, stili i jetesës, sëmundjet e ndryshme si: hipertireoza, diabeti i sheqerit, kanceri, tuberkulozi, SIDA, sëmundjet e stomakut dhe zorrëve, anoreksia nervore) apo dytësore, pra simptomë e një sëmundjeje tjetër. Pavarësisht nga shkaku i nënpeshës, fiziologjik apo patologjik, ajo çon në uljen e aftësive mbrojtëse të organizmit, duke e bërë atë më të prekshëm nga infeksionet. Gjithashtu, femrat me nënpeshë të rëndësishme, mund të kenë amenorrhe (mungesë të menstruacioneve), të shfaqin paaftësi për të mbetur shtatzëna (infertilitet), si dhe ndërlikime të mundshme gjatë shtatzënisë edhe nëse e realizojnë atë. Mund të konstatohet edhe anemi dhe rënie e flokëve. Nënpesha konsiderohet edhe si një faktor i madh risku për osteoporozën, madje edhe në moshat e reja. Kjo pasojë zhvillohet në heshtje, pa dhënë shqetësime të veçanta që të mund ta alarmojnë personin. Episodi i parë i dukshëm i saj mund të jetë një frakturë (thyerje) spontane e kockës, që korrespondon me një stad të avancuar dhe të parikthyeshëm të dëmtimit të kësaj të fundit. Edhe pse nënpesha nuk konsiderohet një problem aq i madh sa obeziteti, ajo shkakton po aq vdekshmëri sa edhe obeziteti ekstrem (obeziteti morbid, BMI >40).
Ato së bashku mund të konsiderohen reflektime të mirëfillta të mënyrës moderne të ushqyerjes dhe presionit social, me pasoja të rënda për shëndetin. Skema e trajtimit të personave që janë nën peshën e tyre ideale konsiston në kombinimin e disa faktorëve të rëndësishëm, si ndryshimi i mënyrës së ushqyerjes, stilit të jetesës, dhe/ose përdorimit të disa medikamenteve që nxisin oreksin. Mënyra më e shëndetshme për të shtuar në peshë bazohet në rritjen e një kalorazhi ditor, që të tejkalojë sasinë e kalorive që mund të harxhohen gjatë ditës. Lidhur me këtë, rekomandohet shtimi në ushqimet që konsumohen, i sasive të duhura të produkteve si: gjalpi, ajka e qumështit, gjalpi i kikirikut, vaji i ullirit, salca e bardhë dhe ajo e domates, majoneza, farat dhe arrat, pasi shtojnë kalorazhin e tyre. Gjithashtu, mjaft efikase në këtë drejtim mund të jetë ngrënia e ushqimeve me shumë kalori, me përmbajtje të lartë proteinike dhe me yndyrna të shëndetshme, si: peshku ton, salmoni, merluci, sardelet, fileto e kraharorit të pulës dhe gjelit, mishi i viçit pa dhjamë, veza, frutat (4-6 fruta të ndryshme në ditë), perimet (kryesisht fasulja, bathët, bizelet, brokoli, lakra, karota, patatja), qumështi dhe kosi me pak yndyrë, djathi dhe salca e tij, makaronat e bardha, orizi i bardhë, buka e bardhë. Për sa i takon lëngjeve, rekomandohet kryesisht pirja e ujit gjatë gjithë ditës, por edhe e lëngjeve me shumë kalori, si: boza, qumështi dhe lëngu i frutave. Respektimi i një regjimi ushqimor të rregullt është gjithashtu i rëndësishëm për shtimin në peshë.
Kështu, rekomandohen 6 vakte në ditë, 3 vakte kryesore dhe 3 vakte të vogla ndërmjet tyre. Shëtitjet në ajër të pastër e nxisin oreksin. Gjumi i rregullt, në orare dhe kohëzgjatje normale, gjithashtu ndihmon në shtimin në peshë. Mund të jetë e nevojshme edhe marrja e komplekseve vitaminike zëvendësuese, për personat që nuk marrin mjaftueshëm vitaminat ose mineralet nëpërmjet ushqimit.
Zbulohet kompania që do të ndërtojë kullën 43 kate tek Teatri
Me ardhjen e Erion Veliajt në krye të Bashkisë Tiranë, filloi një proces ndryshimesh dhe tjetërsimesh rrënjësore të hapësirave urbane të qytetit të Tiranës. Në bashkëpunim mes qeverisë dhe bashkisë, ose më saktë mes Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, të gjitha zonat qëndrore dhe më të rëndësishme të qytetit, përfshi sheshe, parqe, vepra kulturore, sportive janë kthyer në zona ndërtimi.
Lista përfshin Sheshin Skënderbej dhe gjithë hapësirën përqark tij, përfshin fillimin e Bulevardit Zogu i Parë, fillimin e Rrugës së Durrësit dhe Rrugës së Kavajës, fillimin e Rrugës së Barrikadave; ish-stadiumin kombëtar Qemal Stafa dhe hapësirën përqark tij, përfshin sheshin Italia para tij dhe aneksin pas tij; sheshi para Stadiumit Dinamo; të gjitha terrenet e ish-kompleksit Dinamo; pjesë të mëdha të Parkut të Liqenit, duke filluar që nga hryja përballë ekonomikut, përgjatë gjithë hapësirës deri tek Sheratoni si dhe hapësirën në hyrjen nga ana e digës së liqenit; terrenet e universitetit të Tiranës në Qytetin Studenti, godinën e Teatrit Kombëtar; godinën e Teatrit të Kukullave; godinën e Teatrit të Operas dhe Baletit; kompleksit argëtues për fëmijë “7 Xhuxhat”; hapësirat brenda dhe jashtë kalasë së Tiranës.
Në të gjitha këto hapësira janë kryer, po kryhen ose janë planifikuar të kryhen ndërtime betonizuese, në shumicën e rasteve kulla të larta. Në çdo projekt, janë shkelur të gjitha procedurat ligjore nga transparenca dhe informimi i publikut, tek vlerësimet e ndikimeve mjedisore dhe përfshirja e publikut në vendim-marrje, tek procedurat e prokurimit. Çdo gjë është bërë në mënyrë arbitrare dhe fait-a-complais. Edhe sot nuk dihet sa ka kushtuar ndërtimi i Sheshit Skënderbej, apo cili është projekti final i Stadiumit Kombëtar përfshi madhësinë e kullës. Në të gjitha rastet, disa rendera me kompjuter dhe takime propagandistike me militantë kanë qenë e gjithë “transparenca” e bërë. Shënjestra e fundit e dyshes Rama-Veliaj është godina e Teatrit Kombëtar, për të cilën kemi folur këtu, këtu dhe këtu. Duket se e njejta qasje po zbatohet edhe në këtë rast. Dyshja Rama-Veliaj kanë porositur një projekt, kanë rënë dakrod me një nga klientët e tyre ndërtues për financimin dhe ndërtimin e tij, në shkëmbim të dhënies së një pjesë të terrenit të teatrit për ndërtim dhe dhënien e lejes për zhvillimin shumëkatësh të gjithë zonës nga godina e teatrit tek godina Eurocol.
Nën trysninë e opinionit publik dhe të sindikatës së artistëve, Veliaj duket se po detyroeht të manovrojë duke u përpjekur të bëjë “transparencë” por kjo transparencë po bëhet në mënyrë private dhe të izoluar./Exit.al/
Basha: Rama, skenar kriminal për të detyruar shqiptarët të braktisin masivisht vendin, ky është genocid
Lulzim Basha, kryetari i PD-së, e akuzoi Kryeministrin Edi Rama se po përdor metodat e spastrimit kundër qytetarëve shqiptarë. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së, Basha tha se qindra mijëra familje shqiptare po nxirren nga skema e ndihmës ekonomike duke i lënë pa ushqimin e përditshëm, pa para për të paguar ilaçet apo për t’u ngrohur. “Heqja nga skema e ndihmës ekonomike është një dramë njerëzore, jemi vendi i vetëm në Europë që ka futur në karantinë urie një përqindje të madhe të qytetarëve, që sot nuk kanë ushqimin e përditshëm, paratë për t’u ngrohur, për të paguar ilaçet. Edi Rama po përdor metoda spastrimi kundër qytetarëve të vet. Po mundohemi të evidentojmë përmasat në këtij holokausti të Edi Ramës, pasi nuk ka gjë më urgjente,sepse jetë njerëzorejanë në rrezik. Rama i ka dhënë vetëm një zgjidhje këtyre familjeve: ose të largohen, ose të shuhen. Janë jetë njerëzish në rrezik. Prej dy javësh, ministrja Ogerta Manastirliu mban të fshehur informacionin, duhet të çohet për ndjekje penale, nuk po tregon kriteret që po përdoren për të hequr nga ndihma ekonomike shqiptarët. Debat për mocion me Ramën dhe marionetën e tij, Manastirliu, është një skenar nazist, një dramë që po shpaloset orë për orë ditë për ditë. Do të tregojmë përgjegjësitë e Ramës dhe të tjerëve, do t’i kërkojmë përgjegjësi ligjore, pse jo dhe penale. Tekat sadiste të një qeverie, po përjetohen nga shqiptarët”, tha Basha.
Kjo është një dramë njerëzore, por edhe një emergjencë kombëtare
Basha: Bëhet fjalë për fjalë për familje që ndodhen në pikën më të ulët të mbijetesës, prindër pa punë fëmijë që ndodhen në gjëndje të mjerueshme të cilat në mënyrë të pashjegueshme dhe në mënyrë kriminale janë hequr nga lista e ndihmës ekonomike.
Kjo është një dramë njerëzore, por edhe një emergjencë kombëtare. Jemi vendi i vetëm në Europë që ka futur në karantinë urie, ka çuar drejt emigracionit me vullnetin e vet të Edi Ramës dhe majonetës së tij në krye të ministrisë së Shëndetësisë një përqindje të madhe të qytetarëve që sot nuk kanë ushqimin e përditshëm apo ilacet. Pra kemi një qeveri dhe një kryeministër që po përdor metoda naziste, metoda genocidale apo spastrimi ndaj popullsisë së vet.
Basha tha se ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies duhet të çohet për ndjekje penale për shpërdorim detyre.
Basha: Ministrja e cila duhet të cohet në ndjekje penale për vlerësimin tim, mban të fshehur informacionin se mbi çfarë kriteresh u hoqën këta njerëz nga ndihma ekonomike. Përflitet që kriteri është prania e një frigoriferi apo një televizori, kjo nuk përbën kriter. Kjo përbën shpërdorim detyre.
Ai tha se do të kërkojnë një debat me mocion për të vënë para përgjegjësisë kryeministrin Rama.
Basha: Ne do të formalizojmë nesër kërkesën për një debat me mocion për të vënë Edi Ramën dhe marionetën e tij para përgjegjësisë dhe për të zbardhur këtë plan nazist. Bëhet fjallë për dhjetëra familje.
Në lidhje me kërkesën e Ramës për një president kombëtar me Kosovën, Basha tha:
Basha: Hedh gomari një gur në ujë dhe e ndjekin të gjithë pastaj. Unë flas për familje që nuk kanë bukë, unë flas për një shtet të shkatërruar nga korrupsioni dhe krimi dhe përgjegjësi nuk bën gjë tjetër vecse hedh shashka. Nuk i duhet as Kosovës as Shqipërisë një politikan më shumë, një hajdut më shumë. Por i duhet një treg i përbashkët energjie, telekomunikacioni.
Sa shtrenjtë u kushton qytetarëve monstra i Bashkisë, “Spending Data”: Veliaj e pagoi Gjebrenë 87 milionë lekë që ta nxirrte në skenë
Një shprehje hebreje thotë: “Vetëm djathi në çarkun e miut është falas”. Çarku ndonjëherë mund të jetë dhe festival, si për shembull ai i Këngës Magjike.
***
Rreth 22 orë më parë një e-mail nga Bashkia e Tiranës ka mbërritur në të gjithë listën e adresave të redaksive në Shqipëri. Përmbajtja e tij kishte të bënte me mbjelljen e pemëve nga kryebashkiaku Erion Veliaj nën shoqërinë e dy personazheve të njohur: Genti Sala i AMA-s dhe Ardit Gjebrea i të ‘Dielës Shqiptare’.
Shkruan stafi i Veliajt:
‘…kantautori e prezantuesi i dashur për publikun, Ardit Gjebrea, iu bashkuan aksionit të Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë liqenit të Farkës, si pjesë e projektit të Pyllit Orbital.
“Ndoshta, jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por siç thoshte Nënë Tereza, mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe. Të jam shumë mirënjohës për faktin që, si në skenë, si jashtë skene, mbetesh një artist model dhe më vjen mirë që falë këtij shembulli, edhe shumë të tjerë, ata që të ndjekin, apo shumë prej qytetarëve që kërkojnë mesazhe pozitive, do na bashkohen me këtë nismë”, nënvizoi Veliaj.’
Vazhdon më tej stafi i Veliajt për Gjebrenë:
‘’Sa herë që kam udhëtuar me makinë për në Maqedoni, në Mal të Zi, në Greqi, po ta keni vënë re, gjithmonë është si e prerë me thikë: Pjesa jonë është pa pemë, pjesa e tyre është me pemë dhe ti ndjen një keqardhje e thua: Çfarë ka ndodhur? Por, gjithmonë e kam parë, e kam konstatuar, por asnjëherë nuk e kisha marrë lopatën për të dhënë një kontribut. Pra, nuk duhet vetëm të themi: Pse ne kështu? Por, merr lopatën dhe bëje”, tha Gjebrea.’
Gjebrea nuk është vetëm i së ‘Dielës Shqiptare’ por edhe i ‘Këngës Magjike’, festival që e realizon përvit, çdo dhjetor.
Edhe vitin që shkoi, kështu ndodhi. Gjebrea bëri të ditur për publikun se qe Bashkia e Tiranës që po e mbështeste Këngën Magjike. Por ekspozimi i Bashkisë së Tiranës nuk mbeti me një falenderim ‘të thatë’, ai ishte ‘qepur’, batuta pas batutash edhe për kreun e saj, kryebashkiakun.
Sipas të dhënave të marra nga ‘Spending Data’, Veliaj e ka paguar Gjebrenë 87 milionë lekë (rreth 80 mijë dollar) për festivalin ku doli në skenë dhe bëri ca biçim batutash.
Gjebrea e ka marrë pagesën nga kryebashkiaku hokatar në 6 shkurt të këtij viti nëpërmjet transaksionit me ‘Shoqatën Jon Music’.
Buxheti vjetor i Teatrit Kombëtar në Shqipëri është 100 mijë dollarë, ndërsa PR-i i bashkisë te Kënga Magjike kushtoi 80 mijë dollarë./Hashtag.al/