31.5 C
Tirana
E hënë, 14 Korrik, 2025

Ristani: Të gjithë shqiptarët të bashkohen në protestën e 27 janarit

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i ka drejtuar një apel shqiptarëve që t’i bashkohen protestës së opozitës më 27 janar për rrëzimin e qeverisë Rama. Ristani mori pjesë në 27-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në Berat, nga ku tha se populli nuk duhet të lerë Ramën që të vjedhë demokracinë. “T’u prijmë njerëzve tanë dhe t’u bëjmë thirrje edhe të tjerëve që të bashkohen me ne. Është koha për protestë, është leksioni i marrë nga 50-vjeçari i diktaturës komuniste, nuk mund ta lëmë të përsëritet. Këtë mund ta bëjmë vetëm, duke u prirë protestave dhe duke i zhvilluar protestat që të mos lëmë Ramën të vjedhë demokracinë. Nuk presim që ta rrëzojmë që ditën e parë, por presim të kemi pjesëmarrje që të tregojmë se jemi bashkë me njëri-tjetrin, të tregojmë se jemi shumë, të tregojmë që revolta jonë është, zëri ynë është, që ne ekzistojmë, që ne jemi të fortë, që ne mund t’ia dalim”, tha Ristani.

Habilajt rrahën dhe morën peng punonjësin e SHISH

Në një postim në Facebook, ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar një ngjarje të ndodhur më 20 korrik 2015 në një prej fshatrave të Vlorës, ku ishte kultivuar kanabis sativa. Sipas Berishës, dy agjentë të SHISH që mblidhnin informacione në terren për kultivimin e drogës, u zbuluan nga rojet e një parcele kanabisi. Ish-Kryeministri shkruan se, ata u morën peng dhe u dhunuan nga njerëzit e vëllezërve Habilaj. Në lidhje me këtë ngjarje ka qenë në dijeni dhe Kryeministri Edi Rama, por nuk ka reaguar. “Dua të denoncoj një rast të ndodhur në 20.07.2015 në një nga fshatrat e Vlorës ku unë isha punëtor në parcelat e hashashit, të cilët ishin mbjellur nga vet Habilajt. Një ditë kapën dy persona nga rojet e armatosura, të cilët kishin hyrë në parcelat e hashashit dhe po filmonin, pas kapjes së personave që në fillim u mendua se ishin gazetarë, por në të vërtetë, ata ishin agjentë të SHISH. Pasi u kapën u goditën me grushte dhe shkelma që të tregonin përse kishin ardhur, më pas njëri nga pjesëtarët e bandës i njohur si Flori Dibrës, telefonon Policinë e Vlorës dhe i tregon ngjarjen, dhe policia i kërkon që t’i bëhen foto personave të kapur dhe të lihen të lirë dhe nëse këta agjentë do të hapnin gojën, atëherë do merej policia me ta, duke nënkuptuar se do ekzekutohen nga policia, sepse parcelat e Habilajve mbroheshin nga vet Saimir Tahiri. Për këtë rast ne informuam vet Ramën, por ai nuk reagoi?!” thuhet në denoncimin e publikuar nga ish-Kryeministri Berisha.

Boçi: Skandaloze, si po abuzohet me nxënësit e shkollave

Deputeti demokrat Luçiano Boçi ka denoncuar një rast abuzimi me nxënësit e shkollave në Tiranë, shkaktuar prej një pyetësori të formuluar pa kurrfarë vëmendjeje nga Ministria e Arsimit lidhur me ngacmimet dhe dhunën ndaj nxënësve dhe që e ka bërë atë vetë si pedagog dhe prind, të ngrejë pyetjen: “Pyetësor apo …?!”. Qysh në krye të bie sy sesi Ministria ka radhitur një mori ngacmimesh me fjalë të ngjitura çuditshëm me njëra-tjetrën, si “mëkanëshkulurflokët’, thua se po testonte inteligjencën e nxënësve. Ky duket se është problemi më i vogël që paraqet testi në fjalë, siç mund të shihet në vjim. “DAR Qarku Tiranë, – shkruan Boçi, – ka shpërndarë nga dje një pyetësor për nxënësit e klasave 6-9. Përpos që gjuhësisht është me gabime skandaloze (fjalë të bashkuara), ai përmban pyetje që kanë sjellë reagimin e fortë të prindërve. Shumë prej pyetjeve të renditura duhet të bëhen vetëm me praninë e psikologut ose të prindit dhe vetëm individualisht e jo me shkrim e kolektivisht në klasë. Por kjo nuk ka penguar formuluesit, duke i vënë kështu nxënësit në një situatë aspak të lehtë dhe jo pa pasoja në mënyrën se si do ta shohin shkollën pas kësaj. Ndërkohë nuk është e qartë, nëse këtë e ka orientuar vetë Ministria apo është iniciativë e DAR Tiranë!?”

Naftëtarët sërish në protestë: Duam investitorë seriozë e statusin e naftëtarit

800 naftëtarët e Ballshit i janë rikthyer sot sërish protestave. Të mbledhur përpara uzinës, naftëtarët i kërkojnë qeverisë gjetjen e një investitori të ri e serioz për rafinerinë dhe miratimin e statusit të naftëtarit. Sipas deklaratave të naftëtarëve, drejtuesit aktualë të rafinerisë, të cilët prej muajsh nuk kishin paguar rrogat, janë larguar: “Ramë dakord me zëvendës/ministrin të përshpejtojë procedurën për rifillimin e uzinës në punë, për të gjetur biznesmenë të fuqishëm. Janë afruar tre biznesmenë, tani është në dorë të qeverisë dhe të bankës që e ka këtë me vendim gjykate. Pronari iku përfundimisht, e dorëzoi. Do t’i marrë detyrimet ai që do të vijë”. Lidhur me miratimin e statusit të naftëtarit, punëtorët shprehen se është urgjente të miratohet, megjithë rrezikun e lartë në punë, ata paguhen shumë pak, dhe pagat e tyre jepen gjithnjë me vonesë, megjithëse rafineria ka punuar gjatë gjithë kohës. Përfitimi i statusit të naftëtarit do të siguronte një mbrojtje të punonjësve të rafinerisë nga kompanitë private që e menaxhojnë atë dhe do të bënte të detyrueshme që asnjë naftëtar të mos paguhej më pak se 55 mijë lekë në muaj. Përmes statusit, naftëtarët do të mund të siguronin dhe trajtim mjekësor dhe social special, për shkak të vështirësive në punë.

Tallja e Ramës me naftëtarët

Naftëtarët e Ballshit, pasi udhëtuan kilometra të tëra drejt Tiranës dhe protestuan përpara Ministrisë së Energjetikës, mezi arritën të marrin rrogën. Sot, ata iu janë rikthyer protestave në qytetin e tyre, pasi kërkojnë të vihet në punë Rafineria e ARMO-s dhe të rifillojnë punën. Por Kryeministri i vendit jo vetëm se nuk ka një përgjigje se çfarë do të bëhet me rafinerinë tashmë të falimentuar që ia dha mikut të tij, Besnik Sulaj, por guxon të tallet me naftëtarët. Duke reklamuar ca led wall-e të vendosura në Kryeministri, ai iu bën thirrje naftëtarëve të mos vijnë më për protesta në Tiranë, pasi fare mirë mund të komunikojnë online me ministrin Gjiknuri. Pra, naftëtarët plot halle që mezi morën një rrogë të prapamendur duhet të “rilindin” dhe të flasin përmes ekraneve me qeverinë. Në këtë mënyrë zgjidhen hallet, u sugjeron Kryeministri. “Në Platformë Digjitale ka dhe një hapësirë për të bërë interpelanca. Ashtu si një grup deputetësh mund të thërrasin në interpelancë Kryeministrin apo një ministër, një grup qytetarësh mund të thërrasë në interpelancë në këtë hapësirë që ne e krijuam enkas për këtë punë. Sot faktikisht është dita e parë që ndizen këto ekrane dhe shpresoj që të jenë të ndezura në mënyrë sistematike, për të dhënë llogari për një çështje të caktuar përpara. P.sh., patëm një rast konkret me një grup naftëtarësh në zonën e Fierit, që morën rrugën për të ardhur në Tiranë. Sigurisht që edhe rruga për të ardhur në Tiranë dhe rruga për të protestuar përpara një institucioni nga një grup interesi është një rrugë demokratike, nuk diskutohet, por përpara se të vihej këtu, fare mirë, nëpërmjet Platformës mund të kërkohej një interpelancë këtu me ministrin e Energjisë. Unë i siguroj të gjithë se kjo do të ndodhë. Ky nuk është një film. Ky është një realitet i ri, që ne po mundohemi të krijojmë duke shfrytëzuar teknologjinë, duke shfrytëzuar mundësinë e lidhjes përmes internetit në platformë, duke shfrytëzuar edhe këtë mundësi”.

Kryeprokurorja, një vartëse kokëulur

Deputeti i PD-së, Ervin Salianji, ka reaguar me sarkazëm pas takimit të Kryeprokurores Arta Marku me ministrat Xhafaj, Gjonaj dhe Ahmetaj. Në një postim në Facebook, Salianji shkruan se zyrtarja që duhet t’i bëjë ministrat të dridhen nga frika, thërritet në zyrë si një vartëse kokëulur. “Prokurori i Përgjithshëm që duhet t’i bëjë të dridhen nga frika ministra e zyrtarë thërritet në zyrën e ministrit sikur të jetë vartësi më kokulur i institucionit! Mosbesimi i publikut është legjitim derisa mosndëshkueshmëria është institucion. U deshën 27 vjet përpjekje, padrejtësi, luftë politike, mosndëshkueshmëri dhe shkelje ligji që me ndihmën e ndërkombëtarëve dhe votën e gjithë partive politike të votohej Reforma në Drejtësi. Reforma që do bënte të mundur shkëputjen e ndikimit politik tek Prokuroria dhe gjykatat dhe do fuqizonte institucionet e drejtësisë, duke zgjedhur profesionistë me veting! Sot, pafuqia e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm duket shterruese, përderisa pret në paradhomë të mbarojnë kafen Xhafa-Gjonaj-Ahmetaj”, shkruan Salianji.

Basha: Shqiptarët të bashkohen me opozitën kundër Aleancës së Krimit

Më 27 janar të gjithë shqiptarët duhet të bashkohen nën një motiv të fuqishëm për të shembur pushtetin e aleancës me krimin, i cili sot po degradon vendin dhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ftoi shqiptarët t’i bashkohen opozitës për të bërë të mundur me votë të lirë ndarjen e qeverisë nga krimi. Në takimin me demokratët e Durrësit, Basha tha se bashkimi është rruga e vetme për t’i dhënë fund pengmarrjes së Shqipërisë nga aleanca e Edi Ramës me krimin.
“Bashkohemi në një aksion të madh opozitar që nis me protestën e 27 janarit, por që do të vazhdojë me dinamikë në çdo dimension. Për një arsye të thjeshtë, Edi Rama e ka humbur të drejtën të qeverisë. Kush i shërben krimit, nuk i shërben dot të varfërve. Kush i shërben trafikantëve, nuk i shërben dot fëmijëve të shqiptarëve. Nuk bëhen dot të dyja. O njëra, o tjetra. Nuk ka vend për të qëndruar në mes”, tha Basha.
Kreu i opozitës shpjegoi sesi vota e blerë nga një kryeministër që bashkëqeveris me krimin, ndikon tek çdo familje. Basha tha se, duke asgjësuar lirinë e zgjedhjes, Edi Rama ka asgjësuar lirinë e çdo prindi për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre, ka asgjësuar lirinë e jetës, duke shkatërruar shëndetësinë, ka shkatërruar lirinë e sipërmarrjes, motorrit të vetëm të vërtetë të ndryshimit të Shqipërisë, që krijon vende pune.
“Nëse votën e merr me kriminelët, nuk ndjen detyrim me njerëzit e thjeshtë, kaq e thjeshtë është. Kjo është arsyeja përse 49% e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e dritës dhe të ujit. Kjo është arsyeja përse 30% e shqiptarëve nuk paguajnë dot nevojat minimale ushqimore. 39% nuk ngrohin dot shtëpitë. 70% e atyre që ikin janë nga mosha 19 deri 34 vjeç. Nuk e ka fare shqetësim. Shqetësim e ka, si t’i mbrojë kriminelët e vet”, u shpreh Basha.
Kreu i opozitës tha se kryebashkiaku i Durrësit, i kapur duke u kërkuar kriminelëve blerjen e votave në shpërblim të tenderave, është modeli i aleancës së Edi Ramës me krimin dhe se, bashkë me Ardian Çelën do të kenë të njëjtin fund. “Destini i tyre është para drejtësisë”, u shpreh Basha. Drejtësia e pavarur dhe e pakapur politikisht është një mesazh tjetër që kryetari i PD dha në Durrës.
“Çfarë kërkojmë ne? Ne kërkojmë drejtësi. Ne kërkojmë drejtësi, sepse duam zgjedhje me drejtësi, jo blerje të pushtetit. Duam një drejtësi që ndëshkon krimin dhe korrupsionin, që ndëshkon Saimir Tahirin dhe banditët e tij, që ndëshkon qeveritarët e korruptuar, që ka guximin të vendosë para drejtësisë dhe prapa hekurave këdo qeveritar dhe pushtetar pavarësisht prej pushtetit”, u shpreh Basha.
Duke inkurajuar shqiptarët të bashkohen me opozitën kundër Aleancës së Krimit, Lulzim Basha shpjegoi rëndësinë e pjesëmarrjes masive në protestën e parë të 27 janarit.
“Masiviteti në protestë është mesazhi më i qartë se papajtueshmëria, që ju qytetarë, e prekni kudo me këtë qeverisje, nuk është më e heshtur, por është zëlartë dhe është një refuzim i pakapërcyeshëm. Është sinjali më i vërtetë, më i qartë se e keqja ka rënë moralisht”, theksoi Basha.
Duke e konsideruar Partinë Demokratike si e vetmja shpresë për vendin, kreu i opozitës Lulzim Basha tha se, pjesëmarrja masive në protestë është hap vendimtar për të shkuar drejt krijimit të një qeverie antimafia që do të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme.

Banka Botërore konstaton korrupsionin me ndërtimin e rrugëve

Kontratat e nënshkruara mes qeverisë shqiptare dhe operatorëve fitues për mirëmbajtjen e rrugëve mbi bazë performance janë në fazë rishikimi. Banka Botërore, e cila është edhe financuesja e projektit “Mirëmbajtja dhe Siguria Rrugore bazuar në Rezultate” me një vlerë prej 65.9 milionë eurosh, në rishikimin e fundit të ecurisë, ka raportuar se aktualisht po rishikohen kontratat e lidhura me operatorët fitues.
“Kontratat e rrugëve po kalojnë në një fazë modifikimi dhe duhet të miratohen sa më shpejt të jetë e mundur për të garantuar zbatim të suksesshëm dhe në mënyrë që përdoruesit e rrugëve shqiptare të përfitojnë.
Këto çështje lidhen në pjesën më të madhe me volumin e punëve rehabilituese (asfalt dhe të tjera) që janë të nevojshme për të sjellë rrugët në nivele specifike të shërbimit. Volumi i këtyre punëve u keq vlerësua gjatë periudhës së përgatitjes së projektit dhe kushtet e këtyre rrugëve kanë ndryshuar. Po kështu ka edhe disa çështje të tjera që kanë nevojë të adresohen përmes rishikimit të Specifikimeve dhe pjesëve të tjera të kontratës, që ndonjëherë nuk janë të qarta dhe ku ka kontradikta dhe mospërputhje”, thuhet në raportin e publikuar nga Banka Botërore.
Projekti për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë Rrugore synon të ruajë e mirëmbajë kushtet, si dhe të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor, të forcojë menaxhimin e qëndrueshëm dhe eficient të vlerave të rrugëve dhe kushteve të sigurisë në përfitim të përdoruesve të tyre. Në total përfshihen 1334 kilometra rrugë kombëtare dhe me një vëllim të lartë qarkullimi.
Në total, projekti ka një vlerë prej 128.47 milionë euro, ku përveç vlerës që financon Banka Botërore, janë edhe 62.57 milionë euro të financuara nga qeveria shqiptare.

Kontratat dhe fituesit

Në total janë katër kontrata të lidhura me operatorët, që kanë fituar garën gjatë procedurës së zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
E para, është zona A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me një gjatësi në kilometra 278,9 dhe me një vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me një vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Rawafed Al-torok Contracting Establishment.
E katërta zona D, rajoni Jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari shpk.
Kontratat do të ketë një afat zbatimi 5-vjeçar.

Qeveria stimulon rritjen e çmimeve për inflacionin

Çmimet e mallrave të konsumit janë rritur me ritme më të larta gjatë vitit 2017. Sipas INSTAT, rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2017 është 2,0% nga 1,3% që ishte në vitin 2016.
Ndërsa në muajin dhjetor 2017, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,8%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,2%.
Duke marrë në konsideratë deklaratat e përmuajshme të INSTAT gjatë gjithë vitit 2017, rolin kryesor në rritjen e inflacionit e ka pasur ndryshimi i çmimeve të ushqimeve. Rritja e çmimeve të ushqimeve ka përbërë më shumë se 80 për qind të inflacionit vjetor.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin dhjetor 2017 është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,13 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me 0,45 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,13 pikë përqindje.
Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan”, “Veshje dhe këpucë”, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,02 pikë përqindje secili.
Çmimet e grupeve “Mallra dhe shërbime të ndryshme” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje secili.
Ndryshimet vjetore të grupeve kryesore: Krahasuar me muajin dhjetor 2016, rritja më e madhe e çmimeve vihet re në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,8%, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,2%, “Transporti” me 2,1%, “Veshje dhe këpucë” dhe “Shërbimi arsimor” me nga 0,6 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,5% secili, etj.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “fruta” u rritën me 20,1%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 5,5%, “zarzavate përfshirë patatet“ me 3,5%, “mish” me 1,7%, etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “sheqer, reçelna e ëmbëlsira” u ulën me 1,8%, etj.
Ndryshimi mujor i indeksit është +1,0%. Krahasuar me muajin nëntor 2017 rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,8%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 1,3%, grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1,0%. Çmimet e grupeve “Transporti” dhe “Shëndeti” shënuan një ulje prej 0,1% secili.

Deficiti tregtar kalon mbi 2 miliardë euro

Deficiti i lartë tregtar vazhdon të përbëjë një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës nga muaji janar deri në tetor, tregojnë se deficitit tregtar i mallrave është rritur për 6.9 për qind, duke arritur nivelin prej 2.17 miliardë euro. Eksporti i mallrave gjatë kësaj periudhe, sipas këtyre të dhënave, ka shënuar rritje vjetore prej 25.8 për qind dhe ka arritur vlerën prej 318.4 milionë euro, përderisa importi i mallrave është rritur për 9.0 për qind dhe ka arritur vlerën prej rreth 2.5 miliardë euro.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini thotë për Radion “Evropa e Lirë” se, Kosova po e mbyll një vit pa ndonjë përmirësim të theksuar në sektorin e tregtisë së jashtme. “AKB ka vlerësuar vitin 2017 si vit të kthesave politike, por jo atyre ekonomike, pikërisht për shkak se në këtë vit deficiti tregtar mbeti ende i lartë edhe atë 88 për qind në favor të importit. Kanë munguar politika fiskale dhe ato ekonomike që avancojnë pozitën e biznesit dhe aktiviteteve ekonomike”, thotë Shahini.
Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht ishin deklaruar se janë duke krijuar politika fiskale në favor të bizneseve prodhuese. Sipas një vendimi të Qeverisë së Kosovës, bizneset prodhuese nga 1 janari i viti 2018 do të lirohen nga tatimi doganor për lëndën e parë, gjysmë produktin, linjat e prodhimit si dhe nga pajisjet e teknologjisë informative. Po ashtu, bizneset janë njoftuar nga Ministria e Financave se përveç këtyre lehtësirave, që do të kenë bizneset vendore në vitin 2018, po ashtu nuk do të ketë asnjë tatim të ri si dhe nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese.
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha i kishte vlerësuar këtë masa mjaft efektive për rritjen e prodhimit vendor. “Ne besojmë që Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të ndërmarrë masa shtesë për përmirësimin e kushteve të prodhimit në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ndikohet të rritet prodhimi, nuk po them të përmirësohet cilësia, pasi që kanë cilësi të mjaftueshme për të depërtuar në treg, por problemi është te kostoja e lartë që ndikon nga të bërit biznes”, thotë Panxha.
Strategjia e orientuar drejt rritjes së eksportit thuhet nga përfaqësues të bizneseve se duhet të konsiderohet nga autoritetet kompetente si një faktor kyç në zhvillimin ekonomik të vendit. Agim Shahini thotë se, vendimet e Qeverisë për lehtësira fiskale për prodhuesit, do të ndihmojnë bizneset që të jenë më konkurruese dhe të arrijnë të depërtojnë më shumë në tregjet evropiane.
“Këto ngarkesa dhe taksa të cilat do të hiqen në vitin 2018, jep shpresë se vitin e ardhshëm do ta përmbyllim më mirë sa i përket tregtisë së jashtme. Sidoqoftë, në Kosovë mungon një strategji, e cila e nxjerr vendin nga varfëria dhe avancon zhvillimin ekonomik të vendit. Qeveria duhet të bëjë reforma, të cilat i sjellin vendit zhvillim, punësim, prodhim edhe eksport”, thotë Shahini.

Kriza e refugjatëve, Shqipëria ndër shtetet me pak financime për 2018

Agjencia e OKB për Refugjatët (UNHCR), në raportin e fundit për objektivat e 2018, paraqet në strategji ndihmën e ofruar për temën, e cila ka qenë kryefjalë e diskutimeve të organizatave botërore.
Raporti i quajtur “Apeli Global 2018-2019” paraqet burimet financiare që do të kërkohen në 2018 dhe për vitin 2019, për programet e UNHCR-së për të mbrojtur dhe për të përmirësuar jetën e dhjetëra miliona njerëzve të shqetësuar: refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit, të kthyerit, personat pa shtetësi.
Ajo thekson sfidat me të cilat ballafaqohet organizata dhe partnerët e saj në përpjekjen për t’iu përgjigjur krizave të shumëfishta, ndonjëherë kërcënuese për jetën dhe nevojat humanitare gjithnjë në rritje.
Europa është rajoni me rritjen më të madhe të buxhetit, me një rritje prej 47.9 milionë dollarë ose 6 për qind krahasuar me 2017, kryesisht për shkak të lëvizjeve të vazhdueshme në shkallë të gjerë në Detin Mesdhe.
Brenda rajonit, buxheti i propozuar për Europën Lindore paraqet një rritje prej 62.5 milionë dollarësh, ose pothuajse 15 për qind në krahasim me buxhetin aktual të vitit 2017, kryesisht për shkak të rritjes së programit të refugjatëve në Turqi, si rezultat i krizës në Siri. Kërkesat për Europën Veriore, Perëndimore, Qendrore dhe Jugore në vitin 2018 arrijnë në rreth 339 milionë dollarë, prej të cilave 238.6 milionë dollarë, ose 70 për qind janë ndarë në Greqi, duke mbetur pak a shumë të qëndrueshëm krahasuar me 2017.
Sipas të dhënave, Shqipëria bën pjesë në atë grup shtetesh për të cilën, ndihma financiare e ofruar do të jetë nën 5 milionë dollarë.
UNHCR pret të mbetet e angazhuar në ofrimin e ndihmës dhe mbrojtjes për refugjatët në vitin 2018, veçanërisht në lidhje me ata që vijnë në Greqi dhe Itali. Sa i përket angazhimit të UNHCR-së me popullsinë e zgjatur të refugjatëve dhe të zhvendosurve në Ballkanin Perëndimor, pritet të ketë një tkurrje. Aktivitetet kryesore në vitin 2018 do të përqendrohen në avokimin dhe ndihmën për qeveritë në nën-rajonet për të përmirësuar sistemet e azilit dhe për të forcuar regjimin e mbrojtjes.