27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Valbona Maloku: Fatmir Xhafa na torturonte dhe na kërkonte florinjtë

Në një intervistë të dhënë për “Rilindja Demokratike” më 17 maj 2017, Valbona Maloku (Duka) ka rrëfyer tortuat që sipas saj i janë ushtruar në hetuesinë e diktaturës nga Fatmir Xhafa. Valbona Maloku me origjinë nga Kruja, sot 51 vjeç dhe me banim në Gjermani që prej viteve ’90 ka qenë një ndër të persekutuarit politikë në kohën e diktaturës, ku babai i ka vdekur në internim dhe vëllai, pasi doli nga burgu politik.
Valbona tregon se është rrahur pa mëshirë nga dora e ish-hetuesit Fatmir Xhafa, sot ministër i Brendshëm. Imagjinoni një vajzë 17 vjeçe që rrihet në mënyrë shtazarake. Vëllai i saj gjatë hetuesisë do të duronte tortura nga më të tmerrshmet, që nga shkulja e dhëmbëve me darë dhe deri tek vendosja e vezëve të ziera poshtë sqetullave.
-Përse akuzohej familja juaj?
Historia fillon ditën e vdekjes së Enver Hoxhës, më 11 prill 1985. Vëllai im me katër shokë, kanë qenë duke drekuar në një lokal, kur kanë marrë vesh për vdekjen e Enver Hoxhës, dhe kanë ngritur dolli. Njëri prej tyre kish qëlluar spiun dhe e raporton në Degën e Punëve të Brendshme. Vëllain e futën në burg, e arrestuan më 22 shtator të atij viti, ndërsa gjysmën e familjes time e internuan. Na kanë lënë në shtëpi vetëm mua, në atë kohë unë 17 vjeç, motra tjetër 14 vjeçe dhe vëllai i vogël 11 vjeç. Nënën, babain i internuan, duke na lënë vetëm në shtëpi. Babai vdiq një ditë pas internimit, pra më 20 maj. Ndërsa vëllain Arbenin e arrestuan ditën e dasmës më 22 shtator të vitit 1985. Nusja e tij e la, ditën që u mor vendimi dhe që u dënua me 22 vjet burg.

-Ju thoni që hetues ishte Fatmir Xhafa?
Po, ai ishte, Fatmir Xhafa. Nuk do e harroj kurrë atë ditë. Pas internimit të prindërve, unë isha e detyruar të filloja punë në fermë! Mbas dhjetë ditësh, aty ku punoja më vjen një xhip i Ministrisë së Brendshme të asaj kohe. Më thotë brigadieri, dil se të kërkojnë. Hipa në makinë dhe më dërguan në një zyrë tek ish-ndërtesa e Komitetit Ekzekutiv në Krujë. Aty ishin dy hetues, ku njëri prej tyre siç mësova ishte Fatmir Xhafa. Ky ishte dhe më i zellshmi, sepse ky drejtonte pyetjet dhe tjetri mbante shënim. Por, mund të them se ishte një egërsirë e vërtetë. Nuk arrij ta imagjinoj tërë atë egërsi ndaj një fëmije, njëvajze 17 vjeçe siç isha unë në atë kohë. Ma ka nxirë fytyrën, duke më qëlluar herë me shuplaka dhe herë me grushta, ma ka bërë krahun plagë nga të pickuarat. Nuk e di po s’kam parë qenie më mizore përgjatë gjithë jetës time. Dhe sot kur më kujtohet, më dridhet trupi.
-Sa ditë zgjati marrja e pyetjes në Hetuesi?
Më kanë thirrur tre herë! Dhe sa herë shkoja përsëritej e njëjta histori. Shkoja në punë me sy të nxirë dhe nuk mund të thoja se më ka rrahur hetuesi! Se atëherë as nuk kishe ku të ankoheshe ndaj pushtetit.

-Për çfarë ju pyeste kryesisht Xhafa?
Gjithfarë pyetjesh, por më shumë kërkonte të dinte se ku i kisha fshehur florinjtë. E ku kishim florinj neve. Trego ku i ke fshehur më thosh, se na ka thënë Arbeni, vëllai që ishte në burg, se florinjtë ja kam dhënë Valbonës. Dhe sa herë kërkonte florinjtë godiste dhe më me egërsi. Më ka bërë përshtypje diçka. Mbaj mend se kisha një sëndyk, ku kisha bërë pajën dhe aty kisha tërë rrobat e martesës. Ato m’i kanë sekuestruar, kur vajta të interesohesha më thanë që ishin në një dyqan në pazarin e Krujës. Shkoj atje dhe shitësi më thotë se rrobat i “ka blerë” Fatmir Xhafa, me hetuesin tjetër Kujtim Lulo. Kam parë gruan e Kujtim Lulos me fustanin tim në gjyqin e Halim Balikës. Kur ka dalë në pushim i kam thënë mos e gëzofsh fustanin tim.
-Po vëllai juaj u torturua?
Vëllai im ishte ai që mbajti dhe peshën më të madhe të torturave. Një mikesha ime infermiere, më tregonte se e mbanin në jetë me injeksione, nuk e di çfarë i injektonin që të mos vdiste gjatë torturave. Më tej më tregoi se Fatmir Xhafa, i kish bërë gjithëfarë lloj torturash, si shkulje dhëmbësh me darë, vendosje vezësh të nxehta nën sqetulla, e të gjitha të zezat e tjera, që kush i kujton tani. Torturat ndaj tij filluan që nëmomentin që e kapën, dhe policia e çoi gjysëm të vdekur në duart e Fatmir Xhafës, që i shtoi dhe më tej torturat ndaj tij.

-Si vazhdoi më tej kalvari i vuajtjeve të familjes suaj?
Siç ju thashë, Fatmir Xhafa na internoi gjysmën e familjes, dhe mua më vdiq babai në internim, në fshatin Bruz Mal të Krujës afër Qafë Shtamës, atje ka akoma dhe sot varrin. Nuk duroi dot hidhërimin dhe vdiq nga infarkti, që sa mbërriti. Xhenazenë nuk na lanë ta sillnim në Krujë me pretendimin se, “është i internuar dhe duhet të mbarojë dënimin”, nëna mbeti vetëm. Tre fëmijët mbetëm vetëm. Unë detyrohesha të punoja në fermë dhe që 18 vjeç të filloja të shisja gjakun e trupit, pasi duhet t’i çoja bukë nënës time në internim, dhe të mbaja vëllanë në burg. Kështu vazhdoi deri sa erdhi demokracia dhe nëna do kthehej në shtëpi. Të gjitha këto i kemi peshqesh ja prej atij që sot është ministër i Rendit. Duhet tju them, se veç rrobave të trupit na sekuestruan dhe të gjitha orenditë, deri tek rrugicat e shtëpisë. Donin të na merrnin dhe shtëpinë, dhe të na linin tre fëmijëve jashtë. Kush e di kujt ja kish premtuar Xhafa.

-Keni një koment për emërimin e ish-hetuesit tuaj në krye të Ministrisë së Brendshme!
Unë jetoj në Gjermani aktualisht, por nuk arrij ta imagjinoj se si një hetues i komunizmit, që ka torturuar, burgosur e internuar të arrijë të emërohet ministër i Brendshëm. Ai është një kriminel, një hajdut që duhet ta kishte vendin tjetërkund dhe kjo që ndodh është e papranueshme. Unë dhe familja ime jemi vetëm një rast, por po të hetohet dalin dhe të tjera. Fatmir Xhafa, e them me bindje ka qenë një shërbëtor, nga më të devotshmit të atij regjimi dhe imagjinoni i japin sot në dorë policinë shqiptare. Nuk e di, a ka ndonjë ligj që i përjashton këta, se ka kohë që jam larguar, por di të them vetëm këtë. Fatmir Xhafa jo një ditë, por as edhe një orë nuk duhet të jetë në atë post.

Artistët njëzëri kundër Ramës: Ndalni planet shkatërrimtare!

Artistët kanë reaguar sërish pas deklaratave të kryeministrit Rama për prishjen e Teatrit Kombëtar. Në takimin e djeshëm, ata kanë kërkuar ndaljen e menjëhershme të planeve shkatërrimtare të qeverisë si dhe dëgjimin e fjalës së tyre sa me shpejt. Gjithashtu në reagimin e tyre theksohet se, qeveritë e shohin teatrin si të keqe të madhe publike dhe kërkojnë ndalimin e kundërvënies keqdashëse ndaj Teatrit. Ata kërkojnë gjithashtu status të miratuar me ligj për artistët e skenës, ndryshimin e raporteve mes qeverisë dhe artistëve.

Reagimi i plotë i artistëve

Prej më shumë se dy dekadash, Teatri shqiptar gjendet nën përbaltjen prej autoriteteve qeverisëse, përballë trysnive të pandërprera për t’u dëbuar prej shtëpisë së tyre, përballë shurdhërisë së pushteteve dhe nënçmimit të përgjithshëm.
Pasi u la i braktisur në një ndërtesë të padenjë për podin e komunikimit të artistit me publikun; pasi u mashtrua me premtime gjithfarëshe për ngrehina të reja skenike; pasi u dekonsiderua përmes mekanizmave të pagave dhe u margjinalizua tërësisht në jetën kulturore të vendit, tani duan t’i marrin dhe nderin e t’ia ftohin publikun. Qendrimi ndaj Teatrit nuk është çështje episodesh, por një konstante politike.
Qeveritë e kanë parë dhe e shohin teatrin si një të keqe publike, që i duhet nxirë lavdia e i duhet errësuar perspektiva. Kjo konstante është e njëjtë edhe për të gjitha institucionet e tjera arsimore, kulturore e shkencore. Televizionet dhe shtypi janë kazanë të së keqes, universiteti është bishti i kavallit, akademia është agjenci funeralesh dhe teatri një çetë mediokrish. Pyetja jonë është: Pse qeveria e ka këtë armiqësi me gjithë njerëzit e punës mendore? Është politikë apo kompleks?
Ne kërkojmë me urgjencë të dëgjohemi e të përfillemi, të na kërkohet ndjesë e sinqertë dhe e besueshme për fyerjet dhe përbaltjen, të ndalohen menjëherë planet shkatërrimtare për ndërtesën modeste që është shtëpia e artistëve, të rivendoset në lartësinë që u takon nderi dhe prestigji i tyre.

Ne kërkojmë të ndalet menjëherë kundërvënia keqdashëse ndaj teatrit dhe të merret në vlerësim nevoja për një teatër të ri, për një status të miratuar me ligj për artistin e skenës, për një ndryshim rrënjësor të raporteve midis teatrit dhe qeverisë.
Të gjitha këto kërkojmë të paraqiten në një dokument me shkrim, të pranueshëm për ne, para se të flitet për një takim zyrtar me kreun e ministrisë, për një zgjidhje të drejtë të konfliktit, që as u provokua dhe as u shkaktua nga ne.
Ne jemi të qartë dhe të kthjellët për raportet e reja e të pafrytshme që derivojnë nga rregullimet ligjore të inicuara nga Ministria e Kulturës në mënyrë jo transparente. Ballafaqimi i iniciativave tuaja me sugjerimet tona në marrëdhënie me funksionimin e ligjit do të shpërfaqë realitetet konkrete, të cilat kontestohen me të drejtë nga komuniteti i artit skenik. Mbetemi në pritje të vendimit tuaj në shërbim të transparencës, zhvillimit dhe kontributit, e në funksion të artit skenik shqiptar.
“Turbina”, godina që aktorët me tallje e kanë pagëzuar si “hidrocentrali”, është e papranueshme për ta. Më shumë sesa kushtet e dy sallave të reja, i shqetëson një skemë, sipas të cilës, braktisja e Teatrit Kombëtar, do t’i hapë rrugë projektit të Teatrit me Kullë. Shembulli është i freskët nga historia e ish-Stadiumit “Qemal Stafa”. Paranoja, plotësisht e justifikuar. Hapja e dyerve të “Turbinës” mund të jetë fillimi i planit për shkatërrimin e godinës ekzistuese të Teatrit, për sa kohë nuk ka asnjë konsultim paraprak për planet që ka Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës.

Veliaj po rekruton aktorët për ngritjen e kullës tek Teatri

Në sherrin e madh që ka plasur mes aktorëve të Teatrit Kombëtar, qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës, për shembjen e godinës historike të Teatrit Kombëtar dhe ngritjen në vend të saj të një kulle, po bëhet gjithnjë e më aktiv edhe Erion Veliaj. Burime të konfirmuara bëjnë me dije që kryebashkiaku po fton një nga një në zyrën e tij aktorë më në zë dhe me reputacion për t’i bindur se do të bëhet më e mira. Burime të sigurta bëjnë me dije se, ai ka folur gjatë me legjendën e skenës shqiptare, Robert Ndrenikën, i cili deklaroi pak ditë më parë se vetëm duke kaluar mbi trupin e tij mund të shembej godina e Teatrit. Madje Veliaj, pasi e ka siguruar se nuk do të ngrihet një Teatër i futur brenda një kulle, i ka sqaruar se shteti nuk ka mundësi tjetër ta financojë vetë Teatrin, përpos përdorimit të metodës tashmë të njohur të partneritetit publik privat. Ai i ka treguar sy më sy Ndrenikës edhe projektin e një ndërtese shumëkatëshe që do të shtrihet nga fundi i ish-godinës së PD-së deri tek parkingu i sotëm i Teatrit.
Faktin se tashmë Bashkia dispononte një projekt, Veliaj e ka pranuar edhe në fund të nëntorit 2017, kur ai tha se, “Kemi marrë një propozim, ndoshta një nga propozimet më të bukura që kam parë ndonjëherë, për Teatrin e ri Kombëtar. Arkitekti i famshëm Bjarke Ingels, që sot cilësohet si arkitekti më i famshëm dhe më i suksesshëm në botë, na ka bërë një propozim tejet interesant për Teatrin Kombëtar”.

Ajo që thuhet nën zë është se, ky projekt do të realizohet nga një nga të preferuarat e kryebashkiakut, firma “Fusha” të cilës ai i dha edhe sheshin qendror të Tiranës. Sipas aktorëve, persona të afërt me këtë kompani po blejnë troje ndërtimi në hapësirën aty rrotull.
Po si është e mundur të ndodhë një gjë e tillë? Si mund të tregohet projekti për një gjë që nuk është miratur ende? Si mund të bëhet pazar për toka, kur nuk dihet se cili do të jetë fituesi.
Pikërisht për të fashitur këto dilema, kryebashkiaku ka nisur një operacion joshjeje dhe manipulimi të aktorëve. Pazari i tij është i thjeshtë: “Ju skemi pse ankoheni, se për ju do të ndërtohet një godinë gjigante Teatri. Dhe kjo mjafton për të mbyllur gojën për prapaskenat e tjera”.
Vetëm kjo lojë e dyfishtë e shpjegon faktin se pse mëse një herë ministrja Kumbaro dhe drejtori i Teatrit, Çuli, kanë bërë deklarata publike se ende s’ka asnjë projekt për Teatrin dhe nga ana tjetër, Veilaj u tregon aktorëve në konfidencë se si do të jetë godina e re. /Lapsi.al/

 

Pronari i lokalit që u plagos dje në Selitë, në konflikt me Shullazin

Dy persona mbetën të plagosur me armë zjarri në mes të ditës në një lokal në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30 të ditës së djeshme në Selitë, tek stacioni i fundit i Tiranës së Re. Burime në vendin e ngjarjes bënë të ditur se, një person është afruar në hyrje të një lokali dhe ka hapur zjarr me një pistoletë. Si pasojë e breshërisë së plumbave ka mbetur i plagosur pronari i lokalit, Gjon Pelivani, 27 vjeç dhe kamerieri Renato Hoxha, 31 vjeç. Ata u qëlluan me armë në një lokal në Selitë nga një person i quajtur Arti M. Ky i fundit i qëlloi të dy, duke i plagosur dhe u largua me makinë nga vendi i ngjarjes. Dy të plagosurit ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Nuk dihet arsyet e sherrit mes tyre që çoi në krim.
Gjon Pelivani, njëri prej të plagosurve ditën e djeshme në zonën e Selitës në kryeqytet, nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2015, ai ka patur një sherr me Emiljano Shullazin, dhe ka mbetur i plagosur nga Gilmando Dani. Mësohet se 27-vjeçari Gjon Pelivani është përfshirë edhe më herët në konflikte. Burime në Policinë e Shtetit thonë se, Pelivani njihej edhe me identitetin Valment Pelivani. Ky është një emër i njohur për blutë për të shkuarën e tij. Emri i Valment Pelivanit del në një përplasje me armë me Emiliano Shullazin. Mësohet se ai ka pasur “luftë” edhe me bandën e Emiljano Shullazit. Ai është plagosur në janar të vitit 2015 nga vetë krahu i djathtë i Shullazit, Gilmando Dani, që sot gjendet në burg.

Mësohet se autori me iniciale A.M., kishte si shënjestër pronarin e lokalit, që ka mbetur i plagosur, kurse i plagosuri tjetër është kamerieri, i cili e ka marrë plumbin aksidentalisht. Vendi ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është stacioni i fundit i Tiranës së Re.
Sipas disa dëshmitarëve në vendngjarje dy grupe janë zënë me njëri-tjetrin tek dera e lokalit dhe pas zënkës janë dëgjuar krismat. Policia ka identifikuar autorin e plagosjes dhe ka nisur kërkimet për kapjen e tij.
“Më datë 16.02.2018, rreth orës 12:30, në rrugën “Irfan Tomini”, gjatë një konflikti të çastit janë plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasit R.H., 31 vjeç dhe Gj.P. 27 vjeç., të dy jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë shkuar në kohë në vendngjarje, ku kanë bërë identifikimin e autorit dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij. Pika të shumta kontrolli dhe në lëvizje për të bërë të mundur kapjen e autorit. Grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Provokimi i Ramës në Kosovë që solli reagimin e Haradinajt

Kryeministri shqiptar Edi Rama, që po qëndron në Kosovë për 10 vjetor të pavarësisë së Kosovës, ka vazhduar me tonet e tij kritike për lidershipin politik kosovar, sidomos për Demarkacionin me Malin e Zi.
Ai në një intervistë në Klan Kosova, ka thënë mos ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, për një kohë të gjatë nga Kosova, jo vetëm që ka lënë qytetarët e Kosovës pa viza, ka dëmtuar këtë shtet të ri edhe në politikën ndërkombëtare, veçanërisht te miqtë e saj perëndimor.
Rama ka thënë se Demarkacioni do të duhej të votohej me kohë, pasi nuk ishte asgjë tjetër përveçse një ide e shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që rrezikoi edhe të ardhmen euro – atlantike të këtij vendi.
“Unë kam preferuar gjithmonë që debatet me miqtë e mirë këtu në Prishtinë t’i bëj në mënyrë diskrete, sy me sy, por çështja e demarkacionit u kthye dhe është sot e gjithë ditën në një gur që rëndon mbi qafën e Kosovës dhe që ka krijuar një pështjellim jo të vogël, në mes atyre që janë fuqia që lindi shtetin e Kosovës, partnerët strategjikë ndërkombëtarë të shqiptarëve”, ka pohuar Rama
“Demarkacioni do të çlirojë më në fund popullin e Kosovës nga pengesa e tmerrshme e vendosur nga BE-ja për të lëvizur lirisht në Europë, pasi nuk ka qenë e drejt që kjo lëvizje të kushtëzohet me demarkacionin dhe është e turpshme për Bashkimin Europian. Këtë ua kam thënë në sy të gjithëve atyre që kam takuar në BE”.

“Por çështja e Demarkacionit ka edhe një komponentë tjetër; ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ka rrezikuar besimin dhe mbështetje e partnerëve strategjikë të Kosovës dhe shqiptarëve, pasi refuzimi për ta ratifikuar këtë marrëveshje është mungesë serioziteti nga Kosova”.
“Në ndërkohë që miqtë e mëdhenj të shqiptarëve janë të angazhuar në zgjedhjen e problemit real mes shqiptarëve dhe serbëve, demarkacioni është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës që nuk ka asnjë bazë reale dhe që është një padrejtësi ndaj njerëzve të këtij vendi”.
“Por unë kam ndeshur një mur të shurdhër sa herë kam folur për këtë dhe sa herë kam përcjell këtu atë që kam dëgjuar në takimet me homologë në nivelet më të larta të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka treguar Rama.
“Atëherë më është dashur që edhe publikisht të them atë që duhet të thënë dhe shpresoj shumë që Kuvendi i Kosovës të ratifikojë këtë marrëveshje dhe ta mbyllë këtë kapitull që duhet harruar një orë e më parë, pasi ka ngritur pikëpyetje në sytë atyre që e lindën shtetin e Kosovës pa asnjë arsye dhe është e pajustifikueshme nga pikëpamja strategjike të bësh gabim të kësaj natyre”.

Haradinaj ja përplas Ramës: Merru me shpikjet e tua në Shqipëri, larg duart nga Kosova

Kreu i ekzekutivit në Kosovë, përmes facebookut i ka dërguar porosi homologut të tij në Shqipëri, Edi Rama. I ka thënë mos të merret me shpikjet politike në Kosovë, por të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë.
“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, ka thënë Haradinaj.
Shkas për këtë mund të jetë bërë deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se problematika rreth demarkacionit u shpik nga politika e brendshme e Kosovës. Ai tha gjithashtu se kjo ka rrezikuar seriozisht reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Haradinaj për Demarkacionin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj publikon në Facebook një njoftim, ku thekson, gëzimin për një ujdi lidhur me demarkacionin. “Në këtë jubile të Pavarësisë së Kosovës, jam i lumtur që sot u arrit aneks-marrëveshja për ratifikimin, rishikimin dhe korrektimin e demarkacionit me Malin e Zi. Sot u vulos që sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Zhlepit do të rishikohen dhe korrektohen.”
Në një deklaratë të përbashkët të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, arrihet marrëveshja e nevojshme. Haradinaj e sheh këtë deklaratë si epilogun e një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë. “Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tonë”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Axhenda e festimeve në Kosovë
Me një agjendë të ngjeshur kremtimesh, autoritetet kosovare synojnë një 10-vjetor të paharrueshëm për Kosovën. Të angazhuar do të jenë të gjithë, duke nisur nga policia, që zhvilloi një aktivitet në sheshin “Skënderbeu”; të rinjtë e përfshirë në debatin për Pavarësinë në Qendrën Rinore të Prishtinës; për të vazhduar me ngjarje të tjera si lancimi i Pullës Postare me rastin e një dekade mëvetësie, festivalin shumëkulturor të komuniteteve në Prizren, ekspozita, koncerte e shfaqje teatrale.
Të shtunën në orën 08:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, Rita Ora mban një koncert në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa shfaqjet e ditës së shtunë nisin me mbledhjen solemne të Qeverisë, për t’u zgjatur deri të dielën me mbjelljen e 115 pemëve në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, e parakalimin e Forcave të Sigurisë e Policisë.

Skandali/Rama emëron në krye të Drejtorisë së Rrugëve një të dënuar me burg

I emëruari në krye të Autoritetit Rrugor, pas ikjes së Dashamir Xhikës së LSI-së, del se ka qenë i dënuar me gjashtë muaj burg, pasi ju vërtetua edhe gjyqësisht se kishte qenë fajtor në hapjen e portave të digës së Liqenit Artificial në Tiranë. Veprim ky që solli përmbytjen e kryeqytetit, dhe një dëm të pakrahasueshëm financiar tek qytetarët.
Fjala është për Afrim Qendron, i cili në atë kohë ka qënë drejtor i Ndërmarrjes numër 1 në Bashkinë e Tiranës, për gjelbërimin, dhe në këtë cilësi zyrtari doli i përfshirë në veprën penale.
Denoncimin e ka bërë një portal pranë qeverisë sipas të cilit: ka qënë prokurori i Antiterrorit në Prokurorinë e Përgjithshme, Zamir Shtylla, që ka urdhëruar prangosjen e Fisnik Vathit, me profesionin inxhinier, Sotiraq Selenicës, me të njëjtin profesion, të dy përfaqësues të firmës ndërtuese “Triss”, të drejtorit të Ndërmarrjes së Gjelbërimit, Afrim Qëndro, dhe rojes së digës, Ilir Lulja.
Që të gjithë të dënuar me vendim të formës së prerë. Megjithse Afrim Qendro nuk e ka marrë pafajsinë në asnjë rast, dënimi me burg nuk e ka ndalur të emërohet në krye të Autoritetit të Rrugëve, me firmën e Ministrit të Energjisë dhe Infrastrukturës. Ka ndodhur kjo megjithese është në fuqi veprimi ligji i dekriminalizimit i cili e ndalon një veprim të tillë.

Basha përshëndet marrëveshjen Kosovë-Mal i Zi

Kryetari i PD, Lulzim Basha përshëndeti dje arritjen e marrëveshjes mes Presidentit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi. Në këtë përvjetor të dhjetë të pavarësisë ky është një lajm i mirë për Kosovën. “Marrëveshja është një akt i qartë i bashkërendimit të Kosovës me aleatët tanë euroatlantikë. Shpreh bindjen se votimi i saj në Parlamentin e Kosovës meriton vlerësimin e duhur nga institucionet europiane dhe se do të shpejtojë hapat e Kosovës drejt integrimit europian”, tha Basha.

Dy lajme të mira nga Kosova për të gjithë shqiptarët!

Të dashur miq, në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës u zhbllokua me negociata marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe shteti i Barbados deklaron njohjen e Republikës së Kosovës. Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi ka një impakt të madh në marrëdhëniet miqësore me këtë vend fqinj dhe heq çdo pengesë për heqjen e vizave të BE për qytetarët e Kosovës. Njohja e Kosovës së Pavarur nga Barbados është një hap tjetër i rëndësishëm në konsolidimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe rrugën e anëtarësimit të saj në OKB! Urime Kosovës!!! sb

Çështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të zgjidhet në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare

Ish-ministri i Jashtëm dhe deputeti i PD, Tritan Shehu, ka komentuar takimin që zhvilloi me Presidentin Ilir Meta në kuadër të takimeve që presidenti po zhvillon pas kërkesës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati për të marrë Plotfuqishmëri nga Presidenti për negociatorët që do të negociojnë me Greqinë për çështjet e lëna pezull. Shehu u shpreh se me Presidentin ka shkëmbyer mendime dhe ka ndarë shqetësimin për hapat e ndërmarra. “Takimi me Presidentin ishte një shkëmbim mendimesh dhe folëm për diplomacinë dhe politikën e jashtme. Ne ndajmë shqetësim të madh për hapat e ndërmarra në lidhje me ecurinë e negociatave. Greqia na ka mbështetur në procesin e Integrimit dhe nuk e ka bllokuar asnjëherë integrimin e Shqipërisë. Traktati i miqësisë nuk ka skaduar dhe ka edhe 5 vite afat, ndërsa nuk ka ‘gogol grek’ ndaj Shqipërisë”, tha Shehu. Ish-ministri i Jashtëm u shpreh se marrëveshja e detit e vitit 2009 ishte normale, por ajo u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë. Sipas tij, sot ka një mostransparencë nga ministri i Jashtëm shqiptar. “Marrëveshja e detit në vitin 2009 ishte një marrëveshje normale dhe racionale, por fatkeqësisht u anatemua politikisht dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për mungesën e aktit të plotfuqishmërisë.

Plotfuqishmëria jepet para marrëveshjes. Sot, kemi një moment anormal dhe të paqartë, pasi ministri grek thotë se marrëveshja me detin është arritur, ndërsa kemi një mostransparencë nga ministri i Jashtëm shqiptar. Unë i besoj ministrit grek, pasi mendoj se ai thotë të vërtetën dhe nga ministri jonë ka heshtje. Kjo marrëveshje duket si çështje pazari. Ne kemi kërkuar transparencë për ketë çështje”, tha Shehu. Shehu tha se çështja e detit mes Greqisë dhe Shqipërisë duhet të zgjidhet në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë. “Mënyra më racionale për të mbyllur këtë marrëveshje dhe këtë çështje mendoj se duhet të shkojë në Gjykatën e të Drejtës Ndërkombëtare në Hagë. Kjo është një praktikë që e kanë ndjekur edhe shtete të tjera. Përmes kësaj mënyre do hiqen hijet dhe mostransparenca. Kjo është zgjidhja më racionale për mua që të shmangen hijet dhe pazaret për këtë çështje”, tha Shehu.