18.5 C
Tirana
E hënë, 16 Qershor, 2025

Aeroporti i Tiranës zhyt në krizë qeverinë e Malit të Zi

Tenderi për të dhënë me koncesion aeroportet e Podgoricës dhe Tivatit ka shkaktuar një krizë të thellë në qeverinë malazeze. Procesi, i cili zgjat prej gati 7 vitesh ka kulmuar një ditë më parë kur Komisioni i Vlerësimit të Ofertave i drejtuar nga zëvendëskryeministri shqiptar, Nik Gjeloshaj, skualifikoi ofertën e kompanisë koreane Incheon duke shpallur kështu fitues kompaninë tjetër të mbetur në garë Corporation America Airports SA.

Kjo ka shkaktuar zemërimin e kryeministrit malazez, i cili tërhoqi njerëzit e tij dhe ata të ministrisë së financave nga komisioni i tenderit.

Sipas raportimeve nga mediat malazeze, qeveria e Malit të Zi është ndarë në dy kampe. Nga njëra anë qëndron kryeministri Milojko Spajić me njerëzit e tij dhe nga ana tjetër zëvendëskryeministri shqiptar Nik Gjeloshaj dhe ministrja e Transportit, Maja Vukićević.

Kryeministri Milojko Spajiq dhe zëvendësi i tij, Nik Gjeljošaj, kanë kundërshtuar publikisht njëri-tjetrin në rrjetet sociale. Spajiç beson se oferta e koreanëve u skualifikua padrejtësisht, ndërsa Gjeloshaj është kundërpërgjigjur ashpër duke akuzuar dhe IFC-në si konsulente e tenderit, për korrupsion.

Përlasja ka arritur deri në pikën e paranojës, teksa zyra e kryeministrit malazez akuzon për komplot shqiptar me qëllim dështimin e koncesionit për të favorizuar aeroportin e Rinasit.

Përplasja

Qeveria e Malit të Zi kishte miratuar në listën e shkurtër të koncesionit të dy aeroporteve vetëm dy oferta, atë të kompanisë koreane Incheon dhe ofertën e Corporation America Airports SA. Komisioni i tenderit i përbërë nga 13 anëtarë ka vendosur të vlerësojë me 79.7 pikë ofertën e koreanëve dhe me 85 pikë atë të Corporation America Airports SA.

Por sipas rregullave të tenderit çdo vlerësim poshtë nivelit 80 pikë çon në skualifikim automatik të ofertës. Rrjedhimisht komisioni skualifikoi kompaninë koreane duke lënë si fitues të koncesionit Corporation America Airports SA, e cila menaxhon disa aeroporte në Amerikën e Jugut.

Por ndërkohë, IFC në rolin e konsulentit të tenderit kishte bërë një vlerësim të përmbysur duke u dhënë 95 pikë koreanëve dhe 80 pikë kompanisë nga Amerika e Jugut. IFC reagoi ashpër pas vlerësimit të Komisionit duke folur për tender të kompromentuar dhe përmes një letre paralajmëroi tërheqjen e saj nga procesi.

Kryeministri Milojko Spajiç ka reaguar gjithashtu shumë ashpër ndaj skualifikimit të koreaneve duke urdhëruar tërheqjen e njerëzve të tij nga komisioni i tenderit si dhe duke paralajmëruar kallëzim në prokurori.

Një burim pranë kampit të Spajiçit tha se tre përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Kryeministrisë nuk do të nënshkruajnë procesverbalin e komisionit të tenderit, pasi dyshojnë për paligjshmërinë e procesit të pikëzimit.

“Do të thërrasin policinë dhe prokurorinë për të hetuar gjithçka”, tha burimi, i pyetur se kush duhet të përcaktojë paligjshmërinë e pretenduar të procedurës.

Një burim qeveritar tha se nga 13 anëtarët e komisionit, katër anëtarë të komisionit ishin kundër vlerësimit të ofertës teknike dje, “që ishte krejtësisht në kundërshtim me atë që ishte propozuar nga IFC”.

“Konsulenti e ka vlerësuar një ofertues me shumë më shumë pikë, afër numrit maksimal të pikëve. Po ai ofertues është skualifikuar me pikën e disa anëtarëve të komisionit të tenderit, siç theksohet nga katër anëtarët që votuan kundër këtij vendimi sot”, tha burimi.

“Vlerësimi i ofertave teknike është një proces i specializuar, i lidhur ngushtë me njohuri dhe aftësi specifike për të cilat konsulenti ka punësuar një ekip të specializuar”.

Burimi theksoi se nga 13 anëtarët e komisionit, gjashtë janë nga Ministria e Transporteve dhe se procedurat ligjore nuk kërkojnë votim të fshehtë.

Paranojë komploti
Kampi i kryeministrit Spajiç dyshon se Gjeloshaj dhe ministrja e Transporteve Maja Vukićević, e cila është edhe anëtare e komisionit, synojnë sabotimin e tenderit, sepse pa investime të mëdha, aeroportet malazeze nuk do të ishin në gjendje të konkurronin aeroportin e Tiranës dhe duke mbetur në pronësi të shtetit, do të ishin ende në subjektin e punësimit të Partisë Popullore Demokratike.

Një burim tjetër nga qeveria, megjithatë, pohon se vështirë se është e mundur që Gjeloshaj dhe Vukiçeviç të kenë interesa të përbashkëta në këtë procedurë dhe se ministrja e Transportit “po e bën punën e saj me ndershmëri”.

Në një intervistë për “Vijesti” në nëntor, Vukiçeviç tha se nuk ishte në mënyrë eksplicite kundër koncesioneve për aeroportet malazeze, por se mbante një qasje të balancuar për këtë çështje, për të shqyrtuar me kujdes të dyja opsionet: modelin e koncesionit dhe modelin në të cilin shteti do të operonte vetë aeroportet përmes një marrëveshje investimi.

Gjeloshaj: Ne nuk kemi besim te konsulenti

Gjeloshaj iu përgjigj ashpër letrës së IFC-së dhe qëndrimit të Spajiç, duke thënë se “shumica dërrmuese” e komisionit nuk besonte në shumicën e veprimeve të IFC-së. Ai tha se nuk do të pranonte kurrë poshtërimin e qeverisë dhe shtetit, duke paraqitur një raport tek “konsulentët që ne paguajmë, por e kundërta, që ata të japin llogari për veprimet e tyre”.

“IFC-ja ka gjykuar gabimisht nëse beson se anëtarët e Komisionit të Tenderit duhet të jenë vetëm figura dhe shtesa, për të konfirmuar çdo dëshirë të IFC-së, ose më mirë për të miratuar çdo urdhër që përcjell partneri i Incheon-it, Bodin Bulatović (shefi i IFC për Ballkanin),” deklaroi Gjeloshaj./kapital.al

Propozimi i studiuesit të njohur: Si mund të jetë muze kampi i Spaçit

Nga Kastriot Dervishi

Përfytyrimi që kam për Spaçin, i krijuar në vite nga dokumentet dhe dëshmitë e shumta të atyre që kanë vuajtur këtu, nuk ngjason fare me atë që shihet sot. Territori ka ndryshuar disa herë në vite, aq sa nuk shpreh sa duhet atë që ka qenë. Janë prishur e ndërtuar objekte; janë ndryshuar telat e rrethimit (sipas sipërfaqes), të përgjithshmet e të brendshmet. Pas vitit 1991 ka vijuar shkatërrimi i rrethimeve me tela, barakat ku jetonin të dënuarit politikë në vitet 1983-1991, kullat e rojeve, rrugët drejt galerive të minierës, etj. Prej vitit 2007 kompleksi është shpallur monument kulture i kategorisë së dytë dhe nga viti 2015 si zonë e mbrojtur.

Spaçi nuk ka nevojë për menaxhim, por për rehabilitim të ngadaltë (5 vjet sipas meje) dhe administrim, por pas disa akteve, të cilat do të duan kohën e vet sipas viteve:
1-Shpalljen Muze Kombëtar, me VKM sipas propozimit nr.644, datë 7.9.2018 të Institutit të Studimeve dhe Krimeve të Komunizmit ose me anë të një projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr.27/2018 “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” (propozim i regjistruar në Kuvend në vitin 2022).
2-Kalimin e pronësisë nga Miniera Bakrit Reps te Ministria e Kulturës.
3-Miratimin e një projekti rehabilitimi që të përfshijë: rrethimin e madh me tela me gjemba, rrethimet e vogla; ndërtimin e barakave, plotësimin e pallateve të fjetoreve dhe ato kryesoret afër tyre.
4-Miratimin me VKM të strukturës së muzeut.

Zbatimi i masës së sigurisë, Ajola Xoxa paraqitet në SPAK

Bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliajm, Ajola Xoxa, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, është paraqitur në SPAK këtë të hënë.

Xoxa është në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim të parave e fshehje të pasurisë dhe po hetohet nën masën detyrim paraqitje.

Nga ana tjetër, Erion Veliaj pritet të dalë ditën e sotme para Gjykatës së Apelit, pasi nga paraburgimi i Durrësit ka kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga burgu.

Seanca do të zhvillohet në orën 14:00 dhe gjyqtar është Engert Pellumbi.

Përmes avokatëve të tij, kryebashkiaku Veliaj kërkon një masë më të butë sigurie, duke ofruar edhe garanci pasurore, pa përcaktuar një shumë, duke ia lënë në vlerësim gjykatës.

Erjon Veliaj, përmes avokatëve, ka dërguar rekurs edhe në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë, por ende nuk është caktuar data e shqyrtimit dhe trupa gjykuese.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u arrestua më 10 shkurt, pasi SPAK po heton për korrupsion pasiv në 9 raste dhe pastrim parash.

A do të na shpëtojnë intelektualët?

Nga Altin Gjeta

Historiani britanik Naill Ferguson zbuloi në një studim se inteligjenca gjermane, veçanërisht bota universitare ishte shtresa që e përqafoi dhe mbështeti ngritjen e Nacional Socializmit të Hitlerit duke i dhënë finesë diskursit të vrazhdë të partisë.

Filozofi gjerman Martin Heidegger, thotë Ferguson, mbeti besnik i Nazizmit deri në vitin 1945, në një kohë kur universitetet gjermane në vitet 1930-të ishin për nga cilësia si të thuash njëjtë me prestigjin që kanë sot Grupi Russell apo Liga Ivy në Britani dhe SHBA.

Pra, intelektualët kanë një prirje siç duket profesionale për tu bërë pjesë e strukturave sunduese. Kjo ndodh përgjithësisht për dy arsye. Së pari, intelektualët ose siç Thomas Sowell i quan ‘the anointed’ presupozojnë se për shkak të titujve dhe gjuhës që zotërojnë kanë të drejtë hyjnore të kenë rol përcaktues në vendimarrjen politike.

Së dyti, ato kanë prirje të qëndrojnë larg rrisqeve që paraqet sipërmarrja private, prandaj pushteti është strehë e natyrshme e tyre. Por kjo nuk ndodh pa kosto. Në këmbim të pjesëmarrjes në borde, akademi, parti apo organe drejtuese, intelektualët duhet të shpërlajnë fytyrën e pushtetit.

Shoqëria shqiptare ka ushqyer prej dekadash një lloj miti se intelektualët, pra ajo pjesë e shoqërisë që rëndom quhet inteligjenca, akademikët, shkrimtarët, artistët apo gazetarët, duhet të drejtojnë vendin. Madje, shpesh ndihet një lloj revolte në rrjet, kafene apo shoqëri sesi intelektualët janë lënë jashtë pozitave drejtuese. Kjo ndjenjë bëhet më therëse veçanërisht kur afrohen zgjedhjet paralmentare dhe hartohen listat për deputet.

Por kërkimi i shpëtimit tek intelektualët bazohet në premisa të gabuara. Shqipëria nuk ka një shtresë intelektuale gjenuine pasi në tre dekada ka trashëguar inteligjencën e regjimit komunist. Ishte kjo inteligjencë e ingjinjeruar nga Enver Hoxha që mbajti në këmbë me propagandë regjimin deri në fund. Pas transformimit të sistemit politik, ajo u atashua në forma të tjera tek sistemi tjetër duke i dhënë frymë tranzicionit të tejzgjatur politik. Shikoni borded shkencore dhe mediatike, dhe kuptoni sesi intelektualët janë strehuar tek struktura e rradhës e pushtetit.

Ndërkohë, ata profesionistë që prodhojnë mendim, art dhe shkencë kanë zgjedhur të ikin apo të mos flasin. Kjo ka bërë që krahëzen e intelektualit ta varin në qafë të tjerë, të cilët janë zgjatim apo artopolant i pushtetit. Ahengu i kryebashkiakut Erion Veliaj besoj është ilustrim i këtij fenomeni.

Kësisoj, ideja se promovimi intelektualëve është ilaç për sëmundjet lënguese të Shqipërisë nuk ka themele në realitetin tonë.
Besimi se inteligjenca, dhe veçanërisht ajo shtresë ‘intelektuale’ që kemi do të na shpëtojë, vetëm sa do ta zgjasë agoninë sepse intelektualët tanë janë pjesë e problemit.

“NATO ka nevojë për rritje 400% të mbrojtjes ajrore dhe kundërraketore”- Mark Rutte: Rusia po përhap terror nga ajri në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar sot nga vendet anëtare një rritje prej 400% të kapaciteteve ajrore dhe kundërraketore të Aleancës, gjatë një fjalimi në Londër, në konferencën e organizuar nga Chatham House.

“Nuk mjafton të vazhdojmë si deri tani – duhet të bëjmë një hap të madh përpara në mbrojtjen tonë të përbashkët. Rreziku nuk do të zhduket, edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë,” theksoi Rutte, sipas një deklarate të shpërndarë nga zyra e tij.

Ai paralajmëroi se për të ruajtur një kapacitet mbrojtës të besueshëm, NATO ka nevojë për shumëfishim të mjeteve ajrore dhe sistemeve kundërraketore, në një kohë kur kërcënimi nga sulmet ajrore po rritet ndjeshëm.

“Shohim në Ukrainë si Rusia përhap terror nga ajri. Ndaj do të forcojmë mburojën që mbron hapësirën tonë ajrore,” tha Rutte, i cili zhvilloi sot një takim edhe me Kryeministrin e ri britanik, Keir Starmer.

Në prag të samitit të NATO-s në Hagë më 24-25 qershor, Rutte propozoi që vendet anëtare të angazhohen për një plan të ri investimesh në mbrojtje, në nivelin 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky apel vjen në një moment kur Presidenti amerikan, Donald Trump, po i kërkon të njëjtën gjë vendeve aleate në Evropë dhe Kanada, duke i paralajmëruar se SHBA nuk do të garantojë më sigurinë e tyre nëse nuk marrin angazhim real për mbrojtjen.

Ndërkohë, Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u shpreh nga Brukseli se palët janë pranë një marrëveshjeje që mund të formalizohet pikërisht në samitin e Hagës.

Në fjalën e tij, Rutte theksoi gjithashtu nevojën për mijëra automjete të blinduara, tanke shtesë dhe miliona predha artilerie, për të garantuar një mbrojtje reale dhe efikase përballë sfidave të reja të sigurisë.

Ai përshëndeti edhe strategjinë e re të mbrojtjes së Britanisë së Madhe, të prezantuar javën e kaluar, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes së përbashkët të NATO-s.

Vrasja e Edmond Papës, dënohen me 25 dhe 30 vite burg Albano Velo dhe Andrew Bode

Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin përfundimtar në lidhje me çështjen e vrasjes së Edmond Papës, duke dënuar me gjithsej 55 vite burg dy personat e akuzuar për këtë krim të rëndë.

Sipas vendimit të shpallur sot, Andrew Bode është dënuar me 30 vite burg, ndërsa Albano Velo, u dënua me 25 vite heqje lirie.

Të dy u shpallën fajtorë për përfshirje direkte në atentatin ndaj Papës, i cili mbeti i vrarë në dhjetor të vitit 2022 në Tiranë.

Arabia Saudite nis projektin gjigant të pyllëzimit, synon të mbjellë 10 miliardë pemë dhe të rivalizojë Amazonën

Arabia Saudite ka ndërmarrë një nga nismat më ambicioze mjedisore në historinë e saj moderne, me synimin për të mbjellë 10 miliardë pemë në vitet e ardhshme, si pjesë e projektit “Saudi Green Initiative” (SGI).

Kjo nismë, që ka nisur që prej vitit 2021 me urdhër të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, synon të transformojë peizazhin ekologjik të vendit, i cili njihet më shumë për shkretëtirat dhe rezervat e naftës sesa për gjelbërim.

Por nisma nuk ndalet vetëm në kufijtë e Arabisë Saudite. Përmes projektit paralel “Middle East Green Initiative” (MGI), shteti saudit synon të ndihmojë edhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme, me objektivin e përbashkët të mbjelljes së 50 miliardë pemëve në rajon.

Kjo lëvizje vjen në një moment kur Arabia Saudite përballet me sfida serioze mjedisore, si shkretëtirëzimi i përshpejtuar, cilësia e dobët e ajrit, ndotja e lartë dhe rritja ekstreme e temperaturave, veçanërisht në zonat urbane.

Autoritetet saudite theksojnë se ky projekt ka për qëllim jo vetëm përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët, por edhe dhënien e një shembulli global për transformimin ekologjik. Arabia Saudite synon të kalojë nga një ekonomi e mbështetur te nafta, në një model më të qëndrueshëm dhe miqësor me klimën – një ambicie që, nëse realizohet, mund ta rendisë vendin mes liderëve të rinj botërorë në fushën e mbrojtjes së mjedisit.

Pritet vetëm zyrtarizimi, ylli i Milanit lë përfaqësuesen dhe kryen vizitat mjekësore me klubin e ri! Shi milionash për merkaton e Igli Tares

Tanimë mbetet vetëm zyrtarizimi por Tizhani Rejnders mund të quhet një futbollist i Mançester Sitit. Mesfushori ka lënë përfaqësuesen e Holandës gjatë ditës së sotme dhe ka shkuar të kryejë vizitat mjekësore për klubin e ri, duke kryer shpejt gjithçka që duhet për transferimin nga radhët e Milanit.

Lojtari kishte paralajmëruar pas ndeshjes ndaj Finlandës se do të shkëputej nga grumbullimi për të kryer këto vizita, për t’u kthyer pastaj në kohë për ndeshjen e të martës ndaj Maltës. “Nuk mund të pritej më. Qëllimi është të marr pjesë në Botërorin e Klubeve me Sitin. Në këtë mënyrë do të njoh menjëherë shokët e skuadrës”, kishte shpjeguar futbollisti.

Nga shitja e tij Milani d të përfitojë 57 milionë euro plus 8 të tjera në formë bonusesh me klauzola që janë lehtësisht të arritshme. Një plusvalencë e jashtëzakonshme duke llogaritur se lojtari u ble për rreth 20 milionë euro nga Alkmar vetëm dy vite më parë. Këto do të jenë para të cilat pastaj Igli Tare do të përdorë për të përforcuar ekipin në merkato duke nisur nga vendi i lënë bosh në mesfushën e Milanit nga holandezi.

Pse shishet e vajit të ullirit duhet të jenë me ngjyrë të errët? Zbuloni arsyet

A e keni vënë re ndonjëherë që pjesa më e madhe e shisheve të vajit të ullirit, qoftë plastike apo qelqi, kanë një ngjyrë të gjelbër ose përgjithësisht të errët? Kjo nuk është thjesht për arsye estetike. Ka një arsye shumë të rëndësishme pas këtij dizajni.

Vaji i ullirit thith metalet me të cilat bie në kontakt

Ruajtja e vajit të ullirit në një ambalazh të përshtatshëm dhe me një proces të duhur mbushjeje është thelbësore. Oksidimi i frutit të ullirit nis që në momentin e korrjes dhe vazhdon gjatë ruajtjes së tij. Prandaj, mbushja e vajit në shishe me ngjyrë të errët ndihmon që produkti të mbetet i freskët, ndërsa ngjyra e shishes filtrin rrezet ultravjollcë (UV).

Në fakt, ekspozimi ndaj dritës së diellit mund të ndikojë edhe në shijen e vajit, duke zhdukur aromat e tij të frutshme. Edhe pse çdo lloj ene të errët ose jo transparente, si qelqi i errët, qeramika apo çeliku inox është një zgjedhje shumë e mirë për ruajtjen e vajit, më të përdorurat janë shishet prej qelqi të gjelbër.

Kjo ndodh sepse qelqi i gjelbër është më i disponueshëm dhe prodhohet në sasi të mëdha nga industria.

Sipas disa studimeve, përqendrimet e larta të metaleve të rënda në organizëm janë të lidhura me shfaqjen e disa llojeve të kancerit. Për këtë arsye, ambalazhet prej hekuri apo bakri nuk rekomandohen, pasi këto metale mund të përthithen nga vaji dhe të kalojnë në trupin tonë.

Megjithatë, pavarësisht nga materiali i ambalazhit, mënyra e ruajtjes në shtëpi është po aq e rëndësishme. Vaji duhet të mbahet gjithmonë në një vend të freskët dhe të thatë – idealisht në një dollap të mbyllur – dhe jo në banakun e kuzhinës ku bie rrezet e diellit.

Si të zgjidhni një vaj ulliri cilësor:

Shmangni shishet plastike, ato janë më poroze dhe lejojnë kalimin e dritës, krahasuar me ato prej qelqi, qeramike apo çeliku inox. Disa studime kanë treguar se paketimet plastike mund të lëshojnë mikroplastikë në produkt.

Zgjidhni shishe që ruhen në vende të freskëta, jo në raftet e sipërme të supermarketeve apo nën ndriçim të drejtpërdrejtë. Ekspozimi ndaj dritës dhe nxehtësisë ndikon negativisht në cilësinë e vajit.

Kontrolloni datën e korrjes në etiketë përpara blerjes. Sa më i freskët, aq më i shëndetshëm dhe i shijshëm është vaji i ullirit.

Si u shmang nisja e luftës së tretë botërore në Kosovë

Hyrja e befasishme e rusëve në Prishtinë e më pas vendosja e tyre në Aeroportin e Prishtinës ishte një vërejtje se sa të pasigurta ishin akoma rrethanat, sa të paparashikueshme janë Rusia dhe Perëndimi më nuk ishte i sigurt se kush vendos në emër të Rusisë në Moskë. Sepse nga Ministria e Jashtme ruse, amerikanëve dhe NATO-s u thuhej se “ky ka qenë një gabim” ose “një moskuptim” dhe ato forca do të tërhiqen menjëherë. Por në të njëjtën kohë, forcave ruse që tashmë ishin në Aeroportin e Prishtinës po përgatiteshin t’u vinin në ndihmë mijëra pjesëtarë të njësive speciale nga Moska. Kjo do t’i forconte ata dhe do ta detyronte NATO-n në një negocim për ndarje të zonave dhe territorit të Kosovës

Nga Agustin Palokaj

Para 26 vjetësh dikur në këtë kohë, kur NATO-ja po bëhej gati të niste dislokimin në Kosovë, pasi ajo u çlirua dhe ushtarakët e lartë të NATO-s me ata të Serbisë kishin arritur pajtimin për largimin e forcave serbe dhe hyrjen e NATO-s në Prishtinë, befas u shfaqen forcat ushtarake të Rusisë. Të lodhur dhe të rraskapitur, me disa mjete të vjetra ushtarake, kishin bërë qindra kilometra nga Bosnjë-Hercegvoina, ku ndodheshin në misionin paqeruajtës të SFOR-it, ndërsa në Prishtinë kishin nxitur euforinë e serbëve që dolën t’i prisnin, me flamuj, këngë e valle, duke vallëzuar edhe mbi tanket ruse.

Në atë kohë në Shkup prisnin që NATO-ja, sipas planit të përgatitur mirë, me besimin se edhe rusët dhe serbët ishin pajtuar me të, të niste hyrjen në Kosovë. Lajmi se rusët më 11 qershor kishin hyrë në Prishtinë, shtangu NATO-n, befasoi dhe shokoi shumë kryeqytete të mëdha perëndimore dhe nxiti dyshimin nëse përpjekjet disajavore për të pasur Moskën në anën e tyre nga SHBA-ja, Britania, Gjermania dhe të tjerët kishin arritur vërtet sukses. Apo Moska ka një “politikë të dyfishtë” për t’u konfrontuar me Perëndimin. Një ditë para hyrjes së NATO-s në Kosovë u vë në dyshim zbatimi i parimit dhe qëllimit “Forcat serbe jashtë, NATO-ja brenda dhe refugjatët kosovarë prapë në shtëpitë e tyre”. Këto tri qëllime ishin parimi nga i cili NATO nuk lëshoi pe për 78 ditë, prandaj edhe operacioni i sulmeve ajrore ishte aq i gjatë.

NATO me Rusinë kishte kontakte të vazhdueshme, me gjithë zemërimin e Moskës me sulmet ajrore ndaj Serbisë. Për shkak se disa vende të NATO-s insistonin se prania tokësore në Kosovë duhej të bëhej me lejen e OKB-së, duhej fituar edhe Rusinë. Rusët kërkonin së pari që pjesë e marrëveshjes të ishte mbetja në Kosovë e një numri të konsiderueshëm të ushtarëve të Serbisë. Kur kjo u refuzua, kërkuan që rusët të kenë një sektor në veri ku do të vendoseshin forcat e tyre. Kjo po ashtu u refuzua por me premtimin se do të gjendet një modalitet për praninë e ushtarëve të Rusisë në një mision ushtarak ndërkombëtar. Dhe Rusia si rezultat i këtyre diskutimeve do të mbështeste Rezolutën për vendosjen e Kosovës nën një administrim civil të OKB-së, me rol të OSBE-së në krijimin e institucioneve demokratike vendore dhe me prani ushtarake të udhëhequr nga NATO-ja. Pjesë e pajtimit ishte edhe çarmatimi i UÇK-së. Por hyrja e befasishme e rusëve në Prishtinë e më pas vendosja e tyre në Aeroportin e Prishtinës ishte një vërejtje se sa të pasigurta ishin akoma rrethanat, sa të paparashikueshme janë Rusia dhe Perëndimi më nuk ishte i sigurt se kush vendos në emër të Rusisë në Moskë. Sepse nga Ministria e Jashtme Ruse amerikanëve dhe NATO-s u thuhej se “ky ka qenë një gabim” ose “një moskuptim” dhe se ato forca do të tërhiqen menjëherë.

Por në të njëjtën kohë forcave ruse që tashmë ishin në Aeroportin e Prishtinës po përgatiteshin t’u vinin në ndihmë mijëra pjesëtarë të njësive speciale nga Moska . Kjo do t’i forconte ata dhe do ta detyronte NATO-n në një negocim për ndarje të zonave dhe territorit të Kosovës.

Ka shumë tregime për atë ngjarje për të cilën edhe sot e kësaj dite flitet si momenti më i ndjeshëm në të cilin ka mundur të niste lufta e tretë botërore. Gjenerali Wesley Clark, atëherë komandant i forcave të NATO-s për Evropën, që kishte komanduar edhe operacionin e sulmeve ajrore, kishte kërkuar që KFOR-it të merrte me forcë kontrollin e Aeroportit të Prishtinës, ku ishin vendosur forcat ruse. Komandanti i parë i KFOR-it, Michael Jackson, kishte refuzuar. Citohet të ketë thënë madje se “nuk dëshiron të nisë luftën e tretë botërore”. Jackson citohet t’u ketë thënë miqve se ishte ndier shumë rëndë sepse, si ushtarak, kjo ishte hera e parë në karrierën e tij kur ai kishte refuzuar zbatimin e një urdhri nga një epror superior i tij. Diçka që për ushtarakët është e paimagjinueshme.

Në skenë, në favor të NATO-s dolën dy shtete të cilat akoma nuk ishin pjesë e kësaj aleance. Rumania dhe Bullgaria. Ato refuzuan të jepnin leje për avionët rusë që të përdornin hapësirën e tyre ajrore për të përforcuar kontingjentin ushtarak që kishte hyrë në Prishtinë, në aeroport. Kjo kishte ndihmuar shumë që këto shtete, pa qenë gati sipas kritereve objektive, të bëheshin anëtare të NATO-s në vitin 2004 dhe të BE-së në vitin 2007. “Nuk mund të paramendojmë çfarë do të ndodhte në Ballkan sikur Bullgaria dhe Rumania në atë moment kritik të mos ishin në anën tonë”, kishte thënë njëherë ish-komisioneri i zgjerimit Gunther Verheugen, i cili edhe dha lejen për hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në BE edhe pse të gjithë mendonin se ishin larg nga përmbushja e kushteve në atë kohë.

Gjithçka përfundoi mirë më vonë. NATO-ja nuk pati nevojë të luftojë kundër forcave ruse në Kosovë, por t’u ndihmonte me ushqim dhe pajisje. Pastaj edhe forcat ruse u vunë në shërbim të misionit të KFOR-it nën komandën e NATO-s.

Për një kohë pati raporte të mira mes NATO-s dhe Rusisë dhe bashkëpunimi në Kosovë përmendej si shembull për këtë. Partneriteti dhe bashkëpunimi vazhduan edhe përmes një këshilli të përbashkët NATO-Rusi deri kur nisi invazioni gjithëpërfshirës i Rusisë ndaj Ukrainës, prej kur Rusia përsëri u definua si një rrezik kryesor për sigurinë e NATO-s.

Sot, kur shënohet 26-vjetori i çlirimit të Kosovës, që praktikisht ndodhi me vendosjen e forcave të NATO-s dhe largimin e forcave të Serbisë, episodi i qershorit të vitit 1999 shërben si dëshmi se sa shpesh ngjarjet me rëndësi historike varen nga disa incidente të vogla që kanë mundur lehtë të shkonin në ndonjë drejtim tjetër.