29.5 C
Tirana
E premte, 27 Qershor, 2025

Në Shqipëri, gjysma bëjnë kafe, gjysma e pijnë, raporti: Jemi të parët në botë për lokale

Shqipëria përgjithësisht është nga fundi për çdo renditje, si p.sh. për të ardhurat për frymë, për cilësinë e ajrit, për keqqeverisjen, për ambientin për të bërë biznes e kështu me radhë.
Por, ka një renditje ku ne “shkëlqejmë”, atë të kafeneve, që i gjen me shumicë dhe shpesh të mbushura plot në çdo cep të kryeqytetit dhe të Shqipërisë për numër popullsie. Sipas të dhënave më të fundit të Anketës Strukturore të INSTAT-2016, në Shqipëri numri i bar-kafeve e restoranteve arriti në 18,795 (14,200 bare dhe 3,965 bar restorante), me një rritje prej 6.3% në raport me vitin e mëparshëm (janë hapur rreth 1200 bar-kafe të reja në një vit dhe janë mbyllur 96 bar-restorante)
Në raport me popullsinë prej 2.87 milionë banorësh, në Shqipëri ka 654 bar-kafe për 100 mijë banorë, sipas përllogaritjeve të “Monitor”, ose 1 bar kafe për 152 banorë.
Shqipëria ia kaloi në 2016-n edhe Spanjës, e cila deri tani mbante rekordin në Bashkimin Europian (BE) dhe në botë për numrin e lartë të bar-kafeve për banorë, me 592 bar kafe për 100 mijë banorë, ose një bar-kafe për 169 banorë, sipas një studimi të fundit të BE. https://www.thinkspain.com/neës-spain/29313/spain-has-more-bars-per-inhabitant-than-any-other-eu-country-study-shoës

Deri një vit më parë, Shqipëria ishte në vend të dytë në botë pas Spanjës, por në Spanjë katër vitet e fundit janë mbyllur rreth 70 mijë bare e restorante për shkak të krizës, sipas mediave spanjolle (Spanja ka 47 milionë banorë).
Në Shqipëri ka ndodhur e kundërta. Në katër vjet 2013-2016, sipas të dhënave të INSTAT, janë hapur 4,569 bar-kafe dhe 1,160 bar-restorante të reja (shiko grafikun për tendencën e çdo viti), ndërkohë që popullsia është në tkurrje. Me krizë apo pa krizë, baret vazhdojnë të hapen, njerëzit vazhdojnë t’i frekuentojnë, duke bërë që të huajt të habiten me numrin e madh të tyre dhe kohën që shqiptarët shpenzojnë në to sidomos përgjatë ditës.
Nëse bëhet sërish një krahasim me Spanjën, baret atje janë të përhapura në zonat turistike, p.sh., në Gran Canaria, ka 547 pabe dhe kafe për vetëm 23,000 rezidentë – pra një për çdo 43 persona. Në Shqipëri janë në mes të qytetit dhe më shumë se gjysma në kryeqytet.
INSTAT raportoi se në Shqipëri ka gjithsej 108 mijë biznese aktive, dhe bar-restorantet përbëjnë rreth 17.5% të tyre. Kapaciteti total i gjithë bareve e restoranteve në Shqipëri është 726 mijë vende (28% e tyre në restorante), çka do të thotë që në gjithë baret e restorantet e vendit mund të ulet njëkohësisht më shumë se një e katërta e popullsisë së vendit.

Hapja e bareve e kafeneve ka qenë një alternativë e lehtë biznesi për këdo, pas viteve ’90. Të hapje një bar-kafe, edhe poshtë pallatit, ka qenë forma më e thjeshtë që shumë shqiptarë menduan të bënin para, apo thjesht edhe të mbijetonin. Ndonëse shumë falimentojë, edhe më shumë hapen të reja.
Në Europë, pas Spanjës dhe Shqipërisë, për nivel të lartë baresh renditet edhe Qipro, me rreth 470 bare për 100 mijë banorë (edhe në Qipro ka pasur mbyllje për shkak të krizës).
Në fqinjin Itali, sipas FIPE (Federazione Italiana Pubblici Esercizi) ka rreth 250 bar-kafe për 100 mijë banorë, apo gati sa gjysma e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e bareve e restoranteve përqendrohen në qendër të qytetit, ku është përqendrim i lartë i turistëve, por vështirë të gjesh një bar në çdo cep, siç ndodh në Shqipëri.
Në Amsterdam ka 63.5 bare për 100 mijë banorë, sipas Trade Association for Horeca and Catering, në Berlin 36, në Bruksel 148.3, në Londër 32, në Stamboll vetën 2.1, në Nju Jork 32.5, në Paris 27.2, Stokholm 19.1, në San Paolo 133.3. Më i lartë është në Seul me 186.4, Tokio 216.5, Rio De Janerio 191 etj. http://ëëë.ëorldcitiescultureforum.com/data/number-of-bars-per-100000-population

Në botë, bar-kafetë po ndryshojnë përtej tradicionales, për t’iu përshtatur shijeve të reja të konsumatorëve. Shumë po ofrojnë mëngjes, lëngje frutash e perimesh dhe të kombinuara, produkte pa gluten, ushqim vegjetarian dhe vegan, xhin të specializuar, kokteje, birrë artizanale, etj.
Edhe në Shqipëri ka disa tendenca për të futur risi, si lokalet e ëmbëlsirave, apo yogurt, lëngjet e koktejet, lokale të specializuara për lëngje të freskëta, por në pjesën më të madhe ato mbeten tradicionale, ku produkti më i konsumuar është kafeja, që kushton mesatarisht 60-80 cent të euros, ndër më të lirat në Europë. Linjat e lokaleve me hapësira të mëdha, po zgjerohen gjithashtu, duke u bërë më të preferuara në krahasim me baret e vogla të lagjeve.

Shembja e Teatrit/ Kumbaro bojkoton Komisionin Parlamentar

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro nuk do të raportojë në Komisionin Parlamentar të Kulturës, siç ishte parashikuar për sot në orën 11:00. Deputetët e opozitës kishin kërkuar një raportim nga ministrja lidhur me shembjen e dy urave monument kulture, dëmtimin e kalasë së Gjirokastrës por edhe për problemet në Teatrin Kombëtar.
“Kjo eshte hera e dyte qe Ministrja Kumbaro shperfill Parlamentin. Nisur nga keto rrethana, opozita do te mbaje nje qendrim ne komision ne oren 11.00”, bën të ditur zyra për mediat në PD.

Shpërthejnë protestat në Kukës!

Lejet e miratuara nga KKT për ndërtimin e 5 hidrocentraleve në fshatrat Turaj, Novosej dhe Topojan të Kukësit, nuk janë pritur mirë nga komuniteti i banorëve të zonës. Kryeplaku i fshatit Novosej, u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave të zonës ku parashikohet ndërtimi i hidrocentraleve, të bashkohen në një protestë anti-HEC-e, ditën e sotme në orën 10:00, tek Ura e Topojanit.

“EU-reporter” i kërkon ndjesë Shkëlzen Berishës: Na mashtruan, akuzat ndaj teje të rreme

Më 14 shkurt, Reporter i BE-së publikoi një histori që përmbante pohime kundër z. Shkëlzen Berisha, birit të ish-kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Këto pretendime janë bërë nga një burim me sa duket i besueshëm. Tani pranojmë se jemi mashtruar dhe se këto akuza janë krejtësisht pa themel. Ne i ofrojmë z. Shkëlzen Berisha apologjinë tonë të parezervë.
Z. Berisha dëshiron të theksojë:
“Unë kurrë nuk kam udhëtuar me z. Kalaj në Pragë. Provat, të cilat pretendoni të jeni në dosjen e gjykatës nuk ekzistojnë. As dosja e gjykatës në të cilën ju i referoheni as dosja e komisionit parlamentar nuk përmban ndonjë dëshmi për një kërkesë të tillë. Në fakt, kjo nuk është përmendur as në argumentet publike të fryra.
Unë kurrë nuk kam diskutuar çështjen e privatizimit me drejtorët e ndërmarrjeve komunale të Çekisë, bashkëpunëtorët e tjerë të kompanisë apo çdokënd. Provat, të cilat pretendoni të jeni në dosjen e gjykatës nuk ekzistojnë. As dosja e gjykatës në të cilën ju i referoheni as dosja e komisionit parlamentar nuk përmban ndonjë dëshmi për një kërkesë të tillë.
Unë kurrë nuk kam patur në pronësi një vilë. Kam marrë një apartament në vitin 2013, nëpërmjet një kredie bankare, të cilën më vonë e shita në vitin 2016. Kjo ishte pasuria ime e vetme e vërtetë. Mbani në mend se kjo është pronë publike dhe lehtë mund të vërtetohet me deklaratën tonë të pasurisë të paraqitur çdo vit nga unë, që nga viti 2006.

Në lidhje me shpërthimin e Gërdecit, gjykata nuk hodhi poshtë asnjë akuzë kundër meje, sepse nuk kishte asnjë! Për arsyen e thjeshtë se nuk kam pasur marrëdhënie me atë ndërmarrje! Ka patur një gjykim të gjatë në Shqipëri rreth shpërthimit të Gërdecit që konsumon të gjitha hapat e gjyqësorit, me shumë të dënuar, me qindra dëshmi dhe kurrë emri im nuk doli një herë të vetme gjatë gjithë këtij procesi ligjor.
Unë e konsideroj pohimin se z. Kalaj është miku im, ose bashkëpunëtori im të rremë dhe pa prova. Ju lutem vini re se ky artikull do të shërbejë si referencë ndaj palëve të tjera, tani ose në të ardhmen, do ta mbaj autorin dhe botuesin bashkërisht përgjegjës për dëmet dhe do të ndërmarr veprimet e nevojshme ligjore. /Eureporter/

Berisha: Çdo pazar me Beogradin për territor të Kosovës, është një gjymtim i sovranitetit të saj!

“Bota sot”: Z. Berisha, ky 10 vjetor i Pavarësisë së Kosovës, sipas juve si po e gjen Kosovën?
Sali Berisha: Ky 10-vjetor i pavarësisë e gjen Kosovën më mirë se kurrë në historinë e saj, më të lirë së kurrë, të pavarur duke ndërtuar lirinë dhe pavarësinë e saj. Kështu që mund të thuhet se projekti gjenial i arkitektit të saj, Presidentit Rugova, Komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për t’u bërë të pavdekshëm për një Kosovë të lirë dhe të pavarur,është bërë realitet dhe udhëtim i sigurt drejt të ardhmes në BE dhe NATO.
“Bota sot”: Cilat janë dallimet nga viti 2008 krahasuar me 2018?
Sali Berisha: Dallimet janë shumë të mëdha dhe thelbësore. Sot kemi një shtet që lindi 10 vite më parë dhe që ka provuar se është i afte, i Zoti të ecë i pavarur. Kosova është pa mëdyshje një faktor paqe dhe stabiliteti në rajon. Kemi një vend të pavarur që e kanë njohur si të tillë mbi 95% të vendeve të lira të botës dhe në tërësi rreth 115 vende, një vend që këto 10 vite po ndërton një infrastrukturë moderne dhe që pavarësisht nga vështirësitë serioze me të cilat përballen qytetarët e saj, Kosova ka një ekonomi vibrante me rritjen më të lartë në rajon. Theksoj këtu se kjo rritje nuk bazohet në kanabisin apo drogat e tjera si në Shqipëri, por në mundin, djersën e qytetarëve të Kosovës dhe reformave të autoriteteve të saj.
“Bota sot”: Sa janë gjasat për Kosovën që të hyjë në BE?
Sali Berisha: Në vlerësimin tim, me gjithë vështirësitë e kuptueshme, vendi i Kosovës pashmangshëm është në BE.

“Bota sot”: Si e komentoni çështjen e Demarkacionit?
Sali Berisha: Duke treguar mirëkuptim të plotë me të gjithë ata që shprehen se janë kundër për shkak të territoreve që mbeten në Malin e Zi, varrezave, trojeve, etj., theksoj se: Së pari, për fat të keq, këto janë kufij që vendosen në trojet tona dhe kjo është historia jonë; së dyti, unë besoj plotësisht në deklaratën e Departamentit të Shtetit, në të cilën Qeveria Amerikane shprehet se, bazuar në kufijtë e Krahinës Autonome të Kosovës, mbi të cilët është shpallur dhe Pavarësia e Kosovës, ndarja e kufirit është korrekte dhe Kosova nuk humbet asnjë metër katror nga territori i saj, prandaj dhe unë kam qenë dhe jam për votimin e demarkacionit.
“Bota sot”: Si i vlerësoni raportet aktuale ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë?
Sali Berisha: Në rrafshin njerëzor, vëllazërore,në rrafshin zyrtar janë marrëdhënie shterpe. Prej katër vitesh asnjë progres. Këtu përgjegjësia direkte është e Edi Ramës. Pse e them këtë? Javën e parë të ardhjes në pushtet Edi Rama, pa bërë betimin si kryeministër i Shqipërisë, u turr në Kosovë me një vizitë blic në të cilën, siç do të merrej shpejt vesh, kishte si qëllim të vetëm të paraqitej si lider i shqiptarëve në rajon. Rama në fjalimin e tij përçarës në parlament, qëndrimin ndaj arkitektit të Pavarësisë së Kosovës, Presidentit Rugova, detyroi deputetët e LDK të braktisin sallën e Parlamentit. Më pas, ai, përsëriti një qëndrim të hapur paternalist, të dëmshëm ndaj Kosovës. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndonëse vëllazërore, kanë qindra ndasi të trashëguara për t’u kapërcyer. Ato, nuk kanë nevojë për fotografi, as dhe fasadë, por kanë nevojë për investime të mëdha dhe serioze, kanë nevojë për njehsime ligjesh, normash, standartesh, në mënyrë që qytetarët të ndjehen njëlloj në të dy vendet, kanë nevojë për dyshtetësinë. Por këto 4 vite, thuajse koha ka ndaluar.

Qeveria shqiptare ka zero investime për integrimin e Shqipërisë me Kosovën. Më parë, nga Shqipëria u bënë miliarda euro investime në të gjitha rrugët që lidhnin Shqipërinë me Kosovën. Po kështu, Kosova në vitet e para të Pavarësisë ndërtoi autostradën “Ibrahim Rugova”, një investim ky i një rëndësie jetike për Shqipërinë dhe mbarë Kombin, u bë investimi në autostradën energjetike (e cila ka përfunduar por Vuçiç e bllokon atë), autostrada digjitale, u punua dhe u bë gati projekti për heqjen e doganave midis dy vendeve sipas modelit Slloveno – Austriak. Pas këtyre, mjerisht konstatoj se në rrafshin zyrtar, përveç fotografive, marrëdhëniet janë si të thuash vendnumëro. U premtua heqja e doganave, qeveria shqiptare nuk jep hapësirat e duhura doganore për palën kosovare në Durrës, por akuzon qeverinë e Kosovës se, atë, nuk e lejojnë oligarkët që të hiqen doganat me Shqipërinë. Unë jam i sigurt se, një hapësirë unike shqiptare tregu është interesi më i madh politik, ekonomik, tregtar i kombit shqiptar. Po kështu, nuk është lëvizur asgjë në drejtim të hekurudhës Tiranë-Prishtinë, jetike kjo si për Kosovën por edhe për portet tona dhe mbarë rajonin. Nuk po flas këtu për domosdoshmërinë jetike për të rishqyrtuar standardin e gjuhës shqipe, të vendosur përdhunisht nga diktatori Hoxha në ndëshkim të dialektit të gegërishtes. Cilido që lexon sot publikimet në Tiranë, Shkodër, Prishtinë konstaton se, standardi është tashmë i shpartalluar. E njëjta gjë mund të thuhet për bashkëpunimin në fushën e kulturës, arteve, letrave. Bashkimi i shqiptarëve në kuadrin e anëtarësimit të vendeve tona në BE, është padyshim e ardhmja më e mirë e tyre. Por, kjo nuk duhet te përdoret për spekulim. Asgjë nuk pengon shqiptarët që standardet, që vendet anëtare të BE përdorin në marrëdhëniet në mes tyre, të përdoren brenda një viti edhe midis Shqipërisë dhe Kosovës. Pse duhet të pritet integrimi në BE dhe të mos procedohet me shpejtësi për integrimet ndërnacionale? Pra aktualisht nuk ekziston një projekt i integrimeve Shqipëri-Kosovë por vetëm llafe boshe.

“Bota sot”: Më herët kishte disa ide nga krerë të shtetit të Kosovës, që qytetarët e Kosovës të pajisen me pasaporta të Shqipërisë, po ju si i komentoni këto ide?
Sali Berisha: Unë mendoj se, çështja kryesore që duhet të zgjidhet në mes të dy qeverive është njohja mbi bazën e një marrëveshjeje ndërshtetërore të dyshtetësisë për të gjithë qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës, që dëshirojnë të kenë dyshtetësi ose të mbajnë shtetësinë që duan. Kjo, do ndihmonte edhe më shumë konsolidimin e një tregu unik.
“Bota sot”: Së fundi patëm një ri-aktualizim të idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë, çfarë mendoni ju për këtë?
Sali Berisha: Ideja e shkëmbimit të territoreve është një ide obsesive e Beogradit, gjithnjë në kuadrin e projektit të Serbisë së Madhe. Ata, kërkojnë bashkimin me Serbinë, të tre komunave por edhe më shumë të Kosovës, për të vazhduar më pas me territore të tjera, përfshi Republikën Serpska të Bosnjës. Unë kam bindjen më të thellë se çdo pazar me Beogradin për territor të Kosoves, është një gjymtim i integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, me pasoja të rrezikshme për Kosovën dhe rajonin. Në qoftë se sot Beogradi mban tri komunat e veriut, si protektorat të krimit të tij, ai këtë politikë do ta ndjekë më pas me çdo komunë me shumicë serbe në Kosovë. Por kjo do krijonte precedentë edhe për rajonin, në hartën aktuale të të cilit janë edhe disa Mitrovica të Veriut të tjera.

“Bota sot”: Tentimet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, si i vlerësoni?
Sali Berisha: Vlerësoj heqjen dorë nga udhëheqja e Kosovës nga ai projekt, i cili do të kishte pasoja zhbërëse për Kosovën dhe tejet të dëmshme në marrëdhëniet e saj me aleatin tonë kryesor strategjik SHBA dhe partnerët e tjerë perëndimorë. Por, le ta quajmë atë një ëndërr të keqe dimri! Mendoj se qeveritë në Kosovë dhe në Shqipëri duhet të kenë si gurë prove luajalitetin e tyre ndaj SHBA, vendi që ka luajtur rol përcaktues në parandalimin e zhdukjes së Shqipërisë nga harta nga fuqitë e tjera të mëdha në vitet 1920 vendi që udhëhoqi në vitin 1999 Aleancën e Atlantikut të Veriut në betejën e saj ajrore më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e Kosovës, vendi që luajti rol përcaktues në pavarësinë e Kosovës. Në këtë kontekst, heqja dorë nga projekti i anulimit të ligjit për Gjykatën Speciale ishte një veprim i mençur, i drejtë e pozitiv. Tani duke përfunduar këtë intervistë, dëshiroj t’ju uroj ju, stafit dhe drejtuesve të gazetës “Bota sot”, lexuesve të saj dhe mbarë qytetarëve të Kosovës: Gëzuar 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës!
Intervistoi: Suzana Rugova

Përplasja Haradinaj-Rama, reagimi i ashpër i Berishës: Antishqiptare çdo përpjekje për t’i marrë Kosovës përfaqësimin

Sali Berisha (Prime Minister of Albania)

“Bota sot”: Si i komentoni deklaratat fyese të Edi Rames karshi Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Kryeministrit?
Sali Berisha: Mendoj se ajo deklaratë ishte denigruese dhe e papranueshme e banale që bëhej nga pozita paternaliste arkaike. Në sistemet totalitare është e zakonshme kafshërimi i kundërshtarëve pra, etiketimi i tyre si majmun, qenë, gomarë, mushkë etj. etj. Ky fjalor nuk mund të përdoret asnjëherë ndaj udhëheqjes së një vendi. Unë nuk kam qenë dakord dhe kam shprehur qëndrimin tim për nismën e shfuqizimit të gjykatës, por terma fyese për të shprehur kundërshtinë janë të papranueshme. Prandaj mendoj se Rama duhet të kërkoj ndjesë publike për fyerjen e tij.
“Bota sot”: Sipas juve, deri në çfarë pike të seriozitetit ka arritur dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë?
Sali Berisha: Së pari, dua të theksoj se ky dialog ka një rëndësi jetike për marrëdhëniet midis dy vendeve, pra Kosovës dhe Serbisë, por edhe për paqen ne rajon. Mendoj se paqja në rajon do varet, më shumë se sa nga çdo gjë tjetër, nga marrëveshja Kosovë – Serbi dhe zbatimi i saj. Me keqardhje konstatohet se Serbia bën gjithçka për të bllokuar këtë marrëveshje, nuk zbaton marrëveshjet e arritura, përpiqet të përfitojë nga situata të brendshme në Kosovë, mendon jo marrëveshjen por ndarjen e Kosovës.

Duke thënë këto, mendoj se autoritetet e Kosovës nuk duhet të lënë shkas, në asnjë rast, për moszbatim të marrëveshjeve të arritura dhe të dëshmojnë seriozitetin e duhur ndaj tyre. Mendoj, se një ndikim negativ në raportet Kosovë – Serbi kanë patur edhe qëndrimet dhe ndërhyrjet e Edi Ramës në këto raporte. Më pas, në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar, Rama zgjodhi t’i imponohet Kosovës nga Beogradi. Ai, u takua shumë më shpesh me Kryeministrin Vuçiq se sa me Kryeministrin e Kosovës dhe me deklaratat e tij paternaliste, ai cenoi fuqinë përfaqësuese të autoriteteve të Kosovës dhe ushqeu dogmën serbe të shqiptarëve të këqij dhe shqiptarëve të mirë, shqiptarë të Tiranës me të cilët merresh vesh dhe shqiptarë të Prishtinës me të cilët nuk merresh vesh. Nuk po ndalem këtu në deklaratat e tij kur Beogradi me trenin e aneksimit, marshimit drejt Kosovës, por theksoj këtu se qëndrimet e tij paternaliste ndaj Kosovës, jo që nuk janë të dobishme por qartësisht të dëmshme. Kosova sot ka përfaqësuesit e vet legjitim, është antishqiptare dhe e dënueshme çdo përpjekje për t’u marrë atyre përfaqësimin. Që në vitin 2005, Beogradi bënte përpjekje shumë të mëdha që të vendoste dialogun me Shqipërinë për Kosovën. Qëndrimi im ka qenë i prerë: asnjë dialog Shqipëri – Serbi për Kosovën. Kjo e fundit ka përfaqësuesit e saj dhe, përveç kësaj, Shqipëria në çdo rast nuk mund të ketë anë tjetër përveç Kosovës.

Në këtë mënyrë ne shmangim plotësisht Kosovën në takimet bilaterale dhe ky ishte një kusht për këto takime. Ka pasur raste që, partnerë kryesorë më kanë kërkuar të ndikoj në arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa unë jam përgjigjur se, do ta mbështes marrëveshjen fill sapo të arrihet, por nuk ndërhyj. Mirëpo Rama ndjek rrugën e Enver Hoxhës e cila është rrugë tradhtie e mirëfilltë. Beogradin e njeh shumë më mirë Prishtina se sa Tirana. Në rast se e analizojmë marrëdhëniet Kosovë – Beograd, këto 4 katër vitet e fundit ato kanë ecur shumë ngadalë. Kjo sigurisht, për shkak të Beogradit, por edhe Rama ka aksionet e tij në këtë ngadalësim të ndjeshëm të këtyre marrëdhënieve. /Intervistoi: Suzana Rugova/

Banda e “vrasësve” sulmon Dash Shehin

Carloalberto Rossi

Dashamir Shehu është një figurë e respektuar e politikës shqiptare, për simpatitë e tij, për historinë e tij familjare, për edukatën në raport me të tjerët, për kulturën, për gjuhën e tij të prerë, dhe për analizat e sakta dhe koherente si në mendim dhe në strukturë të cilat i ka ndjekur prej kohësh pa i braktisur asnjëherë.
Në më të paktën, ai nuk është pasuruar nga posti, në fillim si Ministër i Punës e më pas si Ministër i Ndërtimit dhe si Zëvendës Kryeministër. Nuk është kafsha politike karizmatike që shqiptarët adhurojnë, por një njeri normal, me njohje politike dhe logjikë të stabilizuar ndër vite. Dhe në fakt është i njohur si kampion i “mendimit perëndimor” që në Shqipëri me zor zë vend në debatin politik e shoqëror.
Qasja skandaloze e qeverisë Rama për realizimin e aeroportit të Vlorës-i cili i është dhënë në mënyrë private një grupi kompanish turke, jashtë çdo lloj procedure ligjore dhe logjike ekonomike, por me verbërinë e qartë të qeverisë për një politikë agresive të zgjerimit të Turqisë në vend përkundrejt përfitimeve të dyshimta për Shqipërinë-bëri që Dash Shehi të thoshte se prania e Turqisë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare ishte e mjaftueshme në mos e tejkaluar, në veçanti për një vend që dëshiron të jetë pjesë e perëndimit.

Është një mendim politik i mbështetur nga shumë, edhe pse në heshtje nga frika e ndëshkimit të pushtetit, dhe një ndëhyrje e drejtë në një debat që duhet të kishte ngjallur më shumë interes.
Përgjigjia që Kryeministri-i cili tashmë ndjehet si sulltan, mendjemadh dhe arrogant-i drejtoi në Kuvend Dash Shehit ishte poshtëruese, duke e përshkruar, pa e përmendur në emër, si një shqiptar tipik të Shqipërisë së Mesme, i cili i kalon ditët duke ngrënë fasule dhe kukurec, duke pirë raki e duke diskutuar politikën botërore, dhe që në fund është gjithmonë vetëm një pijanec.
Sërish, pavarësisht shumicës absolute parlamentare, babëzia për gjak, dëshira për ta shkatërruar përfundimisht kundërshtarin, për ta fyer dhe në fund për ta përçudnuar, triumfon mbi mundësinë, gjithmonë e më të vogël, për të ndërtuar një debat qytetar përrreth ideve.
Shpirti primitiv luftarak e gjakatar që kërkon të eleminojë përfundimisht dhe tërësisht kundërshtarin po shfaqet përsëri në skenën politike shqiptare, i bartur pikërisht nga ai udhëheqës që pretendon të jetë më evropian se të gjtihë. Një qasje prej vrasësi.
Një bandë vrasësish, në fakt, ka zaptuar pushtetin në Shqipëri dhe e përdor për të realizuar projektin e droguar të një bote që rrotullohet përrreth shefit të adhuruar, që përfundon me eleminimin e çdo kundërshtari, qoftë edhe i padëmshëm apo politikisht i pamundur.

Përse po përkufizoj si bandë vrarësish grupin e Rilindjes, pikërisht ato që akuzojnë opozitën aktuale që ka shkaktuar 21 janarin? Përgjigjen, si gjithmonë, e jep historia.
Në fillimet e mijëvjeçarit të dytë, nga bastioni persian i Alamutit, një sekt islamik i drejtuar nga udhëheqësi karizmatik Hasan-i-Sabbah-i njohur ndryshe edhe si Plaku i Malit-po imponohej në ekuilibrat politikë të Lindjes së Mesme. Ishte sekti i naziritëve, i njohur më shumë me emrin Vrasësit (asasini), i cili i arrinte qëllimet e veta politike përmes vrasjeve sistematike. Me disiplinë të brendshme të hekurt dhe të mençur në zgjedhjen e atij që do të mbeshtesnin, apo do të luftonin, fama e tyre arriti shpejt në Evropë-edhe sepse me ta do të duhej të ndesheshin kryqëzatat.
Historia thotë se pjesëtarët e sektit, përpara se të kryenin vrasjet, pinin hashash, që ju shpërndahej nga Plaku, dhe prej këtej lindi fjala “asasin” (vrasës), e pranishme në shumë gjuhë evropiane, e njohur unanimisht si derivat i fjalës hashishija që do të thotë “i varur nga hashashi”.
Madje thuhet se brenda mureve të Alamutit, Plaku i Malit kishte krijuar parajsën e Allahut, me lulishte të lulëzuara, dhe gra shumë të bukura, lumenj artificialë vere, qumështi dhe mjalti, ku çdo dëshirë plotësohej. Thuhet se burrin që e rrëmbente për ushtrinë e tij, e lejonte të jetonte për pak kohë në këtë parajsë-derisa t’i kërkonte vrasjen e dikujt: aty burri i caktuar drogohej dhe transportohej jashtë parajsës së Alamut. Dhe shpresa e vetme që mund të hynte sërish aty ishte të përmbushte misionin vrastar të kërkuar nga Plaku i Malit.

Kjo, pas rreth një mijë vitesh, është dhe mbetet modeli politik organizues i këtyre vrasësve modernë: parajsa e humbur dhe droga me shumicë nevojiten për të gjetur kurajon për të shtypur çdo kundërshtar, që për ta është thjesht dhe vetëm armik, deri në triumfin përfundimtar, vdekjen e çdo armiku.
Nuk ka asnjë lidhje me Evropën apo Perëndimin që ata predikojnë, por nuk e praktikojnë, dhe që me sjelljet e tyre i largohen çdo ditë e më shumë.
Një detaj tjetër kurioz, ose më saktë një koencidencë tjetër: pasardhësit e sektit të vrasësve, që sot gjenden në sektet islamike të ismailitëve, kishin traditën të peshonin çdo udhëheqës të ri, të njohur si Aga Kahn, në momentin e marrjes së detyrës, duke e mbushur me aq dhurata ari e diamanti sa duhej për të balancuar peshën e tij trupore.
Vetëm Karimi, Aga Khani i katërt, atëherë student në Harvard e më pas themelues i Bregut të Gjelbërt në Sardenjë, nuk pranoi të ulej në peshore dhe mbeti në këmbë, dhe që prej atëherë vendosi të përdori pasuritë e shumta të familjes për të financuar spitale dhe vepra bamirësie. Koha do tregojë nëse stërnipi i Ramës do të bëjë të njejtën gjë.

Fundi i shkatërrimtarit

Ata e pëlqejnë ushqimin e tyre në Modena, një qytet në jug të lumit Po që i dha botës Ferrari-n, Luciano Pavarotti-n dhe një restorant “Osteria Francescana”, që u votua vitin e kaluar si më i miri në Europë. Teksa njerëzit ishin të pranishëm në një darkë bamirësie për mbledhjen e fondeve në periferi të San Damasos, një aromë e mrekullueshme mbushi sallën sportive ku ajo po shërbehej. Dhe në mesin e të gjitha këtyre aromave, ishte edhe shija e ëmbël e hakmarrjes.
Darka ishte organizuar për një parti të re, Liberi e Uguali (Të Lirë dhe të Barabartë, ose LeU), e themeluar vitin e kaluar nga politikanët që kishin braktisur qeverinë e Partisë Demokratike (PD) të qendrës së majtë të Matteo Renzi.
Disa nga rebelët kundërshtuan politikat e tij miqësore ndaj biznesit, të tjerë u ankuan për margjinalizimin e pamëshirshëm të partisë së vjetër, duke përfshirë edhe folësin kryesor të natës, Pier Luigi Bersani, i cili udhëhoqi Partinë Demokratike deri në vitin 2013.
Z. Bersani këmbëngul se dallimet ndërmjet tij dhe z. Renzi janë kryesisht ndryshime politike. “Ai e ka marrë PD-në, PD-në time, e ka çrrënjosur atë dhe e ka vendosur diku tjetër”, u shpreh ai. PD-ja ka ndjekur kryesisht gjurmët e Partisë Komuniste Italiane të dikurshme (PCI), e cila për gati 40 vjet ishte Partia Kryesore e opozitës.

Një shkrirje dhe një bashkim midis tyre, si ai ndërmjet z. Bersani, i cili i përkiste Partisë Komuniste Italiane dhe një grupi të vogël kristian-demokratësh progresivë, duke përfshirë edhe z. Renzi, krijuan atë që sot njihet si Partia Demokratike. Duke u vetëshpallur si njeriu shkatërrimtar, z. Renzi ka lënë në hije të gjitha degët e tjera të PD-së, por veçanërisht ish-komunistët.
Lista e kandidatëve për zgjedhjet e përgjithshme të Italisë që ai e bëri publike më 27 janar tregoi se ai kishte lënë mënjanë rreth 80% të posteve që mund të fitoheshin nga ndjekësit e tij. Si z. Bersani ashtu edhe zyrtarë të lartë të PD (edhe pse jo publikisht) bien dakord me faktin se qëllimi i vërtetë i pasuesit të tij pas votimit të 4 marsit është një koalicion me partinë konservatore Forza Italia të Silvio Berlusconi-t, duke qenë se siç duket, asnjë parti apo aleancë nuk do të fitojë një shumicë të drejtpërdrejtë.
Por probabiliteti që z. Renzi të dalë fitimtar pas votimit, dhe ndoshta edhe të arrijë të mbijetojë duke qenë sërish kreu i kësaj partie, varet nga performanca e PD-së dhe fatkeqësisht gjasat nuk janë të mira. Sipas disa sondazheve të fundit, është vënë re një rënie e vazhdueshme e mbështetjes së saj nga një nivel prej më shumë se 40% mbështetësish në mesin e vitit 2014 në rreth 23%. Ndarja e partisë LeU, nuk shërbeu thuajse për asgjë.

Rënia e PD-së duket një shpërblim i çuditshëm për partnerin dominues, në një qeveri që kryeson një ringjallje (modeste) ekonomike pas viteve të krizës. PBB-ja e Italisë u rrit me 1.7% në tremujorin e tretë, e nxitur kryesisht nga rritja e eksporteve dhe veçanërisht nga rritja e kërkesës së brendshme dhe investimeve të huaja.
Sipas z. Renzi, i cili dha dorëheqjen si kryeministër vitin e kaluar për t’u pasuar nga Paolo Gentiloni, u miratua një reformë e punës, e cila hapi rreth një milion vende pune (edhe pse shumë prej tyre përfshijnë kontrata afatshkurtra).
Një zyrtar i lartë i PD-së ka veçuar disa shkaqe të ndryshme të rënies së partisë. Si më kryesorin ka cilësuar ekzistencën e një perceptimi se ajo nuk është në gjendje të kontrollojë emigracionin dhe ndarjen në radhët e tij, e cila vjen për shkak të mënyrës autokratike të ndjekur nga z. Renzi dhe politikës në vend.
Z. Bersani thekson se partia LeU mund të arrijë të marrë dyfishin e rezultateve të arritura tashmë, pra dyfishin e 6-7% të votave. Por ai mohon faktin se PD-së po u vidhen vota. Ai thotë me tej se mesazhi i tij nuk do t’u pëlqejë mbështetësve të partisë “Lëvizja Pesë Yje” dhe votuesve të cilët, në çdo rast, do të abstenonin. Por ai ka pranuar se po lobon edhe për të marrë mbështetjen e një grupi të tretë ku ndodhen “të gjithë njerëzit që ia kanë dhënë votën e tyre PD-së, pa qenë pothuajse fare të bindur”.

Dhe si këta të fundit duket se kishte shumë në sallën që u mbajt darka e bamirësisë për mbledhjen e fondeve në San Damaso. “Z. Renzi nuk dëgjon askënd”, tha Tiziana Bassoli, një shtëpiake. “Ai duhet të kuptojë se ne nuk do të rrimë të ulur këtu dhe ta dëgjojmë atë”, tha ajo më tej. Në vende si Modena, ku e majta ka qenë vazhdimisht në pushtet që prej vitit 1946, mosmarrëveshjet që kanë përçarë të majtën, kanë ndikuar duke ndarë familje të tëra, duke prishur miqësi dhe duke e çuar Davide Faven, sekretarin provincial të PD-së, të bjerë në depresion.
Rajoni i Emilia-Romagna-s u rendit sërish si një ndër më të varfrit e Europës, thekson ai.
Gjyshi i z. Fava, i cili dikur ka qenë i lumtur dhe mjaftohej me “një vakt në ditë”, u bashkua me tregtarë të tjerë për të formuar një shoqatë që u dha atyre kontroll mbi furnizimet e tyre. Sot, ajo është një ndër rrjetet më të mëdha të supermarketit në botë.
“Për mua ishte shumë e vështirë të kuptoja arsyen që fshihej pas kësaj ndarjeje, thotë ai. – Ne jemi ndarë për çështje të parëndësishme, të cilat nuk kanë fare kuptim”.
Ai ironizon edhe pretendimin se partia Leu, nuk do të dëmtojë demokratët. “Në situatën aktuale, humbja e 1% të votave është e dëmshme dhe frika ime më e madhe është se kjo gjë do t’i japë përparësi sërish partisë, e cila tashmë e ka treguar veten se ka qenë e paaftë për të qeverisur Italinë” tha ai. /Monitor/

Ndarje e Kosovës dhe këmbim territoresh me Serbinë? Përgjigjja e Haradinajt dhe Thaçit

Madje, sipas tij, Serbia duhet ta njohë Kosovën e jo të hapen tema të tilla. “E dimë që nga kufijtë më të dëmtuar në Ballkan janë shqiptarët, nga kufijtë ekzistuese realisht, sepse jetojmë në shtete të ndryshme të ndarë. Me shumë mund është arritur një gjendje e tashme e kufijve. Kosova i ka kufijtë e vetë, territorin e vetë dhe jam kundër këtyre ideve”, ka thënë Haradinaj, në një intervistë për Top Channel.
“Fakti që pesëshja s’na ka njohur e bën më të vështirë marrëdhënien tonë me BE. Dalja nga gjendja e sotme do të ishte sikur 5-shja e BE të na njihte ose sikur të përmbyllet dialogu me Serbinë me njohje reciproke. Besoj se ka ardhur koha për njohje reciproke me Serbinë”, ka shtuar ai.
Express ka raportuar se klasa udhëheqëse në Kosovë, nën orkestrimin e Presidentit Hashim Thaçi, pasi dështoi ta zhbëjë Tribunalin Special, e ka filluar një aventure të re, po aq të rrezikshme, po ashtu të dyshimtë: ndarjen e Kosovës me Republikën e Serbisë. Kuptohet, kjo ide fillimisht do të provohet të kontrabandohet në opinion si këmbim i territoreve.

Në Presidencë kanë thënë se është herët të flitet për përmbajtjen e marrëveshjes që do të arrihet me Serbinë. Madje, kanë thënë se në këtë fazë edhe ideja e shkëmbimit të territoreve është vetëm spekulim.
“Ndërsa se cila do të jetë përmbajtja e marrëveshjes përfundimtare historike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të presim përfundimin e dialogut. Gjithçka tjetër në këtë fazë, është vetem spekulim, duke përfshirë edhe çeshtjen e ngritur nga ju”, thuhet në përgjigjen e Këshilltarit të Hashim Thaçit, Bekim Çollakut.
Sidoqoftë, ky zyrtar i Presidencës ka thënë se pozicioni i Hashim Thaçit është i qartë për kufijtë e Kosovës. “Pozicioni i Presidentit të Republikës së Kosovës mbetet i qartë. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kufijtë e saj janë të njohur ndërkimbëtarisht”, kishte thënë Çollaku, për Express.
Sipas Çollakut, dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me një marrëveshje që ia garanton Shtetit të Kosovës anëtarësimin në OKB. “Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndermjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllet me marrëveshje historike e cila hap perspektivë të sigurt për integrimet euro-atlantike për të dy shtetet, ndërsa për Kosovën edhe antarësim në OKB. Këto janë qëllimet e tri palëve të përfshira në dialog, ndërmjetëduesit (BE), Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar ai.

Në të njëjtën frymë, për të njëjtin skenar, është shprehur ditë më parë edhe Aleksander Vulin, Ministër i Mbrojtjes së Serbisë. Ai ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, “nuk është duke dhënë rezultate, andaj duhet të kërkohet një marrëveshje për ndarjen e Kosovës”.
Sidoqoftë, ndërkombëtarët besojnë që në këtë lojë është i përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama, duke shfrytëzuar kontaktet e tij direkte me Presidentin serb Vucic. Një gjë e tillë, një komunikim i tillë, direkt me Tiranën vazhdimisht ka qenë edhe pjesë e strategjisë serbe. Edhe gjatë kohës kur në Serbi ka qënë në pushtet Sllobodan Milloshevic ka ekzistuar ideja që për Kosovën të bisedohet vetëm me Shqipërinë – kuptohet për ta ndarë Kosovën.
Një burim ndërkombëtar i ka thënë Gazetës Express se këtë temë, për interesa të tyre, po e shtyjnë shumë edhe pala greke. Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias, ka biseduar në Shtëpi të Bardhë me zyrtar të administratës Trump për një ide të tillë.
“Grekët dëshirojnë të përfitojnë në Maqedoni, nga ndonjë ndarje eventuale”, tha ky burim, duke shtuar që edhe Rusia është e interesuar për një zhvillim dramatik në Ballkan, duke marrë parasysh humbjen që e kishin pësuar në fund të shekullit të kaluar, kur për shkak të problemeve brenda shtetit të tyre kishin ngelur pa ndonjë përfitim nga zhvillimet në Ballkan.

Kosova dhe Serbia kanë mbajtur tri raunde bisedimesh prej vitit 1999. Në kohën e luftës ishte organizuar Konferenca e Rambouillet për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Dokumenti ishte nënshkruar vetëm prej palës kosovare derisa serbët kishin refuzuar duke i hapur kështu rrugë bombardimit 78 ditor të NATO’s mbi caqet ushtarake e policore serbe.
Pasluftës, kishte nisur edhe një proces negociator, ku ishte caktuar Vjena si vend ku takoheshin kosovarët dhe serbët. Marti Ahtisaari ishte caktuar ndërmjetës kryesor duke propozuar pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.
Një proces i tretë dialogues ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2010 me ndërmjetësim të Brukselit dhe mbikëqyrje të SHBA’së. Ende nuk ka një rezultat final prej këtij procesi.

Rita Ora: Sa më të bashkuar që jemi, aq më të mëdhenj bëhemi, këngëtarja merr dhuratën e veçantë nga Haradinaj

Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora ka uruar për përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës derisa ka dhënë mesazh se “sa më të bashkuar që jemi, aq më të mëdhenj bëhemi”.Krijuesja e shumë hiteve botërore ka thënë se koncerti i saj do të fillojë në orën 22:00 ndërsa koncerti është bërë ashtu siç ka kërkuar ekipi i saj.
“Fillimisht urime pavarësia. Jam e lumtur që jam këtu. Kam vendosur që ta sjell gjithë ekipin në Prishtinë sepse do të bëjmë njërin prej koncerteve më të mira ndonjëherë. Jam shumë e lumtur që jam këtu. E di se jemi vend i vogël, por është i bukur. Është vetëm fillimi i një udhëtimi të mrekullueshëm”, ka thënë Rita Ora në konferencën për media.
“Po të kisha një mesazh, do të ishte: e keni një shans për ta prezantuar veten dhe të njiheni. Të jeni së bashku dhe të ftoni njerëzit. Sepse sa më shumë që jemi, më të mëdhenj bëhemi”, ka shtuar ajo. “Bëni çfarë të mundeni dhe qëndroni bashkë për ta prezantuar Kosovën”.

Rita Ora pranon hartën e artë të Kosovës nga Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i ka dhuruar hartën e artë të Kosovës, këngëtares së famshme Rita Ora, pas takimit që kanë pasur në objektin e qeverisë së Kosovës.
Në takimin zyrtar në të cilin ishin familjet Haradinaj dhe Ora, kryeministri ka falënderuar këngëtaren për koncertin që do ta mbajë ajo në Prishtinë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovë
Ushqimi, fli dhe pite
Pak minuta pasi ka arritur në Prishtinë, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora ka treguar se i kanë munguar fliat dhe pitet.Përveç se tregon vendin ku do të performojë, ajo në disa video në Instagram ka shfaqur edhe ushqimet tradicionale shqiptare.