Prokuroria e Krimeve te Rënda ka dhënë pretencën për katër të pandehurit e dosjes “Treblova”, të akuzuarit për kultivim kanabisit në kuadër të grupit të strukuruar kriminal. Në konkluzionet përfundimtare Prokuroria kërkoi përfundimisht shpalljen fajtor të të akuzurve dhe dënimin e tyre përkatësisht me 6 vite burg Taulant Haxhiraj, 5.4 vite burg Shkëlqim Koçiaj, 5.4 vite për Marjus Bajramin dhe 2.8 vite për të pandehurin tjetër Xhovalin Baço. Katër të pandehurit u proceduan me gjykim të shkurtuar, pasi nuk pranuan aktet në gjendjen që janë pa pranuar akuzën.
Dosja “Treblova” ka lidhje me një operacion antidrogë në vitin 2016, gjatë të cilit u asgjësuan 18 parcela me kanabis në fshatrat Vezhdanisht dhe Treblovë, një aksion ky që asokohe hapi debat për sasinë e sekuestruar.
Në këtë dosje janë të pandehur dhe tre të akuzuar të tjerë mes tyre edhe për efektivin e Policisë, Renato Avdyli, për të cilët gjykata në hetimet paraprake u ktheu hetimet Prokurorisë, pasi gjykata kërkoi që të sqarohej pozita e tyre. Ndaj Avdylit dhe dy të tjerëve po vijojnë hetimet nga Krimet e Rënda, pasi ata shikohen si bashkëpunëtorë në grup.
Prokuroria dyshon gjithashtu se, grupi “Treblova” ka lidhje me Habilajt, për të cilët dosja u veçua dhe vijon të hetohet. Për Taulant Haxhirajn është kërkuar 6 vite burg, Shkëlqim Koçiajn është kërkuar 5.4 vite burg, Xhovalin Baçon është kërkuar 2.8 vite burg dhe Marius Bajramin 5.4 vite burg.
Prokuroria kërkon 19 vite burg për 4 të arrestuarit e drogës në Treblovë
Aksidentet, në hyrje të Elbasanit asnjë mbikalim për këmbësorët
Në shtatë kilometër rrugë në aksin Bradashesh-Elbasan nuk ka asnjë mbi apo nënkalim për këmbësorët. E gjithë zona në hyrje të Elbasanit është shumë e populluar dhe me trafik të rënduar. Pak ditë më parë, aty një grua humbi jetën, ndërsa katër persona u lënduan në aksidente të ndryshme.
Violeta Stoceni, 48 vjeçe, doli nga shtëpia mëngjesin e së hënës për të shkuar në Njësinë Administrative ku do të bëntë rinovimin e ndihmës ekonomike, me të cilën ushqen dy fëmijët e saj. Por fatkeqësisht ajo nuk u kthye më, pasi një drejtues mjeti i papërgjegjshëm e përplasi në trotuar së bashku me dy persona të tjerë, edhe ata në gjendje të rëndë. Të tronditur familjarët kërkojnë drejtësi.
“Qeveria të marrë masa, unë nuk e lë me kaq”, u shpreh Lulzim Stoceni, bashkëshorti i Violetës.
“Me atë shpejtësi që kishte pasur ai… Qeveria të marrë masa ndaj këtyre njerëzve”, u shpreh Flutura Këmbaci, motra e viktimës.
Në të njëjtin aks rrugor, në të njëjtën ditë dhe pothuajse në të njëjtën orë, këtu ndodhi edhe një tjetër aksident dhe dy persona të tjerë mbetën të plagosur. Por ndërsa do të jenë ekspertët ata që do të flasin për shkaqet e plota të këtyre aksidenteve, “Top Channel” bëri një vëzhgim mbi kushtet e kësaj rruge nga rrethrrotullimi i Bradasheshit e deri në hyrje të qytetit të Elbasanit.
Në një vështrim të parë qarkullimi në këtë aks rrugor është në kaos. Në rreth 7 km zonë të banuar këtu nuk ka mbikalime as nënkalime. Shpejtësia e lejuar dikton 60km/h, mungon ndriçimi dhe kalimtarë e automjete ndajnë të njëjtën rrugë.
Rama do të prishë Teatrin për të ngritur kullë, artistët protestojnë
Artistët paralajmëruan protesta dhe bojkot të shfaqjeve deri në ndalimin e projektligjit të Ministrisë së Kulturës për ndërtimin e një kulle në vend të Teatrit Kombëtar. Aktorë dhe regjisorë të karrierës, të mbështetur edhe nga të rinjtë e skenës së teatrit, kinemasë, studentë dhe profesorë të Universitetit të Arteve i kërkojnë ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, një takim për të ndaluar zhvendosjn e Teatrit Kombëtar në një godinë tjetër, tek Turbina.
Gjatë mbledhjes së Sindikatës së Artistëve të Skenës dhe Ekranit, paralajmëruan qeverinë se nuk do të dalin kurrë nga teatri. Kërkesa u firmos nga mbi 70 artistë në sallën “Black Box” të Universitetit të Arteve, që u pri nga një diskutim mbi një orë. Mbi këtë çështje për herë të parë u shpreh publikisht edhe aktori i madh i skenës së teatrit dhe kinemasë, Robert Ndrenika.
Robert Ndrenika tha se nuk ishte tërhequr nga deklarata e tij, se do të shtrihej në teatër, nëse godina do të prishej, megjithëse Mirela Kumbaro e kishte ironizuar. Në përgjigje ai e quajti Mirela Kumbaron “ministresha” dhe e këshilloi ta përdorë godinën e Turbinës për takimet e fushatës elektorale, sepse për Teatër Kombëtar ajo ishte qesharake.
Ndrenika tregoi sesi hapësirat e Teatrit Kombëtar janë ngushtuar ndër vite nga kullat apo bizneset përreth. Por ajo që ishte më e rëndë ishte se aktori paralajmëroi se me zhvendosjen e teatrit, qeveria po i hap rrugën ngritjes së kullave në qendër të Tiranës, ku teatri do të jetë thjesht një aneks i ngrehinave të reja.
Plani për të cilin flet aktori i madh ngjan pikë për pikë me atë që u zbatua me stadiumin “Qemal Stafa”. Stadiumi i ri u shemb për t’u rindërtuar bashkë me një kullë përkrah. Pra, pas stadiumit me kullë, ideja është që të kemi një teatër me kullë.
Protestat dhe deri në pezullimin e shfaqjeve janë dy nga propozimet e hedhura nga aktorët dhe regjisorët në mos zgjidhje të kërkesave të tyre. Një tjetër angazhim i Sindikatës së Artistëve të skenës dhe teatrit dhe atyre që nuk i përkasin asaj është krijimi i një nisme ligjore, ku artistë të jenë pjesë në të ardhmen e çdo vendimmarrje për skenën e teatrit dhe kinemasë.
Julian Deda: Mjaft arrogancës qeveritare
Aktori i njohur Julian Deda përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan se artistët po flasin, po protestojnë, po reagojnë dhe kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen. Artistët kundërshtojnë ligjin e ri për artin dhe mbylljen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, ndërsa Deda shkruan se e gjithë kjo situatë vjen si rezultat i arrogancës shtetërore, që për fat të keq drejtohet nga një artist që përbuz artistët.
“Sot artistët, kryesisht ata të artit skenik u mblodhën për të shprehur shqetësimet e tyre dhe për të rakorduar veprimet e mëtejshme për të kundërshtuar ligjin e ri për artin dhe për të mos lejuar mbylljen e godinës së vjetër të Teatrit Kombëtar, deri në momentin që të bëhet transparent projekti i ri.
Njëzëri shpalosën kërkesat e tyre dhe nëse nuk do ketë reagim nga institucionet përkatese, atëherë do shkohet drejt një bojkoti të gjithë aktivitetit artistik në Teatrin Kombëtar dhe jo vetëm.
Mirëpo jehonën e këtij aktiviteti e mbyti palo Parlamenti, i cili uzurpoi të gjitha mediat. Turp më të madh nuk ka. Ju siguroj se salla e mbushur me artistë është 1000 herë më e bukur se salla e Parlamentit.
E gjithë kjo situatë vjen si rezultat i arrogancës shtetërore, që për fat të keq drejtohet nga një artist që përbuz artistët. Megjithatë ky është vetëm hapi i parë, që artistët më në fund e hodhën të gjithë bashke dhe jo të ndarë. Artistët po flasin, po protestojnë, po reagojnë dhe kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen. Mos na lini vetëm në këtë përpjekje për t’u ndjerë artistë normal në një vend anormal”, shkruan Julian Deda.
Artistët: Qeveria po vret pluralizmin kulturor
Të organizuar në Sindikatën e Artistëve të skenës dhe ekranit, në një mbledhje të hapur për mediat, artistët diskutuan mbi zhvendosjen sipas tyre tërësisht jotransparente të trupës së Teatrit Kombëtar tek Teatri “Turbina” dhe njëkohësisht amendimet në ligj që ata mendojnë se “cënojnë rëndë” statusin e artistit.
Arben Derhemi: Teatri Kombëtar pas pesë vjetësh që ka ikur këtej të vijë për godinën e re, e cila do të jetë një godinë e re, marramendëse, fantastike, por nuk dihet se si është pasi nuk ka projekt.
Neritan Liçaj: Personalisht mendoj se duhet ta ngremë presionin shumë lart nëpërmjet protestave, nëpërmjet shumë institucioneve, Parlament, Kryeministri, Presidencë, të ftojmë Shoqërinë Civile, pra të ngremë një valë të madhe kundër kësaj arrogance.
Genc Fuga: Këtu po demitizohet dëshira e liderëve të komunitetit tonë për t’u shtrirë në rast se prishet teatri.
Altin Basha: U sulmuan fillimisht institucionet që kishin ndërtuar artistët, me pak presion, me pak lobim, me pak mundësi, për të ardhur tek pika e fundit që është ligji. Me pak fjalë unë e kuptoj këtë si vrasje të pluralizmit kulturor.
Mehdi Malkaj: Ne nuk jemi skllevër, ne jemi vlerë kombëtare! Ata na marrin na nxjerrin përjashta. Pse na nxjerrin përjashta?
Robert Ndrenika: Ministresha të mos guxojë t’i qaset Teatrit
“Artisti i Popullit”, Robert Ndrenika i është bashkuar protestës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Ndrenika u shpreh se Tiranës i takon të ketë një teatër serioz dramatik, ashtu sikundër ka çdo kryeqytet i vendeve të Ballkanit. “Plot shumë vite më parë edhe PPSH thoshte do bëjmë një teatër, por ky teatër nuk u bë. Edhe këto 27 vjet është folur se do të bëhet një teatër, por nuk ka patur pikë transparencë. Ajo që di unë është se prona e jonë, Teatri aktual, është një sipërfaqe 6-7 mijë metra katror, i cili është vjedhur dhe po vidhet sheshit, në mënyrë të hapur.
E kam thënë edhe e them që të gjithë kryeqytetet e Ballkanit kanë Teatro Kombëtare dhe teatri bëhet njëherë në 500 vjet. Sot mund të ketë nga ata që thonë: e mo, çjanë këto, s’dimë të aktrojmë, por nuk mendohet se Shqipëria do mbetet pa aktorë. Këtu po bëhen kisha dhe xhamia dhe nuk bëhet një Teatër. I thashë dikujt shiko çfarë xhamie është bërë, dhe më tha se atë po e bën Erdogani. Shumë mirë, sepse teatri duhet ta bëjë shteti shqiptar, sepse teatri është kisha dhe xhamia e shqiptarëve. Vajtëm dhe pamë atë godinën te Turbina. Ajo godinë është vetëm për fushatë elektorale, por jo për teatër”, u shpreh Ndrenika.
Artisti i madh i bëri thirrje ministres së Kulturës që të mos guxojë t’i qaset Tetarit, sepse artistët nuk do të lejojnë që të prishet Teatri. “Ajo fjala që i kam thënë ministreshës se, unë do shtrihem te Turbina dhe ajo që e ktheu me ironi, po le të vijë të aktrojë në skenë, duket se ka qenë një fjalë me mend. Ne nuk do të lejojmë që të prishet Teatri, ndërsa për TOB-in të mos guxohet t’i qaset.
Dhe një gjë, mos kini shumë shpresë te këto analistët e mëdhenj që dalin në televizione, sepse para 20 vitesh ato u bënë me atë ministren e asaj kohe. Kur i kërkova ministreshës të na jepte ca para për lapidarin e Spahivoglit, nuk më dha as 5 lekë për këtë lapidar.
Kam edhe të tjera për të thënë, por tani nuk më kujtohen, pasi më vijnë kur jam në krevat, në ëndërr. Edhe një gjë! Kemi aktorë të mrekullueshëm dhe paguhen për një kafshatë bukë. Kur të vënë litarin e bukës, ai është më i tmerrshmi nga të gjitha”, u shpreh Robert Ndrenika.
Shpërthejnë minatorët, protesta në Korçë, Ersekë, Pogradec e Prrenjas
Minatorët e Korçës, Ersekës, Pogradecit dhe Prrenjasit u ngritën dje në protestë në qendër të qyteteve kundër qeverisë. Minatorët thanë se marrin pensione qesharake në një kohë, që gjithë jetën kanë punuar nëntokë, në kushte tepër të vështira shëndetësore dhe ekonomike. Ata i bëjnë apel qeverisë për të miratuar statusin e minatorit, në mënyre që jeta e tyre të jetë më pak e vështirë.
Minatorët kanë kërkuar njëzëri statusin e minatorit, ndërsa janë kundër masës së pensionit. Protestuesit paralajmëruan përshkallëzimin e protestës para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ata thonë se marrin pensione qesharake. “Kërkojmë pensionin që na takon. Ka minatorë të sëmurë si pasojë e punës në thellësitë e nëntokës. Jemi një shtresë në kushte të vështira. Të miratohet sa më shpejt statusi”, thanë minatorët.
Protestuesit thonë se Qarku i Korçës numëron mbi 1000 minatorë. “Shumë prej tyre hallakaten nëpër gjykata ende”, thonë ata. Minatorët paralajmëruan përshkallëzim të protestave, duke deklaruar se do të vinë dhe në Tiranë para Kuvendit. “Protestat do përshkallëzohen”, thanë minatorët njëzëri.
“Marrim 150 mijë lekë pension, është turp i botës. 80 mijë shkojnë dritat, lëri ilaçet e mia. 51 vjeç e 6 muaj, me 12 vjet nëntokë. Dhe tani na sorollasin. Ne kërkojmë një gjë shumë të thjeshtë që e ka emrin Status. Eshtë turp që një minator ka 19 vjet e 6 muaj nëntokë, marrin një pension qesharak dhe e lënë te dritat e uji”, u shpreh një nga minatorët.
“Kanë humbur shikimin, anën shëndetësore. Po shikoni këtu, janë shumë pak minatorë, shumica kanë vdekur po nga këto sëmundje”, tha një minator tjetër.
Sindikata Rajonale e Minatorëve të Korçës, Pogradecit, Prrenjasit dhe Ersekës i janë drejtuar me një peticion Kryeministrit Rama, kreut të Kuvendit Ruçi dhe kreut të Grupit parlamentar të PS-së, Balla ku i kërkojnë miratimin sa më shpejt të statusit të minatorit.
Mazhoranca ka refuzuar projektligjin për statusin e minatorit, i propozuar nga deputeti Përparim Spahiu i LSI. Por, duke refuzuar këtë projektligj i propozuar nga deputeti i LSI-së, qeveria zotohet se do të hartojë vetë një projektligj të ri për statusin e minatorit brenda 2018.
Punonjësit e minierave të indinjuar i kanë kërkuar qeverisë që t’u japë statusin e minatorit, pasi pensionet që ata marrin janë qesharake dhe nuk i mjaftojnë as për të blerë ilaçet. Ndërkohë, Ministria e Infrastrukurës dhe Energjisë sqaron se, aktualisht po punohet për ligjin e statusit të minatorit në mënyrë që të përllogaritet edhe një faturë konkrete për këtë çështje. Pak orë para se shumica të rrëzonte statusin e minatorit, punonjësit e minierave në vend kanë protestuar para hyrjes së Parlamentit.
Pak ditë më parë ishin sindikatat që paralajmëruan protesta. Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri tha se, projektligji u rrëzua me katër pretendime që nuk qëndrojnë. Ai i kërkoi deputetit Spahiu të këmbëngulë për miratimin e statusit. “Ne sigurisht që do tëtentojmë të organizohemi sa më shpejt, për të dalë në protesta, sepse është një qëndrim skandaloz i mbajtur nga Partia Socialiste dhe qeveria”, u shpreh Xibri.
Fiqiri Xibri, kryetar i Sindikatës së Minatorëve, bëri të ditur, se mazhoranca rrëzoi propozimin me katër pretendime, që sipas tij nuk qëndrojnë. “Janë katër argumenta, të cilat janë ngritur nga qeveria, që ka një kosto dhe nuk duan të përballen, ka ndeshje me Kushtetutën dhe Kodin e Punës, që nuk është e vërtetë, krijohen vështirësi, pasi ka akte të tjera ligjore për të drejtat e minatorëve dhe krijohen vështirësi në zbatimin praktik, por që nuk është e vërtetë, dhe i shton punë Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe kaq”, tha ai.
Dokumenti, si e ka paguar Rama vrasësin e Azem Hajdarit, Izet Haxhinë
Kryeministri Rama ka firmosur në Këshillit të Ministrave datë 9 korrik 2014 vendimin për të kryer pagesën prej 1400 eurosh në adresë të Izet Haxhisë, person i dënuar për ngjarjen e vrasjes së Azem Hajdarit.
Vendimi i qeverisë është marrë në zbatim të urdhërimeve të Gjykatës së Strasburgut, e cila caktoi një gjobë për palën shqiptare në shumën prej 1400 eurosh. Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, kryeministria.al, thuhej se “qeveria vendosi: 1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, datë 5.11.2013, për çështjen nr.34783/06, “Izet Haxhia kundër Shqipërisë”, në shumën 1 400 (një mijë e katërqind) euro, si dhe pagesën e tatimit mbi të ardhurat për dëmshpërblimin”.
Shtetasi Izet Haxhia është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Tiranës si pjesëtarë i grupit që vrau deputetit e PD Azem Hajdari. Ky dënim është konfirmuar në çdo shkallë gjykimi, madje në gjyqin në Strasburg, 9 gjykatësit e Strasburgut kanë shkruar në vendim jo vetëm se gjyqi ka qenë korrekt, por edhe se Izet Haxhia kishte plan të organizuar edhe për vrasjen e presidentit të Shqipërisë. Sali Berisha.
Izet Haxhia është dënuar edhe nga gjykata e Athinës me burgim të përjetshëm për vrasjen e Riza Kurbneshit, 3 muaj pas vrasjes së Azem Hajdarit dhe më pas ka shkuar në Turqi.
Izet Haxhia u arrestua në Turqi në vitin 2005 dhe më pas çështja e ekstradimit të tij në Shqipëri mbeti pezull. Derisa Gjykatat e Turke kanë marrë vendim për të ekstraduar në Shqipëri.
“Faktor.al”
Lu vlerëson listën e KLP dhe KLGJ me dy prokurorë e gjyqtarë të diktaturës që ushtruan genocid ndaj shqiptarëve
Ambasadori amerikan, Lu ka reaguar menjëherë pas votimit nga Parlamenti të listave për KLP dhe KLGJ, dy institucioneve drejtuese të Drejtësisë që do të bëjnë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe do të zgjedhin Prokurorin e Përhershëm. Lu thotë në mesazh se beson më shumë tek lista e rastësishme që ka dalë në Parlament se tek përzgjedhja që do të bënte politika. Në fakt përzgjedhjen e ka bërë rama, i cili përmes selektimit të kandidaturave nga Sekretari I Përgjithshëm I parlamentit futi në listë prokurorë dhe gjyqatarë të diktaturës që kanë ushtruar genocide ndaj shqiptarëve. A mund të jenë dakort Shtetet e Bashkuara me këto prokurorë dhe gjyqtarë të sistemit diktatorial që ofrohen politikisht për të bërë reformën në drejtësi?
Dy gjyqtarët dhe prokurorët e diktaturës që dënuan për rrëzimin e bustit të diktatorit
Bëhet fjalë për Fatmira Lulin dhe Nurihan Seitin, të cilat kanë qenë përkatësisht gjyqtare dhe prokurore, në procese politike të zhvilluara deri para mesit të vitit 1991, pra përpara institucionalizimit të pluralizmit në Shqipëri. Kryetari i Këshillit të Legjislacionit, Enkelejd Alibeaj, denoncoi dje me fakte sesi sistemi i ri i drejtësisë po kapet nga qeveria nëpërmjet promovimit në krye të sistemit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të kohës së komunizimit, të përfshirë në gjyqe politike.
“Procesi për anëtarët e KLGJ dhe KLP prodhoi një rezultat dramatik, ku sot anëtarë të KLGJ dhe KLP janë jo vetëm kandidatë të përjashtuar nga ONM, jo vetëm kandidatë që nuk plotësojnë kriteret, jo vetëm kandidatë që nuk kanë paguar taksat, jo vetëm kandidatë të angazhuar në politikë, por edhe individë të kriminalizuar, për shkak se kanë dënuar politikisht qytetarët shqiptarë, thjesht se kanë menduar që liria dhe demokracia janë vlera që duhet të aplikohen edhe në shoqërinë tonë”, tha Alibeaj gjatë mbledhjes së Këshillit.
Për të faktuar këtë zoti Alibeaj publikoi vendimet politike të dhëna nga këta gjyqtarë dhe prokurorë, që janë zgjedhur të qeverisin sistemin e ri të drejtësisë në vend. Në këto vendime konstatohet se dënimet dhe akuzat ndaj qytetarëve shqiptarë, nga anëtarët e sotëm të KLGJ dhe KLP, janë dhënë për motive qartazi politike dhe me akuzë për tradhëti ndaj vijës së partisë dhe vlerave të partisë.
PD publikoi dje fotokopjet e vendimeve politike të dhëna nga ish-gjyqtarja Fatmira Luli (e zgjedhur si anëtare e KLGJ), apo ish-prokurorja Nurihan Seiti (e zgjedhur si anëtare e KLP).
Përkatësisht një vendim është dënim i dhënë nga Fatmira Luli në 19 prill 1991 për një person që ka marrë pjesë në 20 shkurt në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës.
Gjithashtu, një tjetër vendim është dënim i dhënë nga Fatmira Luli për një person (minator i Valiasit) që kishte tentuar të futej në ambasadë pas hapjes së ambasadave më 2 korrik 1990.
Ndërkohë që nga dokumentat e PD janë 4 vendime që Nurihan Seiti (KLP) ka dhënë për 4 persona të ndryshëm për akuzat e agjitacion propagandë, kalim i paligjshëm i kufirit.
Berisha-Ramës: Marrëveshjen e detit nuk e kalon dot
Ish-Kryeministri Sali Berisha në një replikë me Ramën në Parlament u shpreh se “fole e fole këtu, por nuk u the shqiptarëve se cilën vrimë miu zgjodhe më datën 27 janar?!”.
“U përpoqe të ofendosh Dash Sheun këtu, në një kohë pse ai edhe kthen ndonjëherë ndonjë gotë, po njëmijë herë më mirë gota sesa vizat e kokainës, njëmijë herë me mirë gota se të dorëzosh vëllanë tënd bandës së Xibrakës për të mbushur pasuritë e tua me milionat e kokainës, se sa ta shndërrosh atë si transportues të drogës së Xibrakës.
Fole e fole, por nuk u the shqiptarëve se cilën vrimë miu zgjodhe ti më 27 janar?!
Pse nuk ka besim tek ju po zgjidhi vrimën e miut? Cilën vrimë miu zgjodhi ky?! A mund të më thoni ju mua të dashur oficerë?
Lidhur me marrëveshjen…
Ne si shqiptarë kemi problemet tona po nuk na akuzon dot njeri për intelektin. Jo se nuk kemi fatkeqësira psikologjike, por intelektin e kemi ne. Nuk ka shqiptarë që e beson se, Greqia për hir tëndin shkelmoi interesat e veta kombëtare. Atë marrëveshje nuk e kalon dot kurrë ti këtu. Asnjë pëllëmbë det nuk mund të marrë kush nga ky territor. Cila është marrëveshja apo ligji i luftës? I thoni shqiptarëve ose këtë marrëveshje ose do kemi luftë. Tani shko e gjej një vrimë tjetër miu!”.
Kryemadhi: Vota në OKB, Rama votoi i kushtëzuar nga tutorët
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, foli dje në Parlament për votën e Shqipërisë kundër SHBA-së në OKB. Kryemadhi tha se vota e 21 dhjetorit ishte faqja më e errët në historinë e politikës së jashtme. Kryetarja e LSI-së tha se, Rama votoi i kushtëzuar nga tutorët e tij dhe nuk veproi në interes kombëtar. “Argumentat që kjo mazhorancë përdori për të fshehur qëllimin e vërtet, pas këtij qëndrimi dhe votimi, as nuk qëndrojnë dhe as nuk mund të bindin dot njeri, dhe aq më pak administratën amerikane. Argumentin se Shqipëria ndoqi qëndrimin e Bashkimit Europian, si një pjesë e detyrimit në kuadër të procesit të integrimit europian është vetëm një mashtrim politik. Vendet e asociuara apo kandidate për në BE kanë vetëm një detyrim në kuadër të politikës së jashtme dhe sigurisë së Unionit”, u shpreh ajo. Gjithashtu, Kryemadhi tha që kjo është një votë kundër interesave mbarëkombëtare shqiptare, si dhe shumë veprime të tjera antikombëtare që Rama ka kryer për Shqipërinë. “Kryeministri ynë që nuk lë rast pa na treguar sesa i ditur e erudit është, sesa shumë i referohet Ismail Qemalit, Konicës, Nolit e atdhetarëve të tjerë, s’është gjë tjetër veçse një bylmez me demenca historike, politike dhe diplomatike, pasi përpara se t’i kundërvihej SHBA dhe Presidentit Trump, qëndrimin ndaj të cilit në mënyrë të pacipë dhe të turpshme e bëri edhe gjatë fushatës elektorale në SHBA, duhet të kishte kujtuar sesa shumë i detyrohen shqiptarët Shteteve të Bashkuara të Amerikës, popullit amerikan dhe udhëheqësve të këtij vendi të madh. Edi Rama duhet të kishte kujtuar Presidentin Willson dhe platformën e tij në Konferencën e Paqes, ku sanksionoi të drejtën e popullit shqiptar për vetëvendosje në një kohë që ishte pranë copëtimit dhe ndarjes mes fuqive ballkanike të kohës. Prandaj qëndrimi i Edi Ramës ka qenë i kushtëzuar nga tutorët e tij dhe aspak nga interesi kombëtar. Ka një shprehje në gjuhën angleze që thotë “a friend in need, is a friend indeed” që do të thotë: “një mik që të gjendet në nevojë është një mik i vërtetë”, tha Kryemadhi.
Vota në OKB për Jeruzalemin, LSI: Rama përdor gjuhë prej naziskini
Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama në lidhje me votën në OKB për statusin e Jeruzalemit. Në një dalje për mediat, Vasili dënoi gjuhën e përdorur nga Rama, duke e quajtur naziskin. “Sot në Parlamentin e Shqipërisë ka qenë një moment shumë i veçantë dhe është diskutuar gjerësisht Projektrezoluta e paraqitur nga opozita shqiptare lidhur me votën skanaloze kundër të qeverisë shqiptare në OKB, kundra propozimit amerikan, që lidhej me Jeruzalemin. Sigurisht, që ka qenë një votë e padëgjuar, një qëndrim krejtësisht i papranueshëm për të gjithë shqiptarët, por edhe për të gjithë opinionin e gjerë jashtë Shqipërisë dhe atij në diasporë. Megjithatë, pikërisht në këtë moment delikat kur po diskutohej kjo rezolutë dhe ky qëndrim shumë i shëmtuar antiamerikan i qeverisë, ne jemi të gjithë të befasuar nga gjuha e tmerrshme e kryeministrit, i cili përdori për hebrenjtë, popullin e nderuar të Izraelit, termin “çifut”, një term i përdorur vetëm nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore, kur ata ushtronin Holokaustin e pamëshirshëm dhe të padëgjuar në historinë e njerëzimit dhe ku shfarsonin mijëra e mijëra hebrenj. Vetëm në gjuhën e tyre është dëgjuar përcaktori apo emri “çifut”. Unë ju ftoj të gjithë teleshikuesit ta ndjekin vetë pikërisht se çfarë tha dhe në çmënyrë e përcaktoi popullin e Izraelit, kryeministri, nëpërmjet videos që ju ftoj ta ndiqni. Patë një gjuhë pikërisht të një naziskini të ri, i cili po me këtë gjuhë prej naziskini kërkon të qeverisë vendin. Po me këtë gjuhë prej naziskini kërkon të ndërtojë raportet me opozitën shqiptare, po me këtë gjuhë kërkon të ndërtojë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku voton kundër, dhe ku votoi përsëri kundër me qëndrimin ndaj rezolutës. Po me këtë gjuhë naziskini i drejtohet popullit shumë të respektuar, mik dhe vëlla të Izraelit. Hebrenjtë kanë qenë miq të kahershëm të shqiptarëve, dhe kanë ndarë së bashku me ta momente shumë të vështira të historisë, duke sakrifikuar reciprokisht, e ku shqiptarët kanë qenë një shembull i jashtëzakonshëm në Europë në raportin me hebrenjtë, dhe sot vjen një kryeministër me një psikologji dhe me një mënyrë veprimi naziskin, që përpiqet të deformojë këto raporte, të cilët janë të padeformueshëm. Shqiptarët dhe hebrenjtë i kanë zgjidhur këto çështje me njëri-tjetrin, në mënyrën më të mirë dhe më të shkëlqyer të mundshme, prej vitesh dhe të tilla janë. I vetmi që është jashtë vendit, jashtë kohës, në vendin e gabuar, në kohën e gabuar, në psikologjinë e gabuar e në dëm të Shqipërisë, por edhe të marrëdhënieve me Izraelin, dhe mbi të gjitha në raport me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë pasur mendjehapjen dhe vizionin e largët për të ndërtuar raporte të reja dhe në Lindjen e Mesme dhe kudo gjetkë, i vetmi njeri i shtrembër në këtë mes është kryeministri shqiptar. Sot, psikologjia prej naziskini e tij duhet të jetë një shqetësim mbarëpopullor, pasi kështu ai kërkon ti trajtojë edhe shqiptarët, siç trajtoheshin hebrenjtë nga nazistët në Luftën e Dytë Botërore dhe që ky kryeministër i papërgjegjshëm na i risolli me një gjuhë shumë të egër, dhe të paprecedentë në historinë e pluralizimit shqiptar, pikërisht në sallën e Parlamentit”.