Prokuroria e Tiranës shtyn edhe tre muaj të tjerë afatet hetimore për Imsi Catcher, një çështje kjo që qëndron e hapur prej dy vitesh nga Njësia Task Force për veprën e shpërdorimit të detyrës. Shkak për zgjatje të kohës hetimore është bërë heshtja e palës italiane, që nuk ka kthyer ende një përgjigje nëse do ta pranojë apo jo ekspertizën në pajisje.
Për këtë arsye sipas burimeve, prokurorët kanë përsëritur me letërporosi kërkesën për të ekspertuar Imsi Catcher në mënyrë që të zbardhin dyshimet e tyre a u përdor apo jo kjo aparaturë për të kryer përgjime të paligjshme në Shqipëri apo ajo u përdor vetëm për trajnimin e policisë.
Siç thonë burimet, fillimisht prokurorët kanë marë në maj 2017 në të cilën italianët konfirmuan se, pajisja Imsi Catcher ndodhet në Tiranë në ambientet e ambasadës italiane. Pas datës 23 maj 2017 pala italiane ka heshtur. Por përderisa territori i ambasades konsiderohet tokë italiane, prokurorët nuk mund të sekuestrojnë dhe as të ekspertojnë pajisjen pa dëshirën e italianëve.
Prej kësaj kohe Prokuroria shqiptare ka përcjellë dy kërkesa referuar të drejtës ndërkombëtare, ku kërkohet që prokurorët të jenë të pranishëm së bashku me një specialist shqiptar për të kryer ekspertizën.
Këqyrja e Imsi Catcher kërkohet, pasi në verë Prokuroria humbi në Gjykatë me lëvizjet e saj për të këqyrur disa kompjuterë të sekuestruar në Policinë e Shtetit, pasi sipas argumentit të Gjykatës prokurorët nuk ishin bindës se për çfarë u shërbente ky veprim hetimor.
Gjatë 2016 çështja Imsi Catcher ishte patatja e nxehtë në arenën e politikës që u finalizua me ngritjen e një komisioni hetimor. Nga ana e Gjykatës pati një pezullim të përkohshëm nga detyra të ish-drejtorit të Përgjithshëm, Haki Çako dhe dy masa arresti shtëpiak, vendime këto që u shfuqizuan nga Gjykata e Apelit.
Por italianët dhe shumë oficerë policie të pyetur në Prokurori këmbëngulin se, pajisja është përdorur për trajnim, ndërkohë që Prokuroria hodhi dyshime se në fakt ajo është përdorur gjatë fundjavave edhe në burgje. Shpresa e fundit për këtë hetim ka mbetur ekspertiza për të cilën Prokuroria ka kohë deri në maj, pas këtij muaji asaj i mbaron koha dhe nëse nuk ndodh asgjë atëherë çështja pezullohet.
Ngecin hetimet për pajisjen përgjuese, Prokuroria nuk bën dot ekspertizën
Franca dhe Belgjika kthejnë 30 azilkërkues shqiptarë
Nga Franca e Belgjika janë riatdhesuar me një avion të posaçëm 30 shtetas shqiptarë që shkelën rregullat e Shengenit. Ky është operacioni i parë i riatdhesimit për 2018, por këto operacione do vijojnë më tej.
Zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda tha se, ky është operacioni i parë, por operacionet e riatdhesimit gjatë vitit 2018 do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm, madje me një ritëm edhe më të lartë se viti 2017. Këtu përsëri i bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të mos e shikojnë azilkërkimin si rrugën e vetme për të emigruar gjatë vendit.
Zv/ministrja e Brendshme deklaroi se shifrat e kërkesave për azil gjatë vitit 2017 kanë rënë. Megjithatë znj.Voda apeloi për këdo të mos bëjë tentativë për azil, sepse do të rezultojë e dështuar, pasi Shqipëria është në listën e vendeve të sigurta.
Kush është shqiptarja që vdiq në aksidentin tragjik në Itali
Detaje të reja kanë dalë nga aksidenti tragjik rrugor që ndodhi paraditen e së mërkurës në Pieve San Giacomo, që i mori jetën shqiptares Amantia Sula. 35-vjeçarja ishte gruaja e shefit të Policisë në Cremona të Italisë, Claudio de Leporini, i cili po ngiste makinën e tij tip “BMW” kur u përplas me një kamion dhe përfundoi në kanal.
De Leporini ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gruaja shqiptare vdiq në vendngjarje. Ambulanca dhe zjarrfikëset erdhën në vendngjarje për nxjerrjen e “BMW”-së nga uji dhe për shpëtuar çiftin e bashkëshortëve, por për Amantia Sulën nuk mund të bënin dot asgjë, pasi kishte ndërruar jetë. Çifti janë prindër të një vajze 7 vjeç. Policia po heton shkaqet e aksidentit të rëndë.
Atentat në Divjakë, 14-vjeçarja shpëton nga breshëria e plumbave
Pamundësia për të qenë me vajzën që dashuronte ka shtyrë një të ri nga fshati Babunjë i Divjakës të ndërmarrë një veprim që mund t’i kishte marrë jetën asaj. Bajram Krasniqi, 22 vjeç, u arrestua pasi qëlloi me pushkë gjysmë automatike në drejtim të një vajze 14 vjeçe pasditen e djeshme. Nga të shtënat nuk pati të lënduar.
Burime thanë se, Krasniqi kishte një pëlqim për vajzën, të cilën e ngacmonte prej kohësh. Por, së fundmi, kishte mësuar se prindërit kishin vendosur ta fejonin 14-vjeçaren me dikë tjetër, pavarësisht moshës së mitur. Ka qenë kjo e fundit që i ka komunikuar vendimin e fejesës 22-vjeçarit, duke i kërkuar mos ta ngacmonte më.
Pas kësaj, ai i zuri pritë adoleshentes këtë të enjte me një armë në dorë dhe sipas burimeve policore, e shkrepi në drejtim të saj. Vajzën fatmirësisht nuk e kapi asnjë plumb. Në vendngjarje, efektivët e policisë gjetën 3 gëzhoja, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Efektivët e policisë arritën të arrestonin në një kohë të shkurtër Krasniqin. Ai akuzohet për vrasje dhe armëmbajtje pa aleje.
Vdes në burg një i dënuar për vrasje
Një 59-vjeçar ka humbur jetën në burgun e Krujës. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në reanimacionin e Spitalit të Burgut, ku ka ndërruar jetë shtetasi Fatmir Tomini. Sipas burimeve, 59-vjeçari, banues në Tiranë, ishte i dënuar me 17 vite burg, për veprën penale “Vrasje”, dhe vuante dënimin në burgun e Krujës.
Mendohet se shkak i vdekjes së Tominit ka qenë gjendja shëndetësore e tij, pasi ky shtetas ka qenë i sëmurë me tumor. Megjithatë ende punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.
Humb jetën një shqiptar në Greqi
Një aksident rrugor i ndodhur në Greqi mbrëmjen e së mërkurës ka rezultuar fatal për një 61-vjeçar shqiptar. Mësohet se 61-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, kishte hyrë ilegalisht në Greqi së bashku me dy të rinj shqiptarë, të cilët kanë mbetur të plagosur në aksident. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Poiana në Greqi, teksa tre shtetasit shqiptarë po tentonin t’i shpëtonin policisë, e cila ishte vënë në ndjekje të furgonit me të cilin ata po lëviznin.
Sipas mediave greke, shtetasit shqiptarë kishin hyrë ilegalisht në shtetin fqinj, dhe mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 20:30 kishin shkuar pranë banesës së shoferit grek, i cili kishte mundësuar kalimin e tyre në Greqi. Takimi me shtetasin grek, mësohet se u bë për t’i dorëzuar atij shumën e parave që i detyroheshin për kalimin e tyre në Greqi.
Pas kësaj, ata kishin hipur në furgon bashkë me shtetasin grek, 73 vjeç, dhe në këtë moment janë pikasur nga policia, e cila u ka bërë sinjale për të ndaluar. Por shoferi grek nuk i është bindur urdhrit të policisë, dhe ka shtuar shpejtësinë.
Për pasojë, furgoni që ai drejtonte u përplas me një automjet tjetër, duke shkaktuar vdekjen e 61-vjeçarit shqiptar. Të plagosur mbetën edhe dy të rinjtë shqiptarë 24 dhe 28 vjeç, si dhe shoferi grek. Mësohet se 61-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërsa të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.
Një 38-vjeçar mbërrin i pajetë në Spitalin e Beratit
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Berat, ku një 38-vjeçar ka mbërritur i pajetë në spital. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se, shtetasi me inicialet A.K., ka mbërritur i pajetë dje në rrethana ende të paqarta. Deri më tani nuk dihen rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, një 20-vjeçar është çuar me urgjencë nga familiarët në Spitalin e Durrësit, pasi kishte pirë fostoksinë. Pavarësisht se B.D., banues në fshatin Kullë, u çua për të marrë ndihmën mjekësore për shkak të gjendjes së tij të rëndë nuk mundi të mbijetonte. Trupi i tij është në morg, ndërsa grupi hetimor ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vetëvrasjes.
Përgatituni të paguani faturat e ujit nga 35 mijë lekë, ose hidhini në lanë me 27 janar
Përmes një letre publike, Kreu i Entit Rregullator të Ujit Ndriçim Shani, tregoi se si u bind nga nisma e Erion Velisë për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë. Duke iu përgjigjur raportit të Autoritetit të Konkurencës që zbuloi pikat e dobëta të vendimit, Shani botoi një shkrim në të përditshmen Panorama. Sipas llogarive të Shanit, fatura e ujit do të ishte normale të shkonte deri në 3 mijë e 500 lekë për një familje.
“ERRU ka si referencë përballueshmërie të pagesës së faturës së ujit vlerën prej 5% të të ardhurave mesatare të një familjeje në Shqipëri, që llogaritet rreth 70,000 lekë/familje, që nënkupton një faturë të ujit e përballueshme deri 3,500 lekë/muaj/familje” shkruan ai.
Vendimi është i pakthyeshëm dhe Autoriteti i Konkurencës nuk ka fuqi ta rrëzojë, por letra e kreut të Entit Rregullator të Ujit vlen për të kuptuar se si u pranua rritja e çmimit nga 45 lekë/m3 në 65 lekë/m3 për familjarët dhe akoma më shumë për bizneset private.
Autoriteti i Konkurencës, vuri në dukje mungesën e transparencës në nismën për rritjen e çmimit. Sepse ne sot nuk e dimë se sa është kosto e ujit që paguajmë dhe se sa është fitimi i Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve për një metër kub ujë.
Ne sot nuk e dimë orarin e ujit me të cilin furnizohen zonat e ndryshme të Tiranës dhe për më tepër, uji nuk është i pijshëm në pjesën më të madhe të qytetit.
Pa i ditur, ose pa i publikuar këto të dhëna, Enti Rregullator e miratoi propozimin e Bashkisë së Tiranës për rritjen e çmimit me gati 45%.
Autoriteti i Konkurencës raportoi se fitimet më të mëdha të ndërmarrjes së Ujësjellësit, nuk do të vijnë nga ndërprerjet e lidhjeve të paligjshme të ujit, por nga rritja e çmimit.
“96% nga rritja e tarifave, dhe vetëm 4% nga rritja e nivelit të faturimit” shkruhet në raport, kur flitet për fitimet e UKT.
Nga ky konstatim lind pyetja, përse Bashkia nuk priti, që rritja e çmimit të ujit të bëhej pas shkëputjes së lidhjeve të paligjshme dhe minimizimit të humbjeve në rrjet?
Edhe vetë Enti Rregullator ishte i ndërgjegjshëm për humbjet e shumta në rrjet, kur ktheu përgjigje pozitive për Veliajn, por sipas Ndriçim Shanit, planet e Bashkisë për përmirësimin e situatës ishin bindëse.
“Objektivat e përcaktuara ishin të shoqëruara me plane të veprimit për arritjen e tyre. Përmirësimi i treguesve të performancës është bazuar në uljen e humbjeve teknike me anë të investimeve dhe të humbjeve administrative (kryesisht lidhjet e paligjshme), që arrihen duke përmirësuar aspektet e menaxhimit të shoqërisë” shpjegon Shani.
Nga letra kuptohet se ERRU miratoi rritjen e çmimit të ujit, bazuar vetëm në premtimet e zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës. Ekspertët nuk patën në tryezë një Master-Plan për hapat që do të ndërmerren deri në realizimin e objektivit për furnizimin me ujë 24 orë.
Ka edhe një aletrnativë tjetër përtej asaj të faturave të fryra të ujit; ti hedhim në lanë me 27 janar.
Konkurrencë mercenarësh mediatikë!
Enver BYTYÇI
Në fund të shekullit XV nga familja e Shpatajve në Çamëri përmendet dhe emri i Merkur Bua Shpatës.
Duke folur për këtë figurë të shquar, në librin e tij “Elenika Anegdhoda”, autori grek K. Satha shkruan se, “Ky shqiptar i lavdishëm… ktheu balancën e fitores drejt atyre që e kërkuan për ndihmë dhe aleancë, kundër flandrinëve, bavarezëve, spanjollëve, francezëve, duke rrëmbyer kaq e kaq flamuj kundështarësh…”. Kur luftonte përkrah bavarezëve, fitorja i takonte mbretit të Bavarisë. Kur luftonte përkrah venedikasve, fitorja ishte e tyre. Po kështu, kur u gjend në krah të spanjollëve, francezëve e me radhë, fitorja u takoi këtyre të fundit. Dhe forca e këtij shqiptari me namë u shpërblye gjithnjë me florinj. Psh Mbreti Maximilian i Bavarisë i vuri një kollan të artë, i cili kushtonte 1000 florinj dhe e veshi gjithashtu me një pallto floriri.
Thelbi i asaj që mbetet nga kjo histori është mercenarizmi klasik, i përhapur në shumë popuj, jo vetëm te shqiptarët. Jemi në kohën kur nuk kishte ende kufij nacionalë, identitete nacionale, kur principatat qenë bërthama e shteteve.
Ndërsa sot, në kohët moderne, ndonëse jemi në kulmin e zhvillimeve politike, kulturore, sociale dhe civilizuese, shihet qartë se mercenarizmi është shndërruar në një virus tradicional të bastarduar. Media është modeli i parë dhe kryesor i mercenarizmit në Shqipëri, por me nuancë të dukshme edhe në vendet e zhvilluara. Paraja, përfitimet financiare jo ligjore, madje përfitimet nga paratë e pista të krimit, të trafiqeve, të drogës, të prostitucionit dhe korrupsionit, janë leva e Arkimedit, që ve në lëvizje mediat në Shqipëri. Ndjesë për ato pak media që rezistojnë me shpirt ndër dhëmbë, thjesht me një lloj idealizmi, sikur “do ta çlirojnë botën e sotme nga padrejtësitë”! E kam fjalën për mediat kryesore dhe pronarët e fuqishëm të tyre. Mediat në Shqipëri do të duhej të etiketoheshin si mjet publik, që kanë mision dhe detyrë të informojnë publikun, të shfaqin hallet e shqetësimet e publikut dhe të mbrojnë interesat e publikut.
Megjithatë “interesi publik” është thjesht një slogan, që i tremb pronarët e mediave në vendin tonë. Interesi financiar, paratë, “gjerdani i florinjtë”, palltoja prej ari”, “shpata prej argjendi”, janë trofetë e medias shqiptare! “Qeni leh aty ku ha”! Mediat lehin për padronin e tyre, jo për shërbëtorët e padronëve të këtij vendi, jo për qytetarët! Publiku është fasada, thelbi mbetet interesi financiar! Mercenarizmi është tipari kryesor i gazetave, televizioneve, radiove, shumicës së portaleve online, sepse që në themelim këto janë sponsorizuar nga paratë e krimit, të drogës, të trafikut, të pushtetit të kriminalizuar dhe të paudhëve.
Publiku paguan vetëm për një televizion, për Televizionin Publik Shqiptar. Por as ai nuk i shërben publikut, i shërben padronit politik. Konkurenca e medias në Shqipëri nuk është konkurencë mediatike e tregut, por konkurencë mercenarizmi! Ajo që dallon mercenarizmin e Merkur Buo Shpatës nga mercenarizmi i kapove të medias shqiptare ka të bëjë me disa aspekte:
Së pari, Merkur Buo Shpata vuri forcën e tij si dhe mbështetjen e miqve të tij si bast të shpërblimeve të majme në betejat e kohës. Si i tillë ai i meritoi ato shpërblime. Pra, kishte dinjitet dhe meritokraci në atë lloj mercenarizmi. Pronarët e mediave të sotme janë mercenarë të padinjitet. Nuk kanë asnjë lloj integriteti. Nuk njohin asnjë limit bashkëpunimi me këdo që ofron para dhe pasuri. Pasuria është qëllimi kryesor dhe në emër të saj shkelin mbi dinjitetin e gazetarëve e bashkëpunëtorëve.
Së dyti, mercenarizmi i luftëtarëve të kohëve të ndryshme ishte rezultat i një pakti midis gjeneralit dhe ushtarëve. Mercenarizmi i mediave shqiptare është rezultat i vullnetit të vetëm të pronarëve të mediave dhe një grushti gazetarësh e moderatorësh oligarkë, e shumta e një “shtabi qendror” të medias përkatëse! Këta dallohen lehtë. Shihni psh kur lëvdojnë publikisht në ekrane sponsorët e tyre me pushtet!
Së treti, mercenarët në mesjetë përballeshin me sakrificën më sublime të rënies në luftë, pra rriskohej me jetën. Mercenarët mediatikë në Shqipëri në kohët e sotme moderne nuk sakrifikojnë asgjë nga vetja e tyre, përkundrazi sakrifikojnë lirinë qytetare, barazinë qytetare, të drejtën e qytetarëve, të cilëve media e ka mision dhe detyrë t’u shërbejë.
Së katërti, atëherë mercenarët rrjeshtoheshin në formacion luftimi për të mundur kundërshtarin në betejën ushtarake, sot rrjeshtohen mercenarët në ekranet televizive më së shumti për të mbrojtur baronët e drogës e të krimit, politikanët, prokurorët dhe gjyqtarët e lidhur me bandat. Ka plot dallime të tjera midis marcenarizmit mesjetar dhe mercenarizmit bashkkohor të medias në Shqipëri. Dhe sa kohë do të kemi këtë media e këta pronarë mediash mercenarë të padinjitet, aq kohë shqiptarët do të lëngojnë midis kënetës së qeverisjes të diktuar nga bandat e drogës e të krimit!
Erion Veliaj Kryeministër? A po bëhet Rama “Kurban” i tij
Bled MARKU
Pas pothuajse 5 vitesh në qeverisje, dhe tashmë me timonin e vetëm në dorë, kurba e popullaritetit të kryeministrit Edi Rama po lakohet për poshtë. Shkak i këtij fenomeni nuk është mungesa e zotit Rama në ekrane, por pakënaqësia e shqiptarëve.
48 muajt e parë të qeverisjes së tij kaluan shumë shpejt dhe kur bën një bilanc mes premtimeve të bëra dhe atyre të mbajtura, është shumë e vështirë të gjesh një pikë kontakti mes tyre. Dhe për këtë, Rama u justifikua me argumentin se në 4-vjeçarin e parë kishte pengesë Ilir Metën dhe kërkesën e LSI-së për ndarjen e “tepsisë”.
Tashmë, me Ilir Metën e pensionuar në Presidencë dhe me tepsinë e timonin në dorë të tij, Edi Rama nuk po bind. Skandalet e njëpasnjëshme që po i shpërthejnë në dorë, kanë rritur pakënaqësinë e njerëzve të ndershëm ndaj tij.
“Rilindja” po zhbëhet. Ekipi fitues i 2013-ës, që do të sillte ndryshimin e madh në vend, po shkërrmoqet çdo ditë që kalon. Aq sa edhe njerëzit më të besuar të Ramës, duke parë rënien e reputacionit të tij, tashmë po i dalin kundër.
Në Asamblenë Kombëtare të PS-së, të mbajtur më 6 janar 2018 u bë një kritikë se si kryetarët e PS-së në qarqe nuk kanë dhënë kontributin e tyre në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, duke marrë në rang kombëtar pak më shumë se 750 mijë vota, një rënie e prej 250 votash nga zgjedhjet e 2013. Kjo fakton se Rama nuk është më lideri shpresëdhënës për shqiptarët.
Çfarë po ndodh në PS?
Nëse Rama po “zbehet”, një tjetër figurë e rëndësishme e Partisë Socialiste të Shqipërisë po “ndriçon” çdo ditë edhe më shumë. Falë daljeve të tij të përditshme në TV, si edhe reklamimi i çdo pune të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po arrin të bindë të gjithë qytetarët e kryeqytetit se ai është e ardhmja e Tiranës dhe pse jo, ndoshta edhe e ardhmja e PS-së.
Një nga njerëzit e besuar të Kryeministrit Rama dhe një nga mbrojtësit më të zjarrtë të doktrinës së tij, Eduard Zaloshnja, bëri publik rrëzimin e Kryeministrit në Tiranë. Në një sondazh të zhvilluar nga ai, u faktua se në Tiranë “mbret” është Erion Veliaj, duke lënë pas edhe shefin e tij Edi Rama.
Nisur nga ky fakt, në Asamblenë Kombëtare të PS-së u artikulua fjala zgjedhje brenda partisë. Por nuk mori vëmendjen e duhur as nga mediat e as nga të pranishmit në këtë Asamble.
Në muajin prill, Bashkimi Europian paraqet raportin e saj për Shqipërinë, ku do të bëhet publike, nëse Shqipëria do të hapë negociatat për anëtarësim të plotë në BE, apo data do të shtyhet për një moment të dytë.
Lajmërimi i nisjes së sezonit të protestave nga opozita më 27 janar dhe thirrjet e përditshme të Bashës, Kryemadhit dhe aleatëve të tyre në unifikimin e shqiptarëve në një lëvizje mbarëkombëtare për largimin e Ramës nga posti i kryeministrit, dhe krijimin e një qeverie antimafja, nuk e ndihmon hapjen e negociatave me BE. Edhe pse koordinatorja e PS-së për bashkëqeverisjen me qytetarët, Elisa Spiropali këmbëngul se, Basha-Kryemadhi nuk mund të bëhen pengesë e integrimit.
Me mosmarrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, Ramës i humbet edhe guri i fundit që ka në dorë për të bindur me sofizma qytetarët. Reputacioni i tij do të “zbehet” edhe më shumë. Kësisoj, besimi në Partinë Socialiste do të jetë në minimumin e mundshëm të viteve të fundit, i ngjashëm me besimin që ngjallte ish-Kryeministri Fatos Nano në vitin 2005, ku u bë edhe rrokada e pushtetit.
Për të shmangur rrokadën dhe ardhjen në qeveri të dyshes PD-LSI, Ramës i duhet të luajë “lojën e fundit të shahut”, të hapë krahun, dhe të ripërtërijë imazhin e PS-së.
Në vitin 2019, zhvillohen zgjedhjet Bashkiake në 12 qarqet e vendit. Rreziku që i kanoset Bashkisë së Tiranës është i madh. Dhe Erion Veliaj mund të dalë i papunë.
PS kërkon t’a shmangë zhbërjen e imazhit të “Lali Erit”, kjo mund të vijë me një sakrificë të madhe. Dorëheqjen e “Lalit” nga rikandidimi për Kryetar Bashkie të Tiranës, dhe garimin e tij për postin e Kryetarit të Partisë Socialiste. E gjitha kjo, me një marrëveshje xhentillmenësh me Ramën, në mënyrë që ky i fundit të bëhet “Kurbani” i partisë për të çuar përpara vizionin socialist të qeverisjes së majtë.
Erion Veliaj e fitoi eksperiencën në Bashkinë e Tiranës, mësoi si të bëjë “gjynafqarin” për të fituar pikë. Djali i vogël i fiqve tashmë u rrit e kërkon më shumë.
Mundësia është që në 2019-ën të jetë Erion Veliaj kryeministër, e të bëjë përgatitjet e tij për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Pse jo, ndoshta edhe i fiton zgjedhjet, dhe thyen rregullin 8 vjet njëra parti në pushtet e 8 vjet partia tjetër. Por kjo mbetet ende për t’u parë, pavarësisht se “laku i pakënaqësive” rreth qafës së Ramës, sa vjen dhe shtrëngohet.