Jose Mourinho kthehet në sherrin me Antonio Conte dhe flet gjithashtu për Zlatan Ibrahimoviç, i ndalur edhe një herë nga një dëmtim që do ta mbajë larg fushave deri në fillim të shkurtit. Trajneri i Manchester United ka dhënë edhe mendimin e tij në lidhje me të ardhmen e portierit David de Gea…
Ibrahimoviç – Kur e pyetën nëse druhet se Ibrahimoviç nuk mund të jetë më një futbollist i nivelit botëror, Mourinho u përgjigj: “Jo! Ishte trajneri i tij kur ishte 29 vjeç dhe luante me Inter. Nuk mund të ndalim kohën. Për futbollistin koha është shumë domethënëse dhe Ibrahimoviç e di. Ai e di që po bën hapat e fundit të karrierës së tij në nivele të larta, por ëndrra e tij, dëshira e tij dhe përpjekjet që bën janë gjithmonë të njëjta për të arritur në nivelet më të larta me ‘djajtë’. Ato që thotë ai janë shumë të dobishme për mua dhe për ekipin. Ka vetëm nevojë të ndihet mirë dhe mendoj se kur të mbyllë problemet me gjurin mund ta përdorim sërish. Si lider në dhomat e zhveshjes, si lider në fushë dhe si futbollist cilësor meriton të gjithë respektin tonë. Unë jam këtu për ta ndihmuar, deri në ditën e fundit që do të jetë në fushë”.
Conte – Në lidhje me debatin e tejzgjatur me trajnerin e Chelsea, Mourinho shtoi: “Nuk më pëlqejnë të tilla përplasje. Kur e nis unë, atëherë marr përsipër çdo përgjegjësi. Unë i kam nisur disa herë polemikat, por kur nuk e filloj unë dëfrehem duke parë palën tjetër që bën rolin e viktimës, edhe pse viktima nuk është ai. Por gjithsesi, të tilla situata nuk më pëlqejnë. Herë është faji im dhe herë është faji i dikujt tjetër. Në rastin tim, kur mendoj se jam unë fajtor, mendoj se duhet të isha sjellë në mënyrë tjetër dhe kërkoj ndjesë publike, si bërë me Claudio Ranier, kur mora përsipër gjithë përgjegjësinë. Menjëherë marrëdhënia jonë u transformua nga e keqe në e mirë, sepse unë jam aq burrë sa kërkoj falje kur gaboj në sjellje dhe veprime me dikë”.
De Gea – “Do të bëjmë të mundur të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për ta mbajtur në skuadër. Një klub që synon të bëhet më i miri në planet nuk mund të lejojë largimin e një portieri të tillë. Woodward nuk është me pushime, ai më duket se nuk pushon kurrë. Padyshim që do të provojë t’i rinovojë kontratën dhe do ta mbajmë këtu në Manchester sa më gjatë të jetë e mundur. Nuk e di nëse kanë nisur bisedimet, por unë besoj verbërisht te drejtuesit e klubit. Nuk diskutoj për pagën dhe kontratat e lojtarëve, them vetëm mendimin tim se De Gea duhet të jetë portieri i Manchester United. Janë të shumtë ata që kanë të njëjtin mendim me mua. Uroj që ai të qëndrojë me ne”.
Rrëfehet Morinjo
Ja futbollisti që Heynckes ëndërron ta ketë te Bayern
Jupp Heynckes, trajneri i Bayern Munich, ka folur për merkaton gjatë një interviste për “Kicker”. Për një futbollist në veçanti ai do të ishte gati të bënte gjithçka: “Kevin de Bruyne nuk ka luajtur kaq mirë sa po bën tani në sezonin e kaluar, por për të do të jepja edhe këmishën e fundit, do të paguaja edhe nga xhepi, për ta pasur në skuadër. Unë mendoj se për momentin De Bruyne është futbollisti më i mirë që ekziston në Europë”. Për merkaton e Bayern ai shtoi: “Duhet të vazhdojmë të besojmë te Sule, Kimmich, Tolisso dhe Coman. Natyrisht që do ta mirëprisja edhe një futbollist që kushton 50 milionë euro, por me 50 milionë euro, në merkaton e sotme nuk mund të afrohesh te më të mirët”.
Heynckes ka folur edhe për “tripletën” e trofeve, pasi e ka realizuar një të tillë pikërisht në stolin e Bayern Munich: “Nuk jemi favoritët në Champions. Faktikisht janë pesë apo gjashtë skuadra që mund ta fitojnë këtë trofe. Manchester City është ‘top’, bashkë me ekipet e tjera angleze, pastaj nuk duhen harruar Real Madrid, Barcelona dhe ndoshta Paris SG”. Kësisoj, trajneri i Bayern tregon për objektivin e vërtetë: “Për mua do të ishte një sukses i madh titulli në Bundesliga, duke qenë se nuk e mora skuadrën në një moment të mirë pas largimit të Ancelottit. Më pas të shohim se çfarë do të ndodhë nëpër kupa. Realizimi i ‘tripletës’ nuk mund të jetë kurrsesi një objektiv”.
Zbulohet kontrata sekrete e Neymarit me Rosell
Një informacion i ri ka dalë në dritë në lidhje me nënshkrimin e Neymar për Barcelonën. “El Confidencial” ka zbuluar një kontratë, që e ka nënshkruar futbollisti brazilian me autoritetet e klubit blaugrana. Ajo tregon firmat e Sandro Rosell dhe Josep María Bartomeu. Autoritetet braziliane kanë siguruar gjyqtarin përkatës të çështjes me një kontratë të re, që tregon se si Neymar do të merrte më shumë se 100 milionë euro për pesë vite.
Kostoja përfundimtare nuk ishte 57 milionë, siç mbrohen të pandehurit, në këtë rast Bartomeu, as 83 milionë euro, siç llogaritet nga Zyra e Prokurorit. Një kontratë e fshehtë zbulon se ajo tejkalonte 100 milionë euro. Burimet ligjore të konsultuara theksojnë se shuma përfundimtare është më e lartë, pasi të paktën edhe 17.100.000 euro duhet t’i shtohen asaj për fitimin e të drejtave federale të Santos FC, klubit të tij të origjinës.
Ryan Giggs, trajneri i ri i Uellsit
Ryan Giggs do të emërohet si trajneri i ri i Uellsit me një kontratë katërvjeçare dhe lajmi do të bëhet i ditur në Kardif, ku Federata e Futbollit në Uells ka njoftuar një konferencë për shtyp pikërisht për prezantimin e ish-futbollistit të Manchester United. Giggs do të marrë vendin e Chris Colema, i cili u largua në nëntor për të marrë drejtimin e Sunderland. Craig Bellamy, Osian Roberts dhe Mark Bowen ishin emrat e tjerë në listë, por bordi i drejtuesve të futbollit në Uells, kryesuar nga Jonathan Ford, ka zgjedhur “legjendën” Giggs si njeriun e duhur për të drejtuar përfaqësuesen.
Giggs ka luajtur 64 ndeshje me kombëtaren e Uellsit, nga viti 1991 deri në vitin 2007 dhe ka qenë kapiteni i kësaj skuadre, por është kritikuar vazhdimisht sepse ai nuk luante asnjëherë në ndeshjet miqësore të kombëtares iberike. Ai ka qenë trajneri i Manchester United në katër ndeshje, gjatë vitit 2014, pas largimit të David Moyes dhe gjithashtu punoi për dy sezone si ndihmës i Van Gaal në “Old Trafford”, përpara se të largohej pas ardhjes të Jose Mourinho. Në vitin 2016 ishte pranë kalimit te Swansea, por klubi uellsian vendosi të emëronte Bobn Bradley.
Absurde në Ligue 1
Ndërhyrja më absurde e historisë së futbollit! Kështu mund të quhet veprimi i Tony Chapron, gjyqtari i ndeshjes Nantes-Paris SG, i cili u përpoq të rrëzonte një futbollist të Nantes, fajtor që e kishte hedhur në tokë, në mënyrë deri diku të pavullnetshme. Një veprim që meritonte kartonin e kuq, por që fatkeqësisht solli të kuqen për Diego Carlos, për shumë kartonësh të verdhë. Chapron është përpjekur të shpjegojë ndërhyrjen ndaj lojtarit duke thënë se humbi ekuilibrin, janë të paktë ata që e besojnë. “Është një gjyqtar që nuk duhet të zbresë më në fushë. Për një veprim të tillë një futbollist mund të dënohet deri në 10 javë skualifikim. Uroj që pamjet filmike këtë herë të dënojnë veprimin e gjyqtarit”, tha mesfushori i Nantes, Roniger.
“Nuk e kisha parë kurrë diçka të tillë, tha trajneri i Nantes, Claudio Ranieri. Situata nuk është e zakonshme, përkundrazi. Futbollisti im rrezikon skualifikimin, por ai që duhet të skualifikohet padyshim që është gjyqtari”. Gazeta franceze “Le Parisien” shkon deri aty sa e gjykon veprimin e arbitrit në të njëjtin nivel me atë të Evra, që goditi me shqelm një tifoz kundërshtar duke u skualifikuar për gjashtë muaj: “Është një gjest unik. Jashtë çdo lloj logjike. Chapron është bërë turpi i futbollit francez”. Ndërkohë, presidenti i Nantes, Kita shtoi: “Situata është komike dhe skandaloze. Duhet bërë një shkollë për gjyqtarët, ku krahas rregullave të mësojnë si të sillen. Ishte një sjellje diletanti. E gjithë bota po qesh me Francën!”.
Përforcohet Napoli
“Mediaset Premium” ka bërë me dije se Napoli do të marrë Simone Verdi dhe Gerard Deulofeu gjatë merkatos së janarit. Në fillim mendohej se kryesuesit e Serie A do të merrnin vetëm njërin prej tyre, me Verdi që ishte dëshira kryesore, por situata ka ndryshuar dhe të dy lojtarët pritet të vihen në dispozicion të trajnerit Maurizio Sarri. Të hënën, Simone Verdi do të jetë në Napoli për të kryer vizitat mjekësore dhe nëse gjithçka shkon mirë ai do të firmosë për 3 vite e gjysmë me një pagë prej 1.7 milionë euro në sezon, ndërsa në arkat e Bologna, klubi që ka pronësinë e lojtarit, do të marrë 20 milionë euro.
Në orët e fundit, në Itali kanë bërë me dije se pavarësisht nga blerja e sigurt e Verdit, Napoli do të marrë edhe Deulofeu. Mbetet për t’u gjetur vetëm marrëveshja me lojtarin pasi Barcelona ka dhënë “ok” për huazimin e tij, me të drejtë blerjeje përfundimtare në verën e ardhshme. Deulofeu ishte edhe në planet e Interit, por zikaltërit nuk mund të investojnë më në merkato, të bllokuar nga rregullat e “Fair Play Financiar”.
Milan bllokon largimin e Suso
Sa vlen Jesus Suso? Kjo është pyetja e madhe, sepse spanjolli, pas disa muajsh, mund të bëhet një mundësi e mirë për të gjitha klubet në Europë. Liverpool, që e ka arkën plot pas largimit të Coutinho te Barcelona, kërkon një futbollist për ta zëvendësuar dhe ka identifikuar sulmuesin e Milan si lojtarin e duhur. Nga ana tjetër klubi kuqezi nuk ka ndërmend ta largojë pa marrë të paktën 80 milionë euro, çmimi i caktuar nga Mirabelli dhe Fassone.
Në momentin e rinovimit të kontratës, që daton në shtator 2017, Milan dhe Suso kanë përfshirë një klauzolë për prishjen e kontratës prej 40 milionë eurosh, 50 milionë euro nëse Milan shkon në Champions League. Kjo e lejon spanjollin të largohet në çdo moment, pa marrë lejen e klubit, nëse dikush paguan klauzolën. Në këto kushte, 80 milionë euro që Milan kërkon sot nuk paguhen nga askush, por në verë do të ketë një mal me klube që do të jenë gati të paguajnë 40 milionë.
Milan mendon se mund të arrijë ende në Champions League, edhe në rast të një suksesi në Europa League dhe nuk ka ndërmend të dobësojë përbërjen e ekipit të drejtuar nga Gattuso, por nëse nuk ia del atëherë verën e ardhshme do të jetë i detyruar të shesë dhe në bazë të kontratës Suso do të kushtojë 40 milionë euro. Pra, spanjolli mund të transferohet gjatë merkatos së verës, teksa mbetet ende për t’u parë se çfarë do të ndodhë me Donnarumma.
“Ndizet” Ligue 1
Me Paris SG gjithmonë e më shumë të shkëputur në krye të Ligue 1, në Francë ka nisur një garë interesante për një vend në Champions League. Monaco dhe Lyon ndajnë vendin e dytë, 11 pikë larg kreut, me nga 42 pikë, një më shumë se Marseille, që mban vendin e katërt. Dy nga këto tre ekipe do të shkojnë në veprimtarinë prestigjioze. Këtë mesjavë do të vazhdojë sfida në distancë, pasi të martën Monaco pret Nice, ndërsa Marseille pret Strasbourg. 24 orë më vonë, Lyon do të luajë në Guingamp. Marseille po kalon një moment të mirë forme, ndërsa kundërshtari i tyre Strasbourg ka vështirësi pasi ka humbur në dy ndeshje radhazi, por më parë bëri një seri me gjashtë rezultate pozitive të njëpasnjëshme. Aktualisht, Strasbourg është goditur nga disa dëmtime, mes të cilëve portieri Bingourou Kamara. Strasbourg është në mesin e klasifikimit, por vetëm 5 pikë larg nga zona e rënies nga kategoria. Nga ana tjetër, trajneri i Marseille, Rudi Garcia nuk duket shumë i interesuar për merkaton, por gjërat te skuadra e tij duhet të ndryshojnë. “Nuk e di nëse drejtuesit do të na sjellin ndonjë futbollist të ri, por unë mendoj se kemi një ekip që mund të jetë i suksesshëm dhe mund të përmirësohet ndeshje pas ndeshje. Ne duhet thjesht të bëjmë kujdes dhe të shpresojmë mos kemi dëmtime”.
Marseille ka humbur vetëm një ndeshje në shtëpi në këtë sezon dhe mund të krenohet me faktin se nuk ka humbur asnjë nga 10 ndeshjet e fundit të luajtura në të gjitha veprimtaritë. Në këto 10 ndeshje ata kanë shënuar 20 gola. Edhe Strasbourg është një ekip që shënon dhe pëson shumë. Mesatarja e golave në ndeshjet e fundit të kësaj skuadre është 2.8 gol/ndeshje. Strasbourg mund të krenohet me faktin se është e vetmja skuadër që ka mposhtur PSG në këtë sezon, ndërsa Marseille do të bazohet edhe një herë te forma e mirë që po kalon mesfushori 24-vjeçar Florian Thauvin, i cili ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë 8 asiste në 20 ndeshje të luajtura sivjet.
Monaco vjen nga barazimi 0-0 kundër Montepellie, që ndali një ecuri prej katër fitoresh radhazi. Skuadra nga Principata ka marrë 13 pikë në 5 ndeshjet e fundit, e njëjta ecuri e Nice, që po shkëlqen duke rregulluar disi pozitat pas fillimit të dobët të kampionatit. Te Monaco është në dyshim prania e Radamel Falcao, autor i 15 golave në këtë kampionat. Vetëm Edison Cavani ka bërë më mirë se ai. Ndeshjet e kampionëve të Francës në fuqi kanë prodhuar mesatarisht 3.3 gol/ndeshje, ndërsa Nice e ka mesataren 2.8 gol/ndeshje.
Sfida tjetër që do të luhet në mbrëmjen e së martës në Ligue 1, Bordeaux-Caen. Të dyja skuadrat janë shumë pranë në renditje, por miqtë qëndrojnë një shkallë më lart, pasi kanë një pikë më shumë, pas 20 ndeshjeve të para.
Hector Cuper: Salah do të shkojë te Real Madrid
Real Madrid është i interesuar për të blerë sulmuesin e Liverpool, Mohamed Salah, ka thënë trajneri i kombëtares së Egjiptit, argjentinasi Hector Cuper. Që kur u transferua në “Anfield Road”, për 65 milionë euro, gjatë verës së kaluar, 25-vjeçari ka qenë në një formë të shkëlqyer. Salah ka shënuar 18 gola me “të kuqtë”, në Premier Leauge dhe e ka ndihmuar kombin e tij të fitojë të drejtën për të luajtur në Kupën e Botës 2018. Paraqitjet e tij e kanë bërë të famshëm në të gjithë planetin dhe Real Madridi, dy herë radhazi kampion i Europës, duket se është vënë në gjurmët e tij…
“Unë kam marrë lajmin nga një burim i besueshëm se Real Madrid është i interesuar seriozisht për blerjen e Salah nga Liverpool, por të mos nxitohemi për këtë argument, tha ish-trajneri i Valencia dhe Inter, Hector Cuper, aktualisht ‘timonieri’ i Egjiptit, në një intervistë për ‘ON Sport TV’. Për mendimin tim kjo do të ishte një lëvizje pozitive. Salah ka mentalitetin e duhur për të qëndruar për një kohë të gjatë ndër më të mirët e futbollit. Unë mendoj se ai nuk do të qëndrojë për një kohë të gjatë te Liverpool. Së shpejti, do të jetë pjesë e Real Madrid”.
Ronaldo drejt largimit?
Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Madridi. Ai ndjehet i mashtruar nga premtimet e rinovimit, që nuk i ka përmbushur mjaftueshëm Florentino Perez. Tani prioriteti i tij është përqendruar në rikthimin te Manchester United. Portugezi konsideron se “Old Trafford” është stacioni ideal për të vazhduar udhëtimin e tij. Në klubin anglez, ku ai luajti nga viti 2003 deri në nënshkrimin me Real Madridin, në vitin 2009 dhe me të cilin fitoi “Topin e Artë”, tashmë e dinë dëshirën e tij. Vendimi i yllit portugez është aq i fortë, sa ua ka komunikuar disa shokëve të skuadrës te “Los Blancos”. Pavarësisht se është golashënuesi më i mirë në historinë e klubit madrilen, Cristiano Ronaldo nuk ka pasur ndjenja të mira me Perez dhe ka hasur gjithmonë vështirësi, kur ka negociuar rinovimin.
Portugezi ka fituar tre nga katër “Topat e Artë” të fundit, pesë në total, po aq sa Messi. Megjithatë, kjo nuk e ka ndihmuar atë të jetë një nga tre më të paguarit në botë. Për më tepër, në renditjen e lojtarëve me paga më të mira, Ronaldo renditet i pesti me 21 milionë euro në sezon, neto, pas rinovimit të saj të fundit, që daton nga nëntori 2016. Por, kjo shifër është larg nga ajo që merr Messi dhe Neymar. Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që ylli portugez kërcënon me mundësinë e largimit. Ai e ka bërë këtë edhe në vitin 2012 dhe 2015, por më në fund rinovoi në vitin 2013, si dhe në vitin 2016. Këto më poshtë janë rastet e zemërimit të tij me presidentin Florentino Perez.
I ngecur më 2012 …
“Jam i trishtuar”, tha ai në vitin 2012. Ai filloi sezonin e tij të katërt, pa patur ndonjë përmirësim të pagës (te Manchester United kishte pesë rishikime në gjashtë vjet). Ai i tregoi Florentino Perezit se nuk i pëlqente të shkonte në garën e UEFA-s pa e shoqëruar atë, ndërkohë që pa Messin dhe Iniestën me Rosellin. “Nëse largoheni, sill paratë për të nënshkruar Messin”, ishte përgjigjja e presidentit. Ditën tjetër, ai shënoi dy gola kundër Granadës dhe nuk i festoi ato. “Unë jam i trishtuar dhe në klub e dinë këtë gjë”, tha ai.
… dhe rinovim më 2013
Një vit tërheqjeje lufte. Cristiano Ronaldo qëndroi një sezon pa konfirmuar nëse e kishte rifituar lumturinë. PSG-ja ofroi 200 milionë euro. Emri i Neymar u filtrua sërish si zëvendësues i tij. “Nuk ka negociata për të ripërtërirë kontratën”, tha Florentino Perez në qershor 2013, i cili gjendej para nënshkrimit të Bale (101 milionë €). Por, më pas u mbyll rinovimi i CR7 deri në vitin 2018, kur dallimet në pagesë ishin të konsiderueshme.
Rinovimi në vitin 2016
Ashtu si herën e parë, distancat mes palëve dukeshin të pakapërcyeshme. Aq më shumë nëse kihet parasysh se sezoni filloi me Rafa Benítez trajner. Marrëdhënia e tyre filloi keq. Trajneri erdhi duke dashur të kënaqte presidentin dhe për këtë, një nga vendimet e tij të para ishte të shkonte për të parë Bale me kombëtaren e Uellsit në Cardiff. Një nderim që nuk e kishte CR7. Ai e dinte se klubi donte të peshonte figurën e uellsianit mbi të tijën. Për fat të mirë për Real Madridin dhe Ronaldon, Zidane zëvendësoi trajnerin e sotëm të Newcastle. “Ai duhet ta përfundojë karrierën e tij këtu”, tha francezi sapo ai arriti. Disa muaj më vonë, në nëntor 2016, mrekullia ndodhi dhe rinovimi me portugezin u bë deri në vitin 2021.
Rinovim apo lamtumirë në vitin 2018?
Më 14 janar 2018, Cristiano Ronaldo dëshiron të largohet nga Real Madridi. Dhe presidenti Perez është duke marrë të njëjtin pozicion, si në fërkimet e mëparshme. Zërat mediatikë nga Spanja thonë se klubi dëshiron Neymar dhe ofron si pjesë të operacionit vetë Cristiano Ronaldon. Pikërisht, ky interes dhe flirtim me PSG-në i yllit brazilian e shqetëson Cristianon, sidomos. Mbetet të shohim se si do të përfundojë kjo “soap opera”: me një tjetër rinovim dhe kënaqje e futbollistit “të persekutuar” për një kohë të gjatë apo me lamtumirën e afërt, e cila ndoshta e bën portugezin lojtari më të paguar në historinë e futbollit…