19.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Kush po kërkon shkarkimin e Rektorit Mynyr Koni?

Mynyr Koni, Rektori i Universitetit të Tiranës, nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, ndërsa e cilëson si në shkelje të ligjit kërkesën e 4 dekanëve për shkarkimin e tij. “Më vjen keq, nëse ka individë që mendojnë në mënyrë të tillë, as e kam menduar dhe as e mendoj. Kërkesën time e kam pasur aspiratë të punës sime si akademik në UT dhe unë kam kërkuar dhe vlerësoj të gjithë stafin akademik dhe studentët që më kanë votuar. Do luftoj vazhdimit për të mbrojtur interesat e Universitetit. Nuk janë dekanët që kanë zgjedhur Rektorin, por është stafi akademik dhe studentët. Dekanët tregojnë se kërkojnë të shkelin ligjin dhe kjo është arsyeja pse kanë shkuar në këtë ekstremitet personal për të kërkuar shkarkimin e Rektorit. Është e drejta e tyre, por mua nuk më shqetëson fare pse dekanët e kanë bërë një veprim të tillë”, tha Koni në një intervistë për Oranews.
Koni thotë se u njoh me përmbajtjen e kërkesës së dekanëve drejtuar ministres për shkarkimin e tij vetëm sot në mesditë. “U njoha me kërkesën e katër kolegëve, dekanë të Universitetit të Tiranës, me përmbajtjen e kërkesës së drejtuar zonjës ministre. Kjo kërkesë e tyre nuk është gjë tjetër veç ajo që unë kam shprehur sot paradite në konferencë për shtyp, se veprime të realizuar nga Bordi dhe administratori janë në mbështetje të ish-strukturave drejtuese.

Konkretisht dekanët përkatës janë ish-rektori, ish-drejtori juridik, ish-zëvendës/rektori etj. Kërkesat e tyre janë intimiduese për publikun, por asgjë të vërtetë në të.
Siç është rasti i rekrutimit, ku mund të them shumë qartë se, dekani i Fakultetit të Drejtësisë ka më së tre muaj që pengon dhe nuk sjell kriteret për miratimin nga rektori i Universitetit, duke cënuar rëndë demokracinë dhe të drejtën që ligji i jep Departamentit dhe duke penguar procesin e rekrutimit që mendoj e bën në mënyrë të qëllimshme.
Dekani i Shkencave Sociale që paska bërë një kërkesë të tillë në grup, është ai që në vitin 2016 u regjistruan 25 studentë që ishin të 4000 dhe 5000 dhe falë strukturës së kujdesshme të administratës së sekretariatit të UT u eliminuan.
Dekani Kule, ish-rektori i cili mund të them që jo më larg, por dje ose pardje nga Fakulteti i tij kanë ardhur kërkesa për të firmosur kontratat e punës për punonjësit e ndihmës akademike. Është e qartë kërkesa dhe qëllimi i tyre dhe misioni i tyre në këtë situatë që tregon qartë se janë mbështetësit dhe suportuesit e Bordit dhe indirekt dhe të administratorit në bllokimin e institucionit të Rektoratit dhe Rektorit”, tha Koni.

Vrasja e biznesmenit në Tiranë, autorët ende të lirë

Biznesmeni Memli Begalla është qëlluar nga 5 metra largësi poshtë pallatit ku banonte nga persona ende të paidentifikuar. Policia ende nuk ka mundur të zbulojë autorët. Tre persona u shoqëruan në polici për të dhënë shpjegime mbi atentatin e një nate më parë ndaj biznesmenit Memli Begalla, por më pas u lanë të lirë. Nga dëshmitë e familjarëve u mësua se biznesmeni zbriti orës 20:30 nga banesa që ndodhet në katin e tretë të këtij pallati në zonën e ish-bllokut. Më pas, ai iu drejtua autoveturës tip “Renault” që kishte të parkuar në oborr, por në këtë moment u qëllua nga dy persona që i kishin zënë pritë.
Hetuesit morën pamjet e disa kamerave të sigurisë së zonës, me shpresën se mund të ndihmojnë në zbardhjen e atentatit si dhe dëshmitë e dy djemve të tij. Nga banorë të zonës njihej si person pa probleme. “Nuk e dija që kishte probleme. E pashë, nuk dëgjova të shtëna”, tha një dëshmitar.
Policia po heton nëse Begalla ka pasur probleme me ligjin apo konflikte në Zvicër, ku kishte qëndruar disa kohë. Madje në këtë periudhë, ai mësohet se kishte ndërruar edhe emrin nga Afrim në Memli Begalla.

Memli Begalla u ekzekutua mbrëmjen e të mërkurës në zonën e Bllokut nga persona ende të paidentifikuar. Burimet nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:00 të së mërkurës, në rrugën “Nikolla Tupe” në sheshin mes pallateve në qendër të ish-Bllokut. Mësohet se 64-vjeçari ishte një biznesmen i njohur. Burimet thanë se, viktima është ndjekur nga disa persona që lëviznin me një automjet tip BMW të zezë me xhama të errët.
Viktima e ka kuptuar që po ndiqej dhe ka tentuar të futet në një parkim, ku kishte lënë automjetin e tij. Ai është arritur pranë një tuneli nga autorët, të cilët kanë qëlluar disa herë mbi të me një armë me silenciator. Të njëjta burime thanë se, Begalla banonte në atë zonë. Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policie.
Dyshimet e para janë se, biznesmeni mund të jetë vrarë për shkak të borxheve. Në të kaluarën e tij, numërohen të paktën dy ngjarje kriminale ku rezulton i përfshirë, falsifikimi i një shume monetare dhe rrëmbimi i të bijës në Itali.

Maskat i grabisin 5 milionë lekë pronarit nën kërcënimin e armëve

Dy persona të maskuar dhe të armatosur sulmuan një tregtar në Patok të Kurbinit. Ngjarja ndodhi rreth mesnatës, ndërsa pre e grabitjes ra shtetasi Idriz Sinani. Ky i fundit ka qenë duke mbyllur lokalin e tij në Lagunë, kur grabitësi i ka drejtuar armën. Në këto kushte, pronari i lokalit është detyruar t’u japë autorëve 5 milionë lekë të vjetra, aq sa dhe kishte në lokal. Më pas, sipas dëshmisë së Sinanit, grabitësit u larguan me makinë në drejtim të autostradës Milot Fushë-Krujë.
Në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar disa persona, banorë të zonës, por pa arritur të vërë në pranga autorët e vërtetë të ngjarjes. Duke ju referuar dinamikës së ngjarjes, policia ka dyshime se grabitësit janë banorë të zonës që e njohin mirë terrenin dhe kanë vepruar sapo lokali është boshatisur nga klientët. Për të rënë në gjurmët e dy grabitësve, policia ngriti disa pika kontrolli, por pa mundur të bjerë në gjurmët e autorëve.
Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë të lokalit në fjalë dhe bizneseve aty pranë për të parë nëse autorët apo automjeti i tyre është filmuar, çka do ta ndihmonte grupin hetimor në identifikimin e autorëve.

 

Të shtëna me armë në Lezhë

Të shtëna me armë janë dëgjuar mesditën e djeshme në qytetin e Lezhës, duke krijuar frikë dhe panik tek qytetarët. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me breshëri për motive ende të paqarta në afërsi të depove të ujit, pranë kalasë së qytetit të Lezhës.
Krismat janë dëgjuar për më shumë se 5 minuta, ndërsa kjo situatë vuri në alarm edhe Policinë e Lezhës. Këta të fundit krehën menjëherë zonën ku u dëgjuan krismat, ndërsa mësohet se kanë qenë tre të rinj, të cilët kanë qëlluar, njëri prej të cilëve është ndaluar nga policia.
Gjithashtu blutë po punojnë edhe për identifikimin e dy personave të tjerë si dhe gjetjen e armës me të cilën është qëlluar. Ende nuk dihen arsyet që i çuan tre të rinjtë për të qëlluar me breshëri arme në ajër, duke cënuar rendin dhe sigurinë publike në qytetin e Lezhës.

Shqiptari kapet në Itali me 17 kg drogë

Pas një ndjekje të gjatë, policia arriti të sekuestronte 17 kg drogë në një makinë në Francavilla në Itali. Operacioni çoi në arrestimin e drejtuesit të mjetit, një shqiptari dhe sekuestrimin e sasisë së madhe të drogës. I riu nuk ka pasur më parë rekord penal, ndërsa jetonte në Montesilvano. Sasia prej 17 kg drogë ishte e ndarë në 9 kg marijuanë dhe 8 kg hashash.
28-vjeçari shqiptar që shërbente si korrieri u kap nga Policia e Chietit në rrugën nacionale Adriatica. Pas një ndjekjeje që zgjati disa kilometra, i riu që ngiste BMW-në, u ndalua në Veri pranë kufirit me Pescara-n. 28-vjeçari është treguar menjëherë nervoz dhe nga kërkimi i automjetit u gjet në bagazh një çantë shpine ku gjendej sasia e drogës. Gjatë një kërkimi në shtëpinë ku jetonte, u zbuluan edhe drogëra të tjera dhe 600 euro para të gatshme.
Hetimet filluan me monitorimin e të riut, i cili edhe pse nuk punonte, bënte një standard të lartë jetese. I riu u transferua në burgun e Chietit në dispozicion të autoritetit gjyqësor.

Vrasja e Suela Sulës, përgjimet: “Bëji magji gruas që të më bindet”

Në seanën e të enjtes tek Krimet e Rënda, ku gjykohet për vrasjen e gruas së tij Suela Sula, Sadetin Sula, dëgjoi regjistrime audio me zërin e bashkëshortes së ndjerë. Në bisedat audio shfaqej përplasja e tij me të shoqen për motive xhelozie dhe dyshimet mbi atësinë e një prej fëmijëve. Regjistrimet u gjetën në telefonin e viktimës dy vjet pas ngjarjes dhe i dhanë një kthesë të fortë hetimit, duke arrestuar ekzekutorin.
Procesi gjyqësor ndaj Sadetin Sulës tek Krimet e Rënda, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Suela Sula, ka vijuar të enjten me dëgjimin e pesë regjistrimeve audio të debateve mes bashkëshortëve para ngjarjes. Përgjimet e bisedave janë gjetur nga Prokuroria në telefonin e viktimës Sula, që dyshohet të jetë vrarë në prill 2016 në mobilerinë e familjes për motive xhelozie.

Në regjistrimet e bëra në shtator 2015, i pandehuri Sadetin Sula i vinte në dyshim bashkëshortës atësinë e tij tek një prej fëmijëve të çiftit. Në debat e sipër, ai i kërkontë kryerjen e analizës së ADN-së, si edhe kërcënonte me divorc. “Nëse e bëjmë analizën për një, e bëjmë edhe për dy të tjerët, se nuk di unë ç’thua pas dy vitesh ti”, dëgjohej zëri i së ndjerës.
Në një tjetër regjistrim dëgjoheshin edhe biseda mes Sadedin Sulës dhe punëtorit të mobilerisë, Fatjon Karmeshta, i dyshuar si ekzekutor i gruas. Gjatë këtyre bisedave, Sula i kërkonte ndihmë Karmeshtës t’i bëjë magji bashkëshortes së tij që t’i bindej atij, si dhe i druhej divorcit, pasi mund t’i ndahej pasuria. Zbulimi i këtyre audiove gati dy vjet pas ngjarjes në telefonin e viktimës i dha një kthesë të fortë hetimit.
Ndërsa për vrasjen po gjykohej Sadedin Sula, përgjimet në fjalë nxitën hetuesit të krahasonin materialin gjenetik të gjetur në thonjtë e viktimës me ADN-në e punonjësit të mobilerisë, Fatjon Karmeshta. Ekspertimi vërtetoi se profilet përputheshin. Për këtë shkak, gati dy vjet pas ngjarjes, Karemshta u arrestua si personi që ka vrarë Suela Sulën, me porosi të ish-punëdhësit të tij, Sadetin Sula. Në seancën e radhës, Karmeshta do të thirret si dëshmitar në këtë proces.

Xhafa e pranon se me ndërtimet po pastrohen paratë e krimit

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa pranoi në emisionin “Opinion” se, paratë e krimit po pastrohen në ndërtim. Xhafa deklaroi se, javën që vjen do të ketë arrestime që lidhen me grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike në vend, por nuk tha asnjë fjalë nëse do të ketë arrestime për ata që po pastrojnë paratë e krimit në ndërtim.
Xhafa ka pranuar se, policia ka qenë e implikuar në trafikun e drogës në nivelet më të larta. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se në vendin tonë, veprojnë 40 grupe kriminale, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrjet dhe vrasjet.
Ministri deklaroi se është hartuar një raport studimor, i cili ka realizuar profilin e këtyre grupeve kriminale, veprimtarinë e tyre, numrin e pjesëmarrësve, si dhe një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas tij, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit.
Ministri i Brendshëm: Javën tjetër priten arrestime
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se javën e ardhshme do të ketë një sërë arrestimesh që lidhen me grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike në vend. Sipas Xhafës, Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar një sërë hetimesh dhe javën që vjen do të nisin gjyqet për disa persona. Xhafaj tha se, kemi disa çështje penale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në rrethet Kavajë, Durrës, si dhe ka një proces hetimi në Lezhë, por do ta shtrijmë në Vlorë dhe gjithë vijën bregdetare.

Atentati me silenciator në Tiranë
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka zbuluar një nga pistat kryesore në të cilat po hetohet për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” ai tha se një nga pistat kryesore që po ndjek grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së 64-vjeçarit Memli Begalla janë konfliktet për borxhe të vjetra të pashlyera.
“Një nga pistat ku po heton policia janë konfliktet për shkak të disa llogarive të vjetra financiare. Kjo sipas të dhënave të para që ka policia”, tha Xhafaj. Biznesmeni Memli Begalla u vra në parkimin e pallatit ku po jetonte nga një plumb në kokë. Autorët kishin përdorur silenciator dhe u larguan me një BMW të zezë.
A do kthehen vizat për shqiptarët?
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur për rrezikun e kthimit të vizave për shkak të numrit të lartë të kërkesave për azil nga shqiptarët në vende të ndryshme europiane. Xhafaj tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se shteti francez në ditët e sotme nuk e ka si problem fluksin e azilantëve shqiptarë. Sipas tij, ky problem nuk ekziston më as për Holandën, Gjermaninë dhe Belgjikën.
Ai theksoi se nuk ekziston aspak rreziku i vendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët, duke shprehur siguri dhe vendosmëri në këtë deklaratë.

Xhafa: Ja çfarë fshihet pas tentativës së vrasjes me eksploziv në Shkodër
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj të enjten lidhur me atentatin e Shkodrës, ka deklaruar se ajo nuk është një akt terrorist, por një tentativë vrasjeje me eksploziv. Xhafaj tha se ngjarja ka lidhje me një grup kriminal nga qyteti i Elbasanit, për shkak të një konflikti në trafikun e drogës.
Ministri tha se vrasjet e ndodhura gjatë këtyre kohëve, përveç kësaj të fundit, kanë ardhur për pasojë të konflikteve që kanë ndodhur jashtë vendit mes anëtarëve të grupeve kriminale të trafikut të drogës.
Lidhur me atentatin e Shkodrës, ai tha se është një grup kriminal nga qyteti i Elbasanit, të cilët kanë përdorur një anëtar të grupit për të vendosur eksplozivin. Agjentët kriminal që në hetimet e para zbuluan se atentatori nuk kishte lidhje me një tentativë vrasjeje që lidhej me Shkodrën, por jashtë këtij qyteti.
Xhafa ka deklaruar se, vrasja e Devi Kasmit është porositur nga një kriminel i rrezikshëm shqiptar, dhe është kryer nga vrasësi grek me pagesë. “Vrasësi me pagesë është pjesë e një grupi shumë të strukturuar kriminal. Porositësi i vrasjes është shqiptar dhe është një kriminel i rrezikshëm”, u shpreh Xhafa në Opinion. Kujtojmë që Policia e shtetit ka arrestuar shtetasin grek Efthymiou Efthymious që dyshohet se kreu vrasjes e Devi Kasmit mbrëmjen e 29 janarit në Tiranë. Efthymiou kishte punuar nga viti 1992 deri në vitin 2012 si efektiv i forcave speciale në Greqi, por ishte larguar nga detyra pas dyshimeve se ishte përfshirë në trafik droge.

A do kthehen vizat për shqiptarët?
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur për rrezikun e kthimit të vizave për shkak të numrit të lartë të kërkesave për azil nga shqiptarët në vende të ndryshme europiane. Xhafaj tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se shteti francez në ditët e sotme nuk e ka si problem fluksin e azilantëve shqiptarë. Sipas tij, ky problem nuk ekziston më as për Holandën, Gjermaninë dhe Belgjikën. Ai theksoi se nuk ekziston aspak rreziku i vendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët, duke shprehur siguri dhe vendosmëri në këtë deklaratë.

“Projekte që vrasin”! Protestë para Parlamentit kundër inceneratorëve

Revolta popullore kundër qeverisë është zhvendosur dje para Parlamentit. Qindra banorë të Fierit dhe punëtorë të By Passi-t të Fierit e Vlorës kanë protestuar dje para Parlamentit kundër ndërtimit të inceneratorëve dhe për pagat e pa marra për më shumë një vit. Protesta kundër ndërtimit të inceneratorëve është organizuar nga Aleanca Kundër Importit të Plehrave, AKIP. Protestuesit kanë dalë me pankarta në duar kundër ndërtimit të inceneratorëve në Vërri të Fierit. Në protestë kanë mbërritur dhe banorë nga fshati Vërri. “Kush ka firmosur në këtë projekt të japë llogari. Këto projekte vrasin. Shkatërrojnë bujqësinë dhe mjedisin. Do jemi të vendosur derisa ky projekt të bjerë. Ka vetëm pasoja negative. Myzeqeja është e jona, jo plehra në Myzeqe!”, thanë protestuesit.
Pas 11 muajsh protestë në fshatin e tyre kundër ndërtimit të inceneratorit për djegien e mbetjeve, këtë të enjte dolën përpara Parlamentit. Inceneratorët, sipas ambjentalistëve emetojnë gazra të helmëta që kontaminojnë ujërat nëntokësore, ato sipërfaqësore dhe shkaktojnë sëmundje të rënda.
Pak metra larg banorëve të fshatit Verri qëndronin punonjësit e By-Pass-it të Fierit. Këta qytetarë i ka sjellë në Tiranë mospagesa për punën e bërë. Për këtë problem këta punonjës protestojnë për herë të katërt, ndërsa shprehen se nuk do ta ndalin qëndresën deri në marrjen e rrogave.

“Do shtrihemi në rrugë të vdesim”

Punonjësit e By Pass-it të Vlorës shprehen se, shteti ka bllokuar paratë e tyre dhe nuk po shlyen detyrimet për t’u dhënë hakun e punës në këtë vepër ku puna është e çertifikuar. Punonjësit thanë se, kanë që në dhjetor 2016 që nuk janë paguar, kohë kur kompania italiane “Serenissima” e kontraktuar nga shteti për ndërtimin e By Passi-t të Vlorës ndërpreu punimet dhe u largua. “”Po falimentojmë, ku t’i gjejmë këto para, unë i bëj thirrje kryeministrit të na japë paratë se janë para djerse, para gjaku. Rruga nuk ka për t’u bërë, do të shtrihemi atje në rrugë të vdesim”, u shpreh një ngaprotestuesit.
Punonjësit thonë se, është shteti që ka bllokuar paratë e tyre, pasi siç tregojnë ata firma italiane kur u largua i transferoi borxhin shtetit, prandaj bllokimi i këtyre parave është i pakuptimtë. Por, pronarët e këtyre firmave që kanë kryer punimet dyshojnë se shteti i mban paratë e tyre, pasi ka frikë se do të humbasë në arbitrazh ndaj firmës italiane dhe me paratë e tyre do të paguajë firmën italiane.

“Punonjësit kanë 1 vit pa marrë pagat, ndërsa firma ka shpallur falimentimin. Ka një vit e gjysmë që është ndërprerë puna, ka shpallur falimentimin dhe ka ikur. Zoti Ruçi të kthejë kryet edhe nga ne, se kemi marrë borxhe nëpër banka, kemi blerë inerte, tani janë rritur kamatat për shkak të vonesave. Iu bëj thirrje të gjithë deputetëve, ministri nuk na pranon në takim, as të na spjegojë.
S’dimë ku të vemi ku të mbytemi, të vemi vetëm, në Bruksel, atëherë kur i duheshin punët na mbështeti.
Në 10 dhjetor në 2016 puna është ndërprerë. Ne kemi marrë dhe kredi, duke shpresuar që do t’i marrim paratë”, tha punonjësi. “Jam subjekt që kam punuar me disa subjekte të tjera dhe për shkak që nuk kam paguar detyrimin ndaj palëve të treta, mua nesër më sekuestrohen mjetet, borxhet tona nga palët e treta është i madh. Kërkojmë nga ministri i Energjetikës të na takojë dhe ti japim zgjidhje. Italianit nuk mund t’i marrim ndonjë gjë se nuk ka gjë në bankë, nuk ka kolateral. Firma italiane pa asnjë lloj garancie filloi punimet, ne na thanë filloni punën dhe mos e ndërprisni”, tha një tjetër. E gjitha kjo situatë sipas tij ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të shtetit.

 

Monopolizohen tenderat, Rama i le në duart e Fatmir Xhafajt

Qeveria ka vendosur të përqendrojë një pjesë të madhe të tenderave publikë në një dorë të vetme. Këshilli i Ministrave ka miratuar ngritjen e një institucioni të ri, të quajtur Agjencia e Blerjeve të përqendruara, e cila do të zhvillojë të gjithë tenderat publikë për 25 proçedura prokurimi. Sipas vendimit, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme.
Përmes këtij vendimi qeveria ja ngarkon Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, prokurimin e fondeve buxhetore për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve për 25 lloje proçedurash. Ndër to bëjnë pjesë blerje automjetesh, karburanti, pajisjet e kancelarisë, mobileritë dhe pajisjet e zyrave, sigurim automjetesh dhe të tjerë.
Të gjitha këto prokurime, tashmë nuk do të bëhen më nga institucionet që kanë nevojë, por do të blihen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara për llogarinë e tyre.
“Agjencia e Blerjeve të Përqendruara do të qendërzojë/do të fillojë kryerjen e procedurave të prokurimit me paraqitjen e çdo kërkese të paraqitur nga autoritetet kontraktore”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.
Agjencia, si organ qendror blerës, i autorizuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka si mision kryerjen e procedurave të prokurimit të fondeve buxhetore me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive, institucioneve në varësi të Kryeministrit e të ministrave të linjës, për blerjen e mallrave dhe të shërbimeve të përcaktuara në aktin nënligjor përkatës.

Kjo agjenci drejtohet nga drejtori i përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Brendshëm. Struktura dhe organika e Agjencisë miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar të mërkurën, kjo agjenci ngarkohet për blerjen e mallrave dhe shërbimeve si më poshtë:
1.1. Blerje automjetesh;
1.2. Blerje karburanti, përveç vajgurit Jet A1;
1.3. Blerje materialesh kancelarie;
1.4. Blerje orendish dhe pajisjesh për mobilim zyrash;
1.5. Blerje materialesh të ndryshme për pastrim;
1.6. Blerje uniformash dhe elementesh të tjera përbërëse të tyre;
1.7. Blerje këpucësh;
1.8. Blerje pjesësh këmbimi për automjete, për shërbimet profilaktike;
1.9. Blerje tonerash;
1.10. Sigurim automjetesh;
1.11. Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi;
1.12. Shërbim pastrimi;
1.13. Shërbim lyerjeje dhe mirëmbajtjeje ndërtesash;
1.14. Riparim dhe mirëmbajtje automjetesh;
1.15. Botime, printime dhe materiale shtypshkrimi;
1.16. Blerje materialesh të buta dhe veshmbathje;
1.17. Riparim, mirëmbajtjeje sistemi të ngrohje-ftohjejeve;
1.18. Mirëmbajtje impiantesh elektrike;
1.19. Blerje pajisjesh laboratorike, me përjashtim të atyre mjekësore;
1.20. Shërbime dezinfektimi;
1.21. Shërbim i ruajtjes dhe i sigurisë fizike;
1.22. Blerje artikujsh ushqimorë;
1.23. Blerje pajisjesh kondicionimi;
1.24. Shërbim gjelbërimi;
1.25. Shërbim mirëmbajtjeje rutinë dhe dimërore të rrugëve.

Xhafa mbyll gojën, pse nuk arrestohen ish drejtuesit e policisë të Vlorës të shpallur në kërkim për trafikim droge

Ministri i Brendshëm, Xhafa ka numëruar sukseset e mëdha të policisë së tij, por ka mbyllur gojën kur është pyetur se përse nuk janë arrestuar ish-drejtuesit e policisë së Vlorës të shpallur në kërkim për trafikun e drogës që janë në arrati. Xhafa është munduar të justifikohet, por në asnjë moment nuk ka dhënë premtimin se ata do të arrestohen.
Xhafa ka pranuar se policia ka qenë e implikuar në trafikun e drogës në nivelet më të larta.
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, është shprehur se është gabuar me kthimin në punë të ish-drejtuesve të policisë të shkarkuar në Elbasan.
Dhjetëra punonjës policie janë shkarkuar nga puna, si pasojë e zbatimit të strukturave të reja në Drejtoritë e Policisë në Qarqe dhe komisariate në mbarë vendin.
Vala e shkarkimeve ka përfshirë më shumë Qarkun e Elbasanit, ku burimet thonë se të paktën 19 punonjës janë hequr nga puna, me motivacionin se emërimet e tyre janë bërë jashtë kritereve të Ligjit për Policinë e Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj është shprehur se në vendin tonë, veprojnë 40 grupe kriminale, me aktivitete që shkojnë që nga vjedhjet dhe trafiqet, e deri te pengmarrjet dhe vrasjet.
Ministri deklaroi se është hartuar një raport studimor, i cili ka realizuar profilin e këtyre grupeve kriminale, veprimtarinë e tyre, numrin e pjesëmarrësve, si dhe një hartë të veprimtarisë së krimit të organizuar në Shqipëri. Sipas tij, ekspertët kanë skeduar rreth 40 grupe kriminale që veprojnë në 12 qarqet e vendit.
“Nga skanimi i grupeve kriminale rezulton se 53 % e tyre merren me kultivim dhe trafikim narkotikësh, 11 % me trafiqe të paligjshme, 18 % me krime të rënda si vrasje dhe pengmarrje, dhe 18 % me krim ekonomik“,-tha Xhafaj.

Ministri i Brendshëm: Javën tjetër priten arrestime

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar se javën e ardhshme do të ketë një sërë arrestimesh që lidhen me grabitjen dhe tjetërsimin e pronave publike në vend. Sipas Xhafës, Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar një sërë hetimesh dhe javën që vjen do të nisin gjyqet për disa persona. Xhafaj tha se, kemi disa çështje penale, në bashkëpunim me Prokurorinë, në rrethet Kavajë, Durrës, si dhe ka një proces hetimi në Lezhë, por do ta shtrijmë në Vlorë dhe gjithë vijën bregdetare.

Atentati me silenciator në Tiranë

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka zbuluar një nga pistat kryesore në të cilat po hetohet për zbardhjen e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në një intervistë për emisionin “Opinion” ai tha se një nga pistat kryesore që po ndjek grupi hetimor për zbardhjen e vrasjes së 64-vjeçarit Memli Begalla janë konfliktet për borxhe të vjetra të pashlyera.
“Një nga pistat ku po heton policia janë konfliktet për shkak të disa llogarive të vjetra financiare. Kjo sipas të dhënave të para që ka policia”, tha Xhafaj. Biznesmeni Memli Begalla u vra në parkimin e pallatit ku po jetonte nga një plumb në kokë. Autorët kishin përdorur silenciator dhe u larguan me një BMW të zezë.

A do kthehen vizat për shqiptarët?

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, të enjten ka folur për rrezikun e kthimit të vizave për shkak të numrit të lartë të kërkesave për azil nga shqiptarët në vende të ndryshme europiane. Xhafaj tha në studion e emisionit ‘Opinion’, se shteti francez në ditët e sotme nuk e ka si problem fluksin e azilantëve shqiptarë. Sipas tij, ky problem nuk ekziston më as për Holandën, Gjermaninë dhe Belgjikën.
Ai theksoi se nuk ekziston aspak rreziku i vendosjes së regjimit të vizave për shqiptarët, duke shprehur siguri dhe vendosmëri në këtë deklaratë.