Gjatë një vizite në Indi, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur sot përkushtim për “kapjen” e militantëve pakistanezë, të cilët e kanë vrarë një çift izraelit, që ishin në mesin e personave të vrarë në sulmin terrorist në Mumbai të Indisë, në vitin 2008.
“Përfundimisht ne do t’i kapim vrasësit, por objektivi është, po ashtu, parandalimi i vrasësve të ardhshëm”, tha Netanyahu për sulmin, të cilin e kanë kryer pjesëtarët e grupit militant, Lashkar-e Taiba, me seli në Pakistan.
Zoti Netanyahu dje ka arritur në kryeqytetin, Nju Delhi të Indisë, ku po qëndron për vizitë gjashtëditëshe me synimin për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.
India i ka akuzuar “agjencitë” në Pakistan, shtet që është rivali kryesor rajonal i Indisë, për mbështetjen e sulmuesve në Mumbai.
Pakistani i ka hedhur poshtë akuzat.
Pakistani, po ashtu, e ka zemëruar Indinë duke e liruar liderin e dyshuar të sulmuesve, Zakiur Rehman Lakhvi, nga burgu në vitin 2015, pas pagesës së 1,900 dollarëve amerikanë.
Kryeministri Netanyahu sot, po ashtu, ka shprehur “zhgënjim” nga refuzimi i Indisë për t’i mbështetur Shtetet e Bashkuara në njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, por tha se kjo çështje nuk do ta dëmtoj vizitën e tij.
Netanyahu: Do t’i gjejmë militantët që e vranë çiftin izraelit

Banka rrit rezervat valutore duke blerë 26 milionë euro në treg
Banka e Shqipërisë dha dje informacion lidhur me ndërhyrjet në tregun e parasë në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, ku raportoi se në total ka blerë rreth 36 milionë euro valutë, me synim rritjen e rezervave valutore.
Sipas njoftimit, në përputhje me vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare të datës 28.12.2016 për të blerë valutë nga bankat e nivelit të dytë gjatë vitit 2017, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë gjatë tremujorit të tretë ka zhvilluar 2 ankande. Në këto ankande janë blerë 22.6 mln euro, ndërsa në total, prej fillimit të vitit deri në fund të muajit shtator, janë blerë 35.6 mln euro.
Banka njoftoi se në tremujorin e tretë të vitit 2017, ndërhyrjet e saj në tregun e parasë konsistuan në operacionet e tregut të hapur për injektim likuiditeti. Në funksion të administrimit të portofolit të saj të Bonove të Thesarit, janë kryer në vijim edhe veprime në treg sekondar të letrave me vlerë.
Krahasimisht me tremujorin e dytë të vitit, likuiditeti i injektuar në sistemin bankar rezultoi rreth 6 mld lekë më i lartë, në rreth 38.5 mld lekë.
Në funksion të operacioneve për administrimin e likuiditetit të sistemit bankar, Banka e Shqipërisë ka përdorur instrumentin e saj kryesor – marrëveshjen e anasjelltë të riblerjes me maturim njëjavor – për injektim të përkohshëm të likuiditetit për mesatarisht 21.87 mld lekë, kundrejt 20.3 mld lekë në tremujorin e dytë të vitit 2017. Në kushtet e rritjes së mungesës së likuiditetit gjatë sezonit veror, u rinovuan për shuma më të larta edhe marrëveshjet e anasjellta të riblerjes me maturim deri në 3 muaj për mesatarisht 14.6 mld lekë, kundrejt 10.5 mld lekë gjatë tremujorit të mëparshëm.
Operacioni rregullues për injektim njëditor është përdorur në 3 raste për 1.2-3 mld lekë. Ky instrument është përdorur për të zbutur deficitin më të lartë të likuiditetit në sistem kundrejt pritjeve, më së shumti në fund të periudhës së mbajtjes së rezervës së detyruar.
7.7 miliardë lekë paradhënie inceneratorit në Fier
Në kulmin e debatit në lidhje me përfshirjen e qeverisë në financimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Fier që nuk ka nisur ende investimin, thesari në Ministrinë e Financave ka paguar në ditët e fundit të vitit 2017 një faturë tjetër prej 108 milionë lekësh (rreth 820 mijë euro) ndaj kompanisë Integrated Technology Waste Treatment, që ka fituar koncesionin për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Fierit.
Kompania po merr pagesa të rregullta nga Thesari edhe pse kaloi një kalvar konfliktesh me komunitetin në Qarkun e Fierit, të cilët me protesta agresive nuk po lejojnë ndërtimin e impiantit në vendin që ishte planifikuar fillimisht në Mbrostar.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, Integrated Technology Waste Treatment Fier, më datën 19 dhjetor 2017 ka ekzekutuar faturën prej 108 milionë lekësh, duke e çuar kështu shumën e përgjithshme të pagesave ndaj kompanisë në 771 milionë lekë ose rreth 5.8 milionë euro.
Nga 11 nëntori i vitit të kaluar, kompania Integrated Technology Waste Treatment Fier, ka të drejtën për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Fierit nëpërmjet koncesionit me Partneritetit Publik Privat, teksa ka përfituar nga qeveria 21% të vlerës së investimit.
Sipas Ministrisë së Financave, impianti i mbetjeve në Fier do të kushtojë rreth 3.6 miliardë lekë ose 27 milionë euro. Financimi është përllogaritur të bëhet gjatë periudhës 2017-2022. Kufiri vjetor i financimit është 661.5 mln lekë.
Avancimi i punimeve në lidhje në impiantin që do të përpunojë mbetjet në Fier nëpërmjet metodës së djegies me incenerator u pengua edhe për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Për kreditë elektorale, funksionarët lokalë të Fierit premtuan se projekti për mbetjet mund të pezullohej, ndërkohë kompania është në kërkim të një vendi ku mund të zhvillojë investimin.
Gjatë këtij viti, qeveria ka programuar të financojë integrated Technology Waste Treatment Fier edhe me 660 milionë lekë të tjera, teksa problemi i tokës ku do të bëhet investimi ende nuk është zgjidhur.
Ekspertët e mjedisit janë duke hedhur alarmin se po krijohen mbiinvestime në ndërtimin e impianteve të përpunimit të mbetjeve me incenerator. Ndërkohë funksionimi i tyre është me kosto të larta në mjedis dhe në shëndetin e njerëzve.
Së pari, këto impiante emetojnë CO2 në mjedis me nivel më të lartë se aktiviteteve të tjera. Por përpunimi nëpërmjet djegies me incenerim krijon mbetje të rrezikshme që nuk kalojnë për trajtim të mëtejshëm dhe depozitimi i tyre është rrezik.
Çmimet e banesave do të rriten apo do të ulen në 2018?
Ledina Loga
Ndërtuesit dhe agjencitë e pasurive të paluajtshme kanë pritshmëri të ndryshme lidhur me ecurinë e çmimeve të apartamenteve gjatë këtij viti. Hajredin Fratari, ndërtues, tha se çmimet do të jenë në rritje. Ai tha se arsyeja kryesore për rritjen e sektorit të ndërtimit rezidencial është kërkesa dhe planet urbanistike të Bashkisë. Fratari pohon se, kërkesa për banesa me kosto të lirë dhe mesatare në periferi do të jetë në rritje të qëndrueshme edhe për këtë vit, duke shtuar se ka një trend rritës për banesa që kalojnë edhe të 900 eurot. Sipas tij, çmimet pritet të rriten më tej për 2018 me rreth 100 euro për metër katror. Fratari tha se të gjitha objektet që do të ndërtohen më 2018 do të paguajnë taksë infrastrukture 8% në bazë të vlerës së shitjes së tyre.
Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve, parashikon se çmimet do të jenë në varësi të ndërtimit, çka nënkupton vendin dhe cilësinë e objektit. Ai tha se në qendër dhe brenda zonës së Unazës së Madhe, çmimet do të jenë në rritje, ndërsa në periferi pritet të ketë ulje.
Ndryshe nga ndërtuesit, këtë vit agjencitë e pasurive të paluajtshme parashikojnë stabilitet. Në 2018-ën do të aplikohet edhe taksa mbi pronën, e cila ndryshon në objektet për banim dhe ato për biznes. Sipas aktorëve të tregut, kjo taksë e re nuk do të transferohet në çmim, por të mbahet nga pronarët.
Vitin e kaluar, çmimet e apartamenteve u rritën në muajt e parë të vitit me rreth 10% në zonën brenda unazës, duke reflektuar kërkesën e shtuar, teksa u rrit dukshëm blerja e apartamenteve në cash. Në gjysmën e dytë tregu u stabilizua, pas shtimit të ofertës si rrjedhojë e rigjallërimit të ndërtimeve, duke shënuar rënie të lehtë në zonën e qendrës. Por, në periferi apartamentet u shtrenjtuan me 50-100 euro për metër katror, duke arritur në 450-600 euro për metër katror si rrjedhojë e rritjes së kostos së ndërtimeve.
Në zonën përreth unazës, çmimet luhaten nga 800-900 euro, deri në rreth 3000 euro, afër TVSH-së, që është dhe zona më e shtrenjtë në kryeqytet.
Tregu pozitiv
Viti që lamë pas ishte pozitiv për sa i përket tregut të pasurive të paluajtshme, ku peshën kryesore e mbajtën segmentet e shitblerjes dhe qiraja. Ecuria pozitive gjatë 2017-ës konfirmohet si nga agjencitë e pasurive të paluajtshme, ashtu edhe prej ndërtuesve që operojnë në këtë sektor.
Zhbllokimi i lejeve të ndërtimit në kryeqytet rriti ofertën cilësore në zonë e Tiranës historike (njësitë administrative pranë qendrës). Në fillim të vitit që lamë pas çmimet u rritën në zona të caktuara të kryeqytetit.
Sokol Kika, ndërtues i Kika Construction, thotë se aktualisht ka shumë lëvizje të familjeve, zgjerim, të rinj që kërkojnë shtëpinë e parë. Ka hyrë koncepti perëndimor i shtëpisë së parë dhe të dytë, ku në të dytën investohet edhe më shumë. Më parë të rinjtë merrnin një apartament të vogël, tani kërkojnë zgjerim, pasi janë bërë me fëmijë. “Unë shikoj një nivel dinamik të kërkesës gjatë 2018-ës”, pohon ai.
Për sa i përket segmentit të pasurive të paluajtshme në bregdet, agjencitë i shikojnë kërkesat minimaliste, ndërsa ndërtuesit si një segment të tregut me risk të lartë.
Pritshmëritë për gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë pozitive për agjencitë imobiliare. Ndërsa ndërtuesit shikojnë me rrezik ndërtimin e kullave, për shkak të vështirësive që ka puna në qendër të Tiranës, rrezikun e firmave të reja të ndërtimit që kanë likuiditete të mjaftueshme, por nuk kanë përvojë, si dhe të firmave të vjetra, të cilat do të hyjnë të punojnë në treg me mendësitë e vjetra. Për sa u përket kostove të ndërtimit, ato shihen të qëndrueshme dhe pa ndryshime të mëdha në 2018-ën.
Ndërtimet e reja po shikohen si investime për rihedhje në tregun e qirasë
Mbyllja e 2017-ës ka qenë shumë pozitive në aspektin imobilar, krahasuar me fundin e 2016-ës. Bizneset janë pozitivë dhe aktivë, kërkojnë ndryshim ambienti. Kërkojnë zgjerim për të rritur numrin e të punësuarve, në aspektin favorizues të biznesit.
Çmimet në 2017-ën kanë lëvizur shumë pak, kanë luhatje të vogla. Por janë të kompensuar sipas zonave të ndryshme. Gjatë 2017-ës janë sistemuar edhe ata që kanë dashur zgjerim, me një çmim ekonomik, por edhe ata që kanë kërkuar sipërfaqe më të vogla, por në zona më strategjike.
Në 2018-ën pritet ligji i ri për taksën mbi pronën, mendimi im personal është që nuk do të ndikojë në çmim. Nëse taksa do të reflektohet diku për përmirësim infrastrukture dhe hapësirave të përbashkëta do të ishte diçka shumë pozitive për tregun e pasurive të paluajtshme.
Mbyllja e call center ka rritur sipërfaqet e ambienteve të lira, të cilat çmimin e kanë më të lartë se sa kërkohet në treg. Gjithsesi është një fenomen që e rregullon vetë tregu, kur e mban bosh për një kohë, pronari preferon që ta ulë.
Lidhur me tregun e apartamenteve shpresojmë që kërkesa për blerje të jetë si në 2017-ën, sepse ka pasur shumë lëvizje, veçanërisht në shitje, por edhe në qira. Ecuria ka qenë pozitive. Blerësit kanë synuar çmime ekonomike. Shtresa e mesme ka dashur të stabilizohet. Por ka edhe klientë që kërkojnë të bëjnë blerje të dyta dhe të treta.
Për sa i përket bregdetit ka ofertë, por kërkesat janë minimaliste. Ndërtimet e reja janë bërë me materiale cilësore. Kanë ardhur me planimetri të rregullta, ndryshe nga më parë, dhe vijnë në bashkëpunim me bankat për të marrë kredi. Gjithashtu kanë çmime interesante. Po bëhen ndërtime në zona jo shumë afër qendrës, por kanë çmime të favorshme. Ndërtimet e reja i shohin shumë për rihedhje në treg për qira. Mbi 50% e tyre janë për tregun e qirasë. Është një investim shumë i mirë, sepse ndodhet në një rreze shumë të ngushtë me investimet e reja që janë bërë. Çmimi i qirasë për ndërtimet e para dhjetë viteve do të ketë rishikime, kuptohet jo në zonat si Blloku.
Edhe komplekset në anën lindore të Tiranës po marrin zhvillim dhe do të ketë kërkesë.
Presim gjallërim të tregut në vitin 2018
-Viti që lamë pas pati një rigjallërim në sektorin e ndërtimit, sa i përket banesave. Si pritet të vijojë ecuria këtë vit?
Këtë vit pritet të ketë gjallërim të kërkesës së individëve për investim dhe suport nga sistemi bankar për kreditim.
-INSTAT raportoi në dhjetor rritje të çmimeve të lëndëve të para për ndërtim. A pritet të reflektohet në çmim?
Çmimi sigurisht që i konsideron elementet e kostos, por tenton të ruajë stabilitet në treg gjatë një periudhe afatmesme dhe t’i përshtatet kërkesës për produkt, i cili është indikatori kryesor në çmimet për Real Estate.
-Çfarë veçoni si problematikë tregu?
Si problematikë të tregut vlerësojmë informalitetin dhe kreditimin në ekonomi, për më shumë edhe të të huajve që do donin të investonin në Shqipëri.
-Cilat janë planet tuaja për investim në 2018?
Për vitin 2018 ne do të vazhdojmë investimet në turizëm dhe në zhvillimin e projekteve të godinave rezidenciale.
“Monitor”
Të dhënat tona, ari i zi i Facebookut
-Si duhet t’i kuptojmë ndryshimet e deklaruara nga themeluesi i Facebookut, Mark Zuckerberg?
Martin Giesler: Facebook është ndeshur vitin e kaluar me një stuhi të paparë ndonjëherë dhe u bë përgjegjës për shumë gjëra. Rol të rëndësishëm ka luajtur edhe debati për hapësirat që i japin jehonë në Facebook vetëm pikëpamjeve të tua, duke të futur në një filtër që nuk të lejon të dëgjosh më mendimin e të tjerëve. Madje, Facebook u bë përgjegjës edhe për gjendjen shëndetësore të përdoruesve. Për shkak se debati ka të bëjë me Newsfeed, pra, vendin ku shpërndahen lajmet, FB duhet të reagonte në këtë pikë.
-Çfarë roli luan algoritmi që është në bazë të këtij Newsfeed?
Duhet thënë se si i jashtëm nuk mund ta kuptosh tërësisht, se mbi cilën bazë i shpërndan ky algoritëm përmbajtjet dhe informacionet. Ai është një lloj “blackbox”, sekreti nr. 1 i biznesit të Facebookut, asnjë nga jashtë nuk duhet të dijë diçka. Por kjo ka ndikime të jashtëzakonshme për përdoruesit, sepse Facebooku nuk i tregon të gjitha përmbajtjet, por vetëm një pjesë të tyre. Kjo përzgjedhje mund të jetë e mirë e ta orientojë përdoruesin në xhunglën digjitale, por ajo mund të jetë edhe problematike, sepse ajo është një përzgjedhje në bazë të rregullave të Facebookut. E këto të thonë se, përdoruesi nuk duhet të dijë gjithçka, por në radhë të parë të ndjehet mirë tek kjo platformë dhe të kalojë maksimalisht shumë kohë aty.
-Çfarë do të thotë kjo për modelin e biznesit të Facebookut, personalizim i reklamës?
Newsfeed-i ku bashkohen përmbajtjet e një përdoruesi është i kufizuar. Kjo i rrit çmimet, që do të thotë, se duhet të paguash më shumë, që të mbërrish tek lexuesi si firmë mediatike. Por ky nuk është modeli parësor i Facebookut. Vëmendja përqendrohet tek plotësimi i dëshirave të 2 miliardë përdoruesve dhe motivimi i tyre për përdorimin më të shpeshtë të FB. Me gjurmët që lenë përdoruesit, me dëshirat e tyre, me reagimet, me kohën kur ata reagojnë–me këto arrin FB të fitojë shumë para, këto të dhëna janë ari i zi.
“Kohët e fundit përdoruesit e kanë përdorur pasivisht FB, atyre iu janë servirur të dhëna, kanë klikuar apo parë një video, por nuk kanë dhënë shumë të dhëna personale. Të bëjnë të ditur, se çfarë i preokupon, çfarë ëndrrash e dëshirash kanë, pikërisht kjo është lëndë e parë ku do të ketë zotërim Facebooku.
-Facebook kërkon të forcojë tani kontaktin mes përdoruesve e reagimet mes tyre. A mundet që këto reforma të rrisin urrejtjen në internet?
Facebooku ka një interes të madh t’i ofrojë përdoruesit atë që atij i pëlqen, apo çfarë nuk e bezdis apo sfidon, kjo është pjesë e strategjisë së përftimit të të ardhurave. Sigurisht algoritmi i Facebookut do të synojë që përdoruesit të ndërveprojnë më shumë me miqtë e të njohurit. Kjo mund të krijojë ndarje të reja, por të ketë edhe efektin që fake news apo përmbajtje me polarizim të madh të mos luajnë ndonjë rol për përdoruesit. Mund të ndodhë që ata të mos nxiten nga të tjerët, por t’i kërkojnë vetë lajmet e tyre.
-A është paniku aktual i mediave i justifikuar?
Ai është i justifikuar në kuptimin që mediat duhet të shohin njëherë nga vetja. A nuk e kanë bërë veten shumë të varur nga rregullat e lojës të Facebookut? E kanë humbur shansin të orientohen tek një publik besnik, në vend që të rendin pas klikimeve apo likes. Tani ata detyrohen nga Facebooku të bindin përdoruesin që oferta e programit të tyre është e nderuar dhe se ia vlen të hedhësh një sy tek ta, pavarësisht Facebookut. E kuptoj, se tani mediat janë trembur, sepse qarkullimi i tyre do të bjerë fillimisht. Por në plan afatmesëm e shoh se Facebooku u jep mediave një shans për të gjetur vërtet publikun besnik.
Martin Giesler është ekspert për rrjetet sociale dhe drejton platformën “Social Media Watchblogs”.
Intervistën e zhvilloi Maximiliane Koschyk.
120 milionë euro gropa e OSHEE në 2017
Banka Botërore vlerëson se projekti i Rimëkëmbjes në sektorin energjetik ka sjellë progres të dukshëm vit pas viti, që nga fillimi i zbatimit por viti 2017 duket se e ka vështirësuar arritjen e objektivave finale. Në një raport të fundit të rishikimit të projektit ekspertët e Bankës vërejnë se situata e lartë e importeve e vitit të kaluar ka vështirësuar situatën për kompanitë publike. Importet u rritën me 120 milionë euro më shumë se në 2016, çka vuri nën presion financat e sektorit.
“Sektori energjetik shqiptar është sërish nën një presion financiar që krijohet nga kombinimi i: një rënie të sasisë së reshjeve që ka çuar drejt importeve në 2017 me një rritje prej 120 milionë euro në raport me 2016, programi i shpenzimeve kapitale të kompanisë së shpërndarjes OSHEE nuk ka dhënë rezultatin tek humbjet, duke devijuar, në 28 për qind nga 26 dhe 22 për qind në vitin 2016 dhe 2017, imponimin e një detyrimi financiar të papërballueshëm nga shteti mbi KESH.
Ndaj ka gjasa që pavarësisht se ka një angazhim të rigjallëruar për të arritur programin e uljes së humbjeve, një nga pikat kyçe të objektivave të projektit ulja e tyre apo rigjallërimi financiar nuk do arrihet sipas datës së dakordësuar të mbylljes. Kjo kërkoi veprime konkrete nga qeveria dhe agjencitë e tjera zbatuese për të rifreskuar Planin e Rimëkëmbjes Financiare dhe të adresojnë ngërçet zbatuese, dhe banka do të japë nga afër mbështetjen e nevojshme për zbatimin”, pohon banka.
Nga ana tjetër ajo vlerëson se arritjet e bëra janë të shumta në krahasim me situatën fillestare, duke nisur nga reduktimi i humbjeve tek plotësimi i kuadrit ligjor sipas direktivave përkatëse.
“Ka një progres të dukshëm qëkur nisi projekti lidhur me arritjen e objektivave që nënvizoheshin nga Plani i Rimëkëmbjes i aprovuar nga qeveria gjatë hartimit: 1) reduktimi i humbjeve nga 45% në 28%, pagesa e detyrimeve të prapambetura tek KESH dhe ndaj prodhuesve më përparësi të energjisë, (nga 120 milionë euro në zero), pagesën e faturave të KESH gjenerimit nga OSHEE (shpërndarja) nga 40 për qind në 110 për qind), rritja e arkëtimeve nga OSHEE (nga 65% në 92%). Reduktimi i varësisë së sektorit nga garancitë e qeverisë, marrëveshja për ristrukturimin e KESH me një kredi 218 milionë euro me mbështetjen e BERZH, prezantimin e ligjit të rifreskuar për energjinë sipas Paketës së 3 të Energjisë përfshirë zhvillimin e një tregu komercial në formën e një Burse për Shitje dhe Balancim, çka mundëson që edhe Kosova të bëhet pjesë e saj në të ardhmen. Këto janë arritjet më të dukshme të çdo sistem energjetik gjatë tre viteve të fundit”, nënvizon BB.
Bumi i Gjermanisë dhe problemet e Evropës
Henrik BOHME
Po, pak eufori është me vend. Rritje ekonomike për tetë vjet radhazi. Këtë mund ta tregosh. Kjo është saktësisht periudha kohore, që prej kur ekonomia e Gjermanisë ra në një recesion të thellë për shkak të krizës financiare botërore. Në të gjithë këtë periudhë, kancelarja quhej Angela Merkel, ajo drejtonte me koalicione të ndryshme, herë me liberalët, herë me socialdemokratët.
Kjo në një kohë kur në pikëpamje ekonomike, një koalicion mes partive të mëdha nuk është diçka që duhet ta gëzojë një sipërmarrës. Megjithatë, Gjermania u ngrit në këmbë dhe i mblodhi fuqitë për t’u kthyer në lokomotivë për pjesën tjetër të Evropës. Dhe gjendja nuk ka qenë gjithmonë e tillë. Në kapërcyell të shekullit, ekonomia gjermane konsiderohej si “e sëmura e Evropës”. Reforma vërtet të ashpra të tregut të punës të kancelarit socialdemokrat, Gerhard Schröder e sollën vendin sërish në rrugën e suksesit. Kurse Partia Socialdemokrate SPD vazhdon edhe sot të vuajë nga vendimet e atëhershme, të cilat janë për të një luftë cfilitëse.
Diçka duhet të ndodhë, por nuk ndodh
Nga zelli për reforma i kohës së atëhershme, sot nuk ndihet gjë, përballë rezultateve pozitive ekonomike. Sa më gjatë që kalonte nga koha në pushtet e koalicionit të madh, aq më shumë paralizohej vullneti për t’i dhënë vendit një drejtim – ose të paktën një përfytyrim për atë se si duhet të përgatitet për të ardhmen vendi. Veçanërisht të aftë u treguam për t’u dhënë këshilla të tjerëve se çfarë duhet bërë (pyesni grekët, ata mund t’ju tregojnë shumë për këtë). Dakord, edhe kursimi funksionoi mirë në Gjermani, “zero e zezë” e famshme e Wolfgang Schäubles u ble shtrenjtë me një infrastrukturë në shkatërrim, me shkolla dhe universitete të dëmtuara dhe të pajisura keq dhe me një zgjerim çalaman të rrjetit të internetit të shpejtë.
Por le t’u kthehemi shifrave të mira. Jo vetëm ekonomia popullore gjermane është rritur, në përgjithësi shtetet e Eurozonës (dhe BE në përgjithësi) e panë veten në rrugë zhvillimi. Por edhe këtu për fat të keq duhet shkelur frena e euforisë: sepse fëmija i madh që sjell shqetësim tani quhet Itali.
O Zot, Italia!
As një italian si Mario Draghi, shefi i Bankës Qendrore Evropiane nuk ia doli mbanë që t’i mundësojë vendit sërish rritje ekonomike. Për këtë ai bëri gjithçka: sepse politika financiare e vendit të tij është para së gjithash një dhuratë për Italinë. Sa keq vetëm që Italia nuk e shfrytëzon këtë mundësi për t’u reformuar. Por koha e Draghit po mbaron – kjo nuk është e mirë për Italinë. Ky vend është thembra e Akilit e Evropës – dhe po të shpërthejë kriza e ardhshme ekonomike, me siguri do të jetë aty. Që prej 20 vjetësh rezultatet ekonomike të Italisë po bien. (Gjermania ka gjeneruar në 18 vitet e fundit një plus prej 25 për qind.)
Bankat e fundit janë të ngopura me kredi të pambuluara, shumë sipërmarrje nuk janë në gjendje që t’i paguajnë kreditë dhe duhet të kishin falimentuar me kohë. Bankat ndërkohë kanë hequr dorë nga kërkimi i borxheve, sepse e dinë që gjithsesi nuk do t’u kthehet gjë. Kjo nga ana tjetër i rëndon bilancet e bankave. Një rreth vicioz – dhe pikërisht një miksturë e tillë përshtatet për krizën e ardhshme të madhe në Eurozonë.
Europa Juglindore do të ndalë rritjen ekonomike në 2018
Kombinimi i kërkesës së shëndetshme globale, stimulimi masiv i politikës fiskale dhe rritja e absorbimit të fondeve të BE-së ishin ndër faktorët kryesorë që ndikuan në nxitjen e rritjes ekonomike në të gjithë rajonin e Europës Juglindore në tremujorin e tretë të vititi 2017, shkruan Focus Economist.
Sipas një vlerësimi paraprak, ekonomia e rajonit u rrit me 6.0% në tremujorin e tretë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Nëse kjo rritje konfirmohet, ajo do të shënonte edhe ritmin më të shpejtë të rritjes që nga tremujori i parë i 2008-ës. Të dhënat e regjistruara për rritjen në TM3 janë shumë të larta edhe po t’i krahasojmë me tremujorin e mëparshëm, ku rritja ishte në 4.2%. Rritja është shumë më e lartë edhe se vetë parashikimi i bërë, që mendohej se do të arrinte në 5.4%.
Sidoqoftë, situata nuk paraqitet edhe aq pozitive, sepse retë e zeza po fillojnë që të bëhen gjithnjë e më të dukshme së bashku edhe me zhbalancimet makroekonomike. Sipas Focus Economist, rritja rajonale pritet të ngadalësohet në 3.7% gjatë tremujorit të katërt. Duke e parë më nga afër rritjen ekonomike të këtyre vendeve të Europës Juglindore, për të cilat janë të disponueshme të dhënat e tremujorit të tretë, Rumania ishte ajo që u dallua nga të tjerat, ku rritja u përshpejtua nga 6.1% në tremujorin e dytë në 8.8% në një nivel nëntëvjeçar.
Kjo rritje erdhi si pasojë e nxitjeve të politikës fiskale dhe hyrjeve të mëdha të fondeve të BE-së, duke e vendosur këtë ekonomi në nivelin e saj më të mirë që prej vitit 2008. Edhe pse në shifra më të ulëta, edhe ekonomia e Bullgarisë ka shënuar rritje nga 3.6% në tremujorin e dytë në 3.9% në tremujorin e tretë. Kjo rritje ishte njëkohësisht më e larta që nga viti 2011, dhe erdhi kryesisht si pasojë e rritjes së fondeve të marra nga BE-ja, uljes së papunësisë dhe rritjes së nivelit të pagës.
Ekonomia serbe gjithashtu ka performuar më mirë në tremujorin e tretë nëse e krahasojmë me tremujorin e mëparshëm. Të dhënat e nivelit të PBB-së për tremujorin e tretë janë ende të pakonfirmuara për vendet e tjera të mbetura në rajon, por analistët e Focus Economics shprehen se presin që pjesa më e madhe e vendeve të ketë shënuar rritje. Të dhënat kryesore në Turqi tregojnë se ekonomia shënoi rritje të fuqishme në tremujorin e tretë pas një ecurie shumë të mirë edhe në gjysmën e parë të vitit. Edhe të dhënat në sektorin e prodhimit industrial kanë qenë të mira, ndërsa rimëkëmbja në sektorin e turizmit minimizoi efektet negative të një monedhe vendase të dobësuar dhe të çmimeve të larta të naftës.
Në mënyrë të ngjashme, edhe ekonomia kroate pritet të shënojë rritje nga tremujori i kaluar në tremujorin e tretë, si pasojë e një sektori të jashtëm të shëndetshëm dhe shifrave të larta të punësimit. Ekonomia greke pritet të shënojë rënie në tremujorin të tretë, pavarësisht efektit të fortë bazë të ndihmuar nga një treg pune që po shënon rritje graduale. Përveç situatës tejet pozitive të rritjes ekonomike të shënuar në tremujorin e tretë, në qendër të vëmendjes u vendosën edhe shitjet e mëdha të Lirës turke me Lei rumun në tregun valutor. Lei rumun ra në nivele shumë të ulëta kundrejt Euros në fund të muajit nëntor të këtij viti.
Edhe Lira turke shënoi ulje në fund të nëntorit, pasi “zënkat diplomatike” midis zyrtarëve turq dhe amerikanë u intensifikuan dhe Presidenti Erdogan përsëriti angazhimin e tij për të luftuar normat e larta të interesit. Situata e fundit ka bërë që analistët e tregut të vënë në pikëpyetje pavarësinë e Bankës Qendrore, e cila deri më tani ka reaguar vetëm ndaj shitjeve të rënda me rritje të ndjeshme ndaj normës efektive të financimit përmes kanaleve sekondare.
Rritja rajonale pritet që të pësojë ngadalësim në tremujorin e katërt. Në Turqi, inflacioni i pakontrolluar, mungesa e stimujve fiskalë, çmimet më të larta të naftës dhe një efekt i fortë bazë pritet të ndikojnë në ecurinë e ekonomisë. Pasiguria mbetet e lartë në lidhje me rrugën e Bankës Qendrore dhe shtrëngimin e kërkuar në kushtet monetare mund të ndikojë në vendosjen e zyrtarëve të Bankës në kundërshtim me Presidentin Erdogan dhe kabinetin e tij. Në Rumani, rritja ekonomike për tremujorin e katërt pritet të qetësohet disi, ndërsa diku tjetër në rajon, rritja e PBB-së pritet të jetë disi më e mirë.
Stoke City emëron trajnerin e ri
Stoke City ka vendosur Paul Lambert si trajnerin e di të skuadrës duke i dhënë fund vështirësive që patën në gjetjen e një zëvendësuesi për Mark Hughes. Edhe pse ish-trajneri i Aston Villa, Blackburn dhe Norwich City nuk është ndër të preferuarit e tifozëve, drejtuesi Peter Coates mendon se ka gjetur njeriun e duhur për ta nxjerrë ekipin nga zona e rënies nga kategoria. 48-vjeçari Lambert nuk ka rënë asnjëherë një kategori më poshtë dhe ka përvojën edhe si futbollist duke qenë se ka fituar Champions League me Borussia Dortmund.
Stoke e zyrtarizoi marrëveshjen me trajnerin pak orë para ndeshjes të së hënës me Manchester United në “Old Trafford”, ku skocezi do të jetë në tribunë për të parë futbollistët e tij. “The Potters” shkarkoi Mark Hughes në fundjavën e kaluar, pas humbjes kundër skuadrës së kategorisë të tretë Coventry në Kupën e Anglisë. Ata synuan të merrnin Gary Rowett, por ky i fundit rinovoi kontratën me Derby, ndërsa dështuan edhe në arritjen e marrëveshjes me Quique Sanchez Flores dhe Martin O’Neill.
50 milionë euro për Nainggolan
Merkatoja e Romës mund të përjetojë një zbulim të papritur. Së pari dhe pastaj, mesa duket, edhe në hyrje. Shkëndija për të cilën po flasim e sheh Radja Nainggolan si protagonist, i cili nuk po kalon momentin e tij më të mirë, as si pjesë e ekipit, as si individ, nën hijen e “Colosseo”. Mesfushori i Romës, sipas “Gazzetta dello Sport”, në fakt është emri i parë në listën e merkatos së Fabio Cannavaros. Trajneri italian i Guangzhou Evergrande e telefonoi personalisht Eusebio di Francescon, si dhe lojtarin, duke shpjeguar të gjitha planet e tij. Pastaj, vetë klubi kinez vazhdoi të “sulmonte” atë italian. Oferta e Evergrande Guangzhou është 50 milionë euro dhe vetë lojtari pritet të përfitojë mbi 12 milionë euro.
Problemi më i madh është ai i zakonshëm dhe ka të bëjë me tatimin, që Federata kineze e Futbollit ka imponuar për transfertat nga jashtë, që i tejkalojnë 6 milionët. Në praktikë, klubi në fjalë duhet të paguajë tepricën (në këtë rast 44 milionë) në formën e investimeve për zhvillimin e futbollit të të rinjve kinezë. Pra, shpenzimet totale do të arrinin në 94 milionë. Një situatë që, padyshim, Guangzhou e di dhe është e gatshme të përballet. Situata, ndër të tjera, ka vazhduar për rreth një vit. Në këtë moment, gjithsesi, gjithçka mbetet në pritje, edhe nëse nuk ka kohë për të humbur, pasi Roma do të duhet të shkojë në “gjueti” për zëvendësuesin.