31.5 C
Tirana
E enjte, 28 Gusht, 2025

Basha: Rama pasi nuk mori dot FSHF-në i është sulur artistëve

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka dalë në krah të aktorëve të Teatrit Kombëtar që Edi Rama me anë të ministres së tij të Kulturës, Mirela Kumbaro, sot i ka nxjerrë jashtë ambienteve të punës. Basha është shprehur në një deklaratë për mediat se, Rama pasi nuk kapi dot FSHF-në, tani i është vërsulur aktorëve.
“Në mbledhjen e Grupit, tha Basha, kemi diskutuar edhe dy çështje të tjera: Fakti që u përpoqën dhe dështuan të vënë nën kontroll FSHF-në, tani iu janë vërsulur artistëve! Teatri nuk mund të jenë kullat dhe godinat, por teatri është Robert Ndrenika. Ndaj e paralajmëroj Edi Ramën se mbushen 20 vjet që Rama tenton të ndërtojë kullë tek teatri Kombëtar – e paralajmëroj të tërhiqet; asnjë veprim nuk mund të kryhet dhe as të vihet në veprim skema korruptive, ndërtimi i grataçielave apo i kullave me stadium, pa marrë në shqyrtim çështjet nga artistët. Ata kanë mbështetjen tonë.
Edhe projektligji që po u sillet është në duart e qeverisë, ku bordi zgjidhet nga kryeministri. PD është e vendosur për decentralizimin kompetencave në të gjitha fushat duke përfshirë edhe fushën e artit’, u shpreh kreu i PD-së Lulzim Basha në deklaratë për mediat.

Laert Vasili: Nuk do të lejojmë kullë tek Teatri

Aktori Laert Vasi u shpreh se,nuk mund të miratohet një ligj pa u konsultuar me aktorët dhe regjisorët. Përsa i përket kushteve të Teatrit Kombëtar, ai u shpreh se godina është jashtë parametrave. Gjithashtu ai shprehu dhe një mendim personal në lidhje me ndërtimin e një godinë të re të Teatrit tek Piramida.
“Godina ku punohet tani është jashtë parametrave. Është një i ftohtë i paparë, për 4 vjet nuk është vënë dorë. Për mendimin tim, një vend ideal për t’u ngritur. Teatri është ish maozelumi i diktatorit ose siç quhet ndryshe Piramida. Teatri duhet të jetë një gur i çmuar në qendër të qytetit, të shikohet nga të gjithë dhe të ndihesh krenar kur ta shikosh. Mund të shkoj përkohësisht te Turbina, nëse ekziston mundësia, duhet të ekzistojë, të ndërtohet teatri tek Piramida. Piramida për mua duhet të jetë Teatri Kombëtar. Artistët janë ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare. Nëpërmjet kulturës mund të arrijmë shumë më shpejt në BE”, u shpreh Vasili.
Për sa i përket diskutimeve mbi projektligjin Vasili u shpreh se, nuk mund të miratohet një ligj pa u konsultuar me grupet e interesit. “Ministrija e Kulturës na ka premtuar se të mërkurën do të ketë një takim. Persona të tjerë që nuk e dimë sesa adapt janë për punën e tyre, thonë se kemi dërguar 500 e-maile. As unë dhe shumë të tjerë nuk kanë marrë e-mail. Ditën e mërkurë, unë shpresoj që të gjejmë harmoninë, paqen dhe dashurinë dhe t’i ndajmë gjërat me dashuri. Nuk mund të miratohet një ligj pa u konsultuar me grupet e interesit që jemi ne aktorët dhe regjisorët”, tha ai.
Për sa i përket ndërtimit të një kulle tek Teatri Kombëtar, Vasili u shpreh se na është sqaruar gojarisht para një viti me prezencën dhe të kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj që kulla do të jetë aty ku është parkimi sot. “Na është përcjellë me fjalë se nuk do të ndërtohet një kullë tek Teatri”, tha ai.

Gjiknuri bukoset para skandalit 178 milionë euro të inceneratorëve: Nuk di gjë, s’është përgjegjësi e imja

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri gjatë një emisioni në “Studio e Hapur” me Eni Vasilin në “News24”, shmangu përgjegjësinë për ndërtimin e 3 inceneratorëve ku do t’i kushtojë taksapaguesve rreth 200 milionë euro. Ai tha se nuk ka qenë ai personi përgjegjës për këto kontrata. Më pas, Gjiknuri ka thënë se ndonëse është ministër i Energjisë, ai nuk e di se si janë bërë procedurat e dhënies me koncesion të këtyre inceneratorëve.
-Do t’i përgjigjeni kërkesës së opozitës për interpelancë për inceneratorët?
Unë e kam për detyrë këtë gjë, dhe do të përgjigjem. Edhe pse unë i jam përgjigjur me shkrim opozitës për kërkesat për këtë çështje.
-Opozita e ka ngritur si një çështje të rëndësishme për incenereatorët. Si është e mundur që një person i vetëm të jetë për tre inceneratorët?
Unë nuk dua të hyj te pjesa si janë bërë këto procedura. I janë nënshtruar Kontrollit të Lartë të Shtetit, dhe mos gaboj edhe ndonjë lloj hetimi administrativ. Inceneratori i Fierit dhe i Elbasanit janë marrë përsipër për t’u ndërtuar nga buxheti i shtetit. Ndërtohet nga kompania private futet në operim, i dorëzohet pastaj bashkisë, e cila është pronari final.

-200 milionë euro janë për tre inceneratorët. Është normale kjo?
Këto para shlyhen në vite me paratë e shtetit, dhe në fund pronësia i kalon shtetit. Buxheti i shtetit del garant për bashkitë nëse ato nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet. Pra, nëse nuk garantohet minimumi i sasisë së nevojshme të mbetjeve, apo nuk kanë para për të paguar tarifën për metër kub, për mbetjet që do të trajtohen aty. Në Fier ka filluar puna për ndërtimin e inceneratorit, por ka patur disa problematika me banorët aty.
-Flasim për përplasjet në Vërri. Sipas banorëve janë ndryshuar koordinatat. Koncensionari synon ta ndërtojë 900 metra larg tokave bujqësore…
Nuk e di. Këtë, informacionet do ti jap në interpelancë. Ka mbetje që nuk përpunohen dhe forma më e mirë është incenerimi. Në zyrën time bashkë me një delegacion gjerman shprehu interes për projektet në Shqipëri.
-Cili është risku i parë që paratë vijnë nga shteti?
Ka riskun se vepra do të përfundojë shumë më shpejt. Pasi ajo duhet të mbulojë për një vit psh. Ai ka dhe një pjesë fitimi. Do ketë fitim të pranueshëm. Këto duhet të shihen. Nëse ka meraqe parlamentare nga çdo seksion, le të ngrihen, të krijojnë grupe monitorimi. Të shohin si po funksionon impianti i Elbasanit. Unë si ministër skam qenë përgjegjës për këto procedura. Duke mos e kapur procesin që nga A-ja deri në fund, e kam të pamundur të jap informacion për këtë gjë.
-Po për Fierin? 28 mln euro ishte projekti. Ju duket normale kjo panorama?
S’e di ça marrëdhëniesh kanë pasur ortakët. Kjo është marrëdhënie e lirë.

-E keni kontratën, kanë dalë në media..
Po them pse i kanë shitur aksionet. Këta ortakë kanë qenë ndoshta si fillim bashkë. Nga pikëpamja formale se shoh asnjë problem. Kjo kompani pas 5 vitesh i kalon shtetit. 28 milionë euro janë para që do të hidhen në impiant, që do të ndërtohen. Nëse këto para merren dhe nuk bëhet impianti, atëherë kemi të bëjmë me shkelje.
-A mendoni se industria vendase e riciklimit është dëmtuar?
Nuk di ta them këtë, këto janë vlerësime të ndikimit mjedisor.
-Do t’i hapni rrugë importit të mbetjeve?
Shqipëria e ka marrë një vendim për një çështje të tillë është e kotë t’i rikthemi kësaj teme.
-Ju keni zhvilluar një vizitë në SHBA, dhe disa takime të rëndësishme. Keni ardhur me diçka në Shqipëri?
Çdo takim që zhvillohet në SHBA ka një rëndësi të veçantë për Shqipërinë. Pata mundësi të komunikoj dhe me këshilltarin e Trump për Sigurinë dhe drejtues të tjerë të lartë. Në të gjitha këto takime doli qartë mbështetja që SHBA i japin Shqipërisë në të gjitha fushat. Për ne, ka rëndësi edhe mbështetja në projekte strategjike në fushën e energjisë. Pata mundësinë të loboj për projekte të rëndësishme në fushën e energjisë dhe gazit.
-Deputeti Shehaj ju ka akuzuar ju dhe ministrin Ahmetaj se keni kryer telefonata me persona që janë në hetim. Ka gjë të vërtetë?
Meqë unë isha në Amerikë, dikush do të dilte të hidhte një shashke këtej nga Shqipëria. Është njësoj si të them unë sipas thashethemeve që Shehaj ka dhënë 800 mijë euro për të qenë pjesë e listës së PD në Vlorë. Tani jemi mësuar me thashetheme, por faktet aty janë dhe le të hetohet.

SHBA me superbuxhet lufte, 700 miliardë dollarë për Pentagonin në 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump po i dërgon Kongresit një projekt-buxhet prej 4 trilion dollarësh, që parashikon fonde për një mur në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara dhe për konsolidimin e ushtrisë, por që pritet të rrisë defiçitin federal me mbi 1 trilionë dollarë.
Plani nuk përfshin 400 miliardë dollarë të tjera në shpenzime për dy vjetët e ardhshëm që u miratuan nga Kongresi dhe u nënshkruan nga Presidenti të premten e kaluar, në një marrëveshje që i dha fund një mbylljeje prej disa orësh të qeverisë.
Projekt-buxheti po bëhet publik njëkohësisht me një nismë të infrastrukturës, prej 200 miliardë dollarësh.
Propozimi i Presidentit është në thelb një listë sugjerimesh për ligjvënësit. Kushtetuta amerikane i jep Kongresit kompetenca ekskluzive për të përcaktuar fondet federale dhe komisionet e Kongresit për buxhetin, shpesh nuk i marrin parasysh kërkesat presidenciale.
“Ky është një projekt-buxhet nga presidenti dhe nuk do të thotë aspak që është pranë formës përfundimtare të ligjit. Është një tregues se cilat do të jenë përparësitë e administratës së Presidentit Trump në vitin në vazhdim, por nuk është detyrim për Kongresin që të veprojë”, thekson Jacob Kirkegaard, studiues i Institutit Peterson për Ekonominë Ndërkombëtare.

Drejtori i Buxhetit në Shtëpinë e Bardhë, Mick Mulvaney tha se propozimi përfshin 23 miliardë dollarë për sigurinë e kufirit dhe masat e rendit për imigracionin, përfshirë 18 miliardë dollarë për një mur në kufirin me Meksikën. Në një deklaratë, zoti Mulvaney tha se plani do të siguronte “një mbrojtje kombëtare të fuqishme dhe të rindëruar”.
Sipas marrëveshjes për buxhetin dyvjeçar që u arrit javën e kaluar nga Kongresi, Pentagoni do të marrë 700 miliardë dollarë për vitin 2018, një shifër rekord.
“Ne po kujdesemi për ushtrinë, më mire se gjithkush para nesh”, tha zoti Trump të hënën.
Ndryshe nga projekt-buxheti që zoti Trump bëri publik vitin e kaluar, plani i këtij viti nuk premton balancimin e financave federale, duke iu larguar kështu një objektivi që Republikanët e kanë pasur gjithmonë.
Edhe zoti Mulvaney, e pranoi këtë javë se nëse do të ishte ende në Kongres, ai nuk do të kishte votuar për legjislacionin.
Por zoti Mulvaney, që prej kohësh ka shprehur kundërshtimin ndaj defiçiteve në buxhet tha të dielën në një intervistë se puna e tij tani është “që të përpiqet për zbatimin e programit të Presidentit”.

“VOA”

Raporti: Mbi 4 mijë fëmijë të trafikuar në dy vite nga regjimi Rama në Europë, shifrat skandaloze

Mijëra të mitur shqiptarë të moshave 7-17 vjeç kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme si azilkërkues të pashoqëruar në Europë-një fenomen që nxitet nga papunësia kronike, mungesa e perspektivës dhe humbja e shpresës për një të ardhme më të mirë mes familjeve shqiptare.
Përgjatë 4 viteve të fundit, Shqipëria u identifikua si vendi kryesor i orgjinës në Europë për numrin e lartë të azilkërkuesve. Por vendi i vogël me 2.7 milionë banorë shënon gjithashtu rekord edhe për numrin e të miturve të pashoqëruar që ka eksportuar drejt Europës.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se mijëra të mitur të moshave nga 7 deri në 17 vjeç kanë ndërmarrë udhëtime të rrezikshme, me shpresën se do të gjejnë një të ardhme më të mirë si azilkërkues të pashoqëruar në Europë.
Fenomeni ka prekur zonat e varfra veriore dhe verilindore të Shqipërisë, por edhe periferitë e qyteteve të mëdha si Fieri, Elbasani apo Korça si dhe familjet e zbritura në Tiranë në mesin e viteve ’90.
Destinacionet kryesore mbeten qendrat e shërbimit social në Itali, Francë dhe Britani të Madhe, ku minorenët shqiptarë renditen ndër tre kombësitë kryesore. Të dhënat e siguruara nga Eurostat dhe autoritetet e tjera tregojnë se tre vendet kanë strehuar së bashku rreth 3 mijë të mitur nga Shqipëria.

Autoritetet shqiptare ia faturojnë numrin e lartë të azilkërkuesve të miturit prindërve të tyre dhe mohojnë se ky fenomen ka si arsye kryesore varfërinë.
Valbona Tula, drejtoreshë e Shërbimit Shtetëror Social në qarkun e Shkodrës i tha BIRN se mes familjeve që i janë nënshtruar vlerësimit ekonomiko-social, vetëm pesë prej tyre ishin realisht të varfra:
“Na ka rezultuar që familjet kanë qenë me ndërtesa normale, me kushte normale të jetesës, por kur pyeten se përse i kanë çuar fëmijët andej, në fillim ngrenë supet dhe më pas thonë për diçka më të mirë për fëmijët, për t’i bërë me dokumente. Kjo tingëllon pak keq, por kjo ka qenë ideja e familjarëve”.
Edhe zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e cila udhëheq përpjekjet e vendit për uljen e valës së azilkërkuesve mohon që shkaku kryesor nxitës është varfëria. Ajo tha se 70 për qind e të miturve të intervistuar përmendin arsimin si motiv kryesor për largimet nga vendi.
“Ëndrra për të gjetur një shkollim të mirë që në moshë të vogël i shtyn familjet shqiptare të zgjedhin këtë rrugë.[Familjet] nuk janë në nivelin e një varfërie ekstreme, por që sigurisht nuk mund të mbështesin shkollimin e fëmijëve jashtë Shqipërisë”.
Gjatë vitit 2017, Ministria e Brendshme ndërmori një plan agresiv masash për të frenuar numri
Gjatë vitit 2017, Ministria e Brendshme ndërmori një plan agresiv masash për të frenuar numrin e azilkërkuesve të mitur, përmes forcimit të kontrolleve në kufi dhe hartimit të një deklarate të re noteriale për udhëtimet e tyre të pashoqëruara nga prindërit. Si rezultat, 871 të mitur u ndaluan gjatë gjithë vitit të kalonin kufirin.

Zv.ministrja Voda tha gjithashtu se rregullat rigoroze të lëvizjes së lirë e kanë zvogëluar me mbi 6 mijë numrin total të azilkërkuesve për vitin 2017. Megjithatë, ky fenomen nuk është vetëm një çështje sigurie.
Stanjacioni ekonomik, papunësia kronike dhe mungesa e perspektivës në arsim janë faktorët nxitës të numrit të lartë të të miturve që largohen nga vendi.
Zv.ministja Voda tha se institucionet shqiptare po punojnë së bashku për t’u përballur me këto sfida:
“Çështjet e emigracionit nuk janë vetëm çështje të sigurisë. Ato janë çështje që lidhen me shoqërinë, me ekonominë, me mentalitetin e shoqërisë dhe me punësimin. Pra, në njëfarë mënyre për të përballuar migracionin si fenomen nuk mjafton që të kemi vetëm agjenci ligjzbatuese të forta por edhe institucione të tjera të shoqërisë. Unë besoj se ne do t’ia dalim, pasi edhe sfida kryesore e deklaruar edhe nga kryeministri është rritja ekonomike.”
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca i tha BIRN se mungesa e mirëqënies dhe e besimit tek institucionet shqiptare i shtyn familjet shqiptare që t’i dërgojnë fëmijët jashtë, me shpresën se ata do të përfitojnë shkollim apo lehtësira të tjera në këto vende.
“Fatkeqësia e madhe është se Shqipëria nuk është më një vend që të ndjehet prej të miturve se ata mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre këtu. Në këtë kuadër, secili nga institucionet duhet të bëjë punën e tij, por sigurisht qeveria dhe politika në tërësi duhet të na japin një vend më të mirë për të jetuar”.
Ballanca i bëri gjithashtu thirrje klasës politike shqiptare që të punojë për rritjen e mirëqënies së qytetarëve shqiptare dhe rikthimin e besimit në qeverisje.

Fëmijë shqiptarë të regjistruar në Itali
2015 1432 12 % of the total
2016 1611 9.3 % of the total

EUROSTAT
2016
755 fëmijë shqiptarë
Belgjikë 50
Holandë 40
Austri 5
Finlandë 5
Suedi 105
Britani 405
Zvicër 15
Danimarkë 5
Gjermani 110
Irlandë 5
Greqi 5
Luksemburg 5
Holandë 40

2015
1065 fëmijë shqiptarë
Belgjikë 40
Danumarkë 5
Gjermani 255
Irlandë 10
Greece 10
Luksemburg 15
Holandë 25
Austri 5
Finlandë 5
Suedi 215
Britani 480
Norvegji 15
Zvicër 15

Francë
2015 rreth 330 fëmijë
2016 rreth 400 fëmijë

Aleksandra Bogdani/VOA

Vokshi-Vlahutinit në takimin e BE: Ke ulur reputacionin e Delegacionit të BE

Deputetja e PD, Vokshi ka deklaruar në takimin e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE që po mbahet në Tiranë se Vlahutin i ka ulur reputacionin Delegacionit të BE duke u bërë palë me qeverinë. Deklaratat e Vokshit i janë bërë në sy Vlahutin dhe përballë delegacionit vtë Brukselit.
Deputetët e opozitës i kanë kërkuar ‘llogari’ ambasadores Vlahutin se përse ajo ka heshtur në lidhje më cështjen ‘Tahiri’. Sipas deputetes Albana Vokshi, nëse Ambasadorja Vlahutin do të kishte folur hapur për këtë çështje mund të kishte rritur kredibilitetin e humbur të delegacionit të BE-së për një çështje tjetër tejet sensitive për vendin si ajo e kultivimit të kanabisit. Më poshtë debati mes Vokshit dhe Vlahutin

Vokshi:
Ndërsa prokuroria për krime të rënda kërkoi heqjen e imunitetit për ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, kryeminstri Rama, Ministri Xhafaj, kryetari i komisionit të Ligjeve Manja, të gjithë në PS sulmuan prokurorët duke deklaruar përveç të tjerash se ata duhet të pushohen nga puna. Prokurorët reaguan se janë kërcënuar personalisht por edhe me procesin e vettingut. Delegacioni i BE mbeti i heshtur. A mendoni ju që nëse do të ishte folur hapur për këtë çështje në favor të luftës kundër krimit, korrupsionit, pandëshkueshmërisë, delegacioni i BE do të kishte rifituar disi edhe kredibilitetin e humbur për shkak të një heshtje të gjatë edhe për një çështje tejet të rëndësishme dhe kritike për Shqipërinë siç është ajo e narkotikëve.

Vlahutin:
Keni bërë pyetje në lidhje me heqjen e imunitetit, nëse vendimi i parlamentit për heqjen e mandatit për arrestimin e ish-Ministrit të Brendshëm. Heqja e imunitetit është një përgjegjësi sovrane e Parlamentit të Shqipërisë. Dhe ajo çfarë ne presim është që institucionet gjyqësore të funksionojnë mirë. Ne presim me padurim që çështja nga ana e prokurorisë të përfundojë dhe çështja çohet në gjykatë. Ne po monitorojmë shumë afër gjithë procesin dhe presim me padurim rezultatet. Rezultatet të bëhen publike sa më shpejt. Lidhur me kultivimin e kanabisit, mendoj se është e rëndësishme si për qytetarët shqiptarë edhe për shtetet anëtare të BE dhe institucionet europiane, keni treguar…Kujtoj një grafikë të konfiskimeve, kjo do të thotë me logjikë se është mirë, kemi një zbatim më të mirë të ligjit. Ju ngatërrova pak nga ideja se ne mendojmë që italianët gënjejnë, absolutisht e kundërta. Ne varemi shumë në informacionin e shumtë që kolegët tanë italianë nga Guardia di Finanza na japin. Nëse ju kujtohet ka një mision në disa vite, BE po kontribuon dhe financiarisht për këtë mision. Kultivimi i kanabisit në Shqipëri është një problem i hershëm. Aksioni në Lazarat, atje prodhoheshin 900 tonë në vit, ky problem është luftuar.
Nuk u provua që të zhdukej. Në fund të 2016 Guardia di Finanza ka sjellë fakte se kultivimi është në rritje, i kemi kërkuar qartazi qeverisë që të përpunojë një strategji të saktë për luftën kundër kanabisit. Në 2017 ka pasur një ulje dramatike, jemi të kujdesshëm dhe po presim të shikojë si do të jetë 2018. Për ne është shumë e rëndësishme nisur nga eksperienca e Lazaratit të kemi qëndrueshmëri të madhe në këtë luftë dhe po presim rezultatet e mbikqyrjes për 2018.

Unioni i Arkitektëve kundër prishjes së Teatrit, thirrje për reagim: Po e kthejnë vendin në fjetore betoni

Unioni i Arkitektëve dhe Planeve Urbane ka reaguar sot në mëbshtetje të protestës së artistëve dhe ka dalë hapur kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. “Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë. Në se trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyre së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni. Duhet të reagojme sa nuk është akoma vonë” thuhet në deklaratën e Unionit

Deklarata e plotë
Përmes kësaj deklarate AUA reagon ndaj vendimit për prishjen e ndertesës së Teatrit Kombëtar në mbeshtetje të komunitetit të artistëve.
Eshtë bërë e zakonshme zhdukja e papritur e objekteve publike në Tiranë. I cilesuar shpesh si një qytet pa shumë histori, Tirana është bërë shpesh arenë e nderhyrjeve urbanistike mizore, të përligjura djallëzisht nga kjo papërgjegjësi historike ndaj qytetit. Arsyet e mungesës së historisë kanë qenë vetë pushtetet e mbeshtetura nga grupe teknicienësh të lidhura me to. Interesat dhe injoranca për të lexuar qytetin kanë mbizoteruar prej më se 6-7 dekadash. Kjo nuk mund te vazhdoje me!

Një nga karakteristikat më kryesore të qytetit është shtresëzimi. Kjo është arsyeja përse qyteti europian sot trashegon kontekste të pasura me ngjarje dhe çdo cep i tij flet për histori. Çdo cep i qytetit edukon redpekt dhe dashuri!
Për fat te keq Shqipëria, Tirana në veçanti ka nje traditë shumë problematike në lidhje me ruajtjen e qytetit, duke filluar që nga periudha e diktatures. Të njëjtat qendrime kanë vazhduar edhe në keto njëzeteshtatë vitet e fundit. Historia nuk duhet ideologjizuar, pasi edhe në keto raste brezat kane se çfarë të mësojnë e të mos e përserisin më.
Ne menyre te ngjashme AUA ka reaguar për vendimin e prishjes së Piramides ne vitin 2012, per prishjen e Stadiumit ne vitin 2017, per nderhyrjet brenda kufirit te parkut që pë cënojnë seriozisht funksionimin te tij, dhe për një sere ndërhyrjesh të tjera që kanë cënuar trashëgimnine e ndërtuar.
Në vend që të fillojmë qytetin nga e para sa herë i teket dikujt do të ishte më e shëndetshme të mësojmë ta shtresëzojmë.
Në se trashëgimia e ndërtuar do të vazhdojë të trajtohet në këtë mënyre së shpejti qytetet tona do të transformohen në fjetore kullash prej betoni.
Duhet të reagojme sa nuk është akoma vonë.

Me respekt,
Kryetari i AUA: Ledian Bregasi
Sekretari i AUA: Sotir Dhamo

FMN: Shqipëria, një nga vendet më të varfëra të Europës

Teksa ekonomia europiane e globale është në fazë rimëkëmbje, ky është momenti më i mirë edhe për qeverinë shqiptare, që të mos vetëkënaqet dhe të përshpejtojë reformat. I këtij mendimi është DMD Tao Zheng, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, i cili është për një vizitë në Tiranë këtë javë. Kjo është vizita e parë e një zyrtari kaq të lartë të FMN-së, që nga viti 2007.
Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, z. Zheng pohon se Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet, të cilat duhet të synojnë infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore.
Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë partneritetet publike-private duhet të zbatohen me kujdes për të zbutur rreziqet ndaj financave publike, thotë ai. Z.Zheng tërheq vëmendjen edhe për procesin e konsolidimit bankar, ku praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura.
Ai thotë se Shqipëria ka mbetur ende një prej vendeve më të varfëra të Europës për disa arsye, si niveli i ulët ekonomik në fillim të viteve ‘90, kriza e vitit 1997, reformat e ngadalta, të cilat kanë bërë që vendi të mos arrijë të tërheqë investime në sektorë me vlerë të lartë.

-Cilat janë sfidat me të cilat përballet ekonomia globale në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Në përgjithësi, perspektiva afatshkurtër është pozitive, ndërsa në afatin e mesëm ka më shumë sfida që do të kërkojnë veprime për të përmirësuar rritjen në të ardhmen. Si rrjedhojë, nuk shohim vend për vetëkënaqësi.
Duke filluar me lajmin e mirë: ekonomia botërore po rikuperon shpejtësinë. Raporti ynë i Perspektivës Ekonomike Globale, i publikuar së fundmi, parashikon rritje globale prej 3.9% për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Për të dy vitet, kjo është një rritje prej 0.2 pikë përqindjeje mbi parashikimin tonë të tetorit të kaluar. Kushtet financiare kanë qenë akomoduese, duke përforcuar këtë ndjesi pozitive dhe duke ndihmuar aktivitetin e ekonomisë reale.
Rishikimi në rritje i parashikimeve tona ka ardhur pjesërisht për shkak të perspektivës së përmirësuar afatshkurtër për ekonomitë e zhvilluara. Ky është një lajm i mirë për një periudhë afatshkurtër. Por, kjo është gjithashtu një rimëkëmbje ciklike, dhe sapo cikli të hyjë në rrjedhën e tij, rritja në ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet. Kjo është pasojë e disa çështjeve strukturore afatgjata, si rritja e ulët e produktivitetit dhe plakja e popullsisë, të cilat ngadalësojnë rritjen potenciale.
Ndër ekonomitë në zhvillim, rimëkëmbja në çmimet e mallrave të bursës ka ndihmuar eksportuesit e mëdhenj si Brazili, Rusia dhe Nigeria të rimarrin veten nga recesioni. Përsëri, ky është një lajm i mirë për një periudhë afatshkurtër. Por kjo nuk mund të zgjasë, sepse perspektiva afatmesme për çmimet e mallrave të bursës është më e ulët në krahasim me të kaluarën dhe vendet në zhvillim, të varura nga lëndët e para mund, të përballen me një situatë të vështirë shtrënguese në të ardhmen.
Pra, ndërsa është joshëse të rrish dhe të shijosh momentin aktual të rritjes, udhëheqësit politikë dhe politikëbërësit duhet të pyesin veten se çfarë mund të bëjnë ata për të nxitur rritjen potenciale të ekonomive të tyre, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.
Ata gjithashtu duhet të përqendrohen në krijimin e qëndresës financiare për të përballuar një ndryshim të mundshëm të kushteve të tanishme lehtësuese financiare dhe të mbrohen nga tronditjet e ardhshme. Një sfidë e përbashkët midis ekonomive të përparuara dhe atyre në zhvillim është se si ta bëjnë rritjen më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që përfitimet të mund të ndahen gjerësisht.

-Kjo është hera e parë që ju vini në Shqipëri në këtë detyrë. Si do ta vlerësoni ecurinë e vendit tonë në këtë periudhë tranzicioni?
Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm që nga fillimi i tranzicionit në vitin 1991. Ajo ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka pasur një nga normat më të larta të rritjes për frymë në rajon gjatë dekadës së kaluar. Ka pasur pengesa, të tilla si kriza në vitin 1997 dhe ngadalësimi i rritjes së shkaktuar nga kriza financiare europiane. Por falë reformave, Shqipëria tani po bën përparim të qartë në konvergjencën drejt nivelit të zhvillimit me pjesën tjetër të Europës.
Ka ende sfida të rëndësishme në këtë rrugë tranzicioni. Shteti ligjor duhet të forcohet. Shpresoj se Shqipëria do të bëjë përpjekjet maksimale për të zbatuar reformën gjyqësore dhe se ambienti politik do të mbetet i qëndrueshëm. Forcimi i institucioneve publike dhe përmirësimi i klimës së biznesit janë çelësi për të inkurajuar investimet dhe për të rritur mundësitë për punësim. Zgjerimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i jetës së shqiptarëve varet nga reformimi i sistemit tatimor, infrastrukturës publike dhe të drejtave të pronësisë.

-Ashtu si në pjesën tjetër të botës, të dhënat e fundit të raportit të Forumit Ekonomik Global për indeksin e zhvillimit (inclusive development index) treguan se edhe në Shqipëri ka pasur një rritje të pabarazisë 5 vitet e fundit. Cilat do të ishin rekomandimet tuaja për politikat që duhet të ndjekë qeveria që ta bëjë rritjen më gjithëpërfshirëse?
Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në uljen e varfërisë gjatë dy dekadave të fundit, edhe pse kriza ekonomike europiane ka qenë pengesë gjatë viteve të fundit. Gjatë këtij tranzicioni, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë parë përmirësime të konsiderueshme në standardin e tyre të jetesës si rezultat i reformave që hapën ekonominë.
Rritja ekonomike e qëndrueshme është hapi i parë për uljen e varfërisë. Por nuk është e vetmja. Rritja duhet gjithashtu të jetë më gjithëpërfshirëse. Ne të Fondit mbështesim fuqimisht masat për mbrojtjen e grupeve të prekshme, përmes investimeve në shërbimet sociale, shëndetësisë dhe ndihmës sociale të synuar për më të varfërit.
Janë të nevojshme investimet më të mëdha në arsim dhe trajnimin e aftësive për të përmirësuar punësimin e të rinjve. Një sistem më i drejtë taksash, me më pak hapësira shmangieje dhe përjashtimesh, gjithashtu kontribuon në më shumë drejtësi në shpërndarjen e të ardhurave. Një shembull i mirë është tatimi mbi pronën, i bazuar në vlerë, që qeveria po zhvillon me ndihmën tonë teknike.

-Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me të ardhura më të ulëta për frymë në Europë (me përjashtim të Ukrainës, Moldavisë dhe Kosovës), sipas të dhënave të FMN-së. Nëse mund të jepni një vlerësim se pse ka ndodhur kjo (vendi ka një pozicion gjeografik të përshtatshëm dhe burime të shumta natyrore) dhe çfarë duhet ndryshuar në politikat e zhvillimit?
Të ardhurat për frymë në Shqipëri, në terma nominalë, janë rritur më shumë se gjashtë herë gjatë dy dekadave të fundit, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Megjithatë, më shumë duhet dhe mund të bëhet për të rritur të ardhurat dhe cilësinë e jetës së të gjithë shqiptarëve.
Niveli aktual i zhvillimit ekonomik është rezultat i disa faktorëve.
Së pari, Shqipëria filloi nga një bazë shumë e ulët. Në vitin 1991, ishte vendi më i varfër në Europë me kapital shumë të kufizuar, infrastrukturë të vjetruar, pothuajse asnjë industri dhe institucione të dobëta.
Së dyti, kriza e vitit 1997 ishte një hap i madh mbrapa në procesin e zhvillimit.
Së treti, përparimi në reformat lidhur me zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ka qenë më i ngadaltë. Si rrjedhojë, Shqipëria ka pasur më shumë vështirësi në tërheqjen e investimeve në sektorë me vlerë më të lartë.
Prandaj, ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.

-Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe FMN-së pas viteve ‘90 dhe vendimin e fundit të qeverisë shqiptare për të mos nënshkruar një marrëveshje të re, pasi ajo trevjeçare përfundoi në shkurt 2017?
Marrëdhënia ka qenë e fortë dhe e frytshme. Shqipëria u bë anëtare e plotë e FMN-së në tetor 1991. Që atëherë, ne kemi mbështetur Shqipërinë përmes këshillave për politikat dhe ngritjes së kapaciteteve gjatë gjithë procesit të saj të tranzicionit. Qindra zyrtarë shqiptarë kanë ndjekur kurse trajnimi të mbajtura nga FMN. Kemi dërguar këshilltarë në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT-in për të forcuar operacionet e tyre.
Aktualisht, dy këshilltarë të FMN-së janë në Bankën e Shqipërisë. Ekspertët tanë nga Instituti i Përbashkët i Vjenës dhe Qendra për Ekselencë në Financa në Lubjanë gjithashtu ofrojnë shpesh trajnime dhe asistencë teknike. Ne mbajmë një kontakt të ngushtë me autoritetet për çështjet ekonomike dhe kemi bërë të disponueshme financime për të mbështetur reformat, të cilat kanë arritur në gati 350 milionë euro në 2014-‘17. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekjet për reforma dhe do të jemi të lumtur të diskutojmë për ndihmë apo financim shtesë, nëse kërkohet nga qeveria shqiptare.

Si ndikon Reforma në Drejtësi në zhvillimin ekonomik dhe investimet e huaja

Tao Zheng, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së rekomandon se e rëndësishme mbetet sidomos Reforma në Drejtësi, si një parakusht që Shqipëria të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.

-Cilat shikoni si rreziqet kryesore të Shqipërisë në zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë? Çfarë politikash rekomandoni për t’u ndjekur?
Në aspektin më të gjerë, duke ofruar më mirë shërbimet publike – infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore – ndërkohë që ruan qëndrueshmërinë makroekonomike. Qeveria është fokusuar me të drejtë në forcimin e sistemit tatimor dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Kjo do të thotë se, ata përpiqen të mbledhin më shumë të ardhura dhe më pas t’i shpenzojnë ato në mënyrë më efikase. Kjo është e rëndësishme, sepse borxhi publik është ende i lartë, pavarësisht se është ulur kohët e fundit dhe ende varet nga financimi afatshkurtër. Kjo e lë vendin të pambrojtur ndaj goditjeve financiare. Pra, përpjekjet e konsolidimit fiskal duhet të vazhdojnë, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të garantohen shpenzimet sociale.
Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë Partneritetet Publike-Private duhet të zbatohen me vendosmëri për të zbutur rreziqet ndaj financave publike. Javën e kaluar, kemi botuar një dokument se si të rritet investimi në infrastrukturë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne konkludojmë se një nxitje e infrastrukturës publike të koordinuar rajonale, së bashku me menaxhimin më të mirë të projekteve aktuale, mund të rriste të ardhurat për frymë deri në 3-4 pikë përqindjeje në një periudhë afatgjatë. Nga ana financiare, ne mendojmë se konsolidimi aktual në sektorin bankar është i mirëpritur, por autoritetet duhet të sigurojnë që praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura. Banka e Shqipërisë ka mbajtur në mënyrë të përshtatshme norma të ulëta interesi, por do të duhet të përshtasë politikën monetare nëse fillon rritja e inflacionit.
Në përfundim, tani është momenti për të përshpejtuar reformat. Pse? Për shkak se ekonomia globale po rritet, siç përmenda në fillim. Inflacioni dhe normat e interesit janë të ulëta në Europë. Tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen tuaj ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme. Ka rreziqe të jashtme, siç e përmenda më herët, dhe ky moment i mirë nuk do të zgjasë përgjithmonë. Brenda vendit, kemi parë sfidat që kanë ardhur nga kushtet e pafavorshme të motit, si thatësira më parë gjatë vitit dhe përmbytjet në fund të vitit të kaluar. Një ngadalësim i reformave gjithashtu mund të dëmtojë besimin dhe të dëmtojë perspektivat e rritjes. Prandaj, siç e përmenda në fillim, nuk ka vend për vetëkënaqësi.

Intervistoi: Ornela Liperi

Cila është lidhja e Linda Ramës me ish-ministrin e PS

Ka shumë mister mbi lidhjet e çuditshme të gruas aktuale të kreut të qeverisë dhe jo vetëm të biznesit. Një nga këto lidhje për të cilën duhet hedhur dritë për të bërë transparencë para publikut është edhe ajo me një ish-ministër socialist, me të cilin kanë punuar për një kohë të gjatëfillimisht si këshilltare. Ndonëse nuk figurojnë të celebruar me Ylli Çabirin,ata kanë ndarë shumë prona mes tyre. Një nga këto prona është edhe ajo e një apartamenti që ka lënë gjurmë në deklaratën e pasurisë së Linda Ramës.
Pallate, apartamente, prona, toka në zona të ndryshme të Tiranës, por edhe jashtë saj. Nuk është pasuria e ndonjë biznesmeni, por e bashkëshortes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në fakt burri i tretë për të.
Është pasuria e dyshimtë Linda (Lindita) Ramës, gruas së 4 apo të 5-të të Edi Ramës. Por si e ka bërë gjithë këtë pasuri Linda Rama, ish-gruaja e një pedagogu të Fakultetit të Shkencave dhe më pas e një biznesmeni, që tani përfiton nga qeverisja e Edi Ramës.
Mënyra e dyshimtë e burimit të kësaj pasurie. Si e ka ndarë Linda Rama pasurinë e saj përgjatë divorcit të mëparshëm, me Thanas Xhillarin dhe Ylli Çabirin, ortakun e saj.
Çfarë paje ka sjellë Linda, nuse për herë të tretë në xhepin e Edi Ramës, i cili u martua me të pas 4 apo 5 divorcesh?

Pasuria e Lindës, nga apartamentet e garazhdet tek vreshat

Gjatë jetës bashkëshortore, Lindita dhe Thanas Xhillari mësohet se kanë krijuar pasuri të konsiderueshme të paluajtshme, si më poshtë:
1-Vreshtë me sipërfaqe 870 metra katrorë në Mjull Bathore. Pas divorcit, kjo pasuri ka kaluar në pronësi të Thanas Xhillarit.
2-Apartament me sipërfaqe 158.5 metra katrorë, në kufirin verior të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, pronë e krijuar në vitin 2001. Pas divorcit kjo pronë ka kaluar në pronësinë e Thanas Xhillarit.
3-Dy garazhe me sipërfaqe 28.4 metra katrorë dhe 21 metra katrorë, pronë e krijuar në vitin 2003 dhe pas divorcit i ka kaluar Thanas Xhillarit.
4-Tokë arë, me sipërfaqe prej 360 metrash katrorë në fshatin Qatos-Korçë. Pronë e krijuar në vitin 2005 dhe kaluar në pronësi të Thanas Xhillarit.
5-Apartament me sipërfaqe prej 100 metrash katrorë në rrugën ‘Vaso Pasha’ (ish-bllok), pronë e krijuar në vitin 2008, në bashkëpronësi me Ylli Çabirin. Pas divorcit, pjesa takuese e pronësisë i mbetet, Lindita Xhillarit së bashku me Ylli Çabirin, të cilët në gusht të vitit 2009 ia kalojnë Ertjan Çabirit.
6-Apartament me sipërfaqe 103 metra katrorë në rrugën ‘Vaso Pasha’ (ish-bllok), pronë e krijuar në vitin 2008, në bashkëpronësi me Ylli Çabirin. Pas divorcit, pjesa takuese e pronësisë i mbetet, Lindita Xhillarit së bashku me Ylli Çabirin. Më 31 gusht 2009, Lindita Xhillari e shet pjesën e saj të bashkëpronësisë, duke mbetur kështu pronar i vetëm Ylli Çabiri.
7-Apartament me sipërfaqe 146.15 metra katrorë në rrugën ‘Pjetër Bogdani’, pronë e krijuar në vitin 2007 bashkë me Ylli Çabirin. Pas divorcit pjesa takuese e pronësisë i mbetet, Lindita Xhillarit dhe Ylli Çabirit. Në 31 gusht të viti 2009, Ylli Çabiri e shet pjesën e tij të bashkëpronësisë, duke mbetur kështu pronare e vetme, Lindita Xhillari.
8-Garazh me sipërfaqe 17 metra katrorë e ndodhur në rrugën ‘Pjetër Bogdani’. Pronë e krijuar në vitin 2007 bashkë me Ylli Çabirin. Pas divorcit pjesa takuese e pronësisë i mbetet, Lindita Xhillarit dhe Ylli Çabirit. Në 31 gusht të viti 2009, Ylli Çabiri e shet pjesën e tij të bashkëpronësisë, duke mbetur kështu pronare e vetme, Lindita Xhillari.
9-Apartament me sipërfaqe 102.97 metra katrorë në Tiranë, rruga ‘Ismail Qemali’, pronë e krijuar nga Lindita Xhillari në vitin 2006 dhe se pas ndarjes së pasurisë, të dy bashkëshortët kanë rënë dakord t’ia kalojnë vajzës së tyre, Rea Xhillari.
10-Tokë arë me sipërfaqe 2582 metrash katrorë në Surrel, Tiranë, pronë e cila pas divorcit i mbetet Lindita Xhillarit.
11-Tokë arë me sipërfaqe 1955.5 metrash katrorë në Surrel, pronë që pas divorcit i mbetet Lindita Xhillarit.

Rama bën drejtor njeriun e lejeve të dy hidrocentraleve mbi kanione

Jamarbër MALTEZI

Edi Rama dhe Blendi Klosi nxituan të mbyllin me një deklaratë ndjese çështjen e ndërtimit të hidrocentraleve tek Kanionet e Osumit. Por të dy luajnë teatër me shqiptarët. Letra e publikuar në media e ish-Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, zbulon se Rama ka qenë në dijeni të projektit që dëmtonte kanionet e Osumit, por ka vazhduar me miratimin e tij në dhjetor 2017, kur tepsinë e kishte të gjithën për vete.
Rama dhe Klosi luajnë teatër edhe me premtimet për ndjekje penale, sepse ata kanë graduar me detyra më të larta, personat që kanë firmat në lejen mjedisore, pa të cilën nuk nis dot ndërtimi i asnjë projekti.
Sa për informacion, zyrtari që ka miratuar lejen mjedisore për Osumin, ish-drejtori i Lejeve Mjedisore (z. Baduni), tani është graduar nga Blendi Klosi si drejtor i Turizmit në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit ku punon edhe Klosi.
Nuk ka absurditet më të madh që ai që firmos për shkatërrimin e një zone turistike unikale të drejtojë edhe politikat e turizmit.

Kjo mund të ndodhë vetëm në qeverine “Rama”, e cila premton me fjalë se nuk do të dëmtojë natyrën, por me vepra jep leje që shkatërrojnë mjedisin ose leje që prishin parqe e lulishte në Tiranë për të ndërtuar kulla 44 katëshe.
Në fakt, me zonat e mbrojtura po ndodh një skandal tjetër i madh. Në krye të Agjensisë së Zonave të Mbrojtura është emëruar Zamir Dedej. Deri para pak vitesh, ai ishte drejtor i një shoqate mjedisore, e quajtur INCA. Sot, buxheti i Agjensisë për investime/monitorime/trainime, mbi 330 milionë lekë, i janë kaluar shoqatës mjedisore të drejtorit Dedej.Në këtë vend, peshku i madh po peshkon peshkatarët se licencat për peshkim i kontrollon vetë kryepeshku.

Skandali me dokumentet e falsifikuara

Pas vendimit për një koncesion të fshehtë për dy hidrocentrale mbi zonën e mbrojtur në kanionet e Osumit, një dokument i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, tregon hidrocentralet kanë një mospërputhje të vendndodhjes sipas koordinatave, me lejet e marra. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura deklaron se leja mjedisore për HEC-et ka parregullsi ligjore dhe madje ka ndryshuar koordinatat ku do të ndërtohen hidrocentralet. Skandali zbulohet nga një memo zyrtare që Agjencia e Zonave të Mbrojtura i dërgon Ministrisë së Mjedisit. AKZM-ja ka vërejtur disa parregullsi ligjore që lidhen me mospërputhjen e vendndodhjes sipas koordinatave me lejet e marra.
Kjo është njësoj sikur një ndërtues të zhvendosë një pallat përtej gjurmës së lejuar apo sikur të shtojë kate shtesë mbi lejen e miratuar. Vetëm se në përmasa më të mëdha, sepse ka të bëjë me një hidrocentral në një mjedis ligjërisht të mbrojtur. Vlerësimi i ndikimit mjedisor është një nga lejet më të rëndësishme për miratimin e një projekti. Kjo leje lëshohet nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe duhet të çertifikojë projekti për impaktin mjedisor. Sipas dokumenteve, rezulton se leja për dy HEC-et mbi kanionin e Osumit është dhënë në mars të vitit 2015 me firmën e ish-drejtorit Julian Beqiraj. Por sipas Agjencisë së Zonave të Mbrojtura parregullsitë ligjore në leje dhe ndërrimi i koordinatave ku do të ndërtohen HEC-et bëjnë lejen të paligjshme.

Të martën “Top Channel” publikoi ekskluzivisht dokumentet që faktojnë se, qeveria në mënyrë të heshtur ka miratuar ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit, duke rrezikuar kështu shkatërrimin e një prej atraksioneve më të bukura turistike në vend. Ndërkohë që pas publikimi të lajmit në “Top Channel” ka reaguar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila ka vënë në dukje se është në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, nga e cila ka kërkuar verifikimin e lejes mjedisore të lëshuar nga ky institucion. “Në momentin që Ministria e Mjedisit do të konstatojë parregullsi në lejen e lëshuar nga ky institucion dhe do kryejë revokimin e kësaj leje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mund të fillojë procedurat për prishjen e kontratës bazuar mbi legjislacionin përkatës. Në funksion të shqyrtimit të këtij rasti, Ministria e Infrastrukturës ka shprehur gatishmërinë për krijimin e një grupi të përbashkët pune në nivel teknik mes dy ministrive”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.