26.5 C
Tirana
E martë, 2 Shtator, 2025

Deputeti socialist krahason kryeprokuroren me Nafijen e dybekut: “Do ta tundë mirë”, tha ai

Një skeç i ngjashëm nga ata të diktatorit me Nafijen dybekut që jepej në fillim të viteve ’90 është rishfaqur dje në studion e televizionit Top Channel në emisionin “Të pa ekspozuarit”. Kësaj rradhe personazh ka qenë një deputet i PS me emrin Alket Hyseni, i cili tha se “Kryeprokurorja do ta tundë”. Kjo ka mjaftuar që mes të ftuarve të nisë e qeshura.
‘Arta Marku do ta tundë mirë’, ky ka qenë mesazhi që ka lëshuar mbrëmë deputeti socialist Alket Hyseni gjatë ditës së djeshme. Nuk dihet se çfarë ka dashur të thotë tamam me këtë deklaratë deputeti i PS-së, e cila në fakt ngjan si një mesazh i koduar dhe që paralajmëron zhvillime të forta në muajt e ardhshëm.
Ndonëse shenjat e para të kësaj që sapo ka nisur, ngrenë shumë dyshime se Edi Rama kërkon të përdorë drejtësinë, pas kapjes së kryeprokurores, për të sulmuar kundërshtarët politikë. Për të përforcuar këtë vlen të theksojmë dhe deklaratën e kryeministrit dje në Kuvend, ku duke iu drejtuar Berishës u shpreh se shumë shpejt të dashurit e tij do të shkojnë në pranga. Na mbetet të presim dhe të shohim se ç’do të sjellin lëvizjet në Prokurori në muajt e ardhshëm.

Analistët: Drejtësia do të përdoret
Analisti Andi Bushati, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në Top Channel, ka deklaruar se drejtësia rrezikon të kthehet në një armë që do të përdoret për sulm politik. Bushati tha se në çështjen Tahiri, ka shumë “rastësi”, të cilat po çojnë në mbylljen e procesit, ndërsa nga ana tjetër, po rihapen dosje të vjetra të opozitës, të cilat duhet të hetohen, por jo për tu përdorur politikisht.
“Kemi disa dosje të vjetra që hapen.
Unë nuk kam dyshim se duhet hetuar cështja CEZ. Problemi është ky. Kur folëm për pandëshkueshmërinë, është shumë e rëndë. por më e rëndë është pjesa që drejtësia të përdoret si armë politike. E kemi provuar këtë nga burgosja e njerëzve të opozitës, e deri te burgosja e gazetarëve. Drejtësia jo vetëm që nuk bën drejtësi, por mund të përdoret politikisht”.

Del dokumenti: Babai i Adriatik Llallës u dënua me burgim të përjetshëm si agjent i CIA-s

Në kulmin e debatit mes Prokurorit të Përgjithshem, Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan në Tirane, në rrjetet sociale është publikuar një dokument i pa botuar më parë.
Studiuesi Xhaferr Sadiku ka nxjerrë dokumentin e vitit 1947 ku Xhemal Llalla, babai i kryeprokurorit dënohej me burgim të përjetshem si agjent i CIA-s që synonte të rrëzonte regjimin komunist. Sipas vendimit, Xhemal Llalla akuzohej se ishte rekrutuar në shërbimin sekret amerikan kur kishte qenë nxënës i shkollës teknike të “Harry Fultz”.
Më 15 dhjetor 1947, në kinema “Labinoti” në Elbasan, përfundoi gjykimi i 15 të arrestuarëve, të cilët ishin:
1-Zija Luniku, 2- Fadil Gurmani, 3- Xhaferr Miraku, 4- Mahmut Maci, 5- Sabri Baholli, 6- Xhemal Llalla, 7- Veniamin Dashi, 8- Osman Duduci, 9- Seit Kuqi, 10- Qemal Hoxha, 11- Qamil Bylykbashi, 12- Mehmet Haxhihasani, 13- Ibrahim Plaka, 14- Virtyt Gjylbega dhe 15- Refat Haka.

• Zija Luniku, Fadil Gurmani, Xhaferr Miraku dhe Mahmut Maçi, me vdekje; • Xhemal Llalla e Sabri Baholli, me burgim të përjetshëm; • Veniamin Dashi e Osman Duduci, me nga 20 vjet; • Seit Kuqi me 15 vjet; • Qemal Hoxha e Qamil Bylykbashi, me nga 10 vjet; •Mehmet Haxhihasani e Ibrahim Plaka, me nga 7 vjet; • Virtyt Gjylbega me 5 vjet; • Refat Haka me 3 vjet burg.
Vendimi përmbante edhe konfiskimin e pasurisë dhe humbjen e të drejtës politike e civile.
Kështu, të dënuarit me vdekje humbisnin në mënyrë të përhershme të drejtat politike e civile.
Të dënuarit me burgim të përjetshëm, humbisnin të drejtat politike e civile për aq kohë;
Veniamin Dashi, Osman Duduci, Seit Kuqi, Qemal Hoxha, Qamil Bylykbashi, Mehmet Haxhihasani e Ibrahim Plaka, humbisnin të drejtat politike e civile për 5 vjet, ndrësa Virtyt Gjylbega për 3 vjet.

Tepsia e re e drejtësisë në duart e pushtetit të krimit dhe korrupsionit

Parlamenti ka miratuar në heshtje listën me short të anëtarëve të përzgjedhur në mënyrë antikushtetuese në krye të KLP dhe KLGJ, dy institucioneve që do të bëjnë të famshmin veting të prokurorëve dhe gjyqtarëve që tani do të bëhet direkt nga zyra e Ramës. Më keq akoma do të jenë këto institucione, të cilët do të zgjedhin e Prokurorit të Përhershëm, që do të jetë tërësisht politik dhe në varësi të Ramës.
Është e qartë se kemi të bëjmë me një tepsi të re të drejtësisë që po merr formën e një pushteti kriminal dhe të korruptuar.
Ambasadori amerikan, Lu ka reaguar menjëherë pas votimit nga Parlamenti të listave për KLP dhe KLGJ, dy institucioneve drejtuese të Drejtësisë që do të bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe do të zgjedhin Prokurorin e Përhershëm. Lu thotë në mesazh se beson më shumë tek lista e rastësishme që ka dalë në Parlament se tek përzgjedhja që do të bënte politika. Në fakt përzgjedhjen e ka bërë Rama, i cili përmes selektimit të kandidaturave nga Sekretari i Përgjithshëm iParlamentit futi në listë prokurorë dhe gjyqatarë të diktaturës që kanë ushtruar genocide ndaj shqiptarëve. A mund të jenë dakort Shtetet e Bashkuara me këto prokurorë dhe gjyqtarë të sistemit diktatorial që ofrohen politikisht për të bërë Reformën në Drejtësi?

Dy gjyqtarët dhe prokurorët e diktaturës që dënuan për rrëzimin e bustit të diktatorit
Bëhet fjalë për Fatmira Lulin dhe Nurihan Seitin, të cilat kanë qenë përkatësisht gjyqtare dhe prokurore, në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991, pra përpara institucionalizimit të pluralizmit në Shqipëri. Kryetari i Këshillit të Legjislacionit, Enkelejd Alibeaj, denoncoi dje me fakte sesi sistemi i ri i drejtësisë po kapet nga qeveria nëpërmjet promovimit në krye të sistemit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të kohës së komunizimit, të përfshirë në gjyqe politike.
“Procesi për anëtarët e KLGJ dhe KLP prodhoi një rezultat dramatik, ku sot anëtarë të KLGJ dhe KLP janë jo vetëm kandidatë të përjashtuar nga ONM, jo vetëm kandidatë që nuk plotësojnë kriteret, jo vetëm kandidatë që nuk kanë paguar taksat, jo vetëm kandidatë të angazhuar në politikë, por edhe individë të kriminalizuar, për shkak se kanë dënuar politikisht qytetarët shqiptarë, thjesht se kanë menduar që liria dhe demokracia janë vlera që duhet të aplikohen edhe në shoqërinë tonë”, tha Alibeaj gjatë mbledhjes së Këshillit.
Për të faktuar këtë zoti Alibeaj publikoi vendimet politike të dhëna nga këta gjyqtarë dhe prokurorë, që janë zgjedhur të qeverisin sistemin e ri të drejtësisë në vend. Në këto vendime konstatohet se dënimet dhe akuzat ndaj qytetarëve shqiptarë, nga anëtarët e sotëm të KLGJ dhe KLP, janë dhënë për motive qartazi politike dhe me akuzë për tradhëti ndaj vijës së partisë dhe vlerave të partisë.
PD publikoi dje fotokopjet e vendimeve politike të dhëna nga ish-gjyqtarja Fatmira Luli (e zgjedhur si anëtare e KLGJ), apo ish-prokurorja Nurihan Seiti (e zgjedhur si anëtare e KLP).
Përkatësisht një vendim është dënim i dhënë nga Fatmira Luli në 19 prill 1991 për një person që ka marrë pjesë në 20 shkurt në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës.
Gjithashtu, një tjetër vendim është dënim i dhënë nga Fatmira Luli për një person (minator i Valiasit) që kishte tentuar të futej në ambasadë pas hapjes së ambasadave më 2 korrik 1990.
Ndërkohë që nga dokumentat e PD janë 4 vendime që Nurihan Seiti (KLP) ka dhënë për 4 persona të ndryshëm për akuzat e agjitacion propagandë, kalim i paligjshëm i kufirit.

Shkëlzen Berisha nxjerr bllof Bushatin; ma lexo emailin të cilit i referohesh

Shkëlzen Berisha ka replikuar me gazetarin Bushati për të ashtuquajturin hetim për çështjen e CEZ. Berisha e ka nxjerrë atë bllof duke i kërkuar që të lexojë emailin me pretendimet e Bushatit. “Lexoje atë që po thua në email” është shprehur Shkëlzen Berisha. Sipas Bushatit emaili thotë se Shkëlzen Berisha ishte bërë ndërmjetës me qeverinë për privatizmin e CEZ. Ndërkohë e kundërta thuhet në email, ku pretentohej në email për një takim me Shkëlzen Berishën pa përcaktuar asnjë detaj se përse kërkohej ky takim. Berisha ka thënë se ky takim nuk ëhstë zhvilluar asnjëherë dhe ka ngritur dyshime edhe për vërtetësinë e emailit.

Debatet në emision
Në emisionin “Të Paekspozuarit” u ndezën tensione mes të ftuarve, teksa po flisnin për ndërtimin e kullave në disa qytete të Shqipërisë. Sipas analistit Armand Shkullaku, kullat janë të klientëve të Ramës, ndërsa deputeti socialist Alket Hyseni nuk iu përgjigj kësaj akuze.
Shkullaku: Më thoni një vepër të mirë këto 5 vjet?
Hyseni: S’keni parë rilindjen urbanen
Shkullaku: Jo, kemi parë kullat që i falni klientëve të tuaj.
Hyseni: Cilat kulla?
Shkullaku: Si dy gishtat në Kavajë, bëri një shesh dhe më pas një kullë.
Ndërkohë analisti, Armand Shkullaku, foli edhe për reformën në drejtësi, që sipas tij, Tahiri është prova më e mirë se drejtësia është e kapur nga Edi Rama.
Shkullaku: Reforma në drejtësi duket se ka një frenim në dosjen “Tahiri”, pas ndryshimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Në 27 vjet trazicion ne kemi dosjen më të rëndësishme në këto vite, pasi ai akuzohet si anëtar i një bande mafioze. Kjo është ngjarja më e rëndësishme, dhe të gjitha energjitë, duhet të ishin për të zbardhur sa më shpejt këtë dosje të Tahirit.
Të merremi sot nëse ka faj Andi Toma, dhe Dash Xhika, unë jam i bindur se këtu me rrugët është bërë korupsion dhjetra vjeçar. Çdo drejtor rrugësh ka futur lugën në çorbën e korrupsionit, por të merret i gjithë shteti me këtë punë, sot Rama thoshte, shumë shpejt, Rama, thotë, kanë filluar të thyhen arrat, duart ne pranga. Nuk është kjo reforma në drejtësi. Reofrma, do të ishte zbardhja e dosjes Tahiri, krahu i djathtë i kryeministrit Rama, kjo është nisja e reformës në drejtësi.

 

Zyrtarizimi në Parlament i një qeverie anti-amerikane

SEANCE PARLAMENT - Kryetari i Partise Demokratike Lulzim Basha duke folur gjate nje seance parlamentare per programin e qeverise per 4 vitet e ardhshme./r/n/r/nPARLIAMENTARY SESSION - Head of Democratic Party Lulzim Basha speaking at a Parliamentary session about the program of the new goverment for the next 4 years.

Shumica ka zyrtarizuar në Parlament vendimin e anti-amerikan të qeverisë për votën kundër SHBA në OKB për njohjen e Jeruzalkemit si kryeqytet të Izraelit. Me shumicë votash, shumica ka rrëzuar projekt-rezolutën e opozitës që kërkonte distancim dhe rishikim nga vota në OKB.
Partia Demokratike i paraqiti Kuvendit për miratim një projekt-rezolutë në lidhje me votën kundër të Shqipërisë ndaj SHBA-së në Kombet e Bashkuara, votim i kryer pas qëndrimit të shpallur nga Presidenti Donald Trump për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit.
Përmes pr/rezolutës i kërkohet Kuvendit të Shqipërisë të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikata Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit lslamik, më 13 dhjetor 2017.
Gjithashtu i kërkohet të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të datës 21 dhjetor 2017, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj rezolute.
Po kështu, kërkohet që brenda një muaji, qeveria të informojë Kuvendin lidhur me përmbushjen e detyrave si më lart.

Rezoluta e plotë
Megjithë kërkesat e vazhdueshme të Komisionit parlamentar për Punët e Jashtme, ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, vijon të mos konsultohet me pushtetin ligjvënës, mbi çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme. Në këtë frymë mungese bashkëpunimi dhe konsultimi, ishte edhe qëndrimi i mbajtur nga qeveria shqiptare lidhur me Deklaratën e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të mbledhur në Stamboll më 13 dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jeruzalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme. Gjithashtu, pa asnjë proces konsultimi dhe informimi, ishte edhe vota pro në OKB ndaj Rezolutës “Për statusin e Jeruzalemit”, të miratuar më 21 dhjetor 2017.
Në këtë drejtim, vlerësojmë se qëndrime të tilla janë të papranueshme dhe Kuvendi duhet menjëherë të distancohet dhe të kërkojë nga qeveria, të ndërmarrë hapat e nevojshme për rregullimin e kësaj situate. Ndërmarrja e veprimeve aktive në kundërshtim me qëndrimin e partnerit tonë strategjik Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk duhet të përkrahen nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, sepse kjo bie ndesh me interesin tonë kombëtar dhe interesat e qytetarëve shqiptarë.
Nisur nga sa më lart, në mbështetje të nenit 98 dhe 99 të Rregullores së Kuvendit, paraqesim këtë mocion me qëllim zhvillimin e një debati në Kuvend për qëndrimet e papranueshme të qeverisë shqiptare mbi këtë çështje, sipas tekstit bashkëlidhur kësaj kërkese për zhvillimin e mocionit. Në mbështetje të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim nga Kuvendi i Shqipërisë të projekt-rezolutës “Për ndryshimin e qëndrimit të mbajtur nga qeveria shqiptare mbi rezolutën ‘Për statusin e Jeruzalemit’” të OKB të datës 21 dhjetor 2017.
Duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe në botë;
Duke qenë të vetëdijshëm për rolin e pazëvendësueshëm që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) luajnë e do të luajnë për tejkalimin e konflikteve, bashkekzistencën dhe vendosjen e demokracisë në atë rajon;
Duke pasur një besim të patundur se pozicionimi amerikan është në mbrojtje të vlerave, lirisë dhe parimeve universale;
Duke konsideruar SHBA si partnerin kryesor gjeostrategjik të vendit tonë, Kosovës së lirë, shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e kudo ku janë;
Duke provuar konkretisht këtë rol të padiskutueshëm amerikan si fakton kryesor i arritjeve madhore jo vetëm për kombit tonë, por edhe për të gjithë rajonin tonë;
Duke shprehur miqësinë ndaj Shtetit të Izraelit, një vend mik dhe demokratik në Lindjen e Mesme;
Duke shprehur miqësinë ndaj popullit palestinez e duke përkrahur të drejtën e tij për të patur një shtet të qëndrueshëm përmes negociatave e marrëveshjes;
Duke mbështetur pa rezerva procesin e paqes përmes negociatave mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez, bazuar në vizionin e dy shteteve fqinjë e në paqe me njëri-tjetri e me vendet e rajonit;
Duke apeluar OKB, SHBA, BE dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë që të angazhohen në procesin e paqes në mënyrë aktive e konstruktive ne Lindjen e Mesme;
Duke konstatuar se disa komunikata e rezoluta të miratuara në dhjetor 2017 për këtë çështje janë të njëanshme, jokonstruktive, me gjuhë të papërshatshme dhe nuk i shërbejnë procesit të paqes e gjetjes së një marrëveshjeje mes palëve;
Duke qenë të shqetësuar nga miratimi nga ana e qeverisë shqiptare i Komunikatës Finale dhe Deklaratës së Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, të mbledhur në Stamboll më 13 dhjetor 2017, e cila përmban veprime të njëanshme lidhur me statusin e Jeruzalemit, sulme të padrejta e të padobishme ndaj SHBA, si dhe përjashtimin e tyre nga procesi i paqes në Lindjen e Mesme;
Duke qenë të shqetësuar nga vota pro e qeverisë shqiptare për Rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit”, të miratuar më 21 dhjetor 2017 në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, përmbajtja e së cilës nuk ndihmon në procesin e paqes dhe i kundërvihet qëndrimit të një vendi sovran, SHBA-ve, që kanë rol thelbësor për zgjidhjen e problemeve aty;
Duke gjykuar se miratimi nga ana jonë e këtyre rezolutave, që godasin vendimin e SHBA, është edhe një akt flagrant në kundërshtim me interesat tona kombëtare;
Duke shprehur keqardhje që këto veprime të qeverisë u bënë pa informuar Kuvendin e pa u konsultuar me Komisionin e Punëve të Jashtme, si dhe duke përjashtuar Presidentin e Republikës nga procesi konsultativ vendimmmarrës;
Kuvendi i Shqipërisë:
I kërkon menjëherë qeverisë:
1. Të distancohet zyrtarisht e publikisht nga Komunikatat Finale e Deklarata e Samitit të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, më 13 dhjetor 2017.
2. Të rishikojë votën për rezolutën “Për statusin e Jeruzalemit” të datës 21 dhjetor 2017, të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, e në përputhje me rregullat e OKB të deklarojë një qëndrim jo miratues ndaj kësaj rezotute.
3. Të informojë brenda një muaji Kuvendin lidhur me përmbushjen e detyrave si më lart.

Arroganca me kulturën e artin është fundi i demokracisë

Enver Bytyçi

Aktori me famë mbarëshqiptare e ndërkombëtare, Mirush Kabashi, u shfaq në ekranet e televizioneve duke e krahasuar qeverisjen e sotme me atë të Ramiz Alisë, madje duke vënë në dukje se “Qeveria e sotme është më arrogante se qeveria e Ramiz Alisë”! I madhi Robert Ndrenika nga ana e tij u shpreh se “Kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha”. Të gjitha këto u thanë në një tubim të aktorëve të Teatrit Kombëtar në mbrojtje të kësaj godine.
Artistët dhe aktorët e Teatrit Kombëtar protestuan ashpër me qëllim që të ndalojnë shkatërrimin e godinës, me qëllim që në vend të saj të mbijë një kullë dhjetëra katëshe në mes të Tiranës. Ata u mblodhën e dhanë një sinjal të qartë në mbrojtje të tempullit të lirisë së fjalës së artistit. Por protesta është më e madhe se kaq. Me dhjetëra artistë, shoqata artistësh e kineastësh janë ngritur dhe kundërshtojnë një projektligj, të cilin Ministria e Kulturës dhe qeveria shqiptare duan ta kalojnë në Parlament, me qëllim që artistëve, aktorëve, kineastëve, sopranove, balerinëve, orkestrantëve, valltarëve të famshëm, t’u kufizohet liria, t’u merret fryma, t’u hiqet fjala, t’u pakësohet oksigjeni i shpirtit dhe ndjenjës!
Dhe bashkë me këtë të formatohet shoqëria shqiptare, spektatori që ndjek artin, filmin e veprimtaritë kulturore, sipas shijeve të kryeministrit shqiptar! Paralajmërimi nga të gjitha palët është bojkoti. Bojkoti i shfaqjeve, bojkoti i skenës, bojkoti i ekranit të filmit, shkurt lënia e kryeqytetit dhe qyteteve të Shqipërisë, për herë të parë pas 105 vitesh shtet, pa frymën e artistit, pa praninë e fjalës dhe interpretimit të tij. “Apologjia e vërtetë e Sokratit” nën interpretimin brilant të Mirush Kabashit, duket se rikthehetnë trishtimin e kohës së para 2400 viteve të filozofit të madh grek, të dënuar me vdekje për shkak të fjalës së lirë! Ligji, qeveria dhe ministria kanë vendosur të godasin në subkoshiencën kombëtare, t’i bëjnë artistët nga interpret të interesave dhe shqetësimeve të kombit, në shërbëtorë të pushtetit autoritar në Shqipëri.
Arbitariteti e dhuna e ekzekutivit shqiptar shprehet në çdo nen të ligjit të ri, ndërkohë që ai statusi i premtuar i artistit u harrua në këto pesë vite të Rilindjes. Rilindja në vend të statusit dhe lirisë artistike e krijuese ka vendosur të servirë pushtetin kontrollues, diktues dhe të arrogancës edhe në institucionet e kulturës dhe artit. Kështu, sipas ligjit, zot i çdo gjëje do të jetë drejtori politik i emëruar nga ministri politik sipas rekomandimit të kryeministrit arrogant! Drejtori i institucionit artistik ka të drejtë që aktorëve dhe artistëve të tjerë t’u bëjë apel dy e tri herë në ditë si në kampet e përqendrimit, ka të drejtë t’i ndëshkojë ata jo vetëm për “thyerjen e orarit”, por edhe për mospagesën e energjisë e të ujit, ka të drejtë t’i vendosë në rrjesht dhe si në kohën e revolucionit kulturor “t’u bëjë artistëve atë gjimnastikën e famshme” para një godine 40 apo 50 katëshe, pronë e një prej oligarkëve të pushtetit të sotëm, godinë e projektuar të ndërtohet aty ku sot është Teatri Kombëtar!
Ligji i ri nuk sjell asgjë të re për të drejtat e artistëve, nuk flet asnjë fjalë për statusin e tyre, thjesht dhe vetëm i shndërron këto institucione në vartësi të ministrisë, kuptohet ministrit politik të Kulturës! Ligji i ri nuk kujdeset që të rriten pagat e artistëve, aktorëve dhe të tjerëve, përkundrazi vendos kontroll rigoroz mbi këto paga qesharake dhe synon kontrollin e iniciativës private për veprimtaritë artistike të shoqatave dhe artistëve të veçantë nga ana e ministrisë dhe institucionit përkatës të varur po në ministri. Shkurt: Ligji i ri për Institucionet e Kulturës vendos kontrollin e qeverisë mbi të gjitha veprimtaritë artistike në vend, brenda e jashtë këtyre institucioneve. Projektligji që artistët po kundërshtojnë është pasqyrë e asaj që ka ndodhur e po ndodh kudo në shoqërinë shqiptare.
Një praktikë dhune e arrogancës qeveritare për të kontrolluar gjithçka në Shqipëri, në modelin e Vladimir Putin të Rusisë dhe të Rexhep Taip Erdogan të Turqisë. Ky model, aq i pëlqyer nga kryeministri i vendit, po e largon Shqipërinë me shpejtësi nga orientimi i saj euro-atlantik. Kjo iniciativë ligjore antidemokratike ka për qëllim vendosjen e artistëve nën tutelë e nën zgjedhën e “ligjit”, si dhe të varfërisë, me qëllim eliminimin e çdo mundësie për reagim qytetar elitar kundër regjimit autokrat të Tiranës. Rreziku që vjen prej një projektligji të tillë për institucionet e kulturës dhe të artit nuk prek vetëm artistët. Rreziku është shumë herë më i madh për shoqërinë shqiptare! Kapja dhe mpirja e mendimit dhe veprimit të elitës artistike, intelektuale dhe akademike është fundi i fundit të demokracisë në një vend të caktuar! Nëse i lejojmë këta harbutë të shkatërrimit të shtetit shqiptar, atëherë ne do të ishim bashkëpunëtorët më të devotshëm të këtij regresi kulturor e social si dhe rreziku gjeopolitik!

 

Protestë në Tepelenë, qytetarët kërkojnë ndihmën ekonomike

Qytetarët e Tepelenës kanë protestuar para Bashkisë, pasi nuk kanë marrë ndihmën ekonomike dhe se si pasojë e kësaj ndërprerje janë cenuar minimumi jetik për rreth 460 familje të kësaj zone, ndihma u është ndërprerë dhe për këtë organet e pushtetit lokal nuk kanë dhënë asnjë lloj shpjegimi zyrtar. Një qytetar është shprehur se, ai është i papunë dhe ndihma ekonomike i është ndërprerë. Ata kërkojnë takim me kryetarin e Bashkisë.
“Erdha për të marrë ndihmën ekonomike, por më thanë që nuk je më pjesë e listës. Por si ka mundësi? Unë jam i papunë, kam edhe një fëmijë për të rritur. Nuk di ku të shkoj, më thonë të aplikoj, por mua më duket qesharake sot. Janë falco këto aplikime. Vijnë ndihmat këtu, për shembull kanë ardhur dyshekë dhe asgjë nuk na kanë dhënë. Iu dhanë me miq, i morën ata që ishin në bashki. Nuk e dimë ku të vemi, nesër do të dalim në pension”, u shpreh i revoltuar një qytetar.
Ndërsa punonjësi i Bashkisë është shprehur se, nga deri tani vetëm 81 familje përfitojnë ndihmën ekonomike dhe të tjerat janë skualifikuar për shkak të sistemit të pikëzimit.

Ish-deputeti Peza tek Krimet e Rënda, për fshehje të pasurisë

Gjykata për Krimet e Rënda ka regjistruar dosjen penale në ngarkim të ish-deputetit Alfred Peza. Ish-anëtari i kuvendit do të përballet tek Krimet e Rënda me akuzat e “fshehjes së të ardhurave”, “pastrimi të produkteve të veprës penale” dhe “refuzimi për deklarim”. Pas regjistrimit në kryesekretarinë e Krimeve, dosja i është nënshtruar shortit elektronik, që ka përzgjedhur gjyqtarin Klodian Kurushi si kryesues të trupit gjykues. Peza u dërgua si i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme në Gjykatën e Lartë, por ende pa nisur gjykimi, në tetor 2017 kjo gjykatë shpalli moskompetencë dhe e dërgoi çështjen tek Krimet e Rënda. Në nisje të hetimit, Pezës iu sekuestrua një pasuri prej 113 milionë lekë të rinj, vlera e aksioneve të bashkëshortes së tij në një bankë të nivelit të dytë. Pasuria në fjalë u lirua nga sekuestroja me një vendim të Apelit të Krimeve në korrik 2017.

Shqiptari kapet në Itali me 4 kg kokainë

Një sasi prej rreth 4 kg kokainë është sekuestruar nga policia Pietralata të Romës në Itali, duke çuar në pranga një 34-vjeçar shqiptar dhe një 44-vjeçar italian. Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë shkëmbimit të rreth 4 kg “pluhur të bardhë”.
Policia kishte pikasur qëndrimin e dyshimtë të 44-vjeçarit italian, i cili u ndal pranë një makine në një zonë të izoluar afër rrugës “Achille Tedeschi”. Në zonë ishin edhe policia e veshur në mënyrë civile, që kishte vënë nën vëzhgim të arrestuarit. Pranë shtetasit italiani mbërriti një makinë tjetër, nga e cila ra në sy një person me një qese.
Duke përdorur një telekomandë të makinës, burri ka mundësuar hapjen e një mekanizimi, i cili i mundësonte për të hequr ulëset e pasme, ku ishte krijuar një fund i dyfishtë, një mënyrë tipike e përdorur nga korrierët e drogës që mbajnë sasi të mëdha lëndësh narkotike.
Personi që erdhi, i cili më pas doli të ishte me kombësi shqiptare, fshehu tre pako kokainë dhe më pas u largua, por pak momente më vonë u ndalua nga policia, duke i gjetur mijëra euro, para të cilat ai nuk ishte në gjendje t’i justifikonte, ndërsa mbante me vete një dokument identifikimi bullgar të falsifikuar.
Ndërkohë, një tjetër patrullë filloi ndjekjen e shtetasit italian, i cili u mbërthye në fushën e Tor Bella Monaca, ku pas kontrollit të makinës në hapësirën e dyfishtë ku gjetën tre pako me 3.4 kg kokainë, ndoshta e destinuar për t’u shitur në zonë. Ata janë arrestuan për posedim droge, ndërsa shqiptari do të përgjigjet edhe për dokumentin e rremë të identifikimit.