22.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

“Lasgushi ka pasur këtë verë një histori dashurie…”- Ngjarja e panjohur e dy kolosëve të letrave shqipe: I mërzitshmi dhe i padurueshmi R.P., i dha Kadaresë një lajm gati të pabesueshëm

Nga Shpendi Topollaj

– Dashuria e Lasgushit me Ana G., dhe përjetimi i saj nga Ismail Kadareja; Rreth romanit “Ikja e shtërgut”! 

Para disa vitesh, shkrimtari i shquar me famë botërore, Ismail Kadare, më dhuroi librin e tij “Përballë pasqyrës së një gruaje”, në të cilin qëndrojnë bashkë tre romane të shkurtër, ku veç atij të titullit, dhe “Kalorësi me skifter”, është përfshirë dhe një tjetër me titullin “Ikja e shtërgut”, që i kushtohej dashurisë poetike të Lasgush Poradecit, me bukuroshen Ana G. I gjithë ai libër, si e gjithë krijimtaria e tij, më kishte lënë një shije të paharruar, ndaj një mbasdite e nxora nga biblioteka ime dhe zura ta rilexoj. Duke u kalamendur mes rreshtave, m`u kujtua ajo shprehja e M. Nekse, se; “Ngjeshja e skajshme e materialit… ja çfarë ka rëndësi për krijimin e veprës letrare”.

Në pak faqe, gjeniu ka thënë aq shumë. Dhe pa të lodhur e sforcuar fare. Përkundrazi, ndihesh i çlodhur, i lehtësuar dhe i ripërtërirë shpirtërisht, në këto ditë deprimimi. Sidomos me shtjellimin mjeshtëror të asaj historisë olimpike, të poetit tonë magjik, Lasgush Poradeci, ku dhe do të ndalem gjatë këtij shkrimi. Kam folur gjatë e gjerë si për Kadarenë dhe veprën e mrekullueshme të tij, ashtu dhe për simbolin e dashurisë së pastër njerëzore, idhullin e tij, zemër-zjarrin Lasgush Poradeci.

Por, të dy ata janë universe më vete, ku vlerat e mëdha artistike e estetike, temat që kanë zgjedhur, trajtesat që u bëjnë atyre, mesazhet që japin, risitë letrare që sjellin, emocionet që përftohen nga dashuria që ata kanë për atdheun, njeriun, lirinë, të mirën e të bukurën dhe sidomos urrejtja për padrejtësinë dhe diktaturat, janë të pafundme. Të dy ishin sfidantë; Kadareja me penën e tij të guximshme e, mjaft të rafinuar, kurse Lasgushi, me sjelljen e tij, me krahët e kthyer, me heshtjen mospajtuese me regjimin.

Dhe vetiu, për këtë flet më se qartë, si shkruaja e këtij romani për dashuri “të pamoralshme” e, të pangjara më parë, në vitin 1986! Roman që shkrimtari i famshëm, e mbyll me thirrjen: “Ku do të nisesh, shtërg i madh, dhe ku do të na lësh ne, të gjorëve?”, ashtu dhe teka prej plakut Goethe e, Lasgushit, që vepronte lirshëm, sikur të qe në oborrin e Dukës së Vajmarit, dhe pa drojë dashuronte tetëmbëdhjetë vjeçaren, Ulrika fon Livencovin shqiptare, e jo nën vëzhgimin ziliqar, të një monstre si Enver Hoxha.

Fjodor Dostojevskij, në një nga librat e tij, ka shtruar pyetjen se; “Çfarë është Ferri?” dhe po vetë është përgjigjur: “Unë mendoj se është vuajtja e të qenit i pa aftë, për të dashuruar”. Lasgushit i mungonin shumë gjëra: nderimi, mundësia e botimit për ato që shkruante, sipas formimit të tij intelektual, jeta publike, liria e shprehjes, gruaja, mundësia e lëvizjes nëpër botë, shkuarja në Kosovë te miqtë e tij, gjezdisjet nëpër Shqipëri, si pasojë e ngushticës ekonomike.

Ishte gjetur mënyra më e poshtër, për t`ja mbyllur gojën: ajo e shpërfilljes, e lënies në harresë, gjersa njerëzit të mendonin se kishte kohë që kishte vdekur. Pra, siç thotë në libër Kadareja: “Prej vitesh ishte dhe s`ishte. E kishin mënjanuar, mungonte në të gjitha ceremonitë.

Dhe ndoshta pikërisht midis ceremonisë, prarimit të festës, niste qortimi për të”! Dhe më tej: “Ishte braktisur diçka që s`duhej braktisur. Ishte shkelur me këmbë ëndrra.  Nga sallat tona të mbledhjeve, të ndriçuara brutalisht, dukej sikur ai, munguesi i madh, kishte marrë prarimin e përkorë të llambadarëve të vjetër, për të stolisur me të sarkofagun e vet”!

Dhe si për ironi të fatit, në këtë kohë harrimi, dashamirësit të tij të madh, Ismailit, i jep një lajm gati të pabesueshëm, i mërzitshimi dhe i padurueshmi R.P.: “Lasgush Poradeci, ka pasur këtë verë, një histori dashurie”. Po ku kishte lajm më të bukur se ky? Poeti qenka gjallë?! Zemra e tij, paska mbetur e pacenuar! Oh! Ç`lumturi! Ai tani po i kushtohej emocionalisht asaj, që asnjë tiran apo paragjykim, nuk mund t`ja ndalonte. Dhe pa u menduar gjatë, i hipën autobusit dhe merr rrugën për tek ai.

Duhet mendja e ndritur e Kadaresë, vëmendja e tij, të cilës nuk i shpëtonte asgjë, dhe ajo vellua gogoliane e sarkazmës së tij, që ta shijosh atë udhëtim. Dhe jo vetëm ta shijosh, por edhe të qeshësh me një pafundësi gomarllëqesh, që na kanë ndjekur kur na duhej të shkonim atje ku pushonte ai, i madhi fare. Kontrolle, pas kontrollesh.

Njëri polic apo punonjës i Sigurimit, më injorant dhe dyshues se tjetri! Ndofta të tillë i bënte detyra, por ajo që e çuditi më shumë, nuk ishte pyetja: “Përse shkoni në Pogradec”, sesa “E njihni Ana G.”? Pra, R.P., paskej qenë jo vetëm i mërzitshëm dhe i padurueshëm, por edhe provokator; ai e paska shpënë fjalën tek ata.

Se ndofta Ana G., kishte ndonjë plan kundër udhëheqësit, që vinte atje. Por edhe nëse jo, ajo donte t`i bënte karshillëk me poetin atij. E kam parë Ana G. dhe më kanë folur njerëzit e sime shoqe, për zgjuarsinë dhe kulturën e saj, kur ishte mësuese letërsie në Pogradec. E kam dëgjuar një mbrëmje në shëtitje, teksa fliste me një grup të rinjsh. Portreti i saj, nuk do t`u shpëtonte lehtë, piktorëve të mesjetës fiorentinase.

Me një shkodranishte të ëmbël, e sigurt në ato që thosh, kuptohej menjëherë, se ishte një grua intelektuale që kishte ecur shumë para kohës, aq sa më kollaj mund të besoje, se kishte dalë nga faqet e librave të Mopasanit, Çehovit a Cvajgut, sesa nga apartamentet gri e të ngushta, të një qyteti të humbur shqiptar, ku syri të zinte; “Nën dritën e pamëshirshme të diellit, vitrinat e dyqaneve (që) ngjanin edhe më të varfra.

Në qelqe, si kudo, kishte prapë parulla, madje më tepër se dy vjet më parë, kur kisha qenë këtu me pushime. Pantallona burrash, kinkaleri. Edukim, vigjilencë, shampo…! Vapë dhe qytet i vogël provincial. Klubi i gjuetarëve. Berberhane. Qendër Edukimi e Lagjes Nr. 6”!

Pra, mërzi. Ana G., mes atyre ndërtesave të shëmtuara, natyrisht që autorit të romanit, i është dukur me të drejtë e huaj dhe skandaloze. Por edhe si dhuratë nga Lasgushi, në pamundësi për t`i shndërruar arkitekturën. Dhe e gjithë kjo, me një mjet të pabesueshëm: me dashurinë e tij fisnike, që ai vetë ishte munduar ta mbante të pazbuluar: “Se s`dashuroja as unë as ti, / Por dashuronte dashuria, / Një dashuri plot fshehtësi, / M`e fshehtë se fshehtësia”!

Por si mund të mos merrej vesh kjo dashuri e çuditshme, ku edhe ajo midis dy të rinjve gjimnazistë, bëhej objekt thashethemesh të pafund? Maksim Gorki, duke folur për përditshmërinë e shkrimtarit, pra për qenien e tij njeri, ka thënë se;

“Shkrimtari nuk duhet të jetë Robinson…duhet të jetojë jetën, të thërrasë, të qeshë, të shajë, të zihet, të dashurojë”. Mendoni pastaj, Lasgushin, me zemrën e tij sa bota. Veç duhet pranuar, se atë së pari, e pa dhe e kuptoi, për të mos thënë, e përligji, një tjetër mendje superiore, ajo e Ismail Kadaresë.

Marsel Prust, për stilin e shkrimtarit, ka thënë se; ashtu si dhe për piktorin, nuk është çështje teknike, por është çështje e botë vështrimit. Dhe botë vështrimi nga ana e saj, është e shkallëzuar, nga e zakonshmja, deri te gjenialja. Dikush mund të dyshojë dhe të thotë se çfarë do t`i pëlqente Ana G., plakut Lasgush, me atë pallton e vjetër, kapelën e zezë republikë strehë madhe dhe shkopin ku mbahej.

Por, përtej kësaj, ai vazhdonte të ishte; një shpirt. Një shpirt i pashoq, i bukur, plot jetë, që ngazëllehej njësoj si nga vala e liqerit, si nga kërcitja e një lopate të varkës që voziste tek kthehej pas peshkimit, si nga ajo shqiponja, që po arratisej tutje ndë Mal të Thatë, ashtu dhe nga bukuria e një gruaje, gati si Ana Kern.

Po pse, a nuk e dimë se, kudo do gjesh femra që vazhdojnë të dashurojnë Danten, Pushkinin, Lermontovin, Bërnsin, Eseninin, deri dhe A. Bllokun (atij që shkruante: “Dhe para korit, plaku si trim, / Këmbën përplas: / Më digj të tërin me zë, me shikim, / Ksjusha, ti gaz!” dhe që qe shkruar edhe një novelë për një vajzë sovjetike të dashuruar me të pas vdekjes), e plot të tjerë, edhe pse ata fizikisht nuk janë mes nesh.

A nuk do të dëshironte secila nga ato ,të ishte e dashura e ndonjërit prej tyre dhe a nuk do të ndihej e privilegjuar e fatlume, sikur pena e tyre, ta përjetësonte atë në jetë të jetëve. Dhe a nuk kemi gjithë të drejtën tonë, të mendojmë se edhe Ana G., e tillë mbeti, falë atij platonizmit të saj, për magmën e të dashuruarit, të atij që i ngriti himne, ndjenjës më sublime që njeriu ka.

Dhe që me veprimin e saj, tërhoqi vëmendjen e Kadaresë, atij që me talentin e tij të papërsëritshëm, i bëri dhe i bën nder gjithë Shqipërisë dhe shkoq kaq mjeshtërisht fuqinë ripërtëritëse të dashurisë, “sidomos në muzg të jetës”. Të një dashurie, për të cilën pasi i ra në dorë shkrimi i vetë Lasgushit; “Vizita e zonjushës Ana G., në kullën time”, nuk kishte më asnjë fije dyshimi.

Për më tepër, ju rrit nderimi për atë zonjushë, derisa duke hyrë brenda asaj “kulle”, kujdesej të mos e vriste hijen, që ajo kishte lënë duke ngjitur ato shkallë. Por ngjarjet marrin një kthesë krejt të papritur: kur Ismaili takon Lasgushin, i cili “kishte po atë buzëqeshje si vitin që shkoi”, ky i fundit u kthye te ai karakteri rebel i tij, gjë që i prishi të gjitha planet e vizitorit. Qysh në fillim, i tha: “Kombin e bëjnë poetët”.

Ata, atje lart kujtohen për ta, vetëm kur u a kanë nevojën. Dhe pastaj vijon pyetja befasuese: “Me që ra fjala, ç`bën ai (Enveri), gjallë është apo ka vdekur?”. Dhe e gjithë kjo, ndërsa ai përbindëshi, me grua, fëmijë, dhëndurë dhe nuset, shihte darkave gjyqin e familjes të Kryeministrit të shpallur poli-agjent edhe pse me të i kalonin pushimet së bashku. Ka diçka shekspiriane këtu, për të mos thënë se do mjaftonte një truk i vogël dhe kushdo do ta besonte, se ishte vepër e fantazisë së tragjikut të madh anglez nga Strasfordi.

Kulmi arrin kur mes dilemës se kush kishte ndikuar më shumë për emrin Poradec; liqeni, qyteti apo vetë poeti, autorin e romanit, duke hedhur vështrimin tutje në errësirën e qiellit dhe ndriçimin e yjeve, e mundon vargu: “Fluturoi dhe shtërg i fundit madhështor me shpirt të gjorë”.

Por lexuesi duhet ta nxjerrë vetë arsyen pse poeti, plaku – djalë, po shkon zemërthyer: nga heshtja zyrtare dhe harrimi që e ndoqi pas, apo nga humbja e dashurisë së tij për bukuroshen e mençur Ana G.?! Ama një gjë është e qartë; ajo që Dyame ka thënë se; “Qëllimi epror i romancierit, është të na bëjë të ndjeshëm për shpirtin njerëzor, të na bëjë ta njohim e ta duam në madhështinë dhe në mjerimin e tij, në fitoret dhe dëshirat e tij”.

Nuk ka lexues që të mos e kuptojë forcën e shpirtit njerëzor në këtë roman që karakterizohet nga porosia tolstojane, për thjeshtësinë, lakonizmin dhe qartësinë, duke arritur kështu përsosmërinë e formës së artit, gjë që e bën vetëm një shkrimtar me prirje dhe punë të madhe si i i gjalli i përhershëm, Ismail Kadareja i madh dhe i papërsëritshëm! Memorie.al    

Sulmi ku u vranë 5 persona në Ankara, ministria e Mbrojtjes në Turqi: Shkatërruam 32 objektiva që i përkasin terroristëve

Qeveria turke thotë se ushtria e saj goditi vende të mërkurën mbrëma në Irak dhe Siri të lidhura me grupin militant kurd PKK, pasi e fajësoi atë për një sulm pranë Ankarasë që vrau të paktën pesë persona.

 

Pamjet tregojnë të paktën dy persona që gjuajnë me armë rreth hyrjes së Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore (TAI), e cila ndodhet rreth 40 km (25 milje) jashtë kryeqytetit.

Asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, në të cilin u plagosën 22 persona.

“Gjithsej 32 objektiva që i përkisnin terroristëve u shkatërruan me sukses” në sulmin hakmarrës, tha në një deklaratë ministria turke e mbrojtjes.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan e quajti sulmin ndaj TAI “të neveritshëm”, ndërsa ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya tha se dy sulmues, një grua dhe një burrë, ishin “neutralizuar”, duke shtuar se sulmi ka shumë të ngjarë të kishte përfshirë PKK.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) është e ndaluar si një organizatë terroriste në Turqi, SHBA dhe MB dhe ka luftuar kundër shtetit turk.

Problemet me zemrën, më të përhapurat! Ja dy mënyra të thjeshta për t’u kujdesur për shëndetin kardiovaskual

Nëse keni probleme me zemrën, me siguri tashmë jeni të vetëdijshëm për bazat e një stili jetese të shëndetshëm: zgjidhni një dietë të ekuilibruar, ushtroheni rregullisht, mbani peshën tuaj, si dhe presionin e gjakut dhe sheqerin në nivele normale, dhe nëse jeni duhanpirës, ​​sigurohuni që për të lënë duhanin.

 

Ju mund të mos e dini se gjumi adekuat dhe cilësor, si dhe menaxhimi i duhur i stresit, ofrojnë përfitime të rëndësishme për shëndetin e zemrës, siç theksohet nga Shkolla Mjekësore e Harvardit.

  1. Merrni një pushim të mirë:

Kur zgjoheni në mëngjes, a ndiheni të rifreskuar dhe gati për të filluar ditën tuaj, apo ndiheni të lodhur dhe të mërzitur? Fatkeqësisht, për shumë njerëz, skenari i dytë është realiteti. Dy çrregullime të lidhura me gjumin që prekin shumë njerëz, privimi i gjumit dhe apnea e gjumit, lidhen me një rrezik të shtuar të sëmundjeve të zemrës.

Me kalimin e kohës, gjumi i pamjaftueshëm ose me cilësi të dobët rrit rrezikun e problemeve të ndryshme kronike shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës. Hulumtimet kanë treguar se privimi afatshkurtër i gjumit është i lidhur me disa faktorë të njohur rreziku për sëmundjet e zemrës, duke përfshirë kolesterolin e lartë, trigliceridet e larta dhe hipertensionin.

Apnea e gjumit, një shkak i zakonshëm i gërhitjes me zë të lartë dhe me ndërprerje, shkakton ndërprerje të përkohshme në frymëmarrje shumë herë gjatë natës. Sipas disa vlerësimeve, deri në 83% e njerëzve me sëmundje të zemrës kanë gjithashtu apnea të gjumit. Nëse gërhitni shpesh dhe me intensitet, veçanërisht nëse ndiheni të lodhur gjatë ditës, është e rëndësishme të konsultoheni me mjekun tuaj për të vlerësuar gjendjen e apnesë së gjumit.

  1. Menaxhimi i stresit dhe mendimeve negative:

Faktorët psikologjikë ndikojnë në zemër dhe mund të rrisin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Stresi i shkaktuar nga situata dhe ngjarje të ndryshme sfiduese luan një rol vendimtar në simptomat kardiovaskulare dhe pasojat e tyre, veçanërisht në lidhje me rrezikun e sulmit në zemër. Depresioni, ankthi, zemërimi, armiqësia dhe izolimi social kanë një efekt të ngjashëm.

Secili prej këtyre faktorëve, kur vepron në mënyrë të pavarur, rrit shanset për të zhvilluar sëmundje të zemrës. Megjithatë, këto çështje shpesh bashkëjetojnë. Gjatë periudhave të stresit, trupi çliron hormonet e stresit si kortizoli dhe adrenalina, të cilat shkaktojnë rritje të rrahjeve të zemrës dhe presionit të gjakut. Ekspozimi i zgjatur ndaj këtyre hormoneve mund të dëmtojë arteriet dhe të rrisë rrezikun e hipertensionit dhe aterosklerozës.

Përveç kësaj, stresi kronik rrit reagimin inflamator në trup, i cili konsiderohet një faktor kritik në zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare. Inflamacioni ka potencialin të dëmtojë enët e gjakut dhe të përshpejtojë procesin e aterosklerozës.

Së fundi, njerëzit që përjetojnë stres të lartë mund të adoptojnë zakone të pashëndetshme, si pirja e duhanit, konsumimi i tepërt i alkoolit, dieta e varfër dhe mungesa e ushtrimeve fizike, të cilat janë faktorë të rëndësishëm rreziku për sëmundjet kardiovaskulare.

SPAK merr të pandehur Plarent Ndrecën/ Ja pse akuzohet deputeti i PS-së

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për deputetin e Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, i cili disa kohë më parë është marrë i pandehur, lidhur me procedurat për rikonstruksionin e 4 komisariateve në vend, në kohen kur ai ishte sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme.

Përfaqësuesit ligjor janë paraqitur në SPAK për tu njohur me përfundimin e hetimeve, ndërsa kanë disa ditë kohë të përgatisin memot e tyre, para se dosja të zbresë në GJKKO me kërkesën e nisjes së gjykimit.

Akuza Ndrecës i është komunikuar për “Shkelje të barazisë në tender”, ndërsa bashkë me të, u është komunikuar edhe disa zyrtarëve të tjerë si dhe anëtar të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli I Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë. Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cënuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.

Po ashtu, ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit. Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj, teksa është duke u hetuar edhe një tjetër tender i kësaj periudhe që ka të bëjë me uniformat e Policisë së Shtetit.

“Ndihmë”- Djali tentoi të digjte prindërit duke i vënë flakën banesës, i riu rrëfen si u fut mes zjarrit për t’i shpëtuar: Zjarrfikësit talleshin me mua

Një i ri, i cili shpëtoi çiftin e të moshuarve brenda banesës në flakë në Fier, ka treguar si hyri mes zjarrit dhe i nxorri jashtë shtëpisë.

 

Ai u shpreh se po kthehej nga puna kur i moshuari i kërkoi ndihmë duke i thënë “mu dogj shtëpia”. Dëshmitari u shpreh se hyri mes flakëve dhe i nxorri jashtë, ndërsa shtoi se zjarrin e fiku me kova uji së bashku me komshinjtë.

“Kur u ktheva nga puna, më thirrën ‘O Romeo ndihmë”. U futa midis zjarrit. Çfarë ke i thashë. “Mu dogj shtëpia”. Vajta i ndihmova, shkova dhe i nxora, dera ishte e hapur. U futa midis zjarrit, e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë.

Nxora njëherë babanë tek ballkoni, më pas zonjën. Jo nuk erdhi menjëherë zjarrfikësja, u zura me ta. I thashë hyni brenda, talleshin me mua”, tha ai.

Si ndodhi ngjarja

Altjon Sulejmani raportohet se i ka vënë zjarrin banesës, ka mbyllur dy të moshuarit brenda banesës duke kyçur dyert dhe më pas është laguar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit, ku forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarve nga banesa në flakë.

Raportohet se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu mësohet se 42-vjeçari, i cili u arrestua pas ngjarjes, ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.

Njoftimi i policisë:

Fier/Tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, duke i vënë zjarrin banesës, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët.

Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.

Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

“Shqipëria, më e korruptuara në Europë”/ World Justice Project publikon indeksin e sundimit të ligjit: Ja si renditet vendi ynë

Këtë vit, sundimi i ligjit u dobësua përsëri në shumicën e vendeve të anketuara (57%).

Megjithatë, të dhënat e Indeksit sugjerojnë gjithashtu se recesioni global i sundimit të ligjit po ngadalësohet dhe se progresi është i mundur.

Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në mbarë botën. Rajonalisht, Shqipëria renditet e 10-ta nga 15 vende në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Vendi ynë performon më dobët në treguesin e “Mungesës së Korrupsionit” , duke u renditur në vendin e 107, që tregon për një nivel të lartë korrupsioni.

Mungesa e korrupsionit llogaritet nga këto faktorë:

2.1 Zyrtarët e qeverisë në pushtetin ekzekutiv nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.2 Zyrtarët e qeverisë në degën e drejtësisë nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.3 Zyrtarët qeveritarë në polici dhe ushtri nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.4 Zyrtarët e qeverisë në degën legjislative nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

Të anketuarit shqiptarë nuk bien dakord që në vend ka mungesë korrupsioni, përkundrazi, Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë. Ky është treguesi që ka marrë më pak pikë (37). Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë, duke lënë pas vetëm Ukrainën. Pas Shqipërisë, perceptimi më i lartë për korrupsionin është më Serbi (vendi i 93), Bosnjë Hercegovina (80), Maqedonia e Veriut (71), Kosova (65). Në rajon, perceptimin më të ulët për korrupsionin e kanë malazezët (62).

Shqipëria hyn në zonën e kuqe të korrupsionit, ku zbatimi i rregullave të lojës është i dobët.

Shqipëria dhe tendencat botërore

Që nga viti 2016, një recesion global i shtetit ligjor ka prekur 77% të vendeve të studiuara, përfshirë Shqipërinë.  Indeksi ndërtohet në bazë të 8 faktorëve: Kufizimet në kompetencat e qeverisë; Mungesa e Korrupsionit; Qeveri e hapur; Të drejtat themelore; Rendi dhe Siguria; Zbatimi Rregullator; Drejtësia Civile; Drejtësia Penale.

Në nivel global, rëniet u nxitën kryesisht nga tendencat autoritare. Ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, faktori i indeksit që mat Të drejtat Themelore ra në 81% të vendeve, përfshirë Shqipërinë.

Gjatë shtatë viteve të fundit, pikët e Indeksit për Kufizimet mbi Kompetencat e Qeverisë kanë rënë në 77% të vendeve, përfshirë Shqipërinë. Në mbarë botën, legjislaturat, gjyqësori dhe shoqëria civile, duke përfshirë mediat kanë humbur të gjitha terren në kontrollin e pushtetit ekzekutiv, tregon Indeksi.

Nga ana tjetër është bërë një farë progresi globalisht në luftën kundër korrupsionit ndërmjet viteve 2023 dhe 2024. Këtë vit, 59% e vendeve panë rezultatet e tyre të indeksit për mungesën e korrupsionit të përmirësuara, përfshirë Shqipërinë.

“Pas viteve të rënies së sundimit të ligjit, mund të jetë e lehtë të përqendrohesh te ana negative. Por të bësh një gjë të tillë do të thotë të injorosh arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe punën e vështirë që po ndodh për të përmirësuar sistemet e drejtësisë globalisht,” tha bashkëthemeluesi dhe presidenti i WJP, William H. Neukom.

Krahasuar më Ballkanin Shqipëria lë pas vetëm Serbinë (94), ndërsa vendet e tjera kanë rezultate më të larta. Konkretisht Maqedonia e Veriut në vendin e 67, Kosova në vendin e 58 dhe Mali i Zi në vendin e 56.

Tendencat shqetësuese autoritare vazhdojnë

Vitin e kaluar, kishte disa shpresa se tendencat autoritare globale kishin filluar të ngadalësoheshin. Pavarësisht kësaj, indeksi i këtij viti gjen rënie më të gjera dhe më të thella në dy faktorë kritikë të Indeksit: Të drejtat themelore dhe kufizimet mbi kompetencat e qeverisë.

Implikimet afatgjata janë shqetësuese. Midis 2016 dhe 2024, njerëzit në 81% të vendeve kanë humbur mbrojtjen për të drejtat e tyre themelore. Për më tepër, 77% e vendet tregojnë një dobësim të kontrolleve dhe balancave qeveritare, duke përfshirë mbikëqyrje nga legjislaturat, gjykatat, shoqëria civile dhe media. Mbi 6 miliardë njerëz tani jetojnë në vende ku sundimi i ligjit është më i dobët se sa ishte 2016.

“Në çdo cep të botës, ne vazhdojmë të shohim lider që konsolidojnë autoritetin e tyre”, shtoi Neukom.

Renditja globale

Indeksi i Sundimit të Ligjit të WJP bazohet në anketat e ekspertëve dhe familjeve për të matur sundimin e ligjit në 142 vende dhe juridiksione, duke mbuluar 95% të popullsisë së botës.

Vendi me rezultate më të larta më i renditur në Indeksin e Sundimit të Ligjit të këtij viti është Danimarka, e ndjekur nga Norvegjia (2), Finlanda (3), Suedia (4) dhe Gjermania (5). Pesë vendet e para të renditura mbeten të pandryshuara nga viti 2023. Vendet me rezultate më të dobëta në sundimin e ligjit janë Venezuela (142), Kamboxhia (141), Afganistani (140), Haiti (139) dhe Mianmari (138)./ Monitor

Zbulohet fatura e dorëzuar në SPAK! Kryemadhi transfertë 287 mijë € nga Qipro në San Marino

Në procedimin e SPAK, është bashkuar edhe padia e avokatit Idajet Beqiri për shërbimet mjekësore dhe ndërhyrjet estetike të çiftit të politikës gjatë viteve 2013-2019.

SPAK: “Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë Euro. Nga këto shpenzime, 86 mijë Euro janë paguar në cash”.

SPAK dyshon se familja Meta ka kryer transaksione nga banka e Qipros. Një vit më parë, Top Channel publikoi disa dokumente që bënin fjalë për transferta parash nga dhe përmes personazheve të dyshimtë me lidhje me Moskën. Mes dokumenteve të depozituara në SPAK në kuadër të kësaj padie është edhe kjo faturë e siguruar ekskluzivisht nga Inside Story. Dokumentin po e shfaqim të censuruar për të mos cenuar hetimin.

Aty bën fjalë për një transfertë nga banka e Qipros për klinikën “Domus Medica” në San Marino. Urdhërues i transfertës së kryer në Qershor 2018 prej 287 mijë euro është klienti Monika Kryemadhi. Nuk dihet nëse transaksioni është faktuar, por e sigurt është ky dokument është pjesë e dosjes.

“U administruan disa letërporosi me interes për hetimin të marrë nga USA, Qipro, San Marino dhe Italia dhe pasi janë kalkuluar edhe shpenzimet prokurorët kanë konkluduar se duhet ti drejtohen gjykatës me masa sigurimi personal. Në qershor është vendosur që çështjet të bashkohen”, u shpreh Anila Hoxha, gazetare.

Në njoftimin publik të SPAK, veçohet mes të tjerash falenderimi ndaj institucioneve në SHBA, Austri, Itali, San Marino dhe Qipro për ndihmën e dhënë. Pra, vendet nga janë kryer transaksione për episodet e sipërpërmendura të dyshuara korruptive.

“Ka disa vepra penale që parashkruhen në kohë, mosdeklarimi i pasurisë është një vepër penale që parashkruhet brenda 5 viteve. Nga kjo pikëpamje janë shtuar 2-3 vepra të tjera penale që janë bashkuar me ato të zonjës Kryemadhi, gjatë këtyre 2 viteve të fundit që ai nuk është më në presidencë”, u shpreh Artan Manushaqe, avokat.

“Gjykata ka thënë se shpall masën e sigurisë arrest me burg për Ilir Metën referuar kushteve, rrethanave shoqërore por edhe rëndësisë së veprave për të cilat Meta dyshohet. Ndryshon puna për zonjën Kryemadhi pasi gjykata thotë se gjatë hetimit është provuar se zonja Kryemadhi është nën trajtim mjekësor ndaj është vendosur detyrim paraqitje çdo të hënë”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.

Katërfishohen ishemitë e trurit, mjeku: 10 pacientë në ditë shtrohen nga hemoragjia

Hemoragjitë dhe ishemitë e trurit po rriten çdo vit. Në shërbimin neurovaskular të QSUT, shtrohen mesatarisht 10 pacientë në ditë me aksidente cerebrovaskulare; 20% e tyre janë hemoragji (çarje e enëve të gjakut) dhe 80% janë ishemi (bllokim i enëve të gjakut).

Shefi i këtij shërbimi, Eris Ranxha, thekson se trajektorja rritëse ka kaluar parashikimet.

“Është një sëmundshmëri në rritje; kjo është një emergjencë ndërkombëtare. Pas studimeve të vitit 2022, u parashikua që rastet do të dyfishoheshin, por realisht, ato po katërfishohen. Shtimi i shpeshtësisë është shumë i madh,” tha Ranxha për Euronews Albania.

Hemoragjitë shpesh ndikohen nga enët e gjakut të abnormalizuara, ndërsa ishemitë nga probleme shëndetësore si hipertensioni apo diabeti. Të dyja kanë faktorë risku që lidhen me mënyrën e jetesës.

“Duhet shmangur obeziteti, të mos biem pre e jetesës sedentare, të jemi aktivë dhe të ruajmë një cilësi të mirë diete. Sigurisht, ka sëmundje kronike që ndikojnë në këtë situatë, si diabeti dhe hipertensioni,” shpjegoi Ranxha.

Por cilat janë shenjat që duhet të vlerësojmë për të kërkuar ndihmë në rastin e hemoragjive të trurit?

“Një nga shenjat më karakteristike dhe më të shpejta është dhimbja. Nëse keni dhimbje koke të fuqishme që nuk kalon me qetësues, atëherë është një situatë që duhet vlerësuar. Shenjat më alarmante janë paralizat dhe pamundësia për të lëvizur, që tregojnë se truri po vuan dhe kërkojnë vlerësim sa më shpejt,” sqaroi Ranxha.

Hemoragjitë ndodhin në të gjitha moshat, ndërsa ishemitë janë më të zakonshme pas moshës 50 vjeçare; megjithatë, së fundmi po shihen raste edhe në mosha më të reja.

Favorizimi nga Meta i kontratës së Interkoneksionit/ Abuzimi u zbulua që në 2018, kush e mbylli dosjen?!

Në inspektimin e realizuar, subjekti nuk ka deklaruar aktivitet për 3 vite, duke i dorëzuar AKEP vetëm evidencat e vitit 2017.

AKEP: “Referuar dokumentacionit te administruar gjatë inspektimit, meqenëse subjekti objekt inspektimi ka ofruar shërbime edhe gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016 deklarohet se nuk ka pasur aktivitet në këto vite, rrjedhimisht rezulton se ky subjekt ka shmangur detyrimet financiare si ndaj AKEP ashtu edhe ndaj organeve te tjera përgjegjëse.”

Pikërisht të ardhurat e fshehura nga kompania aso kohe, dyshohet se janë dhënë në formë rryshfeti për ish-kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Në raportin e AKEP, theksohej se për të fshehur aktivitetin, kompania UNIFI HOLDING kishte larguar pajisjet nga vendi i ushtrimit të aktivitetit për të penguar zbulimin e trafikut të vërtetë të telefonisë. Kjo, mbulonte fitimet e vërteta që me sa duket, ishin kanalizuar tek dyshja e politikës Meta-Kryemadhi. Pra, dyshimi i SPAK sot është se paratë që do të duhej të derdheshin në formë taksash në buxhetin e shtetit, kanë shkuar në xhepat e çiftit të politikës.

“Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë UNIFI HOLDING, Dega Shqipëri si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku”.

Basha takohet me Lord Richard Keen në Britani: Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE ishin në qendër të diskutimit

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore britanike dhe Ministër i Drejtësisë në hije, ku diskutuan për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe përparësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Basha theksoi se pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe GJKKO për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Gjithashtu, ai kërkoi përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e një raporti të miratuar nga Këshilli i Evropës.

Postimi i plotë i kryetarit të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha:

Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin në qendër të diskutimit që zhvillova me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore dhe pjesë e Dhomës së Lordëve, si dhe Ministër i Drejtësisë në hije në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në Shqipëri, korrupsioni mbetet një sfidë madhore, edhe pse SPAK ka bërë përparime të rëndësishme në luftën kundër tij. Korrupsioni i përhapur gjerësisht ka ndikuar negativisht në jetesën e shqiptarëve, gjysma e popullsisë jetojnë në varfëri, dhe numri i atyre që emigrojnë është me i larti në Balllan.

Hetimet e SPAK për zyrtarë dhe deputet të Edi Ramës kanë faktuar ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, duke deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe si këmbim qeverisja është vënë në sherbim të organizatave kriminale

Pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Në këtë takim me Lord Keen, diskutuam gjithashtu për rolin e tij si Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës. Unë ritheksova rëndësinë që BE dhe NATO duhet t’i japin njohjes së Kosovës për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe serbëve që bashkëjetojnë në Kosovë.

Folëm gjithashtu për Ukrainën, ku theksova nevojën për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë për të financuar rindërtimin e vendit. Rusia mban përgjegjësi për shkatërrimet e shkaktuara dhe duhet të kompensojë dëmet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, si pjesë e raportit tim të miratuar nga Këshilli i Evropës, që synon gjithashtu parandalimin e agresioneve të ardhshme.