30.5 C
Tirana
E martë, 15 Korrik, 2025

Rama i jep Fondacionit Soros një tjetër koncesion

Fondacioni Soros në Tiranë, rezulton financues i një studimi të dyshimtë, që i sugjeron qeverisë shqiptare të japë me koncesion-PPP rrjetin e të dhënave dhe kontrolleve të sigurisë ushqimore.
Një hulumtim i Hashtag.al zbuloi se, qeveria shqiptare dhe ky fondacion rezultojnë të sinkronizuar plotësisht lidhur me këtë projekt.
Le ta përmbledhim historinë në rend kronologjik:
-10 nëntor 2017, një shoqatë e quajtur AFI realizon një studim mbi sigurinë ushqimore, studimi jepte alarmin për produktet kancerogjene në ushqim. Studimi i AFI-t nuk ofronte asnjë analizë dhe asnjë emër laboratori, ishte thjesht një përmbledhje statistikore e disa rasteve të gjetura me probleme në të kaluarën. Në fund studimi sugjeronte dhënien me koncension të rrjetit të sigurisë ushqimore.
-16 nëntor 2017, kryeministri Edi Rama nëpërmjet një video-postimi në Facebook e shpall sigurinë ushqimore si prioritetin kyç të qeverisë: ‘Siguria Ushqimore prioritet kyç i mandatit të ri. Fund thertoreve të paligjshme. Standarde europiane, çertifikim i mishit që del në treg, rritje e punësimit dhe hapje e eksportit të mishit’, deklaronte Rama.
-14 dhjetor 2017, në media publikohen disa copëza nga raporti i AFI-t, ku jepej alarmi për sigurinë ushqimore, raporti i plotë nuk bëhej publik.
-15 dhjetor 2017, ministri i Bujqësisë Niko Peleshi deklaron se: ‘Duke marrë shkas edhe nga raporti i AFI, i kemi kërkuar institucioneve tona, laboratorit të referencës të ISUV dhe AKU që të verifikojnë situatën e qumështit dhe të ndërtojnë mbi këtë bazë planin për garantimin e standardeve dhe sigurisë ushqimore për produktet me origjinë shtazore dhe jo vetëm”.
Po çfarë ishte ky studim i shoqatës AFI dhe pse nuk u publikua i plotë?
Hashtag.al ka siguruar studimin e plotë (kliko këtu), ku në faqen e parë të këtij studimi shkruhet se financues është Fondacioni për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri (Fondacioni Soros).
Nga një vëzhgim i thjeshtë mbi këtë studim rezulton se, ajo çfarë paraqitet si studim është thjesht një përmbledhje statistikore me të dhëna nga policia/Prokuroria e rasteve kur janë konstatuar ushqime të pasigurta. Këto raste në fakt janë raste suksesi, pasi autoritetet kanë arritur të identifikojnë problemet dhe të çojnë përgjegjësit para ligjit.
Ndërsa pretendon për kontaminim të qumështit apo për probleme të produkteve shtazore, raporti nuk ofron asnjë analizë, asnjë emër laboratori se ku janë kryer analizat dhe asnjë të dhënë orientuese mbi metodologjinë e vlerësimit.
Raporti i AFI i financuar nga Soros, bëhet edhe më i dyshimtë kur në mungesë të analizave dhe të evidencave për situatën alarmante, jep si zgjidhje dhënien me koncesion të rrjetit të të dhënave dhe kontrolleve për sigurinë ushqimore. Paralelisht me këtë raport të Soros-it dhe me gatishmërinë e qeverisë për t’u bazuar te ky raport, disa media të financuara nga Fondacioni Soros në javët e fundit kanë ofruar shkrime që trajtojnë pasigurinë ushqimore dhe nevojën për ndërhyrje drastike të qeverisë.
Angazhimi i krahut mediatik të Fondacionit me çështjen e sigurisë ushqimore është tregues se Fondacioni e ka shpallur prioritet koncesionimin e sigurisë ushqimore.
Ky është rasti i parë, kur Fondacioni Soros në Tiranë angazhohet drejtpërdrejt në nxitjen e qeverisë shqiptare për shtimin e koncensioneve.
Në mandatin e kaluar të Ramës, rrjeti Soros ka luajtur rol të rëndësishëm në nxitjen e koncesioneve, por e kryente tërthorazi rolin e vet, duke përdorur marrëveshjen e qeverisë shqiptare me institutin e Ricardo Hausmann në Harvard.

Hashtag.al

Thaçi: Ndërhyrje brutale për Gjykatën Speciale

– Zoti President, sulmin ndaj Gjykatës së Posaçme duket se e keni filluar ju, të paktën që në tetor të vitit të kaluar, para se të fillonte peticioni i shoqatave të veteranëve të ish-UÇK-së. Argumentet e paraqitura prej jush janë të njëjta me ato që paraqitën kundërshtarët e Gjykatës së Posaçme në vitin 2015, argumente, që u debatuan dhe u kapërcyen, pasi u arrit në përfundimin se moskrijimi i gjykatës do ta dëmtonte më shumë Kosovën se sa krijimi i saj. Çfarë ka ndryshuar tani që ju po sillni të njëjtat argumente që i kapërcyet para dy vjetësh?
Realisht Kosova as ka qenë, as është e as do të jetë ndonjëherë kundër sistemit të drejtësisë. Kosova ka dëshmuar bashkëpunimin më të mirë prej të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë me Tribunalin e Hagës, duke u dorëzuar vullnetarisht në akuzat e para që kanë ndodhur edhe pse janë dëshmuar përsëri si të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Prandaj edhe sot, Kosova nuk është kundër sistemit të drejtësisë, nuk është për të ndërhyrë në sistemin e drejtësisë; tash opinionet e paraqitura nëpër debate duhen kuptuar si frymë e demokracisë, si debat i brendshëm dhe si opinione të shprehura prej kujtdo qoftë. Edhe opinionet negative që kanë qenë edhe kundërshtuese edhe armiqësore të vitit 2015 i kam kuptuar dhe respektuar si debat demokratik. Këtë proces që e kam udhëhequr me përkushtimin që të themelohet kjo gjykatë edhe pse e padrejtë historikisht, e kam bërë vetëm që të ruhet partneriteti me Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Prandaj edhe sot opinionet që paraqiten prej deputetëve janë opinione të njerëzve të zgjedhur, legjitimë dhe përfaqësues të popullit, proceduralisht të rregullta ligjore dhe kushtetuese; mendoj se ka një qasje të ekzagjerimit të opinionit të deputetëve të Parlamentit të Kosovës, sepse po ky Parlament edhe në vitin 2015 e ka miratuar. Përfaqësuesit e popullit sot kanë opinione të ndryshme për këtë çështje, por nga ajo që kam lexuar, askush nuk është kundër sistemit të drejtësisë, kundër gjykatës, por e shohin si një opsion alternativ.

– Ju keni thënë se jeni i gatshëm të nënshkruani nëse Parlamenti i Kosovës voton kundër Gjykatës së Posaçme?
Unë do të bëja shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruaja; e kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve.

– Zoti President, kur bëhet fjalë për çështjen e kufirit me Malin e Zi ju vazhdimisht keni bërë thirrje që marrëveshja të miratohet. Pse këto dallime duke pasur parasysh që si Gjykata edhe marrëveshja për kufirin janë detyrime ndërkombëtare që i ka marrë përsipër Kosova t’i zbatojë?
Gjykata e Posaçme është çështje ku vendimin e ka marrë Parlamenti i Kosovës dhe tani u takon partive politike të përfaqësuara në Parlament që të shprehin vendimin e tyre; pushtetet janë të ndara dhe unë nuk dal mbi Parlamentin, as nuk përzihem në Parlament, por i respektoj vendimet e Parlamentit botërisht dhe njëqind për qind. Pajtohem politikisht apo jo, unë e kam këtë obligim ligjor. Sa i përket çështjes së kufirit me Malin e Zi, kjo duhet të kryhet, është e saktë, e qartë, precize e punuar prej ekspertëve vendorë dhe atyre ndërkombëtarë dhe vlerësuar prej të gjithëve; çdo vonesë, në veçanti në javët e ardhshme, do të jetë shumë goditëse për perspektivën evropiane të vendit.

– Cili është qëndrimi juaj për Gjykatën e Posaçme? Duhet të funksionojë në bazë të ligjeve ekzistuese, duhet të ndryshohen ligjet për të, apo ligji duhet të shfuqizohet tërësisht?
Kosova duhet të vazhdojë të mbështesë sistemin e drejtësisë. Kosova duhet të trajtohet nga bashkësia ndërkombëtare e njëjtë sikurse është trajtuar çdo vend i ish-Jugosllavisë, Kroacia, Bosnja apo Serbia dhe të mos trajtohet e diskriminuar apo si një vend ku kanë ndodhur krime të ish-Jugosllavisë. Jo; burimi i krimeve në ish-Jugosllavi dhe gjenocidi është bërë nga Beogradi, i cili sot përkdhelet nga bashkësia ndërkombëtare dhe lojaliteti i Kosovës nëpërkëmbet apo ndëshkohet nga ndërkombëtarët.

– Por, ju tashmë e keni përkrahur këtë gjykatë?
Definitivisht. Institucionet e vendit kanë marrë vendimin, vendimi është në fuqi përderisa këto gjëra janë duke u diskutuar në Parlamentin e Kosovës prej deputetëve; duhet t’i dëgjojmë gjithashtu me vëmendje opinionet e deputetëve, të partive politike, shoqërisë civile dhe opinionet e të gjithëve, por në fund të fundit vendimi u takon deputetëve, vendim që edhe e kanë marrë.

– Do të thotë çfarëdo vendimi, ju do ta nënshkruani?
Të gjithë e dinë opinionin tim, angazhimin tim, përcaktimin tim edhe në qeveri edhe në Parlament, por edhe tash pushtetet janë të ndara dhe unë do t’i kryej obligimet e mia.

– Zoti President, emri juaj është pjesë e raportit të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty dhe është lakuar shpesh në medie si një nga të akuzuarit e mundshëm të kësaj gjykate. Për shumë nga kritikët është frika juaj dhe e udhëheqësve të tjerë të vendit që ka çuar në nismën për shfuqizimin e Gjykatës. Si u përgjigjeni pohimeve të tilla?
Të tillët kanë kritikuar edhe angazhimet e mia në vitin 2015 se po ndodhte themelimi i Gjykatës së Posaçme për shkak të çështjeve personale. Unë mendoj që ky proces duhet të depersonalizohet dhe të shikohet në prizmin e interesit strategjik të vendit dhe jo në rrafshin personal apo të fërkuarjes së duarve për ndonjë poenë politike të të dështuarve politikë në Kosovë apo të ndonjë përfaqësie të caktuar politike.

– A keni ju frikë nga Gjykata personalisht?
Nga drejtësia nuk kam, nuk kam pasur dhe nuk do të kem kurrë dhe është mirë që Kosova ka qenë shembulli më i mirë në rajon për bashkëpunim me drejtësinë. Kosova nuk ka asgjë për të fshehur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të pastër si loti; është lëvizja guerile më e suksesshme që ka ndodhur ndonjëherë në botë; ne nuk kemi sulmuar askënd; kemi zhvilluar luftën për ta larguar Serbinë nga Kosova dhe kjo është fitorja më e madhe e kombit.

– Zoti President, nisma për të shfuqizuar ligjin u pasua me reagime të ashpra të diplomatëve perëndimorë. Ambasadori amerikan, vendet e Quintit dhe Departamenti i Shtetit, reaguan ashpër brenda një harku kohor të shkurtër, duke paralajmëruar Kosovën për pasoja në proceset integruese. A jeni i shqetësuar me këto paralajmërime?
Jam i shqetësuar me ekzagjerimin që i bëhet këtij procesi të opinionit të deputetëve të Kosovës. Duhet kuptuar që vendimet në Parlament i marrin deputetët, njerëzit e zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo ndërhyrjet brutale apo të dhunshme ndaj grupeve parlamentare, apo thirrjet e ndonjë ambasadori të caktuar se sonte është koha me hedhë gaz lotsjellës në Parlament. Mendoj se këto thirrje e cenojnë rëndë demokracinë në Kosovë.

– Por, ky është një obligim ndërkombëtar që ka marrë Kosova.
Kosova është duke e respektuar, prandaj nuk ka nevojë për këto ekzagjerime, të cilat mendoj që kanë krijuar një panik krejt të panevojshëm te qytetarët e vendit.

– A nuk keni frikë se mund të ketë një izolim nga vendet perëndimore pas reagimeve të tyre?
Definitivisht jo. Kosova edhe kështu është e izoluar, sepse nuk ka viza. Themelimi i Ushtrisë së Kosovës është vonuar; nuk na lejohet që të aplikojmë për Interpol, për UNESCO, për Këshill të Evropës, gjë që ishin deklaruar qartë. Të tjerët mund të flasin, kush të dojë dhe si dëshiron, sepse as që ka qenë në rrjedha, por bashkësia ndërkombëtare është zotuar se do ta mbështesë në mënyrë më aktive në kryerjen e obligimeve që Kosova ka dhe ka marrë. Për fat të keq, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

– Por, zoti President, këto janë detyra të brendshme të Kosovës që duhet të përfundohen.
Neve na duhet mbështetja ta zëmë për anëtarësim në UNESCO. Por përderisa vjen ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dhe mban fjalim një ditë para se të votohet në Paris për UNESCO-n kundër Kosovës, mendoj që gatishmëria e të tjerëve ka munguar, pra që të ketë një angazhim dinamik dhe të nivelit të lartë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Ky ka qenë një projekt i përbashkët dhe për mua është plotësisht e padrejtë që i lejohet Serbisë të vendosë veton për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, kjo është e vërtetë. Në anën tjetër është plotësisht e padrejtë moslejimi që të aplikojmë për anëtarësim në Këshill të Evropës, në Interpol dhe mekanizma të tjera ndërkombëtare.

– Zoti President, një çështje që ditët e fundit ka nxitur debate është mosdhënia e vizës amerikane për Kryeministrin Haradinaj. A mendoni se kjo është e lidhur me kundërshtimin e tij ndaj Gjykatës së Posaçme?
Nuk mendoj, besoj dhe e di që nuk është kundërshtim për vizë, është aspekt procedural që duhet ta kalojnë të gjithë.

Thirrja e Berishës për përmbysje

Sali BERISHA

100 ditët e rekordeve më të zeza të Edi Ramës!
Të dashur miq, Noriega me narko-qeverinë e tij sapo kaloi 100 ditët e mandatit të tyre të grabitur!
Këto 100 ditë ishin dhe ditët e rekordeve më të zeza, më dramatike në historinë e pluralizmit shqiptar. Ato do mbeten të gdhendura me zift të zi në muret e kohës, si ditët e:
1- Aferës Tahiri-Habilaj, në të cilën Antimafia italiane faktoi me regjistrimet e saj se ministri i Brendshëm i narko-shtetit shqiptar ishte anëtar kryesor i bandës famoze të trafikut të drogës Habilaj dhe se;
2- Edivini, pas kërcënimit publik të Saimir Trafikut, bllokoi drejtësinë dhe nuk lejoi arrestimin e tij, duke dëshmuar se ishte skllav i dosjeve të veta si ajo e Xibrakës dhe faktoi se në Shqipëri ishte vendosur në mënyrë përfundimtare Narko-shteti.
3- Po lidhur me aferën Tahiri – Habilaj u arrestua në Elbasan Orest Sota, duke transportuar Tahirin dhe miliona euro të këtij të fundit.
3- Rama përsëri fshehu praninë e Tahirit në makinën e Sotës.
4- Operacioni “Forca e Ligjit” u faktua si operacioni “Forca e Krimit!”,
Qytetet si Elbasani, Shkodra, Vlora, Durrësi etj., janë tërësisht në duart e bandave të mafies qeveritare, të cilat bëjnë ligjin, vrasin dhe presin ditën për diell.
5- Këto 100 ditë Noriega i shpalli luftë opozitës dhe acaroi klimën politike si kurrë më parë në historinë e pluralizmit.
6- Këto 100 ditë neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama realizoi më së fundi ëndrrën e tij, që të bëhej në mënyrë antikushtetuese kryeprokuror i vendit dhe, me shpejtësi të rrufeshme nxori Orest Sotën nga burgu e i ktheu pasaportën Tahirit si dhe mbylli me shpejtësi dosjen e vet dhe të vëlla Olsit, dosjen e Xibrakës pra, dosjen e Tahirit, Gjushit dhe të gjitha dosjet e ministrave të tij.
7- Asnjë investim publik apo privat vendas apo i huaj nuk u bë këto 100 ditë në Shqipëri!
8- Kulla 24 katëshe Kristaq Rama përzuri nga Shqipëria Sheratonin, emrin më prestigjioz të hotelerisë dhe turizmit që ekzistonte në Shqipëri!
9- Këto 100 ditë Shqipëria ka prodhuar pas Koresë së Veriut më shumë lajme negative se sa çdo vend tjetër në botë.
Për herë të parë në histori mediat e huaja janë hapur me tituj si:
“Shqipëria vendi i kanibalizuar nga Kanabis”
“Shqipëria vendi i Narkoshtetit në Europë”
“Shqipëria kanabistan”
“Kolumbi në zemër të Europës” etj, etj.
10- Këto 100 ditë shqiptarët zunë vendin e parë në botë për kërkesat për azil në Francë duke lënë mbrapa shumë vendet në konflikt si Siria, Afganistani, Sudani etj.
Sot sipas studimeve të pakundërshtueshme në mbarë vendin ulurijnë sirenat e urisë dhe mjerimit. Në kryeqendrën e vendit Tiranë, 10% e fëmijëve hanë vetëm një vakt në ditë, 30% e familjeve nuk sigurojnë dot bukën e fëmijëve.
11- Këto 100 ditë Edvin Kristaq Rama bëri realitet premtimin e tij se në raste të fitores së Donald Trump, të cilin ai me urdhër të Soros e quajti “turp i qytetërimit”, ai do të prishtë marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA. Në përputhje me këtë premtim, ai, në kundërshtim flagrant me interesin kombëtar urdhëroi përfaqësuesen tonë në OKB të votojë rezolutën për dënimin e vendimit sovran të Presidentit dhe Kongresit të SHBA për njohjen e Jeruzalemit ashtu siç është de facto Kryeqytet i Izraelit.
Neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama me këtë akt të pabesë antikombëtar, antiamerikan, plagosi marrëdhëniet me partenerin tonë strategjik më kryesor SHBA, vend i cili në vitet 20 të shekullit të kaluar shpëtoi Shqipërinë nga coptimi dhe zhdukja përfundimtare e saj si shtet, dhe në vitin 1999 çliroi Kosovën, vendin me 95% mysliman shqiptar, nga pushtimi shekullor serb!
Të dashur miq, këto 100 ditë janë 100 thirrje për çdo shqiptar që të ngrihemi dhe të përmbysim sa më parë regjimin e narko-shtetit të Noriegës së Shqipërisë! Sb.

 

Suksesi tjetër i Trump në bisedimet e dy Koreve

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se është i hapur për bisedime me Korenë e Veriut “në kohën e duhur”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë Presidenti zhvilloi të mërkurën një bisedë telefonike me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in.
“Dy udhëheqësit theksuan rëndësinë e vazhdimit të fushatës së presionit maksimal ndaj Koresë së Veriut”, thuhet në një deklaratë të zyrës së sekretares së Shtypit, Sarah Huckabee Sanders, që i referohet bisedës.
“Presidenti Trump shprehet i hapur për të mbajtur bisedime mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut në kohën e duhur, nën rrethanat e duhura”, thotë deklarata.
Biseda u njoftua fillimisht nga zyra e Presidentit Moon. Ajo vjen një ditë pasi Koreja e Veriut dhe e Jugut zhvilluan bisedimet e tyre të para në më shumë se dy vjet.
Është hera e dytë që udhëheqësit e SHBA-së dhe Koresë së Jugut bisedojnë brenda më pak se një jave.
Deklarata e zyrës së Presidentit Moon bënte një karakterizim të ngjashëm, duke cituar Presidentin Trump që i thoshtë zotit Moon se “në kohën dhe rrethanat e përshtatshme, Shtetet e Bashkuara janë të hapura, nëse Koreja e Veriut dëshiron të bisedojë”.
Sipas deklaratës së Seulit, zoti Trump kishte rënë dakord se nuk do të kishte asnjë veprim ushtarak, ndërkohë që zhvillohen bisedime.
Më herët të mërkurën, zoti Moon theksoi se çnuklearizimi i Koresë së Veriut është qëllimi afatgjatë i përpjekjeve të tij për t’u angazhuar me Phenianin për të marrë pjesë në Lojërat e ardhshme Olimpike dhe për të rifilluar bisedimet ushtarake.
“Ajo që ne mund të bëjmë për momentin është përmirësimi i marrëdhënieve ndër-koreane, të angazhojmë Korenë e Veriut në dialog, në mënyrë që të kthehet në tryezën e negociatave, për të mbërritur në fund tek çnuklearizimi”, tha zoti Moon gjatë konferencës vjetore për shtyp të tij.

Bisedimet mes dy Koreve
Presidenti Moon, i cilësoi marrëveshjet e arritura gjatë bisedimeve ndër-koreane të martën, si një hap pozitiv i parë që mund të krijonte një pauzë në provokime dhe të nxiste diplomacinë.
Pas 11 orë bisedimesh mes delegacioneve të nivelit të lartë, u ra dakord për rivendosjen e një linjë telefonike urgjente të komunikimit mes dy vendeve, të zhvillohen bisedime në nivel ushtarak për të zgjidhur mosmarrëveshjet si dhe të shmangen konfliktet aksidentale në një kohë kur tensionet janë të larta mbi përpjekjet e Koresë së Veriut për zhvillimin e programit të raketave bërthamore të afta për të goditur Shtetet e Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu konfirmoi të mërkurën se nënpresidenti Mike Pence do të udhëheqë një delegacion të nivelit të lartë amerikan që do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore që mbahen muajin e ardhshëm në Korenë e Jugut.

 

Trump dhe arritjet e tij
Në konferencën e tij vjetore zoti Moon vlerësoi zotin Trump për ndihmën e tij në lehtësimin e bisedimeve ndër-koreane, duke rritur presionin përmes sanksioneve ndaj udhëheqjes së Koresë së Veriut.
Por udhëheqësi i Koresë së Jugut tha se qasja e tij, që nënkupton zvogëlimin e tensioneve përmes dialogut dhe angazhimit, ndryshon nga theksimi që i vë zoti Trump presionit ndaj qeverisë së Kim Jong Un-it me sanksione dhe kërcënim për përdorim të forcës ushtarake.
Koreja e Jugut, tha zoti Moon, dëshiron të ndjekë përpjekjet për çnuklearizim pa rrezikuar një luftë shkatërruese me Korenë e Veriut, që do të rrezikonte miliona koreanë në të dy anët e kufirit.
“Si mund të mos përshkallëzohet kjo çështje dhe si mund të parandalojmë një konflikt të armatosur të mundshëm dhe ndërsa bëjmë këtë të mund të sjellim Korenë e Veriut në tryezën e dialogut? Kjo është dilema jonë e tanishme dhe kjo kërkon një qasje të kujdesshme”, tha zoti Moon.
Ndërsa kreu i Koresë së Jugut tha se, qasja e tij ndaj Veriut nuk do të shkelte sanksionet e Kombeve të Bashkuara, kritikët thonë se angazhimi i tij mund të zvogëlojë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë Kim-it dhe të dobësojë aleancën ushtarake të SHBA-së me Korenë e Jugut.
Më parë, zoti Trump ka qenë kritik ndaj mundësisë së negociatave me udhëheqjen e Koresë së Veriut që ka thyer marrëveshjet e kaluara për t’i dhënë fund programit të saj bërthamor në këmbim të ndihmës ekonomike dhe garancive për siguri. Por këtë javë zoti Trump i quajti bisedimet ndër-koreane “një gjë të mirë” rezultat i qëndrimit të tij “të fortë dhe të palëkundur”, duke bërë të ditur se SHBA do të përfshiheshin “në kohën e duhur”.

A do të shesë Rusia gaz në SHBA?

Në fakt firmat e SHBA duan ta përzënë Rusinë nga tregu evropian i gazit natyror. Por tani është bërë e ditur se gaz i lëngshëm rus është shitur drejtpërdrejt në SHBA. Si shpjegohet kjo?
Rusia është eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror. Për dekada të tëra Moska ka qenë e varur nga gazsjellësit, të cilët e dërgonin gazin natyror që nga fushat e gazit në veri të vendit apo në Siberi për në Evropën Perëndimore. Një pjesë të madhe të biznesit Gazpromi vazhdon ta bëjë edhe më tej përmes këtyre gazsjellësve. Por për tubacionet e gazit ka shpesh grindje, sepse ato gjithmonë kalojnë në disa vende. Prandaj Kremlini përpiqet që ta zvogëlojë këtë varësi. Dhe fokusohet – si edhe eksportues të tjerë të gazit – tek gazi i lëngshëm. Në mënyrë të veçantë këtu është angazhuar prodhuesi i dytë i gazit të Rusisë, Novatek. Drejtori ekzekutiv i tij, Leonid Michelson, konsiderohet si njeriu më i pasur i Rusisë.

Vala e të ftohtit si shkak?
Novateku ka disa vite që ka zhvilluar në Gadishullin polar Jamal një sistem gjigant ekstraktimi të gazit të lëngshëm. Kjo sipërmarrje kontrollon atje 60 për qind të aksioneve. Por pjesë e lojës është edhe koncerni francez i naftës Total si dhe investitorë kinezë. Vëmendjen e tërhoqi këto ditë rrethana që gazi i lëngshëm nga Jamali është eksportuar përmes një tregtari francez për herë të parë në SHBA. Pikërisht në SHBA! Uashingtoni nuk lë gjë pa bërë për t’ia vështirësuar Rusisë eksportin e gazit në Evropë. Po tani është ai vetë që blen gaz nga Rusia?
Por kjo rrethanë është më pak spektakolare se ç’duket në vështrim të parë. Fakt është që vala e të ftohtit në SHBA sa të hapësh e të mbyllësh sytë i ka ngritur shumë çmimet e energjisë në SHBA. Për shkak të kësaj kapriçoje të motit papritur SHBA ka nevojë për gaz të lëngshëm dhe e blen këtë në tregun botëror. “Këtu nuk ka asgjë politike”, shpjegon Svjatoslav Bikh nga Analytical Center for the Government of the Russian Federation, një qendër kërkimore në Moskë.

Konsumatorët mund të përfitojnë
Zakonisht për Rusinë dhe shtete të tjera është e vështirë që të eksportojnë në SHBA. “Çmimet atje janë të ulëta, sepse amerikanët kanë vetë boll gaz natyror”, thotë Bikh. Ndoshta edhe në të ardhmen amerikanët do të marrin ndonjë anije-cisternë me gaz të lëngshëm nga Rusia. Por do të bëhet fjalë gjithmonë për sasi krahasimisht të vogla, besojnë ekspertët në Moskë.
Shumë më interesante është rrethana se si po ndryshon në të gjithë botën biznesi i energjisë: në një kohë që transporti i gazit përmes tubacioneve ka ndikuar që tregtia të bëhet gjithmonë rajonale, cisternat me gaz të lëngshëm bëjnë që edhe ky biznes të globalizohet gjithnjë e më shumë. Lufta e konkurencës po ashpërsohet. Konsumatorin kjo do ta gëzojë, sepse do t’i mbajë të ulëta çmimet.

Gjermania i kërkon SHBA-së të mbështesë marrëveshjen bërthamore me Iranin

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, tha se Bashkimi Evropian dëshiron të ruajë marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, ndërsa i bëri thirrje Uashingtonit që ta konsiderojë këtë marrëveshje si çështje të ndarë nga programi i Iranit me raketa balistike dhe roli i tij në luftën e Sirisë.
Gabriel i bëri këto komente para takimit në Bruksel me ministrat e Jashtëm të Iranit, Britanisë dhe Francës, i cili do të udhëhiqet nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Në këtë takim, fuqitë evropiane, që kanë ndihmuar në negocimin e marrëveshjes së vitit 2015, pritet të sigurojnë Teheranin se ato mbeten të përkushtuara ndaj saj.
Por, takimi vjen një ditë para afatit që kërkon nga Presidenti amerikan, Donald Trump, të deklarohet nëse SHBA do të vazhdojë mbështetjen për marrëveshjen bërthamore ose jo.
Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se mund të tërhiqet.
Irani ka paralajmëruar të mërkurën se do të tërhiqet nga marrëveshja, nëse edhe SHBA e bën një gjë të tillë.
Marrëveshja kërkon nga Irani të frenojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Ku do të përdoret tani gjuha shqipe në Maqedoni!

Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve të bashkësive etnike me të cilin avancohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe në të gjitha organet e pushtetit qendror. Ligji u miratua me 69 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Në seancë nuk morën pjesë deputetët e opozitës maqedonase të udhëhequr nga VMRO DPMNE, e cila këtë ligj e cilëson si antikushtetues.
Partia shqiptare në opozitë, Lëvizja Besa, konsideron se ligji në fjalë edhe pse ka marrë votat e 5 deputetëve saj, nuk është as për së afërmi ai për çfarë ishte zotuar kjo parti në Deklaratën e Partive Politike shqiptare vitin e kaluar.
“Në këso rrethana, me këtë ligj është bërë vetëm një avancim, por shqipja edhe më tej mbetet gjuhë që përkthehet ose prej së cilës duhet të përkthehet. Shteti akoma do të flasë vetëm maqedonisht, ndërsa për nevoja të të kuptuarit, ajo mund të përkthehet. Madje, edhe aty ku nuk ka asnjë maqedonas, shqipja mund të përdoret vetëm nëse dokumenti është bërë maqedonisht. Kjo i bie se shqipja vetvetiu nuk është gjuhë zyrtare, por për nevoja të komunikimit mund të flitet dhe të shkruhet edhe shqip”, tha për Radion “Evropa e Lirë”, Zeqiria Ibraimi nga Lëvizja Besa.
Ndërkaq Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari thotë se gjuha shqipe në këtë format ka marrë pozitën më të mundshme që e lejon ligji.
“Ky ligj që ka kaluar është ajo që mund të sigurohej maksimalisht sa i përket zyrtarizmit të gjuhës shqipe. Normalisht se kjo nuk është e mjaftueshme. Në rastin konkret gjuha shqipe do të kishte status të barabartë vetëm kur të ndryshohet Kushtetuta. Dhe kjo formë është maksimumi që mund të marrë shqipja si gjuhë zyrtare pa rënë ndesh me gjykatën kushtetuese”, thotë Arben Taravari.
Ndërkaq Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti, konsideron se me ligjin në fjalë mbyllet një pjesë shumë e rëndësishme e Marrëveshjes së Ohrit, gjersa lidhja e Social Demokrate e Maqedonisë e drejtuar nga kryeministri, Zoran Zaev, thotë se ligji për gjuhën shqipe është një nga premtimet parazgjedhore të kësaj partie, e cila u realizua në afatin e paraparë.
Sipas dispozitave të ligjit të miratuar, gjuha shqipe do të përdoret për herë të parë edhe në qeveri, si në të folur edhe në të shkruar. Trajtim të njëjtë do të ketë edhe në Kuvend, përfshirë edhe kryesuesin e seancave nëse është shqiptar, por edhe në të gjitha organet e tjera të pushtetit qendror, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, komisionet.
Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe është formuluar si “gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës”. Ajo do të zbatohet edhe në të gjitha tabelat udhëzuese të institucioneve shtetërore dhe në komunat ku gjuha shqipe përdoret mbi 20 për qind të popullatës së përgjithshme.
Gjuha shqipe do të përdoret edhe në të gjitha mbishkrimet e institucioneve të nivelit qendror, krahas atyre në pushtetin lokal ku gjithashtu gjuha shqipe është zyrtare në komunat ku shqiptarët përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës.
Gjuha shqipe nuk do të përdoret në bankënota dhe në uniformat e Armatës, por partnerët e koalicionit qeverisës, kanë arritur marrëveshje që në bankënota të përdoren simbole kulti që do të reflektojnë edhe ato shqiptare. Sa u përket uniformave të policisë, punonjësve të shëndetësisë dhe zjarrfikësve, gjuha shqipe do të figurojë vetëm në ato komuna ku së paku 20 për qind e popullatës e flasin gjuhën shqipe.
Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të dekretohet edhe nga Presidenti Gjorge Ivanov, i cili në disa paraqitje ka shprehur rezerva ndaj përmbajtjes së tij, duke mos e përjashtuar edhe mundësinë e refuzimit të ligjit. Në rast se kjo ndodhë, atëherë ligji duhet sërish të kthehet në procedurë parlamentare.
Historianët dhe emri
Disa historianë dhe akademikë maqedonas kanë theksuar se nuk duhet të ketë referendum për çështjen e emrit në të cilin do të vendosin gjithë qytetarët e Maqedonisë, sepse sipas tyre emri i Maqedonisë, gjuha dhe identiteti janë e drejtë ekskluzive vetëm e maqedonasve. “Është jo e natyrshme të ketë referendum për votim të një kombi, ku për këtë, me votim do të vendosnin qytetarë jo-maqedonas, gjegjësishtë komunitetet e tjera etnike”, thotë kryetari i TMRO Vanço Shehtanski.
Por historiani Skënder Asani mendon krejtësisht ndryshe. Sipas tij disa qarqet maqedonase e kanë lidhur artificialisht identitetin-emrin e shtetit për t’i mënjanuar shqiptarët nga shtetformësia e tyre dhe për të qenë të barabartë në shtet në aspektin institucional. Nëse shqiptarët mënjanohen nga bisedimet me Greqinë, atëhere Maqedonia nuk do të ketë perspektivë si shtet, vlerëson Asani. “Rrethanat historike janë ndryshe. Shtylla kryesore për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë për çështjen e emrit janë shqiptarët, sepse në qoftë se mënjanohen shqiptarët unë jam i bindur se Maqedonia nuk do të ketë perspektivë si shtet, sepse shqiptarët ndër vite kanë dëshmuar se janë faktor stabiliteti në Ballkan e pranuar edhe nga Bashkësia ndërkombëtare”, vlerëson Skënder Asani.

Gjermania dhe Franca të shqetësuara për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Dy emisarë nga ministritë e jashtme të Gjermanisë e Francës Dr. Christian Hellbach dhe Thomas Bertin janë në Prishtinë. Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.
Presioni ndërkombëtar ndaj udhëheqësve të institucioneve të Kosovës që mos ta zhbëjnë ligjin për Gjykatën Speciale për Krime Lufte nuk ka të ndalur. Dy emisarë, njëri nga Gjermania dhe një nga Franca erdhën të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë për, siç thuhet, t’i bindin udhëheqësit politik kosovarë që të heqin dorë nga synimet për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Takim me Presidentin Thaçi
Dr. Christian Hellbach, i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, z. Thomas Bertin, të mërkurën në mbrëmje takuan Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe udhëheqësit e lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën.
Gjatë ditës së enjte të dy emisarët Christian Hellbach dhe Thomas Bertin takojnë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Takimet e ndara u zhvilluan larg syrit të medias. Ambasada gjermane, sapo emisarët gjerman dhe francez erdhën në Prishtinë bëri të ditur nëpërmjet një komunikate për media se vizita zhvillohet në spondin e shqetësimeve rreth Gjykatës Speciale. “Vizita zhvillohet në sfondin e shqetësimeve në Berlin dhe Paris lidhur me përpjekjet e fundit për të shfuqizuar ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e prokurorit të specializuar. Tema të tjera për t’u diskutuar përfshijnë domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe qeverisjes së mirë, të cilat janë thelbësore për afrimin e mëtejshëm të Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në komunikatën me shkrim të ambasadës gjermane në Prishtinë.

Nisma ende në fuqi
Deputetët e Parlamentit të Kosovës janë në pushim deri me 15 janar, mirëpo, nisma për thirrjen e një seance të jashtzakonshme për ta shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale akoma nuk është shuar. Ishin 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës që bënë përpjekje për ta shfuqizuar ligjin për këtë gjykatë, mirëpo, reagimet nga komuniteti ndërkombëtar dhe vendet e QUINT, ishin të ashpra.
Ambasadorët e këtyre shteteve të akredituar në Prishtinë u shprehen “të dëshpëruar nga një nismë që doli nga asgjëkundi, pa debat publik për një çështje me interes thelbësor për qytetarët e Kosovës”. “Këto përpjekje, nëse kanë sukses, do të kenë ndikime të thella negative për të ardhmen e Kosovës si pjesë e Evropës”, u tha ndër të tjera në reagimet e ambasadorëve të QUINT.
Për Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, zhurma dhe shqetësimi i komunitetit ndërkombëtar rreth nismës së deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, janë të ekzagjeruara. “Vendimi për ngritjen e Gjykatës Speciale është në fuqi, ndërsa janë të panevojshme teprimet rreth kësaj çështjeje, duke krijuar një panik tek qytetarët e vendit”, tha Presidenti Thaçi për mediat në Prishtinë. Presidenti Thaçi, tha se nëse Kuvendi i Kosovës e shfuqizon ligjin për Gjykatën Speciale, ai do ta nënshkruajë atë ligj, sepse në të kundërtën siç shprehet ai do të bënte shkelje kushtetuese nëse nuk do ta nënshkruante ligjin. “E kam obligim kushtetues e ligjor dhe nuk mund të mohoj apo kthej vullnetin e deputetëve”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Tunizi, shpërthejnë protestat anti-qeveritare

Mbi 300 njerëz janë arrestuar natën e shkuar në Tunizi, ku njerëzit kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër masave të kursimit, të ndërmarra nga qeveria.
Policia ka përdorur gazin lotsjellës kundër turmave të zemëruara për rritjen e çmimeve të produkteve bazë.
Ushtria është shpërndarë gjithandej për të mbrojtur ndërtesat qeveritare, që janë bërë shënjestra të sulmeve të protestuesve.
Kryeministri i Tunizisë, Youssef Chahed, i dënoi aktet e “vandalizmit” nga protestuesit, duke thënë se ata kanë bërë përpjekje të dobësojnë shtetin.
Protesta, ditëve të fundit, janë zhvilluar në së paku dhjetë qytete, përfshirë kryeqytetin Tunis.
Ato vijnë pasi qeveria ka njoftuar për rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Viti i ri financiar ka sjellë po ashtu rritje të çmimeve të disa mallrave dhe rritje të taksave mbi importet.
Ekonomia e Tunizisë lufton që nga revolucioni i vitit 2011, kur presidenti Zine El Abidine Ben Ali është detyruar të largohet pas më shumë se 20 vjetësh në pushtet.
Revolucioni është shkaktuar nga normat e larta të papunësisë në vend dhe shqetësimet për korrupsionin.

Merkel: “Ditë e vështirë” në bisedimet për koalicionin gjerman

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se blloku i saj konservator dhe social-demokratët vazhdojnë të kenë pengesa që duhet të qartësohen, përpara se të hyjnë në bisedime formale për koalicionin.
Duke folur në ditën e fundit të bisedimeve eksploruese, Merkel tha se do të jetë “një ditë e vështirë”, porse ajo “do të angazhohet me gjithë energjinë”.
Merkel tha se gjermanët presin rezultate.
Më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve federale, Gjermania nuk ka ende qeveri.
Merkel, e cila synon mandatin e katërt si kancelare, mbështet shpresat te bisedimet e suksesshme me social-demokratët, për formimin e “koalicionit të madh”.
Një koalicion i ngjashëm e ka udhëhequr Gjermaninë, ekonominë më të madhe në Evropë, nga viti 2013 deri më 2017.