21.5 C
Tirana
E martë, 6 Maj, 2025

Favorizimi nga Meta i kontratës së Interkoneksionit/ Abuzimi u zbulua që në 2018, kush e mbylli dosjen?!

Në inspektimin e realizuar, subjekti nuk ka deklaruar aktivitet për 3 vite, duke i dorëzuar AKEP vetëm evidencat e vitit 2017.

AKEP: “Referuar dokumentacionit te administruar gjatë inspektimit, meqenëse subjekti objekt inspektimi ka ofruar shërbime edhe gjatë viteve 2014, 2015 dhe 2016 deklarohet se nuk ka pasur aktivitet në këto vite, rrjedhimisht rezulton se ky subjekt ka shmangur detyrimet financiare si ndaj AKEP ashtu edhe ndaj organeve te tjera përgjegjëse.”

Pikërisht të ardhurat e fshehura nga kompania aso kohe, dyshohet se janë dhënë në formë rryshfeti për ish-kreun e Kuvendit Ilir Meta.

Në raportin e AKEP, theksohej se për të fshehur aktivitetin, kompania UNIFI HOLDING kishte larguar pajisjet nga vendi i ushtrimit të aktivitetit për të penguar zbulimin e trafikut të vërtetë të telefonisë. Kjo, mbulonte fitimet e vërteta që me sa duket, ishin kanalizuar tek dyshja e politikës Meta-Kryemadhi. Pra, dyshimi i SPAK sot është se paratë që do të duhej të derdheshin në formë taksash në buxhetin e shtetit, kanë shkuar në xhepat e çiftit të politikës.

“Monika Kryemadhi ka përfituar të ardhura nga aktiviteti i kompanisë UNIFI HOLDING, Dega Shqipëri si dhe ka përfituar pagesa për të mira materiale nga Adrian Shatku”.

Basha takohet me Lord Richard Keen në Britani: Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në KiE ishin në qendër të diskutimit

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore britanike dhe Ministër i Drejtësisë në hije, ku diskutuan për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe përparësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Basha theksoi se pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe GJKKO për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Gjithashtu, ai kërkoi përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e një raporti të miratuar nga Këshilli i Evropës.

Postimi i plotë i kryetarit të PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha:

Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ishin në qendër të diskutimit që zhvillova me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore dhe pjesë e Dhomës së Lordëve, si dhe Ministër i Drejtësisë në hije në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në Shqipëri, korrupsioni mbetet një sfidë madhore, edhe pse SPAK ka bërë përparime të rëndësishme në luftën kundër tij. Korrupsioni i përhapur gjerësisht ka ndikuar negativisht në jetesën e shqiptarëve, gjysma e popullsisë jetojnë në varfëri, dhe numri i atyre që emigrojnë është me i larti në Balllan.

Hetimet e SPAK për zyrtarë dhe deputet të Edi Ramës kanë faktuar ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, duke deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe si këmbim qeverisja është vënë në sherbim të organizatave kriminale

Pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe Gjykatës së Posaçme për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.

Në këtë takim me Lord Keen, diskutuam gjithashtu për rolin e tij si Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës. Unë ritheksova rëndësinë që BE dhe NATO duhet t’i japin njohjes së Kosovës për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe serbëve që bashkëjetojnë në Kosovë.

Folëm gjithashtu për Ukrainën, ku theksova nevojën për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë për të financuar rindërtimin e vendit. Rusia mban përgjegjësi për shkatërrimet e shkaktuara dhe duhet të kompensojë dëmet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, si pjesë e raportit tim të miratuar nga Këshilli i Evropës, që synon gjithashtu parandalimin e agresioneve të ardhshme.

Qytetarët e Dibrës u helmuan nga uji i pijshëm me fekale, e konfirmon ISHP-ja

Një javë më parë, shumë banorë të lagjes “Kastrioti” u shtruan në spitalin rajonal të Peshkopisë me diarre e të vjella, simptoma helmimi.

Nga intervistat që emisioni “Fiks Fare” zhvilloi me banorët pohuan se kishin probleme me ujin e pijshëm. ” Pasi e konsumojmë ujin kemi probleme me diarre, shtrëngime në bark e të vjella” pohojnë ata.

Rreth 30 persona nga kjo lagjes përfunduan në urgjencën e spitalit rajonal Peshkopi dhe sipas banorëve kjo ka ndodhur nga konsumimi i ujit të pijshëm, pasi ujësjellësi po kryente ato ditë punime në pusetat e lagjes ” Kastriot”.

Fiksi shkoi edhe në urgjencës e spitalit ku u paraqitën si banorë që kishin shqetësime në bark dhe të vjella. Pyetja e parë që ju bë nga mjekët ishte nëse kishte konsumuar ujë të pijshëm. Përgjigjes ” po kemi konsumuar” mjekët i thanë që duhet të merrte serum pasi shqetësimet ishin nga uji i pijshëm. Për aq kohë sa Fiksi qëndroi pranë urgjencës së spitalit Peshkopi edhe tre persona të tjerë u paraqiten me të njëjtat probleme pasi kishin konsumuar ujë të pijshëm nga rrjeti.

Pasi Fiksi u informua nga banorët se UKD ishte duke kryer punime në puseta, gazetarët shkuan për ta parë situatën nga afër. Puseta që po pastrohej në momentin e vajtjes së Fiksit ishte puseta që furnizonte me ujë të pijshëm lagjen ” Kastriot”. Gjatë pastrimi të pusetës gazetarët vunë re papastërti në formë baltë që më vonë doli se ishin fekale. Pra që ujërat e bardha ishin përzier me ujërat e zeza.

Në terren Fiksi takoi edhe përgjegjësin e UKD -së i cili në çdo moment kërkoi që grupi i xhirimit të filmonte pusetat e pastruara e jo ato të papastruarat. Në intervistë për Fiks Fare ai shpjegoi se UKD-ja kishte ndërmarrë një aksion për pastrimin e pusetave dhe pyetjes se a ishte ky shkaku i helmimit të banorëve përgjegjësi mundohet ta shmangte. ” Nuk është uji i pijshëm ai që ka krijuar këtë situatë tek banorët, por ndoshta virozat e stinës” thotë përgjegjësi Hajredin Cena. Gjithashtu ai shtoi se faji mund të ishte edhe nga burimi kryesor në Gurë Lurë ku po kryheshin edhe atje disa punime, duke shmangur përgjegjësitë.

Por ndryshe tregojnë analizat e ujit. Fiksi u interesua pranë Institutit të shëndetit publik për përgjigjen e analizave të mostrave të ujit që kishin marrë në lagjen “Kastriot”

Në përgjigjen e tyre, thuhet se ISHP dhe NJVKSH Dibër ka kryer të gjitha hapat e duhura për ndjekjen e situatës nga hetimi epidemiologjik, ekzaminimet e mostrave të ujit deri tek ato humane.

Nga ekzaminimet e mostrave të ujit dhe nga NJVKSH Dibër dhe ISHP ka rezultuar në disa mostra prezencë të E- Coli, enerocoçi dhe prezencë amonjaku mbi nivelin e normës.

Mbështetur në ekzaminim laboratorik për prezencë të viruseve në një pjesë të mirë të mostrave të pacientëve rezultoi norovirus G2.

Në përgjigjen e saj ISHP thotë se gjendje shëndetësore e pacientëve të lagjes “Kastrioti” që përfunduan në urgjencën e spitalit mund të ketë ardhur prej ujit të pijshëm.

A mund të shpëtohet OKB-ja?

Nga Thant Myint

Synimi për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, është thuajse po aq i vjetër sa vetë ky organ i rëndësishëm ndërkombëtar. Tetëdhjetë vjet më parë, udhëheqësit e aleatëve, imagjinuan një rend të pasluftës, në të cilin fuqitë e mëdha do të ruanin së bashku një paqe të përhershme.

Këshilli i Sigurimit, i dominuar nga 5 anëtarët e tij me të drejtën e vetos – Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe, Franca dhe Kina – pasqyronte botën ashtu siç ishte në atë kohë. Pjesë të tjera më pak hierarkike të sistemit të ri të OKB-së, synonin të nxisnin bashkëpunimin ndërkombëtar në një mori çështjesh:ekonomia globale, shëndeti publik, bujqësia, arsimi.

Ishin që në gjenezë të dukshme “farat’ e një qeverie të ardhshme planetare. OKB -ja u konceptua fillimisht si një aleancë ushtarake, por me fillimin e Luftës së Ftohtë, ky objektiv u bë i pamundur. Ndaj shumë analistë parashikuan një vdekje të hershme të OKB-së.

E megjithatë organizata mbijetoi, dhe shumë shpejt u riaktivizua, duke vendosur synime që themeluesit e saj nuk i kishin imagjinuar ndonjëherë, siç është ruajtja e paqes. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së u bë një figurë e njohur në skenën globale si një diplomat i shquar, duke vizituar vazhdimisht zonat në luftë për të negociuar armëpushimet.

Agjencitë e specializuara të OKB-në, si Organizata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (UNESCO), dhe një sërë programesh të reja të asistencës teknike, patën suksese të mëdha. Për disa zyrtarë, studiues dhe aktivistë, brenda dhe jashtë OKB-së, kjo organizatë mbeti bartëse e një vizioni shpresëdhënës mbi qeverisjen globale.

Studiuesi amerikan Richard Falk dhe ish-diplomati gjerman Hans von Sponeck, janë qartazi në kampin e atyre që do të donin të shihnin një OKB shumë më të fortë. Në librin e tyre të fundit “Çlirimi i OKB-së”, ata japin sugjerime e tyre sesi ajo mund të përballet në mënyrë më efektive me morinë e sfidave me të cilat përballet sot bota, nga ndryshimi i klimës deri tek përhapja e armëve bërthamore.

Ata nuk shohin ndonjë alternativë tjetër. Në të njëjtën kohë, ata ankohen për gjendjen aktuale jofunksionale të OKB-së dhe zbehjen e rëndësisë së saj në lidhje me problemet kryesore të momentit. Libri bazohet tek përvojat e vetë autorëve në këtë organizatë.

Falk, për shumë dekada profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin Prinston në SHBA, ishte në fillimin e viteve 2010 raportuesi special i OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967. Ndërkohë Von Sponeck, ishte koordinator i i OKB-së për ndihmës humanitare në Irak në fund të viteve 1990. Ai dha dorëheqjen në shenjë proteste për dëmin që i shkaktuan sanksionet civilëve irakianë. Ata përshkruajnë mënyrat e shumta, përmes të cilave përpjekjet e saj u penguan nga gjeopolitika. Pra nga interesat e Shteteve të Bashkuara dhe të qeverive të tjera të fuqishme.

Ata pretendojnë se përgjatë dekadave, pavarësisht pengesave të mëdha, OKB-ja e ka dëshmuar veten si një “tipar i domosdoshëm i një rendi botëror të qëndrueshëm dhe pozitiv, dhe me më shumë fonde, si dhe me durim më të madh nga aktorët gjeopolitikë dhe më shumë vlerësim nga qeveritë anëtare, shoqëritë civile dhe mediat”, ky organ global mund të rikthehet në lavdinë e të shkuarës.

Në këtë rast, pengesë është një formë e vjetruar e “realizmit politik”, që për t’u kapërcyer do të kërkojë një luftë të fortë ideologjike. Qeveritë mbeten peng të llogaritjeve të tyre gjeopolitike, dhe nuk e vlerësojnë faktin se e vetmja përgjigje ndaj sfidave të sotme globale, është një OKB e reformuar në zemër të bashkëpunimit të fuqishëm global. Që të ndodhë kjo, ata bëjnë thirrje për një “lëvizje progresive transnacionale të popujve”, mjaftueshëm të fortë për të ushtruar një ndikim dashamirës në praktikat institucionale qeveritare dhe ndërkombëtare”.

Vetëm në këtë terren, OKB-ja do të jetë në gjendje të zgjidhë probleme të tilla themelore strukturore si kapitalizmi grabitqar, militarizmi global dhe paqëndrueshmëria ekologjike. Falk dhe von Sponeck përmendin edhe nevojën për të përditësuar përbërjen e një Këshilli të Sigurimit, që është ende një relike e epokës së Luftës së Dytë Botërore. Nuk ka shumë argumente bindës për t’i mohuar përfaqësimin në këtë këshill të vendeve si India.

Dekadat e fundit, historia e Këshillit të Sigurimit ka qenë ajo e një organi të dominuar nga 5 vende të pasura, të cilat diskutojnë mbi konfliktet në vendet me të ardhura të ulëta. Përbërja jo përfaqësuese e 5 anëtarëve të përhershëm të KS çon në një mori pabarazish, siç janë emërimet e njëanshme të zyrtarëve të lartë, që kalojnë përmes sistemit të OKB-së.

Ndaj në pjesën më të madhe të botës, ka rënë në mënyrë të vazhdueshme entuziazmi për OKB-në. Megjithatë çdo lloj përpjekje për të reformuar OKB-në, do të përballet me sfida të mëdha politike. Është thuajse e pamundur të imagjinohet një paketë ndryshimesh në KS pa mbështetjen e anëtarëve të përhershëm aktualë.

Por ekziston një sfidë edhe më themelore:bollëku i rrugëve alternative që mund të ndjekin qeveritë në raport me interesat e tyre, përfshirë marrëveshjet dypalëshe; organizatat rajonale, si NATO ; dhe forume si G-20. Selia e OKB-së në Nju Jork, ishte dikur i vetmi vend në botë ku mund të takoheshin përfaqësues të shumë vendeve. Falk dhe von Sponeck arrijnë në përfundimin se unilateralizmi i SHBA-së, është arsyeja kryesore e kufizimit të rolit të OKB-në. Është e dukshme që Uashingtoni që nuk dëshiron të investojë në reformimin e organizatës. Por nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara që synojnë të veprojnë jashtë OKB-së.

Për shtetet më të vogla, OKB-ja mund të jetë arena e vetme ku ata kanë një vend të barabartë në tryezë. Por për të tjerët, si fuqitë e mesme ka një menu opsionesh gjithnjë në rritje. Ndërkohë ka edhe një sfidë akoma më të madhe:vetë natyra e OKB-së. Përgjatë 8 dekadave, OKB-ja ka zhvilluar kulturën, gjuhën dhe mënyrat e veta të punës. Ato janë produkte të paçmueshme të përpjekjes së vetme deri më sot, për të ndërtuar një institucion që përfshin gjithë njerëzimin. Por ka qenë prej kohësh i varur nga procesi në dëm të rezultatit. Nevoja e organizatës për të pasqyruar pikëpamjet e të gjithëve, në çdo paragraf të çdo teksti që miratohet, i heq shpesh kuptimin dhe vlerën, pavarësisht përpjekjeve të saj qëllim-mira.
Një problem tjetër shqetësues, është mënyra se si OKB-ja i menaxhon njerëzit e saj.

Organizata përfshin grupime të shumta nëpunësish publikë, përfshirë punonjësit e ndihmës humanitare dhe paqeruajtësit, të cilët janë të përkushtuar ndaj parimeve të saj të larta dhe që e përmbushin detyrim shpesh në rrethanat më të vështira. Por pak prej tyre kanë përfituar nga menaxhimi i mirë. Më të aftët njihen rrallë për aftësitë dhe sakrificat e tyre. Qeveritë, veçanërisht fuqitë e mëdha, këmbëngulin në emërimin e tyre (shpesh të pakualifikuar) për postet kryesore,
duke krijuar një perversitet në zemër të sistemit që e minon moralin dhe efikasitetin.

Një OKB efektive ka nevojë për një shërbim civil shumë të motivuar, me një staf të përbërë nga gratë dhe burrat më të kualifikuar nga e gjithë bota. Mjerisht kësaj reforme nuk po i kushtohet pothuajse asnjë vëmendje. Skenari i preferuar, është ai në të cilin një OKB e pa reformuar ose pak e reformuar, vazhdon të zhvillojë një varg funksionesh – duke mbrojtur refugjatët, duke lehtësuar negociatat për ndryshimet klimatike, ofruar ndihmë zhvillimore – duke ecur mirë në disa fusha dhe më pak mirë në të tjerat.

Edhe nëse nuk zgjidhin domosdoshmërisht problemet globale, konferencat e saj mbajnë të gjallë dialogun për çështjet globale, duke ofruar nganjëherë një platformë për një sërë organizatash ndërkombëtare të shoqërisë civile. Problemi me këtë skenar të statuskuosë, është se duke mbajtur pak premtime, organizata po e shpërqëndron veten nga qëllimi i saj kryesor për të parandaluar luftërat.

Mjerisht, edhe për të ardhmen e parashikueshme, Këshilli i Sigurimit, organi kryesor përgjegjës për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, ka të ngjarë të mbetet i paaftë për të trajtuar kërcënimet kryesore të ditës, mes tyre pushtimin rus të Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe mosmarrëveshjet mbi Tajvanin dhe territoret në Detin e Kinës Jugore.

Në mungesë të një Këshilli Sigurimi dinamik dhe të reformuar, çelësi i suksesit të ardhshëm të OKB-së është roli i Sekretarit të Përgjithshëm si një diplomat i shquar në botë. Paqja është puna kryesore e OKB-së. Ka shumë konflikte që mund të zgjidhen pa ndonjë rol të OKB-së. Por 80 vitet e fundit, tregojnë se Sekretari i Përgjithshëm, një ndërmjetës i paanshëm që përfaqëson një organ universal, është ndonjëherë i domosdoshëm.

Nëse ai mënjanohet për çështjet e luftës dhe paqes, atëherë do të ketë shumë më pak ndikim me të cilin mund të udhëheqë në sfidat globale si ndryshimi i klimës dhe zhvillimi. Publiku pret që OKB-ja të kryesojë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës. Sot, luftërat e reja të tmerrshme, po shkatërrojnë jetët e miliona njerëzve, dhe po rrisin kërcënimin e luftës bërthamore. Është një kohë shumë e ndryshme nga vitet 1990, kur të gjitha fuqitë e mëdha ishin të kënaqura me dërgimin e operacioneve paqeruajtëse për t’i dhënë fund konflikteve të brendshme.

Bota është kthyer tek një periudhë lufte midis shteteve, dukuri që OKB-ja u krijua ta parandalojë. Për shkak se ka pak hapësire për reformimin e OKB-së, çfarëdolloj hapësire që ekziston duhet të shfrytëzohet me efikasitet për të rivendosur dhe zgjeruar rolin paqe-bërës të Sekretarit të Përgjithshëm, i cili mund të trajtojë jo vetëm konfliktet e brendshme, por edhe luftërat ndërshtetërore.

Por kjo do të kërkojë ndërtimin e një ekipi ndërmjetësuesish me përvojë të brendshme, të cilët kanë një njohuri shumë të imtësishme mbi atë që mundet ose jo të bëjë organizata. Dikur, OKB-ja arriti një sukses të madh nëpërmjet udhëheqjes së zyrtarëve të tillë si fituesi i Çmimit Nobelt Ralph Bunche, i cili i shërbeu si Hammarskjoldit dhe ashtu edhe Thantit, dhe ishte i rëndësishëm në dhjetëra përpjekje për të garantuar paqen në mbarë botën.

Në këtë moment të rrezikshëm dhe të pasigurt, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara mund të eksplorojë dhe të krijojë mundësi për zgjidhjen e konflikteve. Vetëm OKB-ja ka autoritetin dhe besueshmërinë për ta luajtur këtë rol. Dhe gjatë viteve të ardhshme, kjo mund të bëjë të gjithë diferencën midis luftës globale dhe paqes./Përshtatur nga ”Foreign Affairs”

*Shënim:Thant Myint-U, historian dhe autor i librit “Kriza e demokracisë në shekullin XXI”. Gjatë viteve 2000-2006, ka punuar në Sekretariatin e OKB-së në Nju Jork.

Polemika e panjohur e Konicës, me Shahin Kolonjën: Ti harbut që më quan mua grek, laj më parë kokën, të të shporren ca morra…

Nga Armand Plaka

Faik Konica, polemizuesi më i madh shqiptar i kohës së tij, është kritikuar shpeshherë për këtë “ves” që kishte, nga bashkëkohësit e tij e, më vonë. Edhe sot e kësaj dite, akoma has në materiale interesante, të cilat mund të zbulohen ndonjëherë edhe fare lehtësisht, nëse i hedh qoftë edhe një vështrim koleksionit të gazetës apo revistës së tij të famshme, ALBANIA, që u botua në fund të viteve 1800 e vijoi (me ndërprerje) edhe në fillim vitet 1900. Në disa numra të saj, has shpesh jo vetëm në polemika intelektuale e frytdhënëse, që i shërbenin çështjes kombëtare, apo zhvillimit të mendimit politiko-socialo-letrar në hapësirat mbarëshqiptare, që Konica në fakt i konsumonte mjeshtërisht, por edhe në përgjigje ironike e madje edhe fare banale e të pavlera, ndaj pretendimeve dhe akuzave që i bëheshin nga atdhetarë e patriotë të tjerë të kohës.

Kështu është edhe një rast me Shahin Kolonjën, kontributet e të cilit tashmë (por edhe në atë kohë) njiheshin e vlerësoheshin gjerësisht. Konica, në rolin e drejtorit dhe të botuesit të ALBANIA-s, dhe homologu i tij, në rolin e botuesit e kryeredaktorit të gazetës “DRITA”, që renditej ndër gazetat e para ndër kolonitë shqiptare jashtë vendit, por edhe ato shqiptare në përgjithësi, të kujtojnë përplasjet e zënkat që mund të kenë edhe sot botuesit e establishmet politike që i mbështesin.

Por nga ana tjetër, të sjell ndërmend edhe ngjashmëritë e debateve të mëdha të viteve të fundit, mes ikonave të mendimit modern intelektual shqiptar, ku shpesh është preferuar të përdoret edhe shprehja: “Kur përplasen kolosët”.

Rreth çështjeve më të rëndësishme të lëvizjes kombëtare, Shahin Kolonja dhe gazeta e tij, zinte një pozitë alternative e rivalizuese dhe kishte shpesh polemika me qarqe e personalitete të tjera të spikatura, ku përfshihet edhe vetë Faik Konica e gazeta e tij ALBANIA, e cila, pavarësisht se në fillim e nisi disi me agresivitet në qëndrimet e saj përballë Portës së Lartë dhe Greqisë, më vonë u vunë re qëndrime më të tërhequra e më të matura.

Këtë pohim të fundit madje e bënte në atë kohë, edhe albanologu e studiuesi danez, Holger Pedersen, një admirues dhe mbështetës i iniciativës së Konicës në Bruksel e misionit të saj (shih: Ghukimi i Z. Dr. Pedersen, permi ALBANIEN, fq. 103, prill-maj 1902, Nr. 4-5).

Kjo, si duket ka sjellë në rastin konkret edhe irritimin e Shahin Bej Kolonjës, i cili duhet ta ketë akuzuar në mënyrë të tërthortë Konicën, se merrte financime të dyshimta dhe abuzonte me donacionet që vinin nga shqiptarët e të huajt, për të mbajtur më këmbë iniciativën në fjalë. Nga studiuesi Eftim Dodona, në një shkrim të botuar dy vite më parë, në revistën ‘MAPO’.

(shih: “Të vërteta të panjohura mbi Faik Konicën”, 20 prill 2010), thuhej ndër të tjera se, në gazetën DRITA, të datës 24 prill 1902, gjendet e botuar nga Shahin Kolonja dhe Lumo Skëndo (d.m.th. Mit’hat Frashëri), shkrimi me titull: “Z. Faik Konica shtypës i gazetës “ALBANIA” në Bruksel”. Në fund të shkrimit, jepet një shtojcë, “E vërteta”, e firmosur nga Shahin Kolonja.

Aty thuhet: “Këtë faqe-zi e vesh-gjatë, e kam parë dhe me sy, e kam dëgjuar dhe me veshë! Që në vogëli kishte vajtur në Francë, për të marrë mësim dituri e qytetari. Ky fat-zi s`u përpoq të merrte nonjë dituri, a mësim të mirë s`andejmi, por duke hyrë nga dyert e duke dalë nga penxheret e shkollavet…….”!

Më pas, Dodona na përmend fare shkurtimisht, pasazhe të shkurtra nga përmbajtja e përgjigjes së Konicës, në numrin 5 të “Albania”-s, thuajse një muaj më vonë, duke na pohuar njëkohësisht se; shkak për këtë debat, ishte bërë në fakt zbulimi i jetëshkrimit të Faik Konicës.

Por duket se Shahin Kolonja, e kishte prekur Konicën edhe në një pikë shumë delikate; atë të prejardhjes së tij. “Shqiptar apo grek”, ky tashmë ishte një dyshim më se ofendues për Konicën, që më në fund kishte vendosur të prishte çdo lloj ure komunikimi me Shahin Kolonjën dhe ta demaskonte e ta denigronte atë në faqet e ALBANIA-s.

Kështu, në numrat 4-5, prill–maj 1902, (fq. 105-108) gjejmë të plotë kundërpërgjigjen që Konica, jep ndaj akuzave e ofendimeve të Shahin Kolonjës, për lexuesit e gazetës së vet, duke shpjeguar me këtë rast plot duf, jo vetëm misionin, por edhe sakrificat e problemet financiare që haste në këtë ndërmarrje, të cilën dikur ia kishte vlerësuar edhe vetë Kolonja.

Më vonë, diku edhe ky i fundit, në një letër që i shkruante mikut të tij, Bahri Ohri, pohonte se: “Jetoj në një gjendje të mjerueshme, nuk kam ç’të ha…! Sot shita orën e dorës, për të botuar numrin e fundit të gazetës”.

Konica e Kolonja, në vitin 1902, ngjan të ishin ishin vënë përballë njëri-tjetrit me iniciativat e tyre, ndoshta për të thithur sa më shumë lexues e, në radhë të parë “sponzorë”, për platformat e tyre, por nuk mund të mos kenë ndikuar edhe përplasjet e akumuluara me kohë, inate e xhelozira, duke u nisur sigurisht, edhe nga çështje me karakter principial.

Në mungesë të artikullit të plotë të Shahin Kolonjës, në gazetën DRITA, të cilin Faik Konica, ndryshe nga disa raste të tjera, nuk e riboton në faqet e ALBANIA-s, por i referohet si bazë për polemikën e tij, vetëm duke e përmendur në pjesët ku ndjehej më shumë i prekur e i fyer, ia vlen të sjellim sot për lexuesit, përmbajtjen e dy materialeve të sipërpërmendura.

Aty gjendet në fakt, më tepër se kaq. Për më shumë gjejmë edhe një variant të shkurtër rreth prejardhjes së Faik Konicës dhe aktivitetit të paraardhësve të tij, të rrëfyer nga vetë ky i fundit.

Më poshtë, përmbajtja e plotë e përgjigjeve të Konicës, e përshtatur për botim, sipas normave të shqipes së sotme:

HARBUTËT PO HAZDISEN

SHAHIN BEJ KOLONJA

NJË LETËR E HAPUR

E këndova letrën e hapur që më shkrove të DRITA. Të sharat e tua më gëzojnë, – se më lehtësojnë nga një barrë. Të them fjalë të mira për një njeri e pastaj ta godas, është një punë e rëndë; e t’a di për nder, sepse së pari më çliron e, më bën të flas ballazi.

Kur të dëboi Ismail Bej Vlora në Bruksel, nuk më flisje në atë mënyrë…! A e mban mend? Po ashtu e harbutët: Kur janë të dobët, ulen; kur e marrin pak veten, të shajnë…!

Thua se Konica është e populluar prej grekësh, është se edhe unë grek do të jem. Të isha grek, do t’a kisha për nder, të parën se njeriu lavdërohet gjithmonë me kombin e tij, të dytën, se grekët na janë të ligj për Shqipërinë, janë të mirë për vetën e tyre, të tretën se grekët kanë ndritur botën. Po shtëpi më shqiptare se imja, nuk ka në të gjithë Shqipërinë.

Një shkrimtar frëng, duke folur për gjyshin e gjyshit tim, Zejnel bej Konicën, e bija e të cilit ishte e ëma e Ali Pashë Tepelenës, thotë: “Ky Bej i Konicës, ishte një i fuqishmi bej shqiptar, i lidhur nga gjaku me më të parat shtëpi shqiptare të Toskërisë, e martesa e së bijës së tij, Hanko, me Veli Bej Tepelenën, i dha këtij fortësinë e përgatiti madhështinë e Ali Pashës.

Aravantinoi thotë: “Zejnel Beu i Konicës, bej shqiptar ndër më të fuqishmit e asaj kohe, i cili kishte për stërgjysh një pasha, i dha të bijën”,…etj.

Nga këto libra, e shumë të tjera, rrëfehet sheshit se në shekullin e 16-të, shtëpia ime është e njohur si shqiptare. Ty, Zot nuk të kërkon 400, po vetëm 150 vitet e shqiptarisë. A je shqiptar? Mos të ka vjedhur në Shqipëri ndonjë llagem i Anadollit, si e rrëfen edhe krushqia që ke bërë me anadollakë?

Kam besuar kurdoherë se je Shqiptar, po me çfarë sëmundje je të më kujtosh grek, vallë mos kërkon duke bërë ashtu, të fshehësh kombësinë tënde të vërtetë?

Të kishe pak mend, nuk do të kishe folur ashtu. Në është se Konica ka shumë grekë; në është se Frashëri është i njohur kudo si një vend i populluar me racë vllehe, edhe pse rumunët e kanë bërë qendrën e propagandës së tyre, e kanë ngritur edhe shkolla vllehe; –

Edhe pse shqiptarët e këtyre viseve, janë për t‘u lavdëruar, se të mbash kombësinë shqiptare në mes të Shqipërisë, s’ është ndonjë punë e madhe, po kur je i rrethuar nga të huajt, atëherë është e rëndë. Shtëpia ime, brenda në Konicë, është e vetmja që flet shqip, dhe e ka mbajtur prej qindra vjetësh këtë gjuhë, – e sot një harbut me poture, vjen të më thotë se s’ jam shqiptar!!

Fola për Ali Pashën e Tepelenës. Kjo më kujton një teatër pune. Kam dëgjuar e ma ke thënë edhe ti vetë, me një çiltërsi që më pëlqeu, se gjyshi yt ka qenë hyzmeqar a qehaja, i Ali Pashës. Në ka qenë “Hyzmeqar” i një shtëpie të lidhur aq ngushtë nga gjaku me shtëpinë time, – më ngjan se ke kundër meje atë smirë të poshtër, që kanë shërbëtorët për të arritur më sipër, kundër zotërinjve. Apo gabohem?

Thua se unë, shumë herë, kam përdorur fjalë të ndyra. Po kundër njerëzve të ndyrë si ti, çfarë fjalësh të përdor? Fjalët e ftohta e të matura, i merrni për shenjë frike, ironinë a të tallurit, është i hollë e nuk i kuptoni. Atëherë çfarë fjale mbeten…? Po, në të pëlqejnë fjalët e holla, laj më parë kokën të të shporren ca morra, kalli edhe këmbët dy herë në ditë në acid fenik, që të mos vijnë erë, – e pastaj të shohim.

Thua se më shkruan për herë të fundit. Edhe unë të shkruaj për herë të fundit, se s’ke atë rëndësi sa të flas me ty çdo herë e, këto fjalë janë mjaft. Po s’ mund të them ashtu për gazetën që del në emrin tënd: Atë pa pushuar do ta godas, gjer sa ta marrin vesh e gjithë bota, se ç’qëllime keni.

Faik Konica

SHQIPTARËVE

Gjer më sot, nuk kam folur për vetën time, se s’ kemi nevojë të lërojmë gjuhën e, të punojmë për të zgjuar popullin tonë, e jo për të lëvduar veten. Po sot, disa njerëz të paturpshëm më shajnë a kujtojnë se më shajnë. Duroni të them dy fjalë. Dy fjalë vetëm, e ato fjalë do të jenë të Shahinit.

Ndoshta shumë do ta kenë për turp ta thonë, por unë e kam për nder: Mësoni pra se gjashtë vjet që e zura ALBANIEN, kam hequr gjashtë vjet mundime, për të jetuar. Sa shqiptarë kanë ardhur këtu në Bruksel, sa janë pjekur e kanë ndenjur me mua, e dinë se kurrë nuk kam mundur të dal nga vështirësitë.

Sa ndihma kam marrë e saqë në marsha – të cilat s’jam harbut a zuzar që t’i harroj e, kurrë s’kam për t’i harruar – e kam quajtur detyrë t’i prish të gjitha, për propagandën kombëtare; sa njerëz me qëllime të mira janë ndodhur e më kanë pjekur, duke më hapur kuletën e tyre, të gjithëve u kam thënë kë të ndihmojnë, ku t’i prishin të hollat, po për veten time, s’kam kërkuar, s’kam dashur; sa punëra janë ndodhur që mund t’i zija, por që do të më kishin shtrënguar, ta lë ALBANIA-n, të gjitha i kam lënë.

Në këtë mënyrë kam qenë gjithmonë në vështirësi. Në muajin dhjetor 1901, një njeri që kishte jetuar afro mot mot me mua, më shkruante një letër, në të cilën ndodhen këto fjalë: “Që vuan ti për ALBANIA-n, e di unë….! Herë ngrënë, e herë pa ngrënë…”! Njeriu që i shkruante ato fjalë, s’ishte tjetër, përveç Shahin Bej Kolonja!

Ky njeri i poshtër, ndoshta s’ka mjaft mend, sa ta kuptojë se ç’ndryshim u bë në mendjen e kombit shqiptar, kur doli ALBANIA, po fort mirë e di, se unë përveç dëmit, s‘ kam tjetër nga kjo punë, vuajtjet e mia i di, m’i ka shkruar, ua ka thënë edhe të tjerëve, e di se unë sa kohë të lidhem pas kësaj pune, jam një njeri i humbur, pa peshë, e se po të hiqem – edhe pa bërë ndonjë poshtërsi – do të shpëtoj nga kjo ditë; ai e di edhe se kam pasur vullnetin t’a mbaj këtë dritë, që e ndeza gjer sa të jetë nevoja; e di, kurrë nuk jam dëmtuar e, se kurrë nuk kam për të hequr dorë. E di se s’ qahem, se s’ lodhem, se jam i kënaqur si jam.

Me gjithë atë më shan. Me gjithë atë bën sikur s’më njeh. Me gjithë ato, më vë poshtë për shërbimet që i bëra kombit, se kastravecët e Stambollit, që i marrin urdhrat, punojnë për gjuhën turqishte e, s’kanë hequr kurrë një mundim për Shqipërinë.

A kam nevojë të shtoj fjalë të tjera? Ato fjalë të Shahinit, a nuk janë të mjaftueshme për të hapur sytë e të gjithëve? A nuk janë dënimi i tij, në dorë të tij? A nuk duket sheshit se më shajnë harbutët, është se unë u kam kuptuar gënjeshtrat, se kam vullnetin e mundshëm t’ua ndez në shesh, em t’i ndaloj të tallen me shqiptarët?

Le të bëhet nesër një ndryshim qeverie në Turqi, e të gjithë ata mëdhetarë që janë shqiptarë, se shohin fundin e Turqisë, do të bëhen sërish turq, se të turqizuar e kanë shpirtin, le të bëhet gjë në Shqipëri, e ata që kanë qenë të fundmit, për t‘i shërbyer kombit, do të jenë të parët për të zgjatur dorën të “mbledhin”.

Të tillë njerëz, pa mendime të vendosura, pa programe të shtruara, pa tjetër qëllim, përveçse të gënjejnë e të zënë shtigjet e mira, për të përfituar nga çdo të bëhet nesër, janë turpi dhe plaga e shqiptarisë. Këta njerëz do t’i godas e, do t’i godasim pa u lodhur.

Memorie.al

Artikujt polemizues të Faik Konicës (Nr. 4-5, prill –maj 1902, faqet 105-108).

Taktika e ‘çmendjes’ së Ilir Metës në gjyq synon bllokimin e procesit

Sulmi verbal i Ilir Metës ndaj Altin Dumanit në sallën e gjykatës, duket se përbën thelbin e një taktike të mirëmenduar.

Njëlloj si Berisha që ka zgjedhur të mos komunikojë me prokurorët, edhe Ilir Meta, duket se do të ndjekë të njëjtën rrugë, por me një qëndrim më agresiv.

Taktika është e mirëmenduar, dhe synon për të bllokuar procesin në gjykatë. Një taktikë e përdorur në të shkuarën nga emra të njohur të krimit, ku shpesh procesi gjyqësor vihej në kolaps me çështje procedurale.

Megjithatë Meta, nuk e ka luksin që të shkarkojë avokatin e ta bëjë atë me të gjithë që zgjedh shteti kryesisht, pasi i duhet një betejë paralele për të kërkuar lirimin nga burgu.

Ilir Meta, me sulmin verbal tenton që ta detyrojë gjykatën që ose të zgjidhë prblemin e rëndimit të tij psikologjik, ose të bllokojë procesin.

Nuk është fare e çuditshme që në ditët e ardhshme të kemi kërkesë edhe për shtrim në spital të Metës me shkakun e rëndimit të situatës së tij psikologjike.

E gjitha është një taktikë që Meta e ka nisur herët dhe me një strategji të caktuar. Pak ditë para se të arrestohej ai nxori një video në rrjetet sociale ku thoshte: Nuk vjen pranvera pa ikur vjeshta. Kjo strategji, pra çmendja dhe sherri permanent është përgatitur me kujdes, për të mos u përballur në gjykatë si me prokurorët, ashtu edhe me dëshmitarët e tjerë.

Meta po negocion me strategjinë e çmendjes, që të ndalohet zbardhja e të gjithë veprimtarisë së tij kriminale. Po me kë negocion Meta? Me amerikanët që janë mbrojtësit direkt të SPAK! Jo më kot Departamenti i Shtetit mbajti një qëndrim të posaçëm për arrestimin e Ilir Metës, ku deklaroi se “Shtetet e Bashkuara mbështesin përparimin e Shqipërisë drejt sundimit të ligjit, përfshirë përpjekjet e SPAK-ut për të ndjekur penalisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar, në përputhje me ligjin”./Pamfleti

Protesta e deputetëve të Berishës në PE, analisti Agim Baçi: Nuk e di si ia kanë shpjeguar eurodeputetëve që “SPAK është kriminal”

Në emisionin “Open” në News24, analisti Agim Baçi, referuar grupit të deputetëve të PD-së që zhvilluan takime dhe protestë para godinës së Parlamentit Europian, tha se një gjë është e paqartë se si mund t’ia kenë shpjeguar europarlamentarëve etiketimin se “SPAK është kriminal”.

Baçi tha se janë këta ndërkombëtarë që mbështesin SPAK-un në Shqipëri dhe unë nuk e di se çfarë mund ti kenë thënë, apo se si mund të kenë reaguar ato.

“Mendoj se janë vënë në një siklet të madh. Ne sot kemi informacione për protestën vetëm nga PD, por nuk kemi asnjë njoftim nga pala e europarlamentarëve. Protestën nuk e gjen askund të pasqyruar nga ndërkombëtarët, ne nuk e dimë se çfarë është diskutuar në takime”, tha Baçi.

Ai theksoi se ka 1 mijë arsye për të protestuar kundër Edi Ramës.

VOA: Lidhjet e Austrisë me Rusinë, shqetësim për aleatët

Dhjetëra mijëra persona, që do të ndiqnin koncertin e këngëtares Taylor Swift, këndonin në rrugët e Vjenës, ndërsa i dhuronin njëri-tjetrit byzylykë në shenjë miqësie. Ndërkohë, punëtorët çmontonin skenën ku pritej të shfaqej këngëtarja, brenda një stadiumi tashmë të boshatisur.

Organizatorët anuluan papritur tre shfaqjet e zonjës Swift, për shkak të rrezikut për një sulm nga militantët e grupit Shteti Islamik.

Shkëmbimi i të dhënave të zbulimit ndihmoi për parandalimin e një tragjedie, thanë zyrtarët austriakë dhe amerikanë. Por ai mbështetet në besimin e ndërsjellë – besimin se sekretet nuk do të bien në duar të gabuara, ose nuk do t’u zbulohen qeverive armiqësore.

Shqetësimi i aleatëve perëndimorë të Austrisë për këtë mundësi, është rritur gjithnjë e më shumë javët e fundit. Partitë politike të vendit kanë mbajtur një përqasje të hapur ndaj Rusisë për dekada – pjesë e një politike të jashtme tradicionale të neutralitetit – por jo në nivelin e Partisë së Lirisë të ekstremit të djathtë, e cila mori shumicën e votave në zgjedhjet e përgjithshme të muajit të kaluar.

Nëse Partia e Lirisë bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme të Austrisë, disa analistë paralajmërojnë se shkëmbimi i të dhënave të zbulimit mund të kufizohet në mënyrë drastike, ose mund të ndalet krejtësisht.

Për momentin, Partia Popullore e qendrës së djathtë ka mandatin për të formuar një koalicion qeverisës. Negociatat do të zhvillohen në javët dhe muajt në vijim pa Partinë e Lirisë, pasi konservatorët dhe të gjitha partitë e tjera kanë përjashtuar mundësinë e qeverisjes me të djathtën ekstreme. Por nëse këto negociata dështojnë, Partia e Lirisë do të jetë e gatshme për t’u përfshirë.

Zyrtarët austriakë dhe amerikanë konfirmuan se shkëmbimi i të dhënave të zbulimit ndihmoi për parandalimin e një tragjedie. Por ky lloj shkëmbimi informacioni mbështetet në besimin e ndërsjellë – besimin se sekretet nuk do të bien në duar të gabuara ose nuk do t’u zbulohen qeverive armiqësore. Për Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së, ndër qeveritë armiqësore përfshihet edhe Rusia.

Në shkurt 2018, kur kreu i Partisë së Lirisë Herbert Kickl ishte ministër i brendshëm, disa shërbime të huaja të zbulimit e përjashtuan Austrinë nga shkëmbimi i të dhënave të zbulimit, si pasojë e një operacioni policor, të urdhëruar nga ministria e tij, për të bërë kontroll në agjencinë e zbulimit të vendit.

Bastisja, e cila u shpall e paligjshme nga një gjykatë austriake në gusht 2018, tronditi vendin. Operacioni shkaktoi edhe ngritjen e një hetimi parlamentar dhe mbylljen e agjencisë.

A pati rol Rusia?

Nuk është ende e qartë se në çfarë përmasash mund t’i ketë ndikuar zhvillimet Rusia në prapaskenë.

Beate Meinl-Reisinger, drejtuese e partisë austriake Neos, tha gjatë një konference për shtypin në maj se, ose zoti Kickl dhe Partia e Lirisë pranuan me vetëdije të punojnë për interesat e Rusisë në vitin 2018, ose u përdorën.

Hetimi parlamentar zbuloi se zyrtarë të lartë në Ministrinë e Brendshme, në atë kohë të kryesuar nga zoti Kickl, luajtën një rol aktiv duke përdorur akuzat e ngritura në një dosje anonime ndaj zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe të shërbimit të zbulimit, për t’i shtyrë prokurorët që të firmosnin urdhërin për bastisjen. Zoti Kickl ka mohuar të ketë bërë ndonjë shkelje.

Akuzat në dosje, ndër të tjera për korrupsion, keqpërdorim të të dhënave konfidenciale dhe për ngacmime seksuale, dolën të pabaza, por vetëm pas katër vitesh hetimesh. Madje ende nuk është e qartë se kush e përpiloi dhe kush e bëri publike dosjen.

Mediat austriake raportojnë se hetuesit po shqyrtojnë nëse Egisto Ott, një ish-zyrtar i pakënaqur i zbulimit, i dyshuar për spiunazh në favor të Rusisë, mund ta ketë përpiluar dosjen në përpjekje për të dëmtuar shërbimin e zbulimit, ndoshta për shkak të zhgënjimeve të tij me agjencinë.

Ligjvënësi i Partisë së Gjelbër, David Stögmüller tha se duke nxitur bastisjen, Partia e Lirisë “dëshironte të shkatërronte agjencinë vendase të zbulimit dhe të krijonte diçka të re me fytyra të afërta me partinë e tyre”.

Përpjekjet e supozuara të Partisë së Lirisë për të reformuar agjencinë e zbulimit u ndërprenë vetëm pasi udhëheqësi i saj i atëhershëm u detyrua të jepte dorëheqjen, pasi u kap në video duke ofruar kontrata publike në këmbim të donacioneve për fushatën.

Pasojat e bastisjes janë ende duke u ndjerë. Ligjvënësit gjermanë kanë thënë se qeveria e tyre duhet të rishikojë bashkëpunimin e saj me Austrinë, nëse Partia e Lirisë është pjesë e qeverisë së re.

“Nën dritën e rrezikut masiv që paraqet Rusia për paqen dhe stabilitetin në Evropë, ne nuk mund të lejojmë që informacioni përkatës t’i dorëzohet drejtpërdrejt Rusisë”, tha për gazetën gjermane Handelsblatt në fillim të këtij muaji Konstantin Kuhle, ligjvënës i një nga partive në pushtet në Gjermani dhe anëtar i komisionit të mbikëqyrjes së zbulimit në parlamentin gjerman.

“Nëse Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë do të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme dhe do t’i jepet sërish kontrolli mbi agjencitë e zbulimit, besimi i shërbimeve të huaja të zbulimit sigurisht që do të jetë sërish në diskutim”, tha Thomas Riegler, një ekspert zbulimi me Qendrën Austriake për Studime të Zbulimit, Propagandës dhe Sigurisë.

Ndër objektet e sekuestruara në bastisjen e paligjshme të vitit 2018 ishte një kopje e të ashtuquajturës Baza e të Dhënave Neptun – ku përmbante informacionet sekrete të dërguara Austrisë nga agjencitë e huaja të zbulimit.

“Mosbesimi i partnerëve të huaj ndaj Partisë së Lirisë është i rrënjosur në marrëdhëniet e partisë me Rusinë”, tha zoti Riegler.

Partia e Lirisë bën thirrje për t’i dhënë fund sanksioneve ndaj Rusisë. Ajo kritikon ndihmën ushtarake perëndimore për Ukrainën dhe nënshkroi një marrëveshje miqësie në vitin 2016 me Partinë Rusia e Bashkuar e Presidentit Putin, marrëveshje për të cilën thotë se tashmë ka skaduar.

Por, Partia e Lirisë nuk është e vetmja që ka mundësuar ndikimin rus. Partitë kryesore kanë luajtur gjithashtu rolin e tyre, duke rrezikuar të dëmtojnë sigurinë austriake dhe evropiane. Kjo ka të bëjë shumë me historinë e Austrisë në periudhën e pasluftës.

Austria, e cila u aneksua nga Gjermania naziste në prag të Luftës së Dytë Botërore, deklaroi neutralitetin pas luftës, nën trysninë e aleatëve perëndimorë dhe Bashkimit Sovjetik. Ajo u përpoq të marrë rolin e një vendi ndërmjetës mes Lindjes dhe Perëndimit, duke kultivuar lidhjet me Moskën që zgjatën përtej Luftës së Ftohtë.

“Neutraliteti i Austrisë, organizatat e shumta ndërkombëtare në Vjenë, vendndodhja e saj gjeostrategjike dhe ligjet e buta për spiunazhin, të gjitha këto e kanë shndërruar Austrinë në një vatër për agjenturën ruse dhe të tjerë”, tha zoti Riegler.

Spiunazhi është i ndaluar në mënyrë të qartë vetëm nëse drejtohet kundër vetë Austrisë, por jo nëse synon vende të tjera apo organizatat ndërkombëtare.

Që nga viti 2020, 11 diplomatëve rusë të dyshuar për spiunazh u është kërkuar të largohen nga Austria. Në dallim, Gjermania mbylli katër nga pesë konsullatat ruse vitin e kaluar.

Deri në mars 2024, Rusia kishte 142 diplomatë dhe 116 punonjës të personelit administrativ dhe teknik të akredituar në Austri. Përafërsisht 25% prej tyre mund të jenë agjentë zbulimi, tha një zyrtar austriak i shërbimit të zbulimit, duke kërkuar që t’i ruhet anonimiteti.

Numri i vërtetë ka të ngjarë të jetë më i lartë: mund të përfshijë të afërmit e diplomatëve dhe punonjësit e institucioneve gjysmë-zyrtare, si shkollat, zyrat e linjave ajrore ose organizatat e mediave, shtoi zyrtari.

“Ngurrimi i Ministrisë së Jashtme austriake për të dëbuar më shumë diplomatë rusë është një skandal dhe përbën një rrezik sigurie për vendin”, tha Stephanie Krisper, e partisë NEOS që përkrah një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë.

Ministria e Jashtme e Austrisë thotë se numri i diplomatëve rusë të dëbuar është “në mesataren evropiane”.

Në një përgjigje me shkrim për agjencinë e lajmeve Associated Press, Ministri i Jashtëm Alexander Schallenberg tha se: “Pozicioni im është shumë i qartë: e drejta ndërkombëtare është baza e veprimeve të mia. Jam ministri i parë i Jashtëm austriak që nuk jam i shmangur marrjes së masave të duhura dhe dëbimit të diplomatëve, sa herë që më sillet në vëmendje se janë përfshirë në akte të papajtueshme me statusin e tyre diplomatik”.

Por në raportin e saj vjetor të vitit 2023, agjencia austriake e zbulimit të brendshëm, DSN, theksoi rrezikun e spiunazhit rus dhe të tjerë. Radarët dhe instalimet satelitore në çatitë e përfaqësive diplomatike ruse në Vjenë përdoren për mbledhjen e të dhënave të zbulimit për vende evropiane anëtare të NATO-s, tha DSN-ja, duke sjellë kështu një “humbje reputacioni” për Austrinë.

“Austria lejon që në tokën e saj të ndodhë spiunazhi që drejtohet kundër interesave dhe vlerave të sigurisë së vendeve evropiane dhe të shteteve të tjera partnere”, tha një diplomat i lartë evropian, që foli në kushte anonimiteti.

Duke patur parasysh lidhjet historike ndërmjet Austrisë dhe Rusisë, situata nuk ka gjasa të ndryshojë shumë, pavarësisht se kush është në qeverinë e ardhshme, tha diplomati.

“Nuk e meriton për një arsye”, Henry injoron Vinicius dhe zgjedh fituesin e Topit të Artë

Legjenda e Arsenal-it, Thierry Henry, ka zgjedhur mesfushorin e Manchester Cityt, Rodri, përpara sulmuesit të Real Madrid-it, Vinicius Junior, për Topin e Artë të vitit 2024.

Fituesi do të shpallet në Paris më 28 tetor.

Vinicius është një nga pretendentët kryesorë për çmimin e lakmuar pas një sezoni mbresëlënës 2023-24 me Los Blancos.

Pavarësisht se humbi disa ndeshje për shkak të dëmtimi, 24-vjeçari kontribuoi me 24 gola dhe 11 asiste në 39 paraqitje në të gjitha kompeticione, ndërsa skuadra e Carlo Ancelotti fitoi La Liga-n dhe Champions League.

Sulmuesi, megjithatë, pati një ecuri zhgënjyese me Brazilin në Kupën e Amerikës 2024 – duke shënuar dy herë në tri ndeshje – përpara se Seleçao të humbiste me penallti ndaj Uruguait në çerekfinale, me Vinicius që humbi ndeshjen për shkak skualifikimi.

Në një video të publikuar nga propsMCFC, Micah Richards dhe Henry kanë zgjedhur Rodri për Topin e Artë, me francezin duke shpjeguar pse nuk e meriton Vinicius:

“Vini Jr nuk bëri një paraqitje të mirë në Copa America, Rodri meriton Topin e Artë”.

Rodri pati një sezon të shkëlqyer me klubin dhe kombëtaren. Spanjolli kontribuoi me nëntë gola dhe 14 asiste në 50 ndeshje, ndërsa City u bë skuadra e parë në historinë e Premier League që fiton katër kampionate radhazi.

Gjithashtu, mesfushori fitoi edhe Europianin me Spanjën.

Jo vetëm portokalli! Ja 6 ushqime që kanë përmbajtje të lartë të vitaminës C

Kur dëgjojmë për vitaminën C, mendja na shkon automatikisht te portokalli. Megjithatë, ky frut i preferuar nuk është kampioni i vitaminës C! Një portokall me madhësi mesatare përmban rreth 69.7 mg vitaminë C, më pak se sa do të gjeni në shumë fruta dhe perime të tjera.

Megjithëse vitamina C e vetme nuk mund të parandalojë një ftohje, ajo ndihmon në forcimin e sistemit tonë imunitar, gjë që është shumë e rëndësishme. Prandaj, ne ju prezantojmë 7 ushqime që kanë më shumë vitaminë C se portokalli dhe janë shumë të lehta për t’u përfshirë në dietën tuaj!

  1. Specat e kuq

Specat e kuq janë një burim i shkëlqyer i vitaminës C, duke siguruar rreth 190 mg për filxhan. Kjo është trefishi i sasisë së një portokalli! Përveç vitaminës C, specat e kuq janë të pasur me vitaminë A, e cila ndihmon në funksionimin e mirë të shikimit.

  1. Specat jeshil

Specat jeshilë, megjithëse janë më të ulët në vitaminë C se specat e kuq, ende përmbajnë rreth 120 mg për filxhan, dyfishi i dozës së rekomanduar ditore. Është gjithashtu një burim i mirë i fibrave, të cilat kontribuojnë në funksionimin e duhur të sistemit të tretjes.

  1. Brokoli

Një filxhan brokoli mund t’ju sigurojë rreth 132 mg vitaminë C, së bashku me fibra dhe pak kalori. Përveç këtyre, studimet tregojnë se brokoli mund të ketë veti antikancerogjene, duke e bërë atë ideal për shëndetin tuaj.

  1. Lulelakra

Lulelakra, pavarësisht nëse e shijoni të pjekur, në avull apo të zier, mund t’ju japë 127.7 mg vitaminë C për racion. Është gjithashtu i pasur me fibra dhe proteina, duke e bërë atë një zgjedhje të shkëlqyer për një vakt të shëndetshëm dhe të kënaqshëm.

  1. Kivi

Kivi është i pasur me vitaminë C, me rreth 137.2 mg për racion (2 fruta). Është gjithashtu i pasur me kalium dhe bakër, duke e bërë atë një super-frut të vërtetë për shëndetin tuaj.

  1. Papaja

Papaja është një zgjedhje tropikale që nuk duhet të mungojë në dietën tuaj. Një filxhan papaja siguron rreth 88 mg vitaminë C, ndërsa ndihmon sistemin tretës të funksionojë siç duhet falë enzimave të saj. Përveç kësaj, ajo ka veti anti-inflamatore, duke kontribuar në një shëndet më të mirë të përgjithshëm.

Nuk është e nevojshme të mbështeteni vetëm tek portokalli për të marrë dozën e nevojshme të vitaminës C. Ka shumë opsione të tjera të shijshme dhe ushqyese që do t’ju ofrojnë një sasi edhe më të madhe të kësaj vitamine të çmuar!