39.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s viziton Ankaranë! Do të takohet me presidentin turk, çfarë pritet të diskutojnë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, do të vizitojë nesër kryeqytetin Turk, Ankaranë.

 

Mediat e huaja bëjnë me dije se sekretari i NATO-s do të takohet nesër me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, Ministrin e Punëve të Jashtme Hakan Fidan dhe Ministrin e Mbrojtjes, Yasser Guler.

Gjatë takimeve të Rutte në Ankara, pala turke pritet të ngrejë praninë e grupimit kurd PYD dhe milicisë së Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA.

Ankaraja e barazon praninë e forcave kurde në kufirin e saj jugor me organizatën PKK dhe terrorizmin.

Udhëheqja turke pritet gjithashtu të ngrejë me Sekretarin e Përgjithshëm çështjen e rolit të mundshëm ndërmjetësues të Turqisë në luftën Ukrainë-Rusi dhe çështje të tjera dypalëshe, veçanërisht në lidhje me ndryshimet e pritshme në marrëdhëniet transatlantike pas marrjes së pushtetit në SHBA nga Donald Trump.

Në kuadër të kontakteve të tij në kryeqytetin turk, Mark Rutte do të takohet edhe me përfaqësues të industrisë turke të mbrojtjes dhe do të vizitojë objektet e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore, të cilat së fundmi u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist.

Para vizitës së tij në Turqi, Mark Rutte u takua të premten në Florida me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, ndërsa ndalesa e radhës e sekretarit të përgjithshëm do të jetë Athina.

Paradoksi i Ramës në takimet me diasporën

Gjatë 11 viteve të qeverisjes së Edi Ramës, sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria ka përjetuar eksodin masiv më të madh të popullsisë, duke regjistruar largimin e rreth 600 mijë deri në 700 mijë qytetarëve. Kjo shifër tronditëse është më shumë se gjysma e atyre që janë larguar gjatë tri dekadave të fundit. Kjo e bën Ramën në eksportuesin më të madh të shqiptarëve nëpër botë.

Paradoksi i kësaj situate qëndron në faktin se kryeministri takon shqiptarët që në shumicë janë larguar nga vendi si pasojë e keqqeverisjes së tij. Ndërkohë që ai promovon Shqipërinë si një vend me potencial të madh turistik dhe zhvillimor, shqiptarët vijojnë të largohen jo thjesht për të gjetur një rrogë më të mirë, por për shkak të mungesës së sigurisë, shërbimeve bazike dhe një sistemi të degraduar.

Sistemi arsimor është shkatërruar dhe është thellësisht i politizuar, duke i lënë të rinjtë pa perspektivë reale për zhvillim personal dhe profesional brenda vendit. Po ashtu, shëndetësia mbetet një problem i madh, pavarësisht premtimeve për ta bërë atë falas. Në vend të përmirësimit, ajo është kthyer në një barrë të rëndë ekonomike për njerëzit. Ajo çka qeveria reklamon si falas, për qytetarët kushton më shtrenjtë.

Largimi masiv i shqiptarëve është një reflektim i thellë i mungesës së besimit në institucionet shtetërore dhe në mirëqeverisjen e vendit. Ky eksod nuk është thjesht një statistikë, por një tragjedi kombëtare që kërcënon të ardhmen e Shqipërisë.

Për të ndalur këtë trend shkatërrues, është i domosdoshme një reflektim i thellë dhe ndërhyrje urgjente për të rikthyer shpresën dhe dinjitetin në sytë e qytetarëve shqiptarë. Ka nevojë për një opozitë të përgjegjshme që bashkohet në vlerat e së mirës dhe së ndershmes kundër klasës së vjetër dhe të korruptuar të tranzicionit si mënyra e vetme për të rikthyer besimin e njerëzve./ Nga Namir Lapardhaja

Protestë jashtë takimit të Edi Ramës me shqiptarët në Londër

Protestë jashtë godinës ku mbahet takimi i kryeministrit Edi Rama me shqiptarët në Londër. Protestuesit, të cilët mbanin pankarta me mesazhe kundër qeverisë, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj politikave të Ramës.

Sipas raportimeve, disa prej tyre kanë denoncuar se janë shpenzuar 25 mijë paund për marrjen me qira të godinës ku po mbahet takimi, çka ka ngjallur kritika për keqpërdorimin e fondeve.

Protesta ka përshkallëzuar në disa përplasje mes demonstruesve dhe policisë britanike, e cila ndodhej në vendngjarje për të ruajtur rendin.

Takimi në Londër është pjesë e turit të kryeministrit Rama, të quajtur “Krenar për Shqipërinë,” i cili synon bashkëbisedimin me shqiptarët në diasporë në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Autobusi del nga rruga dhe bie në greminë! Të paktën 7 pasagjerë të vdekur, mbi 30 të lënduar

Të paktën shtatë persona janë vrarë dhe më shumë se 30 të tjerë mbetën të lënduar, si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor që u regjistrua dje në rajonin San Martin në veri të Perusë, njoftoi Ministria e Brendshme e vendit.

Autobusi del nga rruga dhe bie në greminë

Aksidenti ndodhi në autostradën e Fernando Belaunde Terry, kur një autobus u përplas me një furgon në një kthesë të fortë.

Shoferi i autobusit humbi kontrollin, duke bërë që mjeti të devijojë nga rruga dhe të bjerë në greminë.

Mario Perlleshii në spital, të hënën vendoset ku do transferohet

Edhe pse i është dhënë masa e sigurisë që të premten, i mituri M.P i dyshuar si autor i vrasjes së 14-vjeçarit Martin Canin rreth 1 javë më parë në Tiranë vijon të mbahet ende në spitalin privat.

Të hënën një komision i posaçëm, në përbërje të të cilit do të jenë mjekë dhe policia e burgjeve do te vlerësojë situatën dhe do të vendoset nëse i mituri do të transferohet apo jo ose në spitalin e burgut ose ne burgun e të miturve në Kavajë, në varësi të gjendjes së tij shëndetësore.

“Iniciativat e tjetra të përfshijnë edhe Kosovën”- Ballkani i Hapur drejt fundit? Analiza e REL: Polemika dhe mosmarrëveshjeve në Shkup për nismën!

Pjesëmarrja e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Panairin ndërkombëtar të verës, rakisë dhe turizmit në Serbi, ka rikthyer polemikat dhe mosmarrëveshjet për iniciativën “Ballkani i Hapur”.

 

Nga partia shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në opozitë, përmes një konference për media të shtunën kritikuan kryeministrin Mickoski dhe koalicionin shqiptarë “VLEN”, pjesë e Qeverisë maqedonase, për qëndrime kontradiktore lidhur me këtë iniciativë.

“Lëvizja Besa (pjesë e koalicionit VLEN) atë kohë ka akuzuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se është pjesëmarrëse në projektin Ballkani i Hapur, i cili sipas Besës, është një projekt serbo-rus… Kandidati presidencial nga koalicioni VLEN, Arben Taravari më 2 prill ka deklaruar se ka gati tre vite që e ka potencuar se Maqedonia (e Veriut) duhet të tërhiqet nga Ballkani i Hapur pasi nuk është iniciativë e mirë…”, tha deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli.

Kryeministri Mickoski, i cili po qëndron në Beograd që nga dita e premte, e cilësoi këtë ngjarje si një mundësi për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe bashkëpunimin mes vendeve të përfshira në iniciativë.

“Iniciativa rajonale krijon mundësi që e lidhin rajonin tonë me botën, dhe pikërisht kjo platformë është një shembull se si tradita dhe inovacioni mund të ecin dorë për dorë”.

“Panairi “Wine Vision nga Open Balkan” nuk është vetëm vend ekspozimi dhe degustimi”, tha Mickoski të premten, duke shtuar se është “edhe forum për diskutim, edukim dhe bashkëpunim që do të sjellë përfitime afatgjata”.

“Jam i sigurt se suksesi i përbashkët që do të ndajmë këtu do të jetë vetëm fillimi i arritjeve edhe më të mëdha në të ardhmen”, shtoi kryeministri Mickoski.

Anëtarë të iniciativës “Ballkani Hapur”, janë Maqedonia e Veriut, Serbia, dhe Shqipëria.

Për kreun e ekzekutivit maqedonas, kjo është pjesëmarrja e parë në një ngjarje të “Ballkanit të Hapur”, që nga marrja e mandatit si kryeministër nga zgjedhjet e majit të këtij viti.

Vizita e Mickoskit në Beograd përfshiu takime me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin, Millosh Vuçeviq.

“Jam falënderues për faktin që Maqedonia e Veriut është një nga partnerët kyçë në iniciativën Ballkani i Hapur, i cili u bë simbol i bashkëpunimit të fuqishëm dhe lidhjes së Ballkanit Perëndimor”, thuhet në profilin zyrtar në Instagram të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Më herët, Mickoski kishte deklaruar se nisma ka shumë mangësi, dhe kështu si është, “nuk është e plotë”.

Mexhiti: “Ballkani i Hapur” drejt fundit

Për këtë temë, të premten foli edhe zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nga koalicioni shqiptar “VLEN” – pjesë e Qeverisë.

“Dalëngadalë po përmbyllet me efektin që ka pasur. Çdo iniciativë tjetër uroj të jetë gjithëpërfshirëse dhe t’i përfshijë të gjitha shtetet, përfshirë këtu edhe Republikën e Kosovës. Vetëm të bashkuar si partnerë, shtetet ndërmjet vete mund të arrijnë prosperitet për rajonin dhe qytetarët”, tha Mexhiti për Televizionin 21.

Koalicioni “VLEN” kishte premtuar largimin e Maqedonisë së Veriut nga kjo nismë, si pjesë e platformës së tyre elektorale. Megjithatë, pjesëmarrja e kryeministrit Mickoski në aktivitetet e “Ballkanit të Hapur” ka sjellë diskutime mbi prioritetet dhe qasjen e Qeverisë aktuale ndaj kësaj iniciative.

Të njëjtën gjë, gjatë kohës së fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut, e kishte paralajmëruar edhe kandidati, Bujar Osmani nga BDI, atëkohë edhe ministër për Punë të Jashtme i Maqedonisë së Veriut. Deklaratat e Osmanit erdhën pas sulmit në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator të vitit të kaluar, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.

“Meqenëse tani kam më shumë informacion se çfarë ka ndodhur në Banjskë, planifikoj ta informoj Qeverinë në një seancë të mbyllur, dhe ajo do të vendosë se si do të veprohet”, kishte deklaruar Osmani, më 18 prill, gjatë kohës së fushatës zgjedhore për president të Maqedonisë së Veriut.

Nisma “Ballkani i Hapur”

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, e nisur më 10 tetor 2019 në Novi Sad nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, fillimisht u quajt “Mini-Schengen”.

Në kuadër të saj u arritën disa marrëveshje, përfshirë edhe ato për bashkëpunim ekonomik dhe lëvizje të lirë.

Nisma u refuzua nga Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

Të gjitha vendet e Ballkanit janë pjesë e Procesit të Berlinit, nismë e ish – kancelares gjermane, Angela Merkel, që daton qysh prej vitit 2014 dhe përkrahet nga Perëndimi.

Synimi i tij është që ta rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe gradualisht t’i afrojë ato më pranë BE-së.

Biznesi i turizmit dentar dhe estetikës po ngadalësohet

Në lokalet e Tiranës apo në aeroporte është bërë e zakonshme të shohësh të huaj me hundë e kokë të fashuar, apo me maskë për të mbuluar punimet që po bëjnë me dhëmbët.

Shqipëria është kthyer në një destinacion turistik jo vetëm për t’u argëtuar e për të kaluar pushimet, por edhe për të kryer turizëm shëndetësor.

Çmimet ende të lira të trajtimeve e ndërhyrjeve estetike, si dhe shërbimeve dentare, po tërheqin gjithnjë e më shumë të huaj.

Kërkesa e lartë po nxit bizneset e këtij segmenti, duke bërë që

për të dytin vit radhazi të jenë në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Megjithatë, ritmet e rritjes janë ngadalësuar në krahasim me 2022, duke sinjalizuar për një ngadalësim të këtij tregu.

Rritja e çmimeve për disa ndërhyrje dhe konkurrenca nga Turqia po ndikojnë në këtë tendencë. Rënia e Euros ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në të ardhurat, teksa ofruesit e shërbimeve janë munduar ta kompensojnë këtë me rritjen e çmimeve, e cila, nga ana tjetër, ka ndikuar te frenimi i kërkesës.

“Sombrero” (Klinika Keit) është më e madhja në vend për mjekësinë e specializuar estetike. Në vitin 2023, të ardhurat e kompanisë u rritën me 8.2%, në 974 milionë lekë, pas dyfishimit të vitit të mëparshëm.

Fitimet ranë me 17%, në 360 milionë lekë, pasi ishin trefishuar vitin e mëparshëm. Norma e fitimit ishte 37%, nga 48% vitin e mëparshëm.

Skerdilajd Faria, themeluesi dhe CEO i “KEIT Day Hospital”, një ndër më të mëdhatë për ndërhyrjet kirurgjikale në vend, pohoi se deri në 60% e kërkesës aktuale për operacione plastike kryesohet nga shtetas të huaj dhe emigrantë.

Pjesën më të madhe të kërkesës nga shtetasit e huaj, sipas tij, e zënë italianët. Disa nga procedurat kirurgjikale që zakonisht kanë një kërkesë të lartë dhe preferohen nga pacientët janë:

– Lipoaspiracioni (liposuksioni), një procedurë e zakonshme për heqjen e yndyrës së tepërt nga zona e trupit si abdomeni, beli, gjinjtë dhe kofshët.

– Rinoplastika, një ndërhyrje për ndryshimin e formës së hundës për të përmirësuar pamjen e fytyrës.

– Face Lift: Kjo është një ndërhyrje për të zbutur rrudhat dhe për të kthyer një pamje më të re të fytyrës.

– Rritja e gjoksit: Në këtë kategori përfshihen ndryshimet e madhësisë së gjoksit përmes implanteve ose transferimit të yndyrës së trupit.

– Abdominoplastika: Një procedurë për të hequr qelizat e tepërta të lëkurës dhe yndyrën nga zona e barkut.

– Transplantimi i flokëve: Për persona me humbje të dukshme të flokëve, transplantimi i flokëve është një opsion, ku kërkesat janë kryesisht nga të huaj.

Edhe klinikat dentare kanë ngadalësuar disi rritjen në 2023. “Brianza Dent” është më e madhja, me të ardhura 1.4 miliardë lekë (+7%), pas dyfishimit që shënoi vitin e kaluar.

Fitimet ranë me 16.4%, në 410 milionë lekë. Norma e fitimit u reduktua në 29.6%, nga 37% vitin e mëparshëm.

Klinika, sipas faqes së internetit, ofron një sërë shërbimesh dentare si implantet, fasetat, e-max, aparatet dentare, ortondoncia. Klinika thekson se u shërben si klientëve vendas, ashtu edhe të huaj.

“Elite” është një tjetër sipërmarrje në listën e më të mëdhenjve sipas fitimeve. Të ardhurat u rritën me 18.2%, në 564 milionë lekë, pas dyfishimit vitin e mëparshëm. Fitimet arritën në 300 milionë lekë, ose 6% më shumë, me një normë prej rreth 53%, nga 60% vitin e kaluar.

Sipas burimeve nga tregu, diferenca e lartë e çmimeve të shërbimeve dentare mes Shqipërisë dhe vendeve të tjera, me rreth 35-40% më lirë, është ndër arsyet kryesore që po tërheq të huaj.

Konkurrenti kryesor është Turqia, që ka çmime të krahasueshme me Shqipërinë. Kroacia është një tjetër vend i preferuar, por ka çmime rreth 20% më të shtrenjta.

Operatorët pohojnë se mbi 80% e të huajve që vijnë në Shqipëri janë nga Italia. Një sërë aktorësh janë të angazhuar në këtë proces, si agjencitë në Itali e Shqipëri, të cilat reklamojnë nëpërmjet rrjeteve sociale, apo dhe vetë klinikat janë të lidhura me agjentë të ndryshëm.

Një person që ka probleme me të gjithë dhëmbët mund të marrë shërbimin e vendosjes së tyre në Shqipëri për 10 mijë euro, ndërsa në Itali kushton mesatarisht 20-25 mijë euro. Kostot e akomodimit dhe të fluturimeve janë të ulëta.

Klientët italianë janë në pjesën më të madhe nga Italia e Jugut dhe të moshës mbi 50 vjeç.

Krahas italianëve, po tentohet të tërhiqen klientë nga shtete të tjera të Europës si Anglia, Franca, Belgjika, Holanda, ndonëse Turqia mbetet një konkurrent me markë të fortë. Më të vështirët janë nordikët, që janë skeptikë, për shkak se Shqipëria nuk ka emër në këtë treg.

Rreziqet ngadalësojnë tregun dentar?!

Vitet e fundit, të ardhurat e shoqërive që ofrojnë shërbime dentare po rriteshin me shpejtësi. Në treg hynë shumë klinika të reja, të nxitura nga kërkesa e lartë që ka për këto shërbime, teksa informaliteti vijon të jetë i lartë, për shkak se pagesat bëhen kryesisht me cash.

Interesi i të huajve për të marrë shërbime mjekësore në Shqipëri është aq i lartë, sa disa prej tyre, kryesisht në fushën dentare, po investojnë dhe në hapësirat akomoduese (minihotele), duke ofruar një shërbim të plotë për klientët e huaj.

Këshilli i Rregullimit të Territorit ka dhënë së fundmi disa leje për njësi akomodimi që synonin pritjen e pacientëve që vijnë në Shqipëri për shërbime dentare e estetike.

Shtimi i konkurrencës rriti shqetësimin tek operatorët, se mund të bëhet në kurriz të cilësisë dhe kohës së shërbimit. Implantet janë shërbimet që kanë 10 vjet garanci dhe nëse shfaqin probleme më pas te klientët, pjesa më e madhe e të cilëve janë në moshë të madhe, mund të dëmtojnë imazhin e vendit.

Edhe mediat italiane kanë shkruar me skepticizëm për cilësinë e këtij shërbimi. Gjithsesi, operatorët sugjerojnë se potenciali i këtij tregu është i madh, por gjithmonë nëse do të kishte kontrollin e duhur nga institucionet shtetërore.

Gjithsesi, të dhënat e 2023 tregojnë se ky segment po ngadalësohet, si nga rënia e Euros, ashtu dhe nga frenimi i kërkesës i ndikuar nga çmimet apo “frika” e cilësisë./Monitor

Gjuha si mister

Nga Yzedin Hima

Të gërmosh në gjuhë gjen thesare të paçmuara. Me anë të tyre mund të ndërtosh historinë e një vendi, mund të zbulosh kulturën e tij, sikurse arkeologu që gërmon në tokë dhe në nëndet për të gjetur dëshmi materiale për qytetërime, beteja, mënyra jetëse të shekujve të kaluar.
Materia e gjuhës është më e pasur se toka, qoftë ajo edhe e begatë me dëshmi të vjetra qytetërimi si toka helene apo ajo romane. Natyrisht, të gërmosh në gjuhë kërkohen aftësi të mëdha njohëse të gjuhës, gjuhëve, kulturave, qytetërimeve. Nga leximi i “Iliadës” së Homerit, nga përshkrimi i qartë i vendndodhjes gjeografike të qytetit në tekstin e Epit u zbulua qyteti i Trojës nga Hainrih Shliman dhe kolegët e tij arkeologë.

Me zbulimin e misterit që fshihej në gjuhë u vërtetua se Epi kishte një kontekst historik, nuk qe thjesht një trillim.

Në ishullin Antiparos në Greqi gjendet një nga shpellat më të bukura të botës. Ajo u zbulua nga ambasadori francez në Kostandinopojë, markezi De Nouadel në vitin 1673. Kjo shpellë unikale në botë për stalagmitet e saj, në fakt kishte patur një vizitor të parë shumë kohë më parë se të vinte markezi De Nouadel. Ai kishte qënë poeti nga ishulli i Parosit Archilochos, i cili ka jetuar në vitet 728-650 para Krishtit dhe në një nga krijimet e tij e përmend shpellën e famshme. Misteri qe fshehur në gjuhë për shekuj të tërë, derisa një lexues i vëmëndshëm si markezi De Nouadel, pasi lexoi tekstet e poetit antik vendosi të zbulojë atë, duke ia arritur qëllimit.

Mund të sjellim mjaft shembuj të tjerë të mistereve të fshehura në gjuhë, por do ndalemi te njëri. Ne romanin e Nikolas Geixh ( Nikolla Gaxojanis) me titull “Eleni”, në variantin anglisht, gjen një fjali të tillë: “Go with me, zonia.”( Eja me mua, zonjë). Fjala zonia nuk është fjalë e gjuhës greke, nuk është as fjalë e gjuhës angleze. Autori e shpjegon kuptimin e kësaj fjale po aty: “Eleni pleaded, using a village word meaning “kindswoman.” ( U lut Eleni duke përdorur një fjalë të fshatit që ka kuptimin “ grua fisnike”.)

Natyrisht fjala zonjë në gjuhën shqipe ka kuptimin grua fisnike, sikurse me korrektesë e shpjegon edhe autori në gjuhën angleze. Po pse përdorej kjo fjalë dhe disa të tjera nga fondi i fjalorit të shqipes në një fshat homogjen grek? Kjo hap diskutime. Autori pohon se kjo fjalë përdorej në fshatin e tij, Lia, fshat në territorin grek pranë Kakavijës, pa thënë se cila ishte origjina e saj, gjë që na bën të besojmë se autori nuk e ka ditur origjinën e kësaj fjale.

Edhe tek tekstet e shkrimtarëve që shkruan gjatë diktaturës ka mjaft të panjohura të fshehura në gjuhë. Nëpërmjet leximit të kësaj gjuhe mund të zbulojmë dhe hedhim dritë mbi misteret e krijimit në diktaturë nga poetë dhe shkrimtarë të përndjekur nga sistemi totalitar. Censura, autocensura krijonte mjete dhe detale të gjuhës poetike, të cilat fshehin brenda formës së rafinuar mesazhin artistik e kuptimor.

Po sjellim si shembull disa vargje nga poezia me titull “Ajsberg” e poetit Mihal Hanxhari:

Ajsberg i vetmisë

Kujtimi yt i bardhë flet me yllin e polit
Po dëshpërimi yt i heshtur nën ujë
Peshon peshon më shumë se qielli
O peshk i vetëm
ç’kërkon aq shumë në algat e zeza
Syri yt si lule fushe …

Ky tekst, ashtu si ajsbergu, fsheh te vetja misteret e krijimit dhe mistere të tjera të mbulesës së teksteve për t’i ruajtur nga deformimi dhe keqpërdorimi.

Vrasja që vazhdon të na vrasë çdo ditë/ Shumë zhurmë dhe zero reflektim!

Nga Desada Metaj

“Intervistë ekskluzive”, “flet për herë të parë babai i Martinit” dhe plot tituj e intervista pa asnjë interes për publikun, veç kuriozitetit pervers për një ngjarje të rëndë. Është vrarë një fëmijë, është plagosur dhe shenjuar në mënyrë përfundimtare një familje, e bashkë me të e gjithë shoqëria që jeton në një vend ku dhuna paketohet me ngjarje ekskluzive dhe tituj bombastikë për ca klikime më shumë. Por asnjë reflektim. Asnjë moment heshtje në respekt të familjeve me fëmijë të vrarë e të vrarës jeta, të cilëve përveç goditjes më të rëndë të mundshme, tashmë kanë në kurriz edhe gjykimin e një shoqërie që, prej disa ditësh, ushqehet veç me “ekskluzivitete” makabre që nuk të çojnë askund.

Si mundet që një grua, që del ekran më ekran dhe tregon se si e ka shoqëruar viktimën në spital, nuk ka frikë nga shkelja e ligjit? Si mundet që asnjë drejtues emisioni nuk e di apo nuk i thotë që ka thyer ligjin, teksa ka shoqëruar një të plagosur pa pritur ta bëjë këtë ambulanca, ose së paku të kërkonte ndihmën e një mjeku?

Si mundet që në shkollën Fan Noli, të nesërmen e ngjarjes, nuk ndaloi procesi mësimor dhe godina, nga skenë krimi, u shndërrua në “Big Brother live”, ku flisnin të mitur të pashoqëruar nga prindër, dhe prindër e mësues pa asnjë filtër të vërtetë?

Si mundet që në panele flasin qeveritarë e politikanë me zero ndjeshmëri dhe përgjegjësi për ngjarjen? TikTok nuk vret njerëz, TikTok nuk ka për detyrë të edukojë shoqërinë. Por politikanët e këtij vendi, që prej 33 vjetësh veç shahen dhe ekspozojnë dhunën që nga parlamenti deri tek dera e shtëpisë, të paktën duhet të heshtin e të kërkojnë ndjesë për katandisjen e shoqërisë.

Dhe teksa ndjek vorbullën e madhe të reagimeve histerike, ku çdokush nxiton të flasë në TV dhe të shkruajë në Instagram, askush nuk pyet: Mos janë këto programet me “super audiencë” që reflektojnë sjelljen e adoleshentëve të sotëm? Mos janë këta që bërtasin më shumë për të dënuar vrasjen e një adoleshenti promovuesit e këtij sistemi antivlerash, ku programet televizive janë plot me çuna “problematikë” dhe vajza me jetë luksi, të sponsorizuara nga lekët e drogës dhe trafiqeve, një nga arsyet e rrënimit të vlerave?

Personalisht mendoj që po. Mendoj dhe vlerësoj se ngjarja e adoleshentit të vrarë në derën e shkollës meriton si fillim heshtjen dhe më pas, nëse mundemi, reflektimin. Për një shoqëri dhe për ca vlera të humbura gjatë rrugës e për të cilat ata që bërtasin sot më shumë janë përgjegjësit kryesorë. Pas disa ditësh, ne të gjithë do të harrojmë dhimbjen e familjes së Martinit. Por prindërit e tij nuk do ta harrojnë kurrë. Ndaj, në respekt të një tragjedie me gjurmë të përjetshme për prindërit e tij, bëjmë mirë ta respektojmë në heshtje dhimbjen e tyre dhe të reflektojmë sa të mundemi për të bërë diçka që ngjarja të mos përsëritet. Por për këtë, së paku, na kurseni histerinë televizive me “ekskluzivitetet” tuaja dhe mbani larg ekraneve qeveritarë, politikanë e VIP-a. Duhet të mësojmë të respektojmë dhimbjen që të jemi të aftë të nxjerrim mësime nga një tragjedi që nuk është larg portës së gjithkujt!

Çfarë është pushteti për Angela Merkel?

Ish kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel ka dalë nga periudha e gjatë e heshtjes dhe ka dhënë një intervistë të gjatë dhe pothuaj shteruese, për të përditshmen italiane, “Corriere della Sera”.

Gruaja e  ‘hekurt’, drejtoi për 16 vite me radhë shtetin më të fuqishëm të Bashkimit Evropian dhe la një shenjë të fortë në politikën botërore.

Kishte një arsye për zhdukjen pothuajse totale të Angela Merkelit: për dy vjet ajo iu përkushtua shkrimit të kujtimeve të saj me Beate Baumann, gruan që ka qenë hija e saj në politikë që nga viti 1992. “Liria” titullohet libri, i cili del të martën në tridhjetë vende.

Në libër gjejmë kujtimet e saj, RDGJ-në, Putinin, Trumpin, Berlusconin, por është gjithashtu mbrojtja e saj, një përgjigje ndaj akuzave: dhe ajo duket se nuk është penduar.

Ajo drejtoi Gjermaninë për 16 vjet dhe duke u quajtur gruaja më e fuqishme në botë, por çfarë është pushteti për Angela Merkel?

‘Për mua, pushteti është mundësia për të formësuar diçka. Të kesh mazhorancë, të marrësh vendime që lënë gjurmë së bashku me njerëzit që kanë marrë mandatet e tyre. Ndërtimi i mazhorancave, bashkimi i tyre, gjetja e kompromiseve. Ky është pushteti.’, thotë Angela Merkel.

Më tej në rrëfimin e saj, Mekel thotë se Putini s’ka qenë kurrë mik i Evropës.

‘Unë i dija shumë mirë qëllimet e Presidentit Putin. I ka shprehur gjithmonë si publikisht ashtu edhe në biseda konfidenciale. E dija që nuk kishim të bënim me një mik të Europës. Pyetja ishte vetëm si të reagonim. Përgjigja ime nuk ishte që të mos kisha më asnjë marrëdhënie me Putinin, por përkundrazi të përpiqesha të parandaloja pushtimin e Ukrainës përmes bisedimeve, ndonjëherë me shumë polemika, në të cilat nuk përdora asnjëherë lojëra fjalësh. Ka funksionuar për një farë kohe me fillimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, situata ka ndryshuar rrënjësisht.’, shpeheht ish kancelarja.

Asnjë udhëheqës perëndimor nuk e ka njohur Vladimir Putinin më mirë se ajo . Ajo akuzohet se nuk dëshironte të shihte qëllimet e tij agresive, ndërkohë që injoroi provat se Putin donte të shkatërronte rendin evropian.

‘Gëzimi më i madh i jetës sime – fundi i Luftës së Ftohtë, rënia e Murit, ribashkimi gjerman dhe uniteti i Evropës – për Putinin, nga ana tjetër, lidhen me fatkeqësinë më të madhe të shekullit të 20-të, fundin e Bashkimit Sovjetik. Prandaj, pikëpamjet tona ishin diametralisht të kundërta.

Putini po përpiqej ta bënte Rusinë sërish një fuqi të madhe. Por ai nuk mundi ta bënte atë në nivel ekonomik, përmes mirëqenies për të gjithë. Në vend të kësaj ai u përpoq me metodat e mësuara në shërbimin sekret, KGB, përmes forcës ushtarake dhe nacionalizmit rus. Kaq shumë nga shpresat që kishim në vitin 1990, se Rusia do të merrte gradualisht rrugën e demokratizimit, nuk janë realizuar.’, thekson ajo.

Ish kancelarja ka folur gjithashtu edhe për rrezikun e një ndarjeje të Evropës.

“Rreziku është gjithmonë aty. Varet nga ne, gjithçka është në duart tona. Sipas mendimit tim, pavarësisht pozicioneve të ndryshme fillestare, ka një shans të mirë që Evropa të gjejë një vijë të përbashkët për çështje të vështira”./ Marrë me shkurtime nga Corriere della Sera