18.5 C
Tirana
E premte, 5 Shtator, 2025

Strategjia e BE-së, reagime të ndryshme në Ballkanin Perëndimor

Reagimet ndaj perspektivës së BE për Ballkanin Perëndimor ndryshojnë shumë nga një vend te tjetri.
Për një kohë të gjatë Bashkimi Europian ishte i rezervuar për përfshirjen e mundshme të Ballkanit Perëndimor – Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Maqedonia – në BE. Struktura demokratike të papërfunduara, sundimi i ligjit i mangët, nacionalizëm i tepruar, korrupsion dhe nepotizm, këto ishin vetëm disa nga arsyet për qëndrimin refuzues. Por tani BE ka arritur në përfundimin se vazhdimi i kësaj politike do të rrezikonte shumë stabilitetin e rajonit dhe sigurinë gjeopolitike. Prandaj Komisioni i BE-së botoi strategjinë për Ballkanin Perëndimor në të cilën ofrohen perspektva konkrete për anëtarësim.

Pararojë: Serbia dhe Mali i Zi
Serbia dhe Mali i Zi janë kandidatët që kanë bërë përparimet më të mëdha në rrugën drejt BE. Negociatat e pranimit po vazhdojnë me të dy vendet prej disa vitesh. Për qeverinë e Serbisë dokumenti strategjik i BE-së është një “pozicion i guximshëm dhe vizionar”, i cili gjithashtu “u përgjigjet pritjeve dhe kërkesave të presidentit serb Vuçiç”, tha kryeministrja Ana Brnabiç në një reagim të parë. Njoftimin se Serbia mund të bashkohet me BE-në që nga viti 2025, ajo sheh shumë pozitivisht, por paralajmëron se kjo është “një mundësi për Serbinë, jo një garanci”.
Kjo është gjithashtu pikëpamja e Partisë Liberale Demokratike në opozitë. Në një deklaratë të saj thuhet se kjo është një “mundësi historike” dhe se vendi tani ka nevojë për “reforma konkrete politike”. Në veçanti Serbia tani duhet të intensifikojë negociatat me Kosovën.

Kosova si pengesë
Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës. Prandaj marrëdhënia midis Beogradit dhe Prishtinës është një pengesë në negociatat e pranimit. BE insiston që të dy vendet të “normalizojnë” marrëdhëniet e tyre para pranimit. Nga ana tjetër, ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vujin theksoi se politika e Serbisë në Kosovë nuk duhet të përcaktohet nga perspektiva e anëtarësimit në BE, por thjesht dhe vetëm sipas “interesave të popullit serb”.
Tone kritike dëgjohen në mediat sociale. Një autor shkruan në twitter: “Strategjia e Brukselit për anëtarësimin e Serbisë në BE është një Hiç i madh”, ndërsa një tjetër ankohet: “Është e tmerrshme që BE-ja merr pjesë në gënjeshtrën e madhe që Serbia është lider rajonal, kur është fjala për integrimin në BE, sepse nuk dihet në cilin sektor situata është më e keqe në media apo në gjyqësi, krimi është kudo; ka korrupsion dhe ky vend qenka pararojë?”

A është gota gjysmë plot apo gjysmë bosh?
Zërat nga Kosova janë optimiste, por të rezervuara. Ministrja për Integrimin Evropian, Dhurata Hoxha, shkroi në Facebook. Ajo e sheh gotën gjysmë plot. Ajo shkroi se “BE e ka hapur derën për ne, por ne jemi ata që duhet të kalojmë tani nëpër të”. Megjithatë gëzimi i saj është i kufizuar: ajo priste deklarata më konkrete për vendin. Dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkroi në Facebook. “Unë e mirëpres që dokumenti i ri strategjik e trajton Kosovën si një pjesë integrale të planeve të zgjerimit të BE-së. Megjithatë, ky dokument nuk ka arritur të ofrojë një perspektivë të plotë dhe të barabartë anëtarësimi për të gjitha vendet e rajonit. Në veçanti, kjo strategji nuk i ofron Kosovës qartësi për pranimin në BE”.
Shqipëria nga ana tjetër është e kënaqur me dokumentin strategjik të BE-së, kryeministri Edi Rama shkroi në Facebook: “Unë pajtohem me atë që thuhet për Shqipërinë në strategjinë e BE-së. Bisedimet e pranimit janë sa më afër se kurrë më parë. Gjithçka tani varet nga këmbëngulja jonë”.

Inkurajim për Maqedoninë, zhgënjim për Bosnje-Hercegovinën
Në deklaratën e tij, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev tha se, “Brukseli ka dërguar një lajm shumë të mirë për Maqedoninë dhe të gjithë qytetarët e saj”. Tani pranohet se vendi ka bërë përparim të madh në përpjekjet e tij për t’u afruar më pranë BE-së.
Zhgënjim i madh mbizotëron në Bosnje-Hercegovinë. “Fakti që nuk ka ndonjë datë specifike për anëtarësimin e mundshëm në BE për ne është një lajm i keq për vendin. Unë kam përshtypjen se njerëzit në BE nuk e kuptojnë sa e rëndësishme është Bosnjë-Hercegovina për stabilitetin në rajon”, tha zëvendëskryetari i Parlamentit, Mlladen Bosiç për DW-në.
Nga ana tjetër, Milica Markoviç anëtare e delegacionit të Bosnjës dhe Hercegovinës në Këshillin e Evropës thekson se, “nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Bosnja është në fund të axhendës së saj kur është fjala për gatishmërinë për anëtarësimin në BE”. Deri tani vendi nuk ka plotësuar shumë kushte dhe prandaj për Bosnje-Hercegovinën nuk ka ndonjë datë konkrete për pranim.

Ekonomia gjermane e pakënaqur me marrëveshjen e qeverisë

Pa u bërë mirë i njohur lajmi për një koalicion tjetër të madh, ekonomia gjermane reagoi e pakënaqur.
“Me gjysmë zemre, pa dëshirë, pa frymëzim”: Shoqata gjermane e Industrisë së Prodhuesve të Makinerive (VDMA) u shpreh me shumë kritikë për koalicionin e ri mes CDU/CSU dhe SPD. Rezultati i negociatave nuk ishte më i mirë se historia e mëparshme e ish-koalicionit të madh nën kancelaren Merkel, kështu thuhet në një reagim të VDMA-së: “Fillimi i ri i nevojshëm mungon”.
Më i balancuar, por jo më pak i vendosur, tingëllon reagimi i Shoqatës Federale të Industrisë Gjermane (BDI): “Në përgjithësi, industria gjermane është e pakënaqur me marrëveshjen e koalicionit”. Shefi i BDI-së Dieter Kempf kritikoi se sa i takon shpenzimit të parave ekziston “një mungesë ekuilibri që ka tendencë të qartë në drejtim të rishpërndarjes”. Në politikën fiskale, koalicionit të ri, si edhe të vjetrit, i mungon sipas BDI-së “guximi për lehtësime të dukshme dhe reforma strukturore”, pavarësisht situatës së mirë ekonomike.
Shefi i BDI-së, Dieter Kempf tha se koalicioni i ri nuk është shprehur qartë pro lehtësimeve fiskale për nxitjen e studimeve dhe të zhvillimeve teknologjike.

Kritikë ndaj politikës për strehimin
Planet për të shpenzuar dy miliardë euro shtesë për ndërtimin e banesave për personat që nuk kanë mjaft të ardhura dhe kanë probleme sociale u kritikua si nga shoqatat e ndërtuesve dhe nga sekserë të pasurive të patundshme.
Kryetarja e partisë e Majta Sahra Wagenknecht kritikoi faktin që CDU/CSU dhe SPD nuk do të aplikojnë taksa më të larta për super të pasurit dhe koncernet, sepse kështu nuk do të ketë para të mjaftueshme për investime. Sipas saj në Gjermani do të ketë mungesë banesash, pasiguri në vendin e punës, rroga të ulëta dhe pensione që nuk mjaftojnë.
Nga ana tjetër Shoqata gjermane e Industrisë dhe e Tregtisë DIHK vuri në dukje që ekonomia gjermane është gjithë besim për të ardhmen. DIHK-ja publikoi rezultatet e një ankete të anëtarëve të saj dhe sipas saj, sipërmarrjet gjermane janë tepër të kënaqura si s’kanë qenë për shumë vite me radhë. Po ashtu DIHK parashikon këtë vit një rritje të ekonomisë gjermane deri në 2.7 për qind dhe parashikon hapjen e rreth 600,000 vendeve të reja pune.

Pence: Korenë e Veriut e presin sanksione të rënda

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence tha të mërkurën se, Shtetet e Bashkuara do të njoftojnë së shpejti sanksionet “më të ashpra dhe më agresive” ndonjëherë kundër Koresë së Veriut.
Gjatë një takimi me Kryeministrin Shinzo Abe të Japonisë, Zëvendëspresidenti Pence tha se presioni amerikan ndaj Koresë së Veriut do të vazhdojë deri sa ai vend “të heqë dorë një herë e përgjithmonë nga programi bërthamor dhe i raketave balistike”.
“Bota duhet ta dijë se së bashku me Japoninë dhe aleatët tanë ne do të vazhdojmë të intesifikojmë fushatën e presionit maksimal deri sa Korea e Veriut të ndërmarrë hapa konkret drejt një çnekluarizimi të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm. Për të arritur këtë, sot po njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të shpalosin së shpejti raundin më të rreptë dhe më agresiv ndonjëherë të sanksioneve ekonomike ndaj Phenianit. Do të vazhdojmë ta izolojmë Korenë e Veriut deri sa të heqë dorë përgjithmonë nga programi bërthamor dhe i raketave balistike”.
Nënpresidenti ripohoi mbështetjen amerikane për Japoninë, duke thënë se dy qeveritë i kanë “bashkërenduar tërësisht” politikat e tyre ndaj Koresë së Veriut.
Ndërsa në rajon, zoti Pence do të udhëheqë delegacionin amerikan në Lojërat Olimpike Dimërore që fillojnë nesër në Korenë e Jugut.

“Guardiola shkatërroi futbollin italian”

Giorgio Chiellini ka folur për “Daily Mail”. Mbrojtësi i Juventusit dhe i kombëtares së Italisë ka dhënë mendimin e tij në lidhje me mospjesëmarrjen në Kupën e Botës: “Do të jetë e dhembshme ta shohim Botërorin nga shtëpia. Nuk arrij ta imagjinosh, do të jetë një muaj shumë i vështirë”.
Italiani ka folur edhe për Pep Guardiola-n: “Dikur kishim Baresi, Bergomi, Scirea dhe shumë të tjerë… tani nuk prodhojmë më mbrojtës. Guardiola ka rrënuar futbollin tonë. Në 10 vitet e fundit, trajnerët tanë kanë kërkuar ta imitojnë pa pasur aftësitë e tij dhe kanë humbur identitetin e tyre”.
“Nuk nxjerrim më mbrojtës të nivelit të lartë prej dhjetë vitesh, me përjashtim të Bonucci-t. Shpresoj që tani të kthehet vëmendja te futbolli italian. Mospjesëmarrja në Rusi 2018 është vetëm një provë e një problemi të dukshëm”, ka thënë mbrojtësi i Juventus-it.
Giorgio Chiellini zbulon se lojtarët ndiheshin “të vdekur’ pas stërvitjes me Antonio Conte-n. Ky i fundit është nën presion në “Stamford Bridge” pas dy humbjeve radhazi në Premier League ku Chelsea renditet në vendin e katërt.
48-vjeçari ka shpezuar tre sezone te Juventus-i duke fituar po aq trofe të Serie A (2011-2014), për të marrë më pas drejtimin e Italisë më 2014-2016-ën. Chiellini e njeh mirë Conte-n, të cilin e ka patur trajner si te “Zonja e Vjetër” ashtu edhe tek Italia.
“Nuk ndodh vetëm në ndeshje me Conte-n. Çdo ditë është njësoj, çdo seancë stërvitore, ai është si një rreshter. Nën drejtimin e tij atmosfera ishte e veçantë, tre vjet me të te Juventus-i dhe dy të tjerë te skuadra kombëtare. Kur mbaron stërvitjen me Conte-n, ndihesh i vdekur. Jo i lodhur, por i vdekur”, tha mbrojtësi bardhezi për “Daily Mail”.
Megjithatë, 33-vjeçari shpjegon se lojtarët ishin të gatshëm të përballonin gjithçka pasi ata kishin besim të madh tek metodat e Conte-s. “E përballon, sepse ke besim tek ajo që ai bën. Ne ishim 40 ditë në Francë dhe ishim 100% me të. Conte krijon një atmosferë ku gjithsecili transmeton energji. Nuk ka asnjë dyshim që ai është një nga trajnerët më të mirë”, përfundoi Chiellini. Ndërkohë Conte dhe Chelsea e tij do të rikthehen në fushë të hënën kundër West Brom në javën e 27 të Premier League.

Xavi: Supersfida Real Madrid-PSG? Parisienët janë favoritë

Ish-lojtari i Barcelonës i dha një intervistë “Radio Montecarlo”, në të cilën foli për Neymar, PSG, Guardiola, Verratti dhe të ardhmen e tij si trajner. Më konkretisht, për supersfidën Real Madrid-PSG në Ligën e Kampionëve, një nga mesfushorët më të mirë në botë, tha: “Unë mendoj se PSG-ja është një skuadër e madhe dhe është ndërtuar për të fituar Ligën e Kampionëve. Natyrisht, nuk është e mirë për t’u përballur me Real Madridin, ndaj do të jetë një ndeshje shumë e fortë, edhe pse unë mendoj se favorite e lehtë është PSG-ja, për shkak të formës që po kalon. Kjo është si një ndeshje gjysmëfinale. Asnjëra skuadër nuk kishte fat në short. Të gjithë e dinë që Real Madridi ka ADN-në e fitores, aq më shumë në këtë kompeticion. Herët ose vonë, PSG-ja do ta fitojë Ligën e Kampionëve. Real Madridi do të tregojë anën e vet më të mirë në Ligën e Kampionëve, sepse, siç thashë, ka ADN-në e fitores, sidomos në Ligën e Kampionëve. PSG-ja është favorite, por unë jam i sigurt se Reali do të tregojë një fytyrë tjetër”.

FMN kundër Ramës për koncesionet e rrugëve

Kur qeveria ka në plan që të ndërtojë disa akse rrugore në formën e partneritetit publik privat, në kuadër të projektit One Billion, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në një raport të fundit u rekomandon vendeve të Ballkanit Perëndimor një rrugë komplet tjetër për sigurimin e financimit për ndërtimin e infrastrukturës rrugore.
Forcimi i kapaciteteve planifikuese, mospolitizimi i projekteve, bashkëpunimi rajonal dhe tërheqja e donacioneve, sigurimi i financimeve të jashtme, zgjerimi i bazës së taksapaguesve, dhe mosrrezikimi i stabilitetit makroekonomik janë disa prej tyre. Përdorimi i projekteve të partneritetit publik privat nuk rekomandohet fare nga FMN. Veçanërisht në vendet me borxh të lartë publik (ku bën pjesë dhe Shqipëria), FMN rekomandon që të sigurohet financim i jashtëm dhe të punohet me donatorët, ndërsa financimi i brendshëm duhet të përdoret për të nxitur sektorin privat. Vendet nuk duhet të rrezikojnë stabilitetin e tyre të përgjithshëm makroekonomik nga projektet infrastrukturore publike të ekzagjeruara ose të dobëta, rekomandon FMN.
Edhe më herët FMN është treguar skeptike ndaj PPP-ve dhe ka kërkuar që ato të kontabilizohen qartë, në mënyrë që të mos përbëjnë një borxh të fshehur.

Raporti

Vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia) kanë rrjete të pazhvilluara të rrjetit të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian (BE), konstaton Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në një punim të fundit ‘Infrastruktura Publike në Ballkanin Perëndimor: Një rrugë drejt të ardhurave më të larta”.
Mbyllja e hendekut të infrastrukturës publike do të ndihmojë rajonin të arrijë standardet e jetesës në Evropën Perëndimore. Por nga do të vijnë paratë? Rritja e financimit do të jetë e nevojshme si nga burimet vendore dhe ato të huaja. Një plan i mirë për planifikimin dhe zbatimin e projekteve të investimeve publike është gjithashtu një domosdoshmëri, thotë një raport i fundit. Konvergjenca e të ardhurave drejt niveleve të BE-së është ngadalësuar ndjeshëm në Ballkanin Perëndimor që nga kriza globale financiare. Zhvillimi ekonomik i rajonit po ecën ngadalë. Nëse vendet do të mbyllin hendekun në standardet e jetesës me BE-në, ata do të duhet të gjejnë një mënyrë për të ri-aktivizuar rritjen ekonomike.
FMN ka identifikuar infrastrukturën publike të munguar të rajonit si një pengesë e madhe për një rritje më të lartë ekonomike. Rrjetet më të mira të transportit, energjisë dhe telekomunikacionit do të ndihmonin vendet e Ballkanit Perëndimor të rrisnin produktivitetin, të integrohen më thellë në tregtinë globale dhe të përmirësonin atraktivitetin e rajonit për investimet e huaja.
Analiza tregon se një përmirësim i infrastrukturës publike të koordinuar rajonale, së bashku me menaxhimin më të mirë të projekteve aktuale, mund të rriste ndjeshëm të ardhurat për frymë. Fitimi afatgjatë i PBB-së reale për person mund të jetë deri në 3-4 pikë përqindjeje. Por arritja e BE-së në nivelet e infrastrukturës është e vështirë: investimet publike kërkojnë burime të mjaftueshme buxhetore dhe korniza të forta institucionale që rregullojnë përzgjedhjen, ekzekutimin dhe monitorimin e projekteve.
Këto dy kushte kryesisht mungojnë në Ballkanin Perëndimor. Shumica e vendeve në rajon tashmë kanë nivele të larta të borxhit publik, dhe disa gjithashtu kanë deficite të larta buxhetore. Vështirësia e përgjimit të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit kufizon likuiditetin. Menaxhimi i investimeve publike është gjithashtu i dobët.

Katër rekomandimet e FMN për sigurimin e financimeve

“Investimi në investime”: forcimi i kapaciteteve për të planifikuar, zgjedhur dhe kryer projektet e infrastrukturës do të siguronte që burimet në dispozicion të përdoreshin më mirë dhe do të përmirësonin aftësinë e rajonit për të absorbuar financimin e donatorëve në dispozicion. E rëndësishme është që projektet e infrastrukturës të mos bien viktimë e politizimit. Vendet mund ta shmangin atë duke vendosur afate të investimeve publike bazuar në qëllime konkrete, të matshme dhe metodologji transparente të vlerësimit.
-Shumë rrjete të infrastrukturës shtrihen përtej kufijve. Për këtë arsye, koordinimi më i mirë rajonal i projekteve të investimeve do të jetë thelbësor. Qeveritë mund të krijojnë hapësira të mëtejshme për manovrim, duke zgjeruar bazën e tyre tatimore (duke eliminuar përjashtimet dhe stimujt e taksave) dhe forcimin e pajtueshmërisë së taksave, të cilat rezultojnë me më shumë të ardhura të mbledhura.
-Financimi i jashtëm duhet të luajë një rol më të madh në zhvillimin e infrastrukturës publike në Ballkanin Perëndimor, duke lënë hapësirë që burimet e brendshme financiare t’i shërbejnë nevojave të sektorit privat. Donatorët zyrtarë, financimi shumëpalësh dhe dypalësh në kushte koncesionare do të duhet të luajë një rol dominues, veçanërisht në vendet me borxh të lartë publik.
-Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, vendet nuk duhet të rrezikojnë stabilitetin e tyre të përgjithshëm makroekonomik nga projektet infrastrukturore publike të ekzagjeruara ose të dobëta. Ndikimet në rritjen ekonomike, inflacionin dhe defiçiteve të jashtme të llogarisë rrjedhëse duhet të jetë një element kyç i çdo diskutimi të politikës për nxitjen e infrastrukturës publike në rajon.

Monitor

Drejt krizës së urisë, Shqipëria me çmimet më të larta të ushqimeve

Rritja e ngadaltë reflekton pjesërisht bazën e krahasimit, (janari i vitit 2017 shënoi rritjen më të lartë të çmimeve në shumë vite), si dhe dobësitë në kërkesë. Ministria e Financave ka parashikuar në programin ekonomik dhe fiskal të miratuar në janar inflacion mesatar në masën 2.7% për vitin 2018, ndërsa rezultati i janarit sugjeron se pritshmëritë e Financave mund të jenë të ekzagjeruara
Parashikimi aktual i Bankës së Shqipërisë është që ekonomia do të kthehet në normalitet rreth gjysmës së dytë të vitit 2019. Por IÇK e muajit janar sugjeron se kjo pritshmëri mund të jetë e gabuar
Ushqimet i kushtuan shqiptarëve në janar 3.1% më shumë se sa i patën kushtuar në dhjetor, ndërkohë që inflacioni vjetor, treguesi kyç për ecurinë e konsumit dhe gjendjen e ekonomisë u ngadalësua në 1.7%, shumë më poshtë se sa objektivi i Bankës së Shqipërisë dhe pritshmërive të qeverisë.
Indeksi i Çmimeve të Konsumit u rrit në janar me 1.7% në krahasim me një vit më parë, një rritje e dobët dhe shumë më e ulët se sa parashikimi i qeverisë për inflacion mesatar 2.7 për qind, ndërkohë që shqiptarët paguan shumë më shtrenjtë për ushqimet bazë dhe më pak për mallrat dhe shërbimet e tjera.
Instituti i Statistikave publikoi të enjten Indeksin e Çmimeve të Konsumit për muajin janar, ku kostoja e përgjithshme e jetesës u rrit me 1.7% në bazë vjetore. Rritja e ngadaltë reflekton pjesërisht bazën e krahasimit, (janari i vitit 2017 shënoi rritjen më të lartë të çmimeve në shumë vite), si dhe dobësitë në kërkesë. Ministria e Financave ka parashikuar në programin ekonomik dhe fiskal të miratuar në janar inflacion mesatar në masën 2.7% për vitin 2018, ndërsa rezultati i janarit sugjeron se pritshmëritë e Financave mund të jenë të ekzagjeruara.
Ekonomia shqiptare konsiderohet e shëndoshë në rastin kur inflacioni mesatar është rreth 3% ndërsa rritja ekonomike reale luhatet rreth 4%. Kur inflacioni është më i ulët, kjo sugjeron se edhe rritja ekonomike nominale apo reale do të jetë më e ulët.
Parashikimi aktual i Bankës së Shqipërisë është që ekonomia do të kthehet në normalitet rreth gjysmës së dytë të vitit 2019, kur inflacioni mesatar pritet të arrijë në 3% dhe rritja ekonomike reale në 4.3%. Por IÇK e muajit janar sugjeron se, kjo pritshmëri mund të jetë e gabuar.

IÇK me dy shpejtësi

Indeksi i Çmimeve të Konsumit është rritur me dy shpejtësi shumë të ndryshme përgjatë tre viteve të fundit. Nga dhjetori i vitit 2015 deri në janar 2018, grupi i Ushqimeve dhe Pijeve Joalkoolike është shtrenjtuar me gati 11% ndërkohë që indeksi i përgjithshëm është rritur me 5.6%. Te grupi i ushqimeve, pjesa më e madhe e rritjes është furnizuar nga çmimet e zarzavateve, (40%), frutave (39%) dhe peshk (9.1%). Pjesa tjetër e çmimeve të ushqimeve kanë mbetur pothuajse të pandryshuara për më shumë se katër vjet. Buka dhe mishi kanë njohur rritje të papërfillshme, vaji dhe yndyra kushtojnë sot efektivisht më lirë se sa në vitin 2015 dhe po kështu edhe pijet joalkoolike.
Pjesa tjetër e shportës, të tilla si veshje, mobilime shtëpie apo shërbime hotelerie e kafenesh ka njohur ndryshime të papërfillshme në çmime. Kafenetë kushtojnë sot njësoj si tre vjet më parë, ndërsa grupi i mallrave mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje kushtojnë sot 0.1% më shumë se sa në dhjetor 2015.
Inflacioni zakonisht konsiderohet pozitiv në ekonomi, pasi pasqyron kërkesën e lartë për mallra dhe shërbime si dhe rritjen e kostos në formën e pagave. Por ky lloj inflacioni i përqendruar në masën dërrmuese në pak grupe mallrash si në rastin e Shqipërisë nuk mund të konsiderohet si inflacion i shkaktuar nga kërkesa konsumatore. Nuk mund të argumentohet se, shqiptarët papritur kanë shfaqur kërkesë shumë të larta dhe për rrjedhojë, rritje çmimesh, për frutat, zarzavatet dhe peshkun ndërkohë që nuk kanë shfaqur kërkesë për të gjitha mallrat e tjera.

Gjergj Erebara

“Zonja” kërkon kreun

Java e 24-t e futbollit italian do të hapet me një nga ndeshjet më të zjarrta të Serisë A. Fiorentina do të presë në shtëpi Juventusin, për të shkruar një kapitull të ri të një rivaliteti që zgjat tashmë prej pothuajse 40 vitesh. Vendasit nuk po paraqiten shumë mirë dhe fundjavën e kaluar kanë arritur t’i japin fund ecurisë prej pesë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet falë suksesit 2-1 të regjistruar në fushën e Bologna-s.
Pavarësisht nga 3 pikët e marra në transfertë, ata mbajnë vendin e 11-të në renditje me 31 pikë të grumbulluara pas 23 javëve të para të kampionatit. Juventus, nga ana tjetër, është në kërkim të fitores së radhës dhe do të paraqitet në këtë sfidë pasi ka shkatërruar 7-0 Sassuolo-n në javën e fundit të kampionatit. Lojtarët e Allegri-t do të synojnë të marrin vendin e parë, edhe pse përkohësisht, dhe të rrisin presionin ndaj Napolit, me këta të fundit që do të presin Lazio-n në shtëpi një ditë më vonë.

Ajo kundër Sassuolo-s ka qenë fitorja e dhjetë radhazi e bardhezinjve në të gjitha kompeticionet dhe torinezët janë të pamposhtur në Serinë A që nga nëntori i 2017-ës, kur janë mundur 3-2 në fushën e Sampdoria-s. Ndërkohë, Fiorentina nuk ka arritur të fitojë asnjë nga katër ndeshjet e fundit të kampionatit që ka luajtur në shtëpi (3 barazime, 1 humbje), ndërsa kundërshtarët e tyre kanë fituar 5 transfertat e fundit të kampionatit me rezultatin e përgjithshëm 10 me 1.
Ky takim pritet të dhurojë spektakël dhe gola, duke parë se Fiorentina ka gjetur rrugën e golit në 10 nga 11 ndeshjet e kampionatit që ka luajtur në shtëpi, ndërsa Juventus ka shënuar në të gjithë 12 transfertat e luajtura në Serinë A. Shtatë nga nëntë fitoret e marra në transfertë, Juventus i ka arritur me një diferencë prej dy ose më shumë golash. Ndërkohë, Fiorentina ka fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit që ka luajtur kundër Juventus, duke humbur gjashtë takimet e tjera.

Ndërkohë ka patur tension në shtëpinë e Lazio pas humbjes brenda kundër Genoa. Flitet se menjëherë pas ndeshjes ka pasur një përplasje të fortë mes Felipe Anderson dhe Simone Inzaghi. Trajneri ka kritikuar brazilianin për paraqitjen e dobët, kur u fut në fushë në pjesën e dytë dhe të progatonistët kanë nisur një debat të ashpër që mund të konsiderohet si sherr i mirëfilltë sepse vetëm ndërhyrja e futbollistëve të tjerë ka shmangur që të kapeshin me duar. Gjithsesi, klubi i Lazio ka dalë në një komunikatë për shtyp ku e ka quajtur ngjarjen një “përplasje të civilizuar mendimesh”, por fakti është se Anderson nuk ka qenë i pranishëm në stërvitjen e djeshme.
Sipas “Premium Sport”, trajneri ka kritikuar Anderson pas ndeshjes dhe ky i fundit është përgjigjur: “gjithmonë merresh vetëm me mua”. Mes futbollistëve të tjerë që kanë ngritur zërin me synim për të zbutur gjakrat ka qenë braziliani Lucas Leiva, i cili ka përdorur gjithë përvojën e tij për të kthyer qetësinë mes trajnerit dhe futbollistit që po shkonin drejt përplasjes fizike. Gjithsesi, tanimë e ardhmja e Felipe Anderson është gjithmonë e më larg nga bardhekaltërit.

Dembele drejt rikthimit para ndeshjes me Chelsea

Futbollisti i Barcelonës, Ousmane Dembele, pritet të kthehet në stërvitje të plotë javën e ardhshme, sipas trajnerit Ernesto Valverde. Francezi ndërkombëtar pësoi një dëmtim në janar dhe u “përjashtua” nga mjeku i klubit për një periudhë deri në njëmujore. Ky lëndim i Dembele erdhi më pak se dy javë pasi u kthye në veprim, pas një tjetër dëmtimi më serioz, i cili e pa atë të larguar nga fushat e blerta gati për katër muaj, pas transferimit të tij nga Borussia Dortmund. 20-vjeçari nuk do të luajë rol në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit, mes Barcelonës dhe Valencias, të enjten, por mund të jetë në linjë për ndeshjen e La Liga-s kundër Eibar, më 17 shkurt, e cila zhvillohet vetëm tri ditë para përplasjes së parë të raundit të radhës në Ligën e Kampionëve, me Chelsea.
“Ai është në rregull, tha Valverde në një konferencë shtypi, kur u pyet për Dembele. I ka filluar seancat e trajnimit. Shpresoj se do të kthehet në skuadër javën e ardhshme”. Gerard Pique është një tjetër, që ka gjasa ta humbasë ndeshjen e së enjtes në “Mestalla”, pasi ai mori një goditje gjatë barazimit 1-1 me Espanyol. Valverde refuzoi të spekulojë mbi qendërmbrojtësin, por sugjeroi se nënshkrimi i janarit, Yerry Mina, mund të debutojë, nëse Pique nuk është në dispozicion. “Gerard e përfundoi ndeshjen në siklet, me një lëndim të vogël, por deri më tani nuk është përjashtuar, tha Valverde. Ai do të stërvitet dhe do të shohim. Yerry është në skuadër dhe është gati të luajë. Kjo varet nga mendimi i trajnerit, nëse ai do ta fillojë si titullar”.

HEC-et në Valbonë, qeveria e shurdhët ndaj banorëve dhe opinionit shkencor

“Na ishte një herë Valbona turistike…” kanë nisur ta thonë që tani ata që i janë rikthyer Alpeve të bukura shqiptare pas 2015-ës, kohë kur nisën të ndërtoheshin HEC-et në këtë zonë të mbrojtur.
Të shtunën (3.2.2018) gazetarët e Elementit të Pestë kanë publikuar një video ku duken ujërat e Çeremit teksa derdhen në rrugët e zonës dhe mbulojnë vendin me baltë.
Banorët thonë se për herë të parë, Lugina e Valbonës është përmbytur si pasojë e daljes nga shtrati të ujit të një prej degëve më të mëdha të Valbonës.
Ndërsa në një takim të zhvilluar në muajin dhjetor me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu, banorët deklaruan se në fshatin Dragobi prej 4 muajsh mungon uji.
Po gjatë këtij takimi, ata shtuan se “kjo ka ndodhur për shkak të punimeve që janë duke u kryer për ndërtimin e hidrocentraleve, ku për pasojë janë devijuar burimet e ujit”.
Catherine Bohne, shtetase amerikane e cila e mrekulluar nga natyra e alpeve shqiptare ka vendosur ta kalojë jetën e saj në Valbonë, si përfaqësuese e organizatës “Toka”, pavarësisht gjendjes së krijuar, shprehet optimiste se kauza e Valbonës do të fitojë.
“Nëse do të hyjmë në BE, s’mund të ndërtojmë HEC-e në një Park Kombëtar. Sa kohë dhe sa kosto?! Janë 3 HEC-e në proces ndërtimi thotë qeveria. Janë dhënë në 2014-ën. Por është Park Kombëtar. Brenda në një gur shkruhet me bojë ‘Park Kombëtar”, shprehet Catherine Bohne.
Ajo rrëfen për Citizens Channel se, “në prill 2015 kemi shkuar për të pyetur dhe na kanë thënë që nuk është Park Kombëtar. Ne kuptuam atëherë se ajo që do të bëhet nuk është në interesin tonë. Ka ndryshim sensibilizimi për Parqet Kombëtare. Në Shqipëri janë thesar. Bukuritë e natyrës janë krenari. Me to mund të fitohet përmes zhvillimit të turizmit. Të huajt mrekullohen. Ata nuk interesohen për beton, por për natyrë. Duhet të jemi mbret në Europë me këtë natyrë. Unë mendoj se për 30 vite me këtë natyrë, Shqipëria bëhet një Zvicër e vogël”.
Sipas saj, zhvillimi i turizmit në këtë zonë është emergjent, mbi të gjitha për nivelin ekonomik të banorëve që jetojnë në varfëri.
“Si funksionon me Zonat e Mbrojtura në vendet e tjera? Atje krijohet shumë punë, fitim i madh. Banorët e Barjam Currit, aktualisht 69% e tyre jetojnë me asistencë prej 29 euro në muaj. Natyra duhet të jetë burim fitimi për këta banorë. Duhet menaxhuar interesi ekonomik. Nuk përzihet industria me natyrën. Do shkatërrohet. Nuk ka të mesme; ose është Zonë e Mbrojtur ose jo. Shpresë dhe aksion”, thotë Bohne.
Në rrëfimin e saj ajo citon se, “më 2016 mësuam nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit se do të ndërtoheshin 14 HEC-e në total”.
“Tani do të ndërtohen vetëm 6. Tre janë mbi lumë jashtë Zonës së Mbrojtur. Nuk ka VKM. Nuk jemi të sigurt. Mund të riaktivizohen. Nuk ka dokumente. Ndërtimi nuk ka vazhduar për mungesë fondesh, për këtë arsye janë ndërprerë punimet, por janë ende në tender. Janë aktiv. Është lojë. Ne nuk duam të ndërtohet asnjë HEC”, shprehet e shqetësuar Bohne.
Më datë 31 janar Organizata “Toka” dhe 27 banorë të zonës kanë nisur një luftë të re gjyqësore në mbrojtje të Valbonës. Ata kanë paraqitur në Gjykatën Administrative një kërkesë padi për të ndaluar ndërtimin e kompanisë Gener 2 të hidrocentralit “Dragobia Energy”.
Sipas paditësve kërkesa është e shoqëruar edhe me argument e fakte për dëmet që i janë shkaktuar deri më sot zonës. Ata thonë se, lufta për Valbonën do të vazhdojë me sloganin “Reforma në Drejtësi duhet të fillojë me Valbonën”.
Ndërkohë sipas një postimi në faqen zyrtare të shoqatës në Facebook, më date 3 shkurt 2018, “Shoqëria “DRAGOBIA ENERGY” ShPK dhe Shoqëria “GENER 2” ShPK kanë dorëzuar një kërkesë padi nëpërmjet të cilës kërkojnë nga Shoqata “TOKA” dhe Catherine Bohne dëmshpërblim në shumën 20,000,000 lekë “si rezulat i prishjes së imazhit nga deklaratat publike të shoqatës dhe të zonjës rreth realizimit të projektit “Dragobia”, për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës”.
Në të njëjtin postim Bohne deklaroi se, “pretendimet e Paditësve janë totalisht të pambështetura qoftë në ligj ashtu edhe në prova dhe janë të bindur se kjo është veç një përpjekje për t’i ndaluar ata që të kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës, dhe se ata do të arrijnë t’i rrëzojnë këto pretendime të pabazuara në gjykatë”.

Çfarë thonë ekspertët?

Profesor Aleko Miho, biolog, pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës thotë për Citizens Channel se shumë gjëra janë më keq se dy vite më parë.
“U kërkuan të ndërpriten punimet në Valbonë, ata po vazhdojnë brenda në Valbonë. Edhe në vende të tjera. Edhe pse janë HEC-e të vegjël, sërish dëmtojnë. Përsa i përket Vjosës, ka presion ndërkombëtar pasi konsiderohet një lumë i veçantë”, shprehet profesor Miho.
I të njëjtit mendim është edhe eksperti në fushën e mjedisit Sazan Guri. Sipas tij në Valbonë gjendja sa vjen e përkeqësohet dhe kjo është në dëm të natyrës, turizmit, banorëve të zonës dhe ekonomisë në tërësi.
“Valbona është Zonë e Kategorisë së Dytë me Shkallë të Parë të Mbrojtjes. Ndalohen deri në 15-20 elemente:hapje rrugësh, urash, tunele. Nuk thuhet HEC-e ose TEC-e, por 15 elemente që automatikisht ndalohen. Është fituar gjyqi nga biznesi. Janë tropojanë që ndërtojnë dhe tropojanë që mbrojnë tokën”, kështu e shpjegon situatën Sazan Guri.
Sipas tij, fitimet nga turizmi mund të jenë më të mëdha dhe referuar analizës së kostos është 2000 herë më e madhe se përfitimi nga HEC-et.
“Qeveria është e shurdhër ndaj opinionit shkencor dhe ndërkombëtar për zhvillimin e qëndrueshëm. E kemi detyrim nga neni 59 i Kushtetutës; nuk ndërtohet në Zonat e Mbrojtura dhe në Zona me vlera natyrore. Investimi duhet të jetë me interes ekonomik, por të mbrohet edhe natyra njëkohësisht”, thotë profesor Miho.
Sipas profesor Mihos “kapaciteti prodhues i përgjithshëm i këtyre HEC-ve është rreth 535 megavat. Kjo e gjitha është rreth 24% e kapacitetit të përgjithshëm prodhues (prej rreth 2,200 MW) që do të mund të prodhojë Shqipëria nëse do të ndërtohen të gjithë HEC-et e dhënë tashmë në koncesion. Por ndalimi i ndërtimit të tyre është çmimi që shoqëria jonë sot duhet të paguajë për qëndrueshmërinë – të balancojë me sukses zhvillimin shoqëror me atë ekonomik, dhe sëbashku edhe me shfrytëzimin me nikoqirllëk të pasurive natyrore në vend – si kërkohet për një zhvillim realisht të qëndrueshëm. Në fjalë më të thjeshta, zhvillimi i qëndrueshëm nënkupton që ‘pjatën plot’ që të vihet përpara të mos ta mbarosh të gjithën, por ta ruash edhe për nesër, për vete dhe për ata që do të vijnë pas”.
Kjo mënyrë e ndërtimit të HEC-ve për të është paaftësi dhe makutëri për zhvillim të shpejtë, sepse zhvillimi i qëndrueshëm ka kosto. Burimet janë; energjia diellore, TAP-i dhe energjia termike. “Kjo është paaftësi dhe makutëri për zhvillim të shpejtë”, ngre zërin Miho duke përfunduar se në Zonat e Mbrojtura nuk duhet ndërtuar.

Autor: Sabina Veizaj