18.5 C
Tirana
E martë, 15 Korrik, 2025

Kur një President sulmohet edhe për gjëra të paimagjinueshme

Ideja është kjo: ndoshta në vend që të çmendet ai, pasi i çmendur është, aq sa të jetë bërë President pavarësisht gjithçkaje, ndoshta pse, siç e ka deklaruar saktësisht edhe vetë, ai ka qenë gjithë jetën mendërisht i qëndrueshëm dhe tejet tejet brilant, ka mundësi që Donald Trump po luan nga fiqiri demokratët e liberalët e Amerikës dhe jo vetëm. Ja po përmendim një. Midis gjërave të shkruara në librin e Michael Wolff, “Fire and Fury”, del në Twitter një postim nga Pixelated Boat, që është një account satirik. Është popullor dhe ka më shumë se 100000 ndjekës.
I specializuar në parodi, sajon se Trump dëshiron të shikojë absolutisht në dhomën e tij të gjumit The Gorilla Channel dhe përderisa ky kanal televiziv misterioz nuk ekziston, atëherë këshilltarët dhe ndihmësat e tij detyrohen që të bëjnë bashkë dokumentarë dhe emisione lidhur me gorillat e famshme dhe t’i thonë se është kanali që Presidenti kapriçoz e do me çdo kusht. Ai kalon 17 orë në ditë me të.
Këtë e kanë ngrënë shumë njerëz dhe jo vetëm qytetarë të thjeshtë që urrejnë Presidentin, por edhe personazhe të themi të shquar, që teorikisht duhet të kenë trurin dhe arsimimin e duhur sa për të dalluar një lajm fals të bujshëm nga një lajm i vërtetë. Por jo. 17 orët e Presidentit të Shteteve të Bashkuara përpara televizorit me gorillat janë konsideruar të besueshëm nga gazetarja e “Sky News” Samantha Maiden, nga aktori Don Cheadle, nga profesorja e King’s College të Londrës Christine Cheng, që më pas ka pranuar me ndershmëri se e ka besuar lajmin pasi “Trump is beyond parody”. Përkthimi është i kotë….
Në fund, përpara një idiotësie të tillë, ata të Pixelate i kanë vënë një titull lajmit, “The Gorilla Channel thing is a joke”, lajmi për kanalin e gorillave është një shaka.
Fillimisht një sulm i fortë ndaj Steve Bannon, në demonstrim të faktit se nëse Bannon shpreson në një pajtim të ardhshëm apo llogarit që të futet me një listë në zgjedhjet e mesit të mandatit të 2018, gabohet.
Në “cicërimat” e tij Presidenti kujton se në momentin e shkarkimit ka nisur të lutet e të pëqyrret dhe se tani të gjithë sponsorët e tij e kanë braktisur. Referimi këtu është për Robert Mercer, miliarderin që financon “Breitbart” dhe që është distancuar nga libri dhe nga deklaratat e Bannon.
Pastaj Trump merr me gjoks atë që ka kuptuar se është qëllimi i vërtetë i librit të Michael Wolff, domethënë tentativën për të vënë bashkë prova ose të paktën insinuata se shëndeti mendor i tij po vjen duke u përkeqësuar. Tani se historia e bashkëpunimit me Rusinë, pas një viti shoshitjeje të hollësishme, ka demonstruar se është një blof total në sytë e publikut amerikan, demokratët dhe lakejtë e tyre, Fake News Mainstream Media, po nxjerrin nga mënga skenarin e përdorur me Ronald Reagan dhe sokëllijnë lidhur me stabilitetin mendor dhe me inteligjencën.
Vazhdon: “Gjatë gjithë jetës time të ardhurat e mëdha që kam pasur kanë qenë stabiliteti mendor dhe të qenit, le ta themi kështu, vërtet brilant. E ka provuar tashmë gënjeshtarja Hillary Clinton ta luajë këtë kartë dhe i ka dalë keq. Unë kam kaluar nga biznesmen, në yll televizioni, në President të Shteteve të Bashkuara me tentativën e parë. Them se kjo më kualifikon më shumë se brilant, si një gjeni dhe një gjeni shumë shumë i qëndrueshëm”.
Paqëndrueshmëria mendore apo humbja e ekuilibrit përbëjnë motiv për impeachment edhe në mungesë të çfarëdo debie apo inkriminimi kundrejt Presidentit.
Vetëm se edhe një herë akoma beteja politike e pamëshirshme kundër kësaj presidence ndodh pa armë apo instrumente reale, që vetëm politika mund t’i sigurojë. Përderisa menaxhimi i vendit po ecën vaj, besimi i amerikanëve është i lartë, kthehen kapitalet, politika e jashtme më së fundmi po lëviz, gjithçka përqendrohet mbi shkatërrimin e figurës dhe personalitetit të Presidentit e të familjes së tij, mbi një paligjshmëri të supozuar të zgjedhjes.
Për këtë qëllim çdo ditë dalin nga ato që e përditshmja “New York Post” i quan “the rise of impeachment porn”, domethënë histori nëpërmjet gazetash apo televizionesh që lajmërohen si të mrekullueshme dhe që në fakt nuk përmbajnë asgjë, përveçse informacione jo të verifikuara të dorës së tretë.
Praktikë tejet e zakonshme e gazetarisë europiane, por që përbën risi në atë amerikane. Për shembull, “New York Times” lëshon bombën lidhur me përpjekjet e Presidentit për të kontrolluar investigimin lidhur me Rusinë, sikur të kishte pasur një informacion drejtpërsëdrejti nga zyra e Robert Mueller.
Por për çfarë bëhet fjalë, çfarë ka bërë kaq të tmerrshme Presidenti? Në qoftë se lexohet me vëmendje artikulli, kuptohet se Trump ka provuar ta mbajë prokurorin e Përgjithshëm Jeff Sessions, duke i kërkuar këshilltarit të tij Donald McGahn që të provojë ta bindë se tërheqja ishte vetëm një dorëzim ndaj prepotencave të demokratëve, pasi Sessions nuk kishte bërë asgjë të keqe. Është një opinion legjitim, Sessions nuk e ka dëgjuar dhe është tërhequr nga investigimi, si është e mundur të bëhet krahasim me kërkesat e Richard Nixon ndaj CIA-s për ta frenuar me çdo kusht investigimin e FBI-së lidhur me Watergate? Në fund të leximit të “skupit”, të mbetet vetëm pak mjegull.
Në rrëmujën e madhe, midis librave skandalë dhe insinuatave lidhur me stabilitetin mendor të Presidentit, rrezikon të kalohet pa u vënë re krejt një seri manovrash që në fakt do të duhej të ndiqej me shumë vëmendje. I rihapur hetimi lidhur me keqpërdorimet në fondacionin Clinton, bëhet kthimi gjithmonë në të njëjtën pikë, domethënë shitjen e uraniumit amerikan Rusisë në një aferë shumë të pistë, që përdori para të ricikluara dhe përfshiu në cilësinë e aktorëve apo të dëshmitarëve të prirur nga heshtja personazhe që sot janë në plan të parë duke hetuar mbi Trump dhe stafin e tij, si prokurori Mueller dhe zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rosenstein, që lidhur me Rusinë pas tërheqjes së shefit të tij Sessions ka pushtet të plotë.
Domethënë kërkesën e Kongresit për të nisur një hetim lidhur me gënjeshtrat e thënë edhe në betim nga ish-spiuni anglez Christopher Steele, që për llogari të demokratëve dhe të Hillary Clinton hartoi një dosje plot gënjeshtra që do të duhej të digjte kandidatin Trump.
Gjë e fortë kjo, sigurisht që do të ishte për libër, pak a shumë si ai i gurus demokrate Donna Brazile në të cilin rrëfehet e gjithë qelbësira e fushatës elektorale së Hillary. Që si për ironi të fatit, pas fishekzjarreve të ditëve të para, mbi këtë libër ka rënë heshtja e madhe. Fashisti Bannon është bërë hakmarrësi, kurse shoqja Brasile një qenie e turpshme.

Përgatiti
ARMIN TIRANA

Në fushë nuk futen ata që e meritojnë

Duke parë formën e dobët që po kalon skuadra e Real Madrid, ditën e martë trajneri Zinedine Zidane deklaroi se kishte ardhur koha për të analizuar dhe për të reflektuar mbi problemet e skuadrës.
Skuadra madrilene aktualisht është në vend të katërt të renditjes dhe ka një diferencë të frikshme prej 16 pikësh ndaj Barcelona-s. “Ishte një bisedë e nevojshme dhe objektivi ishte të dilnim me diçka nga ai takim”, shprehet Zidane pas mbledhjes së skuadrës pasi përfundoi ndeshja me Celta-n.
Zidane refuzoi t’i hynte detajeve se për çfarë u bisedua me skuadrën e tij, një mbledhje që zgjati 45 minuta, francezi apeloi që skuadra e tij të reflektonte dhe të analizonte problemet aktuale në prag të ndeshjes më të rëndësishme të sezonit ndaj PSG që është duke ardhur.
Zizu pretendoi se skuadra do të punonte më fort se kurrë më parë duke shtuar se kriza që ka pushtuar Los Blancos nuk ishte fizike apo mendore, por një kombinim i shumë faktorëve.
“Kur një lojtar po kalon një periudhë të keqe, nuk do ta lë në baltë. Është diçka që duhet ta kalojmë të gjithë së bashku. Të gjithë e kemi fajin për këtë situatë”.
Gjithsesi, në edicionin e fundit të El Larguero, u deklarua se megjithëse klubi pretendoi se mbledhja ishte zhvilluar në palestër, Zidane mblodhi lojtarët në fushën stërvitore me dy kapitenët Ronaldo dhe Ramos që dhanë mendimin e tyre mbi situatën e vështirë.
Por edhe lojtarët e rinj kishin hapësirën e tyre për të rrëfyer shqetësimet e tyre dhe Zidane është akuzuar se nuk fut në fushë ata që e meritojnë më shumë, pra ata që stërviten më shumë në stërvitje lihen në stol dhe në vend të tyre futen yjet e skuadrës që janë jashtë forme. Në emision mbledhjen e kanë quajtur të mërzitshme dhe pa produktivitet.

Plas bomba te Real

Zinedine Zidane, trajnerit të Real Madridit, tashmë i ka skaduar data, sipas informacionit që ka filluar të filtrohet nga politika e klubit mbretëror spanjoll. Siç raportohet nga portali “Unë jam Madridist”, Florentino Pérez, presidenti i “Los Blancos”, tashmë ka vendosur që trajneri francez të mos vazhdojë nga 30 qershori i ardhshëm. Po ashtu, është përvijuar edhe emri i pasuesit të tij ideal. Ky është gjermani Joachim Löw, trajneri aktual i kombëtares gjermane, edhe pse argjentinasi Mauricio Pochettino (Tottenham) është opsioni tjetër në tryezën e Perez.
Siç shpjegohet, lidershipi i Real Madridit ka qenë në kontakt me Löw për të testuar gatishmërinë e përfshirjes së tij në këtë operacion dhe bisedimet janë në rrugën e duhur. Udhëheqësit e të bardhëve janë shumë optimistë në lidhje me opsionet për trajnerin gjerman, se në fund do ta pranojë propozimin e tyre. Handikapi kryesor i operacionit është se Löw ka një kontratë në fuqi me Federatën gjermane të Futbollit (DFB) deri në vitin 2020, prandaj, në përfundim të Kupës së Botës së kësaj vere në Rusi, ai do të duhet të japë dorëheqjen, ose të negociojë lamtumirën e tij. Gjithçka do të varet nga vullneti i mirë i treguar nga drejtuesit e DFB.
Zidane është i dënuar me largim për atë që ka ndodhur deri më sot, në këtë sezon, çfarëdo që të ndodhë në muajt e ardhshëm. Atë nuk do ta shpëtonte as fitimi i Ligës së Kampionëve për të tretën herë radhazi. Trajneri francez e ka humbur në mënyrë të qartë impulsin e tij me Florentino Perez pas nënshkrimit të portierit Kepa Arrizabalaga. Joachim Löw ka qenë në krye të skuadrës kombëtare gjermane që nga viti 2006 dhe ka qenë gjithmonë i hapur për të marrë përgjegjësinë e drejtimit të një ekip të ligës spanjolle, sapo të përfundojë angazhimi i tij për “DFB”. Natyrisht, Real Madridi do të ishte një “Olimp” për të, në karrierën profesionale, pas drejtimit me sukses të Gjermanisë.
Zinedine Zidane pranoi se kontrata e tij te Real Madridi “nuk do të thotë asgjë”, ndërsa problemet e skuadrës që drejton vazhduan me një barazim në shtëpi, 2-2 kundër Numancias, skuadër e nivelit të dytë, në “Copa del Rey”, të mërkurën. Real Madridi ka avancuar me rezultatin total 5-2 (ka fituar 3-0 në ndeshjen e parë) në këtë kompeticion, por kjo fitore mbetet i vetmi sukses në katër ndeshjet e fundit. Dhe me Real Madridin e distancuar me 16 pikë nga kryesuesja e La Liga-s, Barcelona, Zidane pranoi se pozicioni i tij është dobësuar. “Unë vetëm shkoj lojë pas loje, vit pas viti, tha Zidane, i cili ra dakord për një marrëveshje të re në shtator. Nuk mund të mendoj për dy apo tri vite poshtë vijës, pasi e di se si është këtu. Madje edhe me një kontratë, nuk do të thotë asgjë. Nuk është e lehtë për lojtarët që luajnë më pak, kemi luajtur një lojë të mirë, ndoshta kemi mungesë të gazit në fund”.

Sherri Conte-Mou, Pep kërkon anulimin e tyre

Sherri që po zhvillohet mes Jose Mourinho-s dhe Antonio Conte është komentuar edhe nga trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, i cili beson se vëmendja nuk duhet të jetë te trajnerët e skuadrave.
“Janë lojtarët ata që luajnë. Ata janë talentet”, ka thënë ai për “Manchester Evening News”. “Unë mendoj se ne duhet t’i eliminojmë konferencat për shtyp të trajnerëve. Do të ishte më mirë kështu. T’i lëmë lojtarët të luajnë. Ajo që po bëjmë ne nuk është asgjë, duhet t’i shmangim. Unë i bëj thirrje federatës që të qëndrojë tre ose katër muaj pa konferenca për shtyp”, u shpreh Guardiola.
“Të shohim si luajnë lojtarët dhe të shkruajmë e të flasim për atë që shikojmë. Ndonjëherë, unë duhet të vij këtu dhe të shpjegoj atë që kanë parë të gjithë. Pse duhet ta bëj këtë? Futbolli është ajo që ndodh në fushën e lojës. Ju i jepni shumë merita trajnerëve, por duhet t’ia jepni lojtarëve”, ka përfunduar Guardiola.

Barça zyrtarizon largimin e argjentinasit

Barcelona dhe Hebei Fortune nga Superliga kineze kanë arritur një marrëveshje përfundimtare për transferimin e mesfushorit argjentinas, Javier Mascherano. Hebei Fortune më në fund ka pranuar të rritë deri në 10 milionë euro ofertën për nënshkrimin e Javier Mascherano. Ardhja e Yerry Mina në Barcelonë do ta lehtësojë largimin e Javier Mascheranos në këtë merkato të futbollit dimëror. Disa javë më parë, kur Javier Mascherano bëri një paraqitje të shkurtër në një intervistë, se koha e tij te Barça ishte afër fundit, me siguri “Little Boss” e dinte tashmë se ai do “ta ndryshonte ajrin” në merkaton dimërore. Pas negociatave, që kanë zgjatur më shumë se sa pritej, marrëveshja mes Hebei Fortune dhe Barçës është tashmë një realitet, pasi klubi kinez e ka ngritur ofertën nga 7 në 10 milionë euro, një çmim i vendosur nga katalanasit për të lejuar kryerjen e operacionit. Tashmë, po, Mascherano po jeton ditët e tij të fundit si një lojtar i Barçës dhe po përfiton prej tyre të shijojë shumicën e çdo momenti brenda dhe jashtë fushës.

Barcelona firmos me kolumbianin për 11.8 milionë euro

Është zyrtare. Barcelona njoftoi të enjten nënshkrimin e saj me Yerry Mina për pjesën e mbetur të sezonit dhe pesë të tjerë të tillë. Barça do të paguajë Palmeirasin 11.8 milionë euro për “centralin” kolumbian, i cili do të ketë një klauzolë largimi nga katalanasit prej 100 milionë eurosh. Yerry Mina do të nënshkruajë deri më 30 qershor 2023, kohëzgjatje e njëjtë e kontratës si braziliani Coutinho. Çdo gjë tregon se Mina do të zërë vendin e lirë që Mascherano do të lërë në këtë merkato dimërore.
Yerry Mina ka lindur më 23 shtator 1994 (Guachené, Kaukaz, Kolumbi) dhe arrin te Barcelona për të përforcuar boshtin e mbrojtjes. Ai do të ndikojë për mirë në luftën ajrore, falë gjatësisë prej 1.95 metrash. Falë fizikut të tij imponues, Mina është edhe një shënues qendror. Në 49 ndeshje me Palmeiras, ai ka shënuar 9 gola. Në sezonin e tij të parë me ekipin brazilian, Mina u zgjodh qendra më e mirë e kampionatit brazilian, ndërsa në vitin 2017 ishte më i miri i “Kampionatit Paulista”.

Arsenal sfidon United për talentin e Bordeaux

Arsenal ka bërë një ofertë për sulmuesin anësor të Bordeaux, Malcom. Talenti brazilian, që është kërkuar edhe nga Tottenham dhe Manchester United, nuk ka ndërmend të lëvizë gjatë merkatos së janarit, por “Topçinjtë” po vendosin piketat për sezonin e ardhshëm. 20-vjeçari, që mund të luajë në të gjitha rolet e repartit të avancuar ka qenë zbulimi i kampionatit francez në këtë sezon.
Bordeaux pretendon të paktën 50 milionë euro për shërbimet e 20-vjeçarit brazilian, Malcom.
Arsenal po kërkon një zëvendësues për Alexis Sanchez, që është gjithmonë e më parë kalimit te Manchester City. Kësisoj pas Thomas Lemar të Monaco dhe Cristian Pavon të Boca Juniors, në listën e futbollistëve të preferuar nga trajneri Wenger është shtuar edhe Malcom, i cili refuzoi kalimin te Tottenham në verën e kaluar dhe gjithashtu ka përfunduar në “radarin” e Manchester United.

Ançeloti trajneri i Arsenalit?

Arsene Wenger është trajneri me më shumë pankina në Premier League, por që nga viti 2004 nuk fiton asnjë titull në Angli, ndaj dhe largimi i tij nga drejtimi duket se nuk është më një hipotezë.
Mediat britanike flasin për kohësh për një largim të francezit në fund të këtij sezoni, por së fundi është projektuar edhe emri i zëvendësuesit të tij. Identikiti i trajnerit të ardhshëm të “Gunners” është ai i italianit Carlo Ancelotti, që në vjeshtën e fundit bëri divorcin me Bayern Munchen.
Trajneri 58-vjeçar, që numëron 20 tituj të fituar në 5 kampionate ku ai ka drejtuar shihet si zgjedhja ideale për skuadrën londineze që kërkon një trofe. Mediat kanë zbuluar edhe vlerën e kësaj marrëveshjeje, që përfshin rreth 40 milionë euro në 4 vitet e ardhshme, së bashku edhe bonuset.

Basha për protestën: Largim i mafies në qeveri, s’ka Europë, pa dënuar kupolën e krimit të Ramës

Motiv kryesor i protestës së 27 janarit është drejtësia e pakapur nga Edi Rama, që po bën gjithçka ta abortojë projektin e drejtësisë për shqiptarët.

Nuk ka Shqipëri në Europë pa një drejtësi që nuk i mbron, por i ndëshkon peshqit e mëdhenj të krimit dhe të korrupsionit, duke filluar me kokën e kupolës mafioze, Edi Ramën.

Largimi i Edi Ramës dhe i kësaj qeverie mafioze, është kusht i panegociueshëm i opozitës. Nuk ka qeveri të korruptuar në botë, në Europë dhe as në Shqipëri, t’i rezistojë pjesëmarrjes masive qytetare.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri apel shqiptarëve të marrin pjesë në protestën e 27 janarit për të dhënë mesazhin se janë kundër kapjes politike të drejtësisë nga Edi Rama. Në takimin me qytetarët e Kurbinit, Basha tha se drejtësia e vërtetë është motiv kryesor i protestës, por përsa kohë Edi Rama do të jetë në krye të qeverisë, ai do të mbrojë pushtetin e tij kriminal dhe të korruptuar duke penguar reformën e vërtetë në drejtësi dhe integrimin europian të vendit.

“Nuk ka Shqipëri në Europë dhe nuk mund të ketë një Shqipëri në Europë, pa një drejtësi që nuk i mbron por i ndëshkon peshqit e mëdhenj të krimit dhe të korrupsionit, duke filluar me kokën e kupolës mafioze Edi Ramën dhe shpurën e tij të ministrave të korruptuar. Pa arrestimin e peshqve të mëdhenj të krimit dhe korrupsionit nuk ka Europë. Dhe se kjo parti ka lindur për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa.”- u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

Basha tha se emërimi i një prokurori politik në kundërshtim me kushtetutën dhe pa veting është projekt i Edi Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin, me të cilin e bashkon pakti mafioz I heshtjes për ruajtjen e pushtetit.
“I tmerruar nga drejtësia e pakapur politike, Edi Rama po bën gjithçka ta abortojë projektin e drejtësisë për shqiptarët. Kjo është një arsye kryesore dhe një nga arsyet më të mëdha përse do të mblidhemi më 27 janar në orën 12.00 të shtunën, për t’i thënë Edi Ramës, se Partia Demokratike, do drejtësi, se ne duam Sajmir Tahirin në burg, Vangjush Dakon në burg, Qazim Sejdinin në burg. Duam ministrat e tij të korruptuar përpara drejtësisë.”-tha Basha.
Kreu i opozitës u kërkoi demokratëve të sqarojnë derë më derë shqiptarët se për shkak të Aleancës së Edi Ramës me krimin shqiptarët sot nuk zgjedhin dot një qeveri në shërbim të tyre, ata janë më të varfër, paguajnë më shumë taksa, po u përkeqësohet shërbimi shëndetësor dhe po bëhen eksperimente me arsimin e fëmijëve të tyre.

“Ndaj objektivi politik i opozitës është i shprehur fare qartë. Largimi i Edi Ramës dhe i kësaj qeverie mafioze, është kusht i panegociueshëm i opozitës, objektiv kryesor i aksionit tonë opozitar, dhe i protestës së 27 janarit dhe i çdo aksioni tjetër qytetar që do të pasojë. Nuk ka qeveri të korruptuar në botë, në Europë dhe as në Shqipëri, t’i rezistojë pjesëmarrjes masive qytetare.” –tha Basha

Kreu i opozitës u shpreh se një qeveri antimafia do të garantojë zgjedhje legjitime, me parlament dhe qeveri legjitime, që nuk e blen pushtetin, por e përdor atë për zhvillimin e vendit dhe mirëqënien e shqiptarëve.

Kapriço që kushtoi 13 milionë euro

Dritan KABA

13 milion eurot e kapriços Rama, do ikin nga shkollat, spitalet, ndihma sociale, investimet publike, nga djersa e gjaku i familjeve shqiptare.
Ne fakt ato duhet t’i paguaje ai qe beri demin.
Le te hape ekspozitat serish ose t’ja marre biznesmeneve te tij koncensionare, per te sglyer kete borxh, por shqiptaret nuk duhet te shpenzojne asnje cent.
Shqiptaret nuk duhet te paguajne per idiotesite e Liderit Global, as per çmendurite e tij.
Mjaft kane paguar per to.
Mjaft po paguajne neglizhencen e kesaj qeverie. Mjaft paguajne familjet shqiptare rritjen e çmimeve dhe taksave. Mjaft paguajne te rinjte shqiptare nga eksperimentet ne shkolla, nga paaftesia uleritese e ketyre qeveritareve te paafte. Mjaft paguajne shqiptaret me ikjen nga syte kembet, per shkak te mungeses se shpreses. Mjaft paguajne te rinjte qe i jane prere endrrat per nje pune te ndershme e te mirepaguar. Mjaft paguajne burgjeve te Evropes apo kampeve te azilanteve. Mjaft paguajne prinderit me friken e perditshme per femijet e tyre, nga qe oborret e shkollave jane kthyer ne shitore gjigande te droges.
Mjaft!
Kjo fature eshte vetem filllimi i idotesise Rama, qe duhet te paguajne familjet shqiptare.Kjo fature eshte vetem filllimi i papergjegjshmerise se kesaj qeverie.
Se shpejti nje tjeter fature e rendit 2 miliarde euro pritet te vije per te rrembyer taksat e shqiptareve. Dhe kjo fature serish per kapriçot idioteske te Kryeministrit.
Prokurorja e Perkohshme duhet te hape hetimin per kete dem qe i eshte shkaktuar financave te shtetit.
A e ben dot?!
Une besoj qe jo., Le te zhgenjehem nese e ben.
Kjo fature ka nje emer. kjo fature ka nje pergjegjes. Kjo fature ka nje delir.
Kjo fature e ka emrin Edi Rama!