Henrikh Mkhitaryan ka thënë se shoku i tij i skuadrës tek Arsenal, Mesut Ozil, “është një nga më të mirët në botë” dhe ka shtuar se numri 10-të i londinezëve “është më i miri në pozicionin e tij”.
Ozil konsiderohet si një nga fantazistët më të mirë të historisë së Arsenal, edhe pse Mkhitaryan ka dhënë një asist më shumë se ai në këtë sezon të Premier League.
“Të gjithë e dinë se Mesut është një nga lojtarët më të mirë në botë. Është një kënaqësi të luash në krah të tij sepse ai e kupton shumë mirë ndeshjen e futbollit, ka një vizion të jashtëzakonshëm dhe është më i miri në pozicionin e tij”, ka thënë armeni. Mkhitaryan është bashkuar me Aubameyang te Arsenal: “E njoh shumë mirë atë, është një nga shokët e tij më të mirë. Jam shumë i lumtur që e i kam në ekip dhe mendoj se ai do t’i gëzojë shumë tifozët. Adhuroj të luaj me të”.
Mkhitaryan: Ai është numri 10 më i mirë
Hazard kërkon shtëpi në Madrid!
Sulmuesi i Chelsea, Eden Hazard, po kërkon një shtëpi në Madrid, duke treguar se mund të transferohet te Real gjatë merkatos së verës, bën të ditur “Don Balon”. Lajmi se sulmuesi i kombëtares belge është përfolur disa herë për një kalim rekord te “Los Blancos” përreth 200 milionë euro, sidomos pas lajkave që i ka bërë trajneri Zinedine Zidane. Hazard do të priste me kënaqësi kalimin në “Bernabeu” si një mundësi më shumë për t’iu afruar objektivit të tij për të fituar “Topin e Artë”.
Flitet se kalimi i Hazard te Real do të pasohet me kalimin e Marco Asensio te Chelsea, si pjesë e marrëveshjes. “Don Balon” ka shkruar se njerëz shumë pranë Hazard kanë kontaktuar një agjenci të specializuar për të gjetur një shtëpi në Madrid. Klubet nuk e kanë zyrtarizuar nisjen e bisedimeve për në Londër, qarkullojnë prej kohësh thashethemet se Hazard i ka kërkuar pronarit të Chelsea, Roman Abramoviç, largimin nga Chelsea dhe nëse Real Madrid ofron rreth 200 milionë euro plus Asensio, askush nuk mund ta pengojë marrëveshjen.
Kevin de Bruyne është futbollisti më i mirë në Premier League për momentin. Ky është mendimi i shokut të tij te kombëtarja e Belgjikës, futbollisti i Chelsea, Eden Hazard. Mesfushori i Manchester City po shkëlqen në drejtimin e Guardiola, ashtu si e gjithë skuadra që kryeson kampionatin me 16 pikë avantazh ndaj Manchester United. De Bryne ka shënuar shtatë gola dhe ka dhënë 14 asiste në 27 ndeshje të luajtura me Manchester City në të gjitha veprimtaritë.
De Bruyne u shit nga Chelsea te Wolfsburg për 25 milionë euro, në janar 2014, pasi nuk arriti të gjejë një vend në formacion, por Hazard mendon se aktualisht ai po shkëlqen në skemat e Guardiola-s. “Kevin për momentin është futbollisti më i mirë në Premier League dhe nuk kam asnjë dyshim për këtë. Momentalisht, City është skuadra më e mirë dhe De Bruyne është shumë i rëndësishëm për sistemin e lojës së aplikuar nga Guardiola. Personalisht e kam kënaqësi të luaj me Kevin, sepse është një futbollist i jashtëzakonshëm”.
Biglia gëzon tifozët e Inter
Lucas Biglia, mesfushori i Milan, ka folur për “Fox Sports Radio” për Lautaro Martinez, blerja e ardhshme e Inter-it: “Ai mund të jetë titullar me Argjentinën, ka shumë cilësi. Shihet menjëherë që është një djalosh shumë i qetë dhe i përqendruar. Duket se Inter e ka blerë, flitet shumë mirë për të”.
Ndërkohë, Biglia dhe Milan do të kthehen në fushë pasditen e sotme. Kuqezinjtë do të luajnë në transfertë kundër ekipit bullgar të Ludogorets, në një ndeshje që do të jetë e vlefshme për 1/16-at e Europa League, një kompeticion që Milan nuk e ka fituar kurrë.
Gabigol dërgon një mesazh për Interin
Gabriel “Gabigol” Barbosa ka shprehur pakënaqësinë e tij me Inter-in sepse “ata nuk më dhanë asnjë mundësi”. Sulmuesi i kushtoi 29,5 milionë euro zikaltërve, të cilët e morën nga Santos, por nuk arriti të përshtatej me futbollin italian. Pas gjashtë muajve huazim te Benfica, ku kaloi një situatë të ngjashme, ai u kthyer te klubi brazilian.
“Jam kthyer të jem i lumtur dhe të luaj”, ka thënë 21-vjeçari. “Kjo është gjëja më e rëndësishme për çdo lojtar. Nuk ka qenë kështu më parë. Kur shkova tek Inter, trajneri foli me mua, por pati shumë ndryshime në drejtim të skuadrës brenda një kohe të shkurtër. Klubi nuk po kalonte një moment të mirë dhe vendosi t’i besonte lojtarëve me eksperiencë. Unë e kuptova këtë”.
“Ata nuk më dhanë kurrë asnjë mundësi, as pesë ndeshje radhazi për të parë nëse isha me të vërtetë gati. Nuk e pata kurrë atë vazhdimësi dhe kjo më ka bërë të ndihem keq sepse nuk pata mundësinë të bëja atë që doja më shumë në botë: të luaja futboll”.
PSG me këmbë në tokë
Real Madrid rikthehet frikshëm në Champions League duke mundur PSG me rezultatin 3-1. Ishte një ndeshje spektakolare në “Bernabeu” dhe në fund të takimit ishin Los Blancos që dolën fitimtarë falë dy golave të Ronaldo-s dhe rrjetës së Marcelo-s. Cristiano ka shënuar golin e 100-të me Real në Champions League, më shumë se çdokush tjetër.
Që nga minuta e parë vendasit hidhen në sulm duke ushtruar një presion mbytës ndaj kundërshtarëve falë edhe mbështetjes së tifozëve të zjarrtë. Por me kalimin e minutave PSG arrin të futet në lojë duke u munduar të përballojë sa më mirë kundërshtarin. Loja ka ritëm të lartë, por mundësia e parë për gol vjen nga gjysma e pjesës së parë me Ronaldon, i cili ka dy mundësi radhazi, por tregohet i pasaktë.
Në krahun tjetër Neymar tenton më shumë nga të gjithë të depërtojë në mbrojtjen e Realit, por goli erdhi nga këmbët e Mbappe nga e djathta. Francezi fut një top të bukur në zonë që devijohet nga Nacho përpara se të shkojë në këmbët e Rabiot, i cili godet bukur duke kaluar të tijtë në avantazh.
Por PSG nuk e gëzon shumë avantazhin pasi Ronaldo barazon gjithçka nga pika e bardhë e penalltisë pak përpara fundit të pjesës së parë. Pas pushimit ritmi bie dhe skuadrat janë më të kujdesshme. PSG arrin të krijojë një epërsi të vogël dhe krijon disa mundësi shënimi, por pasimi i fundit është i pasaktë nga vizitorët.
Dhe në fund të takimit kur dukej sikur barazimi do të ishte rezultati më i drejtë, ishin Ronaldo dhe Marcelo ata që përmbysin rezultatin falë dy golave që më shumë meritë kishte portieri kundërshtar sesa ata.
Cristiano Ronaldo, autor i dy golave, ka thënë pas ndeshjes: “Është gjithmonë e veçantë kur ti shënon dhe ekipi fiton ndeshjen. Kam qenë më i miri në fushë në këtë ndeshje, kam ndihmuar skuadrën të fitojë duke shënuar dy gola”.
Pavarësisht avantazhit të dy golave, Ronaldo nuk beson se kualifikimi është i sigurt: “Asgjë nuk ka mbaruar akoma. Duhet të shkojmë në Paris të provojmë të fitojmë dhe të sigurojmë kualifikimin”.
Kapiteni flet pas betejës. Sergio Ramos ka theksuar punën e mirë të ekipit dhe i dërgoi një mesazh Europës: “Real Madridin nuk mund ta merrni kurrë për të vdekur”. Në lidhje me fitoren 3-1 ndaj PSG, Ramos shtoi: “Një sukses i rëndësishëm dhe premtues për kthimin. Sidoqoftë, duhet të përgatitemi me seriozitet dhe të mbrojmë kurorën e kampionëve në Europë. Çdo gabim në këtë kompeticion mund të të lërë jashtë. Në Paris duhet të ruajmë përqendrimin maksimal. Ne kemi hedhur një hap të rëndësishëm, por kualifikimi është i hapur. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë”.
Dokumentet, sa do të dënohet shpifësi Balla
Shkëlzen Berisha ka paditur në gjykatë deputetin socialist Taulant Balla me akuzën e shpifjes, pas akuzave të bëra nga ky i fundit se djali i ish-Kryeministrit nuk ka paguar taksat. Sot u bë përballja në gjykatë, ndërsa Shkëlzen Berisha paraqiti dokumente që provojnë pagesat e taksave.
Dokumentet e dala nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, me anë të të cilave Shkëlzen Berisha vërteton pagesat e kryera përgjatë viteve 2009-2010. Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha nxori edhe disa dokumente që tregonte se ka paguar 50 milionë lekë për dy vite, ndryshe nga sa pretendon deputeti Balla, i cili e akuzon se i është shmangur taksave e detyrimeve përgjatë viteve 2008, 2009 dhe 2010.
Referuar dokumenteve të Tatimeve, provohet se Shkëlzen Berisha ka paguar taksat. Përmes dokumentit në fjalë provohet se pretendimet apo akuzat e deputetit socialist janë shpifje.
Neymar: S’kemi pjekuri, duhet ta pranojmë këtë
Braziliani Neymar tha pas humbjes 3-1 të PSG-së në “Bernabeu”, kundër Real Madridit, se “asgjë nuk është vendosur” dhe se kualifikimi do të zgjidhet në Paris, ku ai shpreson për të përmbysur gjithçka. Neymar u shfaq disa sekonda në zonën e përzier, para mediave, me një fytyrë shumë serioze dhe pa dëshirë për të folur. “Asgjë nuk është vendosur, është edhe ndeshja e dytë”, tha ai. I pyetur nëse do të mbërrijë te Real Madridi në të ardhmen, braziliani u përqendrua në klubin e tij të tanishëm: “Unë kam një kontratë me PSG-në, tani jam i përqendruar te klubi im dhe jam i lumtur”.
Lojtari i PSG-së beson në përmbysjen. “Unë mendoj se ne mëkatojmë në kohë, nuk treguam qetësi dhe maturi për të luajtur në gjysmën e dytë të pjesës së dytë. Skuadra nuk kishte ndonjë gjë tjetër dhe duhej ta pranonte atë. Nuk luajtëm një lojë të keqe, por duhet të përmirësohemi, nëse duam të kthehemi. Është e vështirë, por nuk është e pamundur. Vitin e kaluar kishim një situatë më të vështirë për të kaluar”, tha Neymar.
Al-Khelaifi i vë vulën: Neymar, me 100 për qind qëndron te PSG-ja
Nasser al-Khelaifi këmbënguli se Neymar do të jetë “100 për qind” një lojtar i PSG-së edhe sezonin e ardhshëm. Presidenti i klubit parisien hodhi kështu poshtë spekulimet në rritje për një lëvizje të mundshme të brazilianit te Real Madridit. E bëri këtë gjë pikërisht pas humbjes 3-1 të të tijve në “Bernabeu”, në kuadrin e Ligës së Kampioneve. Neymar iu bashkua PSG-së nga Barcelona gushtin e kaluar, pasi gjigantët francezë aktivizuan klauzolën e lirimit prej 222 milionë eurosh, por ylli i Brazilit tashmë është lidhur me një kalim sensacional në kryeqytetin spanjoll. 26-vjeçari luajti kundër mbajtësve të Ligës së Kampioneve, të mërkurën, por skuadra e tij u rrëzua me një humbje 3-1 të ndeshjes së parë të 1/8 finale të Champions-it. Duke iu drejtuar raporteve të vazhdueshme, pas ndeshjes, Al-Khelaifi tha për “beIN SPORTS”: “Sigurisht, me 100 për qind, Neymar do të jetë lojtar i PSG-së edhe vitin e ardhshëm”. Al-Khelaifi ndjeu se rezultati ishte i padrejtë për PSG-në, duke theksuar gjykimin e kryesorit italian, Gianluca Rocchi. “Rezultati nuk ishte i drejtë, ne luajtëm më mirë në pjesën e dytë dhe patëm shanse për të shënuar, shtoi ai. Mendoj se arbitri i ndihmoi Real Madridit. Megjithatë, do të jetë shumë e vështirë për Real Madridin në Paris”.
Liverpuli drejt kualifikimit
Steven Gerrard u largua i impresionuar nga Mohamed Salah i Liverpul, pas “momentit magjik” të tij kundër Portos, por nuk mendon se është mjaft e drejtë ta krahasojmë atë me Lionel Messin. Liverpul luajti rol të rëndësishëm në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, duke fituar 5-0. Gerrard mendon se Porto thjesht u mposht nga sulmi i Premier League. “Liverpul ka pasur shumë agresion ndaj Portos. Lojtarët e Klopp dukej sikur mund të shënonin çdo herë që shkonin përpara, tha Gerrard për ‘BT Sport’. Dhe ne kemi parë një moment magjie nga Salah. Sidoqoftë, nuk është e drejtë për ta krahasuar atë me Messin”. Fitorja e së mërkurës mungonte prej një kohe të gjatë për Liverpul, i cili nuk kishte qenë në raundet me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve që nga sezoni 2008-2009, kur Gerrard ishte anëtar kryesor i “Reds”. Goli i Salah ishte i 30-ti i tij në të gjitha garat, këtë sezon. Vetëm Harry Kane ka më shumë gola në pesë ligat kryesore europiane se Salah, në këtë edicion.
Liverpul prek me njërën dorë çerekfinalen e Champions League, pasi ka fituar 5-0 në “Dragao” ndaj Porto, një rezultat që e bën ndeshjen e kthimit në “Anfield Road” thjesht një formalitet për ekipin e drejtuar nga Jurgen Klopp. Në mesin e pjesës së parë, Saido Mane realizoi golin e avantazhit për miqtë, duke përfituar edhe nga një reagim i dobët i portierit vendas Jose Sa.
Katër minuta pas golit të parë, Liverpul gjeti të dytin me anë të Mohamed Salah, i cili tregoi momentin e jashtëzakonshëm të formës që po kalon duke shënuar me gjakftohtësi pas një “palexho” të topit me katër kohë. Ky ishte goli numër 30 i Salah për Liverpul në të gjitha veprimtaritë, vetëm 1 gol larg rekordit të Luis Suarez me 31 gola në sezonin 2013/14. Pjesa e dytë vazhdoi me të njëjtën tablo si e para…
Porto u shfaq shumë e dobët për të reaguar ndaj “të kuqve”, ndërsa Liverpul gjeti edhe golin e tretë, sërish me anë të Saido Mane, që tundi rrjetën duke shënuar golin e tretë. Kur kishin mbetur 20 minuta lojë Firmino kompletoi “pokerin” e britanikëve, ndërsa goli i pestë mban sërish firmën e Mane, autor i një “triplete” që vulosi fatet e ndeshjes dhe të kualifikimit.
Pas City, që fitoi 4-0 të martën në fushën e Bazel, Liverpul është një tjetër skuadër nga Premier League që “blindon” kualifikimin që në ndeshjen e parë. Skuadra e Jurgen Klopp ka shënuar 28 gola në këtë edicion të Champions Leauge, më shumë se kushdo tjetër.
Reagon klubi i Skënderbeut: Nuk jemi dënuar nga UEFA, ja e vërteta
Duke marrë shkas nga lajmet më të fundit të publikuara sot në mediat sportive mbi ekzistencën e vendimit të UEFA-s për dënimin e klubit të Skënderbeut, Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ dëshiron te informoje opinionin publik, se nuk ka aktualisht ndonjë vendim të trupave gjykuese, disiplinore të UEFA-s për klubin e Skënderbeut.
Shpjegojmë se dokumenti i publikuar nuk është aspak vendimi përfundimtar, por kërkesa për gjykim e inspektorëve të disiplinës së UEFA-s, drejtuar trupës së apelit, të komisionit të disiplinës dhe etikës në UEFA. Duam të qartësojmë se ky është një apelim i inspektorëve ndaj vendimit të marrë pothuajse dy vite me parë ndaj Skënderbeut në bazë të nenit 34(3) të statutit të UEFA-s dhe jo një çështje e re kundër klubit.
Kjo procedurë është konform nenit 29/3 të kodit të disiplinës së UEFA-s, gjithashtu ju bëjmë me dije se kemi të bëjmë me një çeshtje disiplinore në proces për të cilën nuk është caktuar ende një seancë dëgjimore.
KF Skënderbeu është njohur me kohë me këtë akuzë të inspektorëve të disiplinës.
Sektori juridik i KF Skënderbeu po ndjek proçedurat e nevojshme juridike për çështjen në fjalë dhe shprehim sigurinë tonë që çështja do të mbyllet me sukses.
Faleminderit për mirëkuptimin!
Zyra për shtyp
KF Skënderbeu