27.5 C
Tirana
E hënë, 14 Korrik, 2025

Mediat e huaja: Shqiptarët ngrihen në revoltë kundër shtetit të drogës

Mediat e huaja i kanë kushtuar vëmendje dhe hapësirë të veçantë protestës së paralajmëruar më 27 janar, protestë e cila pritet të jetë ndër më të mëdhatë që janë zhvilluar ndonjëherë. Protesta që do të zhvillohet nga opozita shqiptare më 27 janar, është pasqyruar në disa nga mediat e huaja që kanë filluar t’i kushtojnë vëmendje zhvillimeve në Shqipëri. Media e rëndësishme bullgare, “Novinite” ka publikuar një artikull me titull “Shqiptarët do protestojnë kundër shtetit të drogës”, ku ndër të tjera shkruhet se opozita do të organizojë një protestë masive kundër varfërisë, krizës ekonomike dhe problemeve në sistemin e drejtësisë më 27 janar. Udhëheqësi i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha u kërkoi të gjithë shqiptarëve të bashkohen me protestën. Sipas tij, “Shqipëria aktualisht vepron si një komb i drogës”. “Sot, jetojmë në një komb të drogës, siç thuhet në raportin e fundit të CIA-s dhe u ndërtua në zgjedhje të vjedhura, një Parlament të paligjshëm, një kryeministër i paligjshëm që caktoi një prokuror të paligjshëm për të mbuluar të gjitha dosjet që lidhen me korrupsionin”, tha Basha. Edi Paloka akuzoi kryeministrin Edi Rama për shumicën e krimeve të vendit, duke përfshirë trafikimin e drogës dhe korrupsionin. “Qëllimi i protestës është heqja e Edi Rama nga pushteti dhe ai nuk duhet të jetë më kryeministër i Shqipërisë”, tha Paloka, cituar nga radioja e Tiranës. Interesi në Bullgari për zhvillimet në Shqipëri është rritur ndjeshëm, pasi vendi ballkanik mori drejtimin e presidencës së Bashkimit Europian më 1 janar të këtij viti. Për gjashtë muaj, Sofia do të ketë një rol vendimtar në avancimin e Ballkanit Perëndimor në proceset integruese. Ndërkohë që “Independent Balkan News Agency” (IBNA) pasqyron fjalët e kryedemokratit, Lulzim Basha, i cili bën thirrje për bashkimin e shqiptarëve kundër lidhjeve të qeverisë me krimin e drogën, si dhe dhënien fund të krizës ekonomike. Partia Demokratike dhe natyrisht i gjithë koalicioni opozitar dhe të gjithë aleatët në këtë përpjekje të përbashkët, kanë nisur dhe do të intensifikojnë me të gjithë qytetarët shqiptarë një dialog për t’i paraprirë kësaj proteste. “Ftojmë të gjithë opinionbërësit, liderët e opinionit në këtë shoqëri, që frymën e refuzimit që sot preket në çdo shtëpi shqiptari, preket në çdo shesh qyteti, në institucionet publike dhe ndërmarrjet private, ta kthejmë në një frymë proteste”, citojnë Bashën mediat e huaja. “Më 27 janar në orën 12:00 do të jemi në shesh për të zgjuar ndërgjegjen qytetare. Protestat do të jenë të pandalshme, do të jetë tradhti kombëtare, nëse do të lejojmë Ramën të largojë shqiptarët nga vendi”, citohet kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Rama, urdhër kamikazes së tij për largim të hetuesve të Tahirit

Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, pas ristrukturimit të Prokurorisë së Përgjithshme, do të bëjë shkarkimin e emërimeve dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
“ReportTv” raporton se lëvizja e radhës së zonjës Marku do të jetë shkarkimi i kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj. Prokurori Hajdarmataj është njëkohësisht udhëheqi i hetimeve për çështjen Tahiri-Habilaj.
Pozicioni i Kryeprokurores së Përkohshme, i pa parashikuar nga Kushtetuta, ngjason për nga kompetencat me rolin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm, i cili nuk mund të emërojë apo shkarkojë prokurorë.
Me institucionet e reja të dala nga Reforma në Drejtësi, kjo e drejtë i kalon Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Megjithatë duket se Arta Marku nuk po vepron si Kryeprokurore e Përkohshme, e madje as si Kryeprokurore e pavarur.
Ndërhyrja në një çështje me interes të lartë publik e politik si në rastin e çështjes Tahiri, lë të kuptohet se zonja Marku ka më shumë pushtet se sa u përfol në fillim nga OPDAT dhe EURALIUS.
Duket se kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku, ka shkuar në zyrën e Adriatik Llallës me një plan të detajuar për të kryer një operacion të gjerë spastrimesh, ndaj gjithë drejtuesve në qendër dhe rrethe të cilët njihen, si “Grupi i Llallës”. Ndryshimet e para prekën drejtuesit e prokurorive më të rëndësishme në vend, duke filluar me Tiranën dhe vazhduar këto ditë me ato të; Elbasanit, Fierit, Kukësit dhe në fund të Durrësit.
Korridoret dhe zyrat në organin e akuzës zjejnë nga kjo reformë totale që po kryhet me shpejtësi, por deri më sot ata që kanë reaguar publikisht kundër vendimeve të kryeprokurores Marku, janë ish-drejtoresha për Marrëdhëniet me Jashtë dhe shefe e sektorit të dekriminalizimit, Rovena Gashi, si dhe bashkëshorti i saj që deri dje ishte në krye të Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina.
Gashi ndërkohë ka depozituar edhe një padi ndaj kryeprokurores Marku, ndërkohë që edhe bashkëshorti i saj bëri të njëjtën gjë ditën e sotme. Ky i fundit madje fillimisht ka refuzuar ta zbatojë urdhrin e shkarkimit. Por pas një situate të tensionuar paraditen e sotme në dyert e të njëjtës zyrë në Prokurorinë e Elbasanit, ku është “përplasur” me Adrian Nezhën e emëruar nga Arta Marku në vend të tij, duket se ka vendosur ta vazhdojë betejën vetëm nëpërmjet Gjykatës.

Hakmarrje ndaj Adriatik Llallës?

Të gjithë të larguarit e deri më tanishëm, konsiderohen si njerëz të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Por nëse krerët e tjerë të akuzës nëpër rrethe kanë qenë të komanduar në ato detyra, duket se largimi i drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjana, më së shumti ngjan si një hakmarrje e pastër, pasi ai prej më shumë se dy vitesh ka qenë i emëruar në këtë detyrë dhe jo i komanduar.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat të shpërndarë nga drejtoresha e komanduar e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Alkeat Zifla, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit është caktuar përkohësisht prokuror në Pukë. Ajo që bie në sy për të gjitha këto lëvizje është mos publikimi i bazës ligjore për këto vendimmarrjeje të kryeprokurores Marku.
Sipas ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë vetëm të pezullojë prokurorët në rastet e parashikuara në ligj dhe të bëjë, vlerësimin e punës së tyre. Në këtë ligj nuk parashikohet asnjë kompetencë për shkarkime, emërime apo transferime sikurse kanë ndodhur që në ditët e para të marrjes së detyrës së Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, të zgjedhur nën tension të fortë politik dhe vetëm me votat e Partisë Socialiste.
Ndoshta mund të jetë koincidencë, por Prokurorja e Përgjithshme ka vendosur ndërprerjen e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, i cili zëvendësohet në detyrë nga prokurori Ardian Nezha, vetëm 24 orë pasi bashkëshortja e tij Rovena Gashi bëri padi penale ndaj saj. Gina vetë, të paktën publikisht pretendon se shkarkimi është i jashtëligjshëm dhe se nuk i kanë dorëzuar asnjë argumentim, as ligjor dhe as për performancën e punës. Nga ana tjetër zëvendësuesi i tij, Ardian Nezha mund të quhet edhe si një nga “të persekutuarit”, e ish-prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Deri dje, ai ka mbajtur detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Pukës, ku ishte transferuar mes polemikash me urdhër të Llallës.

Furi padish

Pavarësisht se deri më tani përballë mediave ka dalë vetëm Dritan Gina, mësohet se të gjithë drejtuesit e lëvizur nga detyra përgjatë këtyre ditëve, pritet të kundërshtojnë vendimin e kryeprokurores Marku në Gjykatën Administrative, si të pabazuar në ligj.
E para që ka ndjekur rrugën ligjore për të kundërshtuar vendimin e kryeprokurores Marku është ish-drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë njëherësh dhe ish-drejtuesja e sektorit të Dekriminalizimit, Rovena Gashi, e cila sot u ndoq nga bashkëshorti i saj Gina.
Më herët kryeprokurorja e përkohshme shkarkoi nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dhe këshilltarin për mediat në Prokurorinë e Përgjithshme, Albi Serani.

Shpërblime dhe ndëshkime?

Gjithashtu kryeprokurorja e përkohshme vendosi ndërprerjen e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Fierit, Pali Deçolli, i cili është prokurori që pushoi dhe më pas rifilloi hetimet, për çështjen e shpërthimeve nga Bankers Petrolium, çështje që u kthye edhe në objekt akuzash mes ish-kryeprokurorit Llalla dhe Ambasadorit Amerikan Donald Lu. Deçolli është zëvendësuar nga prokurori Fatmir Lushi. Lëvizja e tretë në njoftimin e parë të Kabinetit të Arta Markut ishte ndërprerja e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Kukësit, Artur Ismailukaj.
Sipas burimeve priten edhe “viktima” të tjera nga kjo reformë radikale që po ndërmerr kryeprokurorja Arta Marku, por deri më tani vetëm Dritan Gina është rebeluar publikisht. Tensioni i krijuar gjatë ditës së djeshme dhe paradites së sotme në Elbasan, nuk e ka penguar Prokuroren e Përgjithshme të njoftojë edhe një tjetër largim, i cili në fakt kalon hapur kompetencat që i jep Kushtetuta e re, referuar Ligjit për Prokurorinë.
Siç e thamë edhe më lart bëhet fjalë për kreun e akuzës në Durrës, Agron Gjana. Atij fillimisht i është kërkuar, që të largohet me dorëheqje. Por pas refuzimit të prerë, kryeprokurorja e përkohshme “I ra shkurt”, duke vendosur jo vetëm largimin e Gjanës, por edhe “internimin” e tij si prokuror i përkohshëm në Pukë, në vend të Ardian Nezhës. Po në këtë lëvizje duket se problematike nuk është vetëm lëvizja e Gjanës, por edhe nga kush zëvendësohet ai.
Në vend të tij është komanduar, Donika Prela, aktualisht prokurore pranë Prokurorisë së Rrethit Durrës. Por Prela e përzgjedhur nga Arta Marku rezulton me disa “cene”, në karrierën e saj. Drejtuesja e re e Prokurorisë së Durrësit ka qenë e kallëzuar penalisht bashkë me një gjyqtare të këtij qyteti, për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe “zhdukja ose humbja e shkresave nga fashikulli”. Por edhe Prokuroria e Kavajës ashtu dhe ajo e Tiranës atëherë, vendosën mos fillimin e procedimit penal. Po ashtu, shefja e re e Prokurorisë së Durrësit ka përfaqësuar akuzën në rastin e arrestimit dhe kontrollit të automjetit të shtetasit Ledion Ruçi, ngjarje e ndodhur në vitin 2012, duke i kërkuar Gjykatës lirimin e djalit të deputetit Gramoz Ruçi dhe shpalljen e paligjshme të kontrollit të automjetit ku udhëtonte i dyshuari.

 

Ja futbollistët me valixhet gati!

Alexis Sanchez dhe Thomas Lemar janë emrat kopertinë në këto ditë të merkatos në Premier Leauge. Sulmuesi kilian i Arsenal, që do të jetë i lirë nga çdo lidhje kontraktuale në muajin qershor, çdo minutë që kalon afrohet më shumë me Manchester City. Në ditët e mbetura të janarit, ose maksimumi në verë, ai do të vihet në dispozicion të trajnerit Pep Guardiola. Manchester City është gati të paguajë edhe 40 milionë euro, për ta marrë që në mekaton e dimrit, por si zakonisht vjen “frenimi” nga Wenger: “Nuk ka pasur asnjë kontakt me Manchester City dhe pres që situata të mos ndryshojë deri në fund të sezonit”.
Chelsea duket se nuk do të ndalet vetëm me blerjen e Barkley. Mesfushori anglez, i blerë nga Everton është stërvitur dje me londinezët, por sipas trajnerit Conte, duke parë dëmtimin e rëndë që ka pasur lojtari, do të duhet shumë punë, përpara se ai të zbresë në fushë. Në “radarin” e Chelsea janë Alex Sandro i Juventus dhe Arturo Vidal i Bayern Munich. Ndërkohë, Tottenham ka huazuar te Burnley, 22-vjeçarin, N’Koudou. Në merkato po lëviz edhe Stoke, që është në kërkim të një trajneri. Gary Rowett ka rinovuar me Derby Count, teksa pritet të vijë mesfushori austriak Moritz Bauer nga ekipi rus Rubin Kazan.

Ibra-United, divorc që në janar?

Rrugët e Manchester United dhe Zlatan Ibrahimoviç mund të ndahen që në janar, gjashtë muaj para fundit të kontratës. “Thashethemi” i bujshëm është bërë i ditur nga “Yahoo Sports”, sipas të cilit 36-vjeçari nga Suedia, që sapo ka lënë pas shpine një dëmtim të rëndë që solli operacionin në muajin prill, ndihet i tërhequr nga një përvojë në kampionatin kinez ose në MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, atje ku emri i tij është akoma shumë tërheqës.
Në këto kushte jashtë shtuar zërat se qendërsulmuesi suedez mund të shkojë në Kinë ose në SHBA që gjatë muajit janar. Te Manchester United, Lukaku është titullar i padiskutueshëm, ndërsa Rashford dhe Martial janë dy alternativa të tjera që i pëlqejnë trajnerit Jose Mourinho. Kësisoj, Zlatan mund të ndihet i tepërt dhe të largohet gjashtë muaj para “lamtumirës”, që në verë është e pashmangshme.
Ibra u rikthye më shpejt sesa mendohej dhe nga 18 nëntori deri më 26 dhjetor ka luajtur 7 ndeshje, pesë nga stoli dhe dy si titullar me një gol “pa vlerë” të shënuar kundër Bristol City. Një total prej 187 minuta përpara se të ndalej sërish për një muaj, si pasojë e një dhimbje në gjurin e operuar. Pikërisht kjo ndalesë tjetër ka ngjallur dyshime në lidhje me karrierën e tij. Në moshën 36 vjeç Premier League duket shumë e lodhshme edhe për një “luan” si ai.

“Lufta e ftohtë”!

Me javë të tëra distancë nga përplasja e famshme për goditjen e një penalltie, “lufta e ftohtë” në repartin sulmues të Paris St. Germain është rikthyer në fokus. Braziliani Neymar dhe Edinson Cavani janë në kufijtë e urrejtjes me njëri-tjetrin, por deri më tani, kjo ka ndikuar pak në lojën e skuadrës transalpine, që përballet gjithsesi me komplote të ndërsjella dhe tension në grupet që mbështesin lojtarët respektivë.
Në një krah kolonia braziliane, me futbollistin që ka kushtuar plot 222 milionë euro, e në krahun tjetër sulmuesi më efikas i të gjithë epokës “Khelaifi” në skuadrën pariziene. Sipas mediave franceze, Neymar po shton tensionin dhe komplotet kundër sulmuesit uruguajan, duke detyruar një shitje potenciale të tij në fundin e sezonit.
Statusin e “Princit” të Parisit, Neymar kërkon të mos e ndajë me Cavanin, ashtu si dhe privilegjet e goditjeve të dënimit e penalltive. Vonesa e fundit e sulmuesit uruguajan nga pushimet dimërore i ka sjellë lënien jashtë ekipit. Neymar, i përpiktë në rikthimin e tij, shfrytëzoi vonesën e Cavanit për të forcuar raportet me klanin e francezëve, grup që jozyrtarisht konsiderohet ndikues në një skuadër me 101 kombësi të ndryshme.
Duket se ky është vetëm agimi i një beteje të re, pas përplasjes publike për penalltitë, por pavarësisht se mediet vendase mbështesin Cavanin, mosha dhe paraqitjet anojnë bilancin nga ana e brazilianit. Cavani ndërkohë mund të krenohet se mori vlerësimin si “I huaji më i mirë” në kampionatin francez, e mund të mbështetet të paktën deri në merkaton e verës në raportin e privilegjuar me presidentin Nasser Al-Khelaifi.
Edinson Cavani dhe Javier Pastore nuk janë grumbulluar nga trajneri Unai Emery për ndeshjen që Paris Saint Germain do të luajë kundër Amiens në Kupën e Ligës së Francës, si pasojë e një dënimi disiplinor. Të dy futbollistët kanë shkuar katër ditë me vonesë në grumbullimin e PSG, në fillim të janarit, dhe pasi u përjashtuan nga ndeshja e parë e vitit kundër Rennes janë lënë sërish jashtë nga stafi i PSG.
Kjo masë e marrë nënkupton se të dy lojtarët do ta vazhdojnë karrierën diku gjetkë. Cavani, që e nisi sezonin me një sherr me Neymar dhe disa brazilianë të tjerë te PSG, e ka ndarë mendjen se do të largohen në qershor dhe po bën valixhen gati, ndërsa Pastore, që po vuan në gjetjen e një vendi si titullar po mendon largimin që në këtë muaj me Inter që është në “pole postion” për të marrë shërbimet e tij.

Emre zgjedh Juven, i thotë “jo” Bayernit

Një çështje ditësh, ndoshta e orëve: Emre Can është një hap larg nga të thënit “po” Juventusit. Mesfushori gjerman, siç është raportuar nga “Tuttosport”, ka zgjedhur bardhezinjtë. Javët e fundit, lojtari në fjalë, që i skadon kontrata me Liverpool, ka refuzuar ofertat e Bayern Munich dhe Manchester City, duke preferuar Juventusin. Optimizmi rreth “tymit të zi” dhe “të bardhë” rritet nga ora në orë, teksa nënshkrimi pesëvjeçar, me pagë 5 milionë neto në sezon, konsiderohet e përballueshme te kampionët në fuqi të Italisë.
Ndoshta ekziston një precedent, si ai me mesfushorin belg, Witsel, që i bën juventinët të jenë të përmbajtur, por këtë herë historia nuk duhet të përsëritet për shkak se, siç u përmend, Emre Can ka refuzuar tashmë klubet e tjera të mëdha europiane në mënyrë që të mbërrijë në Torino, ku Alegri është duke e pritur për atë me krahë hapur. Gjermani do të ishte profili i përsosur për mesfushën e Juventusit në sajë të karakteristikave të tij. Që të kryhet ky operiacion, mbetet vetëm që të presim disa muaj, ndoshta.

City dhe Arsenal duan mbrojtësin e WBA

Manchester City ka nisur bisedimet me West Brom në lidhje me blerjen e Jonny Evans. Pep Guardiola ka kërkuar një mbrojtës për skuadrën e tij gjatë muajit janar, duke qenë se është ende në garë për të fituar katër veprimtari. “Daily Mail” shkruan se, përfaqësuesit e të dy klubeve janë takuar ditën e martë në mbrëmje, teksa edhe Arsenal është i interesuar për të marrë shërbimet e Evans. Ish-mbrojtësi i Manchester United ka edhe 18 muaj kontratë me WBA që pretendon të paktën 25 milionë euro për shërbimet e tij.
Guardiola po ndjek gjithashtu edhe mbrojtësin e Real Sociedad, Inigo Martinez, i cili ka një klauzolë për prishjen e kontratës prej 30 milionë eurosh. Për të janë interesuar edhe Manchester United dhe West Ham. Ndërkohë, Arsene Wenger ka thënë se Arsenal nuk mund të garojë me City, nëse ata ofrojnë 30 milionë euro për një mbrojtës 30-vjeçar si Evans, edhe pse futbollisti i pëlqen “topçinjve”. “Ne e dimë që nëse City bën një ofertë, atëherë ne do të kemi ofertën e dytë më të mirë dhe më pak i takon WBA të vendosë”, tha trajneri francez.

Klopp “peshkon” te Milani për zëvendësuesin e Coutinhos

Me 160 milionë euro të gatshme nga shitja e Philippe Coutinho ndaj Barcelonës, Liverpool po analizon mundësitë e ofruara nga merkatoja e dimrit, në përpjekje për të forcuar ekipin për pjesën e mbetur të sezonit. Parësore për ekipin anglez është të sa më shumë të jetë e mundur në Ligën e Kampionëve. Shtypi anglez përmend disa emra për të zëvendësuar Coutinho në “Anfield” dhe njëri prej tyre është Suso, futbollisti spanjoll i Milanit. Mesfushori nga Cadiz mund ta kalojë pjesën e dytë të këtij sezoni me Liverpool, ku ai mbërriti në vitin 2012 për të luajtur nën drejtimin e Brendan Rogers, por pa shumë sukses, çka në fund shkaktoi lëvizjen e tij te Milani, në janar 2015.
Suso ka një kontratë me Milanin deri në vitin 2022 (e rinovuar në shtator 2017) dhe ka luajtur në “Europa League” këtë sezon me kuqezinjtë. Megjithatë, kjo nuk do të jetë një pengesë për të luajtur në Ligën e Kampionëve me Liverpool, sepse ende ka një skedë të lirë për të regjistruar një lojtar në Ligën e Kampionëve. Përveç Suso, e përditshmja “Express” përmend edhe emra të tjerë, si Mahrez (Leicester) apo Lemar (Monako), si përforcime të mundshme nga Liverpool për të kompensuar largimin e Coutinho.

 

De Bruyne konfirmon transferimin e Alexis Sanchez?

Kevin De Bruyne ka zbuluar se, Manchester City është duke pritur Alexis Sanchez nga Arsenal këtë muaj. Dy klubet janë duke negociuar për yllin kilian, i cili edhe gjatë verës së kaluar ishte pranë qytetarëve.
Kryesuesit e Premier League ishin përgatitur të pritnin deri në fund të sezonit për të nënshkruar me Sanchez kur 29-vjeçari të jetë një lojtar i lirë. Por dëmtimi serioz i Gabriel Jesus që do ta mbajë rreth 2 muaj larg fushave ka ndryshuar planet e City-t. Gjithsesi klubi i Mançesterit nuk do të paguajë më shumë se sa duhet për një lojtar që do të jetë i lirë në fund të sezonit. “Ai është një lojtar shumë i mirë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në merkaton e janarit. Nëse një lojtar i mirë vjen do të jetë diçka e mirë për ne, nëse jo do të vazhdojmë me skuadrën aktuale”. Deklarata që i kanë dhënë shpresë tifozëve të City-t. Vetë De Bruyne është i qetë për sa i përket rinovimit të kontratës së tij. “Jemi duke negociuar. Jam duke pritur ofertën e klubit, por agjenti im ka tre javë që është me pushime. Për momentin nuk ka asgjë të re”.

Morinjo i patrazuar nga Konte

Ai të bën të kuptosh se nuk ka qëllim të vazhdojë këtë sherr mediatik me homologun e tij, 54-vjeçari preferon të fokusohet te pjesa e mbetur e sezonit të United. Mourinho është befasuar nga qëndrimi i Conte-s, por nuk mendon se ka faj, pasi trajneri i Chelsea-t gabimisht mendoi se ishte ai palaço që përmendi portugezi një javë më parë.
Deklarata e palaços detyroi Conte-n të deklaronte se, Mourinho vuante nga skleroza të premten e kaluar. Mourinho tha atë natë se ka bërë gabime në të kaluarën dhe do të bëjë gabime në të ardhmen, por nuk do të pezullohet asnjëherë për trukim ndeshjesh. Conte kundërpërgjigjet duke e quajtur një njeri të ulët portugezin. Të martën, Conte deklaroi se nuk do t’ia harrojë fjalët e thëna Mourinho-s, por Mourinho ka mbajtur të njëjtin qëndrim.
Skuadra e Conte-s do të ndeshet me Arsenal në gjysmëfinalen e Carabao Cup të mërkurën, dhe pas ndeshjes të gjithë po presin me padurim të dëgjojnë se çfarë do të thotë Conte rreth kësaj çështje.