Një burrë rreth 50 vjeç është vrarë me armë me silenciator mbrëmjen e djeshme në qendër të Tiranës. Trupi i viktimës është gjetur nga qytetarët në trotuarin e rrugës “Nikolla Tupe” në zonën e ish-Bllokut i mbuluar nga gjaku. Dyshohet që ky person të jetë vrarë me silenciator. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe pritet të japë detaje të reja në vijim.
Policia ka shkuar në vendngjarje ka konstatuar shenja plumbash dhe gjaku në trupin e viktimës. Dyshohet se atentatorët kanë qëlluar nga një makinë tip ‘BMË’ e zezë, ndërsa më pas janë larguar. Policia nuk ka mundur të zbulojë autorët e krimit.
Krimi bën ligjin në të gjithë vendin, ndërsa policia është e pafatë të vendosë rendin. Vetëm ditën e djeshme ndodhën dy grabitje me maska. Një banesë në Kuçovë, ku jetojnë një çift të moshuarish, ka rënë pre e një grabitje orët e para të mëngjesit. Nën kërcënimin e thikës, ata kanë marrë një shumë monetare, që sipas kallëzimit në komisariat të M.K., janë rreth 300 mijë lekë. I moshuari ka thënë në dëshminë e tij se janë kërcënuar me jetë për t’i dhënë paratë që kishte në banesë.
Ndërkohë, në katër minuta u grabitën dy kasaforta, në orët e para të mëngjesit në Rrëshen. Zyrat postare në qytetin e Rrëshenit janë grabitur në orët e para të ditës së djeshme rreth orës 04:00. Pavarësisht se rojet e sigurisë kanë mbërritur shumë shpejt, nga zyrat janë marrë dy kasaforta që janë ngarkuar në një automjet nga katër grabitës. Policia në asnjë rast nuk ka mundur të arrestojë autorët.
Ekzekutohet me armë një person në mes të Tiranës
21-vjeçarja vdes në derën e spitalit, familjarët akuzojnë mjekët
Një 21-vjeçare ka ndërruar jetë në derë të Spitalit të Fierit ditën e hënë, ku sipas familjarëve ishte paraqitur tre herë në harkun e pak orëve me shqetësime të theksuara shëndetësore, por është trajtuar si e prekur nga virozat. Viktima është Xhuljeta Gjeka, nga fshati Mujalli i Fierit.
Xhuljeta Xheka është paraqitur në spital me temperaturë të ulët, ndërsa mjekët e Fierit kanë dyshuar se ishte prekur nga ndonjë virozë e stinës.
Vajzës i është bërë një serum e më pas është përcjellë drejt banesës, por gjendja e saj ka ardhur dhe është përkeqësuar. Familjarët e kanë nisur sërish drejt spitalit, por për të renë ka qenë tepër vonë. Ndërsa familjarët kanë ngritur akuza të rënda për mjekët, pritet që autopsia të nxjerrë edhe shkaqet e vdekjes së papritur të vajzës së re. Për rastin në fjalë, Policia e Fierit është shprehur se vdekja e së resë ka ardhur për shkaqe natyrale.
Pilo dhe Altin Gjeka, gjyshi dhe babai i vajzës, tregojnë se herën e parë e kanë dërguar vajzën në spital me temperaturë të ulët të dielën, por mjekët e kanë lejuar të largohet drejt banesës, pasi i kanë bërë një serum. Por gjendja e 21-vjeçares është përkeqësuar në vijim dhe ajo është dërguar sërish drejt Spitalit të Fierit, por këtë herë ka qenë vonë.
Gjyshi i 21-vjeçares:Në orën 3:30 na dha recetë mora dhe ilaçet erdha në shtëpi, çështje gripale më thanë. E mbajtëm çupën me të ngrohta në orën 3 të natës vetë në spital. Këtu ishte më e keqja. Çupa mua më ka vdekur tek porta e spitalit, sepse nuk doli një njeri të më sillte një barelë. Kam bërtitur “o maskarenj” ndofta gabova, më ra çupa nga duart.
Por ndërsa familja Gjeka hedh akuza të forta për neglizhencë ndaj mjekëve të urgjencësës, kartelat e trajtimit të vajzës po verifikohet nga një grup pune nga Spitali Rajonal i Fierit dhe Prokuroria lokale.
Babai i 21-vjeçares: Vajza ime ka ikur nga doktorët vëlla, nga neglizhenca e doktorëve.
Drejtorja e Spitalit të Fierit, Nevila Shuke, tha se krahas verifikimeve të procedurës së ndjekur, do të pritet ekspertiza për shkakun e vdekjes së 21-vjeçares.
Por ndërsa ekspertiza Mjekoligjore dhe Prokuroria ende nuk e kanë thënë fjalën e tyre, Policia e Fierit në një njoftim paraprak për vdekjen e të resë flet për shkaqe natyrale. Ora News u interesua për rastin edhe në Ministrinë e Shëndetësisë ku na thanë se do të priten rezultatet e verifikimit për trajtimin e rastit.
“Lekët ose iu therëm”, grabitet me maska dhe thika banesa
Një banesë në Kuçovë, ku jetojnë një çift të moshuarish, ka rënë pre e një grabitje orët e para të mëngjesit. Sipas një rindërtimi paraprak të ngjarjes nga policia lokale, gjatë natës, dy persona të maskuar kanë hyrë në banesën private të M.K. nga një dritare. Nën kërcënimin e thikës, ata kanë marrë një shumë monetare, që sipas kallëzimit në komisariat të M.K., janë rreth 30.000 lekë (të reja).
I moshuari ka thënë në dëshminë e tij se janë kërcënuar me jetë për t’i dhënë paratë që kishte në banesë. Burime thanë se deri më tani, policia ka shoqëruar 6 persona në ambientet e komisariatit për t’u pyetur lidhur me ngjarjen. Po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, njofton zyrtarisht Policia.
Ndërkohë, në katër minuta grabiten dy kasaforta, të cilat në orët e para të mëngjesit janë gjetur në afërsi të Milotit. Zyrat postare në qytetin e Rrëshenit janë grabitur në orët e para të ditës së djeshme rreth orës 04:00. Pavarësisht se rojet e sigurisë kanë mbërritur shumë shpejt, nga zyrat janë marrë dy kasaforta që janë ngarkuar në një automjet nga katër grabitës.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë rezulton se grabitja ka zgjatur rreth 4-5 minuta. Grabitësit kanë shtrembëruar kamerën e jashtme të sigurisë, ndërsa kanë përdorur mjete të forta për të hyrë në ambientet e postës dhe prej aty kanë marrë dy kasaforta të lëvizshme. Brenda tyre nuk ka pasur vlera parash. Grabitësit i kanë hedhur kasafortat në afërsi të Milotit, pasi kanë parë që nuk u vlejnë dhe mund të identifikoheshin.
105 kg drogë në makinë nga Shqipëria në Itali
Policia e qytetit të Bolonjës ka arrestuar shtetasin shqiptar Rinardi Haxhiaj 35 vjeç me akuzën e trafikut të drogës së tipit marijuanë. 35-vjeçari shqiptar u arrestua në flagrancë në automjetin e tij ku u gjetën rreth 105 kg marijuanë e konfeksionuar në pako. Në banesën e shqiptarit u sekuestruan rreth 5400 euro cash si dhe materiale që përdoren për konfeksionimin e drogës.
Arrestimi i shqiptarit është fryt i operacionit të disa ditëve më parë i koduar “Rexton”, i cili çoi në shkatërrimin e dy grupeve trafikantësh shqiptarë dhe marokenë që trafikonin drogë në rajonin e Emilia Romagnës, në Lazio e në qytetin e Bolognas.
Një tjetër operacion i suksesshëm i policisë italiane ka çuar në sekuestrimin e një sasie të madhe marijuane dhe në vënien nën pranga të një trafikanti shqiptar. Gjatë ditës së djeshme, policia italiane e qytetit të Riminit ka arrestuar një 52-vjeçar shqiptar me akuzën e trafikut të drogës.
Në makinën e tij u sekuestruan 65 kg marijuanë e konfeksionuar në 49 pako. Vlera e drogës do të sillte një përfitim prej 700 mijë euro. Shtetasi shqiptar banues prej vitesh në Rimini u ndalua pranë daljes së autostradës Rimini Sud. Ai ishte i skeduar më parë nga autoritetet italiane për veprën penale të trafikut të drogës.
Asqeriu-Kumbaros: Investoni zonja ministre, lëri fjalët. Nuk bëhet me pordhë por me lekë, Teatri po vdes
Debati i Bujar Asqeriut me ministren e Kulturës për Teatrin
Ktheje kokën nga teatri, pasi po vdes. Shikoni se çfarë ndodh me teatrot në rrethe, kanë vdekur. Kam shkuar në Shkodër, Fier, Sarandë dhe gjendja ka qenë skandaloze. E dini ju zonja ministre që në Fier, ujin për të larë fytyrën aktorët e merrnin nga një lokal afër me llastik? Më thoni ju zonja ministre pse studentët e talentuar që përfundojnë aktrimin nuk kthehen në rrethe? Sepse teatrot kanë vdekur”, iu drejtua Asqeriu ministres Kumbaro.
Në vijim aktori i madh, i tha Kumbaros se për 3 vjet del në pension dhe fanellën e tij mund ta varnin në Teatrin Kombëtar, por gjendja në të cilën ndodhet ai, është e turpshme.
“E dini ju zonja ministre që artistët lahen me ujë të ftohtë? E dini ju zonja ministre që nuk ka asnjë kusht? Investoni zonja ministre! Unë jam rritur jetim që 13 vjeç dhe e kam çarë vetë jetën, nuk kam frikë askënd, por më dhimbset gjendja në të cilën sot ndodhet Teatri Kombëtar”, i tha Asqeriu, Kumbaros.
Disa herë ministrja e Kulturës tentoi të hidhte batuta në drejtim të revoltës së shprehur nga Bujar Asqeriu, por aktori i njohur i tha: “unë jam ky që jam, jam i vërteti, po më pranuat mirë, nëse jo është çështja juaj”.
Grindjet në mort:
Bujar Asqeriu: Teatri ka vdekur dhe këta nuk duan. Le t’i bëjmë qejfin njëri-tjetrin, le të bëjmë teatrin. Në shfaqjet tona lahemi me ujë të ftohtë.
Tan Imami-Asqeriut: Ishte një banjo e prishur, u rregullua. Tani ti ça do më?
Asqeriu-Imamit: Ti je artist, nuk duhet të merresh me banjon. E kupton ku je? Lere zotëri..
Asqeriu-Kumbaros: Investoni zonja ministre, lëri fjalët. Nuk bëhet me pordhë por me lekë. Duhet të marrësh iniciativa dhe të mbrosh teatrin.
Bie pazari i Ramës me Greqinë, Manjani: Negociatat për detin do ti drejtojë Presidenti, jo qeveria
Ylli Manjani në profilin e tij në Facebook ka reaguar në lidhje me negociatat që po bën qeveria shqiptare me Greqinë.
Manjani në statusin e tij është shprehur: Ka një keqkuptim të madh me kërkesën e qeverisë për Plotfuqishmëri, që kërkon nga Presidenti i Republikës për të negocuar e nënshkruar marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë.
Statusi i plotë:
Një sqarim kushtetues.
Ka një keqkuptim të madh me kërkesën e qeverisë për Plotfuqishmëri, që kërkon nga Presidenti i Republikës për të negocuar e nënshkruar marrëveshjen e kufirit detar me Greqinë.
Sipas Gjykatës Kushtetuese me numër 15 i datës 15.04.2010, vendim i cili është pjesë e Kushtetutës, Presidenti në këtë rast nuk lëshon thjesht një autorizim dhe rri e pret!
Jo!
Presidenti i Republikës i drejton në themel negociatat, natyrisht nëpërmjet negociatorëve zyrtarë që Ai cakton! Padyshim edhe me negociatorë të propozua nga Qeveria!
Kërkohet të lidhet një marrëveshje ndërshtetërore me natyrë politike, ndaj Gjykata Kushtetuese, pra Kushtetuta, ka mandatuar Presidentin ta drejtojë këtë proces.
Pa dyshim Qeveria nuk përjashtohet, por ajo duhet thjesht në vihet në shërbim të negociatave që duhet të drejtohen nga kryetari i Shtetit.
Pra me pak fjalë, qeveria ska pse kërkon plotfuqishmëri, por të vihet në shërbim në ekipit negociator!
Kjo ështe qasja e duhur dhe korrekte me përcaktimet Kushtetuese.
Këtë sugjeron dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që u inicua nga Partia Socialiste që sot qeveris e vetme.
Shpresoj që kjo gjë tashmë të mos ketë debat…
Artistët e kanë kot
Frrok ÇUPI
Çfarë duan artistët në këtë revoltë të ditës?
E para, duan bukën e gojës. Njëri prej më të njohurve të skenës së filmit tha sot gjatë revoltës, se paga e një artisti është më e vogël se e një punëtori në ministri. Artistët shfaqen ‘për turpin’ tonë; vishen keq, blejnë o te Gabi o njerëzit e tyre marrin në kishat e Italisë; trashen sepse ushqehen keq dhe pinë alkool të dorës së fundit; firojnë, sepse ndjehen në nxitim për të mbyllur jetën dhe jo për të lexuar libra. Vetëm një artiste shqiptare ka mbetur ‘Mbretëreshë’ e vetvetes dhe jona, që nga krenaria, nga kultura, nga shfaqja dhe nga arti. Por nuk ka të dytë si Tinka Kurti.
E dyta, duan të kenë qendër teatrale. Një seli të Teatrit Kombëtar që më parë e kishte nofkën ‘Popullor’ (njësoj si Fronti Popullor, Drejtësia Popullore, Republika Popullore…), edhe atë e kishte ndërtuar ushtria e Duçes së Italisë në orët kur donte të argëtonte infermieret e garnizoneve të veta. Por edhe kjo ka ‘hije’ të mirë për të ndërtuar një pallat të lartë me qëllim që një zyrtar shumë i lartë i shtetit të pasurohet edhe më shumë. Gjithë bota moderne e ka policentruar Teatrin; në çdo lagje të qytetit ke një teatër. Këtu edhe godinën e Duçes duan t’a lënë të vetme dhe ta çojnë në një skërkë.
E treta, duan dinjitet. Dinjitetin artistët, në fakt, nuk e mbajnë për vete, por e ndajnë me shoqërinë. Për shembull, sa më dinjitoz të jetë arti i një vendi, aq më e lartësuar është shoqëria. Jemi i vetmi komb mes kombeve ballkanikë, që akoma nuk kemi një ‘Nobelist’. As kemi për ta pasur kurrë. Sapo u përmendën emri i Fishtës dhe i Kadaresë si kandidatë, u desh të tërhiqeshin; njërin e gjuajtën me gurë si ‘anti-kombëtar’ dhe tjetrin si ‘spiun’.
Artistët duan…, por më parë duan të duken para publikut, ose para ‘popullit’. Ashtu e kanë produktin këto specie: Që duke u dukur, aty japin vlerë.
Artistët e kanë kot.
Një pjesë e tyre, sentimentalët dhe moralistët, e dinë se kjo që po iu bën shteti, është inat kundër tyre. Kjo nuk është e vërtetë. Kjo është kotësia e parë. Këta nuk i ka askush inat, sepse askush nuk i njeh. Shteti thjesht i ‘mbron’ nga inati dhe analiza e të tjerëve, i mbron duke i zhytur diku në një tryezë me raki dhe cigare. A keni dëgjuar që në vendin tonë të kenë ankesa për fenomenin ‘Weinstein’- producent hollivudian i akuzuar për ngacmime seksuale?… Jo. Ku ka takat një artist të merret me punë kaq të fisme sa djalli?! Ata shtyjnë jetën në errësirën ku i kanë futur.
Artistët e kanë kot kur thonë se, qeveria nuk iu kushton vëmendjen më të thjeshtë. Artistët, akademikët, intelektualët…, janë si foshnjë e një nëne që i ka harruar brenda në makinë dhe për vete ka hyrë në një music-club. Sa bebe janë asfiksuar në këtë mënyrë, një zot e di! Kujdestari ka punë të tjera, ose mendjen të tërbuar.
Ku e ka mendjen kujdestarja qeveri në këtë moment?
Duhet të japë llogari te George Soros, se si po e zbaton vijën e tij. (Artistët shqyhen duke thënë ‘llogari te populli!’… Po-po, në atë krah flini). Kohët e fundit po vërehet se, Soros po ul Ramën dhe po pompon Veliajn. Atëherë si do ta ketë qeveria mendjen te ‘foshnja në makinë”? Kujdestarja e ka mendjen te narkotikët… Direktiva e Soros ishte që të mbillet vetëm narkotikë, por të mos zbulohet- e para; t’u jepet në dorë liderëve të BE dhe të mos shkojë në duar bregdetarësh italianë; të mblidhen paratë dhe diçka t’u jepet edhe skllevërve, me qëllim që të ‘mos na e çajnë kokën”, dmth., padronit… Por edhe këtë nuk e bënë mirë këta këtu,dhe prandaj nuk mund ta kenë mendjen te artistët.
Kujdestari tani është në ‘tunel’, aty po paketon krimin e vet. Jo ‘po e paketon’ për ta hedhur në lumë; jo! Po e paketon për të gjetur mënyrën si do ta mbulojë… Ta mbulojë jo nga artistët, as nga ti e unë, as nga populli shqiptar…, por nga përplasja e madhe botërore. Bota ndodhet para një përplasje të afërt e të fuqishme. Në këtë suazë, këta kanë zgjedhur që ta mbulojnë krimin me një konflikt ballkanik, të nisur nga ndryshimi i kufijve. Po nisi lufta, atëherë krimi shpëtoi, por edhe këta mund të quhen heronj…
Ndërsa artistët mendojnë se, “kanë të drejta”. Kot!
Një datë për në Europë?
“Monitor”
Vendet e Ballkanit Perëndimor, mes tyre edhe Shqipëria, kishin hyrë në dyshime se, përparimi i tyre drejt Bashkimit Europian, ishte frenuar.
Kriza ekonomike, kriza e refugjatëve, fuqizimi i krahut të djathtë ekstrem për një Europë të mbyllur dhe kërcënimi rus i harxhuan energji Brukselit. Vendet e vogla të rajonit tonë,të paduruara me shpejtësinë e vogël të ecjes së procesit të integrimit, e përkthyen si pavendosmëri të BE-së.
Nga ana tjetër, qeverisjet e dobëta i frynë politikisht këto dyshime për të justifikuar paaftësinë për plotësimin e kritereve të brendshme. Në Shqipëri, qeveria luajti me kartën e kërcënimit rus dhe herë me kartën se BE po “shpik” kritere sipas koniunkturave, pa përcaktime të qarta.
Strategjia e Zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor është lajmi më i rëndësishëm për axhendën shqiptare. Megjithëse nuk udha një datë për ne siç u bë për Serbinë dhe Malin e Zi, ajo së pari dha një pozicion të qartë strategjik të BE-së ndaj zgjerimit, i cili kishte munguar prej vitesh. Së dyti, është Pro-ja më e madhe e konfirmuar për integrimin. Përfundimisht, të paktën në Shqipëri, për çdo qeverisje në të ardhmen, rrëzohet alibia se BE është e dyzuar në standarde,“se është e pavendosur se çfarë duhet të bëjë për integrimin”.
Megjithëse vendosja e një afati do të ishte e pëlqyeshme,u kuptua njëherë e mirë se,për Bashkimin Europian, deklarimi i një date është në rend të dytë. Në rend të parë, për Unioni,është rruga dhe qasja strategjike ndaj procesit. Ndaj, nëse vendi ynë kërkon një datë,duhet që elita politike ta ketë prioritet absolut pozicionimin e Shqipërisë sa më lart në listën që Europa do të përgatisë, për të qenë mundësisht të parët që të hyjmë kur të hapet dera.
Por, me gjithë se mesazhi i BE-së ishte kaq ndriçues për të gjithë ne, ai nuk mundi të iluminojë klasën politike. Ajo nuk doli nga bataku i zënkave banale, por shpiku gjithfarë arsyesh e lajmesh ordinere, për të eklipsuar rrugën që po na tregon BE-ja. Nuk pati asnjë akt dinjitoz politik për të treguar se, edhe pse nuk mund të mos jesh në lartësinë e BE-së, të paktën po mundohesh të ngrihesh.
Nga ana tjetër, kjo politikë nuk po arrin të ngrihet as në nivelin e popullit të vet. Shqiptarët janë qytetarët më proeuropianë se çdo ballkanas tjetër, që luhatet mes Lindjes dhe Perëndimit. Jemi pro europianë, jo vetëm nga sasia dhe cilësia e qëndrimit, por edhe koha. Shqiptarët kanë qenë përpara çdo vendi tjetër ballkanik në procesin e integrimit, por ka qenë klasa politike që, si dje, ashtu edhe sot, nuk po arrin ta kthejë këtë energji pozitive në model të sjelljes së saj politike, për t’i bërë gjërat të ecin më shpejt.
Me strategjinë e re,BE na konfirmoi udhën dhe destinacionin. Na tregoi se ka nevojë për ne,por se jemi ende të padobishëm edhe për ca kohë, deri sa politika ta kuptojë se lapsin për të qarkuar datën e ka ajo në dorë.
OSBE: Mediat në Shqipëri përballë rrezikut të lartë të vetëcensurës
Përfaqësuesi i OSBE për Lirinë e Medias, Harlem Desir, ka përcjellë mesazhe të forta për problemet e gazetarëve shqiptarë. Gjatë vizitë së tij në Shqipëri, zyrtari i lartë deklaroi se statusi ekonomik i gazetarëve mbetet një nga çështjet më të ngutshme në vend. Më tej, ai theksoi se mosekzistenca e kontratave të punës, vonesat në pagesën e rrogave dhe kontributeve shoqërore ngërthejnë një rrezik të lartë vetëcensure. Desir i bëri këto deklarata gjatë vizitës në Tiranë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, dhe kryetaren e zëvendëskryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, prej ku vuri theksin te rëndësia e promovimit të një peisazhi mediatik të fortë dhe pluralist, për cilësinë e informimit, respektimin e pavarësisë së gazetarëve, mbrojtjen e statusit ekonomik dhe social të gazetarëve, si dhe për reformën e transmetuesit publik RTSH. “Statusi ekonomik i gazetarëve mbetet një nga çështjet më të ngutshme në vend. Mosekzistenca e kontratave të punës dhe vonesat në pagesën e rrogave dhe kontributeve shoqërore ngërthejnë një rrezik të lartë vetëcensure”, tha Désir, duke theksuar nevojën për respektimin e të drejtave të punës të gazetarëve. Përfaqësuesi u takua edhe me kryetarin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Gentian Sala, Drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar (RTSH), Thoma Gëllçi, kryetarin e Këshillit Drejtues të RTSH-së, Kristaq Traja, si edhe me analistë të shumë të medias dhe gazetarë për të dëgjuar mendimet e tyre për çështjet aktuale dhe për bashkëpunimin e ardhshëm në degët e tyre përkatëse të skenës së medias në Shqipëri.
“Më vjen mirë për disa ndryshime pozitive në RTSH, gjatë viteve të fundit, si dokumenti i parimeve editoriale, statuti i ri dhe strategjia e zhvillimit. Megjithatë, ky vrull pozitiv duhet të përdoret për të përfunduar plotësisht ristrukturimin e transmetuesit publik dhe për të kapërcyer sfidat aktuale, përfshirë procesin e dixhitalizimit”, tha Désir. Në përfundim të vizitës së tij, Désir vlerësoi marrëdhënien shumë të mirë dhe konstruktive të autoriteteve shqiptare me Zyrën e tij dhe me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, si dhe ofroi ndihmën e tij për të mbështetur e përmirësuar më tej peizazhin mediatik në vend.
Tabaku: Në listat e KLP-KLGJ njerëz me dosje
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka folur për listat e kandidatëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në studion e “News24”, deputetja demokrate u ndal tek shqetësimet e përcjella nga PD gjatë takimit të dy ditëve më parë për Këshillin e Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE. Tabaku tha se në këtë takim u shtrua pyetja se pse nuk u morën në konsideratë sugjerimet e ONM për kandidatët për KLP dhe KLGJ. “Nuk ka pasur zëra nga opozita që kanë qenë kundër. Ne i bëmë pyetjen përfaqësuesve në takimin e Stabilizim-Asociimit, se përse nuk u morën në konsideratë sugjerimet e ONM. Në listën finale të kandidatëve kanë qenë persona që kanë hetuar gjatë komunizmit, persona që prekeshin nga dekriminalizmi, apo që nuk kishin eksperiencën e duhur. Por PD mbështeti faktet e dhëna nga ONM. Aktualisht në KLGJ dhe KLP ka persona që kanë hetuar dhe kanë dhënë dënime gjatë komunizmit”, u shpreh deputetja Tabaku. Më tej, deputetja demokrate u ndal tek numri i lartë i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil në vendet e BE. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar vendimin e dy grave nga lista e kësaj force politike për Qarkun e Beratit, të cilat refuzuan mandatin e deputetit pas dorëheqjes së Eduard Halimit.
Deputetja demokrate tha se dy zonjat kanë shpjeguar arsyet e vendimit të tyre, por nga ana e saj shton se është me rëndësi që të rritet numri i grave deputete. “Besoj se media ka kontaktuar me dy zonjat, kanë dhënë deklaratat e tyre. Personi që do futet është i dyti në listë. Unë si deputete grua kam një mendim totalisht ndryshe për listat. Mendoj se zonjat janë shumë të afta të futen në Parlament, sa më shumë në numër, ndryshe nga 30%. Pra mendoj se zonjat janë mjaft të afta, dhe mos të duket sikur bëhet fjalë për një mandat të dhuruar. Unë e kam parë pozitivisht sa herë janë futur zonja në Parlament”, u shpreh deputetja Tabaku.