29.5 C
Tirana
E martë, 26 Gusht, 2025

Vazhdojnë koncesionet, Ministria e Energjisë i hap rrugë tjetër HEC-i

?????????????????????????????????????????????????????????

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur garën koncesionare për ndërtimin e një hidrocentrali në lumin Veleshicë, në Qarkun e Dibrës. Sipas njoftimit të publikuar, vlera e parashikuar e projektit është 750 milionë lekë, ndërkohë që ofertat mund të dorëzohen deri në datën 9 mars.
Fuqia e instaluar do të propozohet nga koncesionari, ndërkohë që ajo përbën edhe një nga kriteret e përzgjedhjes së fituesit, duke u vlerësuar me 22 pikë. Po ashtu, pjesë e kritereve është edhe ndikimi ekologjik e social, me 22 pikë, vlera e ‘Fee’ koncesionare me 20 pikë dhe koha e zbatimit të punimeve me 19 pikë. Peshën tjetër të vlerësimit e mban skema e lidhjes së centralit me sistem elektroenergjetik, me 17 pikë.
Hapja e kësaj procedure vjen në një kohë, kur Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka kërkuar ndryshime ligjore për procedurat e dhënies me koncesion të HEC-ve.
Sipas projektligjit, që po diskutohet në Kuvend kërkohet që ndërtimi dhe shfrytëzimit i burimeve të energjisë së rinovueshme me kapacitet të instaluar nën 2MW, të cilat kanë vlerë investimi mbi 100 milionë euro të përjashtohen nga procedurat aktuale të dhënies me koncesion apo Partneritetit Publik Privat.
Sipas relacionit të projektligjit, ky përjashtim do të mundësojë thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, për shkak të përshpejtimit të procedurave, që aktualisht shkojnë deri në 2 vjet.

Fushata e qeverisë kundër euros dhe dollarit

Euro ka shënuar rënie edhe gjatë ditës së sotme në tregun vendas, ndonëse në bursa ai është në rritje për të dytën ditë radhazi.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 132.83 lekë, me një rënie prej 0.08 lekësh në krahasim me një ditë më parë, në nivelin më të ulët që nga 27 dhjetori. Kjo është e 11-a ditë radhazi që euro vetëm nënçmohet, periudha më e gjatë me rënie që nga qershori i vitit të kaluar, kur oferta për valutë në atë kohë çoi monedhën e përbashkët në pikiatë.
Në rënie më të fortë ka qenë dhe dollari, i cili luan rolin e stabilizatorit me raportet e këmbimit në tregjet ndërkombëtare. Një dollar u këmbye me 104.49 lekë, me një nënçmim prej 0.25 lekësh, duke u luhatur afër nivelit më të ulët të katër viteve.

Çfarë po ndodh?!

Euro u këmbye sot në bursa me 1.234 dollarë, me një rritje të lehtë nga një ditë më parë, ndërsa afër nivelit më të lartë të tre viteve. Si rrjedhojë, luhatjet e euros në tregun vendas nuk shpjegohen me ndryshimet në bursa.
“Shqipëria është anticiklike”, thotë Ilirian Ligaçaj, drejtor i Thesarit në Union Bank. Ai thotë se, nuk ka një arsye të saktë se çfarë po ndodh në tregun e brendshëm, i cili që prej verës së vitit të kaluar ishte stabilizuar në nivelin e 133-134 lekëve.
Faktorët kryesorë që ndikojnë lidhen me kërkesën dhe ofertën. Oferta, sipas Ligaçaj vijon të jetë e lartë, ndërsa kërkesa është e dobët. Tregu valutor është relativisht i vogël, si rrjedhojë edhe kërkesa e dy apo tre kompanive mund ta ndikojë atë.
Lidhur me ofertën ajo është e vështirë të vlerësohet dhe matet nga të dhënat zyrtare, pasi ka shumë hyrje të padeklaruar.

Ligaçaj nuk e mohon as efektin psikologjik të fushatës së de-euroizimit që ka ndërmarrë Banka e Shqipërisë. “Tregu pak do për t’u çorientuar”, pohoi ai, ndonëse efekti real nuk do të ndihet që tani.
Bankat do të fillojnë të parapërgatiten, pasi efekti nuk do të jetë i vogël dhe masat e ndërmarra do të ndryshojnë edhe situatën e likuiditetit në monedha të ndryshme.
Një tjetër efekt psikologjik lidhet me faktin që individët, duke pritur që euro të zhvlerësohet më tej, do të nxitojnë të këmbejnë monedhën e përbashkët sa më shpejt, në mënyrë që të mos humbin nga zhvlerësimi.
Ekspertët parashikojnë që trendi i forcimit të lekut të jetë i ngadaltë dhe i qëndrueshëm.

Atletico e Madridit vëzhgon Timo Werner

Siç raporton gazeta gjermane “Bild”, Atletico e Madridit ka dërguar vëzhgues në Gjermani për të ndjekur nga afër Timo Werner në ndeshjen e fituar nga Leipzigi kundër Freiburgut. Sulmuesi 21-vjeçar mund të jetë një nga objektivat kryesorë të “Los Colchoneros” në rast se Antoine Griezmann vendos të largohet nga madrilenët. Kontrata aktuale e Werner me Leipizgu përfundon në vitin 2020 dhe drejtuesit e klubit gjerman kanë këmbëngulur se nuk duan ta humbasin sulmuesin dhe janë duke punuar për t’i rinovuar kontratën me rritje të ndjeshme të pagës. Gjithsesi, përballë një oferte të majme të Atleticos, ky qëndrim mund të ndryshojë.

Caicedo i Lazios në telashe

Një futbollist i Lazios dyshohet si i përfshirë në trukimin e ndeshjeve në kohën kur luante në Spanjë. Bëhet fjalë për futbollistin nga Ekuadori, Felipe Caicedo, për të cilin bardhekaltrit shpenzuan 2.5 milionë euro një vit më parë për ta shkëputur nga Espanyoli. Sulmuesi 29-vjeçar është një ndër 41 personat e dyshuar se kanë manipuluar rezultatin e ndeshjes së fundit të sezonit 2010–2011 mes Levantes dhe Saragozës, e zhvilluar më 21 maj 2011.
E përditshmja spanjolle “Marca”, duke rreshtuar faktet, sqaron se në këtë përballje skuadrës mike i duhej fitorja për të shpëtuar nga rënia në Segunda Division dhe kështu ndodhi. Real Saragoza triumfoi 1-2, ndërsa Deportivo la Coruna ra nga kategoria. Hetuesit pretendojnë se Saragoza u ka paguar gati një milion euro futbollistëve të Levantes, që ata të humbnin. Paratë më pas janë shpërndarë mes drejtuesve dhe lojtarëve. Hetuesit kanë arritur në përfundimin se futbollistët e Levantes kishin ulur në maksimum shpenzimet atë verë, sepse, sipas tyre, pagesat i kishin bërë me para në dorë, që sigurisht i kishin përfituar në të zezë.
Sipas akuzës, janë 9 lojtarë që kanë marrë para për të humbur, mes të cilëve edhe sulmuesi aktual i Lazios, që në atë kohë ishte huazuar nga Manchester City te Levante. Fillimisht kjo çështje ishte arkivuar, por u rihap më 5 shkurt, pasi u siguruan prova të reja inkriminuese. Nga prokurorët e çështjes mësohet se është kërkuar 2 vite burg dhe 6 vite pezullim për 38 të hetuar për këtë skandal.

Ndërhyn Raiola

Mino Raiola dëshiron të veprojë si një ndërmjetës, për ta dërguar Mauro Icardin te Manchester United në verë, raporton “Corriere dello Sport”. Superagjenti i futbollit duket se synon të marrë përsipër përfaqësimin kryesor të Icardit, megjithëse sulmuesi i Interit është i lumtur të vazhdojë të punojë me agjenten aktuale, njëherazi gruaja e tij, Wanda Nara. Kjo e fundit, mesa duket është në procesin e negocimit të një marrëveshjeje të re me Interin, megjithëse Raiola ofron gatishmërinë e të punuarit për një transferim të argjentinasit në “Old Trafford”. Diskutimet aktuale mes Wanda Nara dhe klubit zikaltër ende nuk kanë filluar, por të dyja palët kanë konfirmuar gatishmërinë e tyre për t’u marrë me këtë çështje në kohën e duhur. Po, çfarë ka ndërmend të propozojë “Corso Vittorio Emanuele” për Wanda dhe për pjesën tjetër të shoqërimit të sulmuesit, domethënë agjentët Ulysses Savini dhe Pino Letterio?
Do të fillojë me një rritje prej pothuajse 2 milionë euro, krahasuar me pjesën aktuale fikse të angazhimit financiar, pastaj nga 4.7 në 6.5 milionë euro. Në këmbim, Interi do të dëshironte ta anulonte klauzolën krejtësisht. Ndërsa, përveç kësaj, do të kishte një grup të pasur shpërblimesh, të lidhura me qëllimet e ekipit dhe madje, edhe ato personale. Këto do të ishin shpërblime thelbësore, disa më të lehta për t’u arritur, të tjerat më pak, por ende në gjendje për ta rritur kapitenin zikaltër. Si në të gjitha negociatat, në fazën e parë, distancat mbeten të rëndësishme, por jo të paarritshme. Tashmë, për pjesën e pagës së garantuar, Wanda fillon nga një kërkesë prej 7 milionë euro, por në të njëjtën kohë, klauzola nuk do të eliminohej, por vetëm do të rritej: deri në 150 milionë euro, por me disponueshmërinë edhe për të arritur 200.

Ndërkohë, Skriniar është shprehur i lumtur për interesimin e klubeve të mëdha. “Mesa di unë gjatë merkatos së janarit ka ardhur një ofertë e pabesueshme, por unë e kam lënë gjithçka në dorë të menaxherit. Nëse ai do të mendonte të arsyeshme largimin atëherë do të ikja nga Inter. Gjithsesi, jam i lumtur për interesimin e klubeve të mëdha, ashtu si jam i lumtur që Inter, një tjetër klub i madh, ka vendosur mos më shesë”. Nuk kanë qenë fjalë çfarëdo ato të thëna nga Milan Skriniar gjatë një interviste, për një të ardhmen e tij, që mund të jetë larg nga Milano. “Në cilin ‘top club’ do të doja të luaja? Real Madrid dhe Barcelona më pëlqejnë shumë, por e njëjta gjë vlen për dy ekipet e Manchester. Për më tepër, Premier League është kampionati më i bukur në botë”.
23-vjeçari nga Sllovakia nuk e fsheh se mendon skuadra të tjera krahas Inter, gjithmonë nëse do të jetë titullar. “Largimi im do të varej nga disa faktorë, si për shembull marrëveshja mes klubeve dhe roli që do të kem aty ku do të shkoj. Nëse do të jem në stol atje ku do të shkoj, atëherë zgjedh të qëndroj përjetësisht te Inter”. Në fund, Skriniar shtoi: “Champions League është objektivi që kemi në këtë sezon. Sigurisht që kur ishim në krye nisëm të mendojmë edhe për titullin, por tani i përket gjithçka së kaluarës dhe ne synojmë të arrijmë mes katër të parave. Nuk duhet të humbasim më pikë rrugës, sepse jemi në vend të tretë dhe gjithçka është në dorën tonë”.

Ylli i Ajax: “Kush jam unë që të refuzoj Real Madrid?”

Në Europë po shkëlqen një futbollist që sapo ka mbushur 18 vjeç dhe që ka tërhequr vëmendjen dhe interesin e të gjithë klubeve më të mëdha të Europës. Justin Kluivert, djali i ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Milan, Partick Kluivert, ka folur në mikrofonin e “Helden” në lidhje me të ardhmen e tij, duke shpallur kështu preferencat e tij mes klubeve më elitare të kontinentit.
“Barcelona është një klub shumë i madh, por kush jam unë për t’i thënë jo Realit, nëse do të vinte oferta?”, deklaroi Kluivert Jr, duke treguar vlerësimin e tij superior për “Los Blancos” në raport me klubin katalanas.
Ndërkohë, ylli i Ajax, ka hapur edhe dyert në Premier League, ku veçoi disa skuadra: “Anglia më tërheq: Arsenal, Tottenham, Chelsea ose Manchester United janë klube të bukura ku e shoh veten të luaj pas ndonjë viti. Një menaxher të ofron mundësitë, por jam unë ai që merr vendimet, babai im nuk ndërhyn. Ai e di që nuk më pëlqen”, përfundoi ai duke treguar edhe marrëdhënien me babain-menaxher.

Barça-Arthur, marrëveshja për zbatim në janar 2019

Pas mbylljes së merkatos së dimrit dhe afrimit të Philippe Coutinho (25 vjeç) dhe Yerry Mina (23 vjeç), sekretariati teknik i Barcelonës është tashmë në rrugën e duhur të nënshkrimit me një lojtar të ri. Ky është Arthur Melo, mesfushori 21-vjeçar i Porto Alegre Gremio, i cili u zgjodh “MVP” në finalen e fundit të “Copa Libertadores”. Parashikimi është se Arthur nuk arrin te Barça deri në janar 2019. Sigurisht, nga klubi katalanas theksojnë se kjo mund të ndryshojë në varësi të performancës që Yerry Mina mund të ofrojë deri në verë. Hapat e nisura në dhjetorin e kaluar nga André Cury, një punonjës i Barçës në Amerikën e Jugut dhe Robert Fernandez, sekretari teknik i blaugranave, kanë përfunduar duke sjellë fryte. Ata u takuan me lojtarin, agjentin e tij, Jorge Machado dhe familjen për të hetuar nëse predispozicioni ishte i plotë, siç u evidentua tashmë me imazhet e rrjedhura nga Arthur, i veshur me fanellën azulgrane.

Menaxheri Giuffredi: Hysaj rendiment të lartë

Për Elseid Hysajn parashikohet një pjesë e dytë e sezonit mjaft intensiv në radhët e Napolit. Mbrojtësi shqiptar, një titullar i padiskutueshëm për Maurizio Sarrin në krahun e djathtë të mbrojtjes, tani duhet të mendojë edhe për mbulimin e roleve që nuk janë natyrale për të. Kjo për shkak të dëmtimit të ri të pësuar nga Ghoulam dhe mosndërhyrjes gjatë merkatos së janarit për të marrë një mbrojtës të djathtë si alternativë. Tashmë futbollisti i kombëtares shqiptare ka mbetur si “ujët e paktë” në formacionin e Sarrit për fazën mbrojtëse, me trajnerin që duhet t’i lutet Zotit që të mos i ndodhë ndonjë dëmtim i papritur. Pas paraqitjes shumë të mirë të Hysajt ndaj Lazios, menaxheri i tij Mario Giuffredi deklaroi me humor në Radio Kiss Kiss se “Hysaj ka treguar se mund të bëjë mirë në fazën sulmuese. Pikërisht ndaj Lazios ishte i fokusuar më shumë në sulm, ndërsa në ndeshjet e tjera ka menduar më shumë për mbrojtjen. Iu drejtova me një batutë: rendimenti i tij i lartë ka ardhur pasi ndërroi këpucët”.
Hysaj është aktivizuar në 21 nga 23 ndeshjet e këtij sezoni në Serinë A dhe në asnjë rast nuk është dëmtuar apo zëvendësuar, qoftë edhe për arsye fizike. Madje sezonin e kaluar e mbylli si futbollisti me më shumë minuta në këmbë te skuadra e Napolit. 24-vjeçari, falë përshtatjes së tij, pritet të aktivizohet nga Sarri edhe në krahun e majtë të mbrojtjes, aty ku Napoli ka më shumë probleme në organikë.

Sulmet amerikane vrasin mercenarë rusë në Siri

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, thotë se nuk ka njohuri se nga sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara janë vrarë dhjetëra ushtarë mercenarë rusë në Siri, megjithqë ai ka parë raporte në media për vrasjet e këtilla.
Pentagoni tha se nga sulmet në Deir al-Zor të Sirisë, javën e kaluar, janë sulmuar trupat qeveritare të Sirisë, që e kishin sulmuar një bazë të forcave amerikane dhe atyre opozitare siriane, duke i vrarë afro 100 sulmues.
“Kjo tani po raportohet në shtyp”, tha Mattis dhe ka shtuar se “nuk kam asnjë raport se disa rusë, që nuk janë ushtarë të Federatës Ruse, por kontraktorë rusë, ishin në mesin e viktimave”.
“Ne nuk e kemi marrë këtë njoftim në Komandën Qendrore ose në Pentagon”, tha Mattis.
Një zdhënës i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, po ashtu, ka thënë se nuk ka njohuri për ndonjë vrasje të rusëve në sulmin më 7 shkurt.
Por, mediat kanë raportuar se farefisi dhe kolegët e ushtarëve mercenarë rusë kanë thënë se dhjetëra rusë mund të jenë vrarë nga sulmet.
Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se i kishte lansuar sulmet ajrore, pasi më se 500 sulmues e kishin filluar atë që duket se ishte sulm i koordinuar, kundër një baze të forcave opozitare siriane, të shoqëruara nga këshilltarët amerikanë në Deir al-Zor.
I pyetur mbrëmë gjatë një dëgjimi në Komitetin e Inteligjencës të Senatit të Shteteve të Bashkuara, nëse ka ndodhur ndonjë vrasje e mercenarëve rusë, drejtori i Agjencisë CIA, Mike Pompeo, tha pa elaboruar se “nga perspektiva e inteligjencës, ne kemi parë në shumë raste forcat e jashtme, duke i përdorë mercenarët në beteja, që do të fillojnë t’u qasen Shteteve të Bashkuara”.
Më herët, Pentagoni ka refuzuar t’i identifikojë 100 ushtarët, për të cilët tha se ishin vrarë nga sulmet ajrore amerikane.
“Nuk do të spekulojë për kompozicionin e kësaj force ose nën kontrollin e kujt ishte ajo”, tha gjeneral Jeffrey Harrigian, zëdhënës i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara dhe ka shtuar se, “ne jemi të fokusuar në armikun e vetëm: IS-in”.
Mëtutje ai theksoi se, “ushtria amerikane nuk synon luftë me dikë tjetër, por siç ka thënë sekretari Mattis javën e kaluar – nëse ju na kërcënoni ne, do të jetë dita juaj më e gjatë dhe më e vështirë”.
Gjatë fundjavës, janë paraqitur raporte në blogjet ruse dhe tjetër kund, se një numër i panjohur i ushtarëve rusë me kontratë janë vrarë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, ka thënë se asnjëri prej ushtarëve të vet nuk ishte në atë territor dhe ka sugjeruar se luftëtarët e Qeverisë së Sirisë ndoshta kanë dështuar t’i koordinojnë aksionet e tyre me ushtrinë ruse.
Zyrtarët amerikanë thanë, po ashtu, se gjatë sulmit të tyre ata ishin në kontakt me ushtrinë ruse, nëpërmjet linjës speciale “të nxehtë” të krijuar nga të dy palët për evitimin e incidenteve armiqësore ndërmjet dy armatave.
Conflict Intelligence Team me seli në Moskë, që e monitoron përfshirjen ruse në konfliktet në Siri dhe Ukrainë, i ka identifikuar tre rusë, për të cilët tha se ishin në mesin e atyre që janë vrarë.
Organizata Cossack në Kaliningrad të Rusisë nëpërmjet postimit në mediat sociale, tha se një pjesëtar i vet është vrarë, po ashtu.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se intervenimi i Rusisë në Siri, që ka filluar në fund të vitit 2015, është në rënie e sipër dhe në dhjetor të vitit të kaluar ka urdhëruar që të tërhiqen ushtarët e uniformuar rusë.
Njëherësh, një numër i panjohur i rusëve, që punojnë për kompanitë private ushtarake, kanë shërbyer së bashku me trupat e rregullta ruse. Kompania, PWC Vagner, në Shën Petersburg, ishte njëra nga më të njohurat.
E përditshmja ruse, Novaya Gazeta, tha se 13 rusë ishin vrarë në sulm, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur.
Agjencia Bloomberg, duke i cituar dy rusë të paemëruar, ka raportuar se më tepër se 200 ushtarë me kontratë janë vrarë në sulm.
E përditshmja “New York Times”, e ka cituar një oficer ushtarak sirian, që ka thënë se afro 100 ushtarë rusë janë vrarë.
I pyetur për këto raporte, Dmitry Peskov, zëdhënës i Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u tha dje gazetarëve në Moskë, se Qeveria ka njohuri vetëm për aksionet e ushtrisë së Rusisë në Siri.
“Ne nuk kemi informacion për rusët e tjerë, që mund të jenë në Siri”, tha Peskov.
Raportet për vrasjet e rusëve në një incident në Deir al-Zor, janë paraqitur në periudhën e tensioneve të vazhdueshme në raportet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, që janë përkeqësuar për shkak të mospajtimeve për Sirinë dhe disa çështje të tjera.
Këto raporte u paraqitën edhe para zgjedhjeve presidenciale më 18 mars në Rusi, në të cilat gjerësisht pritet që Putin do ta sigurojë edhe mandatin e katërt të Presidentit.

Si u aneksua Krimeja?

Ish-ligjvënësi rus, Ilya Ponomaryov, ka dëshmuar në një gjykatë në Kiev të Ukrainës, me ç’rast tha se Presidenti rus, Vladimir Putin, personalisht ka urdhëruar aneksimin e Krimesë së Ukrainës, në vitin 2014.
Duke folur në procesin gjyqësor kundër ish-Presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovich, zoti Ponomaryov tha sot se “e dinë me siguri” se Putin ka kërkuar marrjen e Krimesë në Ukrainë.
Atëherë, Viktor Yanukovich, që ishte aleat i Rusisë, fluturoi nga Ukraina në Rusi, për shkak të protestave masive proevropiane, të njohura me emrin Euromaidan ose Maidan.
Sipas Ponomaryovit, shumë zyrtarë rusë ishin kundër aneksimit të Krimesë në mars të vitit 2014, por Putini i kishte bindur ata që ta mbështesin këtë ide.
“Putin i ka shikuar ngjarjet në Maidan dhe ka kuptuar se personi të cilin ai e mbështeste, po humbte. Rrjedhimisht, ai personalisht ishte dashur të kujdesej për evaakuimin dhe shpëtimin e jetës së tij. Putini këtë situatë e ka parë si tradhti nga komuniteti ndërkombëtar, si ndërhyrje në interesat e tij personale”, tha Ponomaryov.
Ponomaryov, që ishte i vetmi anëtar i Dumës Shtetërore ruse, që kishe votuar kundër aneksimit të Krimesë, jeton në kryeqytetin Kiev në Ukrainë, prej vitit 2015.
Prokurorët në Ukrainë kërkojnë burgim të përjetshëm për Yanukovichin, i cili është i akuzuar për tradhti, shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dhe për mbështetje të agresionit rus.
Procesi kundër Yanukovichit mbahet në mungesë të tij. Pas largimit të tij nga Ukraina, Rusia e mori kontrollin ndaj Krimesë dhe e nxiti kundërshtimin e qeverisë qendrore nga pjesa lindore e Ukrainës, ku shpërtheu lufta ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, nga e cila prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 10,300 vetë.