29.1 C
Tirana
E martë, 15 Korrik, 2025

Roma fal “rebelin” Nainggolan

“Nuk ka asnjë çështje Nainggolan. Futbollisti ka kërkuar ndjesë për festën që bëri në fund të vitit dhe kërkoi të qëndronte në krah të drejtuesve në tribunë gjatë ndeshjes së kaluar. Është stërvitur me ne çdo ditë dhe do të jetë titullar kundër Inter, sepse e meriton, këto kanë qenë fjalët e trajnerit të AS Roma, Eusebio di Francesco. Ai u la jashtë në ndeshjen e fundit si një zgjedhje etike dhe morale karshi pjesës tjetër të skuadrës, por tani unë po mendoj vetëm si skuadra ime të kthehet e fortë, ashtu si ishte 20 ditë më parë”.
Fillimi i sezonit nga verdhekuqtë ishte i shkëlqyer, por më pas kanë ardhur vetëm 4 pikë në 5 ndeshjet e fundit. Di Francesco shpjegon: “Duam të rikthehemi sërish protagonistë në kampionat dhe të jemi skuadra zbulim e Champions League. Nuk mund të luajmë aq keq sa në pjesën e parë kundër Atalanta. Është e vërtetë se nuk kemi treguar as në të kaluarën se mund të luftojmë për titullin në Serie A, por duhet të ruajmë optimizmin dhe të largojmë ndjesitë negative të kohëve të fundit. Është detyra ime si trajner që ta kthej Romën atje ku ishte në fillim të dhjetorit”.

Ramires hap derën për Interin

Interi po kalon një kohë të vështirë pas një fillimi të shkëlqyeshëm të sezonit. Menaxhmenti zikaltër po punon për ta mbështetur skuadrën sa më shumë të jetë e mundur. Për disa kohë nuk është folur për ish-lojtarin e Chelsea, Ramires, i cili tani shprehet drejtpërdrejt nga tërheqja e Jiangsu Suning në Marbella. I intervistuar nga mikrofoni i “Sky Sport”, mesfushori brazilian hap derën për Interin: “Unë jam këtu për të filluar përgatitjen, pastaj do të shohim se çfarë ndodh. Nëse Interi ka folur me menaxherin tim, kjo është një gjë pozitive. Përderisa Interi është i interesuar për mua, kjo do të thotë se jam duke punuar mirë, ndaj duhet të vazhdoj kështu. Nëse duhet të ketë një shans për të shkuar tek Interi do të isha shumë i lumtur, por unë jam ende te Jiangsu dhe duhet të përqendrohem këtu. Nëse do të kthehesha në Europë për të luajtur në një klub të madh, do të isha i lumtur. Jam gati”.
Pengesa kryesore është angazhimi i lartë i lojtarit, i cili shpreson, megjithatë, në mbylljen e marrëveshjes: “Nuk varet vetëm nga unë çështja e reduktimit të angazhimit financiar apo jo, ka disa palë të përfshira. Të gjithë duhet të jenë të kënaqur, si Jiangsu, edhe Interi. Shpresoj se mund të arrijmë një marrëveshje”.
Ai nuk ka kontakt me Spalletin, por mesazhi i Ramires është i qartë: “Unë nuk arrita të flisja me Spalletin, kur Interi erdhi në Kinë. Nuk kisha mundësi ta takoja atë për shkak të kohës së ndryshme të trajnimit mes nesh dhe atyre, por është trajner i madh. E njoh atë para se të arrinte tek Interi, jam i lumtur që dikush si ai më ndjek mua”.

Allegri te Chelsea

Massimiliano Allegri është në krye të listës së Chelsea-t që po kërkon pasardhësin e Antonio Kontes dhe ai tashmë ka arritur marrëveshjen për t’u transferuar në “Stamford Bridge”. Me Konten që pritet të largohet nga kampionët në fuqi të Premier League në fund të sezonit, raportet në Itali besojnë se trajneri i Juventus është i pari në radhë për të marrë drejtimin e skuadrës londineze. “Corriere dello Sport” pretendon se Allegri është kandidati kryesor për të zëvendësuar trajnerin që zëvendësoi tek Juventus më 2014.
Gazeta raporton se Juventus nuk ka ndërmend të heqë dorë prej trajnerit, i cili ka një kontratë deri më 2020. Allegri ka fituar titullin e Serie A në tre sezonet e tij të para në Torino dhe skuadra e tij aktualisht është në vend të dytë të renditjes, një pikë pas kryesuesve të Napolit.
Ai gjithashtu ka udhëhequr gjigantët italianë në dy finale të Champions League, por i ka humbur të dyja si ndaj Barcelona-s më 2015 ashtu edhe ndaj Real Madrid më 2017. Konte ka vuajtur të replikojë sezonin e kaluar te Chelsea, ku u shpall kampion pas një paraqitje fantastike të skuadrës së tij.
Max Allegri ka arritur shifrën e 200 fitoreve në Seria A, 100 prej të cilave në stolin e Juventusit, “autostradën” e tij. Pas një humbjeje me Lucenton dhe dy finaleve të Ligës së Kampionëve në tri vite, Max ka imponuar ligjet e thjeshtësisë, menaxhimit pa ankth, gjeometrisë së ndryshueshme, stomakut bosh dhe stolit të plotë. Historia e tij është thënë sot nga Matteo della Vite në faqet e “Gazzetta dello Sport”. Thelbi është se, në qoftë se dikur ishte Juventusi i Del Pieros, ose Viallit; Platini, ose Tevez; apo Pogba dhe Pirlo, të trajnuar nga fituesit Lippi, Trapatoni dhe Konte, tani kemi të bëjmë me “sundimin” e një busulle në stol. Ky është Juventusi i Allegrit, i cili synon të barazojë Carlo Carcano me 4 kampionate të fituara rresht.
Ndërkohë, Sami Khedira beson se Juventusi mund ta fitojë Championsin këtë vit. Khedira është një nga shtyllat e mesfushës së Juventusit, teksa me besueshmëri dhe urtësi u shërben taktikave të Massimiliano Allegrit. I intervistuar nga “Sky”, Khedira hedh shikimin e tij në pjesën e dytë të sezonit: “Ky edicion është i ndryshëm nga të tjerët, sepse në garën për kreun e Seria A ka kaq shumë ekipe të larta, Napoli sigurisht, por edhe Inter, Roma, Lazio, Juventus natyrisht, kështu që është edhe më e vështirë për ta fituar titullin. Ne kemi për të punuar edhe më shumë, do të përpiqemi për ta fituar atë.
Është e rëndësishme për të qëndruar të fokusuar, por unë mendoj se këtë vit do të jetë më e vështirë për ta përsëritur titullin. Liga e Kampionëve? Në fazën e grupeve mund të paraqiten disa surpriza, si çdo vit, por turneu i vërtetë fillon në raundin e dytë. Nuk ka një favorit të vetëm. Është Bayern Munich me trajnerin e ri, Manchester City apo PSG, që kanë një pjesë të madhe lojtarësh ekonomikë dhe cilësorë në dispozicion; po ashtu Real Madrid, Barcelona, Juventus. Janë shumë ekipe, që mund ta fitojnë Ligën e Kampionëve…”.

Kane: Dua të jem çdo vit përpara Mesit e Ronaldos

Ylli i Totenham, Harry Kane, ka shqyrtuar të gjitha lajmet dhe ka qenë ambicioz, duke pranuar se “dua të jem çdo vit përpara Mesit dhe Cristiano Ronaldos”, në një intervistë me “ESPN”. Në sezonin e Tottenhamit, sulmuesi anglez ka pranuar se “ne do të kishim dashur të bëjmë më mirë, por Manchester City na ka shpëtuar”. Kane i referohet Premier League, ku “qytetarët” janë arratisur në krye të renditjes. Megjithatë, referenca e “spursit” ka qenë optimiste: “Nuk mund të dekurajohemi, ne kemi një sezon të mirë. Jemi të gjallë në Champions dhe Fa Cup. Duhet të përqendrohemi në këto dy gara dhe të presim për vitin e ardhshëm”. Duke folur për stadiumin e ri, sulmuesi e pret atë me padurim: “Do të jetë e pabesueshme. Atmosfera që do të krijohet në të do të bëjë që ekipet që vijnë atje të kalojnë nëpër vështirësi”.
Duhet të mbahet mend se Harry Kane e përfundoi vitin 2017 si golashënuesi më i mirë në futbollin europian, përpara Mesit dhe Cristiano Ronaldos. “Mesi dhe Ronaldo do të jenë lojtarët më të mirë në histori. Për të qenë në lartësinë e tij dhe madje, para tyre, për mua është një krenari, thotë Kane, i cili sakrificat e tij i di mirë: Unë kam sakrifikuar shumicën e kohës time për futbollin. Ju trajnoheni, luani dhe pushoni. Kjo është jeta e një futbollisti. Unë nuk jam duke u ankuar, sepse është diçka që më pëlqen ta bëj. Jo të gjithë lojtarët bëjnë atë që unë bëj. Disa mund të shkojnë jashtë, për të ngrënë nëpër lokale, ndërsa unë mendoj se është më mirë të pushosh dhe të jesh me familjen, për të dhënë më të mirën”. Kane u pyet për një ish-sulmues, me të cilin do t’i pëlqente të ndante të njëjtën dhomë zhveshjesh. Sulmuesi anglez nuk kishte dyshime për përgjigjen: “Ronaldo, braziliani. Aftësia e tij, loja e tij…, kishte gjithçka”.

Skriniar: Kjo është ajo që dua nga 2018-a

Ka përfunduar në shënjesterën e Barcelona-s dhe Manchester City, por Milan Skriniar mendon vetëm për Inter. “Të largohem nga Inter? Nuk besoj, jam i kënaqur këtu ku jam dhe besoj se do të luaj për një kohë të gjatë”, ka thënë mbrojtësi. “Objektivi im për 2018-ën është që ta vazhdoj me këto paraqitje, për të luajtur sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe të vazhdoj të ndihmoj skuadrën”.
Më pas ka ardhur edhe një koment mbi momentin që po kalon skuadra zikaltër: “Çfarë po ndodh? Është e vështirë të thuhet, nuk shënojmë më, nuk luajmë më mirë. Jemi në krizë, por besoj se do të dalim shumë shpejt”.

Titulli i fituar “de facto”, por Bundesliga ka ende për të dhuruar

Vjet në këtë kohë, Bayern Munchen kishte mundur Leipzigun duke rrëzuar debutuesit nga kreu i renditjes, ndërsa një skuadër si Hoffenheim nuk kishte pësuar ende humbjen e parë në Bundesliga. Ndërkohë, këtë vit nuk ka kaq aksion në një prej kampionateve kryesore, por gjithsesi ka disa çështje që tërheqin vëmendjen e tifozëve.
Bavarezët kanë krijuar një hendek të madh me ndjekësit, e 11 pikë i japin titullin “de facto” para kohe ndaj një grupi ndjekësish që nuk kanë fituar as 50% të ndeshjeve.
Ndërsa tifozët e Borussia Dortmundit presin se çfarë do të rezervojë gjysma e dytë e sezonit. Peter Stöger ka stabilizuar ekipin, por problemet e thella mbeten. Merkatoja e dimrit u hap me spekulimet rreth shitjes së Aubameyang, por veç tij, mbrojtja e brishtë është në fokusin kryesor të trajnerit austriak.
Një tjetër diskutim vërtitet rreth Julian Nagelsmann. Trajneri i talentuar i Hoffenheimit i ka premtuar vetes se do të bëjë hapin e madh të karrierës, por askush nuk e di nëse do të arrijë të bindë edhe më skeptikët te Bayern, për të marrë stolin e kampionëve. 30-vjeçari, që është më i vogël edhe se disa lojtarë të skuadrës së tij, ka reputacion të lartë dhe Bayerni mund ta konsiderojë bastin e dekadës.
Ndërkohë, ditët kur Hamburgu ishte një superfuqi në Bundesligë kanë përfunduar dhe tani ka pikëpyetje nëse skuadra veriore do të arrijë të mbijetojë “in extremis” edhe këtë sezon. Hamburgu mbetet skuadra e vetme që nuk ka zbritur kurrë në histori nga Bundesliga, por dy pikë në 4 ndeshjet e fundit janë vërtet një mesatare katastrofë dhe kalendari i afërt nuk e favorizon.
Këlni është edhe më keq, pasi iu deshën 17 ndeshje, dy trajnerë dhe dy menaxherë të përgjithshëm, për një fitore të shumëndërruar. Zbritja në kategorinë që lanë në vitin 2014 i frikëson lojtarët e qytetit me katedralen më të famshme të Gjermanisë. Përqindja e humbjeve këtë sezon është 75%, shumë pranë rekordit të Tasmanisë me 85%, por golavarazhi është edhe më keq: 10 gola të shënuar dhe 32 të pësuar.

13 milionë euro për një vendim të çmenduri

Një nismë që nisi si hakmarrje politike e Ramës me shkatërrimin e një pallati me leje në Vlorë do t’u kushtojë shqiptarëve jo pak, por plot 13 milionë euro. Vendimi është vulosur nga Gjykata e Strasburgut, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Dje, kjo gjykatë ka rrëzuar qeverinë Rama për çështjen e pallatit të shkatërruar në Vlorë në vitin 2013 për ndërtimin e ‘Lungomares’.
Gjykata e Strasburgut ka vendosur në mënyrë unanime se qeveria shqiptare ka shkelur të drejtat e njeriut dhe urdhëron qeverinë shqiptare të dëmshpërblejë familjarët e dëmtuar nga shembja e pallatit. Sipas vendimit, qeveria shqiptare duhet të paguajë 13 milionë euro për vendimin e shkatërrimit të një pallati banimi të pajisur me leje të rregullt. Vendimi i Gjykatës së Strasburgut hap një precedent për çdo qytetar prona e të cilit shkatërrohet në mënyrë të paligjshme nga qeveria.
Kompleksi “Jon” në afërsi të Ujit të Ftohtë në Vlorë është rrafshuar përfundimisht pas marrjes së pushtetit nga Rama në vitin 2013. Shembja e pallatit shkaktoi shumë debate. Qeveria kishte dëmshpërblyer me 11.6 milionë euro pronarët e pallatit, por çështja u dërgua në Strasburg. Ky vendim i Gjykatës së Strasburgut hap një precedent të ri për çdo qytetar, të cilit prona i shkatërrohet nga shteti. Gjyqtarët e Strasburgut kanë arritur në përfundimin se, shteti shqiptar është përgjegjës për shkeljen e disa neneve të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas vendimit të Strasburgut, shteti shqiptar ka 3 muaj kohë për të paguar dëmshpërblimin prej 13 milionë euro pronarëve të pallatit. Kujtojmë se kjo nuk është kosotja e vetme që taksapaguesit shqiptarë kanë paguar për shembjen e këtij pallati. Në vitin 2013 me VKM qeveria pagoi 462 919 230 lekë për shpronësimin e 19 familjeve të këtij pallati.
Kompleksi në fjalë “Godinë banimi dhe shërbime 5 kate + 1 kat papafingo + 1 kat nëntokë dyqane”, në lagjen “Uji i Ftohtë” ishte ndërtuar nga subjekti “G.B-A KONSTRUKSION”, me pronar Xhuvi Sharxhi dhe Xhafer Isufi në bazë të lejes së ndërtimit të miratuar nga KRT-ja e Bashkisë Vlorë në 2010. Pra, leja për këtë pallati ishte dhënë nga Shpëtim Gjika, asokohe kryetari socialist i Bashkisë së Vlorës. Gjatë viteve të fundit shumë shqiptarë i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut për të zgjidhur çështje kundër shtetit shqiptar, veçanërisht ato me objekt të drejtën e pronës. Shumë familje kanë fituar çështjet kundër qeverisë, duke përfituar miliona euro dëmshpërblim, për tokat e pakthyera.
Megjithatë rasti i pallatit në Vlorë është i pari që bën fjalë për një ndërtesë të ligjshme të shembur. Ky vendim mund të bëhet precedent për shumë raste kur Qeveria Rama ka shembur prona private të pajisura me letra, në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e njeriut. Mjafton të përmendim rastin e banorëve në Shkozë e Himarë gjatë muajve të fundit, ku qeveria shqiptare shkeli hapur të drejtat kushtetuese të qytetarëve. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese e sanksionuar në Nenin 42, i cili shprehet: E drejta e pronës private është e garantuar. Shpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë. Po ashtu e drejta e pronës është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet: Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij. Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve.

Strasburgu 33 milionë euro gjobë Shqipërisë në 33 vendime

Vetëm 33 vendime të marra nga Gjykata Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe fatura që ka rënduar mbi buxhetin e shtetit shqiptar, ka qenë rreth 33 milionë euro. “Karagjozi”, “Puto” “Vrioni” “Çoko” si edhe “Dhimertika”, janë disa prej çështjeve më me peshë, për të cilat Strasburgu është shprehur në favor të tyre. Jo më kot të cilësuara me peshë, pasi vlera e kompensimit për secilin prej këtyre familjeve shkon deri në miliona euro. Në studimin e paraqitur nga Petër Saraçi, anëtar i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, janë renditur të gjitha vendimet e dhëna ndër vite si edhe masa e kompensimit për secilin prej tyre. “Ky punim shqyrton të gjitha vendimet e humbura nga shteti shqiptar. Duke aplikuar metodologjinë dhe çmimet e përfituara nga praktika ndërkombëtare, arrin për herë të parë të përcaktojë detyrimin real kundrejt shpronësimeve të paligjshme të bëra nga shteti shqiptar”, nënvijëzon Saraçi. Për të gjitha vendimet e dhëna nga Strasburgu, në llogaritjen e masës së kompensimit janë marrë si referuese çmimet për metër katror të miratuara në 2008-ën. Sipas Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, Strasburgu nuk e ka njohur formulën e propozuar në ligjin e ri të pronave, i cili ka nisur zbatimin, pavarësisht zërave kundër. Këtë muaj pritet që kjo Gjykatë të dalë me një qëndrim zyrtar mbi këtë ligj.

Në 2017-ën u mbyllën 13 mijë biznese, edhe ky vit nis keq

Ka arritur në 13 mijë numri i bizneseve që kanë kaluar në status pasiv gjatë gjithë vitit 2017, sipas të dhënave të subjekteve me status pasiv të publikuara nga Tatimet dhe të përpunuara nga “Monitor”. Me këto ritme, rezulton që në Shqipëri janë mbyllur gati 50 biznese në ditë gjatë vitit 2017, duke përjashtuar fundjavat. Numri më i lartë i subjekteve të mbyllura është në Tiranë, me rreth 4,120. Në Durrës janë mbyllur rreth 1,900 subjekte, në Vlorë 1,085, në Fier 802, në Elbasan 673. Pjesa më e madhe e bizneseve të mbyllura janë persona fizikë, të vetëpunësuar, që kishin hapur subjektet me emrat e tyre. Biznese të tilla, kryesisht në tregti me pakicë, hapen dhe mbyllen vazhdimisht, teksa konkurrenca nga rrjetet e organizuara të tregtisë po shtohen ndjeshëm. Lokalet janë një tjetër kategori që falimentojnë vazhdimisht. 10 kompani janë nga Drejtoria e Tatimpaguesve të Mëdhenj, kryesisht në fushën e naftës. Në krahasim me një vit më parë, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv ka rënë ndjeshëm. Po sipas tatimeve, në 2016-ën rezultojnë që u mbyllën mbi 23 mijë biznese, ku vetëm në datën 6 maj kaluan në status pasiv rreth 9700 subjekte (të hapura para rreth një dekade dhe që ishin pa aktivitet). Dy vitet e fundit, Tatimet kanë zhvilluar një proces intensiv për pastrimin e listës së kompanive, duke evidentuar subjektet me status pasiv dhe duke kaluar me këtë status bizneset që kishin më shumë se 12 muaj pa deklaruar asnjë aktivitet. Në total, janë rreth 111 mijë kompani që kanë kaluar me status pasiv, të hapura që nga fillimi i viteve ‘90 e deri tani. Nga ky proces, tatimet identifikuan edhe shumë subjekte që ishin në status pasiv, të cilat ushtronin aktivitet (lëshonin fatura), të cilat u kaluan automatikisht në status aktiv, ndërsa kompanitë që kishin punuar me to u paralajmëruan që të ishin të kujdesshme dhe të verifikonin nëse subjektet me të cilat japin e marrin fatura ishin aktive.

Nga 1 prilli, bizneset e vogla me TVSH

Nga 1 prilli, subjektet me xhiro vjetore mbi 2 milionë lekë do të paguajnë TVSH, sipas vendimit të marrë nga qeveria në fund të vitit të kaluar. Tatimet kanë njoftuar tashmë tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar) dhe të bëjnë inventarët. Albert Nasta, kryetar i shoqatës së biznesit të vogël, tha për “Monitor” se, ky vendim i ka gjetur të përgatitur sipërmarrjet, të cilat nuk kanë njohuri për procedurat e përfshirjes në skemën e TVSH-së. Bizneset e vogla, që të funksionojnë duhet të kenë një xhiro ditore prej 50 mijë lekësh, fakt që tregon shtrirjen e gjerë që do të ketë skema, duke rrezikuar që të nxjerrë nga tregu shumë prej tyre.

Apeli i prodhuesve shqiptarë: Barrierat po dëmtojnë tregtinë midis Shqipërisë dhe Kosovës

Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe Forumi i Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, u mblodhën për një deklaratë për shtyp në lidhje më hapjen e kufijve tregtare Shqipëri -Kosovë. Nagip Fejzi, Kryetar i Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, në fjalën e tij tha: “Jemi këtu prezent, unë si Kryetar i Forumit të Përbashkët të Prodhuesve Shqiptarë, z. Bardhyl Baltëza si Kryetar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë dhe z. Astrit Shabani si Kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Siç e dini, dy ditë para pati një deklaratë, e cila na shqetëson ne si prodhues të Kosovës dhe Shqipërisë. Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë mes prodhuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, por kemi dhe disa pengesa, të cilat pengojnë bashkëpunimin tonë më të mirë. Pas asaj deklarate ne e pamë të arsyeshme të takohemi këtu në Tiranë dhe të jemi të gjithë së bashku të tregojmë, që ne si prodhues jemi të sigurt që ato deklarata nuk janë me qëllim. Jemi këtu për t’ju treguar atyre afaristë apo atyre biznesmenë, të cilët flitet se pengojnë nënshkrimin e marrëveshjeve mes dy qeverive, që shpresojmë se gjithçka që është thënë, nuk është e vërtetë, por nëse do të ketë diçka të vërtetë ne jemi të gatshëm t’i presim dhe ta diskutojmë. Shpresoj që pas kësaj deklarate çdo person që do të ketë nevojë, të na kontaktojë. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën dhe jo për të bërë përçarjen e bizneseve. Keqinterpretimet ndodhin zakonisht në këto vende. Ju falënderoj edhe njëherë për prezencën dhe nëse do të keni ndonjë pyetje, ne jemi këtu për të dhënë sqarime”.
Bardhyl Baltëza, President i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë, në fjalën e tij u shpreh: “Dua të theksoj dy probleme. Ne jemi këtu për t’ju thënë që prodhuesit shqiptarë nga të dy anët e kufirit kanë propozuar prej kohësh qeverive shqiptare për unifikimin ekonomik midis dy vendeve dhe sinqerisht nuk shohim asnjë pengesë midis nesh, nuk ka midis nesh njerëz që janë kundër këtij bashkimi ekonomik. Dhe unë besoj, në frymën e Komunitetit Europian që ekonomitë mund të bashkohen dhe ne nuk bëhemi pengesë për këtë. Jemi ne promotorët përpara qeverive tona për ta shtyrë përpara këtë proces. Kanë mbetur probleme burokratike, të cilat ne shpresojmë, te paktën dy qeveritë si e Kosovës dhe Shqipërisë parimisht janë dakord dhe na habit fakti që mund të ketë disa probleme të vogla, të cilat në thelb janë të parëndësishme, të cilat ne duhet t’i kalojmë shumë shpejt”.
I pyetur nëse mendonte se deklarata që erdhi nga ministri i Shtetit për Diasporën, ishte e pabazë dhe nuk ka biznes që e pengon një proces të tillë Z. Bardhyl Baltëza u përgjigj: Të paktën në mbledhjen që bëmë midis shoqatave të prodhuesve në Shqipëri e Kosovë, nuk ka njerëz që janë kundër këtij bashkimi. Nëse ka, le t’i themi hapur, me emra që t’i kuptojmë dhe arsyet e tyre. Ne nuk jemi për përjashtimin për asnjë, jemi dakord që nëse ka keqkuptime apo mendime të kundërta, t’i diskutojmë dhe sqarojmë këto probleme. Shikoni, më besoni që fryma e bashkëpunimit midis bizneseve prodhuesve të Shqipërisë dhe Kosovës, ka qenë shumë përparimtare. Kjo sepse ne duam të ndërtojmë një ekonomi si një komb. Fati na solli që jemi dy shtete, por duam të ndërtojmë një ekonomi komplementare, të mos dëmtojmë njëri-tjetrin, por të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Koha po vjen që kufijtë ekonomike do të hapen dhe ne nuk duam të jemi mes atyre vendeve që mund ta pësojnë nga kjo. Pra paraprakisht për këtë ia kemi kërkuar qeverive tona. Le të hapim ekonomikisht kufijtë midis dy vendeve tona, të ndërtojmë një plan se si do ta zhvillojmë këtë ekonomi, të mos bëjmë shpenzime të dyfishta që sjellin humbje, të mos kemi konkurrenca të dëmshme midis njëri tjetrit, por t’i rregullojmë këto gjëra në mënyrë zyrtare dhe të hapur.
Ka pasur një sërë marrëveshjesh midis dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë për bashkimin ekonomik. Konkretisht a mund të na thoni çfarë lehtësirash keni përfituar ju deri më tani? Bardhyl Baltëza: Ne eksportojmë në Kosovë dhe Kosova eksporton në Shqipëri sikur eksporton Kina në Itali. Në aspektin ekonomik njëlloj eksportojmë nuk kemi ndonjë ndryshim të madh. Lehtësia e fundit ka qenë vendosja e një pike doganore e jo dy, por ne shpresojmë që meqenëse qeveritë tona janë angazhuar për të çuar përpara këtë proces, gjithçka të ecë në rrugën e duhur
A jeni kundër për hapjen e tregut Ballkanik?
Ne nuk jemi kundër për futjen e Shqipërisë në Evropë dhe nuk jemi kundër edhe për hapjen e tregut Ballkanik, por duhet kuptuar mirë që përgatitja e ekonomisë shqiptare për të hapur dyert për tregun Ballkanik duhet të ketë një periudhe 2 – 3 vjeçare dhe të bëhet një studim për fushat ku do hapet. Ne nuk jemi kundër hapjes së tregut ballkanik dhe madje e inkurajojmë, por me një kusht që paraprakisht të bëhet një studim qoftë për tregun e Shqipërisë qoftë për të Kosovës sesi do të hapet ky treg. Të unifikohet një pjesë e kostove, një pjesë e drejtimeve të ekonomive tona. Duam që qeveritë tona të bashkëpunojnë me ne, për të drejtuar këtë hapje në mënyrë të tillë që mos të ketë kolaps. Kemi një vit që i kërkojmë qeverive tona zyrtarisht të ketë një hapje midis ekonomisë së Kosovës dhe Shqipërisë dhe kjo ekonomi të jetë më pas e aftë të përballojë ekonominë e ballkanit.
Ne brenda vetes kemi produkte shumë konkurruese, por mos harroni një gjë që qeveritë e Ballkanit të gjithë subvencionojnë, dhe kërkojmë nga qeveritë tona që duhet të kenë një program të studiuar mirë dhe të ballafaquar me të gjithë ekonomitë e Ballkanit. Astrit Shabani, kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës: “Ne jemi tre organizata që kemi marrëdhënie të shkëlqyera ndërmjet njëra-tjetrës dhe fokusi kryesor i joni është heqja e çdo barriere që na pengon të qarkullojmë lehtshëm.
Për sa i përket rasti që jemi mbledhur këtu, ne kemi ardhur si prodhues t’i dëshmojmë secilit prej jush që nuk ka asnjë pengesë, asnjë vonesë, asnjë dëshmi. Nëse ka raste në fjalë jemi të hapur të diskutojmë. Është kërkesë e prodhuesve që të unifikohemi, të jemi të lirë dhe të hapur, mos të ketë asnjë pengesë. Më vjen mirë që Shqipëria ka qenë më shumë prezent në vitin 2017 se vitet e tjera dhe shpresoj të jenë edhe më shumë në vitet në vazhdim”.

Vidal zbulon të ardhmen

Arturo Vidal, ish-mesfushor i Juventus dhe një nga shtyllat e Bayern Munich, i ka komentuar me këto fjalë zërat që flasin për një interesim të Chelsea-t ndaj tij: “Jam i përqendruar te Bayern. Chelsea? I kam dëgjuar këto zëra të merkatos, por jam te një skuadër e madhe që ka objektiva të mëdhenj për të arritur. Duam të fitojmë gjithçka”, ka thënë kiliani. Mesfushori ka luajtur 23 ndeshje në këtë sezon, në të cilat ka realizuar 5 gola dhe ka dhënë 2 asiste. Vlera e tij në merkaton është 35 milionë euro dhe kontrata e tij me Bayern skadon në verën e 2019-ës.