27.5 C
Tirana
E shtunë, 23 Gusht, 2025

Blockchain: Një instrument për të na shpëtuar apo….?

Në nëntorin e vitit 2008, një libër i bardhë i titulluar “Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System” (Bitcoin: Një sistem paraje elektronike peer-to-peer) i Satoshi Nakamoto, një individ apo grup misterioz, paraqiti blockchain, deri më tani ndoshta risia më e rëndësishme e shekullit të XXI-të. Përmbledhja e dokumentit fillon kështu: “Një version pastërtisht peer-to-peer i parasë elektronike do të mundësonte që të bëheshin direkt pagesa online nga një anë në tjetrën pa kaluar nëpërmjet një institucioni financiar… Rrjeti vendos datën dhe orën e transaksionit, duke i shifruar në një zinxhir të vazhdueshëm proof-of-work të bazuar mbi një sistem hashing, duke formuar kështu një regjistrim që nuk mund ta modifikohet pa ribërë proof-of-work”. Libri i bardhë prej 9 faqesh përshkruan 8 karakteristika të valutës dixhitale bitcoin të propozuar, që e ka pasur origjinën në janarin e vitit 2009 me emetimin e bitcoin-ëve të para. Satoshi Nakamoto ka krijuar bllokun e parë të bitcoin (bllokun fillestar) me një shpërblim prej 50 bitcoin-ësh jo të shpenzueshëm. Uebsajti investopedia.com ofron një përshkrim të thjeshtë të teknologjisë blockchain: “Një blockchain është një regjistër publik i të gjitha transaksioneve në kriptovalutë të pakryera ndonjëherë. Rritet dora-dorës që shtohen blloqe “komplete” me një seri të re regjistrimesh. Blloqet i shtohen blockchain në rend linear, kronologjik. Çdo nyje (e lidhur nëpërmjet kompjuterit me rrjetin Bitcoin, duke përdorur një klient që luan funksionin e konvalidimit dhe ritransmetimit të transaksioneve) merr një kopje të blockchain, e cila shkarkohet automatikisht kur hyhet për t’u bërë pjesë e rrjetit Bitcoin… “Një bllok është pjesa “korrente” e një blockchain që regjistron disa prej transaksioneve të fundit, ose të gjitha, dhe sapo përfundon, futet në blockchain si databazë e përhershme. Çdo herë që kompletohet një bllok, gjenerohet një i ri. Ekzistojnë blloqe të panumërta të llojit në blockchain… [Blloqet] janë të lidhur njëri me tjetrin (si zinxhir) në një rend linear në kuptimin e vërtetë të fjalës, me çdo bllok që përmban një hash të bllokut të mëparshëm”. Nëqoftëse krahasojmë blockchain me sistemin bankar klasik, do të gjejmë se është e ngjashme me një histori të plotë transaksionesh bankare. Transaksionet në bitcoin vendosjen në renditje kronologjike në blockchain siç ndodh për transaksionet e veçanta bankare dhe blloqet janë të ngjashëm me ekstraktet e veçanta të llogarisë. Në 9 vitet që kanë kaluar qysh kur Satoshi ka krijuar blockchain dhe bitcoin, janë lançuar më shumë se 900 kriptovaluta, që kanë përcaktuar aplikime në sistemin bankar, në sistemin e regjistrimit, në kuadër qeveritar dhe në asistencën shëndetësore, përveçse në sektorë të tjerë pak të prekur nga fenomeni.

Valutat dixhitale përpara blockchain
Satoshi Nakamoto nuk e ka shpikur paranë dixhitale, por libri i bardhë i tij ka qenë i pari që ka propozuar përdorimin e blockchain për kriptovalutat. Në vitin 1990 kriptografi Davi Chaum krijoi DigiCash, duke përdorur Blind Signature Technology, që “mundëson realizimin e sistemeve të pagesave jo të gjurmueshëm në gjendje që të ofrojnë mundësinë për të kryer verifikime dhe kontrolle më të mëdha respektivisht sistemeve aktuale, duke garantuar në të njëjtën kohë një privatësi më të madhe në nivel personal”. Në vitin 1998, DigiCash dështoi. Beenz.com dhe Flooz.com, të themeluara respektivisht në 1998 dhe në 1999, krijuan kriptovaluta për të lehtësuar blerjet në dyqane të caktuara. Flooz.com u mundësonte përdoruesve që të blinin valutën e tyre virtuale të përdorshme online pranë dhjetëra sajteve të rishitësve me pakicë. Megjithatë, të dyja kompanitë falimentuan me rastin e rënies së new economy të vitit 2001. Në 1999, InternetCash regjistroi patenta të ndrushme për të mbrojtur sistemin e tij monetar, të bazuar mbi karta të parapaguara. Mbështetej mbi një rrjet tregtarësh pjesëmarrës që kërkonin “keshin”. Edhe kjo iniciativë përfundoi keq gjatë rënies së new economy. Megjithëse kriptovalutat paraqiten si alternativa ndaj sistemeve financiare e bankare, është e nevojshme që të shqyrtohet, anipse shkurtimisht, influenca e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare amerikane (National Security Agency ose shkurtimisht NSA) lidhur me zanafillën e tyre. Në qershorin e vitit 1996 Dega e Kriptologjisë së NSA-së shkroi një raport të titulluar: “Si të krijosh një valutë: Kriptografia e parasë elektronike anonime”. Në konkluzionin e tyre, autorët bënë komentin e mëposhtëm: “Ky raport ka përshkruar regjime të ndryshme novatore pagesash që garantojnë anonimitetin e përdoruesit dhe moskompromentimin e pagesave. Regjime të tilla paraje elektronike përdorin mekanizma kriptografikë për të përballuar problemet e shpenzimeve të shumëfishta dhe të falsifikimit të monedhës… “Pasi është e thjeshtë të bëhet kopja e saktë e një monedhe elektronike, një sistem paraje elektronike i sigurtë duhet të përfshijë një mënyrë për t’u mbrojtur nga shpenzimet e shumëfishta… “[…] Anonimiteti mund të ofrohet në nivele të ndryshme, por gjithnjë e më shumë niveli i anonimitetit bën të rriten edhe dëmet potenciale. Është e nevojshme që të shqyrtohet nevoja për anonimitet karshi këtyre preokupimeve. Deri mund të konkludohet se është më mirë të shmangen probleme të kësaj natyre, duke përdorur një sistem elektronik të sigurtë pagesash në gjendje që të garantojë privatësinë, por pa anonimitetin”. Megjithëse, duke mos e dhënë modelin e blockchain, ky libër i bardhë merr në shqyrtim masat e ndërmarra për të zëvendësuar paranë kesh me kriptovaluta dixhitale.

Bitcoin dhe Ethereum
Të flasësh në detaje për të dy sistemet më të njohura të kriptovalutës, Bitcoin dhe Ethereum, është përtej limiteve të këtij artikulli. Megjithatë, tiparet dhe aplikimet e tyre janë të domosdoshme në studimin e blockchain dhe të mënyrës sesi po përdoret për të paraqitur një valutë të re botërore. Pavarësisht se rrjeti Bitcoin përbën një sistem pagesazh dixhitale peer-to-peer që nuk përdor ndërmjetës, njësia bitcoin mund të shkëmbehet me valuta të tjera apo me produkte ose shërbime të tjera. Bitcoin nuk ka nevojë për një autoritet qendror dhe fondet nuk janë të lidhur me njerëz në botën reale, por me adresa Bitcoin. Pavarësisht kësaj, të gjitha transaksionet në blockchain janë publike. Rrallësia shpjegon të paktën pjesërisht vlerësimin e shpejtë e bitcoin e të kriptovalutave të tjera vitin e kaluar. I vetëm, Satoshi ka krijuar 21 milionë në bitcoin, të cilat mund t’u bashkangjiten programuesve, nëpërmjet një procesi që implikon zgjidhjen e një kokëçarjeje të vështirë matematikore lidhur me bllokun aktual të zinxhirit. Një bllok i ri i shtohet blockchain çdo rreth 10 minuta dhe ka përmasa të barabarta me 1.0 MB, ekuivalentë me 7 transaksione në sekondë. Krahasuar me të, Visa përpunon 2000 transaksione në sekondë. Kundërshtimi, nga ana e një numri të caktuar zhvilluesish të valutës, ndaj përmasave të reduktuara të bllokut dhe ngadalësisë së transaksioneve ka përcaktuar më 1 gusht të 2017 Bitcoin Hard Fork, me të cilin është ndalë bitcoin në dy kriptovaluta të veçanta, dhe ajo e reja është quajtur Bitcoin Cash. Kjo valutë “dygjuhëshe” nënkupton se kriptovaluta e re, megjithëse duke qenë e krijuar, e dyfishon blockchain fillestar, kështu që, të paktën teorikisht, një posedues bitcoin disponon të dy valutat.Ethereum, kriptovaluta e dytë më popullore, është propozuar nga kriptografi Vitalik Butterin nga fundi i 2013 dhe është aktivizuar më 30 korrik të 2015. Valuta e tij, ether, katalogohet si EHT në shkëmbimet e kriptovalutës. Në 2016 rrjeti është ndarë në dy blockchain, Ethereum dhe Ethereum Classic, pas vjedhjes së 50 milionë dollarëve në ether nga ana e një entiteti anonim. Risia themelore e tij, Ethereum Virtual Machine, është një software i plotë që zhiron në rrjetin Etherium dhe i mundëson kujtdo që të lëshojë çfarëdo programi, pavarësisht nga gjuha e programimit. Sipas uebsajtit Ethereum.org: “Ethereum është një platformë e decentralizuar që menaxhon të ashutuqjaturat smart contract, domethënë aplikacione që funksionojnë saktësisht në mënyra të programuar pa asnjë mundësi kohe të vdekur, mashtrimi apo ndërhyrjesh nga palë të treta. “Këto aplikacione xhirojnë në një blockchain të personalizuar, një infrastrukturë globale me fuqi të madhe që mundëson të xhirohen vlera dhe të përfaqësohet prona e mallrave. Kjo u mundëson zhvilluesve që të krijojnë tregje, të ruajnë regjistra borxhesh apo premtimesh, të lëvizin fonde në konformitet me udhëzime të dhëna shumë kohë më parë (si në një testament apo në një kontratë të ardhme) dhe shumë gjëra të tjera që nuk janë shpikur akoma, e gjitha kjo pa një ndërmjetës apo një rrezik të caktuar”. Megjithëse duke e përdorur të dyja teknologjinë blockchain, Bitcoin dhe Ethereum kanë aplikime të ndryshme. Ndërsa sistemi Bitcoin synon që të revolucionarizojë online banking dhe të rrëzojë PayPal, qëllimi i Ethereum konsiston në përdorimin e blockchain për të zëvendësuar palët e treta në internet, sidomos ato që magazinojnë të dhëna, ndjekin instrumentë financiarë kompleksë dhe transferojnë kredi. Vetëm ky përshkrim i shkurtër i Ethereum duhet ta alarmojë lexuesin ndaj potencialit shqetësues të kësaj kriptovalute në vitet e ardhshme. Edhe pse blockchain është shpikur për bitcoin, aplikimet e tij shkojnë goxha përtej kësaj kriptovalute, duke arritur që të ofrojë rrjete transferimesh private të sigurta të përdorshëm edhe për çdo gjë me vlerë, përfshi aksione, obligacione apo deri akte imobiliare. Mbështetësit fanatikë e sistemit Bitcoin theksojnë se kriptovaluta është e sigurtë dhe e mbrojtur nga ndërhyrje qeveritare dhe se i ofron qytetarit një vend për të magazinuar pasuri jo të arritshëm nga çdo bankë qendrore apo Fond Monetar Ndërkombëtar (FMN). Veç kësaj, i theksojnë anonimitetin. Fatkeqësisht, vjedhja e 50 milione dollarëve në ether e vitit 2016 dhe zhdukja në 2014 e milionave nga regjistri MT.GOX në Tokio tregojnë se disa kriptovaluta paraqesin probleme sigurie dhe anonimiteti.

Banka dhe korporata adoptojnë blockchain

Në kundërshtim me besimin e rëndomtë sipas të cilit kriptovalutat dhe teknologjia blockchain do të përjashtonin bankat, shumë prej bankave të mëdha botërore po i përqafojnë këto novatorizma.
• Në dokumentin e saj të diskutimit të shkurtit 2015 të titulluar “One Bank Research Agenda”, Bank of England ka eksploruar mundësinë e krijimit të kriptovalutës së saj.
• Në Shtetet e Bashkuara, sipas asaj që theksojnë analisët e valutave Doug Casey dhe J.P. Koning, sistemi i Federal Reserve po planifikon jo vetëm emetimin e kriptovalutës së quajtur Fedcoin, por edhe masa për të siguruar që amerikanët të nisin e ta përdorin.
• Në shtatorin e 2016, uebsajti Business Insider ka përcjellë lajmin e mbështetjes amerikane për valutat dixhitale: “Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar rezolutën jodetyruese që nënvizon impaktin pozitiv që valutat dixhitale dhe teknologjia blockchain mund të kenë mbi sistemet financiare… Teknologjia blockchain është e pajisur me potencialin e nevojshëm për të transformuar mënyrën me të cilën shkëmbehen informacionet. Blockchain mund të rrisë besimin dhe sigurinë në industri të tilla si shërbimet financiare dhe pagesat, duke e bërë më të lehtë e më të sigurtë, midis individëve dhe bizneseve, shkëmbimin e informacioneve, përfshi detajet personale dhe financiare. Kjo sepse llogaritë blockchain janë me provë mosndërhyrjeje dhe transaksionet e bazuara mbi blockchain janë në gjendje që të përmbajnë sasi të mëdha të dhënash. Veç kësaj, llogaritë blockchain mund t’i kërkojnë secilës palë që ta verifikojnë një transaksion, duke u garantuar që informacionet nuk do t’u kalohen palëve të treta pa autorizimin e të gjitha palëve pjesëmarrëse”.
Edhe bankat e mëdha tregtare dhe ato të investimeve po e përqafojnë teknologjinë blockchain.
• Në shtatorin e 2014 CBW Bank dhe Cross River Bank janë bërë institucionet e para financiare amerikane që kanë adoptuar protokollin blockchain të Ripple.
• Blythe Masters, ish-Administrator i JPMorgan Chase, ka nisur Digital Asset Holdings për të ideuar “software që do t’u mundësojnë bankave, investitorëve dhe operatorëve të tjerë të tregut që të përdorin teknologjinë blockchain për të modifikuar mënyrën me të cilën shkëmbejnë tituj, obligacione dhe resurse të tjera financiare”.
• Në marsin e 2017 një konsorcium bankash japoneze ka njoftuar se dëshiron të përdorë blockchain (teknologji Ripple) për pagesat e brendshme dhe ndërkombëtare.
• Në qershorin e 2017 CNCB-ja ka referuar se “IBM-ja po ndërton një teknologji blockchain që do të përdoret nga 7 prej bankave më të mëdha europiane, midis të cilave HSBC-ja dhe Rabobank-a, me qëllim që të lehtësojë tregtinë ndërkombëtare për bizneset e vogla e të mesme”.
• Në korrikun e 2017 Goldman Sachs e ka mirëpritur teknologjinë blockchain duke i kushtuar një uebfaqe.
Përgatiti
ARMIN TIRANA

Një manual i vogël për Europën

Organet europiane
Po fillojmë me pjesën më të “mërzitshme”, por më të domosdoshme për të kuptuar funksionimin e Bashkimit Europian: organet e tij dhe kompetencat e tyre.
Komisioni Europian: Është organi i vetëm i Bashkimit Europian që ka pushtetin e iniciativës legjislative dhe për pasojë, të propozojë ligje të reja (që më pas miratohen nga Parlamenti dhe Këshilli). Komisioni siguron edhe respektimin e normave komunitare nga ana e qeverive kombëtare dhe mund të nisë procedura shkeljeje ndaj shteteve që i kryejnë ato. Presidenti aktual i Këshillit Europian është Jean Claude Juncker. Selinë e ka në Bruksel.
Këshilli i Bashkimit Europian: Në thelb është një organ vendimmarrës, përfaqëson qeveritë kombëtare dhe miraton, amendon apo refuzon ligjet e sjella nga Komisioni Europian. Veç gjërave të tjera, koordinon politikat ekonomike, të punësimit dhe të arsimit të shteteve anëtare. Çdo vend përfaqësohet nga 1 anëtar i ministrive të veta kompetente në fushat e trajtuara (për shembull, kur flitet për transportet, janë të pranishëm ministrat e Transporteve). Është Këshilli i Bashkimit Europian ai që autorizon Komisionin Europian të firmosë marrëveshje ndërkombëtare eventuale. Edhe ky e ka selinë në Bruksel. Nuk duhet ngatërruar me Këshillin e Europës, që është një organizatë tjetër ndërkombëtare në të cilin bëjnë pjesë edhe vende joanëtare të Bashkimti Europian.
Parlamenti Europian: Është institucioni i vetëm i zgjedhur dhe bashkë me Këshillin e Bashkimit Europian merr pjesë në miratimin e ligjeve të propozuara nga Komisioni Europian. Parlamenti Europian zgjidhet çdo 5 vjet nga qytetarët e Bashkimit Europian që i zgjedhin anëtarët e tij me sufrazh universal të drejtpërdrejtë. Ky organ ka funksionet tipike të një Parlamenti kombëtar: në të ka grupe të ndryshme politike që mblidhen në koalicione (si popullorët e Partisë Popullore Europiane apo socialistët dhe demokratët e Socialdemokratëve). Veç kësaj, është organi më i madh dhe më i rëndësishëm parlamentar multikombëtar me 751 eurodeputetë. Ka tri seli (sic!): Bruksel, Strasburg dhe Luksemburg.
Këtyre tri trupave kryesore institucionale u shtohen:
Këshilli Europian: Anëtarët e tij janë krerët e shteteve apo të qeverive të vendeve të ndryshme europiane që mblidhen për t’i dhënë drejtim politik Bashkimit, duke përcaktuar në thelb axhendën politike europiane.
Përfaqësuesi i Lartë për Punët e Jashtme: Është institucioni përfaqësues i Bashkimit Europian në instancat ndërkombëtare (si Kombet e Bashkuara). Është ai që i afrohet më shumë një lloj “ministri të Jashtëm”, por me pushtete të pakta.
Gjykata Europiane e Drejtësisë: Vigjëlon mbi zbatimin dhe interpretimin korrekt e uniform të normativave europiane në të gjitha shtetet anëtare. Përbëhet nga një gjykatës për çdo shtet anëtar dhe nga avokatë të tjerë.
Gjykata Europiane e Llogarive: Verifikon menaxhimin korrekt financiar të resurseve të Bashkimit Europian. Është një revizor i jashtëm dhe i pavarur që mbron interesat e kontribuesve.
Banka Qendrore Europiane: Është banka e vendeve që kanë pranuar euron. Një prej objektivave kryesore të saj është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe mbrojtja e fuqisë blerëse të qytetarëve europianë. Veç kësaj, vigjëlon mbi entet kredidhënëse të vendeve të ndryshme europiane (si bankat kombëtare), përkufizon dhe zbaton politikën monetare, promovon sistemin e pagesave dhe zhvillon operacione të ndryshme lidhur me këmbimet.

Euro
Euroja kryesisht është pranuar për të mundësuar konfrontimin e çmimeve midis mallrave të vendeve të ndryshme, për të stimuluar konkurrencën dhe për të favorizuar investimet falë pak rreziqeve lidhur me përqindjet e shkëmbimit (që me valutat e vjetra qenë subjekte oshilacionesh të forta) dhe për mbajtjen e ulët të koeficentëve të inflacionit dhe të interesit. Objektiva të tilla, në kundërshtim me “besimin” e pasaktë popullor sipas të cilit euro ka rritur çmimet, janë arritur gjerësisht edhe në rastin e Italisë. Ekonomitë e ndryshme të vendeve që kanë pranuar monedhën e vetme janë bërë në pjesën më të madhe të krahasueshme duke mundësuar krijimin e kritereve të ndryshme të kompetitivitetit dhe të politikave më uniforme ekonomike. Në ditët e sotme, euro është valuta e dytë më e rëndësishme e planetit pas dollarit amerikan.
Bashkimi Europian konkretisht
Në debatin e përditshëm politik është e rëndomtë të dëgjohen kritika gjenerike lidhur me Bashkimin Europian. Fakti që Bashkimi Europian nuk është i përkryer ndoshta njihet shumë mirë nga të gjithë, por shpesh tentohen që t’i vishen faje jo të tij. Qëllimi parësor i Bashkimit Europian, sipas shpirtit të etërve themelues, ishte ai që të mbushte hendekun midis shteteve të ndryshme anëtare në bazë të parimit të solidaritetit dhe të zhvillimit të përbashkët. Të gjitha vendet europiane kanë përfituar avantazhe të mëdha ekonomike të ardhura nga tregu i përbashkët dhe i qarkullimit të lirë të njerëzve falë Traktatit të Schengen (si për turizmin, ashtu edhe për punën).
Pastaj, Bashkimi Europian i ka garantuar Europës një prej periudhave më të gjata e më të lulëzuara të paqes në kontinentin tonë të “vjetër”, në kundërtendencë të pastër me periudhën përpara krijimit të tij. Në aspektin ndërkombëtar dhe gjeopolitik, Bashkimi Europian mund të rezultojë thelbësor për të fituar një peshë kontraktuale të barabartë me atë të fuqive të mëdha, në radhë të parë Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Po kalojmë në ndonjë shembull konkret.
Ndonjë lexues mund të kujtojë “normat për lakrat”, shpesh të përdorura për të përqeshur punën e Bashkimit Europian, i akuzuar se rregullon aspekte të paqarta. Ja, në të vërtetë këto lloj normash kanë qenë shumë të dobishme gjatë traktativave lidhur me TTIP-në (Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara), që sikur të ishte miratuar në versionin e propozuar nga Shtetet e Bashkuara, do të kishte mundësuar hyrjen në Europë të produkteve agroushqimore me cilësi të dyshimtë. Me pak fjalë, “normat për lakrat” na kanë ndihmuar që të mbrojmë cilësinë tonë agroushqimore në mënyrë më të madhe respektivisht një marrëveshjeje eventuale bilaterale ku pesha kontraktuale amerikane do të kishte qenë me peshë më të madhe.
Megjithatë, sot Bashkimi Europian duket se ka nevoja të dukshme rinovimi, forcimi dhe “urtësie” më të madhe, nga njëra anë për t’ju përgjigjur kritikave të disa partive euroskeptike, nga ana tjetër për t’u kthyer e mbuluar atë rol prej “fuqive civile” që sipas shumëve përfaqëson apo duhet të përfaqësojë.

Shembujt e defekteve europiane janë gjithsesi përditë para syve të të gjithëve: nga rregullat e ngurta financiare të zbatuara për të mos e ekspozuar kontinentin ndaj krizave të reja e shkatërrimtare financiare, por që shumë shpesh zbatohen në mënyrë tejet të hekurt (si në rastin e Greqisë), krizës migratore që akoma sot nuk arrin të përballohet konkretisht për shkak të një impenjimi të mangët komunitar, por që ka mundësi, nëse u delegohet vendeve të veçanta, do të ishte me siguri akoma edhe më e shumë e pambështetshme.
Për ta mbyllur, po përmbledhim sintetikisht disa prej datave më të rëndësishme që kanë çuar në Europën e sotme:
– 1945 Përfundon Lufta e Dytë Botërore, konflikti më shkatërrimtar i historisë moderne.
– 1948 Plani Marshall (programi amerikan i ndihmave, shënimi im) hyn në funksionim dhe kontribuoi në lindjen e Bashkimit Europian. Në fakt, me këtë program ndihmash, për herë të parë vendet europiane do të jenë të “detyruara” që të punojnë krah për krah për t’u rigjallëruar ekonomikisht, për t’u forcuar dhe për t’u kthyer të prosperojnë.
– 1950 Lind Komuniteti Europian i Qymyrit dhe i Çelikut (CECA) që optimizon dhe bën të përbashkët prodhimet e çelikut dhe qymyrit (lëndët e para më të rëndësishme për të mbështetur një luftë) midis Luksemburgut, Italisë, Francës, Belgjikës, Vendeve të Ulëta dhe Gjermanisë Perëndimore.
– 1957 Traktati i Romës ndërton Komunitetin Ekonomik Europian (CEE) dhe lind kështu Tregu i Përbashkët Europian: mallra, kapitale dhe njerëz mund të qarkullojnë lirisht midis vendeve anëtare.
– 1968 Krijohet Bashkimi Doganor, tarifat midis 6 vendeve të CEE-së janë abroguar.
– 1979 Mbahen zgjedhjet e para me sufrazh universal për Parlamentin Europian.
– 1989 Bie e ashtuquajtura Perde e Hekurt dhe bashkë me të edhe influenca sovjetike mbi vendet e Lindjes. Hidhen bazat për bashkimin gjerman dhe për integrimin e kontinentit.
– 1992 Hyn në fuqi Traktati i Maastricht, CEE-ja transformohet në Bashkim Europian dhe hipotezohet një Bashkim monetar dhe politika të reja të përbashkëta (siguri e përbashkët, bashkëpunim, shtetësi europiane etj.).
– 2001 Traktati i Nicës forcon mbrojtjen e përbashkët, bashkëpunimin gjyqësor dhe të drejtat themelore.
– 2002 Fillon të qarkullojë euro dhe valutat kombëtare nisin të dalin nga skena.
– 2009 Traktati i Lisbonës forcon kapacitetet e veprimit të Bashkimit Europian dhe rolin e tij në botë, Parlamenti Europian forcohet, duke rritur pushtetin e qytetarëve që e zgjedhin. Momentalisht, Bashkimi Europian numëron 28 vende anëtare me 19 shtete që përdorin euron.
Konkluzione
Me këtë doracak të shkurtër shpresojmë se, cilido qoftë opinioni juaj, të jeni bërë sadopak të vetëdijshëm për realitetin e kontekstit europian, në mënyrë që të mund të vlerësoni apo kritikoni pa deformimet propagandistike që sot duken se kanë fituar epërsi. Të qenit i informuar është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Berisha thotë kur do të bashkohet Shqipëria me Kosovën

PYETJE: Janë bërë 10 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Si e shihni të ardhmen politike të Kosovës, rrugën që duhet të ndjekë?
SALI BERISHA: Të ardhmen politike të Kosovës, me gjithë vështirësitë që përjeton unë e shoh shumë të mirë. Kosova këto 10 vjet, megjithëse ka dalë nga lufta, megjithëse u rrënua mbi 120 mijë banesa dhe qendra publike u shkatërruan, Kosova në 10 vite ka ndërtuar shumë më tepër se Shqipëria në 10 vitet e para të diktaturës, pakrahasimisht më tepër. Po të jap një shembull. Në vitet 92-96 ku shqiptarët e filluan me 204$ në vit për frymë, ne arritëm të ndërtojmë gjithsej 5 ose 6 km autostradë ndërsa Kosova ndërtoi autostradën Ibrahim Rrugova, Kosova po ndërtohet, sot është ekonimia e vogël më vibrante në rajon me rritjen më të mirë. Mendoj që çështja e marrëveshjeve dhe negociatave në Bruksel uroj që të shtohet dhe prania amerikane dhe Kosova duhet ta marrë më gjerësisht. Duhet të them që praktika që u ndoq në Vjenë ishte një praktikë e shkëlqyer suksesi, ku delegacionet qenë të gjëra dhe u bënë hapa shumë të pjekur, dhe këtu në përfaqësim në këto negociata mund të përfshihet më shumë edhe opozita mendoj unë. Mund ti vonojë pak kjo si procedurë por i bën shumë më të qëndrueshme. Duke thënë këtë është Beogradi që spo respekton asnjë marrëveshje.

PYETJE: A mendoni se Kosova dhe Shqipëria një ditë mund të bashkohen?
SALI BERISHA: Mendoj se ideali i bashkimit kombëtar është i përjetshëm dhe i pavdekshëm, por mendoj se ajo mund të ndodhë kur Kosova dhe Shqipëria të jenë dy shtete sovrane dhe të zhvilluara e të pavarura dhe kur fqinjët përreth dhe i miqtë e parterët tanë.. se Kosova u shpall e pavarur mbi bazën e një projekti ndërkombëtar, mbi bazën e përpjekjeve mbinjerëzore të popullit të saj por dhe mbi bazën e një projekti ndërkombëtar, dokumentit Ahtisari, i cili nuk e lejon që të bashkohet as me Shqipërinë e as me Serbinë. Ne e kemi mbështetur atë dokument. Kështuqë në këtë kontekst kur dhe palët e tjera të binden se një komb shqiptar i bashkuar do të prodhojë edhe më shumë stabilitet në rajon dhe fqinjët tanë të çlirohen pak nga albanofobia primitive që kanë trashëguar në shekuj ndaj shqiptarëve, unë them se bashkimi është i pashmangshëm. Cdo përpjekje tjetër do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme për territoret shqiptare, për materien shqiptare dhe do krijojë probleme të mëdha për ndërkombëtarët.

PYETJE: Urimi juaj për bashkim mund të merret si urim i juaj për kosovarët në këtë 10 vjetor të pavarësisë?
SALI BERISHA: Urimi im për kosovarët në këtë përvjetor të pavarësisë është që të kenë suksese gjithnjë e më të mëdha në ndërtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë, në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo është rruga që shkon drejt realizimit të mëvonshëm të idealit të bashkimit kombëtar, i cili është një ideal që nuk vdes kurrë!/Kohavision/

Iniesta “trulloset” nga oferta kineze

Ky mund të jetë një nga operacionet e mëdha të tregut të verës së ardhshme. Andrés Iniesta tashmë ka në tryezë interesin formal të Tianjin Quanjian, skuadrës së Superligës kineze. Propozimi është me të vërtetë joshës në planin financiar dhe mund të arrijë në 35 milionë euro, pa biletën e sezonit, diçka që po e bën të meditojë seriozisht Iniestën për të ardhmen e tij të afërt. Përfaqësuesit e klubit kinez tashmë kanë qenë në Spanjë, në dy raste dhe kanë filluar të planifikojnë operacionin, por futbollisti blaugrana nuk ka marrë vendim. Ai do të presë deri në fund të marsit për të dhënë një përgjigje, por klubi kinez është optimist për momentin. Kontaktet me Iniestën filluan në fund të dhjetorit dhe pati një “samit” të parë në fillim të janarit. Ishte thjesht një takim njohjeje, në të cilin ishte e qartë se Iniesta do ta linte veten të hapur në verë dhe kurrë në merkaton e dimrit. Në një takim të dytë, me dokumentacion tashmë, Tianjin shpalosi rrugën për të arritur te njëri nga yjet e futbollit botëror.
Iniesta është i vetëdijshëm se nuk do të marrë një ofertë të fuqishme ekonomikisht nga ndonjë kampionat tjetër. Madje, është ndoshta e vetmja mundësi e tij e madhe për t’u bërë një nga lojtarët më të paguar në planet, por ende ka dyshime. Mesfushori ka një sezon të mirë dhe ndihet mirë fizikisht. Tani ai ka vërtetuar se, pavarësisht nga nënshkrimi i Coutinho, vazhdon si titullar dhe Ernesto Valverde po e hedh në lojë në ndeshjet e komplikuara. Vendimi i tij përfundimtar do të varet nga fakti se si do të përfundojë sezoni dhe pastaj mund të peshojë aspektin sportiv. Te Barça janë plotësisht të vetëdijshëm për lëvizjet e futbollit kinez dhe supozojnë se do të jetë shumë vështirë të mbahet Iniesta. Në fakt, klubi blaugrana nuk do ta pengojë lojtarin, ashtu siç bëri në kohën e tij me Xavi Hernandezin. Pra, do të respektojë vendimin e tij, pas karrierës së shkëlqyer në klub. Iniesta, gjithashtu, ka marrë interesin e një ekipi të MLS dhe të futbollit arab, por mendon vetëm kalimin në Kinë, ose të qëndrojë në ekipin blaugrana.

Cila ishin debatet e Presidentit Xhorxh W.Bush me Europën për Kosovën

PYETJE: Cfarë ju tha presidenti Bush kur i thatë se mund të merrni kohën e duhur për të pregatitur shpalljen e pavarësisë?
SALI BERISHA: Ata që ishin rreth presidentit Bush u gëzuan që të gjithë, sepse ata gjatë drekës më thanë se ishin shtangur se mendonin se po u thoja për dy javë. Mbrapa presidenti më tregoi se kishte patur debate, se europianët, me qëllim apo pa qëllim, përdornin rusët duke thënë që rusët dhe Vladimiri nuk pranojnë dhe pse të prishemi me ta. Plus këtu nuk ishte ndofta vetëm Vladimir por ishin ndofta dhe vendet europiane që se njohën Kosovën më vonë dhe që kishin problemet e tyre dhe gabimi më i madh i tyre ishte që i projektonin me Kosovën.
Teza jonë dhe e amerikanëve ishte “Kosova rast sui generis”. Këtu ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm i ngarkuari i presidentit Bush, Frank Uisner, i cili është një diplomat me një energji të jashtëzakonshme, me një energji të kristaltë dhe me njohje të hershme për shqiptarët.
PYETJE: Eshtë i njohur roli që kanë patur amerikanët në shpalljen e pavarësisë. Cili ka qënë roli i Republikës së Shqipërisë në fund të 2007 dhe në fillim të 2008 në pregatitjen e shpalljes së Republikës së Kosovës?
SALI BERISHA: Më shumë se në pregatitjen e shpalljes, ne jemi përpjekur të ushtrojmë ndikimin tonë në drejtim të qëndrimit të autoriteteve të Kosovës ndaj pakicave, ndaj pakicës serbe. Në atë kohë, ku përsëri gjaku nuk ishte tharë akoma, vetkuptohet që shkalla e armiqësisë, shkalla e mosbesimit ishte jashtëzakonisht e lartë. Në fakt në atë kohë ne jemi përpjekur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një mirëkuptim më të madh me pakicat. Komuniteti ndërkombëtar për herë të parë në histori bombardoi një mik, Serbia ishte mike. Tani u dha aq shumë pas pakicës serbe sikur ajo të ishte në kushtet më të paimagjinueshme në një kohë kur ato ishin në kushte pothuaj normale, dhe mbi këtë bazë ata e bënë një çështje shumë të madhe çështjen e pakicave. Po të vësh re, Ahtisari, të cilit i detyrohemi shumë për atë projekt, por krijoi një superpakicë që është absolutisht e padobishme për shumë aspekte. Ja shih ç’bëjnë serbët tani. Në vend se të shohin të ardhmen shohin se si të destabilizojnë në veri Kosovën. Pakica kemi kudo, ka karta për pakicat, ka të drejta për pakicat, është një mozaik që i zbukuron shtetet dhe kombet prania e tyre. Mirëpo serbët kishin arritur të krijojnë një përshtypje në botë se pakica serbe është në ditën më të zezë, në terrorin më të madh, çka nuk ishte fare e vërtetë.

PYETJE: Ka qarkulluar shumë në media pamjet e 17 shkurtit të 2008 ku ju përcillnit nga ekrani televiziv fjalimin nga salla e kuvendit të Kosovës. E kujtoni si u ndjetë kur deputetët nga kuvendi i Kosovës shpallnin pavarësinë?
SALI BERISHA: Pas pavarësisë së Shqipërisë, ajo ishte dita e dytë më e rëndësishme e shqiptarëve. Natyrisht pavarësia e Shqipërisë qe një gjë e madhe se u arrit që të ketë një shtet që të shërbejë si piknisje për projekte të tjera. Per mua ajo ka qënë dita më egëzueshme e jetës time.
PYETJE: Ka ekzistuar një bindje që kur Kosova të jetë e pavarur, të ketë shtetin e saj, elitat politike në Tiranë e Prishtinë do të jenë shumë më bashkëpunuese, por e vërteta është se ka ndodhur që qeveritë nuk kanë qënë dhe aq bashkëpunuese. Përse ka ndodhur kjo? Eshtë ndonjë dakortësi e heshtur që të mos përzihen në punët e njëri tjetrit?
SALI BERISHA: Jo, jo absolutisht përkundrazi. Eshtë një mendësi, një mentalitet i vjetër i Ramës që e konsideron qëndrimin paternalist ndaj Kosovës dhe idenë që duke u pyetur për Kosovën merr peshë më të madhe, gjë e cila e ka dëmtuar shumë problemin qoftë të dialogut me Beogradin, qoftë marrëdhëniet në tërësi. Qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës duhet në rradhë të parë të heqin doganat. Ne patëm bërë një punë shumë të mirë pregatitore. Studiuam modelin slloveno-austriak dhe pregatitëm gjithçka për instalimin e këtij modeli. Tani këta mblidhen, e shpallin dhe s’bëjnë asgjë. Po rikujtoj këtu së gjatë mbretërisë së Shqipërisë dhe mbretërisë së serbo-kroato-sllovene zona rreth 16 km afër kufirit nuk kishin dogana. Sikundër është e paimagjinueshme që biznesmenë në Shqipëri apo Kosovë të ngrihen kundër heqjes së doganave. Eshtë një akt i shëmtuar. Fizibiliteti është kombëtar dhe jo mbi milionat e njërit apo tjetrit sepse në mënyrë absolute edhe ai që mendon se humbet por në fakt fiton, sepse krijohet një hapsirë shumë më e madhe tregu. Këtu në Shqipëri thonë që biznesmenët e Kosovës nuk e lejuan qeverinë e Kosovës por kam parë burime të tjera që vetë qeveria shqiptare nuk lejon që të ndërtohet dogana e Kosovës në Durrës.

Nuk di si qëndron e vërteta por di që ndërtimi sa më parë i një hapsire të përbashkët ekonomike, ndërtimi i hekurudhës… Kjo qeveri ska bërë asgjë. Po të paktën të bëj projektin Milot-Prizren po ky ska bërë asgjë. Ajo është hekurudha më fizibël e rajonit, ajo do ti shërbejë të gjithë rajonit sepse portet e Shqipërisë janë portet më të përshtatshme të të gjithë rajonit. Ose në energji psh. E ndërtuan rrjetin tani e bllokon Vuçiç. Eshtë e paimagjinueshme që ai të bllokojë funksionimin e një linjë tensioni, që është e tëra investim gjerman. Ose fare mirë mund të bëjnë ndërtime të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova mund të ndërtonin një termocentral bashkarisht diku në rrafshin e Dukagjinit, edhe për interesa të përbashkëta por dhe si një frymë bashkëpunimi. Pra për fat të keq nuk po ecin siç duhet ecur me kapërcimin e dasive shekullore që ka ndikuar jo pak në ndarjen e kombit.
PYETJE: Ka më shumë se dy vjet që diskursi publik politik në Kosovë është i dominuar nga dy tema: marrëveshja për asocacionin e komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja për demarkacionin më Malin e Zi, kjo i vënë si një parakusht për liberalizimin e vizave për më tepër që kohët e fundit ka përpjekje nga deputetë të Kosovës për të shfuqizuar nene të caktuara të Kushtetutës për dhoma të specializuara të Gjykatës Speciale. Si i keni parë këto zhvillime?
SALI BERISHA: Lidhur me asocacionin e komunave serbe mendoj se përgjigjen e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila urdhëron rishqyrtimin e marrëveshjes dhe përshtatjen e saj me Kushtetutën e Kosovës. Lidhur me demarkacionin e kam theksuar dhe e theksoj se jam që ky projekt të votohet. A kanë ngelur territore të Kosovës në Mal të Zi? 100% kanë ngelur. Por të gjitha kufinjtë ne i kemi në toka tona, i kemi në territore shqiptare. Unë i besoj plotësisht deklaratës së DASH të cilët kanë bërë matje dhe thonë se Mali i Zi nuk i merr një metër katror, mbi atë kufi administrativ që ata kanë marrë për bazë, Kosovës. Unë nuk besoj se DASH ka asnjë lloj interesi që Kosova të humbasë territore nga ajo ndarje.
Unë e kuptoj nostalgjinë. Njëri ka bjeshkën aty, tjetri ka vorret. Janë të vërteta të gjitha këto. Por kufirin e përcaktuar të vitit 74, Kosova mbi atë bazë është bërë shtet i pavarur. Ndaj dhe nuk duhet që të pengohet. Ndërsa lidhur me çështjen tjetër do thoja që ajo është një ide absurde, pavarësisht se e gjithë problematika që sjell ajo Gjykatë, ajo është një marrëveshje e votuar, një ligj i votuar në Parlamentin e Kosovës ‘pacta sun servanta’. Ky është ligji i burrave dhe institucioneve serioze i të gjitha kohërave.

PYETJE: Mund të rrezikojë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me faktorin ndërkombëtar?
SALI BERISHA: Në mënyrë absolute i rrënon, jo i rrezikon por i rrënon. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të pranojë një poshterim të tillë. Sepse mbi bazën e atij ligji komuniteti ndërkombëtar ka bërë investime qindra milionë euro. Dhe i ka bërë ato i autorizuar plotësisht nga vendimi sovran i kuvendit të Kosovës. Përveç kësaj, kjo krijon ndërhyrjen immediate të Këshillit të Sigurimit, fuqizimin e mekanizmave të OKB dhe është një veprim suicidal politik. Por unë përshëndes vendimin e udhëheqjes që rishqyrtoi vendimin e mëparshëm dhe u tërhoq. Eshtë shumë e drejtë që u tërhoq. A ka gjykatë që sbën gabime? Ska gjykatë që sbën gabime. Por e ka një problem komuniteti ndërkombëtar, nuk krahasojnë agresorin me viktimën. Edhe ata e dinë se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima dhe kur erdhi puna ata qëndruan me të gjithë forcën e tyre ajrore në anën e viktimës. Por prap së prap e dinë që krime, rregullat e luftës i thyejnë të gjitha palët. Unë nuk besoj kurrë në shpifjet e trillimet e Dick Martit për transplantin dhe e kam thënë dhe e them se nëse ajo ka ndodhur, e kanë organizuar vetë serbët, ajo është vepër serbe për të akuzuar shqiptarët sepse në mënyrë absolute nuk ka asnjë nga drejtuesit dhe jo drejtuesitqë kanë menduar në atë kohë të bëjnë para duke shitur organe njerëzish. Ka diçka. Pse Millosheviçi nuk e shtroi këtë asnjëherë në Hagë? Nëse do kishte ndodhur nga pala shqiptare nuk kishte njëri më të informuar në botë se sa Millosheviç dhe ai do ta kishte tundur atë flamur atje ditë për ditë. Ndaj dhe të marrim, ta presim atë gjykatë, të tregojmë që i nënshtrohemi ligjit ndërkombëtar dhe ligjit kombëtar dhe Kosova të eci përpara./Kohavision/

“Çështja” Neymar!

Neymar Sr. ka marrë në mbrojtje nga kritikat djalin e tij, pasi ylli i PSG-së nuk arriti të përmbushë pritshmëritë në Ligën e Kampionëve, kundër Real Madridit. Sipas babait të tij, Neymar është i shqetësuar nga njerëz, të cilët janë të prirur ta shohin atë të bjerë, duke i krahasuar kritikët e tij me “grabitqarë”. E ka bërë këtë përmes një shpërthimi të gjatë në mediat sociale. “Në një luftë ka nga ata që ushqehen me fitore dhe ka nga ata që, si grabitqarë, ushqehen nga hidhërimi i të humburit”, nënvizon Neymar Sr, i cili, gjithashtu, vepron si agjenti i lojtarit. “Ata nuk bëjnë asgjë, nuk prodhojnë asgjë, nuk jetojnë në qendër të vëmendjes. Në botën e futbollit ne i njohim këta njerëz si ‘sjellje të shpendëve’. Ndonjëherë përfitojnë nga një mikrofon me zë të lartë, një karrierë mediokre e ‘të luajturit” (nuk është e drejtë të thërrasësh ata që, të paktën veprojnë në mënyrë të diskutueshme jashtë fushës me sportistët), gjithnjë nën hijen e të tjerëve, që janë më të talentuar, për të çrrënjosur frustrimet e tyre.
Ata përfitojnë nga një humbje, një betejë e humbur, për të filluar gjuetinë, duke pritur humbjen në luftë, për të ushqyer egot e tyre, ashtu si kurvarët ushqehen me kërcime. Ata kurrë nuk do të fitojnë një Olimpiadë në Rio, por aty janë, duke pritur shansin e parë për të treguar shpirtrat e tyre të ftohtë. Por, mbani mend: Kemi humbur një betejë, jo luftën. Lufta e djalit tim ka vazhduar që kur ai ishte një fëmijë, duke luftuar gjithmonë, duke u rilindur gjithnjë e më shumë! Dhe mbi të gjitha, duke i respektuar të gjithë. Kemi humbur një betejë, ndoshta jo luftën. Dhe të jetë i sigurt për këtë…, si një feniks, ai do të rilindë, gati për çfarëdo beteje që shtrihet përpara! Sa për ju, kopenë, do të jeni të uritur. Dhe nuk do të mbetet asgjë për të gëlltitur fjalët tuaja të kalbura”. Neymar dhe PSG-ja do të kenë rastin e tyre për përmbysje më 6 mars, kur e mirëpresin Real Madridin në “Parc des Princes” për pjesën e dytë të raundit 1/8 finale të Champions-it.
Ish-sulmuesi ndërkombëtar, Walter Casagrande, tani një komentator në “SporTV”, kritikoi ashpër Neymarin për ndeshjen e tij të parë në 1/8 finale të Ligës së Kampioneve, të luajtur në “Santiago Bernabéu” ndërmjet Real Madridit dhe PSG-së. “Më shqetëson se shumica e tifozëve dhe mediave vazhdojnë ta ‘pështyjnë’ Neymarin në anën e pasme. Në disa raste ai tregoi sjellje të papërshtatshme në një kolektiv. Të mërkurën mori një karton të verdhë në pjesën e parë. Me një faull në të dytën, arbitri mund ta kishte nxjerrë me të kuqe atë. Do të ishte katastrofike nëse do ta bënte atë në Kupën Botërore. Tani po flasin për largimin e tij nga PSG-ja, sepse nuk shkon mirë me Cavanin. Ai është një fëmijë i prishur dhe ne po krijojmë një përbindësh. Problemi është se disa njerëz e konsiderojnë atë një gjeni. Neymar nuk ka kualitetin e Messit, Maradonës apo Cristiano Ronaldos. Ai nuk mund ta zgjidhë një ndeshje në çdo kohë”, tha ai.

20 mijë familje përjashtohen në mënyrë arbitrare nga ndihma ekonomike

Deklarata e deputetes së Partisë Demokratike Albana Vokshi
Qeveria nuk bën transparencë për heqjen e ndihmës ekonomike, qëllimi për ta përdorur për zgjedhje
Ministria e Çështjeve Sociale në vazhdën e deklaratave qëllimisht nuk u tregoi shqiptarëve përse ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike të paktën 20 mijë familje në varfëri ekstreme.
4 shembujt e sjellë prej zyrtares së qeverisë janë të dënueshëm, por ato nuk mbulojnë as dështimin 4 vjeçar për të pastruar skemën nga e njëjta qeveri, as mungesën e ndjeshmërisë për familjet e përjashtuara.
Deputetët e Partisë Demokratike ishin të shtunën e kaluar në disa prej familjeve në varfëri ekstreme, të cilat nuk dinin asnjë arsye përse ishin hequr nga lista e ndihmës në janar, ndërsa në dhjetor e kishin marrë atë.
Qeveria, që u kujdes të reklamonte 4 rastet e familjeve me makina, nuk dha asnjë shpjegim përse nuk marrin ndihmë familjet e Eduard Thaçit, që jeton së bashku me bashkëshorten dhe 3 fëmijët e mitur vetëm me borxhe.
Zyrtarja e Qeverisë dështoi të tregonte pse familja e Ilir Ibrahimit, me katër anëtarë, me dy fëmijë të vegjël dhe jeton në një shtëpi të rrënuar.
Pse, Fitnete Murati që është invalide, nuk merr as ndihmë ekonomike, as KEMP dhe ka prej tre vjetësh që jeton pa ndihmë ekonomike.
Këto foto tregojnë qartë gjendjen e mjeruar ku ata jetojnë. Partia Demokratike ka denoncuar prej disa ditësh që Qeveria bë mënyrë abusive ka larguar nga skema e ndihmës:
Rreth 15 mijë familje në Tiranë,
752 familje në KAmëz
1600 familje në KAmëz
682 familje në Kavajë
752 familje në Lushnjë
826 familje në Divjakë
Mbi 2000 familje në Pogradec

Qeveria nuk shpjegon pse ka përjashtuar mijëra nëna kryfamiljare me fëmijë jetimë, mijëra familje të komunitetit rom dhe egjiptian, mijëra invalidë që jetojnë vetëm me ndihmë ekonomike (lista e familjeve të hequra nga skema e Ndihmës Ekonomike në Kamëz).
Dhjetëra mijë familje në mungesë totale transparence, pa dhënë asnj arësye pse janë hequr, pa publikuar asnjë indikator apo pikë se si përjashtohen familjet pavarësisht nga aplikimi që kanë bërë.
Në shkelje të të drejtave kushtetuese, qeveria ka ndëtuar një sistem abuziv, të cilin ne dyshojmë se ajo do ta përdorë gjatë zgjedhjeve për t’u blerë votën me bukën e gojës.
Qeveria nuk ka publikuar asnjë vendim për sistemin e pikëve që përjashtojnë familjet nga ndihma dhe e ka lënë përzgjedhjen në duart e dy njerëzve, që kontrollohen nga Ministrja.
Riaplikimi nuk është zgjidhja.
Partia Demokratike kërkon shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të qeverisë për ndihmën ekonomike të muajit janar, që përjashtoi rreth 20 mijë familje. Të bëjë publike në mënyrë urgjente vendimin për treguesit përjashtues të ndihmës ekonomike, në mënyrë që familjet të njihen me kriteret.
Partia Demokratike beson se pezullimi i skemës, që thellon varfërinë dhe rishikimi i saj janë hapat e duhur. Kjo nuk është një kërkesë politike, por është një nevojë humane.

Ku po shkon Turqia? 6 gazetarë dënohen me burgim të përjetshëm

BERLIN, GERMANY - MAY 03: Activists, including supporters of Reporters Without Borders and Amnesty International, hold up the photos of journalists, including Turkish-German journalist Deniz Yuecel, who are currently in prison in Turkey while protesting on World Press Freedom Day in front of the Turkish Embassy on May 3, 2017 in Berlin, Germany. Turkey has imprisoned over 150 journalists as part of the government's crackdown on independent media and political opposition. (Photo by Sean Gallup/Getty Images)

Mediat turke kanë thënë se një gjykatë në Stamboll, ka dënuar gjashtë gazetarë me burgim të përjetshëm për përfshirje në tentimet e dështuara për grushtshtet në vitin 2016.
Në mesin e të dënuarve në ditën e sotme janë, ish kryeredaktori i gazetës Taraf, Ahmet Altan, vëllau i tij, gazetari dhe akademiku, Mehmet Altan, dhe gazetari i njohur, Nazli Ilicak.
Gazetarët janë akuzuar për lidhje me klerikun mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, të cilin Turqia e fajëson për tentimet e dështuara për puç më 15 korrik, 2016.
Gulen i hedh poshtë akuzat.
Të pandehurit janë akuzuar për veprimet e tyre kundër kushtetutës së Turqisë dhe anëtarësimit në një organizatë terroriste.
Ndërsa vëllezërit Altan janë akuzuar për dhënien e mesazheve koduese në një progam televiziv, një ditë para tentimeve për grushtet.

Pse Rugova ishte një gjeni në politikë, Berisha rrëfen takimin e parë në ‘91

PYETJE: Po ju vetë e besonit apo ishit dhe ju skeptik ndaj idesë së Rugovës?
SALI BERISHA: Të shkojmë pak te fillimi bisedës. Midis meje dhe atyre që më dhanë mua leksionet më të mëdha për Kosovën kishte një dallim. Ata nuk besonin kurrë se do ta shihnin më Kosovën, kurse unë nuk besoja se nuk do ta shihja Kosovën të çlirohet. Dhe kjo ide më ka shoqëruar mua gjithë jetën time. Duke ditur gjithë historinë e Kosovës kisha një bindje të thellë se nuk do jetë e largët dita kur Serbia s’mund ta mbajë dot dhe kur Kosova të çlirohet prej saj. Unë e kisha këtë bindje por natyrisht unë isha për bashkim kombëtar. Unë u rrita me idealin më të shenjtë, atë të idealit kombëtar. Për mua Kosova ishte provincë e Shqipërisë dhe nuk mendoja kurrë që duhet të jemi për pavarësi. Kur u angazhova për politikë në vitin 90’ bëra shumë takime me përfaqësues të Kosovës dhe konstatova se ata e kishin serioze idenë e pavarësisë. Në shkurt të 91 erdhi Ibrahim Rugova dhe përsëri ai ma shpjegoi dhe theksoi se pavarësia është rruga në të cilën duhet ecur dhe pastaj shihen problemet. Pasi u binda se kjo nuk ishte një tezë fasadë për t’u paraqitur por ishte një tezë që bazohej në një realitet të cilin unë nuk e njihja, një realitet të krijuar në 50 vite në Prishtinë, atëherë unë e kam mbështetur plotësisht se përndryshe do dilnim me idera aneksioniste çka ishte e pamundur për mua që unë të kisha ato ide. Dhe kam ndryshuar qëndrimin tim, jam pajtuar me idenë e pavarësisë por isha i bindur në mënyrë absolute se një ditë Kosova do të dalë nga pushtimi serb.
PYETJE: Në kohën kur ju ishit president i Republikës së Shqipërisë, grupe të UCK janë stërvitur brenda territorit të Shqipërisë. Kishte pranuar shteti shqiptar që ato të stërviteshin brenda territorit shqiptar, kishte presion ndërkombëtar që të bëhej kujdes?
SALI BERISHA: Presion ndërkombëtar kishte, këto grupe nuk ishin të mëdha, ishin grupe disa qindra vetësh..

PYETJE: Si vendosët ti përkrahnit?
SALI BERISHA: Që të jemi realistë, që të gjitha këto janë bërë me qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës kishte këtu më së shumti dhe kryeministrin por kishte ministër mbrojtje, kishte organizimin e vet dhe ishte qeveria e Kosovës e cila merrej me çdo gjë me ta, kurse ne, si qeveri shqiptare, komunitetit ndërkombëtar i thonim se ishin refugjatë, u kemi dhënë strehë si refugjatë por ndodh ndonjëherë që ndonjë prej tyre cojnë foto nëpër ambasada duke u stërvitur. Kjo që u thonim ne ishte një gjë jo shumë bindëse. Por këto nuk ishin të shumtë. Një meritë të jashtëzakonshme kishin ama. Imagjino, një grup i vogël njerëzish, të cilët besojnë se do ta çlirojnë me armë Kosovën është një gjë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Dhe në fund të fundit ai vendim i tyre u tregua përcaktues për çlirimin e Kosovës. Pa diskutim që ëndrrën e pavarësisë e ndërtoi Rugova. Ai ishte një gjeni në politikën shqiptare sepse arriti të ndërtojë dhe të bëj një popull të tërë të besojë në projektin e pavarësisë. Por, në një farë mënyre, ndofta ai e konkretizoi në kushtet e pushtimit, si rrallë kush në historinë e Europës dhe njerëzimit, me pushtetin paralel që krijoi. Pavarësisht se policinë, forcën e kishte Millosheviçi por popullin dhe shoqërinë e kishte tërësisht Rugova, dhe pushteti i tij paralel ishte sfida më e madhe që i bëhej pushtimit serb. Institucionet paralele, parlamenti, shpallja e republikës, shumë njerëzve dhe sot mund t’u duken si akte jo qënësore por jo, ato ishin akte qënësore, akte thelbësore sepse mbi to u ndërtua ëndrra e pavarësisë së popullit të Kosovës dhe mbi to kjo ëndërr shkoi në të gjitha kancelaritë e botës, mbi to kjo ëndërr u bë motivi kryesor i luftës dhe sakrificës për liri të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve të Kosovës.
PYETJE: Kur ka qenë hera e parë që keni vizituar Kosovën?
SALI BERISHA: Hera e parë që kam vizituar Kosovën për fat të keq e kam vizituar në fatkeqësi. E kam vizituar kur vdiq presidenti Rugova. U nisa një herë tjetër por UMNIK u trëmb, se ata ndiqnin një praktikë idiote që s’duhet ti lëmë shqiptarët të afrohen se po na bashkohen, dhe më njoftuan në Kukës se nuk mund të kalosh kufirin se guvernatori i asaj kohe Kushner nuk ka dhënë miratimin. Unë mbajta një konferencë shtypi dhe dënova qëndrimin. Pavarësisht nga kjo unë kam shumë respekt për punën që Kushner ka bërë për Kosovën, ishte mik, por e bëra një denoncim për qëndrimin e tij në atë rast./Kosovavision/

Buffon: Kam menduar dy herë largimin nga Juventus

Gjatë një programi të Maurizio Costanzo, i quajtur “Intervista”, portieri i Juventus, Gigi Buffon, ka folur për karrierën e tij me bardhezinjtë. “Më ka ndodhur në dy raste të jem pranë largimit nga Juventus. Kanë qenë momente kur nuk ndihesha më i përfaqësuar nga vlerat e kësaj skuadre. E kuptoja që nuk isha vetvetja dhe kisha dalë nga rryma dhe gjëra të tilla nuk mund të bashkekzistonin. Por fatmirësisht gjërat shkuan në mënyrën e duhur dhe u lidha sërish me klubin tim”, tha numri 1 i bardhezinjve.
“Më i bukuri ka qenë i pari nga këto gjashtë tituj radhazi, vazhdoi Buffon. Ishte si një rreth që po mbyllej. Periudha më e shëmtuar nuk ishte Serie B, por dy vitet me radhë ku dolëm në vendin e shtatë. Atje kishim humbur identitetin tonë, shpirtin tonë. Për dikë që kishte përjetuar lavdinë e Juventus ishte e tmerrshme. Ajo situatë më merrte frymën dhe ishte një nga momentet që mendova largimin, por gjërat ndryshuan radikalisht dhe jam me fat që qëndrova në këtë klub të madh”.