15.5 C
Tirana
E martë, 2 Shtator, 2025

Asnjë tolerancë në përmbushjen e kushteve

Bashkimi Evropian u ka ofruar perspektivë të qartë integruese vendeve të Ballkanit Perëndimor, por BE-ja nuk do të importojë mosmarrëveshje brenda saj, kështu që vendet që mëtojnë integrimin, duhet t’i zgjidhin paraprakisht mosmarrëveshjet, është thënë gjatë prezantimit të Strategjisë së re të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.
Kjo strategji është shpalosur nga Presidenti i Komisioni Evropian, Jean-Claude Juncker, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisioneri për Zgjerim, Johannes Hahn.

“Populli i Ballkanit dhe liderët e këtyre vendeve e kanë bërë një zgjedhje të drejtë, që të jenë pjesë e Bashkimit Evropian. Ne, mund t’ju themi atyre se edhe ne e kemi bërë zgjedhjen e njëjtë, pra u japim perspektivën e qartë evropiane atyre”, ka deklaruar Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Nigel Farage: Hetim për influencën politike të George Soros

Është i nevojshëm një hetim mbi influencën politike të manjatit miliarder George Soros, thotë Nigel Farage.
Prezantuesi në radion LBC u kujdes të vërë në dukje se ai nuk po e akuzonte zotin Soros për kryerjen e aktivitetit të paligjshëm.
Por ai tha se një shikim i kujdesshëm ishte i nevojshem për të parë se sa Fondacioni ‘Shoqëria e hapur’ i themeluar nga zoti Soros ishte “përpjekur të ndryshonte klimën politike” në të gjithë botën perëndimore.

Kjo pasi u bë e njohur se investitori amerikano-hungarez, 87-vjeçar, kishte dhuruar 400 mijë stërlina për fushatën pro BE, më e mira për Britaninë.
Duke shprehur mendimin e tij Nigel tha: “Unë pranoj… se njerëzit e pasur dhe korporatat në të dyja anët e argumentit, kanë plotësisht të drejtë brenda sistemit tonë demokratik të japin para për të mbështetur kauzat e tyre, pasionet e tyre madje edhe interesat e tyre të biznesit.

Argumenti që unë po mbroj është se të gjitha çështjet e konspiracionit, që lidhen me Rusinë nuk kanë prodhuar asgjë pavarësisht hetimit, pyetjeve në Parlament e gjithçkaje tjetër.
Po them se, nëse duhet bërë një hetim, ai duhet të bëhet për të parë se deri në çfarë mase Fondacioni “Shoqëria e hapur” e George Soros është përpjekur të ndryshojë klimën politike, jo vetëm në Britani, por në të gjithë botën perëndimore.
Ky është hetimi që na duhet”.

Qeveria vjedh çdo vit 10 milionë euro nga ilaçet

Cassetti contenenti farmaci all'interno di una farmacia a Roma, in una immagine di archivio. ANSA/VIRGINIA FARNETI

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar vjedhjen që kryen qeveria me listën e ilaçeve të rimbursuara, ku vjedh çdo vit 10 milionë euro nga ilaçet. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari në rrjetin e tij social, i cili thotë se qeveria ka dy vite që nuk publikon listën e ilaçeve të rimbushura dhe vjedh çdo vit nga 10 milionë euro. “10 milionë euro janë gllabëruar dhe po gllabërohen aktualisht nga mungesa e saj dhe nga favorizimi i monopoleve të Edi Ramës, duke ju mbushur xhepat këtyre klientëve të tij”, thotë ndër të tjera qytetari në mesazhin e tij.
Në postimin e tij, Berisha shkruan:“Qeveria nuk publikon listën e ilaçeve të rimbursuara dhe vjedh çdo vit 10 milionë euro në vit nga ilaçet!

Lexoni mesazhin e qytetarit dixhital. Sb
“Me shpresën se do të publikoni skandalin e radhës të kësaj qeverie skandaloze, pasi të tjerët ja kanë futur një gjumi të thellë dimëror kam besim se do ta publikoni këtë si më poshtë. Në kohën tuaj, por edhe në qeveritë e tjera çdo vit është publikuar lista e rimbursimit për pacientët, e cila siç e dini ka dy të mira: 1- I kursen buxhetit të shtetit çdo vit mbi 10 mil euro dhe: 2- Bën të mundur nga ky kursim të futen ilaçe të reja, të cilat janë mungesë për pacientin shqiptar.

Por, çfarë ka ndodhur në të vërtetë: Lista ka dy vite pa u publikuar fare që do të thotë se këto 10 milionë euro janë gllabëruar dhe po gllabërohen aktualisht nga mungesa e saj dhe nga favorizimi i monopoleve të Edi Ramës, duke ju mbushur xhepat këtyre klientëve të tij dhe duke e lënë pacientin shqiptar në mëshirën e fatit. Ky më duket se për të ardhur në pushtet premtoi mjekësinë falas, duke i rrjepur pacientët nëpër spitale private dhe duke e zhvatur buxhetin e taksapaguesve shqiptarë dhe duke e ndarë atë me monopolet që po e grijnë këtë vend. Listën e Rimbursimit për vitin 2017 mund ta verifikoni lehtësisht që nuk e kanë vënë në zbatim, por njëkohësisht edhe për vitin 2018 më duket se e kanë rezervuar për monopolet e tyre. Respekte me besimin te zëri i së vërtetës”, shprehet Berisha.

Kokëdhima: Edhe armiqtë e Shqipërisë nuk do silleshin kështu, si Rama!

Koço Kokëdhima ka reaguar ashpër për projektin e ndërtimit të hidrocentraleve në zonën e kanioneve të Osumit në Skrapar. Në një reagim për mediat ai thotë se, tërheqja verbale e Edi Ramës nga ky projekt nuk mjafton. Kokëdhima kujton se, kjo qeveri ka dhënë leje për HEC dhe në zonën e Valbonës dhe në zonën e Vjosës, të cilat po ashtu janë pasuri e paçmuar turistike.
Në një reagim në Facebook, Kokëdhima u shpreh se, asnjë lloj makutërie për pasurim, nuk e justifikon këtë që po i bën kjo kastë politike pasurive të shqiptarëve.
Ish-miku i Edi Ramës, e cilësoi qeverinë e tij si një bandë mafioze dhe tutkunësh që janë vënë në shërbim të krimit të organizuar.

Kokëdhima e quan poshtërsi faktin që Kryeministri thotë se nuk kishte dijeni se qeveria po ndërtonte HEC-e në Osum.
“Sërish në mënyrë tinëzare dhe fshehurazi, qeveritë e PD-së dhe PS-së tentuan dy hidrocentrale në një nga zonat turistike më të bukura jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Europën. Pas luginës së Valbonës dhe asaj të Vjosës, duart e makutërisë dhe poshtërisë së këtyre qeverive tentuan një tjetër perlë dhe pasuri të rrallë të vendit, “Kanionet e Osumit”. Ata po shkatërrojnë edhe ato pak bukuritë e mbetura natyrore të vendit tonë, që trashëgojmë nga natyra dhe nga Zoti.

Shkatërruan luginat e Valbonës dhe Vjosës; sot u tërhoqën të paktën përkohësisht nga “pushkatimi” i kanioneve më të veçanta në Europë, vendosën të lëshojnë kalatë e mesjetës dhe ato të lashta me koncesion, nuk mbrojtën dot as një urë si ajo e Ali Pashë Tepelenës në Hoshtevë, edhe pse e dinin që do të shembej, po mbjellin inceneratorët e vdekjes kudo, betonizuan…As një lloj makutërie për pasurim, nuk e justifikon këtë që po i bën kjo kastë politike pasurive të shqiptarëve.

ZGJIDHJA e ka denoncuar këtë qeveri të mafiozëve dhe të korrupsionit, të mbushur me tutkunë dhe lakmitarë të pangopur për pasuri, kukulla të krimit të organizuar dhe të oligarkëve të oborrit dhe armike të pashpirta të bukurive natyrore të Shqipërisë. Vetëm ZGJIDHJA do t’u japë fund përfundimisht dhe përgjithmonë këtyre krimeve dhe do të shpëtojë këtë vend nga masakrat mjedisore dhe shkatërrimi i trashëgimisë kulturore e historike.
PS: KM sot falenderoi qytetarët që reaguan dhe Federatën e Raftingut që bënë të mundur mrekullinë duke informuar KM-në për këtë poshtërsi që po ndodhte pa dijeninë e qeverisë së tij!! Edhe armiqtë e Shqipërisë nuk do silleshin kështu.

Alibeaj: Ekspertët konstitucionalistë, analizë mbi zgjedhjen e Arta Markut

Deputeti i PD Enkelejd Alibeaj, duke folur gjate nje mbledhje te Komisionit hetimor, per nisjen e procedurave te shkarkimit nga detyra te nenkryetarit te KLD Kreshnik Spahiu.

Mazhoranca dhe opozita i kanë deleguar ekspertëve ligjorë detyrat mbi ndryshimet kushtetuese të propozuara nga PD, që synojnë largimin e Arta Markut dhe zgjedhjen me konsensus të Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve, opozita ka kërkuar mendimin e ekspertëve mbi kushtetutshmërinë e zgjedhjes së kryeprokurores Arta Marku më 18 dhjetor.

Partia Demokratike i ka kërkuar ekspertëve konstitucionalistë të analizojnë mënyrën se si u zgjodh prokurorja e përkohshme Arta Marku. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve dhe Këshillit për Legjislacionin, deputeti Enkelejd Alibeaj, tha se kryeprokurorja u zgjodh pa veting, ndërsa tha se duhet shqyrtuar procedura parlamentare, a është në linjë me standardet ndërkombëtare.
“Zgjidhja aktuale, pra emërimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm në këtë mënyrë siç ka ndodhur pa vetting, me votat politike të njërës anë, sa e ka potencialin për të ndërhyrë, për të influencuar? Çfarë instrumentash ka në dorë për të diktuar zgjedhjet e 6 anëtarëve që vijnë nga Prokuroria si pjesë e KLP.

Ndërkohë që për mazhorancën, ekspertët duhet të përgjigjen nëse ndryshimet e kërkuara përcaktojnë filtra të tjerë në zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme, përveç atyre të sanksionuara në Kushtetutë.
Për t’iu dhënë përgjigje kërkesave të deputetëve, ekspertëve u është dhënë një javë afat”, është shprehur Alibeaj.

LSI: Vendi po përjeton një regjim diktatorial

Përparim Spahiu, deputet i LSI-së, në studion e Syri.net, e cilësoi si një situatë kaotike dhe të paqartë atë të krijuar pas mënyrës sesi u zgjodh Kryeprokurorja e Përkohshme. “Një prokurore e përgjithshme pa kaluar vetingun, apo prokurorë që s’kanë kaluar vetingun, po tregohen aq të zellshëm, sa druaj se po e çojnë Reformën në Drejtësi drejt dështimit. Është e frikshme, po ndjejmë një situatë diktature, është e pafalshme që çdo kallzim penal që mund të bëjë një ministër çon prapa hekurave cilindo”, tha Spahiu.
Sipas tij, përballë një situate të tillë duhet të ketë një reagim më të fortë dhe duhet të jemi më të qartë përballë kësaj qeverie. “Jemi në proçes diskutimi me partitë e opozitës mbi hapat që do të hedhim, por mendoj se opozita duhet të ketë një reagim më të shpejtë dhe të qartë.

Duhet një sinkronizim i të gjitha protestave, ka një pakënaqësi të madhe të qytetarëve, ndoshta duhet organizuar një protestë më masive se ajo e 27 janarit”, tha Spahiu. Ai akuzoi Ramën për shpërdorim masiv fondesh për fasadat, regres në ekonomi, po krijon një dinasti, ndaj të cilës duhet reaguar.
I pyetur në lidhje me bashkëpunimin mes LSI dhe PD, Spahiu tha se nuk ka një marrëveshje politike, por jemi në një front opozitar kundër kësaj të keqeje që është qeveria Rama. “Nëse zgjedhjet bëhen sot PS nuk merr asnjë bashki dhe këtë e mbështes në pakënaqësitë popullore. PS i fitoi zgjedhjet në 2013 me LSI, po kështu edhe ato të 2015-ës. Në 2017, PS nuk fitoi zgjedhje, i mbushi kutitë dhe grabiti votat”, tha Spahiu.

Euro, tjetër rënie të fortë në tregun vendas

Monedha e përbashkët ka shënuar një rënie të fortë gjatë ditës së djeshme në tregun e brendshëm, duke zbritur afër 133 lekëve. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 133.06 lekë, duke rënë me 0.14 lekë në raport me një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i euros, i arritur gjatë këtij viti në tregun e brendshëm. E fortë ka qenë dhe tkurrja e dollarit, i cili ra me 0.31 lekë, për të arritur në 108.5 lekë.

Faktori i parë që ka ndikuar në rënien e euros lidhet me nënçmimin e tij në bursat ndërkombëtare, ku monedha e përbashkët ka zbritur nga niveli i lartë prej 1.25 lekë, ku arriti dy ditë më parë. Megjithëse euro u forcua ditën e djeshme, ajo po shkon drejt javës më të keqe që nga tetori. Euro u rrit 0.2% gjatë ditës së djeshme, në $1.227, pasi kishte humbur 1.47 për qind përkundrejt dollarit gjatë kësaj jave. Shitja masive e aksioneve në bursa ndikoi në rënien e euros, teksa investitorët filluan të vinin sërish bast për monedhën e gjelbër (dollarin). Pavarësisht rënies së javës së fundit, euro mbetet 2.28 për qind më e lartë sesa dollari në krahasim me fillimin e vitit. Ajo arriti nivelin më të lartë të tre viteve, prej $1.2538 në fund të janarit.

Kursi në Shqipëri

Pavarësisht se euro ka qenë e lartë në bursa në janar, kjo nuk është reflektuar në tregun vendas. Euro është sot 0.18% më e ulët në raportin e këmbimit ndaj lekut, në krahasim me fillimin e këtij viti. Mosrritja e euros, në momentin që ajo ishte e fortë në tregjet ndërkombëtare, u shoqërua dhe me rënien e dollarit në nivelet më të ulëta në katër vite ndaj lekut (dollari zbriti një javë më parë afër 106 lekëve).

Dobësia e euros lidhet me faktorë të tregut të brendshëm. Aktorët e tregut pohojnë se dy janë arsyet kryesore. Së pari, oferta për euro vijon të jetë e lartë. Ndërtuesit kanë raportuar një gjallërim të kërkesës për apartamente javët e fundit, e shoqëruar dhe me rritje të çmimeve të tyre, teksa ato po shiten në euro, duke furnizuar ekonominë me monedhën e përbashkët.
Së dyti, kërkesa për euro mbetet e dobët. Një vit më parë ishte kërkesa e lartë nga kompanitë e huaja që transferuan fitime në janar, që e çoi euron në nivelet e 137 lekëve, ndërsa këtë vit ky efekt ka munguar. Euroja e dobët është pozitive për të gjithë ata që kanë këstet e kredisë në monedhën e përbashkët dhe importuesit. Ndërsa të dëmtuar janë eksportuesit dhe ata që kanë pagat në euro.

 

Kursimet e shqiptarëve me rënien më të madhe historike

Pensioniste duke mbajtur rradhen, per te terhequr shperblimin prej pese mije lekesh, te akorduar nga qeveria me rastin e festave te fundvitit.

Ulja e vazhdueshme e normave të interesit gjatë viteve të fundit ka shkurajuar kursimtarët shqiptarë që të mbajnë depozitat e tyre në banka. Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit dhjetor ishte 1 trilion lekë, duke rënë me 1.3% apo 13 miliardë lekë (gati 100 mln euro) në krahasim me dhjetorin e 2016-s. Kjo është hera e parë që depozitat shënojnë rënie në historinë shqiptare të pas tranzicionit. Performanca më e dobët deri tani ishte shënuar në vitin 2015, me një zgjerim vjetor prej 0.8%.

Rënia më 2017-n ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e uljes së kursimeve në lekë, të cilat u reduktuan me 14 miliardë lekë ose gati 3%. Kategoria me performancën më negative është ajo e depozitave me afat në lekë, që ra me 28 miliardë lekë ose 10%. Ulja e vazhdueshme e normës së interesit bazë nga Banka e Shqipërisë, që nga shtatori i vitit 2011, kur filloi politikën monetare lehtësuese është arsyeja kryesore që ka ndikuar në këtë tendencë. Në përpjekje për të nxitur ekonominë banka tentoi të ulë koston e kredisë, ndërsa efekti tjetër ishte ulja e normave të interesit të depozitave. Aktualisht, kthimi për kursimet vjetore është rreth 1%, që realisht është negativ nëse kemi parasysh që inflacioni është rreth 2%. Në këto kushte, kursimtarët kanë tentuar të gjejnë alternativa të tjera, si letrat me vlerë të qeverisë apo investime jashtë sistemit bankar.

Ndryshe nga leku, kursimet në valutë kanë vijuar të rriten edhe pse interesat nuk kanë qenë të favorshme as për euron. Depozitat në valutë arritën në 527 miliardë lekë në dhjetor 2017, me një rritje të lehtë vjetore me rreth 0.2%, por këtu duhet të kemi parasysh dhe efektin e zhvlerësimit të euros vitet e fundit.
Rënia e depozitave në lekë dhe rritja e atyre në valutë (që në pjesën më të madhe janë euro) ka bërë që pesha e kursimeve në valutë ndaj totalit të arrijë në 53%, me rritje prej 1 pikë përqindje në raport me një vit më parë, niveli më i lartë rekord ky. Kjo rritje vjen teksa Banka e Shqipërisë i ka shpallur hapur luftë euros, me disa masa të prezantuara së fundmi, të cilat synojnë të rrisin koston e përdorimit të euros. Kjo i ka vënë bankat në dilemë se çfarë të bëjnë me këtë nivel të lartë valute, që ato kanë në pasivet e tyre.

Kapja e drejtësisë, ndëshkimi pritet të vijë nga Strasburgu

Seanca e djeshme ishte seanca ku u varros përfundimisht konsensusi kushtetues dhe dispozitat kushtetuese të marrëveshjes së 21 dhe 22 korrikut 2016. Ai konsensus i arritur me aq vështirësi me kontributin e drejtpërdrejtë të zonjës Nuland dhe të komisionerit Han me një rol të jashtëzakonshëm të Komisionit të Venecias, i cili jo vetëm rrëzoi propozimet e vazhdueshme të Partisë Socialiste që synonin kapjen e sistemit të drejtësisë, por dha edhe guidat e padiskutueshme se si duhet të ishte Reforma në Drejtësi. Të gjitha këto u hodhën në kosh në seancën e mbrëmshme. Sigurisht në një proces, i cili ishte korruptuar që kur ligji u ndryshua në mënyrë antikueshtetuese dhe u vendosën filtra që KLP dhe KLGJ janë jashtë Parlamentit në thyerje të marrëveshjes politike dhe të Kushtetutës, të gërmës së Kushtetutës jo vetëm të frymës, nuk kishte si të ndodhte ndryshe që kandidatët që do të dilnin nga ai proces do të ishin të gjithë të kontrolluar nga kryeministri Edi Rama dhe për rrjedhojë objektivi i Edi Ramës ishte që në çdo rast shorti do të prodhonte rezultatin që ai dëshironte. Pra, sa herë do të futësh dorë për të kapur një kandidat, po aq herë do të kapej Edi Rama.

Nuk mundet që qëllimi i kapjes politike të sistemit të drejtësisë të prishte procesin kushtetues dhe rolin kushtetues të Parlamentit dhe është pikërisht ajo që ka ndodhur në këtë proces që u përmbyll dje. Kandidatët që dolën nga ajo listë, mund të bëj një përmbledhje të shkurtër, kemi dy kandidatë të skualifikuar qartazi pa asnjë ekuivok nga ONM-ja. Kemi dy kandidatë, të cilët kanë qenë persona të përfshirë drejtpërdrejt në dënimin e qytetarëve shqiptarë për politikë në periudhën e komunizmit në rolin e gjyqtarit apo të prokurorit. Kemi një kandidat, i cili është përfshirë në 10 vitet e fundit në politikë, në strukturat drejtuese të partive politike, kriter ndalues. Kemi katër kandidatë që nuk plotësojnë kriteret ligjore, rastet janë akumulative, pasi kandidatët kanë më shumë se një kriter ndalues, nuk plotësojnë kriteret ligjore. Kemi kandidatë, të cilët nuk kanë paguar rregullisht detyrimet tatimore ndaj shtetit. Dhe shtatë prej dhjetë kandidatëve të përzgjedhur me këtë short nuk janë të çertifikuar për sa i përket pasurisë, pra nuk iu është bërë VETTING-u. Të mos harrojmë që ka persona, të cilët për shkak të lidhjeve familjare me funksionarë të drejtësisë apo funksione që kanë pasur si këshilltarë në Gjykatën e Lartë etj, duhet të u ishte bërë VETTING-u për në Sistemin e Drejtësisë. Siç e shihni lista e këtyre kandidatëve është e korruptuar dhe ligjërisht kandidatët nuk plotësojnë kriteret ligjore që janë skualifikuese dhe lista është e korruptuar politikisht për sa i përket të gjithë procesit që ka sjellë tek këta kandidatë të selektuar nga Edi Rama.

Vakancat në gjykata, skenari Rama për futjen e drejtësisë në kolaps

– Zoti Bylykbashi, ju deklaroni që dje nuk ka ndodhur votim, sepse mungonte kuorumi i deputetëve, por debati për kuorumin nuk është i ri në Shqipëri. E kemi bërë veçanërisht për zgjedhjet e Presidentit për tre raundet e para, pasi e zgjedhin kreun e shtetit me 84 vota. Nëse kujtohem mirë, Partia Demokratike atëherë ka mbështetur tezën se mjaftojnë 71 për ta quajtur raundin e parë të ezauruar, të dytin, të tretin dhe me radhë… A keni ndryshuar ju qëndrim zoti Bylykbashi në lidhje me kuorumin e votimit që kërkon shumicë të cilësuar?
Ky debat që ju i referoheni është i vitit 2012. Në fakt, Kushtetuta ka një parasikim krejt të veçantë për Presidentin dhe debati nuk ka qenë ekzakt ky. Kushtetuta ka një parashikim të shkruar e zezë mbi të bardhë që votimet quhen të kryhera në rastin e Presidentit kur nuk ka kandidat. Të tre raundet e para të votimit u quajtën të kryera se për asnjë nga raundet e votimit në vitin 2012 nuk pati kandidat. Ky ka qenë debati i asaj kohe.
Që atëherë ka patur jurisprudencë që ka përcaktuar qëndrimin që po flasim sot. Gjykata Kushtetuese ka sqaruar më tej situatën në lidhje me kuorumin, duke interpretuar Kushtetutën dhe në vitin 2013 ju kujtoj se për një dispozitë shumë të ngjashme me Kodin Zgjedhor që përcakton vendimmarrjen me shumicë të cilësuar në KQZ, ku duhen pesë vota për vlefshmërinë e një vendimi të caktuar, mbledhja e KQZ të cilët hetuan dhe nxorën shkeljet e jashtëzakonshme ligjore për manipulimin e votave në Lezhë dhe në Shkodër, u quajtën nul nga Kolegji Zgjedhor, pra, nga Gjykata që interpreton dispozitën, sepse përcaktoi fare qartë vendimmarrjet që janë cilësuar kërkojnë kuorum të cilësuar.
Të njëjtën linjë përcakton, duke filluar nga 2009, Gjykata Kushtetuese, dhe në mënyrë fare të qartë e thotë dispozita kushtetuese. Nuk duhet ngatërruar Presidenti me këtë dispozitë që është zbatuar dje nga Parlamenti. Presidenti ka një rregullim specifik që quan të kryera votimet, kur nuk ka kandidatë dhe kjo është situata që ka ndodhur në 2012, jo ajo që ndodhi në Parlamentin shqiptar.

– Do ta vejë Partia Demokratike në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për votimin që ndodhi mbrëmë në Parlament?
Unë ekspozova antikushtetuetshmërinë e proçesit, nulitetin e proçesit përballë Kushtetutës dhe sigurisht që kjo sjell dy pasoja. Goditshmërinë përpara Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër paligjshmërinë dhe antikushtetuetshmërinë e këtyre funksionarëve që i bën ata vulnerabël nesër përballë proçedurave për shkarkim. Këto nuk i duhen drejtësisë shqiptare. Asaj i duhet soliditet. Ankimi në Gjykatën Kushtetuese ju besoj duhet ta keni parasysh që ajo ka pesë anëtarë nga nëntë që ka në numrin e përgjithshëm. Vetëm pesë anëtarë kanë mandat të plotë.
Një anëtar ka mandat të mbaruar, por që vazhdon të qëndrojë në detyrë. Ju e dini se Gjykata Kushtetuese është bllokuar qëllimisht përgjatë dy viteve të fundit nga mazhoranca, vetëm e vetëm që të mos merrej vendim me pesë vota. Dhe rekordi i vendimeve me katër me tre, por mungesa e votës së pestë e ka rrëzuar është 15 ose 20 vendime të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë disa për Reformën në Drejtësi. Partia Socialiste ka bllokuar të gjitha emërimet në drejtësi, gjatë vitit 2017, vazhdon ta bllokojë gjatë vitit 2018, me justifikimin e vettingut vetëm e vetëm për të bllokuar emërimet në Gjykatën Kushtetuese. Që të plotësohet GJK dhe të vendosë mbi këto shkelje që po ndodhin sot e kësaj dite. Të bllokojë emërimet në drejtësi në mënyrë që të bllokojë zgjedhjen e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nga Parlamenti me shumicë të cilësuar.
Nuk i intereson. Sa kohë ka një këshill të emërimit në drejtësi që i quan të pafavorshme, do të vazhdojë ta bllokojë, në mënyrë që këto organe të sistemit të drejtësisë, të barazvlefshme në rëndësi me KLGJ dhe KLP, të mos ngrihen, sepse nuk i leverdis Edi Ramës. Ne do të gjykojmë me kujdes të gjitha rrethanat. Proçesi i djeshëm ishte nul, nuk ka anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së nga Parlamenti, sipas Kushtetutës dhe e vetmja zgjidhje është rikthimi tek dispozitat kushtetuese. Partia Demokratike ndërkohë ka paraqitur zgjidhjen, duke shfuqizuar nëpërmjet amendamenteve të propozuara për shfuqizimin e këtyre filtrave antikushtetuese.
Sa më shumë vonohet, me çfarëdo rrahje shpatullash, aq më keq do të jetë për sistemin e drejtësisë. Shqiptarëve nuk i duhet kush janë qeveritarët e sistemit të drejtësisë, i duhet drejtësia e thjeshtë, e shpejtë, efikase dhe e pakorruptuar. Kjo gjë nuk ka ndodhur ende dhe do shumë kohë që të ndodhë. Edi Ramës i intereson të mbrohet ai vetë, Saimir Tahiri dhe i gjithë enturazhi i tij i korruptuar dhe i kriminalizuar që të mos shkojnë përpara drejtësisë.

– Në cilin vendim i referohet kuorumit Gjykata Kushtetuese konkretisht për rastin e votimeve me shumicë të cilësuar. Ju përmendët 29/2009, por cili është konkretisht intepretimi?
Është një vendim për deputetin Ilir Beqja në vitin 2011, në mënyrë specifike, ata interpretojnë që minimumi i kuorumit është 71 për seancat normale, me përjashtim kur kërkohet shumicë e posaçshme. Këtë shpreh Gjykata Kushtetuese në këtë vendimmarrje të saj. Ju përmenda edhe rastin e Kolegjit Zgjedhor, por ju kujtoj faktin që Gjykata e Kosovës anuloi zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pikërisht për këtë arsye, sepse në seancën e zgjedhjes Presidenti i Kosovës i asaj kohe u zgjodh pa kuorumin e kërkuar nga Kushtetuta që duhej të ishte në përputhje me shumicën e cilësuar, pra jo vetëm jurisprudenca shqiptare, por edhe jurisprudenca kushtetuese e krahasuar çon në këtë konkluzion. Çdo ngatërresë me rastin e Presidentit është e pabazë dhe e pavënd për një arsye shumë të thjeshtë. Presidenti ka rregullim specifik, që përjashton bllokimin.

– A jeni për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese pasi Presidenti shpalli vakancat. Kemi KLD pa veting dhe a mund t’i zgjedhim dhe gjyqyarët kushtetues pa vetting?
Reforma në Drejtësi nuk mund të ngatërrojë këmbët e veta. Nuk mundet që institucionet e përcaktuara të drejtësisë të pengojnë njëra-tjetrën. Nëse tani kemi një sistem të shpërbërë të drejtësisë, sistemin e vjetër, boshllëku nuk mund të qëndrojë pa fund. Cenohen të drejtat e shqiptarëve, të pronësisë e të tjera shumë të rëndësishme për ta, cenohen të drejta të personave, të cilët mund të jenë të dënuar në mënyrë të padrejtë, pra jo vetëm interesa të partive politike. Gjykata Kushtetuese sot është në kolaps.
Mjafton vetëm kjo që po ndodh, e vënë në dukje edhe nga Gjykata Kushtetuese, që shqiptarët të mos merren më me drejtësinë shqiptare dhe t’i drejtohen drejtpërdrejtë Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Dhe kjo është e rëndë që Shqipëria të marrë një tjetër dënim nga Strasburgu për mosmbrojtje të të drejtave të qytetarëve të saj.
Presidenti i Republikës ka bërë lëvizjen më të fundit në kompetencë të tij. Sigurisht që mazhoranca do të përpiqet të pengojë në plotësimin e vendeve bosh në Gjykatë Kushtetues, do të përpiqet që të pengojë edhe Gjykatën e Lartë të plotësohet. Ju e dini se sot Gjykata e Lartë është në një situatë dramatike për sa i përket anëtarëve. Do të pengohet ngritja e Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Në qoftë se Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë janë organet që bëjnë disiplinimin e gjyqtarëve, nuk është vetëm vetingu. Vetingu nuk mund të jetë si Fronti Demokratik ku të gjithë ankohen, por askush nuk shkon në gjykatë. Trupat që do disiplinojnë gjyqtarët janë Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe për prokurorët është Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Por ama, nëse nuk ngrihet edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë sistemi bie në kolaps. Këtë kërkon sot Partia Socialiste. Nxitimi nuk mund të jetë vetëm për ata që do të zgjedhë Edi Rama. 5 jo gjyqtarët dhe 5 jo prokurorët e KLGJ-së janë vetëm pjesa më e vogël e dy trupave. Nxitim i Reformës në Drejtësi nuk mund të jetë heqja e dëshmitarit kyç Nazer Seitaj për ta hequr nga hetimi në Shqipëri. Ndërkohë po me nxitim sillen dispozita për ta mbrojtur Saimir Tahirin dhe të ngjashëm me rregulloren e Parlamentit. Jo!
Reforma në Drejtësi do të thotë ngritje e SPAK-ut tani dhe jo ngritje e SPAK-ut provizor të Edi Ramës me memorandum bashkëpunimi midis ministrit të Brendshëm dhe prokurores provizore.

– Zoti Bylykbashi ju flisni për një proces antikushtetues dhe antiligjor për përzgjedhjen e anëtarëve të KLGJ-së dhe KLP-së, por mbrëmë pati një reagim nga ambasadori amerikan ku në një farë mënyre bekoi këtë proces, duke thënë se politikanët nga të dyja palët kanë frikë nga Reforma në Drejtësi dhe ai është më i prirur për të besuar një përzgjedhje rastësore sesa një përzgjedhje nga politikanët shqiptarë. A është Partia Demokratike ajo që ka frikë nga Reforma në Drejtësi?
Unë nuk komentoj deklarata të diplomatëve. Ajo që duhet të bëjë unë dhe kushdo tjetër, profesionistë, politikanë apo kushdo është të lexojë të zezë mbi të bardhë, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe asgjë tjetër. Asgjë tjetër nuk ka ndikim mbi vendimmarrjen e organeve kushtetuese shqiptare.
Unë e kam orën më të lirë sesa makina e kryeministrit dhe për rrjedhojë si unë shumica e kolegëve të mi në Partinë Demokratike nuk kemi frikë nga Reforma në Drejtësi.
Këtu jemi, Reforma në Drejtësi të bëjë punën e saj. Ata që duhet të kenë frikë janë ministrat si Saimir Tahiri, ministra të tjerë të korruptuar, kryetarë bashkish dhe Edi Rama që i mban ata. Ky është sikleti e për rrjedhojë, nëse ne do ta bazojmë Reformën në Drejtësi në Kushtetutë dhe jo në memorandume bashkëpunimi dhe çdo lloj forme tjetër. Vetëm atëherë do të kemi drejtësi për shqiptarët, të korruptuarit dhe kriminelët në burg dhe do të na pranojë Bashkimi Europian. Çdo formë tjetër e improvizuar nuk ka vend në shtetin e së drejtës në Kushtetutën shqiptare. Ne nuk e bazojmë drejtësinë tek precedentët. Ne e bazojmë në germën e shkruar të Kushtetutës.
Procesi është nul, lista nuk ekziston

– Ju thatë që një nga kandidatët ka lidhje familjare me kryebashkiakun e Tiranës. Mund të na flisni më shumë për këtë lidhje?
Më tepër se kaq nuk mund të vë në dispozicion. Këto janë informacione të sjella pranë Partisë Demokratike. Mbetet për t’u investiguar. Ajo që është e rëndësishme është që këta kandidatë janë lënë të filtrohen në mënyrë prioritare për të ardhur deri tek kjo listë. Kandidatë të tjerë, të cilët nuk kishin prirjen që i duhesh Edi Ramës kryeministër për të njëjtat kushte janë s’kualifikuar nga filtrat para parlamentare apo nga Sekretari i Përgjithshëm.
Kandidatë, të cilët i ka thënë ONM-ja jo, por i duheshin Edi Ramës kanë kaluar dhe shorti i përzgjodhi. Me procesin që përmbylli dje Edi Rama, edhe ONM-ja u hodh në koshin e plehrave.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit sot ka një vlerë shumë të zvogëluar në raport me atë që kemi parashikuar në Kushtetutë ne sot. E për rrjedhojë, pasojë do të jetë edhe mbi procesin e vetingut. Kur ONM-ja të identifikojë personat e korruptuar në gjyqësorin shqiptar, të bëjë rekomandim negativ për ta, por ata i duhen Edi Ramës, ju siguroj që ata do të kalojnë të gjithë procesin e vetingut.

– Ju theksuat se lista e miratuar dje është nul, ndërkohë që PD ka një vendim për ta rinisur edhe një herë procesin, në qoftë se po nga cila pikë?
Partia Demokratike ka bërë veprimet themelore në procesin e Reformës në Drejtësi, ka dhënë konsensusin për Kushtetutën me datë 22 korrik. Që do të thotë, parashikoi një proces, i cili do të ishte i pastër dhe në përputhje me Komisionin e Venecias, ku kandidatë të ligjshëm do të kishin mundësinë të përzgjidheshin nga një trupë parlamentar.
Dhe nëse kandidatët e ligjshëm nuk do të përzgjidheshin me një konsensus politik, këta kandidatë të ligjshëm do të përzgjidheshin shumë mirë edhe me short. Por ne kemi një proces antikushtetues, kemi kandidatë të paligjshëm e për rrjedhojë, shorti nuk mund të përzgjedhë asgjë tjetër përveç paligjshmërisë.
Një ekspert amerikan, nga më të mirët në fushën dhe doktorinën e të drejtës, kryesisht asaj zgjedhore në vitin 2003, në rastin kur Shqipëria kërkonte të zgjidhte anëtarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në atë kohë organ kushtetues me short, u shpreh: “Shorti nuk sjell asnjë garanci që sjell kandidatët më të mirë dhe më profesionistë për një organ kushtetues”.
Pavarësisht kësaj, ne të gjithë ramë dakord, opozita dha konsensusin për mekanizmin zhbllokues. Por ajo që duhet të kuptohet është: Mekanizëm zhbllokues me kandidatë të ligjshëm në një proces kushtetues. Dje, ne kishim kandidatë të paligjshëm, një proces antikushtetues, për rrjedhojë nul dhe për rrjedhojë lista sot nuk ekziston.

Nga gjyqtarë të komunizmit tek familjarët e Veliajt, lista me emrat skandalozë të Ramës për KLGJ/KLP

Në mënyrë specifike do ju parashtroj disa prej rasteve më të rënda: Fatmira Luli, gjyqtare në periudhën e komunizmit. Ka dënuar me dënime politike deri para rënies së komunizmit dhe një nga vendimet e fundit është një dënim i datës 20 prill 1991 të një qytetari të Tiranës vetëm pse ka marrë pjesë në protestën e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës më 20 shkurt 1991. Nuriha Sehiti prokurore që ka marrë pjesë rregullisht në gjyqe politike, duke kërkuar rregullisht dënime të ashpra për qytetarët për agjitacion dhe propagandë apo për të tradhëti të lartë ndaj atdheut për shkak se kanë kapërcyer kufin për t’u arratisur nga Shqipëria komuniste e asaj kohe. Kandidati Gent Ibrahimi, pavarësisht rekordit profesional, në mënyrë specifike ONM-ja konstaton faktin që kandidati nuk përmbush kushtin e periudhës 5-vjeçare si pedagog në Shkollën e Magjistraturës i jashtëm ose i brendshëm, ONM me tagër të drejtpërdrejtë kushtetues e skualifikon si në mospërputhje me kriteret ligjore.
Kandati Alfred Balla gjithashtu është skualifikuar nga ONM jo vetëm për mospëmbushje të periudhës së kërkuar nga ligji në Shoqërinë Civile, pra 5 vite kontribut në Shoqërinë Civile, por në mënyrë specifike ONM shprehet se, “Ka paraqitur si platformë konkurimi indikisht platformën e një kandidati tjetër të skualifikuar, Plarent Ndrecës, ky akt përbën një mospërmbushje të kritereve morale nga ana e kandidatit”.

Kandidatja Naurela Llagami, është konstatuar nga institucionet gjatë procesit se nuk plotëson kushtet për sa i përket afatit në eksperiencën profesionale, jo vetëm në konflikt interesi me institucionet përzgjedhëse (kontrata pune me subjektet vendimmarrëse në komisionet, të cila e kanë përzgjedhur si kandidate), nuk e vërteton me dokumenta që ka qenë pjesë e Shoqërisë Civile, sepse në të njëjtën kohë ka qenë këshilltare në Gjykatën e Lartë dhe e ka pasur të ndaluar të ishte e punësuar në komisionet e tjera. Gjithashtu, rezulton të ketë qenë në marrëdhënie partneriteti me familjarë të kryebashkiakut të Tiranës. Kjo tregon qartë edhe preferencën politike. Kandidatë të tjerë si rasti në fjalë janë skualifikuar për të njëjtat kushtet që janë identifikuar në këtë rast, por kjo ka kaluar, ndërsa të tjerët janë skualifikuar nga filtrat.
Kandidati Maksim Çoku, pedagog i së drejtës, por bie në komision nga anëtarët e opozitës, është idenfikuar fakti që ka qenë në organet drejtuese të partive politike në 10-vjeçarin e fundit e për rrjedhojë përplaset me këtë kriter ligjor.

Ju përmenda disa prej rasteve që jo vetëm korruptojnë listat që i janë paraqitur Kuvendit për votim, sepse nuk janë në përputhje me kriteret ligjore. Jo vetem kemi situatën antikushtetuese se si kanë ardhur, por ajo që është më e rëndësishme, duhet thënë dhe diçka tjetër, përtej faktit që sa herë ne do të përzgjedhim kandidatët e Edi Ramës shorti është i paligjshëm, por mbi të gjitha dje nuk ka ndodhur proces votimi në Parlamentin e Shqipërisë. Kushtetuta kërkon që Kuvendi të votojë me 94 vota, dhe nëse nuk arrihet një rezultat pozitiv për listën, që do të thotë lista rrëzohet, në raundin e tretë listat të dala nga shorti quhen të emëruar. Dje, nuk ka ndodhur proces votomi, nuk jemi përpara një rezultati ku rrëzohet lista. Porcesi i votimit është nul për një fakt të thjeshtë kushtetues. Neni 78 i Kushtetutës përcakton: Kuvendi vendos me shumicën e votave në prani të më shumë se gjysmës së gjithë anëtarëve të tij përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon një shumicë të cilësuar në rastin konkret, Kushtetuta parashikon 94 vota bazuar në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese shqiptare, në jurisprudencën e Kolegjit Zgjedhor dhe juriprudencën kushtetuese të vendeve të tjera përfshirë Kosovën.

Kuorumi i nevojshëm i pjesëmarrjes së deputetëve në procesin e votimit duhet të jetë së paku sa numri i votave të kërkuara për miratimin e një akti të caktuar. Për rrjedhojë, duke qenë se në sallë dje në procesin e votimit ishin vetëm 73 deputetë dhe kërkoheshin 94 prezent, pavarësisht preferencës për listën, procesi i votimit është nul, nuk ka votim e për rrjedhojë nuk mund të hyjë në funksion dispozita automatike për emërimin e kandidatëve.
Opozita nuk mund të merrte pjesë në një farsë antikushtetuese që u inskenua në Parlamentin shqiptar në këtë periudhë. E për rrjedhojë, nuk mund të bëhesh pjesë e atij procesi. Është detyrimi i mazhorancës që të ulesh të kërkonte zgjidhjet kushtetuese dhe politike në mënyrë që të kishim një proces siç u projektua në datën 21 korrik 2016. Tentativa e Edi Ramës për ta kapur me çfarëdo lloj mbështjetje dhe çdo lloj përpjekje nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka rrënuar procesin. Për rrjedhojë, lista e djeshme është nul, procesi i djeshëm është nul dhe nuk ka asnjë emërim automatik.

Nëse do të konsituoheshe në të ardhmen KLGJ ose KLP me këta 5 anëtarë në secilën trupë do të rrënonin legjitimitetin kushtetues të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorisë, e për rrjedhojë do të bënim nul vendimmarrjet e këtyre organeve qeverisëse të sistemit të drejtësisë. Këtë thotë Kushtetuta, shteti i së drejtës në Shqipëri bazohet mbi Kushtetutën e shkruar. Nuk bazohet as në memo as në memorandume bashkëpunimi midis institucioneve. E vetmja gjë që kërkon Kushtetuta është që çdo veprim i institucioneve të bashkohet në Kushtetutë dhe në ligj e për rrjedhojë, çdo shtytje më tej në këtë rrugë antikushtetuese nuk do të bëjë gje tjetër, veçse jo vetëm do të cënojë këto institucione, por do të vonojë më shumë Reformën në Drejtësi. Edi Ramës i intereson Reforma në Drejtësi që të kapë sistemin e drejtësisë, opozitës i intereson “Reforma në Drejtësi” siç e përcakton Kushtetuta dhe Komisioni i Venecias.