30.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Korrik, 2025

“Cosa Nostra”, import ilegal nafte nga Shqipëria, arrestohen 9 shtetas italianë

Mashtrim fiskal në sektorin e karburanteve, import ilegal i vajrave lubrifikues nga Shqipëria në vlerë 2.5 milionë euro dhe bashkëpunim me mafian siçiliane Cosa Nostra janë akuzat me të cilat Policia Financiare e Palermos ka arrestuar dje 9 persona e ka denoncuar 43 persona të tjerë.
Të arrestuarit janë të gjithë shtetas italianë që së bashku me personat e vënë nën hetim konsiderohen anëtarë të një grupi kriminal me aktivitet mashtrues në transferimin e karburanteve, mashtrim tregtar, mashtrim fiskal e në krime të tjera.
Hetimet e operacionit të koduar “Njolla e zezë” të nisura më 2013 nga Prokuroria dhe nga Policia Financiare e Palermos kanë vërtetuar se ky grup kriminal kishte lëshuar fatura për transaksione jo ekzistuese në vlerë 38 milionë euro me një dëm prej 7 milionë euro për shtetin italian.
Gjithashtu financierët kanë verifikuar evazion fiskal të akcizës për karburante e lubrifikantë në vlerë 2.5 milionë euro përmes importimit të paligjshëm të vajërave lubrifikues nga Shqipëria dhe shitjes së naftës së destinuar për furnizim të anijeve si një karburant i rregullt, (i cili është i përjashtuar nga akciza).
Hetimet kanë vërtetuar një interes të veçantë të mafias siçiliane Ndrangheta në sektorin e shpërndarjes së karburanteve. Është verifikuar se njëri prej të arrestuarve 54-vjecari Cosimo Vernengo nga Palermo ishte në lidhje të ngushta me mafian siçiliane e së bashku me vëllain e tij ishin administratorët e impianteve të shpërndarjes së karburanteve, duke ideuar dhe mashtrimin fiskal.
Të arrestuarit janë Danilo Lazzarotto, Rosario Montagna, Cosimo Vernengo, Giorgio Vernengo, Natale di Cristina, Filippo Trendi, Alessandro Primo Trendi, e Eugenio Barbarino. Ata akuzohen dhe për konkurencë jo të rregullt në treg për shkak të importimeve të paligjshme, që u kanë lejuar çmime të ulëta të karburantit.
Financa italiane ka vënë nën sekuestrim 5 impiante shpërndarje karburanti në Palermo si dhe një dokumentacion të gjerë që vërteton mashtrimin fiskal e tregtimin ilegal të karburantit dhe vajrave lubrifikues.

Maskat lidhin kryefamiljarin e i grabisin shtëpinë dhe makinën

Tre persona të armatosur dhe me maska kanë hyrë në një vilë tre katëshe dhe pasi kanë rrahur dhe lidhur i kanë marrë çelësat e vilës dhe kanë hyrë për të vjedhur. Grabitja është shënuar në orën 07:30 të 12 janarit 2018 në Ksamil. Maskat, pasi kanë dhunuar e kanë lidhur kryefamiljarin dhe kanë grabitur një shumë parash dhe sende me vlerë në banesë. Më pas, ata kanë marrë edhe makinën që ndodhej në oborrin e shtëpisë dhe janë larguar në drejtim të paditur për policinë. Vetë Petro Lula, 24 vjeç ka bërë denoncimin në policinë e Sarandës dhe ka treguar tmerrin, ndërsa ka treguar se grabitësit kanë mundur t’i vjedhin edhe automjetin tip “Benz”. Ai tha se, grabitësit ishin tre persona të maskuar dhe të armatosur me armë zjarri, të cilin e kanë rrahur e goditur me qytën e armës e më pas e kanë lidhur me litar.
“Nga verifikimi paraprak ka rezultuar se, në Ksamil rreth orës 07:30, në banesën e shtetasit P.L., (ndërtesë tre katëshe, e cila përdoret si shtëpi pushimi gjatë sezonit veror), kanë shkuar tre shtetas të maskuar e të armatosur me armë zjarri, të cilin e kanë rrahur e goditur me qytën e armës dhe e kanë lidhur. Autorët e maskuar i kanë marrë çelsat e banesës dhe kanë hyrë për të vjedhur”, informon Policia e Sarandës.
Më pas, hajdutët i kanë marrë dhe mjetin tip “Benz”, me targa AA 322 DP, dhe janë larguar. Mësohet se kur janë larguar kanë marrë dhe serverin e kamerave. Policia tha se ka ngritur pika kontrolli me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk pati asnjë të arrestuar nga policia për këtë ngjarje të rëndë.
Ndërkohë 24-vjeçari ndodhet në Spitalin e Sarandës dhe ka plagë në kokë. Sipas dëshmisë së një prej familjarëve, i riu Petro Lula ka marrë goditje në kokë dhe po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Sarandës. “E lidhën, këmbët dhe duart komplet, e lidhën dhe e lanë atje. E rrahën mirë e mirë dhe e gjuajtën me qytën e pistoletës në kokë”, thotë e afërmja.

MAFIA E FUTBOLLIT, PSE DUAN TE KAPIN EDHE FEDERATEN

FAMILJET MAFIOZE TEK SPORTI DHE RASTI I EDIT, OLSIT DHE LINDES

SKEMA E PASTRIMIT TE PARAVE ME BASTET DHE NDESHJET E TRUKUARA DHE SI FUTEN NE LOJE BANKAT OFSHORE TE REGJISTRUARA NE PARAJSAT FISKALE PER TE TRANSFERUAR MILIARDAT. EDI NE QEVERI, OLSI TEK KLUBI, LINDA TEK BANKA

(Të plotë në versionin print të gazetës RD)

Ish-strategu i Putinit: Kush fshihet pas Assange e WikiLeaks

Një mjegullnajë e krijuar nga një konstelacion i madh burimesh, nganjëherë fryt manipulimesh; një rajon midis dritës dhe errësirës, midis shkencës dhe supersticionit: është në këtë zonë errësire në kufijtë e realitetit informativ që banon propaganda politike. Vasili Gatov, hulumtues rus me qëndrim në Boston dhe ish-strateg mediash i Kremlinit, ia njeh skemat e artikuluara, ia parasheh qëllimet, i nxjerr natyrën në përmbajtje dhe fenomene virale, i zbulon protagonistët, metoda, teknika dhe instrumente.

– Ndodhemi përballë një mjegullnaje informative, një perdeje të papenetrueshme lajmesh dhe informacionesh me tepri që nuk na lejon të dimë se çfarë ka më tej. Është midis këtyre biteve dhe sekuencave që futet propaganda? Me çfarë mjetesh?
“Teknikat janë gjithmonë të njëjtat dhe shumë të lashta, përtej platformave të ndryshme të shpërndarjes: metodat themelore të indoktrinimit janë formuluar nga Shën Agostini në vitin 400 A.D., dhe janë kataloguar nga Lordi Arthur Ponsonby në fundin e viteve ‘20. Qysh atëherë janë zbuluar pak të tjera: njerëz dhe objektiva nuk ndryshojnë edhe aq. Diferenca e vetme ështe se, falë dixhitales, propaganda ka sot në dispozicion më shumë instrumente dhe e arrin çdo objektiv me kosto qesharake”.

– Cilët janë këto instrumente?
“Për shembull, bot-ët. Në vitin 2009, kur isha drejtor i Novatorizimit për ‘RIA’ (‘Russian Information Agency’) ‘Novosti’, agjencinë e shtypit më të rëndësishme të Federatës ruse, kam bërë kërkime lidhur me publikun e mediave sociale dhe kam kuptuar se botnet-ë të ndryshëm përdoreshin nga politikanë dhe marka për të rritur numrin e ndjekësve të tyre: 45% e ndjekësve të Presidentit të atëhershëm sot Kryeministër, Dmitrij Medvedev ishte artificiale”.

– Një përqindje mbresëlënëse.
“Falë big data dhe përparimeve të inteligjencës artificiale, këto instrumente sot kanë evoluar shumë. Kemi algoritme automatike në gjendje që të vendosin ‘like’ në faqet e Facebook, të dërgojnë mesazhe me hashtag-ë të caktuar, të manipulojnë axhendën e mediave duke shpalosur artikuj si lexues falso, në mënyrë që t’i bëjë redaktorët të përqendrohen mbi lajme specifike. Për më tepër operojnë në Twitter, pasi lidhur me bot-et Facebook ka një politikë më rigoroze. Kësaj i shtohen entitete artificiale me personalitet të zhvilluar, si ai i ‘fabrikës së trollëve’ në Olgino, afër Shën Petërsburgut: nja 30 llogari të survejuara nga punonjës që krijojnë dhe shpërndajnë mesazhe. Janë të vështirë për t’u dalluar nga përdoruesit e vërtetë pikërisht pse janë të pilotuar nga qenie njerëzore dhe përdoren për të komentuar, denigruar dhe frikësuar”.

– Flitet shumë për këtë “fabrikë trollësh”. Por si lindi? Kush është prapa saj?
“Bëhet fjalë për një krijesë të së ashtuquajturës agjenci federale shtypi ‘Riafan.ru’, që menaxhon uebsajte më të vegjël me përmbajtje të ngjashme për të krijuar referime ciklike dhe ndihmuar uebsajtin qendror në pozicionim. Në pamje të parë duket një agjenci klasike mediatike, por duke i lexuar artikujt shikon se ka një mbizotërim deklarimesh me orientim antiperëndimor. Operacioni tjetër i menaxhuar nga ‘Agjencia’, siç e ka quajtur miku im Adrian Chen i ‘New York Times’, është në fakt ky shërbim famëkeq trollësh’.

– E si funksionon?
“Çdo ditë, të paktën 200 autorë lënë komente nëpër uebsajte dhe llogari të ndryshme sociale. Disa komandojnë një botnet të vockël, por me cilësi të lartë, që ‘cicëron’ dhe ndaj përmbajtjeve të shënjestruara në Facebook; të tjerë janë të specializuar në postimin e komenteve në uebsajte të huaja si Reddit, 4Chan dhe 8Chan. Mesazhet përmbajnë elozhe për Putinin, lista të ‘krimeve’ të kryera nga Obama dhe Clinton, fyerje për Merkelin. Por është një operacion paksa qesharak, jo i menaxhuar nga Kremlini apo nga inteligjenca ruse. Prapa tyre ndodhet i ashtuquajturi ‘kuzhinier i Presidentit’, Yevgeny Prigozhin, një biznesmen kateringu: realizon darka shtetërore dhe furnizon me mallra ushqimore ushtrinë ruse. E ka themeluar ‘Agjencinë’ pikërisht për t’u vlerësuar dhe për t’u bërë i domosdoshëm”.

– Atëherë kush është “mendja” e propagandës ruse?
“Po guxoj të them emra. I pari është Alexey Alexeyevich Gromov, ish-shef i Zyrës së Shtypit të Putinit, më pas zëvendësshef i Administratës Presidenciale. Me aparatin e tij të vogël kompetent kontrollon mediat shtetërore, axhendën e takimeve, botuesit. Domethënë, u ‘shpërndan’ mediave opinionin e Putinit. Por, pavarësisht rolit, në realitet është një ekzekutues i thjeshtë”.

– Domethënë kush është truri i vërtetë?
“Një strateg është Sergei Borisovich Ivanov, një mjeshtër i vërtetë i spiunazhit sovjetik. I rritur dhe i stërvitur nga më të mirët, ka pasur role të ndryshme fillimisht në KGB dhe më pas në SVR (Sluzba Vnesnej Razvedki, Shërbimi i Inteligjencës Ndërkombëtare, shënimi im) sidomos në Europën Veriore. Nën Putinin ka qenë zëvendëskryeministër dhe ministër Mbrojtjeje: ka diturinë, por edhe përvojën, për këtë punë. Figurë themelore në nivel të strategjisë mediatike ishte në fakt Mikhail Yuriyevich Lesin, që ka vdekur në rrethana misterioze më 2015. Ka qenë ai në vitin 1999 që ka planifikuar projektin ‘RT’ ose ‘Russia Today’, një shërbim televiziv në gjuhën angleze, klon i ‘BBC World’, i ideuar për t’i dhënë drejtpërsëdrejti lajme ruse një publiku të huaj, pa kaluar nëpërmjet ndërmjetësve. Në vitin 2003, si ministër i Informacionit të Presidentit, ka vënë Svetlana Mironyuk në krye të redaksisë së ‘Novosti’ për ta bërë një mjet të fuqishëm propagande”.

– Në vitet në vazhdim, si është zhvilluar kanali informativ?
“Ekspansioni i ‘Russia Today’, i mbikëqyrur nga vetë Gromov, është financuar me më shumë se 3 miliardë dollarë në 9 vitet e fundit. Në vend që t’i ofronte lajme kombëtare botës së jashtme, në fillim është përqendruar mbi histori amerikane, britanike dhe europiane që synonin të nënvizonin probleme kronike apo të rastësishme të demokracive perëndimore. Duke përdorur gazetarë të rinj amerikanë dhe anglezë të ekstremit të majtë, ka ‘zbuluar’ dhunën e ushtarakëve amerikanë, problemet raciale dhe sociale në zonat e varfëra të Shteteve të Bashkuara, krizën e emigrantëve në Bashkimin Europian dhe ka përqeshur gjithmonë lidershipin perëndimor, nga Presidenti Obama tek Kancelarja Angela Merkel, bazuar tek mendimi i Putinit. Nga viti 2014 e këtej, domethënë nga lufta në Ukrainë, ‘RT’-ja është bërë një armë e vërtetë informative”.

– Midis mediave të konsideruara “partizane” është edhe “Sputnik”…
“Është një tjetër markë e ‘RIA Novosti’. Me dekretin e vitit 2013, agjencia është ngarkuar që të promovojë interesat kombëtare, të mbështesë politikën e jashtme dhe të luftojë propagandën perëndimore negative kundër Moskës. Në shkrirje ka absorbuar ‘The Voice of Russia’ (shërbimin shumëgjuhësh radiofonik aktiv nga viti 1930, fillimisht si ‘Radio Komintern’, më pas si ‘Radio Moska’, shënimi im), që në vijim është bërë ‘Sputnik International’. Jashtë vendit, ‘Sputnik’ ka formuar në vijim personelin e saj: komentatorë dhe gazetarë të së djathtës ekstreme që kanë sjellë pozicionet dhe lexuesit e tyre në platformë. Ka ndodhur në Francë, ndoshta edhe në Itali”.

– Pjesa më e madhe e atij publiku formohet nga ndjekës të teorive komplotiste?
“Komunitetet perëndimore të prirura ndaj hipotezave të konspiracionit janë ndër më të prirurat për të besuar propagandën ruse. ‘RT’-ja nuk arrinte të kapte një publik të madh, por bubrronte midis grupeve margjinale që urrejnë mediat mainstream. Përkrahësit e komplotit jetojnë në një ‘superflluskë’: Asgjë nuk mund ta ndryshojë perceptimin e tyre, përdorin gjithçka. Përfshi refuzimin e natyrshëm të mediave kryesore për të trajtuar argumente të caktuara, të damkosura si klasikja ‘po mbulojnë të vërtetën’. Këta njerëz kanë një imazh pozitiv për Putinin pasi janë shumë konservatorë në fushën sociale, fetare dhe politike, prandaj e çmojnë mesazhin arkaik të udhëheqësit rus”.

– E ashtuquajtura kundërkulturë “Alt – Right” (lëvizje politike e djathtë, jo e organizuar, e lindur në Shtetet e Bashkuara) mund të jetë e influencuar nga Moska?
“Më shumë sesa për influencë, unë do të flisja për simbiozë. Amerikania ‘Alt – Right’ është një diçka jashtëzakonisht antiliberale, domethënë homogjene për propagandën e Putinit që për nga përkufizimi është konservatore. Uebsajtet ‘Alt – Right’ huazojnë disa përmbajtje nga ‘RT’-ja dhe ‘Sputnik’-u, pastaj i botojnë me shumë komente tek ‘Breitbart’ dhe ‘Infowars’. Nuk kam arsye të besoj se ekziston ndonjë bashkëpunim ndërkombëtar është një fluks normal i lirë informacioni”.

– Lidhur me këtë, dikush besoi se edhe prapa WikiLeaks fshihet dora ruse…
“Dyshoj. Është e vërtetë se Julian Assange ka qenë mysafir i ‘Russia Today’ në periudhën 2012–2013 dhe ka akoma sot raporte të ngushta me Margarita Simonyan, shefe e ‘RT’-së, por nuk besoj se bëhet fjalë për një operacion inteligjence. Preferoj të mendoj se e respekton Putinin prej pozicionit të tij antiamerikan, pasi Julian i urren vërtet Shtetet e Bashkuara. Dhe mediat: kur sulmojnë Putinin, ai e mbron. Për shembull, në rastin e botimit të dokumenteve të Democratic National Committee, spiunazhi rus mund t’i ketë dhënë materialin WikiLeaks, por mendoj se e konsideron Assange një ‘idiot të dobishëm’, jo një aleat”.

– Përsa u përket zgjedhjeve amerikane, a ka luajtur propaganda ruse vërtet një rol përcaktues, siç e pohojnë shumë liberalë amerikanë?
“Sipas meje, jo. Nëpërmjet ‘RT’-së, ‘Sputnik’-ut dhe uebsajteve të tjera në gjuhën angleze, sigurisht që Moska ka marrë pjesë në një sulm ‘Alt – Right’ në Amerikë, por kjo influencë nuk ka qenë as vendimtare, as vërtet domethënëse. Hakerimi i e-mail-it të John Podesta, shefit të fushatës elektorale të Hillary Clinton dhe nxjerrja pasuese e e-mail-ave lidhur me WikiLeaks kanë qenë ndoshta një operacion rus, por ato që e kanë amplifikuar lajmin kanë qenë mediat kombëtare amerikane, të asistuar nga rrjeti ‘Alt – Right’ në platformat sociale”.

– Hakerime, zgjedhje: Vënia e fajit gjithmonë Rusisë është bërë pothuajse modë. A ekziston edhe një “propagandë ndaj propagandës ruse”?
“Po dhe e gjejmë tek ‘Washington Post’, tek ‘Politico’, tek ‘New York Times’ dhe në çdo sekondë tek ‘CNN’-i: gazetarë dhe aktivistë liberalë janë goditur aq shumë nga zgjedhja e votuesve, saqë e kanë gjetur natyrale të fajësojnë një influencë të huaj. Pastaj, inteligjenca e Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur teorinë”.

– Duke parë instrumente dhe mjete, si të mbrohesh nga propaganda e ndryshme?
“Çdo propagandë nuk duron dot dy armë të thjeshta, por të fuqishme, që çdo njeri duhet t’i ketë gjithmonë afër: mendimin kritik dhe benefitin e dyshimit. Përpara se të pranojë një opinion, duhet ta dyshojë. Është shumë e thjeshtë të besosh në një konspiracion: në realitet shumë ngjarje mund të kenë koinçidenca, por asnjë lidhje reale”.

(Vasili Gatov është ekspert i mediave ruse që jeton dhe punon në Boston. I lindur 49 vite më parë në Moskë, ka një përvojë të gjatë në mjetet e informacionit të Federatës ruse (“RenTV”, “Media3” dhe “RIA Novosti”) dhe në nivel ndërkombëtar. Sot punon për një libër që mund të titullohet “Life, censored”, lidhur me rilindjen e censurës në ish-Bashkimin Sovjetik. Është edhe profesor i ftuar në Annenberg Center on Communication, Leadership & Policy të University of Southern California)

Përgatiti:
ARMIN TIRANA

Protesta ndryshe e Iranit

Richard Kraemer

Protestat e shpërthyera në të gjithë Iranin kanë një rëndësi të paprecedent në historinë e pas-revolucionit. Ato nxiten kryesisht nga pakënaqësia ekonomike popullore e shkaktuar nga një dekadë keqmenaxhimi, nepotizmi të shfrenuar, çmimet e ulëta të naftës dhe sanksionet e ashpra. Me pak fjalë, katalizatori këtë radhë nuk është aspak ideologjik. Prostestat u përhapën në të gjithë vendin, duke u drejtuar në kryeqytet, jo duke lindur prej tij. Për momentin nuk njihet asnjë lider i protestave, ndryshe nga ato të viteve 1979 dhe 2009.
Ndryshe nga Lëvizja Jeshile e një viti më pas, ku ndoshta më pak se një milion iranianë kishin në dorë një smartphone, mbi 47 milionë sot e kanë të paktën një në dispozicion. Kur revolucioni të shpërthejë në kulmin e tij, do të transmetohet live në të gjithë botën.
Një sërë autokratësh arabë janë gjunjëzuar në situata të tilla të krahasueshme: korrupsion kronik, padrejtësi sociale dhe lëvizjet egalitare të lidhura përmes rrjeteve sociale dhe mjeteve të tjera ekzistuese të teknologjisë së komunikimit të informacionit. Megjithatë, siç na tregon edhe historia, betejat e guximshme të miliona e miliona arabëve janë përballur shpesh me sukses të kufizuar dhe ndonjëherë me dështim të plotë si në rastin e Egjiptit dhe Sirisë.
Reflektimi i këtyre eventeve që u panë nga e gjithë bota në Pranverën Arabe do të ishte i gabuar nëse do të përdorej si prizëm parashikimi për rrëzimin e regjimit iranian. Rrëzimi do të vijë me siguri, por jo tani. Në vend që të merren për të mirëqena rrethanat në të cilat do të zhvillohet protesta iraniane në paralelizëm me verën e vitit 2009, duhet ndjekur një vijë më e kthjellët analizimi i të gjithë faktorëve që e bëjnë këtë situatë të ndryshme.

Këtë radhë është ekonomia
Pritshmëritë e rrënuara sistematikisht të iranianëve për ekonominë ziejnë prej vitesh me radhë. Presidenti Hassan Rouhani hoqi dorë nga të gjitha programet bujare dhe të papërballueshme të subvencioneve të ndjekura nga paraardhësi i tij. Duhet theksuar fakti se ish-presidenti Mahmoog Ahmadinejad kishte një injorancë mahnitëse përsa i përket bazës së ekonomisë.
Megjithatë, Rouhani e bëri këtë me shpresën dhe duke bindur popullin e Iranin se, me të arritur marrëveshjen për programin bërthamor me Perëndimin, ekonomia do të hapej, duke gjeneruar rritje të madhe. Kjo ishte e vërtetë dhe rritja ekonomike, arriti vetëm të shmangte falimentimin e plotë të shtetit, por vetëm kaq. Kështu, siç ka theksuar edhe analisti iranian Mohammed Ali Shabani, vështirësia ekonomike u kristalizua në pritshmëri të parealizuara dhe në pakënaqësi civile.
Të argumentosh me naivitet se performanca ekonomike është shtysa primare e demonstratës së javës së kaluar në Iran do të ishte e pasaktë. Edhe pse jemi të ndërgjegjshëm të faktit se të gjithë revolucionet madhore të shekullit 20 janë kryesisht të nxitura nga dëshira për barazi më të madhe ekonomike, ato janë gjithmonë të shoqëruara me kërkesa politike dhe me një ideologji që ulja e pabarazisë do të ofronte më shumë drejtësi sociale dhe ulje të pakënaqësisë.
Kështu, pakënaqësia ekonomike që nxiti revolucionin e vitit 1979 shprehej edhe nga fraksionet e tjera konkurruese të demokratëve liberalë, të majtëve dhe islamistëve, edhe pse secili prej tyre kishin konceptin e vet unik të qeverisjes. Edhe pse standardi i varfër i jetesës gjeneroi Revolucionin Jeshil, protestuesit e vitit 2009 fillimisht dolën në rrugë, duke thirrur: “Ku është vota ime?” – një apel qartësisht politik.
Mungesa e kërkesave të qarta politike këtë radhë sugjerojnë se, ndryshimi i regjimit në këtë rast është sekondar, ndaj mos u mashtroni nga thirrjet si “Vdekje diktatorit”. Siç ka theksuar edhe një analist: “ Iranianët janë mësuar gjatë 40 viteve të fundit duke thirrur “Vdekje (dikujt)” sa herë që janë të inatosur. Kjo thirrje mund të marrë domethënie nga më të ndryshmet që nga “Rrëzoni këtë sistem” deri tek “Rrëzoni një lider të caktuar, i cili personifikon dhimbjen e jetëve tona të trazuara”. Por mund të ketë edhe domethënie si: “Ulni çmimin e vezëve dhe ushqimeve, hapni vende pune, na zbusni pak izolimin dhe jemi në rregull”.
Nuk është rastësi që këto lloj demonstratash politikisht “pa timon” nuk kanë as lidership qendror. Ndër të tjera, njerëzit kërkojnë nga liderët që të ofrojnë zgjidhje, qasje alternative për të rregulluar diçka që nuk funksionon. Kur një individ apo grup i tillë lidershipi mungon, gjërat ngelen në dorën e regjimit që të përpiqet të ofrojë një përgjigje të kënaqshme, një zgjidhje që të jetë e pranueshme për pjesën më të madhe të protestuesve, por duke ruajtur edhe themelet e qeverisjes së tyre shtetërore.

Protesta ndryshe
A mund të bëjë regjimi riparime të mjaftueshme për t’i siguruar vetes një zgjatje të përkohshme të jetës? Ndoshta mund të arrijë ta bëjë, por jetëgjatësia do të jetë tepër e shkurtër, ashtu siç sinjalizojnë dy aspektet e tjerë të paprecedentë dhe të ndërlidhur të demonstratave të javës së kaluar.
Së pari, duhet marrë në konsideratë zgjerimi gjeografik i protestave, duke nënvijësuar shtysën e tyre ekonomike. Ky është një nivel pakënaqësie që nuk mund të arsyetohet, duke u ankuar edhe një herë nga pabesia e disa elitave urbane tradhtare. Iranianëve të të gjitha klasave sociale i ka ardhur tashmë në majë të hundës me këtë ekonomi të dobët, por gjithashtu edhe me reduktimin e shpejtë të furnizimit me ujë, ndotjes së papërballueshme të mjedisit të tyre dhe kundërpërgjigjes së turpshme të shtetit për tërmetin e nëntorit të kaluar, për të mos përmendur edhe rritjen e numrit të të rinjve që kërkojnë liri më të mëdha individuale.
Kështu Basij, milicia paraushtarake nën drejtimin e Gardës Revolucionare Iraniane, mund ta ketë të lehtë të rrahë dhe sulmojë një kryengritës, por e ka më të vështirë të rrahë një fermer të varfër që kërkon ujë për të mbjellat e tij. Po kështu, një polic i një fshati të vogël mund ta ketë të pamundur të godasë një fqinj apo kushëri me pretendimin se ai ose ajo që është duke protestuar për vende të reja pune, është në fakt një agjitator i ndonjë komploti të sajuar imperialist. Ndërmjet iranianëve ekziston akoma një lloj mirësjelljeje njerëzore që qeveria e Republikës Islamike të Iranit nuk arrin dhe nuk do të arrijë dot kurrë ta kontrollojë. Kjo është ajo që i tmerron më shumë, dhe me të drejtë.
Së dyti, kontrolli i komunikimeve nga ana e regjimit është duke u bërë dita-ditës më iluzor. I ashtuquajturi “Halal Net” nuk arrin të bllokojë me efikasitet kanalet e pafundme të internetit nga ku iranianët marrin informacionet e tyre të pacensuruara. Duke e pasur gjithashtu të pamundur të frenojë përhapjen e jashtëzakonshme të përdorimit të smartphone-ve dhe informacionin masiv që ata mundësojnë, qeveria iraniane nuk arrin dot të izolojë qytetarët nga njëri-tjetri, jo më nga bota që i rrethon përtej kufirit.

Fundi do të vijë
Nëse duam të imagjinojmë se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm kanë sot mjetet e reja të komunikimit, imagjinoni sa e shkurtër do të kishte qenë jeta e Bashkimit Sovjetik nëse qytetarët do të kishin akses në informacion dhe kontaktet që kemi ne sot me njëri-tjetrin. Ndoshta Lufta e Ftohtë nuk do të kishte ekzistuar ose do të ishte zhvilluar në një mënyrë tërësisht të ndryshme.
Por le të rikthehemi në të tashmen. Ayatollah Ali Khamenei nuk do të bëjë gabimin e pafalshëm të shfaqjes së një farë simpatie për popullin e tij, apo të përpiqet të negociojë. Ai ka parë Shahun ta bëjë këtë në vitin 1978 dhe ka qenë më pas dëshmitar i ekzekutimit të pamëshirshëm të tij nga ana e opozitës.
Ana më tragjike është se, Garda revolucionare Iraniane me siguri do të përgjigjet së shpejti me brutalitetin torturues dhe vrasës të nevojshëm për të spastruar rrugët nga demostratat. Edhe pse kjo taktikë është tejet efektive, mund t’i shtyjë iranianët në greva mbarëkombëtare, një manovër efektive që ka funksionouar edhe në fund të viteve 1970. Nëse frenohet tatëpjeta e ekonomisë, atëherë Lideri Suprem mund të ketë shansin e një trajektoreje më paqësore.
Duhet marrë parasysh se vitet që sollën dobësimin e Bashkimit Sovjetik janë një reflektim më i mirë se sa Pranvera Arabe i parashikimeve për demostratat e Iranit. Nuk mjafton vetëm fakti që gjithnjë e më shumë qytetarë janë të inatosur me regjimin e qeverisë së tyre, por edhe një pjesë e mirë e elitës së regjimit, ndoshta edhe vetë Rouhani, mendojnë se sistemi është difektoz dhe i dobët. Për momentin, projektimi rajonal i pushtetit është konsideruar prioritet në kurriz të nevojave më bazike të brendshme si furnizimi me ujë. Modeli ekonomik është i zbrazët dhe ideologjia e regjimit e kalbur.
Koha kërkon një hapje të Iranit me botën. Ata që kanë marrë pjesë në revolucionin e vitit 1979 dhe qindra mijëra të tjerët që kanë humbur të dashurit e tyre në luftën barbare me Irakun janë duke ndërruar jetë njëri pas tjetrit. Ata që po i zëvendësojnë nuk kanë asnjë lidhje me sakrificat e atyre kohëve, madje shohin keqfunksionimin ekonomik dhe kufizimet në jetën e tyre tërësisht të distancuar nga ngarkesat emocionale të prindërve. Ata do të kërkojnë detyrimisht një model të ri jetese që përngjan me atë të bashkëmoshtarëve të tyre në Perëndim. Është e sigurt që një teknokrat do të ngrihet për t’i drejtuar, por ndoshta do të duhet të presim edhe pak.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Atje ku zilia lind dhe ushqen ideologjinë

Në vitin 1954 Mont Pèlerin Society, klubi liberal i themeluar nga Friedrich A. von Hayek, i kushtoi paragjykimit antikapitalist të historianëve dhe të intelektualëve të tjerë një tryeze të rrumbullakët, në të cilën morën pjesë studiues të rëndësishëm të epokës. Bertrand De Jouvenel sugjeroi aty se, armiqësia e intelektualit ndaj biznesmenit buron nga fakti që i pari i lidh fatet e tij me bindjen se klienti ka gjithmonë të drejtë dhe, për pasojë, duhet të kënaqet. I dyti e percepton veten si një njeri mbi masat: detyra e tij është të ketë të drejtë, pavarësisht se çfarë mendojnë konsumatorët. Në thelb, ai qan një botë në të cilën nderohej si bartës i një pikëpamjeje të privilegjuar lidhur me botën. Raporti ishte reciprokisht fitimprurës dhe, në disa raste, ishte deri intelektuali ai që lëvizte dorën e mbretit: modeli i Kardinalit Richelieu.
Me avancimin e shoqërisë së hapur e gjitha kjo ka ardhur duke u zvogëluar. Kush fiton bastin e tregut, nxjerr legjitimim nga mirësia e produkteve të tij, jo nga aftësia retorike e këshilltarit të tij. Në terma më brutalë, i fuqishmi ka nevojë për intelektualin: pasaniku, jo. Për Joseph Schumpeter, guerrilja kundër “parasë si bajga e djallit” është bërë një luftë e pamëshirshme me lindjen e një lloj subproletariati intelektual, i përbërë nga individë “psikologjikisht të papërshtatur ndaj punëve të krahut, njëkohësisht pa pasur domosdoshmërisht kërkesat për kryerjen e një pune profesionale”. Një gjendje e tillë e paqëndrueshme prodhon pakënaqësi dhe “pakënaqësia çon tek mëria”, që “shpesh racionalizohet në kritikë sociale”. Por çfarë të thuash për ata intelektualë, që megjithëse duke pasur sukses, nuk bëjnë hap prapa respektivisht bërjes së parave?
Ludwig Von Mises mendon se përbuzja për akumulimin e pasurisë mund të kuptohet, duke shikuar nga zilia që ata provojnë kundrejt atij që sipas gjykimit të tyre është vlerësuar padrejtësisht nga fati. Zilia, që Shën Agostini e gjykonte si “mëkatin diabolic par excellance”, është socialisht shkatërrimtare, pasi bari më i gjelbër është në oborrin e fqinjit, jo në kopshtet e Versajës. Kështu, ziliqari e kalon natën murin për të shkulur lulet e fqinjit të tij. Dhe intelektuali, siç e ka thënë Lew Rockwell, President i Ludwig Von Mises të Auburn (Alabama), nuk mund të tolerojë “që kapitalizmi t’i mundësojë atij që në shkollë ka qenë gomar të bëhet miliarder, ndërkohë që ai punon si i çmendur për të siguruar një rritje modeste rroge”.
Zilia për pasuritë e të tjerëve shpjegon shumë, por jo gjithçka, nga mentaliteti i përhapur antikapitalist. Helmut Schoek e rafinon argumentin, duke treguar sesi “ideja primitive se duhet të ekzistojë një lidhje rastësore” sipas së cilës “begatia e tjetrit duhet të jetë në dizavantazhin tim” përmbyset në një “ndjenjë faji primitive, parafetare, iracionale”: çdo individ, ziliqar për kë ka më shumë se ai, kërkon në mënyrë po aq të dëshpruar që t’i shpëtojë zilisë së të tjerëve. Kështu, intelektualët tentojnë që të shmangin zilinë e të tjerëve, duke aderuar në çdo formë totalitarizmi: një teori që veç të tjerash është e pajtueshme ndaj kujt, megjithëse duke qenë për sytë e tyre më pak i zgjuar, pa pasur më shumë nga jeta. Në një shoqëri të barabartësh, gardiani i urtësisë është më i barabartë se të tjerët.
Për Ralph Raico, Profesor i Historisë Europiane pranë New York State University, intelektuali është në thelb “një mandarin i mësuar që të jetojë falë një burimi të sigurtë të ardhurash, zakonisht taksat. Prandaj ai rrallë do ta gjejë të mundur të kuptojë apo të vlerësojë mënyrën e të jetuarit të kapitalistëve, të biznesmenëve, të spekulantëve e të tregtarëve”. Intelektualët e mendojnë veten si ajka e shoqërisë, por duke e hedhur vështrimin përreth, shikojnë se shumë biznesmenë, aktorë, komedianë dhe sportistë fitojnë më shumë se ta. Përgjigja e vetme koherente me premisën është se tregu është në thelb i pabarabartë, pasi gjeneron një shpërndarje të padrejtë të pasurive. Megjithatë, në këtë mënyrë intelektualët, që pretendojnë se dinë të lexojnë thelbin e botës, luajnë një rol thellësisht antisocial.
Pasuria, deri luksi më i çfrenuar, luan një funksion të trefishtë. Në radhë të parë, i jep vlerë kreativitetit: në mungesë të një çmimi, kërkimi i zgjidhjeve do të ishte jo i stimulueshëm. Në radhë të dytë, të pasurit janë konsumatorë të mëdhenj dhe kështu që ekstravagancat e tyre krijojnë mundësi punësi. Së fundmi dhe akoma më e rëndësishme, luksi shkakton një tension drejt imitimit: kush ka mbetur prapa, dëshiron që të nesërmen të sigurojë atë që sot është ekskluzive e pak anëtarëve të jetset-it. Intelektualët mund të luajnë dhe luajnë një rol themelor në shoqëri, por nëse i çedojnë zilisë më të keqe, rrezikojnë që të shkaktojnë dëme të mëdha. Në thelb, frenimi i zilisë nuk është edhe aq i vështirë: mjafton të vetëanalizohet slogani që krijoi fatin e Bill Clinton. It’s the economy, stupid.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Padia kundër kryeprokurores, përcakohet gjyqtari i çështjes

Pas padisë së ish-drejtueses së Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, ndaj Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, pasi kjo e fundit e largoi nga detyra është hedhur shorti në Gjykatën Administrative, ku është përcaktuar gjyqtari që do shqyrtojnë çështjen. Ai është Erarber Madhi dhe do shqyrtojë padinë ndaj kryeprokurores Arta Marku. Gashi, e cila njihet si krahu i djathtë i Adriatik Llallës, ka paditur prokuroren Marku, ndërsa kërkon pezullim të vendimit të marrë.
Rovena Gashi pretendon se, Marku e ka hequr nga detyra pa motivacion, fill pasi ajo depozitoi kërkesën në KQZ për t’ju hequr mandati i deputetit, Aqif Rakipi dhe Gledion Rehociva, pa u konsultuar me kryeprokuroren.
Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku nënshkroi ndryshimin e parë në stafin drejtues të institucionit që ajo drejton në datën 29 dhjetor. Siç u bë e ditur, në vend të Gashit u emërua prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Arqile Koça, emërohet drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, në përbërje të të cilës është edhe Sektori për “Verifikimin e integritetit të zyrtarëve”.

Zhduken kartelat e pronësisë në ZVRPP-në e Korçës

Janë zhdukur dy kartela pronësie në ZVRPP-në e Korçës. Dy specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, E.G. dhe A.P. janë shkarkuar nga detyra dhe ndaj tyre është depozituar kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë. Kryeregjistruesi Elion Semanaj ka firmosur ndërprerjen e marrëdhënies së punës për dy specialistët, pasi është verifikuar se në bashkëpunim kanë zhdukur dy kartela pronësie.
Menjëherë është ngritur një grup pune dhe është kërkuar një hetim i brendshëm i institucionit. Në këto kushte, janë kontrolluar kamerat e sigurisë së institucionit dhe është evidentuar se dy punonjësit e zyrës, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin në këtë vepër penale. Në këto kushte flagrance, kryeregjistruesi firmosi shkarkimin e tyre dhe nisjen e procedurave për depozitimin e kallëzimit penal ndaj dy punonjësve të ZVRPP në Korçë.
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të vijojë të verifikojë çdo ankesë të qytetarëve për shërbimet që ofrohen pranë sporteleve të saj dhe do të godasë çdo rast abuzimi me detyrën apo më keq korruptiv nga punonjës të papërgjegjshëm të saj.

Shpërthim tritoli në Krujë, hidhet në erë makina e policit

Rikthehen shpërthimet me tritol në Krujë. Pre e sulmit me tritol ka rënë një polic i rrugores. Bëhet fjalë për Agron Vogën, 60 vjeç nga Fushë-Kruja, i cili është punonjës i Policisë Rrugore në Tiranë. Policia tha se, rreth orës 23:45, salla operative është njoftuar se në fshatin Halil, Fushë-Krujë është djegur automjeti tip “Audi 80”, në pronësi të shtetasit K.V. 60 vjeç”. Përveç makinës së djegur në oborrin e shtëpisë së 60-vjeçarit janë gjetur edhe dy granata dore. Ende nuk dihet se kush janë autorët e këtij sulmi ndaj policit. Nuk ka të lënduar nga ngjarja, por veç dëme të mëdha materiale.
Një sasi eksplozivi është vënë në shtëpinë e shtetasit Agron Voga në fshatin Halil të Krujës. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e të premtes. Nga shpërthimi për fat të mirë nuk ka të lënduar. Është dëmtuar vetëm makina e Vogës, i cili mësohet se është polic rrugor në Tiranë.
Ai e ushtron këtë detyrë prej 13 vitesh. Dyshohet se ngjarja të lidhet me detyrën e Agron Vogës, por po hetohen edhe pista të tjera. Policia vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Masakrohet me shufër hekuri 63-vjeçari në qytetin e Vlorës

Një i moshuar u masakrua me shufër hekuri në mes të qytetit të Vlorës. ABC News ka siguruar pamjet ku tregohet se si autori sulmon 63-vjeçarin. I gjymtuari, 63-vjeçari Mentor Mustafaraj ndodhet i shtruar në spital. Siç shikoni dhe nga pamjet e një kamere sigurie pranë vendit të ngjarjes, ai u qëllua me leva nga një person i maskuar. Ngjarja ndodhi të enjten në lagjen “Lef Sallata” në Vlorë.
Mustafaraj ka marrë plagë të rënda në kokë dhe në këmbë. Në pamje duket autori me shufër hekuri, duke e goditur të moshuarin derisa rrëzohet. Duhej ndërhyrja e personave të tjerë që maska të largohej. Aktualisht i dëmtuari ndodhet në Spitalin e Vlorës.
Për këtë ngjarje, policia ka vendosur në pranga Elton Zotajn, 37 vjeç dhe nuk sqaron motivin e ngjarjes. Dhe pse Mustafaraj është i dëmtuar në të gjithë trupin, policia e cilëson akuzën ndaj autorit “Plagosje e lehtë me dashje”. Por thekson se midis të dëmtuarit dhe të arrestuarit ka patur edhe përplasje të tjera të mëparshme. Vetë i plagosuri thotë se autori është lidhje farefisnore e një gjyqtari, i cili e mbron.