Një skandal i vërtetë ka ndodhur në shkollën “Osman Myderizi” në Tiranë, ku suvaja e tavanit është shkëputur dhe ka rënë gjatë kohës, kur po zhvillohej një orë mësimi. Si pasojë mësuesja ka mbetur e plagosur, ndërsa ngjarja si fenomen dëshmon për rrezikun që iu kanoset nxënësve aty. Rënia e tavanit tek shkolla “Osman Myderizi” tregoi Tiranën e vërtetë, atë të korrupsionit, keqqeverisjes dhe të fasadave. Kryetari i këshilltarëve demokratë në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku në një reagim për mediat dënoi ashpër këtë ngjarje, ndërsa kërkoi marrjen e përgjegjësive nga ana e Veliajt.
“Sot, qytetarëve dhe mediave u kemi kërkuar të njohin një Tiranë tjetër. Një Tiranë, e cila është shumë e ndryshme nga Tirana që qytetarët shohin përditë, nga Tirana që serviret nga propaganda e pushtetit dhe Bashkisë Tiranë, Tirana e ndriçimit, pastrimit, gjelbërimit. Kjo është një Tiranë virtuale, e gënjeshtërt, falso. Tirana e vërtetë është kjo Tirana këtu, Tirana e gropave, ndotjes dhe e njerëzve që keqqeverisin dhe Tirana e korrupsionit. Sot, ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë. Një tavan i shkollës “Osman Myderizi”, është rrëzuar. Vullneti i të plotfuqishmit që fëmijët të kenë shpëtuar, pasi jeta e fëmijëve u rrezikua. Një mësuese u lëndua rëndë”, tha Çollaku.
Ai bëri të ditur se kjo shkollë është pjesë e atij teatri, asaj telenovele bashkiake, ju e kujtoni para një viti kryetarin e Bashkisë, që mburrej se po rikonstrukton shkolla dhe kopshte, në bashkëpunim me biznese private, të cilët askush nuk i kuptoi nga ishin dhe nga dolën dhe sot jemi pas një viti në një shkollë me tavan të rrëzuar, ku jeta e mësuesve dhe nxënësve është rrezikuar. “Kjo është Tirana e vërtetë, Tirana që klith nga keqqeverisja, nga abuzimi dhe nga korrupsioni. Unë ju ftoj që të pyesni kryetarin e Bashkisë dhe çdo përfaqësues të mazhorancës në Tiranë. Çfarë i kushton Bashkisë së Tiranës që realisht të rehabilitojë dhe rinkonstruktojë këto shkolla? Do t’ju thonë mbase: S’kemi fonde. Por kur t’ju thonë përse s’kanë fonde, bëjini pyetjen: Përse harxhoni 2 milionë e gjysëm euro për të mbjellur e shkulur palma e pisha në autostradë.
Absolutisht përveç babëzisë për të vjedhur, për të grabitur dhe nga ana tjetër falsitet. Për të shitur një Tiranë që nuk ekziston, një Tiranë që njerëzit e shohin si telenovelë darkave, por në fakt kur dalin nesër në mëngjes, kur shkelin baltën dhe thithin ndotjen, rrezikojnë jetën, si këta fëmijë rrezikojnë sot, është Tirana e vërtetë.
Sigurisht, propaganda mund të mbajë, por mund të mbajë për një periudhë kohe. Do të vijë një kohë që qytetarët e Tiranës do ta kuptojnë se kush i qeveris, pse i qeveris, si abuzon dhe patjetër, në atë kohë do të bien jo vetëm tavani i shkollës, por do të bjerë kjo fasadë propagande, dhe kur të bjerë, mjerë ata që do të zërë brenda.
Mesazhi ynë është për të treguar se njerëzit duhet të reagojnë, jemi në një akt flagrant korrupsioni. Kjo shkollë është rikonstruktuar, sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës në 2016. Askush nuk kuptoi se me çfarë fondi, kush e bëri, çfarë morën në përfitim ata që e bënë dhe ja ku ndodhemi sot. Shkolla ka rënë dhe jetët e fëmijëve janë rrezikuar. Ne do të vazhdojmë të denoncojmë, do të bëjmë betejat tona politike, por në fund të fundit janë qytetarët që vendosin, janë ata që jetojnë në këtë qytet mizerabël, i cili mbulohet nga dritat dhe propaganda e Bashkisë Tiranë”, tha Çollaku.
Mësueses i bie suvaja e tavanit në kokë në shkollën e rikonstruktuar nga Veliaj
KLSH: Niveli i borxhit të qeverisë në nivel alarmant
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka shfaqur shqetësim për nivelin e broxhit publik të vendit dhe mundësitë e ekonomisë sonë për ta përballuar atë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe FMN-së, ky tregues ishte në nivelin 72.7% për qind për vitin 2016 dhe pritshmëritë janë për zbritje të tij në 69.1% për vitin 2017, por të dhënat përfudimtare ende nuk janë publikuar.
Në raportin për vitin 2017, KLSH është përpjekur t’i japë përgjigje pyetjes: “A sigurohet me ekonomicitet borxhi publik dhe a përdoret me eficiencë ai?”
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton në raport se, pavarësisht përpjekjeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, treguesit e përdorur për menaxhimin e borxhit publik, nuk përmbushin kërkesat e standardeve të pranuara në lidhje me vlerësimin e qëndrueshmërisë, kostos së borxhit dhe menaxhimin e tij me ekonomicitet dhe eficiensë. Rezultatet e treguesve përgjegjës për vlerësimin e qëndrueshmërisë dhe kostos së borxhit publik si: Borxh i Jashtëm/ Eksporte, Borxh i Jashtëm/ Rezervave Valutore dhe Indikatori i Hendekut Primar Afatshkurtër, tregojnë se aftësia ripaguese e ekonomisë sonë kundrejt borxhit publik, është në rënie. Këto rezultate lidhen drejtpërdrejtë me koston që përballon shteti për shlyerjen e interesave dhe principalit. Mos zbërthimi i strategjive afatmesme të menaxhimit të borxhit publik në plane konkrete veprimi dhe strategji alternative, nuk i mundësojnë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë diversifikimin e risqeve për të arritur në një menaxhim eficient të borxhit publik.
Qeveria ka marrë zotimin për të vijuar konsolidimin fiskal vitin e ardhshëm. E thënë ndryshe të ulë nivelin e borxhit deri në 68.8%. Por për një pjesë të ekspertëve, kjo jo vetëm nuk do të ndodhë, por përkundrazi. Borxhi pritet të rritet nga programi 1 miliard euro i Partneritet Publik Privat, pasi projektet do të paguhen nga shteti shqiptar, duke u shtrirë në kohë, si me rrugën e Arbrit (pak dotë më parë u nënshkrua kontrata). Por këto detyrime nuk dokumentohen tek treguesi i borxhit, duke qenë në vetvete një borxh i fshehur.
Shehu: 2830 familje lihen pa bukë, u hiqet ndihma ekonomike
Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu, ka reaguar në Facebook në lidhje me numrin e familjarëve të përjashtuar nga ndihma ekonomike në këtë qark. Shehu thekson se, qeveria ka përjashtuar nga Përkrahja Ekonomike 2830 familje nga 3572 që e përfitonin atë.
“E vetmja rrugëdalje që po u jepet qytetarëve është të braktisin vendin, atë që tentoi të bëjë edhe Ramiz Alia më 1991-shin.
Sot më konfirmuan se në Qarkun e Gjirokastrës numri i familjeve të përjashtuara nga Ndihma Ekonomike është shumë më i lartë se sa u deklarua para pak ditësh:
Janë përjashtuar nga skema e Ndihmës Ekonomike në Memaliaj 591 familje nga 711 që e përfitonin, në Gjirokastër 1264 nga 1718, në Përmet 411 nga 455, në Tepelenë 370 nga 408, në Këlcyrë 150 nga 230 etj. Në tërësi në të gjithë Qarkun janë përjashtuar nga Përkrahja Ekonomike 2830 familje nga 3572 që e përfitonin atë.
Pra rreth 80% të familjeve përjashtohen në një ditë nga Përkrahja Ekonomike në të gjithë atë Qark.
Dhe e gjithë kjo bëhet mbi bazën e “reformimit” të sektorit social në mënyrë të centralizuar, pra direkt nga Qeveria.
Dhe kjo kryhet kur varfëria në atë Qark është rritur me 35% në dy vite, kur papunësia rritet, kur nuk ka asnjë investim në infrastrukturën bujqësore e të përgjithshme aty, kur arbitrariteti shtetëror mbi qytetarët është në kulmet,
Kjo realizohet kur rrëzohet edhe projektligji për statusin e minatorit.
Kam një pyetje për këtë Qeveri, çfarë duhet të bëjnë njerëzit për të jetuar tashmë?!
Siç duket përgjigja është: të ikin sa shpejt, ashtu siç po ikin këto vite nga vendi!”, shprehet Shehu.
Investitorët britanikë s’kanë opinion pozitiv për klimën e biznesit në Shqipëri
Investitorët britanikë shprehen të gatshëm për të investuar në Shqipëri, por shqetësim për ta mbetet stabiliteti politik si dhe tregu i vogël. Biznesmenë të këtij vendi kanë nisur një tur vizitash në vendin tonë, ku turizmin dhe tregun energjetik e shohin me interes të veçantë. Për Ora News ata shprehen se, duhet punuar më shumë për ta bërë më të njohur vendin te investitorët e huaj.
Shqipëria nuk ka një opinion pozitiv tek investitorët e huaj. Gjatë një vizite të zhvilluar në vendin tonë parlamentarët britanikë dhe përfaqësues të investitorëve të këtij vendi kanë fajësuar politikën për këtë situatë. Nei Budd, investitor britanik, deklaron se Shqipëria ka probleme edhe me konkurrencën krahasuar me vendet e rajonit.
Budd: Konkretisht ka ligje të mira, për shembull për energjinë e rinovueshme, por vendi nuk ka opinion pozitiv përsa i përket stabilitetit politik dhe klimës së të bërit biznes. Të gjithë ne jemi njerëz që marrim vendime në bazë të eksperiencave. Megjithatë Shqipëria shihet një treg alternativ. Budd: Interes ka për disa sektorë të veçantë, sepse është një vend në rritje. Nëse zgjidhet investimi i duhur në vendin e duhur, atëherë fitimi është i sigurt. Psh energjia diellore është zhvilluar ndjeshëm në Britani.
Problem mbetet dhe reklamimi i vendit. Budd: Pra u them investitorëve në Britani pse të mos investoni në Shqipëri? Ata e shohin me pikëpyetje dhe unë i them mendoni se po shkoni në Itali, vetëm ktheni pak djathtas, sepse klima është e njëjtë. Sipas investitorëve britanikë, edhe tregu i vogël është një problem çka ndikon në investime. Përfaqësuesit e Parlamentit britanik dhe investitorët do zhvillojnë një tur takimesh me krerët e politikës shqiptare për të diskutuar mbi alternativat e financimit.
Murinjo i vë fajin Pogbasë
Mançester Junajtid humbi ndaj Njukasëllit me rezultatin 1-0 ditën e dielë dhe Zhoze Murinjo duket se e ka gjetur fajtorin për këtë disfatë. Nga njëra anë foli për mungesën e golit nga ana e sulmuesve të tij (“Mund të luanim 10 orë dhe prapë nuk do të kishim shënuar”), por pasi pësoi golin nga Met Riçi, portugezi e zëvendësoi menjëherë. Kur e pyetën për performancën e Pogbasë, Murinjo tha: “Doja në fushë dikë që bën mirë gjërat e thjeshta”.
Bale vlen 222 milionë euro, sa Neymar
Përfaqësuesi i uellsianit Gareth Bale, Jonathan Barnett, ka thënë se lojtari i tij, që luan me Real Madridin, ka një vlerë prej të paktën 222 milionë eurove, të njëjtin çmim, sa është paguar verën e kaluar nga PSG-ja për të nënshkruar me brazilianin Neymar. Barnett, gjithashtu, konsideron se Bale do të konkurrojë në të ardhmen për të fituar “Topin e Artë” dhe theksoi se uellsiani është shumë i lumtur te Real Madridi, në një intervistë të botuar dje nga e përditshmja sportive italiane, “Tuttosport”. “Klienti im vlen të paktën 222 milionë euro, sa Neymar. Por, Gareth është shumë i lumtur te Real Madridi. Ai do të qëndrojë në Madrid”, ka thënë përfaqësuesi i ish-lojtarit të Tottenham, duke pretenduar se klienti i tij është tashmë një pikë referimi për “Los Blancos”. “Gareth nuk ka nevojë që Cristiano Ronaldo të largohet nga skuadra, madje tani është një yll i Real Madridit”, shpjegoi ai.
Përfaqësuesi i ndërkombëtarit të Uellsit, gjithashtu, tregoi një moment rreth operacionit që dërgoi Bale te Real Madridi në verën e vitit 2013, pasi klubi i bardhë pagoi më shumë se 100 milionë euro për Tottenhamin. “Më kujtohet stilolapsi që më dha mua Florentino Perez, një zotëri i madh. Ajo që ka rëndësi më shumë është marrëdhënia optimale, që ka lindur me Florentinon”, shtoi ai. Jonathan Barnett, gjithashtu, njoftoi se Bale ishte afër nënshkrimit me një klub italian, të cilin nuk e përmend, kur ai ishte te Tottenham, por shpjegoi se klubi i Londrës së Veriut nuk e pranoi këtë ofertë. “Ai është i lumtur në Madrid. Në futboll gjithçka mund të ndryshojë shpejt, ju kurrë nuk e dini çfarë do të ndodhë, por unë sinqerisht besoj se asnjë klub italian nuk mund të blejë Bale”, tha agjenti i uellsianit, kur u pyet nëse sheh ndonjë shans që klienti i tij të zbarkojë në Seria A. Në intervistë, Barnett vlerësoi profesionalizmin e klientit të tij, duke e quajtur atë “një shembull për fëmijët, që nuk pi alkool dhe është shumë i vëmendshëm ndaj ushqimit”.
“Problem” arbitri
Në “Allianz Stadium” do të luhet akti i parë i ndeshjes mes Juventusit dhe Tottenhamit, i vlefshëm për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve. Arbitri gjerman, Felix Brych, do të drejtojë ndeshjen e Champions League mes Juventus dhe Tottenham, e vlefshme për fazën e 1/8-ve të kompeticionit. Takimi do të luhet të martën në mbrëmje, në orën 20:45. Asistentët e Brych do të jenë Mark Borsch, Stefan Lupp. Bastain Dankert dhe Marco Fritz do të jenë arbitrat e portës me Markus Hecker që do të jetë arbitri i katërt.
Juventus nuk ka kujtime të bukura me Brych, duke parë se 42-vjeçari nga Mynihu ka drejtuar finalen e Champions League të 2017-ës, e humbur 4-1 nga Juventus kundër Real Madrid. Bardhezinjtë kanë marrë dy fitore dhe dy humbje me Brych në fushën e lojës.
Ndërkohë, ecuria e Tottenham me Brych është akoma më e keqe, duke parë se dy ndeshjet e tyre të arbitruara nga gjermani kanë qenë një humbje 2-0 kundër Udineses në tetor të 2008-ës dhe një humbje 4-0 në çerekfinalet e Champions League kundër Real Madrid më 2011-ën. Pas 15 minutash lojë anglezët kanë mbetur me dhjetë lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Crouch.
Ky ballafaqim do të drejtohet nga gjermani Brych, i cili ka qenë arbitri i finales së vitit të kaluar në Cardiff, e humbur nga bardhezinjtë kundër Real Madridit. Juventus-Tottenham do të luhet në Torino, të martën, më 13 shkurt, ora 20:45. Parashikohet që Allegri të aplikojë modulin 4-3-3, por me disa ndryshime në krahasim me transfertën e fundit në Firence. Në krahun e djathtë, mbrojtësi De Sciglio është i favorizuar para Lichtsteiner, ndërsa në “trident” duhet rifituar një vend, duke filluar në kurriz të Bernardeschi dhe Douglas Costa. Në mes të fushës, Bentancur dhe Sturaro luajnë për një fanellë, ndërsa konfirmimi i Marchisio është i vështirë. Pochettino duhet të vendosë 11-shin që mundi Arsenalin në derbin e Londrës së Veriut. Alderweireld dhe Rose në dyshim: në vendin e tyre do të jetë Sanchez dhe Davies, në mbrojtje. Dier dhe Dembele do të jenë dy “filtrat” e përparme, në mes të mbrojtjes. Në fazën ofensive, si zakonisht, Tottenham pritet të luajë me katër: Bir, Eriksen dhe Alli, prapa Kane, me Lamela të gatshëm për të marrë përsipër detyra në këtë funksion.
Formacionet e mundshme
JUVENTUS (4-3-3): Buffon; De Sciglio, Benatia, Chiellini, Alex Sandro; Khedira, Pjanic, Bentancur; Douglas Costa, Higuain, Mandzukic.
TOTTENHAM (4-2-3-1): Lloris; Trippier, Sanchez, Vertonghen, Davies; Dier, Dembele; Eriksen, Alli, Son; Kane.
Vidal kërkon rinovimin me Bayernin e Mynihut
Arturo Vidal pranon se do ta mirëpriste mundësinë për të nënshkruar një kontratë të re me Bayern Mynih, edhe pse ka shumë zëra për një lëvizje të tij të mundshme te Chelsea. Mesfushori 30-vjeçar e kaloi pjesën më të madhe të merkatos së dimrit duke e parë në dyshim të ardhmen e tij në “Allianz Arena”. Me Bayernin, që ka lidhur një marrëveshje verore me yllin e Schalke, Leon Goretzka, është sugjeruar që Vidal do të zhvendoset si njeri i “tepërt”. Kilieni ndërkombëtar, megjithatë, ka deklaruar në shumë raste se nuk po shtyn për një largim, madje tani e ka hapur veten për kushte të reja, me marrëveshjen e tanishme që do të skadojë në vitin 2019. Vidal i tha “Sport1”: “Unë luaj në këtë ekip për një arsye dhe sigurisht jam një nga më të mirët në botë në pozicionin tim. Nuk mendoj për një ndryshim ambienti, ndihem shumë mirë këtu. Natyrisht, do të doja ta zgjeroja kontratën. Ky është një opsion dhe fëmijët e mi janë shumë të lumtur këtu. Është e qartë që ndihem shumë mirë, veçanërisht fizikisht, dhe nuk kam probleme me lëndimet, gjë që më ndihmon”.
Trajneri i Bayernit, Jupp Heynckes, kohët e fundit tregoi se do të dëshironte që Vidal të qëndronte në fund të sezonit të tanishëm, edhe nëse ai vetë nuk mund të vazhdojë me bavarezët. Trajneri me përvojë, i cili po punon për një marrëveshje afatshkurtër, tha: “Për mua, ai është një lojtar themelor në ekipin tonë. Luan në një nivel shumë të mirë. Është një lojtar me eksperiencë jashtëzakonisht të madhe, për të cilin kemi shumë nevojë. Mendimi im është se Vidal është shumë i rëndësishëm. Unë e konsideroj atë një futbollist fantastik”.
“Këpuca e Artë”, një garë tërësisht angleze
Gara për “Këpucën e Artë”, këtë sezon duket se flet vetëm anglisht. Janë 3, futbollistët e Premier League që kryesojnë klasifikimin e golashënuesve më të mirë në kontinentin europian. Bëhet fjalë për Harry Kane, Mohamed Salah dhe Sergio Aguero. Kane, me golin e shënuar në derbin londinez ndaj Arsenalit të shtunën e çoi në 23 numrin e golave të shënuar në kampionat, duke u ngjitur në kuotën e 42 pikëve.
Shumë pranë tij është sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, me egjiptianin që është në kuotën e 22 golave dhe 44 pikëve. Podiumin e plotëson argjentinasi i Manchester City-t, Sergio Aguero, me 21 gola e 42 pikë, po aq sa edhe Edinson Cavani i Paris SG-së. Vetëm vendi i pestë për yllin e Barcelonës, Lionel Messi, që nuk mundi dot të shënojë në sfidën me Getafen, duke mbetur në kuotën e 20 golave e 40 pikëve, po aq sa dhe sulmuesi i Lacios, Ciro Immobile. Dhjetëshja e golashënuesve më të mirë në kampionatet europiane plotësohet nga Neymar, Lewandowski, Jonas dhe Icardi.
Guardiola mund ta fitojë titullin në Angli kundër Mourinhos
Duket më shumë se e qartë se Manchester City do të shpallet kampion i Premier Leagues këtë sezon. “Qytetarët” udhëheqin me 16 pikë më shumë se Manchester Unitedin aktualisht, pas fitores së tyre ndaj Leicester dhe pengesës së “Djajve të kuq” kundër Newcastle. Çështja kryesore është të dimë datën, në të cilën do të vendoset përfundimisht çështja e titullit në Premier League. Më 7 prill, derbi i Manchesterit shfaqet në të kuqe në kalendarin e Guardiolës. Me 23 fitore, 3 barazime dhe 1 humbje të vetme në 27 ndeshjet, që janë luajtur deri më sot në Angli, “qielli i kaltër” numëron orët për të siguruar edhe matematikisht Premier League. Ekziston mundësia që gjithçka ta mbyllin më 7 prill, në “Etihad” dhe para rivalit të përjetshëm. Nëse “qytetarët” kalojnë me sukses pesë ndeshjet e radhës kundër Arsenal, Chelsea, Stoke, Everton dhe Brighton, sigurohen pikë të mjaftueshme për ta fituar titullin, nëse munden edhe të besuarit e Mourinhos. Duke pasur parasysh performancën e liderit të Premier League këtë sezon, nuk duket e largët dita për ta fituar titullin e parë Guardiola në stolin e Manchester City. Kjo, sipas të gjitha gjasave, mund të ndodhë në derbin e Manchesterit. Çka do të shijonte vërtet shumë për “qytetarët”.