Neymar mund të mos jetë edhe për shumë kohë blerja më e shtrenjtë në futbollin botëror, pas kalimit nga Barça për te Paris SG verën e kaluar për 222 milionë euro. Por cila është tratativa që pritet të rrezikojë këtë rekord të brazilianit? Nuk bëhet fjalë as për sheikët e PSG-së apo ata të Manchester City-t, as për Realin e mësuar me çmenduritë financiare të Florentino Perezit. Ai që mund të bëjë surprizën është Juventusi, të paktën sipas burimeve të medias spanjolle “Don Balon”.
Bardhezinjtë e Serie A duket se janë gati t’i rrëmbejnë Tottenhamit sulmuesin gjigant Harry Kane, për një shumë stratosferike prej 250 mln eurosh. Siç raportohet, Juventusi me situatën perfekte financiare aktualisht, mund të ketë gjithçka të nevojshme për të bërë “blerjen e verës së ardhshme”. Sigurisht për t’ia dalë mbanë do të heqë dorë nga shërbimet e argjentinasit Paulo Dybala, që kërkohet me ngulm nga shumë skuadra elitare.
Edhe pse shifra e treguar nga “Don Balon” duket e ekzagjeruar, nuk përjashtohet që Juventusi t’i shpenzojë me të vërtetë aq shumë parà, vetëm e vetëm për t’i dhënë skuadrës së drejtuar nga Allegri një lojtar me peshë tejet të konsiderueshme cilësore. Juventusi, thotë “Don Balon”, është i ndërgjegjshëm se nuk mund të luftojë në nivel ekonomik me të mëdhenjtë e Europës, kështu që nuk mund të tentojë blerjen e kampionëve të kalibrit Messi, Cristiano Ronaldo apo Neymar, por e konsiderojnë të mundshëm afrimin e Kane nga Tottenham, rival me të cilin do të përballen edhe në 1/8-at e Champions League. Mbetet për t’u parë, por për të arritur deri te Kane me një shifër kaq stratosferike, ai që pritet të largohet për t’i bërë vend sulmuesit anglez është Dybala.
250 milionë euro për Kane
Sondazhi: Amerikanët mendojnë se Obama ka përgjuar Trumpin
Sondazhi IBT/TIPP ka treguar më të fund se amerikanët janë kryesisht të bindur se administrata e ish-presidentit Barack Obama ka përgjuar në mënyrë jo etike dhe të jashtëligjshme fushatën presidenciale të Donald Trump. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha dhe tej mase cinike të mediave amerikane për të zhdukur ose mbuluar të vërtetën, madje edhe pavarësisht aktivizimit masiv për të mos e lënë të vërtetën të shohë dritën e diellit, ky sondazh tashmë demonstron se populli amerikan ka filluar të dyshojë tek ato që lexojnë në mediat më të njëanshme dhe më histerike dhe janë duke kërkuar media alternative, ku të lexojnë të vërtetën. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të shpjeguar ndryshe rezultatet e këtij sondazhi, i cili çuditërisht provon se shumica e publikut amerikan beson të kundërtën e retorikës të promovuar nga një fushatë e koordinuar mediatike që po përpiet aktivisht t’i bindë se presidenti Trump ka pasur lidhje të ngushta rusët dhe është ndihmuar nga ata për të fituar fushatën e vitit 2016 dhe se FBI-ja heroike është duke u vënë padrejtësisht nën shënjestër nga mbështetësit e ligë të Trumpit. Pavarësisht propagandës së palodhur që zgjat prej më shumë se një viti dhe vinte nga të gjithë cepat e realitetit të sajuar të mediave amerikane, këtu janë rezultatet e një sondazhi që kishte synim të pasqyronte të vërtetën:
Një shumicë prej 55 për qind e amerikanëve të intervistuar besojnë se “me shumë mundësi” administrata Obama ka përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme fushatën e Trumpit gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Këtu përfshihen 31 për qind e demokratëve, 87 për qind e republikanëve dh 55 për qind e të pavarurve.
Një shumicë prej 54 për qind e amerikanëve dëshirojnë se këshilltari special të hetojë nëse FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë kanë përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme fushatën e Trumpit gjatë zgjedhjeve të vitit 2016. Vetëm 44 për qind e të intervistuarve thanë se nuk duan që të zhvillohet një hetim i tillë. Nëse analizohen bindjet politike të të intervistuarve, atëherë rezulton se 74 për qind e republikanëve dhe 50 për qind e të pavarurve dëshirojnë të zhvillohet një hetim për përgjimet, njëlloj si 44 për qind e demokratëve.
Në këtë sondazh, i vetmi rezultat relativisht pozitiv për FBI-në dhe për Departamentin amerikan të Drejtësisë është se vetëm 35 për qind e të intervistuarve besojnë se këtu institucione janë përpjekur hapur të akuzojnë dhe të fusin në grackë presidentin Donald Trump me hetimin për bashkëpunimin e fushatës së tij zgjedhore të vitit 2016 me rusët.
Një sondazh i Rasmussen i sapopublikuar, tregon po kështu se 50 për qind e amerikanëve “besojnë se zyrtarët e lartë të zbatimit të ligjit në Shtetet e Bashkuara e kanë shkelur ligjin në një mënyrë ose tjetrën në përpjekje për të mos lejuar fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale”. Vetëm 40 për qind e të intervistuarve në këtë sondazh nuk ishin dakord me këtë fjali.
Një tjetër sondazh i Rasmussen i javës së fundit tregon se vetëm 42 për qind e amerikanëve besojnë se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, më shumë seç ka bërë në fakt FBI-ja. Për më tepër, plot 34 për qind e të intervistuarve besojnë se FBI-ja është ajo që ka ndërhyrë më shumë se rusët në zgjedhjet presidenciale dhe 24 për qind nuk janë të sigurt.
Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara tashmë janë një vend ku 58 për qind e qytetarëve besojë se FBI-ja ka ndërhyrë aktivisht në zgjedhjet presidenciale më shumë se sa një qeveri tjetër armiqësore, ose të paktën nuk janë të sigurt nëse FBI-ja nuk e ka bërë këtë. Ndërkohë, norma e mbështetjes për presidentin Trump është duke u rritur më shumë se ajo e ish-presidentit Barack Obama në këtë pikë të presidencës së tij të dështuar.
Kina dhe ofensiva mediatike në Evropë
Kina është e gjithëpranishme në media. Vetëm vitin e kaluar revista britanike “Economist” i kushtoi Republikës Popullore dy artikuj me të cilat hapte revistën. Revista gjermane “Spiegel” e deklaroi Kinën në nëntor të 2017 në një artikull kryesor në “Superfuqinë nr 1”. Artikulli fliste për projektin madhështor të presidentit Xi Jinpings “Rrugën e re të Mëndafshit”, luftën e tij (verbale) për tregtinë e lirë, investimet masive në Evropë dhe për frikën e kopjimit të ideve (për shembull me blerjen e firmës së prodhimit të robotëve, Kuka), për armatimin ushtarak ose për planet e Kinës për t’ u kthyer në shtet krejtësisht të kontrolluar.
Debati për mbrojtjen e pronës intelektuale nga investorët kinezë ka kohë që zhvillohet. Por së fundi me Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të zhvilluar më tetor 2017 debati nuk zhvillohet më për ndikimin ekonomik, por për ndikimin ideologjik të Kinës. Në Kongres Presidenti Xi lëvdoi modelin autoritar kinez si alternativë për të ardhmen e trashëgimisë perëndimore të demokracisë liberale, e cila gjoja është në shkatërrim.
Kina si shtet model
Instituti kërkimor berlinez “Instituti Mercator për studimin e Kinës” (Merics) dhe “Global Public Policy Intitute” (GPPI) paralajmërojnë në një studim aktual për mungesën e vetëdijes për ndikimin në rritje të Kinës mbi elitat politike dhe ekonomike, mbi median si dhe Shoqërinë Civile dhe botën akademike të Evropës. Kina është aktive në të gjitha këto fusha, “për të përmirësuar perceptimin e sistemit politik dhe ekonomik të Kinës në botë dhe për t’u pozicionuar si alternativë e besueshme e demokracisë liberale”.
Një rol kyç zë, sipas bindjes së autorëve të studimit “Authoritarian Advance”, ndikimi i opinionit publik nga mediat. Mjeti më i rëndësishëm këtu është gazeta në gjuhën angleze “China Watch”. “China Watch” prodhohet nga e përditshmja më e madhe në gjuhën angleze “China Daily”, e cila si të gjitha mediat në Kinë ndodhet në duart e shtetit dhe mund të kualifikohet si gazetë partiake. Gazeta “China Watch” futet si reklamë për shembull në “Washington Post”, në “New York Times”, tek “Daily Telegraph” britanik, “Le Figaro” në Francë si dhe “Handelsblatt” dhe “Süddeutschen Zeitung” në Gjermani.
Përdoret besueshmëria e mediave të etabluara
Përfitimi i kësaj mënyre është shumë i qartë, thonë autorët: “Është më efektive të përdorësh më mirë mediat e etabluara sidomos ato që gëzojnë besueshmëri, se sa mediat kineze”. China Watch raportohen si reklama, por në Layout i ngjan gazetës me përmbajtje thonë autorët e studimit. Kina ndikon në rrugën e saj debatin në Evropë. Meqenëse gazetat marrin para për të nxjerrë China Watch, ato futen në marrëdhënie varësie gjë që Kina mund ta shfrytëzojë.
“Gazeta Süddeutsche Zeitung” shpjegoi e pyetur nga “Deutsche Welle”, se “China Watch” 2017 është publikuar vetëm një herë si shoqëruese e huaj e gazetës. Ajo është shpjeguar si vijon: “Ky publikim i veçantë shoqëron gazetën “Süddeutsche Zeitung”. Redaksia e SZ nuk ka marrë pjesë në prodhimin e këtij publikimi të paguar”.
Në gazetën “Handelsblatt” ky publikim i veçantë futet si shoqërues çdo muaj që nga fundi i vitit 2015. Për “Deutsche Wellen” gazeta shpjegoi: “Në faqen 1 të shoqërueses thuhet qartë: ‘Ky publikim i paguar i vendoset gazetës “Handelsblatt”. Për pëmbajtjen redaksionale dhe Layout është përgjegjëse redaksia e gazetës “China Daily” (në Republikën Popullore të Kinës)”.
Blerje dhe kooperime të tjera mediash
Sipas mendimit të autorëve të studimit Merics, Kina është aktive edhe në kanale të tjera. Investorët kinezë përpiqen të blejnë sipërmarrje perëndimore mediash, por deri tani nuk kanë pasur sukses. Në vitin 2017, dështoi përpjekja e Kinës për të blerë revistën amerikane “Forbes”. Megjithatë konglomerati kinez “CEFC China Energy” sapo ka ofruar të blejë “Central European Media Enterprises” që është aktive në Bullgari, Republikën Çeke, Rumani dhe Sllovaki, siç njoftoi “Reuters” në muajin dhjetor. Procesi i pranimit të ofertave të blerjes nuk ka përfunduar.
Një pikë tjetër ku përqendrohet Kina është edhe kooperimi me mediat dhe forumet e mediave. Kooperimet shërbejnë për këmbimin e përmbajtjeve, të cilat në këtë mënyrë i nënshtrohen kontrollit të mediave shtetërore kineze. Forumet e mediave i shërbejnë Kinës, që të propagandojë idenë e vet të gazetarisë: “Praktikisht kjo do të thotë që Kina propagandon bindjet e veta, sipas së cilës mediat nuk i kritikojnë të pushtetshmit, por duhet të bashkëpunojnë me ta. Në kontekstin ndërkombëtar, kjo logjikë ka të bëjë me nxitjen e miqësisë midis shteteve”. Si shembull për forume të tilla mediative, studimi përmend për shembull forumin “Media Forum China – Germany – USA”, i krijuar ndër të tjera nga Fondacioni Robert Bosch Stiftung dhe nga Global Times kinez nga viti 2010 deri në vitin 2017.
Debat kritik dhe transparencë
Autorët e studimit shohin rrezikun që ekziston tek “hapja e njëanshme” e Evropës, gjë që Kina e shfrytëzon për të futur mesazhet e saj duke penguar njëkohësisht futjen e mediave evropane në tregun kinez.
Nga kjo censurë preket edhe “Deutsche Welle”, e cila ofron një prorgam online në gjuhën kineze. Njëkohësisht “Deutsche Welle” i jep revistën e saj televizive të Lifestyle që quhet Euromaxx platformës televizive kineze CPD dhe i ofron falas platformave kineze online kurset e gjuhës gjermane.
Duke patur parasysh mediat, autorët e studimit kërkojnë debat kritik për ofensivën kineze mediatike dhe më shumë transparencë kur kemi të bëjmë me mediat shtetërore kineze.
Presidenti serb Vuçiq nis vizitën në Kroaci
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq është duke vizituar Kroacinë në mesin dhe protestave dhe tensioneve të rritura.
Ai pritet të takohet me presidentin kroat, Kolinda Grabar Kitaroviq.
Kjo është vizita e parë e presidentëve të të dy vendeve në pesë vjet.
Më vonë, presidenti serb pritet ta takojë edhe kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq dhe kryeparlamentarin, Gordan Jandrokoviq.
Vuçiq po ashtu pritet të takohet edhe me përfaqësues të tjerë dhe liderë religjiozë.
Marrëdhëniet bilaterale kanë qenë të tensionuara nga shpallja e pavarësisë së Kroacisë më 1991.
Dhjetëra veteranë të luftës dhe nacionalistë kanë protestuar kundër Vuçiqit, i cili njihet si nacionalist nga periudha e luftës, por që tani e prezanton veten si reformist pro-evropian.
Bashkimi Evropian ka thënë se, Serbia duhet të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore nëse dëshiron t’i bashkohet bllokut.
Kroacia është tashmë anëtare e BE-së.
Përmes një mesazhi në Twitter, presidenti Kitaroviq ka thënë se ka ftuar homologun e tij serb, ‘me qëllim të mirë ashtu që të dyja vendet të kenë dëshirë për të tejkaluar konfliktet dhe ngjarjet që na mbajnë peng në të kaluarën dhe të vazhdojmë tutje duke lejuar zhvillim për popullin dhe shtetet tona”.
Duke konfirmuar ftesën, Vuçiq ka thënë se bisedimet e tij me zyrtarët kroatë, “nuk do të jenë të lehta, mirëpo jam i bindur se do të jenë mira si për Kroacinë ashtu edhe për Serbinë”.
Kosovë, dy policë të arrestuar nga hetimet për vrasjen Ivanoviçit
Inspektorati Policor i Kosovës bëri të ditur se ka arrestuar të shtunën dy policë dhe ka kryer edhe dy bastisje në Mitrovicën e Veriut nën dyshimet për përfshirjen e tyre në “manipulim me prova”.
Mediet vendase cituan zyrtarë të Prokurorisë të kenë thënë se, arrestimi lidhet me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe të dyshuarit po hetohen për mënyrën se si është ruajtur vendi i ngjarjes pas incidentit si dhe pasojat e veprimeve të tyre.
Në një njoftim të Inspektoratit thuhet se me autorizim të prokurorit dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë, përveç arrestimit janë kryer dy bastisje dhe janë konfiskuar një revole dhe dy karikatorë me fishekë.
Dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Udhëheqësi i nismës qytetare serbe, “Liria, Demokracia, Drejtësia”, Oliver Ivanoviç, është vrarë me armë zjarri më 16 janar në veriun e Mitrovicës.
Vrasja nxiti reagime në shkallë të gjerë përfshirë edhe institucionet ndërkombëtare, të cilat krahas thirrjeve për ndriçimin sa më të shpejtë të vrasjes, bënë thirrje për qetësi me drojën që incidenti mund të rrisë tensionet posaçërisht në veriun e Kosovës.
Hetimet për vrasjen e tij ende po vazhdojnë, ndërsa institucionet e Kosovës dhe të Serbisë janë pajtuar të shkëmbejnë informacionet që do të mund të ndihmonin e ndriçimin e vrasjes.
Mesi rrumbullakosi 300 ndeshje
Si zakonisht, Leo Messi është protagonist para dhe pas lojërave. Këtë herë, lojtari më i mirë në botë bëhet i rëndësishëm në vrojtimin e barazimit Barcelona-Getafe 0-0, pasi kjo ishte ndeshja e tij e 300-të zyrtare me fanellën e Barçës në “Camp Nou”. Dhe nëse shifrat tashmë flet vetë dhe zbulon peshën specifike që ylli argjentinas ka në ekipin katalanas, jo më pak spektakolare është përqindja e fitoreve që ai kishte grumbulluar përgjatë 299 lojërave që kishte luajtur para barazimit të fundit me Getafen: 82.2%. Por, ka edhe më shumë. Ai ka shënuar 309 gola të dendur, në një mesatare prej 1.03 golash për ndeshje në shtëpi. Edhe më shumë: nga 299 lojëra të luajtura para së dielës së djeshme, në 266 prej tyre ka qenë një startues (88%).
Mund të jetë e sigurtë, pa dyshim, që Leo Messi është heroi i madh i “Camp Nou”. Shifrat që ka grumbulluar e ngrenë atë në kategorinë e idhullit total. Argjentinasi i ka arritur të gjitha të dhënat e vendosura nga paraardhësit te Barcelona dhe po i tejkalon ato në mënyrë të tillë, sa vështirë të ketë një lojtar tjetër, që mund t’i përmirësojë ato. Arritjet e “Rosarino” janë kaq kolosale, sa kur të “varë çizmet në gozhdë”, numrat e tij nuk mund të bien kurrë në harresë. Në këto 299 ndeshje, pa llogaritur atë të djeshmen, e barazuar 0-0 me Getafen në “Camp Nou”; përveç golave, fitoreve dhe startimeve, del në pah një skuadër prej 48 lojërash radhazi, në të cilat Messi nuk e njihte humbjen. “10” midis 14 shtatorit 2010 dhe 10 prillit 2012, kur fitoi 42 ndeshje dhe barazoi 6 të tilla, përveç shënimit të 66 golave.
Periudha të tjera u nënshkruan në mes të marsit 2015 dhe 2016 (29 duele pa rënë në gjunjë) apo midis shkurtit 2007 dhe majit 2008 (28 ndeshje). Nga garat, natyrisht, Messi akumulon më shumë ndeshje në La Liga (ka luajtur pikërisht 200 të tilla, kundër Deportivo Alaves, më 28 janar). Në Ligën e Kampioneve regjistron 56 ndeshje. Në Kupën e Mbretit 34 ndeshje, në Superkupën e Spanjës 9 ndeshje. Dhe sa u përket golave: 212 gola në La Liga, 55 gola në Champions, 31 gola në Kupën e Mbretit dhe 11 gola në Superkupën e Spanjës. “Viktima”, e cila ka pësuar më shumë gola nga ylli argjentinas, në shumë raste ka qenë Sevilla (19 gola), e ndjekur nga Espanyol (18 gola), Athletic, Osasuna dhe Valencia (16 gola). Vizitori i djeshëm në “Cam Nou”, Getafe, kishte pësuar 11 gola nga Messi. Nga ana e tij, Real Madridi ka pësuar 10 gola, ashtu si Levante dhe Real Sociedad. Goli i tij i parë u shënua kundër Albacete.
Është fakt interesant se Messi kurrë nuk kishte dështuar në “ndeshjet e rrumbullakëta”, që ai ka luajtur në “Camp Nou”. Ai fitoi të parën (kundër Osasunës, 3-0), të 50-tën (kundër Levante, 5-1, shënoi një gol), të 100-tën (kundër Deportivo, 3-0), të 150-tën (kundër Bayer Leverkusen, në Champions, 7-1 realizoi një repoker), të 200-tën (kundër Betis, 3-1 realizoi dopietë) dhe të 250-tën (kundër Arsenalit, në Champions, një gol). Dështoi në ndeshjen e tij të 300-të në “Camp Nou”, pikërisht dje, ndaj Getafes, ku barazoi dhe nuk shënoi dot gol.
Frikë nga Neymar
Mbrojtësi i Real Madridit, Dani Carvajal, ka thënë se nuk ka “formulë magjike” për ta ndalur Neymarin dhe shpreson që ylli brazilian i PSG-së do të ketë një ditë të keqe në Europë, kur të luajë të mërkurën në “Santiago Bernabeu”. Neymar vjen si një kërcënim i madh për Real Madridin, pasi parisienët po përgatiten ta vizitojnë kryeqytetin e Madridit për ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve, raundi i 1/8 finale. Carvajal, i cili është pezulluar për përplasjen e parë, pranon se ekipi i tij thjesht duhet të shpresojë që braziliani ndërkombëtar të jetë nën nivelin më të mirë të tij. “Për të luajtur kundër Neymar, nuk ka formulë magjike, tha ai nëpërmjet “AS”. Ju vetëm shpresoni që të mos jetë në ditën më të mirë. Unë e shpresoj këtë për të mërkurën”.
Duke qenë i zhbilancuar në La Liga këtë sezon, Liga e Kampionëve do të jetë shansi i fundit i Real Madridit, për të marrë një tjetër trofe në këtë fushatë. Carvajal këmbëngul se nuk ka të preferuar për ndeshjen ndaj PSG-së, edhe pse parisienët “fluturojnë lart” në Ligue 1. “Nuk ka asnjë të preferuar në një betejë të tillë. Fazat e eliminimit janë shumë të njëjta, ato vendosen nga detajet e vogla, sqaroi ai. Ne do të përpiqemi të mos kryejmë ndonjë gabim dhe ta kalojmë turin në mënyrën e duhur”.
Në tetor 2011, Autoriteti i Investimeve të Katarit pagoi rreth 55 milionë euro për të blerë 70% të PSG-së. Nasser Al-Khelaifi u emërua pastaj president i ekipit. Në sezonin 2012-2013, parisienët u kualifikuan në Ligën e Kampionëve, për herë të parë, pas shtatë sezoneve. Që atëherë, ata gjithmonë kanë shkuar deri në çerekfinale, përveç sezonit të kaluar, kur u rrëzuan në raundin e dytë kundër Barcelonës. Nëse Real Madridi luan sezonin në këtë ndeshje, në Francë thuhet se PSG-ja luan një pjesë të madhe të projektit. Neymar, emblema e madhe e klubit, nuk ka frikë nga sfida: “E di që ne kemi potencial për të bërë një edicion të shkëlqyer në Ligën e Kampioneve. Ky kompeticion është shumë i rëndësishëm në historinë e një klubi, edhe për një lojtar. Unë kam ardhur këtu për këtë trofe, për të hyrë në histori, për të bërë më të mirën me PSG-në. Ne shpresojmë për një lojë të mrekullueshme, Madridi na motivon maksimalisht”.
Sidoqoftë, në Paris ka pasiguri. Një sondazh i opinionit nga “Odoxa” për “RTL” tregon mosbesimin e francezëve te PSG-ja. Vetëm 36% e shohin ekipin parisien në çerekfinale të Champions-it. Ky studim, i kryer mes të mërkurës, 7 shkurt dhe të enjtes, 8 shkurt, me një “mostër” prej 982 personash, që përfaqësonin popullsinë franceze mbi 18 vjeç, përfshinte 371 tifozë të futbollit. Për ndeshjen në “Bernabéu”, 41% e francezëve shohin fitore të Real Madridit, 36% parashikojnë një barazim dhe vetëm 19% vënë bast për triumfin e PSG-së. Ndër tifozët e futbollit, rezultati i anketës është i ngjashëm: 43% janë për Real Madrid, 31% për barazimin dhe 26% për PSG-në. Neymar është lojtari më i çmuar në këtë sondazh të opinionit, në mesin e njerëzve që nuk kanë deklaruar pasionin për futbollin (28%), ndërsa për tifozët më të votuar ishte Mbappé (30%), në vend të brazilianit (22%).
Ky opinion është pasqyruar edhe nga ish-lojtari i PSG-së dhe “Les Bleus”, Lizarazu: “Neymar ka një jetë si yll rroku. Mënyra e tij për të përgatitur një ndeshje në Madrid ka qenë shumë ndryshe nga ajo që bëjnë Cristiano Ronaldo apo Leo Messi”. Ndërkohë, Rabiot përpiqet ta transferojë presionin tek ekipi i bardhë: “Nuk kemi shumë presion. Ne e dimë se është një ndeshje e rëndësishme për ne dhe për klubin, por presioni është mbi ta”. Marquinhos, nga ana tjetër, tregon dëshirën e dhomës së zhveshjes për këtë sfidë: “Është një provë e mirë për PSG-në, për projektin dhe ne presim një ndeshje të tillë”. Di Maria paralajmëron ish-ekipin e tij: “PSG-ja është më e fortë se vitin e kaluar. Ne vetëm kemi nevojë për pak fat…”.
Valverde: Barcelona duhet të djersijë ende për titullin

Ernesto Valverde paralajmëroi Barcelonën se do të duhet të kapërcejë shumë kundërshtarë të mëdhenj, si Getafe, nëse do të marrë në duar titullin e La Liga-s. Barazimi pa gola i së dielës në “Camp Nou” e bën disi të ngatërruar situatën e udhëheqësve të kampionatit në Spanjë, avantazhi i të cilëve ndaj Atletico Madrid tani është shtatë pikë. Lionel Messi, Luis Suarez dhe pjesa tjetër e superstarëve të Barcelonës nuk arritën të qëllonin në shënjestër gjatë ndeshjes me Getafen, ndërsa Valverde mendoi se lojtarët e tij nuk arritën të përshtaten plotësisht me sfidën e paraqitur nga ana e skuadrës së Pepe Bordalas. “Ne ende duhet të djersitemi për këtë titull, tha Valverde në konferencë shtypi pas ndeshjes. Do të gjejmë shumë ekipe, që do të na e bëjnë jetën tonë të vështirë. Getafe është një ekip i pakëndshëm, por neve na mungoi pak freski për të patur më shumë rrjedhshmëri. Midis asaj që ata kërkuan dhe ne nuk ishim të freskët, na kushtoi neve. Na mungonte një shkëndijë për të bërë diçka tjetër”.
Ndoshta elementi më inkurajues i performancës së Barcelonës ishte një debutim i stilit të lartë nga Yerry Mina, në qendër të mbrojtjes. “Është një lajm pozitiv që të dy qendrat mbrapa, Yerry dhe Digne, kanë qenë mjaft mirë, tha Valverde. Ishte një moment delikat për ta dhe ata i përmbushën rolet e tyre”. Edhe nënshkrimi rekord, Ousmane Dembele, bëri rikthimin e tij të fundit nga lëndimi, por nuk është se la ndonjë shenjë ndaj Getafes: “Ai mendonte se mund të na ndihmonte, por nuk ka qenë në gjendje të luante si do të na pëlqente. Dembele ka shkuar në fushë, sepse duhet t’i provojë gjërat. Është një hap i parë”.
Iniesta: Është normale që kjo të ndodhë
Barcelona-s i ka munguar shkëlqimi në ndeshjen e barazuar 0-0 me Getafe-n, sipas Andres Iniesta-s. Katalanasit kanë dominuar në zotërimin e topit, por nuk arritën të gjenin një gol. Ky rezultat mund të ketë rihapur luftën për titull, duke parë se Atletico Madrid ka ngushtuar diferencën në shtatë pikë. “Na ka munguar diçka, por ndeshje të tilla janë normale në janar dhe shkurt”, ka thënë Iniesta. “Ishte e pamundur të merrnim tri pikët, edhe pse u munduam. Jemi me fat që jemi në garë në të gjitha kompeticionet, por për ta bërë të mundur këtë duhet të shpenzosh shumë energji”. “Ndeshje të tilla janë normale dhe ne duhet të shikojmë përpara. Do ta analizojmë lojën që kemi bërë dhe do t’i shfrytëzojmë këto ditë për të pushuar dhe për t’u kthyer në formën e duhur për ndeshjen e radhës”, ka përfunduar Iniesta.
“Nëse Ronaldo nuk ishte i lumtur në Madrid”
Zv.kapiteni i Real Madridit, Marcelo, ka hedhur poshtë pretendimet se pesë herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, është i pakënaqur në klubin e bardhë. Ronaldo, 33 vjeç, u kthye në formë përpara supersfidës së Ligës së Kampionëve kundër PSG-së. Ai realizoi një “hat-trick” në fitoren 5-2 të Real Madridit kundër Real Sociedad, të shtunën. Megjithatë, ka pasur zëra të pakënaqësisë, me sugjerimet e një kalimi të mundshëm të portugezit te PSG-ja, duke lejuar ish-sulmuesin e Barcelonës, Neymar, të lëvizë në drejtimin e kundërt.
I pyetur për Ronaldon dhe raportet e pakënaqësisë së tij në “Santiago Bernabeu”, Marcelo i tha “Esporte Interativo”: “Nuk mendoj se ka ndonjë të vërtetë për të. Sikur të ishte i pakënaqur, atëherë ai nuk do të ishte këtu. Ronaldo bën gjithçka për ta ndihmuar ekipin. Ai është një djalë i pjekur, i cili ka një grup shumë të fortë rreth tij te Real Madridi. Unë nuk mendoj se është i pakënaqur. Bota e di atë që ai është i aftë të bëjë, vetëm shikoni historinë e tij me klubin. Nuk mendoj se ai mund të jetë i pakënaqur”. Ronaldo ka shënuar 23 gola në 28 ndeshje, në të gjitha garat, këtë sezon, duke përfshirë 11 gola në 18 ndeshje të La Liga-s.