16.5 C
Tirana
E martë, 2 Shtator, 2025

FMN: Shqipëria, me infrastrukturën më të dobët në Ballkan

Vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten dukshëm larg standardeve që ofron Bashkimi Europian lidhur me infrastrukturën. Nuk bëhet fjalë për një autostradë apo një aeroport më tepër, por është një kombinim i disa aspekteve që e reflekton këtë pikë të dobët të rajonit ku listën e mbyll Shqipëria. Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të titulluar “Infrastruktura Publike në Ballkanin Perëndimor, mundësitë dhe sfidat” ka nënvizuar se, indeksi agregat i komponentëve individuale të infrastrukturës publike rezulton 50 për qind më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian dhe ndikon direkt tek investimet e huaja direkte. Në bazë të vlerësimit të indeksit është kombinimi për autostradat, hekurudhat, aeroportet, energjinë, internetin me bazë të gjerë dhe telefoninë.

“Pa shumë surprizë, indeksi agregat konfirmon hendeqet e mëdha të rajonit. Indeksi agregat i komponentëve individualë të infrastrukturës publike sugjeron se zhvillimi mesatar i infrastrukturës në Ballkanin Perëndimor është rreth 50 për qind më i ulët se mesatarja e BE-së, duke nisur nga 30 për qind më i ulët në Serbi në gati 70 për qind më i ulët në Shqipëri. Kjo me shumë gjasa limiton integrimin e thelluar rajonal, pengon vendet e Ballkanit Perëndimor nga përfitimi më i madh i ekonomisë së shkallës dhe zbeh atraksionin ndaj tyre si destinacione për Investimet e Huaja Direkte”, thuhet në raport.

Në anën tjetër edhe kur krahasimin e bën me vende më të ngjashme në historik me Shqipërinë apo vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, FMN vëren se hendeku është sërish i madh. “Vendet e Ballkanit Perëndimor janë larg edhe me zhvillimet dinamike rajonale të vendeve të ngjashme që ja kanë dalë të shfrytëzojnë integrimin në zinxhirët evropianë të furnizimit. Padyshim disa vende të Europës Qendrore dhe Lindore kanë infrastrukturë të paktën bazuar në treguesit sasiorë dhe janë të krahasueshme me ato në ekonomi të avancuara si Gjermania, Franca dhe Spanja.

Por në vendet e Europës Juglindore pjesë e BE dhe vendet Balltike shfaqen gjithashtu me një infrastrukturë më të zgjeruar sesa Ballkani Perëndimor që kanë një hendek të njëjtë me ato të Komunitetit të Shteteve të Pavarura (konfederatë me 9 shtete, ish-Bashkimi Sovjetik)”, vlerëson raporti.

Rekomandimet e FMN-së, larg PPP-ve

Mbyllja e hendekut të infrastrukturës publike do të ndihmojë rajonin të arrijë standardet e jetesës në Evropën Perëndimore. Por nga do të vijnë paratë? Rritja e financimit do të jetë e nevojshme si nga burimet vendore dhe ato të huaja. Një plan i mirë për planifikimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve publike është gjithashtu një domosdoshmëri. Konvergjenca e të ardhurave drejt niveleve të BE-së është ngadalësuar ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor që nga kriza globale financiare. Zhvillimi ekonomik i rajonit po ecën ngadalë. Nëse vendet do të mbyllin hendekun në standardet e jetesës me BE-në, ata do të duhet të gjejnë një mënyrë për të ri-aktivizuar rritjen ekonomike.

Kur qeveria ka në plan që të ndërtojë disa akse rrugore në formën e partneritetit publik privat, në kuadër të projektit One Billion, Fondi Monetar Ndërkombëtar, u rekomandon vendeve të Ballkanit Perëndimor një rrugë komplet tjetër për sigurimin e financimit për ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Forcimi i kapaciteteve planifikuese, mospolitizimi i projekteve, bashkëpunimi rajonal dhe tërheqja e donacioneve, sigurimi i financimeve të jashtme, zgjerimi i bazës së taksapaguesve, dhe mosrrezikimi i stabilitetit makroekonomik janë disa prej tyre. Përdorimi i projekteve të partneritetit publik privat nuk rekomandohet fare nga FMN.

Veçanërisht në vendet me borxh të lartë publik (ku bën pjesë dhe Shqipëria), FMN rekomandon që të sigurohet financim i jashtëm dhe të punohet me donatorët, ndërsa financimi i brendshëm duhet të përdoret për të nxitur sektorin privat. Vendet nuk duhet të rrezikojnë stabilitetin e tyre të përgjithshëm makroekonomik nga projektet infrastrukturore publike të ekzagjeruara ose të dobëta, rekomandon FMN.

Inteligjenca amerikane

Geopolitcius

Kur flasim për inteligjencë duhen marrë në konsideratë ndërthurjet institucionale të aktiviteteve të inteligjencës, si shërbimet e sigurisë, shërbimet sekrete dhe shërbimet speciale. Ato aparate të shtetit që zhvillojnë në zyra qeveritare apo në institute të veçanta të destinuara për këtë qëllim, aktivitete informative dhe operative me mjete jo konvencionale dhe jo të zakonshme për administrata të tjera. Legjitimimi i këtyre veprimeve vjen për më tepër në funksion të qëllimit të tyre, domethënë të sigurisë së shtetit. Një gjë e tillë shkëputet pastërtisht nga rregullat normale, për të cilat administratat e zakonshme, në një shtet të së drejtës, duhet t’i përgjigjen parimit të ligjshmërisë. Kurse në botën e inteligjencës “legjitimiteti i qëllimeve” mbizotëron mbi “legjitimitetin e mjeteve”. Natyrisht, është mjaft e qartë se kjo dikotomi e prerë midis “legjitimitetit të qëllimeve” dhe “legjitimitetit të mjeteve”. Por, në mbrojtje të interesave më të larta të shtetit, rezulton e nevojshme që të veprohet në kontrast të dukshëm me ligjshmërinë formale. Në fakt, mendohet se agjencive të inteligjencës u janë ngarkuar detyra që të mbrojnë interesat jetike të shtetit nga një seri kërcënimesh që për nga vetë origjina e tyre janë klandestine dhe okulte. Kështu, aktivitetet kundërshtuese duhet të jenë njëlloj të okultuara, po të jetë e nevojshme. Për ta bërë një gjë të tillë shpesh kalohet kufiri i ligjshmërisë. Le të mendojmë për shembull për mbledhjen klandestine të informacioneve, që konsiderohet shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Për këtë motiv është rregull i përgjithshëm, jo i shkruar, për shërbimet e inteligjencës e thuajse të gjithë shteteve perëndimore, qënia ngurtësisht të ndarë nga organizmat e policisë, duke qenë drejtpërsëdrejti nën drejtimin e ekzekutivit.

Për t’i kuptuar funksionimin duhet hyrë në hollësi, në organizimin e shërbimeve inteligjente të vendeve kryesore perëndimore. Duhet nënvizuar një ndarje e parë e përgjithshme në bazë të metodës organizative midis vendeve të Aleancës Atlantike, me përjashtim të Spanjës e Italisë, por e vlefshme për Australinë, Zelandën e Re e Zvicrën, dhe ato të ish-Traktatit të Varshavës. Metoda e parë në fjalë, e përdorur nga vendet atlantike, është e ashtuquajtura “binare”, që i jep preferencë ndarjes së organizmave kompetente për të zhvilluar aktivitete inteligjence në dy grupe: ato që operojnë jashtë vendit dhe ato që operojnë brenda tij, përgjithësisht për operacione kundërspiunazhi dhe sigurie. Sipas këtij sistemi binar, është i pranishëm një shërbim kompetent për jashtë – si CIA në Shtetet e Bashkuara, MI6 në Mbretërinë e Bashkuar, BND-ja në Gjermani, DGSE-ja në Francë, vetëm për të dhënë ndonjë shembull – dhe një shërbim përgjegjës për aksionet e nevojshme brenda. Një shembull klasik është FBI-ja në Shtetet e Bashkuara apo britanikja MI5. Në kundërvënie me modelin binar, është i ashtuquajturi sistem “unitar” që parashikon një shërbim unik informacioni dhe sigurie kompetent si në çështjet e jashtme, ashtu edhe në ato të brendshme, siç ishte e famshmja KGB. Përgjithësisht është sistemi i preferuar nga vendet e ish- Bashkimit Sovjetik dhe ai i atyre që ishin pjesë e ish-Traktatit të Varshavës. Megjithatë, edhe vendet e ish-bllokut sovjetik dora-dorës po adoptojnë sistemin “binar”, duke e braktisur kështu atë unitar.

Inteligjenca amerikane
Në futjen në hollësi të organizimit të sistemit të inteligjencës amerikane, është e detyrueshme të nënvizohet se është ndër më të zhvilluarit dhe teknologjikisht më të avancuarit e botës, përveçse një prej më të famshmëve si prej meritave të shumta, ashtu dhe të po aq demeritave të shumta. Ai amerikan është një kolos i vërtetë në aspektin e inteligjencës botërore, me një komunitet që përfshin nja 100 midis enteve, departamenteve dhe zyrave që merren institucionalisht me inteligjencë. Por ngjarjet e trishtuara të 11 shtatorit 2001 i kanë zbuluar botës se sado e madhe mund të jetë struktura e inteligjencës, është e mjaftueshme një e çarë në sistem, edhe më e vogla, për ta bërë që të shembet në mënyrë të zhurmshme. Megjithatë, është e pamohueshme që komuniteti i inteligjencës amerikane është ndër më të plotët në skenarin botëror. Ai është tërësia e agjencive federale e zyrave dhe e organizatave që e kanë kreun në Ekzekutiv dhe që kryejnë aktivitete informative dhe kundërinformative specifike në të gjitha sektorët e inteligjencës kombëtare, duke bashkëpunuar midis tyre modalitetet dhe objektivat e fiksuara në Executive Order 123331 – 2 dhe duke bashkuar në fakt tërësinë e agjencive federale e duke përfshirë në këtë mënyrë të gjithë harkun e impenjimit kombëtar amerikan në sektorin e inteligjencës.
Zyrtarisht, komuniteti përfshin 17 organizata midis agjencive, departamenteve dhe zyrave. 8 prej tyre varen drejtpërsëdrejti nga Ministria e Mbrojtjes (DOD) dhe janë:

• DIA, Agjencia për Inteligjencën e Mbrojtjes,
• NSA, Agjencia për Sigurinë Kombëtare,
• NIMA, Agjencia Kombëtare për Imazherinë dhe Hartografinë,
• NRO, Zyra Kombëtare për Rikonjicionin,
• Air Force Intelligence, Inteligjenca e Forcës Ajrore,
• Navy Intelligence, Inteligjenca e Marinës,
• Army Intelligence, Inteligjenca e Forcave Tokësore dhe
• USMCI, Inteligjenca e Trupës së Marinsave.

Këtyre u bashkangjiten 5 që nuk i përkasin DOD-së, domethënë që e kanë drejtimin në ministri të ndryshme nga ajo e Mbrojtjes, si Departamenti i Shtetit, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Thesarit, Zyra Federale e Investigimit dhe Departamenti i Sigurisë së Brendshme. E shkëputur nga strukturat e tjera dhe krejtësisht e pavarur, Central Intelligence Agency ose CIA. Kjo e fundit është sigurisht më e lidhura, në mos më e rëndësishmja, në brendësi të komunitetit të inteligjencës. Mjafton të mendosh se, drejtori i CIA-s është njëkohësisht drejtor i Komunitetit të Inteligjencës dhe është i informuar në mënyrë konstante nga të gjithë anëtarët e tjerë të komunitetit. Për më tepër, vetëm CIA, DIA, NSA, NRO dhe NIMA konsiderohen me titull të plotë pjesë e Komunitetit të Inteligjencës, pasi inteligjenca është interesi i tyre parësor. Kurse organizatat e tjera kanë vetëm një sektor të rezervuar të inteligjencës dhe është si sektor specifik që është pjesë e Komunitetit të Inteligjencës. Për shembull, US Navy ka një zyrë inteligjence detare anëtare të Komunitetit të Inteligjencës, kurse pjesa tjetër e Marinës Ushtarake mbështet Departamentin e Mbrojtjes në tipologji të tjera misioni.

Historikisht, në konfrontimin me botën e re multipolare, prej përvojës së mëparshme bipolare, Komuniteti i Inteligjencës amerikane fillimisht është kushtëzuar nga një sfidë të vazhdueshme me rivalin sovjetik, e përqendruar sidomos në konfrontimin politik ushtarak. Viti 1989 me ndryshimin e shpejtë dhe radikal të skenarit botëror, ka përcaktuar një rishkrim të plotë të funksioneve të shërbimeve amerikane, që u ndjenë të detyruara të bëjnë një rikonvertim rrënjësor të të gjithë aparatit teknologjik dhe njerëzor. Në mënyrë të veçantë CIA dhe NSA e kanë orientuar strukturën e tyre të fuqishme drejt spiunazhit ekonomik, sektor në të cilin vetë Shtetet e Bashkuara qenë bërë subjekt pasiv i aktiviteteve ofensive kërkimore të Francës, Gjermanisë, Japonisë, Koresë së Jugut, Kinës dhe Izraelit. Një ndryshim i tillë u nxit fort nga vetë administrata amerikane, sidomos gjatë presidencës Clinton. Tendenca e re e imponuar nga Shtëpia e Bardhë ishte të mbështetej aktiviteti i industrisë amerikane. Në fakt, Zyra e Shkencës dhe e Teknologjisë deklaronte në një studim të përgatitur kinse për Presidentin se vlerësimi i dëmit të shkaktuar nga spiunazhi teknologjik dhe industrial i kryer kundër Shteteve të Bashkuara shkonte në pothuajse 100 miliardë dollarë. Veç të tjerash, për hir të së vërtetës, qysh në vitin 1971, një memorandum i Presidentit Nixon, në “presidencë perandorake” të plotë, kishte përcaktuar hyrjën në “Intelligence Community” e Departamentit të Thesarit, me qëllim koordinimin e përpjkejeve informative me nevojat e politikës ekonomike dhe financiare amerikane.

Duhet përmendur situata e veçantë historike e momentit, dollari në vështirësi, zhvlerësimi i tij dhe, për pasojë, braktisja e barazisë së arit, pikërisht prej nevojës për t’i çliruar Shtetet e Bashkuara nga ajo barrë e rëndë (që do t’i persekutonte deri në presidencën Reagan) e borxhit publik dhe e vështirësive në eksportime. Megjithatë, qysh nga viti 1992, për t’i përmbushur në mënyrë optimale detyrat e reja të saj, CIA ka nisur që të krijojë një degë të caktuar specifikisht për sektorin: Strategic and Business Group, qëllimi i të cilit ishte që të mbështeste nga pikëpamja informative politikën e jashtme e dëshiruar nga administrata, të kontrollonte sektorët teknologjikë me interes për sigurinë kombëtare dhe, në bashkëpunim me FBI-në, të ushtronte kundërspiunazhin ekonomik, përveç se të ruante kompanitë nga infiltrimi kundërshtar. Aktiviteti jashtë vendit përkthehet në kontrollin e funksionarëve të kompanive që kanë fituar tendera për qeverinë federale, në mënyrë që të shmangen rreziqe eventuale korrupsioni.
Kështu, përveç aktivitetit të CIA-s, të FBI-së dhe të NSA-së, aktive me operacionet e spiunazhit elektronik i të cilit sistemi Echelon është pjesë përbërëse, vepron Office of Intelligence Support e Departamentit të Thesarit, e konceptuar që të prodhojë situata informative për drejtuesit e sistemit ekonomik e financiar federal. Në mbështetje të aktivitetit institucional janë agjencitë private të inteligjencës që përbëjnë kompleksin e njësive informative të dëshiruara nga vetë bizneset e mëdha, për të kundërshtuar rivalët amerikanë dhe të huaj qysh nga vitet ‘50. Megjithatë, nga pikëpamja kulturore, establishmenti amerikan është mosbesues ndaj mbështetjes së kompanive private nga ana e inteligjencës ekonomike. Në fakt ekziston një armiqësi e thellë kundrejt ndërhyrjes publike dhe federale në ekonomi, sidomos për sa i përket sektorit privat.

Nga ana tjetër, tendenca politike amerikane është që t’i reduktojë në minimum mundësitë e një ndërhyrjeje publike në privat. Patjetër që është më e lehtë e kundërta. Nuk janë të pamundura presionet ndaj administratës federale nga ana e lobeve shumë të fuqishme, në gjendje që të drejtojnë aktivitetin informativ zyrtar në favor të komponenteve të ndryshme të grupit të veçantë të interesuar. Ky fakt rezulton vendimtar për individualizimin e efikasitetit relativ të sistemit informativ ekonomik, pasi prej numrit të pafundëm të mjeteve, teknologjive dhe financimeve, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë në pararojë të sektorit, por në fakt ky efikasitet rezulton inferior dhe bile më shumë, me atë çka vende si Japonia e Franca, duke pasur në dispozicion struktura të kolauduara prej vitesh dhe të mirëintegruara në jetën ekonomike, janë në gjendje që të sigurojnë. Ky është një prej elementëve themelorë që mund të ndajnë në multipolarizëm sferat e influencës (më shumë se në unipolarizëm).
Kurse për sa u përket problematikave të mbetura të multipolarizmit, Shtetet e Bashkuara, prej mbulimit global të agjencive të tyre të inteligjencës dhe mundësisë për ndërhyrje planetare, janë në hap me përballimin e sfidave të tilla si luftëra informatike, përplasje etnike, neoterrorizëm apo proliferim të armëve të shkatërrimit në masë. Duke qenë vetë Shtetet e Bashkuara një objektiv “shpërblyes”, e gjithë struktura e sigurisë kombëtare është orientuar nga mbrojtja e interesave kombëtare, me kapacitete specifike, nga ana e FBI-së, në sektorin baktereologjik, dhe të Departamentit të Energjisë, me ekipin e ndërhyrjes për emergjencat bërthamore (NEST – Nuclear Emergency Security Team).

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Si do të jetë Rusia pa Putinin

Michael Dworman

Kur rusët t’i drejtohen qendrave të votimit në mars, rezultati është mëse i sigurt: Vladimir Putin do të jetë presidenti i Rusisë. Që kur u ngjit në pushtet, Putini dhe partia e tij e Rusisë së Bashkuar e kanë drejtuar vendin përmes zgjedhjeve të përdorura vetëm si fasadë për të mbajtur imazin e një vendi demokratik. Zgjedhjet e marsit premtojnë të njëjtën gjë, vetëm se këtë radhë do të jetë shansi i fundit i Putinit për të qenë president. Kushtetuta e Rusisë e ndalon që të kandidojë për një tjetër mandat dhe në vitin 2024 Rusia do të përballet me të ardhmen e saj pa Putinin.
Putini që tani e ka siguruar fitoren e tij këtë vit. Alexei Navalny, i vetmi kandidat i mundshëm që mund të ofrojë një farë diference në marzhin e fitores së Putinit, e ka të ndaluar të kandidojë. Grupet e tjera opozitare nuk e kanë të lejuar të organizohen. Televizionet dhe media kontrollohet rreptësisht nga qeveria dhe raportikët e fundit tregojnë se Kremlini shpreson për një fitore prej 70 për qind të Putinit.

Pritshmëritë e larta të Kremlinit mund të jenë pak të tepruara. Qendra Levada, i vetmi sondazh i pavarur i etiketuar nga qeveria si “agjent i jashtëm” zbuloi se më pak se 60 për qind e të intervistuarve kishin ndërmend të votonin. Siç thekson edhe Mark Galeotti, një vëzhgues i vjetër i çështjeve të Rusisë, Kremlini duket se e ka të vështirë të ngjallë një farë emocioni dhe entuziazmi për zgjedhjet e ardhshme në publik. Natyrisht, 53 për qind e të intervistuarve që do të votojnë kanë thënë e do të votojnë për Putinin. Asnjë kandidat tjetër nuk ka arritur të marrë aq 4 për qind, pra fitorja është garantuar.
Misioni kryesor i Putinit gjatë mandatit të tij të fundit, do të jetë një zëvendësues të denjë për të. Edhe pse gjashtë vite mandat janë kohë e gjatë, Putin ka gjasa të gjejë një kandidat të tij për të garuar në zgjedhjet e ardhshme. Me siguri kërkimi do të fillojë menjëherë në administartën e re, pasi Putini të nisë emërimet për ministrat, njëlloj siç ndodhi me të kur u emërua si kryeministër nga Boris Yeltsin përpara presidencës së tij. Kjo metodë u përdor sërish, kur Putini emëroi Dmitry Medvedev si kryeministër përpara zgjedhjeve të vitit 2008, që detyruan Putinin të zbriste përkohësisht nga pushteti.
Qëllimi, siç ka ndodhur që pas kaosit të viteve 1990, është stabiliteti. Popullariteti real dhe i perceptuar i Putinit në publik ka qenë ai që e ka mbajtur në pushtet për të diktuar politikën e Rusisë. Asnjë politikan tjetër, si nga opozita ashtu edhe nga elita e administratës, nuk i afrohet aspak Putinit për opinionin e publikut. Putini do të duhet të gjejë një kandidat potencial që të mund të shitet në publik dhe të fitojë profilin e duhur për të marrë rezultatet të mira në zgjedhje, por të jetë i pranueshëm edhe për elitën që dominon politikën ruse. Kjo është e domosdoshme për të shmangur trazirat kombëtare dhe për t’i garantuar elitës se pasuria e tyre do të jetë përsëri e mbrojtur.

A do të ofrojnë zgjedhjet e marsit një pamje të brendshme të procesit? Navalny është duke bërë thirrje për bojkotim të zgjedhjeve dhe për protesta masive. Zgjedhjet e vitit 2011 parlamentare janë shembulli më i mirë për zgjedhjet surprizë të Rusisë. Rusia e Bashkuar vazhdoi dominancën e saj pas protestave masive në Moskë dhe pas shfaqjeve groteske, pothuajse qesharake të manipulimit të zgjedhjeve dhe deklaratës se Putinit do të kandidonte përsëri për president, pasi kishte shërbyer katër vite si kryeministër. Ndërsa portestat e mëdha u lejuan të vazhdonin për pak kohë, sulmet e ashpra të mëpasshme bënë që aventurat e tilla të mos merreshin më në konsideratë që atëherë.
Edhe pse nuk duket se ka shumë gjasa, madje autoritetet po i mbysin protestat përpara zgjedhjeve që tani, një shfaqje masive pakënaqësie mund ta influencojë Putinin në shkallën që të zgjedhë një kandidat shumë të ashpër si pasardhës. Gjatë gjithë presidencës së tij, ai ka emëruar anëtarë të shërbimeve sekrete në pozicionet më të larta. Kërcënimi i trazirave kombëtare mund ta shtyjë ta vazhdojë këtë trend.

Nga ana tjetër, një zgjedhje më mondane mund të lejojë ngritjen e një elite më të prirur drejt reformave. Kjo nuk do të ishte diçka e pazakontë, duke qenë se Medvedevi në vitin 2008 ishte një surprizë për vëzhguesit e Rusisë të cilët e konsideronin tepër libveral dhe pro-Perëndimit. Një zgjedhje me rezultate mediokre që përsëri nxjerr Putinin fitimtar mund ta shtyjnë atë të zgjedhë një kandidat më tërheqës për publikun. Ai mund të fillojë të marrë në konsideratë rininë e Rusisë që kryesisht janë mbështetës të Navalnyt. Një kandidat më i ri dhe më liberal mund të jetë pikërisht ajo që i nevojitet Putinit për të rritur entuziazmin në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë që Putini me siguri ka nisur shqyrtimin e kandidatëve, gjashtë vite janë kohë e gjatë. Opinioni publik dhe konfliktet, bashkë me pozicionimin e elitës mund të ndryshojnë me kalimin e kohës, duke e detyruar Putinin të ndryshojë llogaritë e tij. mund të shohim një sërë ministrash gjatë mandatit të ardhshëm, që Putini i teston për të gjetur kandidatin e duhur pasardhës. Zgjedhjet e marsit do të jenë indikatori kryesor të mënyrës se si do të nisë procesi.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Guardiola, 65 milionë euro për yllin e Serisë A

Jo vetëm Mauro Icardi. Mes lojtarëve më të kërkuar të Inter-it është edhe Milan Skriniar, protagonist i një sezoni të luajtur në nivele të larta, pavarësisht vështirësive që po kalon skuadra në kohët e fundit. Blerja e tij nga Sampdoria ka qenë një goditje e saktë nga ana e milanezëve, aq sa në janar ka ardhur një ofertë prej 65 milionë eurosh nga Manchester City.
Përgjigjja e Inter ka qenë e qartë: Skriniar nuk shitet. Një qëndrim që ka detyruar Pep t’i shpenzonte ato para për Aymeric Laporte, i blerë nga Athletic Bilbao. Gjithsesi, Inter pritet të mbajë këtë qëndrim edhe në merkaton e verës. Ausilio dhe Sabatini nuk ka ndërmend ta shesë, edhe nëse nuk vjen kualifikimi në Champions League. Të mëdhatë e Europës dhe Guardiola janë të paralajmëruar.

Real nxjerr në shitje Isco

Real Madrid ka vendosur të shesë Isco-n. Sipas të përditshmes “As”, Zinedine Zidane, nuk është aspak i kënaqur nga paraqitjet e ish-talentit të Malaga-s dhe Florentino Perez duket se është vënë në kërkim të zëvendësuesit për sezonin e ardhshëm.
Isco, i cili ka rinovuar kontratën deri më 2022-in, me një klauzolë 700 milionë euro, kërkohet nga shumë skuadra. Mes këtyre, siç ka shkruar e përditshmja spanjolle, është edhe Juventus që “e ndjek që nga koha kur ai luante te Malaga dhe ka vazhduar ta ndjekë pasi është transferuar tek Real, kur nuk ishte akoma pjesë e projektit”.
“Në nivelin taktik, gjithmonë sipas ‘Marca’, Isco do të ishte perfekt për në një mesfushë shumë fizike, si ajo e bardhezinjve. E vetmja pengesë do të ishte limiti ekonomik i kampionëve të Italisë, duke parë se Madrid do të kërkonte shumë para”. Gjithsesi, Juventus ka edhe disa pengesa të tjera, si Manchester City, Liverpool, Bayern Monaco dhe Arsenal.

Khedira “tradhton” Higuain

Edhe pak prisni, në skenë do të rikthehet Liga e Kampionëve. Për të përuruar fazat me eliminim direkt do të shërbejë Juventusi, i gatshëm për të pritur Tottenhamin, mbrëmjen e së martës në stadiumin “Allianz”. Një sfidë yjore, që do të ketë në mesin e protagonistëve edhe Harry Kane, qendrën e sulmit të “Spurs”, i cili merr falënderime nga Sami Khedira, i intervistuar nga “BBC Sport”: “Unë mendoj se si është ndoshta sulmuesi më i plotë në qarkullim”. Të martën në mbrëmje, megjithatë, do të ketë vetëm rivalitet në fushë: “Tottenham e ndjek shumë, ka një mbrojtje të mirë dhe mesfushë e sulm të klasit botëror, si dhe një trajner, i cili është ndër më të mirët”. Për të kaluar në raundin tjetër të Champions-it, sigurisht do të ketë shumë djersë: “Një pikë në favorin tonë mund të përfaqësohet nga fakti se ata janë një ekip shumë i ri dhe pa shumë përvojë. Natyrisht, Tottenham mbetet një nga skuadrat më të mira në Angli dhe Europë, ndaj do të duhet t’i kushtojmë vëmendje”.

PSG piketon Zidane

Zinedine Zidane, njeriu i stolit të Real Madridit, është duke u formësuar si trajneri i ardhshëm i PSG-së, sipas “Le10Sport”, portalit të njohur francez, i cili zbulon këtë informacion nga klubi parisien. Zidane, i cili është vënë në pikëpyetje në “Bernabeu”, pasi ka dalë jashtë garës së La Liga-s dhe Kupës së Mbretit në gjysmë të sezonit, është njeriu i zgjedhur nga drejtuesit e PSG-së për të ardhmen. Tani për tani, sipas “Le10Sport”, në qoftë se Unai Emery nuk mbërrin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve 2017-2018, e ardhmja e tij në “Parce de Princes” do të jetë e pamundur. Arritja në gjysmëfinale të Champions-it bën që kontrata e tij të rinovohet automatikisht edhe për një vit, por kjo nuk do të thotë që Unai Emery ende nuk i plotëson pritshmëritë.

Ndërkohë, klubi francez ka nisur tashmë kontaktet fillestare me mjedisin që e rrethon Zinedine Zidane për të ditur nëse ai do të jetë i gatshëm të pranojë një ofertë të mundshme dhe të marrë përsipër drejtimin e PSG-së nga sezoni 2018-2019. “Le10Sport” thotë se, tani për tani, nuk ka pasur negociata apo kontakte të drejtpërdrejta me Zidanen, por trajneri i Real Madridit është zgjedhja e parë e PSG-së për sezonin e ardhshëm. Për momentin, emri i Zidane po merr gjithnjë e më shumë forcë në mjedisin e gjigantëve të Ligue 1, ku paratë “vërshojnë lumë”…
Real Madrid do të kthehet në fushë të shtunën në mbrëmje për javën e 23-të të kampionatit spanjoll dhe do të presë Real Sociedad në “Bernabeu”, dy ku do të përballet me PSG-në të mërkurën e ardhshme në 1/8-at e Champions League. “Los Blancos” janë në vendin e katërt në renditjen e La Liga-s vetëm dy pikë larg Villarreal, por ka shumë mundësi që trajneri Zidane t’i lërë pushim disa nga lojtarët kryesorë në prag të një takimi të rëndësishëm, siç është ai me PSG-në.

Real Sociedad, nga ana tjetër, mban vendin e 14-të dhe do të kërkojë t’i japë fund ecurisë prej gjashtë ndeshjes pa fitore larg shtëpisë. Baskët kanë shkatërruar 5-0 Deportivo la Coruna-n në javën e fundit dhe kanë lehtësuar pozitën e trajnerin Eusebio Sacristan. Megjithatë, kanë kaluar 14 vite që nga hera e fundit që Sociedad ka mundur Real Madrid në “Bernabeu” (maj 2004). Për më tepër, ata kanë arritur të fitojnë vetëm 3 nga 70 vizitat e bëra në “Bernabeu”, në La Liga (3 fitore, 16 barazim, 51 humbje).
Ndërkohë, Real Madrid ka fituar tetë ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi kundër Real Sociedad me rezultatin e përgjithshmë 30 me tetë. Sociedad është skuadra që ka pësuar më shumë gola (40) në 22 javët e para të kampionatit spanjoll që nga sezonin 2005/06. Ndërsa Real është i vetmi ekip, bashkë me Athletic Bilbao, që nuk ka fituar asnjë ndeshje të këtij kampionati pasi e ka mbyllur pjesën e parë në barazim.

Taksa e re e banesës rrit çmimet e qirave

Edhe pse tregu i objekteve për banim ka hyrë në një fazë të vrullshme prej rritjes së investimeve, sidomos dy vitet e fundit, kërkesa për qira nuk është zbehur. Rritja e kërkesës dhe reflektimi i kostos së taksës së re të pronave ka sjellë një rritje të lehtë të çmimeve të qirave në muajin dhjetor 2017.
Sipas të dhënave të INSTAT, që kur çmimet e qiradhënies nisën rritjen në muajin mars të vitit 2017, tendenca rritëse ka vijuar duke kulmuar në muajin dhjetor ku çmimet e qirave ishin 3.6 për qind më të larta se në muajin dhjetor të vitit 2016. Rritja ka qenë më e fortë gjatë muajve nëntor dhe dhjetor.

Zakonisht në muajin dhjetor dhe në janar ndryshojnë kontratat e qirasë për biznesin. Këto lloj kontratash rishikohen zakonisht një herë në vit dhe shumica e tyre janë të noterizuara. Rishikimi gjatë muajit dhjetor ka sjellë një rritje të lehtë të tyre për shkak se pronarët e vërtetë i kanë revizionuar me kostot që krijon përllogaritja e taksës së banesës.
Në prill të këtij viti hyn në fuqi tatimi i ri për ndërtesat, i cili do të jetë 0.05% e vlerës zyrtare të banesës për qytetarët dhe 0.2% për bizneset.

Siç ishte lajmëruar edhe më herët baza e taksës nuk do të jetë më sipas modelit të vjetër, por në përqindje bazë të vlerës së ndërtesës. Ky ndryshim ka sjellë rritjen e vlerës së qirasë për bizneset, teksa qiradhënësi e transferon rritjen e kësaj takse te qiramarrësi, ndërsa për qytetarët nuk sjell ndryshime me tendencë rritëse. Mirëpo duke qenë se kontratat e bizneseve rishikohen më së shumti në dhjetor, pronarët e objekteve kanë rritur qiratë ndaj tyre duke reflektuar barrën fiskale katër muaj më herët.
Nga ana tjetër fluksi i ndërtimeve të reja që nisi vitin e kaluar ende nuk është bërë i banueshëm teksa kërkesa sidomos në Tiranë vijon të rritet.

Teksa fuqia blerëse e apartamenteve është e përqendruar tek një shtresë e popullsisë që i investon likuiditetet në blerje banesash, pjesa tjetër që kanë nevoja për strehim vijojnë të përdorin qiranë. Gjithashtu një pjesë e kontratave të qirave janë rinovuar gjatë muajit dhjetor dhe të rejat janë lidhur me çmime më të larta se vitin e kaluar.
Sipas të dhënave nga statistikat e popullsisë Tirana shtohet me rreth 20 mijë banorë të rinj vit. Banorët e rinj vijnë kryesisht nga qytetet e tjera, të tillë si familjet që zhvendosen për një jetë më të mirë në kryeqytet. Gjithashtu një pjesë e studentëve nga rrethet që kryejnë studimet e larta në Tiranë preferojnë të vijojnë jetën në Tiranë.

Taksa sipas paketës fiskale 2018

Me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi nga 1 janari i këtij viti me paketën e re fiskale, duke filluar nga 1 prilli qytetarët do të paguajnë për banesat e tyre 0.05% të vlerës së pronës, ndërsa për bizneset do të jetë 0.2% e vlerës. Ky çmim është përcaktuar nga qeveria Rama gjatë procesit të rivlerësimit të shtëpive, proces i përfunduar në maj të vitit të kaluar. Këto çmime reference ndryshojnë në zona të ndryshme të Tiranës dhe janë çmimet që përdoren nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastet e shitblerjeve të banesave.

Më konkretisht Tirana ndahet në 11 zona të ndryshme, të cilat brenda tyre kanë disa nënndarje sipas zonave kadastrale dhe çmimet e referencës variojnë nga 60 mijë lekë në 190 mijë lekë për metër katrorë. Pra, një familje që jeton në një apartament 100 metra katrorë të ndërtuar pas vitit 1993, tek zona Komuna e Parisit (ku çmimi i referencës është 107 mijë lekë për metër katrorë), më parë paguante 3000 lekë në vit, ndërsa tani do të paguajë 5350 lekë, pra 2350 lekë më tepër.

Vetëm në rastet kur qytetarët e Tiranës banojnë në një apartament 100 metra katrorë në ato zona ku çmimi i referencës është 60 mijë lekë (Porcelan, Kinostudio, Linzë, Bregu i Lumit, Allias, “5 maji”) taksa e shtëpisë shkon 3000 lekë në vit, pra e barabartë me taksën aktuale për shtëpitë e pas vitit 1993. Për të gjithë banorët e zonave të tjera, taksa e shtëpisë në vitin 2018 do të rritet.

Tottenham-Arsenal, derbi premton spektakël dhe gola

Një nga rivalitetet më të zjarrta të futbollit anglez do të shkruajë një kapitull të ri mesditën e së shtunës, kur Tottenham i vendit të pestë do të presë Arsenal-in e vendit të gjashtë në “Wembley”, në atë që do të jetë derbi numër 197 i Londrës Veriore. Që nga koha e përballjes së tyre të parë në nëntor të 1987-ës, Arsenal ka qenë gjithmonë një hap përpara dhe kryeson 80 me 64. Gjithsesi, historia e viteve të fundit tregon se kjo përballje ka qenë më e ekuilibruar, me të dy formacionet që kanë marrë nga një fitore në shtëpi (duke përfshirë edhe fitoren 2-0 të arritur nga Arsenal në fillimin e këtij sezoni) dhe tre barazime në pesë ndeshjet e fundit.
Tottenham do të paraqitet në këtë takim pa pësuar asnjë humbje në 10 ndeshjet e fundit që ka luajtur në të gjitha kompeticionet (6 fitore, 4 barazime), duke përfshirë këtu edhe barazimin dramatik 2-2 të marrë në javën e fundit të kampionatit kundër Liverpool. Arsenal, nga ana tjetër, po luan mirë në shtëpi (ka mundur 5-1 Everton fundjavën e kaluar), por ka vështirësi në transfertë, siç tregojnë dy humbjet e fundit të pësuara kundër Bournemouth dhe Swansea.
Ndërkohë, pas disa vështirësive që ka pasur në ndeshjet e para të luajtura në shtëpi, Tottenham është i pamposhtur në 11 ndeshjet e fundit që ka luajtur në “Wembley”. Arsenal, gjithsesi, ka fituar nëntë takimet e fundit që ka luajtur në atë stadium ku zhvillohen edhe finalet e kupave vendase. Rreziku kryesor për miqtë do të jetë Harry Kane, i cili ka realizuar gjashtë gola në derbin e Londrës Veriore dhe është tre larg rekordit që mbahet nga Bobby Smith. Tetë nga dhjetë ndeshjet e fundit, të luajtura mes këtyre dy ekipeve, janë mbyllur me mbi 2.5 gola për ndeshje. Në 34 nga 51 përballjet e kampionatit, të dy skuadrat kanë arritur të gjejnë rrugën e golit. Tottenham është i pamposhtur në 12 ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi dhe ka shënuar të paktën dy gola në 5 nga 6 ndeshjet e fundit.

Ëndrra “arktike” e Bashkimit Europian

ANDREAS RASPOTNIK

Arktiku është duke u shkrirë dhe duke u shkrirë me shpejtësi. Në kohën kur arinjtë polarë janë duke ngordhur urie, lajmet e ndryshimit të klimës kanë pushtuar mediat dhe rrjetet sociale. Gjatë dhjetë viteve të fundit, Bashkimi Europian ka ndjerë nga shumë vende të tjera joshjen e Arktikut dhe njësitë e ndryshme qeverisëse janë përpjekur të formulojnë një politikë koherente për “fqinjësinë e veriut”. Përpjekjeve dhjetëra vjeçare të BE-së në veri dhe me rezultate të dobëta, ngrihet një pyetje e rëndësishme: A do të vazhdojë Bashkimi Europian të kanalizojë fonde dhe burime për rolin e saj në Arktik?
Aventurat arktike të BE-së deri tani nuk kanë gjeneruar shumë sukses, pasi sinjalet e ndryshme institucionale kanë gjeneruar një rol të paqëndrueshëm të BE-së në Arktik. Fjalimet e ndryshme politike – dhjetë vjeçare që në vitin 2008 – ilustrojnë një proces gradual formulimi që karakterizon vetë politikën arktike të BE-së: pozicione të përbashkëta me përçarje të madhe institucionale të një roli evaziv në rajonin verior.

Nuk mund të mohohet fakti që Bashkimi Europian është një aktor i rëndësishëm i Arktikut. Jo vetëm që tre prej anëtarëve konsiderohen pjesë e Arktikut (Danimarka, Finlanda dhe Suedia), për Bashkimin Europian ka edhe një prezencë të fuqishme rajonale multidimensionale atje. Këtu përfshihen edhe gjurmët rregullatore dhe kërkimore në rajon, një impakt i vërtetuar në mbrojtje të klimës së Arktikut, rëndësia e organizatës në treg dhe pjesëmarrjen në regjimet rajonale për të menaxhuar numrin në rritje të sfidave të Arktikut.
Megjithatë, përfshirja e Bashkimit Europian nuk është e qëndrueshme. Në fakt përpjekjet e BE-së për t’u angazhuar më shumë në Arktik kanë qenë shumë të debatuara ndërmjet anëtarëve. Disa prej deklaratve të BVE-së për politikën e Arktikut kanë qenë lehtësisht paternaliste, të njëanshme dhe parashikimet e BE-së për Arktikun nuk janë pritur gjithmonë mirë nga vendet si Kanadaja, Norvegjia dhe Rusia.
Bërthama e problemit nuk qëndron vetëm tek struktura institucionale e BE-së dhe në mekanizmat e saj të ndërlikuar të vendim-marrjes, por edhe në mungesën e mirëkuptimit ndërmjet BE-së dhe aktorëve të Arktikut. Roli i Parlamentit Europian dhe pushtetit të tij legjislativ, për shembull, nuk kuptohet gjithmonë qartë në rrethet e Arktikut, madje politikanët lokalë dhe kombëtarë shpesh ankohen për faktin se BE ndërhyn në çështje përtej juridiksionit.

Angazhimi rajonal i BE-së është lëkundur shumë gjatë dekadës së fundit pas daljes në pah të disa çështjeve më serioze në agjendën e saj. Me pak fjalë, Arkiku është vetëm një problem periferik për politikanët europianë. Kjo bën që Arktiku të jetë një cep i politikës, e dominuar kryesisht nga interesa speciale që nga mbrojtja e mjedisit, tek peshimi, që vetëm shtyjnë më shumë keqkuptimin e intersave të BE-së në Arktik.
Pak njerëz i kanë kushtuar vëmendje deklaratave të debatueshme të politikanëve kombëtarë të shteteve Arktike, veçanërisht kur ato nuk janë zyrtare apo kur lëshohen në gjuhën ruse apo skandinave. Megjithatë, sapo anëtarët e Parlamentit Europian deklarojnë se duhet të implementohet një moratorium mbi naftën dhe gazin e Arktikut, vijnë reagime të forta nga vendet arktike. Kjo, me pak fjalë, ngre pikëpyetje nëse politika europiane dhe roli i Europës ka rëndësi të vërtetë për vendet e veriut.
Në fazën aktuale dhe fillestare të politikës europiane mbi Arktikun – dhe me faktin që asnjë deklaratë zyrtare është e planifikuar për të ardhmen e afërt – është e kuptueshme të pyesësh vetëm se çfarë do të vijë më pas për rolin e BE-së në Arktik. Viti 2017 karakterizohej kryesisht nga një aktivitet i ulët. Aktorët e BE-së kanë filluar të sfidojnë Norvegjinë në lidhje me peshkimin e gaforreve të dëborës në kontinentin norvegjez dhe rreth arqipelagut të Svalbardit.

Parlamenti Europian ka shprehur shqetësime të mëtejshme për nxjerrjen e naftës dhe gazit në Arktik në ujërat që nuk i përkasin juridiksionit të BE-së. Sanksinet europiane kundër Rusisë, që pengojnë edhe nxjerrjen e naftës në Arktik, vazhdojnë të qëndrojnë në fuqi. Në këto politika ka shpesh interesa të ndryshme dhe të ndërsjellta në lojë. Një hap i vogël përpara për të kënaqur zërat e shumtë të Arktikut në Bruksel mund të shtyhet nga ambasadori europian për çështjet e Arktikut.
Si një rajon me ngarkesë të madhe politike, shanse të mëdha ekonomike dhe shqetësime klimaterike, Arktiku do të vazhdojë të jetë në agjendën afatgjatë të shteteve veriore anëtare të BE-së, bashkë edhe me aktorët e tjerë europianë dhe OJQ-të mjedisore, kompanitë e naftës, peshkimit dhe shumë e shumë grupe të tjera interesi. Pavarësisht shqetësimeve për kufijtë e legjitimitetit në Arktik, Bashkimi Europian do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në fqinjësinë veriore.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI