30.5 C
Tirana
E diel, 24 Gusht, 2025

Plani i fundit i të Çmendurit; do të prishë bulevardin kryesor Vlorë-Skelë duke shkatërruar qindra biznese!

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar planin e fundit të Ramës për Vlorën që parashikon të prishë bulevardin më të bukur të bregdetit shqiptar.
Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital.
Me këtë rast ju bëj thirrje qytetarëve të Vlorës të mos lejojnë Petro Kolekën e ri (pyesni pak në Vuno për Petron) të shkatërrojë bulevardin më të bukur të bregdetit shqiptar dhe më gjerë! Në këmbë vlonjatë! sb
“I dashur Berisha! Të dashur miq.! Kjo nuk është gjë po shikoni për rilindjen urbane në Lungoparen. Shumë shpejt sipas një plani të urbanistikës do fillojë shkatërrimi i bulevardit Vlorë-Skelë. Qëllimisht u lanë të shkatërroheshin 1000 palma. Tani do fillojë rilindja urbane të shkatërrojë këtë bulevard. Do fillojë të konceptohet nga shkencëtarët e rilindjes jo si një bulevard nga më të bukurit në Europë po si një park ku të argëtohen njerëzit. Këta me njerëzit nënkuptojnë moshën e tretë se rinia iku. Do bëhet një shkatërrim total i bulevardit njësoj si shpikjet e Lungopares. Do mbillen në mes të rrugës rrepe dhe do bëhet kalimi shumë i ngushtë duke zgjeruar trotuarët dhe duke nxjerrë jashtë funksionit me mijëra biznese anës rrugës. Ky është provokimi më i madh që do t’u bëhet vlonjatëve po jo vetëm vlonjatëve po gjithëshqiptarisë. Vlonjatët nuk do rrinë indiferente, kjo do të jetë përplasja e së vërtetës”.

Kryengritja e Prek Calit që vrau 39 komunistë e plagosi 48 të tjerë

Nga Kastriot DERVISHI

Në mesin e nëntorit 1944, pra dy javë para se komunistët të hynin në Shkodër, partizanët jugosllavë të ardhur nga Kolashini sulmuan Vermoshin. Vodhën pasurinë e shqiptarëve.
Vetëm Prek Calit i morën një mall me vlerë prej 20 mijë napolonash flori. Malësorët nuk patën mundësi të reagonin ndaj këtij sulmi, por u bënë gati që në vijim sulmuesit me yll të kuq nga brenda apo jashtë kufirit t’i prisnin me pushkë.
Më 28.11.1944, batalioni i 1-rë i Brigadës së 1-rë, pasi parakaloi para Enver Hoxhës në Tiranë, u drejtua për ekspedita ndëshkimore në Prefekturën e Shkodrës, duke nisur së pari nga Nënprefektura e Mirditës. Më 11.11.1945 ky batalion u gjend në Shkodër.
Sipas historikut të Brigadës së 1-rë, qëllimi i udhëtimit në Kelmend ishte “spastrimi nga reaksionarët” dhe “ngritja e këshillave nacionalçlirimtare”. Siç edhe dihet, Dushan Mugosha e Miladin Popoviçi nuk e shtrinë dot pushtetin e tyre në pjesën më të madhe të Veriut të vendit. Kjo “punë” ngeli pas lufte. Çdo përpjekje e popullsisë vendase ka qenë vetëmbrojtje ndaj një bande gjakatare që përpiqej të vendoste pushtetin e saj.
Më 10.1.1945 afër Kishës së Kastratit u zhvilluan luftime midis komunistëve e malësorëve vendas. Këtu nisi në fakt qendresa që përfundoi me arrestimin e Prek Calit më 16.2.1945.
Në vijim, më 13.1.1945 në Kalcë u mbajt kuvendi i burrave të Kelmendit i kryesuar nga Prek Cali. Teksa po diskutohej çfarë duhej të bënin përballë rrezikut që i kanosej prej komunistëve, një gjyle e partizanëve ra afër vendit ku po bëhej kuvendi. Kjo gjyle dhe të tjerat pas saj, vulosën vendimin e malësorëve se qëndresa ndaj komunistëve ishte e pashmangshme.

Forcat e batalionit të 1-rë me një eufori të pazakontë u nisën drejt Veriut me dëshirën për t’i dhënë një ndëshkim të mirë banorëve të Kelmendit që normalisht e urrenin komunizmin.
Në afërsi të urës së Tamarës forcat komuniste hasën në qëndresën e banorëve. U zhvilluan luftime për rreth 10 orë, nga ora 6.00 deri në orën 16.00. Në përfundim u vranë 13 komunistë, me 2 vdiqën nga i ftohti, ndërsa mbeturinat e batalionit kaluan në Jugosllavi te aleatët e vet.
Nisur nga humbjet që pësuan në aventurën e tyre terroriste, komunistët organizuan dy operacione kundër popullsisë civile, sipas këtyre datave: 14 – 31 janar 1945/ 1 – 16 shkurt 1945.
Operacioni i parë përfundoi me humbjen e komunistëve dhe sprapsjen e tyre. Operacioni i dytë është quajtur “spastrimi”. Operacioni mbi Veriun e vendit kishte karakter thellësisht antikombëtar. Persona të armatosur, kryesisht kontingjente të botës së krimit, shkonin në operacione duke kënduar: “Luaje, luaje goce këmbën; t’ia q…gegës mëmënë”.
Më 26.1.1945 mbërriti në Shkodër, Mehmet Shehu. Ai urdhëroi menjëherë që terrori të niste nga qyteti. Duke njohur rëndësinë dhe natyrën e papërkulur të Shkodrës, Shehu “bllokoi” qytetin nga 29 janari deri më 2 shkurt 1945, duke arrestuar 168 persona, duke krijuar një gjendje të paparë ndonjëherë. Mehmet Shehu i shkruante Enver Hoxhës se, Ferit Radovicka me tre batalione do marshonte nga Jugosllavia e do dilte në Vermosh për të goditur “armikun” pas shpine nga Veriu. Ndreko Rino me dy batalione do sulmonte në drejtimin Bogë-Okël për të dhënë goditjen nga Lindja.

Ndërsa Abaz Fejzo me katër batalione do sulmonte nga Broja. Operacioni do zhvillohej në trekëndëshin Bunë-Drin-Shëngjin. Kundër popullsisë civile u përdorën edhe topat e Batalionit “Antonio Gramshi”.
Qëndresa e popullit të Malësisë mori fund ditën e arrestimit të Prek Calit më 16.2.1945. Ky i fundit ishte në fortesën e fundit në shpellën e Vuklit së bashku me disa burra të tjerë. Qëndroi në kushte të vështira për 7 ditë. Partizanët nuk e mundën dot Prek Calin, pavarësisht se kishin forca të shumta ushtarake. Cali pranoi të dalë nga shpella në “besë” të Abaz Fejzos.
“Nacionalçlirimtarët”, si forcë antikombëtare morën edhe masa të tjera që renditen si krime ekonomike e sociale. Ata dogjën 34 shtëpi në Vermosh, Nikël, Vukël e Rahovicë; konfiskuan 80 kokë lopë, 315 dhen, 35 barrë bereqet. Ushtria “çlirimtare” si mishngrënëse e paparë gjatë ushtrimit të gjenocidit të saj, hëngri aty 225 krerë bagëti.
Komunistët patën 39 të vrarë dhe 48 të plagosur (prej tyre 30 të vrarë dhe 48 të plagosur ishin të brigadës së parë). Ndërsa popullsia vendase pati 44 të vrarë dhe 21 të plagosur. 19 familje u internuan e përfunduan më pas në kampin e Beratit.
Prek Cali u gjykua në një proces të Gjyqit Ushtarak të Korparmatës së 3-të në Shkodër, ku u dënuan 25 persona. Në gjyq, Cali deklaroi se, “partizanët janë njerëz të këqij, të djegin, vrasin dhe janë njerëz pa fe”.

Me vendimin nr.42, datë 3.3.1945, Gjykata komuniste ndër të tjerë, deklaroi fajtorë dhe dënoi 70-vjeçarët Prek Calin dhe Ded Lulash Smaili me vdekje. Prek Cali dhe 8 të dënuar të tjerë janë ekzekutuar nga brigada e 2-të të Mbrojtjes së Popullit në Shkodër.
Kujtimi i veprës së Prek Calit e burrave të malësisë, u kujtua për herë të parë në vitin 1992, në një ceremoni të zhvilluar në alpet shqiptare të cilën e nderoi edhe pjesëmarrja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Rajerson.

Kush ishte Prek Cali?

I lindur në Vermosh të Shkodrës më 29 korrik 1878, Prek Cali u bë shumë shpejt i njohur nga regjimi i Ahmet Zogut dhe më pas edhe nga diktatura komuniste, për shkak të qëndresës së tij anti-sllave në Veri. Që pas ndarjes së kufijve të Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër më 1913, ‘trimat e Kelmendit’ me në krye Prek Calin kundërshtuan këtë vendim, ku sipas tyre tokat e shqiptarëve ju dhanë fqinjëve si Mali i Zi dhe Serbia. Për këtë aryse, ai së bashku me disa luftëtarë të tjerë në Veri, nuk e ndalën asnjëherë Kryengritjen e tyre kundër serbëve në Veri, duke mos pranuar të dorëzojnë tokat shqiptare.
Me ardhjen në pushtet të qeverisë së Mbretit Ahmet Zogu, ai herë pas here bën kërkesa dhe proteston pranë qeverisë, për të ngritur zërin për Vermoshin. Sipas dorëshkrimeve, në këtë kohë, Prek Cali do të përplaset me Ahmet Zogun, mbasi ai ishte përkrahës i forcave të opozitës asokohe. Pas rënies së qeverisë së Fan S. Nolit, qeveria monarkiste, Prekën me disa të tjerë i internuan në burgun e kalasë së Gjirokastrës. Kur situata u qetësua dhe gjakrat e urrejtjes midis shqiptarëve ranë në qetësi, Ahmet Zogu, rishikoj vendimin e dënimit ndaj figurës së Prekë Calit, jo vetëm duke e liruar, por edhe duke e ftuar të takohen miqësisht në rezidencën e Mbretit në Tiranë.

Madje banorë të zonës dhe dorëshkrime të vjetra tregojnë për bisedën ndërmjet Mbretit Zog dhe Prekë Calit: “Të kam internue, se kam pas të dhana, se ju jeni marrë me politikë dhe je kundër meje. A asht e vërtet kjo? – Jo, iu përgjigj Preka, vetëm me politikë as nuk jam marrë as nuk merrem! – Po kundër meje a je? – ia ndërpreu Zogu I. – Vetë nuk jam kundër teje dhe nuk kam ken kundër shqiptarëve. Unë kam luftue e do të vijoi me luftue vetëm kundër atyne, që duan të na marrin trojet tona. Vetë jam vetëm shqiptar e për Shqipnin nuk më dhimbset jeta”.

Ambasadori amerikan, Rajerson nderoi Prek Calin më 1992

Këto foto i takojnë vitin 1992. Ndoshta kjo është kulla e Prek Calit në Malësi. Në foto shihet prania e ambasadorit amerikan Rajerson, në nderim të figurës së Prek Calit. Mesazhi që përcolli ambasadori në emër të SHBA-së ishte fare i qartë në mbështetje të veprës së Prek Calit. Domethënë ose duhet të jemi me Prek Calin dhe Amerikën, ose duhet të jemi me armiqtë e Prek Calit, me Beogradin apo Moskën. Katër ditë më parë, fadromat e Inspektoratit Ndërtimor rrafshuan kullën e prijësit të krahinës së Kelmendit, heroit të rezistencës antikomuniste, Prek Cali. Veprimi i kryer në fshehtësi, në atë kullë ku prej disa javësh emigrantët e zonës kishin nisur të investonin për ta kthyer në identitet, solli reagimin e ashpër të banorëve. Me një vendim arbitrar, ekskavatorët e IKMT-së kanë shkuar në Vermosh dhe kanë shembur shtëpinë e Prek Calit, udhëheqësit të kryengritjes antikomuniste të Kelmendit të vitit 1945. Siç duket, trashëgimtarët e diktaturës që tani janë në pushtet, ende nuk e harrojë atë kryengritje dhe sot kanë vendosur që të bëjnë edhe veprime të tjera. Ata jo vetëm që nuk kanë lënë rikonstruktimin e banesës së Prek Calit, por kanë vendosur ta rrafshojnë. Reagimet e banorëve kanë qenë të shumta, por ndërhyrja e policisë ka bërë që ekskavatori i IKMT-së të bëjë shembjen.

Banorët kanë thënë se veprimi i bërë sot i ka vrarë ata për së dyti, pas masakrës që bënë komunistët më 1945. Të mbledhur në rrënojat e kullës, banorët e quajnë vrasje për së dyti të Prekë Calit dhe turp kombëtar, atë që ndodhi në këto troje. “Prekë Calit i kanë ardhur mushqit me flori dhe nuk ka pranuar të shesë Vermoshin, as Kelmendin. Kurse sot këtyre politikanëve të famshëm që kemi ne, gjysmën e këtyre parave dhe të shesin Shqipërinë. Kështu janë këta. Ne dënojmë shumë gjestin e djeshëm. Edhe si shoqatë e të persekutuarve, edhe si mbarë populli i Vermoshit dhe Kelmendit, është gjëja më e keqe që ka ndodhur tani e 100 vjet. Enver Hoxha ia hoqi një kat, por nuk e shembi krejt, e ka shfrytëzuar. Kjo është vrasja e dytë që i bëhet Prekë Calit dhe kullës së tij prej regjimit komunist. Prej këtyre nuk kemi pritur të mira dhe as nuk presim”, u shprehën banorët e revoltuar.

Skandal! Rama ndërsen zagarët e Forcave Speciale ndaj qytetarit Vrenozi

Qytetari nga Korça, Ilir Vrenozi është kërcënuar nga punonjës i Forcave Speciale. Tifozi më i famshëm i Skënderbeut, Ilir Vrenozi, në një postim në faqen e tij në Facebook ka rrëfyer se ka marrë kërcënime nga një pjesëtar i Forcave Speciale, RENEA. Madje tifozi korçar e ka publikuar kërcënimin dhe sharjen e pjesëtarit të RENEA, ku shkruan: “Arjan Bitri i Forcave Speciale RENEA më ka sharë e ofenduar. A lejohet ky pjesëtar i Forcave Speciale që përfaqëson shtetin shqiptar të merret me mua që jam një qytetar i thjeshtë… të më shajë e ofendojë”.
Vrenozi ka qënë kritik në shkrimet e tij neë faqen sociale ndaj kryeministrit Rama. Në shumë statuse në Facebook Vrenozi ka bërë reagime të forta ndaj Ramës dhe qeverisë që ai drejton. Në foton që po publikojmë mund të shihni vetë çfarë i shkruan oficeri i RENEA-s korçarit më të famshëm në Shqipëri.

Basha në Hungari me ftesë të Orban

Me ftesë të kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po merr pjesë në Samitin e Komitetit Ekzekutiv të CDI-së, Organizatës Botërore të Partive të Qendrës së Djathtë, i cili mbahet në Budapest. Në fokus të takimit dy ditor, janë zhvillimet politike dhe bashkëpunimi mes partive të qendrës së djathtë. Në Samit marrin pjesë një numër i madh drejtuesish politikë të Partisë Popullore Europiane dhe partive të qendrës së djathte nga e gjithë bota.

Komisioni i MSA: Të ndalohet trajtimi i veçantë i qeveritarëve

Më 12-13 shkurt u zhvillua në Tiranë takimi i 12-të i Komisionit parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Komisioni ka rikonfirmuar mbështjen ndaj Shqipërisë për hapjen e bisedimeve me BE-në. Ai ka kërkuar zbatimin e Reformës në Drejtësi, e cila do të gjykohet vetëm përmes arritjeve të rëndësishme dhe të pakthyeshme. Në dokument cilësohen prioritetet kryesore të autoriteteve shqiptare në zbatimin e ligjit, të cilat janë:
Zyrtarët e lartë nuk duhet të përfitojnë nga asnjë lloj trajtimi i veçantë në krahasim me qytetarët e zakonshëm, ata duhet të dënohen. Autoritetet shqiptare duhet të tregojnë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar me anë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të paanshëm, dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre në vendosjen e një rruge të gjurmueshme për hetime efektive, ndjekje penale dhe dënim për çështje të krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave etj., në të gjitha nivelet dhe të sigurojnë pakthyeshmërinë e tyre. Autoritetet shqiptare duhet të luftojnë kundër korrupsionit, kultivimit dhe trafikimit të drogës, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Për Reformën në Drejtësi: Komisioni duhet të shohë rezultate konkrete, në Reformën në Drejtësi, në vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, procese që janë në thelb të rekomandimit të kushtëzuar të Komisionit për hapjen e bisedimeve. I bën thirrje qeverisë shqiptare dhe Kuvendit të sigurojë burimet e duhura për institucionet e vetingut në të gjitha fazat e procesit, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i tyre i pavarur dhe i vazhdueshëm; vlerësimet dhe rishikimet periodike janë të nevojshme për të caktuar fonde të vazhdueshme.
Ndërsa për luftën kundër trafikimit dhe prodhimit të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, Komisioni shkruan se: Kujtojmë se ka një lidhje të qartë ndërmjet varfërisë, nivelit të lartë të papunësisë dhe lulëzimit të tregtisë së kanabisit. Duhet të merren masa të qëndrueshme kundër drogave, përfshirë drogat e rënda. Duhet të forcohen masat kundër kultivimit të drogës, prodhimit dhe trafikimit, në veçanti të identifikohen, hetohen dhe dënohen rrjetet kriminale që qendrojnë pas tregtisë së narkotikëve dhe të sigurohet në praktikë sekuestrimi i produkteve kriminale, instrumentave dhe përfitimeve nga këto aktivitete kriminale.

Për Emigracionin e paligjshëm: Autoritetet shqiptare duhet të adresojnë shkakun e numrit të lartë të emigrantëve.
Për Koncesionet dhe PPP-të: Autoritetet shqiptare duhet të adresojnë në mënyrën e duhur dhe të forcojë mbikëqyrjen e PPP-ve.
Për Ligjin e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave: Autoritetet shqiptare duhet të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e ri të kthimit dhe kompesimit të pronave dhe të tregojë arritje të prekshme në këtë çështje.
Për Lirinë e Medias në vend:
Duhet të zbatohet legjislacioni për lirinë e shprehjes, përfshirë zbatimin e Kodit të Punës për të forcuar mbrojtjen e punës dhe të drejtave shoqërore të gazetarëve dhe të tregohet pozitive në këtë çështje.
Për Reformën Zgjedhore dhe klimën politike: Debati politik duhet të ndodhi në Kuvend në zbatim të ligjeve dhe procedurave ekzistuese. Duhet të zbatohen rekomanidmet e OSBE-ODIHR për Reformën Zgjedhore përpara zgejdhjeve të ardhshme. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe të drejta është thelbësore për progresin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE.
Kuvendi i Shqipërisë duhet të monitorojë zbatimin e reformave dhe përputhjen e tyre me standardet e BE-së dhe të sigurojë përfaqësimin e duhur për opozitën.
Për diskriminimin dhe dhunën në familje: Autoritetet shqiptare duhet të marrin masa efektive në luftën kundër dhunës në familje, përjashtimit shoqëror, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit rom, LGBT, dhe grupeve të tjera vulnerabël.

Exit.al

Anëtari i KLGJ u kërkon pedagogëve të bëjnë shkrime në revistën e fondacionit të Tahirit

Thellohet skandali në raport me pedagogët. Pas vonesave me pagat, gjuhës së përdorur nga Kryeministri Edi Rama ndaj trupës elitare të sistemit arsimor në vend, reklamës që i bëhet nga dekani i Drejtësisë, revistës “Politicus” të Fondacionit “Qemal Stafa” të krijuar nga PS dhe të drejtuar nga Saimir Tahiri, zv. Dekani i këtij fakulteti, përmes e-mail u kërkon trupës pedagogjike të bëjnë shkrime për këtë revistë politike.
Referuar emaile-ve që kanë mbërritur në adresat e pedadogëve, Erjon Muharremaj, që është zgjedhur përmes shortit me gogla si anëtar i KLGJ-së, një prej institucioneve më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi, kërkon artikuj analitik për revistën “Politicus” të Fondacionit “Qemal Stafa”.
Ky fondacion funksionon si pjesë e strukturave të PS-së dhe vetëm pak ditë më parë u mblodh nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa për vite me radhë ai është drejtuar nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, që sot ndodhet nën hetim nga krimet e rënda si i dyshuar në përfshirjen apo favorizimin e Habilajve në trafikun e drogës.
Ja çfarë i përkohet pedagogëve përmes email-it

Revista politike “POLITICUS” Fondacioni “QEMAL STAFA”

Fondacioni “Qemal Stafa” në kuadër të lancimit të Revistës Politike, “POLITICUS”, hap thirrjen për publikimin e artikujve analitik. Për të inkurajuar reflektimin politik, me anë të kësaj thirrje, mirëpresim kontributin tuaj nën temën “Drejt drejtësisë sociale në Shqipëri”.
Drejtësia sociale është një term që rrjedh nga qëllimi për të patur marrëdhënie shoqërore të rregulluara nga ligji, por mbi të gjitha, “e drejta” të zbatohet nga institucionet, duke i vendosur individët në kushte të barabarta.
Aktualisht një sërë hapash po merren nga shteti shqiptar për arritjen e këtij standardi prandaj ajo çfarë pritet nga kjo thirrje është kontributi që mund të ofrohet, duke reflektuar mbi drejtimin dhe trajtimin që duhet t’i bëhet drejtësisë sociale në politikë. Në mënyrë që shteti të hartojë politika sa më të drejta dhe eficente në funksion të këtij qëllimi, idetë dhe opinionet inovatore të akademikëve dhe ekspertëve të fushës duhen promovuar në të gjitha format e mundshme, si një ndihmë dhe vlerë e shtuar për ata që merren me politikbërjen.

Spaho paralajmëron Ramën për pedagogët

Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka theksuar se kjo forcë politike është në mbështetje të kërkesave të pedagogëve dhe të artistëve. Nga foltorja e Kuvendit, deputeti Spaho tha se kryeministri Rama duhet të dëgjojë pretendimet e pedagogëve sa i takon Ligji për Arsimin e Lartë, si dhe kërkesat e artistëve, për Ligjin e Artit.
Sakaq, deputeti demokrat i bëri thirrje kryeministrit Rama që të ketë parasysh faktin se, “Kur të fillojë të presë koka, duhet të përballet edhe me reagimin e tyre”.
“Pedagogët e UT kanë ngritur probleme për mënyrën sesi funksionon ky universitet, dhe kjo nuk mund të fshihet me retorikën e kryeministrit. Ju atje nuk shkuat për bravat, se nëse kryeministri shkon të takohet me ta për bravat, se nëse është kështu na ka marrë lumi. E ka marrë lumi gjithë vendin. Debati nuk ishte dhe nuk është për bravat, por për Ligjin e Arsimit të Lartë. Më e pakta që mund të bëhet është të dëgjohen, dhe më pas të jepen shpjegime. Pedagogët kanë pretendime për autonominë e universitetit.

Problemi nuk është për ato ditë që iu vonuan pagat, por problemet e vërteta që ka ky universitet. Në UT ka kapacitete të mëdha, pedagogët e UT duhet të quhen elitë, dhe jo kryeministri, apo ministrat tuaj. Dhe së dyti për artistët. Ka një histori që ka lidhje me ju z.kryeministër, që kur ishit ministër Kulture, dhe donit të ndërtonit teatër me kullë. Dhe këtë doni të bëni dhe sot. Nuk i bindni dot ju artistët, se i keni gënjyer njëherë. Kontradiktën me ju ata e kanë për Ligjin për Artin. Se nuk janë dëgjuar asnjëherë. Artistët janë pala e interesuar për Ligjin për Artin, dhe deri më tani nuk janë dëgjuar. Kur të fillosh të presësh ‘koka’, duhet të përballesh edhe me reagimin e tyre”, u shpreh deputeti Spaho.

LSI: Fund teatrit të Ramës për çarqe minjsh

Nënkryetari i LSI-së, Rama, ka sulmuar kryeministrin Rama lidhur me qëndrimin e tij ndaj artistëve të Teatrit Kombëtar. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se mungesa e transparencës ka provokuar një zinxhir reagimi qytetar, më i fundit ai i aktorëve dhe punonjësve të Teatrit Kombëtar, i lënë qëllimisht të rrënohet e degradohet. ‘Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, lufta, përçmimi e fyerja që ju bëhet artistëve, është shfaqja më alarmante e obskurantizmit qeveritar. Teatri nuk është vetëm i artistëve, më së pari, ai është i qytetarëve, ndaj mbrojtja e teatrit është përgjegjësi qytetare. Ndërsa transparenca e dialogu me artistët është detyrim i qeverisë. Nuk ka se pse çuditemi me këtë që po ndodh. Sepse e dimë mirë se, ç’mungesë konsiderate, ç’fyerje poshtëruese kanë dalë përgjatë dy dekadave nga goja e lidershipit të sotëm. Janë përdorur të gjitha mjetet për ta përballur këtë inkuizicion: dialogu, protesta, kundërshtimi. Por pa asnjë efekt. Ka një qëndrim konstant lidershipi i sotëm ndaj të gjitha institucioneve të kulturës, arsimit, dijes, shkencës, informimit. Më tej në fjalën e tij, Rama u shpreh se kryeministri ka përbaltur të gjitha institucionet në vend, duke thënë se kjo është politikë qeverisëse dhe kompleks i kryeministrit, që tregon obskurantizmin e qeverisjes.

‘Dje, Akademia e Shkencave etiketohej agjenci funerelesh e më parë institucionet e informimit publik e mediatik cilësoheshin kazan, sot universitetet janë vrima e fundit e kavallit. Sot, universitetet janë vrima e fundit e kavallit e nesër teatri është një gërmadhë e së shkuarës. Nuk ka mbetur institucion pa e përbaltur. A është kjo politikë qeverisëse apo kompleks i kreut të saj? Askund tjetër më mirë se sa përballë kulturës, punëtorëve dhe institucioneve të saj nuk del më në pah obskurantizmi i kësaj qeverie, e cila nuk mbërrin dot as deri tek sllogani komunist i qeverisë së 1946-ës “më shumë bukë – më shumë kulturë për popullin’. Në fund, Rama tha se teatri i lojërave politike, një teatër çarqesh për minj nuk i nevojitej askujt. ‘Ne kemi nevojë për çdo formë teatri. Ka vetëm një teatër që padyshim nuk i nevojitet askujt – e kam fjalën për teatrin e lojërave politike, një teatër qarqesh për minj, një teatër politikanësh, një teatër i pabukë politik. Ajo që padyshim nuk na nevojitet është një teatër terrori i përditshëm – individual apo kolektiv’.

Albana Vokshi: Ligji për Arsimin ka dështuar

Deputetja e PD Albana Vokshi, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me vendimet e miratuara dite me pare ne Komisionin e Ligjeve per heqjen e kompetences se Presidentit per te propozuar kryetarin e ILDKP.

Albana Vokshi, deputetja demokrate deklaroi dje në Kuvend se Ligji për Arsimin e Lartë ka dështuar. Deputetja Vokshi, njëkohësisht edhe kryetare e Komisionit parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit rrëfeu statistikat që ministrja e Arsimit u ka dërguar lidhur me aktet nënligjore të miratuara dhe të pamiratuara. ‘Ka treguar edhe listën e akteve nënligjore, 27 që duhet të miratoheshin, numri i të miratuarave 18. Pra, kemi 9 akte të pamiratuara. Udhëzime të ministrit janë miratuar vetëm 6, tha Vokshi. Vokshi u shpreh se, ka gati 3 vite që një pjesë e mirë e këtij ligji nuk zbatohet, duke e quajtur një ligj klientelist. “I miratuar në protestë nga stafi akademik sot po tregon që ka dështuar! Dhe kjo pranohet nga vetë ministrja. Atëherë kush është përgjegjëse?! Është vetëm një: ministrja Nikolla që drejton Ministrinë e Arsimit!’, theksoi deputetja. Sipas Vokshit, Rama është i nervozuar, sepse është i ndërgjegjshëm që fundi do t’i vijë prej ligjit. ‘Po ç’ka kryeministri atëherë që është i nervozuar?! Pse sulmon, fyen, përçmon mësuesit, pedagogët, akademikët, artistët?! Pse kërcënon me bukën e gojës apo me ‘koka të prera’ të vëna si trofe në tepsinë e pushtetit të tij?! Sepse Edi Rama e di që fundi do t’i vijë pikërisht prej ligjit! Dhe nëse hapen negociatat, të cilat urojmë të hapen sa më parë, Brukseli do të shtrëngojë darët e llogaridhënies në Tiranë! Nuk ka më shanse diplomatike të livadhisë në ekrane e të mbajë më shumë se tre vite fshehur kanabizimin e Shqipërisë, nuk mund të mbajë më të fshehur as ministrat e tij trafikantë apo të fusë në Parlament tutorë vajzash apo trafikantë fëmijësh, deklaroi nga foltorja deputetja demokrate.

Gabriel në Kosovë: Serbia duhet ta njohë Kosovën

Kosovën e vizituan dje dhe sot ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Porositë për autoritetet kosovare ishin shumë të qarta.
Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel përshëndeti pas takimit me kryeministrin Ramush Haradinaj “vullnetin e Kosovës për të zgjidhur çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi”. Gabriel nënvizoi se, “Gjermania është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe është krenare me të gjitha të arriturat e deritanishme në këtë vend”. Ai shfrytëzoi këtë vizitë për të uruar popullin e Kosovës për 10-vjetorin e pavarësisë. Por shefi i diplomacisë gjermane nënvizoi se, “Kosova edhe më tej gjendet para sfidave të mëdha”.
“Gjermania dëshiron të mbetet edhe në të ardhmen një partner i qëndrueshëm, jo vetëm në sferën politike, por edhe ekonomike. Shpresojmë që Kosova ta arrijë një stabilitet ekonomik dhe politik, sepse qytetarët e kanë merituar këtë”, theksoi Gabriel, pas takimit me kryeministrin Haradinaj në Prishtinë.

Sfidat, gjykata dhe demarkacioni
Ministri i Jashtëm gjerman Gabriel tha se, Kosova duhet të përballet me “sfidat si zbatimi i ligjit, kryerja e reformave dhe gjykatat e pavarura”. Ndërkohë që Gjermania, sipas tij do të vazhdojë të angazhohet që Kosova edhe më tej të përgatitet për t’u përballur me çështjet jo të këndshme. “Një nga to janë edhe Dhomat e Specializuara, të cilat do të trajtojnë krimet e mundshme të luftës”, nënvizoi Gabriel. Ai u shpreh “i lumtur me gatishmërinë dhe vullnetin e palës kosovare për të zgjidhur edhe çështja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. E mbështesim këtë, sepse është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ky kriter të plotësohet dhe të ketë liberalizim të vizave”, theksoi Gabriel, i cili Kosovën e vizitoi pas qëndrimit në Beograd dhe takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Gabriel tha se, Serbia duhet t’i plotësojë kushtet për anëtarësim në BE, nëse dëshiron të vazhdojë këtë rrugë. E një prej këtyre kushteve është normalizimi i raporteve me Kosovën dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

Serbia duhet ta njohë Kosovën
“Nëse Serbia do të vazhdojë rrugën e integrimit në BE, sundimi i ligjit është prioriteti i parë. Por natyrisht edhe pranimi i pavarësisë së Kosovës”, theksoi Gabriel. “Kjo është kërkesa qendrore në rrugën drejt Evropës”.
Gabriel premtoi vazhdimin e mbështetjes së Gjermanisë në rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE. Gabriel është takuar në Prishtinë edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Por takimi është mbajtur me dyer të mbyllura dhe nuk ka pasur prononcime për opinion. Më pas, Gabriel ka vizituar edhe Mitrovicën e Veriut, ku është njoftuar me gjendjen në Veri dhe tendosjet e fundit, në veçanti pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Demarkacioni tema kryesore në takimet me Markoviqin
Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq deklaroi në një konferencë të përbashkët për media me homologun Ramush Haradinajn “demarkacioni për palën malazeze ka përfunduar në momentin që u ratifikua në Kuvendin e Malit të Zi”. Por si një fqinj i mirë, Markoviq thotë se, Mali i Zi dëshiron ta ndihmojë Kosovën. Markoviq ka thënë se, Mali i Zi ka përfunduar obligimin lidhur me këtë çështje. Por, Mali i Zi do të ketë fqinjësi dhe miqësi të shëndoshë me Kosovën, me të cilën nuk ka probleme. Çështja e demarkacionit nuk është problem, por vetëm një çështje e hapur, tha Markoviq, i cili shpreson se në të ardhmen të gjenden përgjigje adekuate për zgjidhjen e të gjitha çëshjeve të hapura. Markoviq premtoi se, Mali i Zi do ta ndihmojë Kosovën në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Edhe kryeministri Ramush Haradinaj tha se ekziston një vullnet i përbashkët në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, që të gjendet një zgjidhje për demarkacionin. “Duke pasur parasysh zhvillimet e mëhershme, jam i bindur se do të gjendet kjo zgjidhje”, tha shkurtimisht Haradinaj. Por Markoviq dhe Haradinaj nuk folën për afatet deri kur eventualisht mund të zgjidhet ky problem, i cili ndërlidhet me heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës.