33.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

Prishet këndi i lojërave ‘7-xhuxhat’, fillon ndërtimi i kullës 25 katëshe

Ditën e djeshme filloi prishja e këndit më të madh të lojërave në Tiranë, “7-Xhuxhat”, i cili ndodhet ngjitur me ETC-në në rrugën e “Elbasanit”, për t’i lënë vend ndërtimit të një kulle 25 katëshe. Nisma “Thurrje” ka publikuar në faqen e saj në Facebook foton e vendit të rrethuar me qindra policë. Ndërtesa parashikohet të ndërtohet nga DT1 shpk, një kompani jo shumë e njohur në Shqipëri.
Këshilli Kombëtar i Territorit e mbajti këtë projekt të fshehtë, duke mos publikuar në asnjë moment projektin e kullës. Paradoksi i këtij zhvillimi është se propaganda zyrtare ka disa muaj që flet për përkushtimin e qeverisë dhe Bashkisë Tiranë për kënde lojërash për fëmijë nëpër lagjet e Tiranës: ndërkohë këndi më i madh i lojërave dhe i vetmi kënd lojërash në qytet tashmë është viktima e radhës e babëzisë së pangopur të ndërtuesve dhe Kryeministrit Rama.
Kryeministri Rama e kishte inauguruar me shumë bujë në vitin 2001 rindërtimin e këndit të lojërave 7-Xhuxhat, kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Mania e Kryeministrit Rama për të ndërtuar kulla duket se nuk ndalet. Kjo kullë është vetëm njëra nga 40 të tilla që kanë parashikuar të ndërtojnë në Tiranë Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj.
Një kullë po ndërtohet përballë Fakultetit Ekonomik. Me firmën e Ramës, në 9 shtator të vitit 2016 është miratuar një leje ndërtimi pallati 13 katësh. Leja është dhënë në zonën përballë Fakultetit Ekonomik, në rrugën e “Elbasanit”, pikërisht në hyrjen e Parkut të Liqenit. Në një sipërfaqe të konsiderueshme, aktualisht parkim makinash, do të ndërtohet “Godinë banimi dhe shërbimesh, 2, 7 dhe 13 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nën tokë”. Në fund firma. “Kryetari i KKT, Edi Rama”.
Por kjo nuk është godina e vetme. Bashkë me këtë vendim, KKT ka miratuar edhe pesë leje të tjera ndërtimi në Tiranë, të cilat variojnë nga 4 kate, deri në 10 kate lartësi. Të gjitha godina banimi dhe shërbimesh. Të gjitha lejet e reja kanë firmën e vetë kryeministrit Rama.
Betonizimi i Parkut të Liqenit ka nisur me parkun e lojërave për të vazhduar me ndërtimin e 4 kullave 25 katëshe. Në lojë janë interesa të biznesmenëve afër pushtetit. Oligarkët që do të ndërtojnë këto kulla do t’i ndajnë ato në pronësi edhe me Ramën, i cili është edhe ideatori dhe zbatuesi i këtij projekti.
Këndi i lojërave është vetëm fillimi. Punimet janë rizgjuar vrullshëm në kryeqytet pas miratimit të planit të ri rregullues dhe zgjerimit të Tiranës në pjesën veriore. Portali i Ndërtuesve prezantoi ndërtimin e dy kullave 20-katëshe “Projekti Vaqari” në mes rrugës “Jordan Misja” dhe Bulevardit të Ri. Kullat do të ndërtohen nga kompania Kontakt shpk, e cila gjithashtu e ka paraqitur zyrtarisht projektin. Projekti i Bulevardit të Ri, i cili ka përfunduar në 500 metrat e para dhe shumë shpejt do të përfundojë tërësisht deri në Lumin e Tiranës e ka sjellë zonën përreth tërësisht në parametra të tjerë.
Pjesa veriore e Tiranës poshtë unazës, nga rruga “5 Maji”, “Siri Kodra”, “Jordan Misja”, “Don Bosko” dhe deri në Laprakë është përfshirë nga një valë e re ndërtimesh. Deri më tani, kjo zonë është dominuar nga ndërtesa të ulta, ish-magazina, por projektet e Bashkisë së Tiranës sidomos me ndërtimin e Bulevardit të Ri pritet ta sjellin atë në dimensione të tjera. Tirana është duke zgjeruar me blloqe të mëdha banimi të organizuara brenda dy unazave.

 

Prokuroria merr në pyetje shoferin e dytë të Tahirit

Prokurorët kanë marrë dje në pyetje shoferin e dytë të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokurorët që ende nuk e kanë marrë në pyetje vetë Tahirin, por verifikojnë të dhënat e një takimi mes ish-ministrit me Artan Habilajn, vëllain e Moisi Habilajt, arrestuar pak kohë më parë në Itali për trafik droge. Takimi mendohet të jetë zhvilluar në vitin 2014 në Greqi.
Shtetasi Alban Aliaj, shoferi i dytë i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që më herët ka qenë punonjës i Gardës së Republikës është thirrur nga prokurorët që po hetojnë dosjen Tahiri-Habilaj. Emri i Aliajt ka dalë pas këqyrjes në sistemin TIMS. Gjatë muajit gusht 2014, Alban Aliaj ka shkuar në Greqi me një automjet zyrtar. Në të njëjtin moment ka shkuar në Greqi edhe Artan Habilaj, në bordin e “Audit” AA 003 GB.
Gjatë pyetjeve në Prokurori ish-shoferi i Tahirit ka pranuar se Artan Habilaj ka mbërritur në Greqi dy ditë, pasi ministri Tahiri ndodhej në plazh me bashkëshorten. Pas takimit mes të dyve, automjeti “Audi” AA 003 GB me të cilin udhëtoi Artan Habilaj qëndroi në Greqi, kurse vetë Habilaj u kthye në Tiranë me ish-shoferin e Tahirit.
Në dëshmitë e tij, Saimir Tahiri ka këmbëngulur se automjetin “Audi” e ka shitur që prej 2013-ës dhe se nuk ka patur kontakt me Habilajt. Kurse ngjarja për të cilën prokurorët kanë siguruar dëshminë e ish-shoferit, ka ndodhur në 2014-ën. Burimet nuk konfirmojnë se për çfarë u shërben kjo dëshmi prokurorëve, të cilët nuk e kanë vendosur ende se kur do ta marrin në pyetje vetë ish-ministrin Tahiri.
Por megjithë numrin e lartë të të pyeturve, ku nuk kanë munguar edhe zyrtarë të lartë policie, Prokuroria e humbi betejën paraprake në Gjykatë për ndalimin e daljes jashtë shtetit të ish-minitrit Saimir Tahiri si edhe për arrestin me burg për Orest Sotën, biznesmenit që iu gjetën në automjet patentat detare të ish-ministrit dhe mbi 860 mijë euro.
Për të dyja këto vendime të Apelit, Prokuroria ka ende kohë për të bërë rekurs në Gjykatën e Lartë, ndonëse deri tani nuk e ka bërë. Nga ana tjetër, një dosje me tre fashikuj hetimore i është bashkangjitur dosjes Habilaj, bëhet fjalë për dosjen e Dritan Zaganit, ish-policit që ndodhet në azil jashtë vendit dhe që denoncoi i pari lidhjet e Habilajve me ish-ministrin.
Vetë Artan Habilaj, që përmendet në dëshminë e ish-shoferit të ministrit Tahiri dhe Florion Habilaj, nuk janë arrestuar akoma, ndonëse dyshohet se fshihen në fshatrat e Vlorës. Kurse vëllai i Artanit, Moisi Habilaj dhe të dyshuar të tjerë janë të arrestuar në Katania të Italisë, ku po hetohen për trafik ndërkombëtar droge.
Shumë elementë të dosjes Habilaj, të grumbulluar në përgjimet italiane, janë zbardhur nga media. Në përgjimet audio të bandës së Habilajve të publikuara nga mediat para pak ditësh, del se Tahiri ishte anëtar kryesor i bandës. Gjëja e parë, e pahasur në materialet e mëparshme, është fakti se përgjimet audio lënë të kuptohet qartë fakti se ish-ministri Tahiri ka patur kontakte, jo vetëm me Habilajt, por edhe me partnerët italianë të tyre. Me sa duket, ai nuk ka qenë vetëm një ‘lehtësues’ me infrastrukturë dhe influencë shtetërore, por ka zbritur edhe në ‘terren’. Kjo del qartë në bisedën audio, kur njëri prej të përgjuarve i kërkon tjetrit që të mos flasë shumë (“se mos vjen këtu ai, se i ka mbajtur numrin”).
Elementi i dytë i ri lidhet me zgjedhjet. Del po aq qartë se, Tahiri ka folur edhe me italianët për zgjedhjet e pritshme në Shqipëri. Kushtojini vëmendje pjesës kur ndodh ngatërresa gjuhësore: italiani që i përmend zgjedhjet (elezzioni) dhe i përgjuari që kujton se po flet për leksione.
Elementi i tretë, ka të bëjë me sigurinë që jep ky pasazh zanor mbi atë se, a është kamionist Saimiri që del në përgjime, apo është ministër. Këtu flitet për një njeri me pushtet që quhet Saimir, që merr dhurata të shtrenjta dhe që është i shqetësuar për zgjedhjet.

Paloka: PD, marrëdhënie të kushtëzuar me Parlamentin

Partia Demokratike do të marrë pjesë në Parlament, por marrëdhënia e saj do të jetë e kushtëzuar. Nënkryetari i kësaj force politike Edi Paloka, tha se mazhoranca e ka kthyer Parlamentin në ilegjitim ndaj opozita tha ai nuk mund të sillet në mënyrë normale. “Ky Parlament tashmë për ne e ka humbur legjitimitetin dhe ne do të sillemi me të, me detyrimin për të përfaqësuar zgjedhësit tanë, por si përballë një mazhorance pa legjitimitet. Nuk po paralajmëroj asnjë skenar, thjesht po bëj të qartë që marrëdhënia jonë me Parlamentin do të jetë si me një mazhorancë ilegjitime”. I pyetur nëqoftëse Partia Demokratike do të bashkëpunojë me mazhorancën dhe do të bëhet pjesë për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, nënkryetari demokrat dha këtë përgjigje: “Vendimet tona do të lidhen jo thjeshtë me qëllimin që ka opozita për të pasur një reformë reale në drejtësi, të nevojshme, por do të jetë dhe me qëndrimin e mazhorancës. Ne nuk mund të bëjmë sikur…që ne të shkojmë të miratojmë ligje pastaj të shikojmë si këto ligje dhe vetë Kushtetuta shkelen me këmbë nga mazhoranca dhe kryeministri. Kështu që edhe vendimet do të merren në përputhje me këto reagime”. Duke folur për kërkesën e dorëheqjes së kryetarit të Parlamentit, Garmoz Ruçi, Paloka tha se ky do të ishte akti i parë i rikthimit të Parlamentit në normalitet. “Përderisa Gramoz Ruçi ka marrë përsipër të luajë rolin e kukullës së Edi Ramës në Parlament dhe është përgjegjësi direkt për ato që ndodhin në Parlament, duhej që si akt i parë për normalizimin e Parlamentit dhe kthimin e dinjitetit të Parlamentit, Gramoz Ruçi të largohej nga kryesimi i Parlamentit”, tha Paloka. Edhe Kryetari i Grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, paralajmëroi në një intervistë mediatike gjithashtu se, opozita do të kushtëzojë marrëdhëniet me Kuvendin derisa ai të kthehet në shinat e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. “Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë. Shqipëria po rrëshket, u blenë zgjedhjet e 25 qershorit, po rrënohet Reforma në Drejtësi, po rrënohet pakti i korrikut 2016 si dhe zhvillimet tejet negative për lidhjet e qeverisë me grupet kriminale. Ju e dini dosjen e Saimir Tahirit, i dini akuzat për kryebashkiakun e Durrësit dhe Elbasanit, kapjen e sistemit të drejtësisë dhe emërimin me dhunë të kryeprokurorit të përkohshëm. Nuk bëhet fjalë për përkohshmëri, por për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

 

Lu: Sjellim ekspertë të SHBA për hetimin e çështjes Tahiri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të ofrojnë ekspertizën e tyre nëpërmjet prokurorëve të FBI për çështjet hetimore të korrupsionit në nivele të larta, një prej të cilave dhe ajo ku është e përfshirë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Ambasadori amerikan ka cituar dje vet ish-ministrin e Brendshëm para se të deklaronte se si duhet hetuar Tahiri nga prokurorët. Ambasadori amerikan vizitoi sot zyrën e Fatmir Xhafës në një takim që zgjati më shumë se një orë. Ndërsa, Ministria e Brendshme ka preferuar të heshtë, ka folur vetë z. Donal Lu. Në një prononcim për Balkanweb ai është shprehur se është i interesuar për hetimet rreth ish-ministrit Saimir Tahiri dhe për këtë është i gatshëm të sjellë prokurorë të FBI-së në Shqipëri.
Lu e mbyll deklaratën me fjalët: “Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe Policia Gjyqësore dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”. Por, a është ky sinjal i ambasadorit amerikan për prokurorët e Krimeve të Rënda dhe një akuzë publike për ta, se po zvarrisin hetimet?
Pyetje: Ambasadori Lu, gjatë takimit tuaj me ministrin Xhafaj, a biseduat çështje korrupsioni të nivelit të lartë, si ajo e Saimir Tahirit?
Përgjigje- Çështja e z. Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor. Ashtu si vetë zoti Tahiri dhe shumë udhëheqës të tjerë shqiptarë e kanë thënë, kjo çështje duhet zgjidhur në Gjykatë, duke shqyrtuar të gjitha faktet. Bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të Apelit në Durrës.
Ne kemi ofruar mbështetjen e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjenci të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i ofruar ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës. Ne do donim të shihnim një hetim më aktiv nga prokurorët dhe Policia Gjyqësore, dhe e kemi përcjellë këtë mesazh. Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin.

Manjani: Korrupsionin mund ta ndëshkojë vetëm SPAK

Ylli Manjani, ish-ministër i Drejtësisë, përmes një komenti në rrjetet sociale shkruan se korrupsionin do ta ndëshkojë vetëm Gjykata dhe SPAK dhe asnjë institucion tjetër. Sipas tij, shpikjet e përkohshme e amnistojnë të keqen. “Sipas Kushtetutës, korrupsionin do ta ndëshkojë Gjykata dhe Prokuroria Speciale Anti Korrupsion. Asnjë institucion tjetër as Krye-ministria e Brendshme e as FBI-ja! Nëse e kanë seriozisht, duhet të krijojnë SPAK. Shpikjet e përkohshme e amnistojnë të keqen. E bëjnë më të fortë…”, shkruan Manjani.

LSI: Në protestë do sjellim shqetësimin qytetar

LSI e mbështetet fuqimisht protestën e forcave opozitare më 27 janar dhe ka premtuar se do të jetë tërësisht e angazhuar për të sjellë më shumë sesa revoltën qytetare. Ishte nënkryetari i LSI, Luan Rama, që bëri të njohur vendimet e mbledhjes së parë të Grupit parlamentar të LSI për vitin 2018, ku natyrisht në fokus ishte edhe protesta e parë e këtij viti: “Në fokusin e diskutimit dhe të debatit në mbledhjen e Grupit parlamentar, tha Rama, ishte i gjithë aksioni politik, axhenda jonë politike për vitin 2018 në të gjithë elementët e saj përbërës, duke shprehur mbështetjen e plotë të Grupit për qëndrimin politik të LSI dhe mbështetjen po ashtu të plotë të Grupit për axhendën politike të LSI për vitin 2018. Grupi vendosi të marrë pjesë në seancën e datës 15 janar të çeljes së sesionit të ri parlamentar të Kuvendit, për të ushtruar me vendosmëri të gjitha përgjegjësitë e përfaqësimit në Kuvendin e Shqipërisë, për të ushtruar me vendosmëri dhe përmbushur rolin tonë si forcë opozitare konstruktive e vendosur për të qenë mbrojtëse dhe zëdhënëse e interesit publik, qytetar dhe për të ridimensionuar të gjithë angazhimin, veprimin tonë politik në luftën parlamentare, në debatin, diskutimin parlamentar dhe e alternuar kjo me të gjitha veprimtaritë masive. Grupi mbështeti qëndrimin e mbajtur nga Kryesia e LSI për organizimin e protestës së madhe të 27 janarit dhe është tërësisht i angazhuar për të sjellë në këtë protestë jo vetëm revoltën qytetare, por edhe shqetësimin qytetar, edhe problematikën e madhe me të cilën ballafaqohen qytetarët tanë në të gjithë vendin me qëllim që viti 2018 të jetë viti i luftës së vendosur kundër varfërisë, kundër korrupsionit, krimit shtetërore dhe papërgjegjëshmërisë shtetërore”. “Ne jemi të vendosur të demonstrojmë përpara qytetarëve këtë vullnet tonin politik, këtë vullnet tonin qytetar, këtë vullnet tonin europianizues për vendin dhe le të jetë procesi i integrimit, le të jetë Reforma në Drejtësi, le të jetë Reforma Zgjedhore, le të jetë qëndrimi ndaj qytetarëve, testi i matjes se kush ka frikë dhe kush është me qytetarët, se kush e do integrimin dhe është kundër integrimit, se kush është për realizimin e Reformës në Drejtësi dhe kush është kundër Reformës në Drejtësi, se kush është për të realizuar Reformën Zgjedhore që Shqipëria të ketë më në fund standarde dhe realitet zgjedhor si çdo vend i Bashkimit Europian dhe kush është kundër. Vija e demarkacionit midis nesh dhe të tjerëve është Integrimi Europian, Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, interesi qytetar, interesi publik, interesi kombëtar i Shqipërisë europiane”, u shpreh Luan Rama. Nga ana tjetër ai tha se: “LSI do të ushtrojë angazhimin e vet, presionin e vet pozitiv mbi mazhorancën për të realizuar Reformën Zgjedhore. Janë këto 3 prioritetet tona, ndaj të cilave ne jemi maksimalisht të vendosur të investohemi me të gjitha kontributet tona. Për çdo gjë që ka të bëjë me integrimin europian, në funksion të çeljes së negociatave me Bashkimin Europian, për çdo gjë që ka të bëjë për të realizuar Reformën në Drejtësi, sipas frymës me të cilën u realizuan ndryshimet kushtetuese dhe me të cilën u miratua paketa e ligjeve për Reformën në Drejtësi, pra mbi bazën e respektimit të Kushtetutës, në frymë, në përmbajtje, në gërmë dhe në gjithçka, duke respektuar frymën e bashkëpunimit dhe të konsensusit ne do të votojmë dhe do të kontribuojmë pozitivisht për të realizuar Reformën në Drejtësi”.

Raporti i “WEF”, Shqipëria e fundit në Europë

Ekonomia shqiptare vuan mungesën e një modeli të rritjes së qëndrueshme ekonomike, e ky është padiskutim problemi numër një. Mungesa e rritjes së qëndrueshme, ndërkohë është më së shumti rrjedhojë e një ekonomie që nuk prodhon. Këtë e vërteton me shifra edhe një raport i fundit i Forumit Ekonomik Botëror. “Raporti për gatishmërinë e prodhimit në të ardhmen 2018”, e rendit vendin tonë të 91-in në botë, ndër 100 ekonomi. Shqipëria rezulton të jetë vendi i fundit në Europë dhe i fundit në rajon për rrjedhojë. Raporti vlerëson pozicionimin e secilës prej këtyre 100 ekonomive, sipas shkallëve të zhvillimit sa i përket prodhimit si dhe aftësinë e këtyre vendeve për t`u transformuar në bazë të ndryshimit të natyrës së prodhimit nëpërmjet adoptimit të teknologjisë së re.
Vetë Forumi Ekonomik Botëror saktëson se, ky raport duhet të shërbejë si një benchmark, ose guidë për veprimet e mëtejshme. Forumi Ekonomik Botëror i dedikon një profil të detajuar ekonomisë shqiptare në drejtim të kësaj aftësie. Rezultatet nuk janë aspak shpresëdhënëse. Shqipëria renditet në vendin e 91-të në botë në indeksin e strukturës së prodhimit. Ky i fundit ndahet në dy nën-indikatorë, shkalla dhe kompleksiteti. Te ky i fundit jemi të 78-ët në botë, ndërsa te shkalla, të 98-ët. Edhe nën-indikatori që i referohet manifakturës e rendit Shqipërinë në vendin e 98-të në botë. Sa i përket aftësisë për t`u inovuar, ekonomia shqiptare është e 93-ta në botë. Performancën më të mirë vendi ynë e regjistron në indikatorin e kapitalit njerëzor, çka nënvizon atë që të gjithë dinë, se ekonomia ka një potencial të pashfrytëzuar.

Dollari prek nivelin më të ulët të tre viteve të fundit në vend

Dollari amerikan ka prekur sot nivelin më të ulët të tre viteve të fundit, duke u këmbyer sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë me 110.34 lekë, 1.37 lekë më pak se një ditë më parë. Monedha e gjelbër nuk e kishte kapur këtë nivel që prej 29 tetorit të 2014-ës. Dobësimi i monedhës amerikane ka ardhur si reflektim i dobësimit të tij në tregjet ndërkombëtare. Monedha e përbashkët europiane ka arritur në nivelin më të lartë të tre viteve në Europë përkundrejt Dollarit, ndërsa në tregun vendas rritja ka qenë e papërfillshme, me vetëm 0.07 lekë më shumë se një ditë më parë. Euro shënoi nivelin më të lartë të tri viteve pas formimit të koalicionit qeverisës në Gjermani. Ngjarjet politike si formimi i kabinetit qeveritar në Gjermani dhe referendumi për shkëputjen e krahinës së Katalonjas kishin dobësuar disi raportet e këmbimit të euros me dollarin. Euro gjatë javës së dytë të janarit, ka ruajtur stabilitetin në tregun vendas, duke ruajtur të njëjtin nivel këmbimi prej 133.43 lekësh sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Luhatje të mëdha në tregun vendas ka pasur dollari. Që prej fillimit të vitit është zhvlerësuar me gati 1 pikë. Në tregun vendas, këmbimi i euros me lekun kryesisht varet nga ofertë-kërkesa në vend, ndërsa këmbimi i dollarit me lekun vjen i ndikuar prej tregut ndërkombëtar, siç argumentojnë edhe ekspertët. Me përfundimin e efekteve sezonale dhe rënien e qarkullimit të aktivitetit tregtar (janari njihet si muaji me aktivitet të ulët) euro pritej që të kishte pozita më të forta në tregun vendas.

Goditje e re për Call Center, Italia masa të tjera shtrënguese

Eine Mitarbeiterin des Zentrums fuer Telemedizin Medgate in Basel haelt am 23. August 2010 das Magazin CallCenter in der Hand. (KEYSTONE/Martin Ruetschi)

Kompanitë e sektorit call center në Shqipëri po kalojnë një situatë të vështirë, teksa presioni nga qeveria italiane sa vjen e shtohet. Në dhjetor 2017, një tjetër ligj i kaluar me buxhetin italian detyron që të bëhen të identifikueshme telefonatat që arrijnë nga call center. Kjo është një masë kundër telemarketingut agresiv, e cila u bë ligj, shkruajnë mediat italiane. Ligji italian detyron brenda tre muajsh vendosjen e një prefiksi për telefonatat komerciale, duke i dhënë një goditje telemarketingut. Ligji synon që të mbrojë miliona italianë nga bezdisja e call center, pasi ai është kundër telemarketingut agresiv: kush nuk do të marrë oferta të padëshiruara mjafton të regjistrohet që të mos i marrë më ato. Kjo do të sjellë më pak klientë potencialë të arritshëm dhe më pak punë për kompanitë call center. “Në këtë mënyrë do të ketë më pak mashtrime dhe do të mund të dallohen call center serioze nga ato banditë, ato që bëjnë kontrata serioze dhe ato që shfrytëzojnë njerëzit”, ka pohuar deputeti italian Michele Mognato, gjatë referimit të ligjit në senatin italian. Ndonëse ligji është kundër call center dhe thirrjeve dalëse (outbound) në përgjithësi, operatorët shqiptarë të tregut pohojnë se kjo lëvizje do ta vështirësojë akoma më shumë punën edhe për kompanitë që veprojnë në Shqipëri në aktivitetin e call center, ku klientët kryesorë janë sipërmarrjet italiane (operatorët shqiptarë marrin në telefon klientë potencialë, për llogari të kompanive të ndryshme italiane, që t’i bindin ata për produkte apo shërbime të caktuara). Operatorët e tregut pohojnë se më shumë se gjysma e aktivitetit të kompanive call center në Shqipëri është në telemarketing. Kjo është goditja e radhës, pasi në prill të vitit të kaluar hyri në fuqi ligji i ri i delokalizimit në Itali, i miratuar nga qeveria italiane në dhjetor 2016, që forcoi masat ndaj fenomenit ‘dumping’ në sektorin e call center, që kanë sjellë krizë në punësim dhe një rënie të vazhdueshme të marzhit të fitimit në Itali, ku një pjesë e madhe e vendeve të punës është transferuar në Shqipëri për shkak të avantazhit të kostos së fuqisë punëtore dhe njohjes së gjuhës italiane. Ligji vendosi sanksione deri në 150 mijë euro për shkelje si mosdeklarimi i origjinës nga bëhet telefonata, mosruajtjen e të dhënave, mosnjoftimi i delokalizimit, mosdeklarimi i numrit të punonjësve, transferimin e punonjësve etj. Kjo bëri që shumë kompani italiane të frenoheshin për të sjellë punë te partnerët shqiptarë, duke vijuar vetë me kontratat ekzistuese dhe duke mos lidhur të reja. Viti 2017 ka qenë i vështirë për këtë sektor. INSTAT ka raportuar në deklarimet për prodhimin e brendshëm bruto se aktiviteti i call center ka qenë në rënie. Kompanitë e vogla kanë filluar tashmë të mbyllen. “Monitor” ka identifikuar në regjistrin e subjekteve pasive të tatimeve më shumë se 30 call center që janë mbyllur në 2017-ën.

Këshilli i Investimeve: Shqipëria nuk është konkurruese me Rajonin

Këshilli i Investimeve analizoi të dhënat e INSTAT në lidhje me ecurinë e IHD-ve gjatë vitit 2015-2016, por sakaq një matricë më e hershme e Këshillit për incentivat e investimeve në Rajon, tregon se Shqipëria është vendi që ofron barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka incentivat fiskale më të ulta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosova dhe Bosnja.
Këshilli i Investimeve referon se në vitin 2016, fluksi i IHD është rritur me 5.9% nga 2015. Në lidhje me fluksin e IHD-ve, ndërmarrjet e huaja dhe të përbashkëta kanë punësuar 16% të totalit të punësimit dhe kanë kontribuar me 22,7% në totalin e xhiros vjetore. Në 2016, numri i ndërmarrjeve me pronësi 100% të huaj dhe i ndërmarrjeve të përbashkëta operuese në Shqipëri janë 5.637. Përsa i përket origjinës, ndërmarrjet nga vendet e Bashkimit Evropian zënë rreth 70% të totalit të ndërmarrjeve të huaja dhe të përbashkëta, ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor përfaqësojnë 10,9% dhe ndërmarrjet me origjinë nga shtetet e tjera zënë 19,1% (INSTAT, dhjetor 2017).
Nga një matricë krahasuese e Këshillit Të investimeve për “Politikat incentivuese për Nxitjen e investimeve: Shqipëria kundrejt Vendeve” rezulton se, në renditjen rajonale Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për tatim fitimin 15%, gati 50% më të larte se norma rajonale për këtë tatim që nuk është më shumë se 10%. Edhe Serbia e ka tatim fitimin 15%.
Me nivelin maksimal të përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23%, Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon. Maqedonia e ka tatimin mbi të ardhurat personale të sheshtë 10%, në Serbi varion nga 10 në 20%, në Mal të Zi nga 9-11%, në Kosovë është progresive nga 0 në 10% dhe në Bosnjë e sheshtë 10%.
Gjithashtu, Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH më të lartë në Rajon në nivelin e 20% teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim nga 17-19%. Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.
Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.
Edhe për incentivat për investimet, Shqipëria është inferiore sidomos në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Në renditjen e Këshillit të investimeve janë renditur të paktën 7 lehtësira fiskale dhe infrastrukturore për zonat e lira, por kjo ofertë e Shqipërisë nuk është funksionale përderisa vendi ende nuk i ka zhvilluar zonat e lira.
Ndryshe nga Shqipëria vendet e rajonit përveç Kosovës i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese. Edhe për investimet në fushën e Turizmit dhe të Bujqësisë vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia konkurrojnë dukshëm me vendet e rajonit. Serbia ofron përjashtim nga tatim fitimi dhe i pagës për 10 vjet në zonat e lira, 0% TVSH për mallrat që lëvizin brenda zonës së lirë. Edhe TVSH për energjinë e gazin është zero. Vendi ka 14 zona të miratuara dhe 12 zona operacionale. Maqedonia ka 3 zona të lira tërësisht funksionale, ka përjashtim nga tatim fitimi dhe të ardhurat deri në 10 vjet, përjashtim nga TVSH të mallrave që lëvizin brenda zonës së lirë. Sa i përket Malit të Zi, incentivat përfshijnë përjashtim nga taksat për 3 vitet e para, për kompanitë, të cilat janë të angazhuara në prodhimin në zona të pazhvilluara (por jo e aplikueshme në agrikulturë, transport, ndërtim anijesh dhe peshkim). Ndërsa në fushën e turizmit, në Malin e Zi përjashtohen nga TVSH importi i të mirave dhe shërbimeve për ndërtimin e hoteleve me 5 yje, reduktim të taksës së pronës me 30% për hotelet me 4 yje dhe 70% për ato më 5 yje. Gjithashtu, mbështetjet në formë granti për pjesën veriore të Malit të Zi, në rast investimesh në turizëm, grante të cilat janë në shifrën minimale të 500 mijë euro dhe që krijojnë minimalisht 20 vende pune për 3 vjet (në rastin e ndërtimit të hoteleve me më shumë se 3 yje).