24.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

“Ndihmë”- Djali tentoi të digjte prindërit duke i vënë flakën banesës, i riu rrëfen si u fut mes zjarrit për t’i shpëtuar: Zjarrfikësit talleshin me mua

Një i ri, i cili shpëtoi çiftin e të moshuarve brenda banesës në flakë në Fier, ka treguar si hyri mes zjarrit dhe i nxorri jashtë shtëpisë.

 

Ai u shpreh se po kthehej nga puna kur i moshuari i kërkoi ndihmë duke i thënë “mu dogj shtëpia”. Dëshmitari u shpreh se hyri mes flakëve dhe i nxorri jashtë, ndërsa shtoi se zjarrin e fiku me kova uji së bashku me komshinjtë.

“Kur u ktheva nga puna, më thirrën ‘O Romeo ndihmë”. U futa midis zjarrit. Çfarë ke i thashë. “Mu dogj shtëpia”. Vajta i ndihmova, shkova dhe i nxora, dera ishte e hapur. U futa midis zjarrit, e fika me kova uji, më ndihmuan dhe komshinjtë.

Nxora njëherë babanë tek ballkoni, më pas zonjën. Jo nuk erdhi menjëherë zjarrfikësja, u zura me ta. I thashë hyni brenda, talleshin me mua”, tha ai.

Si ndodhi ngjarja

Altjon Sulejmani raportohet se i ka vënë zjarrin banesës, ka mbyllur dy të moshuarit brenda banesës duke kyçur dyert dhe më pas është laguar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori” të qytetit të Fierit, ku forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarve nga banesa në flakë.

Raportohet se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore. Gjithashtu mësohet se 42-vjeçari, i cili u arrestua pas ngjarjes, ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.

Njoftimi i policisë:

Fier/Tentoi të vriste prindërit e tij të moshuar, duke i vënë zjarrin banesës, kapet dhe vihet në pranga 42-vjeçari.

Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “15 Tetori”, Fier, një banesë ku ndodheshin 2 të moshuar, është përfshirë nga flakët.

Pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje shërbimet e Policisë dhe të Zjarrfikëses, të cilët kanë mundur të nxjerrin nga banesa, 2 të moshuarit, në gjendje të mirë shëndetësore. Zjarrfikësit kanë bërë të mundur fikjen e zjarrit.

Nga hetimet paraprake rezultoi se djali i shtetasve të moshuar, shtetasi A. S., 42 vjeç, banues në Fier, i ka vënë zjarrin banesës ku jetonte bashkë me prindërit, ka mbyllur dyert, në mënyrë që ata të mos dilnin nga banesa dhe është larguar.

Po nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar më parë dhunë ndaj prindërve të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e shtetasit A. S., 42 vjeç.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

“Shqipëria, më e korruptuara në Europë”/ World Justice Project publikon indeksin e sundimit të ligjit: Ja si renditet vendi ynë

Këtë vit, sundimi i ligjit u dobësua përsëri në shumicën e vendeve të anketuara (57%).

Megjithatë, të dhënat e Indeksit sugjerojnë gjithashtu se recesioni global i sundimit të ligjit po ngadalësohet dhe se progresi është i mundur.

Shqipëria renditet në vendin e 89 nga 142 vende në mbarë botën. Rajonalisht, Shqipëria renditet e 10-ta nga 15 vende në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore.

Vendi ynë performon më dobët në treguesin e “Mungesës së Korrupsionit” , duke u renditur në vendin e 107, që tregon për një nivel të lartë korrupsioni.

Mungesa e korrupsionit llogaritet nga këto faktorë:

2.1 Zyrtarët e qeverisë në pushtetin ekzekutiv nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.2 Zyrtarët e qeverisë në degën e drejtësisë nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.3 Zyrtarët qeveritarë në polici dhe ushtri nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

2.4 Zyrtarët e qeverisë në degën legjislative nuk i përdorin funksionet publike për përfitime private

Të anketuarit shqiptarë nuk bien dakord që në vend ka mungesë korrupsioni, përkundrazi, Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë. Ky është treguesi që ka marrë më pak pikë (37). Shqipëria perceptohet si më e korruptuara në Europë, duke lënë pas vetëm Ukrainën. Pas Shqipërisë, perceptimi më i lartë për korrupsionin është më Serbi (vendi i 93), Bosnjë Hercegovina (80), Maqedonia e Veriut (71), Kosova (65). Në rajon, perceptimin më të ulët për korrupsionin e kanë malazezët (62).

Shqipëria hyn në zonën e kuqe të korrupsionit, ku zbatimi i rregullave të lojës është i dobët.

Shqipëria dhe tendencat botërore

Që nga viti 2016, një recesion global i shtetit ligjor ka prekur 77% të vendeve të studiuara, përfshirë Shqipërinë.  Indeksi ndërtohet në bazë të 8 faktorëve: Kufizimet në kompetencat e qeverisë; Mungesa e Korrupsionit; Qeveri e hapur; Të drejtat themelore; Rendi dhe Siguria; Zbatimi Rregullator; Drejtësia Civile; Drejtësia Penale.

Në nivel global, rëniet u nxitën kryesisht nga tendencat autoritare. Ndërmjet viteve 2016 dhe 2024, faktori i indeksit që mat Të drejtat Themelore ra në 81% të vendeve, përfshirë Shqipërinë.

Gjatë shtatë viteve të fundit, pikët e Indeksit për Kufizimet mbi Kompetencat e Qeverisë kanë rënë në 77% të vendeve, përfshirë Shqipërinë. Në mbarë botën, legjislaturat, gjyqësori dhe shoqëria civile, duke përfshirë mediat kanë humbur të gjitha terren në kontrollin e pushtetit ekzekutiv, tregon Indeksi.

Nga ana tjetër është bërë një farë progresi globalisht në luftën kundër korrupsionit ndërmjet viteve 2023 dhe 2024. Këtë vit, 59% e vendeve panë rezultatet e tyre të indeksit për mungesën e korrupsionit të përmirësuara, përfshirë Shqipërinë.

“Pas viteve të rënies së sundimit të ligjit, mund të jetë e lehtë të përqendrohesh te ana negative. Por të bësh një gjë të tillë do të thotë të injorosh arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe punën e vështirë që po ndodh për të përmirësuar sistemet e drejtësisë globalisht,” tha bashkëthemeluesi dhe presidenti i WJP, William H. Neukom.

Krahasuar më Ballkanin Shqipëria lë pas vetëm Serbinë (94), ndërsa vendet e tjera kanë rezultate më të larta. Konkretisht Maqedonia e Veriut në vendin e 67, Kosova në vendin e 58 dhe Mali i Zi në vendin e 56.

Tendencat shqetësuese autoritare vazhdojnë

Vitin e kaluar, kishte disa shpresa se tendencat autoritare globale kishin filluar të ngadalësoheshin. Pavarësisht kësaj, indeksi i këtij viti gjen rënie më të gjera dhe më të thella në dy faktorë kritikë të Indeksit: Të drejtat themelore dhe kufizimet mbi kompetencat e qeverisë.

Implikimet afatgjata janë shqetësuese. Midis 2016 dhe 2024, njerëzit në 81% të vendeve kanë humbur mbrojtjen për të drejtat e tyre themelore. Për më tepër, 77% e vendet tregojnë një dobësim të kontrolleve dhe balancave qeveritare, duke përfshirë mbikëqyrje nga legjislaturat, gjykatat, shoqëria civile dhe media. Mbi 6 miliardë njerëz tani jetojnë në vende ku sundimi i ligjit është më i dobët se sa ishte 2016.

“Në çdo cep të botës, ne vazhdojmë të shohim lider që konsolidojnë autoritetin e tyre”, shtoi Neukom.

Renditja globale

Indeksi i Sundimit të Ligjit të WJP bazohet në anketat e ekspertëve dhe familjeve për të matur sundimin e ligjit në 142 vende dhe juridiksione, duke mbuluar 95% të popullsisë së botës.

Vendi me rezultate më të larta më i renditur në Indeksin e Sundimit të Ligjit të këtij viti është Danimarka, e ndjekur nga Norvegjia (2), Finlanda (3), Suedia (4) dhe Gjermania (5). Pesë vendet e para të renditura mbeten të pandryshuara nga viti 2023. Vendet me rezultate më të dobëta në sundimin e ligjit janë Venezuela (142), Kamboxhia (141), Afganistani (140), Haiti (139) dhe Mianmari (138)./ Monitor

Zbulohet fatura e dorëzuar në SPAK! Kryemadhi transfertë 287 mijë € nga Qipro në San Marino

Në procedimin e SPAK, është bashkuar edhe padia e avokatit Idajet Beqiri për shërbimet mjekësore dhe ndërhyrjet estetike të çiftit të politikës gjatë viteve 2013-2019.

SPAK: “Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë Euro. Nga këto shpenzime, 86 mijë Euro janë paguar në cash”.

SPAK dyshon se familja Meta ka kryer transaksione nga banka e Qipros. Një vit më parë, Top Channel publikoi disa dokumente që bënin fjalë për transferta parash nga dhe përmes personazheve të dyshimtë me lidhje me Moskën. Mes dokumenteve të depozituara në SPAK në kuadër të kësaj padie është edhe kjo faturë e siguruar ekskluzivisht nga Inside Story. Dokumentin po e shfaqim të censuruar për të mos cenuar hetimin.

Aty bën fjalë për një transfertë nga banka e Qipros për klinikën “Domus Medica” në San Marino. Urdhërues i transfertës së kryer në Qershor 2018 prej 287 mijë euro është klienti Monika Kryemadhi. Nuk dihet nëse transaksioni është faktuar, por e sigurt është ky dokument është pjesë e dosjes.

“U administruan disa letërporosi me interes për hetimin të marrë nga USA, Qipro, San Marino dhe Italia dhe pasi janë kalkuluar edhe shpenzimet prokurorët kanë konkluduar se duhet ti drejtohen gjykatës me masa sigurimi personal. Në qershor është vendosur që çështjet të bashkohen”, u shpreh Anila Hoxha, gazetare.

Në njoftimin publik të SPAK, veçohet mes të tjerash falenderimi ndaj institucioneve në SHBA, Austri, Itali, San Marino dhe Qipro për ndihmën e dhënë. Pra, vendet nga janë kryer transaksione për episodet e sipërpërmendura të dyshuara korruptive.

“Ka disa vepra penale që parashkruhen në kohë, mosdeklarimi i pasurisë është një vepër penale që parashkruhet brenda 5 viteve. Nga kjo pikëpamje janë shtuar 2-3 vepra të tjera penale që janë bashkuar me ato të zonjës Kryemadhi, gjatë këtyre 2 viteve të fundit që ai nuk është më në presidencë”, u shpreh Artan Manushaqe, avokat.

“Gjykata ka thënë se shpall masën e sigurisë arrest me burg për Ilir Metën referuar kushteve, rrethanave shoqërore por edhe rëndësisë së veprave për të cilat Meta dyshohet. Ndryshon puna për zonjën Kryemadhi pasi gjykata thotë se gjatë hetimit është provuar se zonja Kryemadhi është nën trajtim mjekësor ndaj është vendosur detyrim paraqitje çdo të hënë”, u shpreh gazetarja, Anila Hoxha.

Katërfishohen ishemitë e trurit, mjeku: 10 pacientë në ditë shtrohen nga hemoragjia

Hemoragjitë dhe ishemitë e trurit po rriten çdo vit. Në shërbimin neurovaskular të QSUT, shtrohen mesatarisht 10 pacientë në ditë me aksidente cerebrovaskulare; 20% e tyre janë hemoragji (çarje e enëve të gjakut) dhe 80% janë ishemi (bllokim i enëve të gjakut).

Shefi i këtij shërbimi, Eris Ranxha, thekson se trajektorja rritëse ka kaluar parashikimet.

“Është një sëmundshmëri në rritje; kjo është një emergjencë ndërkombëtare. Pas studimeve të vitit 2022, u parashikua që rastet do të dyfishoheshin, por realisht, ato po katërfishohen. Shtimi i shpeshtësisë është shumë i madh,” tha Ranxha për Euronews Albania.

Hemoragjitë shpesh ndikohen nga enët e gjakut të abnormalizuara, ndërsa ishemitë nga probleme shëndetësore si hipertensioni apo diabeti. Të dyja kanë faktorë risku që lidhen me mënyrën e jetesës.

“Duhet shmangur obeziteti, të mos biem pre e jetesës sedentare, të jemi aktivë dhe të ruajmë një cilësi të mirë diete. Sigurisht, ka sëmundje kronike që ndikojnë në këtë situatë, si diabeti dhe hipertensioni,” shpjegoi Ranxha.

Por cilat janë shenjat që duhet të vlerësojmë për të kërkuar ndihmë në rastin e hemoragjive të trurit?

“Një nga shenjat më karakteristike dhe më të shpejta është dhimbja. Nëse keni dhimbje koke të fuqishme që nuk kalon me qetësues, atëherë është një situatë që duhet vlerësuar. Shenjat më alarmante janë paralizat dhe pamundësia për të lëvizur, që tregojnë se truri po vuan dhe kërkojnë vlerësim sa më shpejt,” sqaroi Ranxha.

Hemoragjitë ndodhin në të gjitha moshat, ndërsa ishemitë janë më të zakonshme pas moshës 50 vjeçare; megjithatë, së fundmi po shihen raste edhe në mosha më të reja.

Favorizimi nga Meta i kontratës së Interkoneksionit/ Abuzimi u zbulua që në 2018, kush e mbylli dosjen?!

Në inspektimin e realizuar, subjekti nuk ka deklaruar aktivitet për 3 vite, duke i dorëzuar AKEP vetëm evidencat e vitit 2017.

AKEP: “Referuar dokumentacionit te administruar gjatë inspektimit, meqenëse subjekti objekt inspektimi ka ofruar shërbime edhe gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016 deklarohet se nuk ka pasur aktivitet në këto vite, rrjedhimisht rezulton se ky subjekt ka shmangur detyrimet financiare si ndaj AKEP ashtu edhe ndaj organeve te tjera përgjegjëse.”

Pikërisht të ardhurat e fshehura nga kompania aso kohe, dyshohet se janë dhënë në formë rryshfeti për ish-kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Në raportin e AKEP, theksohej se për të fshehur aktivitetin, kompania UNIFI HOLDING kishte larguar pajisjet nga vendi i ushtrimit të aktivitetit për të penguar zbulimin e trafikut të vërtetë të telefonisë. Kjo, mbulonte fitimet e vërteta që me sa duket, ishin kanalizuar tek dyshja e politikës Meta-Kryemadhi. Pra, dyshimi i SPAK sot është se paratë që do të duhej të derdheshin në formë taksash në buxhetin e shtetit, kanë shkuar në xhepat e çiftit të politikës.

“Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë UNIFI HOLDING, Dega Shqipëri si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku”.

Basha takohet me Lord Richard Keen në Britani: Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE ishin në qendër të diskutimit

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore britanike dhe Ministër i Drejtësisë në hije, ku diskutuan për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe përparësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Basha theksoi se pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe GJKKO për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Gjithashtu, ai kërkoi përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e një raporti të miratuar nga Këshilli i Evropës.

Postimi i plotë i kryetarit të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha:

Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin në qendër të diskutimit që zhvillova me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore dhe pjesë e Dhomës së Lordëve, si dhe Ministër i Drejtësisë në hije në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në Shqipëri, korrupsioni mbetet një sfidë madhore, edhe pse SPAK ka bërë përparime të rëndësishme në luftën kundër tij. Korrupsioni i përhapur gjerësisht ka ndikuar negativisht në jetesën e shqiptarëve, gjysma e popullsisë jetojnë në varfëri, dhe numri i atyre që emigrojnë është me i larti në Balllan.

Hetimet e SPAK për zyrtarë dhe deputet të Edi Ramës kanë faktuar ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, duke deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe si këmbim qeverisja është vënë në sherbim të organizatave kriminale

Pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Në këtë takim me Lord Keen, diskutuam gjithashtu për rolin e tij si Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës. Unë ritheksova rëndësinë që BE dhe NATO duhet t’i japin njohjes së Kosovës për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe serbëve që bashkëjetojnë në Kosovë.

Folëm gjithashtu për Ukrainën, ku theksova nevojën për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë për të financuar rindërtimin e vendit. Rusia mban përgjegjësi për shkatërrimet e shkaktuara dhe duhet të kompensojë dëmet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, si pjesë e raportit tim të miratuar nga Këshilli i Evropës, që synon gjithashtu parandalimin e agresioneve të ardhshme.

Qytetarët e Dibrës u helmuan nga uji i pijshëm me fekale, e konfirmon ISHP-ja

Një javë më parë, shumë banorë të lagjes “Kastrioti” u shtruan në spitalin rajonal të Peshkopisë me diarre e të vjella, simptoma helmimi.

Nga intervistat që emisioni “Fiks Fare” zhvilloi me banorët pohuan se kishin probleme me ujin e pijshëm. ” Pasi e konsumojmë ujin kemi probleme me diarre, shtrëngime në bark e të vjella” pohojnë ata.

Rreth 30 persona nga kjo lagjes përfunduan në urgjencën e spitalit rajonal Peshkopi dhe sipas banorëve kjo ka ndodhur nga konsumimi i ujit të pijshëm, pasi ujësjellësi po kryente ato ditë punime në pusetat e lagjes ” Kastriot”.

Fiksi shkoi edhe në urgjencës e spitalit ku u paraqitën si banorë që kishin shqetësime në bark dhe të vjella. Pyetja e parë që ju bë nga mjekët ishte nëse kishte konsumuar ujë të pijshëm. Përgjigjes ” po kemi konsumuar” mjekët i thanë që duhet të merrte serum pasi shqetësimet ishin nga uji i pijshëm. Për aq kohë sa Fiksi qëndroi pranë urgjencës së spitalit Peshkopi edhe tre persona të tjerë u paraqiten me të njëjtat probleme pasi kishin konsumuar ujë të pijshëm nga rrjeti.

Pasi Fiksi u informua nga banorët se UKD ishte duke kryer punime në puseta, gazetarët shkuan për ta parë situatën nga afër. Puseta që po pastrohej në momentin e vajtjes së Fiksit ishte puseta që furnizonte me ujë të pijshëm lagjen ” Kastriot”. Gjatë pastrimi të pusetës gazetarët vunë re papastërti në formë baltë që më vonë doli se ishin fekale. Pra që ujërat e bardha ishin përzier me ujërat e zeza.

Në terren Fiksi takoi edhe përgjegjësin e UKD -së i cili në çdo moment kërkoi që grupi i xhirimit të filmonte pusetat e pastruara e jo ato të papastruarat. Në intervistë për Fiks Fare ai shpjegoi se UKD-ja kishte ndërmarrë një aksion për pastrimin e pusetave dhe pyetjes se a ishte ky shkaku i helmimit të banorëve përgjegjësi mundohet ta shmangte. ” Nuk është uji i pijshëm ai që ka krijuar këtë situatë tek banorët, por ndoshta virozat e stinës” thotë përgjegjësi Hajredin Cena. Gjithashtu ai shtoi se faji mund të ishte edhe nga burimi kryesor në Gurë Lurë ku po kryheshin edhe atje disa punime, duke shmangur përgjegjësitë.

Por ndryshe tregojnë analizat e ujit. Fiksi u interesua pranë Institutit të shëndetit publik për përgjigjen e analizave të mostrave të ujit që kishin marrë në lagjen “Kastriot”

Në përgjigjen e tyre, thuhet se ISHP dhe NJVKSH Dibër ka kryer të gjitha hapat e duhura për ndjekjen e situatës nga hetimi epidemiologjik, ekzaminimet e mostrave të ujit deri tek ato humane.

Nga ekzaminimet e mostrave të ujit dhe nga NJVKSH Dibër dhe ISHP ka rezultuar në disa mostra prezencë të E- Coli, enerocoçi dhe prezencë amonjaku mbi nivelin e normës.

Mbështetur në ekzaminim laboratorik për prezencë të viruseve në një pjesë të mirë të mostrave të pacientëve rezultoi norovirus G2.

Në përgjigjen e saj ISHP thotë se gjendje shëndetësore e pacientëve të lagjes “Kastrioti” që përfunduan në urgjencën e spitalit mund të ketë ardhur prej ujit të pijshëm.

A mund të shpëtohet OKB-ja?

Nga Thant Myint

Synimi për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është thuajse po aq i vjetër sa vetë ky organ i rëndësishëm ndërkombëtar. Tetëdhjetë vjet më parë, udhëheqësit e aleatëve, imagjinuan një rend të pasluftës, në të cilin fuqitë e mëdha do të ruanin së bashku një paqe të përhershme.

Këshilli i Sigurimit, i dominuar nga 5 anëtarët e tij me të drejtën e vetos – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Franca dhe Kina – pasqyronte botën ashtu siç ishte në atë kohë. Pjesë të tjera më pak hierarkike të sistemit të ri të OKB-së, synonin të nxisnin bashkëpunimin ndërkombëtar në një mori çështjesh:ekonomia globale, shëndeti publik, bujqësia, arsimi.

Ishin që në gjenezë të dukshme “farat’ e një qeverie të ardhshme planetare. OKB -ja u konceptua fillimisht si një aleancë ushtarake, por me fillimin e Luftës së Ftohtë, ky objektiv u bë i pamundur. Ndaj shumë analistë parashikuan një vdekje të hershme të OKB-së.

E megjithatë organizata mbijetoi, dhe shumë shpejt u riaktivizua, duke vendosur synime që themeluesit e saj nuk i kishin imagjinuar ndonjëherë, siç është ruajtja e paqes. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u bë një figurë e njohur në skenën globale si një diplomat i shquar, duke vizituar vazhdimisht zonat në luftë për të negociuar armëpushimet.

Agjencitë e specializuara të OKB-në, si Organizata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (UNESCO), dhe një sërë programesh të reja të asistencës teknike, patën suksese të mëdha. Për disa zyrtarë, studiues dhe aktivistë, brenda dhe jashtë OKB-së, kjo organizatë mbeti bartëse e një vizioni shpresëdhënës mbi qeverisjen globale.

Studiuesi amerikan Richard Falk dhe ish-diplomati gjerman Hans von Sponeck, janë qartazi në kampin e atyre që do të donin të shihnin një OKB shumë më të fortë. Në librin e tyre të fundit “Çlirimi i OKB-së”, ata japin sugjerime e tyre sesi ajo mund të përballet në mënyrë më efektive me morinë e sfidave me të cilat përballet sot bota, nga ndryshimi i klimës deri tek përhapja e armëve bërthamore.

Ata nuk shohin ndonjë alternativë tjetër. Në të njëjtën kohë, ata ankohen për gjendjen aktuale jofunksionale të OKB-së dhe zbehjen e rëndësisë së saj në lidhje me problemet kryesore të momentit. Libri bazohet tek përvojat e vetë autorëve në këtë organizatë.

Falk, për shumë dekada profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Prinston në SHBA, ishte në fillimin e viteve 2010 raportuesi special i OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967. Ndërkohë Von Sponeck, ishte koordinator i i OKB-së për ndihmës humanitare në Irak në fund të viteve 1990. Ai dha dorëheqjen në shenjë proteste për dëmin që i shkaktuan sanksionet civilëve irakianë. Ata përshkruajnë mënyrat e shumta, përmes të cilave përpjekjet e saj u penguan nga gjeopolitika. Pra nga interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të qeverive të tjera të fuqishme.

Ata pretendojnë se përgjatë dekadave, pavarësisht pengesave të mëdha, OKB-ja e ka dëshmuar veten si një “tipar i domosdoshëm i një rendi botëror të qëndrueshëm dhe pozitiv, dhe me më shumë fonde, si dhe me durim më të madh nga aktorët gjeopolitikë dhe më shumë vlerësim nga qeveritë anëtare, shoqëritë civile dhe mediat”, ky organ global mund të rikthehet në lavdinë e të shkuarës.

Në këtë rast, pengesë është një formë e vjetruar e “realizmit politik”, që për t’u kapërcyer do të kërkojë një luftë të fortë ideologjike. Qeveritë mbeten peng të llogaritjeve të tyre gjeopolitike, dhe nuk e vlerësojnë faktin se e vetmja përgjigje ndaj sfidave të sotme globale, është një OKB e reformuar në zemër të bashkëpunimit të fuqishëm global. Që të ndodhë kjo, ata bëjnë thirrje për një “lëvizje progresive transnacionale të popujve”, mjaftueshëm të fortë për të ushtruar një ndikim dashamirës në praktikat institucionale qeveritare dhe ndërkombëtare”.

Vetëm në këtë terren, OKB-ja do të jetë në gjendje të zgjidhë probleme të tilla themelore strukturore si kapitalizmi grabitqar, militarizmi global dhe paqëndrueshmëria ekologjike. Falk dhe von Sponeck përmendin edhe nevojën për të përditësuar përbërjen e një Këshilli të Sigurimit, që është ende një relike e epokës së Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka shumë argumente bindës për t’i mohuar përfaqësimin në këtë këshill të vendeve si India.

Dekadat e fundit, historia e Këshillit të Sigurimit ka qenë ajo e një organi të dominuar nga 5 vende të pasura, të cilat diskutojnë mbi konfliktet në vendet me të ardhura të ulëta. Përbërja jo përfaqësuese e 5 anëtarëve të përhershëm të KS çon në një mori pabarazish, siç janë emërimet e njëanshme të zyrtarëve të lartë, që kalojnë përmes sistemit të OKB-së.

Ndaj në pjesën më të madhe të botës, ka rënë në mënyrë të vazhdueshme entuziazmi për OKB-në. Megjithatë çdo lloj përpjekje për të reformuar OKB-në, do të përballet me sfida të mëdha politike. Është thuajse e pamundur të imagjinohet një paketë ndryshimesh në KS pa mbështetjen e anëtarëve të përhershëm aktualë.

Por ekziston një sfidë edhe më themelore:bollëku i rrugëve alternative që mund të ndjekin qeveritë në raport me interesat e tyre, përfshirë marrëveshjet dypalëshe; organizatat rajonale, si NATO ; dhe forume si G-20. Selia e OKB-së në Nju Jork, ishte dikur i vetmi vend në botë ku mund të takoheshin përfaqësues të shumë vendeve. Falk dhe von Sponeck arrijnë në përfundimin se unilateralizmi i SHBA-së, është arsyeja kryesore e kufizimit të rolit të OKB-në. Është e dukshme që Uashingtoni që nuk dëshiron të investojë në reformimin e organizatës. Por nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që synojnë të veprojnë jashtë OKB-së.

Për shtetet më të vogla, OKB-ja mund të jetë arena e vetme ku ata kanë një vend të barabartë në tryezë. Por për të tjerët, si fuqitë e mesme ka një menu opsionesh gjithnjë në rritje. Ndërkohë ka edhe një sfidë akoma më të madhe:vetë natyra e OKB-së. Përgjatë 8 dekadave, OKB-ja ka zhvilluar kulturën, gjuhën dhe mënyrat e veta të punës. Ato janë produkte të paçmueshme të përpjekjes së vetme deri më sot, për të ndërtuar një institucion që përfshin gjithë njerëzimin. Por ka qenë prej kohësh i varur nga procesi në dëm të rezultatit. Nevoja e organizatës për të pasqyruar pikëpamjet e të gjithëve, në çdo paragraf të çdo teksti që miratohet, i heq shpesh kuptimin dhe vlerën, pavarësisht përpjekjeve të saj qëllim-mira.
Një problem tjetër shqetësues, është mënyra se si OKB-ja i menaxhon njerëzit e saj.

Organizata përfshin grupime të shumta nëpunësish publikë, përfshirë punonjësit e ndihmës humanitare dhe paqeruajtësit, të cilët janë të përkushtuar ndaj parimeve të saj të larta dhe që e përmbushin detyrim shpesh në rrethanat më të vështira. Por pak prej tyre kanë përfituar nga menaxhimi i mirë. Më të aftët njihen rrallë për aftësitë dhe sakrificat e tyre. Qeveritë, veçanërisht fuqitë e mëdha, këmbëngulin në emërimin e tyre (shpesh të pakualifikuar) për postet kryesore,
duke krijuar një perversitet në zemër të sistemit që e minon moralin dhe efikasitetin.

Një OKB efektive ka nevojë për një shërbim civil shumë të motivuar, me një staf të përbërë nga gratë dhe burrat më të kualifikuar nga e gjithë bota. Mjerisht kësaj reforme nuk po i kushtohet pothuajse asnjë vëmendje. Skenari i preferuar, është ai në të cilin një OKB e pa reformuar ose pak e reformuar, vazhdon të zhvillojë një varg funksionesh – duke mbrojtur refugjatët, duke lehtësuar negociatat për ndryshimet klimatike, ofruar ndihmë zhvillimore – duke ecur mirë në disa fusha dhe më pak mirë në të tjerat.

Edhe nëse nuk zgjidhin domosdoshmërisht problemet globale, konferencat e saj mbajnë të gjallë dialogun për çështjet globale, duke ofruar nganjëherë një platformë për një sërë organizatash ndërkombëtare të shoqërisë civile. Problemi me këtë skenar të statuskuosë, është se duke mbajtur pak premtime, organizata po e shpërqëndron veten nga qëllimi i saj kryesor për të parandaluar luftërat.

Mjerisht, edhe për të ardhmen e parashikueshme, Këshilli i Sigurimit, organi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, ka të ngjarë të mbetet i paaftë për të trajtuar kërcënimet kryesore të ditës, mes tyre pushtimin rus të Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe mosmarrëveshjet mbi Tajvanin dhe territoret në Detin e Kinës Jugore.

Në mungesë të një Këshilli Sigurimi dinamik dhe të reformuar, çelësi i suksesit të ardhshëm të OKB-së është roli i Sekretarit të Përgjithshëm si një diplomat i shquar në botë. Paqja është puna kryesore e OKB-së. Ka shumë konflikte që mund të zgjidhen pa ndonjë rol të OKB-së. Por 80 vitet e fundit, tregojnë se Sekretari i Përgjithshëm, një ndërmjetës i paanshëm që përfaqëson një organ universal, është ndonjëherë i domosdoshëm.

Nëse ai mënjanohet për çështjet e luftës dhe paqes, atëherë do të ketë shumë më pak ndikim me të cilin mund të udhëheqë në sfidat globale si ndryshimi i klimës dhe zhvillimi. Publiku pret që OKB-ja të kryesojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Sot, luftërat e reja të tmerrshme, po shkatërrojnë jetët e miliona njerëzve, dhe po rrisin kërcënimin e luftës bërthamore. Është një kohë shumë e ndryshme nga vitet 1990, kur të gjitha fuqitë e mëdha ishin të kënaqura me dërgimin e operacioneve paqeruajtëse për t’i dhënë fund konflikteve të brendshme.

Bota është kthyer tek një periudhë lufte midis shteteve, dukuri që OKB-ja u krijua ta parandalojë. Për shkak se ka pak hapësire për reformimin e OKB-së, çfarëdolloj hapësire që ekziston duhet të shfrytëzohet me efikasitet për të rivendosur dhe zgjeruar rolin paqe-bërës të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili mund të trajtojë jo vetëm konfliktet e brendshme, por edhe luftërat ndërshtetërore.

Por kjo do të kërkojë ndërtimin e një ekipi ndërmjetësuesish me përvojë të brendshme, të cilët kanë një njohuri shumë të imtësishme mbi atë që mundet ose jo të bëjë organizata. Dikur, OKB-ja arriti një sukses të madh nëpërmjet udhëheqjes së zyrtarëve të tillë si fituesi i Çmimit Nobelt Ralph Bunche, i cili i shërbeu si Hammarskjoldit dhe ashtu edhe Thantit, dhe ishte i rëndësishëm në dhjetëra përpjekje për të garantuar paqen në mbarë botën.

Në këtë moment të rrezikshëm dhe të pasigurt, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara mund të eksplorojë dhe të krijojë mundësi për zgjidhjen e konflikteve. Vetëm OKB-ja ka autoritetin dhe besueshmërinë për ta luajtur këtë rol. Dhe gjatë viteve të ardhshme, kjo mund të bëjë të gjithë diferencën midis luftës globale dhe paqes./Përshtatur nga ”Foreign Affairs”

*Shënim:Thant Myint-U, historian dhe autor i librit “Kriza e demokracisë në shekullin XXI”. Gjatë viteve 2000-2006, ka punuar në Sekretariatin e OKB-së në Nju Jork.

Polemika e panjohur e Konicës, me Shahin Kolonjën: Ti harbut që më quan mua grek, laj më parë kokën, të të shporren ca morra…

Nga Armand Plaka

Faik Konica, polemizuesi më i madh shqiptar i kohës së tij, është kritikuar shpeshherë për këtë “ves” që kishte, nga bashkëkohësit e tij e, më vonë. Edhe sot e kësaj dite, akoma has në materiale interesante, të cilat mund të zbulohen ndonjëherë edhe fare lehtësisht, nëse i hedh qoftë edhe një vështrim koleksionit të gazetës apo revistës së tij të famshme, ALBANIA, që u botua në fund të viteve 1800 e vijoi (me ndërprerje) edhe në fillim vitet 1900. Në disa numra të saj, has shpesh jo vetëm në polemika intelektuale e frytdhënëse, që i shërbenin çështjes kombëtare, apo zhvillimit të mendimit politiko-socialo-letrar në hapësirat mbarëshqiptare, që Konica në fakt i konsumonte mjeshtërisht, por edhe në përgjigje ironike e madje edhe fare banale e të pavlera, ndaj pretendimeve dhe akuzave që i bëheshin nga atdhetarë e patriotë të tjerë të kohës.

Kështu është edhe një rast me Shahin Kolonjën, kontributet e të cilit tashmë (por edhe në atë kohë) njiheshin e vlerësoheshin gjerësisht. Konica, në rolin e drejtorit dhe të botuesit të ALBANIA-s, dhe homologu i tij, në rolin e botuesit e kryeredaktorit të gazetës “DRITA”, që renditej ndër gazetat e para ndër kolonitë shqiptare jashtë vendit, por edhe ato shqiptare në përgjithësi, të kujtojnë përplasjet e zënkat që mund të kenë edhe sot botuesit e establishmet politike që i mbështesin.

Por nga ana tjetër, të sjell ndërmend edhe ngjashmëritë e debateve të mëdha të viteve të fundit, mes ikonave të mendimit modern intelektual shqiptar, ku shpesh është preferuar të përdoret edhe shprehja: “Kur përplasen kolosët”.

Rreth çështjeve më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, Shahin Kolonja dhe gazeta e tij, zinte një pozitë alternative e rivalizuese dhe kishte shpesh polemika me qarqe e personalitete të tjera të spikatura, ku përfshihet edhe vetë Faik Konica e gazeta e tij ALBANIA, e cila, pavarësisht se në fillim e nisi disi me agresivitet në qëndrimet e saj përballë Portës së Lartë dhe Greqisë, më vonë u vunë re qëndrime më të tërhequra e më të matura.

Këtë pohim të fundit madje e bënte në atë kohë, edhe albanologu e studiuesi danez, Holger Pedersen, një admirues dhe mbështetës i iniciativës së Konicës në Bruksel e misionit të saj (shih: Ghukimi i Z. Dr. Pedersen, permi ALBANIEN, fq. 103, prill-maj 1902, Nr. 4-5).

Kjo, si duket ka sjellë në rastin konkret edhe irritimin e Shahin Bej Kolonjës, i cili duhet ta ketë akuzuar në mënyrë të tërthortë Konicën, se merrte financime të dyshimta dhe abuzonte me donacionet që vinin nga shqiptarët e të huajt, për të mbajtur më këmbë iniciativën në fjalë. Nga studiuesi Eftim Dodona, në një shkrim të botuar dy vite më parë, në revistën ‘MAPO’.

(shih: “Të vërteta të panjohura mbi Faik Konicën”, 20 prill 2010), thuhej ndër të tjera se, në gazetën DRITA, të datës 24 prill 1902, gjendet e botuar nga Shahin Kolonja dhe Lumo Skëndo (d.m.th. Mit’hat Frashëri), shkrimi me titull: “Z. Faik Konica shtypës i gazetës “ALBANIA” në Bruksel”. Në fund të shkrimit, jepet një shtojcë, “E vërteta”, e firmosur nga Shahin Kolonja.

Aty thuhet: “Këtë faqe-zi e vesh-gjatë, e kam parë dhe me sy, e kam dëgjuar dhe me veshë! Që në vogëli kishte vajtur në Francë, për të marrë mësim dituri e qytetari. Ky fat-zi s`u përpoq të merrte nonjë dituri, a mësim të mirë s`andejmi, por duke hyrë nga dyert e duke dalë nga penxheret e shkollavet…….”!

Më pas, Dodona na përmend fare shkurtimisht, pasazhe të shkurtra nga përmbajtja e përgjigjes së Konicës, në numrin 5 të “Albania”-s, thuajse një muaj më vonë, duke na pohuar njëkohësisht se; shkak për këtë debat, ishte bërë në fakt zbulimi i jetëshkrimit të Faik Konicës.

Por duket se Shahin Kolonja, e kishte prekur Konicën edhe në një pikë shumë delikate; atë të prejardhjes së tij. “Shqiptar apo grek”, ky tashmë ishte një dyshim më se ofendues për Konicën, që më në fund kishte vendosur të prishte çdo lloj ure komunikimi me Shahin Kolonjën dhe ta demaskonte e ta denigronte atë në faqet e ALBANIA-s.

Kështu, në numrat 4-5, prill–maj 1902, (fq. 105-108) gjejmë të plotë kundërpërgjigjen që Konica, jep ndaj akuzave e ofendimeve të Shahin Kolonjës, për lexuesit e gazetës së vet, duke shpjeguar me këtë rast plot duf, jo vetëm misionin, por edhe sakrificat e problemet financiare që haste në këtë ndërmarrje, të cilën dikur ia kishte vlerësuar edhe vetë Kolonja.

Më vonë, diku edhe ky i fundit, në një letër që i shkruante mikut të tij, Bahri Ohri, pohonte se: “Jetoj në një gjendje të mjerueshme, nuk kam ç’të ha…! Sot shita orën e dorës, për të botuar numrin e fundit të gazetës”.

Konica e Kolonja, në vitin 1902, ngjan të ishin ishin vënë përballë njëri-tjetrit me iniciativat e tyre, ndoshta për të thithur sa më shumë lexues e, në radhë të parë “sponzorë”, për platformat e tyre, por nuk mund të mos kenë ndikuar edhe përplasjet e akumuluara me kohë, inate e xhelozira, duke u nisur sigurisht, edhe nga çështje me karakter principial.

Në mungesë të artikullit të plotë të Shahin Kolonjës, në gazetën DRITA, të cilin Faik Konica, ndryshe nga disa raste të tjera, nuk e riboton në faqet e ALBANIA-s, por i referohet si bazë për polemikën e tij, vetëm duke e përmendur në pjesët ku ndjehej më shumë i prekur e i fyer, ia vlen të sjellim sot për lexuesit, përmbajtjen e dy materialeve të sipërpërmendura.

Aty gjendet në fakt, më tepër se kaq. Për më shumë gjejmë edhe një variant të shkurtër rreth prejardhjes së Faik Konicës dhe aktivitetit të paraardhësve të tij, të rrëfyer nga vetë ky i fundit.

Më poshtë, përmbajtja e plotë e përgjigjeve të Konicës, e përshtatur për botim, sipas normave të shqipes së sotme:

HARBUTËT PO HAZDISEN

SHAHIN BEJ KOLONJA

NJË LETËR E HAPUR

E këndova letrën e hapur që më shkrove të DRITA. Të sharat e tua më gëzojnë, – se më lehtësojnë nga një barrë. Të them fjalë të mira për një njeri e pastaj ta godas, është një punë e rëndë; e t’a di për nder, sepse së pari më çliron e, më bën të flas ballazi.

Kur të dëboi Ismail Bej Vlora në Bruksel, nuk më flisje në atë mënyrë…! A e mban mend? Po ashtu e harbutët: Kur janë të dobët, ulen; kur e marrin pak veten, të shajnë…!

Thua se Konica është e populluar prej grekësh, është se edhe unë grek do të jem. Të isha grek, do t’a kisha për nder, të parën se njeriu lavdërohet gjithmonë me kombin e tij, të dytën, se grekët na janë të ligj për Shqipërinë, janë të mirë për vetën e tyre, të tretën se grekët kanë ndritur botën. Po shtëpi më shqiptare se imja, nuk ka në të gjithë Shqipërinë.

Një shkrimtar frëng, duke folur për gjyshin e gjyshit tim, Zejnel bej Konicën, e bija e të cilit ishte e ëma e Ali Pashë Tepelenës, thotë: “Ky Bej i Konicës, ishte një i fuqishmi bej shqiptar, i lidhur nga gjaku me më të parat shtëpi shqiptare të Toskërisë, e martesa e së bijës së tij, Hanko, me Veli Bej Tepelenën, i dha këtij fortësinë e përgatiti madhështinë e Ali Pashës.

Aravantinoi thotë: “Zejnel Beu i Konicës, bej shqiptar ndër më të fuqishmit e asaj kohe, i cili kishte për stërgjysh një pasha, i dha të bijën”,…etj.

Nga këto libra, e shumë të tjera, rrëfehet sheshit se në shekullin e 16-të, shtëpia ime është e njohur si shqiptare. Ty, Zot nuk të kërkon 400, po vetëm 150 vitet e shqiptarisë. A je shqiptar? Mos të ka vjedhur në Shqipëri ndonjë llagem i Anadollit, si e rrëfen edhe krushqia që ke bërë me anadollakë?

Kam besuar kurdoherë se je Shqiptar, po me çfarë sëmundje je të më kujtosh grek, vallë mos kërkon duke bërë ashtu, të fshehësh kombësinë tënde të vërtetë?

Të kishe pak mend, nuk do të kishe folur ashtu. Në është se Konica ka shumë grekë; në është se Frashëri është i njohur kudo si një vend i populluar me racë vllehe, edhe pse rumunët e kanë bërë qendrën e propagandës së tyre, e kanë ngritur edhe shkolla vllehe; –

Edhe pse shqiptarët e këtyre viseve, janë për t‘u lavdëruar, se të mbash kombësinë shqiptare në mes të Shqipërisë, s’ është ndonjë punë e madhe, po kur je i rrethuar nga të huajt, atëherë është e rëndë. Shtëpia ime, brenda në Konicë, është e vetmja që flet shqip, dhe e ka mbajtur prej qindra vjetësh këtë gjuhë, – e sot një harbut me poture, vjen të më thotë se s’ jam shqiptar!!

Fola për Ali Pashën e Tepelenës. Kjo më kujton një teatër pune. Kam dëgjuar e ma ke thënë edhe ti vetë, me një çiltërsi që më pëlqeu, se gjyshi yt ka qenë hyzmeqar a qehaja, i Ali Pashës. Në ka qenë “Hyzmeqar” i një shtëpie të lidhur aq ngushtë nga gjaku me shtëpinë time, – më ngjan se ke kundër meje atë smirë të poshtër, që kanë shërbëtorët për të arritur më sipër, kundër zotërinjve. Apo gabohem?

Thua se unë, shumë herë, kam përdorur fjalë të ndyra. Po kundër njerëzve të ndyrë si ti, çfarë fjalësh të përdor? Fjalët e ftohta e të matura, i merrni për shenjë frike, ironinë a të tallurit, është i hollë e nuk i kuptoni. Atëherë çfarë fjale mbeten…? Po, në të pëlqejnë fjalët e holla, laj më parë kokën të të shporren ca morra, kalli edhe këmbët dy herë në ditë në acid fenik, që të mos vijnë erë, – e pastaj të shohim.

Thua se më shkruan për herë të fundit. Edhe unë të shkruaj për herë të fundit, se s’ke atë rëndësi sa të flas me ty çdo herë e, këto fjalë janë mjaft. Po s’ mund të them ashtu për gazetën që del në emrin tënd: Atë pa pushuar do ta godas, gjer sa ta marrin vesh e gjithë bota, se ç’qëllime keni.

Faik Konica

SHQIPTARËVE

Gjer më sot, nuk kam folur për vetën time, se s’ kemi nevojë të lërojmë gjuhën e, të punojmë për të zgjuar popullin tonë, e jo për të lëvduar veten. Po sot, disa njerëz të paturpshëm më shajnë a kujtojnë se më shajnë. Duroni të them dy fjalë. Dy fjalë vetëm, e ato fjalë do të jenë të Shahinit.

Ndoshta shumë do ta kenë për turp ta thonë, por unë e kam për nder: Mësoni pra se gjashtë vjet që e zura ALBANIEN, kam hequr gjashtë vjet mundime, për të jetuar. Sa shqiptarë kanë ardhur këtu në Bruksel, sa janë pjekur e kanë ndenjur me mua, e dinë se kurrë nuk kam mundur të dal nga vështirësitë.

Sa ndihma kam marrë e saqë në marsha – të cilat s’jam harbut a zuzar që t’i harroj e, kurrë s’kam për t’i harruar – e kam quajtur detyrë t’i prish të gjitha, për propagandën kombëtare; sa njerëz me qëllime të mira janë ndodhur e më kanë pjekur, duke më hapur kuletën e tyre, të gjithëve u kam thënë kë të ndihmojnë, ku t’i prishin të hollat, po për veten time, s’kam kërkuar, s’kam dashur; sa punëra janë ndodhur që mund t’i zija, por që do të më kishin shtrënguar, ta lë ALBANIA-n, të gjitha i kam lënë.

Në këtë mënyrë kam qenë gjithmonë në vështirësi. Në muajin dhjetor 1901, një njeri që kishte jetuar afro mot mot me mua, më shkruante një letër, në të cilën ndodhen këto fjalë: “Që vuan ti për ALBANIA-n, e di unë….! Herë ngrënë, e herë pa ngrënë…”! Njeriu që i shkruante ato fjalë, s’ishte tjetër, përveç Shahin Bej Kolonja!

Ky njeri i poshtër, ndoshta s’ka mjaft mend, sa ta kuptojë se ç’ndryshim u bë në mendjen e kombit shqiptar, kur doli ALBANIA, po fort mirë e di, se unë përveç dëmit, s‘ kam tjetër nga kjo punë, vuajtjet e mia i di, m’i ka shkruar, ua ka thënë edhe të tjerëve, e di se unë sa kohë të lidhem pas kësaj pune, jam një njeri i humbur, pa peshë, e se po të hiqem – edhe pa bërë ndonjë poshtërsi – do të shpëtoj nga kjo ditë; ai e di edhe se kam pasur vullnetin t’a mbaj këtë dritë, që e ndeza gjer sa të jetë nevoja; e di, kurrë nuk jam dëmtuar e, se kurrë nuk kam për të hequr dorë. E di se s’ qahem, se s’ lodhem, se jam i kënaqur si jam.

Me gjithë atë më shan. Me gjithë atë bën sikur s’më njeh. Me gjithë ato, më vë poshtë për shërbimet që i bëra kombit, se kastravecët e Stambollit, që i marrin urdhrat, punojnë për gjuhën turqishte e, s’kanë hequr kurrë një mundim për Shqipërinë.

A kam nevojë të shtoj fjalë të tjera? Ato fjalë të Shahinit, a nuk janë të mjaftueshme për të hapur sytë e të gjithëve? A nuk janë dënimi i tij, në dorë të tij? A nuk duket sheshit se më shajnë harbutët, është se unë u kam kuptuar gënjeshtrat, se kam vullnetin e mundshëm t’ua ndez në shesh, em t’i ndaloj të tallen me shqiptarët?

Le të bëhet nesër një ndryshim qeverie në Turqi, e të gjithë ata mëdhetarë që janë shqiptarë, se shohin fundin e Turqisë, do të bëhen sërish turq, se të turqizuar e kanë shpirtin, le të bëhet gjë në Shqipëri, e ata që kanë qenë të fundmit, për t‘i shërbyer kombit, do të jenë të parët për të zgjatur dorën të “mbledhin”.

Të tillë njerëz, pa mendime të vendosura, pa programe të shtruara, pa tjetër qëllim, përveçse të gënjejnë e të zënë shtigjet e mira, për të përfituar nga çdo të bëhet nesër, janë turpi dhe plaga e shqiptarisë. Këta njerëz do t’i godas e, do t’i godasim pa u lodhur.

Memorie.al

Artikujt polemizues të Faik Konicës (Nr. 4-5, prill –maj 1902, faqet 105-108).

Taktika e ‘çmendjes’ së Ilir Metës në gjyq synon bllokimin e procesit

Sulmi verbal i Ilir Metës ndaj Altin Dumanit në sallën e gjykatës, duket se përbën thelbin e një taktike të mirëmenduar.

Njëlloj si Berisha që ka zgjedhur të mos komunikojë me prokurorët, edhe Ilir Meta, duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë, por me një qëndrim më agresiv.

Taktika është e mirëmenduar, dhe synon për të bllokuar procesin në gjykatë. Një taktikë e përdorur në të shkuarën nga emra të njohur të krimit, ku shpesh procesi gjyqësor vihej në kolaps me çështje procedurale.

Megjithatë Meta, nuk e ka luksin që të shkarkojë avokatin e ta bëjë atë me të gjithë që zgjedh shteti kryesisht, pasi i duhet një betejë paralele për të kërkuar lirimin nga burgu.

Ilir Meta, me sulmin verbal tenton që ta detyrojë gjykatën që ose të zgjidhë prblemin e rëndimit të tij psikologjik, ose të bllokojë procesin.

Nuk është fare e çuditshme që në ditët e ardhshme të kemi kërkesë edhe për shtrim në spital të Metës me shkakun e rëndimit të situatës së tij psikologjike.

E gjitha është një taktikë që Meta e ka nisur herët dhe me një strategji të caktuar. Pak ditë para se të arrestohej ai nxori një video në rrjetet sociale ku thoshte: Nuk vjen pranvera pa ikur vjeshta. Kjo strategji, pra çmendja dhe sherri permanent është përgatitur me kujdes, për të mos u përballur në gjykatë si me prokurorët, ashtu edhe me dëshmitarët e tjerë.

Meta po negocion me strategjinë e çmendjes, që të ndalohet zbardhja e të gjithë veprimtarisë së tij kriminale. Po me kë negocion Meta? Me amerikanët që janë mbrojtësit direkt të SPAK! Jo më kot Departamenti i Shtetit mbajti një qëndrim të posaçëm për arrestimin e Ilir Metës, ku deklaroi se “Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”./Pamfleti