Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, u bëri thirrje vendeve të koalicionit shumëkombësh që lufton grupin ekstremist Shteti Islamik në Irak dhe Siri të angazhohen për mposhtjen e plotë të militantëve.
“Fundi i operacioneve të mëdha luftarake nuk do të thotë se kemi arritur mposhtjen e qëndrueshme të Shtetit Islamik”, tha Tillerson para anatërave të koalicionit, të mbledhur në Kuvajt.
Ai tha se luftëtarët e Shtetit Islamik kanë humbur shumicën e territoreve që kanë kontrolluar në Siri dhe Irak, por shtoi se ky grup “mbetet kërcënim serioz për qëndrueshmërinë në rajon dhe në pjesë të tjera të globit”.
Tillerson po ashtu tha se Uashingtoni ka vendosur të ndajë 200 milionë dollarë ndihma për të stabilizuar zonat e çliruara në Siri dhe se SHBA do të vazhdojë të trajnojë forcat lokale në vendin e shkatërruar nga lufta.
Mbi 70 vende i janë bashkuar koalicionit të formuar nën udhëheqjen e SHBA-së në vitin 2014, kur Shteti Islamik ka pushtuar territore të mëdha në Irak dhe Siri.
Tillerson: Shteti Islamik mbetet kërcënim serioz

Mesi nuk ndalet!
Sulmuesi i Chelsea, Alvaro Morata, ka paralajmëruar shokët e tij të skuadrës se Lionel Mesi do të jetë i pandalshëm në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës. “Blues” do të përballen me pesë herë fituesin e “Topit të Artë” dhe skuadrën katalanase në ndeshjen e parë të raundit 1/8 finale, me shpresën e marrjes së një rezultati shpresëdhënës për kthimin në “Stamford Bridge”, më 20 shkurt. Megjithëse Mesi ka disa kujtime të këqija të udhëtimeve në transferta me Chelsea, pasi ka humbur një penallti kundër tij, në gjysmëfinale të vitit 2012, që pa skuadrën e Premier League të përparojë në finale, me një fitore prej 3-2. Mesi mund të ketë mbetur i shkatërruar nga ai incident, por Morata ka paralajmëruar skuadrën e Antonio Contes se ikona argjentinase është shumë e rrezikshme, ndaj duhen marrë mirë masat për të.
“Mesi nuk mund të ndalet, tha ish-sulmuesi i Real Madridit për ‘Movistar +’. Nëse duhet të marrim një rezultat të mirë në ‘Camp Nou’, ne duhet të luajmë një lojë mbrojtëse, me sa më pak hapësira dhe të përpiqemi t’i shqetësojmë katalanasit sa më shumë që të jetë e mundur”.
Sulmuesi spanjoll nuk është i vetmi yll i Chelsea, që ka bërë lavde për Mesin kohët e fundit. Eden Hazard ngulmoi kohët e fundit se 30-vjeçari argjentinas nuk është nga kjo botë dhe kërkoi nga “Blues” që të jenë të kujdesshëm ndaj katalanasve. Mesi ka shënuar tashmë 27 gola në 36 ndeshje, në të gjitha garat, këtë sezon dhe është golashënuesi më i mirë në La Liga, me 20 gola, por ka shënuar vetëm 3 herë në 6 paraqitjet e Ligës së Kampionëve, po këtë sezon.
Pritjes së gjatë i ka ardhur fundi, Liga e Kampionëve rikthehet me dy super ndeshje në 1/8 e finales të kësaj gare. Manchester City do të luajë në udhëtim ndaj Baselit, ndërsa Juventusi do të jetë nikoqir i Tottenhamit në formë.
Të dy ballafaqimet do të luhen nga ora 20:45.
Juventus do të jetë pa një numër lojtarësh kyç për këtë përballje, me Paulo Dybalan, Juan Cuadradon, Blaise Matuidi dhe Stephan Lichtsteinerin të lënduar.
Ndërsa, Tottenhamit do t’i mungojnë Toby Alderweireldi dhe Kyle Walker-Petersi.
Formacioni i mundshëm i Juventusit: Buffon; Rugani, Chiellini, Benatia, Sandro; Marchisio, Pjanic, Khedira; Bernardeschi, Higuain, Mandzukic.
Formacioni i mundshëm i Tottenhamit: Lloris; Trippier, Vertonghen, Sanchez, Davies; Dembele, Dier, Eriksen, Alli, Son; Kane.
UEFA: Të mbrohen lojtarët! Arbitrat mos bien pre e presionit
Këtë mesjavë kthehen ndeshjet e Champions League dhe Europa League, ndërsa UEFA ka dhënë udhëzimet e saj për të gjithë arbitrat. Shefi i Arbitrave në qeverinë e futbollit europian, Pierluigi Collina ka kërkuar kujdes në gjykimin e ndeshjes, duke e vënë theksin te fakti se lojtarët duhet të mbrohen nga ndërhyrjet e rënda, që marrin gjatë zhvillimit të sfidave.
E gjithë kjo erdhi pas kërkesës së bërë nga trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, që u kërkoi arbitrave të kujdesen më shumë për ata që ai i cilëson si artistët e kësaj loje, pas dëmtimit të pësuar nga Sanè në ndeshjen e “FA Cup” me Cardiffin.
“Futbollistët janë të rëndësishëm, na duhen, kështu që duhen mbrojtur. Nuk duam të shohim situata në të cilat e ardhmja e një lojtari të vihet në dyshim për shkak të një ndërhyrjeje shumë të ashpër, pak rëndësi ka nëse është e qëllimshme apo jo, pasi lojtari në raste të tilla rrezikon dëmtim serioz. Lojtarët duhet të kuptojnë se duhet të respektojnë kundërshtarin e tyre dhe t’u rezervojnë atyre të njëjtin trajtim si për veten e tyre”, tha Collina.
Por jo vetëm kaq. UEFA këshilloi arbitrat që të mos bien prè e presioneve nga lojtarët, kur ata i rrethojnë pas një vendimi të marrë në fushën e lojës, pasi sipas saj është e papranueshme.
Perezi-Ronaldos: Po na braktise për PSG-në, unë do të blej Mesin
Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, e kishte paralajmëruar Cristiano Ronaldo se nëse do ta braktiste gjigantin spanjoll për Paris Saint-Germainin, atëherë ai do ta blinte Lionel Mesin për 200 milionë euro, sipas revistës franceze të futbollit “France Football”. Revista e mirënjohur franceze raporton se, në një mesazh sekret telefonik dërguar një miku më 2012, Ronaldo kishte zbuluar se dëshironte të transferohej në PSG në Ligë 1 të Francës sepse besonte se aty do t’iu rriteshin mundësitë për ta fituar “Topin e Artë”.
“Dua të shkoj në Paris. Atje do të më duan vërtet. Francezët do të jenë shumë të lumtur që luaj në kampionatin e tyre saqë mediat do të bëjnë fushatë në favorin tim për ta fituar ‘Topin e Artë’”, kishte thënë Ronaldo në mesazhin e tij dërguar një miku. Më pas, superylli portugez e kishte kërkuar një takim me Perezin për t’i kërkuar ta lejojë të largohet drejt Francës.
Por, Perez e kishte paralajmëruar Ronaldon se nëse do ta gjente një klub që paguan 200 milionë euro për të, atëherë ai do ta shiste dhe me ato para do ta aktivizonte klauzolën e atëhershme të Mesit për ta blerë argjentinasin si zëvendësues të portugezit.
Sane rikuperohet për 14 ditë
“Sané do të jetë jashtë gjashtë ose shtatë javë. Kam qenë këtu për 18 muaj dhe futbolli anglez nuk është ashtu, është më shumë se kaq”. Me këto fjalë, Pep Guardiola ankohej për lëndimin, që pësoi gjermani në përplasjen e “Fa Cup”, në Cardiff, në ligamentet e kyçit të majtë të tij më 28 janar. Dy javë më vonë, një muaj përpara orarit të parashikuar, Sané është kthyer në radhët e Manchester City. Ish-lojtari i Schalke është pjesë e ekspeditës së “qytetarëve” në Basel, në sfidën e Ligës së Kampioneve. “Jam i habitur që ai është i gatshëm, ka punuar shumë, është i ri, por nuk kam pritur që të jetë aq profesionist. Sane nuk është në gjendje të përsosur, por ka fituar shumë kohë dhe dëshiron të na ndihmojë. Ai është me ne dhe ky përbën një lajm të mirë. Ka bërë një punë të shkëlqyer”, rrëfeu Guardiola në një konferencë shtypi.
Ekipi më i kushtueshëm
Manchester City po shënon rekorde të njëpasnjëshme jo vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj. Skuadra që kryeson Premier League angleze me 16 pikë avantazh kundrejt vendit të dytë, është konsideruar si skuadra më e kushtueshme në historinë e futbollit. Për të ndërtuar skuadrën aktuale, që nga blerja e parë e deri tek e fundit që është Aymerick Laporte, pronarët e Citizens kanë shpenzuar shifrën rekord prej 878 milionë eurosh.
Ky është përfundimi i studimit të Observatorit të Futbollit (CIES), që mori në konsideratë kampionatet më të rëndësishëm në Evropë: Premier League, La Liga, Bundesliga, Serie A dhe Ligue 1. Në klasifikimin e CIES, Manchester City kalon vetëm për pak Paris Saint Germain, me francezët që kanë arritur në kuotën e 805 milionë eurove shpenzime, ndërkohë që në shkallën e tretë të podiumit është Manchester United, me 747 milionë euro.
Pas “Djajve të Kuq”, në vendin e katërt pozicionohet Barcelona me 725 milionë euro. Janë pikërisht këto skuadra të vetmet që kanë shpenzuar më shumë se 700 milionë euro në merkaton e transferimeve.
Përsa i përket mesatares së shpenzimeve për skuadrat në 5 ligat kryesore, Premier League është e paarritshme me 291 milionë euro të shpenzuara për klub, e ndjekur nga La Liga me 131 milionë e Serie A me 124 milionë euro shpenzime për skuadër. Më pas, vijnë Bundesliga dhe Ligue 1, respektivisht me 114 dhe 97 milionë euro.
Zidane duhet të jetë trajner i Real
Përballja e dyfishtë e Real Madrid kundër PSG-së në Champions League do të jetë vendimtare për sezonin e madrilenëve, por Guti, trajneri i moshave, nuk beson se e ardhmja e Zidane duhet të vihet në diskutim. Pas kësaj, ai ka pranuar se ideja që një ditë ai të marrë drejtimin e “Los Blancos” e tundon shumë.
“Ndeshja me PSG-në do të jetë shansi i fundit për Real-in, por shpresoj që të mos jetë i fundit për Zidane”, ka thënë Guti për “El Chiringuito de Jugones” të hënën. “Nuk mund ta harrojmë atë që ka bërë ai. Do të jetë shansi i fundit edhe për PSG-në, duke parë se Ligue 1 dhe Kupa e Francës nuk mund të krahasohen me Champions League. Zidane duhet të vazhdojë të jetë trajneri i Real Madrid, por edhe unë do të doja ta drejtoja skuadrën një ditë”.
Alves: Problemi është Cristiano Ronaldo!
Dani Alves nuk po përjeton momentin e tij më të mirë te PSG. Aktualisht braziliani vlerësohet se është më mirë moralisht dhe psikologjikisht se sa fizikisht dhe kjo shkakton disa shqetësime brenda kampit të ekipit parisien. Aq më shumë, kur të mërkurën, skuadra e PSG do të vizitojë Real Madrid në “Santiago Bernabéu” në takimin e parë të vlefshëm për një vend në çerekfinalen e Champions League.
Në këtë kuadër, Alain Roche, ish-drejtori sportiv i PSG deklaroi se: “aktualisht ka probleme me lojtarët teknikë dhe ata të shpejtë në duelet një kundër një. Problemi është se rivali i tij direkt i ardhshëm është pikërisht Cristiano Ronaldo …”. Alves, konkretisht konsiderohet i rëndësishëm veçanërisht për atmosferën që krijon në dhomat e zhveshjes dhe në kampin e PSG, ku merr shpeshherë cilësitë e liderit.
BBC apo MCN?
Përmendja e tyre shkakton dridhje për mbrojtjet rivale. “Trident”-ët e Real Madridit dhe të PSG-së janë ndër më të spikaturit në Europë. I dyti është në modë prej disa kohësh. I përbërë nga Mbappé, Cavani dhe Neymar, sulmi i PSG-së po terrorizon Europën këtë sezon. Por ai nuk është i vetmi. Përballë do të ketë BBC, “trident”-in e Real Madridit: Benzema, Bale dhe Cristiano Ronaldo. Cili është më i miri? Ato janë dy “tridentë”, por në Ligën e Kampionëve vetëm njëri mund të mbretërojë. Dhe kjo do të zbulohet në përplasjen e 1/8 finale të Champions-it, ndërmjet Real Madridit dhe PSG-së, pas dy “akteve” mes tyre. “Akti” i parë luhet këtë të mërkurë, në “Santiago Bernabéu”. I dyti, pas një jave në “Parc des Princes”.
Cili do të shkojë përpara, kjo do të varet më së shumti nga suksesi i golave të dy “trident”-ëve. MCN, në aktivitet të plotë. BBC, në kuota të ulëta, por me shpresën e rikuperimit në Champions. Cristiano Ronaldo, veçanërisht, ka qenë në formë maksimale në Ligën e Kampionëve. Ai ka qenë “Pichichi” në pesë edicionet e fundit radhazi të këtij kompeticioni. Ai, gjithashtu, është golashënuesi kryesor në Ligën e Kampionëve për këtë sezon. Portugezi ka shënuar 9 gola në 6 ndeshje dhe është i vetmi lojtar, që ka realizuar në të gjitha ndeshjet.
MCN është në një moment mbresëlënës. Deri më tani, këtë sezon, në 38 ndeshje që PSG ka luajtur, 71 gola janë vulosur nga Mbappé, Neymar dhe Cavani. Uruguajani dhe braziliani kanë shënuar nga 28 gola secili, ndërsa francezi ka kontribuar me 15 gola. Numra të paarritshëm për BBC, këtë edicion. Mungesa e suksesit dhe e lëndimeve e kanë zvogëluar potencialin e “trident”-it të Real Madridit. Në këtë fazë të fushatës dhe me një ndeshje më shumë se PSG-ja, BBC ka 40 gola, 31 gola më pak se “francezët”.
Por, Cristiano, Bale dhe Benzema nuk janë në momentin e tyre më të mirë dhe në krahasimin aktual, mposhten dukshëm nga të dhënat e MCN-së, një treshe sulmuese që po zbukuron Europën dhe botën me 71 golat e vet. BBC i sezonit 2015-2016, në 38 ndeshje, njësoj sa ka luajtur PSG-ja deri tani, kishte lënë shenjën e 77 golave: 40 gola nga Cristiano, 23 nga Benzema dhe 14 nga Bale. Në sezonin 2014-2015, madrilenët i kishin përmirësuar edhe regjistrimet aktuale të MCN. Deri atëherë, ata shtuan 76 gola. Dhe u shfaq një CR7 yjor, që shënoi 43 gola, 17 francezi dhe 16 uellsiani.
Nga dy “trident”-ët, më i shtrenjti është ai i PSG-së. Kohën dhe paratë e tij, Nasser Al-Khelafi, pronar dhe president i ekipit francez, i ka dedikuar për një sulm të frikshëm. Pas verës së kaluar, kur shpenzoi 222 milionë euro për Neymar dhe 180 milionë të tjera për Mbappé 180, të cilave duhet t’u shtohen edhe 64 milionë të paguara për Cavanin në vitin 2013, përbëjnë një total prej 466 milionë eurosh. Në këtë drejtim, PSG-ja ka tejkaluar Real Madridin dhe të gjitha klubet në këtë Champions. Francezët kanë vendosur një rekord të ri në një fazë grupesh të Ligës së Kampionëve. Deri më tani, Borussia Dortmund kishte rekordin, e cila, në sezonin 2016-2017, e përfundoi këtë raund me 21 gola të shënuar. Por, të besuarit e Unai Emery e kanë “shkatërruar” atë rekord, sepse kanë shënuar 24 gola. Nga këto, 16 gola mbajnë vulën e MCN: 6 nga Neymar, 6 nga Cavani dhe 4 nga Mbappé.
“Dua ta shoh Neymarin me Ronaldon te Real Madridi”
Ish-futbollisti i Real Madridit, Guti, dëshiron ta shohë Neymarin të bashkohet me Cristiano Ronaldon te kampionët europianë. Neymar e la Barcelonën për PSG-në verën e kaluar, për një shifër rekord prej 222 milionë eurosh, por ndërkombëtari i Brazilit tashmë është i lidhur me Madridin. Megjithatë, ka sugjerime se Ronaldo mund të largohet nga “Santiago Bernabeu”, ku po luan sezonin e tij të nëntë. Por Guti, trajner i të rinjve në Madrid, nuk është i sigurt nëse dëshiron ta shohë Neymarin të zëvendësojë Ronaldon, por shpreson që ata të jenë në të njëjtën skuadër.
“Neymar është një lojtar tjetër, ai është ndër tre më të mirët në botë. Ajo që ne dëshirojmë është të shohim më të mirët në botë te Real Madridi, tha tri herë fituesi i Ligës së Kampionëve për ‘Radio Marca’. Nëse kostoja është se CR7 nuk do të jetë te Real Madridi, ju duhet të mendoni për këtë. Por, ajo që dua, është ta shoh Neymarin dhe Ronaldon me fanellën e bardhë”.
Neymar ka shënuar 28 gola në 27 ndeshje këtë sezon dhe PSG-ja do ta vizitojë Madridin në ndeshjen e parë të 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, të mërkurën.