Një raport i firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, zbulon se Fondacioni Soros dhe Kuvendi i Shqipërisë po favorizojnë disa kandidatë të Shoqërisë Civile që nuk plotësojnë kriteret ligjore (sipas ekspertëve ndërkombëtarë-ONM). Raporti i plotë i siguruar nga Hashtag.al, zbulon shkeljen e kritereve. Një nga organet që do strukturohen pas Reformës në Drejtësi është Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).
Një prej anëtarëve të këtij këshilli duhet të jetë propozim i Shoqërisë Civile. Drejtuesi i Komisionit Propozues të Shoqërisë Civile është zoti Andi Dobrushi, njëherësh dhe drejtor i Fondacionit Soros. Nga lista që ka propozuar Komisioni i Shoqërisë Civile, në përfundim Kuvendi ka mbajtur në garë vetëm 3 kandidatura. Alfred Balla, Andi Muratej, Mimoza Qinami. Por vendimi i Kuvendit rezulton tërësisht në kundërshtim me opinionin e Organizatës Ndërkombëtare të Monitorimit (ONM), pasi kjo organizatë ka kërkuar skualifikimin e Alfred Ballës dhe Andi Muratej, ONM-ja ka kërkuar që në garë të mbetej vetëm Mimoza Qinami si e vetmja kandidate që plotësonte kriteret.
Kuvendi e ka renditur në raport Alfred Ballën në vend të parë, por misioni i ONM-së është shprehur për këtë kandidat se ka dyshime se ai e ka kopjuar platformën e vetë konkuruese nga një tjetër kandidat, pra ka bërë plagjiaturë. Ndërsa për Andi Muratej misioni i ONM-së ka zbuluar se ai nuk ka punuar në Shoqërinë Civile në afatin kohor siç e kërkon ligji dhe se ka qenë i angazhuar me detyra shtetërore kryesisht.
Sipas ONM-së Alfred Balla dhe Andi Muratej duhej të skualifikoheshin, por Kuvendi i Shqipërisë pa dhënë asnjë kundër-argument mbi pretendimet e ONM-së, i ka kualifikuar këta dy kandidatë, madje i ka renditur të parët në listën e pikëzimit. Ky është një shembull arbitrar se si Kuvendi po godet me vendim politik, opinionin e ekspertëve të ONM-së, duke futur në lojë dy kandidatë me probleme dhe që nuk plotësojnë kriteret. Nga ana tjetër, raporti i ONM-së zbulon dhe kompromentimin e Shoqërisë Civile dhe në veçanti të Fondacionit Soros, pasi nga 14 kandidaturat (në total) që ka paraqitur ky Fondacion vetëm njëra prej tyre plotësonte kriteret ligjore.
Njeriu i Ramës zbulon skandalin, ONM rrëzoi kandidatët e Fondacionit Soros
Tenderat e luksit, Veliaj 480 milionë lekë internet për zyrat e Bashkisë
Bashkia e Tiranës me në krye Erion Veliaj, vijon të shpenzojë pa asnjë kontroll dhe në mënyrë jotransparente taksat e qytetarëve të Tiranës. Pak kohë më parë, Bashkia e Tiranës hapi një tender për krijimin e një websiti, ku shpenzoi plot 120 milionë lekë, një marrëzi me shpërdorimin e fondeve publike. Sërish ndodhi e njëjta gjë. Tpz.al ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi, ku Veliaj do të shpenzojë mbi 480 milionë lekë për internet në zyrat e Bashkisë. Internet dhe disa linja intranet do t’u çohen edhe institucioneve të varësisë së Bashkisë së Tiranës. Fondi limit është plot 390.474.040 lekë pa TVSH, ose rreth 480 milionë lekë me TVSH, ndërsa burimi i financimit janë të ardhurat e vetë bashkisë. Afati për ofrimin e shërbimit është nga data e lidhjes së marrëveshjes kuadër deri në datë 31.12.2018. Tpz.al kërkoi edhe shpenzimet e bashkive të tjera për internet, ku rezultatet ishin befasuese; Durrësi, Tropoja dhe Rrogozhina sëbashku do të shpenzojnë vetëm 17.4 milionë lekë të vjetra. Normalisht, shumëkush mund të thotë se, Bashkia e Tiranës ka shumë më tepër punonjës se sa bashkitë e tjera që krahasuam, ashtu si edhe banorë. Në Tiranë, banojnë afërsisht 850 mijë banorë, ndërsa në Durrës jetojnë rreth 200 mijë banorë. Sipas dokumenteve që disponojmë, Bashkia e Durrësit do të shpenzojë vetëm 5 milionë lekë për internet, ndërsa ajo e Tiranës, e cila ka katërfishin e banorëve nuk duhet t’i kalonte 20-25 milionë lekë të vjetra. Por, kjo nuk ka ndodhur, pasi është hapur tenderi për plot 400 milionë lekë. Internet kërkon edhe Bashkia Tropojë, e cila do të zhvillojë procedurën e prokurimit me vlerë të vogël me fond limit 360.000 lekë pa TVSH, me objekt “shërbim interneti, për Bashkinë Tropojë”. Kërkohet internet për godinën e bashkisë, për njësitë administrative, ndërsa afati i kryerjes instalimit do të jetë 2 ditë, duke filluar nga shpallja e fituesit. Shërbimi do të ofrohet për deri më 31.12.2018. Edhe Bashkia Rrogozhinë ka hapur tender për internet, me fond limit 785.850 lekë, për të gjitha institucionet, për plot 1 vit kalendarik. Veliaj apo edhe shumë zyrtarë të tjerë, nuk i kursejnë miliarda lekë nga taksat tona për investimet publike, por askush nuk është në dijeni sesi shpërdorohen.
120 milionë për një websit
Çdo tender i firmosur nga Erion Veliaj nis me shifra marramendëse për çdo zë qoftë edhe për një shërbim të vogël. I tillë tenderi i sapofirmosur për ndërtimin e websiti (faqe online). Me një kosto jo vetëm abuzive e tërësisht të pajustifikueshme, por mbi të gjitha skandaloze, pasi shërbimi për ndërtimin e një websiti mund të kushtojë thjeshtë dhe vetëm 500 mijë lekë të vjetra apo edhe pak më shumë. Por vala e tenderave milionëshe në Bashkinë e Tiranës nuk kanë të ndalur. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, as nuk e ka problem që të ofrojnë më shumë se 120 milionë lekë të vjetra për ndërtimin e një websiti, që me stil i është shtuar edhe një rrjet intraneti dhe 2 trajnime. Erion Veliaj, Bashkia e të cilit ka publikuar tashmë si autoritet kontraktor tenderin, ka lënë një afat 4-mujor për ndërtimin e tij, ndërsa mirëmbajtja do të jetë 4 vjet. Pra, një kompani, të cilën do e ndjekim hap pas hapi për t’i zbuluar emrin, do të paguhet rreth 30 milionë lekë në muaj. Tenderi që do të mbyllet më 14 dhjetor përcakton që ofertimi do të bëhet për krijim websiti, intranet, trajnim dhe mirëmbajtje. Intraneti është një rrjet privat, që do aksesohet nga stafi i bashkisë.
Bumi i Gjermanisë dhe problemet e Evropës
Henrik BOHME
Po, pak eufori është me vend. Rritje ekonomike për tetë vjet radhazi. Këtë mund ta tregosh. Kjo është saktësisht periudha kohore, që prej kur ekonomia e Gjermanisë ra në një recesion të thellë për shkak të krizës financiare botërore. Në të gjithë këtë periudhë, kancelarja quhej Angela Merkel, ajo drejtonte me koalicione të ndryshme, herë me liberalët, herë me socialdemokratët.
Kjo në një kohë kur në pikëpamje ekonomike, një koalicion mes partive të mëdha nuk është diçka që duhet ta gëzojë një sipërmarrës. Megjithatë, Gjermania u ngrit në këmbë dhe i mblodhi fuqitë për t’u kthyer në lokomotivë për pjesën tjetër të Evropës. Dhe gjendja nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Në kapërcyell të shekullit, ekonomia gjermane konsiderohej si “e sëmura e Evropës”. Reforma vërtet të ashpra të tregut të punës të kancelarit socialdemokrat, Gerhard Schröder e sollën vendin sërish në rrugën e suksesit. Kurse Partia Socialdemokrate SPD vazhdon edhe sot të vuajë nga vendimet e atëhershme, të cilat janë për të një luftë cfilitëse.
Diçka duhet të ndodhë, por nuk ndodh
Nga zelli për reforma i kohës së atëhershme, sot nuk ndihet gjë, përballë rezultateve pozitive ekonomike. Sa më gjatë që kalonte nga koha në pushtet e koalicionit të madh, aq më shumë paralizohej vullneti për t’i dhënë vendit një drejtim – ose të paktën një përfytyrim për atë se si duhet të përgatitet për të ardhmen vendi. Veçanërisht të aftë u treguam për t’u dhënë këshilla të tjerëve se çfarë duhet bërë (pyesni grekët, ata mund t’ju tregojnë shumë për këtë). Dakord, edhe kursimi funksionoi mirë në Gjermani, “zero e zezë” e famshme e Wolfgang Schäubles u ble shtrenjtë me një infrastrukturë në shkatërrim, me shkolla dhe universitete të dëmtuara dhe të pajisura keq dhe me një zgjerim çalaman të rrjetit të internetit të shpejtë.
Por le t’u kthehemi shifrave të mira. Jo vetëm ekonomia popullore gjermane është rritur, në përgjithësi shtetet e Eurozonës (dhe BE në përgjithësi) e panë veten në rrugë zhvillimi. Por edhe këtu për fat të keq duhet shkelur frena e euforisë: sepse fëmija i madh që sjell shqetësim tani quhet Itali.
O Zot, Italia!
As një italian si Mario Draghi, shefi i Bankës Qendrore Evropiane nuk ia doli mbanë që t’i mundësojë vendit sërish rritje ekonomike. Për këtë ai bëri gjithçka: sepse politika financiare e vendit të tij është para së gjithash një dhuratë për Italinë. Sa keq vetëm që Italia nuk e shfrytëzon këtë mundësi për t’u reformuar. Por koha e Draghit po mbaron – kjo nuk është e mirë për Italinë. Ky vend është thembra e Akilit e Evropës – dhe po të shpërthejë kriza e ardhshme ekonomike, me siguri do të jetë aty. Që prej 20 vjetësh rezultatet ekonomike të Italisë po bien. (Gjermania ka gjeneruar në 18 vitet e fundit një plus prej 25 për qind.)
Bankat e fundit janë të ngopura me kredi të pambuluara, shumë sipërmarrje nuk janë në gjendje që t’i paguajnë kreditë dhe duhet të kishin falimentuar me kohë. Bankat ndërkohë kanë hequr dorë nga kërkimi i borxheve, sepse e dinë që gjithsesi nuk do t’u kthehet gjë. Kjo nga ana tjetër i rëndon bilancet e bankave. Një rreth vicioz – dhe pikërisht një miksturë e tillë përshtatet për krizën e ardhshme të madhe në Eurozonë.
Një referendum i dytë për Brexitin?
Krye-Brexitasi Nigel Farage e elektrizoi Britaninë e Madhe dhe gjysmën e Evropës me kërkesën e tij për një referendum të ri për Brexitin. Farage deklaroi se një votim i ri do t’u mbyllte përfundimisht gojën atyre që “ankohen dhe qahen” për daljen nga BE. Kundërshtarët e tij në Britaninë e Madhe dhe në pjesën tjetër të BE u ngazëllyen: po të kenë mundësi britanikët të votojnë edhe njëherë për BE, rezultati do të ishte krejt tjetër, besojnë ata: Brexiti mund të anulohet.
Por Farage tani është tërhequr. Në botimin online të “Daily Telegraph” ai shkruan ndërkohë: “Për ta thënë qartë, unë nuk dua një referendum të dytë”. Por ai druhet, “që vendit mund t’i imponohet një referendum i dytë nga Parlamenti”. Kjo sepse ai beson që marrëveshja me BE do të jetë për Britaninë e Madhe në fund kaq “jotërheqëse”, sa Dhoma e Poshtme, që do të thotë fjalën e fundit për këtë, mund ta refuzojë dhe të organizojë një referendum të dytë.
Meqenëse proevropianë si ish-kryeministri Tony Blair nuk do të heqin kurrë dorë nga lufta për të qendruar në BE, “mua ndoshta mund të më lindë ideja që duhet të kemi një referendum të dytë”, u shpreh para pak ditësh në televizionin britanik Farage. Pastaj kjo çështje “do të quhej e zgjidhur për një brez”, sepse mbështetja për daljen nga BE, në një referendum të ri do të ishte “shumë më e madhe se herën e parë”, parashikoi Farage. Në vitin 2016, 48 për qind qenë kundër daljes nga BE dhe 52 për qind pro daljes.
Në emër të kujt flet Farage?
Por pikërisht kjo është ajo për të cilën dyshojnë shumë vetë. Liberaldemokratët dhe një pjesë e laburistëve si dhe e konservatorëve besojnë në të kundërtën se populli nuk i peshoi atëherë mirë pasojat e një Brexiti, shumë vetë janë penduar për votën që kanë dhënë. Prandaj, Farage mori papritur lëvdime për propozimin e tij. “Ndoshta për herë të parë në jetën e tij Nigel Farage thotë diçka me vend”, tha me sarkazëm deputeti laburist dhe kundërshtari i Brexitit, Chuka Umunna. Dhe Tom Brake i liberaldemokratëve parashikon: “Farage nuk duhet të jetë kaq i sigurtë që fiton. Njerëzit sot janë shumë më të ndërgjegjshëm për koston e Brexitit dhe janë shumë më të ndërgjegjshëm për pohimet e gabuara të mbështetësve të Brexitit”.
Deklaratat e Farage ndërkohë e humbasin pjesërisht rëndësinë, sepse atij i mungon autoriteti i mëparshëm i kryetarit të partisë. Si kryetar i UKIP-it ai luftoi për vite të tëra për Brexitin. Por sot ai është vetëm një deputet i thjeshtë në Parlamentin Evropian.
Gjendje e paqartë në sondazhe
Por gjithsesi nuk do të ketë një referendum të dytë. Kryeministrja britanike, Theresa May e ka përjashtuar atë disa herë. Zëdhënësi i saj e rikonfirmoi tani sërish këtë pozicion. Kryeargumenti i Mayt është i njëjti me atë që paraqesin edhe konservatorë të tjerë si dhe politikanë laburistë: do të ishte e gabuar dhe madje e rrezikshme për demokracinë, nëse vullneti i shprehur i popullit nuk respektohet, kur ai nuk i pëlqen dikujt.
Vërtet që sipas sondazheve më të fundit në dhjetor, ishin vetëm 41 për qind e britanikëve që donin të largoheshin nga BE, kurse 51 për qind të tjerë donin të qendronin në BE. Por sipas institutit që bëri sondazhin BMG, kjo zhvendosje ndodhi në pjesën më të madhe tek ata, të cilët nuk patën votuar fare më 2016. Ndërkohë që nëntë ndër dhjetë prej atyre që patën marrë pjesë në 2016 në referendum, i përmbahen mendimit të tyre. Një tabllo në thelb të ndryshme pra nuk kemi.
Ka shumë gjasa që një referendum i ri të arrinte në të njëjtat rezultate si i mëparshmi. Prandaj besohet se, proevropianët do të ndjekin pikërisht atë strategji, së cilës i druhen Farage dhe mbështetësit e tij: që të mos e pengojnë Brexitin, por ta zbusin atë.
Sytë nga Azia
Britania thotë se, shpreson që një ditë të bëhet anëtare e Partneritetit Trans-Paqësor, ose TPP-së, një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë që aktualisht po negociohet nga 11 vende të Paqësorit dhe Detit të Kinës së Jugut. Arsyeja është se qeveria britanike shpreson që tregtia me ekonomi në rritje do të kompensojë për humbjet që mund të ndodhin, pasi të dalë nga Bashkimi Evropian, parashikuar për në vitin 2019. Henry Ridgwell njofton se analistët vazhdojnë të jenë skeptikë se, Britania mund të bashkohet me një bllok tregtar aq larg nga brigjet e saj.
Marrëveshja e koalicionit, konservatorët gjermanë kundërshtojnë ndryshimet
Konservatorët e Angela Merkelit përjashtojnë ndryshime në marrëveshjen paraprake për koalicionin qeveritar.
Konservatorët e Angela Merkelit kanë deklaruar se nuk do t’u bëjnë më lëshime të tjera socialdemokratëve, përpara se të nisin negociatat zyrtare për qeverinë. Delegatët e SPD do të votojnë javën e ardhshme për marrëveshjen me konservatorët.
Përballë mosmarrëveshjeve të brendshme të socialdemokratëve gjermanë pro dhe kundër koalicionit të madh qeveritar, kanë reaguar tani konservatorët. Disa përfaqësues të CDU-së dhe të simotrës bavareze CSU kanë refuzuar prerazi që t’i plotësojnë dëshira të tjera SPD-së.
Bisedimet nuk qenë lojë
“CDU/CSU dhe SPD ishin në bisedime serioze dhe nuk po luanin roza rozina”, deklaroi zëvendëskryetari i CDU-së, Thomas Strobl. “Ajo për të cilën kemi rënë dakord së bashku është e vlefshme”, tha ai. Strobl shtoi se, gjithçka që nuk është diskutuar gjatë javës së bisedimeve paraprake “nuk do të bëhet pjesë e marrëveshjes së koalicionit”.
Ndërkohë, zëvendëskryetarja tjetër e CDU-së, Julia Klöckner shkroi në rrjetin e twitterit se partia e saj mbështetet në ato që janë diskutuar me socialdemokratët. “Gjithçka u diskutua si paketë, tani nuk shkon të zgjedhësh atë që të pëlqen”.
Klöckner shtoi më tej se, ata persona të grupit të bisedimeve paraprake nga Partia Socialdemokrate që kërkojnë pak orë më pas ndryshime masive, i nxjerrin vetes vetë një dëftesë tëe keqe”. Deputetët socialdemokratë thanë se shpresojnë ende që partitë të bien dakord për një skemë tjetër të re të sigurimeve sociale dhe për kontrata pune pa kufizime kohore e t’i diskutojnë këto në sondazhe të tjera me CDU dhe CSU-në. Kërkesa për të bërë korrigjime pati edhe në fushën e migrimit dhe të refugjatëve.
Söder: “Natyrisht që vlejnë të gjitha”
Më parë, kryetari i grupit të CSU-së në Bundestag, Alexander Dobrindt u kërkoi socialdemokratëve që t’i japin fund kritikës së tyre për bisedimet e sondazhit. Dobrindt i quajti këto kritika në një prononcim për gazetën “Bild am Sonntag”, “një kryengritje xhuxhash”. Rezultatet e bisedimeve paraprake nuk janë më të negociueshme, shtoi ai.
Edhe ministri i Financave të Bavarisë, Markus Söder (CSU) tha se “marrëveshja e bisedimeve paraprake, për të cilën ranë dakord të gjitha delegacionet, me 28 faqe është thuajse një marrëveshje koalicioni”, shtoi kryeministri i ardhshëm i Bavarisë. Edhe socialdemokratët arritën shumë në bisedime. Ai bëri thirrje që kongresi i ardhshëm i SPD-së të japë dritë të gjelbërt për bisedimet e koalicionit.
Rusi: 15 vetë janë plagosur nga përleshja me thika në një shkollë
Autoritetet ruse thonë se një mësuese dhe dy nxënës janë plagosur seriozisht nga ajo që nga hetuesit është përshkruar se ishte sulm me thikë në një shkollë në qytetin Perm.
Ministria Rajonale e Sigurisë tha se gjithsej 15 vetë, shumica prej tyre nxënës, janë plagosur në këtë incident në shkollë që ka ndodhur sot.
Në raportet e para ishin cituar zyrtarët që kanë thënë se dy persona të maskuar e sulmuan shkollën në Perm, që është 1150 kilometra në Verilindje të Moskës.
Por Komiteti Hetues Rajonal më vonë ka njoftuar se kishte ndodhur një përleshje ndërmjet dy nxënësve me thika dhe se arsimtarët dhe nxënësit e tjerë ishin përpjekur t’i ndanin.
Policia tha se njëri prej të involvuarve në përleshje ishte nxënës i dikurshëm i kësaj shkolle.
Policia rajonale tha se një numër i paspecifikuar i të dyshuarve është arrestuar.
Mësimi është ndërprerë, nxënësit dhe personeli i shkollës janë evakuuar.
SHBA: Trump takohet me presidentin e Kazakistanit
Presidenti amerikan, Donald Trump, nesër do të takohet me presidentin e Kazakistanit, Nurslutan Nazarbaev, me ç’rast pritet të diskutohet për sigurinë rajonale, çështjet ekonomike dhe raportet ndërmjet dy vendeve, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Mëtutje, në njoftim theksohet se të dy liderët do të diskutojnë për “disa sfida ndërkombëtare”, përfshirë Afganistanin, që pritet të jetë temë e rëndësishme gjatë mandatit të Kazakistanit si kryesues i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Kazakistan, “Kazakh”, ka raportuar se Trump dhe Nazarbaev, po ashtu do të diskutojnë për raportet me Rusinë dhe luftën në Siri.
Edhe për 2018, miliarda lekë shpenzime për bileta avioni

Miliarda lekë janë llogaritur të shpenzohen për udhëtime jashtë Shqipërisë, nga ministrat dhe drejtuesit kryesor të qeverisë “Rama 2”. Tenderat e parë për vitin 2018, janë fokusuar pikërisht tek blerja e biletave të avionit, para këto nga taksat e shqiptarëve, por që përdoren për shpenzime luksi nga zyrtarët shtetërorë. Tpz.al ka bërë një vëzhgim sa u kushtojnë blerja e biletave për vitin 2018, kush nga ministrat apo drejtues institucioni do të thyej rekordin e qëndrimit në “ajër” dhe cilat janë destinacionet kryesore. E nisim nga Agjencia e Turizmit, e cila ka hapur procedurën “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar dhe akomodim për aktivitetet e Agjencisë Kombëtare të Turizmit”. Fondi është 84 milionë lekë me TVSH, ndërsa burimi i financimit është buxheti i shtetit.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe Bashkia e Tiranës, ku kryetari Erion Veliaj ka hapur procedurën me fond limit 150 milionë lekë pa TVSH, ose 180 milionë lekë me TVSH, ku fondet janë marrë nga taksat e banorëve të Tiranës. Veliaj njihet edhe si zyrtari që udhëton shumë, por punon pak. Madje edhe kur është jashtë Shqipërisë, nxjerr video manipulative duke punuar në ndonjë zonë të Tiranës. Nuk ngel pas edhe Ministria e Mirëqënies dhe Rinisë. Kjo ministri e Blendi Klosit, ka hapur tenderin “blerje bileta të transportit ajror ndërkombëtar”, për vitin 2018, me fond limit 157 milionë lekë me TVSH.
Në të njëjtën linjë është edhe Korporata Energjitike Shqiptare, e cila ka akorduar 180 milionë lekë për udhëtime jashtë Shqipërisë. Ndërkohë, nuk mund të mos qëndrojë pa “fluturuar” edhe Ministria e Bujqësisë. Niko Peleshi ka tenderuar blerje bileta për vitin 2018 dhe periudhën janar – mars 2019″ me fondi limit 96 milionë lekë me TVSH. Ndërkohë, krahas bujqësisë, janë edhe Drejtoria e Tatimeve, e cila ka planifikuar të shpenzojë 151 milionë lekë me TVSH deri më datë 31 dhjetor 2018.
Tpz.al publikoi pak ditë më parë edhe tenderin e parë të kryeprokurores Arta Marku, e cila akordoi plot 180 milionë lekë për udhëtime jashtë vendit. Megjithatë, “qershia mbi tortë” është Kontrolli i Lartë i Shtetit. Bujar Leskaj ka planifikuar që të shpenzojë 170 milionë lekë për bileta avioni. Institucioni që duhet të kontrollojë shtetin, blen vetë bileta. Në fund, Ministria e Brendshme do të shpenzojë vetëm 48 milionë lekë për bileta avioni me TVSH. Nëse përllogarisim të gjithë shumën e blerjes së biletave nga këto institucione të sipërpërmendura, rezulton se nga buxheti i shtetit do të harxhohen plot 1.2 miliardë lekë për udhëtime jashtë Shqipërisë. Por nëse e konvertojmë këtë shumë në numrin e biletave, përfarsisht janë mbi 5000 bileta avioni, për në total 9 ministra dhe drejtues institucionesh. Pra, praktikisht, këta zyratarë do të jenë si turistë në Shqipëri, pasi shumicën e kohës do ta kalojnë jashtë vendit. Nga vëzhgimi i Tpz.al, destinacionet që do të përfshijnë këto udhëtime janë në 5 kontinente: Europë, Amerikë, Azi, Afrikë dhe Australi./TPZ.AL
Çfarë do të bëjë Europa me fëmijët e Shtetit Islamik?
I ashtuquajturi “Shteti Islamik”, IS ka humbur nga pikëpamja ushtarake. Por ideologjia e tij jeton. Për shembull tek fëmijët që janë rritur nën regjimin e IS-it. Sfidat pas fitores ushtarake kundër IS-it.
Organizata terroriste “Shteti Islamik” pothuajse është eliminuar në Siri dhe Irak. Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, xhihadistët kanë humbur 98% të territorit të tyre të uzurpuar në të dyja vendet. Sipas vullnetit të ushtrisë siriane, irakiane dhe amerikane atyre do t’u merret edhe 2% territor i mbetur. Për të arritur këtë ushtria amerikane, sipas të dhënave të Pentagonit kreu një sërë fluturimesh nga 29 dhjetori deri në 5 janar – avionë luftarakë, drone, raketa, artileri e rëndë.
Zëdhënësja e Pentagonit Dana W. White shprehet se IS-i vërtet është “mundur dhe shkatërruar”, por puna nuk ka marrë fund. Tani bëhet fjalë për sigurimin e territorit, që “IS të mos ringrihet më”. Por ky qëllim është i vështirë të realizohet. Vërtet IS mund të jetë shkatërruar në Irak e Siri, por ideologjia e tij vazhdon të jetojë. Sipas Pentagonit, IS është një organizatë e krijuar jo për një kohë të caktuar, por përmes një sistemi të pavarur shpërndarjeje ai siguron kontinuitetin e tij. “Megjithëse IS me kalifatin e tij është shkatërruar, shohim në të gjithë botën ngjarje që lidhen me IS”.
Luftë kundër imazhit të IS
Prandaj tani bëhet fjalë për të luftuar imazhin e IS. Sipas vlerësimit të Pentagonit, shanset për këtë nuk janë të këqija. “Marka botërore IS” po humbet me rrënimin fizik edhe shkëlqimin e saj. Këtu bëjnë pjesë edhe historitë për jetën e tmerrshme nën sundimin e IS”. Por përfundimisht IS nuk është mundur. Organizata xhihadiste po kthehet në formën e luftës guerilase, bën të ditur televizioni “Al-Jazeera”. Vullnetarët përpiqen sërish t’u bashkohen radhëve të tyre, por kanë probleme që të hyjnë nga Turqia, për shkak të kufirit me Sirinë të siguruar ndërkohë.
Rrënojat në kokë
Por veç vullnetarëve që vijnë nga jashtë për t’iu bashkuar IS-it, autoritetet e sigurisë në Siri e Irak shohin edhe një problem tjetër – trashëgimia ideologjike e psikologjike e IS në zonën ku ka sunduar ai. Në shumicën e rajoneve, IS ka sunduar më pak se tre vjet, por për të rinjtë, tre vjet janë një kohë e gjatë, sidomos për fëmijët, që kanë përjetuar dhunën në moshë të vogël – si ekzekutimet publike të kryera me brutalitet të jashtëzakonshëm. “Edhe nëse ata nuk janë të trajnuar qëllimisht, ata mbajnë me vete kujtimet e luftës nga zona të tilla”, thotë Daan Weggemans nga Instituti për Sigurinë dhe Çështjet Globale në Universietin Leiden për revistën online, “Al-monitor”.
Gjeneratë e humbur
Të rinjtë në vend që të mësonin shkrim e lexim janë marrë me armë. “Ka gjasë që po rritet një gjeneratë e humbur”, thotë Nadim Houry, drejtor i projektit studimor Terror dhe Luftimi i Terrorit nga Human Rights Watch. Por edhe shumë të rritur kanë probleme të marra me vete në kohën e sundimit të IS-it.
Problemi me “gjeneratën e humbur” pritet të arrijë shpejt në Europë. Qindra fëmijë që u morën me vete nga prindërit e tyre në Siri dhe Irak apo ata kanë lindur atje. Ende shtetet europiane nuk kanë vendosur si do të veprojnë me këta fëmijë. Belgjika do të lejojë që fëmijët nën 10 vjeç të udhëtojnë automatikisht. Kusht është një provë ADN-je që vërteton se fëmijët janë vërtet nga ushtarët belgë të IS-it. Vitin e kaluar u morën me avion tre fëmijë të tillë me pasaportë franceze në Paris. Parimisht edhe në Holandë, fëmijët e luftëtarëve të IS-it mund të kthehen nga jashtë. Por qeveria holandeze nuk parashikon t’u japë atyre pasaportën holandeze.
Masa në Gjermani
Edhe Gjermania do të rimarrë fëmijët e luftëtarëve të IS-it. Por që tani Mbrojtja Kushtetuese gjermane paralajmëron nga rreziku që vjen sidomos nga fëmijët në adoleshencë. “Ne shohim rrezikun që fëmijët e xhihadistëve janë socializuar si islamistë dhe kthehen të indoktrinuar nga rajonet e luftës në Gjermani”, deklaroi presidenti autoritetit të Mbrojtjes Kushtetuese, Hans-Georg Maaßen. “Me këtë mund të ndodhë që të rritet këtu një gjeneratë e re xhihadistësh”. Problemi duhet të zgjidhet para se autoritetet e sigurisë të bëhen aktivë, thotë Torsten Voß, drejtues i zyrës së landit të Hamburgut për Mbrojtjen Kushtetuese. Ende nuk dihet, se si do të veprojë konkretisht Gjermania. Politikanë për çështjet e politikës së jashtme të të gjitha partive janë duke menduar intensivisht për këtë. Por masat konkrete priten vetëm pas krijimit të qeverisë.
Protesta në Tunizi në përvjetorin e revolucionit
Sërish mijëra vetë protestuan në Tunizi kundër ligjit të ri financiar dhe çmimeve të larta. Presidenti Essebsi e mbrojti ligjin. Të dielën policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstrues që u mblodhën.
Në përvjetorin e revolucionit në Tunizi sërish mijëra vetë dolën në rrugë, për të protestuar kundër rritjes së çmimeve dhe kundër një ligji të ri financiar të qeverisë. Vetëm në rrugën qendrore të qytetit në kryeqytetin Tunis dolën sërish për të protestuar rreth 2000 vetë. Me flamuj dhe pankarta në duar ata ndaluan para Ministrisë së Brendshme. Disa mbanin në duar bukë, për të tërhequr me to vëmendjen për çmimet e larta të ushqimeve. Protestuat kaluan në mënyrë paqësore.
Presidenti i vendit, Beji Caid Essebi e mbrojti ligjin financiar që ka hyrë në fuqi në një aktivitet për përvjetorin e revolucionit. “Ne duhet t’i vazhdojmë reformat”, tha Essebsi në lagjen Ettadhamen, ku javën e kaluar pati protesta të mëdha. Papunësia, tha ai, është e lartë dhe kjo e ndikon klimën sociale dhe politike dhe ndikon në investime. Me ligjin financiar, taksa mbi vlerën e shtuar u rrit me një përqind. Por të dielën, po në këtë lagje, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë demonstrues që u mblodhën sërish.
Javë me trazira
Protestat kundër masave të kursimit dhe trazirat natën shpërthyen kudo në Tunizi që prej së hënës së shkuar. Qeveria deklaroi rritje taksash dhe rritje të kontributeve për sigurimet sociale në fillim të janarit. Një protestues u vra dhe më shumë se 100 oficerë policie janë plagosur, ndërsa 800 vetë janë arrestuar, bëri të ditur Ministria e Brendshme.
Qeveria shpalli të shtunën se do të japë ndihmë financiare për të varfërit dhe do të lejojë qasje falas në shërbimin shëndetësor për të papunët. Kjo deklaratë u bë pas takimeve të Presidentit Beji Caid Essebsi me sindikata, parti politike dhe me kompani.
Turqia ka nisur prej vitit 2011, pas nisjes së “Pranverës Arabe” reforma të gjera demokratike. Por ajo ka probleme të mëdha ekonomike. Thuajse një në tre persona që përfundojnë shkollën nuk gjen punë të përshtatshme, borxhi shtetëror është tek 70 për qind e produktit të brendshëm bruto. Kjo gjendje e ka bërë vendin të varur nga ndihmat dhe kreditë ndërkombëtare.