25.5 C
Tirana
E hënë, 7 Korrik, 2025

Kokainë, çanta dhe tufa të mëdha me para! Pamjet kur policia kryen kontrolle! Miliona euro të sekuestruara dhe 52 urdhër arreste

Policia italiane ka publikuar pamjet e operacioni “Ura” të zhvilluar nga autoritetet e vendit fqinj dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK), ku janë lëshuar 52 urdhër arreste, ndërsa janë sekuestruar miliona euro.

Në pamje shihen çanta të tëra me euro, pako me kokainë, plane nga sallat operative dhe të vëzhgimit, si dhe pamje të filmuara gjatë fazës hetimore.

Operacioni kundër trafikut të narkotikëve është zhvilluar në Itali dhe në disa qytete në Shqipëri. Në vendin tonë urdhër arrestet janë lëshuar me urdhër të SPAK.

Mësohet se në Shqipëri janë kryer kontrolle në disa qytete. Në Fier është ndaluar administratori i një shoqërie transporti pasagjerësh.

Po ashtu urdhër arreste është dhënë edhe për një avokat në Durrës, për një ish punonjës policie. Po ashtu urdhër arreste jane leshuar edhe per disa persona me iniciale H.N, O.M, E.D, L.Ç.

Operacion me shkallë të gjerë/ Policia zbarkon në Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë. Kontrolle dhe urdhër-arreste!

Një operacin me shkallë të gjerë po zhvillohet nga forcat e rendit në disa qytete të vendit.

Mësohet se aksioni po zhvillohet në Tiranë, Durrës, Fier e Vlorë, ndërsa mësohet se lidhet me krimin e organizuar.

Janë kryer kontrolle, ndërsa ka dhe urdhër-arreste por detajet pritet të mësohen në vijim.

Burokracitë pengojnë deklarimin e etnisë për komunitetin rom dhe egjiptian

Organizata të shoqërisë civile që përfaqësojnë komunitetet rome dhe egjiptiane i janë drejtuar me një shkresë zyrtare ministrisë së Brendshme, duke i kërkuar zbatimin e vendimit të qeverisë për ngritjen e një komisioni të posaçëm për vetëdeklarimin e përkatësisë etnike.

VKM-ja e datës 26 dhjetor 2024, e miratuar në bazë të ligjit për pakicat kombëtare, përcakton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat për mbledhjen e të dhënave për identifikimin e personave që u përkasin pakicave kombëtare përmes një komisioni të posaçëm pranë ministrisë së Brendshme.

Gentian Sejrani nga Qendra “Drejtësi Sociale”, tha për Citizens.al, se mungesa e këtij komisioni po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të anëtarëve të komuniteteve.

“Në qoftë se një person [nga pakicat kombëtare] do që të marrë një vërtetim që i përket minoritetit egjiptian apo rom për arsye se do të fitojë nga bursa, përjashtimi i taksave vendore, apo nga çdo lloj programi tjetër që është pozitiv për të, nuk e përfiton dot sepse duhet të ketë këtë vërtetimin,” shpjegon Sejrani.

Sipas organizatave, mos-ngritja e këtij komisioni po pengon qasjen e komuniteteve në shërbime bazë si ulja në çerdhe, librat falas apo përfitimi nga kuotat në arsimin e lartë.

Më parë, vërtetimet jepeshin nga vetë organizatat e shoqërisë civile, por pas hyrjes në fuqi të VKM-së së vitit 2024, kjo praktikë nuk lejohet më – tashmë përkatësia etnike njihet vetëm kur vërtetimi lëshohet nga institucionet shtetërore.

Sipas relacionit që shoqëron vendimin e qeverisë, komisioni i vetëdeklarimit mblidhet të paktën dy herë në vit, ose sa herë që një e katërta e anëtarëve të tij e kërkon këtë.

Komisioni shqyrton dhe vlerëson formularët e personave që deklarojnë përkatësinë, më pas i pasqyron të dhënat në lista brenda 30 ditëve nga depozitimi i formularëve dhe në raste të veçanta, kur ka dyshime për saktësinë e vetëidentifikimit, kryhen verifikime duke kërkuar të dhëna nga regjistrat civilë.

Vendimi për konfirmimin ose jo të vetëidentifikimit duhet të jepet brenda 60 ditëve nga nisja e verifikimeve e më pas njoftohen personat përkatës. Sipas vendimit të qeverisë, për vendimet e komisionit ka dhe mundësi apelimi.

Mungesa e funksionalitetit të këtij komisioni është kthyer në pengesë serioze për qytetarët që i përkasin komuniteteve egjiptiane dhe rome për të përfituar nga të drejtat e garantuara me ligj.

Ky komunitet mbetet ndër më pak të përkrahurat dhe përfaqësuarat në sistemin politik shqiptar. Fakti se për të kërkuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre vijojnë të angazhohen 13 organizata, e konfirmon një gjë të tillë./ citizens.al

Sapo mbarojnë zgjedhjet, qeveria heq maskën/ Formalizon kritikat ndaj SPAK-ut

Nga Dallandyshe Xhaferri/ shteg.org

Në një klimë gjithnjë e më të tensionuar mes ekzekutivit dhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), dita e 19 majit 2025 solli një tjetër kapitull në betejën për kontrollin e drejtësisë në Shqipëri. Në sallën e Prokurorisë së Përgjithshme, kreu i SPAK, Altin Dumani, dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u përballën me një diskutim rreth rekomandimeve që Qeveria i ka adresuar për funksionimin e Strukturës së Posaçme gjatë vitit 2025.

Qeveria, nëpërmjet Këshillit të Ministrave, ka përgatitur tetë fusha rekomandimesh që sipas ministrit Manja janë të matshme dhe të zbatueshme. Këto rekomandime përfshijnë fusha të rëndësishme, nga sundimi i ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut, deri te forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ngritja e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimi i metodave bashkëkohore të hetimit.

Rekomandimet e qeverisë

Qeveria SPAK
Credits: shteg.org

Më 19 maj, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja shkoi në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’i dorëzuar zyrtarisht kreut të SPAK, Altin Dumani, dokumentin me “Rekomandimet e hartuara nga Këshilli i Ministrave për vazhdimësinë e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme për vitin 2025”.

Në një deklaratë për mediat, Ministri Manja sqaroi se këto rekomandime përfshijnë 8 fusha të ndryshme të luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe se, sipas tij, janë “të matshme, të zbatueshme dhe të hartuara në përputhje me prioritetet e shtetit ligjor”.

Që në hyrje të rekomandimeve, Qeveria kërkon të kufizohet përdorimi i arrestimeve, duke nxitur masat alternative të sigurisë si arresti në shtëpi apo garanci pasurore, për të shmangur, sipas saj, mbingarkesën e institucioneve të ndalimit. Po ashtu, theksohet se SPAK duhet të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe të ketë më shumë “maturim në vendimmarrje”.

Në dokument bien në sy se janë përfshirë të gjitha akuzat dhe qëndrimet e kryeministrit Edi Rama, të bëra muaj më parë, në kulmin e hetimeve dhe arrestimeve që prekën edhe emra të njohur të mazhorancës, përfshirë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në atë kohë, Rama dilte disa herë në ditë për të kritikuar SPAK, duke e akuzuar për “abuzim me pushtetin”, “shkelje të standardeve ndërkombëtare” dhe duke kërkuar “kujdes me masat e sigurisë” si dhe “më shumë kontroll institucional”.

“Në punën e SPAK-ut ka probleme që nuk shkojnë… e konsideroj të mbyllur fazën ‘no comment’. Ne do të ndërtojmë një qëndrim konstruktiv, do të bëjmë sa më shumë që jemi në gjendje për gjërat që nuk funksionojnë siç duhet,” – tha Rama tre muaj më parë, në rubrikën “Sy m’Sy”, ndërkohë që luftën ndaj korrupsionit e cilësonte vullnet të Partisë Socialiste dhe jo i SPAK, duke u sjellur ndjekësve të tij si shembull momentin kur Dumani kishte në dorë dosjen e ‘21 Janarit” nuk kishtë bërë asgjë.

Qeveria kërkon të kufizohet përdorimi i arrestimeve, duke nxitur masat alternative të sigurisë si arresti në shtëpi apo garanci pasurore, për të shmangur, sipas saj, mbingarkesën e institucioneve të ndalimit. Po ashtu, theksohet se SPAK duhet të veprojë në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, dhe të ketë më shumë “maturim në vendimmarrje”.

Në mënyrë të veçantë, vëmendje i është kushtuar ngritjes së një mekanizmi mbikëqyrës, një strukturë që do të monitorojë veprimtarinë e SPAK dhe do të sigurojë, sipas Qeverisë, “orientim dhe efektivitet të veprimit”. Ky propozim u pa nga Dumani si përpjekje për të kufizuar autonominë e Prokurorisë së Posaçme dhe për të vendosur një kontroll politik mbi veprimtarinë e saj hetimore.

Rekomandimet kërkojnë gjithashtu përmirësimin e bashkëpunimit të SPAK me institucionet e tjera shtetërore, rritjen e transparencës përmes raportimeve më të shpeshta ndaj Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, si dhe një përdorim më të sofistikuar të teknologjisë dhe metodave hetimore.

Por ndryshe mendon kreu i SPAK, Altin Dumani, i cili i konsideroi ndërhyrjet si presion ndaj punës së Prokurorisë së Posaçme dhe një tentativë për të kufizuar pavarësinë e saj.

Ky i fundit reagoi gjatë fjalës së tij duke vënë në dyshim bazueshmërinë dhe objektivitetin e dokumentit të qeverisë. Dumani theksoi se rekomandimet nuk shoqëroheshin me të dhëna statistikore, tregues konkretë apo një analizë krahasuese që do të justifikonte nevojën për ndërhyrje. Sipas tij, kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive.

“Një pjesë e rekomandimeve përdorin terma të përgjithshëm si ‘hetimet proaktive’ apo ‘forcimi i qasjes strategjike’, por nuk ofrojnë asnjë përkufizim operacional,” u shpreh Dumani.

Një nga pikat që ndezi më shumë debat ishte ajo që i referohej “integritetit, transparencës dhe përgjegjshmërisë”, ku kërkohet forcimi i mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe rritja e llogaridhënies përtej procesit të vetting-ut. Ministri Manja theksoi se “duhet trajtuar seriozisht çdo ankesë për sjellje të papërshtatshme dhe të rritet transparenca për qytetarët”.

Por për këtë rekomandim, Dumani vuri në dukje se SPAK tashmë mbikëqyret nga dy institucione të pavarura të drejtësisë – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD). Ai paralajmëroi se ngritja e strukturave të reja vlerësimi dhe integriteti, pa analizuar funksionalitetin e mekanizmave ekzistues, mund të çojë në mbingarkesë burokratike dhe ndërlikime të panevojshme.

Ligji i vitit 2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” e përcakton qartë rolin mbikëqyrës të KLP-së dhe ILD-së. Sipas këtij ligji, prokurorët e SPAK dhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) emërohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë me mandat 9-vjeçar, i cili mund të ndërpritet vetëm nëse ILD kërkon procedim disiplinor. Po ashtu, drejtuesi i BKH-së mund të lirohet nga detyra vetëm me vendim të KLP-së në raste të përcaktuara nga ligji, si përfundimi i mandatit apo shkelje të kushtetutës.

Gjithashtu, drejtuesi i SPAK ka detyrimin ligjor që brenda datës 1 mars të çdo viti t’i dorëzojë KLP-së një raport të detajuar mbi veprimtarinë e strukturës për vitin pararendës.

Konfirmimi vjen nga Meloni: Mirënjohje për Papa Leo XIV, Vatikani është gati të presë bisedimet Rusi-Ukrainë

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, pati një bisedë telefonike me Atin e Shenjtë Papa Leo XIV mbi hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të ndërtuar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

Kjo vjen pas telefonatës me Presidentin Trump dhe udhëheqës të tjerë evropianë, gjatë së cilës Kryeministres italiane iu kërkua të verifikonte gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të pritur negociatat.

Duke gjetur tek Ati i Shenjtë konfirmimin e gatishmërisë për të pritur bisedimet e ardhshme midis palëve në Vatikan, Kryeministrja italiane shprehu mirënjohje të thellë për hapjen e Papa Leo XIV dhe për angazhimin e tij të pandërprerë për paqen.

Liverpuli nuk ndalet, kampionët bëjnë gati 45 milionë paund për… Kerkez

Liverpuli është duke avancuar në bisedimet për një marrëveshje me mbrojtësin e Bornmëthit, Milos Kerkez. Ata po diskutojnë një tarifë transferimi me “Qershitë” dhe janë gjithashtu pranë marrëveshjes për kushtet personale me mbrojtësin e majtë 21-vjeçar, sipas ekspertit italian të merkatos, Fabricio Romano.

Kerkez do të bëhej blerja e dytë e kampionëve të Anglisë këtë verë, pas mbrojtësit të krahut të djathtë të Bajer Leverkusenit, Xheremi Frimpong, i cili dje ndodhej në Angli për të kaluar vizitat mjekësore.

Frimpong ka rënë dakord për një kontratë pesëvjeçare me skuadrën e Arne Slotit dhe klubi ka aktivizuar klauzolën e tij të lirimit prej 29.5 milionë paundësh (35 milionë euro), pasi e shikonte 23-vjeçarin si kandidatin më të mirë për të zëvendësuar Trent Aleksander-Arnoldin. Sipas “The Times”, Bornmëthi thuhet se ka vendosur një çmim prej 45 milionë funtesh për kartonin e Kerkezit, i cili konsiderohet një nga asetet e tyre më të çmuara. Shpenzimet e Liverpulit për mbrojtësit e krahut mund të arrijnë kështu në gati 75 milionë paund.

Skuadra e Andoni Iraolës do të ngurrojë të humbasë një lojtar që ka qenë një nga futbollistët e tyre më të mirë gjatë dy sezoneve të fundit dhe i cili ka ende tre vjet të mbetura në kontratën e tij. Por ai ka tërhequr vëmendjen e një mori klubesh të mëdha dhe nëse Liverpuli e transferon atë, ata do të mposhtnin skuadra si Mançester Junajtid.

Kerkez ka shënuar dy gola dhe ka dhënë gjashtë asiste këtë sezon. Ardhja e serbit në “Anfield” do ta linte të pasigurt të ardhmen e Endi Robertsonit dhe Kostas Cimikasit. Mbrojtësi skocez ka nisur të mos e ketë më të sigurt vendin e titullarit pas 8 sezonesh dhe tani që është në moshën 31-vjeçare. Pas një faze përgatitore të dobët, ngarkesa e punës së Robertsonit ka pasur nevojë për menaxhim, megjithatë ai ka vazhduar të bëjë 44 paraqitje në të gjitha kompeticionet, 37 prej të cilave i ka luajtur si titullar.

Ato janë më shumë se Kerkez, i cili mbërriti në Bornmëth për 15 milionë paund nga skuadra holandeze AZ Alkmarit dy vjet më parë. Kerkez e filloi karrierën e tij te moshat e Milanit, përpara se t’i bashkohej AZ në janar të vitit 2022. Drejtori sportiv i Liverpulit, Riçard Hjuxhs, ishte drejtor teknik i Bornmëthit në kohën kur klubi i bregut jugor rrëmbeu lojtarin e kombëtares hungareze.

Bornmëthi ngurron të shesë yjet e tyre më të mirë, por klubi është i ndërgjegjshëm se ata mund të kenë pak shanse për të zgjedhur në këtë çështje. Presidenti amerikan Bill Folej ka sugjeruar se nuk do t’i pengojë nëse ata zgjedhin të largohen. Reali i ka paguar tashmë klauzolën 50 milionë paund qendërmbrojtësit Din Huijsen.

Mëlçia, një nga organet më të rëndësishme jetësore! Ja çfarë e dëmton dhe 8 ushqimet që e pastrojnë

Ne jetojmë në një botë ku sëmundjet janë vazhdimisht në rritje. Ky fenomen është për shkak të shumë faktorëve, siç janë mjedisi në të cilin jetojmë, ushqimet që konsumojmë dhe në përgjithësi stili i jetesës që kemi zgjedhur.

Mëlçia është një nga organet më të rëndësishme që duhet të mbrohet. Burimi më i zakonshëm i dëmtimit të mëlçisë është përdorimi i alkoolit, por edhe yndyra e tepërt në dietën tonë mund ta dëmtojë atë. Për fat të mirë, zgjedhjet e mira ushqimore mund ta mbajnë mëlçinë të shëndetshme.

Por pse është e rëndësishme mëlçia?

Është gjëndra më e madhe në trup. Pa mëlçinë, askush nuk mund të mbijetojë. Kryen një numër funksionesh, të cilat janë shumë të rëndësishme për shëndetin.

  • Detoksifikon gjakun, për të hequr qafe substancat e dëmshme (si toksinat, drogat, alkoolin)
  • Ruan glikogjenin që trupi ta përdorë kur nivelet e sheqerit në trup bien nën normalen
  • Prodhon tëmthin, një substancë e nevojshme për tretjen e yndyrnave
  • Zbërthen hemoglobinën, si dhe insulinën dhe hormonet e tjera.
  • Shkatërron qelizat e kuqe të gjakut të vjetra

Mëlçia kryen shumë funksione jetësore, prandaj është shumë e ndjeshme ndaj sëmundjeve. Pra, për ta mbajtur mëlçinë tuaj të shëndetshme, mund të përfshini disa nga ushqimet e mëposhtme në dietën tuaj.

Grejpfrut: Ky frut është i pasur me vitaminë C dhe antioksidantë, të cilët ndihmojnë në detoksifikimin e mëlçisë dhe rrisin procesin e saj natyror të pastrimit.

Panxhar dhe karrota: Karotat janë të pasura me glutation, një proteinë që ndihmon në detoksifikimin e mëlçisë. Gjithashtu, të dy ushqimet janë të pasura me flavonoide dhe beta-karoten, të cilat ndihmojnë në stimulimin dhe përmirësimin e funksionit të përgjithshëm të mëlçisë.

Arra: Arrat janë një burim i mirë i glutationit, acideve yndyrore omega-3 dhe aminoacidit argininë, i cili ndihmon në detoksifikimin e mëlçisë, veçanërisht nga amoniaku, një përbërës i dëmshëm për trupin.

Hudhër: Ai përmban përbërës që aktivizojnë enzimat e mëlçisë, të cilat janë përgjegjëse për eliminimin e toksinave nga trupi. Gjithashtu përmban alicin dhe selen, dy lëndë ushqyese të fuqishme që ndihmojnë në procesin e detoksifikimit dhe mbrojnë mëlçinë nga toksinat.

Çaj jeshil: Çaji jeshil është plot me antioksidantë, katekinat e njohura, të cilat ndihmojnë mëlçinë të funksionojë siç duhet. Përveç kësaj, kjo pije e njohur mbron mëlçinë nga akumulimi i toksinave, duke zvogëluar efektet e tyre të dëmshme.

Shafran i Indisë: Shafrani i Indisë është erëza e preferuar e mëlçisë dhe ndihmon në përmirësimin e detoksifikimit. Gjithashtu rinovon qelizat dhe rrit prodhimin e tëmthit.

Mollë: Ato janë të pasura me pektinë dhe kimikate të tjera të nevojshme për të pastruar dhe çliruar toksinat nga sistemi tretës.

Manaferra: Boronicat ofrojnë përfitime të shumta, dhe kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për mëlçinë tuaj. Boronicat përmbajnë antioksidantë të quajtur antocianina, të cilët parandalojnë rritjen e qelizave kancerogjene në mëlçi. Studime të shumta mbi kafshët kanë treguar përfitime të mëtejshme. Tek minjtë, konsumi i rregullt i ekstraktit të boronicës rriti përgjigjen e qelizave imune dhe nivelet e enzimave antioksiduese, si dhe ngadalësoi rritjen e fibroideve, lezione në mëlçinë e tyre.

Nga Dushku te 2025-a: si strategjitë zgjedhore komandojnë fituesin

Anjeza Xhaferaj

Publiku dhe një pjesë e mediave kanë rënë sërish në grackën e “votës së preferencës”. Pak ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme, llogaritjet se “kush mori më shumë vota personale” po shiten si provë dashurie popullore, sikur të kishim një garë të pastër mes individësh. Por kodi i modifikuar në korrik 2024 i ka vënë kufij shumë të qartë kësaj gare: një e treta e listës është e mbyllur, dy të tretat formalisht të hapura. Që në start kryetarët çimentojnë vendet e para dhe vetëm pjesa që mbetet lihet “në dorë” të preferencës së zgjedhësve. Rezultati? Vota personale matet brenda një fushe ku vija e finishit është shënuar paraprakisht nga selitë partiake.

Rasti i Ilir Alimehmetit është simptomatik. Nëse mjeku do të ishte futur në segmentin e mbyllur të PD-së, askush nuk do ta dinte se ç’mbështetje reale kishte; do ta shihnim thjesht si “një nga emrat fitues”. Duke qenë në listën e hapur, ai grumbulloi mbi tetëmbëdhjetë mijë vota, por mbeti jashtë Kuvendit sepse partia kishte vetëm shtatë mandate të hapura në Tiranë dhe struktura u mobilizua të siguronte dikë tjetër. Kjo tregon se, edhe kur votuesi ka hapësirë të shprehë preferencën, filtrat e brendshëm të partisë mund ta zhbëjnë atë.
Nga ana tjetër, Taulant Balla në 2021 grumbulloi gati dyfishin e votave të Edi Ramës në Qarkun Elbasan, ndërsa Lulzim Basha kaloi Sali Berishën në Tiranë.

Sidoqoftë, asnjë nga këto rekorde personale nuk ndryshoi ekuilibrat e pushtetit brenda partive. Balla nuk ia mori PS-në Ramës dhe Basha nuk e mbajti dot PD-në: struktura vertikale e partisë mbetet autoriteti real që vendos kush fiton mandat, kush ngjitet në hierarki dhe kush mbetet jashtë loje.
Ky fenomen nuk është i ri. “Dushku i vogël” në 2021 dhe “Dushku i madh” në 2005 dëshmuan se një parti mund të fitojë shumicën parlamentare edhe me një rezultat modest në listën kombëtare, nëse rregullat i lejojnë të kapitalizojë mbi vota njëemërore. Asokohe PD mori rreth shtatë për qind në proporcional dhe gjithsesi formoi qeverinë. Ajo që na thonë këto precedentë është se vota individuale shpjegohet vetëm duke parë arkitekturën e sistemit zgjedhor.

Pas çdo pale zgjedhjesh vjen korri i thirrjeve për një “sistem më të mirë”. Është e kuptueshme, por duhet pranuar se modeli perfekt nuk ekziston. Nëse kalojmë në proporcional kombëtar me lista krejtësisht të hapura, partitë e mëdha do të rrisin pragun elektoral ose do të ndërtojnë skema të reja financimi për të mbajtur kontrollin. Nëse zbresim në zona edhe më të vogla, rrezikojmë t’ua dorëzojmë listat klaneve lokale dhe patronazhit rajonal. Çfarëdo formule të zgjedhim, PS dhe PD – si parti masash, me rrjete klienteliste të gjera – do të përshtatin strategjitë për të maksimizuar votat e tyre dhe për të çuar në Kuvend pikërisht ata kandidatë që u duhen.

Prandaj entuziazmi për “deputetin më të votuar” duhet të shoqërohet me një shënim kritik: numrat flasin, por vetëm brenda kornizës që kanë dizajnuar vetë partitë. Pyetja që ia vlen të shtrohet nuk është sa vota personale ka marrë një kandidat, por sa konkurrencë reale lejon sistemi dhe sa llogaridhënie u imponon strukturave partiake. Derisa këto të fundit të hapen, vota preferenciale do të mbetet një pasqyrë e pjesshme – shpesh e shtrembëruar – e realitetit tonë politik.

Betejë mafioze për plaçkën publike/ Bashkia e Durrësit refuzon për herë të tretë KPP-në për tenderin 1.7 milionë euro të Rajlit

Klodian Tomorri

Një tender me vlerë 1.7 milionë euro për rindërtimin e një pallati të dëmtuar nga tërmeti në Durrës është shndërruar mirëfilltazi në një betejë mafioze me klaneve të pushtetit për të ndarë plaçkën e pushtetit.

Situata ka degraduar deri në atë pikë saqë Emiriana Sako, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, ka refuzuar dy herë të zbatojë vendimin e Komisionit të Prokurimeve Publike për të rivlerësuar fituesin e tenderit, të cilin Bashkia e Durrësit ia kishte dhënë kompanisë manare të saj, Rajli Ndërtim.

Pas refuzimit për herë të dytë nga Bashkia e Durrësit për të rivlerësuar fituesin, Komisioni i Prokurimeve Publike është detyruar të dalë më nje vendim tjetër, duke ndaluar për herë të tretë Bashkinë, që të shpallë fituese dhe të lidhë kontratën me kompaninë Rajli Ndërtim.

Ky është një rast i papreçedentë kur drejtuesi i një institucioni ekspozohet kaq haptazi për të favorizuar një kompani, e cila dihet botërisht se është e lidhur me zyrtarët e lartë socialistë të Durrësit.

Por ajo që po ndodh me tenderin për rikonstruksionin e Pallatit nr.167 ”Viko” në lagjen 13 të Durrësit është më shumë se kaq. E gjitha kjo ngjan në fakt si prologu i mandatit të katërt të socialistëve; lufta e ashpër brenda llojit për të ndarë plaçkën publike.

Tenderi
Tenderi për rindërtimin e pallatit u zhvillua nga Bashkia e Durrësit në datën 17 prill. Në të u paraqitën 6 oferta nga kompani apo bashkime kompanish të ndryshme. Bashkia e Durrësit skualifikoi 5 ofertat duke kualifikuar vetëm kompaninë e saj të preferuar, Rajli Ndërtim.

Por menjëherë pas vendimit të Bashkisë për të skualifikuar të gjitha ofertat, përveç asaj të Rajlit, një bashkim kompanish i përbërë nga Lis Konstruksion dhe Murati u ankuan në Komisionin e Prokurimeve Publike.

Në datën 28 prill KPP e shqyrtoi ankesën e dy kompanive dhe urdhëroi Bashkinë e Durrësit që të rivlerësonte procedurën e prokurimit dhe skualifikimin e kompanive në fjalë.

Dy ditë më vonë, Bashkia i kthen përgjigje Komisionit të Prokurimeve duke e informuar se e ka rivlerësuar procedurën në përputhje me vendimin e KPP. Por kjo nuk ishte e vërtetë, çka e detyroi Komisionin e Prokurimit Publik që në datën 2 maj të ndërhyjë me një tjetër vendim, ku i kërkonte Sakos që të zbatojë vendimin e parë të KPP-së.

Refuzimi i dyte i KPP

Në datën 8 maj, Bashkia e Durrësit ka ridërguar për herë të dytë shkresë në KPP për rivlerësimin tenderit duke lënë sërish fitues Rajlin. Por edhe herën e dytë Bashkia e Durrësit nuk e ka zbatuar vendimin e KPP-së.

“KPP konstaton se, autoriteti kontraktor ka kryer ri-vlerësimin e procedurës në sistemin e prokurimit elektronik dhe ka rivlerësuar bashkimin e operatorëve ekonomikë “Lis Konstruksion” Shpk & “Murati” Shpk, duke moszbatuar konstatimet referuar vendimit të KPP-së Nr.571/2025, datë 28.04.2025,” thuhet në vendimin e KPP.

Madje sipas KPP-së, në procedurën e dytë të rivlerësimit Bashkia e Durrësit ka shtuar në mënyrë të paligjshme edhe dy arsye të tjera për skualifikimin e kundërshtarëve të kompanisë Rajli, të cilët kishin ankimuar tenderin, bashkimi i kompanive “Lis Konstruksion” Shpk & “Murati” Shpk.

Për shkak të kësaj situate, KPP ka vendosur të pezullojë pë herë të tretë tenderin duke e ndaluar Bashkinë e Durrësit të vijojë më tej me procedurën, pa zbatuar më parë vendimin e parë të KPP-së.

Refuzimi i trete i KPP

Kompani manare
Rajli është një kompani, e cila ekziston vetëm për të kanalizuar paratë e rindërtimit nga arka publike në llogari private. Sipas të dhënave zyrtare nga Open Data Albania, në pesë vitet e fundit kjo kompani ka përfituar gjithsej 11.3 milionë euro pagesa nga fondet publike. Nga këto 11 milionë euro kanë ardhur vetëm nga Bashkia e Durrësit.


Me pak fjalë, Rajli është kompania manare e Bashkisë së Durrësit dhe ekziston vetëm për të marrë para nga kjo bashki. Në qytetin e Durrësit përflitet se Rajli Ndërtim është një kompani që si pronarë faktikë ka funksionarë të lartë të Partisë Socialiste të Durrësit. Shifrat zyrtare dhe ekspozimi haptaz kundër ligjit i Emiriana Sakos për Rajlin e përforcojnë jo pak këtë version.

Por përballë të gjitha këtyre fakteve, nuk ndodh asgjë./kapitali.al

Naim Meta: Shqipëria nën Peshën e ‘Bashkimit të hienave’

Nga Naim Meta

Shqipëria ka kaluar nëpër transformime të mëdha politike që nga rënia e komunizmit, por thelbi i qeverisjes ka mbetur në thelb i pandryshuar: një elitë politike e njëjtë, e rikonfiguruar sipas interesave të saj, që shpesh ka përdorur simbolikën kombëtare për të mbuluar praktikat klienteliste dhe autoritare. Liderët e së majtës dhe së djathtës nuk kanë ndërtuar një kulturë të konsoliduar demokratike, përkundrazi, në shumë raste kanë kontribuar në zhbërjen e themeleve të saj.

Enver Hoxha ndërtoi një regjim totalitar që zhduku opozitën dhe shkatërroi klasën intelektuale. Pas tij, Fatos Nano, Sali Berisha dhe Ilir Meta, në vend që të ndërtonin institucione të pavarura dhe një ekonomi të shëndetshme tregu, shpesh u përfshinë në praktika klienteliste që krijuan një klasë të re oligarkësh. Nga ana tjetër, përsëri Sali Berisha me një tjetër aktor Edi Rama, pavarësisht retorikave diametralisht të kundërta, kanë ndjekur një model të ngjashëm të kapjes së shtetit, instrumentalizimit të administratës publike dhe kontrollit të institucioneve.

Në vend që të prodhonin një elitë shtetformuese, qeveritë e këtyre liderëve kanë nxjerrë “kuadro të përgatitur” sipas modelit të organizatave mafioze si Camorra apo Cosa Nostra. Ato kanë ngritur rrjete patronazhi dhe klientelizmi që e shndërrojnë pushtetin në një mjet për kontrollin e burimeve dhe të votës qytetare. Sistemi zgjedhor është shpesh më shumë një mjet legjitimimi sesa një reflektim real i vullnetit popullor.

Marrëveshjet e fshehta apo publike mes liderëve kryesorë, si ajo e përfolura ndër vite ndërmjet Berishës dhe Ramës, janë shenjë e një paktit të mos-sulmimit, që synon ruajtjen e një status quo-je të favorshme për të dyja palët. Në këtë kuptim, ata nuk e ndajnë pushtetin përmes konkurrencës demokratike, por përmes parcelizimit të tij, duke ndarë, hambarin e votave, si një plaçkë lufte.

Në një vend ku flamuri kombëtar shpesh valvitet për të mbuluar shkatërrimin institucional, qytetari ndodhet në një pozitë të pasigurt. Megjithatë, siç thotë një fjalë e urtë popullore, i drejti zhytet, por nuk mbytet.

Shpresa për një Shqipëri ndryshe ekziston ende, por kërkon angazhim të thellë qytetar, transparencë, si dhe një elitë të re politike që e sheh shtetin si pronë të përbashkët dhe jo si mjet përfitimi personal.