22.5 C
Tirana
E enjte, 14 Gusht, 2025

Në listën e Inter Majemit, Silvinjo: Nuk largohem nga Shqipëria, s’kam asnjë dyshim për të ardhmen!

Vendi i fundit në grup, rënia një ligë më poshtë, apo loja e shfaqur e Shqipërisë në Ligën e Kombeve, i ka lënë një shije të hidhur ambientit rreth Kombëtares. Nuk e fshehu zhgënjimin as Armand Duka, por kreu i FSHF-ës kërkoi një analizë të qetë dhe të detajuar. Në kulmim e diskutimit mbi Silvinjon, për të ardhmen e tij, për të ndezur edhe më shumë ambientin ka menduar “Mundo Deportivo”, me të përditshmen spanjolle e cila lidh emrin e trajnerit të Kombëtares shqiptare me një transferim të mundshëm tek Inter Majemit, skuadër ky militojnë yje si Leo Mesi, Suarez, Buskets dhe që është në pronësi të ikonës David Bekam.

Gjithnjë sipas “Mundo Deportivo”, Tata Martino, trajneri aktual i Inter Majemit, pritet të shkarkohet në orët në vijim, ndërsa drejtuesit e klubit amerikan po studiojnë tregun për të gjetur një trajner të ri. Sipas medias spanjolle thuhet se favoriti kryesor për të marrë drejtimin e Inter Majemit është Çavi Hernandes. Çavi është një mik shumë i ngushtë i Mesit dhe pjesës tjetër të ish-lojtarëve të Barcelonës, por Çavi dhe Silvinjo nuk janë të vetmit kandidatë në këtë listë, pasi sipas gazetës Ole, mes pretendentëve janë edhe emra si Alegri, Ten Hag apo Lampard. Duke u rikthyer te Silvinjo, kujtojmë që braziliani rinovoi kontratën e tij me FSHF-në edhe me një tjetër vit pas përfundimit në korrik të këtij viti.

TRAJNERI

Në përfundim të humbjes me Ukrainën, Silvinjo u pyet nga gazetarët nëse ishte i bindur për vazhdimin në krye të Kombëtares shqiptare edhe në kualifikueset e Botërorit, me trajnerin i cili nuk kishte asnjë lloj dyshimi, të paktën nga përgjigja që vetë dha: “Sigurisht. Nuk ndryshon asgjë. Kemi bërë kualifikuese të mira, ndërkohë tani një vit më vonë, kemi bërë keq. Duhet të përmirësohemi, kemi vend për tu rritur dhe me objektivin për Botërorin, që do të ishte çmenduri. Nuk kam asnjë dyshim që do të vazhdoj. Më vjen keq për rezultatin e fundit, por nuk mund ta hedhim poshtë të gjithën. Për tu përmirësuar po”, tha Silvinjo pas ndeshjes së fundit në grup me Ukrainën.

Një gotë ujë esëll në mëngjes, zbuloni përfitimet në organizëm! Rëndësia e hidratimit të trupit

A mund të qëndrosh pa pirë ujë, çaj apo çdo lëng tjetër për të paktën tetë orë? Vetëm idea e kësaj sfide tingëllon shqetësuese apo jo?

 

Uji është shumë i rëndësishëm dhe këtë nuk mund ta nënvizojmë mjaftueshëm.

Ekspertët rekomandojnë që ta pini ujin sapo të hapni sytë.

Sipas tyre, gjatë gjumit, trupi dehidratohet ndaj uji duhet pirë që në mëngjes.

A jeni zgjuar ndonjëherë dhe jeni ndjerë të etur dhe të dehidratuar?

Kjo ka ndodhur sepse trupi nuk ka marrë asnjë lëng për të paktën 8 orë.

Uji luan një rol thelbësor për të gjitha funksionet e trupit.

Hidratimi është shumë i rëndësishëm dhe duhet të nisë që në mëngjes, sepse siç thotë populli ‘fillimi i mbarë, gjysma e punës.’

5 Arsyet Përse Duhet të Pini Ujë Që Në Mëngjes

Do të hidratoheni

Trupi dehidratohet pas shtatë ose tetë orësh gjumë.
Nëse pini ujë sapo të zgjoheni do të rrisë nivelin e oksigjenit në organizëm.
Për më tepër, uji ndihmon muskujt dhe qelizat e gjakut.

Metabolizmi do të përmirësohet

Pirja e të paktën një gote të madhe me ujë në mëngjes mund të përmirësojë metabolizmin me të paktën 24 përqind.
Një gjë e tillë do ju vijë në ndihmë për mbajtjen e një peshe të mirë trupore.

Trupi do të pastrohet nga toksinat

Kur pini ujë në mëngjes përpara se të ushqeheni, do të pastroni zorrën e trashë dhe do të përshpejtoni përthithjen e ushqyesve.

Për më tepër, veshkat do të funksionojnë më mirë nëse trupi furnizohet me lëngje.

76 % e indeve e trurit përmbajnë ujë

Kur jeni të dehidratuar, është njësoj sikur truri të mos ketë ushqim.

Kështu, ju do të ndiheni të lodhur, të drobitur, do të keni dhimbje koke dhe luhatje humori.

Do të ndiheni më të ngopur

Uji mbush stomakun.

Nëse pini ujë përpara se të hani ushqim, nuk do ta teproni dhe do të ndiheni më të ngopur.

Pirja e ujit në mëngjes do ju bëjë të ndiheni të ngopur deri në drekë.

Këshilla Për Pirjen e Ujit

Pini të paktën 1-2 gota me ujë pasi të zgjoheni.

Mos konsumoni ushqim për të paktën një orë pasi të keni pirë ujë.

Mos pini pije alkolike përpara gjumit.

72 përqind e trupit të njeriut përbëhet nga uji.

75 përqind e muskujve përbëhen nga uji
82% e gjakut është ujë
90% e mushkërive është ujë
76% e trurit përbëhet nga uji
25% e kockave përbëhen nga uji

Këto shifra janë të mjaftueshme për të kuptuar rëndësinë e hidratimit.

Trupi varet nga uji që të mbijetojë.

Çdo qelizë, ind apo organ i trupit ka nevojë për ujë që të funksionojë.

Për më shumë shije ju rekomandojmë ta shoqëroni me pak limon.

Represioni komunist mbi klerin mysliman: Hoxhë Selimi Brahja u vra te xhamia e Saukut! Ndërsa Hafiz Ali Korça u survejua nga Sigurimi deri në moshën 80-vjeçare…

I dënuar që në vitin 1945 e, deri sa vdiq, Hafiz Ali Korça u vu në survejim të Sigurimit të Shtetit, deri pas të tetëdhjetave, kohë kur u vendos që dosja të mbyllej. Dy djemtë e tij po ashtu, u dënuan si armiq, njëri me vdekje, tjetri me burg e përndjekje, deri kur mbylli sytë. Sot, në këtë ditë reflektimi, sjellim në vëmendje klerikët myslimanë të survejuar, të dënuar politikisht dhe të përndjekur në vite, dhe kontributin e tyre të çmuar për atdheun, shoqërinë dhe vlerat njerëzore. Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi, për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre, është dhe Hafiz Ali Korça, i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor, korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngritën lart emrin e tij.

 

Hoxha i përndjekur

Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofje-Stamboll, iu kapën librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në Mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës, ia shkatërruan shtëpinë. Më pas, Kabineti i Telat Pashës, e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje, u fal. Më 1924, u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925, botoi në Tiranë pamfletin “Bolshevizma e shkatërrimi i njerëzimit”.

Hafiz Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale, në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen: “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Botuar në Korçë, më 1910), “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë”, (Botuar në Tiranë, më 1931, fq. 288), “Jusufi me Zelihanë”, (Botuar në Elbasan, më 1923), “Gjylistani”, përkthim nga Saadiu, (1918, “Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë”, poezi, (Botuar në Tiranë, më 1944), “Tefsiri i Kur’anit”, (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924, “Rubaijjati Khajjam” (Hajjam, përkthim nga Omar Kajami, 1930-Ribotim 1942, në Tiranë).

Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu, edhe tekstet shkollore si: “Abetare shqip” (1910), “Fe-Rrëfënjësi morali” (1914), “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht edhe fjalime”, (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat, si; “Gjylistani”, “Rubairat”, si dhe “Jusufi me Zelihane”, i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj, si Saadiun, Omar Kajamin, etj.

Hafiz Ali Korça, qe ndër mësuesit e parë të Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e Mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë, edukatë islame. Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i asaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës, etj.

Gjatë jetës së tij, Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash e personalitetesh që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo Luarasi, Jusuf Turabi Kërçova, Pandeli Sotiri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Mati Logoreci, Sali Nivica etj.

Jeta e tij është një shembull i përsosur i atdhetarit të devotshëm, që nuk ndan fjalën nga veprat e poetit që fton bashkëpunëtorët të punojnë për mëmëdheun, të mos e braktisin.

                                                                            ***

Hafiz Ali Korça lindi në Korçë, në vitin 1873, u edukua në kryeqendrën më të famshme të edukimit gjatë kohën që jetoi, në Stamboll, dhe më pas u kthye për t’i shërbyer vatanit dhe popullit të tij, fillimisht në vendlindjen e tij, pastaj në Tiranë e, në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, derisa ndërroi jetë në qytetin e Kavajës, pas një internimi të gjatë, që regjimi komunist aplikoi, ndaj një prej figurave dhe personaliteteve më të njohur shqiptar, siç ishte ai.

Periudha kur Hafiz Ali Korça jetoi, studioi dhe veproi si mësues, edukator, atdhetar, personalitet fetar, botues, zyrtar shtetëror (ish-këshilltar i Ministrisë së Arsimit, si dhe drejtor i përgjithshëm i kësaj ministrie), ishte një nga periudhat më të rëndësishme për kombin dhe popullin shqiptar, në aspektin politik, kulturor dhe veprimtarive kombëtare, atdhetare dhe patriotike. Ishte koha e ndarjes nga shteti osman, dhe fillimi i një epoke të re, me shumë peripeci për shtetin dhe kombin shqiptar.

Ai ka studiuar dhe ka luftuar gjatë gjithë jetës së tij për pavarësinë kombëtare dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Aktivitetet dhe veprimtaria e tij fetare dhe atdhetare për kohën ishte një risi në mesin e popullit shqiptar, kryesisht për vetë bashkë-fetarët e tij myslimanë, të cilët lëvizjet dhe veprimtaritë e tij fillimisht i shihnin me dyshim dhe skepticizëm në atë kohë, por si njeri vizionar që ishte, fjalët e tij, të thurura me një mjeshtëri të veçantë artistike dhe stilistike, si dhe të kuptueshme për kohën, lanë gjurmët e veta duke u vërtetuar më vonë në praktikë, dhe në shumë prej librave të tij, të cilët përmbajnë laramani shkrimesh dhe temash, lexohen dhe merren si referencë edhe sot e kësaj dite.

Fatkeqësisht, figura e Hafiz Ali Korçës, madje dhe vetë ai sa ishte gjallë, u la në hije dhe u dëmtua më së shumti gjatë regjimit të dhunshëm të diktaturës komuniste në Shqipëri, nga sistemi famëkeq, i cili kërkonte të zhdukte çdo gjë fetare dhe kombëtare të popullit tonë. Figura e tij fetare, si një dijetar i urtë dhe i devotshëm, një njeri shumë i dashur nga të gjithë shqiptarët në atë kohë, nga atdhetarët, nxënësit e tij si dhe profesorët e ndryshëm, u zvetënua forcërisht nga diktatura e kuqe, duke bërë që të lihet në harresë brenda periudhës së “burgut” të quajtur Shqipëri, por ne këtu, me pak rreshta do të mundohemi të shpalosim disa nga veprimtaritë e tij më kryesore, kulturore, fetare, arsimore e atdhetare.

Edukimi i tij jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, letrare dhe shkencore, e bëjnë Hafiz Ali Korçën, një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive, si dhe transmetimin e tyre tek populli. Mësimet e para fetare islame, Hafiz Ali Korça i kishte marrë që në Korçë, nga babai i tij Iljaz efendiu, ku që në moshën 12 vjeçare, atje kishte mësuar të gjithë Kur’anin përmendësh dhe ishte bërë Hafiz. Më pas, për njohuri fetare studimore të mirëfillta, ai shkoi në Stamboll, ku zgjeroi diapazonin e diturive të tij.

Si poliglot që ishte, në Stamboll ai mësoi gjuhën arabe dhe perse, ndërsa bazat e osmanishtes (dhe të turqishtes), i kishte marrë që në Korçë. Gjithashtu në Stamboll, mësoi edhe gjuhën frënge. Për shkak të njohurive të tij në frëngjisht, kur Princ Vidi erdhi në Durrës, më 7 mars 1914, Dervish Hima dhe Hafiz Ali Korça, mbajtën nga një fjalim në frëngjisht, dhe Princ Vidi, iu kthye atyre në të njëjtën gjuhë. Këtë kulturë të gjerë të cilën e përfitoi në Stamboll, pas kthimit në Shqipëri, ai donte ta përçonte edhe në mesin e popullit shqiptar. Një nga lëvizjet më të mëdha në këtë drejtim ,të nxitura prej tij, është përpjekja dhe mbështetja e madhe që ai dha për hapjen e shkollave shqipe, në të gjitha trojet shqiptare.

Hafiz Ali Korça, që kur mori titullin Hafiz, në moshën 12 vjeçare, pastaj vajtja për studime akademike islame në Stamboll, bënë që ai të jetojë dhe t’i përkushtohet parimeve dhe diturisë së fesë islame. Në këtë mënyrë, gjithë jetën e tij, ai e sakrifikoi për të vërtetën hyjnore, Islamin, si edhe për vatanin dhe popullin e tij. Për të vënë në praktikë studimet dhe dituritë e mëdha që kishte marrë, ai, kontributin e tij më të madh, përveç ligjëratave të ndryshme fetare, që ka mbajtur nëpër xhami të ndryshme në Shqipëri, e ka dhënë me shkrimin ose përkthimin e materialeve studimore islame, të dorës së parë. Nisja e përkthimit të disa ajeteve dhe sureve të Kur’anit nga ana e tij (botuar në vitin 1926), prej arabishtes në shqip, ishte një nga arritjet më të mëdha për prezantimin në shqip të Kur’anit.

Ngjitja e tij profesionale si figurë e lartë fetare islame, ishte kur ai u zgjodh si një nga anëtarët dhe Fetva Emini i Këshillit të Naltë të Sheriatit, nga viti 1918-1924. Gjithashtu, ai ka qenë mësues për një kohë të gjatë, në Medresenë e Tiranës. Botimet e tij fetare, si; “Mevludi” (1900), “303 fjalë të Imam Aliut” (Korçë, 1910), “Fe Rrëfenjësi, morali” (1914),“Jusufi me Zelihanë” (Elbasan, 1923), dhe “Historia e shenjtë dhe të katër halifetë” (Tiranë, 1931) ishin ndër librat më të dashur për besimtarët myslimanë të asaj kohe. Po ashtu, nuk mund të lëmë pa përmendur hytbet (ligjëratat), e shumta të mbajtura prej tij, në xhami si dhe shumë prej tyre të botuara në revistat e mirënjohura “Zani i Naltë”, “Kultura Islame” etj., të cilat u lexonin me ëndje të madhe, nga të gjithë shqiptarët e asaj kohe.

Atdheu i klerikut

Për shkak të mendimit të tij të lirë atdhetar, për shkak se ka përkrahur gjithmonë bashkimin kombëtar, të të gjitha trojeve shqiptare, dhe për shkak se e ka kundërshtuar gjithmonë dhe fuqimisht bolshevizmin, komunizmin dhe ateizmin, duke i konsideruar, si një; “kuçedër e zezë” për popullin shqiptar, atë dhe familjen e tij, për fat të keq, e ndoqi gjithmonë fati i zi i burgosjeve dhe përndjekjeve, si nga osmanët, që e njihnin si “hoxhë latinxhi”, si nga shqiptarët, pas krijimit të Shtetit Shqiptar, ashtu edhe nga sistemi i errët dhe i egër komunist, i cili e burgosi dhe e internoi, duke e çuar së fundmi në Kavajë, ku kaloi i vetëm dhe larg familjes së vet, vitet e fundit të jetës së tij në këtë dynja, ku ndërroi jetë, në vitin 1956.

Këtë veprim, ata e ndërmorën për të “zhdukur” kontributin e tij fetar dhe kombëtar, duke mos lënë hapësirë që idetë përparimtare të kalibrit intelektual të tij, për kombin dhe popullin tonë, të zbatoheshin në praktikë. Ai luftoi gjithmonë me armë, me dituri dhe me penë, për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet, si dhe për bashkimin e shqiptarëve kundër shovinistëve grekë dhe serbë, dhe jo për ndonjë ideal të veçantë, si ai i komunistëve. Duke iu kundërvënë bolshevizmit dhe duke parandjerë ardhjen e një “reje të zezë” për Shqipërinë dhe shqiptarët, ai e godet fort atë, që para instalimit të diktaturës komuniste, me vargjet:

“Bolshevizma s’pajton kurrë

Me dinin e Muhammedit,

Çelët do ta kenë luftën,

Gjer ditën e Kijametit”.

Ndërsa për vuajtjet e veta, me pak rreshta, ai i përmend shumë bukur, në një nga strofat e shkruara në manifestin e tij të rëndësishëm; “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Aty, ai për veten e vet, thotë:

“Për Shqipërinë u përpoqa

rrezikova jetën t’ime,

Nuk rëfehet se sa hoqa,

se shteti m’i njihte krime”.

Veprimtari tjetër e rëndësishme atdhetare e Hafiz Ali Korçës, është dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Dibrës, më 23 Korrik 1909, ku përveç tij, merrnin pjesë edhe shumë atdhetarë të tjerë të shquar, si: Aqif Pashë Elbasani, Abdyl Bej Ypi, Dervish Hima, (të cilit Hafiz Ali Korça, i ka dedikuar një poezi në kohën që ndërroi jetë). Fjala e Hafiz Ali Korçës në këtë kongres, ishte kryesorja, dhe për këtë kongres dhe vendimet e tij, kanë folur gjerë e gjatë Abdyl Ypi, në librin e tij, “Kongresi i Dibrës dhe Hafiz Ali Korça” (1918) si dhe Haki Sharofi, në librin “Kongresi i Dibrës”, të lënë dorëshkrim, por të botuar në vitin 2009, në Tiranë, nga djali i tij, Islam Sharofi. Për veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare shqiptare si dhe për përkrahjen që ai jepte për përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe në trojet shqiptare, kanë shkruar dhe gazetat e njohura të kohës në gjuhën osmane në Stamboll, si gazeta “Sabah” (30 maj 1311 (1894) dhe gazeta “Aksham” (9 korrik 1318 (1903).

Roald A. Hysa, ka ndarë këtë persekutim, e përndjekje në komunizëm, të klerikëve myslimanë, duke shënuar në gazetën “Drita Islame”, 2017, këto fakte: “Një pjesë e madhe e historisë sonë, u fsheh nga historiografia komuniste dhe persekutimi e vrasjet e hoxhallarëve të mirënjohur, është pikërisht një pjesë e rëndësishme për të cilën nuk flitet apo flitet shumë pak edhe sot. Me gjithë bujën me të cilën u festua 100 vjetori i Pavarësisë, asnjë nga figurat e Komunitetit Mysliman, nuk u dekorua apo, të përkujtohej. Regjimi komunist nuk i toleronte fetë, për shkak se i konsideronte si ideologji alternative e konkurruese, për politikat dhe ideologjinë marksiste leniniste.

Nisur nga kjo, ai i luftoi me të gjitha mënyrat e mundshme, dy fetë kryesore në Shqipëri, Krishterimin dhe Islamin. Të gjithë fetarët i konsideroi si armiq potencialë dhe për këtë i përndoqi vazhdimisht. Fillimisht fetarët u sulmuan dhe u luftuan në fillim të marrjes së pushtetit nga ana e Enver Hoxhës dhe Partisë Komuniste, duke u akuzuar si bashkëpunëtorë të okupatorit nazi-fashist apo, edhe të regjimit zogollian. Kjo u bë për të minimizuar fillimisht rezistencën antikomuniste e, më pas për të shkuar drejt zhdukjes së saj. Pa dyshim që nga këto lloj politikash, e sidomos prej urrejtjes klasore, kanë vuajtur qysh në momentet e para edhe shumë hoxhallarë, figura të mirënjohura lokale apo edhe në rang kombëtar.

Madje, para se të merrnin në dorë pushtetin, komunistët i luftuan dhe i vranë pa mëshirë, thjesht pse ata ishin kundërshtarë dhe flisnin e bënin propagandë kundër komunistëve dhe lidhjeve të tyre shpirtërore, me marksist-leninistët serbo-sllavë e sovjetikë. Për ta ilustruar më qartë, këtu po japim dy raste, të hoxhë Selim Brahjes, i njohur në popull si Hoxha i Saukut, dhe të imamit nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, Seit Idriz Shehu. Të dy këta janë vrarë përpara se të mbaronte Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin ta merrnin komunistët. Hoxhë Selimi u vra në gusht të vitit 1943, m’u në hyrje të xhamisë së Saukut, (ku ai shërbente) në ditët e para të muajit të Ramazanit. Shkaku për vrasjen e tij ishte pse nuk kishte pranuar të bashkëpunonte me komunistët dhe të shërbente politikisht për ta, kur anëtarë të njësitit të Pezës, i kishin kërkuar që ai të kalonte me ta.

Ndërsa hoxhë Seiti iu thoshte fshatarëve nëpër biseda të lira, se; komunistët do t’ua marrin tokën e, do t’ua marrin të gjitha pronat, ashtu si kishte ndodhur në Bashkimin Sovjetik, dhe do të vuanin për bukën e gojës më pas. Gjykohet dhe vritet me akuzën për; “agjitacion e propagandë”, kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, fillon zyrtarisht përndjekja edhe e hoxhallarëve kundërshtarë, ku arrestohen e burgosen të gjithë ata që kishin shërbyer në rangjet e larta të Komunitetit Mysliman, si hafiz Sherif Langu, kryetar i KMSH-së, hafiz Ismet Dibra, drejtor i Medresesë së Tiranës, Hafiz Ali Korça, Hafiz Ibrahim Dalliu, si dhe shumë hoxhallarë të tjerë.

Po ashtu arrestohen shumë myftinjtë, si hafiz Mustafa Varoshi, i cili vdes në burg nga torturat e rënda, që i bënin oficerët e Sigurimit, hafiz Xhemal Naipi, ish-kryetar i Parlamentit Shqiptar, i cili do të vdiste në qelitë e burgjeve komuniste dhe sot e kësaj dite, nuk dihet se ku e ka varrin. Në vijim, po publikojmë një listë me hoxhallarët e vrarë apo të pushkatuar nga regjimi komunist dhe që vdiqën burgjeve nga torturat e ndryshme. Kjo listë për momentin është e përkohshme, sepse mendojmë se ende nuk kanë dalë nga arkivat, shumë fakte që u mbajtën të fshehta nga regjimi komunist, për arsye të ndryshme.

Listë me hoxhallarë të vrarë nga komunistët

Hoxhë Selim Brahja – i njohur si “Hoxha i Saukut”, vrarë në gusht 1943, nga njësiti i Çetës së Pezës.

Imam Seit Idriz Shehu, nga fshati Vrajtë i Peshkopisë, mbaroi studimet në Prizren me Hafiz Shabanin. Ka dhënë mësim në mejtepet e xhamive dhe ka qenë imam në fshatrat: Deshat, Borovjan, Grevë dhe Zimur. Gjykohet dhe vritet me akuzën për “agjitacion e propagandë” kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, nga një gjykatë partizane e Brigadës V-të Sulmuese, me komandant Shefqet Peçin, më 26 gusht 1944, pa u “çliruar” akoma Shqipëria.

Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit, i burgosur në vitin 1945 dhe i vdekur në burg nga torturat çnjerëzore, më 1948.

Imam Liman Shabani – vdekur në burg, më 1945.

Imam Met Troci – dënohet fillimisht me vdekje dhe më pas i zbritet dënimi, me 30 vjet burgim. Vdiq në burg më 20 maj 1947, në rrethana të panjohura.

Imam Ahmet Hysejni – dënohet me pushkatim dhe më pas i kthehet vendimi me burgim të përjetshëm, më pas vdes në burg, më 1945-ën, në rrethana të panjohura.

Hafiz Xhemal Naipi – i burgosur më 1947. Vdiq në burgun famëkeq të Burrelit, në vitin 1955, në moshën 77 vjeçare, pa pasur dijeni familjarët, as për varrin e tij.

Hoxhë Jakup Dusha (Tropojë) – Në dosjen e tij thuhet se u arrestua së bashku me 6 persona të tjerë, më 3 shkurt 1953 dhe vdiq në hetuesi po atë vit, nga torturat çnjerëzore në Burgun e madh të Shkodrës.

Shyqyri Hoxha (Myftiu)- ish-myfti i Peqinit, pushkatuar më 1946, me akuzën si “armik i popullit”.

Salih Vuçiterna– ish-drejtor i zyrës së Vakëfeve të Komunitetit Mysliman, burgoset dhe vdes në burgun e Burrelit, në tetor të vitit 1949.

Qazim Rroji (1915-1946) myezin në Xhaminë e Tepes dhe Koplikaj, Shkodër. Nacionalist dhe pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, arrestohet dhe pushkatohet pa gjyq, më 10 shtator 1946. Ende sot nuk i dihet varri.

Imam Halil Hoxha (1881-1946), me origjinë nga Bytyçi i Tropojës, dënohet me pushkatim dhe ekzekutohet me akuzat si “kriminel lufte, bashkëpunëtor i regjimit zogollian dhe i okupatorëve”, së bashku me të, dënohet edhe bashkëshortja Xhane Hoxha, me 5 vite burgim dhe dy bashkëfshatarë të tij, Demush e Shaban Qerimi, me vdekje, për shkak se e strehuan atë. Vendimi për pushkatim i të treve, ka marrë edhe miratimin e Enver Hoxhës. Memorie.al

Pas tërheqjes së Matt Gaetz, Donald Trump zgjedh një grua për postin e prokurorit të përgjithshëm! Kush është Pam Bondi

Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka emëruar prokuroren veterane Pam Bondi si Prokurore të Përgjithshëm, disa orë pasi Matt Gaetz tërhoqi emrin e tij nga shqyrtimi.

Pam Bondi ka një histori të gjatë në zbatimin e ligjit dhe më parë ka shërbyer si prokurore e përgjithshëm e Floridës.

Një aleate për një kohe të gjatë e Trump, Bondi ishte pjesë e ekipit të tij ligjor gjatë gjyqit të tij të parë për shkarkimin e Senatit dhe gjithashtu e mbështeti publikisht duke u paraqitur në gjykatë gjatë gjyqit të tij në Nju Jork.

“Pam është prokurore prej gati 20 vitesh, ku ajo ishte shumë e ashpër ndaj kriminelëve të dhunshëm dhe i bëri rrugët të sigurta për familjet e Floridës,” tha Trump në një postim në mediat sociale duke njoftuar kandidaturën e saj.

Pam Bondi ka qenë pranë Trump që nga fushata e tij e vitit 2016, duke u thënë votuesve në një tubim të fundit të Presidentit të zgjedhur se e konsideron një “mik”.

Në vitin 2019, ajo iu bashkua Shtëpisë së tij të Bardhë duke shërbyer edhe si këshilltar ligjor dhe avokatw mbrojtse gjatë shkarkimit të tij të parë – gjatë të cilit ai u lirua nga akuza.

Ajo vazhdoi të ishte pjesë e ekipit ligjor të Trump në vitin 2020, si edhe gjithashtu shërbeu në Komisionin e Trampit për Abuzimin me Opioidet dhe Drogën, dhe së fundmi, ka drejtuar krahun ligjor të Institutit Amerikan të Politikës së Parë, një institut konservator i themeluar nga ish-anëtarë të stafit të Trump.

Nëse konfirmohet nga Senati, Bondi do të bëhet zyrtarja kryesore e zbatimit të ligjit në vend, me më shumë se 115.000 punonjës të departamentit të drejtësisë dhe buxhetin rreth 45 miliardë dollarë.

Ajo do të luante gjithashtu një rol kyç në përpjekjen për të zbatuar zotimin e Trump se do të ndëshkojë armiqtë e tij në politikë pasi të marrë detyrën.

Lajmi për emërimin e Pam Bondi erdhi rreth gjashtë orë pasi Gaetz tha se nuk do të kandidonte postin e profilit të lartë në kabinet, pas ditëve të debatit nëse do të publikohej një raport i Kongresit mbi akuzat për sjellje të pahijshme seksuale kundër tij.

Duke njoftuar tërheqjen e tij, 41-vjeçari tha se polemika ndaj tij po bëheshin për të shpërqëndruar punën e administratës së ardhshme Trump.

Pamjet e reja/ Momenti i ekzekutimit mafioz të djalit të ish-gjyqtarit Fran Prendi! Autorët breshëri plumbash në xhamin e mjetit luksoz

Pamje të reja nga atentati mafioz ndaj Klajdi Prendit, djalit të ish-gjyqtarit të GJKKO-së, Fran Prendi.

Krimi ka ndodhur në vetëm pak sekonda. Në video shihet momenti kur Klajdi Prendi futet brenda automjetit të tij tip G Class.

Dhe në vetëm pas 5 sekonda, atentatorët që i vijnë përballë me Audi me portobagazh, nisin të qëllojnë me breshëri plumbash drejt xhamit të përparmë të makinës lukzsoze dhe më pas në xhamin e përparmë ku ndodhej edhe viktima.

Pas qëlluan 28-vjeçarin, autorët u larguan drejt Farkës ku edhe u gjet Audi i shkrumbuar nga flakët dhe brenda tij edhe arma e dyshuar e krimit.

Ngjarja e rëndë ndodhi pak pas mesnatës së të hënës (19 Nëntor) në rrugën Xhanfize Keko në kryeqytet.

I riu ndodhej në lokal me miqtë e tij dhe me disa efektivë policie përpara se të ekzekutohej. Ndërsa mbeten mister arsyet e ekzekutimit të djalit të ish-gjyqtarit të GJKKO-së.

SHBA-ja sanksionon bankën ruse, Gazprombank

Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar Gazprombank, bankën e tretë më të madhe të Rusisë, dhe dhjetëra institucione të tjera financiare, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, po tenton që të dëmtojë edhe më tej aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën e tij në Ukrainë, para se të largohet nga Shtëpia e Bardhë pas dy muajsh.

 

Gazprombank, që luan rol të madh në lehtësimin e eksporteve ruse të energjisë, ishte banka e vetme e madhe ruse që kishte mbetur deri më tani pa u goditur nga sanksionet amerikane. Uashingtoni dhe Brukseli kishin shmangur sanksionimin e Gazprombank, pas shqetësimeve se mund të kishte pengesa në eksportet e energjisë.

Përveç Gazprombank, SHBA-ja po ashtu njoftoi se ka sanksionuar mbi 50 banka të tjera ruse që kryejnë operacione ndërkombëtare dhe mbi 40 regjistrues rusë të letrave me vlerë dhe 15 zyrtarë financiarë rusë.

Uashingtoni po ashtu paralajmëroi institucionet financiare kundër bashkimit në versionin e Rusisë të sistemit ndërkombëtar të mesazheve për bankat, që njihet me shkurtesën SWIFT. Rusia po synon të tërheqë bankat ndërkombëtare që t’i bashkohen platformës së saj të mesazheve, në mënyrë që të shmangë sanksionet financiare të vendosura nga SHBA-ja.

“Veprimet e sotme riafirmojnë përkushtimin e SHBA-së për të kufizuar aftësinë e Rusisë që të përdorë sistemin financiar ndërkombëtar për të zhvilluar luftën e saj kundër Ukrainës dhe për të penguar përpjekjet e Rusisë për të kryer pagesa ndërkufitare për mallrat me përdorim të dyfishtë dhe materialeve ushtarake”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller, përmes një deklarate më 21 nëntor.

Mbështetësit e Ukrainës për muaj të tërë i kanë bërë thirrje administratës së Bidenit që të ashpërsojë sanksionet ndaj sektorit bankar rus, duke thënë se Kremlini po gjen mënyra për të shmangur sanksionet aktuale dhe po paguan për importe të teknologjisë dhe mallra të tjera me përdorim të dyfishtë.

Përveçse lehtëson pagesat për energjinë, Gazprombank vepron po ashtu si një kanal për blerjen e mallrave ushtarake. Kremlini gjithashtu përdor bankën Gazprombank për të paguar ushtarët rusë dhe për të kompensuar familjet e ushtarëve të vrarë.

“Jam mirënjohës ndaj presidentit Biden dhe administratës së tij për pakon e fortë të sanksioneve financiare dhe bankare të bëra publike sot, që shënjestrojnë ekonominë dhe paratë e luftës të Rusisë”, shkroi në X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Biden do ta përfundojë mandatin më 20 janar, kur në Shtëpinë e Bardhë do të kthehet presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Ai ka premtuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke i ulur në tavolinë të bisedimeve Zelenskyn dhe presidentin rus, Vladimir Putin.

Sanksionet financiare amerikane vijnë në një moment kritik për ekonominë e Rusisë, pasi shpenzimet rekord të Putinit për luftën kanë rritur inflacionin dhe normat e interesit. Banka Qendrore e Rusisë muajin e kaluar rriti normat e interesit në 21 për qind, norma më e lartë në dekada, dhe mund të vazhdojë t’i rrisë normat, teksa nuk ka sinjale se lufta është drejt përfundimit./REL

Ambasada e SHBA-së uron Ditën e Alfabetit: Nderim i bukurisë së gjuhës shqipe dhe rëndësisë së saj unike, kulturore dhe historike

Ambasada e SHBA-së në Tiranë, ka uruar sot shqiptarët për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe me vargjet e Naim Frashërit.

 

Përmes një mesazhi në “X”, ambasada amerikane ka përcjellë urimin krahas vargjeve mjaft të njohura të poetiti Naim Frashëri: Gjuha jonë sa e mirë! Sa e ëmbël sa e gjerë; Sa e lehtë sa e lirë! Sa e bukur sa e vlerë!

Ndër të tjera, në postim shkruhet se kjo festë është një ditë për të nderuar bukurinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj unike kulturore dhe historike.

Mesazhi i Ambasadës

Gëzuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!

Kjo ditë shënon përvjetorin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, ku u standardizua alfabeti unik i gjuhës shqipe. Shqipëria po shënon për herë të parë këtë ditë për të nderuar bukurinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj unike kulturore dhe historike.

 

Erëra të forta dhe reshje shiu, moti i keq shkakton rrëshqitje të mëdha të rrugës Prekal-Kir! Si paraqitet situata në Shkodër, apeli për qytetarët

 

Moti i keq me erëra të forta dhe reshje shiu ka krijuar probleme ne segmentin rrugor Prekal-Kir në Shkodër.

Gjatë natës raportohet se ka pasur rrëshqitje të mëdha të rrugës dhe është bolluar qarkullimi në këtë aks rrugor.

Strukturat e emergjencave civile dhe firmën kontraktuese për menaxhimin janë vënë në dijeni për situatën.

Ndërsa banorëve u bëhet apel që të bëjnë kujdes në këtë segment rrugor

Situata në territorin e Qarkut Shkodër:

Ne te gjithe territorin gjate nates keni patur ere te forte dhe reshje shiu. Aktualisht vijon ere e forte dhe reshje shiu me intensitet te mesem.

* Ne bashkine Shkoder ka reshje me intensitet te mesem dhe ere te forte. Nuk raportohen probleme.

* Ne bashkise Malesi e Madhe vijojne reshjet e shiut me intesitet te larte te shorequar me ere te forte, aktualisht tani nuk raportohen probleme.

* Nga strukturat MC te Bashkise Vau Dejes informohemi se ka mungese te energjise elektrike ne te gjitha fshatrat Njad Hajmel, Vig Mnele, Temal dhe Shllak mungon plotesisht energjija elektrike.

* Ne Bashkine Puke vijon te kete reshje shiu dhe ere e forte.

Deri ne keto momente nuk raportohen probleme.

* Ne territorin e bashkise Fushe Arrez raportohen shkarje guresh dhe dherash ne rruge rurale.

* Nga DRV Shkoder informohemi  se qarkullimi vijon pa probleme, firmat mirembajtese jane ne gadishmeri me mjete dhe punetore.

* Nga DrUK Lezhe informohemi se nga reshjet e  shiut prej rreth 10mm gjate 24 oreve nuk jane shkaktuar probleme ne infrastrukturen e kullimit.

Basha: Kongresi i Manastirit, themel i unitetit kombëtar

Në ditën e Alfabetit, kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, vlerësoi Kongresin e Manastirit si një moment historik për gjuhën dhe kombin shqiptar.

Ai thekson se njëhsimi i alfabetit 116 vjet më parë ishte vendimtar për bashkimin kombëtar dhe për të shmangur asimilimin.

Basha apelon për mbështetje ndaj mësimit të shqipes nga emigrantët dhe theksoi se ky duhet të jetë një prioritet kombëtar.

Postimi i Bashës:

Kongresi i Manastirit është një ndër momentet madhore të historisë sonë kombëtare. I mbajtur 116 vjet më parë, ai është hapi i fundit i Rilindjes Kombëtare për krijimin e shtetit shqiptar.

Të mbledhur nga të gjitha trojet, pa dallime fetare dhe krahinore, intelektualë të shquar arritën njëhsimin përfundimtar të alfabetit shqip, si një domosdoshmëri edhe për bashkimin e kombit. Kongresi i Manastirit nuk qe vetëm Kongres i alfabetit të gjuhës shqipe. Gjuha shqipe ishte mjeti i zgjimit dhe i thellimit të vetëdijes kombëtare dhe i unitetit kombëtar, mospërdorimi i gjuhës shqipe, po sillte asimilimin e shqiptarëve.

Sot, me respekt dhe mirënjohje të thellë, kujtojmë figurat e shquara të patriotëve dhe intelektualëve që udhëhoqën këtë Kongres, duke marrë frymëzim prej tyre për të ndërtuar një Shqipëri të denjë në gjirin e Europës.

“Alfabeti i vetmi mjet me të cilin kombi do të përparojë” këto fjalë të At Gjergj Fishtës janë edhe sot një këmbanë alarmi për të bërë gjithçka që shqiptarët që janë emigrantë nëpër botë, të kenë mundësi të mësojnë dhe të mos e harrojnë gjuhën shqipe. Ky duhet të jetë një prioritet kombëtar sot, për çdo shqiptar.

Myshketa: 6.3 milionë euro “avulluan” nga Bashkia e Durrësit në 2018

Joni Myshketa, kryetar i PD-Demokratët Euroatlantikë, njëkohësisht anëtar i Këshillit Bashkiak, Durrës, analizoi në studion e MCN gjetjet e raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Bashkinë e Durrësit. Duke iu referuar raportit, Myshketa tha se në vitin 2018, në arkën e Bashkisë së Durrësit mungonin plot 630 milionë lekë.

Mungojnë 630 milionë lekë bashkisë së Durrësit në vitin 2018. Në fund të vitit 2018, kemi 6.3 milionë euro të munguara në Bashkinë Durrës. Pra janë zhdukur si me magji. Institucioni që paguhet dhe menaxhon taksat gjendet në shkelje dhe gjithçka vazhdon sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Projekte në infrastrukturë dhe ndërtim. Gjithçka lidhet me mosmenaxhimin dhe moseficiencën.

Sipas tij, raporti ka evidentuar disa manovra që kanë favorizuar biznese të caktuara në detyrimet ndaj pushtetit vendor.

Në raportin e KLSH, në faqen 286, nga auditimi ka dalë se 211 subjekte kanë kaluar afatin kohor të kthimit të përgjigjes. Pra, kërkojnë në QKB mbylljen e biznesit. Shumë biznese mbyllen duke pasur detyrime ndaj Bashkisë Durrës. Është mosrakordim në dukje neglizhencë, por mund të jetë edhe e qëllimshme. Kam një rast kur një subjekti, biznes i madh, që i dalin taksat për një vit si biznes i vogël. Pra, një vit paguan si biznes i vogël. Këto janë para të munguara në buxhetin e bashkisë.

Myshketa tha se këshilltarët e opozitës në këtë bashki po përgatisin një denoncim në SPAK mbi këto gjetje.

Ne po shqyrtojmë raportin e KLSH dhe nuk do të rrimë në heshtje, por do të marrim të gjitha masat ligjore. Raporti i KLSH është ulëritës për gjendjen në të cilën ndodhet Bashkia e Durrësit. Kjo e fundit që drejtoeht nga e majta prej dy dekadash.