15.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Shqiptari kapet në Itali me 17 kg kokainë dhe arsenal armësh

Mbi 17 kg drogë dhe një arsenal armësh janë sekuestruar në banesën e një 20-vjeçari shqiptar në Komunën Barlassina në provincën e Milanos në Itali. 20-vjeçari shqiptar punonte si barist në një nga lokalet më të modës në provincën e Milano/Brianza, por në të vërtetë ishte një trafikant droge e armësh. Operacioni i policisë italiane ka sekuestruar në garazhin e shtëpisë së 20-vjeçarit shqiptar 12 kg kokainë e 5 kg e 50 gramë heroinë.
Gjithashtu në banesën e shqiptarit, forcat italiane të rendit kanë gjetur dy mitralozë, një pistoletë gjysëm automatike, një revolver dhe municion për të gjitha armët. Së bashku me 20-vjeçarin, Policia italiane ka arrestuar dhe dy bashkëpunëtorë të tij po shqiptarë me akuzën e trafikut të drogës dhe armëve. 5 kg kokainë nga sasia e drogës së sekuestruar u gjet në bordin e një automjeti luksoz sportiv, drejtuar nga njëri prej bashkëpunëtorëve të trafikantit shqiptar. Gjatë ditës pritet që Policia e Milanos të zbardhë më shumë detaje mbi këtë operacion.

Po ashtu, dy shqiptarë të moshës 34 dhe 38 vjeç, u arrestuan nga karabinierët e Villalvernia në Itali për trafikim të lëndëve narkotike. Oltion Mani dhe Vladimir Prroj, u ndaluan mbrëmjen e djeshme kur policia rrethoi zonën industriale të Tortonës, raportojnë mediat lokale.
Pasi ndaluan mjetin me të cilin lëviznin dy shqiptarët, karabinierët vërejtën një pako e hedhur tek një bimë pranë makinës. Aty u gjendën 900 gram kokainë e ngrirë. Kërkimi nga efektivët edhe në dy shtëpitë e shqiptarëve çoi në zbulimin e një vendi të posaçëm për përgatitjen dhe paketimin e dozave të drogës. Shitja me pakicë e substancës së konfiskuar do të gjeneronte mbi 250 mijë euro, sipas medieve lokale.

Kapet me 1.5 kg heroinë një shqiptar në kufi me Greqinë

Një i ri është vënë në pranga, pasi është kapur me 1.5 kilogramë heroinë, duke e trafikuar drejt Greqisë. Burime nga policia thanë se, Elton Ferko, 37 vjeç është prangosur në Doganën e Kakavijës. Policia siç duket kishte marrë informacione për trafikun e drogës dhe ka ndaluar autobusin ku është gjetur dhe droga e fortë. 37-vjeçari nga Fieri është arrestuar teksa po tentonte të kalonte drejt Greqisë 2 pako me heroinë.
Ai i kishte fshehur pakot me heroinë në brez dhe në xhepin e brendshëm të xhaketës ku është paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë për të udhëtuar drejt Greqisë me autobuzin e linjës Tiranë-Athinë. Pesha totale e lëndës narkotike rezultoi 1 kilogramë e 520 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grabiten 3 biznese në Durrës, Rrogozhinë dhe Mirditë

Tre biznese janë vjedhur gjatë natës mes së hënës dhe të martës në Tiranë, Durrës dhe Mirditë, ndërsa për të tjera rastet nuk ka ende persona të arrestuar. Në Rrogozhinë, është vjedhur me thyerje lokali “Lotto Sport”, i R.K, vjeç 40, banues në Rrogozhinë, ku janë marrë 12 televizorë plazma, të markave të ndryshme.
Në Durrës, në lagjen nr. 17/1, kanë vjedhur me thyerje pikën e shitjes së pllakave të një kompanie private me administratore, A.G, 38 vjeçe, banuese në Durrës. Aty janë marrë një sasi të papërcaktuar lekësh, njofton zyrtarisht Policia. Ndërsa në Rubik, kanë vjedhur me thyerje dyqanin e P.GJ., 51 vjeç, banues në Rubik, ku kanë marrë tre televizorë plazma.

Basha: Hyra në Kosovë menjëherë pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe pasi përfunduam në Hagë padinë e Milosheviçit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e krahasoi Pavarësinë e Kosovës me një maratonë që ka përfshirë breza të tërë.
Në lidhje me 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Basha tha se ka hyrë në Kosovë menjëherë pas arritjes së marrëveshjes së Kumanovës. “Kam hyrë në Kosovë bashkë me dy kolegët e tjerë të OKB-së dhe kemi qenë të parët që kemi hyrë në territorin e Kosovës me trupat britanike”, tha Basha. Kreu demokrat e ka cilësuar 2008-ën si vitin e madh për Shqipërinë dhe Kosovën, për mbarë shqiptarët. “Shqipëria hyri në NATO, Kosova u shpall e Pavarur, një fitore euro-atlantike në Rajon”, tha Basha.
“10 vjet më parë treni ecte përpara me Shqipërinë dhe Maqedoninë, Serbia nuk ishte fare në trenin integrimit europian. Mali in Zi përpiqej të ishte në tren, ndërsa sot Serbia kryeson trenin bashkë me Malin e Zi. Por kjo situatë mund të përmbyset dhe Shqipëria të jetë sërisht lokomotiva e rajonit drejt BE-së”, tha Basha, duke shtuar se e rëndësishme është që të punohet me vizion jo se çfarë do të korrim vitim e ardhshëm, por në 10 apo 20 vitet e ardhshme.

Zoti Basha 10 vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë, 17 shkurti ka qënë një ditë feste, ju keni qënë ministër i Jashtëm. Një ditë që kaloi në dy faza, faza e parë e ditës që kaloi me festimet e kumtimet dhe faza e dytë me disa shqetësime për ngjarjet që po ndodhnin ne very të Kosovës dhe nëBeogradit. Çfarë mund të risillni sot në vemendjen tuaj nga 17 shkurti i 2008-s?
Basha: Dita në vetvete ka qënë një ditë emocionesh të jashtëzakonshme. Por ka qënë në të njëjtën kohë edhe arritja në finish pas një maratone do të thoja të gjatë plot me sfida, plot me të panjohura dhe plot me lajme të mira por edhe me zhgenjime të cilat kulmuan në përfundim me më arritjen e një objekti kombëtar që ishte shpallja e pavarësisë në kordinim me Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europain dhe njohja e e pavarësisë në një kohë të shkurtër nga shtetet kryesore, fuqitë kryesore të botës. Prandaj vetë data 17 është një datë emocionesh, është një datë përjetimesh, por është arritja, është etapa finale e një rrugëtimi të gjatë, plot me sfida të lodhshëm do të thoja por të kurorëzuar me sukses. Në këtë kuptim e kujtoj njësoj siç do ta kujtonte një Maratonomak momentin e prerjes së shëritit, më shumë gëzim, me një çlirim të madh, dhe natyrisht këtë 10-vjetor e kujtoj edhe me një ndjesi krenarie të bashkëndare besoj me të gjithë bashkëkombasit tanë.

Ju keni qënë në Kosovë, përmendët rrënjët tuaja, para së te jeni Ministër i Jashtëm, para se shpallet pavarësia. Cili është emocioni juaj në vizitën e parë në Kosovë si Luzim Basha dhe jo si zyrtat i shtetit Shqiptar?
Basha: Përkon me datëlindjen time. Me 12 qershorin e vitit 1999, në këto momente unë punoja për Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Tribunalin e Hagës si Drejtor i Opracioene në zyrën e Tiranës që sapo kisht përfunduar me sukses ndërtimin e padisë kundër Sllobodan Millosheviçit. Dhe ishte kjo që më mundësoi hyrjen në Kosovë në orët e parë të futjes në Kosovë të kontigjenteve të para ushtarake të KFOR-it, të NATO-s, pas marrëveshjes së Kumanovës dhe tërheqjes së trupave serbe. Di që moment i parë i kontaktit i ndodhjes në territorin e Kosovës.

Kaluat nga Morina?
Basha: Jo nga Maqedonia. Disa orë pas futjes së kontigjenit të parë britanik, kam qënë bashkë me dy kolegë. Kemi qënë tre të parët të OKB-së. Dy makinat e vetme të bardha në një mori makinash të gjelbra ushtarake të burkave nepaleze që ishin pararoja. Ajo që mbaj mend është momenti i parë i futjes në pikën kufitare ku akoma nxirrnin tym shtepia të djeguara të shqiptarëve, ku dëgjoheshin me rregullsi krismat e armëve dhe vështirë të dallohej se ku po luftohej e ku po festohej. Por ndjesia e parë ka qënë sikur po zbuloja një pjesë të vendit, të atdheut, të tokës, të cilën mund të mos e kisha parë gjithë jetën. ishte sikur të shkoja në anën tjetër të Hënës. E shikon Hënën nga njëra anë gjithmonë, e di që ka edhe një anë tjetër. E dija që ishte jë Kosovë, nga e cila vjen gjysma e familjes time dhe të qënit aty personalisht ishte një ndjesi e papërshkueshme sot dhe e vështirë për t’ia shpjeguar tjetrit. Një ndjenjësi thellësisht emocionale. Por kjo ka të bëjë me emocionet dhe jam i sigurtë se nuk është vetëm ndjesia ime apo atyre që origjinojnë nga Kosova, por është ndjesia e çdo shqiptari moment i çlirimit të Kosovës dhe i futjes së trupave të para të NATO-s, të britanikëve, amerikanëve, gjermëve francezëve, italianëve, trupave të tjerë. Ka qënë do të thoja një moment ekzaltimi kombëtar. Një moment i realizmit të pjesës më të madhe të ëndrrës së shqiptarëve për të zgjidhur një problem shekullor të të lirisë kombëtare.

Ju keni qënë Ministër i Jashtëm, në krye të diplomacisë, më 17 shkurt. Por para se të ndalem tek kjo ditë, ka qënë një përqasje që qoi në pavarësinë e Kosovës dhe një shqetësim në rajon dhe më gjërë Çështja Shqiptare, Shqipëria e Madhe. Cila ka qënë përgjigja juaj ndaj interlekutorëve të shqëtësuar për këtë realitet të ri në Ballkan?
Basha: Mendoj se 10 vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është momenti t’i themi disa gjëra pak më hapur. Unë i përkas një brezi që është rritur me idenë e Shqipërisë së Bashkuar, Kosovës së Bashkuar me Shqipërinë. Me ëndërrën, jo idenë. Ëndërr e cila ka ekzistuar edhe para se të vinte demokracia dhe ne mund të artikulonim dhe të flsinim hapur për çështje të tilla. Vitet ’90 ishte koha e ndërgjegjësimit për domosdoshmërinë e veprimit për të arritur objektivat kombëtare por edhe domoshmërinë e ralizmit se çfarë do të mund të arrinim në veçanti në zgjimin e luftës së përgjakshme në ish-Jugosllavi ku orekset shoviniste Serbe quan nga njëra anë qindra – mijëra jetë të humbura dhe nga ana tjetër në një Serbi se vinte e bëhej më e vogël si ndëshkim për një politikë shfarosëse, shoviste që synonte territoret. Dhe kjo natyrisht gdhendi, nën lidershipin e ibrahim Rugovës, ëndërrën e Kosovës së Pavarur, pra të një shteti të pavarur tjetër të shqiptarëve, përveç Republikës së Shqipërisë, si një zgjidhje e cila do të akomodonte një padrejtësi shekullore, por nga ana tjetër do të përballte shqiptarët me sfidën e të qënit në të njëjtën lartësi si vlerat, parimet, normat dhe vizioni i vendeve euro-perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të amerikës sa i përket të ardhmes së gjithë rajonit dhe jo vetëm Shqipërisë, jo vetëm të shqiptarëve. Dhe ishte pikërisht ky realism që pavarësia e Kosovës nuk do të ishte thjehstë një hap në drejtim të zgjidhjes së problemit kombëtar të shqiptarëve, do të ishte një hap akoma më i madh në drejtim të kthimit një herë e përgjithmonë të shqiptarëve në familjen e vlerave perëndimore, në familjen e vlerave europiane dhe euro-atlantike. ajo që i dha një shtysë të fuqishme përpjekjeve për pavarësinë e Kosovës. Në këtë kuptim nuk ka asnjë dyshim që vetë pavarësia e Kosovës është përqafuar nga shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar jo thjeshtë dhe vetëm si korrektimi i një padrejtësie shekullore ndaj popullit shqiptar dhe kombit shqiptar.

Si përgjigje ndaj spastrimit etnik
Basha: Apo përgjigje ndaj spastrimit ektnik të 1999 që nuk ishte i pari as i dity si spastrim ektnik i ndodhur në Kosovë, por si invetimi më i mirë së pari për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe së dyti për një Ballkan Europian, për një Ballkan euro-atlantik.

Serbët s’e kanë ndarë kurrë këtë opinion që pavarësia e Kosovës është çelësi i paqes
Basha: Sigurisht që jo dhe në këtë kuptim ka qënë një operacion i dhimbshëm dhe një investim për Serbinë europiane. Kurrë nuik do të kishte një Serbi potencialisht europiane sa kohë që Kosova do të ishte e robëruar apo në gjendje luftë ta armatosur siç ndodhi në vitet 1998-1999. Vetë pavarësimi i Kosvës, e kam thënë dhe e përsëris, është një investim për Serbinë Europiane. Ky është natyrisht një vendim që u takon serbëve, por pavarësia e Kosovës është investimi më i madh në tre dekadat e fundit për Serbinë Europiane, pse jo edhe për Serbinë Euro-Atlantike.

Çfarë mund të na thoni sot, që nuk mund të thonit 10 vite më parë? Unë kam pas rastin t’iu intervistoj në studion e Televizionit Publik saktësisht 10 vite më parë në 17 shkurt të 2008-s.
Basha: Ka akoma ggjëra të cilat nuk mund të thuhen për vetë natyrën e komunikimit diplomatik

Pas Wikileeks që dolën 250 mijë kabllo dhe nuk ndodhi ndonjë gjë e madhe, bota vazhdoi jetën…
Basha: Për fat të mirë apo për fat të keq natyra e diplomacisë personale në takimet që kam pasur me homologë edhe europiane të cilët kanë ndihmuar në mënyrë të drejpërdrejtë shpesh herë duke kaluar kufinjtë e diplomacisë, të tjerë të cilët kanë ngrënë fjalën dhe kanë bërë prapakthehu nga qëndrimet e premtuara. Ndërhyrjet e faktorëve të tretë kryesisht të rusisë. Përballja me ta jo vetëm në forumet shumëkombëshe, multilateral, siç ishin ato të OSBE-së apo OKB-së, por i gjeja edhe aty ku nuk duhet të ishin në disa takime bilateral, dhe çmontimi i të gjithë mekanizmit anti-pavarësi, në kuptimin e argumetave anti-pavarësi ka qënë një përpjekje shumë sfiduese dhe më ka dhënë një sfadisfaksion të jashtëzakonshëm. Nuk duhet të harrojmë se e gjitha kjo është zhvilluar në kontekstin e një ambienti jashtëzakonisht pozitiv, dashamirës dhe mbështetës të krijuar nga mbështetja e Uashingtonit dhe shumicës dërrmuese të vendeve europiane.

A ditëm ne shqiptarët t’ua kthejmë si shpërblim, si mirënjohje aleatëve perëndimorë investimin e madh që bënë për shtetin e dytë shqiptarë në rajon?
Basha: Kjo është një punë në process. Kantieri vazhdon punën. Dhe bën mirë që thua shqiptarëve, se kjo është një detyrë jo thjeshte e Kosovës por edhe e Shqipërisë, natyrisht e shqiptarëve kudo ku jetojnë, në Maqedoni dhe kudo tjetër.

Zoti Basha, çfarë mund të ishte bërë më mirë? 10 vite nuk janë shumë nga pikëpamja historike, janë dy rreshta në histori, por 10 vite janë shumë për jetën e një brezi. Çfarë mund të ishte bërë më mirë në Kosovë gjatë këtyre 10 viteve?
Basha: Çfarë mund të kishim bërë më mirë si shqiptarë? Unë nuk e ndaj sepse sigurisht ata kanë përgjegjësitë e tyre në raport.

Doja të thota brenda etikës së lidershipit të Kosovës
Basha: Unë nuk i jap vetes të drejtën as sot as kurrë. As si kryetar i opozitës, as nesër si kryetar i qeverisë, në asnjë rol të bëj gjyqtarin klasës politike të Kosovës. Unë mendoj që në tërësi klasa politike e Kosovës i ka kryer detyrat e saj me një sens përkushtimi ndaj vendit dhe kam bindjen e thellë se do të vazhdojë ti kryejë detyra me përkushtim ndaj vendit.

Si ndodh që tashmë lindershipi i Kosovës ndodhet në një përplasje të hapur. Kujtoj 10 vite më parë ju keni thënë saktësisht që “Po të ketë njohje cilësore, pesë vendet Britania e Madhe, Franca, Gjermania, italia dhe SHBA” tashmë ata bëjnë deklarata dhe i thonë lidershipit të Kosovës se “Nëse do të bëni këtë veprim do të keni këto pasoja. Ne jemi miqtë tuaj dhe mos na humbisni” në këtë sens?
Basha: Nuk duhet marrë një episod i veçantë që është episodi i Gjykatës Speciale

Nuk është i parëndësishëm…
Basha: Nuk është i parëndësishëm. Është i rëndësishëm. Pikëpamjet e mia për të i kam thënë qartë dhe kam bindjen që, ashtu siç edhe ka ndodhur, që me përgjegjësi të madhe, njerëzit të cilët kanë luftuar me armë për lirinë e Kosovës, kanë sakrifikuar ata, të afërmit, jetën ë tyre, kanë derdhur gjakun për të arritur tek Kosova e pavarur do të dinë të ngrihen në nivelin e sakrifikimit të interesave të tjera, qofshin këto partiake apo edhe pesonale për Kosovën. E kam bindje të thellë këtë dhe nuk ka sit ë ndodhë ndryshe. Nuk mund të ndodhë ndryshe që dikush që kan vënë në rrezik jetën e tij, të fëmijëve të tij, të familjes së tij për lirinë e Kosovës, që ka flijuar anëtarët e familjes apo të komunitetit duke udhëhequr një beteje për lirinë e Kosovës të tradhëtojë këtë ideal. Kjo nuk mund të ndodhë. Jam i bindur. Shpreh bindjen më të thellë për këtë dhe nuk e kam për një qokë politike sot në këtë emission. E kam bindjen më të thellë. Kjo nuk do të ndodhë. Nuk ka forcë në botë të kthejë prapa sakrificën dhe investimin e bërë tashmë nga kosovarët dhe nga lidershipi i tyre politik, pavarësisht prej krahut politik. Ajo që doja ta thoja është diçka tjetër. Çfarë na ndodhi? Unë e kam thënë, e kam paralajmëruar në një farë mënyre sepse e kam ndjerë si një rrezik dehje nga suksesi. 2008 ishte një vit i madh. Kosova u shpall e pavarur. Shqipëria u ftua në NATO. Vit i madh për Shqipërinë, për shqiptarët. Vit i madh për perëndimin në Ballkan. Vit i zi për kundërshtarët e perëndimit në Ballkan, për mendimin tim, një vit vendimtar për të ardhmen e Serbisë Europiane. Nuk kam parasysh serbët këtu, kam parasysh ata që nuk e duan dhe nuk e shohin Ballkanin si pjesë të Europës apo si pjesë të Aleancës Euroatlantike. Por nëse këtu arritëm falë vendosmërisë tonë të dy dekadave të fundit por në fakt një vendosmërie brezash për të mos e lëshuar Kosovën, për të luftuar deri në fund për të realizuar lirinë e tyre. Pra vendosmërisë dhë mbështetjes të jashtëzakonshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vecanti, Britania e Madhe, Gjermania, Italia, Franca dhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Ajo që na nevoitej dhe na nevoitet është një strategji, një vizion jo për muajin e ardhshëm, as për vitin e ardhshëm, as për zgjedhjet e ardhshëme, por për 10,15 ,20 apo 30 vitet e ardhshme.

Pse nuk e kemi?
Basha: Sepse jemi në radhë të parë, mendoj sepse arritja e këtyre sukseseve pati një efekt dehës në elitat jo thjeshtë politike por në elitën kombëtare të vendit dhe bashkë me çlirim që erdhi nga arritja e këtij stacioni të madh kombëtar, erdhën edhe efektet anësore negative të dehjes, indulgjenca, sëmundjet ekzistuese u thelluan në veçanti ato që kanë të bëjnë me qeverisjen jo transparente, me protagonismin që pastaj i hap rrugë fenomeneve të shëmtuara siç janë korrupsioni, siç është mosluftimi me efikasitet i krimit, personalizimi i shtetit që vjen dorë për dorë me rrënimin në vend, që të jetë ngritja e shtetit ligjor dhe të tjera problem që ndikuan dhe vazhdojnë të ndikojnë negativisht në prespëktivën tonë. Por jam I bindur që është një sëmundje kalimtare që është një dehje kalimtare dhe në qoftë se shohë një sfidë për ne për këtë gjeneratë për gjeneratën e ardhshme , tani eshte koha urgjentisht të shtrojmë rrugën dhe të ndërtojmë së bashku që nuk është detyrë vetëm e Prishtinës apo vetëm e Tiranës por e të dyvë bashkë dhe faktorit Shqipëtarë kudo ku jeton per dekadad e ardhshme. Vizioni është i qartë, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia ku jeton komuniteti më i madh i shqipëtarëve jashtë këtyre dy republikave. Kanë një vision të qartë për Shqipërnë europiane, Kosovën europiane, Maqedoninë europiane dhe kjo i jep pyetjes tuaj përgjigjen. Po ky është bashkimi kombëtar është bashkimi kombëtar në një realitet politik ku kufijtë e humbin domethënien e tyre ku shqipëtarët lëvizin lirshëm ku tregjet apo tregu i tyre është i intëgruar në një të vetëm dhe ku përpos flamurit kombëtar dhe simboleve kombëtare kemi edhe një flamur tjetër që e mishëron dhe duhet ta mishërojë bashkimin kombëtarë që është flamuri I Bashkimit Europian dhe flamuri i NATO.

Qëndrojmë një sekond tek flamuri i Bashkimit Europian. Ju folët për vitin 2008 si viti i Perëndimit në Ballkan dhe si Ministër i Jashtëm ju keni artikuluar në atë kohë si përgjigje ndaj shqetësimit për Shqipërinë e madhe apo bashkimin e Shqiptarëve që kemi një plan të qartë do të bashkohemi në Bruksel. Nisur nga strategjia e zgjerimit qe u bë publike ne Strasburg, ne Parlamentin Europian nga Komisioneret Europian për rajonin duket sikur Shqipëtarët do të shkojnë me valë drejtë Brukselit dhe nuk është se janë në një hap për shkak dhe të specifikave. Shqipëtarët në Serbi dhe në Mal të Zi janë në valën e parë për momentin. Shqipëria dhe Maqedonia mbeten në valën e dytë sipas vlerësimeve të komisionit dhe më mbrapa Kosova dhe Bosnja. 10 vjet më pasë cfarë do të thonit për këtë bashkim të shqiptarëve në Bruksel?
Basha: Gjithcka mund të përmbyset sic është përmbysur sepse 10 vjet me parë Serbia nuk dukej fare, nuk ishte as pjesë e trenit. Treni ecte përpara me Shqipërinë, Kroacine dhe Maqedoninë. Serbia s’ishte fare pjesë e trenit dhe Mali i Zi kërkonte të hipte në këtë tren po nuk ishte akoma në qoftë se marrim një metafore të tillë dhe sot papritur shikojmë këtë realitet të përmbysur, por jo fatal as përfundimtar. Kjo mund të përmbyset përsëri. Shqipëria pra mund të jetë lokomotiva e integrimit Europian të rajonit.

Per 2025?
Basha : Per 2025 apo 2030 ne kemi detyrat tona Bashkimi Europian ka objektivat e veta. A po i bëjmë ne detyrat tona ? A kemi ne një vizion për të shkuar këtu. Shiko para se të shpallej pavarësia e Kosovës, vizioni për Kosovën e pavarur dhe Shqipëtarët si një faktor i fuqishëm europianisus, emancipues rajonit mori forme konkrete , jo thjeshtë qëndrimet politike ,jo thjeshtë qëndrimet e diplomacisë shqiptare, ju e dini fare mire që ishtë e preferuara e shtëpisë së bardhë të Xhorxh Bushit, e departamentit të Shtetit të Kondolesa Rais, apo Hilari Klinton më vonë , e preferuara e Brukselit. Por mori formë në atë që ne bënim ishin shqiptarët ishin vitet ku akoma pa u shpallur pavarësia e Kosovës ne përvijuam shkrirjen sktrukturore dhe infostrukturore të Shqipërisë dhe të Kosovës. Projektuam rrugën e kombit 2009 kjo rrugë përfundoi . Kjo do të thotë të punosh me vizion , jo të punosh thjeshtë se cfarë do të korrë vitin e ardhshëm , por se cfarë do të korrë brezi i ardhshëm cfarë do të korrin dy brezat e ardhshëm, dhe në këtë kuptim.

Si kishit menduar ju në 2008, me investimet infrastrukutore, rruga Ibarim Rugova , rruga e kombit, në pozicionin e 2008 për 10 vitet ardhshëm që tashme kanë ne i mbërritëm ,a kishit menduar se do të ishin në këtë gjëndje marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës?
Basha: Jo unë nuk i kisha menduar kështu pasi kisha menduar se pas heqjes së vizave me Shqipërinë, kisha menduar marrjen e statusit të vendit kantidat në një kohë shumë më të shpejtë , hapjen e negociatave, kisha menduar liberalizimin e vizave për Kosovën brenda vitit 2013-2014. C’është e vërteta dhe kam bashkëpunuar në atë kohë gjatë viteve 2009-2010 me autoritet e Kosovës të cilat kishin të njëjtën bindje. Kam besuar se bashkë me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës do të fillonte edhe një prespektivë e qartë dhe e prerë për antrësimin e Kosovës ne NATO por edhe në Bashkimin Europian. Natyrisht qe ka procese eksteme që nuk varen as nga Tirana as nga Prishtina procese globale sic ishte kriza ekonomike e vitit 2008 e cila padyshim pati efekte politike dhe ngadalësoi edhe oreksin për zgjerim qoftë në NATO qoftë në Bashkimin Europian , pati edhe problem që u shpalosen me fuqi të madhe , duke nisur këtu nga shtëpia jone siç ishin problemet e rikthyera dhe të zmadhuara të kriminalitetit të bumit të drogës. Për të cilën le të themi të vërtetën kundërshtarët tanë, rivalët tanë ,armiqtë ne Ballkanin perëndimor kanë bërë gjithëçka qe jo thjeshtë faktet por edhe imazhi të rrënohet dhe Shqipëria të njihet sot siç është njohur para vitit 2005 si një vend trafikantësh, si një vend ku politikanët apo pushtetarët janë në bashkëpunim me kriminelët apo janë vetë kriminelët. Dhe këto nuk mund ti mendoja ishin të paimagjinueshme në 2008 për mua. Unë mendoja dhe besoja, isha i bindur se ne vitin 2009 kur bëmë aplikimin për statusin se vitit 2010 do të na gjente mes NATO-s, se viti 2012 do të na gjente në negociata të hapura dhe se e do të vazhdonim të ishim lokomotiva e rajonit bashkë me Kroacinë dhe do të ndihmonim me të gjitha mënyrat që edhe vendet e tjera të rajonit të na ndiqnin. Tani pak rëndësi ka kjo sepse kjo është e kaluara ,rëndësi ka cfarë mund të bëjmë sot për nesër. Është në dorën tonë, gjithçka është në dorën tonë.

Ne vitin 2028 , ndoshta do të jetë një koiçidencë interesante që të bëjmë një intervistë në harkun e tridhjetë viteve dhe pas dhjetë vitesh. Në 2008 në 2018 dhe në 2028 si e shikoni të ardhmen e Shqipërisë dhe të Kosovës?
Basha : Problemet aktuale janë akute, janë probleme të mprehta , plotësisht te zgjidhshme në qoftë se ka vullnet politik. Ajo që mund të konfirmojë është që unë e kam këtë vullnet politik, Partia Demokratike e ka këtë vullnet politik dhe unë e di që ka shumë burra dhe gra që e kanë këtë vullnet politik dhe të gjitha partite politike në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo tjetër. Jo drejtuesit aktual të Tiranës dhe ky natyrisht është një problem që duhet zgjidhur, do ta zgjidhin qytetarët shqiptarë. Që ne të jemi në 2028 atje ku unë besoj anëtarë të Bashkimit Europian puna duhet të fillojë sot. Sot ne duhet të kthejmë zgjdhjet e lira në Shqipëri , sot ne duhet të shpallim një ndryshim themelor të politikës dhe pastaj të ekonomisë në Shqipëri dhe ne Kosovë, duke i thënë fund monopoleve politike, që ti japim fund monopoleve ekonomike që do të mundësojë që cdo shqiptar në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të ketë mundësi të konkurrojë lirisht në zgjedhje, në tregje, në universitete, në media dhe kudo tjetër. Pra jemi në fund të një akumulimi të madh i cili nuk mund të vazhdojë më, të problemeve që nuk dua ti përsëris se jemi edhe në intervistë jubilare por qe nuk mund të vazhdojë më. Shqipëria ka nevojë per një ndryshim themelor për një ndryshim të madhë politik dhe ekonomik. Shqiptarët e duan këtë ndryshim dhe jam i bindur se kanë energjitë për ta bërë këtë ndryshim. I takon klasës poltike të vetëgjyqsohet ose përndryshe kjo klasë politike e ka mbaruar misionin e saj dhe i takon një klase të re drejtuesish në Shqipëri ndoshta edhe në Kosovë të marrin pishtarin dhe të vazhdojnë stafetën për të arritur në Shqipërinë europiane, në Kosovën europiane, lufta pa asnjë kompromis kundër krimit dhe korrupsionit, vendosja e shtetit ligjor të normave Europiane, çlirimi i konkurrencës në ekonomi, fund monopoleve siç e thashë ekonomike, politike, mediatike janë imperativa të cilat, lufta për të cilat duhet të niset sot dhe jam i bindur që në 2028 do të shikojmë se ishte vendimi i duhur beteja e duhur dhe fitorja e çdo Shqiptari dhe çdo Shqiptareje .

Bora bllokon akset rrugore në Veri, Tropoja pa energji

Moti i vështirë dhe reshjet e dendura të dëborës kanë krijuar vështirësi në disa akse rrugore në Veri. Në zonën e Pukës, në Qafë Mali, trashësia e borës ka arritur në 10 centimetra dhe këshillohet të shmangen lëvizjet pa zinxhirë. Sipas zyrtarëve të Bashkisë së Pukës, aty po punohet për të mbajtur rrugët e hapura, por edhe për të rikthyer energjinë në disa fshatra.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, thotë se aksi Librazhd-Bulqizë është i pakalueshëm, dhe bllokime të herë pas hershme ka edhe në rrugën Shkalla e Lunikut–Steblevë. Aty ku dhe trashësia e borës ka arritur gjysmë metri. Në Dibër dhe në Kukës reshjet po bien prej tri ditësh, dhe në zonat e thella ka bllokime të rrugëve rurale si dhe mungesë energjie. Rruga e “Kombit” mbahet nën kontroll dhe deri më tani nuk paraqet problem qarkullimi në këtë aks.
Probleme nga moti i keq ka pasur edhe në transportin detar. Në Vlorë, era e fortë dhe me dallgë, ka bërë që trageti i linjës Vlorë-Bridizi të dalë nga porti dhe të qëndrojë në radë. Mjetet e peshkimit kanë marrë urdhër të mos dalin në det. Kapiteneria konfirmon se pritet që situata në orët e ardhshme të jetë edhe më e rëndë. Për këtë arsye, mundet që trageti të mos lundrojë drejt Italisë. Ndërkaq forcat detare tërhoqën në Porto Palermo anijen 100 tonëshe të peshkimit “Andi 2”. Ajo shfaqi probleme gjatë lundrimit dhe kishte kërkuar ndihmë. Ekuipazhi nuk pati probleme dhe ankorimi u bë normalisht.

Thuajse i gjithë Qarku i Kukësit është përfshirë nga reshjet e dëborës, që në disa zona arrin deri në 40 centimetra. Sipas informacioneve, aktualisht akset rrugore nacionale që përshkojnë Qarkun e Kukësit janë nën prezencën e borës dhe efektin e rënies së gurëve, dherave skarpateve. Në rrugën e “Kombit”, lartësia e borës në aksin Tunel-Kalimash shkon deri në 10 cm. Një kamion ka dalë nga rruga për shkak të pranisë së madhe të dëborës.
Në disa segmente të kësaj autostrade qarkullimi i automjeteve është vështirësuar, pasi drejtuesit nuk kishin vendosur pajisjet dimërore. Për pastrimin e dëborës përgjatë rrugës së “Kombit” janë në funksion tetë borëpastruese si dhe është përdorur kripë për të lehtësuar qarkullimin dhe shmangur aksidentet nga automjetet. Të bllokuara janë rrugët në disa fshatra, si Lojmë, Arrën, ndërkohë që pa energji elektrike ka mbetur njësia administrative Llugaj në Tropojë.

Izolohen disa fshatra në Librazhd

Moti i keq me reshje bore në disa zona dhe reshje shiu në shumë qytete të tjera të vendit, ka shkaktuar sot situatë problematike. Gjatë orëve të pasdites shumë makina që ishin duke lëvizur në rrugën Prrenjas-Qafë-Thanë u bllokuan për disa minuta nga reshjet e dendura të borës. Mjetet nuk ishin pajisur me zinxhirë dhe u raportua për radhë 1 kilometër të gjatë të automjeteve në Qafë-Thanë. Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve, se nuk do të lejohen të qarkullojnë pa zinxhirë përmes Qafë-Thanës.
Trashësia e dëborës në disa zona të thella në Librazhd, Gramsh dhe Prrenjas i ka kaluar 50 centimetra. Sipas të dhënave nga terreni, rezulton se është e bllokuar rruga që lidh Librazhdin me Peshkopinë nga Klenja, po ashtu të bllokuara rezultojnë edhe disa fshatra si Stëbleva, Polisi Mal, Stravaj, Sopoti, Rrajca. Të gjithë pjesët e akseve nacionale në Qarkun Elbasan janë të hapura. Por rrugët dytësore që lidhin fshatrat e thellë malorë janë të bllokuara.

Fieri i përmbytur!

Qyteti i Fierit noton nën ujë. Reshjet e dendura të shiut shkaktuan vështirësi në lëvizjen e mjeteve edhe në aksin Fier-Patos. Nga rotondo pranë parkut deri pranë Drejtorisë së Policisë lëvizja bëhet pak me vështirësi, por nuk është i bllokuar. Sipas Policisë së Fierit të gjithë akset janë të kalueshme. Situata është nën kontroll edhe përsa i përket lumenjve.
Kryetari i PD, Luan Baçi e ka cilësuar situatën mjaft alarmante. Baçi shkruan në një postim në Facebook se, Lagjja Mbrostar Ferko Rr. Sokrat Plaku, është në gjendje të mjerueshme si dhe shumë rrugë dhe lagje të tjera të qytetit.
“Bashkia po na bën çdo ditë publicitet pedonalet dhe fasadat e rrugëve kryesore, por qyteti nuk është vetëm këtu. Qyteti është dhe Mbrostar Ferko dhe Afrim, Afrim i Ri, Çeligrad, Kryqëzim i parkut etj…. Investoni në kanalizime, në sistemime. Fieri po mbytet. Qytetarët kërkojnë ndihmë, askush nuk përgjigjet”, shkruan Baçi.

Edhe qyteti i Vlorës noton nën ujë. Rrugët e qytetit të Vlorës janë mbuluar me ujë si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë orëve të fundit. I gjithë qyteti ndodhet nën ujë, ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes kanë dalë të zhbllokojnë kanalet kulluese. Bulevardi kryesor i qytetit Vlorë-Skelë, rruga pranë portit, rruga pranë lagjes “28 dhe 29 Nëntori”, në lagjen “Kushtrimi”, por edhe disa rrugë të tjera janë mjaft të vështira për t’u kaluar nga drejtuesit e automjeteve, për shkak të pranisë së ujit.
Ndërkohë, moti i keq ka krijuar probleme edhe në Portin e Vlorës. Prej paradites është pezulluar lundrimi detar, situatë që pritet të vijojë e tillë deri ditën e nesërme. Të gjitha mjetet lundruese nuk do të lejohen të dalin në det.

“Peng” për një firmë, bllokohet Hipoteka e Lezhës

Dorëheqja dhe mos zëvendësimi i drejtorit të Hipotekës së Lezhës ka bllokuar punën pranë institucionit, duke krijuar një situatë shqetësuese mes qytetarëve që kërkojnë shërbime. Çdo ditë dhjetëra persona kryejnë procedurat pranë sporteleve, por dokumentin e kërkuar zyrtar nuk e marrin për shkak të mungesës së firmës së titullarit. “Po na sorollasin, sepse thonë nuk ka drejtor, ska topograf”, u shpreh një qytetar.
Për ta gjendja e krijuar në zyrat e shtetit është e papranueshme, ndaj kërkojnë zgjidhje të shpejtë nga Ministria e Drejtësisë konfirmuar emërimin e një drejtori të përkohshëm, i cili pritet të prezantohet të martën pasdite. Ish-drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Palujshme në Lezhë, Eraldo Smaçi u dorëhoq rreth dy javë më parë dhe zëvendësuesi i tij pritet të zgjidhet me konkurs.

Kryeprokurorja e Ramës i trembet drejtësisë, nuk shkon në gjyq

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, nuk pranoi të paraqitet personalisht në përballjen gjyqësore mes saj dhe Rovena Gashit në Gjykatën Administrative. Pas kësaj, kërkesa e Gashit u refuzua edhe nga Gjykata. Ndërsa avokati i ish-drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Çlirim Gjata, tha se kryeprokurorja ka frikë të përballet me sallën e gjyqit, ndërsa theksoi se shkarkimi i klientes së tij nga detyra erdhi pas dorëzimit në KQZ të kërkesës për heqjen e mandatit të dy deputetëve.
“Prandaj unë e kërkova. Se e ka ligji në bazë të kërkesave ligjore, qoftë ligji për gjykimet administrative, qoftë Kodi i Procedurës Civile, që kur ka paqartësi thirret vetë Prokurorja e Përgjithshme, personalisht të vijë t’i sqarojë gjërat”, u shpreh avokatiÇlirim Gjata.
Kjo kërkesë e bërë nga avokati i Rovena Gashit në seancën e 31 janarit 2018 u kundërshtua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Përmes përfaqësueses së saj në Gjykatën Administrative, Pranvera Gruda, Marku shprehu mungesën e vullnetit për t’u paraqitur në gjyq. Juristja e Prokurorisë e cilësoi kërkesën të pabazuar në ligj, pretendim që u miratua në vijim edhe nga Gjykata.
Pas këtij vendimi, kryesuesi i seancës deklaroi të mbyllur fazën përgatitore dhe caktoi datën 27 shkurt për seancën e shqyrtimit në themel të padisë. “E çuditshme ku ka përfunduar Prokuroria ku vet Prokurorja e Përgjithshme ka frikë sallën e gjyqit. Po nuk shkoi në sallën e gjyqit, nuk e di për çfarë duhet kryeprokurorja.

Ky është një intimidim i keq për gjithë prokurorët. Le të vijë të sqarojë gjërat, sepse jemi në një proces pa motivacion, pa procedurë, pa kompetencë. Është mbështetur në një dispozitë, që ka të bëjë me strukturimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Struktura ka dalë pas një muaji dhe struktura është copy-paste me atë të Adriatik Llallës. Nuk ndryshon asgjë, të paktën në sektorin, ku është larguar nga detyra e përfaqësuara prej meje. Kjo ndodhi fiks sapo ish-drejtorja dërgoi në KQZ emrat e dy deputetëve që prekeshin nga ligji i dekriminalizimit”, u shpreh avokati Gjata.
Duke rikujtuar se Rovena Gashi u lirua, pasi dërgoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e dy deputetëve që prekeshin nga dekriminalizimi, Gjata bëri një sfidë publike për Prokurorinë e Përgjithshme. “Fakti që u ndërrua Drejtorja e Marrëdhënieve me Jashtë nuk është kot. Nuk ka qenë thjesht një lajthitje ligjore. Ajo ka një qëllim. Unë e thashë. Jam gati të djeg licencën time nëqoftëse Drejtoria e re e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme do dërgojë qoftë edhe një emër të nëpunësit të kriminalizuar sot e tutje”, tha avokati Çlirim Gjata.
Urdhri administrativ për lirimin nga pozicioni drejtues i Rovena Gashit u firmos nga kryeprokurorja Marku në 29 dhjetor 2017.

PD, votë për anëtarësim në BE, problemi Rama

Vota pro e PD-së për miratimin konsensual të deklaratës së Komitetit të Stabilim-Asociimit me Bashkimin Europian është kontribut për avancimin e integrimit europian të vendit. Në deklaratën e përbashkët janë përfshirë disa nga shqetësimet kryesore të opozitës që nga marrja e masave për shitblerjen e votës deri tek hetimi i politikanëve të lartë si njerëzit e zakonshëm, pa mbrojtje nga Parlamenti.
Votëblerja dhe presioni kriminal ndaj votuesve, kanabizimi i vendit, përdorimi i imunitetit parlamentar, koncesionet e aferat kanë shqetësimet e ngritura nga opozita gjatë takimit të Komitetit të MSA. Deputeti demokrat, Genc Pollo, i pranishëm në punimet e Komitetit të MSA tha se, ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga opozita ishte dhe është përdorimi i imunitetit parlamentar për të mbrojtur zyrtarët e lartë, kur ata përballen me akuza penale. Ai tha se, nuk mund të kenë mbrojtje legjislative më të lartë se sa qytetarët e thjeshtë. Po ashtu ai tha se, shqetësim ishte jo vetëm kanabizimi, por kalimi i drogave të rënda, si kokaina.
“Kjo deklaratë u miratua edhe me votat e opozitës. Është kontributi i vetëm që ne mund të kemi për të ndihmuar në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për të ndihmuar në çeljen e negociatave, të cilën shpresojmë të ndodhë në qershor. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe pse qeveria mund të vazhdojë me refrenin e saj se, fajtore është opozita për gjithçka, përfshi edhe votimin e Integrimit Europian.

Faktet flasin më shumë se deklaratat dhe do të thoja që ky sot është një test, i cili përfshin shumë nga shqetësimet tona, i cili mori votat edhe të Partisë Socialiste dhe të gjithë partive të Parlamentit Europian, të përfaqësuara nga eurodeputetët, duke nisur nga shqetësimi për blerjen e votave, në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga presioni mbi votuesit, siç e parashikon ligji penal shqiptar. Është një tekst që parashikon që politikanët e lartë, përfshirë ish-ministrat e Brendshëm dhe deputetët aktualë, të mos kenë mbrojtje ndryshe nga qytetarët e këtij vendi. Këto rekomandime njohin shqetësimin e madh të ngritur nga opozita në tre vitet e fundit për kanabizimin e madh të vendit. Dhe fakti që kjo pranohet nga i gjithë spektri i europarlamentarëve, tregon që BE është i ndërgjegjshëm për këtë. Mund të mos jenë dy ose tre nëpunës të tij, por çka është e rëndësishme është theksi i këtij dokumenti i avancimit të grupeve kriminale të kanabisit dhe kokainës”, u shpreh Pollo.
Nga ana tjetër, ai preku edhe çështjen e azilkërkuesve si një tjetër dramnë e shoqërisë shqiptare e shkaktuar nga mazhoranca.

“Tjetër shqetësim i opozitës që reflektohet në këtë dokument janë partneritetet private-publike. Bëhet thirrje që të ketë kontroll dhe vlerësim të investimeve publike dhe PPP-ve, pasi ato janë shqetësim në shumë drejtime. Çështja e azilkërkuesve dhe shkaqet që qytetarët shqiptarë lënë vendin janë bërë një problem jo vetëm për Europën, por edhe për Shqipërinë dhe thirrja për qeverinë është të marrë masa për këtë gjë.
Liria e medias është një temë që ne gjerësisht po e debatojmë dhe problemi i ndërhyrjes politike është aktuale, dhe e pasqyruar në rekomandimet e sapomiratuar.
Është një dokument me të cilin të gjithë jemi të kënaqur. Më vjen mirë që shqetësimet tona, ndryshe nga ç’ndodh në seancë plenare, morën votat e mazhorancës dhe të gjithë eurodeputetëve të pranishëm”, tha Pollo.

 

Pedagogët, 10 ditë afat Ramës, ndryshe grevë e përgjithshme në universitete

Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare ka dalë me një deklaratë në përfundim të takimit të djeshëm ku kërkon dorëheqjen e Bordit të Administrimit, ndërsa Ministrisë i kërkohet të shkarkojë anëtarët që janë në varësi të saj.
Pas problematikës së fundit kur pedagogëve iu vonuan rrogat më shumë se 10 ditë, Forumi kërkon rishikimn e ligjit të arsimit të lartë dhe nisjen e një debati brendauniversitar në lidhje me standardet e mësimdhënies.
Sipas pedagogëve, nëse Ministria e Arsimit dhe Kryeministri nuk reagojnë për kërkesat e tyre, brenda dhjetë ditësh ata do të përshkallëzojnë protestën.
Forumi për Liritë Akademike dhe Autonominë Universitare, organizoi dje (më 12 shkurt 2018), në orën 10, një takim me pedagogë të Universitetit të Tiranës, në godinën Liria, pranë qytetit Stdudenti, për të diskutuar në lidhje me gjendjen e rëndë të krijuar në Universitetin e Tiranës.
Në takim morën pjesë 123 pedagogë nga Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Shencave të Natyrës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë.
Pedagogët pjesëmarrës, me diskutimet e tyre, bënë një analizë të gjendjes së rëndë të krijuar në Universitetin e Tiranës i cili është zhytur në një krizë të thellë që rrezikon të përkeqësohet më tej nëse profesorati, studentët, autoritetet drejtuese dhe institucionet qeveritare nuk ndërhyjnë në mënyrë emergjente për përballimin e problemeve të krijuara.

Pas debatit të zhvilluar në këtë takim u konkludua se:
1. Vonesa e pagave të pedagogëve edhe pse mjaft problematike dhe shqetësuese për mënyrën sesi u trajtuan profesorati dhe personeli ndihmës i UT-së, nuk është shqetësimi themelor i UT-së; shqetësim themelor i UT-së është bllokimi total insitucional i UT-së.
2. Ky bllokim është pasojë e ligjit për arsimin e lartë, i cili krijon dy strukutura pararalele në UT që pengojnë njëra-tjetrën, Bordin e Administrimit dhe administratorët nga njëra anë, rektorin dhe autoritetet e zgjedhura akademike nga ana tjetër. Bordi i adminstrimit dhe administratorët me prirjen për të vendosur një sundim administrativ mbi universitet u kundërvihen dhe bllokojnë qëllimisht organet e zgjedhura nga trupa akademike dhe studentët.
3. Bordi i adminstrimit dhe admistratori janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e krijuar pasi ata kanë dështuar në menaxhimin financiar të UT-së.
4. Qeveria është përgjegjëse për mosnxjerrjen e akteve nënligjore, për rastin në fjalë, gjë që ka shkaktuar edhe një pjesë të shqetësimeve aktuale.
5. Rektorati, senati, dekanatet e deri në nivel të përgjegjësve të departamenteve janë përgjegjës për mosreagimin, për mosushtrimin e autoritetit që u cakton ligji si dhe për mosinformimin e gjithë trupës së pedagogëve dhe studentëve për gjendjen e krijuar.
6. Qeveria merr përsipër financimin e buxhetit të pagave vetëm për 9 muaj dhe për të mbuluar këtë boshllëk, 3 muaj merren nga të ardhurat e taksave të studentëve, në vend që këto taksa të përdoreshin për investime, për përmirësimin e shërbimeve ndaj studentëve, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Kjo është një shkelje e hapur e Kushtetutës e cila garanton mbështetjen financiare të plotë të universiteteve publike nga ana e institucioneve.

7. Pedagogët e pranishëm në takim u shprehën se edhe zgjidhja e bërë nga Bordi i Administrimit duke e tejkaluar përkohësisht problemin e pagave përmes pjesës së buxhetit të brendshëm nga taksa studentore është e papranueshme, pasi taksat e studentëve duhet të përdoren në funksion të përmirësimit të kushteve të studentëve (siç u shprehëm në pikën më lart), të cilësisë së mësimdhënies dhe të kërkimit shkencor dhe jo për pagat e pedagogëve.
Nisur nga këto probleme të diskutuara, të analizuara dhe të pranuara nga të gjithë kolegët e pranishëm, Forumi vendosi:
1. Të kërkojë dorëheqjen e Bordit të Administrimit dhe administratorit të UT-së dhe t’i kërkojë Ministres së Arsimit të shkarkojë anëtarët e bordit në varësi të saj.
2. Të kërkojë rishikimin e mundësisë për amendimin e disa prej neneve problematike të ligjit për arsimin e lartë ose përmirësimin e ligjit përmes akteve nënligjore. Forumi mendon se në aktet e fundit nënligjore pati një rregullim të tillë, që mund të përdoret si model për aktet e tjera nënligjore.
3. Të kërkojë rritjen e financimit të Universitetit në tërësi, përmirësimin e kushteve financiare të pedagogut dhe kushteve të jetës studentore. Duke patur parasysh kapacitetin financiar të shtetit shqiptar pedagogët kërkojnë që si referencë të trajtimit financiar të merren vende me status ekonomik si ai i vendit tonë, ose më të ulët (Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi).
4. Të kërkojë transparencë për korpusin universitar në kushtet kur UT-ja ka mungesë në infrastrukturë.

5. Inicimin e një debati brendauniversitar, të hapur për profesoratin, studentët dhe publikun, në lidhje me standardet profesionale të mësimdhënies, të kurrikulave, në lidhje me kushtet e studentëve, gjithashtu në lidhje me vizionin për një universitet bashkëkohor, që do të forconte rolin e UT-së në sistemin e dijes e sigurisht në shoqëri.
6. Nisjen e negociatave me Ministrinë e Arsimit, Kryeministrinë, Komisionin parlamentar të Medias dhe Edukimit për adresimin dhe zgjidhjen e problemeve të universitetit. Për këtë arsye forumi ka konstituuar një grup përfaqësimi prej 15 vetësh, i cili do të kontaktojë me autoritetet drejtuese të universitetit dhe do të diskutojë për gjetjen e zgjidhjeve për të dalë nga kjo situatë.
7. Nëse Ministria, Kryeministria dhe institucionet e tjera nuk do t’i përgjigjen kërkesës sonë për negocim, dhe nuk do të reagojnë ndaj shqetësimeve tona, ne rezervojmë të drejtën që brenda dhjetë ditësh të përshkallëzojmë reagimet tona deri në grevë të përgjithshme.