17.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Von der Leyen thirrje Shkupit të miratojë ndryshimet kushtetuese për të përmbushur detyrimet për anëtarësimin në BE

Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i ka bërë thirrje të enjten Maqedonisë së Veriut t’i kalojë ndryshimet kushtetuese për ta përmbushur njërin prej detyrimeve vendimtare në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).

 

Von der Leyen u takua me kryeministrin maqedonas, Hristijan Mickoski, gjatë një vizitë në Shkup të enjten, si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, ku e përsëriti se zgjerimi i BE-së mbetet një nga prioritetet kryesore të saj.

“Pothuajse jemi aty. Shpresoj se me dialog të përbashkët, të gjitha forcat politike në vend do të bashkohen dhe do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm vendimtarë për përparim. Jam e bindur se mund t’i kapërcejmë barrierat të cilat ekzistojnë”, tha Von der Leyen të enjten në një konferencë shtypi së bashku me Mickoskin.

Maqedonia e Veriut ka ngelur mbrapa në procesin e integrimit dhe mori një goditje këtë muaj kur BE-ja e hapi kapitullin e parë në negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, duke e shkëputur Shkupin nga paketa e përbashkët me Tiranën.

Arsyeja është se Maqedonia e Veriut nuk e ka përmbushur kushtin e vendosur nga Bullgaria, që ta përfshijë në preambulën e Kushtetutës së vendit edhe minoritetin bullgar.

Ky kusht ishte futur në kornizën negociuese që Parlamenti maqedonas votoi në korrik të vitit 2022, propozim që njihet edhe si “propozimi francez”. Opozita, që atëbotë udhëhiqej nga VMRO-DPME, ishte kundër ndryshimeve kushtetuese.

Në zgjedhjet e majit të këtij viti, VMRO-ja doli e para dhe mori udhëheqjen e Qeverisë dhe kryeministri Mickoski e ka bërë të qartë se ai dëshiron ta rinegociojë “propozimin francez”.

Por, gjatë konferencës me shefen e KE-së të enjten, Mickoski deklaroi se Qeveria e tij mbetet e përkushtuar në rrugën drejtë BE-së dhe se me ndihmën e bllokut “mund të tejkalohet çdo sfidë”.

“Qëllimi ynë është i qartë, ne duam të jemi pjesë e familjes evropiane, duke ndarë të njëjtat vlera të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Jemi të vetëdijshëm se para nesh qëndrojnë sfida të rëndësishme si në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, zhvillimit ekonomik dhe forcimit të institucioneve që mbeten vendimtare për të ardhmen tonë”, tha Mickoski.

Mickoski, duke anashkaluar kërkesën e KE-së për ndryshimet kushtetuese dhe përfshirjen e minoritetit bullgar në të, tha se Qeveria e tij mirëpret ndihmën e Bashkimit Evropian për të vazhduar procesin e integrimit evropian.

Von der Leyen vlerësoi përparimin e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në agjendën e reformave dhe njoftoi se Shkupi do të përfitojë më shumë se 750 milionë euro nga Plani i Rritjes, duke përfshirë këstin e parë prej 52 milionë eurosh, deri në fund të vitit.

“Jini të sigurt që zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor për Komisionin Evropian në pesë vitet e ardhshme. Tani i kemi të gjitha mjetet dhe instrumentet e nevojshme për ta mundësuar këtë”, tha kreu i KE-së.

Veç takimit me kryeministrin Mickoski, ajo do të takohet edhe me presidenten e vendit, Gordana Silanovksa – Davkova.

Von der Leyen mbërriti në kryeqytetin maqedonas nga Tirana, ku e kishte nisur turneun e saj në gjashtë vendet e rajonit.

Ndërkohë, të premten ajo do ta vizitojë Bosnje e Hercegovinën, ku në Sarajevë do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe me kryesuesen e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, e pastaj do të niset drejt Beogradit, në takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe me kryeministrin Milosh Vuçeviq.

Të shtunën, Von der Leyen do të qëndrojë në Prishtinë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas kësaj ajo do të qëndrojë edhe në Podgoricë, me çka e përfundon turin rajonal të filluar të mërkurën me vizitën në Tiranë.

Në prag të vizitës së saj, Komisioni Evropian përcaktoi të mërkurën edhe zyrtarisht agjendën e reformave të Maqedonisë së Veriut dhe katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, duke i hapur mundësi rajonit për qasje në Fondin për Reforma që parasheh një ndihmë prej gjashtë miliardë eurosh. Bosnje e Hercegovina u përjashtua nga paketa pasi në Bruksel paraqiti një agjendë jo të plotë reformash./REL

Triumfoi në transfertën me Gjeorgjinë, Shqipëria ngjitet në renditjen e FIFA-s

Kombëtarja shqiptare është ngjitur dy pozicione më lart në renditjen e FIFA-s pas suksesit në ndeshjen e fundit në transfertë ndaj Gjeorgjisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.

 

Nga vendi 67 tani Shqipëria renditet në vendin e 65 duke kaluar në renditjen Gjeorgjinë, por edhe Finlandën.

Shqipëria do të rikthehet në fushë në muajin nëntor për dy ndeshjet e fundit në grupin B1 të Ligës së Kombeve ndaj Çekisë (16 nëntor, 20:45) dhe Ukrainës (19 nëntor, 20:45). Të dy ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” dhe Kombëtarja është në garë për vendin e parë në grupin B1.

Renditja

Shpiket pajisja që zbulon kancerin e lëkurës në fazë të hershme! Studiuesit: Saktësia arrin në 97%, ja kur do të hidhet në treg

Ekipe studiuesish nga dy universitete në Letoni kanë krijuar pajisjen që jep mundësinë e diagnostikimit të melanomës së lëkurës, lloje të ndryshme të kancerit të lëkurës si dhe masa të tjera beninje, në fazë të hershme.

Zbulimi në fazën e hershme të melanomës së lëkurës, një formë agresive e kancerit të lëkurës, do të thotë 100% shanse për t’ia dalë mbanë. Ambicia e studiuesve është që pajisja të përdoret në shkallë të gjerë, edhe nëse shkon tek estetisti apo në shtëpi. Aleksejs Lihacovs, drejtues shkencor i projektit, pjesë e “Biophotonics Laboratory” në Universitetin e Letonisë flet në intervistë për DW:  Pjesa shkencore tashmë ka mbaruar dhe ekipi kërkon që produkti i tyre të hidhet në treg.

DW: Z. Lihacovs, si lindi ideja për prodhimin e një pajisjeje të tillë?

Aleksejs Lihacovs: Gjithçka nisi rreth 10 vite më parë, teksa një shkencëtare po punonte në pjesën kërkimore të tezës së masterit. Ajo dëshirontë të krijonte një sistem diagnostikues, jo-invaziv në zbulimin e melanomës. Më pas, ajo e vijoi kërkimin e saj edhe gjatë doktoraturës. Patëm rezultate të shkëlqyera nga këto kërkime, të cilat na vërtetuan se përmes reflektimit të dritës, duke përdorur imazherinë shumë- spektrike dhe vetëm me “fotografimin” tri-ngjyrësh, mund të dallonim melanomën nga llojet e tjera të njollave në lëkurë. Në ato çaste, vendosa t’i diskutoj menjëherë rezultatet me kolegët tanë nga Universiteti Teknik i Rigës dhe nisëm bashkëpunimin me ta. U ulëm të shkruajmë projektin për të kërkuar mbështetje nga fondet e BE-së, ajo mbështetje na u dha dhe ne nisëm punën për të vënë në zbatim zbulimin tonë.

DW: Kur nisët nga puna për këtë projekt? Sa kohë u desh për ta krijuar pajisjen?

Aleksejs Lihacovs: Në vitin 2017 nisëm punën për këtë projekt, i cili u financua nga Fondi Europian për Zhvillimin Rajonal (ERDF). Por para se të arrinim tek projekt-propozimi ne i kishim përftuar rezultatet bazike që na bënë të shkonim më tej.

DW: si funksionon pajisja në praktikë?

Aleksejs Lihacovs: Funksionon shumë thjeshtë në praktikë. Mjafton ta afrojmë pajisjen pranë lëkurës sonë dhe të bëjmë “fotografimin 3-ngjyrësh”. Kaq duhet. Pastaj ne përdorimin përpunimin matematikor të kësaj ‘fotografie’.  Dimë algoritmet e duhura për të vizualizuar morfologjinë e lëkurës, e cila në rastet e melanomës është shumë problematike. Atëherë e kuptojmë se kur kemi të bëjmë me masa beninje, lloje të tjera kanceri apo depigmentim të lëkurës.

DW: Sa është përqindja e saktësisë së kësaj diagnoze?

Aleksejs Lihacovs: Saktësia e pajisjes sonë arrin në 97%, që do të thotë se në 97% të rasteve ne mund ta zbulojmë melanomën. Dhe një tjetër parametër i rëndësishëm është prevalenca. Ne prekim një masë në lëkurë dhe themi me shumë mundësi është melanomë. Dhe prevalenca na tregon nëse është melanomë, kancer lëkure, lëkurë e depigmentuar apo masë beninje. Edhe në rastin e prevalencës, pajisja jonë ka një përqindje të lartë saktësie që shkon deri në 86%.

DW: Si ishte reagimi i mjekëve kur mësuan rreth kësaj shpikjeje?  A ishin ata skeptikë?

Aleksejs Lihacovs: Bashkëpunimi i parë nisi gjatë projektit. Ne kishim fonde të posaçme për këto bashkëpunime me mjekët e përgjithshëm që do të testonin prototipin tonë të parë. Në fillim ishin mbase paksa skeptikë. Por ata bënë punë të mrekullueshme. Ishte një grup mjaft specifik pacientësh, të cilëve u nevojitej një kontroll periodik, si fillim me një grup prej 50 vetësh dhe më pas më shumë. Dhe që në fillim u zbuluan dy pacientë me risk të lartë melanome. Këta pacientë u dërguan më pas në repartin onkologjik dhe diagnoza që iu vu atyre aty ishte melanomë. Kjo ishte një histori suksesi sepse gjurmoi melanomën në fazën e parë dhe pacientët ia dolën. Ne flasim për histori të tilla suksesi në çdo konferencë shkencore, dhe kudo ku ftohemi të flasim për pajisjen “Bdetect”. Dhe gjëja kryesore është se kjo pajisje nuk është ideuar për mjekët dermatologë – sepse ata kanë dermatoskopin – por për mjekët e familjes, sepse në një shtet si Letonia nevojitet shumë kohë për të patur një datë të lirë tek dermatologu dhe gjithashtu kushton. Gjithashtu edhe për qendrat estetike apo qoftë edhe si pajisje për t’u pasur në shtëpi, sa herë vëren diçka të dyshimtë në lëkurë.

Hapi i radhës: certifikimi

Leva Gaigala nga ministria letoneze e Financave gjendet pranë ekipit të shkencëtarëve për ta konkretizuar punën e gati një dekade. “Certifikimi është hapi madhor i radhës, sepse merr shumë kohë dhe përpjekje para se ta nxjerrësh pajisjen në treg” – thotë ajo për DW.

Megjithatë, ekipi është optimist edhe për këtë sfidë. Dëshira e tyre është që të jenë në tregjet e vendeve ku melanoma regjistrohet në përqindje shumë të larta, në vende me bollëk ditësh me diell por edhe në Skandinavi, ku numri i pacientëve me diagnoza të rrezikshme të lëkurës është i lartë./DW

Albin Kurti takim me komandantin e KFOR-it, Barduani: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, pikë kyçe për sigurinë dhe për stabilitetin rajonal

Kryeministri Albin Kurti është takuar sot me komandantin e ri të KFOR’it, gjeneralmajor Enrico Barduani.

 

Në një reagim për mediat, KFOR njoftoi se në këtë takim Barduani ka vënë në dijeni kryeministrin e Kurti se mbështet dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, si platformë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura.

“Komandanti i KFOR-it nënvizoi se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 dhe Marrëveshjen Teknike Ushtarake.

Ai përsëriti mbështetjen e plotë të KFOR-it për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, duke shtuar se kjo është kyçe për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, tha KFOR.

KFOR thotë se Barduani në takim me Kurtin vuri në dukje gjithashtu “angazhimin e tij të palëkundur” për të promovuar unitetin me të gjithë homologët e tij, “në mënyrë që të sigurohet koordinimi dhe të zvogëlohet mundësia për veprime që mund të çojnë në tensione”.

“Kjo është ajo që do të mbështesë të gjitha përpjekjet e mia dhe të gjitha aktivitetet e përditshme të KFOR-it, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it “UNITAS OMNIA VINCIT”, tha ai.

KFOR-i përsëriti se vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), “respektivisht, me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë”.

Gara presidenciale në SHBA/ Rreth 25 milionë amerikanë hedhin votën në shtetet e pavendosura

Ndërsa miliona amerikanë u drejtohen qendrave të votimit, kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, kërkon mbështetjen e votuesve të pavendosur në Pensilvani dhe republikani Donald Trump zhvillon tubime në shtetin e Xhorxhias.

 

Gati 25 milionë amerikanë kanë votuar personalisht ose me postë, sipas të dhënave nga Laboratori Zgjedhor i Universitetit të Floridës. Disa shtete amerikane mundësojnë votimin e hershëm.

Disa shtete, mes tyre Karolina e Veriut dhe Xhorxhia, shtete të pavendosura, shënuan pjesëmarrje rekord javën e kaluar në ditën e parë të votimit të hershëm.

“Votat e hedhura në Xhorxhia janë në nivele rekord”, tha republikani Trump gjatë një tubimi me temë fetare dhe zgjedhore në Zebulon të shtetit të Xhorxhias. “Votat e hedhura në çdo shtet janë në nivele rekord. Ne po ecim shumë mirë dhe shpresojmë se mund ta rregullojmë vendin tonë”.

Pjesëmarrja e fuqishme në votimet e hershme vjen pasi Nënpresidentja Harris dhe ish Presidenti Trump gëzojnë mbështetje pothuajse të barabartë në shtetet fushëbetejë ndërsa kanë mbetur më pak se dy javë deri në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ditët e fundit, kandidati Trump është përpjekur të fitojë mbështetjen e rrymave fetare të krishtera, me shpresën që të lënë mënjanë shqetësimet e tyre lidhur me komentet tij të shpeshta plot ngjyrime.

Kandidati republikan, për cilin tubimet kanë qenë elementi kryesor i fushatave që nga vitit 2015, tha në Zebulon të Xhorxhias se ndihej i trishtuar që po i vjen fundi kohët së tij si politikan.

Nëse i fiton zgjedhjet e nëntorit, zoti Trump do të drejtojë vendin për katër vjet, në mandatin e tij të dytë dhe të fundit. Pas qytetit Zebulon, zoti Trump zhvillon një tubim në Duluth të Xhorxhias i shoqëruar nga gazetari Tucker Carlson dhe ish kandidati i pavarur për president, Rober F. Kennedy Jr.

Nënpresidentja Harris zhvillon një tubim në Pensilvani në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve të pavendosur dhe ndryshuar ekuilibrin e garës së ngushtë, ku edhe një përqindje e vogël votash mund të jetë vendimtare.

Demokratja Harris i shfrytëzoi komentet e shefit të kabinetit të ish Presidentit Trump, John Kelly, i cili tha për gazetën New York Times se zoti Trump e plotëson “përkufizimin e përgjithshëm si fashist” dhe se i admironte diktatorët. Zonja Harris, e cila ka argumentuar se republikani Trump përbën kërcënim për demokracinë amerikane, i quajti komentet e zotit Trump të cituara nga zoti Kelly si “thellësisht shqetësuese dhe tepër të rrezikshme”.

Drejtuesit e fushatës së republikanit Trump i kanë hedhur poshtë komentet e zotit Kelly, duke i cilësuar ato si “histori të dala boje”.

Zonja Harris nuk arriti ta bindë zotin Trump për një debat të dytë presidencial të drejtuar nga rrjeti CNN, pasi ajo u cilësua si fituese e debatit të parë në shtator të organizuar nga rrjeti ABC News.

Pensilvania dhe Xhorxhia janë ndër shtetet që do të përcaktojnë se kush do t’i fitojë zgjedhjet për Shtëpinë e Bardhë. Të dy kandidatët ka të ngjarë të zhvillojnë tubime të tjera në këto shtete para zgjedhjeve të 5 nëntorit.

Nga 7 shtetet kyçe, Pensilvania është më e madhja dhe ka 19 elektorë, numrin më të lartë ndër ato që konsiderohen shtete vendimtare.

Në dy garat e fundit, kandidati që ka fituar në Pensilvani, ka fituar edhe zgjedhjet presidenciale. Diferenca në të dyja rastet ka qenë e ngushtë, me disa dhjetëra mijëra vota në një shtet me miliona votues. Ndërsa sondazhet tregojnë se gara është tepër e ngushtë, Pensilvania mund të përcaktojë fituesin e Shtëpisë së Bardhë./VOA

Basha vijon takimet në Britaninë e Madhe: Dosjet e SPAK faktojnë lidhjen e qeverisë me krimin. Korrupsioni po shkatërron shpresat e shqiptarëve

Gjatë vizitës në Londër, Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi takime edhe me zyrtarë të Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe diskutoi mbi situatën në Shqipëri, lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsionin. Ai vuri në dukje rëndësinë e dosjes së SPAK që çoi në arrestimin e deputetit Jurgis Çyrbja, si një dëshmi e lidhjes të krimit me qeverisjen e Edi Ramës.

Basha theksoi mbështetjen për SPAK-un dhe kërkoi drejtësi për ata që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve. Gjatë takimit me Lord David Richards, ai diskutoi për sfidat në rajon, përfshirë korrupsionin dhe ndikimin destabilizues të Rusisë.

Basha theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe mbështetjen për Ukrainën përballë agresionit rus.

Postimi i plotë i Bashës:

Në vijim të vizitës sime në Londër, pata një sërë takimesh të rëndësishme në Ministrinë e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar. Gjatë takimit me drejtuesit për Ballkanin Perëndimor, diskutuam për situatën në Shqipëri, lidhjet e politikës me krimin dhe korrupsionin.
Dosja e SPAK, që çoi në arrestimin e deputetit të Edi Ramës, Jurgis Çyrbja, është një kambanë alarmi që tregon qartë se si krimi i ka dhënë pushtet Edi Ramës dhe se qeveria e tij është vënë në shërbim të krimit. Theksova mbështetjen tonë për SPAK-un, si dhe pritshmëritë për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që kanë abuzuar me paratë e shqiptarëve dhe që kanë blerë zgjedhjet duke i shërbyer krimit.

Sot pata kënaqësinë të takohesha edhe me mikun tim Lord David Richards, ku diskutuam për sfidat me të cilat përballet sot Shqipëria, Kosova dhe rajoni.

Diskutuam për situatën në vend, për korrupsionin që po shkatërron ëndrrat dhe shpresat e të rinjve, kapjen e shtetit dhe trajtimin e tij si pronë private nga Edi Rama. Edhe pse SPAK ka nisur të japë rezultate në këtë luftë, ai ndodhet nën presionin e vazhdueshëm të qeverisë dhe një pjese të opozitës. Theksova se denoncimet tona ndër vite janë faktuar nga drejtësia, duke treguar se si krimi ka zgjedhur deputetët e Edi Ramës, të cilët më pas kanë vendosur qeverisjen në shërbim të interesave të tyre.

Bashkëpunimi i Edi Ramës me një pjesë të opozitës, të drejtuar nga Sali Berisha, u materializua në bashkimin e votave për të liruar zyrtarët e korruptuar, duke mos lejuar që qytetarët të zgjedhin deputetët e ardhshëm me votë të drejtpërdrejtë dhe duke bërë që PD të jetë peng i interesave të një individi.

Me Lord David Richards, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, diskutova gjithashtu për programin tonë për sigurinë. Prioritet që do të jetë zhvillimi i partneriteteve strategjike me vendet aleate në vlerësimin e përbashkët të rreziqeve dhe kërcënimeve në hapësirën Euro-Atlantike, themelimi i Komandës së Mbrojtjes Kibernetike, krijimi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare brenda vitit 2029, rritja e shpenzimeve reale për mbrojtjen në interes të sigurisë kombëtare, dhe reformimi i Forcave të Armatosura.

Theksova nevojën e avancimit të antarsimit të Kosovës në NATO edhe përballë ndikimeve të Rusisë, e cila kërkon destabilizimin e rajonit.

Folëm gjithashtu për rrezikun që paraqet agresioni rus ndaj Ukrainës dhe pasojat e tij për sigurinë europiane. Theksova domosdoshmërinë që Rusia duhet të detyrohet të paguajë për rindërtimin e Ukrainës dhe ofrimin e mbështetjes së gjithanshme për luftën që Ukraina po zhvillon me Rusinë.

“Panorama e opozitës është e qartë, Basha përballë moçalit të halleve me drejtësinë”/ Mirela Karabina: Qytetarët po shohin se si janë gënjyer

E ftuar në A2 CNN me gazetaren Lonela Prognin ishte Zëdhënsja e PD-Demokratët Euroatlantikë, Mirela Karabina.

Sipas saj, panorama në të cilën ndodhet sot opozita është e qartë, ku nga një anë ndodhet Lulzim Basha, i cili është duke zhvilluar takime në Rajon dhe të gjithë Evropën, duke u përgatitur për zgjedhjet e radhës, dhe nga ana tjetër moçali i politikës së vjetër që ka hallet e veta në përballjen me drejtësinë.

“Panoramë është e qartë qartë, kemi dy realtitete të ndryshme politike: Nga një anë është Lulzim Basha në organizime e takime brenda dhe jashtë vendit me strukturat e Demokratëve Euroatlantikë për përzgjedhjen e kanditatëve më të mirë përfaqësues në parlamentin e ardhshëm, gjithashtu dhe në takime Rajonale, në Bundestagun gjerman e në Parlamentin Britanik duke trajtuar çështjen e korrupsionit dhe krimit në pushtet, çështjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj KiE e në NATO, njohjen e saj dhe angazhimin e Tij personal dhe të Demokratëve Euroatlantikë për të nxjerrë vendin nga kriza.
E nga ana tjetër, kemi një moçal politik mbytës, Rilindje+Rithemelim + LSI (PL), që të tmerruar nga drejtësia SPAK e GJKKO po bëjnë marrëveshje me “djallin” për të ruajtur këtë establishment në kurriz të shqiptarëve.” – u shpreh Karabina.

“Qytetarët shqiptarë çdo ditë po shohin se si janë gënjyer, vjedhur e mashtruar nga këto palo politikanë, të cilët sot, për herë të parë në këto dekada, po shkojnë para
drejtësisë. Falë investimit dhe mbështjes së SHBA-ve e BE-së, ndëshkueshmëria dhe llogaridhënia e politikëbërësve dhe zyrtarëve të lartë për zullumet e kryera, është realitet.” – vijoi ajo më tej.

“E shkuar e pakryer”: Romani i një politologu

«Nganjëherë rrëfimi i një historie personale mund të jetë shumë më i dobishëm për parashtrimin e një pyetjeje ose hipoteze sesa një traktat filozofik apo shkencor ». Kështu e përligj politologu dhe pedagogu Ermal Hasimja zgjedhjen e formës së romanit për të komunikuar me publikun një temë thellësisht politike. Ndonëse libri rrëfen historinë e vërtetë të gjyshes së tij, të ndarë për 44 vjet nga familja e saj gjakovare pas zhvendosjes në Shqipëri, ajo që synohet është më tepër një reflektim politik e filozofik sesa një përshkrim estetik.

Libri ngrihet mbi paralelizmin mes harresës si pasojë e sëmundjes te individi dhe harresës së vullnetshme të komunizmit nga shoqëria. Pyetja themelore : A është harresa një strategji mbrojtëse ? A funksionon ajo vërtet?

“Historia nuk ka nevojë të krijohet dhe unë nuk kam merita për të. Autori është komunizmi. Unë thjesht përfytyrova dialogjet dhe përshkrova kontekstet”, – thotë Hasimja. Histori të tilla ka plot në Shqipëri, por ato sot rrëfehen vetëm në cepa të skajshëm mediatikë. Publiku i sotëm nuk është më i interesuar për dramat e komunizmit. A mos është kjo harresë një mënyrë për të shmangur çfarëdo sensi përgjegjësie si ajo që mendonte Jaspersi për gjermanët e viteve ‘30-‘40? A është harresë apo ikje nga e vërteta? A nuk është shqetësues fakti se sot e kësaj dite një pjesë e mirë e shqiptarëve ende mendojnë se komunizmi ishte një ide e mirë, por e realizuar keq, pa e pranuar kurrë se zhdukja e lirisë është një e keqe themelore në vetvete pavarësisht cilitdo qëllimi? A është e shkuara jonë ende e pakryer?

Hasimja shtron pyetje të cilave zakonisht u ka dhënë përgjigjen e vet në shkrime e debate. Në libër ai mjaftohet me ilustrimin e nevojës për t’i bërë këto pyetje sinqerisht e thellësisht./ditar.al

“Lasgushi ka pasur këtë verë një histori dashurie…”- Ngjarja e panjohur e dy kolosëve të letrave shqipe: I mërzitshmi dhe i padurueshmi R.P., i dha Kadaresë një lajm gati të pabesueshëm

Nga Shpendi Topollaj

– Dashuria e Lasgushit me Ana G., dhe përjetimi i saj nga Ismail Kadareja; Rreth romanit “Ikja e shtërgut”! 

Para disa vitesh, shkrimtari i shquar me famë botërore, Ismail Kadare, më dhuroi librin e tij “Përballë pasqyrës së një gruaje”, në të cilin qëndrojnë bashkë tre romane të shkurtër, ku veç atij të titullit, dhe “Kalorësi me skifter”, është përfshirë dhe një tjetër me titullin “Ikja e shtërgut”, që i kushtohej dashurisë poetike të Lasgush Poradecit, me bukuroshen Ana G. I gjithë ai libër, si e gjithë krijimtaria e tij, më kishte lënë një shije të paharruar, ndaj një mbasdite e nxora nga biblioteka ime dhe zura ta rilexoj. Duke u kalamendur mes rreshtave, m`u kujtua ajo shprehja e M. Nekse, se; “Ngjeshja e skajshme e materialit… ja çfarë ka rëndësi për krijimin e veprës letrare”.

Në pak faqe, gjeniu ka thënë aq shumë. Dhe pa të lodhur e sforcuar fare. Përkundrazi, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar dhe i ripërtërirë shpirtërisht, në këto ditë deprimimi. Sidomos me shtjellimin mjeshtëror të asaj historisë olimpike, të poetit tonë magjik, Lasgush Poradeci, ku dhe do të ndalem gjatë këtij shkrimi. Kam folur gjatë e gjerë si për Kadarenë dhe veprën e mrekullueshme të tij, ashtu dhe për simbolin e dashurisë së pastër njerëzore, idhullin e tij, zemër-zjarrin Lasgush Poradeci.

Por, të dy ata janë universe më vete, ku vlerat e mëdha artistike e estetike, temat që kanë zgjedhur, trajtesat që u bëjnë atyre, mesazhet që japin, risitë letrare që sjellin, emocionet që përftohen nga dashuria që ata kanë për atdheun, njeriun, lirinë, të mirën e të bukurën dhe sidomos urrejtja për padrejtësinë dhe diktaturat, janë të pafundme. Të dy ishin sfidantë; Kadareja me penën e tij të guximshme e, mjaft të rafinuar, kurse Lasgushi, me sjelljen e tij, me krahët e kthyer, me heshtjen mospajtuese me regjimin.

Dhe vetiu, për këtë flet më se qartë, si shkruaja e këtij romani për dashuri “të pamoralshme” e, të pangjara më parë, në vitin 1986! Roman që shkrimtari i famshëm, e mbyll me thirrjen: “Ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lësh ne, të gjorëve?”, ashtu dhe teka prej plakut Goethe e, Lasgushit, që vepronte lirshëm, sikur të qe në oborrin e Dukës së Vajmarit, dhe pa drojë dashuronte tetëmbëdhjetë vjeçaren, Ulrika fon Livencovin shqiptare, e jo nën vëzhgimin ziliqar, të një monstre si Enver Hoxha.

Fjodor Dostojevskij, në një nga librat e tij, ka shtruar pyetjen se; “Çfarë është Ferri?” dhe po vetë është përgjigjur: “Unë mendoj se është vuajtja e të qenit i pa aftë, për të dashuruar”. Lasgushit i mungonin shumë gjëra: nderimi, mundësia e botimit për ato që shkruante, sipas formimit të tij intelektual, jeta publike, liria e shprehjes, gruaja, mundësia e lëvizjes nëpër botë, shkuarja në Kosovë te miqtë e tij, gjezdisjet nëpër Shqipëri, si pasojë e ngushticës ekonomike.

Ishte gjetur mënyra më e poshtër, për t`ja mbyllur gojën: ajo e shpërfilljes, e lënies në harresë, gjersa njerëzit të mendonin se kishte kohë që kishte vdekur. Pra, siç thotë në libër Kadareja: “Prej vitesh ishte dhe s`ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë.

Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, prarimit të festës, niste qortimi për të”! Dhe më tej: “Ishte braktisur diçka që s`duhej braktisur. Ishte shkelur me këmbë ëndrra.  Nga sallat tona të mbledhjeve, të ndriçuara brutalisht, dukej sikur ai, munguesi i madh, kishte marrë prarimin e përkorë të llambadarëve të vjetër, për të stolisur me të sarkofagun e vet”!

Dhe si për ironi të fatit, në këtë kohë harrimi, dashamirësit të tij të madh, Ismailit, i jep një lajm gati të pabesueshëm, i mërzitshimi dhe i padurueshmi R.P.: “Lasgush Poradeci, ka pasur këtë verë, një histori dashurie”. Po ku kishte lajm më të bukur se ky? Poeti qenka gjallë?! Zemra e tij, paska mbetur e pacenuar! Oh! Ç`lumturi! Ai tani po i kushtohej emocionalisht asaj, që asnjë tiran apo paragjykim, nuk mund t`ja ndalonte. Dhe pa u menduar gjatë, i hipën autobusit dhe merr rrugën për tek ai.

Duhet mendja e ndritur e Kadaresë, vëmendja e tij, të cilës nuk i shpëtonte asgjë, dhe ajo vellua gogoliane e sarkazmës së tij, që ta shijosh atë udhëtim. Dhe jo vetëm ta shijosh, por edhe të qeshësh me një pafundësi gomarllëqesh, që na kanë ndjekur kur na duhej të shkonim atje ku pushonte ai, i madhi fare. Kontrolle, pas kontrollesh.

Njëri polic apo punonjës i Sigurimit, më injorant dhe dyshues se tjetri! Ndofta të tillë i bënte detyra, por ajo që e çuditi më shumë, nuk ishte pyetja: “Përse shkoni në Pogradec”, sesa “E njihni Ana G.”? Pra, R.P., paskej qenë jo vetëm i mërzitshëm dhe i padurueshëm, por edhe provokator; ai e paska shpënë fjalën tek ata.

Se ndofta Ana G., kishte ndonjë plan kundër udhëheqësit, që vinte atje. Por edhe nëse jo, ajo donte t`i bënte karshillëk me poetin atij. E kam parë Ana G. dhe më kanë folur njerëzit e sime shoqe, për zgjuarsinë dhe kulturën e saj, kur ishte mësuese letërsie në Pogradec. E kam dëgjuar një mbrëmje në shëtitje, teksa fliste me një grup të rinjsh. Portreti i saj, nuk do t`u shpëtonte lehtë, piktorëve të mesjetës fiorentinase.

Me një shkodranishte të ëmbël, e sigurt në ato që thosh, kuptohej menjëherë, se ishte një grua intelektuale që kishte ecur shumë para kohës, aq sa më kollaj mund të besoje, se kishte dalë nga faqet e librave të Mopasanit, Çehovit a Cvajgut, sesa nga apartamentet gri e të ngushta, të një qyteti të humbur shqiptar, ku syri të zinte; “Nën dritën e pamëshirshme të diellit, vitrinat e dyqaneve (që) ngjanin edhe më të varfra.

Në qelqe, si kudo, kishte prapë parulla, madje më tepër se dy vjet më parë, kur kisha qenë këtu me pushime. Pantallona burrash, kinkaleri. Edukim, vigjilencë, shampo…! Vapë dhe qytet i vogël provincial. Klubi i gjuetarëve. Berberhane. Qendër Edukimi e Lagjes Nr. 6”!

Pra, mërzi. Ana G., mes atyre ndërtesave të shëmtuara, natyrisht që autorit të romanit, i është dukur me të drejtë e huaj dhe skandaloze. Por edhe si dhuratë nga Lasgushi, në pamundësi për t`i shndërruar arkitekturën. Dhe e gjithë kjo, me një mjet të pabesueshëm: me dashurinë e tij fisnike, që ai vetë ishte munduar ta mbante të pazbuluar: “Se s`dashuroja as unë as ti, / Por dashuronte dashuria, / Një dashuri plot fshehtësi, / M`e fshehtë se fshehtësia”!

Por si mund të mos merrej vesh kjo dashuri e çuditshme, ku edhe ajo midis dy të rinjve gjimnazistë, bëhej objekt thashethemesh të pafund? Maksim Gorki, duke folur për përditshmërinë e shkrimtarit, pra për qenien e tij njeri, ka thënë se;

“Shkrimtari nuk duhet të jetë Robinson…duhet të jetojë jetën, të thërrasë, të qeshë, të shajë, të zihet, të dashurojë”. Mendoni pastaj, Lasgushin, me zemrën e tij sa bota. Veç duhet pranuar, se atë së pari, e pa dhe e kuptoi, për të mos thënë, e përligji, një tjetër mendje superiore, ajo e Ismail Kadaresë.

Marsel Prust, për stilin e shkrimtarit, ka thënë se; ashtu si dhe për piktorin, nuk është çështje teknike, por është çështje e botë vështrimit. Dhe botë vështrimi nga ana e saj, është e shkallëzuar, nga e zakonshmja, deri te gjenialja. Dikush mund të dyshojë dhe të thotë se çfarë do t`i pëlqente Ana G., plakut Lasgush, me atë pallton e vjetër, kapelën e zezë republikë strehë madhe dhe shkopin ku mbahej.

Por, përtej kësaj, ai vazhdonte të ishte; një shpirt. Një shpirt i pashoq, i bukur, plot jetë, që ngazëllehej njësoj si nga vala e liqerit, si nga kërcitja e një lopate të varkës që voziste tek kthehej pas peshkimit, si nga ajo shqiponja, që po arratisej tutje ndë Mal të Thatë, ashtu dhe nga bukuria e një gruaje, gati si Ana Kern.

Po pse, a nuk e dimë se, kudo do gjesh femra që vazhdojnë të dashurojnë Danten, Pushkinin, Lermontovin, Bërnsin, Eseninin, deri dhe A. Bllokun (atij që shkruante: “Dhe para korit, plaku si trim, / Këmbën përplas: / Më digj të tërin me zë, me shikim, / Ksjusha, ti gaz!” dhe që qe shkruar edhe një novelë për një vajzë sovjetike të dashuruar me të pas vdekjes), e plot të tjerë, edhe pse ata fizikisht nuk janë mes nesh.

A nuk do të dëshironte secila nga ato ,të ishte e dashura e ndonjërit prej tyre dhe a nuk do të ndihej e privilegjuar e fatlume, sikur pena e tyre, ta përjetësonte atë në jetë të jetëve. Dhe a nuk kemi gjithë të drejtën tonë, të mendojmë se edhe Ana G., e tillë mbeti, falë atij platonizmit të saj, për magmën e të dashuruarit, të atij që i ngriti himne, ndjenjës më sublime që njeriu ka.

Dhe që me veprimin e saj, tërhoqi vëmendjen e Kadaresë, atij që me talentin e tij të papërsëritshëm, i bëri dhe i bën nder gjithë Shqipërisë dhe shkoq kaq mjeshtërisht fuqinë ripërtëritëse të dashurisë, “sidomos në muzg të jetës”. Të një dashurie, për të cilën pasi i ra në dorë shkrimi i vetë Lasgushit; “Vizita e zonjushës Ana G., në kullën time”, nuk kishte më asnjë fije dyshimi.

Për më tepër, ju rrit nderimi për atë zonjushë, derisa duke hyrë brenda asaj “kulle”, kujdesej të mos e vriste hijen, që ajo kishte lënë duke ngjitur ato shkallë. Por ngjarjet marrin një kthesë krejt të papritur: kur Ismaili takon Lasgushin, i cili “kishte po atë buzëqeshje si vitin që shkoi”, ky i fundit u kthye te ai karakteri rebel i tij, gjë që i prishi të gjitha planet e vizitorit. Qysh në fillim, i tha: “Kombin e bëjnë poetët”.

Ata, atje lart kujtohen për ta, vetëm kur u a kanë nevojën. Dhe pastaj vijon pyetja befasuese: “Me që ra fjala, ç`bën ai (Enveri), gjallë është apo ka vdekur?”. Dhe e gjithë kjo, ndërsa ai përbindëshi, me grua, fëmijë, dhëndurë dhe nuset, shihte darkave gjyqin e familjes të Kryeministrit të shpallur poli-agjent edhe pse me të i kalonin pushimet së bashku. Ka diçka shekspiriane këtu, për të mos thënë se do mjaftonte një truk i vogël dhe kushdo do ta besonte, se ishte vepër e fantazisë së tragjikut të madh anglez nga Strasfordi.

Kulmi arrin kur mes dilemës se kush kishte ndikuar më shumë për emrin Poradec; liqeni, qyteti apo vetë poeti, autorin e romanit, duke hedhur vështrimin tutje në errësirën e qiellit dhe ndriçimin e yjeve, e mundon vargu: “Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë”.

Por lexuesi duhet ta nxjerrë vetë arsyen pse poeti, plaku – djalë, po shkon zemërthyer: nga heshtja zyrtare dhe harrimi që e ndoqi pas, apo nga humbja e dashurisë së tij për bukuroshen e mençur Ana G.?! Ama një gjë është e qartë; ajo që Dyame ka thënë se; “Qëllimi epror i romancierit, është të na bëjë të ndjeshëm për shpirtin njerëzor, të na bëjë ta njohim e ta duam në madhështinë dhe në mjerimin e tij, në fitoret dhe dëshirat e tij”.

Nuk ka lexues që të mos e kuptojë forcën e shpirtit njerëzor në këtë roman që karakterizohet nga porosia tolstojane, për thjeshtësinë, lakonizmin dhe qartësinë, duke arritur kështu përsosmërinë e formës së artit, gjë që e bën vetëm një shkrimtar me prirje dhe punë të madhe si i i gjalli i përhershëm, Ismail Kadareja i madh dhe i papërsëritshëm! Memorie.al    

Sulmi ku u vranë 5 persona në Ankara, ministria e Mbrojtjes në Turqi: Shkatërruam 32 objektiva që i përkasin terroristëve

Qeveria turke thotë se ushtria e saj goditi vende të mërkurën mbrëma në Irak dhe Siri të lidhura me grupin militant kurd PKK, pasi e fajësoi atë për një sulm pranë Ankarasë që vrau të paktën pesë persona.

 

Pamjet tregojnë të paktën dy persona që gjuajnë me armë rreth hyrjes së Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TAI), e cila ndodhet rreth 40 km (25 milje) jashtë kryeqytetit.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në të cilin u plagosën 22 persona.

“Gjithsej 32 objektiva që i përkisnin terroristëve u shkatërruan me sukses” në sulmin hakmarrës, tha në një deklaratë ministria turke e mbrojtjes.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan e quajti sulmin ndaj TAI “të neveritshëm”, ndërsa ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se dy sulmues, një grua dhe një burrë, ishin “neutralizuar”, duke shtuar se sulmi ka shumë të ngjarë të kishte përfshirë PKK.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) është e ndaluar si një organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe MB dhe ka luftuar kundër shtetit turk.