Një shpërthim i fuqishëm tritoli ndodhi gjatë natës në Fushë-Krujë. Mësohet se lënda plasëse i ishte vendosur një dyqani që tregtonte detergjente me shumicë. Biznesi është në pronësi të shtetasit E.Xh., tha policia lokale. Ka dëme të mëdha materiale, por fatmirësisht jo persona të lënduar.
Ngjarja ndodhi pas mesnate në lagjen “Kastriot”. Para dy muajsh të njëjtit dyqan iu vendos eksploziv. Policia thotë se është duke hetuar për të zbardhur të plotë ngjarjen e Fushë-Krujës. Ngjarja vjen pas shpërthimit të fuqishëm që tronditi Shkodrën të shtunën e javës që lamë pas, ku 8 persona mbeten të plagosur.
Shpërthim tritoli në Fushë-Krujë
Berisha propozon rezolutë në Parlament në mbrojtje të gazetarëve

Kryeministri Sali Berisha doli në mbrojtje të medias dje në fjalën e tij të parë në seancën plenare të këtij sesioni. Berisha denoncoi atë që ai e quan qëndrim skizoid të kreut të ekzekutivit shqiptar, i cili pak ditë më parë u tha gazetarëve “mirëmëngjesi kazanë”. Berisha tha se duhet të miratohet sa më parë një rezolutë e quajtur “llum-kazanit”. “Jam këtu për të denoncuar para çdo shqiptari qëndrimin banditesk, të turpshëm, skizoid të kreut të ekzekutivit shqiptar, i cili si askush tjetër në planet kalon para një grupi njerëzish dhe u thotë mirëmëngjesi kazanë. Ky poshtërim kolektiv ndaj një grupi vajzash dhe djemsh që kanë për detyrë informimin e publikut, përbën një nga aktet më të pashembullta të skizës të kulturës staliniste. Të vërsulesh ndaj mediave të vendit me fjalën përmbledhëse kazan do të thotë se ke përzgjedhur fyerjen më të rëndë se çdo përmbajtje të veçantë të kazanit, do të thotë se, kafshërisht nuk kënaqesh me etiketimin me një nga përmbajtjet, por do të vërsulesh mbi çdo përmbajtje që ka kazani. Kam kërkuar një rezolutë që do të titullohej rezoluta e llum-kazanit, e cila duhet të dënojë para mbarë botës njeriun që drejton ekzekutivin dhe përdor këtë post që përdor etiketime të tilla që mund ta dëgjosh vetëm në spitalet psikiatrike. Kur një gazetare pati kurajën që denoncoi Olsi Ramën si pjesë të grupit të drogës së Xibrakës, llum-kazani i dërgon mesazherin e tij për të kërcënuar një nënë, një gazetare me fjalën e lirë dhe më pas urdhëron Gëllçin që t’i presë asaj rrogën si në Korenë e Veriut. Kërkoj të vihet në rend dite edhe rezoluta e llum-kazanit për të vendosur nderin në vend të medias shqiptare”, është shprehur Berisha.
Pa rikthyer ligjin, nuk ka as Parlament as demokraci
Lulzim Basha
Po kthehemi pas një muaji në vendin e krimit. Këtu në këtë sallë, më 18 dhjetor mazhoranca e kapur nga krimi dhe e zhytur në krim, e kthyer në një ushtri ndihmëse të trafikantëve të drogës, çka mishërohet më mirë dhe më qartë se askush tjetër, se nga Saimir Tahiri, kreu krimin kushtetues, kapi Prokurorinë dhe që prej datës 18 dhjetor në këtë vend janë shembur kollonat ekzistenciale të demokracisë, ndarja e pushteteve.
Njeriu që ka uzurpuar kreun e ekzekutivit, njeriu që udhëheq dhe drejton me grusht të hekurt Teatrin e Kukullave të grupit të tij parlamentar, të dalë nga vota e trafikuar dhe e blerë e 25 qershorit, është sot edhe kryeprokurori i vendit.
Ky krim kushtetues u paralajmërua nga opozita, u paralajmërua nga PD, sepse rruga që kryeministri ka nisur është rruga drejt një fundi e të paralajmëruar për homologët e tij kudo në botë e kurdo në histori. Kjo është rruga e aleancës me krimin për të marrë dhe mbajtur pushtetin, kjo është rruga e mbrojtjes dhe e garantimit të paprekshmërisë së kriminelëve si prioritet absolut i një pushteti të korruptuar deri në qelizën e fundit. Dhe e vetmja mënyrë për ta garantuar këtë pushtet, e vetmja mënyrë për të garantuar paprekshmërinë e kriminelëve me të cilët Edi Rama erdhi në pushtet dhe mbahet në pushtet, është kapja e institucioneve, shkelja e Kushtetutës dhe shkelja e ligjit.
Autokracitë nuk kanë rrugë tjetër. Autokratët e lidhur me krimin aq më pak. Kapja e shtetit është forma më e avancuar dhe e fundit e autokracive kriminale para se të shkatërrohen nën peshën e zullumit të tyre. Qëllimet e kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama janë të qarta për këdo. Edhe më paragjykuesit, edhe më kritikët ndaj qëndrimeve të opozitës, sot i kanë para syve të tyre, dhe për ata që duan të mbyllin sytë para hundës së tyre duhmën e akteve kriminale që kanë pasuar pas kapjes së Prokurorit të Përgjithshëm dhe kurorëzimit të Edi Ramës kryeprokuror. Menjëherë pas këtij akti, Saimr Tahirit iu hoq masa shtrënguese e ndalimit të daljes jashtë shtetit, pasi arrestimi i tij ishte ndaluar nga Partia Socialiste apo më mirë të themi nga votat e diktuara nga krimi në Grupin parlamentar të PS.
I dyshuari për pastrim të parave të Saimir Tahirit, Orest Sota, i kapur në flagrancë me 863 mijë euro, u lirua dhe nuk është sot në qeli. Nga ana tjetër, po bëhen sforco dhe përpjekje të mëdha për të ndaluar hetimet në adresë të kryetarit të Bashkisë së Durrësit, një njeriu që është shndërruar në simbolin e kapobandës së Durrësit, Vangjush Dakos dhe Qazim Sejdinit dhe klanit të tij, që para disa javësh goditi makinat e policisë me vullnetin dhe mbrojtjen e krimit. Ish-deputetit të mazhorancës Mark Frroku dhe anëtarëve të grupit të strukturuar kriminal “Xibraka”, fabrikës së kokainës, ku ka dyshime të forta për përfshirjen e familjarëve të afërt të Kryeministrit, iu ul dënimi në mënyrë lehtësuse dhe Prokuroria nuk mori mundimin ta kundërshtojë. Disa çështje të tjera të trafikut të drogës dhe të kriminelëve më në zë si Emiljano Shullazi me shokë, kanë marrë kthesa të forta drejt mbylljes apo dështimit të tyre. Këto janë efektet e para, në më pak se 4 javë të kapjes së Prokurorisë dhe vetëemërimit të Edi Ramës, Prokuror i Përgjithshëm.
Sot, Prokuroria ka njoftuar zyrtarisht refuzimin për të hetuar aktet kriminale të 18 dhjetorit, pengimin banditesk të deputetëve të opozitës për të marrë fjalën, falsifikimin e votimit, dhunimin e rregullores.
Asnjë nga këto akte e shumë e shumë të tjera që kanë ndodhur e do të dalin në dritë nuk janë rastësi, por janë veprime të komanduara politikisht dhe rezultat dhe produkt i kontrollit politik të Prokurorisë nga kryeministri. Ndërkohë vendi është në udhëkryqin dhe krizën më të rëndë të 27 viteve.
Shumë raporte ndërkombëtare si ai i CIA-s thonë qartë; Shqipëria është kthyer në një narkoshtet me korrupsion të shfrenuar, ndërkohë edhe kriminelët e kanë marrë sinjalin. Vrasjet mes qyteteve, tritoli dhe grabitja e bizneseve, e shtëpive, e qytetarëve është përditshmëri. Sot, ka ndodhur një grabitje banke në mes të Tiranës. Dje, një atentat në mes të qytetit me një të vdekur dhe një të plagosur. Një tjetër vrasje para pak ditësh në një zonë të populluar të Tiranës. Eksplozivi është bërë pothuaj i përditshëm. Në Shkodër u plagosën 8 persona, shumica e tyre qytetarë të pafajshëm. Vetëm në fillim të vitit janë shënuar shpërthime me eksploziv në Vlorë, Krujë, Fushë-Krujë. Grabitja e banesave raportohen në mënyrë të përditshme. E gjitha kjo ndodh, sepse krimi e ka marrë sinjalin. Nga njëra anë Edi Rama e ka rilindur policinë me njerëz të inkriminuar, të larguar nga radhët e Policisë nga qeveri paraardhëse socialiste, si eksponentë dhe mbështetës të trafiqeve, të kriminalitetit, dhe të organizatave kriminale, të cilët sot kanë për qëllim transportimin e qetë të drogës së shefit dhe jo jetën dhe pronën e qytetarëve që kërcënohet çdo ditë.
Ekonomia është në kolaps. Edhe burimet zyrtare nuk e fshehin dot depresionin në të cilën ndodhet biznesi, sipërmarrja, prodhimi dhe konsumi. Besimi i bizneseve në të gjithë sektorët e ekonomisë shënoi një rënie rekord sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, rënie e cila tejkalohet vetëm nga një rënie tjetër, besimi i konsumatorëve tek ekonomia.
Gjatë vitit 2017, 12 960 subjekte falimentuan me një shpjetësi prej 1 mijë e 80 biznesesh në muaj, apo po të heqim të shtunat e të dielat, afërisht 50 sipërmarrje e biznese në ditë të mbyllura gjatë vitit që lamë pas. Vetëm gjatë 11 ditëve të para të këtij muaji, 334 subjekte kanë deklaruar falimentin, mesatarisht 30 në ditë. Ndërsa të dhënat tronditëse nga të dhënat e popullsisë, të cilat të ngjethin mishin duket se nuk kanë asnjë impakt e s’mund të kenë asnjë impakt në një qeveri që ka zëvendësuar hartimin dhe zbatimin e politikave publike me sundimin mafioz dhe mbrojtjen e kriminelëve dhe politikanëve të kapur me krimin si prioritet të saj.
Një në 10 fëmijë në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë konsumon vetëm një vakt në ditë. Shqiptarët e kapën një rekord vitin që mbyllëm. 30 mijë shqiptarë janë regjistruar si azilantë. Në Francë, numri i shqiptarëve që ka kërkuar azil është më i madhi krahasuar me çdo grup tjetër kryesisht me afrikanë dhe aziatikë, duke ia kaluar edhe popullsisë siriane, e cila vazhdon të ndodhet në kushtet e një lufte të tmerrshme civile.
Kjo është fatura që po paguajnë qytetarët kur mazhoranca shkel Kushtetutën për të mbrojtur peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit. Kur kryeministrit i duhet një Prokuror i Përgjithshëm për të kontrolluar dhe mbyllur çështjet penale bashkëpunëtorëve të tij më të afërt dhe jo vetëm kaq, por për të diktuar përmes një prokurori të paligjshëm e jo kushtetues edhe formimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me një qëllim; të shmangë me çdo kusht krijimin e një SPAK-u të pavarur nga kontrolli kryeministror. Me të vetmin qëllim që struktura e posaçme antikorrupsion, vepra më e rëndësishme e Reformës në Drejtësi, instrumenti më i rëndësishëm për kapjen dhe vënien para drejtësisë të peshqëve të mëdhenj si kushti kryesor për hapjen e negociatave, t’i përkasë kryeministrit dhe bandës së cilës i ka dalë për zot dhe e mbron me çdo akt dhe me çdo frymë të tij. Ne jemi sot këtu për të regjistruar kundërshtimin tonë të plotë dhe të prerë dhe për t’i bërë një thirrje çdo shqiptari dhe çdo socialisti, të mos vëmë Habilajt, Tahirin dhe krimin mbi Shqipërinë, të mos ta lëmë Shqipërinë dhe as Partinë Socialiste në dorë të habilajve por të bashkohemi për të rikthyer Kushtetutën, për të rikthyer ligjin, pasi pa to nuk ka as parlament dhe as demokraci.
Ruçi provokon opozitën, i heq të drejtën e fjalës
Kryetari i Parlamentit, Gramoz Ruçi provokoi opozitën dje teksa i mohoi asaj të drejtën e fjalës në nisjen e sesionit të ri parlamentar. Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike nuk ka mundur të flasë gjatë seancës. Ndërsa kërkoi fjalën, ai është ndërprerë në mënyrë arrogante nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i cili nuk e lejoi të fliste. Spaho kërkoi fjalën për të shpalosur kërkesën e deputetëve për të ndërmarrë ndryshimet kushtetuese. Kaq është dashur që deputetët e opozitës të ngrihen të gjithë në këmbë. Ndërsa Ruçi urdhëroi ndërprerjen e seancës për pesë minuta. Pak pasi Ruçi i refuzoi opozitës nismën për ndryshimin e Kushtetutës, opozita ka braktisur sallën e Kuvendit. Spaho i kërkoi Ruçit që të lajmëronte Kuvendin për nismën, por një gjë e tillë nuk ndodhi. 55 deputetë depozituan nismën për të ndryshuar Kushtetutën në pjesën e ligjit për Prokurorinë. Këtë çështje e shtroi kreu i Grupit të PD-së, Edmond Spaho si dhe kryetari Lulzim Basha. Por ajo u refuzua nga mazhoranca me pretendimin se ishte paraqitur me vonesë. Pas këtij momenti, deputetët e opozitës kanë dalë nga salla. Pak minuta më vonë, kryetari Gramoz Ruçi e ka mbyllur seancën.
Korrupsioni në nivele historike
Deputetët demokratë në takimin me delegacionin e Komisionit të Marrëdhënieve me Europën të Asamblesë Portugeze, vunë theksin në shkeljen e rëndë të Kushtetutës të votimit nga mazhoranca, pa ngritjen e KLP-së dhe pa vetting, i Prokurorit të Përgjithshëm.
“Reforma në Drejtësi që shpresojmë të japë rezultat, po kompromentohet nga veprime jo kushtetuese, siç ishte rasti i Prokurorit të Përgjithshëm. Nga Progres-Raporti i Komisionit Europian, citohej që duhej të ngrihej Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili në realitet nuk u ngrit, dhe Prokurori i Përgjithshëm u votua vetëm nga votat e mazhorancës”, kanë deklaruar deputetët e djathtë.
Ata vunë në dukje çështjen “Tahiri”, si ish-ministrin që e ktheu vendin në kultivues të drogës.
“Ka sinjale pozitive nga Komisioni Europian, të cilët i kërkojnë qeverisë të hedhë hapat e duhur në mënyrë që të kemi zhvillime pozitive në mesin e vitit 2018. Por, fatkeqësisht shohim se qeveria nuk po bën çfarë nevojitet për politikanët dhe zyrtarët që e shndërruan vendin në kanabistan në 2016-ën, ministri Tahiri që ishte në vijën e parë të kanabizimit të vendit, mbrohet nga qeveria kur Prokuroria kërkon heqjen e imunitetit. Policët që në masë kanë kanabizuar vendin, janë përsëri në detyrë”.
Deputetët demokratë i thanë delegacionit se: “Korrupsioni qeveritar ka arritur nivele më të larta historike siç e tregojnë edhe konçesionet abuzive dhe kontratat e jashtëligjshme. Gjithashtu, administra publike e paraqitur si sukses deri në vitin 2017, po paraqitet nga Kryeministri si më e keqja e mundshme. Pas zgjedhjeve parlamentare ku u dëshmua blerja masive e votës, Reforma Zgjedhore nuk po ecën në hapat e duhura. Këshilli i Europës vuri disa kushte për heqjen e negociatave, si zgjedhjet e lira e të ndershme, lufta kundër krimit e korrupsionit dhe dekriminalizimi”.
Studentët ‘nën presion’ nga korrupsioni në universitete
Një studim i prezantuar të mërkurën në Tiranë, zbuloi se korrupsioni është i pranishëm në Arsimin e Lartë në nivele shqetësuese dhe se një përqindje e lartë e studentëve ndihen nën presion për t’u bërë pjesë e aferave korruptive nga stafi akademik. Studimi i kryer nga OJQ-ja “Qëndresa Qytetare”, një organizatë e përqendruar te roli i shoqërisë civile në llogaridhënien e autoriteteve, u bazua te anketimi i 277 studentëve në fakultete të ndryshme në Tiranë, Elbasan dhe Durrës për të kuptuar nivelin, perceptimin dhe format e korrupsionit në këto universitete kryesore në Shqipëri.
Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan kishte normën më të lartë të pranisë së korrupsionit (77 për qind), pasuar nga Universiteti i Tiranës (62 për qind) dhe ai i Durrësit (42 për qind), sipas pikëpamjeve të studentëve. Të anketuarit pohojnë se forma më e përhapur e korrupsionit është pagesa në shkëmbim të notës, pasuar nga detyrimi për blerjen e librave të panevojshëm dhe së fundmi, nepotizëm dhe kërkesa për favore seksuale nga stafi akademik.
“Kjo është një tryezë alarmi për Arsimin e Lartë. Nuk mund të lejojmë që të ketë korrupsion në sistemin arsimor”, tha Rigles Xhemollari, drejtues i Qëndresës Qytetare, duke shtuar se blerja e notës me para e kthen universitetin në pazar. Xhemollari shtoi se i takon studentëve të ndershëm të denoncojnë me forcë çdo pedagog dhe u bëri thirrje atyre që të luftojnë me vetveten për të mos e blerë konkurrencën brenda universitetit.
“Pedagogëve u bëj një pyetje”, tha ai, “keni hyrë në universitet si tregtar apo edukues?” përfundoi Xhemollari. Plot 95 për qind e studentëve të anketuar dëshmuan se rastet e korrupsionit në universitetet e tyre janë anashkaluar, duke mbetur të paadresuara.
Po ashtu, duket se presioni për t’u përfshirë në raste korruptive është ushtruar në 87 për qind të studentëve, presion ky i ardhur nga pedagogu, stafi akademik apo sekserët e tjerë. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë (neni 259) e dënon me burg nga dy deri në tetë vjet korrupsionin pasiv të personave që mbarin funksione publike.
Një zbulim tjetër shqetësues për korrupsionin në Arsimin e Lartë publik, duket se është masa e tolerimit të tij nga studentët, të cilët e shohin si të tolerueshëm (13 për qind) dhe nuk e dënojnë hapur (23 për qind). Shqetësimi kryesor i studentëve në lidhje me korrupsionin në Arsimin e Lartë duket se është krijimi i kushteve të pabarabarta mes studentëve, demotivimi i tyre për të studiuar, krijimin e shoqërisë së padrejtë e favorizuese dhe shtrembërim të tregut të punës.
Rekomandimet e studimit përfshijnë ashpërsim të masave ligjore dhe institucionale ndaj pedagogëve për korrupsion pasiv. “Duhet të krijohen zyra të posaçme për adresimin e korrupsionit në nivel universiteti”, sugjeron raporti. Po ashtu, hartuesit këshillojnë që Ministria e Arsimit të kryejë kontrolle periodike përmes anketave te studentët dhe kontaktit me zyrat e administratës.
LSI: Rama po injoron opinionet e ONM
Petrit Vasili, Kryetari i Grupit parlamentar të LSI-së, tha se në seancën e fundit të këtij Kuvendi u dhunua Kushtetuta me zgjedhjen e Prokurores së Përkohshme të Përgjithshme. “Rikthehemi në një sallë, e cila u dhunua në mënyrë flagrante nga Garda e Republikës, e cila u ngrit pa asnjë lloj kontrolli, duke vepruar në atë që quhet salla e të zgjedhurve të popullit”, tha Vasili, duke iu referuar situatës së krijuar në Kuvend në seancën e dhjetorit 2017. Vasili theksoi se, Edi Rama për shkak të frikës po tenton të kapë drejtësinë. “Vetingu ka rënë moralisht, pasi Kryeprokurori u zgjodh pa veting. Të parën e organit të akuzës e kemi pa veting, ndërkohë që betoheshim që vetingut nuk do t’i shpëtojnë asnjë prokuror apo gjyqtar, madje edhe policia. Ne zgjodhëm ONM, por opinionet e saj nuk përfillen as nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Dhe kjo po ndodh, pasi qëllimi është vetëm një: kapja e drejtësisë. Ky nuk është fati i një mazhorance apo opozite, por fati i Shqipërisë”, tha Vasili, në fjalën e tij në Kuvend. Sipas tij, për shkak të frikës që ka sot Rama po kapet drejtësia, po vihet në rrezik integrimi europian, të cilin kjo mazhorancë nuk e do, e ka frikë. “Zbatimi i Reformës në Drejtësi sipas Komisionit të Venecias kërkon tjetër qasje. Qytetarët këtë presin. Nëse 90 % e qytetarëve kërkojnë Reformën në Drejtësi, kjo nuk do të thotë se ato duan një drejtësi kundër interesave të tyre”, tha Vasili. Sipas tij, nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit sot disa opinione për disa kandidatë i merr parasysh, ndërsa për disa të tjerë as nuk i përfill. “Kjo është një betejë, një luftë e gjatë, për të cilën nuk do të ketë asnjë hap prapa, përsa i takon Kushtetueshmërisë dhe zbatimit të ligjit. Mbi Kushtetutën dhe Ligjin nuk mund të dalë askush, kushdo që del mbi to është ilegjitim”, tha Vasili.
Koçijançiç: Asnjë kompromis me kriteret e anëtarësimit
Pyetjes mbi strategjinë që do të ndjekë Bashkimi Europian për integrimin e Ballkanit Perëndimor, zëdhënësja e Komisionit Europian për punët e jashtme, fqinjësinë e mirë, zgjerimin dhe negociatat për anëtarësim, Maja Koçijançiç, i është përgjigjur duke thënë se, viti 2018 përfaqëson një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor në mënyrë që të bëjë hapa të patjetërsueshëm drejt rrugëtimit evropian, por nuk do të ketë nga ana tjetër asnjë kompromis në këtë çështje. Kjo, sqaron Koçijançiç, do të mund të arrihet vetëm nëpërmjet reformave kyç, atë në drejtësi dhe sundim të ligjit si dhe të drejtat themelore. “Bashkimi Europian është i qartë në pikën, se nuk do të bëjë asnjë kompromis me kriteret e anëtarësimit”, nënvizon Koçijançiç për “Scan”. Çdo progres serioz është i varur nga reformat, vijon ajo. Ndër të tjera, Koçijançiç thekson se perspektiva europiane vazhdon të udhëheqë transformimin e rajonit, gjë që është në interes edhe të Bashkimit Europian, çka është më e dukshme se asnjëherë më parë. Këtu, Koçijançiç ndalet duke sqaruar se, pavarësisht progresit ka ende shumë punë për t’u bërë, veçanërisht sa i përket reformave. Në mënyrë që të ruhet ky moment pozitiv në rajon, Komisioni Europian ka vendosur që të adresojë sfidat e secilit vend në mënyrë të detajuar. Strategjia do të miratohet në shkurt, ndërkohë që në muajin prill do të prezantohen raportet e detajuara për secilin vend, ku do të sqarohet edhe niveli i përgatitjes së vendeve të rajonit për t`iu bashkuar unionit”, thotë Koçijançiç për “Scan’.
Kush janë dy deputetë e rinj në Parlament
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zëvendësuar sot deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, të cilëve u hoqi mandatin disa ditë më parë.
Me unanimitet KQZ vendosi t’i japë mandatin e deputetit të PDIU-së në Elbasan kandidatit Dritan Bici dhe nga lista shumëemërore e LSI në Qarkun e Beratit, kandidates Silva Caka.
Ndërkohë me 4 vota pro dhe 3 kundër, KQZ vendosi që Florenc Xhindi të vijojë të mbajë mandatin e anëtarit të LSI në Këshillin Bashkiak të Beratit.
Administrata e Komisionit propozoi të kundërtën, pasi Xhindi nuk ka deklaruar në formular se ka qenë më herët i dënuar nga Gjykata e Sarandës për kalim të paligjshëm të kufirit.
Por sipas 3 anëtarëve të KQZ të propozuar nga PS dhe atij të propozuar nga LSI, nuk mund të konsiderohet fshehje informacioni një e dhënë që ndërkaq është publike, siç janë dënimet e gjykatave shqiptare.
Presidenti grek kërcënon Shqipërinë
Pak ditë para takimit të ministrave të Jashtëm të Shqipërisë e Greqisë, që do të mbahet në Korçë, Presidenti i Republikës greke, Prokopis Pavlopulos, ka drejtuar sërish një mesazh ndaj vendit fqinj. Kësaj here, Pavlopulos ka shfrytëzuar takimin me përfaqësues të diaporës greke dhe të organizatave të hebrenjve në SHBA, për të shpalosur qëndrimet e tij në marrëdhëniet me fqinjët. “Ne synojmë integrimin europian edhe të Shqipërisë fqinje. Mirëpo Shqipëria, që të ketë perspektivë europiane, duhet të respektojë të drejtën europiane dhe ndërkombëtare. Dhe një nga akset më të rëndësishme të së drejtës europiane dhe ndërkombëtare është respektimi i të drejtave themelore të njeriut. Dhe nga të drejtat themeltare të njeriut është posaçërisht e drejta mbi pronën dhe të drejtat e minoritetit. Përderisa ka respektim nga ana e Shqipërisë, ne jemi këtu që të ndihmojmë. Mirëpo, nëse nuk ka respektim, Shqipëria duhet të marrë përsipër pasojat. Të jemi të qartë: Ne nuk mund të bëjmë lëshime në emër të çfarëdo miqësie dhe fqinjësie të mirë”, ka deklaruar Pavlopulos. Presidenti grek ka përdorur një gjuhë ultimative edhe ndaj fqinjit verior të Greqisë, Maqedonisë, në kohën që Athina dhe Shkupi po intensifikojnë përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së emrit, raporton Ora News. “Zgjidhja e kësaj çështjeje është kusht edhe për anëtarësimin e vendit fqinj në NATO dhe integrimin europian. Ju garantoj se ne grekët nuk kemi asnjë pretendim ndaj vendit fqinj dhe kemi çdo arsye të favorizojmë integrimin euro atlantik të tij. Mirëpo kjo ka një kusht: duhet të zgjidhet çështja e emrit. Duhet të jetë një emër që së pari të respektojë historinë; historia nuk falsifikohet. Dhe së dyti, ky emërtim nuk duhet të inkurajojë tendenca rivendikuese”, ka deklaruar Presidenti i Republikës greke. Siç duhet, Greqia e kundërshton emrin kushtetues të Maqedonisë, me argumentin se mbart pretendime territoriale ndaj Greqisë.