20.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Gjermania gati për luftë! FAZ zbulon planin me tre faza të Berlinit si do të veprojë nëse sulmohet nga Rusia

Sipas gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, dokumenti, i quajtur Plani Operacional i Gjermanisë, liston ndërtesat kryesore tregtare dhe infrastrukturën që duhet të mbrohen nga Forcat e Armatosura Gjermane.

Në të njëjtën kohë, ai po u jep bizneseve lokale këshilla se si t’i përgjigjen luftës – duke përfshirë përgatitjen për të zëvendësuar stafin në rast se punëtorët migrantë largohen nga Gjermania.

Ai gjithashtu raportohet se përmban këshilla për të zgjuar komunitetet lokale në lidhje me mbikëqyrjen me dron, sulmet kibernetike dhe forma të tjera të spiunazhit.Ai gjithashtu detajon se si Gjermania do të menaxhonte në mënyrë logjistike pritjen e dhjetëra mijëra trupave të NATO-s nëse kërkohet.

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha në një deklaratë se lëshimi i një rakete balistike hipersonike nga Rusia kundër Ukrainës përbënte një “përshkallëzim të tmerrshëm” në konflikt, por në të njëjtën kohë mbrojti zgjedhjen e tij të “maturisë” në mbështetjen ushtarake për Kievin.

“Ne nuk duam t’i ofrojmë Ukrainës raketa lundrimi të afta për të depërtuar thellë në territorin rus,” përsëriti kreu i qeverisë gjermane, duke theksuar se sipas tij “maturia dhe një mbështetje e qartë për Ukrainën shkojnë dorë për dore”.

Ndërkohë lufta në Ukrainë po merr përmasa globale , me Kremlinin që përshkallëzon retorikën e tij të kërcënimeve kundër gjithçkaje në baza ditore dhe Perëndimin që e deklaron veten të gatshëm për çdo eventualitet.

Dmitry Peskov u kthye sot me kërcënime të reja, duke deklaruar se “vendimet dhe veprimet e pamatura të vendeve perëndimore që prodhojnë raketa, i furnizojnë ato në Ukrainë dhe marrin pjesë në sulmet në territorin rus, nuk mund të mbeten pa përgjigje”.

Megjithatë, pavarësisht paralajmërimeve të Moskës, zyrtarët perëndimorë e bëjnë të qartë me çdo ton se NATO nuk i shmanget kërcënimeve.

Siç raportoi një përfaqësues i aleancës së Atlantikut të Veriut, përdorimi i një lloji të ri rakete balistike nga Rusia në Ukrainë “nuk do të ndryshojë rrjedhën e konfliktit dhe as do të parandalojë” mbështetjen e NATO-s për Kievin.

Ndërkohë, për këto zhvillime të reja, NATO dhe Ukraina do të mbajnë një takim urgjent në Bruksel javën e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, një zyrtar i lartë ushtarak i Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se forcat e armatosura të vendit do të jenë të gatshme të luftojnë Rusinë edhe “sonte” nëse është e nevojshme, siç raporton CNN.

Mirlind Daku shpërthen me dy gola në Rusi, Silvinjo nuk shkon në Amerikë

Tifozët që pëlqejnë Silvinjon si trajner të skuadrës kombëtare mund të rrinë të qetë, pasi Inter Miami në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka gjetur trajner të ri dhe ai është Havier Maskerano, një shok i Lionel Mesit. Edhe pse braziliani i pankinës së përfaqësueses tonë shihej si një emër kandidat, duket se në Amerikë nuk kanë pritur diskutime e të humbasin kohë, ndaj e kanë bërë zgjedhjen e trajnerit shpejt e shpejt. Nga ana tjetër, disa lojtarë të Kombëtares kanë gjetur rrugën e rrjetës ditën e djeshme, duke spikatur me gola me skuadrat e tyre në kampionatet ku aktivizohen, ku vëmendjen kryesore e mori Mirlind Daku me dygolësh në Rusi, por s’mbeti pas edhe veterani Sokol Cikalleshi, që shënoi me Traktorin në Iran.

Pas disfatës me Ukrainën në ndeshjen e fundit të edicionit në Ligën e Kombeve, me pasojë rënien një ligë më poshtë, këto informacione janë shkëndija të një gjallërimi të kuqezinjve. Kujtojmë që Shqipëria e mbylli në vend të fundit në grupin 1 të Ligës B të Kombeve dhe ra një ligë më poshtë (në C) dhe kjo u pa si një dështim spektakolar i skuadrës dhe i trajnerit Silvinjo, për të cilin nuk munguan zërat se duhej shkarkuar. Ndërkohë, debatet e brendshme mes lojtarëve të përfaqësueses vijojnë, por ka dhe presion në rritje për ndryshime. Nga ana tjetër, performanca e kuqezinjve në disa vende sa vjen e rritet dhe kjo është gjë e mirë për ekipin kuqezi dhe vazhdimësinë në eliminatoret e Botërorit 2026 që do të luhen vitin e ardhshëm.

Silvinjo mbetet në krye të Shqipërisë

Silvinjo ishte një nga kandidatët për të marrë drejtimin e Inter Miamit në sezonin e ri të MLS. Gjithsesi, tekniku brazilian nuk ka zgjedhur të largohet nga Shqipëria, duke respektuar deri në fund kontratën e tij dhe të arrijë misionin për të kualifikuar kuqezinjtë në Botëror. Nga ana tjetër, David Bekham duket se e ka gjetur zëvendësuesin e Tata Martinos, i cili do të jetë një tjetër argjentinas. Bëhet fjalë për ish-mbrojtësin e Barcelonës, Javier Maskerano. Sipas informacioneve të raportuara nga “Tyc Sports”, argjentinasi do të drejtojë një ekip plot me shokë të vjetër si Lionel Mesi, Luis Suarez, Zhordi Alba dhe Serxhio Buskets.

Daku kthehet në Rusi e shënon dy gola për Runin Kazanin

Sulmuesi i Shqipërisë, Mirlind Daku, ka qenë vendimtar të premten në fitoren 3:0 të Rubin-Kazanit ndaj Akron Togliattit. Kjo ndeshje i takoi xhiros së 16-të të elitës së futbollit rus. Daku i shënoi dy golat e parë për Rubin-Kazanin. Golin e parë e realizoi në minutën e dhjetë ndërsa të dytin e shënoi në minutën e 20-të. Daku luajti deri në minutën e 90-të kurse Dardan Shabanhaxhaj luajti deri në minutën e 78-të. 26-vjeçari Me këto gola, Daku shkon në shifrën e tetë golave të shënuar në elitën e futbollit rus, ndërsa ka realizuar edhe katër asiste. Ekipi i tij, Rubin Kazani zë vendin e shtatë në tabelë me 22 pikë të tubuara në 16 ndeshje këtë edicion të garave në Rusi. Daku nuk ia doli të ishte përcaktues në ndeshjet e këtij sezoni në Ligën e Kombeve dhe performanca e dobët e Shqipërisë tregon se sulmuesit nuk e thanë si duhet fjalën e tyre.

Çfarë është rezistenca ndaj antibiotikëve dhe përse konsiderohet kërcënim?

Mjekësia po përballet me sfida të reja mbi përdorimin e antibiotikëve. Shpesh herë janë përdorur keq, duke i pezulluar në përmirësimet e para, duke i vetëpërshkruar, duke i marrë kur nuk kanë qenë të nevojshme, shkruan salute.eu.

Shkencëtarët kanë nxjerrë konkluzion se shumë antibiotikë nuk funksionojnë më. Quhet rezistenca ndaj antibiotikëve (AMR, rezistenca antimikrobiale) dhe është historia e një kategorie barnash shumë të fuqishme, të cilat, megjithatë, tani nuk janë në gjendje të mposhtin infeksionet më të zakonshme.

Rezistenca ndaj antibiotikëve është urgjenca e re shëndetësore dhe shifrat e tregojnë këtë: çdo vit përllogaritet 1.27 milionë vdekje që i atribuohen infeksioneve bakteriale rezistente ndaj antibiotikëve, 7.7 milionë vdekje të lidhura me infeksionet, e barabartë me 1 në 8 të të gjitha vdekjeve globale, duke i bërë të lidhura me bakteret ndërlikimet ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në nivel global.

Pse jemi bërë rezistent, edhe ndaj atyre që i përdornin këto barna me masë?

Arsyet janë të shumta: një përdorim më i madh se ç’duhet dhe shpesh i papërshtatshëm si në mjekësinë njerëzore ashtu edhe në atë veterinare, në bujqësi dhe blegtori, si dhe përhapja e infeksioneve të pakontrolluara.

Përdorimi i vazhdueshëm i antibiotikëve në fakt ka rritur presionin selektiv, duke favorizuar shfaqjen, shumëzimin dhe përhapjen e shtameve rezistente.

Socializmi dhe fabula e tij

Nga Aladin Stafa

Në kundërpërgjigje të pakënaqësisë së përgjithshme, shoqëria njerëzore ia ka dalë gjithmonë të krijojë/ formësojë modele të reja sistemesh politike. I tillë do të ishte socializmi. Në Europën e shek. të 18-të dhe 19-të, socializmi do të lindte si kundër-rrymë ndaj dominimit të impaktit që solli revolucioni industrial, i ashtuquajtur kapitalizëm i cili edhe pse kanë kaluar disa shekuj duket se është rendi më këmbëngulës dhe më i fortë se gjithë të tjerët. Ai nuk ka lëvizur aspak nga thelbi i tij. Herë pas here e kanë sulmuar, anatemuar, goditur dhe luftuar por është i vetmi që ka mbijetuar. Sepse njeriu nën këtë rend, pavarësisht të mirave dhe të drejtave që gëzon vazhdon të vuajë të njëjtën ´skllavëri.

Socializmi nga ana tjetër do të shfaqej në tri forma- socializmi demokratik, ai marksist dhe tjetri socialdemokrat.

Si në cdo pikënisje, implementimi parësor i socializmit do të konsiderohej një eksperiment. Në Parisin e vitit 1871, një grup njerëzish nga klasa punëtore u bënë bashkë për të formuar një qeveri me parime socialiste ku do të mbizotëronte barazia ekonomike dhe qeverisja demokratike.

Inisiativa dështoi me sukses por fryma u përhap. Në Britaninë e Madhe dhe përtej oqeanit, në SHBA, inspiruar edhe nga Robert Owen, u formuan gjithashtu komunitete të vogla me të njëjtat parime dhe ideale, suksesi i të cilave dukej krejt i pamundur. Por ndodhi ndryshe.

Përhapjen e parë të gjerë do ta kishte në Bashkimin Sovjetik me Revolucionin e Tetorit, në vitin 1917, i cili u udhëhoq nga Vladimir Lenin dhe Leon Trocki. Partia Bolshevike e kohës kishte për qëllim ndërtimin e një shoqërie pa klasa dhe ku cdo pronë/ industri apo aset privat do të centralizohej nga shteti. Ai do të posedonte kontrollin e gjithckaje.

Por kjo histori e një rendi të ri që po vendosej në pothuaj gjysmën e botës, sidomos pas L.II.B. solli shumë të papritura. Kjo filozofi e së majtës degradoi përgjatë historisë në dekada duke u rreshtuar në një kah fort të gabuar të historisë. Revolucioni rus i shpikur prej bolshevikëve solli një komunizëm që u implementua më pas nga vendet e lindjes në një sistem diktatorial të egër, ku filozofisë të së majtës europiane i pat mbetur vetëm emri.

Krijimi i partisë-shtet u shtri me shpejtësi në të gjithë Europën Lindore, si dhe në vendin tonë, forcimi i së cilës do të rritej sidomos në dekadat e pas L.II.B.

Do të ishte pikërisht kjo ndarje në frymë jo vetëm politike e cila do të bënte dallimin mes Perëndimit dhe Lindjes, një ndarje botësh që Lindja e vuan edhe sot. Termat si liria, besimi dhe sipërmarrja individuale as që mund të mendoheshin sepse ekonomia duke përjashtuar vitet e para të zhvillimit industrial filloi të vuante prej zhdukjes së pronës private. Censura dhe liria e fjalës u sanksionuan me ligj. Po vendosej një rend i ri.

Por a ishte ky socializmi i kërkuar? Të drejtave që mungonin? Barazisë dhe një shoqërie pa klasa?

E kishin parashikuar vërtetë Robert Owen, Henri de Saint-Simon dhe Charles Fourier këtë përshkallëzim të situatës ndërsa frymëzonin shoqëritë e reja në Europë? Liderët e tyre politikë?

Natyrisht që jo! Socializmi lidhej me mundësinë e shtetit për t’i ardhur në ndihmë individit, për t’i ofruar mundësi edukimi/arsimimi dhe punësimi cdokujt. Për t’i dhënë zë të drejtave, për të luftuar pabarazinë e klasave e cila po dhunohej nga borgjezët e kohës duke e cuar proletariatin nën zgrip.

Fatkeqësisht në Europën Lindore nuk ndodhi kështu. Rendi i ri i pasluftës për dekada krijoi trauma në shoqëritë përkatëse dhe shembulli më pasqyrues do të ishte fabula me lopët, ku pasi je kujdesur për to, madje t’i kesh mjelur dhe qumështin, partia-shtet jo vetëm që do ta përvetsonte atë por mund të të rrëmbente edhe gotën në fund.

Ndërkohë në Perëndim dhe në Skandinavi socializmi do të vendosej në mënyrën më utopike dhe demokratike të tij. Progresi ekonomik që ato shoqëri patën në aspektin industrial dhe ekonomik, ngritja e një sistemi vlerash dhe formimi i një shtylle të fortë shtetërore janë akoma arsyet që edhe pse në një kohë trazirash si kjo e sotmja, qëndrojnë fort në këmbë.

Politika sot është modernizuar duke iu larguar parimeve themelore në bazë të secilës rrymë dhe duke krijuar një përzierje e cila po e con të djathtën dhe të majtën drejt qendrës.

Ndaj përtej anëve pozitive ka dhe aspekte negative ku kemi humbje në identitet e ideale. Globalizmi dhe stabilokracia ka sjellë një gjendje stand-by në shoqëri. Rrugëtimi drejt qendrës është lehtësisht i arritshëm por mbajtja e një barazpeshe ka vështirësi dhe përzierja e dy të kundërtave mund të krijojë mutacione të rrezikshme.

Bota po kalon një periudhe kaotike tranzicioni e ndërsa deri në kthjellimin e situatës do të duhen disa kohe,´përbindshat´ do të vazhdojnë ende …të enden./Liberale.al

Historia e trishtë e Fratit që vdiq nën torturat e Sigurimit: Pas 34 vitesh, kur u hap varri i At Serafinit nga infermierja Marie, një besimtare katolike që kishte varrosur vetë, u gjet…

Duhet thënë që në fillim, se është disi e vështirë të përshkruash denjësisht këtë portret, e për më shumë për të pasqyruar thellë e qartë, jetën e veprën e këtij martiri. Ky misionar i shenjtë, meriton të dalë në pah me ato sakrifica dhe dhimbje, të cilat i ka përjetuar, me kontributin e tij të jashtëzakonshëm, deri në sublimim të jetës, si bari i urtë shpirtëror, i cili duhet të zërë vend në altarin e merituar.

At-Serafin-Koda1

Jeta dhe kalvari i dhimbjeve

Gjon Serafin Koda, i biri i Gasprit dhe nënës Ananijeta, u lind më 25 prill 1893, në Janjevë të Kosovës, në një familje me tradita fetare, patriotike e atdhetare, familje e bekuar e Malësisë së Karadakut, zonë e njohur për heroizëm dhe atdhe-dashuri. Gjoni qe edukuar që në fëmijëri, me besim në Zot dhe përkushtim ndaj atdheut. Kështu, falë edhe dëshirës së madhe të prindërve të tij, u bë meshtar.

E pikërisht, në vitin 1908, përplotësoi thirrjen që kishte marrë prej Zotit dhe çoi në vend amanetin e prindërve dhe dëshirën e zemrës së tij. Studimet e larta i mbaroi në Austri. Sipas traditës së Fretërve, mori emrin Serafin. Meshën e parë e kremtoi më 30 korrik 1925. Më pas, frati nga Janjeva, do të vijonte në udhën e bariut të grigjës së Jezu Krishtit.

Ai shërbeu edhe ndër vise të tokës mëmë, Shqipërisë, si në Dushman, Shalë, Prekal, Bushkash, Vukël, Kelmend dhe së fundi, u caktua në Dioqezën e Sapës së Lezhës. Kur Atë Serafini mbërriti në qytetin e vjetër të Lezhës, me zhgunin françeskan e një konop lidhur mes trupit, meditonte me syrin e një njeriu, që po i shkelte për herë të parë ato treva të panjohura për të.

Në takimin e parë në Famulli, i patën treguar se në atë kodër të vogël, në perëndim të qytetit të Lezhës, ballë¬përballë me kalanë 2500 vjeçare, ku dikur shtrihej qyteti i moçëm Lissus, mes-përmes të cilit kalon lumi Drin, në atë bregore ndaloi Shën Françesku, 700 vjet më parë, gjatë udhëtimit pastoral dhe la një amanet, që aty të ndërtohej një kishë.

Dhe ashtu u bë. Shën Françesku mbolli një pishë, si shenjë e mirë për themelet e kishës. Ndërtimi i atij Tempulli, u pasqyrua më vonë në “Hyllin e Dritës”. Për më shumë, qyteti ku shërbeu Atë Serafini, ishte dhe toka e “Besëlidhjes së Lezhës”, të principatave shqiptare, me në krye Skënderbeun. Gjithashtu, aty gjenden themelet e Kishës së Shënkollit, ku është varrosur Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu.

Ashtu sikurse gjithë klerikët dhe Atë Serafini, i përjetoi ditët e shërbesës fetare në Dioqezën e Lezhës, me përkushtim dhe i palodhur, ku akoma edhe sot ndjehet fryma e veprës dhe idealit që ai iu përkushtua, në një kohë kur po përjetohej varfëria, e ulur këmbëkryq në trojet shqiptare.

Me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen përfundimisht të regjimit komunist në Shqipëri, Atë Serafini dhe vëllezërit e tij françeskanë, do të kalonin përmes një kalvari dhimbjesh, nga krimet më të paskrupullta të regjimit, nëpërmjet Sigurimit të Shtetit famëkeq shqiptar, i cili vrau ajkën e inteligjencës së klerikëve, e njerëzve të pafajshëm, të cilët u bënë theror nga regjimi stalinisto-enverist.

Arrestimi dhe burgosja

Serafin Koda ishte famullitar në Lezhë, kur e arrestuan. Kjo ndodhi pasi njerëzit e Sigurimit më parë, bënë një takim, për të diskutuar rreth problemeve ekonomike, me Fretnit e Kuvendit, por në fakt, aty oficerët e Sigurimit u aktivizuan si kurrë ndonjëherë, për t’i dhënë kuptim politik.

Ashtu të lidhur e veçojnë në një nga dhomat e Kuvendit, duke e torturuar me metodat më çnjerëzore, psikologjike dhe fizike, me alibi të sajuara, si një ndër kundërshtarët e regjimit komunist dhe për rrëzimin e pushtetit të tyre. I kërkonin bashkëpunim, për të dëshmuar kundër klerikëve të tjerë, që Sigurimi i Shtetit të arrestonte, inteligjencën e klerikëve.

Ishte maji i vitit 1947, sapo i kishte lënë të 54 vjetët e pikërisht, sa cituam më lart, më 25 prill. Ajo ditë u festua nga ai dhe vëllezërit e tjerë klerikë dhe ai u shpreh mjaft entuziast, se ishte i lumtur që kishte lindur në atë datë, që për të ishte simbolike, se përkonte me Ditën e Ungjilltarit, Shën Markut.

Kjo datë gjithashtu i ngjallte nostalgji për vend-lindjen, se në Janjevë, ishte hapë shkolla e parë shqipe në vitin 1671, një letër historike që mbante datën 10 prill 1683, e vetë shënimi i Pjetër Bogdanit, te libri “Çeta e Profetenve”, e cila është dërguar asokohe prej Janjevë.

Hetuesia dhe torturat

Nuk vonoi shumë e meshtari trim, iu nënshtrua pyetjeve nga hetuesit e Sigurimit të Shtetit dhe torturave nga më çnjerëzoret dhe të paimagjinueshme.

– “Hë mo, po na thuaj o prifti Serafin, çfarë komploti armiqësor keni përgatitur kundër pushtetit tonë të pavdekshëm komunist”?

– “Kurrsesi, jo dhe jo, as unë, madje edhe asnjë prej shokëve të mi. As nuk kemi menduar, absolutisht, atë çka ju më thoni, shoku hetues, Jo, Jo. Në asnjë mënyrë”!

– “A e dëgjoni, si më thotë ky mua?! Po unë nuk jam shoku yt, more armik i popullit, këlysh i Vatikanit”.

– “Ju lutem, jo nuk jam armik, unë jam vetëm një meshtar, nuk e njoh urrejtjen, ne jemi për paqe e dashuri. Vetë besimi te Zoti, nuk na lejon t’i urrejmë e ofendojmë njerëzit”.

– “Eh, ja pra, po të ledhatojmë me grushte turinjve tuaj, ja edhe një tjetër”. Nga fytyra e Atë Serafinit po rridhte gjak, nga goja e hunda.

– “Kthehu në ujdi me veten tënde, o Serafin i poshtër. Hë, po të dëgjojmë, na trego, cili nga juve është prijësi i grupit, në atë çerdhen tuaj”?

– “Personalisht nuk di asgjë, asnjë nga miqtë e shokët e mi, nuk i kam dëgjuar të shprehen, kundër pushtetit popullor”.

– “Pa na i trego ato kokat drejtuese aty në ‘Sapën tuaj’, hë përgjigju”? Dhe furi grushtesh, shqelma e rrahje, u derdhën mbi meshtarin.

– “Ne s’kemi as hierarki, as të parë, të gjithë jemi vëllezër”.

– “Tani na thuaj, ku i keni fshehur armët, se për ndryshe, të mbytem në këtë minutë”?

– “Pasha nderin, pasha të drejtën, ju betohem, nuk kemi armë”.

– “Dëgjo mirë pra, keni tre minuta kohë të tregoni gjithçka dhe në rast se jo, paç veten në qafë”!

– “Për atë besë që ka burri, nuk kam asgjë për të thënë”!

Të tre hetuesit që e kishin marrë në pyetje, u lëshuan mbi At Serafinin, duke e torturuar e rrahur barbarisht, derisa ai humbi ndjenjat. Ashtu i shtrirë në dysheme, i gjakosur, i dërmuar dhe i pavetëdijshëm, njëri nga hetuesit i fut duart në fyt, për ta mbytur meshtarin e pafajshëm.

Nga fyti filloi të rridhte gjak. Por bisha komuniste nuk ngopej me kaq. Torturat vazhduan edhe për disa orë të tjera. Kur ata ikën, At Serafini po jepte shpirt, në çimenton e ftohtë të dhomës.

Nga mesnata e datës 11 maj 1947, At Serafini, i rënduar nga plagët, u përmend vetëm për disa minuta. Vëllezërit e tij klerikë, e muarën për ta çuar tek infermierja. Kur po kalonte para trupores së Zonjës, iu lut me zërin e çjerrë, përmes gjakut që i rridhte nga goja: “O Zoja Virgjër, vepro sa më shpejt me shpirtin tim”. Sapo e vendosën në shtrat, u lut për herë të fundit, pa mundur të bashkonte duart:

“O Jezus, merre në duart tuaja shpirtin tim, që të jam kushtuar me gjithë zemër”.

“Ati ynë që je në Qiell”, e… dha shpirt…! Ia dorëzoi Atit të gjithëpushtetshëm shpirtin e tij të bardhë, që t’i bashkohet korit të engjëjve në qiell, ashtu qoftë.

Mbas vdekjes së Atë Serafinit

Besimtarët e Famullisë, bashkëkohësit e tij, e deshën shumë meshtarin trim, që me qëndrimin e tij burrëror, u shndërrua në një martir. Ata humbën, jo vetëm një njeri të përkushtuar ndaj fesë, por edhe njeriun e dashur, që kurrë nuk u pat munguar, me ndihmën e fjalën e Zotit, në gëzime dhe hidhërime familjare.

Ai u kishte shërbyer në të gjitha rastet, duke vizituar të sëmurët, rrëfime, bekime shtëpish, pagëzime, salikimin e të vdekurve. Njerëzit shpreheshin me fjalët më të mira të shpirtit, duke thënë se At Serafini, ishte një misionar i zellshëm, i përkushtuar, me zemër të madhe dhe i dashur.

Infermierja e atyre viteve, Marie Ndoja, e cila mjekonte At Serafinin, në momentet e agonisë së plotë, bëri të pamundurën ta shpëtonte, por plaga e madhe e dëmtimit të venave e, rrjedhja e gjakut nga fyti, ia shkurtuan jetën. Maria e varrosi me mjaft mundim e në fshehtësi të plotë meshtarin trim, poshtë një ulliri, që ishte në oborrin e Kuvendit të Fretërve, në kodrën që populli e thërriste; “Kisha e Dom Lleshit”.

Edhe sot e kësaj dite, s’dihet pse u quajt me atë emër. Ndoshta ndonjë famullitar në atë Kishë, ka lënë gjurmë me emrin e tij. Ndoshta, nga pushtuesit osmanë, ishte bërë theror edhe Dom Lleshi, e në kujtim të tij, u quajt kisha në kodër. Por vitet kanë kaluar dhe asgjë nuk dihet me saktësi.

Çmenduria më e madhe e sistemit komunist, ka qenë ajo e vëllavrasjes, siç edhe ndodhi me At Serafin Kodën, meshtarin martir nga Janjeva e Kosovës, i cili u vra barbarisht nga Sigurimi i Shtetit komunist. Por përkushtimi, kontributi dhe vepra e At Serafinit, kanë lënë gjurmë të pashlyera në Lezhë.

Mbas 34 vjetësh, u zbulua varri i At Serafin Kodës, i cili ishte ruajtur me fanatizëm dhe obligim shpirtëror nga infermierja, një grua humane në shpirt, Marie Ndoja, një besimtare katolike, me një shpirt e mirësi të madhe. Ajo dëshmoi për varrin e Fratit, vetëm në vitet e demokracisë. Maria, gjatë kohës së regjimit komunist, as që guxonte të tregonte veprën e saj të mirësisë, por e ruante peng në zemër.

Ajo mendonte gjithmonë për fratin, i cili të afërmit e tij i kishte në Janjevë, që nuk ia dinin as varrin. Në rast se Sigurimi i Shtetit e merrte vesh, Maria do të dënohej me burg dhe për këtë ajo tregohej e kujdesshme, për ta mbajtur sekret. Mbas rivendosjes së besimit fetar në Shqipëri, në vitet e demokracisë, ajo do të tregonte gjithçka.

Madje infermierja Marie, pati pohuar se atë natë, që e varrosi meshtarin, i kujtohej se si shenjë, i kishte veshur vetëm zhgunin e fratit, me uratë në qafë dhe në këmbë një palë këpucë llastiku. Për çudinë e të gjithëve, kur e nxorën nga varri pas 34 vjetëve, këpucët e llastikut u gjetën të paprishura dhe te koka kryqi e disa kokrra të uratëve.

Rivarrimi i eshtrave të bekueme të At Serafinit, u bë mbas restaurimit të Kishës “Zoja Nunciatë”, në mauzoleun e saj. Në murin me një gjatësi 90 cm., që përkon me anën e majtë të Altarit, ku dikur celebrohej mesha nga vetë At Serafin Koda.

Më 16 shtator 1994, populli i Lezhës dhe rrethinave, shprehën nderimin e respektin, dhimbjen e kujtimin, duke marrë pjesë në meshën që u celebrua në nderim të rivarrimit të eshtrave të fratit, nga ipeshkvij dhe meshtarë. Si për ironi, data 16 shtator, përkonte me datën e Konferencës së Pezës. Ajo histori u la nga pas, por kujtimi i Klerit të Kombit, u përjetësua në histori. Pllaka e varrit të At Serafinit, flet shumë, aq shumë sa ka se çfarë historia të shkruajë.

Në mbyllje të këtij rrëfimi, të kësaj ngjarje të dhimbshme e rrëqethëse, të mos harrojmë e të mësojmë nga mesazhi që ai përcjell se; “Koha i ka ngrënë bijtë e saj”! Është nder i madh e shembull fatlum për vendin tonë, që Kisha Katolike, në procedurën e shpalljes martir, mes të 38-ve, ka zgjedhur edhe meshtarin Atë Serafin Kodën. Memorie.al

“Nuk veprojmë sipas ngjyrave politike”, Dumani paralajmëron pushtetarët: Do godasim këdo pavarësisht postit!

Kreu i SPAK Altin Dumani, në një analizë të punës së tij dy vjeçare si kreu i Prokurorisë së Posaçme, ka hedhur poshtë akuzat e opozitës se institucioni që ai drejton heton në bazë të ngjyrimeve politike.

Dumani i dërgoi një mesazh të qartë dy zërave më kritikë të SPAK, Sali Berishës dhe Ilri Metës, se Prokuroria e Posaçme nuk ka një agjendë politike por merret vetëm në bazë të provave.

Një pjesë të dosjeve i kam pasur në hetim edhe pa marrë drejtimin e SPAK-ut. Një nga premtimet që kam bërë në KLP ka qenë se do të vijoja të hetoja çështjet që kam pasur në hetim. Ka dhe çështje të tjera që kanë çuar në zgjerimin e grupit të hetimit. Të gjithë prokurorët dhe stafi kanë kontribute. Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi agjendë politike, apo grafik se sot do hetojmë një person të këtij subjekti politik, e nesër dikë të një subjekti tjetër politik. Në merremi me provat. Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë”, tha Dumani për emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1.

Kreu i SPAK shtoi më tej se institucioni që ai i drejton është i pavarur nga politika dhe këtë të drejtë ia jep Kushtetuat.

“Këtë kemi bërë dhe do ta bëjmë. SPAK-u është i pavarur nga politika dhe këtë ja jep Kushtetuta dhe ligji. Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre të larguar nga politika”, theksoi ai.

I pyetur lidhur me akuzat e gjithanshme që vijnë nga politika dhe presionet e shumta, Dumani tha se nuk i bëjnë përshtypje dhe reagimet e tij janë institucionale dhe jo emocionale.

Reagimet e mija janë institucionale dhe jo emocionale. Kam kompetenca, por ato janë të reduktuara në raport me prokurorët e çështjeve.”, tha Dumani.

Ai gjithashtu theksoi se SPAK do të vijojë luftën e tij ndaj të korruptuarve pavarësisht posteve që ata mbajnë.

Sa i takon korrupsionit, besoj se SPAK ka demonstruar  këto vite se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti pavarësisht pozitës së tij, profilit tij, sado i lartë të jetë, ne po e bëjmë me prova dita-ditës. Ju e dini se SPAK ka ushtruar ndjekjen penale për funksionarë shumë të lartë, të nivelit të mesëm, të nivelit të ulët, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, për kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, funksionarë shumë të lartë policie”, shpjegoi kreu i SPAK-ut.

Dumani theksoi se SPAK ka goditur organizata kriminale që më parë as mendohej të prekeshin.

Sa i takon krimit të organizuar ka treguar në këto vite se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale që më parë as që mendohej të prekeshin por sot është realitet”, tha më tej Dumani.

Shkolla në Smollik të Bulqizës një godinë me dërrasa, pa tualet, pa energji dhe në mes të pyllit

Fshati Smollik, në Njësinë Administrative Zerqan në Bashkinë e Bulqizës, nuk ka një godinë të mirëfilltë arsimore.

Ky fshat me 50 familje ka 6 nxënës, të cilët bëjnë mësim në një godinë prej dërrasash, me kushte skandaloze. Kjo ndërtese ndodhet në mes të pemëve, në një vend larg fshatit dhe fëmijët kur shkojnë në shkollë rrezikohen edhe nga kafshët e egra. Rruga që këta fëmijë bëjnë çdo ditë për të marr dije është edhe më e keqe se një shteg dhishë.

Fiksi udhëtoi drejt këtij fshati të thellë. Banorët në këtë fshat merren me bujqësi dhe kanë mbetur vetëm 50 familje. Gjithsej në fshat janë edhe 6 fëmijë që ndjekin arsimin 9-vjeçar. Banorët ankohen për kushtet në të cilën ndodhet godina ku fëmijët marrin dije si dhe për rrugën që duhet të përshkrojnë për të shkuar në të ashtuquajturën shkollë, por që vetëm e tillë nuk mund të quhet.

Ndërtesa e modifikuar si shkollë është jashtë çdo kushti, pa ujë, pa energji, pa tualet. Pjesët e mureve të rëna janë munduar të mbyllen me dërrasa. Rruga që të çon tek ndërtesa është rrugë pa rrugë, pasi është një shteg me vështirësi kalimi për të rriturit e jo më për fëmijët.E gjitha kalon përmes pyllit gjë që e bën të rrezikshme edhe nga kafshët e egra. Për ta përshkruar këtë distancë fëmijët duan çdo ditë 30 minuta ecje në këmbë.

Fiksi u interesua pranë Bashkisë Bulqizë në lidhje me këtë problematikë. Mevlud Karaj Përgjegjës i Shërbimeve në Bashkinë e Bulqizës  shprehet për Fiksin se  bashkë me administratorin janë përpjekur për të gjetur një godinë më afër fshatit për ta kthyer në shkollë, por që pirat janë tepër të larta.

“Nuk mund ta paguajmë një shumë kaq të madhe sa na kërkojnë sepse ka rregulla të përcaktuara për qiratë. Jemi në tentativa për të gjetur një zgjidhjë, sepse aty nuk mund të ndërtojmë një banjë  sepse nuk çojmë dot bazën materiale, se  nuk ekziston as rruga” shprehet z. Karaj. Ai gjithashtu citoi se janë në kërkim të një zgjidhjeje për këtë problematikë  të fshatit, pasi siç u faktua edhe më figurë nga Fiksi, pamjet flasin më shumë se fjalët./Top Channel

Analiza/ Urdhër-arresti i GJNP-së ndaj udhëheqësve izraelitë, përçan Perëndimin

Urdhër-arresti i Gjykatës Ndërkombëtare Penale ndaj Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, që shënon herën e parë që një kryeministër në detyrë i një aleati të rëndësishëm perëndimor po akuzohet për krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit nga një gjykatë ndërkombëtare, ka shkaktuar përçarje mes udhëheqësve botërorë. Shtëpia e Bardhë kundërshtoi vendimin, duke thënë se gjykata nuk ka juridiksion mbi këtë çështje, ndërkohë që zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian thanë se vendimi paraqet detyrim ligjor për të gjithë anëtarët e saj. Kryeministri izraelit Netanyahu e quajti lëshimin e urdhër-arrestit “falimentim moral”.

Vendimi i gjykatës kryesore ndërkombëtare për krime lufte për të lëshuar urdhër-arrest ndaj Kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe ish Ministrit të tij të Mbrojtjes Yoav Gallant për luftën 13 muajshe në Gazë nxiti të premten reagime të shumta.

Gjykata Ndërkombëtare Penale i akuzoi dy zyrtarët izraelitë për përdorimin e “urisë si mjet lufte” duke kufizuar ndihmën humanitare dhe duke vënë qëllimisht në shënjestër popullsinë civile gjatë luftës së Izraelit në Gazë, e cila filloi pas sulmit të Hamasit ndaj vendbanimeve izraelite.

Vendimi u kundërshtua ashpër nga Kryeministri Netanyahu, i cili e quajti veprim anti-semitik, që ka për qëllim, siç tha ai, t’ia mohojë Izraelit të drejtën për t’u mbrojtur nga armiqtë që e synojnë shkatërrimin e tij.

“Kjo është një ditë e zezë në historinë e shteteve… Ky është një falimentim moral që shkel të drejtën e demokracive për të mbrojtur veten nga terrorizmi vrastar”, tha ai.

Lëshimi i urdhër-arrestit u kritikua edhe nga Shtëpia e Bardhë.

“Ne e kundërshtojmë në thelb vendimin e gjykatës që të lëshojë urdhër-arrestet ndaj zyrtarëve izraelitë. Jemi të shqetësuar thellësisht nga nxitimi i prokurorit të kërkojë lëshimin e urdhër-arresteve dhe gabimet në procesin problematik që çoi drejt këtij vendimi. Shtetet e Bashkuara janë të qarta në qëndrimin e tyre se GJNP-ja nuk ka juridiksion mbi këtë çështje”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale. Por aleatët tjerë të Izraelit, përfshirë disa shtete evropiane të cilat gëzojnë marrëdhënie miqësore, janë vënë në pozitë të vështirë. Disa, siç është Franca, mirëpritën vendimin e gjykatës dhe sinjalizuan se mund të arrestojnë kryeministrin Netanyahu nëse ai viziton ato.

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tha të premten se vendimi i gjykatës nuk është politik dhe se shtetet evropiane janë ligjërisht të detyruara ta zbatojnë atë.

“Tragjedisë në Gazë i duhet dhënë fund. Vendimi nuk është vendim politik, është vendim i një gjykate ndërkombëtare të drejtësisë, që duhet të respektohet dhe të zbatohet… Ky vendim është ligjërisht i detyrueshëm për të gjitha shtetet, të gjitha shtetet anëtare të gjykatës, që përfshinë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat janë të detyruara ta zbatojnë vendimin e gjykatës” tha ai.

Por, përçarjet ishin të pranishme edhe në këtë bllok.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, një aleat i afërt i kryeministrit Netanyahu, u zotua ta injorojë urdhër-arrestin ndërkombëtar ndaj udhëheqësit izraelit dhe ftoi atë të vizitojë Hungarinë.

“Është një vendim i pacipë, do të thosha cinik, i Gjykatës, që ndërhyn në një konflikt që ende po vazhdon, veshur me petkun ligjor, po që në fakt ndërhyn për qëllime politike ngaqë konflikti në Lindjen e Mesme ende nuk ka përfunduar… Dhe kjo nuk më lë zgjidhje tjetër përveçse ta kundërshtoj këtë vendim”, deklaroi ai.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane sugjeroi të premten se Gjermania mund të tregohet e rezervuar për të arrestuar Kryeministrin Netanyahu në bazë të këtij urdhër-arresti.

“E kam të vështirë ta imagjinoj që do t’i bënim këto arrestime në Gjermani mbi këtë bazë”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.

Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të akuzuarit e tjerë në të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht, që rrezikojnë të arrestohen sa herë që udhëtojnë jashtë vendit. Urdhër arresti mund t’i izolojë ata edhe më shumë dhe sipas analistëve ai do të thellojë përçarjet ndërmjet shteteve edhe më shumë.

“Shtetet e Bashkuara nuk … janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe nuk mund ta lëshojnë urdhër-arrestin, por shumica e shteteve të botës janë dhe në ato shtetet Netanyahu nuk mund të shkojë. Këto shtete përfshijnë Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë. Është çështje shumë serioze dhe nuk mendoj se ai do të mund të udhëtojë atje. (Ky vendim) do ta përçajë botën edhe më shumë”, tha analistja Nomi Bar-Yaacov pranë institutit “Chatham House”.

Ndërkohë që numri i të vrarëve në Gazë arriti në 44 mijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë, organizatat për të drejtat e njeriut e mirëpritën vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale si vendim që “godet përshtypjen që individë të caktuar janë mbi ligjin”./VOA

“Futbolli nuk është punë për mua”, Ançeloti: Perez është Reali, pasioni është karburanti im

Karlo Ançeloti, me rastin e përurimit të vitit akademik 2024- 2025 të Shkollës Universitare të Realit të Madridit, shfrytëzoi këtë mundësi për të nënvizuar rolin themelor që luan presidenti Florentino Perez në sukseset sportive të klubit të bardhë.

“Puna e presidentit është spektakolare, klubi fiton për punën që ka arritur të bëjë gjatë gjithë kësaj periudhe që është në krye”, tha trajneri italian, duke nënvizuar organizimin dhe kërkesën që karakterizon këtë klub.

PASIONI I ANÇELOTIT – “Pasioni është karburant dhe nëse ke fatin t’i bësh gjërat me pasion, kjo të lejon të bësh punën tënde me disiplinë, sakrificë, përkushtim… Për mua futbolli nuk është punë. Nëse pas gjithë punës ka pasion, ju kushton më pak për ta bërë atë. Jam me fat që bëj një punë që nuk e konsideroj punë, sepse më pëlqen. E kam nisur që fëmijë si pasion dhe mbetet pasion”.

NJË KLUB FITUES – “Reali i Madridit ka fituar dhe vazhdon të fitojë, sepse nuk i pëlqen të humbasë apo të barazojë. Ka klube që e pranojnë humbjen, ndryshe nga Reali. Kjo rrit kërkesën dhe përgjegjësinë për njerëzit që punojnë në këtë klub.”

ÇELËSI I SUKSESIT – “Kam punuar në shumë klube të nivelit të lartë. Reali i Madridit është më i madhi në botë për sa i përket historisë, organizimit dhe kërkesave… Puna e presidentit është spektakolare, klubi fiton për punën që ka arritur të bëjë”.

ATMOSFERA – “Madridi është një familje, ne kalojmë shumë kohë këtu dhe atmosfera ndihmon të nxjerrim më të mirën.”

Zbuloni ushqimet që ndihmojnë në humbjen e peshës dhe përmirësojnë metabolizmin

Për të arritur humbjen e peshës, është thelbësore të ndiqni një dietë të balancuar dhe të pasur me ushqyes, duke u fokusuar në ushqime që përmirësojnë metabolizmin dhe ndihmojnë në djegien e yndyrës. Ja disa ushqime që mund të kontribuojnë në këtë proces:

Perime të freskëta dhe të gjelbra

Spinaqi, brokoli, lakra dhe sallata janë perime të pasura me fibra dhe të ulëta në kalori, të cilat ndihmojnë në ndjesinë e ngopjes dhe përmirësojnë procesin e tretjes.

Ushqime me proteina të larta

Peshku, sidomos salmoni dhe toni, si dhe pula, janë burime të shkëlqyera proteina që mbështesin rritjen e masës muskulore dhe rrisin shpejtësinë e metabolizmit, duke kontribuar në djegien e kaloriave.

Avokado

Ky frut është i pasur me yndyra të shëndetshme dhe ndihmon në menaxhimin e urisë, si dhe stabilizon nivelet e sheqerit në gjak, duke mbajtur energjinë të qëndrueshme gjatë ditës.

Fasulet dhe bishtajoret

Këto ushqime janë të pasura me proteina dhe fibra, duke ndihmuar në mbajtjen e niveleve të energjisë stabile dhe duke ndihmuar në ndjenjën e ngopjes për një periudhë më të gjatë kohore.

Ushqime me fibra të larta

Drithërat e plota, si elbi, janë të shkëlqyera për përmirësimin e tretjes dhe mund të ndihmojnë në humbjen e peshës, duke kontribuar në një ndjesi ngopjeje më të gjatë.

Çaji jeshil

Ky çaj ka efekte pozitive për metabolizmin dhe përmban katekinë, një substancë që ndihmon në djegien e yndyrnave dhe përshpejton procesin e humbjes së peshës.

Frutat me përmbajtje të ulët sheqeri

Mjedrat, boronicat dhe frutat e tjera të pyllit janë të pasura me antioksidantë dhe fibra, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm dhe mbështesin djegien e yndyrnave.

Gjiza dhe kos i thartë

Këto produkte qumështi janë të pasura me proteina dhe kalcium, duke ndihmuar në rritjen e masës muskulore dhe duke përmirësuar djegien e yndyrnave.

Lajthi dhe fara

Të pasura me yndyra të shëndetshme dhe fibra, këto mund të ndihmojnë në rregullimin e metabolizmit dhe të mbajnë ndjenjën e ngopjes për një kohë të gjatë.

Kombinimi i këtyre ushqimeve, së bashku me aktivitetin fizik dhe një regjim të shëndetshëm të jetesës, mund të kontribuoni ndjeshëm në arritjen e objektivave të humbjes së peshës dhe përmirësimit të shëndetit tuaj të përgjithshëm.