Antonio Conte vazhdon të luajë me të ardhmen e tij si trajner i Chelsea-t. Pas fitores kundër West Brom (3-0), trajneri blu nuk hezitoi të lavdërojë kandidatin më të mirë, të pozicionuar për ta zëvendësuar atë në stolin e “Stamford Bridge”, Luis Enrique Martinez. “Kemi luajtur kundër njëri-tjetrit dhe unë besoj fuqimisht se ai është një njeri i mirë. Kam një admirim të madh për Luis Enrique, ai duket një trajner fantastik”, tha Antonio Conte.
Ish-trajneri i kombëtares së Italisë vlerësoi mbi të gjitha meritat dhe sukseset e Luis Enrique: “Ai i ka arritur objektivat e tij me Barcelonën dhe Romën, teksa ekipet e tij ishin shumë mirë të organizuar. Kam vlerësimet maksimale për të si njeri dhe trajner”. “The Sun” ka avancuar me disa nga kushtet që ish-trajneri i Barcelonës do të kishte për të nënshkruar me Chelsea, sapo të përfundojë sezoni. Luis Enrique ka ndërmend të zbresë me tërë stafin që kishte te Barça, duke përfshirë Unzu, trajnerin aktual të Celta. Ai, gjithashtu, dëshiron të marrë Robert Moreno, Rafael Pol dhe Joaquín Valdes.
Conte flet për pasuesin e tij
Rakitiç: Barcelona varet nga Messi
Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitiç, emëroi bashkëlojtarin e ekipit, Lionel Messi, si më të mirin në histori. Messi, 30 vjeç, është padyshim lojtari më i mirë i të gjitha kohërave, pasi ka fituar pesë herë “Topin e Artë” dhe shumë trofe të tjerë në ekip, duke përfshirë tetë kurora të La Liga-s dhe katër Liga Kampionësh. Rakitiç e lavdëroi shokun e tij të Barçës, duke thënë se argjentinasi ndërkombëtar mund të kthejë fatin e një loje në çdo moment. “Ai është referimi, loja jonë varet shumë prej tij. Messi nuk ka nevojë të flasë për t’u kuptuar, një gjest është i mjaftueshëm, tha kroati për ‘Antena 3’. Leo është më i miri në histori, i aftë për ta kthyer ndeshjen në një sekondë. Është maksimalisht i karrikuar, sepse e di që të gjithë shohin atë”.
Rakitiç arriti në Barcelonë nga Sevilla në vitin 2014 dhe i ka ndihmuar gjigantët spanjollë të fitojnë dy kurora të La Liga-s dhe një titull të Ligës së Kampionëve. Mesfushori i Kroacisë tha se Messi luajti një rol kyç në ndihmën që të ambientohet në “Camp Nou”: “Ai ishte një nga të parët, që më mbështeti kur erdha. Përherë më pyeste nëse kisha nevojë për diçka. Ai është një person krejt i veçantë nga të tjerët”.
FIFA merr anën e Barçës
Marrëdhënia midis Barcelonës dhe Neymar, nga viti 2013 deri në vitin 2017, filloi të shënjohej me polemika dhe gjyqe, madje përfundoi në të njëjtën mënyrë. Një proces gjyqësor i fundit ka lindur nga largimi i sulmuesit brazilian te PSG-ja në këmbim të 222 milionë eurove. Arsyeja: 40 milionë euro premio, që babai dhe përfaqësuesi i tij ranë dakord se do të merrte nga klubi katalanas pas nënshkrimit të rinovimit të lojtarit në verën e vitit 2016. Ndërsa marrëveshja zgjati vetëm një vit, derisa PSG-ja u shfaq, Barça refuzoi të paguajë shumën e sipërcituar. Përgjigjja e Neymar ishte me dërgimin e çështjes në gjykatat e zakonshme dhe të paraqiste një ankesë në FIFA.
Mosmarrëveshja e parë është në fazën fillestare, por qeveria më e lartë e futbollit botëror tashmë ka dhënë pikëpamjen e vet, sipas programit “Què t’hi jugues” të SER-it. Ankesa refuzohet. Megjithatë, mosmarrëveshja nuk është shumë e gjatë. Tani është Barça, që ka në tryezë mundësinë për t’i kërkuar 75 milionë euro Neymarit për shkelje të kontratës. Në klubin katalanas nuk janë dhe aq optimistë me dështimin e ankesës së brazilianit në FIFA, sepse dyshojnë se lojtari nga Sao Paulo dhe këshilltarët e tij do ta studiojnë rrugën e CAS-it, përveç vazhdimit të ndjekjes së rastit në gjykatat e zakonshme.
Pse po e bëni pis Ermal Metën?
Disa gazetarë në Shqipëri kanë tentuar të bëjnë pis këngëtarin shqiptar fitues në Festivalin e Sanremos duke shkruar histori nga më të ndyrat dhe absurdet ndaj tij dhe familjes. Po përse duhet bërë pis këngëtari Ermal Meta, një emër që bëri të ndjehen krenarë shqiptarët në të katër anët e Europës në këto kohë kur për shqiptarët flitet vetëm për baronë droge? Absurde të mendosh se sulmet ndaj tij, që është larguar që fëmijë drejt Italisë, nuk vijnë nga vendi ku ai jeton, por nga vendi ku u largua.
Sulmi ndaj tij është një kompleks inatçor, tipik i shqiptarëve të ligj, të cilët duke qenë në krizën e identitetit të tyre mundohen të ndotin edhe suksesin e një këngëtari si Ermal Meta që bëri ta nderojë e gjithë Italia. Kjo zhurmë ndaj tij është e përkohshme dhe do të shuhet shpejt, por ajo që nuk do të mund të na shqitet edhe shumë kohë të tjera është negativiteti që tek ne shqiptarët e këtij vendi ka lindur bashkë me “Njeriun e ri” të socializmit. Pa vrarë ne brenda vetes krijesën monstruoze të “Njeriut të ri” do të vazhdojmë të mbajmë rekorde të tilla që po çudisin këdo, sepse brenda asaj monstre që u eksperimentua për gjysmë shekulli është intriga, shpirtligësia, urrejtja dhe negativiteti dhe që çuditërisht vazhdon të kultivohet edhe sot tek kaviet e djeshme.
Reagimi i këngëtarit
Ermal Meta ka një mesazh për të gjithë mediat dhe gazetarë shqiptarë.Ai kërkon që të mos spekulohet me jetën e tij. ‘Mos spekuloni me jetën time’, shkruan këngëtari shqiptar që fitoi Sanremon.
Ja çfarë shkruan Ermal Meta në Facebook:
Mesazh për të gjithë gazetarët shqiptarë:
Mos spekuloni mbi jetën time, ju nuk dini asgjë nga jeta ime. Kur në atë intervistë përdora fjalën “bastard” nuk thashë asnjë emër.
Mos e shtoni ju atë emër sepse gaboni rëndë jo vetëm me mua por edhe me familjen e personit për të cilin po shkruani ose po flisni.
Kënga që fitoi festivalin e Sanremos është kundër terrorizmit, asgjë më shumë. Shpresoj mos te lexoj më gjëra të tilla.
Faleminderit për vëmendjen.
Vendosen barrierat në Rrugën e Kombit, 10 euro për çdo makinë, pagesë e trefishtë taksapaguesve për 30 vjet
Janë drejt përfundimit barrierat në Rrugën e Kombit dhe brenda pak ditësh çdo qytetar që lëviz me makinën e tij do të duhet të paguajë taksën 10 euro për një lëvizje vajtje-ardhje jo vetëm në Kosovë dhe anasjelltas nga Kosova në Shqipëri, por edhe nëse do të shkojë në Veri në vendit.
Duke lidhur Milotin, rreth 60 km në verilindje të Portit të Durrësit në detin Adriatik, me Morinën në kufirin e Kosovës, rruga formon seksionin qendror të autostradës Kosovë-Shqipëri, që lidh Durrësin me Prishtinën. Dhënia e mirëmbajtjes me koncesion në këtë do të jetë për një periudhë 30-vjeçare.
Nëse autostrada realizon minimumin e trafikut për një aks të këtij niveli, 7 mijë makina në ditë, siguron një të ardhur vjetore minimumi 13 milionë euro pa llogaritur tarifat më të larta se 6 euro që pritet të vihen ndaj automjeteve të rënda (furgonëve, autobusëve dhe kamionëve). Kjo shumë prej 13 milionë eurosh do të paguhet nga përdoruesit e rrugës që janë kryesisht qytetarë të zonës veriore dhe verilindore të vendit, kosovarëve dhe bizneseve që tranzitojnë dhe eksportojnë mallra nga kjo rrugë. Ndërkohë që kostoja e mirëmbajtjes së aksit është vlerësuar nga Ministria e Transportit me 8 milionë euro.
Mirëpo kjo pagesë është e treta që qytetarët po bëjnë për Rrugën e Kombit. Së pari, taksa e qarkullimit mbi karburantin me 27 lekë për litër, që kryesisht ka funksion të gjenerojë fondet për mirëmbajtjen, paguhet nga të gjithë përdoruesit e automjeteve kur konsumojnë naftën. Kështu vetëm nga taksa e qarkullimit, buxheti i shtetit vjel 19 miliardë lekë ose afërisht 150 milionë euro, shumë kjo e mjaftueshme për mirëmbajtjen e rrugëve.
Ndërsa pagesa e tretë që qytetarët e Shqipërisë po bëjnë për Rrugën e Kombit janë interesat që paguhen në mënyrë indirekte nga taksat për të shlyer huanë mbi 300 milionë euro që u mor në vitin 2008 për ndërtimin e saj. Shoqata e Hidrokarbureve i ka bërë thirrje qeverisë që në momentin që do vihet taksa e koncesionit mbi Rrugën e Kombit duhet të ulet taksa e qarkullimit mbi naftën, pasi do të ishte jashtë logjike që qytetarët të paguajnë më shumë se dy herë për një shërbim.
Skema e mbifaturimit të energjisë, si fryhen faturat në zyrat e OSHEE në Tiranë për qytetarët
Ola XAMA
Ish-drejtori tregon se pasi faturistët dërgonin leximet e abonentëve për secilin muaj, përpara se të lëshonte faturën me vlerat respektive, zyra qendrore e OSHEE-së në Tiranë llogariste humbjet për secilin rajon ose çdo njësi dhe pastaj i frynte faturat e qytetarëve për të ulur humbjet.
Fatos Krasniqi është 53 vjeç, kryefamiljar dhe i papunë prej disa vitesh. Ai thotë se situata e familjes së tij është shumë e vështirë dhe prej 1 muaji kanë mbetur edhe pa energji elektrike.
“Ne jemi fukarenj, nuk kemi drita. Mendojmë se kemi mbifaturim, në muajin mars 2017 na ka ardhur një faturë ku tregon se jemi debitorë për shumën 1.5 milion lekë [të vjetra],” tha Krasniqi gjatë një interviste për BIRN në muajin dhjetor.
Krasniqi shprehet se ka shkuar në shumë zyra të kompanisë dhe të institucioneve të tjera, edhe në atë të Entit Rregullator të Energjisë, por kudo ku ka shkuar e kanë kthyer mbrapa dhe i kanë thënë që të paguajë shumën.
“Kemi një muaj pa drita, i lutemi të na japin zgjidhje sepse kam vajzën shtatzënë, tani është dimër,” shtoi ai, i cili më pas tregon se dhe vetë ka një gjendje shëndetësore të rënduar.
Rasti i Krasniqit nuk është i izoluar. Në zyrat e Kujdesit të Klientëve pranë njësisë qendrore të OSHEE radha e ankesave është e gjatë. Vetëm gjatë vitit që shkoi kompania mori 62 mijë ankesa me pretendime për keqfaturim.
Sipas OSHEE-së keqfaturimi ndodh në raste “sporadike, kryesisht si gabim teknik i lexuesve ose papërgjegjshmëri e tyre, ose ne rastet kur nuk kanë shkuar rregullisht sipas grafikut të përcaktuar për leximin e abonenteve.”
Por ndryshe nga çfarë pretendon kompania, dokumente dhe dëshmi nga zyrtarë, ish zyrtarë dhe faturistë të OSHEE-së të siguruara nga BIRN, ngrenë dyshime se disa drejtori rajonale të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike i mbifaturojnë qytetarët në bazë të një plani mujor që shpërndahet nga zyrat qendrore dhe ka për qëllim të fshehë humbjet në rrjet dhe të përmirësojë treguesit e kompanisë.
Të dhënat e siguruara nga BIRN, tregojnë se kompania është nën hetim nga Prokuroria, pasi dyshohet se zyra qendrore e saj qëndron pas mbifaturimit të një numër qytetarësh në Shkodër.
E pyetur nga BIRN për akuzat se mbifaturon në mënyrë masive abonentët, OSHEE i hodhi poshtë si të pavërteta.
Plani i rimëkëmbjes
Në vitin 2009 grupi çek CEZ bleu kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri duke paguar 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve, ndërsa premtoi të investonte 200 milionë euro brenda katër viteve.
Pavarësisht premtimeve për investime, kompania çeke e thelloi gropën e borxheve dhe në janar 2013 humbi licencën pas një konflikti me qeverinë shqiptare – për shkak të humbjeve të mëdha teknike dhe vjedhjes së energjisë në rrjetin e shpërndarjes. Pas vendimit të heqjes së licencës, ERE emëroi një administrator të përkohshëm në krye të kompanisë.
CEZ për rrjedhojë nisi një proces arbitrazhi kundër Shqipërisë duke kërkuar 150 milionë euro dëme për prishjen e kontratës dhe shpronësim të paligjshëm. Pas ardhjes në pushtet qeveria e qendrës së majtë e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama ra dakord në verën e vitit 2014, t’i paguante grupit CEZ, 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.
Andi Halluni, i cili ka punuar si drejtues i njësisë së OSHEE-së në Shkodër për dy vjet, nga nëntori i vitit 2013 deri në dhjetor të 2015, kujton se pas konfliktit me CEZ dhe si rrjedhojë e keqmenaxhimit, asetet e kompanisë ishin tërësisht të amortizuara.
“Kushtet e punës kanë qenë skandal! Asgjë në magazinë! Pjesa më e madhe e punonjësve rrinin në shtëpi dhe merrnin rrogat,” kujton Halluni.
Në shkurt 2015, qeveria shqiptare shpalli ‘Planin e Rimëkëmbjes së Energjisë Elektrike,’ i cili premtonte reduktimin e humbjeve në sektorin e energjisë elektrike me 5% në vit, duke filluar nga 37.6% në vitin 2014 në vetëm 8 për qind në vitin 2020.
Halluni kujton se kur mori përsipër detyrën e drejtorit të njësisë së Shkodrës, u mundua të rikthente besimin te qytetarët.
“Kisha përgjegjësi për dy çështje, faturimin dhe uljen e humbjeve në rrjet,” tha ai, duke shtuar se në atë kohë Shkodra ishte ndarë në dy zona influence.
“Një pjesë ishte ndarë për punonjësit e ndërmarrjes dhe një pjesë për “të fortit” e Shkodrës. Ata mbanin bizneset, baret, lokalet dhe merrnin një koutë mujore. Faturimi për ta ishte zero nga ana e OSHEE-së,” kujton Halluni.
Në mes të rrugës që nisi për ta rimëkëmbur njësinë e tij Halluni u detyrua të lerë detyrën, pasi parimet e menaxhimit të kompanisë nga lart me ato të tij filluan të mos përputheshin.
Skema e mbifaturimit
Në tetor 2014, qeveria shqiptare nisi një valë arrestimesh të qytetarëve të ndryshëm të akuzuar për vjedhje të energjisë elektrike.
Të dhënat e marra nga BIRN nga sistemi i drejtësisë tregojnë se në periudhën shtator 2014 – qershor 2015, mbi 2600 syresh u akuzuan për vjedhje të energjisë elektrike. Frika e gjithëpërhapur duket se u shpërblye me rritje të pagesave të faturave të prapambetura, duke ulur humbjet e OSHEE-së dhe duke rritur të ardhurat.
Por të dhënat e marra nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, ERE, përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se reduktimi i humbjeve në sektorin e shpërndarjes efektivisht ka ngecur që nga ajo kohë. Në vitin 2016 humbjet ishin 28% ndërsa në periudhën janar-gusht 2017, humbjet ishin 27.5%.
Për vitin 2016, objektivi i qeverisë ishte reduktimi i humbjeve në 26% ndërsa për vitin 2017 humbjet duhej të reduktoheshin në 21%. Ecuria e keqe e dy viteve të fundit e ka bërë të vështirë arritjen e objektivave për vitet 2018-2020.
Sipas Andi Hallunit, ndërsa reforma për reduktimin e humbjeve në rrjet filloi të ngecte, OSHEE filloi të aplikonte në Shkodër një skemë mbifaturimi ndaj konsumatorëve familjarë, duke i fryrë faturat e energjisë elektrike me energji të palexuar.
Ish drejtori tregon se pasi faturistët dërgonin leximet e abonentëve për secilin muaj, përpara se të lëshonte faturën me vlerat respektive, zyra qendrore e OSHEE-së në Tiranë llogariste humbjet për secilin rajon ose çdo njësi dhe pastaj i frynte faturat e qytetarëve për të ulur humbjet.
“E llogaritin sa blerje ka bërë rajoni ose çdo njësi, sa ka faturuar dhe sa ka shitur, aty del i saktë rezultati i humbjeve në rrjet,” shpjegoi Halluni.
“Pjesa drejtuese bashkëpunonte për të rritur kilovatët aq sa kanë pasur ata nevojë dhe për të rregulluar humbjet në mënyrë abuzive, duke ia mbifaturuar abonentëve,” shtoi ai.
Matja e nivelit të humbjeve del si rezultat i energjisë që është hedhur për konsum nga kompania e shpërndarjes minus energjinë e faturuar. Kjo tregon se një pjesë e saj ka shkuar dëm për shkak të amortizimit të rrjetit e një pjesë tjetër për shkak të vjedhjes.
“Ata kanë llogaritur sa mijëra kilovat i duhen për të çuar rezultatin aty ku kanë pasur ata dëshirë, i kanë futur në sistem në kompjuter dhe kompjuteri i shpërndan,” tha ish drejtori i njësisë së Shkodrës.
Sipas Hallunit, pasi filloi procesi i mbifaturimit në Shkodër, filluan të dalin probleme dhe shumë qytetarë u ankuan, madje dhe bënë padi në polici dhe prokurori.
“Ata thonë që nuk është mbifaturim, por keqfaturim. Pra një gabim i faturuesve. Por përse ndodhin vetëm gabime keqfaturimi me mbifaturime? Pse nuk ndodhi njëherë keqfaturim për t’i çuar faturën zero atij që ka konsumuar 1000 kilovat?” pyet ish drejtori.
Pikëpyetjet që e mundojnë Hallunin shqetësojnë disa prokurorë në rrethin gjyqësor Shkodër, të cilët kanë hetuar paditë e qytetarëve për mbifaturim nga OSHEE.
“Në bazë të asaj që më sqaruan prokurorët të cilët kanë nisur hetimet për këto çështje, nga hetimet e kryera në Shkodër rezulton se nuk ka përgjegjësi këtu, por mbifaturimi është bërë nga drejtoria qendrore në Tiranë, për këtë arsye çështjet ia kemi kaluar Prokurorisë së Tiranës,” shpjegoi Anton Martini, drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës.
Martini i tha BIRN se vetëm gjatë vitit 2017 ka pasur 8 kallëzime nga qytetarë të këtij qarku kundër kompanisë OSHEE për çështjet e mbifaturimit të energjisë elektrike, të cilat i kanë kaluar për kompetencë Prokurorisë së Tiranës.
E pyetur nga BIRN mbi akuzat e Hallunit, në një përgjigje me shkrim OSHEE mohoi se një skemë e tillë mbifaturimi të ekzistonte.
Mbifaturim me plan mujor?
Dokumentet e siguruara nga BIRN zbulojnë se OSHEE shpërndan në drejtoritë rajonale një plan mujor për faturuesit. Një burim konfidencial, në pozicion drejtues në kompaninë OSHEE, deklaroi se çdo muaj drejtori i shitjeve shpërndan te lexuesit një shkresë mbi nivelin e sasisë së energjisë që është hedhur atë muaj në rrjet dhe planin që duhet të përmbushë faturuesi. Letra lëshohet nga drejtori dhe firmoset vetëm nga lexuesi.
“Ekipet e faturimit të energjisë marrin çdo muaj planin mujor nga shefi i tyre për të faturuar energjinë elektrike. Plani tregon sasinë e energjisë që është hedhur në rrjet në fiderat që mbulon ai lexues dhe nivelin që duhet të faturohet.” tregon zyrtari i OSHEE-së.
Dokumente të tjera tregojnë se si lexuesve në drejtori të ndryshme rajonale u shkon niveli i faturuar nga sistemi përpara se të nisin leximin e matësve. Në shumë raste vlera e printuar nga sistemi është më e lartë se ajo që faturuesit lexojnë në matës.
Sipas fotove të siguruara nga matësa të ndryshëm dhe nga plani i sistemit informatik me numër kontrate që u shkon lexuesve, rezulton që për shumë familje mbifaturohen.
Në një dokument të siguruar nga BIRN, tregohet se si një pjesë e kontratave janë faturuar nga sistemi me vlera shtesë që shkojnë në disa qindra kËh më shumë se sa rezultojnë në matës.
“Printimi i këtyre kilovatëve që i shkon faturistëve bëhet përpara se të ndodhë leximi i matësit.” shpjegoi për BIRN një lexues, i cili në kushtet e anonimatit vuri në dispozicion faksimilet e dokumenteve.
I njëjti burim tha për BIRN se pothuajse çdo muaj, i shkon një listë me rreth 250 rilexime që duhet të bëjë për matësat që rezultojnë me rënie konsumi, por edhe nëse konsumi është i njëjtë pas verifikimit, sërish faturat për abonentët shkojnë më të larta se ato që ai i dërgon zyrës rajonale.
“Edhe fotot që dërgojmë pranë zyrave tona na janë fshirë në shumicën e rasteve”. shton ai.
E pyetur nga BIRN për planet mujore që i shpërndahen faturistëve, OSHEE u shpreh se ato kanë si qëllim uljen e abuzimeve.
“Si çdo kompani, edhe OSHEE ka planet e saj të realizimit të nivelit të humbjeve teknike dhe jo-teknike. Këto objektiva shërbejnë si elemente orientues dhe frenojnë çdo lexues të keqfaturojë abonentët mbi një trend konsumi historik,” tha OSHEE në një përgjigje me shkrim.
“Duke e orientuar leximin mbi një plan historik të konsumit, minimizohen abuzimet e mundshme,” shtoi kompania.
Auditet ngrenë dyshime
Vlera e faturimit të energjisë elektrike nuk lidhet me atë të arkëtimit, pasi e rëndësishme është që kompania ta ketë të identifikuar konsumatorin që ka një detyrim ndaj saj. Ish- kreu i njësisë së OSHEE-së në Shkodër thotë se pikërisht për këtë arsye ndodh edhe manipulimi.
Por ai nuk është i vetmi që nge dyshime ndaj sistemit të faturimit të OSHEE-së.
Tre raporte audituese të kompanisë, dy nga ekspertë kontabël të kontraktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe një tjetër nga kompania ndërkombëtare KPMG, ngrenë pikëpyetje mbi saktësinë e të dhënave të faturimit me atë të arkëtimit dhe humbjeve në kompaninë e shpërndarjes të energjisë elektrike.
Në raportin e vitit 2015 të auditit të kompanisë të kontraktuar nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, audituesit shprehen se sistemi i arkëtimit dhe ai i faturimit të kompanisë nuk përputhen me njëri-tjetrin.
“Në pasqyrat financiare të shoqërisë ekziston një mospërputhje e llogarive të arkëtueshme, midis sistemit të faturimit dhe arkëtimit (billing-ut). Menaxhimi është në dijeni të këtyre mospërputhjeve pasi diferencat kanë rezultuar në periudhat e mëparshme por edhe gjatë vitit 2015.” thotë grupi i ekspertëve kontabël shqiptarë.
Një akuzë e ngjashme bëhet dhe nga kompania ndërkombëtare e auditit KPMG për të njëjtin vit.
“Në 2015 kompania raporton se ka faturuar 68.66% të totalit të sasisë së energjisë që ka injektuar në rrjetin e shpërndarjes. Humbjet e energjisë në rrjet në nivelin 31.34% tregojnë mospërputhje mes mekanizimit të matjes dhe energjisë së faturuar si të konsumuar,” shkruan raporti.
Të dy raportet e auditimit kanë refuzuar të japin opinion mbi pasqyrat financiare të OSHEE-së, duke mos i certifikuar ato e duke vënë në dyshim besueshmërinë e të dhënave.
Edhe për vitin 2016 ekspertët kontabël të cilët kanë bërë auditimin e pasqyrave financiare të OSHEE-së, shprehen se refuzojnë të japin një opinion, pasi nuk ka fakte konkrete që të dhënat në këto pasqyra të jenë të besueshme.
Një prej shkaqeve është mospërputhja mes sistemit të faturimit dhe atij të kontabilitetit. Madje ky grup ekspertësh ka evidentuar se janë 2.5 miliardë lekë, (19.5 milion euro) kërkesa për arkëtim nga ana e kompanisë së shpërndarjes për klientët, më shumë se është regjistruar te sistemi i faturimit.
“Shoqëria regjistron të dhënat analitike në sistemin e “faturimit dhe arkëtimit” mbi bazë të faturimeve dhe pagesave në nivel kontrate, ndërsa në sistemin e kontabilitetit të dhënat regjistrohen në mënyrë të përmbledhur manualisht,” shkruajnë audituesit.
“Shuma e kërkesave për arkëtim për klientët sipas sistemit të kontabilitetit në datën 31 dhjetor 2016 është 2.5 miliardë lekë më shumë se të dhënat sipas sistemit të “faturimit dhe arkëtimit,” thuhet në raportin e auditimit.
Një nga argumentet për refuzim për dhënie opinioni nga ana e audituesve është se një korrigjim mund të jetë i nevojshëm për këto shuma, me pasoja për bilancin total të OSHEE. “Ne nuk ishim në gjendje të përcaktonim nëse korrigjime do të ishin të nevojshme në kërkesat për arkëtim nga klientët, llogaritë përkatëse të fitimit ose humbjes dhe pasqyrën e flukseve monetare,” shkruan audituesit.
Kompania e ‘shpartalluar’
F.R. është lexues në një zonë në veri të Shqipërisë dhe thotë se ka probleme të shumta me bashkëfshatarët e tji, për shkak të faturave të fryra që drejtoria e Tiranës i çon në shtëpitë e tyre.
Ai dha një intervistë për BIRN në kushtet e anonimatit, por deklaroi se nëse kompania nuk do ta rregullonte këtë problem ishte gati të linte edhe vendin punës.
“Nëse i hyni me themel kësaj pune le të hiqem unë nga puna, por të paktën të zgjidhet kjo histori dhe të rregullohet zona. Para disa orësh isha te një biznes që ka marrë 320 mijë lek në bazë të asaj që i kam bërë [faturuar] unë, por i ka ardhur fatura 400 e ca mijë lekë.” tha faturisti duke folur me lekë të vjetra.
Lexuesi tregon se është detyruar që të mbajë kudo me vete listën e leximeve që i bën matësave, madje edhe kur shkon në dasma.
“Këtu ka mbifaturime në masë. Unë në fakt e mbaj listën e faturave me vete, që t’iu shpjegoj njerëzve që kilovatët nuk i shtoj unë. Ky është problem masiv.” shtoi ai.
F.R. tregon se është një nga votuesit e Partisë Socialiste dhe priste një ndryshim më të madh pas ardhjes së saj në pushtet, sidomos me gjërat që lidhen me jetën e përditshme të qytetarëve, por ankohet se i gjithë manipulimi bëhet nga drejtuesit e lartë të kompanisë dhe beson se kryeministri nuk është në dijeni.
“I kam thënë dhe shefit të zonës dhe nuk ka bërë gjë. Kjo është pjesë e qeverisë që kam votuar unë. Kjo është kompania më e shpartalluar që mund të ekzistojë, këta japin shifra sikur dalin mirë dhe kryeministri i beson,” tregon faturisti socialist.
“Ne shkruajmë numrat dhe emrat dhe sa kanë konsumuar i shënojmë për vete në një listë që nesër pasnesër kur të vijnë te ne të mos e mbajmë ne përgjegjësinë,” thotë F.R.
Ai rrëfen se ndjehet i zhgënjyer dhe po ashtu ka keqardhje kur sheh njerëz që janë në luftë për të mbijetuar dhe që mbifaturohen.
“Këtu ka qëlluar edhe auditi që ka qenë duke më kontrolluar mua dhe ishin dy pleq që maksimumi harxhojnë 30 kilovat, janë të dy që lahen me tasa, harxhojnë a s’harxhojnë 7 mijë lekë të vjetra dhe kur vjen puna i ka ardhur 60 mijë lekë (të vjetra) fatura,” tregoi ai.
“Këtu është duke u bërë masakër. Auditi nuk ka zgjidhur gjë për ata të dy,” përfundoi faturisti i zhgënjyer.
Institucionet publike nuk paguajnë
Për vitin 2017-të ankesat e pranë zyrave të Kujdesit Ndaj Klientit për çështjen e faturimeve pranë OSHEE-së arrijnë në 62,626, nga të cilat kompania raporton se ka zgjidhur 48,141.
Zgjidhja e tyre jo domosdoshmërisht është në favor të klientit, por OSHEE raporton se kthimi i përgjigjeve brenda afatit ligjor është zbatuar masën 79%, dhe se krahasuar me vitin 2016 ato janë me ulje.
“Numri mesatar i ankesave në raport me numrin total të faturave është 0.45% e faturave totale,” thotë OSHEE.
BIRN iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi OSHEE-së për ankesën e paraqitur nga Fatos Krasniqi. Në një përgjigje me shkrim në janar, OSHEE deklaroi se klientit i ishin prerë dritat për shkak se nuk ishte treguar korrekt me pagesat, çfarë kishte sjellë prishjen e aktmarrëveshjen së tij me kompaninë për detyrimet e prapambetura e njohur si AKM.
“Pasi u njoh me situatën, abonenti me kontratën emër mbiemër Fatos Krasniqi, ka rihyrë në AKM në të cilën janë përfshirë të gjitha detyrimet e prapambetura deri në 31.12.2016 si dhe fatura për muajin mars 2017, e cila përfaqëson një konsum të akumuluar të abonentit,” tha OSHEE.
“Në të njëjtën kohë abonenti ka likuiduar të gjitha faturat e tjera të vitit 2017,” shpjegoi OSHEE, duke shtuar se pas pagesave energjia elektrike është lidhur përsëri.
Në kontrast me zhurmën dhe njerëzit që janë nëpër sportelet e KNK-ve të kompanisë së shpërndarjes, zyra e trajtimit të ankesave të konsumatorëve në ERE-s është më e qetë.
Fluksi i ankesave nuk arrin më shumë se dy në ditë, ndërsa një pjesë i presin edhe me postë. Për vitin 2017 ERE ka dërguar 468 ankesa që kompania OSHEE duhet t’u japë zgjidhje; 168 prej tyre janë pranuar nga OSHEE, e cila ka anuluar faturat më pas, për 64 kompania e shpërndarjes është shprehur se nuk disponon dokumentacionin e duhur, e për 232 ka rrëzuar pretendimin e klientit.
Në qoftë se konsumatorët familjarë kanë normën më të lartë ankesave, institucionet publike kanë normën me të ulët të arkëtimeve në 3 vitet e fundit.
Për vitin 2018, sipas konsulentëve të angazhuar nga Këshilli i Mbikëqyrës i OSHEE, norma e arkëtimit për institucionet jo-buxhetore- kryesisht ujësjellës dhe ndriçim publik do të jetë 44%, nga 105% që është për abonentin familjar. Për buxhetorët arkëtimi pritet të jetë 86%, ndërsa për bizneset 94%.
Në total detyrimet që kanë institucionet publike ndaj kompanisë OSHEE arrijnë në 16 miliard lekë [120 milion euro]. Pavarësisht borxhit, ndryshe nga sa ndodhi me Fatos Krasniqin dhe familjen e tij, këta abonentë vazhdojnë të furnizohen rregullisht me energji elektrike.
“Reporter.al”
Bllokimi i pagave, Berisha thirrje për pedagogët: Tregojini vendin atij që ju poshtëron
Ish-Kryeministri Berisha u ka bërë thirrje pedagogëve të ngrihen si intelektualë në lëvizje të fuqishme proteste mbi konformizmin dhe për t’i treguar vendin njeriut që po kërkon t’i poshtërojë.
Postimi
Bllokimi i rrogave te trupes akademike te universiteteve publike, akt i pashembullt perçmimi dhe poshterimi ndaj tyre!
Te dashur miq, ne strategjine e tij te shkaterrimit te universiteteve publike per llogari te universiteteve private, Edvin Kristaq Rama, ne nje akt te pashembullt e banditesk te mirefillte, ka urdheruar Thesarin te mos levroje fondin e pagave trupes akademike te universiteteve publike te vendit.
Ky eshte nje akt i pashembullt ne historine e universiteteve publike, me te cilin Edi Rama, duke abuzuar me pushtetin ekzekutiv, perçmon e poshteron dhe nenshtron asistentet, pedagoget, profesoret e Universiteteve publike.
Me kete akt prej hakmarresi te verber ai tregon vendosmerine e tij per ti shkaterruar perfundimisht keto universitete per llogari te universiteteve private te klienteles dhe per faktin se ai deshtoi ne emerimin ne krye te tyre me shullazet e tij, personat qe ai deshironte.
Duke denuar me ashpersine me te madhe kete akte te shemtuar, hakmarres, primitiv u bej thirrje asistenteve, pedagogeve, profesoreve te universitetit: ngrihuni si intelektuale mbi konformizmin tuaj te rrezikshem per ju, studentet dhe vendin, dhe me nje levizje te fuqishme proteste ti tregoni vendin njeriut qe kerkon t’u poshtroje ju dhe mbare inteligjencen shqiptare! sb
Qytetarët organizohen për protesta para Parlamentit kundër varfërisë dhe papunësisë të enjten ora 10.00
Një grup qytetarësh po organizohen në rrjetet sociale për një protestë përpara Parlamentit ditën e enjte në orën 10.00 kohë që koinçidon edhe me fillimin e seancës plenare. Qytetarët kanë shpërndarë në rrjetet sociale thirrjen për protest në orën 10.00 dhe po gjejnë mbështetje nga qytetarë të shumtë. Kemi të bëjmë me një protest e cila prek thelbin e të gjitha problem me të cilat përballet sot Shqipëria që janë papunësia dhe varfëria mjaft e lartë. Janë këto dy faktorë që kanë detyruar dhe po detyrojnë dhe dhjetra mijëra shqiptarë të largohen nga Shqipëri duke kërkuar azil në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
Shifra rekord e sondazhit të Gallup: Gjysma e popullsisë kërkon largim nga Shqipëria
Më e keqja është se gjysma e shqiptarëve që jetojnë në Shqipëri po planifikojnë të ikin nga vendi. Sipas anketimit që ka bërë Barometri i Ballkanit, 50% e të anketuarve më 2017 janë përgjigjur se po planifikojnë të largohen nga vendi. Kjo tendencë po vjen në rritje, pasi më 2016 kishin pohuar se po merrnin në konsideratë të largoheshin nga vendi 48% e të anketuarve.
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, tha se problemi i papunësisë dhe i krijimit të vendeve të punës dhe me paga të pëlqyeshme do të jetë një sfidë për të cilën nuk ka ndonjë adresim të posaçëm nga autoritetet publike edhe për 2018-n. Për këtë arsye, problematika sociale dhe ekonomike do të vazhdojë të mbetet e mprehtë dhe serioze dhe shqiptarët do të dëshirojnë të largohen gjithnjë e më shumë në kërkim të mundësive më të mira. FMN llogariti në një studim të fundit mbi efektet e emigracionit në ekonominë e Ballkanit se, PBB-ja e Shqipërisë ka humbur 18% në dy dekadat e fundit, si rezultat i largimit masiv të “trurit”.
Edhe INSTAT i kontrolluar nga Rama pranon eksodin
Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2017, numri i emigrantëve është 39.905 persona dhe numri i imigrantëve, 25.003 persona. Migracionit neto (diferenca midis imigrantëve dhe emigrantëve), rezulton -14.902 persona. Një vit më parë, diferenca ishte shumë më e ulët, më pak se 10 mijë persona. Kjo tregon se më shumë po ikin dhe më pak po kthehen.
Në shtatë vitet e fundit, njerëzit që kanë ikur janë të barabartë, ose më shumë sesa numri i banorëve që ka qarku i dytë më i madh i vendit, Fieri, me 302 mijë banorë. Më pas renditet Qarku i Durrësit me 285 mijë.
Emigracioni, së bashku me rënien e lindshmërisë janë arsyet kryesore që po çojnë në tkurrjen e popullsisë. Instat raportoi sot se më 1 janar 2008 popullsia e Shqipërisë 2018, rezultoi 2.870.324 banorë duke pësuar një rënie me 0,2% krahasuar me 1 Janar 2017. http://ëëë.monitor.al/alarmi-popullsia-ra-0-2-2017-nga-emigracioni-larte-dhe-renia-e-lindjeve/
INSTAT sqaron se Migracioni Neto (Lëvizjet e njerëzve që hyjnë dhe dalin nga vendi) është komponenti më i vështirë për t’u matur, duke qenë se Shqipëria nuk ka ende një regjistër popullsie. Në këtë mënyrë INSTAT thotë se përdor të dhënat më të mira ’proxy’ për vlerësimin e migracionit, duke u bazuar kryesisht në të dhënat e mbledhura nga moduli i migracionit nëpërmjet anketës së forcave të punës kombinuar me koeficientet e projeksioneve të popullsisë 2011-2031.
Seria e VII e planit Soros për të marrë e mbajtur pushtetin pa pasur nevojë për zgjedhjet
…Një dokumentar me 7 seri që tregon sesi në Rumani “aktivistët e Sorosit kanë përdorur kryqëzatën anti-korrupsion për të marrë e mbajtur pushtetin pa pasur nevojë të fitojnë zgjedhjet”.
Një nga OJQ amerikane më prestigjioze, Grupi Research Capital, e drejtuar nga një ish-asistent i Presidentit Bush, ka realizuar një dokumentar të plotë mbi praninë dhe ndikimin e miliarderit Soros në Rumani. Ky dokumentar me titull “Fantazmat rumune të Sorosit”, një film me 7 seri që ka filluar të shfaqet në Rumani, në dhjetor 2017 në programin “Mashtrime dhe Drejtim i Gabuar” ndërkohë që seria e VI është shfaqur në 8 shkurt 2018.
‘Fantazmat e Sorosit” janë mijra burra e gra që kanë shkuar për studime jasht Rumanisë me paratë e Xhorxh Sorosit dhe kur janë kthyer në Rumani janë emeruar në poste të rëndësishme në administratën publike ose kanë hapur OJQ. Në këtë dokumentar, autori jep prova dhe fakte rrënqethëse, duke iu referuar shumë studimeve, librave, faqeve të internetit, rumune e të huaja. Një nga burimet më të besueshme është portali ActiveNews.ro.
Në serinë e I autori, Jacob Grandstaff, shtron pyetjen “përse është dashur që Fondacioni Soros të “derdhë” 1,6 miliard dollarë në Europën Lindore, për gjoja “zhvillimin e tyre demokratik”, ndërkohë që këto vënde ishin demokratike dhe anëtare të BE. “Deviza e Sorosit” e përcaktuar nga ai vetë “që nëse hedh shumë para, duhet të drejtosh edhe zhvillimet politike” i jep përgjigje pyetjes së ngritur. Në fakt aktivitetet filantropike të Sorosit nuk kanë qenë asnjëherë për synime humanitare, ato gjithnjë kanë pasur qëllime politike. Filozofia e Sorosit për Demokracinë është: “duhet të zgjidhen vetëm kandidatët e zgjedhur prej tij”; ky është edhe titulli i skenarit mbi të cilin autori ka realizuar serinë e I të këtij dokumentari. Autori tregon me dokumenta gjithashtu sesi “Departamenti Amerikan i Shtetit ka bashkëpunuar me Sorosin e me fondacionet e tij për të “promovuar demokracinë” në Europën Lindore”. Shpesh përmes këtyre programeve janë vënë në shënjestër qeveri të djathta nacionaliste, të sulmuara nga OJQ dhe media e sponsorizuara nga Soros, duke mos munguar të ndikojnë edhe në zgjedhje në favor të individëve apo forcave të sponsorizuara nga Soros.
Në Serinë e II, autori tregon sesi “janë nxitur OJQ e financuara nga Soros dhe aleatë të tij “perëndimorë” për të kryer revolucionet në Europën Lindore”. Në një analizë të detajuar autori tregon sesi Soros kijoi në 1990 grupin Exactitude për dialog social, që në fakt ishte një “ushtri e përbërë nga ushtarë besnikë të shoqërisë civile të financuar nga Soros”. Jacob Grandstaff jep në detaje sesi njerzit e Sorosit kanë pasur ndikim në qeverinë e Rumanisë , sidomos pas zgjedhjeve të 2004 kur fitoi Trajan Basescu. Shumë nga OJQ e krijuara, të sponsorizuara nga Soros, synonin të “transformonin kulturën krishtere rumune, duke promovuar vlerat liberale”. Pasi OJQ e Sorosit kishin futur në thes Presidentin e Rumanisë, Trajan Basescu, ato e kthyen vështrimin nga parlamenti rumun. Ndërkohë ato sulmuan edhe partinë e majtë, PSD rumune, dhe drejtuesit e e saj të padëshëruar (Adrian Nastase, Victor Ponta…), për ti hapur rrugën individëve të sponsorizuar nga Soros, duke u përpjekur të krijojnë përshtypjen se ata janë të lidhur me Rusinë.
Seria e III përshkruan sesi janë organizuar në Rumani manifestimet/protestat kundër qeverive që nuk mbështeteshin nga Soros. Më konkretisht në këtë seri tregohet sesi është vepruar për të detyruar Viktor Pontën të jepte dorëheqjen dhe sesi kundërshtari i tij presidenti Johannis ka pranuar dorëheqjen te tij si një “fitore”.
Seria e IV i dedikohet të gjithë intrigave që tregojnë sesi është ngritur Monika Macovei (eurodeputete aktuale që drejton delgacionin BE-Shqipëri dhe që në cdo takim mbështet qeverinë Rama), një nga personazhet kyce nga grupi i “Fantazmave të Sorosit në Rumani”. Monica Macovei do të pranonte në kohën e Trajan Basescut, postin e Ministres së Drejtësisë, Në atë kohë, Basescu do të krijonte “Koalicionin për Drejtësinë dhe të Vërtetën” ku do të bënin pjesë shumë individë që kishin marrë pjesë në revolucionin portokalli në Ukrainë. Ndërkohë shumë OJQ të sonsorizuara nga Soros do ti shikonin këto veprime si “triumf të reformave perëndimore në luftën kundër korrupsionit post-komunist”.
Në serinë e V, autori Jacob Grandstaff dokumenton të gjithë mënyrat sesi pas 2004, Rumania u përfshi nga mania “anti-korrupsion” duke nxjerrë në pah ngjitjen e Monica Macoveit, personazhit dhe aktivistes tipike, të lidhur me Sorosin, që arriti të ngjitej në majat e pushtetit në Europën Lindore.” Më kontretisht, autori pohon në këtë dokumentar sesi “Monika Makovei, një e diplomuar në Universitetin Qëndror Europian dhe një militante e Sorosit përbën shëmbullin e shkëlqyer sesi militantët e rrjeshtuar me Sorisn morën pushtetin në Rumani”. Në këtë seri tregohet gjithashtu sesi është krijuar mekanzimi i parë “Dilema” i luftës anti-korrupsion, ku një rol ka pasur edhe filozofi i lidhur me Sorosin Andrei Pleshu i cili më vonë u bë këshilltar i presidentit Basescu. Më vonë “Dilema” transformohet në Byronë Kombëtare të Prokurorit Antikorrupsion (NAPO). Kjo seri përfundon duke treguar sesi NAPO u transformua me ndihmën e Freedom Haouse të financuar nga Soros dhe me pjesëmarrjen aktive të Monica Macoveit në DNA e sotme(e ngjashme me SPAK-un shqiptar)
Seria e VI i dedikohet tërësisht Monica Macoveit dhe mënyrave sesi ajo ka vepruar për të hartuar dhe miratuar disa ligje në bashkëpunim me DNA, të sponsorizuara nga Soros. Këto ligje synojnë, sipas autorit të dokumentarit, të tregojnë se “klasa e re e prokurorëve, të financuar nga Soros, mund të cojnë direkt në burg cilindo përfaqësues të popullit, (deputet) apo ministër”.
Në Serinë e VII, që emerohet seria e “Fantazmat e Sorosit”, autori premton të tregojë sesi “aktivistët e Sorosit kanë përdorur kryqëzatën anti-korrupsion për të marrë e mbajtur pushtetin pa pasur nevojë të fitojnë zgjedhjet”.
Syri.net
Kush do të ndërtojë kullën tek Teatri dhe çfarë do të përfitojë?
Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar ndaj planit të Ramës, i cili kërkon të zhdukë Teatrin Kombëtar. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, Teatri Kombëtar në çdo komb të qytetëruar është një simbol i ndritshëm i kulturës së një vendi. Berisha shkruan se, Rama me vëllain e tij Olsin, në vend të ndërtimit të një ndërtese monumentale si Teatër Kombëtar ofrojnë një kullë ku do të përfitojnë disa kate.
“Beteje primitive e Piktorit deshtak me Teatrin Kombetar, trupen e tij artistike!
Te dashur miq, keto dite ne Tirane po zhvillohet nje beteje e shemtuar primitive midis babezise, urrejtjes per suksesin, deshtimit te Edi Rames nga njera ane dhe artisteve me te mire, trupes artistike te Teatrit tone kombetar qe jane pasuri kombetare e paçmuar!
Tetari Kombetar ne çdo komb te qyteteruar eshte nje simbol i ndritshem i kultures se tij. Mirepo kjo nuk mund te realizohet nga piktorideshtak Edi Rama, qe per zhgarravinat e tij ka marre per vleresim maksimal: “vizatime te nje adoleshenti te droguar”!
Nuk mund te realizohet vlera e jashtezakonshme per shoqerine, kombin, qe ka per kulturen e tij elita e tij artistike, teatri kombetar dhe trupa e tij.
Ne vend te ndertimit te nje ndertese monumentale vetem si teater kombetar, Edvini ofron nje kulle ku ai se bashku me vellaçko Olsin te posedoje disa kate te saj.
Duke denuar me ashpersine me te madhe kete beteje te verber kunder Teatrit tone kombetar dhe artisteve te trupes se tij, ju bej thirrje qytetareve te mbrojne artistet, eliten artistike te kombit, kerkesat e tyre te drejta nga hakmarrja primitive e nje piktori te deshtuar, i cili per te mbushur xhepat e tij do tani te zhduke Teatrin Kombetar! Sb”, shkruan Berisha.