Albana VOKSHI
“3 lëndë në 6 orë” është një tjetër dëshmi se në krye të Ministrisë së Arsimit dhe të qeverisë kemi të pashkolluar!
“3 lëndë në 6 orë” eksperimenti i rrezikshëm i dyshes Rama-Nikolla, dy njerëzve që çuan arsimin në greminë e po na përdorin fëmijët si kavie!
Çifti Rama-Nikolla prezantuan një nismë të hartuar në ilegalitet e që askush në Ministrinë e Arsimit nuk e kishte dëgjuar deri në momentin që e panë në televizorin e qeverisë. Në vend që të firmosin kontratat kolektive për 36 mijë mësues apo të punojnë për hartimin e akteve nënligjore të arsimit të lartë, të cilat duhet të kishin përfunduar tani e 2 vite më parë, sajojnë portale çdo ditë apo bëjnë eksperimente të rrezikshme si fasadë për të mbuluar dështimet e njëpasnjëshme të Rilindjes.
Asnjë studim, asnjë analizë, asnjë konsultim me asnjë forum mësuesish, prindërish, specialistësh apo me deputetë…. thjesht një eksperiment i pamenduar, i lodhshëm dhe i destinuar të dështojë…
“3 lëndë në 6 orë” është nismë e dështuar.
E para, sepse nuk ka një tjetër vend të BE apo rajonit dhe botës ku zbatohet ky sistem;
E dyta, asnjë eksperiment apo nismë, qoftë edhe të studiuara mirë, nuk mund të ndërmerren në mes të një viti shkollor;
E treta, është një nismë e pabazuar në analiza, studime, konsultime. Ministria e Arsimit nuk është konsultuar as me Këshillin Rajonal të Arsimit Paraunivesriar (KRAP) që e ka detyrim ligjor (Ligji 69/2012/Neni 29);
E katërta, ende nuk janë shfuqizuar:
– Plani mësimor i arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm;
– Programet mësimore për çdo lëndë;
– Udhëzimi i vitit të ri shkollor;
– Udhëzimi për nxënësit e ngujuar;
– Udhëzimi për mësimin në shtëpi;
– Udhëzimi për nxënësit me aftësi dhe nevoja ndryshe;
– Udhëzimi për shkollat e mesme me kohë të pjesshme;
Planet, të cilat janë hartuar mbi bazën e sistemit mësimor aktual… e jo nismave të pastudiuara;
E pesta, nuk ka asnjë studim apo vlerësim si do të realizohet ky program mësimor në shkollat që kanë klasa kolektive, apo ai do të organizohet mësimi në shkollat me turne; apo si do të veprohet me nxënësit që ndjekin programin mësimor individual;
E gjashta, koha për trajnimin e mësuesve, drejtuesve të shkollave dhe implementimin e nismës është krejt e pamjaftueshme. Askush, as vetë mësuesit, nuk e kanë të qartë çfarë do të bëhet, kur, si, me çfarë… Një nismë që siç thotë Kryeministri Rama “ma tha një prind nëpërmjet një portali” – do të zbatohet për 600 mijë nxënës, 36 mijë mësues e drejtues shkollash… në vetëm 2 javë kohë.
E shtata, s’ka asnjë vlerësim si do të ndikojë kjo nismë mbi institucionet e arsimit privat, që sipas nenit 46 të Ligjit 69/2012 zbatojnë planin dhe programin mësimor të miratuar në momentin e licencimit. Për çdo ndryshim kërkohet miratimi i ministrit.
“3 lëndë në 6 orë” – një projekt që ngre dhjetëra pyetje, probleme e shqetësime, por një gjë dihet qysh në krye të herës, dështimi i tij (për fat të keq) do t’u faturohet mësuesve. Stresit të mungesës së kontratave, tani do ju shtohet edhe stresi i amullisë dhe pamundësisë së realizimit të një eksperimenti të rrezikshëm për sistemin arsimor…
Por ju e dini se Edi Kryeministër nuk ka kohë për t’u thelluar në mësime, nuk e ka bërë as kur ka qenë nxënës.
“3 lëndë në 6 orë” është një tjetër dëshmi se në krye të Ministrisë së Arsimit dhe të qeverisë kemi të pashkolluar!