21.5 C
Tirana
E enjte, 17 Korrik, 2025

Flirti i Gjeorgjisë me Rusinë

Thomas De Waal

Marrëdhëniet ndërmjet Gjeorgjisë dhe Rusisë janë një pëerzierje e çuditshme ndërmjet dashurisë dhe urrejtjes, të mirës dhe së keqes. Dy shtetet nuk kanë pasur asnjë marrëdhënie diplomatike që kur Rusia, rajonet Abkhazia dhe Osetia e Jugut si të pavarura në vitin 2008. Ky gur nuk ka për t’u tërhequr mbrapsht në të ardhmen e afërt. Vija kufitare e të dy territoreve, e blinduar nga ushtarët rusë, vazhdon të jetë një burim përplasjesh dhe rreziku.
Në të njëjtën kohë, që pas ardhjes së pushtet të Qeverisë së Ëdrrave në Gjeorgji në vitin 2012, normaliteti është rikthyer në shumë fronte. Tash ka disa fluturime direkte ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë. Në rrugët e qytetit të vjetër të Tbilisit këtë verë dëgjon shumë rusisht-folës. Klasa e mesme ruse kanë rizbuluar Gjeorgjinë si destinacion turistik dhe numri total i turistëve rusë mund të jetë rreth 1.5 milionë këtë vit. Gjysma e verës së Gjeorgjisë eksportohet drejt Rusisë.
Tani ka ardhur edhe lajmi se faza tjetër e riafrimit po bëhet më e afërt. Dy vendet duket se do të mbyllin një marrëveshje për të cilën kishin rënë dakord që në vitin 2011, por nuk ishte finalizuar, e cila i lidhur ato në tre korridore transporti përmes Kaukazit. Marëveshja e ndërmjetësuar nga Zvicra, ishte një kusht për të cilin gjeorgjianët ranë dakord në këmbim të mosushtrimit të të drejtës së vetos kundër anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.
Dy prej korridoreve janë tepër të ndjeshëm, pasi kalojnë nëpër territoret e kontestuara të Abkhazias dhe Osetisë së Jugut, madje dy vendet nuk përmenden fare në marrëveshje, vendndodhja e tyre tregohet vetëm përmes koordinatave GPS. Ngarkesat në kamionë do të duhet të jenë të mbyllura nga një kompani ndërkombëtare, firma zvicerane SGS, dhe do të monitorohen elektronikisht gjatë gjithë udhëtimit.
Korridoret e transportit natyrisht do të rrisin tejmase tregtinë përtej maleve, duke i dhënë një nxitje ekonomike jo vetëm Gjeorgjisë dhe Rusisë, por edhe Armenisë për të cilën korridori do të jetë rruga kryesore drejt Veriut dhe për Turqinë Lindore gjithashtu. Biznesmenët rusë janë ata që kanë lobuar më fuqimisht për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Pavarësisht avantazheve të dukshme ekonomike, politika ka frenuar marrëveshjen deri tani. Lideri i Osetisë së Jugut, Anatoly Bibilov, ka këmbëngulur gjatë verës që vendi të ketë të drejta të barabarta partneriteti, diçka për të cilën Moska kishte rënë dakord, por natyrisht është e papranueshme nga Tbilisi.
Marrëveshja ka ngritur edhe pikëpyetje të tjera politike. Disa gjeorgjianë, madje edhe perëndimorë, kanë mbajtur pozicion fundamentalist, duke thënë se Gjeorgjia nuk duhet të thellojë marrëdhëniet e biznesit me Rusinë, pasi kjo i jep një levë politike në dorë që Moska mund ta përdorë teorikisht në të ardhmen, duke kërcënuar me pezullimin e tregtisë apo duke lënduar Gjeorgjinë për shembull. Për të tjerë, ky është ekzagjerim.
E vërteta është që Gjeorgjia dhe Rusia kanë bërë gjithmonë biznes dhe kanë vazhduar ta bëjnë edhe kur presidenti i egër anti-Rusi, Mikheil Saakashvili, ishte në pushtet. Në fakt, marrëveshja e vitit 2011 u negociua nga qeveria e tij. I vetmi përjashtim i kohëve të fundit ka qenë embargo i vitit 2006 i imponuar nga Rusia, vendim për të cilën tani pranon se ka qenë gabim i madh.
Ndërprerja e njëanshme e tregtisë me Gjeorgjinë i dëmtoi të dy vendet dhe shkaktoi dëme të mëdha për partnerin kryesor të Rusisë në rajon, Armeninë. Impakti afatgjatë i embargos ishte që shtyu Gjeorgjinë të rriste standardet e produkteve për të kërkuar tregje të reja për to, një proces që u ndihmua shumë nga industria e verës në Gjeorgji.
Natyrisht Gjeorgjia duhet të jetë gjithmonë vigjilente kur flirton me Rusinë, por duhet të jetë edhe e aftë të ndjekë një politikë të jashtme me dy krahë. Kjo do të thotë se, Gjeorgjia duhet të ketë kapacitetin të zhvillojë edhe marrëdhënie eknomike të mira me Rusinë që rindërtojnë mirëbesimin ndërmjet vendeve, por njëkohësisht të ruajë një angazhim strategjik afatgjatë me të ardhmen e saj europiane dhe për të arritur këtë, vendi ka sakrifikuar marrëdhëniet me partnerë të tjerë si Turqia dhe Kina.
Një tjetër çështje politike që duhet të trajtohet është si do të menaxhohen pretendimet e Akbhazias dhe Osetisë së Jugut. Që autoritetet e tyre të përfshihen në mënyrë të drejtpërdrejtë është e papranueshme për Tbilisin, por duhet të gjendet një mënyrë për të finalizuar marrëveshjen në mënyrë që të ofrojë avantazhe ekonomike për rajonin.
Nga ana tjetër, Tbilisi ka edhe interes të madh të ketë mundësinë të monitorojë produktet që futen në këto dy territore, por jo të bllokojë tregtinë me to. Nëse ngarkesat kontrollohen nga kompania zvicerane, nuk ka asnjë arsye përse produktet të transportohen nga territori i Gjeorgjisë drejt Abkhazias dhe Osetisë së Jugut. Problemi oraktik është që marrëveshja duhet të përputhet me ligjin e Gjeorgjisë për Territoret e Pushtuara të vitit 2008, i cili ndalon kompanitë e paautorizuara që të bëjnë biznes me këto dy territore.
Nga ana e Rusisë, dashamirësia për të arritur një marrëveshje ka të bëjë me afrimin e datës së zgjedhjeve presidenciale të marsit 2018, zgjedhje që po duken më të vështira nga ç’ishte parashikuar. Me këtë lëvizje, Moska synon të tregojë se është e gatshme të zbusë tensionet me fqinjët, jo të shkaktojë më shumë probleme. Megjithatë, marrëveshja e vitit 2011 mbetet ende e pafinalizuar. Nëse detajet e fundit mund të zgjidhen, do të jetë padyshim një fitore e ekonomisë përballë politikës në këtë rajon të përçarë.

Përgatiti
KLARITA BAJRAKTARI

Shmangia e taksave, klientët e Ramës kthejnë kullat në hotele me 5 yje

Të paktën tre projekte kullash të mëdha 25-30 kate në Tiranë kishin planifikuar të nisin punimet që në vitin 2017, por duket se planet e tyre kanë ndryshuar për të përfituar nga incentiva e qeverisë për përjashtimin nga taksat. Burimet nga tregu pohojnë se zhvilluesit e ndërtesave të larta po ndryshojnë destinacionin fillestar të godinave për të përfituar nga përjashtimi i pagesës së taksës së infrastrukturës fillimisht, e cila në Tiranë është 8 për qind e vlerës së shitjes së objektit për banim dhe 4 për qind kur është hotel. Kjo taksë krijon koston më të lartë gjatë procesit të ndërtimit. Teksa ndërtuesit kanë kthyer sytë për të fituar nga lehtësitë, paketa ligjore që nxit investimet në këtë fushë është konfuze dhe krijon kontradita. Ndryshimet në ligjin për turizmin në muajin dhjetor (Ligji nr. 114/2017) përcaktojnë se përjashtimin nga taksat TVSH dhe Tatim-Fitimin për dhjetë vitet e para të aktivitetit e përfitojnë strukturat akomoduese me 4-5 yje dhe që duhet të investojnë së paku 8 milionë euro për standardin me 4 yje dhe 15 milionë euro për standardin me pesë dhe yje. Ligji 114/2017 thotë gjithashtu së përfitues janë hotelet me 4-5 yje që kanë status special. Statusi special përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave. Burimet nga tregu pohojnë se po në dhjetor të vitit 2017 janë bërë ndryshime në ligjin për taksën e infrastrukturës, të cilat janë tërësisht në kontradikte me ndryshimet që kanë bërë në ligjin për turizmin. Sipas këtyre ndryshimeve “përjashtohen nga pagesa e taksës së infrastrukturës investimet e kryera për ndërtimin e strukturave akomoduese “hotel/Resort me pesë yje, status”, sipas përcaktimit të legjislacionit në fushën e turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe të njohur ndërkombëtarisht”. Mirëpo Ligji për Turizmin nuk ka e ka përcaktimin, “Brand Name”. Sipas këtij përcaktimi investitorët vendas nuk përftojnë përjashtim nga taksat. Pavarësisht rrëmujës ligjore, ndërtuesit që kishin planifikuar të nisin ndërtimin e kullave të lartë në zonën brenda unazës po i shndërrojnë ato në hotele me 4-5 yje dhe sakaq janë duke lobuar që të hiqet togfjalëshi “Brand name” nga ligji i taksës së ndikimit në infrastrukturë. Investimet rrezikojnë të mos nisin edhe këtë vit, pasi qeveria ka lajmëruar në ligjin për turizmin se udhëzimet që do të sqarojnë modalitetet e përfituesve do të miratohen përgjatë 9-muajve dhe për pasojë ligji për përjashtimin nga taksat nuk mund të aktivizohet.

Lehtësitë fiskale për turizmin

Sipas ndryshimeve të fundit ligjore, hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatim fitim për një periudhë 10-vjeçare, nëse arrijnë që të përfitojnë statusin special. Sipas ligjit, përjashtimi nga tatim fitimi, aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për ato struktura, të cilat përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special. Ligji “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar” këtë vit sjell një nivel të ri zbatimi ku, së pari, vendosja e një niveli TVSH-je prej 6 për qind për furnizimin e shërbimeve që ofrohen në hotelet me 5 yje me status special. Deri dje, ky nivel TVSH-je ofrohej vetëm për furnizimin e shërbimit të fjetjes në gjithë strukturat akomoduese në vend. Por trajtimi i diferencuar bëhet vetëm për ata me status special, që do të thotë se edhe bar-restorantet, saunat, pishinat, shelzonget e këtyre hoteleve do të faturojnë shërbimin me 6% TVSH. Hotelet kanë lehtësi edhe te taksa e infrastrukturës. Për të gjithë ata që kanë statusin special si hotele me pesë yje (brand name), taksa e infrastrukturës do të jetë zero, ndërkohë që normalisht për këtë kategori ndërtimi në Bashkinë e Tiranës, ajo aplikohet në 4% të vlerës totale të projektit, ndërsa në bashkitë e tjera nga 1-3%.

Dy derbe në Kupën e Mbretit

Dy derbe, Leganés-Real Madrid dhe Espanyol-Barcelona, një duel i tensionit të lartë midis Atlético dhe Sevilla, si dhe Valencia-Alavés janë çerekfinalet e Kupës së Mbretit në Spanjë. Ky është verdikti i shortit të hedhur mesditën e djeshme për këtë kompeticion të futbollit kombëtar iberik. Sikurse shihet, ende në garë për këtë trofe janë dy gjigantët e La Liga-s, Barcelona dhe Real Madridi. Katalanasit janë fituesit në fuqi dhe kryesojnë kampionatin spanjoll për këtë edicion, me 16 pikë më shumë se “Los Blancos”. Kujtojmë se finalja e “Copa del Rey” është caktuar për t’u luajtur të shtunën e 21 prillit. Ata që përfshihen në finale do të duhet të “parkojnë” ndeshjet e tyre në La Liga.

Real Madridi të mos nxitohet!

Ish-kapiteni i Real Madridit, Fernando Hierro, doli në mbrojtje të Zinedine Zidane, duke i kërkuar klubit të jetë i ndjeshëm, pasi presioni ndikon mbi trajnerin. Real Madrid u rrit në lartësi të reja në sezonin 2016-2017, duke fituar La Liga-n dhe duke u bërë skuadra e parë që mbron me sukses kurorën e Ligës së Kampionëve, sezonin e kaluar. Megjithatë, Real Madridi ka qenë më pak se bindës në këtë sezon, pavarësisht fitores së “UEFA Super Cup”, Botërorit për Klube dhe “Supercopa de Espana”, sepse është tashmë 16 pikë pas udhëheqësve të arratisur dhe rivalëve të hidhur të Barcelonës, në La Liga.
Real Madridi, gjithashtu, u pengua në çerekfinale të “Copa del Rey” pas një barazimi 2-2 në shtëpi, ndaj Numancias, të mërkurën, duke bërë që Zidane të pranonte se kontrata e tij e re me klubin nuk ka kuptim. Por Hierro ka bërë thirrje për qetësi në kryeqytetin spanjoll dhe i kërkoi klubit që të mos nxitojë me ndonjë vendim. “Duhet të jemi të ndjeshëm, tha Hierro për “EFE”. Ne jemi në janar dhe është trajneri i njëjtë dhe pothuajse të njëjtët lojtarë, që fituan tetë tituj në dy vitet e fundit. Real Madridi do të thotë që duhet të fitoni çdo ndeshje. Duke qenë të dytët, nuk është e vlefshme. Megjithatë, duhet të jemi të qetë. Duhet të jemi të zgjuar në gjykimin tonë, sepse kemi lojtarë, trajner dhe filozofi të njëjtë”.

Goditja me kosto zero

Marrëveshja me Emre Can, i cili do të vishet bardhezi në verën e ardhshme, me një kontratë 4-vjeçare me 5 milionë euro në sezon, mund të bëhet goditja e radhës me kosto zero që kanë karakterizuar Juventus në vitet e fundit nën drejtimin e Andrea Agnelli si president dhe Beppe Marotta si drejtor. Ai nuk është rasti i parë i suksesit të “Zonjës së Vjetër” në këtë strategji. Gjithçka nisi në vitin 2011 kur u mor Andrea Barzagli nga Wolfsburg për vetëm 300 mijë euro. Më pas erdhën Pirlo, Pogba, Khedira, Llorente. Në total janë 11 futbollistët që Juventus ka marrë gratis, një formacion i plotë.
Formacioni i blerjeve me kosto zero nga Juventus: Neto – Dani Alves, Barzagli, Lucio – Pirlo, Khedira, Pogba, Emre Can, Coman – Toni, Llorente.
Ta nisim nga porta: Norberto Neto erdhi në qershor 2015 nga Fiorentina. Ai u bë portieri i dytë i Juventus, derisa në këtë verë u shit për te Valencia. Formacioni i parametrave zero është 3-4-1-2. Dani Alvesh erdhi falas nga Barcelona, duke firmosur një kontratë dyvjeçare me 3.5 milionë euro në sezon. Fillimi nuk ishte shumë i mirë për brazilianin, por pjesa e dytë e sezonit ishte e shkëlqyer. Në verë ai zgjodhi të largohet. Në fillim tha se do të shkonte te Manchester City, por përfundoi në Paris. Përpara Neto dhe Alves, një tjetër brazilian, Lucio u mor me parametër zero në vitin 2012. Nën drejtimin e Conte, ai luajti vetëm katër ndeshje si pasojë e një problemi në kavilje.
Pa para erdhi edhe Andrea Pirlo nga Milan. Nga viti 2011 deri në vitin 2015 mesfushori shkëlqeu me bardhezinjtë dhe u largua si hero për në SHBA. Mjeshtëror ishte afrimi i tij, sikurse ai i Sami Khedira, që Real Madrid e lejoi të largohet me parametër zero, por që tani është bërë një nga futbollistët më të mirë të Serie A. Pastaj, qershia mbi tortë, Paul Pogba. Francezi erdhi te Juventus në verën e vitit 2012 pasi nuk rinovoi kontratën me Manchester United, për t’u shitur te “djajtë” për 105 milionë euro, katër vjet më vonë. Goditje e rëndësishme ka qenë edhe Coman, i ardhur gratis nga PSG dhe i shitur te Bayern Munich për 28 milionë euro.
Luca Toni, në karrierën e tij të gjatë ka qenë pjesë e Juventus në janar 2011. Me Del Neri si trajner u dëmtuan Quagliarella dhe Iaquinta, kësisoj nga Genoa erdhi qendërsulmuesi kampion bote. Ai luajti 15 ndeshje dhe shënoi 2 gola me “Zonjën e Vjetër”. Në janar 2013, Fernando Llorente ishte një tjetër afrim i goditur, pa pagesë! Spanjolli kërkoi largimin nga Bilbao dhe te Juventus luajti një rol të rëndësishëm në fitimin e dy kampionateve. Një tjetër goditje në merkato që la shenjë.

Shifra e çmendur e Realit, 400 milionë për Neymar!

Të tilla shifra mund të diskutohen te Real Madridi. 400 milionë euro është investimi për të siguruar nënshkrimin e Neymar, verën e ardhshme. Siç është raportuar të premten nga gazeta “Marca”, inkorporimi i yllit brazilian konsiderohet thelbësor, si në aspektin sportiv, edhe atë ekonomik, dhe absolutisht përbën prioritet në strategjinë e klubit madrilen për merkaton e verës, që do të hapet më 1 korrik. Sipas kësaj gazete pranë “Los Blancos”, që e quajti informacionin si një “bombë”, bisedimet duhet të kalojnë përmes PSG-së, një klub me të cilin Real Madridi do të vepronte me “respekt të plotë dhe absolut”, duke e ditur se braziliani është një “nënshkrim i komplikuar”.
Vendimi i Neymar për të ndërruar gjigantët e La Liga-s, Barcelonën, për PSG-në ishte një hap prapa, sipas legjendës së Brazilit, Ronaldo. “Vetullat u ngritën” kur Neymar e la Lionel Messin dhe Barçën në verën e kaluar për një marrëveshje rekord botëror, pasi PSG-ja aktivizoi pothuajse 222 milionë euro për blerjen e tij në gusht 2017. Neymar luajti për PSG-në, duke shënuar 20 gola në të gjitha garat, 11 prej tyre në Ligue 1, por në një intervistë me ish-ndërkombëtarin e Brazilit, Zico, nëpërmjet YouTube, ish-sulmuesi i Barcelonës, Ronaldo, tha:
“Sportivisht, vendimi është një hap prapa. Por, ka sfida që i kërkojnë të gjithë. Kam luajtur në Barcelonë në atë kohë dhe shkova tek Interi, kur kampionati italian ishte shumë më konkurrues”.
Neymar ishte në “shënjestër” të mërkurën, pasi PSG mundi Amiens 2-0 për të arritur gjysmëfinalen e “Coupe de la Ligue”. PSG është përsëri në veprim kundër Nantes së Claudio Ranierit në Ligue 1, të dielën.

Conte i shpëton tragjedisë!

Një aventurë e hidhur për Antonio Conte! Teksa po drejtonte stërvitjen e Chelsea në Cobham, rreth 10 kilometra larg Londrës, makina e tij u shkatërrua krejtësisht nga një vetratë që u rrëzua nga çatia e një godine, si pasojë e erës së fortë. Lajmin e ka bërë të ditur tabloidi “The Sun”. I shpëtoi tragjedisë mrekullisht edhe Steve Atkins, zëdhënësi për shtyp i Chelsea, që në atë moment po shkonte të lëvizte makinën e trajnerit që ishte e parkuar.
Ngjarja u pa nga kamerat e vendosura në kompleks. “Shihet Steve që po shkon drejt makinës së Antonio, pastaj befasisht vetrata bie me një shpejtësi të madhe duke mbushur me copa xhami të gjithë parkimin, tregon roja e sigurisë së klubit “blu”. Steve ka ngelur i shtangur nga ngjarja që mund t’i kishte kushtuar jetën, ndërsa makina e trajnerit është shkatërruar”. Vetrata ka rënë pikërisht nga kati ku është zyra e Conte. Makina “Nissan” e trajnerit përdoret shpesh edhe nga bashkëshortja e tij.

Guardiola dhe Kane më të mirët në Premier League!

Pep Guardiola është zgjedhur trajneri më i mirë në Premier League për muajin dhjetor duke u bëri i pari në historinë e kampionatit anglez që e fiton këtë çmim katër herë radhazi. Manchester City fitoi gjashtë dhe barazoi një nga shtatë ndeshjet e luajtur në muajin e fundit të vitit 2017, duke shënuar 19 gola dhe pësuar vetëm katër. Guardiola është zgjedhur trajneri më i mirë edhe në shtator, tetor, nëntor dhe tani në dhjetor, teksa skuadra e tij ka lënë vetëm 4 pikë në 22 ndeshjet e para të kampionatit dhe ende nuk e ka pësuar shijen e humbjes.
Në dhjetor, Manchester City fitoi kundër Tottenham, West Ham, Bournemouth, Newcastle, Swansea dhe Manchester United, teksa barazoi pa gola ndaj Crystal Palace. Në katër nga këto ndeshje të besuarit e Guardiola shënuan katër gola. Rekordin e mëparshëm e mbanin Conte, Ferguson dhe Wenger, që janë shpallur tre herë radhazi “trajneri i muajit”. Ndërkohë, qendërsulmuesi i Tottenham, Harry Kane, është shpallur futbollisti më i mirë i muajit dhjetor. Ai e fiton për herë të gjashtë këtë çmim, pasi në muajin e fundit të vitit shënoi 8 gola në 6 ndeshje. Kane e mbylli vitin 2017 si golashënuesi më i mirë në Europë.

Juventus ka një ëndërr!

Zinedine Zidane e ka Juventusin në jetën e tij, edhe si trajner! Andrea Agnelli ka ëndrrën e madhe të rikthejë francezin në Torino, nëse trajneri Allegri do të largohet. Fjalët e “Zizu” bëjnë që “Zonja e Vjetër” të shpresojë: “Këtu te Reali jam një nga të shumtit, jam kalimtar. Kam një kontratë deri në vitin 2020, por kjo nuk do të thotë asgjë”. Kampionati zhgënjyes mund të përshpejtojë largimin nga “Los Blancos”: “Torino është shtëpia ime dhe një ditë do të kthehem. Kam një lidhje të veçantë me Juven dhe një ditë do të kthehem në Torino si trajner”, është shprehur Zidane.
Një titull në La Liga, dy Champions League, dy Superkupa të Europës dhe një Botëror për Klube, krahas Superkupës së Spanjës. Karriera si trajner e Zizu Zidane ka qenë thuajse perfekte, por nuk do të qëndrojë përjetësisht te Real Madrid dhe emri i tij ka filluar të lakohet në korridoret e Juventus. Presidenti Agnelli ka nisur të mendojë për të si pasardhësin e Allegrit dhe tani që ka dalë hipoteza Löw për stolin e “merengues”, kampionët e Italisë kanë nisur të ëndrrojnë.
Për momentin është një ëndërr e vështirë, por si Juventus ashtu edhe Zidane e dinë se “martesa” do të ndodhë një ditë. “Kam një lidhje të veçantë me Juven dhe një ditë do të kthehem në Torino si trajner”, kanë qenë fjalët e Zidane, në vitin 2016, pasi fitoi Champions League. Kësisoj, nëse Allgeri vendos të largohet, bardhezinjtë i kanë idetë e qarta, gjithnjë nëse “Zizu” largohet nga Madrid, gjithsesi konkurrenca nuk mungon.

Krim, korrupsion, kanabis, Rama në panik nga protesta në Lezhë, rrethohet nga policia

Rama është pritur me protesta pasditen e djeshme në qytetin e Lezhës. Ai ka mbledhur kabinetin qeveritar dhe zhvilloi mbledhjen e radhës në qytetin bregdetar, ndërsa jashtë godinës protestonin banorët e fshatit Torovicë. Protestuesit po thërrisnin në kor “burg, burg, burg! Në Prokurori të shkoni të gjithë”
Policia tentoi të ndalonte dhe bllokonte protestuesit teksa përmes shantazheve dhe presioneve shoqëroi në komisariat katër banorë të fshatit Torrovicë, të cilët u ndaluan në hyrje të fshatit Balldre
Kur kanë mbetur dy javë nga protesta e 27 janarit, qytetarët po dëshmojnë se durimi i tyre ka sosur dhe se rrëzimi i qeverisë Rama është emergjent.
Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta pasditen e djeshme në qytetin e Lezhës. Ai ka mbledhur kabinetin qeveritar dhe zhvilloi mbledhjen e radhës në qytetin bregdetar, ndërsa jashtë godinës protestonin banorët e fshatit Torovicë. Protestuesit po thërrisni në kor “burg, burg, burg! Në Prokurori të shkoni të gjithë”.
Banorët kërkojnë rikonstruksionin e rrugës që lidh këtë fshat me qytetin e Lezhës në njërin kah dhe me Shkodrën në kahun tjetër. Sipas banorëve, rruga u është premtuar disa herë nga deputetët e PS, të cilëve u kanë dhënë votat pikërisht për të asfaltuar rrugën. Sipas tyre, ku është një premtim i pambajtur. Përpara protestuesve doli ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, që është deputete e zonës. Ajo u përpoq t’i qetësonte, por protestuesit nuk ndaluan së thirruri: “Turp t’u vijë, turp Lindita Nikolla. Ikni nga Lezha”
Banorët janë organizuar që në mëngjes për këtë protestë, por policia tentoi t’i ndalojë. Më herët u njoftua shoqërimi në komisariat i katër banorëve të fshatit Torrovicë, të cilët u ndaluan në hyrje të fshatit Balldre. Ata po ashtu thanë se janë mbajtur nën vëzhgim nga policia gjatë gjithë ditës. Banorët e Torovicës në Lezhë kanë njoftuar në Facebook se do të jenë në Lezhë gjatë mbledhjes së qeverisë Rama për të kërkuar rrugën e premtuar prej deputetëve të mazhorancës.
Por Policia e Shtetit ka marrë masa për të bllokuar një protestë të mundshme në kohën kur në Lezhë të mbërrijë kryeministri Rama dhe ministrat e tij. Fillimisht kanë kaluar në skanerin e policisë statuset e disa banorëve për të gjetur organizatorët e protestës dhe identifikimin e pjesëmarrësve të mundshëm, ndërsa herët në mëngjes, policia u ka zënë “pritë” në hyrje të fshatit Balldre automjeteve që vinin nga Torovica në drejtim të Lezhës.
Thuajse çdo banor i saj është kontrolluar dhe marrë në pyetje, ndërsa të tjerë janë shoqëruar në polici. Syri.net shkruan se të paktën 4 persona janë marrë në pyetje në lidhje me protestën e mundshme të banorëve për t’i kërkuar Ramës ndërhyrje për rrugën e Torovicës dhe më pas janë lënë të lirë.
Në listën e personave që janë nën vëzhgim nga uniformat blu, që nga momenti i mbërritjes dhe deri në largimin e kryeministrit pjesa më e madhe janë banorë të Torovicës që edhe pse nuk kanë asnjë precedentë penal, përbëjnë “kërcënim”, pasi mund të jenë pjesë e protestës. Megjithëse ende nuk është konfirmuar se kush janë organizatorët e protestës, bëhet me dije se asnjë incident nuk do të krijohet në momentin e mbërritjes së kryeministrit, ndërsa lëvizja e tij do të shoqërohet nga protestuesit si një shenjë për t’i tërhequr atij vëmendje ndaj një shqetësimi shumëvjeçar të këtyre banorëve.