21.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Eksperimenti me arsimin dhe rritja rekord e analfabetëve në Shqipëri

• U kërkua reforma në arsim, por kemi shtim të analfabetëve, tkurrje të nxënësve dhe studentëve në shkolla e universitete dhe mungesë të stafeve akademike
• Një analizë se si arsimi u cilësua si kryefjala e PS por në fakt rezultoi dështimi i tyre.

Dje në ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe një raport i Bankës Botërore rendiste Shqipërinë në vend të pestë me normën më të ulët të regjistrimit në shkollë fillore, duke rrezikuar rritjen e analfabetizimit në vend. Të dhënat e Bankës Botërore, tregonin se jo vetëm që numri i të regjistruarve në shkollat fillore po bie ndjeshëm, por ai është dhe ndër më të ulëtit në Europë. Përkeqësimi i këtij treguesi, sipas ekspertëve është i lidhur me disa faktorë si statistikorë, ashtu dhe të sjelljes. Së pari, emigrimi i familjeve që kanë fëmijë në arsimin e detyruar si dhe i atyre në moshën e arsimit të mesëm, ndërkohë që ata vijojnë të figurojnë në regjistrat e gjendjes civile. Ndërkohë vihet re një përkeqësim më i madh i treguesve të shkollimit, jo vetëm në arsimin e mesëm, por edhe atë të detyruar.

Prioritetet
Çfarë vendi zë arsimi në qeverisjen socialiste? Për pak muaj Edi Rama përmbyll mandatin e tij të tretë si kryeministër. Nën drejtimin e tij reforma në arsim ka qenë kryefjala e çdo mandati. Në Prill 2021, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare premtoi realizimin e tyre brenda 2025-ës.
Për rikujtesë, VNA po risjell premtimet e Edi Ramës gjatë fushatës 2021, për arsimin të cilat duhej të ishin përmbyllur në mandatin e tij të tretë.
• Rritje rrogash 40% për mësuesit, ndërtim dhe rindërtim shkollash.
• Dhënie fund të mësimit me dy turne në qendrat urbane dhe mësimit kolektiv në zonat e thella.
• Ndërtim kampusi universitar Akademisë së Arteve, Universitetit Politeknik dhe Akademisë së Sigurisë.
• Përqendrim total tek arsimi profesional dhe përgatitja e brezit të ri përmes edukimit në fushat e IT dhe teknologjisë së informacionit.
• Ambicie futja e Anglishtes në arsimin fillor, që nga klasa e parë.
• Hapjen e qendrës së parë të Kodimit në Tiranë, tek Piramida dhe më pas edhe qendra të tjera në Shkodër, Vlorë, Dibër, Korçë, Kukës, Berat dhe në gjithë Shqipërinë.
• Më shumë peshë sporteve, duke nisur nga klasa e parë e deri në universitete.
• Përmbylljen e licencimit të drejtorëve të shkollave, duke i licencuar si menaxherë për të drejtuar qendra komunitare.
• Programe me standarde të institucioneve arsimore prestigjioze ndërkombëtare, që nga Universiteti Teknik i Stambollit e deri tek Akademitë e Sigurisë, model amerikan për ushtrinë dhe italian për policinë.
• 10 mln euro në vit për të stimuluar universitete publike për hapjen dhe ofrimin e programeve të arsimit me universitet më të mira europiane.
Këto ishin premtimet e Ramës për arsimin vetëm tri vite më parë, për të bërë bilancin e realizimit të tyre, për etikë, po presim përfundimin e mandatit të tretë të tij, por ndërkohë për gjendjen aktuale të arsimit sot, duhet të flasim patjetër.

Gjendja –cilësia
Nga të dhënat e fundit të publikuara nga Censi 2023 rezulton se Tirana ka numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri, me rreth 9,627 persona. Shifra është më e lartë në bashkinë e Tiranës dhe në zonat përreth si Kamza dhe Kavaja. Ndërsa qarqet e tjera me shifra të larta janë Elbasani dhe Fieri, respektivisht me 6,215 dhe 6,063 individë analfabetë.
Numri i analfabetëve sipas zonave në qarkun e Tiranës është i lartë veçanërisht në bashkinë e Tiranës me 6,243 persona, pasuar nga Kamza me 1,546, Kavaja me 698, Vora me 603 dhe Rrogozhina me 537 individë. Rreth 36% e këtyre personave janë të moshës 10-49 vjeç, çka tregon se fenomeni mbetet shqetësues për një pjesë të popullsisë në moshë të re dhe të aftë për punë.
Megjithëse analfabetizmi në Tiranë mbetet më i larti në vend, statistikat tregojnë një rënie të tij krahasuar me vitin 2011. Në atë kohë, 1.9% e popullsisë së qarkut ishte analfabete, ndërsa sot kjo shifër është ulur në 1.4%, duke reflektuar një përmirësim gradual në përpjekjet për edukimin bazë.

Numri –nxënësve dhe studentëve
Nga viti në vit, ritmet e rënies së nxënësve në arsim po rriten si pasojë e uljes së lindjeve dhe emigrimit të lartë në popullsinë e re në moshë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, publikuar nga Monitor, në vitin shkollor 2023-2024, u regjistruan në arsimin zyrtar 533.711 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 3,7%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23. Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin parauniversitar (deri të mesëm të lartë) 416.538 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 3,8%, krahasuar me vitin shkollor 2022-23. Në arsimin parashkollor, gjatë këtij viti shkollor marrin pjesë gjithsej 66.711 fëmijë, 4,4% më pak, krahasuar me vitin e kaluar shkollor. Në arsimin 9-vjeçar, u regjistruan 258.072 nxënës, 54,7% në arsimin fillor dhe 45,3% në ciklin e lartë të arsimit bazë. Krahasuar me vitin shkollor 2022-23, marrin pjesë në arsimin 9-vjeçar 3,4% më pak nxënës. Në vitin shkollor 2023-24, 88,7% e nxënësve të arsimit 9 vjeçar u regjistruan në institucionet e arsimit publik dhe 11,3% në institucionet e arsimit privat. Ndër nxënësit e regjistruar në arsimin 9 vjeçar, vajzat përbëjnë 47,9% të totalit. Në vitin shkollor 2023-24, u regjistruan në arsimin e mesëm të lartë 91.755 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.

Mësues –pedagog
Në vitin shkollor 2023-24, numri i mësuesve në arsimin 9 vjeçar është 24.109. Raporti nxënës për një mësues në arsimin fillor publik është 15,1 dhe në atë privat është 15,2. Ndërsa në ciklin e lartë të arsimit 9 vjeçar, raporti nxënës për një mësues në arsimin publik është 7,9 dhe në atë privat 8,0. Numri i mësuesve në arsimin e mesëm të lartë është 8.307. Raporti nxënës për një mësues në arsimin e mesëm të lartë është 11,5 në arsimin publik dhe 9,1 në atë privat.
Ndërkohë ministria e Arsimit dhe Shkencës pranon se ka nevojë për mësues për profilet e tilla si: “Arsim special” dhe “Teknologji Informacioni dhe Komunikimi”. Në arsimin 9-vjeçar kërkohen më shumë mësues, duke mbajtur në konsideratë dhe numrin më të lartë të nxënësve. Mungesat për mësues ndihen kryesisht në zona të thella malore si: Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar Tropojë, Bulqiza, Has, Skrapar dhe Dibër.
Paralelisht me detyrat e mësimdhënies në lëndër përkatëse, 320 mësues në të gjithë vendin u janë ngarkuar detyra të reja që lidhen me sigurinë e cilësisë në shkolla dhe këshillim karriere.
Mësuesi në rolin e koordinatorit për sigurimin e cilësisë do të jetë përgjatë gjithë orëve të mësimit i angazhuar sipas një plani ditor, javor dhe mujor për të kryer vlerësime të brendshme të mësuesve sipas departamenteve dhe lëndëve, duke përdorur instrumente vlerësimi të unifikuara.
Ky vlerësim do të realizohet përmes metodave të ndryshme, si biseda ballë për ballë me mësuesit për sfidat dhe teknikat e reja të mësimdhënies. Përmes këtij roli do të krijohet edhe një rrjet mësuesish që do të mbështesin dhe ndihmojnë mësuesit e rinj. Ky proces bazohet në një plan 3-vjeçar trajnimesh, i cili drejtohet nga analiza e zhvilluar nga koordinatori në bashkëpunim me drejtuesit e shkollës dhe departamentet, dhe përfshin veprime konkrete për zhvillimin profesional të mësuesve. Kërkesat për trajnime dhe edukimin në vazhdim do të dërgohen në Agjencinë Kombëtare të Sigurimit të Cilësisë të Arsimit Parauniversitar për t’u realizuar si trajnime të zgjeruara, bazuar në sfidat dhe prioritetet e secilës shkollë.

Kurrikulat
Reformat në arsim vijojnë, së fundmi është njoftuar modernizimi i kurrikulës shkollore për t’iu përshtatur standardeve të reja dhe për të rritur efektivitetin në mësimdhënie. Gjatë këtij muaji do të finalizohet procesi i modernizimit të kornizës kurrikulare, duke sjellë një dokument të ri politikash për përmirësime në lëndët kryesore si gjuha shqipe, matematika, teknologjia, STEM, gjeografia, historia dhe edukimi qytetar, me programe të standardeve ndërkombëtare si Cambridge, Oxford dhe Pearson.

A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani? Analiza e DW: Vështirë të përfytyrohet! Si do të veprojë qeveria

A mund të arrestohet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu në Gjermani pas urdhër arrestit ndërkombëtar të GJNP? Qeveria federale në verifikim.

Qeveria gjermane e pakicës, e përbërë tani nga socialdemokratët dhe Të Gjelbrit sigurisht që do të kishte dashur ta shmangte këtë çështje, edhe nëse e kishte kuptuar kohë më parë se kjo problematikë po i afrohej: Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP) -(ICC) në Hagë lëshoi urdhër arreste ndërkombëtare kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Joav Galant. Argumentimi: Ka arsye të mjaftueshme për të supozuar se me luftën në Rripin e Gazës, të dy ngarkohen si bashkëfajtorë në krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Një urdhër arresti u lëshua gjithashtu për liderin e Hamasit, Mohammed Diab Ibrahim Al-Masri.

Gjermania mbështetëse e fortë e Gjykatës në Hagë

Gjermania konsiderohet si një nga mbështetëset më të mëdha të Gjykatës Ndërkombëtare Penale në Hagë, e cila filloi veprimtarinë në korrik 2002 dhe ka 124 shtete anëtare. Megjithatë, aty nuk përfshihen vende të rëndësishme si SHBA apo Rusia. Duhet kujtuar, Gjykata vetë nuk ka kapacitete të ekzekutojë vetë urdhërarrestet. Por shtetet e saj anëtare – përfshirë Gjermaninë – janë zyrtarisht të detyruara të arrestojnë të kërkuarit, nëse janë në territorin e tyre. Me fjalë të tjera: Nëse Netanyahu vjen në Gjermani, ai do të duhej të arrestohej. Apo jo?

Nuk duhet harruar, se ekziston edhe përgjegjësia e veçantë historike e Gjermanisë ndaj Izraelit. Kjo bëri që reagimet gjermane pas vendimit në Hagë të tingëllojnë të mundimshme, “edhe ashtu” “edhe kështu”. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock (Të Gjelbrit), u shfaq në Televizionin e Parë Gjerman (ARD) nga konferenca e klimës në Baku. Ajo tha: “Ne i përmbahemi ligjit në nivel kombëtar, evropian dhe ndërkombëtar. Dhe kjo është arsyeja pse tani po shqyrtojmë me kujdes se çfarë do të thotë kjo për ne në aspektin e zbatimit ndërkombëtar.”

Pak më vonë, qeveria lëshoi ​​një deklaratë për shtyp në Berlin ku thuhej: “Qeveria Federale është në dijeni të vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhër-arrestet e kërkuara kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Joav. Galant.” Edhe këtu, si deklarata e Baerbock, shfaqet fjala “shqyrtim”, të cilin qeveria tani dëshiron ta bëjë. Dhe vijon duke thënë: “Do të bëhej fjalë për veprime të mëtejshme, nëse kryeministri, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Joav Galant do të pritej të qëndronin në Gjermani”.

Netanjahu ishte në Gjermani para një viti e gjysmë

Pothuajse të lehtësuar, politikanë të tjerë të qeverisë gjermane theksuan të premten se një vizitë e Netanjahut nuk të pritet në të ardhmen të afërt. Kreu i qeverisë izraelite ishte për herë të fundit në Berlin për vizitë në Berlin në mars 2023, gjashtë muaj para sulmit terrorist të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Hamasi, një grup militant islamist palestinez nga Bashkimi Evropian, SHBA, Gjermania dhe vende të tjera klasifikohet si organizatë terroriste.

Ashtu si me rreth dhjetë vende të tjera, Gjermania mban të ashtuquajturat konsultime qeveritare me Izraelin, d.m.th. takime të kabineteve qeveritare të të dyja palëve. Konsultimet qeveritare synojnë të nxjerrin në pah marrëdhënien e veçantë dypalëshe. Një takim i tillë u zhvillua për herë të parë në Jerusalem në vitin 2008 nën Kancelaren e atëhershme Angela Merkel (CDU), dhe i fundit ishte në tetor 2018.

Zëdhënësi i qeverisë: Arrestimi i vështirë për t’u përfytyruar

Si do të veprojë pra qeveria federale gjermane me vendimin? Shumë gazetarë donin ta dinin këtë në një konferencë për shtyp. Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me dilemën mes gjykatës penale dhe solidaritetit me Izraelin, zëdhënësi i qeverisë Steffen Hebestreit tha: “Nga njëra anë është rëndësia e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, të cilën ne e mbështesim fuqishëm, dhe nga ana tjetër përgjegjësia historike, si e cituat ju. Në dritën e këtyre dy aspekteve duhet parë kjo deklaratë. Mund të tundohesha e të them, që e kam të vështirë të përfytyroj, që mbi këtë bazë të bëjmë arrestime në Gjermani.”

Kryeministri i landit Hesen, CDU: Vendimi është “absurd”

Ndërkohë që qeveria gjermane përpiqet të gjejë një qëndrim të qartë midis mbështetjes bazë për Izraelin dhe mbështetjes për gjykatën penale, politikanë të tjerë gjermanë e kanë më të lehtë këtë. Kryeministri i landit federal Hesen, Boris Rhein (CDU) i quajti urdhër-arrestet “absurde” të premten. Izraeli është në një luftë për më shumë se një vit, të nisur nga organizata terroriste Hamas me sulmin e saj barbar ndaj qytetarëve të pafajshëm, shtoi Rhein: “Është krejtësisht e pamundur për mua që një kryeministër i zgjedhur në mënyrë demokratike nga Izraeli të arrestohet në tokën gjermane. sepse ai mbron vendin e tij kundër terroristëve”. Por Rhein e di gjithashtu se është e vështirë aktualisht të imagjinohet që Netanyahu të vizitojë Gjermaninë./DW

Ç’tregon celulari i tenderit që mori në qafë Benet Becin?

Organigama e grabitjeve të rilindjes nxjerr para kudo ku ta prekësh. Një herë një pastruse vjedh punëdhënësen e vet dhe nga tubi i aspiratorit derdhen “rastësisht” gjysëm milioni euro. Një herë SPAK sekuestron celularët për tendera rrugësh dhe papritmas kap një vjedhje në KESH. Kështu ka ndodhur edhe hetën e fundit, kur prokurorët e posatçëm po hetonin skemën e kompanive përmes të cilave dyshohet se bënte korrupsion ish drejtori i rrugëve Evis Berberi. Ish krahu i djathtë i Belinda Ballukut, që shihej kudo pas saj në videot promovuese u arrestua në mars të këtij viti. Prokurorët që e akuzojnë për korrupsion dhe pastrim parash dyshojnë se nën ombrellën e zv kryeministres është ngritur një skemë tjetër e ngjashme me atë 5D duke u nisur nga fakti se Berberi u kishte dhënë tendera publikë të njëjtëve biznesmenë me të cilët kishte qenë edhe në marëdhënie private, për shtitblerjen e një kompanie. Këto hetime vazhdojnë ende, por e bukura është se si efekt kolateral i tyre duket se e ka pësuar edhe kryebashkiaku aktual i Shkodrës, Benet Beci.

Si është e mundur dhe ç’lidhje ka mund të pyesë dikush? Historia është sa rastësore qa edhe qesharake. Sikurse e kanë bërë zakon agjentët e BKH ata ia behin për kontroll të befasishëm në në shtëpitë dhe të afërmit e atyre që prangosin. kështu ka ndodhur dhe me rastin Berberi. Ata nuk kanë gjetur vetëm udhëtime turistike të paguara nga klientët për atë vetë, bashkëshorten e tij Adela Ruko dhe fëmijët e tyre të mitur, por për të zbuluar më shumë kanë sekuestruar edhe celularin e Adelës. Ashtu si i shoqi edhe ajo i kish pasur shpatullat të ngrohta për të siguruar një vend pëllumbash në administratën shtetërore. Pra Belinda Ballukiu ishte kujdesur ti sistemonte si familje. Adela në vitin 2020 kryente dhe detyrën e kryetares esë Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të një tenderi në KESH. Bëhej fjalë për një garë të shpikur gjoja për të kontraktuar një kompani që do hartonte një studim për strategjinë e sektorit energjetik. Në atë kohë, kreu i KESH, ishta krebashkiaku aktual i Shkodrës. Atij me sa duket i ishte propozuar  që studimi në fjalë do ë bëhej nga një kompani me përvojë nga iniversiteti me famë i Harvardit. Sigurisht duke i njohur rregullat e lojës Benet Beci nuk mund të kundërshtonte.

Pikërisht kjo duket qartë në bisedat që janë ruajur në celularin e sekuestruar. Celulari është i zonjës Adela Ruko, por atë e ka përdorur bashkëshorit i saj, Evsis Berberi për ti shkruar në numrin e tij personal Benet Becit, shefit direkt të gruas që drejtonte komisionin e tenderit. “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë” i ka shkruar ai Becit. Pra fjala është për të ndarë mes tyre afro 40% të shumës 834 mijë euroshe. Ngjarjet e mëvonshme regojnë se gjithçka është zhvilluar sipas parashikimeve dhe të gjitha gjasat janë që po ashtu të jenë ndarë edhe paratë.

Po a kemi të bëjmë këtu me një korrupsion të rastësishëm që u zbulua papritur nga marrja e një telefoni për arsye të tjera? Jo tamam. Dokumanta të nxjerra në dritë nga media Kapitali.al kanë treguar se e vërtata e këtij abuzimi nuk fshehej vetëm në bisedat e koduara të aplikacionit ëhats app të Adela Rukos. Ndarja e parave ishte një e fshehtë publike.

Që në vitin 2022 Kontrolli i Lartë i Shtetit pati hedhur dyshime për tenderin e zhvilluar në janar të 2021, e që ishte fituar nga kompania e vetme që garoi me 99.8 për qind e fondit limit. Sipas LKSH-së ky tender ishte fare i panevojshëm pasi tashmë ekzistonte një  strategji e sektorit energjitik e hartuar më parë, nga ministria e Energjisë me ndihmën e donatorëve të huaj.

E dyta dhe më qesharakja qëdel nga pjesët e KLSH që nga nxjerrë Genc Pollo, në dokumentin e përgatitur nga “profesorët e Harvardit” është se ata servirnin vetëm të dhëna nga institucionet tona publike si psh tatimet, INSTAT, Banka e Shqipërisë, të cilave këto informacione ia kishte dhënë vetë KESH.

Por, pavarësisht estradës, puna u krye dhe me siguri paratë u ndanë sipas planit.

Por, kjo histori tragjikomike, nxjerr në pah shumë më tepër se njollosja me vulën e mundshme prej hajduti të njeriut që u shndërrua në simbolin e rilindjes, në zgjedhjet e fundit lokale, për arsye se i ktheu asaj bastionin e Shkodrës. Ajo shkon përtej marrjes së Benet Becit si i pandehur nga SPAK. Prej saj rrjedhojnë disa pyetje që flasin për batërdinë e abuzimit me paranë publike. Sepse aty përfshihet krahu i djathtë i Belinda Ballukut, Evis Berberi, që akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Por ky zyrtar i lartë kishte sistemuar dhe gruan, Adela Ruko, në vend pëllumbash në administratë. Pra pa i mjaftuar paratë e rrugëve, gjithë familja qe regulluar nën çadrën e Belindës. Edhe ajo qe drejtuese tenderash, aq e përfshirë sa, njeriu me të cilin ndante krevatin është kapur në allishverishe me njeriun që ndante zyrën. A dinte gjë Balluku për këto? Le ta zëmë se jo, se edhe asaj i hanin kumblla dhe dardha pas shpine. Po çbëri ajo kur u njoh me raportin e KLSH, që fliste për tender fiktiv? A vuri ujin në zjarr prej dy vitesh? Apo mos qe dhe ajo një “e pashkollë”, me diploma fallco, që kishte pjesën e saj?

Fakt është se raporti i KLSH ra në vesh të shurdhër. Prandaj kjo ngarje nuk është një rastësi e çuditshme e dalë në dritë nga një celular i kapur për arsye të tjera. Ajo është simbol i një rrjeti që vijon të punojë si sahat./ Lapsi.al

 

Si të kuptoni nëse jeni të varur nga rrjetet sociale

Mediat sociale janë bërë një pjesë integrale e jetës sonë të përditshme, por mund të jetë e vështirë të dallosh kur përdorimi i tyre shkon nga thjesht një hobi në një sjellje të varur.

Më poshtë do shohim disa shenja paralajmëruese që tregojnë varësinë nga rrjetet sociale dhe si ta menaxhoni këtë sjellje.

Prania e vazhdueshme

Ju shkoni në mediat sociale herë pas here, edhe kur nuk ka ndonjë arsye apo nevojë specifike.

Humbni sensin e kohës

Kaloni shumë kohë në rrjetet sociale dhe neglizhoni aktivitete të tjera të rëndësishme si puna, marrëdhëniet apo detyrimet personale.

Izolim

Ju preferoni të merreni me mediat sociale, sesa të shoqëroheni ngushtë me miqtë dhe familjen.

Ankthi dhe Vetëvlerësimi

Përdorimi i mediave sociale mund të ndikojë negativisht në vetëvlerësimin dhe të shkaktojë stres nga shqetësimet se si të tjerët e perceptojnë profilin tuaj.

Si të menaxhoni varësinë nga mediat sociale

 

Vendosni kufij për veten tuaj

Vendosni një periudhë kohore ose orësh të caktuar gjatë të cilave do të përdorni rrjetet sociale dhe përpiquni të mos i “prishni”.

Çaktivizo njoftimet

Fikni njoftimet që ju tundojnë të hapni faqen në Instagram ose TikTok.

Merre veten me diçka tjetër

Zëvendësoni kohën që do të kalonit në rrjetet sociale me aktivitete të tjera si sporti, daljet me miqtë apo edhe leximi i një libri.

Kërkoni ndihmë

Nëse mendoni se nuk mund të bëni diçka vetë, atëherë kërkoni ndihmë nga një profesionist.

Ukraina dhe NATO do të zhvillojnë bisedime urgjente pasi Rusia zotohet të rrisë prodhimin e raketave hipersonike

NATO dhe Ukraina do të mbajnë bisedime urgjente të martën pasi Vladimir Putin tha se Rusia do të rrisë prodhimin e një rakete të re balistike hipersonike.

Rusia ka pretenduar se raketat e saj të reja Oreshnik mund të arrijnë objektiva në të gjithë Evropën – dhe Vladimir Putin ka pretenduar se sistemet e mbrojtjes perëndimore nuk do të jenë në gjendje t’i ndalojnë ato.

Parlamenti i Ukrainës anuloi një seancë pasi siguria u forcua pas një sulmi rus të enjten në një objekt ushtarak në Dnipro, një qytet qendror me një popullsi prej rreth një milion. Nuk u raportua për viktima.

Në një fjalim të transmetuar në televizion kombëtar, Putin tha se sulmi – i kryer me një raketë Oreshnik me rreze të mesme veprimi – ishte në hakmarrje për përdorimin e raketave amerikane dhe britanike nga ana e Ukrainës , të afta për të goditur më thellë në territorin rus.

Askush në botë nuk ka armë të tilla”, tha presidenti rus. Herët a vonë vendet e tjera udhëheqëse do t’i marrin ato. Ne jemi të vetëdijshëm se ato janë në zhvillim e sipër.

Ai shtoi: “Ne e kemi këtë sistem tani. Dhe kjo është e rëndësishme.”

Duke detajuar aftësitë e supozuara të raketës, Putin pretendoi se ajo është aq e fuqishme sa përdorimi i disa kokave konvencionale të luftës në një sulm mund të jetë po aq shkatërrues sa një goditje me armë bërthamore.

“Bomba” e merkatos nga Italia, Milani bën gati ofertën për Kristian Shpendin. I ka bindur të gjithë përveç… Silvinjos

Kristian Shpendi duket se ka një të ardhme të garantuar në elitën e futbollit italian dhe premisat janë të larta që ai të ketë një karrierë mes klubeve të njohura nëse vazhdon ecurinë e tij të jashtëzakonshme. Bomberi shqiptar, pasi dominoi Serinë C, po bën të njëjtën gjë edhe në Serinë B me fanellën e Çezenës, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha italiane,

Prej javësh përflitet për skuadra të ndryshme që e monitorojnë, duke kërkuar lojtarin edhe që në merkaton e janarit. Ndërsa klubet e mëdha, planifikojnë për më gjatë dhe janë gati të futen në bisedime me të për merkaton e verës, siç do të ishte edhe dëshira e Çezenës dhe vetë futbollistit.

Në ditët e kaluara janë përmendur emrat e Fiorentinës dhe Atalantës si dy skuadra shumë të interesuara për të, ndërsa tani ka dalë në skenë edhe një tjetër emër shumë i njohur i futbollit italian, Milani.

Përtej Adriatikut bëhet e ditur se përgjegjësi i transferimeve në klubin kuqezi, Monkada, ka piketuar prej kohësh bomberin shqiptar dhe po e ndjek me kujdes, pasi e sheh si një përforcim të rëndësishëm në verë, kur do të synohet rinimi i ekipit. Klubi kërkon vazhdimisht emra të rinj dhe me perspektivë, me Shpendin i cili plotëson profilin e duhur. Kërkesa e Çezenës për rreth 10 milionë euro për kartonin e tij, duket se plotëson edhe standartin e Milanit për afrimin e lojtarëve të tillë, ndaj marrëveshja mund të mbyllet që tani, por me transferimin në startin e sezonit të ri.

Me pak fjalë, Shpendi i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij, përveç trajnerit të Kombëtares, Silvinjo, i cili nuk e grumbulloi asnjë herë në radhët e kuqezinjve gjatë Ligës së Kombeve edhe pse nuk munguan eksperimentet në listat e tij.

Ngadalësojnë plakjen! Nëse jeni mbi 50 vjeç, duhet t’i hani këto ushqime çdo ditë

Është e rëndësishme të mbani mend se plakja është e pashmangshme, por trupi juaj do t’i përgjigjet mirë zakoneve të shëndetshme kur të jeni 45, 50 ose më shumë. Kjo do të ndihmojë në ruajtjen e shëndetit të zemrës dhe mbrojtjen nga sëmundjet.

Hani ushqime të pasura me fibra

Marrja e sasisë së duhur të fibrave dietike në dietën tuaj ditore mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve të zemrës, diabetit të tipit 2 dhe presionit të lartë të gjakut.

Fibra luan një rol të rëndësishëm në kontrollin e peshës dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të lidhura me moshën. Vlen të përpiqeni të përfshini më shumë drithëra, kërpudha, perime dhe fruta në dietën tuaj të përditshme.

Ushqim i pasur me proteina

Për të luftuar humbjen e masës muskulore të shkaktuar nga plakja, është e rëndësishme të merrni mjaftueshëm proteina. Është efikas kombinimi i një diete të pasur me proteina me aktivitete fizike. Kjo ndihmon në ruajtjen e rritjes së shëndetshme të muskujve gjatë plakjes.

Përqendrohuni te burimet pa yndyrë si vezët, arrat dhe kosi grek.

Yndyrna të shëndetshme

Rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare mund të rritet midis moshës 45 dhe 55 vjeç. Prandaj, është e rëndësishme të përqendroheni në shëndetin e zemrës.

Një nga mënyrat kryesore është përfshirja e yndyrave të shëndetshme në dietën tuaj. Kjo mund të ndihmojë në uljen e rrezikut të sëmundjeve koronare të zemrës. Acidet yndyrore omega-3 që gjenden në peshk, arra, avokado dhe disa vajra mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të hipertensionit. Rekomandohet të merrni suplemente omega-3.

Më shumë ushqime me bazë bimore

Shtimi i më shumë ushqimeve me bazë bimore në menunë tuaj ditore mund të ngadalësojë procesin e plakjes.

Komponimet që gjenden në shumë ushqime të përpunuara dhe produkte shtazore, si mishi i kuq i përpunuar (proshutë, salsiçe, etj.), shpesh lidhen me sëmundjet e zemrës, obezitetin, diabetin dhe hipertensionin.

Megjithatë, ushqimet e pasura me përbërës me bazë bimore mund të ndihmojnë në rritjen e jetëgjatësisë. Është vërtetuar gjithashtu se një dietë me bazë bimore mund të luajë një rol në ngadalësimin e plakjes së lëkurës.

“Fshati poetik” dhe “magjia realiste” e Kim Mehmetit

Nga Agim Baçi

Kim Mehmeti rrëfen përmes një “magjie realiste”- magjike sepse e di vetëm ai përshkrimin, rrugëtimin dhe kohën që i duhet, por njëkohësisht edhe realiste sepse nuk e shmang kurrë atë që na duhet ta shohim për të kuptuar njeriun përballë dhe atë që na thërret në përditshmërinë tonë. Veshjet dhe muzika e fjalëve është e tija dhe të gjitha ngjashmëritë me botën e madhe të rrëfimit janë për shkak se njeriu i tij është edhe njeriu i botës, se pleqtë e fshatit të tij kanë jetuar kudo – herë me mendje e herë me ecje- por ama kanë imagjinatën për të mbërritur në burimin e duhur ku i duhet të freskohen me ndjesitë e gjërave që i rrok syri, e të ndalojnë dhe të kërkojnë njeriun tjetër, të cilin e kërkojnë për udhë.

“Fshati poetik” i Kim Mehmetit është një fshat magjepsës, ku edhe nëse dëshirojmë që të largohemi nga aty, nuk do të mund të harrojmë asgjë, madje kur ato gjëra nuk duam që të na ndodhin. Qëndisma e tij letrare prej rrëfimtari gërsheton kohën individuale përmes kujtesës kolektive. Një telajo fjalësh të josh imagjinatën, ndërsa Fati ngre dorën lart për të rrëfyer se, kudoqofsh, ti je veç pjesë e udhës që të është caktuar.

Nëse do ta lexonim prozën e Kim Mehmetit sipas Italo Kalvinos, pra përmes të Lehtës dhe të Rëndës (Italo Calvino, Leksione Amerikane, Dituria 2011, Tiranë) do të kuptonim se ajo që mbartim ne nga e shkuara jonë dhe e paraardhësve është e rëndë, e për pasojë ne nuk e zhdukim dot. Çelësi i vetëm që vlen të përdorim është që të mundohemi ta kuptojmë të shkuarën. Ndaj, pothuajse të gjithë personazhet e Mehmetit, edhe pse nuk pranojnë fatalitetin, ata dinë të jenë banorë të qetë të fatit të tyre. Kjo është njëkohësisht lehtësia e jetesës së imazhit të tyre. Mënyra se si gërshetohen e lehta dhe e rënda në këtë prozë përbën edhe urën nga realja te magjikja, ashtu siç do të kalonin në mbrëmje fqinjët tek shtëpia e njërit tjetrit, sepse në “atë mëhallë poetike”, kufijtë nuk janë të tokës, as të kohës, por vetëm të njeriut dhe njerëzores.

“Makondoja shqiptare” që ndërton Kim Mehmeti të jep të gjitha hapësirat e leximit, ashtu siç është vetë fshati, i rrokshëm por edhe i pamatë, pa hyrje dhe dalje të qarta, por i arritshëm për syrin, e aq më shumë për imagjinatën.
Nën mbretërimin e narratives Kim Mehmeti i krijon hapësirë rrëfimit dhe personazhit, duke ditur të ndalet kur dëshiron ai, sipas stilit që veç ai di ta thurë. Për të si rrëfimtar, fabula është thjesht kosherja, ku më pas ai mbledh bletët e ndjesive për të ndërtuar gjithë lëndën e tij stilistike. Nuk ka rëndësi mosha e askujt që nis udhën nga pena e tij. Ai e pleqëron edhe më të riun siç merr në gaz të moshuarin. Eshtë njësh me natyrën, e njëkohësisht në fluturim, ashtu mes kullës dhe livadhit, mes oxhakut ku ka hiearki dhe fushës së gjerë nga ku nuk shënjohet asnjë rrugë, e ku do të duhet të krijosh vetë një shteg për të patur rrugën tënde.

E në fakt, nuk ka fshat të dytë për Kim Mehmetin, por është një fshat i dëshiruar, sepse ka kohën dhe mungesën e saj, fuqinë e gruas dhe mohimin e saj, pushtetin e burrit dhe heshtjen e tij, ka Livadhin e Djemve ku vajzat janë në kërkim të një Loti. Sepse te Mehmeti Loti dhe Buzëqeshja janë dy kufijtë e Njeriut, kudoqoftë e kurdoqoftë ai. Sepse të gjithë kemi nevojë për “Makondon” tonë.Dhe Kim Mehmeti nuk gjykon por bashkudhëton, si një fëmijë i kapur përdore me njerëzoren, por duke hedhur vallen e tij. Arsyet e fundit dhe fillimit të Njeriut, të mungesës së gjuhës dhe të kibernetikës, mund të hyjnë në atë fshat e të gjejnë gjithçka, sidomos pëlhurën e ndjesive njerëzore të bartura nën përkundjen e urimit për të ndodhur ajo që kemi dashur.

Personazhet e “fshatit të tij” të lënë mundësinë të bashkudhëtosh, por edhe të jesh ai që i kundërshton të tilla vendime. Me prozën e Mehmetit mund t’ia dorëzosh imagjinatën tënde autorit dhe ta lësh vetveten të kapërcejë kufirin e së mundshmes, ashtu siç mund të nisësh edhe një lexim divergjent. Në një stil që autori tenton ta kontrollojë përmes një gjuhe që shtigjet ia ngre vetë ai, divergjenca me të është më pak e vështirë se konvergjenca. Por në një mendje me Jauss-in,- duke i dhënë prioritet horizonit tënd të kuptimit dhe autoritetit si lexues-, atëherë ky udhëtim në prozën e tij kërkon këmbëngulje. Ai të fton dhe të hap dyert, por je vetëm ti që do të vendosësh për hapat, për zërat, dhe për vallen rrëfimore që do të mund të ndjekësh.

Në shtigjet e shkrimit të tij ka gjithnjë vend për detaje, që qëndrojnë si tregim më vete, ose bazë e një romani të rëndësishëm për dikë që di të sendërtojë imagjinatë në rrjedhën e një rrëkeje të hollë ndjesish që jep Kim Mehmeti. Perceptimi i prozës së tij është një vrap i dëshirueshëm për të njohur dhe kuptuar botën. Kjo edhe për faktin se teksti i tij, i mbështetur në truallin e baladës me formatin “kohë pa kohë dhe vend pa vendi”, jep mundësinë që ta lexosh jo vetëm në Prishtinë, Tiranë e Shkup me të “njëjtat syze”, por edhe në një gjuhë a në një vend tjetër. Fshati që ndërton Mehmeti është fshati ynë, i të gjithëve, të cilën mund ta jetojnë dhe migrojnë lexues nga e gjithë “mëhalla botërore”, sepse edhe proza e tij fle e zgjohet rreth të gjitha portave, edhe në qoftë se ato porta fshehin pas vetes ndërtesa shumëkatëshe.

Kim Mehmeti është një zë që bart baladën, poezinë, realen dhe magjiken e hapësirës shqiptare, e njëkohësisht e ngjyen imagjinatën e tij artistike me përmendoren e përjetshme pas së cilës rrotullohet letërsia: me Njeriun! Kim Mehmeti ka arritur të gjejë edhe “Gralin e tij poetik”, (siç do ta cilësonte Todorovi) duke e hedhur personazhin e tij përpara rrotës së fatit, por jo si viktimë, por për të ecur me të vrullshëm, një ecje që i jep kurajë njeriut që t’ia arrijë atje ku i duhet, pa iu sosur ditët. Sepse te ai, njeriu nuk ka nevojë të numërojë vitet, por vetëm ditët me kuptim, vetëm ditët që ai u jep emër.

Në rrethin e rrëfimeve që tjerr, Kim Mehmeti është qendra dhe skajet, duke të fuar të rrotullohesh e rrotullohesh, duke besuar se autori ka gjithë forcën të të mbajë gjatë, të të rrokë përdore për të treguar herë si një plak që ka shumë për të të mësuar, e herë si një fëmijë që ka shumë pyetje për të të ngritur. Eshtë një valle që kërkon ritmin e këmbëve të kombinuar me zemrën. Mendja duhet t’i bashkohet këtij rendi e të hapë dritaret për ta ndërtuar gërmë pas gërme atë që kërkon të shohë e të arrijë. Eshtë një muzikë- një muzikë që ka i ka rrënjët në dëshirën e njeriut për t’iu bashkangjitur hapave që vijnë nga larg e njëkohësisht që shkojnë larg. Sepse çdo hapje qepalle është një lidhje më shumë me atë që nuk shmangim dot, e njëkohësisht një shpresë se kemi ç’të shohim për ta arritur edhe ne.

Përse më sheh shtrembër?

Nga Kreshnik Spahiu 

“Vetëm shqiptarët dhe çeçenët vrasin pa motiv” ishte konkluzioni i Profesor Müller studius i kriminalogjisë gjatë një konference ndërkombëtare në Madrid.

Në të drejtën penale edhe vrasjet klasifikohen me motive në disa vepra të ndryshme penale:
Vrasje ndodhin në të gjithë botën për motive:

– interesi
– për shkak detyrës
– për xhelozi
– për gjakmarrje
– për grabitje
– për vetëmbrojtje etj etj

Ndërkohë Shqipëria i përket një planeti tjetër.
30% të vrasjeve në Shqipëri ndodhin pa “motiv” në kuptimim juridik të fjalës.

– pse e pa me inat
– pse e parakaloi me makinë
– pse i zuri parkingun
– pse kamarieri vonoi porosinë
– pse karikuesi celularit kishte zën prizën

Analiza ligjore e një kategori vrasjesh në Shqipëri provon se po rritet një brez i dhunshëm, por edhe me probleme të rënda psiqike.

Motivet e vrasjeve në Shqipëri ska psikolog që i analizon. Truri i kokës me gjashtë cepa të shumë kriminelve shqiptarë është i pashpjegueshëm nga kriminalogjia apo psikologjia.

Sot kur mbarova punë, takova Sedin një mikun tim piktor në Gjermani i cili më tha:
“Nuk shkel më në Shqipëri gjithë jetën”
Pse? – i thashë

Ai mu përgjigj: “Kur isha në gusht me makinë dhe familjen, udhëtuam 20 orë normalisht nga Berlini në Mal të Zi, por 6 orët nga Shkodra deri Sarandë ishin horror dhe disa herë ishim duke u vra me shoferë të çmendur që jo vetëm na rrezikonin jetën me shpejtësi por dhe më shanin familjen nga dritarja sepse unë i jepja makinës me kilometrazhim e lejuar nga tabelat”.
E dëgjova dhe iu përgjigja gjysëm me shaka: “Ke shpëtuar gjallë sepse ishit në Sarandë. Shyqyr s’ke parkuar në ndonjë qytet tjetër dhe ta shikoje rojen e parkigut me inat sepse do haje ndonjë plumb kot”.

Sot rrugët e Shqipërisë janë plot me polic por që s’kanë autoritet.
Dikur polici i Fierit i hidhte një sy qytetit Lushnjes, dhe i gjithë populli dridhej. Iku ajo kohë…
Tashmë jetojmë në epokën që kur i forti lagjes del me makinë në rrugë por dridhet policia dhe e nderon gjithë shoqëria.

Në Shqipëri nuk vret njeri as ministra dhe as pokitikanë që i lënë pa punë apo pa bukë.
Në Shqipëri kini kujdes kur shkoni tek lavazhi makinave, tek semafori i kuq, tek parkingu, tek bilardo, tek klubi me muzikë, tek plazhi me 5 yje.
Mos parakaloni makinat e shtrenjta.
Kujdes! Mos guxoni të shikoni askënd në sy.

Gëte ka thënë: “Të çmendurit nuk i gjen vetëm në çmendinë. Ata janë kudo. Planeti yne eshtë psikiatria e universit.”

Ndoshta ne jemi kryeqyteti i tyre…….

Korrupsion dhe trukim tenderash/ CV-ja e pistë e pronarëve italianë të koncesionit të Sterilizimit

Nga Kapitali.al

Në mars të këtij viti prokuroria e Bolonjës u komunikoi zyrtarisht akuzën e trukimit të tenderave 7 personave. Në mes të akuzuarve janë presidenti i kompanisë Servizi Italia, që zotëron 30 për qind të koncesionit të Sterilizimit në Shqipëri dhe kunati i tij Marco Storchi, drejtor i spitalit Sant Orsola në Bolonja. Arsyeja e akuzës? Storchi i dha tender 123 milionë euro kunatit të tij.

Në dhjetor të vitit 2017, ndërmarrja spitalore e Sant Orsolas shpalli një tender gjigand prej 123 milionë eurosh për menaxhimin e shërbimeve të integruara të mbështetjes. Në vitin 2019, fitues i tenderit u shpallën kompanitë Coopservice dhe Servizi Italia. Por kompania e renditur e treta, bolonjezja Rekeep e ankimoi shpalljen e fituesit. Storchi dhe Olivi kishin fshehur faktin se ishin kunetër.

Çështja u shndërrua në një skandal të madh duke e detyruar Këshillin e Shtetit në Itali të përmbyste fituesin, duke ja hequr kontratën Coopservize dhe duke shpallur fituese pikërisht ankimuesin Rekeep. Megjithatë, menjëherë pas kësaj Prokuroria italiane nisi hetimet.

Për dy vite me radhë në bashkëpunim me Guardia di Finanzan, prokurorët kanë zhvilluar hetime intensive, të cilat u përmbyllën 6 muaj me parë me marrjen zyrtarisht të pandehur të Storchit dhe Olivit, të cilët tani presin gjykimin.

Rryshfete
Por tenderi i spitalit të Sant Orsolas nuk është i vetmi pisllëk në CV-në problematike të kompanisë Coopservice. Backgroundi i saj në këtë drejtim është shumë i pasur. Në vitin 2022, prokuroria italiane nisi një tjetër hetim ndaj kompanisë. Këtë herë për një tender 23 milionë euro për mbeturinat spitalore në spitalin kryesor të Cosenzës.

Akuzat janë shumë të rënda: mashtrim i rëndë ndaj shtetit, falsifikim dhe mashtrim në furnizime publike. Sipas hetimeve, Coopservice ka kërkuar dhe ka marrë pagesën për orë pune që nuk janë kryer kurrë: një fitim i paligjshëm i marrë nga paratë publike që llogaritet në rreth 3 milionë euro.

Konkretisht, kooperativa akuzohet se ka dhënë kallëzime të rreme në lidhje me ecurinë e orarit të punës: deklaratat janë përpiluar me të dhëna të pavërteta në lidhje me numrin e orëve të punës në ditë nga stafi i kompanisë kontraktore Coopservice dhe nënkontraktori Multiservice South me shumat përkatëse të parave në vlerë të përgjithshme prej 3,092,416,04€.

Gjatë hetimeve të këtij procesi, në shkurt të vitit 2019, prokurorët italianë përgjuan një telefonatë të Monica Fabris, menaxhere e Coopservice, dhe partnerit të saj.

“Po të them këtu në telefon, nuk më intereson më. Coopservice ka paguar ryshfet prej 420 mijë eurosh. Po të gërrmojnë pak, janë të zhytur me atë aferë, nuk do të dalin prej saj. Jam i sigurt se këtu qëndron problemi. Domethënë nuk janë… nuk kanë hyrë në Cozenza për meritë të garës… këtë dua të them”.

Ryshfeti për të cilin fliste Fabris, sipas hetuesvem ishte shuma që do të kishte paguar Coopservice për të siguruar kontratën e Cosenzës.

Historia përsëritet në Shqipëri
Coopservice është pronarja fundore e 30 për qind të aksioneve të koncesionit të sterilizimit. Kjo shoqëri kontrollon 100 për qind të aksioneve të Servizi Italia, e cila nga ana e saj ka 30 për qind në kompaninë Saniservice, që zotëron koncesionin e sterilizimit në spitalet publike të Shqipërisë. Roberto Olivi është presidenti i të dyja kompanive, si Coopservize ashtu dhe Servizi Italia.

Tashmë koncesioni i sterilizimit është faktuar qartësisht si një histori korrupsioni, për të cilën janë pas hekurave biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish zëvendesministri i Shëndetësisë Rrjepaj.

Por historia shqiptare e korrupsionit thjesht përsërit një skemë që pronarët italianë të koncesionit e kanë bërë shpesh në të kaluarën. Por pavarësisht dhjetra hetimeve dhe gjykimeve ja kanë dalë gjithmonë t’ia hedhin burgut me parashkrim ose dënime minimale.