22.5 C
Tirana
E hënë, 5 Maj, 2025

Shtyhet seanca për inceneratorin e Fierit, zbulohet arsyeja

Shtyhet seanca gjyqësore për inceneratorin e Fierit.

Lajmi konfirmohet nga burimet për media, teksa shkak i shtyrjes është bërë pasi palët janë tek inceneratori i Elbasanit.

Ndërkohë po zhvillohet seanca gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit, ku SPAK kërkoi në Apelin e Posaçëm ndryshimin e vendimit të shkallës së parë, që shpalli të pafajshëm për akuzën “shpërdorim detyre” ish deputetin socialist Alqi Bllako dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka.

Gjatë seancës, Lefter Koka deklaroi se “S’jam unë peshku i madh, nuk dënoni korrupsionin me mua”, raporton gazetarja Anila Hoxha.

I komunikohet akuza/ SPAK merr zyrtarisht të pandehur deputetin socialist, Plarent Ndreca!

SPAK ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca i cili është marrë i pandehur, për akuzën e shkeljes pabarazisë në tenderë.

Mësohet se përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, SPAK i ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë

“Prodhuesit do të rrisin çmimin e bukës deri në 20 lekë”- Flet ekspertja: Ndikim i madh te familjet me të ardhura të ulëta

Nga 1 nëntori nis zbatimin vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për aplikimin e çmimeve të rritura të energjisë në orarin e pikut të furrave prodhuese të bukës dhe pastiçerive.

 

Në një intervistë për gazetën “Panorama” ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi tregon se çmimet do të rriten me 15% për të gjitha kategoritë, në varësi të llojit të aktivitetit të furrave. Por kjo rritje e çmimit të energjisë elektrike pritet të ndikojë edhe në rritjen e çmimit të bukës. Më tej ekspertja tregon se prodhuesit pohojnë se rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë sipas saj nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.

Sa do të rritet çmimi i energjisë konkretisht dhe kush do të preket nga kjo rritje?

Sipas këtij vendimi, çmimi i energjisë elektrike do të rritet me 15% për katër orët e pikut të prodhimit të bukës. Kjo rritje pritet të ndikojë në koston e prodhimit dhe mund të reflektohet në çmimet e produkteve përfundimtare që ofrohen për konsumatorët. Sipas vendimit, orari i pikës për aplikimin e çmimit të energjisë është si në vijim: Nga 1 nëntor deri më 31 mars: çmimi do të jetë në fuqi nga ora 18:00 deri në 22:00; nga 1 prill deri më 31 tetor: çmimi do të aplikohet nga ora 19:00 deri në 23:00. Sipas pikës 2 të vendimit, tani që ka hyrë në fuqi, çmimi i energjisë aktive në orarin e pikut do të jetë si më poshtë: Kategoria I: Furra Buke/ Prodhim mielli do të paguajë 8.74 lekë/kWh, nga 7.6 lekë/kWh që ishte më parë; Kategoria II: Furrë Buke/ produkte mielli shoqëruese, pastiçeri nga 9.5 lekë në orarin e pikut çmimi i energjisë do të jetë 10.93; Kategoria III: Furra Buke/Prodhim mielli, Pastiçeri, shërbim Kafe (ekspres) çmimi nga 12 lekë do të jetë në 13.8 lekë/kWh.

Cili është komenti juaj për këtë vendim? Mund të na jepni disa detaje më të thelluara lidhur me të?

Ky vendim është marrë për shkak se ngarkohet rrjeti gjatë orarit të pikut. Furrat e bukës kanë mundësinë të zgjedhin një orar tjetër për prodhimin e bukës, duke minimizuar kështu ndikimin në kostot e energjisë. Kjo do të ndihmojë në menaxhimin më efikas të burimeve dhe do të lehtësojë ngarkesën në rrjet.

Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit. A është e mundur që ata të vazhdojnë aktivitetin e tyre normalisht duke shmangur orarin e pikut?

Prodhuesit e bukës janë kundër vendimit për rritjen e çmimit të energjisë në orarin e pikut, pasi kjo do të rrisë kostot e prodhimit dhe, për pasojë, do të ndikojë në rritjen e çmimeve për konsumatorët. Shumë nga këta prodhues kanë pohuar se po planifikojnë të rrisin çmimin e bukës me 15 deri në 20 lekë. Prodhuesit e bukës e konsiderojnë këtë vendim si të padrejtë, pasi besojnë se duhet të kenë lehtësira në kushte të tilla. Ata po përballen me vështirësi financiare si rezultat i rritjes së çmimeve të lëndës së parë dhe rritjes së pagave të punonjësve. Sipas tyre, një rritje tjetër në kostot e energjisë do t’i vështirësojë akoma më shumë situatën dhe do të ndikojë negativisht në qëndrueshmërinë e bizneseve të tyre.

Si do të bëhet faturimi i prodhuesve të bukës pas këtij vendimi?

Faturimi do të behet me dy fasha, kjo nënkupton se ato do të përballen me kosto të ndryshme për energjinë elektrike.

A do të sjellë kjo rritjen e çmimit të bukës?

Kërkesa e Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave për pezullimin e tarifës shtesë në oraret e pikës tregon shqetësimin e prodhuesve për rritjen e kostove të energjisë elektrike. Prodhuesit pohojnë se ato rritjen e çmimit të energjisë do ta reflektojnë në rritjen e çmimit të bukës në 15- 20 lekë. Kjo situatë nënvizon nevojën për masa mbështetjeje për këtë sektor për të lehtësuar presionin e kostove mbi këto biznese, duke i ndihmuar të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të ofrojnë produkte më të përballueshme për konsumatorët.

Pse qytetarët janë të ndjeshëm ndaj rritjes së çmimit të bukës?

Ushqimi është një nevojë themelore për çdo njeri, dhe buka ka një rol kyç në dietën tonë. Në Shqipëri, shpenzimet për ushqim përbëjnë një pjesë të madhe të buxhetit familjar, siç tregon statistika nga INSTAT. Kjo tregon se për shumë familje, siguria ushqimore është një prioritet i rëndësishëm. Këto të dhëna, gjithashtu, pasqyrojnë sfidat ekonomike me të cilat përballen shumë njerëz dhe nevojën për qasje në ushqim cilësor dhe të përballueshëm. Buka është një pjesë thelbësore e dietës së përditshme për shumicën e shqiptarëve. Një familje me katër anëtarë konsumon mesatarisht një bukë në ditë, kjo do të thotë se çmimi i bukës ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shpenzimet e tyre për ushqim. Një rritje e çmimit të bukës ka ndikim të rëndësishëm në buxhetin familjar, veçanërisht për ata që kanë të ardhura të kufizuara. Kjo nënvizon rëndësinë e monitorimit të çmimeve ushqimore për të siguruar që familjet të kenë akses në produkte të përballueshme dhe cilësore.

A mund ta përballojnë qytetarët një rritje të tillë?

Familjet me të ardhura nën mesatare dhe të ulëta, një rritje prej 15-20 lekësh për bukë mund të ketë një ndikim të madh, duke i detyruar të rishikojnë buxhetin e tyre dhe të ndjekin një stil jetese më të kufizuar. Pensionistët do të jenë ndër të parët që do të ndiejnë efektet e rritjes së çmimeve të bukës. Ky grup është veçanërisht i ndjeshëm ndaj rritjeve të çmimeve për produkte themelore, si buka. Me një buxhet të kufizuar, çdo rritje e çmimeve i detyron ata të rishikojnë prioritetet e shpenzimeve, duke ndikuar në cilësinë e jetesës së tyre. Kjo është një situatë e vështirë, veçanërisht për ata që jetojnë vetëm me pensione të ulta, ku rritjet e çmimeve mund të krijojnë tensione financiare dhe mundësi të kufizuara për të përmbushur nevojat themelore. Indeksimi i pensioneve me 4.1% po perceptohet si kompensim i rritjes së çmimit të bukës.

Si mund të shmanget rritja e çmimit të bukës?

Prodhuesit duhet të planifikojnë prodhimin e bukës në orët e natës, kur tarifat nuk janë të larta. Megjithatë, kjo kërkon një organizim të mirë të proceseve prodhuese për të siguruar që produktet të jenë të freskëta. Kjo mund të përmirësojë efikasitetin dhe t’i ndihmojë ata të mbajnë çmimet e produkteve më të ulëta për konsumatorët. Prodhuesit duhet të kuptojnë që duhet të gjejnë zgjidhje për të mos rritur çmimin e bukës (duke garantuar cilësinë dhe peshën) sepse kjo do të ndikojë në uljen e fuqisë blerëse.

Sulmuan Klodiana Lalën si avokate të SPAK-ut, Desada Metaj thumbon gazetarët avokatë të Metës

Desada Metaj ka reaguar pasi gazetarja Klodiana Lala është sulmuar në emisionin “Të Paekspozurit”, si “avokate e SPAK”-ut.

“Disa burra në një studio bëhen bashkë dhe sulmojnë një grua që ka dalë të bëjë lajme që në 7 të mëngjesit duke e intimiduar me zhargonin “avokate e SPAK-ut”….

Këta burrat kanë 20 e kusur vjet që i thonë vetes gazetarë pa dalë kurrë për të bërë ndonjë lajm.

Dhe nuk di të them me siguri nëse ja vlen t’i kesh për avokatë në ditë të këqija si këto”, shkruan Desada Metaj.

Trajtimi 3 ditor me vaj ekstra të virgjër ulliri për pastrimin e mëlçisë nga helmet

Sëmundjet që prekin mëlçinë po kthehen në një shqetësim madhor në mbarë globin. Miliona njerëz vuajnë nga këto sëmundje, disa prej të cilave vdekjeprurëse, të cilat në shumë raste mund të shmangen falë ndryshimeve në stilin e jetesës.

 

Mëlçia, si çdo organ tjetër, është një shënjestër e lehtë e toksinave dhe kimikateve që na rrethojnë çdo ditë. Natyrshëm, ky organ ka nevojë për ndihmë që të pastrohet prej toksinave dhe organizmave të rrezikshëm, prania e të cilëve vë në rrezik edhe trurin.

Një nga përbërësit kryesorë të të gjitha kurave për pastrimin e mëlçisë është vaji i ullirit. Më poshtë ju sjellim një informacion të dobishëm mbi rolin e vajit të ullirit në shëndetin e mëlçisë si dhe përgatitjen e një kure për trajtimin e saj.

Si funksionon mëlçia?

Mëlçia luan një rol qendror në detoksifikimin e trupit. Mëlçia kryen një sërë detyrash dhe funksionesh, duke nisur që nga prodhimi i proteinave, kolesterolit, ruajtjes së vitaminave, mineraleve dhe karbohidrateve.

Ajo shpërbën toksinat që shoqërojnë alkolin, ilaçet apo nënproduktet natyrale të metabolizmit. Mbajtja në formë e mëlçisë është tejet e rëndësishme për shëndetin.

Si e pastron mëlçinë vaji i ullirit?

Vaji i ullirit ofron shumë vlera të shëndetshme, një prej tyre është pastrimi i mëlçisë. Sipas studimeve, pirja e vajit të ullirit e ndihmon mëlçinë të përshpejtojë përpunimin e çdo substance.

Ai ndihmon edhe në largimin e substancave të dëmshme të ngecura në organ sa më shpejt.

Cili është vaji më i mirë i ullirit për pastrimin e mëlçisë

Vaji natyral i ullirit është kura më e mirë për mëlçinë, por në përzgjedhjen e tij duhet të tregoheni të kujdesshëm. Është e rëndësishme që të përzgjidhni vajin e nxjerrë nga ullinj të përpunuar sa më pak dhe të nënshtruar një presimi të ftohtë.

Vaji ekstra i virgjër i ullirit është ai që nuk është nxjerrë nga një presim i nxehtë i ullinjve apo që nuk përmban kimikate.

Freskia është një aspekt i rëndësishëm në përzgjedhjen e vajit të ullirit. Vaji i ullirit nuk duhet të qëndrojë i papërdorur për shumë kohë.

Vajrat që nuk konsumohen brenda dy viteve nga data e prodhimit nuk janë të shëndetshëm.

Kura tre ditore e pastrimit të mëlçisë

Kura e mëposhtme zgjat tre ditë dhe duhet bërë në mbrëmje përpara se të bini për të fjetur.

Këshillohet që të përzieni në një mikser gjysmë gote me vaj ulliri dhe gjysmë gote me lëng të freskët limoni. Pijeni lëngun menjëherë dhe shtrihuni në shtrat.

Qëndroni shtrirë me gjunjët të mbështetur mbi kraharor. Qëndroni në këtë pozicion për 30 minuta.

Kjo kurë duhet shoqëruar me konsumin e mollëve dhe lëngjeve të saj të cilët gjithashtu kanë efekt pastrues.

Kujdes

Nëse ju keni gurë në tëmth, pirja e vajit të ullirit dhe lëngut të limonit mund të shkaktojë dhimbje të forta abdominale.

Rigels Seliman: Ja pse politikanët e korruptuar duhen tërhequr ‘zvarrë’ si Ilir Meta, sekuestrohen pasuritë që iu kanë grabitur shqiptarëve dhe ‘varur” në shtyllën e turpit

Gazetari Rigels Seliman ka reaguar ashpër në rrjetet sociale sa i takon arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta, teksa theskon se
politikanët e korruptuar duhen tërhequr “zvarrë” si ish-kreu i shtetit dhe  sekuestrohen pasuritë që iu kanë grabitur shqiptarëve e madje, sipas tij, ata duhen “varur” në shtyllën e turpit.

“Korrupsioni është një nga problemet më të mëdha që ka përballur Shqipëria gjatë 30 viteve të fundit. Rasti i ish-presidentit Ilir Meta, i arrestuar nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për akuza të rënda si korrupsioni, pastrimi i parave dhe deklarim i rremë, ilustron mirë këtë krizë. Videoja e shpërndarë nga arrestimi i ish-presidentit, ku duket se ai bën rezistencë ndaj forcave të policisë, e bën këtë situatë edhe më dramatike. Megjithatë, ndëshkimi që ai dhe politikanët e tjerë të korruptuar meritojnë duhet të jetë shumë më i ashpër.
Politikanët e korruptuar kanë abuzuar me pasuritë publike dhe kanë shkaktuar një dëm të pallogaritshëm ekonomik, social, juridik dhe politik në Shqipëri. Kjo ka ndikuar në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, duke thelluar varfërinë dhe duke minuar besimin në institucionet e shtetit. Të tilla veprime kërkojnë një përgjigje të fortë dhe të vendosur nga shoqëria dhe shteti.
Të tërheqësh zvarrë politikanët e korruptuar është një ide radikale, por ndoshta një nevojë për të rimarrë kontrollin mbi të ardhmen e vendit. Në histori, shumë diktatorë dhe hajdutë kanë përfunduar në mënyrë të turpshme për krimet e tyre ndaj popullit. Po ashtu, në një shoqëri ku drejtësia është e dobët, kërkesat për ndëshkime më të rënda bëhen gjithnjë e më të forta.
Nëse do të kishim një sistem të drejtësisë të fortë, si ai në Shtetet e Bashkuara, ndëshkimi për politikanët si Meta do të ishte shumë më i ashpër.
Duhet të krijojmë një kulturë ku përgjegjësia për veprimet e këqija është e pakthyeshme. Vendi ka nevojë për reforma të thella që të mundësojnë ndëshkimin e atyre që abuzojnë me pushtetin dhe pasurinë publike.
Rruga drejt një shoqërie më të drejtë kërkon mobilizimin e qytetarëve, për të kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga ata që drejtojnë. Të gjithë ne duhet të jemi zë i fortë për të kërkuar drejtësi dhe për të siguruar se askush nuk është mbi ligjin. Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojmë të ndreqim dëmet e shkaktuara dhe të ndërtojmë një të ardhme më të ndershme për të gjithë shqiptarët.
Në fund, vetëm një reagim i fortë dhe i vendosur mund të sjellë ndryshimin e nevojshëm. Politikanët e korruptuar duhet të përballen me pasojat e veprimeve të tyre, dhe shoqëria duhet të jetë ajo që e kërkon këtë. Rasti i Ilir Metës është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë drejt drejtësisë. Kështu që përballë kësaj situate, mendoj se politikanët e korruptuar duhen tërhequr “zvarrë” si Ilir Meta, t’iu sekuestrohen pasuritë që iu kanë grabitur shqiptarëve dhe madje këta sojsëz duhen “varur” në shtyllën e turpit”, shkruan gazetari Rigels Seliman.

Ç’është Starlink-u i Elon Musk dhe si do të përfitojë Kosova nga shtrirja e shërbimeve të gjigantit amerikan në territorin e saj

Internet pa ndërprerje, në çdo cep të territorit, edhe në situata të jashtëzakonshme. Këto janë vetëm disa të mira që përfiton Kosova nga shtrirja e shërbimeve të gjigantit amerikan, Starlink, në territorin e vet.

 

Futja e Kosovës në hartën e Starlink-ut, njërës prej kompanive më novatore në botë, konsiderohet edhe si promovim i mirë për vendin.

Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë se shërbimet satelitore të kësaj kompanie do të funksionalizohen në dhjetorin e sivjetmë.

Kosova veçse mburret për mbulueshmërinë me internet në nivel rajonal. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 98.6 për qind e ekonomive familjare kanë pasur qasje në internet më 2023.

Operatorët aktualë në Kosovë ofrojnë internet kabllor, përfshirë internetin me fibër optike, i cili është prej më stabilëve dhe më të shpejtëve.

Satelitët e Starlink-ut

Starlink-u është kompani që ofron internet satelitor në mbi 100 shtete dhe territore dhe zotërohet prej kompanisë hapësinore amerikane, SpaceX, të miliarderit Elon Musk.

Starlink-u i ka rreth 6.000 satelitë, të cilët gjenden rreth 500 kilometra mbi Tokë, në orbitën e ulët të planetit.

Kjo do të thotë se ata janë rreth 65 herë më afër Tokës sesa satelitët tradicionalë të palëvizshëm dhe, për dallim prej këtyre të fundit, satelitët e Starlink-ut janë vazhdimisht në lëvizje dhe sigurojnë që vonesat në komunikim të jenë 10 herë më të vogla.

Anëtarja e bordit të ARKEP-it, Rrezarta Duraku Rizaj, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se leja për operim për Starlink-un është hap i rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale në Kosovë.

“Autorizimi i Starlink-ut ka më së shumti impakt në rritjen e sigurisë nacionale, sidomos në periudhë konfliktesh. Kjo, për faktin se pjesa dërrmuese e infrastrukturës së Starlink-ut gjendet në hapësirë dhe është e paprekshme nga dëmtimet e mundshme në kohë lufte apo katastrofash natyrore në Tokë. Një terminal i Starlink-ut ka në të njëjtin moment pamje në disa satelitë në hapësirë, me çka rritet edhe më shumë disponueshmëria e shërbimit”, ka thënë Duraku – Rizaj.

Ajo beson se kjo përparësi mund të shfrytëzohet nga bizneset dhe nga institucionet qeveritare, sidomos ato të sigurisë, të cilat menaxhojnë infrastrukturë kritike.

Disa të tjerë përmendin ushtrinë dhe misionet e huaja si konsumatorë potencialë. Dhe, jo vetëm ata.

Sipërmarrësi Darsej Rizaj, bashkëthemelues i Shkollës Digjitale dhe i kompanisë Starlabs, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se do ta shfrytëzojë këtë shërbim si privatisht, ashtu edhe për bizneset, sapo ai të jetë i qasshëm.

“Interneti është vegël kritike për neve, kështu që Starlink vetëm do të jetë ndihmesë shtesë, që të mos kemi kurrë ndërprerje të shërbimeve të internetit”.

Si do të funksionojë?

Porositjen e shërbimeve do të mund ta bëjë secili në faqen e Starlink-ut, duke kërkuar adresën më të afërt.

Pas porosisë, Starlink-u do t’ia dërgojë klientit pajisjen marrëse, e cila lidhet me satelitët në hapësirë.

Rrezarta Duraku Rizaj ka thënë se marrësi i përdoruesit është i vogël, portativ dhe mund të përdoret në lokacione të ndryshme, si për shembull në mal, në terrene të vështira, e vende të tjera ku nuk ka qasje të mirë në internet.

Sa do të jetë çmimi dhe shpejtësia e internetit?

Përcaktimi i çmimeve do të bëhet varësisht prej fuqisë blerëse lokale të secilit shtet.

“Tarifimi përbëhet nga dy komponentë: blerja e hardverit në fillim, terminali me pajisjet përcjellëse që blihen një herë, dhe një tarifë mujore që do të varet nga planet e shërbimit që janë të disponueshme në faqen e internetit”, ka treguar Duraku-Rizaj.

Ajo ka thënë se kostot do të bëhen publike para lansimit në dhjetor, dhe për krahasim i ka përmendur çmimet në Shqipëri, ku Starlink-u u shtri në prillin e sivjetmë. Atje, blerja e pajisjeve në fillim kushton rreth 500 euro, ndërsa plani mujor më i lirë është rreth 65 euro.

Shpejtësia e internetit që ofron Starlink-u është 120 deri në 250 megabit për sekondë (mbps), varësisht se a bëhet fjalë për plane individuale apo për biznese.

Operatorët në Kosovë, aktualisht, mundësojnë internet më të shpejtë. Ekonomive familjare u ofrohet internet deri në 500 mbps në kuadër të pakove të kombinuara me shërbime televizive, me çmime deri në 35 euro.

Për bizneset ka oferta për internet deri në 1 gigabit për sekondë, me çmime mujore deri në 1.100 euro.

Darsej Rizaj e pranon që sa i përket shpejtësisë, Starlink-u nuk iu bën konkurrencë operatorëve lokalë, por është plan i mirë rezervë, në rast të dështimit të linjave tokësore.

Nami i Starlink-ut në Ukrainë

Starlink-u pati marrë gjithë vëmendjen në shkurt të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, dhe për pasojë ukrainasve iu shkëputen linjat e internetit.

Vendimi i Muskut për të mbuluar Ukrainën me internet ishte konsideruar jetik për shumë operacione të ushtrisë ukrainase, por edhe për rimëkëmbje të infrastrukturës së energjisë dhe komunikimit.

Starlink-u ka bërë të ditur se po punon edhe për ofrimin e shërbimeve telefonike – por, deri atëherë, të gjithë sytë tek interneti!/REL

Pas skandaleve, Veliaj shkarkon 12 drejtorë në bashkinë e Tiranës

Sot, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka miratuar një seri ndryshimesh në drejtuesit e drejtorive kryesore të Bashkisë.

Këto ndryshime përfshijnë zëvendësimin e drejtorëve në Ujësjellës-Kanalizimet e Tiranës, Policinë Bashkiake, Agjencinë për Mbrojtjen e Konsumatorit, Tirana Parking, Kopshtin Zoologjik, Qytetin Studenti, si dhe disa qendra sociale dhe muzeume.

Nuk dihet pse Veliaj ka marrë këtë vendim, por kujtojmë që SPAK goditi skandalin e dosjes “5D” e cila tronditi këtë institucion.

Kanadaja kufizon imigrimin për të frenuar “rritjen e popullsisë”

Kanadaja tha të enjten se ka vendosur të ulë ndjeshëm objektivat e imigracionit në përpjekje për të “ndalur rritjen e popullsisë”, një ndryshim që pason rënien e mbështetjes së publikut për imigracionin.

 

Njoftimi vjen pasi popullsia kanadeze u rrit në 41 milionë, e nxitur kryesisht nga një valë e pashembullt imigrantësh.

Ministria e imigracionit kishte planifikuar më parë të lejonte hyrjen e 500,000 banorë të rinj me status të përhershëm në vend në vitet 2025 dhe 2026.

Por objektivi i ri tani parashikon pranimin e 395,000 njerëzve në vitin e ardhshëm dhe 380,000 të tjerëve në vitin 2026. Qeveria kanadeze vendosi si objektiv për vitin 2027 pranimin e jo më shumë se 365,000 mijë imigrantëve.

Ministria e imigracionit tha se qëllimi i planit ishte “të ndalonte rritjen e popullsisë në aspektin afatshkurtër për të krijuar kushte për një rritje të mirë-menaxhuar dhe të qëndrueshme në aspektin afatgjatë”.

“Ndonëse është e qartë se ekonomia jonë ka nevojë për njerëz, ne po shohim se vendi ynë po përballet me trysni të ndryshme, që kërkojnë përshtatjen e politikave me rrethanat e reja”, tha përmes një deklarate Ministri i Imigracionit Marc Miller.

Ministria tha se plani synon gjithashtu të lehtësojë trysninë e krijuar nga rritja e kostos së strehimit. Kanadezët radhisin vazhdimisht koston e lartë të qerasë apo kredisë së shtëpive si një shqetësim kryesor ekonomik.

Ministria vlerësoi se rritja e imigracionit ndihmoi ekonominë kanadeze të dilte nga pandemia koronavirusit, duke shmangur rënien e saj.

Një sondazh muajin e kaluar nga Instituti “Environics” mbi qëndrimet e publikut ndaj imigracionit zbuloi se “për herë të parë në një çerek shekulli, një shumicë e qartë e kanadezëve thanë se ka nivel të lartë të imigracionit”.

Pesëdhjetë e tetë për qind e kanadezëve besojnë se vendi pranon shumë emigrantë, një rritje me 14 për qind krahasuar me të dhënat e sondazhit të vitit 2023./voa

Shoqëria me ortak deputetin e LSI që kaloi me PS përfitoi 16.8 milionë lekë, por nuk dha asnjë shërbim! Çfarë thuhet në dosjen e SPAK për Agron Çelën

Deputeti socialist i Shkodrës Agron Çela, dikur një prej njerëzve më të besuar të ish- Presidentit Ilir Meta ka përfituar para nga DIA e Kastriot Ismaliajt në një kohë kur shoqëria ku ai ishte aksioner nuk ka dhënë asnjë shërbim. Kjo e dhënë rezulton në dosjen e SPAK, ku konkretisht thuhet:

 

“Në lidhje me shoqërinë BTT me ortak të vetëm shtetasin Shpëtim Shehu, e cila ka përfituar nga shoqëria DIA shumën prej 16.800.000 lekë hetimi ka provuar se kjo shumë ka pasur si përfitues fundor shoqërinë ‘Xhenis’ shpk, me ortak shtetasin Agron Çela i cili në vitin 2013 zgjidhet deputeti i Kuvendit të Republikës, si përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim”.

Prokuroria e Posaçme argumenton më tej se hetimi ka provuar që përfitimi i këtyre parave është bërë pa ofruar nga shoqëria “Xhenis” apo BTT as edhe një shërbim apo mall të vetëm te shoqëria DIA. SPAK nuk sqaron nëse janë duke u zhvilluar hetime ndaj Agron Çelës po fakt është që deputeti që hyri në Kuvend nën siglën e LSI-së së Ilir Metës bëri shpejt divorc politik me këtë të fundit për motive që nuk u bënë kurrë publike.

WhatsApp-Image-2024-10-25-at-11.06.55

Ilir Meta dyshohet nga SPAK se ka ndërmjetësuar njohjen dhe më pas lidhjen e kontratës mes kompanisë çeke CEZ dhe asaj DIA të Kastriot Ismailajt dhe në këmbim ka përfituar ryshfet. Ish-Presidenti është dërguar tashmë nën arrest nën dyshimet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat akuza dyshohet dhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi e cila po hetohet nën masën e sigurisë “Detyrimit për paraqitje”./News24