29.5 C
Tirana
E martë, 2 Shtator, 2025

Hazard, frikë nga Barcelona

Lista e lojtarëve te Real Madrid është e pashtershme dhe një nga më të pëlqyerit në “Bernabeu” është Eden Hazard. Belgu ndërkombëtar gëzon stabilitet te Chelsea, por nuk përjashton mundësinë që të përfundojë nën urdhrat e idhullit tij, Zinedine Zidane. Për momentin ëndërron të eliminojë Barçën në Champions, gjë që nuk është një fillim i keq. Shumë “madridistas” do të jenë me të. Hazard ka dhënë këtë intervistë për “Marca”:

– Do të luani “klasiken” e Champions-it kundër Barçës. Katalanasit duken të paprekshëm, të paktën në La Liga, ku ende nuk kanë humbur. Si e shihni këtë ballafaqim?
Është një ndeshje e mrekullueshme mes kampionësh. Këtë sezon nuk jemi të njëjtë me vitin e kaluar, sigurisht. Katalanasit janë shumë të mirë, por në fund kjo është një ndeshje futbolli dhe kurrë nuk e dini se çfarë ndodh. Kjo është arsyeja pse ne e duam futbollin. Jam shumë i sigurtë se mund ta mundim Barcelonën nëse luajmë së bashku, ndaj le të presim e të shohim.

– Nëse ju them emrin “Ovrebo”, a e dini se për çfarë po flas?
Jo.

– Ai është arbitri norvegjez, i cili akordoi atë gol të diskutueshëm në Chelsea-Barcelona, të realizuar nga Iniesta në fund. Gol i famshëm në Spanjë….
Oh, po, sigurisht që e mbaj mend atë lojë, sigurisht. E mbaj mend atë për shkak të reagimit të Didier Drogba në fund, por kjo është pjesë e futbollit. Nuk kam frikë nëse diçka e tillë na ndodh. Nuk do të ishte mirë për Chelsea, por kurrë nuk flas për gjyqtarët.

– Barcelona pa Neymar, por me shumë më tepër. Kush ju jep më shumë frikë?
Ju e dini, Barça ka një lojtar, që nuk është nga kjo botë. Është ndryshe, një lojtar superklas. Megjithatë, kjo nuk ka të bëjë me një futbollist, por me tërë ekipin.

– Ju nuk jeni në më të mirën. Kohë të vështira për Conten, apo jo?
Ajo që ndodh është se kemi fituar sezonin e kaluar dhe tani njerëzit duan që ne të fitojmë, gjithashtu. Por ne e dimë se Premier League është shumë e vështirë. Kemi humbur disa ndeshje këtë sezon, por na presin edhe tre muaj përpara. Ne ende kemi dy trofe të arritshëm, “FA Cup” dhe Champions. Në fund, sezoni ynë mund të jetë sërish i mirë. Tani ndihemi keq, por duhet ta shohim situatën në fund. Ne japim gjithçka në fushë. Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu si në stërvitje, por tani duhet të presim, sepse në fund mund të fitojmë një trofe.

– Shumë njerëz në Madrid do të inkurajojnë Chelsea dhe juve kundër Barcelonës. Gjithashtu, ekziston një lloj lidhjeje mes jush dhe Zidanes për shumë vite. Ai ka folur gjithmonë mrekullisht për lojën e tij. Duhet të jetë e pabesueshme për dikë që Zidane e admiron dhe thotë gjëra të tilla…
Sigurisht që është kështu. Mbaj mend dhjetë vjet më parë, kur ai foli për mua, ishte e pabesueshme. Dijeni se ai ishte idhulli im kur isha fëmijë. Kam parë mijëra video rreth tij dhe tani është trajneri i një prej klubeve më të mira në botë, kështu që po, është një luks. Por unë nuk dua të ndalem, dua të vazhdoj të punoj dhe të luftoj në fushë dhe pastaj, po, më shijon kur njerëzit si ai flasin mirë për mua.

– Kuptoni se, pas kësaj, ka shumë njerëz që dëshirojnë t’ju shohin të veshur me të bardha në një moment…
Në futboll nuk i dihet. Unë jam i lumtur te Chelsea dhe jam i përqendruar aty.

– Si e shihni Moratën? A është i lumtur në Londër?
Po, është shumë i lumtur. Ai po shënon, edhe pse tani është pak i lënduar dhe nuk mund ta ndihmojë ekipin. Por, ne kemi shumë spanjollë dhe përshtatja e tyre mendoj se është e mrekullueshme. Morata është një lojtar fantastik dhe do të shënojë shumë gola për ne, jam i sigurt. Një lojtar si ai mund të shënojë me të dyja këmbët dhe me kokë. Diçka super!

Reagimi i Bashës për lënien e mandatit të Eduard Halimit

Eduard Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë. Dëshira ime për ta patur pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mia më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit.

Eduard Halimi dorëzon mandatin e deputetit dhe tregon projektin e ri

Për mua ka qenë një privilegj të zgjidhem për të tretën herë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë këtyre viteve kam kontribuar më përkushtim të plotë në politikë si njeri i çështjeve të drejtësisë.
Sot kam dorëzuar mandatin e deputetit pasi nga nesër i përkushtohem një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një netëork në Ballkan, projekt që është afatgjatë dhe kërkon që vendimin ta marr sot.
Kam qënë një njeri me fat në këto vite sepse kam pasur në krah bashkëpuntorë të shkëlqyer, të përkushtuar e të ndershëm me kontributin e te cilëve arrita të lija gjurmë, por mbi të gjitha që kam dalë faqebardhë nga të gjithë detyrat që kam pasur. Me punën e tyre ata i hoqën mundësinë kundërshtarëve politikë të hidhnin ndaj meje dhe atyre, baltën e kudogjendur në politikë. Ndaj dua ti falenderoj ata të gjithë sot publikisht.
Dua të falenderoj Sali Berishën, që më dha mundësinë të kontriboj ne jetën politike të vendit në këto vite.
Falenderoj Lulzim Bashën, për besimin në detyrat politike prej 2013, për bashkëpunimin e shkëlqyer në këto vite dhe për mirëkuptimin në çdo vendim prej ditës së parë e deri më sot.
Falenderoj të gjithë kolegët e nderuar të grupit parlamentar për gjithë bashkëpunimin në këto vite në politikë.
Së bashku ne i bëmë një shërbim të madh vendit me paketën ligjore të dekriminalizimit dhe paketën kushtetuese të drejtësisë në 22 korrik 2016.
Falenderim dhe mirënjohje për gjithë votuesit e PD në qarkun e Durrësit dhe Beratit që më zgjodhën 3 herë deputet të Kuvendit. Kontributi im në Partinë Demokratike do të vijojë për gjatë gjithë jetës sime si një antar i thjeshtë dhe i përkushtuar.
Falenderim mediave dhe gazetarëve të palodhur për bashkëpunimin në këto vite.
Shihemi së shpejti në një hapësirë tjetër të rrjeteve sociale.
Ju faleminderit të gjithëve, Eduard Halimi

Kush është Eduard Halimi
Eduard Halimi ka lindur në Korçë në 8 dhjetor 1972. Ai është i martuar dhe ka dy vajza, Nikol dhe Elën. Halimi vazhdoi Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vtet 1991-1995 nga ku u diplomua për drejtësi. Në vitet 1995-1997 kreu Akademinë e Policisë dhe në vtet 1997-2000 kreu Shkollën e Magjistraturës dhe mori titullin “Magjistrat”. Ka ushtruar profesionin e avokatit deri në vitin 2005 dhe është zgjedhur si ekspert i komisioneve hetimore parlamentare, prej vitit 2002 deri në 2005. Në tetor të vitit 2005 është emeruar Zëvëndësministër i Drejtësisë duke e ushtruar detyrën deri ne emërimin Avokat i Përgjithshëm i Shtetit, në vitin 2008. Në vitin 2007 është zgjedhur Anëtar i Këshillit Bashkiak Tiranë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u zgjodh Deputet i Partisë Demokratike për qarkun Durrës në Kuvendin e Shqipërisë dhe ushtroi edhe funksionin e Sekretarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 u rizgjodh Deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë.

Monika Qosja zëvendëson Halimin
Monika Qosja do të jetë deputetja më e re në Kuvendin e Shqipërisë. Ndonëse e renditur e shtata në Qarkun e Beratit për Partinë Demokratike në zgjedhjet e qershorit, ajo pritet të marrë mandatin e ligjvënëses brenda 30 ditëve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Qosja do të zëvendësojë kështu Eduard Halimin e dorëhequr këtë të premte.
Në listën e Beratit, Eduard Halimi ndiqej nga Astrit Veliaj, Lefter Maliqi, Bujar Hoxhaj, Myslim Haxhin, Juvina Jani. Për shkak të kuotave gjinore, mandati i ish-ministrit të Drejtësisë i kalonte direkt Juvina Janit. Por kjo e fundit, ka deklaruar se do të refuzojë ftesën për t’u bërë anëtare e Parlamentit shqiptar për arsye familjare. Automatikisht mandati i kalon Monika Qosjes.
Eduard Halimi dorëzoi mandatin e deputetit këtë të premte. Siç bën të ditur edhe vetë në postimin e tij në Facebook, arsyeja se përse ish-ministri i Drejtësisë ka marrë këtë vendim është sepse do t’i përkushtohet një projekti të së drejtës ndërkombëtare private në një rrjet ballkanik.

Reagimi i Bashës
Lulzim Basha falenderoi deputetin dhe ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimin për kontributin e tij në politikë, pasi ky i fundit njoftoi pak minuta më parë se do të dorëzonte mandatin e deputetit për t’iu përkushtuar pasionit të tij, avokatisë. Basha shkroi në Facebook se ka dëshirë për t’a pasur Halimin pjesë të ekipit, por duhet respektuar liria e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
“Eduart Halimi vendosi sot të lërë mandatin e deputetit, të tërhiqet nga politika aktive për të ndjekur pasionin e tij, avokatinë. Dëshira ime për ta patur pjesë të ekipit, të grupit parlamentar të PD ishte e madhe, por po kështu edhe respekti për lirinë e çdokujt për të marrë vendimet e veta për të ardhmen e tij.
Si një bashkëpunëtor i shkëlqyer, një jurist i mprehtë, Ed Halimi po largohet nga politika aktive pasi ka lënë gjurmët e veta në qeverisje me suksese të padiskutueshme në Ministrinë e Drejtësisë, dhe në opozitë po ashtu me ekspertizë të çmuar në të gjitha betejat tona për ligjshmëri, kushtetueshmëri, për luftë ndaj krimit e korrupsionit dhe përpjekjeve për zgjedhje të lira e të ndershme.
Shpreh falenderimet dhe mirënjohjen nga zemra për kontributin e tij të çmuar, dhe bashkë me urimet e mija më të mira, edhe bindjen se me projektet e reja që ka, ai do të vazhdojë ti shërbejë ligjit dhe vendit”, shkruan Basha.

“Ky raport bën thirrje për ndryshime dhe transformime”

Lulzim BASHA

Shqipëria në BE është aspirata më e lartë e gjithë shqiptarëve. Shqiptarët duan të jenë pjesë e vërtetë e Europës. Partia Demokratike e do Shqipërinë në BE. Unë personalisht dhe bashkëpunëtorët e mi kemi lobuar dhe vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë europianë që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Ky është investimi ynë ndaj gjithë shqiptarëve dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Ne duam që negociatat të hapen edhe pse vendi përballet me shqetësime të rënda dhe serioze nga një sërë vendesh anëtare të BE-së në lidhje me krimin dhe drogën me origjinë nga Shqipëria dhe me emigracionin e paligjshëm nga bashkqytetarët tanë që kanë humbur shpresën dhe mundësitë të jetojnë në Shqipëri.
Ne shpresojmë që këto probleme të mos ndikojnë në vendimin për negociatat nga vendet e BE-së dhe të mos pengojnë hapjen e tyre. Me këtë rast përshëndes raportin për strategjinë për zgjerim të BE-së e cila konfirmon vullnetin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit.
Por qartësisht përtej këtij vullneti politik, strategjia ngren probleme serioze dhe vë gishtin mbi plagët kryesore që ka vendi ynë.
Raporti flet qartë dhe më forcë për kapjen e shtetit nga interesat private dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes, për probleme të rënda dhe serioze të korrupsionit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias, për ekonomi jokonkuruese që duhet të reformohet thellësisht, për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për shtypjen e rolit të opozitës politike.
Ky raport është një radiografi e trishtuar e realitetit shqiptar dhe disa vendeve të tjera të Ballkanit.
Strategjia bën thirrje për ndryshime dhe transformime të vërteta demokratike për daljen nga ky realitet dhe thekson se procesi i integrimit nuk është proces mekanik por proces përqafimi real të vlerave dhe standarteve politike dhe ekonomike europiane.
Me këtë rast dua të theksoj vullnetin e Partisë Demokratike dhe timin për të ndryshuar politikën dhe ekonominë shqiptare duke përqafuar standardet dhe vlerat europiane, me qëllim futjen e Shqipërisë në BE brenda një dekade.

Ikën Nazeri, vjen Izeti, skema si mazhoranca kërkon të dalë e palagur nga skandalet

Nga Eni VASILI

Pak ditë më parë, Ministria e Drejtësisë vendosi me urgjencë dhe në mungesë të plotë transparence, ekstradimin e Nezar Seitajt drejt Italisë. Nezar Seitaj, ishte arrestuar si pjesë e grupit të Habilajve dhe njihej si “llogaritari” i parave të drogës së këtij grupi. Ish-Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, është akuzuar gjithashtu si i implikuar në këtë grup kriminal dhe për këtë arsye Prokuroria hapi hetimin. Nezar Seitaj ishte i vetmi dëshmitar në funksion të hetimit për Tahirin, si i akuzuar për implikim në grupin e Habilajve. Ekstradimi u konsiderua i dyshimtë, ndërsa nga opozita u cilësua si një rrugë e shpejtë dhe kriminale për të shpëtuar nga burgu Saimir Tahirin.
Pa u ftohur ende gjakrat për ekstradimin e Nazer Seitajt që shërbente për një çështje kaq të rëndësishme sa ajo e Tahirit, në Shqipëri do të ekstradohet Izet Haxhia, një prej të dënuarve në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit. Një çështje që duket se është mbuluar nga pluhuri, kthehet në këtë situatë kaq të nxehtë kur po flitet ethshëm për arrestime peshqish të mëdhenj.

A mund të quhet rastësi ikja e Nazerit dhe esktradimi drejt Shqipërisë i Izetit ? Koinçidencat janë tepër të mëdha për të konsideruar thjesht si të tilla. Situata nga jashtë duket e mirëstrukturuar nga mazhoranca, që ajo të dalë palagur nga skandalet e saj, pasi e vërteta është se çështja Seitaj implikon mazhorancën përmes Tahirit, ndërsa çështja Haxhia, kërcënon ish-liderin e opozitës Sali Berisha. Me ekstradimin e Seitajt, çështja Tahiri shkon drejt arkivës dhe po nga arkiva, publikut i ofrohet një tjeter dosje me pluhur 12 vjeçar përsipër, që vë padyshim në qëndër të vëmendjes smediatike, Berishën dhe opozitën.
Izet Haxhia ka akuzuar dhjetra herë vitet e fundit Berishën si të implikuar në vrasjen e Azem Hajdarit, si njeriun që e nxorri në pritë. Berisha nga ana e tij e cilësoi vrasës në shtator të 2014, në të vetmen përgjigje që dha rreth kësaj çështjeje në emisionin “Studio e hapur”.
Gjykata e Lartë në Turqi ka miratuar dje ekstradimin në Shqipëri të Izet Haxhisë dhe sot në kohë record, Ministria e Drejtësisë turke, e ka bërë fakt.

Ish truproja i Sali Berishës kur ishte president, Izet Haxhia, ndodhej në arrati, i dënuar si i përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit në shtator të vitit 1998. Haxhia është dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vite burg. Nga ajo kohë ai jetonte në Turqi me statusin e azilantit politik. Duke komentuar vendimin për ekstradimine tij, ai e ka cilësuar si të dirigjuar nga politika, por ka theksuar gjithashtu se është gati të dëshmojë çfarë di për vrasjen e Azem Hajdarit, por vetëm para trupës së re të drejtësisë, që do të rrjedhë nga reforma në drejtësi.
Me një qetësi që lë vend për dyshime, Izet Haxhia thotë se do të kthehet shpejt në Shqipëri. Nuk dihet se çfarë garancish i janë ofruar dhe nga kush, që e bëjnë atë kaq të sigurtë. Nuk dihet gjithashtu nëse është këmbyer me ndonjë Gulenist apo aferë financiare, dilema dhe dyshime të cilat shpesojmë se koha do i tregojë.

Nuk e meritojmë poshtërimin, fajtorë më shumë për këtë janë ata që heshtin. Jam në krahun tuaj Robert Ndrenika…

Përparim Kabo

Të pash e të dëgjova Robert Ndrenika…ai laku erdhi edhe në grykën time jo si buka e munguar por si shpirti që po mbytet…Popujt e vegjël mund të mbahen nga identiteti, nga kontributet dhe ne shqiptarët në artin teatror e kemi të madh e të shquar atë çfarë kemi bërë…Është për këtë arsye që kryeveprat e Shekspirit u përkthyhen herët nga Fan Nolin në vendin tonë dhe u vunë në skenë qysh në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar. Sot e prej gati pesë viteve kemi një kryeministër artist-piktor që deklaron se e ka mësuar retorikën te Noli dhe Konica…Por ja i dashur Robert që kur vihet një kryevepër e Shekspirit nga ku mësoi edhe Noli fjalën e gdhendur, kryeministri nuk vjenë në Teatër. Nuk e pa “Zbutjen e Kryeneçes,” megjithëse ajo pjesë shkoi edhe në Kinë në një festival. Ai nuk e pa as “Tre Motrat” e Çehovit megjithëse ishte një nga vëniet me të bukura çehoviane, nuk e pa Ecuus të Peter Shafer megjithëse ajo u vu në skenë nga regjizori i shquar Dino Mustafiç, nuk pa as “Opera për tre Grosh” të Vaclaf Havelit…sepse nuk e di përse….Nuk erdhi në Butrint të shikonte shfaqjen unikale të Teatrit Kombëtar të Pekinit me Ricardin e Tretë, të Shekspirit …

Atëhere unë pyes, Ju zoti Kryeministër si e keni marrdhënien me teatrin…Ju ia kani mbyllur derën vetes jo teatrit! Ai si në çdo kohë dhe në çdo sistem nuk ka nevojë për qeveritarin i cili ka frikë nga teatri, nga skena, nga njeriu i gjallë në skenë. Sot Ju flisni për reformën në drejtësi dhe Vetingun…por kur para disa viteve këmbanat ranë në Teatrin Kombëtar me pjesën “Korbi i Bardhë” të Mjeshtrit Mihal Luarasi ju nuk erdhët, madje ju nuk erdhët edhe kur ai vdiq…kishit punë me sa duket, ai që solli në vitin e largët 1956 Intrig e Dashuri të Shilerit…iku me nderin e kontributit në Teatër…Vendi po zbrazet Robert, po ikin aktorë të shquar, një nga talentet tona që ndriste në skenë ndejti bi 10 vjetë pa kontratë dhe iku…po ikin mjekët Robert se para pesë vitesh i futën me demek në konkurs, poi kin inxhinierët IT, infermierët dhe gjeneratat e reja…Zbrazja e atdheut është tragjedia që po luhet…Dhe ne mbjellim lule, lexojmë me projekt në park romane dhe marrim fonde, bëjmë sikur vrasim mushkonjat me fond japonez dhe fusim paratë në xhep, marrin të gjitha projektet në shoqërinë civile gratë e qeveritarëve ndërsa arti ka mbetur jetim, madje i vobekt…Mos e prekni Teatrin Kombëtar…more prishës. Po ajo godinë nuk është në gjendje, ndaj konservoheni dhe ktheheni në muzeum, si kudo…

Nxirri veshjet e pjesëve nga kthina e garderobës dhe demostrohini në muzeumin Teatër…Rinovoheni skenën dhe rregolloni mikroklimën…Në oborrin e saj ndërtoheni një godinë të lartë teatri me disa kate, ku të ketë sallë qëndrore dhe dytësore më të vogla si dhe atelie për të punuar…Hyrja të jetë nga pedonalja…Nëse ndërton Bunker art, 1 e 2, e se dimë se deri ku do shkohet…Ndërto teatër, sepse Lucrecia Borxhia që u vu në Teatrin Kombëtar me rregji të Eric Vigne shkoi në festivaline Bretagnes një festival i nivelit të parë…pra teatri ynë është në Europë, politika, ajo nuk është dhe nuk mund të shkojë dot në Europë…Vetëm kur ju të frekuentoni teatrin mund që kthesa të nisi…Me shfaqjet massive të populizmit nga ai live deri te ai dixhital…nuk shkohet asgjekundi…Edhe diçka Robert Ndrenika.
Pash mbrëmë pas intervistës suaj edhe një teatër njerëzor. Një grua plakë në Tarabosh që jetonte në gazeb si tha dikush që i shpuri ushqime…Dhe ajo grua që nuk dihet se kur kishte vënë për herë të fundit sapun në trupin e saj, por me shumë ndjeshmëri ajo tha ju faleminers… Populli ynë nuk e meriton poshtërimin, fajtorë më shumë për këtë janë ata që heshtin…Ju e dhatë shëmbullin Robert Ndrenika…unë jam në krahun tuaj!.

Gjiknuri firmosi ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit, por Rama thotë se do hetojë Nasipin

Njeriu që ka firmosur ndërtimin e dy hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit është ish-ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri. I njohur si ministri konfident i Ramës, Gjiknuri ka firmosur ndërtimin fiks mbi kanionet e Osumit, por ai bashkë me Ramën po mundohen ta delegojnë përgjegjësinë tek LSI dhe konkretisht tek ish-ministri i Mjedisit, Koka apo edhe tek Nasip Naço. Top Channel, i cili ka nisur të vihet në frontin e parë të luftës së Ramës kundër LSI thotë se njeriu që do ndërtonte hidrocentralet është i afërt i Nasip Naços.
Qeveria është angazhuar të premten të anulojë ndërtimin e hidrocentraleve mbi kanionet e Osumit, ndonëse për këtë ende nuk ka bërë publik ndonjë vendim.
Ndërkohë Top Channel zbardh të tjera dokumente që tregojnë se Ministria e Mjedisit pranoi një raport me të dhëna të falsifikuara mjedisore për koncesionet. Raporti, i cili është hartuar nga një studio private, pretendon se ndërtimi i HEC-eve nuk është në zonën e mbrojtur, edhe pse koordinatat e njërit prej tyre janë vetëm 200 metër mbi ujëvarën e Bigasit.
Ky raport i falsifikuar u pranua nga Ministria e Mjedisit për të lëshuar lejen mjedisore për të dy hidrocentralet, e cila për më tepër ka skaduar që në mars të vitit të kaluar, siç edhe Top Channel ka raportuar në vijimësi.
Të premten kryeministri Edi Rama njoftoi nga faqja personale e facebook-ut ministria e mjedisit ka nisur një hetim administrativ të kësaj leje, që kryeministri e cilëson një fabrikim kriminal me koordinata të manipuluara. Sipas kreut të qeverisë individët e përfshirë në këtë fabrikim do të kallëzohen në prokurori, ndërsa e gjithë procedura do të anulohet.
Ndërkohë, nga kanionet e Osumit edhe Blendi Klosi konfirmoi se zyrtarët e përfshirë në këtë skandal do të mbajnë përgjegjësi.

Ky është e-maili ku përmendet Shkëlzen Berisha, pastaj gjykoni drejtësinë e mediat në këmbët e Taulant Pallës

Manipulimi politik me hetimet për Shkëlzen Berishën ka përfshirë edhe gazetarët. Një prej tyre është Andi Bushati, pinjoll i bllokut famëkeq, i cili transformon atë që është shkruar në e-mail për qëllime të padronëve të tij. Bushati thotë se në e-mail flitet për rolin ndërmjetësues të Shkëlzen Berishës mes CEZ dhe qeverisë. E kundërta është e vërtetë. Lexoni e-mail dhe gjykoni vetë për drejtësinë dhe mediat nën këmbët e Taulant Pallës.

Debati
Shkëlzen Berisha: Ekziston një email i siguruar jo në rrugë ligjore. Kjo copë letër nuk është administruar në rrugë ligjore. Nuk kam lidhje me asnjë nga këta persona, as kam lidhje biznesi, as u kam shitur makinën, as më kanë paguar në forma të ndryshme. Në atë letër, flitet për një takim por nuk flitet se për cfarë. Ky takim nuk është kërkuar dhe nuk është zhvilluar kurrë.Andi Bushati: Nga e-maili, thuhet se ju keni ndërmjetësuar një takim, me babain tuaj që ishte kryeministër.
Shkëlzen Berisha: Nuk është e vërtetë. Lexo emailin.
Andi Bushati: Atëherë ma korrigjoni ju.
Andi Bushati: Tre javë pasi emaili është dërguar, babai juaj i ka pritur emisarët. Takimi vërteton emailin. Ky është absurdi për mua.
Shkëlzen Berisha: Ky takim nuk ka ndodhur. Nuk thuhet kërkund që unë kam premtuar të rregullojë një takim të tillë.
Andi Bushati: Në email thuhet se takimin do e realizoni ju. Takimi është bërë. Unë po të jem një prokuror, them a kam të drejtë të hetoj dhe të shoh sa i vërtet është ky email, kur kam dhe provën tjetër? Mua më duket normale deri këtu. Përse ju duket ju si spekulim nuk e kuptoj.
Shkëlzen Berisha: Është totalisht e pavërtetë ajo që thotë zoti Bushati, se në këtë email pretendohet se kam mundësuar një takim me babain tim. Lexoni emailin. Ky email është publik dhe është i pavërtetë. Ky takim as është kërkuar as nuk është zhvilluar. Unë nuk kam asnjë lidhje me këta persona. Unë mbaj përgjegjësi për atë që premtoj vetë.
Andi Bushati: Ju thatë se emaili dhe kjo histori nuk ka ndikuar te privatizimi, sepse privatizimi është bërë 10 muaj pas kësaj korespondenca. Por akuza nuk ka qenë për këtë. Takimi do behëj për të ndihmuar kompaninë që kishte fituar.
Shkëlzen Berisha: Akuza ka qenë, se Shkëlzen Berisha ka përfituar nga privatizimi i OSSH-së. Janë marrë transaksionet e mija bankare, janë shitur sikur kanë lidhje me privatizimin.

Nisin punimet për ndërtimin e pedonales dhe qendrës së re të qytetit të Kamzës

Kamza së shpejti do të ketë një pamje të re. Bashkia ka nisur punimet për ndërtimin e pedonales së qytetit ku pjesë e të njëjtit projekt janë është dhe qendra e re. Ky projekt ishte gati dhe punimet mund të nisnin për t’u realizuar që vitin e kaluar, teksa Bashkia Kamëz priste financim nga qeveria, me qëllim që fondet e buxhetit me të ardhurat e veta të shkonin për të tjera investime në qytet. Pavarësisht shkresave me 135 projekte konkrete të dërguara në qeveri, Rama nuk ka financuar asnjë, duke i diskriminuar politikisht banorët e Kamzës. Bashkia ka pasur si prioritet të saj përmirësimin e infrastrukturës dhe këtë e ka treguar me qindra km rrugë të asfaltuar ndër vite. Vetëm në vitin 2017, janë 60 projekte në infrastrukturë që janë realizuar në Kamëz dhe Paskuqan, përfshirë këtu edhe rrugën prej 7 km nga ura e Institutit deri në Babrru, e cila po përfundon si dhe po aq janë gati të realizohen edhe për vitin 2018.
Sheshi i qytetit dhe pedonalja së shpejti një premtim i mbajtur/Së shpejti banorët e Kamzës do të kenë pedonalen dhe sheshin e ri të qytetit kur punimet tashmë kanë nisur.
Sheshi i qytetit/ Ndërtimi i sheshit të ri në qendër të qytetit, pranë Pallatit të Kulturës, me sipërfaqe 3936 metra katrorë, është një nga investimet e shumta që janë pjesë e financimeve të buxhetit të Bashkisë. Zbatimi i këtij projekti përbën fazën e parë të ndryshimit të pamjes së qytetit, e cila promovohet në një kohë kur Bashkia është në një fazë të zbatimit të shumë projekteve që kanë lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës dhe në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve të Kamzës. Përveç gjelbërimit (që përfshin mbjelljen e pemëve dekorative dhe luleve) dhe ndriçimit të bollshëm do të ketë një shatërvan, çezmë uji, kosha mbeturinash etj. Ky projekt tregon edhe një herë vizionin e qartë që ka kreu i Bashkisë për intensifikimin e punës për përmbushjen e premtimeve të dhëna qytetarëve gjatë fushatës së fundit elektorale.

Pedonalja
Veç sheshit të qytetit do të bëhet edhe ndërtimi i pedonales përgjatë Bulevardit Blu. Kjo pedonale do të shtrihet nga qendra e qytetit deri në kryqëzimin me rrugën “Londra”. Me realizimin e këtij investimi, do të krijohet një rikualifikim urban në shërbim të qytetit, që do të ketë një sipërfaqe 4936 metra katrorë në shëtitore për mbarë qytetarët e Kamzës. Përveç lehtësimit të lëvizjes për qytetarët, pedonalja do të ofrojë edhe hapësira të tjera në dispozicion të tyre atyre. Pedonalja, e cila do t’i japë një panoramë krejt ndryshe qytetit të Kamzës, do të sjellë përpara qytetarëve vizionin e Bashkisë jo vetëm thjesht për të ndryshuar pamjen. Pedonalja do të sjellë ndryshimin e duhur në infrastrukturë, nëpërmjet një projekti me të gjithë parametrat e nevojshëm dhe bashkëkohorë, ku përfshihen shtresat me pllaka dekorative, stola, ndriçim, gjelbërim me pemë dhe lule, kosha mbeturinash etj. Pedonalja me të gjitha elementet infrastrukturore të ndërthurura në segmentin e saj, do të jetë një atraksion i vërtetë për të gjithë qytetarët e Kamzës, por edhe për ata që do të jenë të mirëpritur për të shëtitur në të.

Bashkohem me opozitën për rrezikshmërinë e veçantë të sociopatit aktiv Edi Rama

Kohët e fundit në kampin opozitar janë shtuar akuzat ndaj atyre, që deklarojnë nëpër media se “janë të gjithë njëlloj”. “Si mund të jemi ne njëlloj me këta, që futën kriminelët në Parlament, që kanabizuan krejt Shqipërinë!” – formulohet me dy fjalë kritika. “Ju jeni antiopozitarë, të shitur, punoni për Edi Ramën.” – shtojnë të tjerë, edhe më agresivë. Meqë së fundi këto akuza i dëgjova direkt nga Lulzim Basha në emisionin “Studio e hapur”, ndiej përgjegjësinë publike t’i jap përgjigje edhe me të shkruar, për faktin se më duket një çështje tejet e rëndësishme (lexo shkrimet poshte Lapsi.al). Së pari, po bëj një konstatim: edhe Edi Rama me taborin e tij u ka drejtuar, fjalë për fjalë, të njëjtat akuza kur ishte në opozitë atyre që shpreheshin se “janë njëlloj”. Kjo akuzë, fatkeqësisht, thjesht provon atë që them: njëllojtësinë. Sepse te të dyja palët gjen mendësinë e vjetër enveriste, sipas së cilës “kush nuk është me mua, është kundër meje,” që çon pastaj në një politikë lufte llogoresh, që duhet të përfundojë me asgjësimin e tjetrit. Veçanërisht kur u drejtohet gazetarëve, që duhet t’i njohin e respektojnë si pushtet i pavarur, kjo akuzë bëhet edhe më problematike.
Thënë kjo nuk i shpëtojmë, megjithatë, nevojës për t’iu përgjigjur një pyetjeje themelore, që shtrojnë këta kritikë. “Ti thua se, meqë këta janë të gjithë njëlloj, duhet ngritur një forcë e tretë. Mirëpo, meqë edhe ti e pranon se kjo situatë që po përjetojmë me Edi Ramën dhe rilindasit është më e keqe se ajo më parë, dhe, duke e parë se parti si Libra e Blushit nuk patën sukses, përkundrazi, po vdesin, a nuk mendon se e vetmja mundë- si është të mbështetësh këtë opozitë, pavarësisht rezervave ndaj saj? Përndryshe, a nuk rezulton se duke thënë “janë të gjithë njëlloj” frenohet çdo proces politik, ndihmohet statukuoja d.m.th. pushteti i Edi Ramës? Përndryshe, si e mendon ti procesin, që mund të na nxjerrë nga kjo rrugë drejt humnerës”.

Përgjigjen po e jap duke iu referuar një deklarimi që bënte së fundi për Trumpin, regjisori amerikan Michael Moore, – por duke e ftuar lexuesin të ketë gjithmonë parasysh dallimet midis SHBA dhe Shqipërisë. Moore shkruante: “Ai nuk është mirë; ai është një narçizist malinj dhe një sociopat aktiv. Dhe, duke qenë se zotëron kodet e lëshimit të armëve bërthamore, ai është një rrezik i veçantë për njerëzimin”. “Por – vazhdon më poshtë Moore – problemi ynë shkon shumë përtej një presidenti sociopat […] misioni dhe puna jonë është që të rrëzojmë sistemin e mashtrimit që ka prodhuar Trumpin.” Bashkohem me opozitën lidhur me rrezikshmërinë e veçantë të sociopatit aktiv Edi Rama (ndonëse, shyqyr Zotit, ai nuk ka në dorë të rrezikojë botën, por vetëm Shqipërinë). Por ndahem me të, për sa i përket pikërisht procesit politik, që ajo ka vënë në jetë për të rrëzuar Ramën, proces që, sipas meje, duhet të lidhet medoemos me rrëzimin e “sistemit të mashtrimit”. Sipas gjykimit tim, në kushtet aktuale “sociopati” me “rrezikshmëri të veçantë” nuk duhet parë kurrsesi i ndarë nga pika kulminante e rrezikshmërisë që ka arritur sistemi ynë i mashtrimit. Madje, gjykoj se ai sot – ndryshe nga Trumpi në SHBA – as nuk mund të rrëzohet si politikan sociopat, pa u goditur ai sistem mashtrimi.

Le ta shtjelloj idenë time.
Gjykoj se, që të nxjerrë diagnozën e saktë dhe terapinë e saktë, opozita duhet jo vetëm të shtrojë pyetjen: si ka mundësi që ne kemi në krye të vendit një mashtrues të tillë politik, por të shkojë më tej në pyetjen: si ka mundësi që edhe paraardhësit e tij kanë qenë mashtrues? Me një fjalë, ajo duhet të zbresë te rrënjët e Ramës, sistemi i mashtrimit ekonomik, i ndërtuar qysh herët – edhe me kontributin e saj të madh – që sot me Ramën në krye ka kaluar në një fazë edhe më kriminale, me pastrimin e parave të drogës dhe jo ta ndalë akuzën për drogën deri te blerja e votës me paratë që ka grumbulluar Saimir Tahiri me policinë dhe sensibilizimin e ndërkombëtarëve për këtë. Le ta ilustroj idenë time me skandalin e fundit që ka shpërthyer, Armon. Ai flet për dy biznesmenë, të cilët kanë ndërtuar skema mashtrimi për të rrjepur shqiptarët. Sot flitet për një shifër mbi 700 milionë euro borxhe dhe taksa të papaguara, – pa llogaritur fitimet e nxjerra me shitjen e naftës së përzierë. Këtë shifër e kanë krahasuar me paratë që humbën shqiptarët në krizën e piramidave mashtruese, por krahasimi duhet të shkonte edhe më tej: se këto skema nuk janë gjë tjetër, veçse forma më të sofistikuara mashtrimi të skemave piramidale të viteve ‘90.

Te skema Armo, që është vetëm një molekulë e sistemit tonë ekonomik të mashtrimit, nuk mund të mos të të bien në sy disa elementë të përbashkët me molekulat e tjera: se kryeministrat janë bërë palë me këta mashtrues; se institucionet bankare çuditërisht i kanë nxjerrë paratë (e qytetarëve) pa bërë asnjë hetim se kujt po ia jepnin borxh ato; se të dy kanë qenë edhe pronarë mediash; se na prezantohen sikur kanë prapa investitorë të huaj që dalin pastaj se janë ata vetë. Por, vini re, ka edhe një element të rëndësishëm të përbashkët. Mashtruesi i parë i skemës Armo, që shahet sot nga Rama, i ka filluar “bizneset” në kohën e PS-së, madje cilësohej nga Berisha, asokohe opozitar, si “Kontrabandisti më i madh i karburanteve.”; e megjithatë, kur Berisha erdhi në pushtet, e ndihmoi në privatizimin e Armos. Edhe i dyti ka një histori të ngjashme bashkëpunimi të vjetër me të dy palët.
Shkurt, nuk është vështirë të konkludosh se ne kemi të bëjmë me një sistem mashtrimi ekonomik që ka, si anë tjetër të medaljes, mashtrimin politik. Nuk është vështirë të deduktohet se një sistem i tillë nuk e ka për gjë të përdorë edhe krime të tjera sipas logjikës “krimi ndjell krimin”. Ja pse kemi arritur te futja galopante e trafikantëve të drogës në ekonomi – për rrjedhojë edhe në politikë – e te rreziqet që na kanosen në të ardhmen nga ky sistem kriminal. Terrori urban që po ushtrohet nëpërmjet projekteve të kullave në Tiranë si dhe nëpërmjet lejeve të panumërta që jep Erjon Veliaj – mashtrim ky i hapur pasi votën e morën me “zero ndërtime” – nuk është thjesht tekë e një sociopati dhe mashtruesi, as thjesht etje për t’u pasuruar personalisht nëpërmjet korrupsionit Rama e Veliaj. Ai është edhe e vetmja rrugë, që i ka mbetur këtij sistemi kriminal për të qëndruar në pushtet.

Sociopatia e Ramës sot shfaqet si papërgjegjshmëri ekstreme, që u përgjigjet nevojave ekstreme që ka sistemi. Ka opozitarë që më thonë se ai është i vetmi, që mund ta marrë përsipër poshtërsi të tilla si kriminalizimi total i policisë, kapja totale e drejtësisë, dhënia e lejeve të tilla monstruoze – gjëra që s’i ka bërë Berisha e Basha, të paktën jo në këtë shkallë.
Personalisht mendoj se papërgjegjshmëria e Ramës si shofer është problem i madh sigurisht, por mendoj gjithashtu, se ai do të frenohej menjëherë sikur të mos ishte papërgjegjshmëria e oligarkëve dhe kriminelëve, që po e furnizojnë makinën me karburant. Problemi është se opozita bën sikur nuk e sheh këtë realitet dhe e përqendron tërë betejën me sociopatinë e Edi Ramës. Kjo ndodh më së shumti pasi është e komprometuar edhe vetë nga sistemi i mashtrimit, dhe pjesërisht pasi as nuk arrin të mendojë se mund të vijë në pushtet pa oligarkët e tij (lexo shkrimin poshte/ lapsi.al). Por ajo nuk ka arritur të kuptojë se nëpërmjet çimentos së kullave, koncesioneve dhjetëravjeçare, lejeve për hidrocentrale etj., sot, Rama po çimentohet si shofer i vetëm i sistemit; se ky sistem, që deri dje mbante edhe opozitën si shofer rezervë, (kur njëra kokë kontrollonte Tiranën tjetra Shqipërinë) sot është i tëri nën kontrollin e tij. Në këto kushte, opozitës i mbetet ose të bëjë fasadën se gjoja kemi demokraci, derisa sistemi me shoferin e çimentuar në timon të na çojë të gjithëve në humnerë, ose të transformohet realisht dhe thellësisht në vetvete dhe aksione, për ti bërë balle këtij rreziku.
Fatos LUBONJA