26.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Nikolla frikë nga përballja refuzon seancën në Komision

Mbledhja e Komisionit parlamentar të Medias dhe Mjeteve të Informimit Publik është zhvilluar mes debateve, pasi në rendin e ditës ishte Ligji i Arsimit të Lartë. Demokratët akuzuan ministren e Arsimit, Lindita Nikolla se iu shmang seancës dëgjimore, pasi në Komision mori pjesë zv/ministri i Arsimit, Ervin Demo. Kryetarja e këtij komisioni, Albana Vokshi u shpreh se Nikolla ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë, ndërsa tashmë po i shmanget edhe llogaridhënies përpara Kuvendit. “Ministrja për të disatën herë po tallet me Kuvendin, duke shmangur përgjigjet për çështjen kryesore përse ka shkelur Ligjin për Arsimin e Lartë, duke mosnxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e ligjit të Arsimit të Lartë”, u shpreh Vokshi. Vokshi tha se, “për shkak të shpërdorimit të detyrës nga ministrja Nikolla, pedagogët mbetën pa paga dhe të hënën ata u paguan nga tarifat e studentëve, jo se qeveria u bë pjesë e zgjidhjes”. “Me refuzimin për t’u paraqitur në Komision, ministrja Nikolla po pengon rolin kryesor të opozitës, si dhe detyrën kryesore të Kuvendit, kontrollin parlamentar”, tha Albana Vokshi. Vokshi: Çfarë na duhet ne që i thamë eurodeputetëve po ramë dakord dhe sot ministrja e shkel atë rezolutë. Pra, unë ftoj të gjithë deputetët të bashkohen.

Ne do të njoftojmë me një shkrezë zyrtare kryeministrin, presidentin, europarlamentarët, por edhe Trupin Diplomatik në Tiranë. Është shkelur Kushtetuta dhe vazhdon të shkelet nga ministrat. “ Mua më duket e qëllimshme mungesa e vazhdueshme e ministres për të marrë pjesë në komision, duke marrë parasysh që fleksibliteti ynë ka qenë i madh dhe i kuptueshëm për axhendën e saj. Them i qëllimshëm, sepse unë e kuptoj vështirësinë e saj të vijë përpallë këtij komisioni”, tha deputetja Kejdi Mehmetaj. “Jemi në kufijtë e refuzimit nga ana e ministrisë për t’iu përgjigjur Paralmentit”, tha deputeti Luçiano Boçi.

KSHH: Pacientët me kancer po diskriminohen, qeveria nuk ka siguruar ilaçet

^BMODEL RELEASED. Cancer chemotherapy.^b Female patient receiving anticancer drugs from an intravenous drip bag. This continuously supplies the patient with a controlled amount of drugs that target cancer cells. The drugs target all rapidly dividing cells, which causes them to have a range of side effects, including hair loss. Cancer is a disease caused by the uncontrolled replication of abnormal cells, which can invade and destroy healthy tissue. The drugs in use here are ^Icytoxan^i and ^Iadriamycin^i. Photographed at Massachusetts General Hospital, USA.

Pacientët me kancer në Shërbimin e Hematologjisë në QSUT diskriminohen. Ka qenë ky raporti i Komitetit Shqiptar të Helsinkit në bashkëpunim me organizatën ‘Together for Life’.
Në raport thuhet se në muajin shkurt të vitit 2017 dy organizatat e mësipërme iu drejtuan Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi me rekomandim për të hetuar në rrugë administrative me nismën e tij (ex-officio), diskriminimin e pacientëve në Shërbimin e Hematologjisë pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë (QSUT).
Aty është vërejtur se ka pasur mungesa të ilaçeve me vlerë financiare të lartë, të cilat janë të domosdoshme për sëmundjet e kancerit në gjak.
Pas trajtimit të ankesave të pacientëve nga të dy organizatat rezultoi se, në muajin janar 2017 ka patur mungesë të ilaçeve Mabthera, Velcade, Endoxan dhe Nepogen, me vlerë të lartë financiare dhe që janë pjesë e kimioterapisë që realizohet në Shërbimin e Hematologjisë pranë QSUT.
Ky shërbim trajton sëmundjet e rënda të kancerit në gjak dhe është shërbim unik mjekësor për pacientë nga zona të ndryshme të vendit.
Pas paraqitjes së dokumenteve e shkresave provuese si dhe pas verifikimeve të kryera nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi rezultoi se, QSUT nuk ka siguruar ilaçet e mësipërme në periudhën në fjalë, duke u mohuar pacientëve mjekimin e plotë dhe efikas sipas protokollit përkatës shëndetësor.

Për rrjedhojë, me Vendimin nr. 49, dt. 07.02.2018, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konstatoi diskriminimin e drejtpërdrejtë të shtetases G. D., dhe të gjithë pacientëve të Shërbimit të Hematologjisë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Gjithashtu, Komisioneri ka urdhëruar që kjo Qendër, të sigurojë në kohë dhe në sasi, medikamentet mjekësore që nevojiten në Shërbimin e Hematologjisë.
KShH dhe Together for Life, nisur nga rastet e përsëritura të mungesës së medikamenteve për pacientë me sëmundje të rënda në institucionet e shërbimit shëndetësor publik, i bëjnë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të saj të varësisë, të marrin masat për ofrimin e një shërbimi të përshtatshëm mjekësor.
Shëndeti i njerëzve ka rëndësi jetike dhe pacientët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht nga lloji i sëmundjes dhe medikamentet që rekomandohen nga stafi mjekësor për trajtimin e tyre.
Përfaqësimi i këtij rasti u realizua në kuadër të nismës “Respektimi më i mirë i të drejtave të njeriut përmes forcimit të Shtetit të së Drejtës” (Klinika Ligjore XI), mbështetur nga Civil Rights Defenders.

Voltana Ademi: Familjet në nevojë po nxirren nga skema e ndihmës

Ligji i ri i ndihmës ekonomike është kontestuar edhe nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi. Përmes një deklarate për median, Ademi, në cilësinë e kryetares së Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, tha se me mijëra familje në nevojë janë hequr padrejtësisht nga ndihma ekonomike. “Sistemi është jotransparent. Askush nuk ka informacion lidhur me kriteret e llogaritjes së pikëve. Sistemi i pikëzimit nuk sqaron pamjaftueshmërinë e pikëve për familjet me një apo me më shumë anëtarë. Kjo ka shkaktuar konfuzion, revoltë për të gjithë familjet që janë përjashtuar dhe që deri më tani bashkitë i kanë trajtuar me fondin e ndihmës ekonomike”, deklaroi Voltana Ademi. Më tej, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës ka bërë të ditur se, pas konsultimit me kryetarët e bashkive të tjera, do të kërkojë pezullimin e kësaj skeme. “Pezullimin e menjëhershëm të kësaj skeme, që në vend të zbutjes, e thellon varfërinë. Shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të Shërbimit Social Shtetëror për ndihmën ekonomike të muajit janar për të gjithë Shqipërinë”, shtoi Ademi.

Si diskriminohen nga qeveria personat me aftësi të kufizuara

Institucionet shtetërore në nivel vendor e qendror nuk njohin ende të drejtat dhe detyrimet ligjore të Personave me Aftësi të Kufizuara. Ky është përfundimi kryesor i një raporti monitorimi të realizuar nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar për nivelin e zbatimit të VKM “Për përcaktimin e masave për mënjanimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara”. Raporti i bërë publik në fund të muajit të shkuar nxorri në pah shumë problematika që përballen çdo ditë personat e kësaj kategorie. Nga 56 institucione të intervistuara, në nivel qendror dhe vendor, rezultoi se vetëm 12 prej tyre kanë njohuri mbi kuadrin ligjor që garanton zbatimin e përshtatshmërisë në komunikim dhe infrastrukturë për PAK dhe vetëm 7 prej institucioneve të intervistuara njohin VKM-në e mësipërme. Vetëm 1 (një) institucion (në nivel vendor) nga 56 institucionet e intervistuara deklaron se ka përmbushur detyrimin që përcakton VKM 1074 për hartimin e planit të masave për mënjanimin e pengesave për garantimin e përshtatshmërisë në komunikim dhe infrastrukturë për të gjitha kategoritë e PAK. Një nga detyrimet kryesore dhe njëkohësisht më minimimale i institucioneve publike është që të jenë të aksesueshëm nga çdo qytetar, por raporti ka zbuluar se ky detyrim nuk zbatohet. “Në pjesën më të madhe, institucionet publike nuk garantojnë përshtashmërinë ndërtimore për t’u aksesuar nga personat me aftësi të kufizuara në lëvizje dhe shikim”, thuhet në raport.

Raporti konstaton gjithashtu se, “asnjë prej institucioneve publike, në nivel qëndror dhe vendor, nuk plotëson detyrimet ligjore për përdorimin e formave dhe formateve të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara si: formate të thjeshta për t’u lexuar dhe për t’u kuptuar për personat me aftësi të kufizuar intelektuale dhe vështirësi në komunikim; botimin në gjuhën Braille, në format audio apo shkrim të zmadhuar për personat me aftësi të kufizuar në shikim; shërbimin e interpretit në gjuhën shqipe të shenjave për personat që kanë aftësi të kufizuar në dëgjim dhe në të folur”. Një sërë shërbimesh qytetarëve u ofrohen online, por nga monitorimi i faqeve në internet të institucioneve ka rezultuar se, “pothuajse të gjitha faqet e internetit të institucioneve të intervistuara nuk janë të përshtatura për t’u përdorur lehtësisht nga të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara”. Duke parë situatën e vështirë, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale “të ndërrmarë sa më parë hapa konkretë në përmbushje të të gjitha detyrimeve ligjore që burojnë nga aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për t’i dhënë fund kësaj situate diskriminuese që personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri hasin çdo ditë dhe në çdo aspekt të jetës së tyre”. Mosnjohja dhe moszbatimi i kuadrit ligjor në lidhje me eliminimin e pengesave në komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi të kufizuara janë ndër shqetësimet e përditshme që hasin ata në çdo institucion shtetëror apo privat. “Unë shërbimet bankare i kryej vetë, por vërej se në pothuajse asnjë bankë nuk kanë udhëzues apo sinjalistikë zyrash në gjuhën braille që kategoria e personave PAK të mund të udhëzohet pa ndihmën e shoqëruesve”, tregon Misjen Qordja, një i ri me vështirësi në komunikim dhe dëgjim.

Mosnjohja e kuadrit ligjor

Prej vitesh organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara ngrenë zërin për të drejtat e tyre që u takojnë me ligj, por kërkesat shkojnë në vesh të shurdhët. Këtë e tregojnë edhe të dhënat shqetësuese të raportit të monitorimit, ku u evidentua niveli i ulët i njohjes së kuadrit ligjor, që garanton përshtatshmërinë fizike dhe në komunikim për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuara nga institucionet zbatuese; mungesa e zbatimit të kuadrit ligjor nga institucionet publike në nivel qendror dhe vendor, si dhe mos marrjen e masave konkrete në përputhje me VKM 1074 dhe mungesa e funksionimit të mekanizmave të monitorimit dhe garantimit të zbatueshmërisë ligjore. Citizens Channel

Pedagogët-Ramës: Dialog ose grevë e përgjithshmë

Kreu i qeverisë ka sulmuar me një fjalor vulgar dhe në të njëjtën kohë ka paralajmëruar se nuk do të japë para për pagat e pedagogëve dhe se ata duhet të nxjerrin vetë universitetet, të cilët ndonëse nuk janë universitete privatë, por janë publikë, sipas Ramës duhet të sillen si pronë private.
“I takon çdo universiteti të vendosë për rrogat. Dikush mund të marrë më shumë dhe dikush më pak, kjo varet në bazë të performancës”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me senatin e Universitetit të Tiranës tha se, vonesa e pagave tregon se Reforma në Arsimin e Lartë është një sifdë. Rama duke iu referuar akreditimit të universiteve tha se, Universiteti i Tiranës është bishti i fundit i kavallit.
Kreu i ekzekutivit deklaroi se nuk do rrisë më pagat për pedagogët, pasi janë vetë universitetet që duhet të përcaktojnë për rritjen ose jo të pagave dhe kjo do të varet nga performanca.
Rama: Sot, jeni bishti i të gjithë universiteteve të Shqipërisë bazuar nga akreditimi i britanikëve. Jeni bishti i fundit të kavallit të universiteteve të Shqipërisë dhe nuk ka faj as reforma, as ligji dhe as aktet nënligjore. Nëse doni përgjegjësinë, hajde ta ndajmë, por ju tuajën ne tonën. Ne nuk ndërhyjmë çfarë kërkoni nga ne. Merrni fjalën shyqyr bukën e gojës ta zgjidhëm”.
Fjalimi i Ramës ka sjellë reagimin e pedagogëve, të cilët kanë paralajmëruar se, nëse Rama nuk do të pranojë dialogun me ta, atëhere ata do të nisin një gervë të përgjithshme.

Forumi për liritë akademike

Pas takimit që zhvilloi kryeministri Edi Rama me Senatin e Universitetit të Tiranës, vjen reagimi i ashpër i Forumit për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare. Përmes një deklarate për shtyp, Forumi i Pedagogëve bëri të ditur kryeministrit që të marrë rolin e kryetarit të senatit apo të organeve të zgjedhura të UT-së.
Po ashtu, nuk do të ketë negociata me qeverinë nëse flitet me gjuhë shantazhi. Mes të tjerash, Forumi paralajmëron se nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre, ata do të shkojnë të futen në grevë.
Deklarata e plotë:
Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ndoqi takimin e kryeministrit Edi Rama dhe të ministres së Arsimit dhe Shkencës znj. Lindita Nikolla me senatin e Universitetit të Tiranës.
Forumi mendon se ky takim nuk është në përgjigje të kërkesave që ne kemi paraqitur publikisht, pasi forumi nuk i ka kërkuar Kryeministrit që të marrë rolin e kryetarit të senatit apo të organeve të zgjedhura të UT-së. Forumi nuk i ka kërkuar qeverisë që “t’i heqë veshin burokracisë universitare” dhe as shndërrimin e saj në palë për larjen e hesapeve mes klaneve të brendshme por, hapjen e një dialogu me profesoratin, studentët dhe shoqërinë shqiptare për marrjen e përgjegjësive që i takojnë qeverisë dhe jo vetëm qeverisë, pra, për bashkëndarjen e përgjegjësisë për degradimin e gjendjes së Arsimit të Lartë në vend dhe mosfunksionimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.

Forumi nuk ka pasur një kërkesë formale të ardhur nga kryeministri, por edhe sikur të kishte pasur, një takim i tillë pa axhendë të përcaktuar do të ishte krejt i padobishëm. Arsimi i Lartë në Shqipëri nuk mund të shndërrohet në show, ai është tashmë një dramë. Një dramë për ne profesoratin, për studentët dhe shoqërinë, një dramë që shpaloset sot para syve të kujtdo me përjashtim të kryeministrit dhe ministres. Një dramë, që nesër mund të shndërrohet në tragjedi për dijen dhe vendin. Forumi refuzon gjuhën shantazhuese dhe tallëse, por megjithatë të shqetësuar më shumë se prej talljeve apo kërcënimeve, nga gjendja dramatike dhe problemet e mprehta të pazgjidhura që vazhdojnë të shtohen pafundësisht, shpreh vullnetin për dialog, të cilin përveçse publikisht do ta adresojë edhe në mënyrë zyrtare.
Grupi i negocimit i zgjedhur nga pjesëmarrësit e Forumit, pret me seriozitet një përgjigje. Forumi mbetet i palëkundur në vullnetin e tij që në rast refuzimi, të bashkuar me studentët tanë të shkojmë drejt një greve të përgjithshme.

Koordinatori i Forumit
Prof. As. Dr. Mark Marku

A do t’i japë Presidenti, mandatin Bushatit për negociatat për detin?

Ministri i Punëve të Jashtme, Bushati i ka kërkuar Presidentit Meta plotfuqishmërinë në lidhje me nisjen e negociatave dypalëshe të Shqipërisë dhe Greqisë, ku përfshihet çështja e detit, ligji i luftës dhe çështja çame. Kjo kërkesë është bërë në lidhje me negociatat që po zhvillohen në lidhje me hapësirën detare. Kjo kërkesë e Bushatit është dorëzuar dhe është vënë në dijeni edhe kryeministri Rama.
Çështja e marrëveshjes së detit me Greqinë u soll sërish në vëmendje të publikuar pas deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Kotzias, i cili u shpreh se qeveria shqiptare ka pranuar shtyrjen e detit me 12 milje.
Presidenti Meta nuk do t’ia japë menjëherë plotfuqinë ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, për negociatat me Greqinë për kufirin detar. Burime nga Presidenca konfirmojnë për Lapsi.al se kërkesa e Ministrisë së Jashtme mbërriti të martën në mbrëmje, ndërsa mëngjesin e së mërkurës, Presidenti Meta priti ish-Presidentin Nishani për t’u konsultuar. Pritet që Meta të konsultohet edhe me ish-presidentët e tjerë këto 2 ditë për t’i dhënë apo jo plotfuqinë Bushatit.
Ndërkohë që ministri ynë i jashtëm thotë se, negociatat nuk kanë nisur, mediat greke vazhdimisht kanë publikuar detaje të marrëveshjes, disa prej të cilave të konfirmuara nga Nikos Kotzias.

Qëndrimi i Nishanit

Media greke njofton se Marrëveshja e Detit midis Shqipërisë dhe Greqisë është arritur midis dy qeverive përkatëse.
Me triumfalizëm dhe shumë e kënaqur, media greke njofton se qeveria shqiptare i ka dorëzuar Greqisë zonat më të rëndësishme të ekskluzivitetit ekonomik.
Tashmë nuk përbën më sekret se zonat që i përkasin “de facto” Shqipërisë janë zotëruese të pasurive të mëdha të gazit dhe naftës.
Nëse lajmi i medias greke është i vërtetë, ky akt i qeverisë aktuale shqiptare do të përbënte aktin më të lartë të tradhëtisë kombëtare që nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912.
Ky akt i padrejtë do të hapte një konflikt të ri e të panevojshëm historik midis dy vendeve me pasoja rajonale.
Me një arrogancë ekstreme qeveria shqiptare mban sekret marrëveshjen dhe nuk bën me dije asnjë informacion nga kjo marrëveshje e negociuar dhe përfunduar sipas ministrit të Jashtëm të Greqisë para pak kohësh dhe medias greke sot.
Së pari, nuk ka të deklaruar nëse qeveria shqiptare ka marrë “Autorizimin e Plotfuqishmërisë” nga Presidenti i Republikës?

Deklaroj se deri më 24 korrik 2017 në institucionin e Presidentit të Republikës nuk është paraqitur asnjë kërkesë nga qeveria për “Plotfuqishmërinë” ndonëse tashmë shihet qartë se, negociatat dhe bisedimet janë zhvilluar edhe përpara kësaj date. Nëse pas kësaj date ka një kërkesë dhe nëse kjo “Plotfuqishmëri” është dhënë apo jo, kjo mbetet për t’u mësuar. Por, që pas Vendimit nr. 15, datë 15.04.2010 të Gjykatës Kushtetuese marrja e “Plotfuqishmërisë” për negocimin e Marrëveshjes së Detit është detyrim ligjor. Mos zbatimi i këtij Vendimi të GjK përbën vepër të rëndë penale.
Citoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese:
“26. Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për mungesën e plotfuqisë së lëshuar nga Presidenti i Republikës për grupin negociator shqiptar gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes për delimitimin e zonave detare midis Shqipërisë dhe Greqisë është i bazuar dhe duhet pranuar”.
Pra Gjykata thotë: “gjatë bisedimeve dhe lidhjes së marrëveshjes”.
Kërkoj publikisht si ish-President i Republikës, Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës që të nisë verifikimin ligjor, kur kanë nisur negociatat dhe bisedimet, theksoj, “negociatat dhe bisedimet” për Marrëveshjen e Detit dhe nëse gjatë këtyre bisedimeve është marrë “Plotfuqishmëria” sipas detyrimit të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë rast Prokurori i Përgjithshëm i Republikës dhe Prokuroria shqiptare janë përpara një përgjegjësie të madhe ligjore kushtetuese mbi Sovranitetin e Shtetit.
I bëj thirrje opozitës shqiptare të kërkoj transparencë të plotë për të gjithë proçesin e negociatave dhe rezultatin e arritur për këtë çështje. Në këtë rast opozita ka një përgjegjësi historike. Shpresoj shumë që media dhe intelektualët shqiptarë të mos heshtin në bashkëfajësi!

Meta takon Berishën për pazarin e Ramës me Greqinë për faljen e detit

Me anë të një shkrese zyrtare të dorëzuar këtë të mërkurë në Presidencë, Ministria e Jashtme kërkon nga Ilir Meta plotfuqishmërinë për negociatat e detit me Greqinë. Pas kësaj kreu i shtetit, Ilir Meta, ka nisur takimet me ish-presidentët për t’u konsultuar në lidhje me këtë çështje të ndjeshme për opinionin shqiptar.
Burime nga Presidenca, kanë bërë të ditur se edhe ish-Presidenti Sali Berisha ka pranuar ftesën e Metës.
Ende nuk dihet ora e saktë e takimit, por ish-Presidenti Sali Berisha i është përgjigjur pozitivisht ftesës së Presidentit Ilir Meta për konsultime, në lidhje me marrëveshjen që kërkon të nënshtruajë qeveria me Greqinë.
Një nga pikat e nxehta të kësaj marrëveshja është ndarja e detit, ku pala shqiptare deri më tani i ka dhënë Greqisë, 22.1 kilometra.

Për të mbuluar tradhtinë e tyre, përdorin si gogol Protokollin e Korfuzit!

Sali BERISHA

Në një përpjekje të re për të mbuluar tradhtinë e tyre të lartë, faljen e fushave më të mëdha të gazit dhe naftës në Jon dhe Mesdhe palës greke, Edvin Kristaq Rama dhe Ditzi Sulejman Bushati nxorën në treg në mediat e tyre dhe po përdorin për shqiptarët në mënyrën më antikombëtare, gogolin e Protokollit të Korfuzit, aktin më tradhtar të firmosur ndonjëherë nga shqiptarët në vitin 1914, në këtë ishull me të cilin pranohej krijesa e Jorgo Zografit, Vorio Epiri!
Ky protokoll është hedhur poshtë nga 6 fuqitë e mëdha, të cilat kanë firmosur në Firence më 27 janar 1925 Protokollin e përcaktimit të kufirit shtetëror midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ky protokoll njohu si kufij shtetërorë midis dy vendeve këta kufij që janë edhe sot. Megjithëkëtë duhet të pranojmë se deri në vitin 1996 midis Shqipërisë dhe Greqisë nuk kishte një marrëveshje bilaterale për kufijtë ndërshtetërorë.
Pala greke e konsideronte të panevojshme këtë marrëveshje, pasi të dy palët kishin firmosur aktin e Helsinkit. Por pala shqiptare kërkoi që njohja e kufijve aktualë ekzistues, pra që janë kufijtë e përcaktuar në Protokollin e Firences, të sanksionohej edhe në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve. Kjo kërkesë u pranua nga pala greke. Prandaj në nenin e parë të Traktatit të Miqësisë sanksionohet: “Republika e Shqipërisë dhe Republika greke…. shpallin përkushtimin e tyre ndaj parimit të paprekshmërisë së kufijve ekzistues të njohur ndërkombëtarisht në përputhje me Aktin Final të Helsinkit dhe Kartën e Parisit dhe se vija kufitare midis të dy vendeve do të jetë vijë kufitare paqeje dhe miqësie”.

Pra, në Traktatin e Miqësisë pala greke ka pranuar përfundimisht dhe pa ekuivok kufijtë ekzistues midis dy vendeve dhe vetëkuptohet ka hequr dorë botërisht nga Protokolli i Korfuzit. Kështu që Rama dhe Ditziu i tij pranojnë si plaçkë tregu, si gogol Protokollin e Korfuzit, një protokoll të varrosur përfundimisht nga Protokolli i Firences, Akti i Helsinkit, Karta e Parisit dhe Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit midis Shqipërisë, por dhe e përdorin dhe si gogol për të mashtruar, por edhe trembur shqiptarët.
Ata, pasi dështuan me shitjen e heqjes së ligjit të luftës, një akt atavik i turpshëm në kancelarinë greke, si justifikim për dhurimin e fushave më të mëdha të gazit dhe naftës në Jon dhe Mesdhe Greqisë, tani Edvini dhe Ditziu i tij iu servirin shqiptarëve si sukses heqjen dorë nga pala greke nga ky Protokoll i Korfuzit të varrosur në mënyrë përfundimtare që në vitin 1925 dhe si shpërblim i dhuruan Greqisë fushat më të mëdha të naftës dhe gazit në Jon dhe Mesdhe. Edhe një herë u bëj thirrje shqiptarëve të ngrihemi me të gjithë fuqitë tona për të mbrojtur integritetin territorial të vendit dhe të përmbysim këtë qeveri që ka shndërruar në plaçkë tregu për karriget e saj pasuritë përrallore të Shqipërisë!

Veliaj injoron të pastrehët, kreditë e buta për militantët e PS

Adela dhe Albi Osmani do të kishin qenë një çift krejt i zakonshëm dhe i panjohur për publikun e gjerë, nëse kryebashkiaku Erion Veliaj nuk do t’i kishte ekspozuar. Jo më larg se dy ditë më parë, Veliaj ka qenë në çerdhen e tyre të dashurisë, për të promovuar ‘sistemimin dashamirës’ që i ka bërë kryebashkiaku i qytetit më të rëndësishëm në Shqipëri, një çifti të ri, në nevojë. Të dy ata, Adela dhe Albi, e kanë mikpritur në shtëpinë e tyre të re kryebashkiakun. Pas qerasjeve të planifikuara, Veliaj ka dhënë sinjalin për fotot e zakonshme dhe ja ku i kemi: të gjithë të gëzuar, të gjithë të lumtur!
Shkruan Veliaj në postimin e fotove në ‘Facebook’: ‘Urime për shtëpinë e re! Një mikpritje tepër e ngrohtë në strehëzën e re të çiftit Adela dhe Albi Osmani, të cilët përfituan nga programi i kredisë së butë vitin e kaluar’. Ky është episodi i parë, i një planifikimi të imtësishëm. Episodi i dytë ndodhi rreth 15 ditë më parë në një tjetër familje. Erion Veliaj niset drejt rrugës së shtëpisë së re të Arditit dhe Blerinës për të promovuar një punë tjetër të arritur: kredinë e butë dhënë familjes Kaçi. Edhe këtu ekspozimi i tyre është i detyruar. Shkruan për ta Veliaj: ‘Tak-tak, hape derën! Tek Laiza dhe prindërit e saj shembullore Ardit dhe Blerina në shtëpinë e tyre të re, falë programit te Bashkia Tiranë për kreditë e buta. Arditi dhe Blerina janë jo vetëm prindër shembullorë, por edhe veterinerë mjaft të zotë!’
Çfarë i lidh dy episodet është një fakt i vërtetuar: Erion Veliaj i njihte më përpara. Një gjest krejt spontan i të zotërve të shtëpisë përfituar me kredi të butë, ardhur ndoshta nga gëzimi i madh i një shtëpie të re, zbulon krejt padashur njohjen e Veliajt me familjen Kaçi.

Siç shihej nga fotoja që familja mbante të printuar në shtëpinë e saj, Veliaj kishte ekspozuar vajzën e tyre në një foto të hershme, teksa e mbante në park.
Ndërsa njohja me çiftin e parë është edhe më e fortë. Nga një hulumtim i Genc Sejkos, Albi Osmani rezulton të ketë qenë nën shoqërinë e Veliajt para përfitimit të kredisë, siç e tregojnë fotot që ju shihni. Momente miqësore, a nuk ju duken? Nën shoqërinë e Veliajt shfaqet edhe në dy momente të tjera; gjatë emisionit ‘Dritare’ të Rudina Xhungës dhe në një bar, duke tokur grushtat.
Por një njohje, njësoj të fortë, partnerja e Albit ka patur edhe me kryeministrin e vendit: Edi Ramën. Në po të njëjtën festë me Veliajn, në qershor të vitit të kaluar, Adela Osmani ka kaluar një mbrëmje interesante te një nga bar-restorantet e Tiranës, pas shpatullave të së cilës qëndronte kryeministri. ‘Pas festës me shefin’, shkruan Adela Osmani, duke iu referuar Edi Ramës.
Mirëpo në disa foto të tjera rezulton se çifti i ri Albi dhe Adela Osmani kanë shëtitur botën: Venecia, Paris, Barcelonë, Kroaci, etj etj. Por… kreditë e buta janë të destinuara për çifte të reja, në vështirësi ekonomike dhe që nuk mund të përballojnë kredi me interesat normale të bankave.
Këto janë faktet e para të një procesi (dhënie kredie të butë) të dyshuar si të kompromentuar dhe plot favorizime personale te të rinj, të cilët Veliaj i ka mbështetës./Hashtag.al

Eksodi, 95% e bluzave të bardha kërkojnë të ikin nga Shqipëria

Numri i mjekëve që kanë kërkuar të largohen jashtë vendit 4 vitet e fundit është 3-fishuar. Pas publikimit të këtij lajmi nga redaksia e “Pro Pacientit”, pati një reagim shumë të madh nga ana e mjekëve. Ndërkohë, sipas burimeve të redaksisë, reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë u reflektua në një urdhër (jo të shkruar) të brendshëm, për mosdhënien në vazhdim të asnjë informacioni lidhur me këtë çështje.
Ndjeshmëria që ka kjo temë, u bë shkak që redaksia e “Pro Pacientit” të publikonte një anketim të thjeshtë. Pyetjet e së cilës lidheshin pikërisht me arsyet e largimit të mjekëve jashtë vendit.
Rezultatet e anketimit, u tha që do të botoheshin bashkë me një analizë të ekspertëve të fushës së shëndetësisë. Por, ajo që u vu re ishte se mjekët jo vetëm që nuk janë treguar të kursyer me përgjigjet, por përkundrazi kanë shtjelluar arsyet, duke bërë kështu që të vlerësonim si të paarsyeshëm ndërhyrjen e ekspertëve të shëndetësisë.
Anketimi ka patur 168 përgjigje, dhe sipas të dhënave të mbledhura, rezulton se pjesa më e madhe e mjekëve që janë përgjigjur, ushtrojnë profesionin në institucionet shëndetësore në Tiranë.
Brain Drain ose ndryshe largimi i trurit përcaktohet si migrimi i personelit shëndetësor në kërkim të standardit më të mirë të jetesës dhe cilësisë së jetës, paga më të larta, qasje në teknologji të përparuar dhe kushte politike, ekonomike më të qëndrueshme. Pjesa më e madhe e migracionit lind si rrjedhojë e zhvillimit të vendeve të zhvilluara, ky është një shqetësim gjithnjë në rritje për shkak të ndikimit të tij në sistemin shëndetësor në vendet në zhvillim, pasi këto vende kanë investuar në edukimin dhe trajnimin e profesionistëve të rinj shëndetësorë, e kjo me kalimin e kohës do të përkthehet në humbje të resurseve të konsiderueshme.

Nga pikëpamja ekonomike, ikja e trurit ndikon ndjeshëm në vendet në zhvillim, këto vende kanë shpenzuar kohë dhe para, duke edukuar personelin e kujdesit shëndetësor që më pas ka emigruar. Ndërsa disa janë kthyer në atdhe, shumica kanë qëndruar jashtë vendit dhe janë pasuar nga familjet e tyre. Dr. Barker i Komisionit Ekonomik të Afrikës së OKB-së ka paralajmëruar se në 25 vitet e ardhshme, Afrika do të jetë e zbrazur nga truri (Tebeje, 2015). Komenti i tij tregon alarmin në rritje mbi fluturimin e kapitalit njerëzor.
Është koha për të kuptuar dhe pranuar që lëvizshmëria e profesionistëve shëndetësor është pjesë e jetës së shekullit 21. Vendet duhet të pranojnë se konkurrojnë me institucionet më të mira në botë për një fuqi punëtore sa më cilësore.

Në 4 vite, numri i mjekëve të larguar nga Shqipëria u trefishua

Largimi i mjekëve nga Shqipëria në katër vitet e fundit ka tronditur gjithë sistemin shëndetësor, ndërsa është shndërruar në një eksod të vërtetë që vijon edhe sot. Shifrat zyrtare flasin për një trefishim të numrit të mjekëve të larguar, ndërsa kërkesa e tyre për të lënë vendin është në rritje. Nga viti 2014 dhe deri vitin e kaluar me qindra mjekë kanë kërkuar çertifikatën e sjelljes profesionale me qëllim paraqitjen e saj për të aplikuar për punë jashtë Shqipërisë. Çertifikata e sjelljes së mirë profesionale (Good Standing Cerificate) lëshohet nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Mjekëve të vendit të vet, ku vërtetohet se mjeku është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se gjatë ushtrimit të profesionit nuk ka asnjë masë disiplinore kundrejt tij/saj. Kjo çertifikatë është një dokument që kërkohet nga të gjithë mjekët që aplikojnë për specializime afatgjata ose afatshkurtra jashtë vendit, kërkohet për të konvertuar diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës në një vend të huaj, kërkohet për të punuar jashtë vendit.

Sondazhi, 87% e mjekëve shqiptarë të pakënaqur nga qeveria

A janë të motivuar mjekët në Shqipëri?
89.3% – aspak të motivuar
8.3% – disi të motivuar
2.4% -shumë të motivuar
Sa të kënaqur jeni me pagat që merrni?
87.5% – aspak të kënaqur
9.5% -disi të kënaqur
2.4% -shumë të kënaqur
0.6% -mjeku nuk shpërblehet për punën që bën (përgjigje e shtuar nga vetë mjekët)
A mendoni se pagat e ulëta janë arsyeja kryesore përse po largohen mjekët nga Shqipëria?
66.1% -po
12.5%- jo
Përgjigje të shtuara:
-përveç pagave edhe organizimi i dobët i sistemit shëndetësor
-pagat e ulta dhe kushtet e këqija të punës
-pagat dhe siguria në punë, imazhi i keq i mjekëve i ushqyer nga media
-mungesa e mjeteve dhe motivimit
-pagat dhe trajtimi
-pagat dhe presioni
-kushtet e këqia në punë
-standardi, siguria në punë

-kushtet dhe paga
-përbuzja dhe mosvlerësimi
-arsyet e largimit të mjekëve janë pagat e ulta dhe kushtet e punës
-pagat, kushtet dhe siguria, jetesa
-mungesa e vlerësimit
-paga, por më e rëndësishmja, kushtet në të cilat punojmë
-mungesa e sigurisë në punë, kushtet jo të mira, mungesa e ngritjes në karrierë
-shihemi si armiq
– mungesën e kushteve për të ushtruar siç duhet profesionin dhe mungesa e meritokracisë në çdo institucion
-kushtet e punës
-përveç pagave skandaloze kemi dhe mosrespektim të figurës sonë nga qeveritarët e le pastaj nga populli i thjeshtë; mungesë totale e kushteve të punës dhe për në shërbimin parësor gjoba të pajustifikueshme për shkak të një sistemi shumë të gabuar rimbursimesh
-të pambrojtur nga Ligji dhe Urdhri i Mjekut
-mungesa e besimit te mjekët dhe faturimi i të gjitha dështimeve të sistemit të tyre; mungesa e vlerësimit
Nëse do t’ju jepej mundësia, a do të punonit jashtë?
95.2% – po
3%- jo
0.6%- Nuk është çështje mundësie, por guximi për të nisur nga e para në vendin që do të shkosh

(Përgjigje të shtuara)
-tashmë jemi familjarë dhe nuk është vetëm vendim personal
-dua të jem e vlerësuar këtu
A ndiheni të pambrojtur në punën tuaj?
79.8% -shumë të pambrojtur
19% -disi të pambrojtur
1.2 %- të mbrojtur
A keni menduar të përfitoni nga sistemi i bonusit për të punuar në spitalet rajonale?
70.2%- jo
23.2%- po
(Përgjigje të shtuara)
-nuk jam mjeke specialiste, por mjeke familje
-nëse do të përfitoja, pse jo
-nuk jam mjek specialist
-punoja në sptial rajonal, por kushte shumë të këqia s’munda t’i përballoja
-ta marrin bonusin ata që punojnë e shërbejnë jo vetëm ata që vijnë nga Tirana
-është mashtrim
-jo të gjithë specialistëve iu ofrohet bonusi
-ky bonus nuk ofrohet për të gjithë specialitetet
-ndonjëherë
-ndoshta
A mendoni që profesioni i mjekut në 5 vitet e ardhshme do të jetë më i vlerësuar?
81% -jo
11.3%- po
1.2% -ndoshta
(Përgjigje të shtuara)
1.2% -shpresoj
-nuk shoh asnjë përpjekje reale
-ndoshta
-duhen bërë politika të tilla që figura e mjekut të fitojë sërish respektin në popull
-të shohim
-jo, jemi të kultivuar me një kulturë materialiste deri në qelizë, kjo sepse fillojnë që tek shkolla e marrë me pagesë. Si vlerësohet një profesion i blerë?
-të shpresojmë

Bashkia redukton kuotat ushqimore për të hedhur paratë në pisha dhe palma

Këshilltari i PD-së, Kreshnik Çollaku në një postim në Facebook, ka publikuar menunë për fëmijët e kopshteve dhe çerdheve në Tiranë. Çollaku shkruan se menuja është ndryshuar dhe se nga kjo javë fëmijët konsumojnë gjithmonë e më pak ushqim në kopshte. Çollaku akuzon Bashkinë se ka reduktuar kuotat për të hedhur paratë në pisha dhe palma. “Një tjetër skandal në Tiranë. Sot një grup prindësh na kanë kontaktuar. Shqetësimi është i pabesueshëm por i vërtetë.
Prindët ankohen se në kopshtet publike, që administrohen nga Bashkia Tiranë, kuota ushqimore për fëmijët është reduktuar ndjeshëm.
Nga menuja ushqimore janë hequr produketet ushqimore kryesore.
Fëmijët nuk konsumojnë ushqimin. Fëmijët kthehen në shtëpi të uritur dhe të paushqyer. Askush nuk mund të imagjinonte një ngjarje të tillë.
Bashkia e Tiranës nuk mund të detyrojë dietë për fëmijët e moshave 5-10 vjeç.
Kjo ose është një idiotësi totale, ose është një akt kriminal. Idiote është ideja që të detyrosh fëmijët të ruajnë linjat duke i detyruar të konsumojnë vetëm barishte e zarzavate. Kriminale është nëse me reduktimin e kuotës ushqimore të fëmijëve…dikush ose disa fusin duart në fondet të dedikuara për ushqimin e fëmijëve të kopshteve e çerdheve të dedikuara në buxhetin e vitit të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak. Bashkia e Tiranës që harxhon 2.5 milionë euro për palma e pisha…nuk mund të nxjerrë këtë harxhim duke reduktuar kuotat ushqimore të fëmijëve me kopshte e çerdhe”, shprehet Çollaku.