24.5 C
Tirana
E mërkurë, 27 Gusht, 2025

Zyrtare nga Autoriteti i Dosjeve: Në kupolën e re të drejtësisë 4 bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe 2 autorë të gjyqeve politike

Kanë pasur të shkuar si bashkëpunëtore të sigurimit të shtetit, por përsëri tentojnë të përfshihen në kupolën e drejtësisë. Bëhet fjalë për kandidatët për anëtarë në institucionet e reja të drejtësisë. Nga 835, mbi 10 prej tyre kanë rezultuar spiunë pas hapjes së dosjeve.
A ke rezultuar që disa të kenë qenë bashkëpunëtorë?
Skënder Vrioni, autoriteti i dosjeve :Le të themi se 3 deri në 5 % kanë qenë.
Edhe nga kandidatët për Këshillat e Lartë Gjyqësorë dhe Prokurorisë, hapja e dosjeve ka nxjerrë se, 4 prej tyre figuronin si bashkëpunëtorë dhe 2 të tjerë si të përfshirë në gjyqe politike. Dokumentat iu përcollën Kuvendit dhe Avokatit të Popullit, por sipas PD-së dy prej tyre arritën të bëhen finalistë.
“Ka verifikuar 64 figura të tilla të cilat kanë kaluar filtrimin nga ana e autoritetit, ku mund të themi se nmë masën 3 deri në 5 % ka patur figura me problematika. Jo vetëm si bashkëpunëtorë të sigurimit, por dhe gjyqtarë dhe prokurorë në procese politike të posaçme”.

Shpërndarja e informacionit në disa arkiva si dhe zhdukja e një pjesë të tij, krijon vështirësi për Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Mariglen Kasmi, anëtar i kësaj strukture pranon se dikush edhe mund t’u shpëtojë filtrave.
“Sigurisht që mund të ndodhë për vetë faktin se ky është një dokumentacion i trashëguar dhe ne e kemi marrë në këtë fazë, madje në një pjesë të madhe të painventarizuar. Por nga ana tjetër ne jetojmë në një shoqëri të hapur. Dhe kur ka diçka që nuk shkon ne vazhdojmë kërkimet dhe gjejmë diçka më pas”/klanplus

Vasili: Rama i urren artistët sepse vetë është një artist i dështuar

Kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka dalë dje para mediave për të reaguar në lidhje me tre çështje të aktualitetit. Bëhet fjalë për koncesionet, për të cilën Vasili ka kërkuar zhbllokimin e nismës së LSI-së në Kuvend, pagat e pedagogëve dhe përballjen e artistëve me qeverinë për godinën e Teatrit Kombëtar. Vasili tha se koncesionet po shkatërrojnë ekonominë dhe se Eurostat pohon se Shqipëria është vendi me borxhin më të rënduar publik në masën 13%. Po kështu, ai tha se mosdhënia e pagave pedagogëve tregoi dështimin e reformës së arsimit të lartë. Në emër të LSI-së Vasili iu shprehu mbështetjen artistëve, të cilët sipas tij janë nën terror. “Grupi parlamentar i LSI-së sapo përfundoi mbledhjen e tij dhe analizoi zhvillimet më të fundit politike në vend dhe konkludoi me disa qëndrime që unë sot po i bëj prezent për opinionin publik. Së pari jemi përpara një fakti shumë të rëndë, i cili vihet në dukje edhe nga Eurostat, lidhur me koncesionet ose PPP-të siç do t’i quajë qeveria që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me një rëndim të jashtëzakonshëm të ekonomisë shqiptare, një mbërthim prej fyti të saj dhe transformimin e ekonomisë shqiptare dhe të qeverisjes së vendit në një qeverisje borxhlie ndaj bizneseve dhe në funksion të aferave të paqarta, të errëta dhe tepër të rënda që do t’i qëndrojnë si gur në qafë ekonomisë shqiptare për një kohë shumë të gjatë.

Eurostat pohon publikisht që Shqipëria në mënyrë skandaloze është vendi me borxhin publik më të rënduar që shkon deri në masën 13% se çdo vend tjetër europian. Më së fundi dhe projekti famëkeq i 1 miliard eurove e bën ekonominë shqiptare tërësisht një ekonomi të varur nga borxhi i pafund i saj, një ekonomi shqiptare që nuk mund të orientojë më prioritete dhe zhvillime të reja të jetës ekonomike e shoqërore të vendit, por thjesht shndërrohet në një larje borxhi të bizneseve. Pikërisht kësaj strategjie i shërben edhe bllokimi prej mëse dy vjetësh i ligjit për koncesionet të paraqitur nga LSI. Qindra njerëz që janë krenaria e këtij vendi ndodhen sot nën terror nga kryeministri ish-ministër, kryeministri që ka pasur në mendjen e tij vetëm ta shndërrojë Teatrin Kombëtar në një bingo, ndërsa sot kërkon të shënojë rrënimin përfundimtar të tij. Si në asnjë vend në glob, kërkon të lërë kryeqytetin e Shqipërisë pa një teatër të vetëm, që të ketë simbolikën e një kryeqyteti vital, por do ta shndërrojë atë në një qytet armik të teatrit, të ripërsërisë historinë e tij të famshme të kinemave. Ai dha një provë që është kundër shqiptarëve dhe kundër vetes, sepse dhe ai i përket botës së artistëve pavarësisht se është artist i dështuar. Mbështesim artistët, kërkojmë një ndërtesë të denjë për Teatrin Kombëtar”, shprehet Vasili.

Pavarësia e Kosovës, pyetja e Xhorxh W. Bush që impresionoi Berishën: Më pyeti; kur thua ti…?

Zoti Berisha 10 vjet më parë, në fjalën e përshëndetjes me rastin e pavarësisë së Kosovës mes të tjerash keni thënë se mirënjohja më e madhe për miqtë dhe aleatët që bënë të mundur këtë, është përqafimi i vlerave perendimore. 10 vjet më pas e ka bërë shoqëria shqiptare këtë përqafim?
Shoqëria shqiptare është shoqëria me trashëgiminë më të vështirë të të gjitha shoqërive në Europë. Shoqëria shqiptare trashëgon totalitarizmin më të egër, aparteidin dhe segregacionin në Kosovë, dhe pastaj duhet të pranojmë ndikimin e fuqishëm të Perandorisë Osmane. Pra, po ta shohim në këtë aspekt, rilindasit shqiptar dukeshin si ishuj apo si far në një det që ishte i ndryshëm nga psikologjia. Mund të themi një shoqëri, e cila dominohej në tërësinë e vetë nga feudalë me disa zhvillime të kapitalizmit por si sistem feudal të llojit otoman dhe jo të llojit të vendeve perendimore të cilat i kishin pranuar me kohë. Kështuqë shoqëria shqiptare, ata që e gjykojnë me shumë padurim duhet të kenë parasysh një gjë, që kjo shoqëri ka hipotekën më të hidhur, më të vështirë për ta kapërcyer. A po bën përpjekje në këtë drejtim? Të mëdha pa diskutim, dhe po bëhen përpjekje të mëdha për ta kapërcyer, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Por, a ka arritur në pritshmëritë? Jo nuk ka arritur në pritshmëritë dhe mundësitë që ka patur. Historikisht po të shohim, tendenca jonë për të fajësuar të huajt, që nuk është vetëm e jona është e Ballkanit në tërësi, në të vërtetë fsheh dhe maskon problematika të mëdha tonat të brendshme.

Mendon se duhej bërë më shumë gjatë këtyre 10 viteve?
Mendoj se mund të bëhej më shumë, mendoj se Kosova ka bërë shumë gjatë këtyre viteve në rrafshin ekonomik. Dua të theksoj këtu se nëse ne, në katër vitet e para liri, për shkak të një rraskapitje të tmerrshme e të gjithanëshme nga 46 vite diktaturë, arritëm të ndërtonim gjithsej 6 km autostradë Tiranë – deri të Ura e Limuthit, Kosova në 5 vitet e para të saj ndërtoi autostradën Ibrahim Rrugova, ndërtoi dhe rindërtoi mbi 120 mijë banesa të rrënuara, të djegura e të shkatërruara nga lufta. Ndërtoi dhe rindërtoi dhe Kosovën në tërësi e ngriti në këmbë.
…më shumë dhe falë ndihmës së diasporës
Falë ndihmës së gjithanëshme edhe të komunitetit ndërkombëtar se u bë konferenca dhe u dhanë miliarda por edhe falë përdorimit me efiçencë të saj. Kosova gjithashtu këto 10 vite ka arritur disa suksese në drejtim të procesit të integrimit europian, me një afrim më të madh. Pra progresi është i pamohueshëm. Natyrisht hapësirat e këtij progresi janë qartësisht më të mëdha. Veçanërisht zhvillimet e dy tre viteve të fundit mendoj se kanë qënë të pafavorshme për Kosovën.
Këtu keni parasysh luftën e brendshme politike?
Luftën e egër të brendshme politike. Pavarësia është proces për tu ndërtuar. Pasi e shpall, të duhen lumenj djerse dhe suksesesh pune për ta ndërtuar. Liria është për tu ndërtuar.
Duket sikur liderët, të cilët kanë mandatin për ta çuar Kosovën përpara, me betejën e brendshme politike kanë stopuar vullnetin e popullsisë atje për të bërë përpara?
Nuk besoj se atë e kanë stopuar liderët. Sigurisht ata kanë përgjegjësitë e tyre por është një problem më i gjërë, problem i elitës së shoqërisë. Eshtë një problem, për fat të keq në Kosovë, i veprimit permanent të faktorit Beograd, i cili merr vetvetiu epërsi sa herë që Kosova shkon drejt një gjysëm bllokimi, dhe ndihmohet aktivisht nga Tirana sa herë që kreu i ekzekutivit të Tiranës mban qëndrime paternaliste ndaj Kosovës.

Si duhet të jetë raporti i Shqipërisë me Kosovën? Dy shtete vëllezër, shteti amë?
Dy shtete vëllezër me lidhje të pakufishme. Gjëja e fundit që duhet të bëjë Shqipëria është të marrë protagonizëm, të marrë paternalizëm ndaj Kosovës sepse kjo është jashtëzakonishte e dëmshme për kosovën dhe interesin kombëtar në tërësi. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet e tyre. Eshtë Serbia përgjegjëse, që me Mitrovicën e Veriut, me mos zbatimin e marrëveshjeve etj etj. Por ky ballafaqim duhet të jetë shtet me shtet, kryeqytet me kryeqytet.
Kanë kaluar 10 vjet, a kishit menduar se dhjetë vjet më pas do të ishte ky niveli i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku duket se me shumë integrohet aty ku nuk kanë dorë administratat përkatëse…?
Jam dakort që ka një ngecje të madhe. Përveç fotografisë që u bë në pallatin e kongreseve, për fat të keq nuk mund të numërohet progres tjetër. Dhe këtu, gjykoj unë, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Kjo qeveri ka zero investim nga viti 2013 deri sot në drejtim të bashkëpunimit kombëtar. Cfarë mund të bënte kjo qeveri?
Katër zëvëndësministra i ka marrë nga Kosova..
Fasadë. Pse ça do të përfaqësojnë ata, Kosovën? E di kush e përfaqëson Kosovën? E përfaqëson projekti me hekurudhën. ….atë mund ta kishim bërë kur bëmë rrugën..’
Jo s’kishim mundësi financiare…

..sot është më keq me financat?
Jo sot është më mirë. Të bëjnë projektin. Në atë kohë ne bëmë rrugë e projekt pothuajse njëkohësisht kurse sot katër vite sështë bërë asgjë. Ai duhet të bënte projektin. Sa bën projekti? Mund të kushtonte 10-15 mln por ama bënte projektin dhe fizibilitetin dhe jam i bindur se zbatimi i atij projekti është dhe do të gjejë financime pa asnjë vështirësi sepse ajo është hekurudha më fizibël e rajonit, nuk ka hekurudhë më fizibël. Një hekurudhë që ridimensionon portet e Shqipërisë dhe i bën ato portet më të mëdha të rajonit. Një hekurudhë, e cila i jep Kosovës frymëmarrje më të madhe në det krahas autostradës. Pra le të bëjnë projektin për të treguar vullnetin por këta shkojnë e merren me fantazira dhe faktikisht ne jemi i vetmi vend që s’përfituam asgjë përveç zyrës së rinisë që është hapur këtu nga procesi i Berlinit. Pse, na diskriminuan? Jo diskriminuam veten. Po marrim doganat psh. Ne lamë gati kuadrin, çuam grupe, studiuam praktikën slloveno-austriake dhe e lamë gati për ta instaluar. Këta mblidhen, zotohen dhe nuk e bëjnë. Pse? Tirana thotë se na pengojnë oligarkët e Kosovës. E vërteta është se Kosovës nuk i kanë dhënë mundësinë për të hapur zyrën e doganës në Durrës. Mirëpo kjo pengon krijimin e hapsirës unike tregtare shqiptare. Për hir të kësaj, absolutisht unë të njëjtat favore po pregatitesha ti jepja dhe Maqedonisë. Ne jemi vende të vogla, nëse na shohin si një treg i unifikuar atëherë thonë që është më mirë një treg 7 milionë se sa një treg 3 milionë banorë. Edi Rama ka bërë një bllokim të të gjitha iniciativave. Nuk ka një investim. Edhe rrugën e Shishtavecit, të gjithë pjesën shkëmbore e ndërtuam ne dhe lamë fondet që shkoi deri në Dragash, që në fakt sdi në e kanë çuar apo jo në Dragash.

Ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ju keni premtuar që porti i Shëngjinit do të jetë porti i Kosovës?
E kam premtuar por studime të mëvonshme kanë treguar se interesi Kosovës nuk është Porti i Shëngjinit por është Durrësi. Porti i Shëngjinit ka një ngushticë, bëhet edhe ai i madh por do investime shumë të mëdha ndërkohë që Durrësi është pothuajse i gatshëm. Dhe Durrësi, për shkak edhe të Porto Romanos, që ai mund të bëhet ndofta porti energjitik ndër më të mëdhenjtë në rajon, është leverdia më kryesore.
Për të shpallur pavarësinë e Kosovës, asaj iu desh nën presionin e ndërkombëtarëve të shënjonte kufirin me Maqedoninë. Për të marrë liberalizimin e vizave ka si kusht shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Në raport me Serbinë shikoni ndonjë cedim tjetër që duhet të bëj Kosova në mënyrë që të progresoj drejt anëtarësimit?
I vetmi qëndrim që duhet të mbajë Kosova ndaj Serbisë është që nuk duhet të pranojë asnjë metër katror lëvizje të kufinjve. Asnjë lloj pazari në kufi me Serbinë nuk duhet të bëj. Disa njerëz tregohen pak naivë kur thonë që janë vetëm tre komuna. Nuk janë tre komuna po është sherri. Serbia do me çdo kusht të mbajë sherrin me Kosovën për prespektivën e saj. Serbia duhet të njohë kufirin ndërkombëtar të Kosovës të cilin e ka shpallur komuniteti ndërkombëtar, e kanë njohur 120 vende dhe kjo është rruga. Po të jetë puna për territore, Pazari i Ri ka qënë shqiptar në tërësinë e tij, por duhet ti lëmë këto tani. Tani duhet të merremi me kufinjtë ekzistues dhe të respektojmë njëri tjetrin.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në një farë mënyre në rajon u bënë dy shetet shqiptare. A mund të quhet në një farë mënyre e rehatuar çështja e shqiptarëve në Ballkan?
Dy shtete shqiptare, por ky nuk ishte vullneti i shqiptarëve. Ideali i bashkimit të shqiptarëve është i përjetshëm. Kjo nuk mund të ketë mëdyshje për sa kohë shqiptarët i thonë vetes shqiptarë. Por, duke thënë këtë, nëse një zgjidhje maksimale nuk u arrit, mund të themi se u arrit një zgjidhje optimale e shkëlqyer. Kjo zgjidhje optimale, e dakortësuar me ata që luajtën rol përcaktues në këto procese, obligon shqiptarët ti qëndrojnë besnikërisht ligjit ndërkombëtar. Do thoni ju çdo bëhet me bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar duhet të imagjinohet vetëm si bashkim i dy vendeve sovrane, të lira, në dakortësi të plotë me partnerët që luajtën rol përcaktues, dhe natyrisht në një situatë ku fqinjët tanë albanofobë deri në palcë në qarqet e tyre, do çlirohen nga frika e shqiptarëve dhe do kuptojnë që një shtet shqiptar i bashkuar i trevave shqiptare nuk është një kërcënim për ta por është një shtet mik e bashkëpunues, paqeje dhe stabiliteti. Duke thënë këto them dhe që nuk është një proces i thjeshtë dhe nuk mund të merret si një proces i lehtë. Ndaj duhet të ndjekim ndërtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e standarteve, proceseve integruese. Pra unë e parashikoj një proces të gjatë.
Që do të thotë që duhet të bëhen dy shtete të forta dhe pastaj të …
Dy shtete të forta e sovrane dhe pastaj të …
Mantra e diplomacisë shqiptare dhe në kohën e dy mandateve qeverisëse nga 2005 ka qënë që shqiptarët do ti bashkohen Brukselit. Me strategjinë e re të shpallur nga BE duket sikur shqiptarët po shkojnë me shpejtësi të ndryshme drejt Brukselit duke patur parasysh që në radhën e parë është Serbia dhe Mali i Zi, në radhën e dytë është Shqipëria, Maqedonia dhe pastaj Kosova. Dmth a i bashkon shqiptarët proçesi i zgjerimit?
Në fakt, aq sa i bashkon Brukseli shqiptarët mund ta realizojnë, po të kenë vullnetin e tyre, për një kohë shumë të shkurtër. Asgjë si pengon shqiptarët të njësojnë çdo ligj në të dy vendet.

Pse nuk është bërë kjo?
Asgjë si pengon shqiptarët të aplikojnë dyshtetësitë në të dy vendet. Asgjë nuk i pengon shqiptarët të aplikojnë standartin e BE në sistemin doganor. Asgjë nuk i pengon shqiptarët të njësojnë të gjithë sistemin e kurikulave në arsim etj. Pra, në këtë kontekst shqiptarët nuk duhet të shohin ëndrra në diell, duhet të punojnë për integrimin e tyre njëri me tjetrin duke ruajtur kufinjtë dhe institucionet si dy shtete të pavarura.
Dëshironi të ndani ndonjë moment memorie apo kujtese nga 17 shkurti i vitit 2008. Ka qënë data që u shpall pavarësia e Kosovës por ka qënë një proces i tërë i paraprirë që bëri të mundur që të mbërrihej në këtë pikë
Momenti që dua të ndalem ishte vizita e presidentit Bush dhe takimi me të në zyrën time, në të cilën ai, në prani të delegacionit tonë dhe delagacionit të tyre më kërkon ti thoja cilat ishin mendimet e mia mbi Kosovën dhe rajonin.
Më falni t’ju ndërpresë. Edhe gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me babain e Xhorxh Bush e njëjta bisedë është bërë në mos gaboj në lidhje me dinamikën e rajonit.
Gjatë takimit me babain e Xhorxh Bush biseda është filluar jo me Shqipërinë por me Kosovën. Ai mori një atlas ku u ul dhe pastaj më tha më fol pak tani për Kosovës dhe hapi atlasin dhe gjeti Kosovën në hartë.
Po me presidentin Bush gjatë takimit në Tiranë në 2007?
Bush mu drejtua haptaz duke më thënë si mendon, kur mendon ti për pavarësinë e Kosovës. Unë i thashë se vetëm pavarësia është zgjidhja dhe ja shpjegova. Pastaj mu kthye dhe më tha: kur thua ti’ Kur më tha kur thua ti, ç’është e vërteta anëtarët e delegacionit të tij u shtangën dhe po më shihnin….
…lidhur me problemin me Rusinë?
Jo me Rusinë e kishin zgjidhur ata. I kishte thënë në Berlin “Vladimir, Kosova do bëhet e pavarur, e kuptoj që ti sdo por Kosova do bëhet.” Por ai më pyet dhe më thotë kur. Ata menduan se unë do i thoja pas dy javësh dhe ra një heshtje e madhe. Unë i them: Zoti president, meqë ju e keni ndarë mëndjen unë u them që të merrni gjithë kohën që ju duhet për të arritur në një ujdi sa më të madhe të mundshme me partnerët sepse pjesën tjetër, pra udhëheqjen e Kosovës ata me këtë do jenë jashtëzakonisht mirënjohës kur t’i informojë, dhe ai më tha do ti informosh sa më shpejt. Ai e tha pastaj dhe në konferencë shtypi.

Të nesërmen keni shkuar në Kukës…?
Po shkova në Kukës dhe ja u përcolla gjithë bisedën. Para kësaj, pati një lëkundje shumë të madhe, përveç Britanisë së Madhe, të fuqive të tjera europiane. Në mënyrë që edhe sot nuk kam arritur të gjej të të vërtetën. Por nëse në fundin e vitit 2004 e fillim 2005 kishte arritur një ujdi për pavarësi, dhe unë në opozitë por ama përfaqësues ndër më të rëndësishmit më kishin thënë që është e drejtë pavarësia dhe ne do të qëndrojmë, pastaj pati ndryshim shumë të madh përveç Britanisë së Madhe. A ishte kjo një influencë e fuqive Ruse, a ishte kjo një influencë e fuqishme e këtyre vendeve të BE që nuk kanë njohur Kosovën, nuk e kam marrë vesh qarte por pati një rënie dhe filluan neve në pushtet në 2005, të na thonë që nuk ka pavarësi. Dhe ne thonim fjalët tona që ska zgjidhje pa pavarësi. Britanikët qëndruan. Pastaj Frank Uisner, një diplomat i jashtëzakonshëm, që shqiptarët i mbeten atij mirënjohës përjetë përsa i përket pavarësisë dhe në fakt ai nuk u lëkund kurrë nga ideja e pavarësisë. Ahtisari kishte botuar projektin. Projekti Ahtisarit ishte pranuar nga këta që tani po lekundeshin shumë.
Si e shikoni Shqipërinë dhe Kosovën në 10 vitet e ardhshme, pra në 2018?
Në 2028 Shqipërinë dhe Kosovën i shoh shumë më të bashkuara se tani, kam besim që hekurudha do bëhet, kam besim që doganat do të hiqen. Kosva tani ka ekonominëmë vibrante në rajon, ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon. shqiptarët do çlirohen nga kjo qeveri e cila është një lloj problemi shumë i madh qoftë në marrëdhënie me Kosovën qoftë në problemet e brendshme të zhvillimit. Kështuqë unë i shoh të shkëlqyera marrëdhëniet pas 10 vitesh.

9 propozimet e PD në Deklaratën e Komitetit të MSA

Opozita ka bërë 9 propozime për amendamente në deklaratën e Komitetit të Stabilizim-Asociimit. Më kryesori është caktimi i një date për hapjen e negociatave, si dhe Rregullorja e Kuvendit të mos ofrojë mbrojtje për deputetë e akuzuar. Draft rekomandimet e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit, që po zhvillohet në Tiranë, mbështesin disa nga shqetësimet kryesore të Partisë Demokratike për luftën krimit të organizuar, drogës, korrupsionit dhe domosdoshmërinë për zgjedhje të lira e të ndershme.
Një nga pikat ka të bëjë me nisjen e negociatave dhe Partia Demokratike e mbështet plotësisht pikën 3 të rekomandimit, ku thuhet se “Përcaktimi i një date për hapjen e negociatave të anëtarësimit do të sigurojë një nxitje të fuqishme për miratimin dhe zbatimin e të gjithë reformave të lidhura me anëtarësimin në BE”. Megjithatë, për të kontribuar në njohjen e problemeve të Shqipërisë dhe për zgjidhjen e tyre, Partia Demokratike ka propozuar 9 amendamente mbi rekomandimet ekzistuese dhe disa pika të reja.

Propozimet e PD

1. Partia Demokratike propozon që pika 5 e rekomandimeve të modifikohet, duke vërejtur se blerja e votave dhe keqpërdorimi i pushtetit vazhdoi edhe pas Marrëveshjes së 18 Majit.
2. Përsa u përket zgjedhjeve, Partia Demokratike në një amendament tjetër të saj propozon që rekomandimet e OSBE/ODIHR, përfshirë masat kundër blerjes së votës, duhet të zbatohen para zgjedhjeve të ardhshme.
3. Lidhur me rolin e Kuvendit, Partia Demokratike propozon që në pikën 9 të shtohet edhe një frazë tjetër, që siguron përfaqësimin e opozitës, nisur nga përjashtimi që qeveria i bëri opozitës nga takimi i fundit i Këshillit të Stabilizim-Asociimit, më 15 nëntor 2017, në Bruksel.
4. Një amendament tjetër i Partisë Demokratike kërkon heqjen e imunitetit parlamentar, kur ai kërkohet nga organet e drejtësisë. Qeveria refuzoi ta bëntë këtë në rastin e Tahirit, çka u kritikua nga grupi i PPE-së, deputetë dhe zyrtarë të qeverive të vendeve anëtare të BE dhe SHBA.
5. Propozimi i Partisë Demokratike është që të shtohet një pikë në rekomandime për të theksuar së mosndëshkimi i politikanëve të lartë ul besimin e publikut dhe se Rregullorja e Kuvendit nuk duhet të ofrojë mbrojtje ndaj të akuzuarve.
Partia Demokratike është plotësisht dakord me rekomandimin numër 10, si problemet kryesore që opozita ka ngritur prej 5 vjetësh. Ky është një nga rekomandimet kyçe që Shqipëria të ecë përpara me rrugën e integrimit. Ai vendos theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të kryer nga prokurorë dhe gjyqtarë të pavarur dhe të paanshëm.

I kërkon autoriteteve rezultate të pakthyeshme në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
6. Partia Demokratike propozon që pika 11 e rekomandimeve, e cila bën thirrje për çrrënjosjen e kultivimit të drogës dhe ndjekjen penale të kultivuesve, të jetë më e plotë. Amendamenti i saj për forcimin e masave kundër drogës, rrjeteve kriminale bazohet në shumë raporte që thonë se bandat e kanabisit janë duke lëvizur drejt drogave të forta si heroina dhe kokaina, duke paraqitur një rrezik edhe më të madh për vendin dhe BE.
7. Partia Demokratike propozon që, pas pikës 11, të shtohet një pikë tjetër e re, që shpreh shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe i kërkon qeverisë ta adresojë më tej këtë fenomen. Në vitin 2017, ka patur një bum të azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet e BE-së, veçanërisht në Francë.
8. Partia Demokratike propozon ndryshimin e fjalisë ku preket çështja e pronave në pikën 13, duke kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, sepse qeveria vazhdon të zbatojë ligjin e pronave pa marrë parasysh vendimin e kësaj Gjykate për shfuqizimin e pjesshëm të ligjit.
Partia Demokratike mbështet plotësisht pikën 14, ku flitet për vetëçensurën dhe ndikimin e interesave politikë dhe ekonomikë në media, por propozon edhe një pikë të re, ku shpreh shqetësim nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve politike ndaj gazetarëve.
9. Partia Demokratike propozon gjithashtu, një pikë tjetër të re, në fund të rekomandimeve, që ka të bëjë me vlerësimin e rreziqeve fiskale nga kontratat e koncesioneve, bazuar edhe në raportet e Komisionit Europian dhe FMN-së.

Fund votëblerjes dhe presionit kriminal ndaj votuesve

I pyetur nga mediat se cilat ishin shqetësimet kryesore të opozitës, Pollo tha: “Votëblerja dhe presioni kriminal ndaj votuesve; kryesore është përdorimi i imunitetit parlamentar për të mbrojtur zyrtarët e lartë kur ata përballen me akuza penale. Nuk mund të kenë mbrojtje legjislative më të lartë se sa qytetarët e thjeshtë. Shqetësim ishte jo vetëm kanabizimi, por kalimi i drogave të rënda, si kokaina. Përmenden drogat e forta me fjalë në tekst. Shqetësimi ynë ishte abuzimi me PPP dhe kërkojmë vlerësim dhe kontroll të tyre. Para dy vjetësh, Parlamenti Europian specifikisht e ka përmendur në një rezolutë të tij për Shqipërinë dhe ka ngritur këtë shqetësim. Çështja e azilkërkuesve është në numër shumë të lartë në Francë dhe Gjermani dhe rekomandimet i kërkojnë qeverisë shqiptare që të trajtojnë rrënjën e problemeve që i detyrojnë shqiptarët që të ikin. Sepse nuk është një ikje normale, por ikje masive. INSTAT thotë se në tre vitet e fundit janë larguar një qytet sa Fieri apo sa Durrësi. Kjo përbën një problem në Shqipëri, por kur këta njerëz nuk dinë ku të shkojnë, përbën problem për vendet pritëse dhe konkretisht Franca. Liria e medias dhe ndërhyrja politike ishte çështja tjetër”.

Kanabizimi i Shqipërisë, projekt politik i Ramës

Në mbledhjen e Komitetit të Stabilizim–Asociimit, përfaqësuesit e opozitës u përqendruan tek ajo që e quajnë përgjegjësia e kryeministrit Rama për çështjen e kanabisit. Ata sollën fakte se Rama e dinte, e lejoi, e mbrojti dhe përfitoi pushtet nga kanabizimi i Shqipërisë.
Kryetari i Komisionit të Integrimit, Genc Pollo tha se, deklaratat e kryeministrit për shkatërrimin e 99.67% të kanabisit ishin qesharake dhe të rreme. Pollo tha se në vend është krijuar infrastrukturë kriminale prej kultivimit të kanabisit dhe se rasti i ish-ministrit të Brendshëm tregon lidhjen e bandave me qeveritarët. “Kjo është një sfidë për Shqipërinë dhe njohja e problemit në kohë është e rëndësishme, jo siç ndodhi, duke e mohuar këtë situatë për vite të tëra”, u shpreh Genc Pollo.
Ndërsa deputeti Aldo Bumçi iu referua 3 raporteve të EUROPOL-it,brenda vitit 2017, që thonë se Shqipëria është burimi kryesor i furnizimit të Europës me kanabis. Bumçi iu referua edhe Raportit të Departamentit të Shtetit dhe tha se, “kanabizimi i Shqipërisë është projekt politik i kryeministrit Rama”. “Kryeministri publikisht bënte shaka me ministrin e tij të Emigracionit, kur i thoshte se për ditëlindjen tënde të kam sjellë verë dhe jo hashash, sepse ti nuk e pi”, vuri në dukje Bumçi bisedën e Ramës me Majkon.

Ai përmendi edhe qëndrimin e kryeministrit në një takim publik me fermerët, kur i pyeti se si janë me mbjelljen e hashashit. “Duhet të kuptohet se mbjellja e hashashit në të gjithë Shqipërinë është projekt politik dhe nuk ndodh nga paaftësia e shtetit për ta luftuar”, tha Bumçi në takimin me deputetët e Parlamentit Europian. Bashkëkryetari i Komisionit tëReformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi tha se, konsensusi për Reformën Zgjedhore është jetik për suksesin e saj. Në takimin e përbashkët me eurodeputetët, Bylykbashi vuri në dukje se shitblerja e votës është problemi kryesor për Shqipërinë. Raporti i OSBE / ODIHR e përmend 13 herë fenomenin e blerjes së votave në 2017-ën. Gjithashtu, një studim i financuar nga BE zbuloi se 20% e të anketuarve shqiptarë iu ofruan para dhe mallra në këmbim të votës. Bylykbashi tha se burimi kryesor për blerjen e votave janë paratë që vijnë nga droga dhe korrupsioni qeveritar.
Mendimit të tij iu bashkua edhe deputetja e PD, Albana Vokshi, e cila shtoi se ndryshe nga opozita e mëparshme që sot është në qeveri, ajo aktuale gjithnjë ka mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, duke i mbështetur ato. “Kemi mbajtur qëndrim të qartë për hapjen e negociatave, pavarësisht qëndrimeve abuzuese të kryesuesve të këtij takimi. Ne do të vazhdojmë të mundohemi të shtyjmë përpara procesin, ndryshe nga opozita e mëparshme. Ashtu siç vepruam për vite të tëra për një prej problemeve më të mëdha që ka sot vendi, kanabizimi.

Qeveria deri para disa muajsh nuk e shihte as si problem drogën. Vetëm aksioneve opozitare janë parë pasojat e rënda të kanabizimit të vendit. Shqipëria është bërë dhe vend kalimi për drogat e forta. Edhe dekriminalizimi ka ndodhur falë nismës së opozitës. Shqipëria nuk ka bërë përparim në uljen e nivelit të korrupsionit. Frika jonë është se të gjithë veprimet që po bën sot qeveria, po shkel të drejtat kushtetuese. Shumë familjeve në varfëri ekstreme po u hiqet ndihma ekonomike”, tha Vokshi.
“Fakti që Shqipëria është duke u përfshirë në pastrimin e parave, që shihet dhe në raportin e Bazelit që Shqipëria është në 10 vendet me rrezikshmëri më të lartë. Këto e bëjnë opozitën të thotë, që hapja e negociatave mund ta bëjë monitorimin e BE-së më të frytshëm për situatën në vend”, u shpreh Jorida Tabaku.

BMI: Një zyrtar i lartë i PS, i përfshirë në trafik droge

“Akuzat se një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, që është në pushtet, është përfshirë në trafikimin e drogave tregon se sa i vështirë do të jetë procesi i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, pavarësisht se PS mban shumicën në Parlament që nga zgjedhjet e qershorit
Nëse akuzat dalin të vërteta, madhësia e asaj mazhorance ka gjasa të reduktohet dhe Kryeministri Edi Rama ka gjasa të humbasë besueshmëri
Raporti i fundit i BMI Research, pjesë e grupit të njohur ndërkombëtar të vlerësimit FITCH, ka nënvizuar disa nga aspektet kyçe që kanë ndikuar në perceptimin e profilit të riskut të Shqipërisë. Mes të tjerash, raporti ndalet në çështjen e trafikimit të drogës, sfidën e Reformës në Drejtësi, mjedisin ekonomik në tërësi. Raporti vë theksin edhe tek inflacioni, borxhi publik apo ecurinë e treguesve fiskalë.

Çështjet kryesore

Lidhur me ekonominë, FITCH ka qenë më pozitive. Sipas raportit, ekonomia shqiptare vazhdon të përfitojë nga një mjedis i jashtëm më i mirë se sa pritet dhe “ne kemi përmirësuar parashikimet tona të rritjes 2017”. Ndërkohë që faktorët ndikues të jashtëm do të pakësohen disi në 2018, një vazhdim i politikës monetare të lehtësuar dhe një profil i përmirësuar i rrezikut politik pas zgjedhjeve të qershorit do të mbështesë investimet dhe konsumin privat.
Perspektiva afatgjatë e rritjes së Shqipërisë do të mbështetet nga investimet si rrjedhojë e gazsjellësit. “Mjedisi inflacionist do t’u japë autoriteteve lirinë për të mbajtur politikën monetare relativisht të lirë, pasi ne presim që rritja e çmimeve të mbetet nën nivelin e objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3.0% gjatë 18 muajve të ardhshëm”.
Raporti thekson se edhe për tre vitet e ardhshme, vendi do të vijojë të rezultojë me deficite të llogarisë korente, dhe do të vazhdojë të mbulojë nevojat e saj të jashtme të financimit me Investimet e Huaja Direkte dhe rezervat valutore.
Inflacioni do të mbetet i ndikuar ndaj ndryshimeve në çmimet e ushqimit dhe energjisë në vitet në vijim. Ngritja e çmimeve globale të energjisë dhe presionet e forta inflacioniste vendase do të shpejtojnë rritjen e IÇK në H117.

Trafiku i drogës dhe Reforma në Drejtësi

“Akuzat se një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste, që është në pushtet, është përfshirë në trafikimin e drogave tregon se sa i vështirë do të jetë procesi i reformimit të sistemit gjyqësor të Shqipërisë, pavarësisht se PS mban shumicën në Parlament, që nga zgjedhjet e qershorit. Nëse akuzat dalin të vërteta, madhësia e asaj mazhorance ka gjasa të reduktohet dhe Kryeministri Edi Rama ka gjasa të humbasë besueshmëri”, thuhet në raport.

Rreziqet kryesore

Borxhi publik i Shqipërisë ishte 72.4% e PBB-së në 2016, ndër më të lartët në rajonin në zhvillim të Europës, duke u rritur që nga viti 2008 si rrjedhojë e politikës fiskale zgjeruese dhe rritjes së dobët ekonomike. Duke pasur parasysh madhësinë e ngarkesës së borxhit publik në raport me PBB-në, rreziqet për qëndrueshmërinë e borxhit dhe perspektivën më të gjerë fiskale dhe të rritjes në Shqipëri mbeten të rëndësishme, vlerëson raporti.
Një ecuri fiskale më e keqe, e cila mund të shkaktohet nga mungesa e angazhimit fiskal, një dobësim i vullnetit politik për të ndjekur konsolidimin ose një rritje më të dobët ekonomike, mund të ulë besimin e investitorëve dhe të rrisë kostot e huamarrjes, paralajmëron BMI.

Ndryshimet e parashikimit

FITCH pohon se ka përmirësuar parashikimet e rritjes reale të PBB-së për 2017 dhe 2018 si rrjedhojë e një mjedisi të fortë të jashtëm dhe një profili të përmirësuar rreziku pas zgjedhjeve. Sipas tabelave të raportit, ekonomia shqiptare do të rritet 4% në vitin 2017, për t’u ngadalësuar në 3.6% në vitin 2018.

Monitor

Triumfon betoni, masakra Veliera do të ndërtohet

I bllokuar prej një viti, projekti “Veliera” do të bëhet realitet në sheshin që gjendet në zemrën e vjetër historike të qytetit bregdetar të Durrësit. Gjykata Administrative rrëzoi dje kërkesë-padinë e Shoqërisë Civile, që kërkonte anulimin e projektit të sheshit “Veliera”. Kërkesë-padia u pranua pjesërisht dhe Gjykata, e cila vendosi që Bashkia të mos zhvillojë punimet në zonën arkeologjike A, aty ku prej një viti kanë dalë rrënojat e shek. të 17-të. Në vendimin e saj,Gjykata nuk pranoi edhe një sërë kërkesash të Shoqërisë Civilie që kishin të bënin me shpërdorim detyre të kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako dhe vënien para përgjegjësisë të atyre që kanë dëmtuar zbulimet arkeologjike gjatë gërmimeve. Gjykata ka pranuar projektin e ri të sheshit “Veliera” të hartuar nga Bashkia e Ministria e Kulturës në të cilin mbrohet trashëgimia kulturore e zbuluar dhe nuk ka punime në zonën arkeologjike A. Pas këtij vendimi ka reaguar Shoqëria Civile. Përfaqësuesja e Shoqërisë Civile, Mirela Jorgo deklaroi se: “Nuk jemi aspak dakord me vendimin e Gjykatës. Çështjen do ta apelojmë dhe do ta çojmë në Strasburg”. Mësohet se, vendimi është dhënë pa praninë e mediave, pavarësisht se seanca ishte publike. Gjykatësi kërkoi nxjerrjen e gazetarëve, duke krijuar kështu konflikte e tensione në sallë.

Autonomi apo autokraci?! (…dhe reagimi i drejtë i Romeos)

Luçiano Boçi

Ja u gjet dhe mekanizmi i zhbllokimit të pagave të pedagogëve!? E çuditshme se si i zgjidhin këta punët?! Si nuk u kujtuan më parë?!!
Një sms tringëllitëse dhe gjithçka mbaroi-thotë ministria. Nikolla lan duart me Universitetet. Madje ja lë përsëri në prehër Universiteteve, duke i përkëdhelur kokën se po shkojnë drejt autonomisë. Kjo jo vetëm që nuk është autonomi, por është dukshëm autokraci ministrore për të mos thënë kuçedërsi ministrore.
E hap rubinetin kur të dojë e si të dojë ajo. Këtë herë nga frika. Por ministria nuk mund t’i japë “leje” dot e as urdhër universiteteve për përdorimin e të ardhurave të veta, për pagat, sepse këtë nuk ia lejon ligji.
Neni 109 në pikën 2 e thotë fare qartë se:
“Të ardhurat e përfituara nga shërbimet, veprimtaritë kërkimore-shkencore, konsulencat, si dhe çdo e ardhur që realizohet nga veprimtaria ku merr pjesë personeli akademik ndahet ndërmjet personelit akademik dhe IAL-së, sipas rregullores së miratuar nga Bordi i Administrimit”.

Deri më sot, asnjë Bord Administrimi nuk ka në rregullore të tij, në asnjë prej universiteteve publike, përcaktimin që këto të ardhura mund të përdoren për paga, sepse po të ishte kështu nuk i “merrej dora” ministrisë, sepse mbi të gjitha këtë e pengon pika 3 e po këtij neni: “Institucionet publike të Arsimit të Lartë rregullojnë në aktet e tyre të brendshme mënyrën e përdorimit të fondeve të krijuara nga të ardhurat e përcaktuara në këtë nen, me përjashtim të të ardhurave nga Buxheti i Shtetit”.
Në vazhdim neni 110 përcakton qartë se, vetëm fondet e buxhetit të shtetit mund të përdoren për pagat e pedagogëve.
Për financimin e pagave (pika 3) duhet pikërisht ai udhëzimi i munguar i përbashkët, për të cilin u bë zhurma, i ministrit të Financave e ministrit të Arsimit. Pagat e hedhura kësisoj janë “të nxituara”, qesharake, të pavërteta, për të shuar revoltën e jo të ligjshme. Prandaj veprimi i Romeo Hanxharit është i drejtë! Ministria po shkel totalisht ligjin siç e ka bërë zakon këto vite.
“Frika ruan vreshtin”, thotë fjala e urtë. Por frika në panik, nga zemërimi i pedagogëve, e prishka fare vreshtin…e Ministrisë!

“Ikin” 19 mijë të rinj, “shtohen” 11 mijë pleq në 2017-ën

Shqipëria po humb gjithnjë e më shumë nga dividendi i saj demografik për shkak se, popullsia po pakësohet me ritme të shpejta në grupmoshën e artë 0-40 vjeç teksa numri i personave mbi 65 vjeç po rritet me shpejtësi. Sipas statistikave të fundit të popullsisë, numri i personave 0-40 vjeç pësoi rënie me 2% gjatë një viti. Në janar 2018, në këtë grupmoshë u numëruan rreth 19 mijë persona më pak se më 1 janar 2017. Një nga shkaqet e rënies në këtë grupmoshë është emigracioni i lartë dhe rënia e numrit të lindjeve, rënia më e madhe i takon grupmoshës 10-14 vjeç, të cilët ishin 10,500 persona më pak në numër se vitin 2017.
Grupmosha e hershme 20-40 vjeç, që përbën kulmin e funksionimit fizik është pakësuar me 3777 mijë persona më 2017. Tkurrja e kësaj grupmoshe tregon humbjen e produktivitetit të forcës së punës dhe popullsisë në tërësi, pasi në këtë moshë merret vendimi për martesë dhe vihen bazat e karrierës. Gjithashtu forca e punës shënoi rënie me 1.1%. Grupmosha 15-65 vjeç u tkurr me 2323 persona gjatë vitit 2017, teksa numri i të moshuarve ka shënuar rritje të mëtejshme. Popullsia në mbi 65 vjeç u shtua me 11,216 persona më 2017, duke u rritur në mbi 3% brenda vitit. Për pasojë, raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i personave në moshë +65 vjeç ndaj popullsisë në moshë pune 15-64 vjeç) ka shënuar një rritje nga 18,9% në 19,4% gjatë së njëjtës periudhë.

Projeksionet e tregojnë se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Popullsia e vendit po tkurret më shpejt se projeksionet e popullsisë 2011-2031. Më 1 janar 2018 popullsia ishte 18 mijë persona më pak se projeksioni zyrtar i INSTAT.

Monitor